Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 27 August 2025Main stream

‘Locked In’, koncerti me muzikë elektronike ndez atmosferën në Vlorë

By: Kult Plus
27 August 2025 at 19:34

Artdashësit vlonjatë, por edhe turistët e shumtë vendas e të huaj, shijuan mbrëmjen e djeshme rimet e muzikës elektronike.

Për rreth katër orë artistë ndërkombëtarë dhe shqiptarë ndezën atmosferën në Lungomare.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale momente nga ky koncert.

“Kështu dukej Vlora mbrëmë me Locked In – mijëra të rinj, qytetarë dhe turistë përjetuan në Lungomare muzikën e mirë dhe energjinë pa fund”, shkruan Kumbaro.

Në koncert performuan emra të njohur si Burak Jeter, Kristian Marki, Stefi Deriko dhe Abelo Mania.

Ky koncert i organizuar nga bashkia e Vlorës kishte për synim gjallërimin e jetës artistike të qytetit bregdetar gjatë sezonit veror./atsh/ KultPlus.com

Me koncert solemn shënohet 115-vjetori i lindjes së Shën Nënë Terezës dhe 20-vjetori i Katedrales

By: Kult Plus
27 August 2025 at 19:10

Me rastin e 115-vjetorit të lindjes së Shën Nënë Terezës dhe 20- vjetorit të bekimit të gurëthemelit të Katedrales që mban emrin e saj është mbajtur një koncert solemn për të nderuar veprën e shenjtores së njohur në mbarë botën, shkruan KultPlus.

Ky aktivitet solemn i cili ka mbledhur personalitete të shumta nga arti, kultura, religjioni dhe politika është organizuar nga Ipeshkvia Prizren-Prishtinë në bashkëpunim me Qendrën për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore (QTSHK).

Pjesa e parë e mbrëmjes iu dedikua fjalimeve përshëndetëse, ligjëratës historike nga Don Shan Zefi për 20-vjetorin e gurthemelit të Katedrales dhe dokumentarit me pamje arkivore nga dita e bekimit të gurëthemelit.

Ndërsa, pjesa e dytë solli një program të pasur artistik me: Besiana Mehmedi (mezzosoprano), Mariana Leka (soprano), Gerald Murra (tenor), Bledar Domi (bas), Rudina Ciko (piano), kori “Të Mirët e Kombit” nën drejtimin e dirigjentit të njohur Zhani Ciko.

Një atmosferë e paharrueshme me tinguj që vallëzonin në hapësirën e madhe të këtij objekti të rëndësishëm religjioz u dha përmes veprave të njohura si: “Ave verum corpus”- “W.A. Mozart, “Ombra mai fu nga opera Xerxes”-G.F. Handel, “Pieta, Signore”- A. Stradella, “Panis Angelicus”- Cesar Franck, “Lamtumirë”- Lorenc Antoni, “Aria e Rozafës”- Imzot Mikel Koliqi, “Nënës së mirë”- Gjon Gjeveleka”, “Fanar”-S. Piraj, “Me gjak shqiptari”- Gj.Simoni, “La Vergine degli angeli nga La forza del destino”-G. Verdi, “Valsi i lumturisë”- A.Mula, “Happy Birthday”- Chopin, “Ti më je si një gonxhe”.

Ndërkaq, aktorja Safete Rogova e veshur me “sari”-n që e mbante veshur e madhja e popullit shqiptar, në një mënyrë shumë origjinale solli “Lutjet e Shën Nënë Terezës” duke bërë thirrje për paqe, mëshirë dhe dashuri. Aktori Xhevat Limani përmes performancës së tij solli në skenë figurën e “Skënderbeut”, duke sjellë porosi për mbrojtjen e atdheut dhe bashkimin e trojeve shqiptare.

Në këtë mbrëmje dedikuar misionares së shenjtë, me mirënjohje për kontributin e saj ndaj Ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën e vitit 1999 u nderua Stanë Pjetër Gashi- Nëna e UÇK-së, nga Ipeshkëvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

Në fjalimin e tij, Imzot Dodë Gjergji, përmes fjalëve të Shën Nënë Terezës ka bërë thirrje për të kontribuar për vendin.

“Nga viti 1997 kur ajo kaloi në amshim, ia shtrëngoi dorën e Zotit, dhe ka vazhduar të thotë të njëjtën fjalë, jam i bindur me fe, bën diçka për popullin tim. Dhe, me të vërtetë me Nënë Terezën qielli është afruar më afër popullit tonë, sikurse edhe populli jonë është afruar më afër qiellit, sepse një kishë e këtij vendi i dhuroi botës një nënë të bamirësisë, mirësisë, butësisë, vuajtjes, shërbimit dhe sakrificës. Ai nga qielli na dhuroi një shenjtëreshë, një shenjtëreshë e cila vazhdon të ndritë zemrat e të gjithë njerëzve” ka thënë Imzot Dodë Gjergji.

Kurse, artisti i njohur i skenës, dirigjenti Zhani Ciko ka thënë se e ka lumturuar pjesëmarrja në këtë përvjetor të rëndësishëm të figurës së Shën Nënë Terezës dhe të katedrales qe mban emrin e saj.

“Po nderojmë me modestinë tonë artistike dhe qytetare një figurë shumë të madhe. Unë jam i lumtur që kam në krah partnerë dhe kolegë të artit, një numër të shkëlqyer të tyre. Jam i lumtur dhe e quaj për nder që jam i ftuar sot të jap kontributin tim në këtë drejtim”, ka thënë dirigjenti Zhani Ciko.

Ndërkaq, udhëheqësja e mbrëmjes artistike dhe solistja Besiana Mehmedi ka thënë se programi për një figurë kaq domethënëse është realizuar në saje të një përkushtimi të veçantë.

“Koncerti solemn ‘Shën Nënë Tereza- Nëna e mbarë globit’ është bërë më një dashuri dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Faleminderit që keni mbushur këtë katedrale të kryeqytetit tonë plotë dhe na keni mbushur zemrat plot”, ka thënë ajo.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu- Nëna Terezë ka lindur më 26 gusht 1910 në Shkup. Me misionin e saj u shëndrrua në një nga personalitetet më me ndikim në botë, duke fituar edhe Çmimin Nobel për Paqe (1979). Shën Nënë Tereza u përkujdes për 960 mijë të sëmurë në mbarë botën në 213 qendra dhe është përkujdesur për 47 mijë viktima me lebrozë. Në vitin  2003 është shpallur e Lume nga Papa Gjon Pali II, ndërsa në vitin 2016 është shpallur Shenjtore nga Papa Françesku./ KultPlus.com

“Radical Opimsm Tour”, Dua Lipa gati për të pushtuar skenat amerikane

By: Kult Plus
27 August 2025 at 18:20

Këngëtarja shqiptare e njohur në botë, Dua Lipa, ka njoftuar se me turneun e saj Radical Optimism Tour do të prezantohet së shpejti edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, këngëtarja Lipa ka treguar se turneu i saj “Radical Optimism Tour” në Amerikën Veriore do të filloj në fund të muajit gusht dhe se do të zgjasë deri në mesin e muajit tetor.

“Amerikë… Po vij për ty!! Kush është gati për pop-ups të Radical Optimism”, ka qenë mbishkrimi i këtij njoftimi.

Toronto, Chikago, Atlanta, New York, Dallas, Los Angeles, Seattle janë vendet të cilat do të mirëpresin performancën mbresëlënëse të këngëtares së njohur në botë, ku pritet të reflektojë energjia dhe stili i saj unik./ KultPlus.com

Taylor Swift thyen një tjetër rekord Guinness, këtë herë me një podcast

By: Kult Plus
27 August 2025 at 18:00

Taylor Swift ka vendosur një tjetër rekord botëror, por jo përmes një albumi apo koncerti. Këtë herë, rekordi lidhet me një podcast. Pjesëmarrja e saj për herë të parë në episodin e “New Heights”, të drejtuar nga Jason dhe Travis Kelce, më 13 gusht, tërhoqi 1.3 milionë shikues të njëkohshëm në YouTube, duke u futur në Librin e Rekordeve Guinness.

Detaji interesant që i entuziazmoi fansat është fakti se kjo shifër përkon me numrin e preferuar të Swift – 13. Episodi dy-orësh tashmë ka kaluar mbi 20 milionë shikime, duke u kthyer në një ngjarje kulturore.

Në këtë podcast, Swift zbuloi për herë të parë albumin e saj të 12-të në studio, të titulluar “The Life of a Showgirl”, që do të publikohet më 3 tetor. Albumi, me 12 këngë të reja, është i frymëzuar nga turneu madhështor Eras Tour dhe, sipas artistes, përfaqëson “një periudhë të gëzueshme, dramatike dhe elektrike” të jetës së saj, transmeton KultPlus.

Travis Kelce, i fejuari i saj, u shpreh: “Është një album i gjallë, shumë pop dhe plot energji pozitive.”

Ky sukses i ri i shtohet listës së gjatë të arritjeve të Swift, e cila së fundmi thyeu edhe një rekord tjetër me albumin “The Tortured Poets Department”, duke regjistruar mbi 313 milion dëgjime në një ditë në Spotify./KultPlus.com

NEWARK, NEW JERSEY – AUGUST 26: Taylor Swift attends the 2019 MTV Video Music Awards at Prudential Center on August 26, 2019 in Newark, New Jersey. (Photo by Jamie McCarthy/Getty Images for MTV)

Nga udhëtimet e gjata me autobus, te koncertet madhështore: Historia e violinistes Pathrycia Mendonça

By: Kult Plus
27 August 2025 at 16:25

Pathrycia Mendonça, violiniste 26-vjeçare venezueliane, ka përjetuar një rrugëtim të jashtëzakonshëm: nga të udhëtuarit me autobus për tetë orë për mësime violine në Barquisimeto, deri te skenat më ikonike, si Wembley Stadium, ku do të performojë për 10 netë me Coldplay, si pjesë e Simón Bolívar Symphony Orchestra.

Megjithëse fluturimi drejt Londrës zgjati 12 orë dhe i la pas shtëpinë dhe vogëlushen 10-muajshe, Mendonça ka plot energji teksa nis provat në Air Studios, në veri të Londrës.

“Kur isha 12-vjeçare në Venezuelë, udhëtoja me autobus nga Barquisimeto për në Caracas. Lëvizja natën për të mbërritur në mëngjes, doja të mësoja violinë, dhe në mesditë kthehesha me nënën time. E bëja çdo javë. Kjo më solli këtu, tani.” – u shpreh Mendonça.

Ajo është jo vetëm muzikante, por edhe mësuese violine, nënë dhe mjeshtre kuzhine, me një master të sapo përfunduar në muzikë. Dhe, siç ajo vetë pranon, është një fanse e çmendur e Coldplay:

“Kur thanë ‘Do të doje të luaje me ne?’ – mendova se po qeshnin”.

Interpretimi i këngës ikonë “Viva La Vida” është për të një ëndërr që u bë realitet.

Pathrycia është pjesë e programit El Sistema, iniciativës venezueliane për arsimin muzikor që nisi në 1975 nga José Antonio Abreu, një antidot ndaj krimit dhe varfërisë. El Sistema ka kultivuar jo vetëm muzikantë teknikalë, por edhe përgjegjës të fortë shoqërorë si Gustavo Dudamel, drejtori i orkestrës, tashmë i nderuar me shumë Grammy, dhe drejtues i filarmonikës së Los Angeles dhe së shpejti, i New York Philharmonic.

Dudamel vetë është thirrur nga Chris Martin për të udhëhequr orkestrën në koncertet e Wembley, duke sjellë një letër dashurie artistike midis muzikës klasike dhe pop-kulturës:

“Chris i beson muzikës si mjet për të ndihmuar, shëruar dhe transformuar… Mendoj se ai dëshiron të na dhurojë pak prej kësaj magjie, së bashku me orkestrën.”

Shoqëria mes çiftit artistik u formua që në 2007, pas debutimit të Simón Bolívar Orchestra në BBC Proms, duke sjellë një shfaqje energjike dhe revolucionare mbi skenë. Që atëherë, bashkëpunimi nuk ka ndalur. Dudamel e çoi hungërin e klasikes edhe në Coachella, duke luajtur Beethoven dhe Wagner në skenë me figura si Dave Grohl dhe LL Cool J.

Për koncertet në Wembley, repertori përfshin edhe Beethoven, temën e Star Wars nga John Williams dhe “Spring” nga Vivaldi, për të përçuar harmoninë dhe dashurinë që el Sistema ka për muzikën dhe njerëzit.

Sfidat politike rrotull El Sistema-s s’mënjanojnë Dudamel-in:

“Jam kritik ndaj Maduron dhe dhunës në Venezuelë… por përgjegjësia ime më e madhe është te fëmijët që ndryshojnë jetën përmes këtij programi.”

Mendonça ndan një ndjesi të thellë për këtë moment:

“Jam e gëzuar ta përfaqësoj vendin tim dhe të jap shpresë fëmijëve që kam mësuar. Kur shikon dikë të tregon se është e mundur, atëherë lind pyetja: ‘Nëse ajo mundet, pse të mos mundem unë?’”

Mbi 3 milionë fëmijë kanë kaluar përmes El Sistema, një trashëgimi që tani vijon të lulëzojë dhe prekin afro një milion shikues përmes koncerteve në Wembley./BBC/KultPlus.com

Fondacioni Rame Lahaj sjell Grupin PasParTouT nga Gjermania: Një shfaqje muzikore që i çon fëmijët në një udhëtim ritmik e plot energji

By: Kult Plus
27 August 2025 at 11:00

Fondacioni Rame Lahaj sjell grupin gjerman PasParTouT, me programin muzikor për fëmijë “Gjelat në Pentagram”, një teatër muzikor edukativ, që do t’i bëjë fëmijët jo vetëm të dëgjojnë dhe të shohin, por të përjetojnë nga afër fuqinë dhe bukurinë e muzikës klasike në një mënyrë krejtësisht të re.

PasParTouT, me përvojë në skena ndërkombëtare, ka ndërtuar një shfaqje që kombinon tregimin artistik, performancën skenike interaktive dhe tingujt magjikë të instrumenteve klasike, transmeton KultPlus.

Fëmijët nuk do të jenë vetëm spektatorë, por do të përfshihen drejtpërdrejt në shfaqje, duke mësuar për emocionet që përcjellë muzika, instrumentet që e krijojnë atë dhe historitë që ajo tregon.

Kjo është shumë më tepër se argëtim, është edukim përmes artit, ku më të vegjlit e sotëm bëhen publiku i vetëdijshëm dhe i apasionuar i së nesërmes./KultPlus.com

Before yesterdayMain stream

Mesazhi i Nelly Furtado për ata që gjykojnë trupin e saj, me performancën e saj në Manchester Pride

By: Kult Plus
26 August 2025 at 19:45

Këngëtarja kanadeze Nelly Furtado ka dërguar një mesazh të fuqishëm për kritikët që gjykojnë trupin e saj, duke zgjedhur të flasë përmes artit dhe stilit të saj.

Gjatë performancës së saj në Manchester Pride në Angli, më 24 gusht, Furtado u shfaq me një T-shirt të bardhë oversize, në të cilin ishte vizatuar një trup femre, i përshtatur me përmasat e saj. Veshja përfshinte një trup të vizatuar me bluzë të shkurtër, reçipeta të zeza, minifund xhins dhe rrip të artë të stolisur me shkëlqim, ku shkruhej “Whoa Nelly”. Pamja u kompletua me çorape rrjete me shkëlqim, doreza rozë dhe çizme shumëngjyrëshe, duke e kthyer çdo element të saj në një deklaratë të fuqishme kundër gjykimeve për pamjen trupore,përcjellë KultPlus.

Furtado ka sqaruar publikisht se nuk ka bërë ndërhyrje estetike në fytyrë apo trup, përveç disa rregullimeve të dhëmbëve, dhe ka ndarë sekretet e saj për një pamje të shëndetshme: ujë të mjaftueshëm, gjumë dhe kujdes natyral.

Ajo ka treguar gjithashtu se në fillimet e karrierës fotografët shpesh ndryshonin format e trupit dhe ngjyrën e lëkurës së saj në editoriale, por ajo e sheh veten si “një nga me fatet” që ka mësuar të ruajë vetëbesimin dhe të jetë e sigurt në industrinë e muzikës.

“Është e rëndësishme të dëgjosh zërin e vogël brenda vetes. Vetëm kështu mund të gjesh forcën për të qenë autentik,” ka thënë Furtado.

Në moshën 46-vjeçare, Nelly Furtado vazhdon të jetë një shembull i fuqishëm i vetëpranimit, duke treguar se pamja fizike nuk përcakton vlerën e një personi, dhe se dashuria për trupin është mbi çdo gjykim./KultPlus.com

‘E di çfarë janë këngët hit, numrat hit, tingujt hit’: Njeriu pas Beatles, Brian Epstein

By: Kult Plus
26 August 2025 at 11:00

Brian Epstein, menaxheri i famshëm i Beatles, i udhëhoqi nga Cavern Club i Liverpool-it drejt famës botërore. Kur ai vdiq, 58 vjet më parë këtë javë, grupi mbeti papritur i humbur. Tre vjet më parë, Epstein i kishte thënë BBC-së se e dinte që ata do të bëheshin “atraksioni më i madh në botë”.

Kur Beatles mësuan se menaxheri i tyre, Brian Epstein, ishte gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në Londër më 27 gusht 1967, ata u tronditën thellë. “Ishte shkatërruese, e trishtë dhe paksa frikësuese,” i tha Paul McCartney biografit Barry Miles në librin “Many Years from Now” më 1997. “E donim atë.”

Epstein kishte qenë thelbësor në ngritjen e Beatles nga një grup i klubeve lokale të Liverpool-it në bandën më të madhe në botë. Ai kishte formuar imazhin e tyre të hershëm, i kishte ndihmuar të nënshkruanin kontratë diskografike, kishte menaxhuar punët e tyre dhe i kishte mbështetur pa u lodhur. Ai kishte gjithmonë besim tek ata. Në një profil të BBC-së në emisionin Panorama më 1964, ai tha se kur i nënshkroi në vitin 1961, tashmë e dinte që do të bëheshin “një nga atraksionet më të mëdha, nëse jo më i madhi, atraksion teatral në botë”.

Në atë kohë, Epstein menaxhonte një sërë artistësh, përfshirë Gerry and the Pacemakers, Cilla Black dhe Tommy Quickly. Reporteri i BBC-së, Michael Charlton, tha se Epstein kishte “gjykim të jashtëzakonshëm për çfarë do të jetë hit dhe kush do të bëjë sukses”. “Kur vetëm një në 50 këngë pop bëhet e njohur, yjet e rinj të Epstein kishin pushtuar toplistat në mbarë botën.”

Por Epstein kishte ndjekur një rrugë të pazakontë drejt botës së muzikës pop, dhe Charlton vuri re se ai ende dukej pak i jashtëm në këtë botë. “Ai vetë nuk duket pjesë e këtij realiteti, dhe megjithatë është sinqerisht i përfshirë nga të rinjtë dhe pasionet e tyre,” tha Charlton.

I lindur në vitin 1934, Epstein ishte djali më i madh i një familjeje hebreje që drejtonte një biznes të suksesshëm në Liverpool. Ai shpresonte të ndiqte një karrierë krijuese, por familja kishte plane të tjera për të. “Kur lashë shkollën, në moshën 16-vjeçare, kisha ambicie të bëhesha stilist, por edhe aktor, por familja ime nuk ishte shumë entuziaste, dhe u lashë të bindem për të hyrë në biznes,” i tha ai gazetarit Bill Grundy në një intervistë për BBC-në në vitin 1964.

Ndërkohë që punonte në biznesin familjar në vitin 1952, ai u thirr për shërbimin ushtarak, ku shërbeu si nëpunës në Royal Army Service Corps. Por jeta ushtarake e bëri shumë të palumtur. Pas një takimi me një psikiatër ushtarak, mori lirimin mjekësor dhe u kthye në firmën familjare. Megjithatë, nuk kishte hequr dorë nga ëndrra për të qenë aktor, dhe arriti të bindte prindërit që ta lejonin të ndiqte Royal Academy of Dramatic Art (RADA) në Londër më 1956.

Gjatë kësaj kohe, Epstein pranoi për veten se ishte homoseksual. Në Britani, në vitet 1950, homoseksualiteti ishte i paligjshëm, dhe jeta e tij si një burrë homoseksual i fshehtë e bënte të prekshëm ndaj dhunës, shantazhit dhe kërcënimit të vazhdueshëm për burgosje. Në vitin 1957, ai u arrestua nga një polic civil për “ngacmim të vazhdueshëm” pranë një tualeti publik në një stacion të metrosë në Londër. U dënua me një dënim të pezulluar dyvjeçar, la RADA-n dhe u kthye në Liverpool. Kësaj here, babai i tij e emëroi drejtues të departamentit të disqeve në dyqanin e familjes, North End Music Stores (NEMS), dhe aty ai gjeti vendin e tij. Talenti për të parashikuar këngë hit dhe aftësia për të krijuar vitrina tërheqëse e bënë dyqanin shumë popullor mes adoleshentëve të Liverpool-it.

Kur një djalë hyri në dyqan për të kërkuar këngën e Beatles, “My Bonnie”, Epstein vendosi t’i gjente. Lennon, McCartney, Harrison dhe bateristi i atëhershëm Pete Best e kishin regjistruar këngën si grup mbështetës për këngëtarin Tony Sheridan në Hamburg më 1961, duke e bërë Epstein të mendojë se ata ishin gjermanë. Por Beatles tashmë ishin kthyer në Liverpool dhe Epstein shkoi t’i shihte në Cavern Club. Në një bodrum të errët e të mbushur me tym, ai mbeti i magjepsur nga muzika. “Më pëlqyen jashtëzakonisht. Më pëlqeu menjëherë tingulli që dëgjova,” i tha ai BBC-së.

Ata ishin të veshur pak rrëmujshëm, me xhaketa lëkure dhe xhinse, flokë të gjatë dhe një paraqitje skenike të çrregullt, por Epstein pa diçka më shumë. “Mendova se ajo që kishin do t’u pëlqente shumë njerëzve. Ishin të freskët, të ndershëm dhe kishin atë që unë e quaj ‘cilësi ylli’. Çfarëdo që të jetë ajo, ata e kishin.”

Edhe pse nuk kishte përvojë si menaxher, Epstein ishte i bindur se duhej të bëhej menaxheri i tyre. Propozoi një takim në dyqan, por vetëm tre anëtarë të grupit u paraqitën. McCartney vonoi 45 minuta. “Dikush tha se sapo ishte zgjuar dhe ishte në banjë. U revoltova. Por George thjesht tha: ‘Ai mund të jetë vonë, por është shumë i pastër.’”

Grupi pranoi që Epstein t’i menaxhonte, edhe pse ai la kontratën e tyre të parë të pashkruar që ata të mund të tërhiqeshin nëse nuk i përmbushte pritshmëritë. Ai nisi menjëherë të siguronte skena më të mëdha dhe të ndihmonte në përmirësimin e imazhit të tyre, duke i nxitur të vishnin kostume, të mos pinin, të mos përdornin fjalë të ndyra apo të tymosnin në skenë.

Ndryshe nga menaxherët e tjerë, Epstein nuk u përpoq t’u thoshte çfarë të këndonin apo si të tingëllonin. “Nuk e kuptoj shumë nga muzika,” pranoi ai, “por di për këngë hit, tinguj hit.” Ndërsa organizonte koncerte dhe krijonte fushata publiciteti, ai u takua me shumë kompani disqesh për të siguruar një kontratë.

Pas takimit me producentin George Martin, Beatles nënshkruan me Parlophone, një degë e EMI. Edhe Martin do të bëhej figurë kyçe në suksesin e tyre, duke i ndihmuar të formësonin tingullin e tyre dhe të realizonin idetë muzikore. Kur Lennon, McCartney dhe Harrison vendosën të zëvendësonin Pete Best me Ringo Starr, i kërkuan Epstein-it të njoftonte përjashtimin e tij. Pavarësisht hezitimeve, ai besoi te “djemtë”, siç i quante ai, dhe në gjykimin muzikor të Martin.

Si menaxher i tyre, Brian Epstein krijoi një lidhje shumë personale me Beatles, veçanërisht me John Lennon. Ishte Epstein ai që u bë dëshmitar i martesës së Lennon-it me gruan e tij të parë, Cynthia Powell, në vitin 1962. Ai pagoi për darkën e tyre të festës dhe ua dha apartamentin e tij në Falkner Street, Liverpool, që çifti të jetonte falas gjatë kohës që kishin fëmijën e tyre të parë, Julian.

“Mendoj se janë njerëz të mrekullueshëm, të gjithë, dhe e them me gjithë zemër,” i tha Epstein gazetarit Grundy. “Kohët e fundit është shkruar për mua se, ndoshta, më pëlqen më shumë shoqëria e artistëve të mi, dhe mendoj se është e vërtetë. Ishte shkruar në një kontekst ku thuhej se nuk kam shumë jetë shoqërore dhe se shumicën e kohës e kaloj me artistët e mi.”

Brenda 10 muajsh nga momenti kur Epstein filloi të menaxhonte Beatles, ata kishin publikuar këngën e tyre të parë, “Love Me Do”. Në mars të vitit 1963, kënga e tyre e dytë, “Please Please Me”, nga albumi me të njëjtin titull, arriti në vendin e parë në toplistat britanike. Në fund të po atij viti, Epstein po negocionte për të siguruar paraqitjen e parë të Beatles në televizionin amerikan, në shfaqjen shumë të ndjekur të Ed Sullivan në CBS. Performanca e tyre në shkurt të vitit 1964 do të shënonte një moment historik kulturor, duke tërhequr rreth 73 milionë shikues.

Kjo ndezi një shpërthim histerie mes fansave, dhe në prill Beatles mbanin pesë pozitat e para njëkohësisht në Billboard, një arritje pa precedent.

Megjithatë, me rritjen e suksesit ndërkombëtar të Beatles, jeta personale e Epstein-it nisi të bëhej gjithnjë e më e çrregullt. Për të përballuar ngarkesën e punës, ai filloi të përdorte stimulues, të cilët më pas i balanconte me qetësues për të fjetur. Në fund të vitit 1966, edhe vetë grupi ishte i lodhur dhe vendosi të ndalonte turnetë.

Gjatë vitit 1967, ndërsa Beatles punonin në albumin e tyre revolucionar “Sgt. Pepper’s Lonely Hearts Club Band”, Epstein hynte e dilte nga klinika private Priory në Londër, në përpjekje për të trajtuar varësinë ndaj ilaçeve. Megjithatë, ai vazhdoi të përballonte një orar të ngarkuar, duke dalë nga klinika për të organizuar festën e publikimit të albumit në shtëpinë e tij në Belgravia, në maj 1967, si dhe duke negociuar paraqitjen e Beatles me këngën “All You Need Is Love”, për rreth 400 milionë shikues në 25 vende përmes transmetimit të parë satelitor global në histori.

Pak më shumë se një muaj pasi i vdiq i ati, Epstein u gjet i vdekur në gusht të vitit 1967, në moshën 32-vjeçare, pasi kishte marrë një dozë të tepërt ilaçesh, që më vonë u cilësua si aksidentale. Beatles mbetën të tronditur.

Ndërsa mençuria e disa prej vendimeve të tij është vënë në pikëpyetje, madje edhe nga vetë Beatles, ai i mbajti ata të bashkuar dhe në rrugën e duhur. “E dija që ishim në telashe atëherë,” i tha John Lennon revistës Rolling Stone në një intervistë më 1970. Ai besonte se vdekja e Epstein-it kishte nisur shpërbërjen e grupit. “Nuk kisha iluzione për aftësinë tonë për të bërë ndonjë gjë tjetër përveç se të luanim muzikë — dhe u frikësova. Mendova: ‘Mbaruam tani.’”

Më pak se tre vjet pas vdekjes së tij, Beatles u ndanë përfundimisht.

“Çfarë bëri Epstein, ishte se ua mundësoi atyre gjithçka,” tha historiani Mark Lewisohn në podkastin Great Lives të BBC-së në vitin 2019. “Talenti ishte i tyre, por ai ua dha të gjitha mundësitë për ta përdorur, dhe ata i morën ato mundësi dhe bënë gjëra të jashtëzakonshme.”/BBC/KultPlus.com

Njeriu që qëndron pas The Beatles

By: Kult Plus
25 August 2025 at 19:28

58 vite më parë, bota e muzikës humbi një nga figurat kyçe të saj: Brian Epstein, menaxheri i famshëm i Beatles, u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Londër më 27 gusht 1967. Vdekja e tij papritur la grupin e famshëm britanik të tronditur dhe u konsiderua një pikë kthese në karrierën e tyre, duke ndikuar drejtpërdrejt në shpërbërjen e grupit disa vite më vonë.

Epstein, i lindur në vitin 1934 në Liverpool, ishte djali më i madh i një familjeje hebreje që drejtonte një dyqan muzikor. Ai u dallua për aftësinë e tij të jashtëzakonshme për të parashikuar hite muzikore dhe talentin për të krijuar shfaqje tërheqëse, duke e transformuar dyqanin e familjes në një pikë referimi për adoleshentët. Ai zburi imazhin e Beatles, i udhëhoqi drejt kontratës me Parlophone dhe organizoi paraqitjet e tyre të para televizive, duke i ndihmuar të shndërrohen nga një grup lokal i Liverpulit në yje ndërkombëtarë.

Menaxheri gjithashtu mbështeti anëtarët e grupit në aspektet personale, duke krijuar një lidhje të ngushtë me John Lennon dhe duke u kujdesur për jetën e tij private, përfshirë martesën e parë të këtij të fundit. Epstein gjithashtu luajti një rol kyç në zëvendësimin e bateristit Pete Best me Ringo Starr, duke ruajtur dinamikën e grupit dhe vizionin artistik të tij.

Megjithatë, suksesi i madh erdhi me sfida personale për Epstein. Ai luftoi me varësinë nga stimuluesit dhe qetësuesit, ndërsa përpiqej të menaxhonte karrierën në rritje të Beatles. Pak më shumë se një muaj pas vdekjes së babait të tij, Epstein vdiq nga një mbidozë aksidentale në moshën 32-vjeçare. Historiani Mark Lewisohn e përshkruan rolin e tij: “Talenti ishte i tyre, por ai u dha atyre çdo mundësi për ta përdorur atë.”

Vdekja e Epstein konsiderohet një nga humbjet më të mëdha të industrisë muzikore, duke lënë pas një trashëgimi që ndikoi jo vetëm në Beatles, por në gjithë historinë e muzikës pop. John Lennon më vonë deklaroi se humbja e Epstein ishte fillimi i vështirësive që çuan në shpërbërjen e grupit.

Në përkujtim të 58-vjetorit të vdekjes së tij, kujtohet jo vetëm si menaxheri që bëri të mundur famën globale të Beatles, por edhe si një figurë kyçe që transformoi industrinë e muzikës, duke krijuar modelin e menaxherit modern të grupit muzikor./KultPlus.com

Albumi fantazmë i Emily Portman ndez alarmin për muzikën AI

By: Kult Plus
23 August 2025 at 23:25

Këngëtarja britanike Emily Portman mbeti e tronditur kur fansat e uruan për një album të ri, ndonëse ajo nuk kishte publikuar asgjë. Albumi “Orca”, i shpërndarë në Spotify dhe iTunes, doli të ishte gjeneruar nga inteligjenca artificiale, duke imituar zërin dhe stilin e saj. Portman e përshkroi përvojën si “të frikshme” dhe “shenjë të diçkaje distopike”, pasi muzikës i mungonte çdo ndjenjë njerëzore.

Ky fenomen nuk ka prekur vetëm Portmanin. Edhe muzikantë të tjerë si Josh Kaufman, Jeff Tweedy, Iron & Wine, si dhe artistë të ndjerë si Blaze Foley, kanë parë këngë të rreme të ngarkohen në profilet e tyre. Kjo ngre shqetësime serioze për industrinë e muzikës, ku AI po përdoret për të gjeneruar përmbajtje mashtruese dhe për të përfituar nga emrat e artistëve pa leje.

Platformat si Spotify kanë hequr disa prej këtyre albumeve, por shpesh me vonesë, ndërsa artistët kërkojnë masa ligjore dhe teknologjike më të forta për mbrojtjen e identitetit të tyre muzikor. Analistët paralajmërojnë se përhapja e këtyre praktikave mund të dëmtojë besimin e publikut dhe të ulë vlerën e krijimtarisë origjinale.

Ndërkohë, Portman po punon për albumin e saj të parë solo pas dhjetë vitesh, duke theksuar: “Vetëm muzika e vërtetë, e krijuar nga njerëz, mund të prekë shpirtin e publikut.”/BBC/KultPlus.com

Nicole Scherzinger ndez thashethemet për rikthimin e The Pussycat Dolls

By: Kult Plus
23 August 2025 at 19:43

Nicole Scherzinger ka bërë që fansat të flasin sërish për një ribashkim të grupit legjendar The Pussycat Dolls, pasi u shfaq në një set fotografik me një varëse ari ku shkruhej emri i grupit.

Këngëtarja 47-vjeçare u duk në super formë me një veshje provokuese bardhë e zi, të kombinuar me pantallona dhe çizme të gjata lëkure, duke rikthyer kujtimet e stilit burlesk që e bëri grupin të famshëm në fillim të viteve 2000.

The Pussycat Dolls u shpërbënë në vitin 2010 pas një karriere të shkëlqyer me dy albume, ndërsa planet për një ribashkim në vitin 2020 u ndalën për shkak të pandemisë. Edhe pse mes Nicole dhe themelueses Robin Antin ka pasur mosmarrëveshje ligjore, këngëtarja ka lënë të hapur mundësinë për një rikthim.

Ndërkohë, Nicole po shkëlqen edhe në aktrim. Ajo fitoi çmimin prestigjioz Olivier për rolin e Norma Desmond në Sunset Boulevard dhe këtë vit po debuton me të njëjtin rol në Broadway, një arritje që e quan “ëndërr të bërë realitet”.

Përveç angazhimeve në teatër, Scherzinger ka konfirmuar se po punon për projekte të reja muzikore, duke lënë hapur derën që së shpejti fansat të dëgjojnë këngë të reja solo – ose ndoshta rikthimin e një prej grupeve më të njohura të vajzave në botë./KultPlus.com

Dua Lipa feston 30-vjetorin: “20-at ishin magji, mezi pres çfarë sjell e ardhmja”

By: Kult Plus
23 August 2025 at 16:40

Superylli me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, ka festuar ditëlindjen e saj të 30-të duke ndarë një mesazh falënderues për fansat dhe të dashurit e saj. Në një postim emocionues, ajo tha se dekada e kaluar ka qenë plot magji, dashuri, sfida e mësime të vlefshme.

“Ky vit i fundit ka qenë më i miri deri tani. Jam pafundësisht mirënjohëse për familjen time, miqtë, partnerin dhe për çdo hap të këtij udhëtimi. Njerëzit që mbaj afër janë arritja ime më e madhe,” shkroi Dua.

Ajo falënderoi gjithashtu fansat për mbështetjen që nga koncertet e para në klube të vogla deri te stadiumet e mëdha si Wembley. “Muzika ka qenë ura që na ka lidhur, dhe çdo moment e mbaj me vete,” shtoi ajo.

Dua Lipa konfirmoi se pas pak ditësh rikthehet në turin e saj ndërkombëtar “Radical Optimism”, me koncertet që do të zhvillohen në Kanada, SHBA dhe Amerikën Latine deri në fund të vitit.

“E dua këtë jetë, këtë udhëtim, dhe nuk marr asnjë moment të mirë si të mirëqenë. Ja për 30 vitet e ardhshme e më shumë – gjithçka bëhet edhe më e bukur,” përfundoi ajo./KultPlus.com

Festivali i Këngës në RTK, konkurs publik për Orkestrën e edicionit të 3-të

By: Kult Plus
22 August 2025 at 16:47

Radiotelevizioni i Kosovës ka shpallur konkursin publik për pozita profesionale muzikore për të qenë pjesë përbërëse e Orkestrës së edicionit të tretë të Festivalit të Këngës.

Në konkursin e publikuar, janë 8 pozita për bendin e festivalit, 32 për orkestrën dhe 4 pozita tjera për formacione vokale. Një nga kriteret për këtë konkurs është përvoja profesionale përmes pjesëmarrjes në ngjarje të tilla kulturore duke përfshirë koncerte dhe organizime të tjera.

Afati për aplikim do të mbetet i hapur deri më datë 30.08.2025 në orën 16:00, në email adresën konkursradio@rtklive.com

Ndërkaq aplikimi për pjesëmarrje si garues vazhdon të mbetet i hapur deri më 31 gusht, teksa ftohen këngëtarë, kompozitorë, tekstshkrues nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe diaspora që të bëhen pjesë e ‘FEST 3’.

Përderisa organizatorët po bëjnë gati gjithçka rreth festivalit të transmetuesit publik të Kosovës, edhe sivjet kompozitori dhe mjeshtri Florent Boshnjaku do të jetë drejtor artistik i festivalit.

‘Xhade Fest’ – Presheva në qendër të kulturës rajonale

By: Kult Plus
22 August 2025 at 11:45

Edicioni i tretë i Xhade Fest mbërrin në Preshevë, duke e kthyer qytetin në një hapësirë të gjallë ku arti, muzika dhe komuniteti takohen. Festivali nuk është thjesht një ngjarje kulturore, por një thirrje për të rizbuluar qytetin, për ta parë me ngjyra të reja dhe për ta ndjerë si hapësirë të përbashkët krijimtarie.

Xhade Fest ecën nëpër rrugë dhe tregime, kalon kufij të dukshëm e të padukshëm, kërkon fytyra, ngjyra e zëra që sfidojnë të zakonshmen. Është një festival për ata që pyesin, që krijojnë, që besojnë se arti mund të shndërrojë hapësirat dhe komunitetet, transmeton KultPlus.

Në orën 13:00, në amfiteatrin e Shtëpisë së Kulturës, do të zhvillohet një panel diskutimi me temën “Re(discovering) the Spaces for Art and Culture”. Artistë dhe punëtorë kulturorë nga Peja, Beogradi dhe Prizreni do të ndajnë përvojat e tyre mbi mënyrat se si ata kanë gjetur, rimarrë apo krijuar hapësira të reja për artin dhe kulturën në komunitetet e tyre. Ky diskutim synon të hedhë dritë mbi sfidat dhe mundësitë që lindin kur arti kërkon vendin e tij në realitete urbane dhe sociale në ndryshim. I moderuar nga Luka Knežević Strika, paneli do të sjellë mendimet dhe përvojat e Vullnet Sanajës, Teodora Simić dhe Somer Şpatit, tre zëra të ndryshëm që përfaqësojnë praktika të ndryshme, por me përbashkësinë e kërkimit për hapësira ku arti mund të lulëzojë.

Pas këtij diskutimi, duke filluar nga ora 15:00, publiku do të ketë mundësinë të eksplorojë dy ekspozita që sfidojnë perceptimet tona mbi hapësirën dhe përvojën. Në serinë “Possible Worlds”, artisti Shkamb Jaka na fton të imagjinojmë realitete të tjera përmes një ndërthurjeje të ndjeshme të materialitetit dhe imagjinatës. Ndërkohë, Laureta Hajrullahu me punimin e saj “Touch and Haptics” na zhyt në një përvojë shqisore që ngre pyetje mbi të prekshmen, të ndjeshmen dhe atë që ndodh në ndërfaqet mes reales dhe virtuales. Të dy artistët ofrojnë një qasje bashkëkohore që ndërton ura mes trupit, mendjes dhe teknologjisë, duke na bërë të mendojmë për mënyrën se si e përjetojmë artin dhe botën përreth.

Në mbrëmje, ndërtesa e Komunës shndërrohet në një skenë magjike përmes një instalacioni 3D mapping, të sjellë nga artisti vizual Florian Çanga nga Tirana. Ky instalacion e transformon arkitekturën e qytetit në një përvojë të gjallë vizuale, ku ndërtesat marrin jetë përmes ngjyrave, ritmeve dhe vizualizimeve digjitale që krijojnë një realitet të ri për sytë e publikut. Është një bashkëjetesë e teknologjisë dhe artit, që shfaq fuqinë e imagjinatës në hapësirat publike.

Pas këtij spektakli vizual, qendra e qytetit merr jetë me muzikë të gjallë dhe DJ set-e që zgjasin gjatë gjithë natës. DJ 808 nga Prishtina sjell ritme të ngrohta afro house, ndërsa DJ Wise, gjithashtu nga Prishtina, ofron një miks dinamik të disko, hip-hop dhe afro grooves. Energjinë e mbrëmjes e përforcon Offchestra, një grup që përzien me mjeshtëri funk, jazz dhe tinguj të zjarrtë ballkanikë, duke e kthyer qytetin në një hapësirë të hapur, të gjallë dhe të përbashkët. Në këtë atmosferë, Presheva bëhet një vendtakim për artin, kulturën dhe komunitetin, një qytet që rreh në të njëjtin ritëm me ata që besojnë se hapësirat e reja nuk gjenden, por krijohen së bashku.

Xhade Fest është për njerëzit, tingujt dhe kulturat. Në Preshevë, ai shndërrohet në një udhëtim ku arti nuk është vetëm në skenë, por në rrugë, në ndërtesa, në fytyrat e njerëzve.

Ky festival është për të gjithë ata që duan ta shohin qytetin e tyre dinamik, të gjallë dhe të lidhur përmes artit./KultPlus.com

Rama: Inva Mula, performancë të jashtëzakonshme në Amfiteatrin e Durrësit

By: Kult Plus
21 August 2025 at 18:20

Sopranoja Inva Mula u ngjit në skenën e Amfiteatrit antik në Durrës, ku zhvilloi koncertin “Meloditë e Mesdheut”.

Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga ky koncert teksa theksoi në një postim në rrjetet sociale se, “sopranoja shqiptare Inva Mula së bashku me mjeshtrin e pianos Ekland Hasa dhe virtuozin e violonçelit Redi Hasa, sollën një performancë të jashtëzakonshme në Amfiteatrin e lashtë të Durrësit, nën jehonën e historisë, tingujt e melodive më të bukura mesdhetare”.

Sopranoja shqiptare me famë botërore Inva Mula, ngjitej për herë të parë në skenën e Amfiteatrit antik. Ajo kishte në krah instrumentistët virtuozë, vëllezërit Ekland Hasa në piano dhe Redi Hasa në violonçel, si dhe korin e fëmijëve “Okarina”. Repertori dhe çdo detaj ishte menduar në harmoni me vendin dhe qytetin ku u mbajt koncerti.

Instrumentisti i njohur Ekland Hasa ka bërë dhe orkestrimin e shumë këngëve që vijnë nga Turqia, Italia, Spanja, Kroacia

Publiku, mes qytetarëve dhe turistëve të shumtë, përjetoi një udhëtim muzikor në brigjet e Mesdheut, nën tingujt e melodive më të bukura të këtij rajoni. Një ngjarje artistike që do të mbetet gjatë në kujtesën e të pranishmëve, duke e kthyer Durrësin në një skenë të vërtetë emocioni dhe kulture./atsh/KultPlus.com

Kënga ‘Levitating’ e Dua Lipës kalon shifrën 1 miliard shikime në Youtube

By: Kult Plus
21 August 2025 at 15:47

Kënga “Levitating” e Dua Lipës vazhdon të ngjitet në lartësi të reja, duke arritur shifrën e një miliard shikimeve në YouTube. Kjo shënon videon e saj të tretë muzikore që arrin këtë arritje, pas “New Rules” të vitit 2017 dhe “No Lie”.

Videoklipi i realizuar nga Warren Fu dhe xhiruar në bashkëpunim me TikTok, videoja e “Levitating” e paraqet këngëtaren e popit duke hyrë në një portal galaktik që nga brenda duket si një ashensor retro. E veshur me një fustan blu me shkëlqim dhe me shkëlqim në qepallat e syve — që përputhet me vargjet “Glitter in my eye, shining just the way you like” — Lipa dhe disa miq kërcejnë në ritmin e këtij hiti të madh, trannsmeton Billboard.

Në videoklip i bashkohet edhe DaBaby, bashkëpunëtori i saj, remiksi i të cilit e ndihmoi këngën të ngjitej në vendin e dytë në Billboard Hot 100 në vitin 2021. “Levtating është një nga këngët kryesore të albumit Future Nostalgia, dhe u bë një nga këngët më përcaktuese të vitit 2024.

Që atëherë kanë ndodhur shumë ndryshime. Përveç se është fejuar me aktorin Callum Turner dhe ka publikuar albumin Radical Optimism në vitin 2024.

Ajo gjithashtu është distancuar nga DaBaby pas komenteve të tij homofobike në festivalin “Rolling Loud” në vitin 2021.

“Jam e habitur dhe e tmerruar nga komentet e DaBaby-t,” shkroi ajo në një deklaratë menjëherë pas fjalës fyese të reperit, ku ai përhapte keqinformim ofendues për komunitetin LGBTQ. “Nuk e njoh këtë si personin me të cilin kam punuar.”/ KultPlus.com

Nis ‘Shkodra Jazz Festival’, ‘Skanderbeg Chamber Orchestra’ ekzekutoi vepra të njohura botërore

By: Kult Plus
21 August 2025 at 13:18

Salla “Kardinal Mikel Koliqi” mirëpriti koncertin e hapjes së festivalit “Shkodra Sounds”, edicioni i IX, me pjesëmarrjen e “Skanderbeg Chamber Orchestra”.

Orkestra u krijua në vitin 1997 nga artisti i ndjerë Rrok Jakaj dhe mbetet një ndër ansamblet më të veçanta të muzikës së dhomës. Drejtori artistik, Florian Jakaj, tha se festivali është një mundësi e mirë për jetën kulturore të Shkodrës.

“Mbi të gjitha është një përvjetor ku bëhet edhe një bilanc se çfarë kemi bërë në të gjithë këto vite dhe kush është synimi ynë. E rëndësishme është që nuk jemi vetëm pasi bashkë mund të bëjmë gjëra më të mira”, u shpreh Jakaj.

Violinisti Paçalin Pavaci, që jeton jashtë vendit, u shpreh se rikthimi në Shkodër për të interpretuar për publikun e tij është një emocion i veçantë.

“Është një emocion shumë i madh se për herë të parë mblidhen të gjithë shkodranët që vijnë nga disa vetën të botës ku punojnë në zanatin e tyre. Është edhe një demonstrim dhe më madh për shkollën tonë që ka nxjerrë instrumentistë kaq të mirë. Shkodra është dashni, ne këtu kemi zemrën, tabanin dhe çdo gjë ka filluar këtu”, tha violinisti Paçalin Pavaci.

Ky koncert shënoi një fillim të bukur të “Shkodra Jazz Festival” që do të vijojë me aktivitete të tjera muzikore. /RTSH/ KultPlus.com

Shqipëria e ftuar nderi në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës Klasike “Périgord Noir” në Francë

By: Kult Plus
21 August 2025 at 11:10

Shqipëria ka qenë e ftuar nderi në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës Klasike “Périgord Noir” në Francë.

Vendi ynë ka marrë pjesë nga data 3 deri më 17 gusht në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës Klasike “Périgord Noir”, një nga ngjarjet më të njohura muzikore të Francës, e cila zhvillohet në rajonin piktoresk të Dordogne.

Kjo pjesëmarrje e Shqipërisë në këtë festival që ndërthur traditat, kulturat dhe historitë e Mesdheut përmes një programi të pasur muzikor dhe artistik, është pjesë e nismës CulturAlb, projektit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit e cila ka për qëllim promovimin e kulturës shqiptare jashtë vendit.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, tha se gjatë fundjavës së kaluar, kuarteti i Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura performoi së bashku me mezzo-sopranon Flaka Goranci. Interpretimi i tyre i titulluar “Melodi Shqiptare” riktheu në skenë thellësinë e zërit dhe fuqinë e këngëve popullore shqiptare. Përkrah Gorancit ishin edhe Vilson Guri, Erbi Piranaj, Stela Bello dhe Bashkim Kupi, të cilët sollën një program që kremtoi dashurinë, natyrën dhe jetën, duke e bërë muzikën të lirë, të stolisur dhe të mbushur me nostalgji. Organizatorët e festivalit vlerësuan interpretimin e artistëve shqiptarë si një zbulim të një universi tingullor të rrënjosur thellë në shpirtin e popullit.

Më 16 gusht, festivali organizoi një takim letrar të fokusuar te veprat e shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare. Në aktivitet morën pjesë violinisti Tedi Papavrami dhe shkrimtarja Ornela Vorpsi. Papavrami u shfaq jo vetëm si interpretues, por edhe si përkthyes i veprave të Kadaresë. Përpara diskutimit letrar, violinistja e re shqiptare Vesa Dume, vetëm 13 vjeçe, performoi një koncert të shkurtër që mahniti audiencën.

Koncertet e festivalit zhvillohen në kisha historike dhe monumente.

Demi Lovato, ikona e muzikës mbush 33 vjeç

By: Kult Plus
20 August 2025 at 22:20

Sot, këngëtarja, aktorja dhe aktivistja e njohur Demi Lovato feston 33-vjetorin e lindjes. E lindur më 20 gusht 1992 në Albuquerque, New Mexico, Demi ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme që shkon përtej muzikës pop, duke u kthyer në një zë të fuqishëm për shëndetin mendor, vetëpranimin dhe forcën personale.

Që nga fillimet si aktore në seriale të Disney Channel si “Camp Rock” dhe “Sonny with a Chance”, e deri te sukseset e mëdha me këngë si “Skyscraper”, “Heart Attack” dhe “Sorry Not Sorry”, Demi ka treguar vazhdimisht talent, pasion dhe guxim për të qenë vetvetja, edhe në dritën e vështirësive personale, transmeton KultPlus.

Në dekadën e fundit, Lovato ka qenë e hapur për betejat e saj me shëndetin mendor, varësinë dhe vetëbesimin, duke ndarë historinë e saj me miliona fansa në të gjithë botën. Dokumentarët si “Dancing with the Devil” dhe daljet publike kanë ndihmuar shumë njerëz që përballen me sfida të ngjashme.

Në vitet e fundit, Demi ka përqafuar më shumë autenticitet, duke ndarë edhe udhëtimin e saj rreth identitetit gjinor dhe përdorimit të përemrave që reflektojnë më mirë ndjesinë e saj personale. Ky hap ka bërë që ajo të shihet edhe më shumë si një ikonë për komunitetin LGBTQ+ dhe për të gjithë ata që kërkojnë të jetojnë të vërtetën e tyre.

Në vitin 2024, Demi publikoi këngë të reja dhe njoftoi një rikthim në muzikën rock, duke iu kthyer rrënjëve të saj me energji dhe stil të ri. Në korrik 2025, ajo publikoi singëllin e fundit “Phoenix”, një himn për ringjalljen personale, që u prit ngrohtësisht nga publiku dhe kritikët.

Ndërsa feston 33-vjetorin, Demi Lovato nuk është vetëm një yll i muzikës pop, ajo është një simbol i kurajos, ndryshimit dhe vetëdashurisë./KultPlus.com

Taylor Swift e sjell albumin e ri edhe në kasetë, një format që po ringjallet mes të rinjve

By: Kult Plus
20 August 2025 at 20:20

Kur Taylor Swift të publikojë albumin e saj më të ri Life of a Showgirl, ai nuk do të jetë i disponueshëm vetëm në platformat e transmetimit apo në vinil, por edhe në kasetë. Formati i dikurshëm, që në vitet ’80 e ’90 mbizotëronte në tregun muzikor para se të zëvendësohej nga CD-të dhe më pas nga shërbimet online, po përjeton një ringjallje të papritur. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, shitjet e kasetave janë rritur nga rreth 80 mijë kopje në vitin 2015 në mbi 436 mijë në vitin 2023.

Ekspertët e industrisë thonë se ky rikthim është kryesisht meritë e të ashtuquajturve “super fansa” – dëgjues të përkushtuar që shpenzojnë më shumë, ndjekin çdo publikim të artistit të preferuar dhe kërkojnë formate fizike përtej transmetimit digjital. Ky grup përbëhet kryesisht nga të rinjtë e Gjeneratës Z dhe Milenialët, të cilët po zgjedhin një mënyrë më intime për të dëgjuar muzikë.

Pse kthehen tek kasetat?

Përvoja prekshme – dëgjuesit thonë se duan “diçka që mund ta mbajnë në dorë”. Ndryshe nga platformat digjitale, kasetat i detyrojnë të dëgjosh albumin nga fillimi deri në fund, duke i dhënë procesit një ndjenjë më aktive.

Nostalgjia dhe koleksionimi – edhe pse blerësit janë shpesh shumë të rinj për ta kujtuar epokën e kasetave, ata i shohin si objekte të veçanta koleksioni që forcojnë lidhjen me artistin.

Pushim nga “playlist”-et – ndryshe nga kalimi i menjëhershëm nga një këngë në tjetrën, kasetat kërkojnë durim dhe përqendrim te muzika si një e tërë.

Taylor Swift nuk është e para që e përqafoi këtë trend. Ajo ka publikuar edhe albumet e saj të ri-regjistruara në këtë format, përfshirë 1989 (Taylor’s Version), që vetëm vitin e kaluar shiti mbi 17 mijë kopje në kasetë. Ky rikthim është vënë re edhe tek artistët e rinj, si Chappell Roan apo Sabrina Carpenter, duke treguar se kaseta po fiton sërish vend në industrinë muzikore.

Megjithëse transmetimi online mbetet mënyra kryesore e konsumit muzikor, rritja e kasetave dëshmon se muzika nuk është vetëm tingull, por edhe përvojë fizike – një mënyrë që brezat e rinj e shohin si më autentike dhe personale./KultPlus.com

❌
❌