Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 July 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

ITALI – Sulm i dhunshëm ndaj kantierit Torino-Lion, digjen dy mjete të karabinierëve

TORINO, 25 korrik /ATSH -ANSA/ – Qindra aktivistë antagonistë kanë sulmuar nga disa drejtime kantierin e linjës hekurudhore Torino-Lion në Chiomonte, në Luginën e Susës (Valle di Susa).

  1. Gjatë sulmit, dy furgonë të karabinierëve janë përfshirë nga flakët.

Deri më tani nuk ka informacione të konfirmuara për të plagosur. Protestuesit ishin të veshur me të zeza dhe mbanin helmeta e maska kundër gazit.

Forcat e rendit iu përgjigjën sulmit nga brenda kantierit duke përdorur gaz lotsjellës dhe automjete me ujë me presion, ndërsa protestuesit hodhën gurë, shishe, bomba artizanale dhe fishekzjarre, madje edhe me mortaja të improvizuara.

Një grup prej rreth 100 personash të maskuar u bllokua nga policia, ndërsa një grup tjetër, më i madh, u ndalua në Bruzolo, mes San Didero dhe Bussoleno, për të mos lejuar afrimin e tyre pranë kantierit.

Gjatë përplasjeve u dëmtuan edhe disa barriera mbrojtëse prej betoni (“New Jersey”).

Ndërkohë, kompania koncesionare e autostradës Sitaf njoftoi se, për arsye të sigurisë publike, është mbyllur autostrada A32 Torino–Bardonecchia në segmentin mes daljeve Oulx dhe Susa Est.

Më herët gjatë ditës, qindra aktivistë të krahut më radikal të lëvizjes kishin sulmuar me gurë dhe bomba artizanale forcat e rendit që mbronin kantierin në San Didero.

Policia përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë, ndërsa përplasjet e para zgjatën rreth 20 minuta. /os/

The post ITALI – Sulm i dhunshëm ndaj kantierit Torino-Lion, digjen dy mjete të karabinierëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Lumturia me adresë të re: Ishulli 11 miliardë dollarësh që hapet në 2029

ABU DHABI , 25 korrik /ATSH/ – Pse të mjaftohesh me një fundjavë në një spa ose me një javë në një qendër wellness? Mund të bëhet shumë më tepër: të jetosh çdo ditë në mirëqenie. Mjafton të kesh shumë para dhe të jesh i gatshëm të shpërngulesh në Emiratet e Bashkuara Arabe, shkruan repubblica It

Në Gjirin Persik do të ngrihet Fahid Island, një ishull i vogël që synon ta shndërrojë kujdesin për veten në diçka më shumë sesa një pushim të përkohshëm – në një stil të vërtetë jetese.

Hapja e tij është planifikuar për vitin 2029.
Fahid Island në Abu Dhabi do të jetë një kompleks rezidencial me mbi 6.000 banesa, i projektuar për t’u ofruar banorëve mirëqenien më të mirë fizike dhe mendore.

Sipas CNN, projekti ka një vlerë prej 40 miliardë dirhamësh të Emirateve të Bashkuara Arabe (rreth 10,9 miliardë dollarë) dhe drejtohet nga Aldar Development, kompania shtetërore e zhvillimit imobiliar e Abu Dhabit.

Kompania ka bërë të ditur se të gjitha ndërtesat, shërbimet dhe infrastrukturat do të projektohen për të krijuar një “strehë të dedikuar për mirëqenien dhe aktivitetin fizik”.

Programi i certifikimit

I gjithë ishulli do të certifikohet sipas standardit Fitwel, një program për certifikimin e “ndërtesave të shëndetshme”, i zhvilluar nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe General Services Administration (GSA).

Në zemër të Fahid Island do të ndërtohet Berm Park, një park me gjatësi 10 kilometra.

Ky “korridor i fitnesit dhe mirëqenies” do të përfshijë shtigje për vrapim dhe tre pista për biçikleta, duke shërbyer gjithashtu si një barrierë natyrore vizuale dhe akustike mes plazhit dhe pyllit me mangrova.

Përgjatë 11 kilometrave vijë bregdetare do të ndërtohen tre komplekse rezidenciale me apartamente dhe vila luksoze.

Çmimet e apartamenteve do të nisin nga 1,9 milionë dirhamë (rreth 517.000 dollarë) dhe do të arrijnë deri në 7,6 milionë dirhamë (rreth 2 milionë dollarë) për rezidencat më prestigjioze.

Banorët do të kenë në dispozicion një gamë të gjerë shërbimesh, një bulevard tregtar, plazhe të organizuara dhe qendra për sportet ujore, të gjitha të lidhura me një rrjet prej 15 kilometrash shtigjesh.

Mbi 70% e këtyre rrugëve do të jenë të mbuluara me hije, për ta bërë ishullin të përshkueshëm në këmbë edhe gjatë temperaturave të larta.

Arsimimi në ishull

Arsimimi do t’i besohet King’s College School Wimbledon, shkolla private britanike që do të hapë një kampus në ishull në shtator të vitit 2028.

Ajo do të jetë shkolla e parë në botë që do të marrë certifikimin Fitwel.

Emma McCreery Breen, zëvendëspresidente e lartë e Aldar Development, u shpreh: “Jemi siguruar që çdo vendim, si në projektim ashtu edhe në zhvillimin e projektit, të merret gjithmonë duke pasur në qendër mirëqenien e njerëzve.”. /os/

The post SOFT NEWS – Lumturia me adresë të re: Ishulli 11 miliardë dollarësh që hapet në 2029 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Tërshëra, drithi që mbron zemrën dhe përmirëson shëndetin e zorrëve

ROMË, 25 korrik /ATSH -ANSA/  Tërshëra (Avena sativa) është një drith integral që i përket së njëjtës familje me grurin, orizin dhe elbin. Ajo është kultivuar rreth 3.000 vjet më parë në Evropën Qendrore ose Veriore dhe përshtatet shumë mirë me klimën e freskët dhe të lagësht, shkruan mondo sanità.it.

Kokrra e tërshërës përbëhet nga krundet, endosperma dhe embrioni.

Në treg gjendet në forma të ndryshme:
kokrra të plota (më pak të përpunuara),
steel-cut (kokrra të prera),
thekon (të ziera me avull dhe të shtypura),
tërshërë e menjëhershme (instant), e cila tretet më shpejt.

Sa më pak të jetë përpunuar kokrra, aq më ngadalë çlirohen karbohidratet dhe rritet më ngadalë niveli i sheqerit në gjak.
Vlerat ushqyese

100 gramë tërshëre përmbajnë afërsisht:
382 kalori,
69 g karbohidrate,
13,5 g proteina,
10,4 g fibra,
rreth 6 g yndyrna, kryesisht të pangopura.

Një porcion prej 40 gramësh siguron rreth 150 kalori, pa llogaritur qumështin, kosin apo frutat që mund t’i shtohen.

Përveç kësaj, tërshëra është burim i mirë i:
magnezit,
fosforit,
zinkut,
hekurit,
vitaminës B1.

Beta-glukani – fibra më e rëndësishme
Përbërësi më i studiuar i tërshërës është beta-glukani, një fibër e tretshme që:
formon një xhel në zorrë; ndihmon në uljen e kolesterolit LDL (“kolesterolit të keq.

Tërshëra përmban gjithashtu avenantramide, përbërës natyralë me veti antioksiduese dhe anti-inflamatore, të studiuara kryesisht në kërkime laboratorike.

Përfundimi

Përfitimet e tërshërës nuk vijnë nga një “superushqyes” i vetëm, por nga kombinimi i:
fibrave (sidomos beta-glukanit),
strukturës së saj si drith integral,
proteinave,
vitaminave dhe mineraleve.

Konsumimi i rregullt i tërshërës, si pjesë e një diete të shëndetshme dhe të balancuar, mund të ndihmojë në përmirësimin e shëndetit të zorrëve, uljen e kolesterolit dhe kontrollin më të mirë të sheqerit në gjak.

The post FOKUS – Tërshëra, drithi që mbron zemrën dhe përmirëson shëndetin e zorrëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Zjarret shkatërruese në Francë dhe Spanjë, evakuohen rreth 250 mijë persona

PARIS, 25 korrik /ATSH -ANSA/ – Rreth 250 mijë persona janë evakuuar deri më tani nga jugperëndimi i Francës dhe qendra e Spanjës, ku zjarre të mëdha pyjore vazhdojnë të përhapen në mënyrë të pakontrolluar.

Në Francë, ministri i Brendshëm njoftoi se 167 mijë persona janë evakuuar në rajonin e Gironde, në jugperëndim të vendit.

Këtyre u shtohen edhe 30 mijë të evakuuar në departamentin Landes, që ndodhet pak më në jug.

Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme e Spanjës njoftoi se janë kryer edhe 10 mijë evakuime të tjera, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të evakuuarve në vend në 45 mijë persona.

Në total, rreth 250 mijë njerëz janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre për shkak të zjarreve të mëdha, të cilat vazhdojnë të përhapen me shpejtësi dhe mbeten jashtë kontrollit të autoriteteve.

Ekipet e zjarrfikësve dhe shërbimet e emergjencës janë angazhuar intensivisht për të frenuar flakët dhe për të garantuar sigurinë e banorëve në zonat e rrezikuara.  /os/

The post FOKUS – Zjarret shkatërruese në Francë dhe Spanjë, evakuohen rreth 250 mijë persona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Një stazhiste në NATO arrestohet për spiunazh

BRUKSEL 25 korrik ATSH AA/ – Një grua kanadeze me origjinë kineze, e cila ishte stazhiere në selinë ushtarake të NATO-s në Mons, është arrestuar nën dyshimin për spiunazh.

Agjencia e lajmeve Belga raportoi se prokuroria federale njoftoi se e dyshuara u vendos nën masën e arrestit dje, pasi tërhoqi vëmendjen e shërbimeve të sigurisë së Shtabit Suprem të Forcave Aleate në Evropë (SHAPE).

Megjithëse detajet e sakta të akuzave nuk janë bërë publike, autoritetet thanë se ato lidhen me “spiunazh në favor të një vendi të tretë” dhe “pjesëmarrje në një organizatë kriminale”.

Meqë spiunazhi është në juridiksionin e saj, prokuroria federale mori menjëherë përsipër çështjen. Nuk janë bërë të ditura detaje të tjera ndërsa hetimi vazhdon.  /os/

The post BRUKSEL – Një stazhiste në NATO arrestohet për spiunazh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zona e Lumit të Shalës do të lidhet me Tropojën, gati kantieri i aksit rrugor

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Kantieri për ndërtimin e rrugës Shalë–Tropojë, një nga investimet e rëndësishme infrastrukturore në veri të vendit, është gati në pritje të nisjes së punimeve për aksin që shënon hap të rëndësishëm për lidhjen e zonës së Dukagjinit me Kurorën e Alpeve Shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri, duke e cilësuar projektin si një investim strategjik që do të lidhë Shalën me Tropojën përmes Qafës së Ndërmajës.

Ky investim do të krijojë një korridor të ri lidhës mes zonave alpine, duke lehtësuar lëvizjen e banorëve dhe vizitorëve, si edhe duke rritur potencialin për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.

Realizimi i këtij projekti pritet të rrisë aksesueshmërinë në një prej destinacioneve më të veçanta të turizmit malor në vend, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve lokale dhe në promovimin e Alpeve Shqiptare si një destinacion turistik gjatë gjithë vitit.

/e.i/j.p/

The post Zona e Lumit të Shalës do të lidhet me Tropojën, gati kantieri i aksit rrugor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Linjat ajrore austriake dhe italiane anulojnë fluturimet drejt Izraelit për shkak të shqetësimeve të sigurisë

ROMË, 25 korrik /ATSH -AA/ – Austrian Airlines dhe ITA Airways kanë anuluar fluturimet e planifikuara drejt Izraelit për të shtunën për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Sipas raportit të transmetuesit izraelit Channel 12, të dyja kompanitë ajrore pezulluan shërbimet e tyre ndërsa tensionet në rritje në rajon vazhdojnë të pengojnë udhëtimet ajrore drejt dhe nga Izraeli.

Raporti nuk njoftoi nëse anulimet do të prekin edhe fluturimet pas së shtunës.

Kompani ajrore ndërkombëtare kanë pezulluar dhe rifilluar në mënyrë të përsëritur shërbimet drejt Izraelit që nga fillimi i luftës së Izraelit në Rripin e Gazës në tetor të vitit 2023.

Anulimet e fundit erdhën në një kohë tensionesh në përshkallëzim, të lidhura me përballjen e vazhdueshme mes SHBA-së dhe Iranit dhe frikën për një konflikt më të gjerë rajonal.

Tensionet në rajon janë përshkallëzuar që kur presidenti amerikan, Donald Trump, më 8 korrik njoftoi se armëpushimi i përcaktuar në memorandumin e mirëkuptimit SHBA-Iran të muajit të kaluar nuk ishte më në fuqi.

Që atëherë, SHBA-ja dhe Irani kanë shkëmbyer sulme, duke penguar transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit dhe duke rritur sërish shqetësimet për furnizimet globale me energji.

/os/

The post FOKUS – Linjat ajrore austriake dhe italiane anulojnë fluturimet drejt Izraelit për shkak të shqetësimeve të sigurisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SIRI – 19 të vdekur dhe 27 të plagosur nga një përplasje autobusësh

DAMASK,  25 korrik /ATSH AA/ – Të paktën 19 persona kanë humbur jetën dhe 27 të tjerë janë plagosur, pasi dy autobusë pasagjerësh u përplasën në një autostradë në Sirinë qendrore.

Siç raporton televizioni Alikhbaria, përplasja ndodhi në autostradën Damask-Deir ez-Zor midis qyteteve Palmyra dhe Al-Sukhnah dhe bilanci i viktimave dhe të plagosurve është paraprak.  /os/

The post SIRI – 19 të vdekur dhe 27 të plagosur nga një përplasje autobusësh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Karakaçi: Projekti Milot-Balldren përfshin tunel, ura dhe mirëmbajtje 35-vjeçare

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, reagoi sot ndaj atyre që i cilësoi si dezinformata lidhur me koston e projektit të autostradës Milot–Balldren, duke theksuar se vlerësimi i një vepre të tillë nuk mund të bëhet vetëm mbi bazën e gjatësisë së saj.

Në një deklaratë, Karakaçi tha se krahasimet që mbështeten vetëm te kostoja për kilometër janë të pasakta, pasi çdo projekt infrastrukture ndryshon në varësi të karakteristikave të terrenit, kushteve gjeologjike dhe veprave inxhinierike që përfshin.

Ministri sqaroi se vlera totale prej 364,7 milionë eurosh i referohet kontratës koncesionare 35-vjeçare, e cila përfshin projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen rutinë dhe periodike, sistemin elektronik të monitorimit dhe tarifimit, si dhe riveshjen e autostradës gjatë periudhës së kontratës.

Sipas tij, kostoja e ndërtimit të vetë autostradës është 182 milionë euro.

Karakaçi bëri të ditur se projekti përfshin një tunel me dy tuba prej 850 metrash, një urë 620 metra mbi lumin Mat, një urë 223 metra mbi lumin Drin, pesë nyje në disnivel, rreth 9,5 kilometra rrugë dytësore, si dhe sistemet elektronike të monitorimit dhe tarifimit.

Ai theksoi se aksi kalon në një zonë aluvionale pranë bregdetit Adriatik, çka kërkon punime shtesë për stabilizimin e terrenit, drenazhimin dhe masa të tjera inxhinierike.

Ministri e cilësoi autostradën Milot–Balldren një projekt me rëndësi strategjike, pjesë të rrjetit evropian të transportit, që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe më tej me rrjetin TEN-T, duke shtuar se qeveria mbetet e angazhuar për realizimin e saj sa më shpejt./ /gj.m/ a.jor.

The post Karakaçi: Projekti Milot-Balldren përfshin tunel, ura dhe mirëmbajtje 35-vjeçare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Prioritet lufta kundër trafiqeve dhe ndikimit të krimit në ekonomi

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita ka një paketë masash për përballimin e rritjes së çmimeve, rritjen e pagave dhe mbështetjen e sektorit të turizmit.

Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se rritja e kostos së jetesës lidhet, sipas tij, me politikat ekonomike të qeverisë, ndërsa prezantoi tre masa që PD synon të ndërmarrë.

Sipas Berishës, këto masa janë vendosja e minimumit jetik në nivelin 200 euro për çdo qytetar, heqja e TVSH-së ose ulja e saj në 6% për produktet ushqimore, si dhe dyfishimi i pagave dhe pensioneve përmes një politike agresive të rritjes së tyre.

Duke folur për sektorin e turizmit, kreu i PD-së deklaroi se ky sektor është goditur, sipas tij, nga zhvillimet ekonomike dhe largimi i fuqisë punëtore, ndërsa paraqiti tre hapa që, sipas tij, do të ndihmonin në rimëkëmbjen e tij.

Berisha tha se prioritet do të ishte lufta kundër trafiqeve dhe ndikimit të krimit në ekonomi, rishikimi i sistemit të taksave për hotelet dhe krijimi i një skeme mbështetëse për punonjësit sezonalë gjatë gjithë vitit, me bashkëkontributin e shtetit.

Kreu i PD-së u ndal edhe te çështja e TVSH-së për ushqimet, duke deklaruar se heqja e kësaj takse është e domosdoshme për të ulur barrën e shpenzimeve për qytetarët./ /gj.m/ a.jor.

The post Berisha: Prioritet lufta kundër trafiqeve dhe ndikimit të krimit në ekonomi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SIRI – Guterres në vizitën e parë të një kreu të OKB-së që prej 15 vitesh

25 July 2026 at 14:14

DAMASK, 25 korrik /ATSH-DPA/ – Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, mbërriti sot në Damask, duke zhvilluar vizitën e parë të një kreu të Kombeve të Bashkuara në Siri pas më shumë se 15 vitesh.

Në një postim në rrjetin X, ai e cilësoi udhëtimin si një “vizitë solidariteti” me popullin sirian.

Gjatë qëndrimit të tij, Guterres pritet të takohet me presidentin e përkohshëm Ahmed al-Sharaa, zyrtarë të tjerë politikë dhe përfaqësues të organizatave të grave.

Në axhendën e tij është edhe një vizitë në misionin paqeruajtës të OKB-së (UNDOF) në Lartësitë  Golan, i cili mbikëqyr zonën tampon mes forcave siriane dhe izraelite.

Vizita vjen në një periudhë kur autoritetet e reja siriane po përpiqen të rivendosin marrëdhëniet me komunitetin ndërkombëtar, pas rrëzimit në fund të vitit 2024 të regjimit të Bashar al-Assad nga aleanca rebele e udhëhequr nga grupi Hay’at Tahrir al-Sham (HTS).

Që prej atëherë, Ahmed al-Sharaa ka marrë detyrën e presidentit të përkohshëm.

Kombet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol kyç në ndihmën humanitare për Sirinë, ku sipas OKB-së rreth 15,6 milionë njerëz varen ende nga ndihma.

Miliona sirianë përballen me mungesë ushqimi, infrastrukturë të shkatërruar, qasje të kufizuar në shërbimet bazë dhe rrezikun e vazhdueshëm nga mjetet shpërthyese të mbetura nga lufta. /Ad.Ab./ a.jor.

The post SIRI – Guterres në vizitën e parë të një kreu të OKB-së që prej 15 vitesh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Befasi në mes të verës, bora mbulon Gjeravicën

PRISHTINË, 25 korrik/ATSH/ Edhe pse Kosova ndodhet në kulmin e stinës së verës, maja e Gjeravica, me lartësi prej 2,656 metrash, është mbuluar nga bora, duke krijuar një peizazh të pazakontë për këtë periudhë të vitit.

Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” ka publikuar fotografi nga maja e Gjeravicës, ku kontrasti mes gjelbërimit veror dhe shtresës së borës ofron pamje mbresëlënëse.

Sipas njoftimit, ky fenomen dëshmon edhe një herë veçantinë e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” dhe faktin se në lartësitë alpine kushtet e motit mund të ndryshojnë brenda vetëm pak orësh.

rejtoria u ka bërë thirrje vizitorëve që të tregojnë kujdes gjatë vizitave, të respektojnë natyrën dhe të kontribuojnë në ruajtjen e kësaj pasurie natyrore për brezat e ardhshëm.

/Kosovapress/

The post Befasi në mes të verës, bora mbulon Gjeravicën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Turistët shijojnë bukurinë e blusë së thellë të lumit të Shalës

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Lumi i Shalës është kthyer vitet e fundit në një nga destinacionet më tërheqëse për turistët vendas dhe të huaj.

Natyra e paeksploruar, lumi i kaltër dhe mundësitë e shumta të sporteve të aventurës bëjnë që ky destinacion të jetë në listën e vendeve kryesore për të vizituar gjatë periudhës qershor-gusht.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga lumi i Shalës, ku turistët shijojnë një nga eksperiencat më magjike të pushimeve në Shqipëri.

Lumi i Shalës buron rrëzë Alpeve dhe ka një gjatësi prej 37 kilometrash prej burimit në majën e Radohinës e deri në Drin.

Lumi i Shalës dallohet për ujin e tij të veçantë ngjyrë blu të thellë.

Ai është i pasur me një shumëllojshmëri peshqish, por më e përhapura është trofta, që rritet vetëm në ujërat e ëmbla.

Ngjyra e kaltër dhe e ftohtë e ujit është karakteristike e këtij lumi, shkëmbinjtë e thepisur që e rrethojnë, duken sikur prekin qiellin./ /gj.m/ a.jor.

The post Turistët shijojnë bukurinë e blusë së thellë të lumit të Shalës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia e Lezhës nuk konstaton asnjë shkelje për zhurmat në Shëngjin

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Policia e Lezhës vijon kontrollet për respektimin e normave të lejuara të zhurmës në zonën turistike të Shëngjinit, në kuadër të masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit veror.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë, kanë vijuar monitorimet në terren në zonat e identifikuara me risk për ndotje akustike.

Gjatë kontrolleve janë përdorur pajisje matëse të nivelit të zhurmës për verifikimin e ambienteve të hapura dhe të mbyllura, me qëllim respektimin e kufijve të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi për administrimin e zhurmës në mjedis.

Nga matjet e kryera rezultoi se nivelet e zhurmës kanë qenë brenda kufijve të lejuar dhe nuk është evidentuar asnjë shkelje që të kërkonte masa administrative.

Kontrollet kanë përfshirë edhe respektimin e orarit të lejuar për zhvillimin e aktiviteteve muzikore në ambiente të hapura në zona të banuara, nga ora 11:00 deri në orën 24:00.

Policia e Lezhës bëri të ditur se do të vijojë monitorimin gjatë gjithë sezonit turistik, me qëllim garantimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për banorët dhe vizitorët, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast shkeljeje./ /gj.m/ a.jor.

The post Policia e Lezhës nuk konstaton asnjë shkelje për zhurmat në Shëngjin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FRANCË – Rreth 100 000 ha tokë e djegur, rekord historik

25 July 2026 at 13:46

PARIS, 25 korrik /ATSH-AFP/ – Zjarre të ndryshme që po përhapen nëpër Francë kanë shkatërruar gati 98 000 hektarë që nga fillimi i vitit , “kryesisht për shkak të përhapjes së zjarrit në Zhironde”, njoftoi sot Ministri i Brendshëm Laurent Nunez, duke e cilësuar këtë si një “rekord historik”.

“Ka ende një sërë vatrash zjarri nëpër vend që nuk janë vënë ende nën kontroll” përfshirë ato në departamentet Zhironde, Landes dhe Var”, shtoi ministri pas një informimi në Qendrën Operacionale Ndërministrore për Menaxhimin e Krizave (COGIC).

Më pas, Laurent Nunez saktësoi se të paktën “40 000 hektarë” ishin djegur vetëm në departamentin e Zhironde. /Ad.Ab./  a.jor.

The post FRANCË – Rreth 100 000 ha tokë e djegur, rekord historik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

206 raste me shpejtësi deri në 212 km/h brenda një nate – Lamallari: Automjeti nuk është armë

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale ndaj shkeljeve të rënda të rregullave të qarkullimit rrugor, duke theksuar se ”drejtimi i automjeteve me shpejtësi ekstreme rrezikon jetën e drejtuesve dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës”.

Duke publikuar të dhëna nga kontrollet e orëve të fundit të Policisë së Shtetit, ai bën me dije se vetëm gjatë natës së kaluar pajisjet inteligjente kanë regjistruar 206 raste të automjeteve që lëviznin me shpejtësi nga 150 deri në 212 km/h në segmentet rrugore nga Lezha në Fier, ku kufiri maksimal i lejuar është 90 km/h.

Lamallari e cilëson këtë sjellje si të papranueshme dhe një kërcënim serioz për sigurinë rrugore, duke theksuar se automjeti nuk duhet të shndërrohet në një armë vdekjeprurëse ndaj vetes dhe të tjerëve.

Ai paralajmëron se ndaj drejtuesve që i trajtojnë rrugët si pista garash nuk do të ketë asnjë tolerancë, duke nënvizuar se teknologjia moderne e Policisë identifikon çdo shkelje dhe se masat administrative e ligjore do të zbatohen pa kompromis.

“Rrugët nuk do t’ua lëmë në dorë atyre që sillen si kamikazë në timon”, thekson  Lamallari në reagimin e tij./ /gj.m/ a.jor.

The post 206 raste me shpejtësi deri në 212 km/h brenda një nate – Lamallari: Automjeti nuk është armë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VJENË – Austria kundërshton anëtarësimin e përshpejtuar të Ukrainës në BE

25 July 2026 at 12:50

VJENË, 25 korrik /ATSH-DPA/ – Austria është shprehur kundër idesë së një anëtarësimi të përshpejtuar të Ukrainës në Bashkimin Evropian.

Ministrja austriake për Çështjet Evropiane, Claudia Bauer, deklaroi se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar vazhdimisht një afat të caktuar për anëtarësimin, por theksoi se një proces i tillë nuk mund të përshpejtohet me kërkesë politike.

Sipas Bauer, BE-ja duhet të vlerësojë me kujdes aftësinë e saj për të pranuar anëtarë të rinj.

Ajo nënvizoi se Ukraina, me rreth 39 milionë banorë dhe një sektor bujqësor shumë të ndryshëm nga ai i vendeve të tjera të unionit, do të sillte ndryshime të rëndësishme në funksionimin e BE-së.

Ministrja paralajmëroi gjithashtu se nuk duhet të krijohet një “sistem me dy standarde”, duke theksuar se të gjitha vendet kandidate duhet të respektojnë të njëjtat rregulla dhe të përmbushin vetë kriteret për anëtarësim.

Bashkimi Evropian hapi negociatat e anëtarësimit me Ukrainën në mesin e muajit qershor të këtij viti.

Faza e parë e bisedimeve përqendrohet te reforma në drejtësi, mbrojtja e vlerave themelore dhe çështjet e sigurisë, ndërsa Ukraina duhet të ndërmarrë ende reforma të rëndësishme, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit.

Presidenti Zelensky ka kërkuar që Ukraina të bëhet pjesë e BE-së deri në vitin 2027, por shumë vende anëtare e konsiderojnë këtë afat jorealist.

Në Bruksel mbizotëron bindja se anëtarësimi nuk pritet para mesit të dekadës së ardhshme dhe jo përpara përfundimit të luftës me Rusinë.

Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz ka propozuar që Ukraina të ketë një status të veçantë kalimtar, i cili do t’i lejonte të merrte pjesë në samitet dhe takimet ministrore të BE-së pa të drejtë vote. /Ad.Ab./ a.jor.

The post VJENË – Austria kundërshton anëtarësimin e përshpejtuar të Ukrainës në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Rama po vepron njëanshmërisht për reformën territoriale

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po vepron në mënyrë të njëanshme për reformën territoriale, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të protestojnë për këtë çështje.

Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se opozita e mbajti të bllokuar për disa orë seancën parlamentare, duke e përqendruar debatin te reforma territoriale dhe kërkesat e protestuesve.

Sipas Berishës, Partia Demokratike mori pjesë në komisionin për reformën territoriale për të mbrojtur interesat e qytetarëve, duke paraqitur një projekt alternativ që parashikonte rritjen e numrit të bashkive dhe krijimin e njësive të reja vendore në përputhje me ndryshimet demografike.

Berisha pretendoi se kryeministri Rama u tërhoq nga procesi i konsultimit dhe miratoi në mënyrë të njëanshme raportin për reformën territoriale, duke e cilësuar këtë veprim si të kundërligjshëm.

Kreu i PD-së u bëri thirrje qytetarëve që të mos e lënë reformën territoriale “në duart e Edi Ramës”, por të bashkohen në protestat e opozitës.

“Ai bën gjithçka për një konfrontim dhe unë ftoj qytetarët që këtë reformë kaq të rëndësishme për ata, për komunitetet e tyre, për zonën e tyre, të mos e lënë në duart e Edi Ramës, por të bashkohen me kryengritjen e përgjithshme popullore në Tiranë gjer në largimin e tij”, tha Berisha./ /gj.m/ a.jor.

The post Berisha: Rama po vepron njëanshmërisht për reformën territoriale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla: Programi “Dyfisho sipërmarrjen tënde” mundësi të reja financimi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Programi ”Dyfisho sipërmarrjen tënde” mbështet sipërmarrjet shqiptare, tha sot drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Taulant Balla, gjatë një vizite në kantinën “Belba” në Kavajë, një sipërmarrje e krijuar nga dy vëllezër që sollën në Shqipëri përvojën e fituar në Itali duke e ndërthurur me traditën vendase të prodhimit të verës.

Gjatë vizitës, Balla u njoh nga afër me aktivitetin e kantinës dhe procesin e prodhimit të verës “Belba”, e cila sot konsiderohet ndër verërat më cilësore “Made in Albania”.

Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes së sipërmarrjeve që investojnë në cilësi, inovacion dhe zhvillimin e ekonomisë vendase, duke nënvizuar se programi “Dyfisho sipërmarrjen tënde” krijon mundësi të reja financimi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Sipas Ballës, ”përmes këtij programi bizneset mund të përfitojnë kredi me normë interesi preferenciale dhe Garanci Sovrane, duke lehtësuar investimet, zgjerimin e aktivitetit dhe rritjen e konkurrueshmërisë së sipërmarrjeve shqiptare”.

Kantina “Belba” është një shembull konkret i mbështetjes për bizneset që promovojnë produktet shqiptare dhe kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.

/gj.m/ a.jor.

The post Balla: Programi “Dyfisho sipërmarrjen tënde” mundësi të reja financimi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Rama injoroi kërkesat e protestuesve

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se kryeministri Edi Rama ka injoruar kërkesat e protestuesve, ndërsa pretendoi se lëvizja qytetare “jo vetëm që nuk po shuhet, por po bëhet gjithnjë e më tronditëse për regjimin e tij”.

Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se java që lamë pas u karakterizua nga zhvillime politike dhe parlamentare, duke akuzuar mazhorancën se miratoi ligje dhe ndryshime ligjore që, sipas tij, favorizojnë interesa të caktuara.

“Këtë javë, Edi Rama përdori forcën e kartonave të tij të krimit për të votuar në parlament ligje dhe amendime të Kodit Civil, të Kodit Detar, me të cilat ai mbështet fuqishëm oligarkët dhe interesat e tij kriminale. Edi Rama përdori kartonat e tij të krimit për të votuar në parlament dhuratën e parave që u grabiti pensionistëve shqiptarë, qytetarëve shqiptarë dhe për t’ua dhuruar ato miliarderit Kanye West”, tha Berisha.

Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për përdorimin e forcës ndaj protestuesve gjatë protestave të fundit, duke pretenduar se ndaj tyre janë përdorur lëndë kimike dhe mjete të tjera për shpërndarjen e turmës.

“Ai përdori dhunën më të egër, lëndët helmuese, djegëse, kimike njëlloj si ato që përdoren në llogoret e luftës kundër armiqve, i përdori ndaj protestuesve paqësorë”, tha Berisha.

Sipas kreut të PD-së, kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, të cilin ai e cilësoi si jolegjitim, duke përsëritur akuzat e opozitës për procesin zgjedhor dhe qeverisjen.

Në deklaratën e tij, Berisha kritikoi edhe qëndrimet e kryeministrit lidhur me luftën kundër korrupsionit, duke pretenduar se Rama ka injoruar rastet e dënimeve të zyrtarëve të lartë në Shqipëri./ /gj.m/ a.jor.

The post Berisha: Rama injoroi kërkesat e protestuesve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌