Franca dhe Kaledonia e Re njoftuan arritjen e një marrëveshjeje historike, sipas së cilës territori përtej detit do të mbetet pjesë e Francës, por do të fitojë statusin e një shteti të ri të njohur si “Shteti i Kaledonisë së Re”.
Pas dhjetë ditësh negociatash, përfaqësues të palëve pro-franceze dhe atyre pro-pavarësisë ranë dakord për krijimin e një kombësie të re për Kaledoninë e Re, e cila do të mund të kombinohet me shtetësinë franceze. Marrëveshja prej 13 faqesh do të përfshihet në kushtetutën franceze dhe pritet të njihet ndërkombëtarisht.
Marrëveshja vjen pas trazirave të dhunshme në Maj 2024, kur ndryshimet e planifikuara në sistemin zgjedhor shkaktuan përplasje që lanë 14 të vdekur dhe dëme ekonomike në vlerë prej rreth 2 miliardë eurosh.
Protestuesit, kryesisht nga popullsia indigjene Kanake, kundërshtuan dhënien e të drejtës së votës për banorët jo-autoktonë, duke frikësuar se kjo do të minonte aspiratat për pavarësi.
Sipas kushteve të reja, e drejta për të votuar në zgjedhjet lokale do të mundësohet vetëm për ata që kanë jetuar për të paktën 10 vjet në territor.
Presidenti Emmanuel Macron e quajti marrëveshjen një hap të madh për zgjidhjen e krizës politike të gjatë, ndërsa kryeministri François Bayrou e përshkroi atë me “dimensione historike”.
Kaledonia e Re, me një popullsi prej rreth 270,000 banorësh, ka qenë nën administrimin francez që nga shekulli XIX.
Por ndarjet midis komuniteteve kanë shkaktuar përçarje të thella për të ardhmen e territorit, midis atyre që kërkojnë më shumë autonomi dhe atyre që mbështesin mbetjen nën Francë.
Marrëveshja parashikon gjithashtu një pakt për rimëkëmbjen ekonomike dhe përforcimin e industrisë së nikelit, një nga burimet kryesore të të ardhurave për arkipelagun.
Parlamenti francez pritet ta miratojë marrëveshjen në fund të vitit 2025, ndërsa referendumi konfirmues në Kaledoninë e Re do të mbahet në vitin 2026.
Autoritetet franceze kanë nisur sot një hetim ndaj rrjetit të medias sociale X me akuza se ka manipuluar algoritmet për të lehtësuar “ndërhyrjen e huaj”.
Prokurorja Publike e Parisit, Laure Beccuau, ka konfirmuar se hetimi është hapur më 9 korrik pas ankesave të paraqitura në janar 2025 nga një ligjvënës francez dhe një zyrtar i lartë nga një institucion publik, thonë mediat franceze, të cilat citojnë një deklaratë nga zyra e prokurorit.
Ankesat akuzojnë X-in për manipulimin e algoritmit të tij për qëllime të ndërhyrjes së huaj, si dhe për të përhapur përmbajtje politike urrejtëse dhe raciste që synojnë shtrembërimin e debatit demokratik në Francë.
Beccuau ka thënë se Xhandarmëria Kombëtare është ngarkuar me hetimin e rrjetit X si një entitet ligjor, si dhe të “individëve” që e menaxhojnë atë, pa përmendur pronarin e tij, Elon Musk.
Presidenti i Francës Emannuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer kanë rënë dakord për programin pilot të “shkëmbimit të emigrantëve”. Programi i ri i bashkëpunimit mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës synon të krijojë një sistem efektiv për menaxhimin dhe parandalimin e migracionit të paligjshëm.
Sipas marrëveshjes, emigrantët që kalojnë ilegalisht Kanalin Anglez do të ndalohen dhe kthehen shpejt në Francë. Në këmbim, një numër i kufizuar emigrantësh me lidhje familjare në MB do të lejohen të hyjnë në mënyrë të ligjshme dhe të kontrolluar. Kjo skemë-pilot do të nisë në javët e ardhshme dhe është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të shkatërruar rrjetet e trafikut të njerëzve.
Të dy liderët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit dhe shmangien e akuzave për fajësi mes dy vendeve. Programi synon të krijojë një përgjigje të qëndrueshme ndaj krizës së migracionit, duke u fokusuar në shkaqet rrënjësore të tij. Francezët kanë forcuar kontrollin në kufij, duke dërguar 1,200 agjentë sigurie për të mbështetur këtë proces.
Kryeministri britanik Starmer e përshkroi marrëveshjen si “revolucionare”, ndërsa presidenti Macron e cilësoi si një përgjigje të mirëfilltë pas nëntë vitesh stagnim. Programi do të sigurojë rrugë ligjore për azilkërkuesit që kanë lidhje reale me MB dhe do të përpiqet të shmangë rrezikun e kalimeve ilegale. Ky është një hap i rëndësishëm në përpjekjet e përbashkëta për të ruajtur sigurinë dhe për të mbrojtur të drejtat e emigrantëve.
Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, tha të mërkurën se Franca dhe Gjermania duhet t’u përmbahen marrëveshjeve të mëparshme mbi konfigurimin e projektit të përbashkët franko-gjerman për avionët luftarakë FCAS, pas u raportua në fillim të kësaj jave se Franca tani kërkon të marrë pjesë në 80 për qind të punës.
Merz tha se është në kontakt të rregullt me presidentin francez, Emmanuel Macron, për projektin, i cili vlen më shumë se 100 miliardë euro dhe ka hasur në vonesa dhe mosmarrëveshje për ndarjen e punëve dhe të drejtave të pronësisë autoriale.
Udhëheqësit e dy ekonomive më të mëdha të Evropës pritet të takohen në Berlin kah fundi i këtij muaji, raporton Reuters.
“Jam plotësisht i vendosur t’i qëndrojmë besnikë marrëveshjeve që kemi bërë me Francën dhe Spanjën në lidhje me FCAS”, tha Merz në një konferencë të përbashkët për shtyp me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Kompania franceze Dassault Aviation, si dhe Airbus dhe Indra – këto dy të fundit përfaqësojnë Gjermaninë dhe Spanjën – janë pjesë e projektit për t’i zëvendësuar avionët francezë Rafale dhe ata gjermanë e spanjollë Eurofighter, me avionë luftarakë të gjeneratës së pestë duke filluar nga viti 2040.
Megjithatë, Merzi e pranoi se ende ka dallime në qëndrime për mënyrën se si duhet të përbëhet konsorciumi.
“Çështjet që kanë të bëjnë me pikëpamjet e ndryshme për përbërjen e konsorciumit ende nuk janë zgjidhur. Por, jam i bindur se do t’ia dalim”, tha ai.
Franca ia ka bërë të ditur Gjermanisë se dëshiron të ketë rreth 80 për qind të ndarjes së punës në FCAS, tha një burim nga industria e mbrojtjes për Reuters në fillim të kësaj jave.
Nëse Franca nuk heq dorë nga kjo kërkesë, atëherë ndarja e punëve siç ishin pajtuar palët më herët, do të anulohet, tha burimi. Sipas tij, dallimet që do të krijoheshin mes partnerëve të projektit do ta bënin të pamundur që ai të kalonte në fazën e ardhshme siç ishte planifikuar deri në fund të këtij viti./REL
Autoritetet franceze kanë bastisur selinë e partisë së të djathtës ekstreme, Bashkimi Kombëtar, në kuadër të një hetimi të lidhur me shkeljen e rregullave financiare të fushatës elektorale.
Kryetari i partisë, Jordan Bardella, në reagimin e tij e ka quajtur bastisjen një “fushatë të re ngacmimi”.
Zyra e prokurorit në Paris deklaroi se hetimi synon të zbardhë nëse Bashkimi Kombëtar e ka financuar një pjesë të fushatave të tij përmes borxheve të paligjshme mes viteve 2020-2024.
Hetimi lidhet me mundësinë e pastrimit të parave dhe përdorimit të dokumenteve të falsifikuara gjatë fushatës presidenciale të vitit 2022, asaj të zgjedhjeve legjislative të të njëjtit vit dhe të zgjedhjeve evropiane në vitin 2024.
Për momentin nuk është ngritur asnjë akuzë dhe hetimi është në vazhdim, ka bërë të ditur zyra e prokurorit për mediat franceze.
Në një postim në rrjetin “X”, Bardella ka deklaruar se oficerë të armatosur dhe nga radhët e policisë gjyqësore kishin bastisur zyrat e partisë në Paris, duke konfiskuar dokumente dhe servera kompjuterësh që përmbanin email-e dhe të dhëna të tjera.
“Të gjitha dosjet që përmbajnë të dhënat mbi fushatat elektorale rajonale, presidenciale, parlamentare dhe euro-parlamentare nga sot ndodhen në duart e gjyqësorit”, ka shkruar Bardella, duke shtuar se nuk ishte vënë në dijeni të motiveve të kontrollit.
Sipas tij, ky operacion “spektakolar dhe i paprecedent” përbën një sulm serioz ndaj pluralizmit dhe tranzicionit demokratik.
Bashkimi Kombëtar ka regjistruar një rritje të popullaritetit në vitet e fundit dhe është kthyer në partinë më të madhe parlamentare të Francës, por është mbajtur jashtë qeverisjes nga koalicioni i forcave politike tradicionale, pas zgjedhjeve të parakohshme të thirrura vitin e kaluar nga presidenti Emmanuel Macron.
Pretendimi: Sistemi HAARP ka goditur Francën me stuhi breshëri
Verdikti: E paprovuar
————————————————————
Pasi Franca u godit nga stuhi të dhunshme në fund të qershorit 2025, në rrjete sociale u ringjall teoria konspirative që pretendon se ndodhi të tilla ekstreme atmosferike shkaktohen nga famëkeqi “sistemi HAARP.”
Eshtë e vërtetë që natën e së mërkurës, 25 qershor, deri të enjten, 26 qershor, stuhi të dhunshme përfshinë Francën, duke shkaktuar vdekjen e dy personave dhe 17 të plagosur. Megjithatë, fajësimi i sistemit HAARP për këto stuhi mbetet një akuzë e pabazë.
Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i kijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.
HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një veprimtari djallëzore që përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.
Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.
HAARP ka si objekt studimi dhe eksperimentimi jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Gati të gjithë fenomenet e motit ndodhin më poshtë jonosferës, në troposferë. Kështu, HAARP nuk ka si të ndikojë në fenomenet e motit.
Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.
Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në Alaskë dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhej për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”
Presidenti francez Emmanuel Macron tha sot në parlamentin britanik se Britania e Madhe dhe Franca kishin për detyrë ta trajtonin çështjen e emigracionit të paligjshëm me humanizëm, solidaritet dhe vendosmëri, sipas BBC.
“Nuk mund të lejojmë që rregullat e vendeve tona për pranimin e emigrantëve të shkelen dhe rrjetet kriminale të shfrytëzojnë në mënyrë cinike shpresat e kaq shumë individëve”, tha Macron duke folur në ditën e parë të vizitës së tij shtetërore në BM.
Macron dhe bashkëshortja e tij Brigitte do të marrin pjesë në një banket shtetëror në Kështjellën Windsor, këtë mbrëmje së bashku me mbretin, mbretëreshën dhe princeshën e Uellsit.
Më herët, mbreti Charles dhe presidenti francez, Macron kryen një inspektim ceremonial në Kështjellën Windsor.
Macron dhe kryeministri Keir Starmer do të zhvillojnë takime nga e mërkura që synojnë trajtimin e emigracionit të paligjshëm.
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur të dielën në mëngjes në qytetin Aurillac të Francës, ku një sulm i papritur bletësh ka shkaktuar panik dhe ka lënë të plagosur 24 persona, tre prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë.
Sipas autoriteteve lokale, incidenti zgjati rreth 30 minuta dhe ndodhi pranë një hoteli në qendër të qytetit, ku kalimtarë të shumtë u goditën në mënyrë të përsëritur nga thumbimet. Zjarrfikësit dhe ndihma e shpejtë ndërhynë menjëherë, ndërsa policia krijoi perimetër sigurie për të kontrolluar situatën.
Një nga të lënduarit, një burrë 78-vjeçar, pësoi arrest kardiak, por u rikuperua falë ndërhyrjes së menjëhershme mjekësore. Gjendja e tre të plagosurve më të rëndë është raportuar se po përmirësohet.
Dyshohet se sulmi u shkaktua pasi disa grerëza shqetësuan një kosherë bletësh që ndodhej prej vitesh në tarracën e hotelit. Kosherja është hequr tashmë nga një bletërritës dhe është zhvendosur jashtë zonës së banuar.
PRISHTINË, 7 korrik/ATSH/ Presidentja Osmani priti në takim Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë, Olivier Guerot, me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit politike në vend dhe në rajon, si dhe për raportet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Francës.
Presidentja Osmani dhe Ambasadori Guerot folën edhe lidhur me konsultimet që ka zhvilluar Presidentja me subjektet politike në funksion të zbatimit të vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese. Ajo ritheksoi se respektimi i rendit kushtetues dhe demokratik është thelbësor për stabilitetin institucional dhe kredibilitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Në takim u diskutua edhe për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Francës, përfshirë thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të përbashkët, si dhe për rëndësinë e mbështetjes së Francës në rrugën euroatlantike të Kosovës.
Skuadra franceze Cofidis u zgjua me një surprizë të hidhur në mëngjesin e etapës së dytë të Tour de France: 11 biçikleta gara u vodhën nga kamioni i ekipit, i parkuar rreth 150 metra larg hotelit në Bondues, pranë aeroportit të Lille‑it.
“Dera e kamionit u thye dhe, pavarësisht masave të sigurisë, 11 biçikleta u grabitën”, thuhet në deklaratën zyrtare të Cofidis‑it.
Çdo biçikletë ka një vlerë rreth 13 000 euro, çka e çon dëmin e përgjithshëm në më shumë se 140 000 euro. Policia mbërriti në vendngjarje në orët e para të mëngjesit për të kryer ekspertizën dhe ka hapur hetimet për identifikimin e autorëve.
“Ekipi i Cofidis e dënon fuqimisht këtë akt dhe i bën thirrje personave përgjegjës të tregojnë qytetari e përgjegjësi”, shton deklarata.
Falë bashkëpunimit me partnerët dhe fabrikuesin, Cofidis arriti të sigurojë biçikleta zëvendësuese në kohë dhe të marrë pjesë në etapën e dytë, 209 km nga Lauwin‑Planque në Boulogne‑sur‑Mer.
Pavarësisht tronditjes, skuadra konfirmoi se do të vazhdojë garën pa ndryshim në objektivat sportive.
Hetimet e policisë janë në zhvillim, ndërsa organizatorët e Tour de France kanë premtuar të rrisin masat e sigurisë për ekipet në ditët në vijim.
Policia franceze ka nisur të përdorë një taktikë të re për të ndaluar varkat e emigrantëve që tentojnë të kalojnë Kanalin e La Manshit drejt Mbretërisë së Bashkuar. Metoda përfshin përdorimin e jet-skive në mënyrë sekrete për të vendosur rrjeta që bllokojnë helikën e gomoneve, duke i ndaluar ato në ujëra të cekëta. Gjatë një […]
PARIS, 4 korrik /ATSH-DPA/ – Një grevë e kontrollorëve të trafikut ajror në Francë preku më shumë se 500 000 udhëtarë në fillim të pushimeve verore, tha sot ministri i Transportit, Philippe Tabarot.
’’Nga 1 000 kontrollorë të trafikut ajror të planifikuar të jenë në detyrë, 272 morën pjesë në grevë’’, tha ministri për transmetuesin CNews.
“Duhet të kuptohet se dje dhe sot, 272 persona në vendin tonë do të ndikojnë në mirëqenien e më shumë se 500 000 njerëzve’’, tha Tabarot.
“Kjo është e papranueshme”, theksoi ai.
Përveç fluturimeve për në dhe nga Franca, edhe lidhjet që fluturojnë vetëm mbi Francë preken.
Organizata evropiane e lobimit Airlines for Europe (A4E) e dënoi grevën.
“Kjo grevë është e papranueshme”, tha drejtoresha ekzekutive e A4E, Ourania Georgoutsakou.
“Kontrolli francez i trafikut ajror tashmë ka një nga rekordet më të këqija të vonesave në Evropë, dhe tani greva nga një pakicë e kontrollorëve francezë të trafikut ajror do të prishë pa nevojë planet e pushimeve të mijëra njerëzve në Francë dhe në të gjithë Evropën”, shtoi ajo./ /os/
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka njoftuar se për shkak të grevës në Francë, mund të ketë vonesa ose anulime të Francës drejt këtij destinacioni.
“Të nderuar pasagjerë të TIA-s, është njoftuar një grevë nga Kontrolli i Trafikut Ajror (ATC) në Francë për datat 3 dhe 4 Korrik 2025, e cila mund të ndikojë në operimet e fluturimeve dhe të shkaktojë vonesa apo anulime të mundshme.
Për më shumë informacion, ju lutemi kontrolloni faqen zyrtare të linjës ajrore përkatëse dhe email-in/mesazhet tuaja SMS”, thuhet në njoftim.
Sipas sindikatës së punonjësve, greva po zhvillohet për shkak të mungesës së stafit dhe menaxhimit të keq. Sidomos të premten situata në Francë ka qenë më kaotike, pasi ishte dita e fundit e shkollës dhe shumë familje po nisnin pushimet.
Mbi 1000 fluturime janë anuluar atje, ndërsa autoritetet franceze e kanë quajtur vendimin të papranueshëm.
Pretendimi: Kirurgu francez që planifikonte të ekspozonte Brigitte Macron vdes pasi bie nga dritarja.
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————–
Në rrjete sociale, përfshi edhe ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi se “kirurgu francez që planifikonte të ekspozonte Brigitte Macron vdes pasi bie nga dritarja.”
Sipas postimeve, “kirurgu francez François Faivre, 58 vjeç, u gjet i vdekur më 29 qershor 2025, pasi ra nga dritarja e apartamentit të tij në Paris. Motra e Faivre, Anne Dupont, po sfidon përfundimin e policisë për vetëvrasje, duke sugjeruar se vdekja e tij mund të lidhet me një intervistë të ardhshme ku ai planifikonte të zbulonte informacione të ndjeshme në lidhje me operacionin e dyshuar transgjinor të Brigitte Macron, bazuar në dokumente nga Dr. Patrick Bouilly.”
Origjina e këtij lajmi duket se është një artikull i botuar më 1 korrik 2025 në faqen enquetedujour.fr.
Për të mbështetur pretendimet e tij, artikulli sjell një video të një interviste që kirurgu pretendohet se ka dhënë për revistën Closer, ku ai pretendon se e ka njohur Dr. Patrick Bui, i cili pretendohet se ka operuar Brigitte Macron.
“Unë ende kam shumë informacion në formën e shënimeve, kopjeve të të dhënave mjekësore”, thotë një burrë me theks të Evropës Lindore, i ulur para kamerës. “Dr. Bui ishte një koleg i ngushtë i imi. […] Ai më tregoi në detaje rreth ndryshimeve fizike që pësoi zonja Brigitte Macron gjatë operacionit transgjinor.”
Videoja është shumë e besueshme. Imazhi është i qartë. Fjalët koherente, megjithëse pak të ngadalta, korrespondojnë me lëvizjet e gojës.
Megjithatë, ky burrë nuk ekziston. Siç vërehet me sy të lirë, pamja e tij nuk përputhet me imazhin që shoqëron postimet në rrjete, që pretendohet se tregojnë kirurgun e ndjerë.
Një François Faivre është mjek i përgjithshëm në Perrigny në departamentin Yonne. Një tjetër François Faivre është drejtor operacionesh në Thalès. Një tjetër François Faivre është trajner sportiv dhe ishte trajneri i ekipit kombëtar zviceran të skive në terren të hapur.
François Faivre në video duket sikur është krijuar nga inteligjenca artificiale, dhe lëvizjet e gojës së tij duken të jenë të gjeneruara me teknologjinë deepfake. Lëkura e tij është shumë e lëmuar, ai nuk i pulit sytë gjatë gjithë intervistës së pretenduar, as nuk shpreh ndonjë emocion, dhe drejtkëndori i bardhë në murin në sfond ndërpritet pas tij në një mënyrë jo natyrale.
Për më tepër, sipas një hetimi të Radio France, artikulli sillet nën emrin e një gazetareje që ekziston realisht.
Audrey Parmentier është gazetare e pavarur dhe punon rregullisht për gazetën Le Monde. E kontaktuar nga departamenti i verifikimit të fakteve të Radio France, ajo konfirmoi se nuk e ka shkruar këtë artikull ose asnjë nga artikujt që i atribuohen asaj, prej marsit të vitit 2025.
“Është mjaft tronditëse,” tha ajo. “Kam mësuar se kam shkruar për këtë media lajmesh të rreme që nga marsi. Është mjaft shqetësuese kur shihni foton time, emrin tim dhe mbiemrin tim të lidhur me teori konspirative. Unë jam gazetare; nuk kam absolutisht asnjë lidhje me këtë përmbajtje.”
Radio kontaktoi katër gazetarët e tjerë të listuar si pjesë e ekipit editorial të faqes enquetedujour.fr. Të gjitha identitetet e tyre ishin vjedhur. Këta gazetarë, në teori, janë ligjërisht përgjegjës për përmbajtjen e artikujve që publikojnë. Janë punonjës të pavarur, punësimi i të cilëve është i pasigurt dhe mbështetet shumë në punën e tyre të mëparshme dhe gjurmën e tyre dixhitale. Shumica e tyre punojnë ose bashkëpunojnë me median investigative të krahut të majtë Streetpress. E kontaktuar nga franceinfo, ekipi editorial tha se po shqyrton të gjitha mjetet e mundshme ligjore për të bllokuar këtë manipulim.
Kjo taktikë keqinformimi i përngjan taktikave të përdorura tashmë në fushatat e dezinformimit pro-rus, duke filluar nga imitimi i personaliteteve dhe mediave dhe publikimi i artikujve të rremë të shtypit krejtësisht të shpikur ose edhe të gjeneruar nga inteligjenca artificiale në një operacion të quajtur “Stuhia-1516” nga Viginum, shërbimi francez përgjegjës për vigjilencën dhe mbrojtjen kundër ndërhyrjeve të huaja.
“Aktorët pas Stuhisë-1516 po kërkojnë të polarizojnë debatin demokratik në shoqëritë tona, të minojnë besimin në media dhe institucionet evropiane me qëllimin përfundimtar dhe strategjik të përfundimit të ndihmës perëndimore për Ukrainën”, shpjegoi Viginum në një raport në maj 2025.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se ditët e fundit ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin. Macron është shprehur se në bisedimet e zhvilluar për të gjetur një zgjidhje për çështjen e Ukrainës, nuk ka pasur rezultate të mira.
Siç tha ai, nuk është arritur ndonjë përparim i konsiderueshëm në bisedimet me Rusinë
Macron gjithashtu vuri në dukje se dallimet midis Parisit dhe Moskës mbeten të pakapërcyeshme.
“Nuk mund të them se ka pasur ndonjë përparim në bisedime, pasi së pari është e nevojshme të arrihet një marrëveshje për një armëpushim dhe të rifillohen negociatat. Armëpushimi duhet të hapë rrugën për paqe”, ka thënë ai.
Udhëheqësit e Francës dhe Rusisë folën gjithashtu për çështjen bërthamore të Iranit.
Rreth 40 për qind e fluturimeve u anuluan të premten në të gjitha aeroportet e Parisit dhe dhjetëra mijëra pasagjerë u detyruan të riorganizojnë planet në kulmin e sezonit veror të udhëtimeve, për shkak të një greve të kontrollorëve francezë të trafikut ajror që po kërkojnë kushte më të mira pune.
Ndërprerjet nisën të prekin aeroportet në të gjithë Francën që të enjten dhe u intensifikuan të premten. Autoriteti Kombëtar i Aviacionit Civil u kërkoi kompanive ajrore të anulonin 40 për qind të fluturimeve të së premtes në aeroportet Charles de Gaulle, Orly dhe Beauvais që shërbejnë Parisin, gjysmën e fluturimeve në Nice dhe 30 për qind të fluturimeve në Marseille, Lyon dhe disa qytete të tjera.
Pavarësisht anulimeve parandaluese, autoriteti paralajmëroi në një deklaratë se “priten ndërprerje dhe vonesa të gjata në të gjitha aeroportet franceze”.
Ryanair ishte mes kompanive ajrore që njoftuan ndërprerje të gjera, duke thënë në një deklaratë se kishte anuluar mbi 400 fluturime, duke prekur 70,000 pasagjerë. Kompania tha se greva ndikon në të gjitha fluturimet e saj mbi hapësirën ajrore franceze, si dhe në trafikun që hyn dhe del nga aeroportet franceze, dhe i bëri thirrje Bashkimit Evropian të reformojë rregullat e trafikut ajror.
Një nga dy sindikatat që po udhëheqin grevën, UNSA-ICNA, tha në një deklaratë se nuk ka mjaftueshëm punonjës për të përballuar rritjen e trafikut ajror dhe se inflacioni po gërryen pagat. Sindikatat po ashtu po kundërshtojnë masat e reja të reformës që synojnë mbikëqyrje më të rreptë të punës së tyre, të nxitura nga një pothuajse përplasje që ndodhi në aeroportin e Bordeaux-it.
Ministri i Transportit, Philippe Tabarot, e quajti të “papranueshme” kërkesat e sindikatës, dhe vendimin e tyre për të hyrë në grevë pikërisht kur mbyllen shkollat në Francë dhe shumë familje nisen për pushime./ REL
Në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtar, Interpol Tirana ka finalizuar procedurat për ekstradimin në Shqipëri të dy shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, të cilët ishin kapur në Greqi dhe Francë.
Sipas informacioneve nga Interpol Tirana, më konkretisht është ekstraduar:
Viktor Daci, 46 vjeç, i cili u kap në Greqi. Ai ishte shpallur në kërkim pas një vendimi të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat në vitin 2015, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Paul Deda, 50 vjeç, i cili u kap në Francë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pas një vendimi të GjKKO-së që i kishte caktuar masën “Arrest në burg” për akuzat e “trafikimit të lëndëve narkotike” dhe “pastrimit të parave”, veprime këto që janë kryer në kuadër të një organizate kriminale.
Operacioni “The Wanted”, u krye me qëllim kapjen dhe ekstradimin e personave të kërkuar ndërkombëtarisht për krime të rënda.
PARIS, 3 korrik /ATSH-AFP/ – Greva e kontrollorëve të trafikut ajror rezultoi sot në anulimin e 933 fluturimeve në Francë, sipas Autoritetit Francez të Aviacionit Civil (DGA).
Sipas të njëjtit burim, shkalla e grevës ishte 26,2%, me 272 kontrollorë të trafikut ajror që morën pjesë në aksion nga 1 000 personel shërbimi.
Nga ana e saj, shoqata kryesore evropiane e linjave ajrore, Airlines for Europe (A4E), vlerësoi se në Evropë, 1 500 fluturime do të anuloheshin sot dhe nesër, ditën e dytë të grevës, “duke prekur pothuajse 300 000 pasagjerë” në Kontinentin e Vjetër.
“Kjo grevë është e patolerueshme. Kontrolli francez i trafikut ajror është tashmë përgjegjës për disa nga vonesat më të këqija në Evropë dhe tani veprimet e një pakice kontrollorësh francezë të trafikut ajror do të prishin planet e pushimeve të mijëra njerëzve në Francë dhe Evropë”, tha drejtoresha ekzekutive e A4E, Ourania Georgoutsakou, e cituar në një deklaratë./ /os/
Një vajzë 10-vjeçare nga SHBA humbi jetën të martën pasdite pasi i ra të fikët për shkak të të nxehtit ekstrem në oborrin e Pallatit të Versajës, ku ndodhej me prindërit.
Sipas burimeve policore për Le Figaro, vajza ishte ankuar për vapën pak çaste para se të rrëzohej rreth orës 18:20. Ajo trajtohej për çrregullime të spektrit të autizmit, por nuk kishte probleme të njohura me zemrën.
Autoritetet franceze pritet të hapin një hetim për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes.
Franca ka regjistruar qershorin e dytë më të nxehtë në histori që nga viti 1900, kur nisi regjistrimi i temperaturave. Katër rajone të vendit ndodhen nën alarm të kuq për shkak të të nxehtit ekstrem.
Teksa situata pritet të jetë serioze dhe gjatë muajit korrik dhe gusht, në parlamentin francez ka nisur një debat i ashpër për ajrin e kondicionuar në hapësirat publike. Politikania e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen deklaroi se “ajri i kondicionuar shpëton jetë” dhe kërkoi që të instalohet dhe në ambientet publike.
Aleati i saj, Éric Ciotti, ka paraqitur një projektligj që parashikon ajër të kondicionuar të detyrueshëm në të gjitha hapësirat publike kryesore të vendit.
Franca ka aktualisht një përqindje më të ulët të përdorimit të ajrit të kondicionuar, krahasuar me vendet fqinje si Italia. Sipas agjencisë kombëtare të mjedisit, në vitin 2020 vetëm 25% e shtëpive franceze kishin ajër të kondicionuar, në krahasim me 14% në vitin 2016.
Qeveria franceze ka reaguar ashpër, duke e cilësuar propozimin si të gabuar. Qeveria e cilëson të djathtën ekstreme si “të paditur” dhe “të paaftë” për të ofruar zgjidhje reale për krizën klimatike.
Ministrja e Mjedisit, Agnès Pannier-Runacher, theksoi se ambientet e kujdesit për të moshuarit kanë pasur ajër të kondicionuar të detyrueshëm për më shumë se 20 vite në Francë. Ajo shtoi se, ndonëse është e domosdoshme mbrojtja e grupeve të ndjeshme, “ajri i kondicionuar nuk mund të instalohet kudo”, pasi kontribuon në rritjen e temperaturave të jashtme dhe është “zgjidhje e gabuar”.
Ndërkohë, udhëheqësja e të Gjelbërve, Marine Tondelier, e akuzoi Le Pen për një politikë mjedisore të reduktuar vetëm në “blerje kondicionerësh”. Ajo tha se zgjidhjet duhet të përfshijnë më shumë hapësira të gjelbra në qytete dhe izolim më të mirë të ndërtesave.