Beci: Vijon pastrimi i mbetjeve inerte pas shembjes së ndërtimeve pa leje në Theth
TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Në Theth, grupet e punonjësve të Bashkisë Shkodër po vijojnë punën për pastrimin e zonës në qendër të fshatit, pas aksionit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, për shembjen e ndërtimeve pa leje në këtë zonë.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci ndau në rrjete sociale momente nga aksioni për pastrimin e territorit nga inertet, me synim rikthimin e hapësirave në gjendjen e mëparshme dhe ruajtjen e imazhit karakteristik të Thethit, qendër e Parkut Kombëtar të Alpeve.
Beci bëri të ditur se, gjithashtu janë vendosur rrethime për 5 pika të kontenierëve të mbetjeve, për të parandaluar shpërndarjen e tyre nga kafshët dhe hedhjen jashtë kontenierëve.
“Puna po zhvillohet në disa drejtime, me qëllim përmirësimin e shërbimeve dhe krijimin e kushteve më të mira për banorët dhe turistët”, tha Beci.
I ndodhur 70 km larg Shkodrës, Thethi është një nga destinacionet më të preferuar të turistëve në të gjitha stinët, por veçanërisht gjatë sezonit të verës.
Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. /j.p/
The post Beci: Vijon pastrimi i mbetjeve inerte pas shembjes së ndërtimeve pa leje në Theth appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.