Shqipëria turistike, të huajt: Vend me bukuri natyrore, mikpritje dhe çmime të lira
TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Në pikun e sezonit turistik për këtë vit, përpos pushuesve që zgjedhin bregdetin e jugut apo Adriatikun për plazhet me ujërat e kaltra dhe rërën e bardhë, ka shumë prej tyre që i qasen natyrës, artit dhe kulturës, duke zbuluar atraksione të ndryshme të Shqipërisë.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përcolli sot në rrjetet sociale, mesazhet e turistëve të huaj që kanë vizituar kryeqytetin tonë, Tiranën, si edhe disa qytete të tjera si Shkodrën apo Gjirokastrën.
Ministrja Kumbaro, e përshkruan videon me mbishkrimin e “Shqipërisë turistike në sytë dhe fjalët e miqve”, ndërsa thotë se disa janë elementët që veçojnë turistët e huaj për vendin tonë, si mikpritjen si askund tjetër, si dhe bukuritë natyrore e kulturore.
“Turistët zbulojnë thesaret e transformimet e Shqipërisë me dëshirën për t’u rikthyer përsëri”, tha Kumbaro.
Ndërsa, një turist që ka vizituar kryeqytetin tonë thotë se i pëlqejnë njerëzit, mikpritja, moti i mrekullueshëm etj.
“Është shumë bukur, ka njerëz shumë të mirë dhe të bukur, miqësor, ushqimi shumë i shijshëm, natyrë e bukur, kohë e bukur”, u shpreh një tjetër.
Një tjetër turiste cilësoi se Shqipëria është një vend shumë i bukur, sepse ka miq që e kanë vizituar dy vite më parë dhe ishin shumë entuziastë për vendin tonë, por ajo tha se do të vizitojë edhe Beratin dhe Gjirokastrën.
“Shqipëria është shumë e bukur, malet janë të mrekullueshme, mendoj që ka edhe pak ndikim italian te kulinaria. Kemi ngrënë pica, pasta shumë të mira. Më pëlqejnë rrugët, janë të qeta, ka pemë kudo, vërtet shumë bukur”, vijoi një tjetër.
Gjithashtu, një turist që ka zgjedhur të vizitojë Shkodrën këtë gusht, thotë se zgjodhi ta zbulojë vetë Shqipërinë, e sidomos Shkodrën duke parë liqenin dhe kalanë e qytetit.
“Nuk kemi qenë asnjëherë më parë këtu, por na pëlqen shumë. Është shumë më lirë se Spanja, Italia. Ka ushqim shumë të mirë, plazhe të bukura”, u shpreh një turist nga Gjermania.
“Jam këtu për të bërë hiking nga Valbona në Theth. Zgjodha Shqipërinë sepse kam disa miq nga Zelanda e Re që janë shpërngulur këtu dhe më thanë që është shumë bukur. Duket një zgjedhje shumë e mirë, është lirë, ka shtigje të bukura, shumëllojshmëri zgjedhjesh”, pohoi një tjetër turiste.
Ndërsa, në Gjirokastër një grup turistësh që kanë vizituar shtëpinë muze të Ismail Kadaresë, shprehen se janë të mahnitur nga puna që është bërë me objektet e koleksionit në këtë muze, ndërsa nga mënyra si është ruajtur tradita, kanë kuptuar se si kanë jetuar shqiptarët vite më parë, me ngrohje me oxhak në dimër, me një kuzhinë tradicionale, etj.
/e.i//a.f/
The post Shqipëria turistike, të huajt: Vend me bukuri natyrore, mikpritje dhe çmime të lira appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.