Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 20 July 2026Euronews

761 euro për person, sa para lë një turist në Shqipëri? Shifrat nga “Data Centrum”

20 July 2026 at 22:30

Këtë të hënë, në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania, është diskutuar mbi shpenzimet e turistëve të huaj në Shqipëri.

Të dhëna nga Instituti kërkimor “Data Centrum”, studimi i të cilëve ka marrë një kampion prej 1000 turistësh të huaj, kanë paraqitur se mesatarja e shpenzimeve totale për një grup të përbërë prej 2-3 personash rezulton në 2025 euro.  Ndërkohë, mesatarja e shpenzimeve për një person rezulton të jetë 761 euro.

Shpenzime këto të cilat përfshijnë: akomodimin, ushqim dhe pije, transport brenda vendit, blerje dhe shpenzime të tjera.

Sipas të dhënave nga “Data Centrum”, akomodimi u ka zënë turistëve pjesën më të madhe të shpenzimeve me 44% nga totali i shpenzimeve. Konsumi i ushqimeve dhe pijeve rezultojnë me 29% . Ndërsa, transporti brenda vendit rezulton të jetë 13 %.

Sipas drejtoreshës së Institutit Kërkimor Data Centrum, Sonila Çela, kategoria e transportit vjen me një përqindje të tillë duke marrë parasysh se turistët e huaj kanë zgjedhur të udhëtojnë më shumë me taksi apo makina me qera, sesa me transport publik.

The post 761 euro për person, sa para lë një turist në Shqipëri? Shifrat nga “Data Centrum” appeared first on Euronews Albania.

Sondazhi zbulon nga vijnë turistët e huaj në Shqipëri, cili shtet kryeson listën

By: Besnik
20 July 2026 at 22:24

Sipas një sondazhi të realizuar nga Data Centrum, i diskutuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, është zbuluar edhe përbërja sipas shtetësisë e turistëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë.

Sondazhi, i zhvilluar me 1000 turistë, tregon se pjesa më e madhe e vizitorëve të huaj vijnë nga Europa. 83% e të intervistuarve janë nga vendet europiane, ndërsa 8% nga Azia, 3% nga Oqeania, 3% nga Amerika e Veriut, 2% nga Amerika e Jugut dhe 1% nga Afrika.

Sipas ndarjes sipas shteteve, Franca renditet në vendin e parë, me 17% të turistëve të intervistuar. Në vendin e dytë renditet Italia me 13%, ndërsa Gjermania me 12%.

Ndërkohë, 12% e të intervistuarve janë përfshirë në kategorinë “të tjerë”, ku përfshihen turistë nga shtete të ndryshme që kanë pasur një përfaqësim më të vogël në kampionin e sondazhit.

Më pas lista vijon me:

Mbretëria e Bashkuar – 8%

Polonia – 6%

Holanda – 4%

Spanja, Turqia dhe Australia – 3%

Belgjika, Danimarka, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hungaria dhe Republika Çeke – 2%

Ukraina, Lituania, Kanadaja, Arabia Saudite, Austria, Brazili, Estonia dhe Zvicra – 1%

The post Sondazhi zbulon nga vijnë turistët e huaj në Shqipëri, cili shtet kryeson listën appeared first on Euronews Albania.

Pse po zgjedhin Shqipërinë turistët? Drejtoresha e “Data Centrum” zbulon arsyet

20 July 2026 at 22:19

Sonila Çela, Drejtore e Institutit kërkimor Data Centrum, ka folur në “Now” lidhur me arsyet pse turistët e huaj zgjedhin Shqipërinë.

Çela ka shpjeguar edhe metodologjinë e ndjekur për realizimin e këtyre të dhënave me anë të një ankete, nga ku tregohet se janë realizuar intervista në Aeroportin “Nënë Tereza” gjatë momentit të largimit të turistëve. Specifikisht nga data 15 gusht deri më 6 shtator, periudhë kjo e cila konsiderohet si piku i sezonit turistik për ata që udhëtojnë me avion.

“Studimi është bërë në aeroportin “Nënë Tereza“. Pra, gjatë largimit ne kemi intervistuar rreth 1.000 persona ballë për ballë duke ndjekur një metodologji. Pra, një në tre turistë që hynte në gate. Kemi bërë dhe një metodologji në mënyrë që mos të kishim pyetje të përsëritura ose përgjigje të përsëritura. Ne kemi pyetur vetëm një person nga grupi. Nëse ata ishin në grup 30-40 veta, pra është përzgjedhur vetëm njëri prej tyre. Pra, për të marrë sa më shumë përfaqësi nga grupe të ndryshme, 50% meshkuj, 50% femër, 16 vjeç, madhorë. Kemi intervistuar 15 gusht dhe 6 shtator. Ky supozohet, që është dhe piku i turistëve tuaj ose turistëve që vijnë zakonisht me avion. Pra, ne kemi përjashtuar të gjithë ata që nuk kanë ndejtur asnjë natë në Shqipëri, pra sepse nuk kishim një eksperiencë për të matur aty”, tha Sonila Çela.

Drejtoresha e Data Centrum shpjegon se nga studimi janë hequr të gjithë vizitorët që nuk kanë qëndruar të paktën një natë në Shqipëri apo ata persona që kanë lidhje emocionale apo familjare me vendin.

“Sigurisht, ne kemi përjashtuar edhe të gjithë personat që kishin një lidhje me Shqipërinë. Pra, nëse ata kanë një pasaportë shqiptare, janë nga Kosova, janë nga Maqedonia e Veriut ose janë emigrantë që jetojnë, janë përjashtuar.

Pra, janë turistë, janë vetëm turistë të huaj, ok, që nuk janë… nuk kanë asnjë lidhje me Shqipërinë dhe nuk kanë asnjë lidhje emocionale, mund ta themi, me Shqipërinë, me… me Shqipërinë.

Megjithatë, ky është moment i mirë ndërkohë që ne flasim dhe të gjithë aktualiteti këto ditë po flet se si po i presim turistët, e mirë për të thënë sa të kënaqur i kemi pasur ata që kanë qenë vitin e kaluar dhe çfarë kemi rregulluar ndërkohë”, tha ajo.

The post Pse po zgjedhin Shqipërinë turistët? Drejtoresha e “Data Centrum” zbulon arsyet appeared first on Euronews Albania.

As Saranda, as Ksamili! Zbulohet vendi më i vizituar nga turistët në Shqipëri

By: Besnik
20 July 2026 at 22:15

Sipas një sondazhi të realizuar nga Data Centrum, i bërë publik në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, Tirana rezulton të jetë destinacioni më i vizituar nga turistët e huaj në Shqipëri, duke lënë pas edhe zona të njohura turistike si Saranda dhe Ksamili.

Sipas përfaqësuesve të Data Centrum, kategorizimi është bërë bazuar në përgjigjet e hapura të turistëve, të cilët kanë deklaruar vetë vendet që kanë vizituar. Për këtë arsye, disa destinacione janë grupuar sipas kategorive turistike.

Ekspertët sqaruan se përqindja e lartë e Tiranës lidhet edhe me faktin se shumë turistë e përfshijnë kryeqytetin në itinerarin e tyre, edhe për qëndrime të shkurtra, përpara se të vijojnë udhëtimin drejt zonave të tjera turistike.

Sipas rezultateve, 71% e turistëve kanë vizituar Tiranën, duke e renditur kryeqytetin në vendin e parë.

Në vendin e dytë renditen Saranda dhe Ksamili, së bashku me plazhet e jugut, të përmendura nga 43% e të anketuarve. Ndërkohë, zona e Rivierës shqiptare, përfshirë destinacione si Dhërmiu, Himara, Borshi dhe Qeparoi, është vizituar nga 37% e turistëve.

Destinacionet e mbrojtura nga UNESCO, si Gjirokastra, Berati dhe Butrinti, janë vizituar nga 32% e turistëve, ndërsa Durrësi, Golemi dhe Ishmi nga 30%.

Më pas renditen:

Shkodra me 18%;

fshatrat turistike me 13%;

Kruja me 8%;

liqenet dhe lumenjtë, ku përfshihet edhe Pogradeci, me 6%;

Tepelena, Përmeti dhe Këlcyra me 5%;

plazhet e veriut me 5%;

Korça dhe zona e Linës në Pogradec me 4%;

Elbasani, Gramshi dhe Librazhdi me 2%.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se një pjesë e madhe e turistëve të huaj nuk qëndrojnë vetëm në një destinacion, por zhvillojnë ture të kombinuara, duke vizituar disa zona gjatë të njëjtit udhëtim në Shqipëri.

The post As Saranda, as Ksamili! Zbulohet vendi më i vizituar nga turistët në Shqipëri appeared first on Euronews Albania.

Plagosja e tre personave në Elbasan, policia jep detajet dhe emrat: Oficeri ndoqi autorin

By: Besnik
20 July 2026 at 21:48

Policia e Shtetit ka dalë me një deklaratë zyrtare lidhur me të shtënat me armë zjarri të regjistruara mbrëmjen e kësaj të hëne në lagjen “Vullnetari” në Elbasan, ku mbetën të plagosur tre persona.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30, në verandën e një lokali, ku një shtetas ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri, pistoletë, në drejtim të tre personave.

Të plagosur kanë mbetur Armand Tomorrica, 32 vjeç, Renaldo Mance, 31 vjeç dhe Bjorgi Hoxha, 19 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në momentin e ngjarjes, në brendësi të lokalit ndodhej një oficer policie jashtë shërbimit, i cili, sapo ka dëgjuar të shtënat, ka dalë menjëherë dhe është vënë në ndjekje të autorit.

Gjatë ndjekjes, autori ka hedhur armën e zjarrit dhe ka arritur të largohet në thellësi të lagjes. Forca të shumta të Policisë kanë rrethuar zonën në një perimetër të gjerë dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për mbledhjen dhe sekuestrimin e provave që do t’i shërbejnë identifikimit dhe kapjes së autorit.

The post Plagosja e tre personave në Elbasan, policia jep detajet dhe emrat: Oficeri ndoqi autorin appeared first on Euronews Albania.

Këlcyrë, banori shpëton turisten e huaj 10-vjeçare nga mbytja në lumë

20 July 2026 at 21:47

Një 10-vjeçare ka rrezikuar të mbytet në Ujin e Zi në qytetin e Këlcyrës. Situata është parandaluar nga një banor i zonës, teksa të miturën po e tërhiqte rrjedha e fortë e ujit.

Sipas të dhënave paraprake, e mitura e cila ishte turiste, po lahej në lumë përpara incidentit.

Në përfundim, mësohet se 10-vjeçarja shpëtoi nga mbytja në lumë dhe nuk pati pasoja shëndetësore. 

The post Këlcyrë, banori shpëton turisten e huaj 10-vjeçare nga mbytja në lumë appeared first on Euronews Albania.

Trump paralajmëron Iranin: Për çdo ushtar amerikan të vrarë do të ketë nga një përgjigje të fortë

By: Besnik
20 July 2026 at 21:33

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka dërguar një mesazh të ri të ashpër ndaj Iranit, duke paralajmëruar se çdo sulm që shkakton vdekjen e një ushtari amerikan do të përballet me një përgjigje të fortë.

Në një postim në rrjete sociale, Trump tha se ka dhënë tashmë udhëzimet përkatëse te Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kryetari i Shtabit të Përbashkët, Dan Kaine, si dhe te drejtuesit e tjerë të Forcave të Armatosura amerikane.

“Sa herë që Irani vret një ushtar amerikan, ata do ta paguajnë këtë veprim shumëfish. Udhëzimi përkatës i është dhënë tashmë Sekretarit të Mbrojtjes, kryetarit të Shtabit të Përbashkët dhe çdo udhëheqësi të Forcave të Armatosura”, shkroi Trump.

Deklarata e presidentit amerikan vjen në një kohë tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa administrata amerikane ka përsëritur qëndrimin e saj të ashpër ndaj çdo kërcënimi ndaj trupave amerikane në rajon.

The post Trump paralajmëron Iranin: Për çdo ushtar amerikan të vrarë do të ketë nga një përgjigje të fortë appeared first on Euronews Albania.

Kryeministri i ri britanik prezanton kabinetin, emëron kancelarin dhe sekretarin e Jashtëm

20 July 2026 at 21:28

Kryeministri i ri britanik, Andy Burnham, ka prezantuar kabinetin e tij të ri, duke emëruar John Healey si kancelar dhe Ed Miliband në postin e sekretarit të Jashtëm.

Shabana Mahmood është riemëruar sekretare e Brendshme, ndërsa Louise Haigh rikthehet në kabinet si kancelare e Dukatit të Lancaster.

John Healey merr detyrën e kancelarit pas largimit të Rachel Reeves. Ai dha dorëheqjen muajin e kaluar nga posti i sekretarit të Mbrojtjes, pas mosmarrëveshjeve lidhur me shpenzimet për mbrojtjen.

Në fjalimin e tij të parë si kryeministër, Burnham premtoi një plan zhvillimi 10-vjeçar dhe njoftoi se masat për përballimin e kostos së jetesës do të prezantohen duke nisur nga e marta.

Ai u zotua gjithashtu t’i japë fund fenomenit të gjumit në rrugë dhe të rrisë ndërtimin e banesave sociale, duke e cilësuar këtë periudhë si një “moment vendimtar për Britaninë”.

Sipas zyrës së tij, Burnham zhvilloi edhe një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump, të cilin e ftoi të vizitojë Mançesterin, ndërsa theksoi angazhimin e qeverisë britanike për mbrojtjen dhe sigurinë.

The post Kryeministri i ri britanik prezanton kabinetin, emëron kancelarin dhe sekretarin e Jashtëm appeared first on Euronews Albania.

Të shtëna me armë zjarri në një lokal në Elbasan, plagosen 3 persona

By: Besnik
20 July 2026 at 21:13

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e kësaj të hëne në lagjen “Vullnetari” në qytetin e Elbasanit.

Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në një lokal, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur tre persona të identifikuar si Armand Tomorrica, 32 vjeç, Renaldo Mance, 31 vjeç dhe Bjorgi Hoxha, 19 vjeç.

Ata janë transportuar me urgjencë në spital, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Nga burime në vendin e ngjarjes bëhet me dije se janë dëgjuar rreth gjashtë të shtëna me armë zjarri, ndërsa menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të Policisë, të cilat kanë rrethuar zonën dhe kanë ngritur pika kontrolli për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj, ndërsa motivet e të shtënave mbeten ende të paqarta.

The post Të shtëna me armë zjarri në një lokal në Elbasan, plagosen 3 persona appeared first on Euronews Albania.

Monitorim me dronë dhe kamera inteligjente, ministri Lamallari paralajmëron ndëshkime për bllokimet në trafik

20 July 2026 at 20:46

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka bërë një apel publik për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, duke paralajmëruar masa të rrepta ndëshkimore për të gjithë ata drejtues mjetesh që bëhen shkak për bllokimin e trafikut.

Sipas ministrit Lamallari, është e papranueshme që për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të disa individëve të vuajnë drejtuesit e tjerë të mjeteve.

“Për kapriço të dikujt, nuk ka pse të vuajnë të tjerët që vonohen dhe bllokohen në trafik! Nëse mendoni se jeni të privilegjuar dhe mund të bëni ç’të doni në trafik, përshëndeteni pak dronin sipër jush dhe prisni sa të takoni patrullën më të afërt me gjobën tuaj” shkruan Besfort Lamallari, Ministër i Punëve të Brendshme.

The post Monitorim me dronë dhe kamera inteligjente, ministri Lamallari paralajmëron ndëshkime për bllokimet në trafik appeared first on Euronews Albania.

Sot dita e 51-të e protestës, aktivistët dhe qytetarët mblidhen para Kryeministrisë

By: Besnik
20 July 2026 at 20:45

Protesta e aktivistëve dhe qytetarëve në Tiranë shënoi këtë të hënë ditën e 51-të të saj. Ashtu si çdo mbrëmje, protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, nga ku marshuan drejt Kryeministrisë, ku po mbajnë fjalimet e përnatshme.

Edhe këtë herë, protestuesit përsëritën thirrjet e tyre “ju erdhi fundi”, “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “dorëheqje” ndërsa kanë deklaruar se do ta vijojnë protestën deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Pas fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit marshojnë në rrugët e Tiranës.

Më herët, gjatë paradites, një grup protestuesish u mblodh para godinës së Parlamentit të Shqipërisë, në kohën kur zhvillohej seanca plenare.

Me mbërritjen e automjeteve të deputetëve socialistë, protestuesit i qëlluan ato me vezë. Organizatorët e kishin cilësuar protestën si simbolike, ndërsa kësaj radhe vezët ishin të personalizuara me emrat e deputetëve.

Mes automjeteve të goditura me vezë ishin edhe ato të ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, dhe drejtuesit politik të PS-së për qarkun e Vlorës, Bledar Çuçi, teksa hynin në Kuvend. Me vezë u qëlluan edhe automjete të tjera të deputetëve socialistë që mbërrinin për seancën plenare.

Ndërkohë, një ditë më parë organizatorët njoftuan se më 23 korrik do të zhvillohet një protestë kombëtare para Parlamentit. Sipas tyre, protesta do të jetë paqësore, pa hedhje vezësh dhe do të shoqërohet me simbolika.

The post Sot dita e 51-të e protestës, aktivistët dhe qytetarët mblidhen para Kryeministrisë appeared first on Euronews Albania.

Premtimi i parë i Burnham si kryeministër: Do t’i japim fund fjetjes në rrugë të të pastrehëve në Angli

By: Besnik
20 July 2026 at 20:18

Kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, mbajti këtë të hënë fjalimin e tij të parë pas marrjes së detyrës, duke premtuar se do t’i japë fund fenomenit të të pastrehëve që flenë në rrugë në të gjithë vendin.

Burnham, i cili për katër vite ka drejtuar çështjet e strehimit si kryebashkiak i Mançesterit të Madh, deklaroi se qeveria e tij do të angazhohet për eliminimin sa më të shpejtë të fjetjes afatgjatë në rrugë.

“Në ditën time të parë si kryeministër, po njoftoj angazhimin e kësaj qeverie për t’i dhënë fund sa më shpejt të jetë e mundur fjetjes afatgjatë në rrugë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar”, tha Burnham.

Sipas autoriteteve britanike, qeveria do të investojë 340 milionë paund shtesë në strategjinë kombëtare për të pastrehët. Fondet, të cilat do të sigurohen nga pjesë të papërdorura të buxhetit të departamentit të strehimit, do të përdoren për ndërtimin e 1 200 banesave të reja dhe për të mbështetur rreth 3 000 persona gjatë pesë viteve të ardhshme.

Andy Burnham është i njohur për politikat e tij në këtë fushë, përfshirë programin “Një Shtrat Çdo Natë”, i cili synon sigurimin e strehimit emergjent për personat në vështirësi, si dhe skemën “Housing First”, që fokusohet në sigurimin e strehimit afatgjatë për të pastrehët.

Megjithatë, premtimi i tij është pritur me kritika nga kundërshtarët politikë. Ata argumentojnë se gjatë katër viteve të fundit, periudhë kur Burnham ka drejtuar si kryebashkiak Mançesterin e Madh, numri i personave që flenë në rrugë është rritur.

The post Premtimi i parë i Burnham si kryeministër: Do t’i japim fund fjetjes në rrugë të të pastrehëve në Angli appeared first on Euronews Albania.

10 të vrarë nga sulmi në Odesa të Ukrainës, Rusia intensifikon sulmet

20 July 2026 at 19:50

Numri i viktimave nga sulmi rus ndaj një anijeje mallrash në brigjet e qytetit ukrainas të Odesës është rritur në 10, sipas autoriteteve ukrainase.

Anija Golden Leo, me flamur të Guinea-Bissau, u godit të dielën nga raketa lundrimi ruse, duke shkaktuar një zjarr të madh. Pas sulmit u zhvillua një operacion kërkim-shpëtimi që zgjati gjatë gjithë natës.

Autoriteti portual i Ukrainës njoftoi se nëntë anëtarë të ekuipazhit dhe një pilot i portit humbën jetën. Më vonë, India konfirmoi se katër nga viktimat ishin shtetas të saj.

Rajoni i Odesës ka qenë objekt i sulmeve të përsëritura ruse javët e fundit. Sipas guvernatorit rajonal Oleh Kiper, vetëm gjatë muajit korrik 28 persona kanë humbur jetën nga sulmet ajrore ruse në këtë rajon.

Ndërkohë, sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi janë intensifikuar. Sulmi ndaj anijes Golden Leo konsiderohet si më vdekjeprurësi i këtij lloji deri më tani.

Ministria e Jashtme e Indisë dënoi sulmin, duke theksuar se rrezikimi i jetës së anëtarëve të ekuipazhit dhe cenimi i lirisë së lundrimit janë të papranueshme dhe duhet të shmangen.

The post 10 të vrarë nga sulmi në Odesa të Ukrainës, Rusia intensifikon sulmet appeared first on Euronews Albania.

Franca bën thirrje: Të ndalohet importimi i produkteve nga vendbanimet ilegale në BE

20 July 2026 at 19:32

Franca po i bën thirrje BE-së që të ndalojë importimin e produkteve nga vendbanimet e paligjshme izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, tha të hënën Ministri i Jashtëm Jean-Noel Barrot.

“Franca bën thirrje për ndërprerjen e importit të produkteve nga vendbanimet ilegale në Bashkimin Evropian. Franca dhe Evropa nuk mund ta pranojnë që Evropa, nëpërmjet tregtisë së saj, mbështet aktivitete të paligjshme që kompromentojnë mundësinë e paqes midis Izraelit dhe Palestinës”, shtoi ai.

Barrot i bëri këto komente ndërsa përshkroi qëndrimin e Francës mbi konfliktin izraelito-palestinez gjatë vizitës së tij në Islandë.

Ai gjithashtu përsëriti mbështetjen e Francës për një zgjidhje me dy shtete, duke vënë në dukje se Islanda e kishte njohur shtetin e Palestinës 15 vjet më parë dhe se Franca i ishte bashkuar kësaj rruge vitin e kaluar.

Barrot tha se zgjedhjet parlamentare të planifikuara për 28 nëntor në Palestinë ishin “një domosdoshmëri absolute” për legjitimitetin e parlamentit palestinez dhe për të hapur rrugën për zgjedhjet presidenciale.

The post Franca bën thirrje: Të ndalohet importimi i produkteve nga vendbanimet ilegale në BE appeared first on Euronews Albania.

Përmbytjet në Afganistan vrasin 20 persona, dhjetëra të tjerë mbeten të zhdukur

20 July 2026 at 19:25

Të paktën 20 persona humbën jetën dhe më shumë se 100 të tjerë rezultojnë të zhdukur pas përmbytjeve të mëdha që goditën provincën lindore Nuristan të Afganistanit të hënën.

Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive (ANDMA) i Afganistanit tha se më shumë se 80 persona u plagosën gjithashtu në Parun, kryeqytetin e provincës, sipas Agjencisë Shtetërore të Lajmeve Bakhtar.

Zëdhënësi i ANDMA-s, Yusuf Hammad, tha se operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar, me ekipet e emergjencës të vendosura në zonën e prekur. Ai paralajmëroi se numri i të vdekurve pritet të rritet ndërsa përpjekjet e shpëtimit vazhdojnë.

The post Përmbytjet në Afganistan vrasin 20 persona, dhjetëra të tjerë mbeten të zhdukur appeared first on Euronews Albania.

Trump paralajmëron Iranin: Do të paguani shumëfish për çdo ushtar amerikan të vrarë

20 July 2026 at 19:11

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të hënën se Irani do të paguajë shumëfish për çdo trupë amerikane të vrarë gjatë armiqësive të vazhdueshme në Lindjen e Mesme.

“Sa herë që Irani vret një ushtar amerikan, ai do ta paguajë shumëfish për atë vrasje”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

“Ky direktivë i është përcjellë Sekretarit të Luftës, Pete Hegseth, Kryetarit të Shefave të Përbashkët të Shtabit, Daniel Caine, dhe çdo Udhëheqësi në Ushtri”, shtoi ai.

Deklarata erdhi ndërsa SHBA-të vazhduan të kryenin sulme ajrore kundër Iranit, me sulmet e përqendruara kryesisht në Iranin jugor. Teherani u hakmor me sulme që synonin objekte dhe baza që thotë se përdoren nga ushtria amerikane në disa vende rajonale.

Pentagoni ka konfirmuar tre vdekje amerikane gjatë fundjavës, përfshirë dy në një bazë ushtarake në Jordani dhe një në Irakun verior.

Shkëmbimi i zjarrit midis dy vendeve vjen pavarësisht një memorandumi mirëkuptimi të ndërmjetësuar nga Pakistani, të nënshkruar në qershor, për t’i dhënë fund luftës dhe për të arritur një marrëveshje paqeje të qëndrueshme.

The post Trump paralajmëron Iranin: Do të paguani shumëfish për çdo ushtar amerikan të vrarë appeared first on Euronews Albania.

“Do të vijojmë përgjigjen ndaj agresionit”, Irani paralajmëron SHBA-në: Do t’ju japim një mësim

By: Besnik
20 July 2026 at 19:09

Irani ka njoftuar se ka nisur sulme ndaj objektivave amerikane në Bahrein dhe Kuvajt, duke paralajmëruar për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.

Agjencia iraniane e lajmeve FARS raportoi se Garda Revolucionare Islamike ka sulmuar bazën ajrore Al-Shakir dhe portin Bin Salman në Bahrein, si dhe bazën amerikane Arifjan në Kuvajt.

“Ne do t’u japim Shteteve të Bashkuara një mësim që do të shkatërrojë çdo agresor dhe do të hapë rrugën për dominimin global të të shtypurve”, deklaroi komandanti i Gardës Revolucionare, Ahmad Vahidi, sipas televizionit shtetëror iranian.

Ai shtoi se Irani do të vijojë të ndjekë udhëzimet e udhëheqësit të ri suprem, Mojtaba Khamenei, duke akuzuar SHBA-në për shkelje të marrëveshjeve dhe përdorim të “mashtrimit”.

Ndërkohë, kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Ghalibaf, në një postim në rrjetin social X, akuzoi Shtetet e Bashkuara se po transferojnë pajisje të reja ushtarake në rajon, ndërsa pretendojnë se kërkojnë ndalimin e luftës.

“Ata kanë llogaritur inteligjencën tonë, e cila matet me IQ-në e tyre qesharake. Ne, duke i njohur këto lojëra amerikane, kemi arritur nivelin e mjeshtrave absolutë dhe jemi përgatitur mbi këtë bazë. Veprimet duhet të konfirmojnë deklaratat, jo t’i hedhin poshtë ato”, shkroi Ghalibaf.

The post “Do të vijojmë përgjigjen ndaj agresionit”, Irani paralajmëron SHBA-në: Do t’ju japim një mësim appeared first on Euronews Albania.

OKB mirëpret nisjen e operacioneve pilot të zonës në 3 fshatra të Libanit jugor

20 July 2026 at 19:03

OKB-ja mirëpriti këtë të hënë nisjen e operacioneve pilot të zonave në fshatrat libaneze Froun, Srifa dhe Zawtar Al-Gharbiya në kuadër të një kuadri trepalësh me Izraelin dhe Libanin.

“Ne mirëpresim nisjen e operacioneve pilot në fshatrat Froun, Srifa dhe Zawtar Al-Gharbiya në përputhje me kornizën trepalëshe”, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, gjatë një konference për shtyp.

Dujarric tha gjithashtu: “Ne i inkurajojmë Libanin dhe Izraelin të vazhdojnë përpjekjet drejt zbatimit të plotë të Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit.”

Rezoluta 1701 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila i dha fund luftës së vitit 2006 midis Izraelit dhe grupit libanez Hezbollah, bën thirrje për ndërprerjen e armiqësive dhe respektimin e sovranitetit të Libanit.

Që nga 2 marsi, Izraeli ka kryer një ofensivë ushtarake në Liban që ka vrarë mbi 4,240 persona, ka plagosur më shumë se 12,190 të tjerë dhe ka zhvendosur mbi 1 milion njerëz, sipas Ministrisë së Shëndetësisë libaneze.

The post OKB mirëpret nisjen e operacioneve pilot të zonës në 3 fshatra të Libanit jugor appeared first on Euronews Albania.

Kosovë, aksident i rëndë në Istog, dy të vdekur dhe 3 të plagosur

20 July 2026 at 19:02

Dy persona kanë vdekur, duke përfshirë një të mitur, pas një aksidenti të rëndë trafiku në fshatin Shushicë të komunës së Istogut. Ngjarjen e rëndë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Sot rreth orës 15:20, Policia është njoftuar për një aksident trafiku në fshatin Shushicë të Istogut, në aksident janë të përfshira dy vetura. Për një person të lënduar, mjeku kujdestar i QKMF-së e ka konstatuar vdekjen menjëherë në vendin e ngjarjes. Ndërkaq njëri nga katër të lënduar ka mbërritur pa shenja jetë gjatë rrugës për në Spitalin Rajonal të Pejës”, ka thënë Gashi.

3 persona të tjerë të lënduar po marrin trajtim mjekësor.

The post Kosovë, aksident i rëndë në Istog, dy të vdekur dhe 3 të plagosur appeared first on Euronews Albania.

Trump i vendos afat të ri Iranit: Deri nesër në orën 08:00 për marrëveshje, më pas “nuk do të ketë ura dhe stacione”

By: Besnik
20 July 2026 at 18:36

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të ri ndaj Iranit, duke deklaruar se Teherani ka afat deri nesër në orën 08:00 për të arritur një marrëveshje.

“Ata kanë kohë deri nesër në orën 8, do të shohim se çfarë do të ndodhë. Po negociojmë me mirëbesim. Pas orës 8 ata nuk do të kenë ura, stacione”, tha Trump gjatë një komunikimi me gazetarët.

Trump paralajmëroi gjithashtu pasoja të rënda për Iranin, duke folur për “shkatërrim total”, edhe pse theksoi se nuk dëshiron të ndërmarrë një hap të tillë.

“Do t’u duhen 100 vjet për të rindërtuar vendin e tyre”, tha ai.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë përsëriti edhe një herë qëndrimin e tij se Irani nuk duhet të pajiset me armë bërthamore.

“Nuk mund ta lejojmë Iranin të pajiset me armë bërthamore”, deklaroi Trump.

Presidenti amerikan u shpreh gjithashtu i zhgënjyer me NATO-n, ndërsa theksoi se SHBA-ja do të marrë masa të tjera ndaj Iranit.

“Jam shumë i zhgënjyer me NATO-n”, deklaroi Trump, ndërsa shtoi: “Ne jemi fitues, ata kanë humbur. Do të vendosim taksa në Ngushticën e Hormuzit”.

The post Trump i vendos afat të ri Iranit: Deri nesër në orën 08:00 për marrëveshje, më pas “nuk do të ketë ura dhe stacione” appeared first on Euronews Albania.

❌
❌