Rama kërkon shkarkimin e të gjithë drejtorëve në bashkitë e Elbasanit dhe Lushnjës
Rama shënjestroi kryebashkiakun e Elbasanit Gledian Llatja, për të cilin kërkoi më shumë angazhim në kryerjen e detyrës.
Ai mori si shembull barin e paprerë në varrezat e Elbasanit, si një tregues se drejtuesit e bashkisë janë në gjumë.
Rama kërkoi nga bashkia e Elbasanit dhe e Lushnjës shkarkimin e të gjithë drejtuesve lokalë dhe hapjen e garës për caktimin e drejtuesve të rinj.
“Është e pakonceptueshme të ndodhin këto gjëra. Mos të jetë kryetari i bashkisë i informuar mbi çdo tullë që ndodh në qytet. Patjetër që nëse kryetari i bashkisë i ka sytë gjysmë të hapur dhe gjysmë të mbyllur, ata që janë nën të i kanë të mbyllur. Siç i kishin ata në Vlorë. Pastaj edhe në bashkinë e Elbasanit dhe të Lushnjës duhet bërë pezullimi i plotë dhe shkarkimi i të gjithë drejtorëve me dorëheqje, për t’i dhënë mundësinë që të provojnë që janë njerëzit e duhur për atë pozicion. Duhet shkundur e gjithë kjo pemë, pasi 10 mandate në Elbasan kryetar janë një barrë që mua personalisht bashkë me 12 mandatet e Fierit, bashkë me 9 mandatet e Vlorës më kanë marrë dhe ato orë që flija gjumë. Duhet të të lëmë pa gjumë ty, jo të flesh më shumë. E kam vënë re se për disa morëm 83 mandate dhe presin të tregojnë sa të fortë jemi, në fakt nuk jemi më të fortë, jemi më të ekspozuar ndaj njerëzve të cilët duan 10-fishin nga ne. Çfarë 10-fishi mund t’i japësh ti Elbasanit nëse e lë barin në varreza ashtu? Justifikime mund të japësh sa të duash, por nuk ka asnjë justifikim, zero”, tha Rama.
Gjithashtu shefi i qeverisë kërkoi më shumë angazhim nga bashkitë në marrjen e kredive të buta si bashkëaksionere me fermerët e zonës.
“Sot kemi një instrument domethënës ku patjetër bashkitë duhet të marrin përgjegjësinë dhe pjesën e tyre që është linja e kredisë të Bankës së Shqipërisë 250 mln euro. Një kredi e butë ku bashkitë duhet të jenë forcë udhëheqëse, bashkitë duhet t’i bëjnë bashkë fermerët dhe të bëhen aksionerë për të bërë një linjë përpunimi të ullirit dhe për të prodhuar vajin e ullirit. Sigurisht duke qenë bashkitë pjesë bëhet shumë më e thjeshtë për bankat të mbështesin fermerët me kredi të buta. Duke u bërë bashkitë pjesë e kësaj edhe qeveria mund të futet dhe të rrisë mbështetjen”, tha Rama.
LEXONI GJITHASHTU:
- Aksioni në Theth, Rama: Kishte bum ndërtimesh pa leje para dhe gjatë fushatës
- Rama: Të gjithë kryetarët e njësive administrative në Shqipëri duhet të shkarkohen
The post Rama kërkon shkarkimin e të gjithë drejtorëve në bashkitë e Elbasanit dhe Lushnjës appeared first on Euronews Albania.