Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 18 July 2025Main stream

Kornisti Felix Kleiser dhe pianistja Lirika Pula Kasapolli mbajnë koncert artistik në Durrës

By: Kult Plus
18 July 2025 at 22:48

Një mbrëmje e veçantë muzikore u zhvillua në Katedralen Shën Lucia në Durrës, ku artisti gjerman Felix Kleiser performoi me instrumentin e kornos, i shoqëruar në piano nga pianistja kosovare Lirika Pula Kasapolli.

Koncerti u organizua në kuadër të edicionit të 20-të të festivalit ndërkombëtar Chamber Fest Durrës ndërsa repertori përfshinte vepra nga Schumann, Glière, Haydn, Strauss dhe Beethoven.

Felix Kleiser, i njohur për virtuozitetin por edhe për historinë e tij frymëzuese, u prit me duartrokitje nga publiku.

Harmonia me pianistën Kasapolli u vlerësua për elegancën dhe profesionalizmin artistik.

“Kam qenë në Tiranë disa vjet më parë dhe së fundmi mora një ftesë për të ardhur në Durrës. Nuk e dija që koncerti do të luhej në kishë, ndonjëherë është e vështirë të luash në mjedise të tilla, por është ide shumë e mirë dhe këtu më pëlqeu shumë ambienti, akustika ishte e mrekullueshme gjithashtu. Pashë shumë njerëz entuziastë në këtë koncert dhe më vjen mirë që e shijuan atë,” tha Felix Kleiser, kornist.

Ky koncert ishte një tjetër dëshmi e fuqisë që ka muzika për të bashkuar kultura dhe për të sjellë art të vërtetë në zemrën e qytetit.

Chamber Fest Durrës vijon me aktivitete të tjera në ditët në vijim, duke sjellë përvoja të reja për dashamirësit e muzikës klasike./euronews.al/ KultPlus.com

Armend Rexhepagiqi nderohet me “Hyjneshën në Fron”, promovon albumin “Dashni e Vjetër”

By: Kult Plus
18 July 2025 at 15:26

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka nderuar artistin e njohur, Armend Rexhepagiqi, me simbolin e kryeqytetit, “Hyjneshën në Fron”, si njohje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e kulturës muzikore dhe artistike të Kosovës.

Ky çmim i jepet Rexhepagiqit për angazhimin e tij të pandalshëm dhe ndikimin që ka pasur në skenën muzikore shqiptare, duke i dhënë zë shumë këngëve që janë bërë pjesë e kulturës muzikore të vendit,transmeton KultPlus.

“Dashni e Vjetër” – Albumi i Ri dhe Koncerti Promovues në Prishtinë
Në këtë ngjarje speciale, Rexhepagiqi do të ngjitet në skenë këtë të shtunë në Pallatin e Rinisë në Prishtinë për të promovuar albumin e tij të ri me titullin “Dashni e Vjetër”. Ky koncert do të shënojë një moment të veçantë për fansat e tij, ku do të performojë këngë të njohura si “Dashurinë ku e kam”, “Ti nuk më meriton”, dhe “Shkel”, por edhe disa këngë të reja nga albumi, si “Kutia e zezë”, “Boll m’ke dalë”, “Dyfish ma pak”, “S’o dashni”, “Ma ke n’alë” dhe “Krejt Prishtinën për ditëlindje”.

Rexhepagiqi është një nga artistët më të dashur të Kosovës, dhe këngët e tij vazhdojnë të mbeten pjesë e pandashme e listave të dëgjimeve të publikut shqiptar. Ai është gjithashtu një autor i njohur tekstesh për shumë këngëtarë shqiptarë, duke i dhënë rëndësi të madhe muzikës dhe kulturës shqiptare në përgjithësi.
Armend Rexhepagiqi është një nga emrat ikonikë të skenës muzikore vendore, dhe promovimi i albumit të tij të ri është një moment i veçantë që padyshim do të sjellë shumë emocione dhe kujtime për të gjithë adhuruesit e tij. /KultPlus.com

Rikthimi i Lewis Capaldi pas luftës me shëndetin mendor

By: Kult Plus
18 July 2025 at 15:10

Lewis Capaldi, këngëtari i njohur skocez, ka folur hapur për betejën e tij me shëndetin mendor dhe ndikimin jetik që kanë pasur medikamentet antipsikotike në jetën e tij. Pas një periudhe të gjatë tërheqjeje nga skena publike, artisti 28-vjeçar po rikthehet fuqishëm, duke filluar nga turneu i tij i suksesshëm në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë, si dhe me koncerte të planifikuara në Australi dhe Zelandën e Re.

Pas një performance shumë të vështirë në Festivalin “Glastonbury” në verën e vitit 2023, ku u duk se po luftonte për të përfunduar interpretimin e këngës së tij hit “Someone You Loved,” Capaldi u largua nga vëmendja e medias dhe publikut. Ai rrëfeu në një intervistë të fundit, se atë moment e kishte përjetuar si “momentin më të ulët në jetën e tij,” duke e cilësuar atë si një rrënim të brendshëm që e shtyu drejt ndryshimeve rrënjësore.

Megjithatë, kalimi te medikamentet antipsikotike solli një ndryshim thelbësor në jetën e tij, përcjellë KultPlus.

“Ka qenë një ndihmë shumë, shumë e madhe,” tha Capaldi, duke theksuar se ky trajtim i ka ndryshuar jetën në mënyrë të jashtëzakonshme. Përveç medikamenteve, ai ka ndjekur terapi dhe ka bërë ndryshime të rëndësishme në stilin e jetesës, ka reduktuar konsumin e alkoolit, ka ndryshuar dietën dhe ka nisur aktivitet fizik.

Këto ndryshime i kanë ulur ndjeshëm nivelet e ankthit dhe stresit, duke i dhënë mundësinë të rifitojë kontrollin mbi jetën dhe karrierën e tij. Ai rrëfeu se momenti në “Glastonbury” ishte një kthesë e domosdoshme, pasi përndryshe, “nuk do të ishte ndalur” nga kjo rrugë e vështirë.

Rikthimi i Lewis Capaldi në skenë pas këtij periudhe të errët është një dëshmi e fuqisë së trajtimeve të duhura dhe vendimeve të guximshme për shëndetin mendor. Ai vazhdon të jetë një zë i rëndësishëm në hapjen e diskutimeve për mirëqenien psikologjike dhe për rëndësinë e kërkimit të ndihmës në momentet më të vështira./CNN/KultPlus.com

18 korriku i vitit 1953, fillimi i karrierës së fenomenit muzikor, Elvis Presley

By: Kult Plus
18 July 2025 at 12:00

Në këtë ditë përkujtohet fillimi i karrierës së Elvis Presley-t, një prej yjeve më të mëdhenj të muzikës që ndryshoi përgjithmonë historinë e rock’n’roll-it dhe kulturës muzikore globale.

Elvis Aaron Presley lindi më 8 janar 1935 në një shtëpi me dy dhoma në Tupelo, Mississippi, nga prindërit Vernon dhe Gladys Presley. Në vitin 1948, familja u shpërngul në Memphis, Tennessee, ku Elvisi përfundoi shkollën e mesme në Humes High School në vitin 1953.

Ndikimet muzikore të Elvisit përfshinin muzikën pop dhe country të asaj kohe, muzikën ungjillore që dëgjonte në kishë dhe në netët e gjata të këndimeve fetare, si dhe ritmet e R&B-së afroamerikane që i përthithi në Beale Street historike, gjatë adoleshencës në Memphis.

Në vitin 1953, Elvisi nisi karrierën e tij muzikore në studiot legjendare të Sun Records në Memphis. Në fund të vitit 1955, kontrata e tij diskografike u ble nga RCA Victor. Deri në vitin 1956, ai ishte bërë një sensacion ndërkombëtar. Me një stil unik që bashkonte ndikime të ndryshme muzikore dhe që sfidonte barrierat racore e shoqërore të kohës, Elvis Presley hapi një epokë të re në muzikën dhe kulturën popullore amerikane.

Data e 18 korrikut shënon edhe lindjen e Elvisit, si ikonë muzikore. Më 18 korrik 1953, Elvis Presley shkoi për herë të parë në Memphis Recording Service, pjesë e kompanisë Sun Record, sot e njohur si Sun Studio. Ai pagoi 3.98 dollarë për të regjistruar dy këngët e para demo: “My Happiness” dhe “That’s When Your Heartaches Begin”. Kjo ditë shënon fillimin simbolik të karrierës muzikore të mbretit të rock’n’roll-it dhe kujtohet si një moment historik në muzikën moderne, përcjellë KultPlus.

Elvis Presley, shpesh i quajtur “Mbreti i Rock ‘n’ Roll-it”, nuk ishte thjesht një këngëtar, ai u shndërrua në një ikonë globale që tronditi skenën muzikore botërore dhe ndikoi thellësisht në kulturën popullore të shekullit XX. Me zërin e tij të veçantë, stilin karizmatik dhe performancat e zjarrta, Elvis arriti të krijojë një urë të rrallë mes muzikës pop, country, blues dhe R&B, duke thyer kufijtë tradicionalë të zhanreve dhe duke i dhënë zë një brezi të tërë në kërkim të ndryshimit.

Këngë të paharrueshme si “Heartbreak Hotel”,”Hound Dog”, “Jailhouse Rock”, dhe “Can’t Help Falling in Love” mbeten sot ndër himnet e muzikës moderne. Performancat e tij televizive dhe kinematografike tronditën normat kulturore të asaj kohe dhe e shndërruan Elvisin në një fenomen ndërkombëtar.

Në kulmin e karrierës së tij, Elvis nuk ishte thjesht një artist me shitje rekorde, ai ishte një simbol i emancipimit rinor, një shpirt rebel dhe një figurë që ndryshoi përjetë mënyrën se si muzika dhe fama perceptoheshin. Ai mbetet një nga artistët më të shitur të të gjitha kohërave, me mbi një miliardë disqe të shpërndara në mbarë botën, dhe ndikimi i tij ndjehet ende sot në skenën muzikore globale./KultPlus.com

Before yesterdayMain stream

Ermonela Jaho vjen në Gjakovë me ‘7 këshillat e mia për artistët e rinj’

By: Kult Plus
17 July 2025 at 18:54

Një nga sopranot më të vlerësuara në botë, Ermonela Jaho, më 19 Korrik vjen në Gjakovë për të ndarë “7 këshillat e mia për artistët e rinj”, në kuadër të Festivalit Ditët e Shqiptarit, shkruan KultPlus.

Përmes një bisede të rrallë, intime dhe frymëzuese, sopranoja Jaho në këtë takim me artistët e rinj do të ndajë përvojën e saj të fituar përgjatë viteve, në skenat prestigjioze si: Royal Opera House (Londër), Metropolitan Opera (New York), Teatro alla Scala (Milano) etj.

“Kemi kënaqësinë me ju njoftu që n’kuadër t’festivalit, vjen Ermonela Jaho — një nga sopranot ma t’vlerësuara n’botë për t’u takuar me artistët e rinj kosovarë n’Gjakovë.

Hajdeni me marrë pjesë në një bisedë t’rrallë, intime dhe frymëzuese:

Ermonela Jaho: “7 këshillat e mia për artistët e rinj””, thuhet në njoftim.

Takimi mbahet në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova”- Gjakovë, më 19 Korrik, në ora 10:00.

Festivali organizohet nga Fondacioni për Gjakovën. Të gjitha koncertet dhe aktivitetet e festivalit janë falas, pa rezervime dhe të hapura për të gjithë./ KultPlus.com

Vdes Connie Francis, zëri legjendar i “Pretty Little Baby”

By: Kult Plus
17 July 2025 at 14:35

Këngëtarja e njohur amerikane, Connie Francis, ka vdekur në moshën 87-vjeçare.
Disa ditë më parë, ajo ishte shtruar në spital për shkak të dhimbjeve ekstreme, shkruan People.

Lajmin për vdekjen e saj e konfirmoi miku i saj, Ron Roberts.

“Me zemër të rënduar dhe me pikëllim të madh ju njoftoj për ndarjen nga jeta të mikes sime të dashur, Connie Francis, mbrëmë. E di që Connie do të donte që fansat e saj të ishin ndër të parët që e mësojnë këtë lajm të trishtë. Detaje të tjera do të publikohen më vonë”, ka shkruar ai.

Kënga e saj “Pretty Little Baby” është bërë së fundi virale nëpër rrjete sociale./KultPlus.com

Baritoni Gëzim Myshketa sonte debuton në Spanjë, ndanë skenën me emra të mëdhenj të skenës operistike 

By: KultPlus
17 July 2025 at 13:42

Baritoni i njohur shqiptar Gëzim Myshketa sonte do të debutojë në “Teatro Real” të Madridit në Spanjë, dhe në këtë debutim do të prezantohet me shfaqjen operistike “La Traviata”, shkruan KultPlus. 

Baritoni Myshketa do të prezantohet më 17, 20 dhe 23 korrik, dhe në këtë shfaqje operistike do ta ndajë skenën me artistë të mëdhenj të skenës operistike botërore si: Nadine Sierra, Diego Florez dhe Xabier Anduaga.  

Kjo shfaqje operistike do të prezantohet nën përcjelljen e korit dhe orkestrës së “Teatro Real Madrid”, nën dirigjimin e Henrik Nanasi. 

Gëzim Myshketa është një prej baritonëve më të suksesshëm shqiptar që është prezantuar në skena të ndryshme të Evropës, duke u rikthyer shumë shpesh edhe në Shqipëri dhe Kosovë./ KultPlus.com / KultPlus.com 

117 vite nga lindja e Kristo Konos, mjeshtrit të muzikës shqiptare

By: Kult Plus
17 July 2025 at 12:05

Më 17 korrik 1907 lindi në Korçë kompozitori i njohur Kristo Kono (1907–1991), një nga figurat më të rëndësishme të muzikës shqiptare. Me një kontribut të spikatur si kompozitor, dirigjent dhe pedagog, Kono ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës serioze shqiptare.

Ai është autor i operetës “Agimi”, veprave vokalo-instrumentale, këngëve popullore të stilizuara, si dhe muzikës për teatër e film. Kono ka kontribuar gjithashtu në themelimin e institucioneve muzikore dhe në edukimin e artistëve të rinj, përcjellë KultPlus.

Edhe pse ka kaluar mbi tri dekada nga ndarja e tij nga jeta, muzika e Kristo Konos vijon të jetojë në skenat shqiptare dhe në kujtesën kulturore të vendit./KultPlus.com

Zjarri masiv dëmton skenën kryesore të “Tomorrowland” pak ditë para fillimit të festivalit

By: Kult Plus
17 July 2025 at 10:00

Një zjarr i madh ka përfshirë skenën kryesore të festivalit të famshëm të muzikës elektronike “Tomorrowland”, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme vetëm disa ditë para hapjes zyrtare të eventit.

Ngjarja ndodhi në qytetin Boom të Belgjikës, ku festivali pritet të mbledhë mbi 400,000 vizitorë nga e gjithë bota gjatë dy fundjavave të ardhshme. Fatmirësisht, nuk ka raportime për persona të lënduar, por autoritetet lokale dhe organizatorët e kanë përshkruar incidentin si një “zjarr serioz”, raportojnë mediat e huaja, përcjellë KultPlus.

Shkaku i flakëve nuk është përcaktuar ende, ndërsa pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë tym të dendur dhe flakë të mëdha që ngrihen nga zona ku po përgatitej skena madhështore.

Në këtë skenë ishin planifikuar të performonin disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës elektronike, përfshirë David Guetta, Swedish House Mafia dhe Steve Aoki. Shfaqjet ishin parashikuar të nisnin të premten në mbrëmje.

Megjithatë, organizatorët kanë konfirmuar se kampingu do të hapet të enjten siç ishte planifikuar, dhe janë duke punuar intensivisht për të gjetur zgjidhje që festivali të zhvillohet pa ndërprerje.
“Jemi të përqendruar në rikuperimin e dëmeve dhe sigurimin e një përvoje të paharrueshme për fansat”, thuhet në një deklaratë zyrtare të organizatorëve të Tomorrowland.

Festivali mbetet një nga ngjarjet më të mëdha të muzikës elektronike në botë, dhe zhvillimet e fundit kanë ngritur shqetësime për ndikimin që mund të ketë zjarri në programin dhe përvojën e pjesëmarrësve./KultPlus.com

Studimi: Të luash një instrument mban trurin të ri

By: Kult Plus
16 July 2025 at 23:00

Të luash një instrument muzikor e mban trurin të ri dhe ngadalëson rënien e perceptimit të të folurit që zakonisht ndodh me moshën.

Kjo demonstrohet nga një studim i botuar në revistën PLOS Biology nga Akademia Baycrest për Kërkim dhe Edukim (Kanada) dhe Akademia Kineze e Shkencave.

Studiuesit përdorën imazhe me rezonancë magnetike funksionale për të matur aktivitetin e trurit të 25 muzikantëve të moshuar, 25 të moshuarve që nuk luanin një instrument dhe 24 të rinjve jo-muzikantë, të cilëve iu kërkua të dëgjonin dhe të identifikonin rrokjet e maskuara nga tinguj të zhurmshëm.

Rezultatet tregojnë se muzikantët e moshuar kanë më pak vështirësi me njohjen e të folurit sesa bashkëmoshatarët e tyre jo-muzikantë, truri i të cilëve është i mbingarkuar për të kompensuar rënien njohëse të lidhur me moshën.

Në përgjithësi, muzikantët e moshuar treguan aktivitet dhe lidhshmëri në zona të trurit të ngjashme me atë të të rinjve jo-muzikantë.

Në përgjithësi, gjetjet mbështesin hipotezën se praktika muzikore rrit rezervën njohëse, duke kompensuar rënien e lidhur me moshën dhe duke ruajtur integritetin dhe arkitekturën funksionale të rrjeteve nervore.

“Një stil jetese pozitiv i ndihmon të moshuarit të përballojnë më mirë plakjen njohëse dhe nuk është kurrë vonë për të filluar dhe për të ruajtur një hobi të kënaqshëm si të mësuarit për të luajtur një instrument,” komenton Lei Zhang i Akademisë Baycrest për Kërkim dhe Edukim.

“Ashtu si një instrument i akorduar mirë nuk ka nevojë të luhet më fort për t’u dëgjuar, truri i muzikantëve të moshuar mbetet i akorduar në mënyrë të përsosur falë viteve të trajnimit,” shton Yi Du i Akademisë Kineze të Shkencave.

“Studimi ynë tregon se kjo përvojë muzikore forcon rezervën konjitive, duke ndihmuar trurin të shmangë lodhjen e zakonshme të lidhur me moshën tipike të atyre që përpiqen të kuptojnë të folurit në mjedise të zhurmshme”, shton ai. /atsh/ KultPlus.com

Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit Shqiptar në Gala Mbrëmjen “Rame Lahaj & Friends” më 2 gusht!

By: Kult Plus
16 July 2025 at 17:00

Festivali Ndërkombëtar i Operas Rame Lahaj do të bashkëpunojë për herë të parë me Orkestrën Simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar, me mbështetjen e Zyrës së Kryeministrit të Qeverisë Shqiptare. I konsideruar si një nga institucionet më prestigjioze në vend, Orkestra Simfonike e RTSH-së do të performojë në Gala Mbrëmjen “Rame Lahaj & Friends” më 2 gusht, nën dirigjimin e Maestro Roberto Rizzi Brignoli.

Orkestra Simfonike e RTSH-së u themelua m​ë 16 maj të vitit 1962 dhe mban titullin e lartë “Nderi i Kombit”, e akorduar nga Presidenti i Shqipërisë në vitin 2017. Krijimi i këtij formacioni muzikor shënoi një epokë të re dhe pati një ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin kulturor dhe artistik në Shqipëri. Fillimisht, e quajtur si Orkestra Simfonike e Radios dhe Kinematografisë, u formua kryesisht nga muzikantë të rinj që studiuan në vend, si dhe profesionistë të specializuar në shtete të ndryshme të Evropës.

“Ne besojmë thellësisht se arti është forma më e pastër e lirisë dhe se kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës mund të ekzistojnë në letra dhe harta, por asnjëherë nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë pengesë për bashkëpunimin e për rrjedhën e lirë të artit”, thuhet në njoftim.

Koncerti mbahet në Sheshin “Skënderbeu” më 2 gusht ora 20:30./ KultPlus.com

KPop Demon Hunters: Si i kapi filmi i Netflix majat globale

By: Kult Plus
16 July 2025 at 15:48

Me një kombinim të pazakontë mes muzikës K-Pop dhe aksionit fantastik, filmi i ri i në Netflix ka kapur vëmendjen e audiencës në mbarë botën, duke u kthyer në një nga produksionet më të përfolura të vitit.

Që nga publikimi i tij në qershor, “KPop Demon Hunters ka pushtuar listat globale të Netflix dhe ka dominuar edhe klasifikimet muzikore në mbarë botën.

Por cili është sekreti i këtij suksesi të jashtëzakonshëm?

Filmi i animuar “KPop Demon Hunters është bërë një hit global në kohë rekord, duke grumbulluar mbi 33 milionë shikime në vetëm dy javë dhe duke u ngjitur në Top 10 në 93 shtete. Aktualisht renditet i dyti në nivel global, përcjellë KultPlus.

Por nuk është vetëm filmi që po bën bujë. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, që prej datës së publikimit, më 20 qershor, dy grupet muzikore fiktive që paraqiten në histori, grupi i vajzave Huntr/x dhe kundërshtarët e tyre rebelë Saja Boys, kanë dominuar listat muzikore globale, duke lënë pas edhe emra të mëdhenj si BTS dhe Blackpink. Shtatë këngë nga kolona zanore e filmit janë tashmë pjesë e Billboard Hot 100, ndërsa dy prej tyre kryesojnë listën e Spotify në SHBA.

KPop Demon Hunters ndjek historinë e Huntr/x, një grup K-pop prej tre vajzash, Rumi, Mira dhe Zoey, të cilat, përveçse superyje në skenë, janë edhe mbrojtëse të fshehta të botës kundër forcave mbinatyrore. Kundërshtarët e tyre janë djemtë e errët Saja Boys.

Është muzika ajo që ka qenë çelësi i vërtetë i suksesit. Maggie Kang, regjisore koreano-kanadeze, frymëzimin e ka marrë nga idhujt e K-pop-it që ajo admironte në rini. Në këtë film, muzika e grupit shndërrohet në një armë mbrojtëse kundër të keqes. Çdo këngë përforcon emocionet e skenave dhe është pjesë integrale e rrëfimit, jo thjesht një shtesë komerciale si në shumë filma të tjerë të animuar.

Një tjetër arsye e rëndësishme për suksesin e filmit është njohja në rritje që publiku botëror ka me kulturën koreane. K-pop-i, filmat dhe serialet koreane janë tashmë pjesë e tregut global. “KPop Demon Hunters e pasqyron këtë realitet përmes përfaqësimit të saktë të elementeve të jetës së përditshme në Korenë e Jugut, që nga ushqimi dhe zakonet e ngrënies, deri te vendet ikonike si muret e vjetra të Seulit, klinikat tradicionale, banjat publike dhe Kulla Namsan.

Për të arritur këtë nivel autenticiteti, ekipi i filmit udhëtoi në Korenë e Jugut dhe bëri kërkime të thelluara për kulturën dhe arkitekturën, që nga fshatrat tradicionale deri te rrugicat e lagjes Myeongdong. “Ne deshëm që filmi të dukej sa më korean që të ishte e mundur,” tha Kang. “Çdo skenë, çdo dizajn përmban elemente koreane.”

Në thelb, përtej pamjes plot ngjyra dhe energji, filmi përcjell një mesazh universal: historinë e të rinjve që përballen me pranimin e vetvetes dhe më në fund arrijnë të gjejnë identitetin e tyre të vërtetë. Është një rrugëtim pjekurie që prek zemrat përtej kulturave.

“Bëhet fjalë për vetëpranim,” thotë Golka. “Ndoshta miqtë nuk të kuptojnë menjëherë, por ata të duan dhe me kohë e kuptojnë. Besoj se kjo është arsyeja pse shumë njerëz janë ndjerë të lidhur me këtë film.”/KultPlus.com

Grupi muzikor i krijuar nga inteligjenca artificiale ka nxitur shqetësime në industrinë muzikore

16 July 2025 at 10:48

Nga: Lanre Bakare / The Guardian (titulli: An AI-generated band got 1m plays on Spotify. Now music insiders say listeners should be warned)
Përkthimi: Telegrafi.com

Ata u bënë viralë, duke pasur, brenda pak javësh, më shumë se një milion dëgjime në Spotify, por më vonë doli në pah se grupi i ri, The Velvet Sundown, ishte i krijuar nga inteligjenca artificiale [IA] – që nga muzika e tyre, imazhet promovuese deri te historia e tyre fiktive.

Ky episod ka nxitur një debat rreth autenticitetit, me ekspertë të industrisë muzikore që thonë se platformat e transmetimit, si Spotify, duhet të jenë ligjërisht të detyruara të etiketojnë muzikën e krijuar nga artistët e gjeneruar nga IA-ja, në mënyrë që dëgjuesit të marrin vendime të informuara mbi atë që po dëgjojnë.

Fillimisht, “grupi” i përshkruar si “një projekt sintetik muzikor i udhëhequr nga drejtimi krijues njerëzor”, mohoi se ishte një krijim i IA-së dhe publikoi dy albume në qershor, me titujt Floating On Echoes dhe Dust And Silence, me një tingull të ngjashëm me folk-kantrin e trupës Crosby, Stills, Nash & Young.

Situata u bë më e ndërlikuar kur një person që e përshkroi veten si një “anëtar ndihmës”, u tha gazetarëve se The Velvet Sundown kishin përdorur platformën gjenerative të IA-së, Suno, për krijimin e këngëve të tyre dhe se projekti ishte një “mashtrim artistik”.

Kanalet zyrtare të grupit, në rrjetet sociale, e mohuan këtë dhe deklaruan se identiteti i grupit është “thyer”, përpara se të lëshonin një deklaratë që konfirmonte se grupi ishte një krijim i IA-së dhe se ishte “as plotësisht njeri; as plotësisht makinë”, por se ekzistonte “diku në mes”.

Disa persona i thanë Guardian-it se situata aktuale, ku platformat e transmetimit, përfshirë Spotify-n, nuk kanë asnjë detyrim ligjor për të identifikuar muzikën e krijuar nga IA-ja, lë dëgjuesit të pavetëdijshëm për origjinën e këngëve që dëgjojnë.

Roberto Neri, drejtori ekzekutiv i Ivors Academy, ka thënë: “Grupet e krijuara nga IA-ja, si Velvet Sundown, të cilat arrijnë audienca të mëdha pa përfshirë krijues njerëzorë, ngrenë shqetësime serioze për transparencën, autorësinë dhe pëlqimin”.

Neri shtoi se, nëse “përdoret në mënyrë etike”, IA-ja ka potencialin të përmirësojë krijimtarinë muzikore, por theksoi se organizata që ai përfaqëson brengoset për ato që ai i quajti “çështje thellësisht shqetësuese” në lidhje me përdorimin e IA-së në muzikë.

Sophie Jones, drejtuese e strategjisë në Shoqatën Britanike të Industrisë Fonografike (BPI), mbështeti thirrjet për etiketim të qartë. “Ne besojmë se IA-ja duhet të përdoret për të mbështetur krijimtarinë njerëzore, jo për ta zëvendësuar atë”, tha Jones.

“Për këtë arsye, ne po i bëjmë thirrje qeverisë britanike të mbrojë të drejtën e autorit dhe të vendosë detyrime të reja për transparencë ndaj kompanive të IA-së, në mënyrë që të drejtat muzikore të mund të licencohen dhe zbatohen, si dhe të kërkohet etiketimi i qartë i përmbajtjes tërësisht të krijuar nga IA-ja”.

Liz Pelly, autore e librit Mood Machine: The Rise of Spotify and the Costs of the Perfect Playlist, tha se artistët e pavarur mund të shfrytëzohen nga personat që qëndrojnë prapa pas grupeve muzikore të krijuara me IA, të cilët mund të prodhojnë këngë të trajnuara me muzikën e tyre.

Ajo përmendi rastin e vitit 2023 kur një këngë u ngarkua në TikTok, Spotify dhe YouTube, duke përdorur zëra të gjeneruar nga IA-ja që pretendonin të ishin The Weeknd dhe Drake. Universal Music Group deklaroi se kënga ishte “përmbajtje keqpërdoruese e krijuar me IA gjeneruese” dhe u hoq pak pasi ishte publikuar.

Nuk dihet me siguri se me çfarë muzike janë trajnuar albumet e Velvet Sundown dhe kritikët thonë se kjo mungesë transparence mund të nënkuptojë se artistët e pavarur po humbasin të drejtën për kompensim.

Pelly tha: “Duhet të sigurohemi që nuk janë vetëm yjet e muzikës pop ata që mbrohen – të gjithë artistët duhet të kenë mundësinë të dinë nëse vepra e tyre është shfrytëzuar në këtë mënyrë”.

Për disa, shfaqja e grupit Velvet Sundown shihet si hapi logjik i radhës teksa muzika dhe IA-ja po kombinohen, ndërkohë që legjislacioni po përpiqet të ecën në hap me këtë ekosistem muzikor që po ndryshon me shpejtësi.

Jones tha: “Rritja e grupeve dhe muzikës së gjeneruar nga IA-ja, që futet në treg, tregon se kompanitë teknologjike kanë trajnuar modelet e tyre duke përdorur vepra krijuese – në shumicën e rasteve pa autorizim apo pagesë për krijuesit dhe mbajtësit e të drejtave – me qëllim që të konkurrojnë drejtpërdrejt me artin njerëzor”.

Neri shtoi se Mbretëria e Bashkuar ka një mundësi për të udhëhequr botën në adoptimin etik të IA-së në muzikë, por theksoi se nevojitet një kuadër i fortë ligjor që “garanton pëlqimin dhe shpërblimin e drejtë për krijuesit, si dhe një etiketim të qartë për dëgjuesit”.

“Pa këto masa mbrojtëse, IA-ja rrezikon të përsërisë të njëjtat gabime të transmetimit dixhital, ku teknologjia përfiton dhe krijuesit muzikorë lihen pas dore”, shtoi ai.

Aurélien Hérault, drejtori i inovacionit në shërbimin e transmetimit muzikor Deezer, tha se kompania përdor softuer zbulues që identifikon dhe etiketon këngët e krijuara nga IA-ja.

Ai tha: “Për momentin, mendoj se platformat duhet të jenë transparente dhe të përpiqen të informojnë përdoruesit. Për një periudhë kohe, në atë që unë e quaj ‘natyralizimi i IA-së’, ne duhet të njoftojmë qartë përdoruesit se kur është përdorur apo nuk është përdorur IA-ja”.

Hérault nuk e përjashtoi mundësinë që në të ardhmen do të hiqet etiketimi i muzikës së krijuar nga IA-ja, nëse kjo muzikë bëhet më e popullarizuar dhe muzikantët fillojnë ta përdorin si një “instrument” tjetër.

Deezer i tha së fundmi gazetës Guardian se deri në shtatë nga dhjetë dëgjime të muzikës së gjeneruar nga IA-ja, në platformën e tyre, janë mashtruese.

Aktualisht, Spotify nuk e etiketon muzikën si të gjeneruar nga IA-ja dhe është kritikuar më parë për përfshirjen në disa lista dëgjimi të muzikës së realizuar nga “artistë fantazmë” – projekte fiktive që prodhojnë muzikë nga copëzat.

Një zëdhënës i kompanisë tha se Spotify nuk i jep përparësi muzikës së krijuar nga IA. “E gjithë muzika në Spotify, përfshirë atë të gjeneruar nga IA-ja, krijohet, zotërohet dhe ngarkohet nga palë të treta të licencuara”. /Telegrafi/

 

The post Grupi muzikor i krijuar nga inteligjenca artificiale ka nxitur shqetësime në industrinë muzikore appeared first on Telegrafi.

Orkestra Simfonike e RTSH-së dhe Rame Lahaj sjellin gala koncertin e verës në Prishtinë

By: Kult Plus
16 July 2025 at 10:36

Në edicionin e pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Operas “Rame Lahaj”, publiku do të ketë rastin të përjetojë një bashkëpunim të jashtëzakonshëm: për herë të parë, Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit Shqiptar do të ngjitet në skenën e këtij festivali prestigjioz.

Kjo gala-mbrëmje e shumëpritur, me titullin “Rame Lahaj & Friends”, do të mbahet më 2 gusht, ora 20:30, në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, dhe do të udhëhiqet nga Maestro Roberto Rizzi Brignoli, një emër i njohur i dirigjimit operistik ndërkombëtar, përcjellë KultPlus

Orkestra Simfonike e RTSH-së, një nga institucionet më të rëndësishme muzikore në Shqipëri, vjen në këtë koncert me një histori të gjatë dhe të lavdishme që prej themelimit të saj më 16 maj 1962. Në vitin 2017, ajo u nderua me titullin “Nderi i Kombit”, si vlerësim për rolin dhe kontributin e saj në jetën artistike dhe kulturore shqiptare.

Ky koncert vjen me mbështetjen e Zyrës së Kryeministrit të Qeverisë Shqiptare, dhe shënon një tjetër gur themeli në afrimin e institucioneve muzikore të Shqipërisë dhe Kosovës përmes artit dhe bashkëpunimit.
“Ne besojmë thellësisht se arti është forma më e pastër e lirisë dhe se kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës mund të ekzistojnë në letra dhe harta, por asnjëherë nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë pengesë për bashkëpunimin e për rrjedhën e lirë të artit,” – thuhet në njoftimin zyrtar të Festivalit.

Të gjithë dashamirët e muzikës klasike dhe operës janë të mirëpritur të marrin pjesë në këtë ngjarje të veçantë që premton të jetë një natë e paharrueshme artistike në zemër të Prishtinës./KultPlus.com

Pianisti pa dorën e djathtë që ndryshoi muzikën klasike përgjithmonë

By: Kult Plus
16 July 2025 at 10:00

Një nga historitë më prekëse dhe frymëzuese në botën e muzikës klasike lidhet me pianistin austriak Paul Wittgenstein, i cili, pas humbjes së dorës së djathtë në Luftën e Parë Botërore, jo vetëm që nuk e la pasionin për pianon, por nisi një epokë të re në muzikën klasike: kompozimet për dorën e majtë të vetme.
Historia e Wittgenstein është një dëshmi e forcës së vullnetit dhe pasionit të pashuar për artin.
Pasi u plagos rëndë në betejën e Galicisë dhe humbi dorën e tij të djathtë, një fat tragjik i përbashkët për shumë ushtarë të asaj kohe ai u burgos në një kamp në Siberi. Aty, në mungesë të një pianoje, ai vizatoi me qymyr tastierën e një pianoje mbi një arkë të kthyer përmbys dhe nisi të stërvitej me dorën e majtë, shkruan The Guardian.

Pas kthimit në Vjenë në vitin 1915, Wittgenstein nuk u dorëzua. I ndihmuar nga pasuria dhe lidhjet e fuqishme të familjes së tij aristokrate,ishte vëllai i filozofit të famshëm Ludwig Wittgenstein ai nisi të porosiste vepra të reja nga disa prej kompozitorëve më të mëdhenj të kohës. Mes tyre ishin Prokofiev, Strauss, Britten, Hindemith, Korngold dhe natyrisht, Maurice Ravel.

Konkretisht, Koncerti për Piano për Dorën e Majtë nga Ravel, i kompozuar në vitet 1929-30, u bë një nga veprat më të njohura të këtij repertori. Kjo vepër është një shembull i shkëlqyer i mjeshtërisë në orkestracion dhe virtuozitetin që mund të shfaqet edhe me një dorë të vetme, përcjellë KultPlus.
Por Wittgenstein nuk ishte gjithmonë dakord me kompozitorët. Ai refuzoi të interpretonte Koncertin nr. 4 të Prokofiev-it, duke thënë se “logjika e brendshme e veprës nuk më është e qartë.” Ndërkohë, bëri ndryshime në partiturën e Ravel-it për premierën, gjë që zemëroi kompozitorin francez, i cili më pas u pajtua me të pasi Wittgenstein pranoi ta interpretonte veprën siç ishte shkruar fillimisht.

Sot, mbi 3,000 vepra janë kompozuar për dorën e majtë, një numër shumë më i lartë se për dorën e djathtë. Kjo jo vetëm për shkak të sfidës teknike, por edhe për faktin se gishti i madh i dorës së majtë (më i forti) projeksionon melodinë më me qartësi sesa gishti i vogël i dorës së djathtë që përdoret zakonisht në repertorin standard.

Në vitin 2025, gjatë edicionit të sivjetshëm të Proms në Mbretërinë e Bashkuar, një pianist i lindur pa dorën e djathtë do të interpretojë pikërisht këtë koncert legjendar të Ravel-it. Ai, një nga shumë pak solistë në botën klasike me një aftësi të kufizuar fizike, e sheh këtë si një nder dhe si një mundësi për të frymëzuar të rinjtë që të eksplorojnë këtë pjesë të jashtëzakonshme të historisë muzikore.

Ai gjithashtu planifikon të performojë edhe veprën e Prokofiev-it që Wittgenstein refuzoi, si dhe koncertin e mrekullueshëm të Korngold për dorën e majtë. Nëpërmjet këtij rrugëtimi, ai synon të mbajë gjallë trashëgiminë e Paul Wittgenstein dhe të çojë më tej historinë e një repertori që lindi nga tragjedia, por që sot ndriçon me talent dhe guxim./KultPlus.com



40 vjet më parë “Live Aid”, muzika që ndryshoi botën

By: Kult Plus
15 July 2025 at 23:45

“Live Aid” ishte një ngjarje historike dhe e papërsëritshme, që mblodhi 150 milionë dollarë për viktimat e urisë në Etiopi dhe shkatërroi karrierën e krijuesit të saj, Bob Geldof.

“Live Aid” mbushi 40 vjeç dje dhe Gjenerata Z që beson se muzika është një koleksion këngësh që duhen shtuar në një listë nuk e di fare se për çfarë bëhet fjalë.

Në atë kohë, Bob Geldof ishte ende lideri i “Boomtown Rats”, një grup irlandez që kishte shijuar sukses të konsiderueshëm në vitet e hershme të “New Wave”.

Pas “Live Aid”, karriera muzikore e Geldof u shua edhe pse ai mori titullin Sir për punën e tij bamirëse.

“Live Aid”, i cili zgjati 16 orë dhe u transmetua drejtpërdrejt duke përdorur 16 satelitë (40 vjet më parë, satelitët ishin tepër të shtrenjtë dhe kishin orare të kufizuara, por nuk vareshin nga tekat e Elon Musk), u ndoq nga dy miliardë njerëz, të ndarë midis skenave në stadiumin “Wembley” në Londër dhe stadiumin JFK në Filadelfia.

Paul McCartney, Bob Dylan, U2, Led Zeppelin, Madonna, Ozzy Osbourne dhe Black Sabbath, Elton John, Crosby, Stills, Nash & Young, Mick Jagger dhe Tina Turner, ishin midis të pranishmëve.

Muzikalish, fituesit ishin “Queen”, të cilët luajtën një shfaqje pasdite në Londër.

Phil Collins fitoi çmimin Stakhanov duke performuar.

Ai më pas mori avionin “Concorde” në Londër (dhe edhe atëherë, ishte një simbol i fatit progresiv të inxhinierisë hapësinore…) dhe mbërriti në Filadelfia, ku këndoi “Against All Odds”, duke bërë një gabim spektakolar në piano, dhe më pas la një përshtypje të tmerrshme duke luajtur bateri me “Led Zeppelin”.

Nga ana tjetër, Paul McCartney e gjeti veten me mikrofonin të fikur për dy minutat e para të këngës “Let It Be”, dhe askush, as në stadium dhe as në shtëpi, nuk dëgjoi asnjë notë.

Në edicionin DVD të publikuar 20 vjet më vonë, pistat e mikrofonit dhe pianos u rimasterizuan duke përdorur pistat origjinale, të cilat fillimisht mezi dëgjoheshin.

“Live Aid” ishte një ngjarje e rëndësishme që demonstroi fuqinë e muzikës për t’u mobilizuar dhe angazhuar, një forcë e paimagjinueshme sot.

Sidomos duke pasur parasysh se origjina e “Live Aid” qëndron në këngën “Do They Know It’s Christmas”, e cila solli të gjithë yjet më të mëdhenj të rock dhe pop britanik në studion e regjistrimit për të mbledhur fonde për viktimat e urisë në Etiopi, me iniciativën e Geldof dhe Midge Ure.

Kjo këngë nxiti “We Are the World”, këngën e publikuar nga kompania fituese e çmimeve Lionel Ritchie & Quincy Jones me bekimin e Michael Jackson.

Kënga është subjekt i njërit prej dokumentarëve muzikorë më sensacionalë të viteve të fundit, duke sjellë disa nga legjendat e muzikës amerikane në studio brenda një nate./KultPlus.com

Opera e Kosovës sjell ‘Carmen’, Ferizi: Rreth 200 artistë për të vënë në skenë një ndër veprat më të famshme të repertorit operistik

By: Kult Plus
15 July 2025 at 21:17

Flonja Haxhaj

Opera ikonike ‘Carmen’ e kompozitorit franzez Georges Bizet do të prezantohet në Prishtinë nga institucioni i Operës së Kosovës. Ky është një moment historik, jo vetëm për institucionin, por edhe për gjithë jetën kulturore në vend, duke shënuar një etapë të re të zhvillimit artistik në fushën e muzikës klasike, shkruan KultPlus.

‘Carmen’, e adoptuar nga novela e Prosper Mérimée, një nga veprat më ikonike të muzikës klasike dhe realizmit në operë e cila mbetet një nga kryeveprat më të interpretuara në gjithë botën, do të prezanohet edhe në Prishtinë më 22 korrik.

Drejtori i Operës së Kosovës, Meriton Ferizi tha për KultPlus se institucioni i operës po sjell një nga veprat më të famshme të repertorit operistik botëror pikërisht në 20-vjetorin e realizimit të saj në Kosovë për herë të parë.

“Carmen është një nga veprat më të famshme dhe më të dashura të repertorit operistik botëror. Ajo përçon emocione të fuqishme, dramë, pasion dhe muzikë brilante që është menjëherë e njohshme për publikun. E kemi parë si një mundësi për t’i sjellë publikut tonë një vepër klasike me ndikim të madh ndërkombëtar dhe një platformë për të angazhuar artistë të jashtëzakonshëm vendas e ndërkombëtarë. Po ashtu, kjo premierë vjen në përkujtim të 20-vjetorit të realizimit të saj për herë të parë në Kosovë, në vitin 2005”, theksoi Ferizi.

Megjithatë, sipas Ferizit, për një institucion të ri si Opera e Kosovës, realizimi i një vepre kaq të madhe nuk ka qenë pa sfida, sidomos krijimi i një trupe të nevojshme dhe mjete të mjaftueshme financiare.

“Të realizosh një vepër si Carmen kërkon burime të mëdha artistike, teknike dhe financiare. Sfida jonë më e madhe ka qenë ndërtimi i një ekipi të qëndrueshëm artistësh, sigurimi i buxhetit adekuat dhe bashkërendimi i të gjitha komponentëve – nga skenografia e kostumografia te bashkëpunimi me produksionin nga Opera ‘Stara Zagora’ në Bullgari, dirigjentë dhe solistë ndërkombëtarë”, shtoi ai duke folur për vështirësitë dhe sfidat për të vënë në skenë një operë madhështore siç është ‘Carmen’.

Opera ‘Carmen’ vjen në Kosovë si bashkëpunim në mes të Operës, Filharmonisë dhe Baletit të Kosovës, dhe në skenë do të jenë të angazhuar rreth 200 artistë.

“Në këtë produksion janë të angazhuar rreth 200 artistë në total, përfshirë solistët, korin, orkestrën, baletin, korin e fëmijëve, teknikët dhe ekipin mbështetës”, tha Ferizi, teksa shtoi se bashkëpunimi ndërmjet Operës, Filharmonisë dhe Baletit të Kosovës është kyç për realizimin e këtij projekti.

Ndërkaq, për të gjithë ata që nuk do të mund të marrin pjesë në natën e parë, më 22 korrik, do të kenë mundësi që të mund ta ndjekin reprizën, më datë 24 korrik. Në këtë mënyrë, Ferizi tha për KultPlus se në këtë mënyrë, ‘Carmen’ do të jetë e arritshme për të gjithë.

Drejtori i Operës së Kosovës, ndau edhe planet e këtij institucioni pas paraqitjes me ‘Carmen’.

“Pas Carmen, do të vijojmë me sezonin artistik vjeshtor, që përfshin vepra të tjera në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës, si dhe aktivitete edhe jashtë vendit. Po ashtu, në fundvit, do të rikthehet baleti ‘Arrëthyesi’ në bashkëpunim me Baletin Kombëtar të Kosovës, i cili është tashmë bërë traditë”, theksoi ai për KultPlus.

Ju kujtojmë, se ‘Carmen’ vihet në skenën e Kosovës si një bashkëpunim tjetër në mes të Operës, Filharmonisë dhe Baletit të Kosovës, pas një paraqitje madhështore me operën ‘Carmina Burana’./KultPlus.com

Opera dhome, shfaqet për herë të parë në kishën Shën Lucia në Durrës

By: KultPlus
15 July 2025 at 16:30

Kompozitori Red Radoja krijoi veprën “Ëndrra e Gotfridit” që u ngjit në skenë në kuadër të edicionit të 20-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës.

Radoja, që jeton dhe krijon prej vitesh në Francë, e ka shkruar operën fillimisht në frëngjisht. Tani, për herë të parë, ajo vjen në versionin shqip, duke sjellë një premierë unike për skenën shqiptare, ku muzika klasike, elementet shqiptare, ëndrrat dhe realiteti bashkohen në një akt të vetëm.

Në skenë u ngjitën emra të njohur të muzikës lirike, si tenori Neron Kacerja, mezzo-sopranoja Anita Kërhani dhe bas-baritoni Hektor Leka. Vepra u shoqërua nga një kuartet instrumental, i cili u dirigjua në piano nga vetë autori.

“Ëndrra e Gotfridit” u prit me entuziazëm nga publiku dhe u përjetua si një moment i veçantë artistik, që lidh krijimtarinë shqiptare me standardet evropiane të muzikës së dhomës./ KultPlus.com 

“Amadeus” ngre flamurin kulturor në Vjenë: Fëmijët shqiptarë mahnitin me muzikë dhe veshje tradicionale nga të gjitha krahinat e Kosovës

By: KultPlus
15 July 2025 at 14:54



Orkestra e fëmijëve të Prishtinës ‘’Amadeus’’, ka ngritur lart identitetin shqiptar në një nga skenat më të rëndësishme ndërkombëtare në Vjenë, përmes një përformance unike ku muzika dhe trashëgimia kulturore janë ndërthurur në mënyrë autentike. Në qendër të këtij koncerti që mbledh orkestrat e reja nga e gjithë Evropa, ‘’Amadeus’’ jo vetëm që është shpërblyer me cmimin e argjendtë, kjo orkestër ka spikatur për talentin muzikor, por edhe për pamjen e jashtëzakonshme me veshjet tradicionale të realizuara me dorë nga kreatorja Tolinda Gojani Asani, shkruan KultPlus. 


Kjo është hera e parë që një orkestër fëmijësh nga Kosova paraqitet në një garë ndërkombëtare të nivelit të tillë, e veshur me kostume që përfaqësojnë të gjitha krahinat e vendit. Nga Dukagjini në Medvegjë, nga Rugova në Has e Gollak, çdo pjesëtar i orkestrës ka mbajtur mbi supe një fragment historie, të qëndisur me kujdes dhe dashuri përmes teknikave artizanale që po rrezikojnë të zhduken.
Të krijuara nga kreatorja dhe artizanja Tolinda Gojani Asani, veshjet janë realizuar për secilin instrumentist në mënyrë që të përfaqësojnë laramaninë kulturore dhe identitare të të gjitha krahinave të Kosovës. Kjo përzgjedhje e kujdesshme i ka dhënë koncertit jo vetëm një dimension artistik, por edhe një përmasë të thellë simbolike dhe historike.

Përfaqësimi i krahinave në këtë koncert është bërë si më poshtë:

Flauta – me veshjen e Medvegjës, që ruan motivet e lashta të kësaj krahine të lashtë shqiptare.

Klarineti – me veshje tradicionale shqiptare që përfaqëson motive të hasura në të gjitha trevat shqipfolëse.

Violina 1 – me veshjet e Dukagjinit, Rugovës, Anamoravës dhe Llapit, duke bashkuar elemente nga perëndimi dhe lindja e Kosovës.

Violina 2 – me veshjet e Dukagjinit, Hasit, Gollakut dhe Drenicës, që përçojnë një mozaik unik simbolesh dhe ngjyrash.

Violonçeli – me veshjen aristokratike të qytetit, që ruan finesën dhe elegancën e shtresave të mesme të shekujve të kaluar.

Perkusionet – vajzat kanë veshur kostume të Drenicës, ndërsa djali veshjen aristokratike të qytetit, duke reflektuar ekuilibrin mes ruralitetit dhe urbanitetit në traditën tonë.Piano, fizarmonika dhe kontrabasi – gjithashtu me veshje aristokratike të qytetit, që përfaqësojnë stilin klasik shqiptar të qyteteve si Prizreni, Gjakova e Peja.

Interpretimi i veprës ‘’Malësorja’’ nga kompozitori Lorenç Antoni ka marrë dimension të ri emocional, ndërkohë që publiku ndërkombëtar në Vjenë është bërë dëshmitar i një ringjalljeje të kulturës shqiptare përmes muzikës dhe veshjes. 

Veshjet janë konceptuar jo vetëm si dekor apo element skenik, por si pjesë e rrëfimit. Siç  thekson kreatorja Gojani Asani, çdo motiv, çdo fije ari apo grep i dorës është një formë komunikimi pa fjalë, një ‘’dorëshkrim i heshtur’’ që lidh brezat dhe ruan kujtimin kulturor në një kohë kur globalizmi rrezikon t’i minimizojë veçantitë lokale. 


Ky koncert ka dëshmuar se ruajtja e trashëgimisë kulturore nuk është një akt nostalgjik, por një mënyrë për të treguar se edhe popujt e vegjël kanë storie të mëdha për të ndarë me botën. ‘’Amadeus’’ nuk ka shkuar në Vjenë vetëm për të konkurruar, por për të përfaqësuar një popull, një histori dhe një trashëgimi që flet përmes artit./ KultPlus.com 

Kur ëndrrat preken me dorë, një fëmijë nga SOS Fshati ishte pjesë e orkestrës “Amadeus” që triumfoi në Vjenë 

By: KultPlus
15 July 2025 at 12:03

Orkestra e Fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” që mori cmimin e argjendtë në Vjenë, ishte suksesi i fundit i kësaj orekstre që po përcillet me shumë vëmendje, shkruan KultPlus. 

Por këtë orkestër e bën më të vecantë edhe përbërja e saj. SOS fshati ka njoftuar se pikërisht një fëmijë i këtij institucioni ishte pjesë e këtij triumfi, duke qenë pjesë e bashkëmoshatarëve. 

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e SOS Fshatit. 

Nga SOS Fshati në një skenë botërore në Vjenë. 

Në mesin e isntrumentistëve, emocioneve dhe duartrokitjeve që jehonin në Vjenë, një fëmijë nga SOS Fshati interpretoi përkrah dhjetra bashkëmoshatarëve të tij në Orkestrën e Fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” dhe së bashku, sollën në shtëpi cmimin e argjendtë në Festivalin Botëror të Orkestrave. 

“Po, një fëmijë që ka kaluar sfida më të mëdha se sa notat më të vështira në partiturë, preku majat me talentin e tij”, kanë shkruar nga SOS Fshati./ KultPlus.com 

❌
❌