Zjarre në Kurbin dhe Fier/ Mbrojtja Civile: 5 vatra flakësh në vend
Zjarri i renë mesditën e premtes në fshatin Skuraj të Kurbinit, ka djegur disa hektarë sipërfaqe masiv pyjor. Për shuarjen e vatrave janë aktivizuar tre zjarrfikëse, por për shkak të terrenit të vështirë është kërkuar edhe ndërhyrje nga ajri.
Helikopteri i forcave të armatosura ka bërë të mundur izolimin e disa prej vatrave në zonën e malësisë së Kurbinit. Mëngjesin e kësaj të shtune aksionit për shuarjen e flakëve i janë bashkuar edhe forca nga agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.
Një zjarr ka rënë këtë mesditë edhe në Fier, në vendin e quajtur “Ura e Daullasit”. Zjarri është shkaktuar nga fermerët e zonës të cilët djegin sipërfaqet e tokave bujqësore. Flakët kanë shkaktuar panIK tek banorët e zonës, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse për të bërë të mundur shuarjen e flakëve të cilat ndodhen pranë shtyllave të tensionit të lartë.
Për të shmangur rrezikun është bërë edhe stakimi i energjisë.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë regjistruar 21 vatra zjarri, nga të cilat 5 vatra janë ende aktive.
Flakët nuk janë shuar ende në vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan të Bulqizës. Zjarri ka qenë me intensitet të ulët dhe nuk pati rrezik për tu përhapur në zona të pyllëzuara. për pasojë është djegur një sipërfaqe rreth 19 ha, ndërsa në operacion janë angazhuar ekipet zjarrfikëse që të mbajnë nën kontroll situatën për të mos e lënë këtë vatër të përparojë.
Vatrat e zjarrit vijojnë të jenë aktive edhe në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve” në Lurë, ku është djegur një sipërfaqe prej 30 hektarësh.
Ministria e Mbrojtjes raporton vatra aktive në Rrogozhinë e Elbasan, ndërsa vijojnë operacionet për shuarjen e tyre.
Kryesisht zjarret janë regjistruar në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, ku si pasojë janë djegur rreth 91 hektarë sipërfaqe. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile përsërit apelin për qytetarët që të raportojnë çdo rast dhe të tregojnë përgjegjshmëri.