TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Si sot, 26 vjet më parë u nda nga jeta Pandi Raidhi.
Ai lindi në Korçë, më 14 prill 1921. Është quajtur “talent i lindur”, pasi që në moshë fare të re spikati tek shfaqja “Dasma korçare”. Ai ishte një nga themeluesit e Estradës Profesioniste të Korçës si dhe aktor themelues i Teatrit “Andon Zako Çajupi”.
Edhe pse ideologjia e kohës e ndëshkoi punën e shumë artistëve, pati nga ata që mbetën të mëdhenj duke marrë përgjegjësi për artin që përcillnin.
Kur u nda nga jeta, më 18 korrik të vitit 1999, Pandi Raidhi, Mjeshtri i Madh i karaktereve kishte lënë pas një galeri të pasur rolesh në teatër e filma: 200 role në teatër dhe 36 në kinematografi.
Debutimin e parë kinematografik e bëri në filmin “Tana”, të vitit 1958, por shkëlqeu dhe u bë i paharrueshëm me gjithë interpretimet e mëpasshme të cilat kanë ngelur në mendjen e publikut, ndër të cilët jane rolet tek filmat “Yje të netëve të gjata”, “Nëntori i Dytë “, “Tokë e përgjakur”, “Përballimi”, “Zonja nga qyteti”, etj. Në vitin 1975 iu dha titulli i lartë “Artist i Popullit”. /j.p/
I lindur në Francë, me rrënjë spanjolle, Jean-Pierre Martinez, është një dramaturg me një rrugëtim interesant. Në mesin e krijmtarisë së tij është edhe komedia “Vendi më i humbur në Shqipëri”, premiera e të cilës u mbajt në amfiteatrin e Durrësit.
U ngjit për herë të parë në skenë në moshën njëzetvjeçare, jo si shkrimtar, por si baterist në grupe rok. Më vonë kaloi në fushën e reklamave, përpara se të niste një karrierë si skenarist televiziv. Në fund, u rikthye në skenë si dramaturg.
Premiera e komedisë “Vendi më i humbur në Shqipëri” u realizua nën regjinë e Andia Xhungës, kjo komedi solli në skenë një përzierje humori dhe reflektimi, duke fituar menjëherë simpatinë e publikut dhe duartrokitje të zjarrta.
E përkthyer në shqip nga Anxhela Çikopano, komedia u vu në skenë nga trupa e Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, që njëherësh janë edhe emra të njohur të skenës shqiptare.
Interesi i publikut ishte i jashtëzakonshëm me shitjen e të gjitha biletatve në dy netët e para në kohë rekord, duke e kthyer këtë shfaqje në një prej ngjarjeve më të spikatura kulturore të kësaj vere në qytetin bregdetar, përcjellë KultPlus.
Ngjarja zhvillohet në një fshat të vogël dhe të harruar, i cili rrezikon të zhduket përfundimisht nga harta. Në këtë realitet të zymtë, mbërritja e papritur e një gazetareje të famshme sjell përplasje botëkuptimesh, situata të papritura dhe skena komike që sfidojnë logjikën e përditshme. Një tablo sociale absurde dhe njëherazi thellësisht njerëzore.
Me ritëm të gjallë dhe humor, vepra ngre pyetje mbi ekzistencën, kujtesën kolektive dhe raportin e brishtë mes realitetit dhe absurditetit.
Skenografia dhe kostumografia janë realizuar nga Alketa Tragaj, ndërsa muzika origjinale mban firmën e Endri Sinës, duke i dhënë shfaqjes një dimension të plotë artistik./KultPlus.com
TIRANË, 24 qershor/ATSH/ Shfaqja e Teatrit Kombëtar Eksperimental, “Vrasje në Vjeshtë”, u vu në skenën e Teatrit “Migjeni”, ku u prit me interes nga publiku shkodran.
Shfaqja bazohet mbi motivet e romanit “Njeriu i netëve të vjeshtës” të Gjergj Vlashit dhe vjen me regji dhe dramatizim të Stefan Çapalikut.
Tek “Vrasje në vjeshtë” interpretojnë: Mehmet Xhelil, Rafael Hoxhaj, Xhoana Karaj.
Ngjarja e përshkruar në roman bazohet në fakte reale, të cilat kanë të bëjnë më së pari, me momentin kur ushtritë aleate mbas kapitullimit të Italisë fashiste po ndërmerrnin sulme të befasishme veçanërisht mbi prapavijat e ushtrisë gjermane, duke pasur si objektiv kryesor depozitat e karburantit që do të paralizonin lëvizjet e kësaj të fundit.
Në këtë kontekst, shërbimi inteligjent i ushtrisë gjermane ka grumbulluar të dhëna se aleatët mund të bombardonin portin e Durrësit me çisternat e veta të karburantit dhe me këtë rast do shkatërrohej i gjithë qyteti që gjendej pranë. Në këto kusht ushtria merr përsipër evakuimin e gjithë qytetarëve dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, që presupozonte eliminimin e çdo personi që nuk do i bindej këtij urdhri. Personi i vetëm që nuk do t’i bindet këtij urdhri në romanin e Gjergj Vlashit është Marian Shkoza, një punonjës i thjeshtë i një agjencie detare, beqar.
Ai rri i fshehur fillimisht në shtëpinë e tij dhe më pas edhe në shtëpitë e të tjerëve, të cilat i viziton fshehtazi fillimisht për të realizuar disa nevoja të mbijetesës dhe më pas si dorëzim ndaj një manie për të jetuar jetët e të tjerëve në ato dimensione që nuk ka arritur kurrë t’i përjetojë vetë. Humbja e vetes dhe përmbushja me karaktere të tjera njerëzore e kthejnë atë në një njeri pa identitet dhe me një tjetër sistem vlerash dhe vlerësimesh deri në ditën e “vetëdorëzimit” të tij te një patrullë gjermane që edhe e eliminon fizikisht.
“Vrasje në vjeshtë” do të shfaqet në Teatrin “Migjeni” edhe mbrëmjen e sotme.
TIRANË, 18 qershor /ATSH/ Festivali “Ekrani i Artit” hap siparin në Shkodër.
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci ndau në rrjete sociale momente nga ceremonia e hapjes, ku ishin të pranishëm personalitete të fushës së artit dhe kulturës.
Edicioni i tetë i festivalit nis me temën poetike “Kartolina nga Tjetërkund” dhe sjell dy ekspozita të rëndësishme që shoqërun premierën në “Kinema Republika”.
Deri më 22 qershor Shkodra do të jetë kryeqendër e artit me këtë festival që përfshin projekte filmike, ekspozita, diskutime dhe prezenca artistike në vende të ndryshme të qytetit.
Festivali i filmit “Ekrani i Artit”, është një nga eventet më të rëndësishme kulturore të Shkodrës.
“Ekrani i Artit” ka lindur si një projekt që synon të promovojë lidhjet midis artit bashkëkohor dhe kinemasë. Edhe në edicionet e mëhershme, “Ekrani i Artit” e ka njohur publikun me autorë, dokumentarë mbi jetën e krijimtarinë e artistëve bashkëkohorë që zgjojnë interesin e njëkohësisht edhe nostalgjinë e publikut për kinemanë si një institucion i rëndësishëm në edukimin e brezave përmes artit e kulturës.
TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri me dije sot, se po punohet me bashkinë e Tiranës për ndërtimin e një plani pastrimi brenda të gjitha lagjeve të kryeqytetit, me qëllim pastrimin e hapësirave publike nga çdo lloj zaptimi.
Sipas kreut të qeverisë, është e patolerueshme që dikush vendos trarë apo jep dhe merr bileta parkimi për makinat në një hapësirë publike, vetëm sepse ka aty një pronë.
“Nuk mund ta përdorësh pronën si të duash duke u vënë traun qytetarëve që jetojnë në atë bllok banimi”, tha Rama.
Një tjetër qytetare i shkruan Kryeministrit në platformat sociale, se “kryeqyteti ka nevojë për parqe dhe jo për kulla futuriste, nuk ka kinema, teatër, cirk, parkime, vetëm beton, katrahurë dhe trafik”.
Rama tha se Tirana ka kinema dhe nuk ka një, por disa kinema.
“Informohu, i gjen kollaj dhe shko shiko filma nëse ke dëshirë të shkosh. Tirana ka teatër! Informohu dhe ke shfaqje teatrale që mund të shkosh t’i ndjekësh, ndërkohë që po ndërtohet edhe Teatri i ri Kombëtar në Tiranë, aty ku ishte karakatina e vjetër e teatrit pseudokombëtar”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se Tirana ka muze, ndërkohë që është duke u ndërtuar edhe Galeria Kombëtare dhe duke u bërë shtesa e domosdoshme për galerinë që do të jetë tërësisht e transformuar.
“Po rindërtojmë Muzeun Kombëtar që do të jetë tërësisht i transformuar. Jemi duke punuar së bashku me bashkinë e Tiranës për një muze tjetër për etnografinë dhe artin islamik. Jemi duke punuar për muzeun Besa, po në Tiranë. Kështu që më duket se Tirana ka edhe muze, edhe do të ketë edhe më shumë. Është në kantier Qendra e re e Artit dhe Kulturës bashkëkohore në Petrelë. Jemi në diskutime për të marrë një muze të madh evropian këtu në Tiranë, pra Tirana ka muze, cirk nuk ka. Ka një cirk i cili ka nevojë të rikonceptohet”, vijoi Rama.
“Parkime ka dhe do të ketë! Jemi duke punuar që të ketë edhe më shumë. Tirana ka një seri parkimesh nëntokësore moderne që nuk i kishte më parë. Nuk e di pse ty të zë frymën Tirana, ndërkohë të gjithë atyre që vizitojnë Tiranën, Tirana u nxit fjalët më të mira”, cilësoi Kryeministri.
Sipas Ramës, “Tirana ka probleme, sepse është një kryeqytet që zhvillohet ditë për ditë”.
“Për sa i përket mini parqeve, është shumë e drejtë. Por, kur shikoni që ndërtohet në një minipark, kini parasysh që aty ka prona private, janë të drejtat e pronarëve. Ajo hapësira ka pronarë. Në ndërkohë jemi duke punuar me bashkinë e Tiranës për pastrimin e të gjitha hapësirave brenda lagjeve nga të gjitha llojet e zaptimeve, duke filluar nga një zaptim i patolerueshëm me trarë dhe me marrje dhe dhënie biletash për të parkuar makinën sepse dikush thotë që unë kam një pronë këtu. Nuk mund ta përdorësh pronën si të duash duke u vënë traun qytetarëve që jetojnë në atë bllok banimi”, cilësoi Rama.
Kryeministri Rama u ndal edhe te komenti i një qytetari që u shpreh se shqiptarët po largohen dhe po ikin nga vendi.
Rama tha se “jemi në një botë krejt tjetër nga ajo ku ishim, ku na kishim mbyllur në një bunker. Bota është gjithmonë e më e vogël, është liria e gjithsecilit të lëvizë dhe askujt nuk mund t’i themi që pse po lëviz tani dhe pse nuk pret që ta kesh këtu nesër atë që po kërkon”.
Kryeministri u shpreh se do të jetë sërish në diskutime me qytetarët në platformat sociale, për të komunikuar për të gjitha interesimet e natyrave të ndryshme të qytetarëve.
“Do të jemi përsëri këtu dhe kjo edhe për t’u thënë që atyre që më thoshin sa i ke sa për sy e faqe se është fushata se ti do zhdukesh sa të mbarojë fushata. Ja ku jemi! Vazhdojmë të qëndrojmë “sy m’ sy” për t’iu komunikuar gjërat që nuk jua komunikojnë kanalet dhe portalet që janë të zënë me probleme të tjera që atyre u pëlqejnë që t’i sjellin vërdallë gojë më gojë e vesh më vesh”, përfundoi Rama.
Nga Gazeta “SI”– Në një kohë kur skenat shqiptare përballen shpesh me mungesën e hapësirës për autorët vendas, një nismë nga i vetmi teatër privat në vend, “Zonja e Bujtinës”, bëri që drama shqipe të kishte një hapësirë vetëm të sajën në një skenë për një javë të tërë.
Festivali i parë Kombëtar i Monodramës, me titullin “Flas Shqip”, u kthye në një ngjarje madhore të dramës shqipe, duke ofruar një pasqyrë të pasur të krijimtarisë bashkëkohore në gjuhën amtare.
Nga 29 maji deri më 4 qershor, publiku pati mundësinë të ndjekë gjashtë monodrama të autorëve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, interpretuar nga aktorë me përvojë e zë të veçantë, të cilët sollën në skenë rrëfime personale por dhe qasje kolektive.
Festivalin e çeli shfaqja “I pakalluri i vdekur” me tekst të Naun Shundit, ku Marius Dhrami dha një interpretim mbresëlënës që u vlerësua me çmimin special “Zonja e Bujtinës”.
Një nga shfaqjet më të mira erdhi nga diaspora: “Qen bir… i një qeni”, e sjellë nga trupa “Mërgimtari” nga Kroacia, një tekst i ngjeshur emocionalisht nga Ferdinand Hysi, i cili u vlerësua me çmimin “Dramaturgu më i mirë”. Shfaqja eksploronte temat e braktisjes, identitetit dhe dhimbjes së mërgimit në një mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe të guximshme.
Ndërkohë, Marin Orhanasi me “Jam gjallë” solli një atmosferë intime e eksperimentale, ku publiku u bë pjesë aktive e rrëfimit dhe përjetimeve të personazhit.
Një tjetër kulm i festivalit erdhi nga Kosova me “Artisti në tavan” të Agron Gërgurit, ku aktori Ismet Azemi dhuroi një performancë të jashtëzakonshme që i solli çmimin “Aktori më i mirë”. Një interpretim që shpërfaqte jo vetëm mjeshtëri teknike, por edhe një përkushtim të thellë emocional ndaj figurës që përfaqësonte.
Shfaqja “Ferrparajsa” nga Arben Iliazi, me regji të Milto Kutalit dhe interpretim nga Bajram Dosti, ngriti pyetje të mprehta mbi moralin njerëzor, ndërsa “Letra” e Ylljet Aliçkajt, e sjellë nga një ekip italo-shqiptar me regjisorët Giulia Falzea dhe Salvatore Tramacere, krijoi një atmosferë mesdhetare me thekse poetike e vizuale të veçanta. Aktori Roerd Toçe u shqua për një lojë të përmbajtur dhe të stilizuar, duke ofruar një dimension tjetër të monodramës moderne.
Finalja e festivalit e mbajtur në një Teatër Kombëtar të mbushur plot, ku publiku ndoqi me emocione shfaqjen “Engjëjt” me tekst të Odise Plakut, regji të Naser Shatrollit dhe një interpretim të ndjerë nga aktorja Vefi Rredhi, e ardhur nga komuniteti shqiptar në Greqi. Kjo shfaqje u shpall fituese e dy çmimeve kryesore të festivalit: “Regjia më e mirë” për Shatrollin dhe “Aktori më i mirë” për Rredhin.
Ky edicion i parë i “Flas Shqip” dëshmoi se ekziston jo vetëm potencial i madh në fushën e dramaturgjisë shqiptare, por edhe një nevojë reale nga publiku për përmbajtje që flet gjuhën dhe përvojën e tyre. Në një kohë kur repertori i teatrove publike vijon të dominohet nga autorë të huaj, kjo nismë solli në skenë realitete tona, dilemën tonë morale, heshtjen tonë kolektive, të gjitha të përkthyera në dramë.
TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Një përvojë unike artistike dhe kulturore do të përjetohet në Tiranë nga data 9 deri më 12 qershor, në kuadër të Javës Kulturore Izraelite, pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare të organizuara nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Nga teatro kukullash, te kërcimet që rishkruajnë marrëdhënie njerëzore, dhe te tingujt shpërthyes të një grupi rock-u që shpërndan mesazhe paqeje, publiku do të mund të shijoje një eksperienë ndryshe.
Dita e parë e Javës Kultuorore Izraelite hapet më 9 qershor, në Teatrin e Kukullave me shfaqjen “When All Was Green” nga Dikla Katz dhe Avi Zlicha, që rrëfen historinë e një djali dhe një peme. Duke përdorur libra të vjetër, kopertina të ricikluara dhe faqe të zverdhura, artistët ndërtojnë një univers ku fëmijëria dhe natyra takohen me betonin e gri të qyteteve moderne. Me 16 çmime ndërkombëtare dhe me turne në më shumë se 30 vende të botës, kjo shfaqje prek çdo publik pa përjashtim, sepse përçon mesazhe të thella pa asnjë fjalë, duke komunikuar përmes emocioneve dhe artit të lëvizjes. Pas kësaj shfaqje, artistët e Teatrit të Kukullave do të udhëheqin një workshop interaktiv për fëmijë dhe të rritur.
Ndërsa më 11 qershor, një skene e vendosur te instalacioni Reja, do të elektrizohet me koncertin e “Orphaned Land”, një nga legjendat më të shquara të rock. Ky grup izraelit, themeluar në vitin 1991, ka përdorur muzikën si mjet për të përhapur mesazhe paqeje dhe bashkimi mes kulturave. Me pesë albume dhe fansa nga Lindja e Mesme deri në Evropë e Amerikë, “Orphaned Land” ka fituar çmime ndërkombëtare për përpjekjet e tyre që japin mesazhe paqeje. Shumë fansa kanë nisur edhe një peticion për t’u dhënë atyre Çmimin Nobel për Paqe.
Java Kulturore Izraelite do të mbyllet më 12 qershor, me baletin modern “I carry you hold” nga Olivia Court Mesa dhe Yochai Ginton që do të shfaqet në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Ky duet eksploron marrëdhëniet midis një gruaje dhe një burri ku nuk ekziston pushteti apo nënshtrimi. Bëhet fjalë për një dialog trupor të ndërtuar me delikatesë dhe intensitet, që reflekton mbi barazinë, ndjeshmërinë dhe emancipimin.
Të gjitha aktivitetet janë të hapura dhe falas për publikun, duke ofruar një mundësi që jo shpesh herë përjetohet. Pas Izraelit, radhën do ta ketë Java Kulturore Suedeze e cila nis me datë 13 qershor dhe që premton një eksperiencë po aq unike sa edhe shtetet e tjera pjesëmarrëse në Javët Kulturore Ndërkombëtare. /e.i/ /a.g/
Kalendari i aktivitete kulturore gjatë Javës Izraelite në Tiranë
TIRANË, 2 qershor/ATSH/ Në qytetin e Beratit nisi mbrëmjen e djeshme edicioni i 5-të i Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit për Fëmijë “1 mbi 1 dritaret”.
Artdashësit e vegjël beratas, të shoqëruar nga prindërit e tyre duartrokitën artistët e teatrit të Kukësit, i cili ishte i pari që performoi shfaqjen “Pjata e drunjtë”.
Drejtoresha e Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, Silvi Merdani tha për ATSH-në se “ky festival bën të mundur edukimin e fëmijëve nëpërmjet teatrit, duke shkëmbyer kështu kulturën dhe traditat”.
“Në këtë festival marrin fëmijët e qytetit i Kukësit, Dimalit, Elbasanit, Vlorës, Shkodrës dhe Beratit, të cilët me talentin e tyre do të ngjisin në skenë pjesë të ndryshme teatrore”, tha Merdani.
Sipas saj, festivali ka si qëllim promovimin dhe nxitjen e artistëve të vegjël dhe qendrave kulturore për fëmijë të të gjithë Shqipërisë, si nevojë e përbashkët e edukimit të brezave të rinj me artin dhe kulturën shqiptare.
Juria e përbërë nga aktorët Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Yllka Mujo dhe Mimoza Marjanaku do të japin vlerësimin për trupën fituese në natën finale, më 4 qershor.
Mbrëmjen e sotme do të ngjiten në skenë fëmijët e Dimalit dhe Elbasanit, ndërsa nesër Vlora, Shkodra dhe Berati.
Ky festival organizohet nga Drejtoria e Turizmit dhe Aktiviteteve, bashkia Berat. /j.p/
Nga Gazeta “Si”- Prej tetë dekadash, Teatri Kombëtar ‘ka luajtur’ shqip.
Nga oborri i Artturbinës, shumë personalitete të cilët kanë ushqyer me artin e tyre publikun shqiptar, kanë ndarë me Gazetasi.al jo vetëm disa nga përjetimet e bukura të skenës, por edhe krizat me të cilat po përballet teatri.
Përçarja që shkaktoi shembja e godinës së vjetër duke u zhvendosur tek Artturbina, një godinë e improvizuar me dy salla e cila mban dhe peshën kryesore në një qytet me thuajse një milion banorë, mbetet thelbësorja.
Ndriçim Xhepa ne ceremoninë e 80 vjetorit të Teatrit Kombetar
I pranishëm në ceremoni, këtë fakt e vë në dukje edhe aktori Ndriçim Xhepa i cili thotë për Gazetasi.al se nuk ka luajtur prej pesë vitesh në teatër për shkak edhe të godinës e cila nuk i plotëson parametrat e duhura për një teatër dinjitoz.
“Unë nuk kam luajtur në teatër që kur është zhvendosur këtu të Artturbina. Fillimisht sherret e teatrit, pastaj pandemia. Janë bërë gati pesë vitë që unë nuk luaj më në teatër. Kjo sallë ka defekte të jashtëzakonshme që nisin nga sallat dhe më kryesorja akustika, ndaj dhe s’më jep ndonjë dëshirë të veçantë të luaj këtu.”
Në këtë përvjetor Xhepa kujton me nderim themeluesit e teatrit shqiptar por edhe kritikon mënyrën e edukimit akademik të sotëm të regjisorëve dhe aktorëve të rinj.
“Për mendimin tim duhet vlerësuar gjenerata e parë fare, të cilët me brishtësine, sinqeritetin kanë qenë iniciatorët për ta ndërtuar këtë bërthamë të parë duke pasur më pas gjenerata të tjera. Dhe pastaj me profesionin e regjisorit qe avancoi duke punuar me regjisorë të huaj, rus edhe rumun.
Ndriçim Xhepa
Shkollimi regjisorëve tanë jashtë shtetit, asokohe ishte edhe një vlerë e cila solli ato prurje, dhe që sot është një nga të metat sipas meje. Defektet e teatrit të sotëm lidhen me këtë fakt. Vetë shteti duhet të kishte menduar prej kohësh jo të krijonte ato artificiet qe ka krijuar me shkollën e aktorëve, me sistemin tre plus dy master për regji. Praktika që nuk e di se ku i kanë parë që i aplikojnë.
Pak a shume si final four që ne bëjmë në futboll. Janë shkolla të nivelit të parë në botë dhe e kanë aktrimin dy vjet ose tre vjet. Regjisura duhet të ishte menduar shumë më seriozisht në shkolla më cilësore jashtë” përfundon Ndriçim Xhepa.
Një tjetër aktor simbol i teatrit shqiptar Alfred Trebicka, thotë se ndihet mirë që është pjesë e historisë së teatrit. Për Gazetasi.al ai analizon edhe raportin mes brezave të aktorëve dhe paragjykimet me të cilat, aktorët e rinj përballen në hapat e parë.
“80 vjet nuk janë pak. Nuk diskutohet që ndjehem mirë që jam pjesë e asaj gjeneratë e cila nuk është më por edhe e asaj gjenarate qe po vjen.
Çdo brez ka objektivin e vet. Unë sigurisht nuk jam nga ata që them se ishim ne dhe s’ka të tjerë. Brezi i ri ka vlerat dhe prurjet e veta. Por ndjesia e gjykimit mes brezave të aktorëve do të jetë e përhershme. Gjithmonë një brez që është më i elaboruar do të ketë pretendime ndaj një brezi tjetër që vjen. Por unë duke qenë edhe pedagog dhe që i prek brezat që dalin, jam optimist dhe them që ka një gjeneratë shumë të mirë. Mungon vetëm vullneti për ta mbështetur financiarisht. Nuk kam dyshime që ka një brez shumë të mirë. Ata po luajnë me ne në skenë tashmë.”
Ai shton se përtej respektit të publikut, aktrimi në Shqipëri është një profesion i vështirë në terma financiarë.
“Në terma respekti publiku më ka dhënë mbrapsht të gjithë sakrificën dhe mundin e pasionit si aktor. Pastaj në terma financiare ky profesion në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar” e mbyll Trebicka.
Alfred Trebicka
Suela Bako është një nga ata aktore fatlume e cila skenën e ka ndarë edhe me kolosët e aktrimit por edhe me brezin e ri. Duke i krahasuar, ajo për GazetaSi.al , vë në dukje se teatri sot, është më i hapur ndaj të rinjve edhe pse duket sikur skena e teatrit e ka humbur solemnitetin e dikurshëm.
“Unë i përkas atij brezi ku oborri i teatrit pas kangjellave ishte një vend i shenjtë. Aty luanin aktorë të mëdhenj të cilët për ne studentët e sapodiplomuar , ishin kolosët e skenës. Ndërsa sot teatri është më i hapur për të rinjtë të cilët diplomohen për aktrim.
Dua t’i konsideroj kolegë artistët e nderuar që kanë dalë nga ky teatër por dua të them se ka edhe artistë të rinj të cilët janë shumë të talentuar dhe që mundësitë i kanë më të mëdha. Kur diplomoheshim ne, mundësitë e hyrjes në teatër ishin shumë të pakta. Pra hapësirat janë më të mëdha sot por shenjtëria e skenës teatrore sikur ka rënë paksa sepse sot konsiderohet teatër edhe rruga edhe ambiente të tjera” thotë Bako.
Suela Bako
Edhe Laert Vasili, një aktor i cili e ka ndarë jetën dhe skenën mes Greqisë dhe Shqipërisë, jep gjykimin e tij në lidhje me brezin e ri të aktorëve.
“Brezi i ri është shumë më kërkues se ç’kemi qënë ne dikur, ose më saktë ka më tepër informacion se ç’kishim ne dikur sepse është një brez i rritur me internetin dhe informacionin.
Unë i përkas brezit që leksionet i merrnim më shënime, se nuk kishte as libra. Shënimet e mija përcilleshin nga viti në vit. Pra koherenca sot botërore e artit që mundësohet nga teknologjia, si filmat që shihen sapo dalin apo shfaqje të ndryshme, e bëjnë këtë brez më koherent”
Sipas Vasilit nuk ka asnjë dallim mes aktorëve shqiptarë dhe atyre europian. Duke marrë shembull Margarita Xhepën, dhe kohën kur ata luanin së bashku në teatrot greke.
Laert Vasili
“Për mua shembulli më i mirë është Margarita Xhepa, e cila kur pata nderin të luaja me të në Epidaur, në vitin 1998 kur unë luaja Orestin te Elektra, nuk kishte asnjë dallim nga Katina Paksinou, aktorja greke e cila është vlerësuar dhe me Oscar. Apo edhe Irene Papas e cila buqetën e saj në festivalin e Selanikut, ia dhuroi Xhepës. Në aspektin njerëzor nuk kemi asgjë mangut nga aktorët e mëdhenj europianë. Në aspektin e logjistikës pastaj kemi mangësi të shumta” – e mbyll Laert Vasili.
Mes premtimeve për kushte më të mira dhe pritjes së ndërtimit të godinës së re, teatri shqiptar duket sikur përpiqet me çdo kusht të mos e humbasë publikun.
Në këtë 80 vjetor përkujtimi por edhe reflektimi, ajo çka mbetet bindje është se aktorët shqiptarë edhe pse kanë luajtur dhe luajnë në Shqipërinë e vogël, standardin e patën botëror. Prandaj teatri shqiptar qoftë edhe brenda një godine të improvizuar, mbetet hapësira më përfaqësuese e një publiku i cili i deshi aktorët dhe ata ia kthyen duke i falur shpirtin dhe pasionin e tyre.
TIRANË, 13 maj/ATSH/ Një produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, do të vijë në datat 16, 17 dhe 18 maj, nën titullin “Koncerti”. Vepra është dramatizimi i romanit të Stefan Çapalikut, “Një engjëll veshë me frak” dhe do të shfaqet në ArTurbina.
Ngjarjet vendosen në Shkodrën e viteve pesëdhjetë. Evropa është e ndarë në dy blloqe politiko-ideologjike. Në Shqipërinë e dominuar nga Enver Hoxha, një burrë bie nga ballkoni dhe vdes. Aksident? Vetëvrasje? Në diktaturë “nuk ka” vetëvrasje. Kush ishte ky njeri i quajtur Pol Gjakova? Ai ishte kompozitor. Çfarë do të thotë të jesh kompozitor në diktaturë? Të kompozosh çfarë dhe për kë, në Shqipërinë e viteve ‘50, apo sot në Evropë?
Këto janë disa nga pyetjet që ngre drama me regji dhe dramatizim të Giacomo Pedini-t. Në dramën “Koncerti” interpretojnë aktorët e mirënjohur Helidon Fino, Laert Vasili, Ilirda Bejleri, Matia Llupa e Ismail Shino.
TIRANË, 23 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama vizitoi sot teatrin e ri të qytetit të Skraparit.
Teatri ka rilindur në godinën e vjetër të ish-Pallatit të Kulturës, si një hapësirë arti bashkëkohore, me një sallë moderne prej 250 vendesh, në funksion të artistëve dhe dashamirësve të artit që do të ndjekin shfaqjet dhe eventet e tjera kulturore.
Kryeministri gjatë vizitës pa disa foto që tregonin pamjet sesi ka qenë kjo sallë dhe ndryshimin rrënjësor që ka pësuar ajo. Rama vlerësoi ndryshimet e bëra në sallë, teksa drejtori i Teatrit u shpreh se, kjo sallë do të përdoret për evente të veçanta.
Nga Gazeta “SI” – Aktorja shqiptare Ema Andrea, është nderuar me çmimin prestigjioz italian “Premio Adelaide Ristori 2025”, për rolin e saj në shfaqjen “Negotiating Peace”, një bashkëprodhim teatror ndërkombëtar me regji të Blerta Nezirajt.
Që nga viti 1998 “Soroptimist International d’Italia – Club Cividale del Friuli” ndan çmimin prestigjioz “Adelaide Ristori” për artisten/in më të mirë të edicionit paraprak të “Festivalit Mittelfest”. Për vitin 2024, ky çmim i është ndarë aktores shqiptare Ema Andrea.
Aktorja Andrea për Gazetasi.al rrëfen se një çmim i tillë e nderon por i shton dhe përgjegjësitë. Ajo shton se ndihet dyfish krenare që shfaqja për të cilën ajo u nderua, ka për regjisore një grua, Blerta Nezirajn.
“Të marrësh një çmim të rëndësishëm në një festival të rëndësishëm, sinqerisht më lumturon shumë por më bën edhe më të përgjegjshme për ta nderuar dhe merituar këtë çmim. Ky çmim erdhi si bashkëpunim me qendrën “Multimedia”, dhe regjisoren Blerta Rustemi Neziraj , çka më bën dyfish krenare që marr një çmim me një regjisore grua. Puna e qendrës “Multimedia” i ka zgjeruar prej kohësh kufinjtë duke i dhënë mundësi aktorëve nga Shqipëria por edhe Kosova të rriten profesionalisht duke interpretuar edhe në gjuhë verbale siç është ky rast, në anglisht”
Ajo shprehet se sado aktore e mirë dhe me pervojë, asgjë nuk arrihet pa bashkëpunëtorë të mirë dhe me durim.
“Rolin e kemi ndërtuar si një laborator i përbashkët, me dramaturgun Jeton Neziraj, Blerta Nezirajn dhe të gjithë stafin e kolegëve që më kanë suportuar. Unë nuk besoj se një aktore mund ta realizojë rolin aq mirë ose të veçohet nëse nuk i ka këto rrethana sëbashku që nga ndërtimi i karakterit, ndërtimi dramaturgjik, hapësira skenike dhe puna me të gjithë stafin. Durimi me të cilin kam punuar dhe orientimi të cilët kam pasë fatin ti kem nga Blerta kanë qënë çelësat që ma kanë çuar drejt një trofeu që këtë rradhë erdhi tek unë”
Ema Andrea , Blerta Neziraj
Për Ema Andrean ky çmim përtej vlerës artistike, përbën dhe një lloj emocioni personal.
“Ky çmim më ktheu në vitet e para të emigracionit shqiptar në Itali, ku prej anijeve që ankoroheshin, thirrej “Liberta”, ndërkohë unë në Shqipëri ndërtoja ëndrra me Dario Fo dhe Pasolinin. Të nderohem me një çmim në tokën italiane për mua përbën një emocion personal krejt të veçantë të cilin nuk arrij dot ta artikuloj me fjalë” përfundon Andrea
Çmimi “Adelaide Ristori’ ndahet në nderim të aktores që u lind më 29 Janar, 1822 dhe u bë një nga gratë më të rëndësishme të teatrit evropian dhe perëndimor në shekullin XIX.
E frymëzuar nga libri I Richard Holbrooke “To End a War” dhe “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Kadaresë, “Negotiating Peace” tenton të ballafaqojë publikun me prapavijat, sfidat, frikat dhe shpresën që e shoqërojnë arritjen e një marrëveshjeje të paqes si dhe diskuton tema të rëndësishme: Kush mund të negociojë paqen?
“Negotiating Peace” është prodhuar nga Qendra “Multimedia”, në bashkëpunim me Teatrin e Pergolas (Itali); Festivalin euro-scene Leipzig (Gjermani); Teatrot e Qytetit Pragë (Çeki); R.A.A.A.M (Estoni); Mittelfest (Itali); Kontakt (Bosnjë dhe Hercegovinë); Black Box Teater (Norvegji) dhe My Balkans (SHBA/Serbi).
TIRANË, 27 mars/ATSH/ “Nuk do të gënjejmë kurrë” ishte komedia që u shfaq mbrëmjen e djeshme në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) duke sjellë për publikun emocion dhe humor.
Aktorët Ema Andrea dhe Artan Imami interpretuan Mariane dhe Serge, një çift që dhe pas 25 vitesh jetojnë në harmoni të plotë, por do të jetë një aksident me makinë që do të nxjerrë në pah shumë të vërteta që do të trondisin dashurinë e tyre.
Vepra e dramaturgut francez Eric Assous sjell plot të qeshura por fton edhe në reflektim, pasi publiku edhe gjen veten në të.
Pas kësaj shfaqjeje në COD, “Nuk do të gënjejmë kurrë” do të shfaqet për 3 netë rresht, këtë fundjavë në Teatrin e Kukullave.
TIRANË, 27 mars/ATSH/ Sot është Dita Ndërkombëtare e Teatrit. Instituti Ndërkombëtar i Teatrit e caktoi 27 marsin, si ditë kremtimi në vitin 1961 për të shërbyer si dita ku duhet të përhapet mesazhi i teatrit përmes skenave të gjithë botës. Kjo ditë duhet të shërbejë për mbështetjen e teatrove lokale, për ndarjen e përvojave në skenë, pas kuintave apo në audiencë, për të vlerësuar dramaturgët e mbi të gjitha për të nxitur të tjerë të rrëfejnë historitë e tyre përmes teatrit.
Shfaqja e parë teatrore e dokumentuar në Shqipëri është “Dasma e Lunxhërisë” në vitin 1874 e shkruar nga Koto Hoxhi, e cila u vu në skenë nga nxënësit e shkollës normale “Zografia” të fshatit Qestorat në Gjirokastër.
Krijimet e para dhe shfaqja e parë teatrore përkojnë me Periudhën e Rilindjes Kombëtare. E para dramë shqiptare me strukturë të mirëfilltë artistike është “Emira” e arbëreshit Françesk Anton Santori (1814-1894), e shkruar më 1885, e cila u botua nga De Rada në gazetën “Fjamuri i Arbrit”.
Drama shqipe arriti nivele më të larta me autorë të tjerë siç janë: A. Z. Çajupi, me komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr” (1902), Gjergj Fishta me melodramën “Shën Françesku i Asizit” (1909), Fan. S. Noli, me dramën “Israelitë e Filistinë” (1907), Mihal Grameno, me komedinë në tre akte “Mallkimi i gjuhës shqipe” (1905) dhe tragjedinë në vargje “Vdekja e Pirros “ (1906) etj.
Teatri i parë profesionist në Shqipëri është Teatri Popullor, i cili u inaugurua më 17 maj të vitit 1945 në Tiranë. Teatri Popullor dhe më vonë pas viteve ’90, i njohur si Teatri Kombëtar, ka një histori gjashtëdhjetë e nëntëvjeçare me një repertor të gjerë premierash nga dramaturgjia kombëtare dhe ndërkombëtare. Shfaqja e parë e Teatrit Popullor, është komedia “Topazi” nga Marcel Pagnol, me regjinë e Sokrat Mios.
Nga Liridon Mulaj– Disa trupa të njomë djemsh të vrarë që përdoren për praktika anatomike në fakultetin e mjekësisë, një statujë e diktatorit e cila bëhet shkak për deklasimin e një gruaje nga klasa e thjeshtë punëtore, një spital heronjsh me vrasje të projektuara sipas planit të partisë, apo dhe një shkrimtar i burgosur nga miqtë e tij. Nga përjetimi në fletë të bardhë dhe nga fleta e bardhë në skenën e teatrit, kjo është në një kronologji të shkurtër historia e romanit “15 ditë Prilli” të Anisa Markarian, i vënë në skenën e “Teatrit Kombëtar” nga regjisorja Driada Dervishi.
Çfarë ndodh kur disa jetë reale “ngrihen” në faqet e një romani për t’u ringjallur sërish, jo tashmë në një hapësirë të një bote të përtejme por në skenën e një teatri nën petkun e personazhit, i cili në këtë rast përfaqësohet nga aktorë dinjitoz të skenës shqiptare si Yllka Mujo, Hervin Çuli apo Romir Zalla.
Ndodh ajo që duhet të ndodhë, tronditja që shkakton një dramë e mirë e cila gjithmonë është një hap drejt purifikimit dhe njohjes së historisë e cila tragjikisht rreket të përsërisë veten në formën e saj më të errët. “15 ditë Prilli” tenton të mos e lejojë këtë përsëritje nëpërmjet kujtesës, si të vetmen “armë” kundër zvetënimit.
Një copëz historie e ndërtuar mbi një inskenim alegorik por dhe realist, si një ndërthurje e cila rrok më së miri shqisat e publikut por dhe ngacmon fort ndjesitë e tij duke i shkaktuar pikërisht reflektimin, drejt një katarsisi të fortë dhe stoik, përjetim i cili shpesh shoqërohet edhe me ndonjë lot që rrëshqet në portrtet e feshura nën dritën e pakët të sallës.
Driada Dervishi: Është detyra e çdo artisti që të kundërshtojë nëpërmjet artit sistemet totalitare
Regjisorja Driada Dervishi thotë për Gazetasi.al se kjo shfaqje sa alegorike por dhe satirike, është një reflektim mbi të shkuarën e përshtatur për një publik të sotëm.
“Misioni i teatrit është të bëjë publikun të reflektojë dhe sigurisht të provokojë, çka uroj t’ia kemi dalë. Disa gjëra të së shkuarës ne i kemi harruar dhe ato të mira që kemi shpesh i marrim për të mirëqëna. Jam përpjekur që shfaqjen ta sjell në atë formë që i përshtatet publikut sot. Sigurisht që shfaqja është një reflektim i së shkuarës por besoj se mbart dhe një aktualitet shumë të madh dhe është pikërisht ajo që historia vjen herën e parë tragjedi dhe herën e dytë parodi. Mua më pëlqen shumë teatri alegorik por dhe satirik dhe besoj se është detyra e çdo artisti që të kundërshtojë nëpërmjet artit sistemet totalitare duke ruajtur dhe punuar fort lirinë”.
Ajo shton se dramatizimi i romanit “15 ditë Prilli” të Anisa Markarian ishte një sfidë e madhe vetë për shumë arsye, që nga krijimi i tekstit ekstrakt e deri tek përzgjedhja e kastit të aktorëve.
“Kur kam lexuar romanin e Anisa Markarian, për hir të së vërtetës mu duk një sfidë e jashtëzakonshme duke qenë se në Shqipëri në këto tridhjetë vite nuk e di nëse janë dramatizuar romane. Ka qenë dhe një sfidë e madhe edhe për faktin se një roman me katërqind faqe dhe një mori personazhesh të përmblidhet në 45 faqe tekst. Po ashtu përshtatja e shumë personazheve në një aktor të vetëm ka qenë një sfidë më vete por unë përpiqem të zgjedh një kast aktorësh të cilëve ju besoj dhe mendoj se e realizojnë shumë mirë”
Anisa Markarian: Kjo dramë është historia jonë!
Autorja e romanit, Anisa Markarian e ardhur enkas nga Franca për premierën e shfaqjes, thotë për Gazetasi.al se historia e romanit nuk është vetëm historia e një individi por e gjithë shoqërisë shqiptare.
“Në roman unë përshkruaj historinë e disa djelmoshavë të pushkatuar të cilët ne fatkeqësisht ishim të detyruar ti studionim në shkollë. Drama ka personalitetin e saj e cila është thuajse veçmas nga ai i romanit. E bukura e dramatazimit është se ti vëren ndryshimet mes romanit dhe dramës. Jam shumë e kënaqur sepse në rradhë të parë vjen në skenë një dramë shqiptare , mbi një histori të dhimbshme që është e jona. Qoftë motivi i romanit por dhe i dramës është që kjo histori të mos përsëritet”
E fragmentarizuar duke dashur të evidentojë skenat më përfaqësuese e për rrjedhojë më tronditëset, shfaqja sjell pranë publikur një vepër tëresisht shqiptare, atë çka shpesh i ka munguar teatrove tona. Por përtej këtij fakti, duke e marrë në kompleks shfaqja “15 ditë Prilli” sjell dramën e madhe të shoqërisë shqiptare, atë për të cilën rrallë flasim, por edhe më rrallë kujtohemi.
“Qendra Multimedia” Prishtinë , ka bashkuar një ansambël pan-evropian për të krijuar dramën “Negocimi i Paqes” shkruar nga Jeton Neziraj, e cila do të shfaqet në Oslo në “Black Box teater, Store scene” në datat 20-21 Mars. Kjo vepër e re është realizuar me artistë dhe grupe teatrore nga Ukraina, Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Italia, Çekia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia dhe Estonia.
E frymëzuar nga “Të përfundosh një luftë” e Richard Holbrooke dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë, “Negocimi i Paqes” shpalos dhe eksploron dinamikat që shoqërojnë procesin e një marrëveshjeje paqeje.
Melihate Qena
Kush mund të negociojë paqen? A kanë liderët politikë legjitimitetin për ta bërë këtë? A pajtohen realisht njerëzit e zakonshëm pas nënshkrimit të një “akti paqeje” në emër të tyre? A mund të ketë falje kolektive, apo falja është një akt individual?
Shfaqja fokusohet në negociatat e paqes duke përfshirë Dayton-in, marrëveshjet në Irlandën e Veriut dhe ato në Lindjen e Mesme, si edhe diskutimet jo shumë të frytshme mes Kosovës dhe Serbisë. Duke marrë parasysh këto momente të rëndësishme politike nga luftëra dhe konflikte të ndryshme në mbarë botën, shfaqja përpiqet të imagjinojë se si mund të duket përfundimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Shkumbin Istrefi
Philip Oltermann i “The Guardian” shprehet për dramën e Nezirajt se “Negocimi i paqes” është një këndvështrim ironik mbi diplomacinë e paqes si farsë.
“Drama “Negocimi i Paqes” e dramaturgut kosovar Jeton Neziraj e shfaq diplomacinë e paqes si farsë, edhe pse një farsë e domosdoshme. Duke dramatizuar bisedimet në tavolinë të rrumbullakët mes vendeve fiktive në luftë, Banovia dhe Unmikistani, shfaqja është një komedi e furishme ku gjeneralët mendjemëdhenj mund të tërhiqen në tryezën e negociatave vetëm përmes premtimeve për realizimin e filmave hollivudianë që festojnë veprimet e tyre. Palët kundërshtare dehen gjatë negociatave për zonat e çmilitarizuara, ngatërrojnë draftet e marrëveshjeve të armëpushimit dhe firmosin në vëndin e gabuar. Hartat e territoreve të kontestuara ndahen me gërshërë letre”
Ema Andrea
Shfaqja është vënë në skenë nga Blerta Neziraj, produksionet e së cilës për “Qendra Multimedia” kanë udhëtuar ndërkombëtarisht në vende si Lozana, Milano, Vienë, Firence, Hamburg, Lion, Sarajevë, Bernë, Paris dhe Nju Jork.
Si një alumni e “Lincoln Center Theatre Directors Lab”, ka drejtuar shfaqje në Kosovë dhe jashtë saj. Ajo është vlerësuar me çmime të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, përfshirë “Shfaqja më e mirë” në Festivalin Ndërkombëtar Kontrapunkt (Poloni, 2022) dhe “Shfaqja më e mirë” në FIAT (Mali i Zi, 2023).
Blerta Neziraj ( resgjisore)
“The Guardian” e ka përshkruar atë si “një nga regjisoret më të rëndësishme të vendit”, ndërsa “The Stage” i ka përshkruar shfaqjet e saj si “pa kompromis… të domosdoshme… guximtare dhe të fuqishme”
Nga Gazeta “SI”– Si mund të jetë jeta e një çifti i cili ka probleme të thella mes vetes dhe ku pasojat bien kryesisht mbi gruan? Një burrë në karrierë i cili gjen shpëtim tek vajzat e reja, dhe një grua shtëpiake e cila gjendet e mbërthyer nga depresioni dhe ideja e vetëvrasjes? Përgjigjet e këtyre pyetjeve na i sjell komedia “Çifti i hapur”, shkruar nga nobelisti Dario Fo dhe bashkëshortja e tij Franca Rame dhe e vënë në skenën e Teatrit Kombëtarë po nga një çift tjetër në jetën reale por dhe në skenë , Romir Zalla dhe Suela Bako ,dhe me regji të Sulejman Rushitit.
Shfaqja nis me thirrjet e bashkëshortit inxhinier Mambretit ndaj së shoqes, Antonias, një shtëpiake e dëshpëruar e cila nuk gjen asnjë motiv për të jetuar. Të gjithë këtë pezm asaj ia shkakton lënia pas dore nga bashkëshorti i saj , i cili ka vendosur të bëjë një jetë të krejt tjetër nga ajo.
Ai dashuron çdo grua të mundshme, madje duke i sjellë ato në shtëpi, në dhomën e gjumit. Kjo është marrëveshja e cila sipas tij e ndihmon çiftin të jetë më koherent dhe të rishpikë vetveten. Por Antonia edhe pse e ka pranuar këtë fakt, nuk është dakord kurrsesi. Me moral të rënë përtokë dhe me pak shpresa për të rigjetur freskinë femërore, ajo niset në kërkim të të dashurit, madje me bekimin e të birit.
Duke vënë në pah përpjekjet e gruas postmoderne e cila është gjithmonë në luftë me kohën, me rrudhat, me vithet e rëna dhe me mënjanimin nga lupa e meshkujve të bukur, ajo i rrëfen publikut me zell dhe pathos të gjitha përpjekjet e dështuara të saj për të mbajtur ritmin e të shoqit.
Deri sa në një moment, skena ndryshon e po ashtu dhe Antonia e cila nuk është më ajo gruaja e djerrosur e lënë pas dore, por me kohën dhe përpjekjet , pamja e saj ka ndryshuar. Është bërë më agresive, më rinore dhe më “rock”. Kjo e fundit për arsye se i dashuri i saj “i shpikur” është një profesor dhe fizikant i cili ka pasion muzikën rock.
Suela Bako
Këtu nis dhe kthesa e ngjarjeve. Gjatë një vizite të së shoqit në apartamentin e saj të ri, ndodh edhe ajo që nuk pritej. Pendesa e inxhiner Membrantit kur sheh se e shoqja tashmë është një grua e plotësuar, e dashuruar , pa asnjë gjurmë të së shkuarës përballet me vendosmërinë e Antonias për të mos i dhënë një shans tjetër marrëzive të tij.
Loja aktoriale e Romir Zallës dhe Suala Bakos mbetet brilante, me një natyrshmëri dhe përshtatje krejt origjinale. Romiri si një komedian “alla amerikan” dhe Bako si një aktore thuajse klasike, e sjellin këtë çift “të çmendurish” në mënyrë autentike.
Elementët ballkanikë të implementuar në shfaqje shpesh e devijionin thelbin dhe gjendjen e ngjarjes e cila është fund e krye një lojë e njeriut postmodern, duke ia “zhbërë” natyrshmërinë. Por regjisori duke pasë parasysh dhe genin ballkanik të publikut, e ka menduar si të garantuar suksesin e këtyre ndërhyrjeve. Të qeshurat e publikut e konfirmuan plotësisht këtë “devijim”
“Çifti i hapur” edhe sot pas 42 vitesh nga koha ku Fo dhe Rame e shkruan thuajse si një reflektim i jetës së tyre, mbetet një thirrje e fortë për kujdes dhe dashuri që na kujton të gjithëvë se jeta jonë është një vorbull e cila do ushqyer shpesh, ndryshe përfundon në keqkuptime dhe funde të padëshirueshme.
Spiro Duni, një ndër emrat e njohur të aktrimit dhe regjisë, vjen në një rrëfim ndryshe në “Pas Mesnatë”. Thotë se në karrierë mund të kishte qenë një rroker shumë i mirë, po diktatura e kohës nuk e lejoi që kjo të ndodhte, ndërsa për aktrimin, Duni kujton se e ka nisur ndërsa luante poshtë pallatit ku u rrit në Elbasan.
“ Në Elbasan ku unë u rrita kishte ardhur aktor i emëruar Robert Ndrenika, dhe për fat ishte mik i babait. Ai prej dore më mori në Teatër, atje gjeta mbështetjen e shumë njerëzve, por fillesat ishin te hyrjet e pallatit me një carcaf që varnim atje, dhe e përdornim si skenë për të interpretuar para lagjes.
Shpesh kur shkoj te ajo shtëpia e vjetër me disa miq të mi, kujtojmë caste të tilla. Rëndësi ka që ne jetojmë në një profesion që është i magjishëm, ka shumë stërkëmbësha rrugës, shumë pengesa, shumë cmirë, zili, por mbi këto profesioni të jep dorë nëse ti i kushton jetën, ky është kushti i parë” thotë Duni, ndërsa thekson se talenti nuk mjafton pa përkushtimin, dhe as e kundërta./abcnews.al
Arjan Çani ka komentuar së fundmi inagurimin e Donald Trump si dhe personazhet VIP të cilët morën pjesë në ceremoni. Gjatë një interviste, gazetari ka folur mbi një fotografi të Bleona Qeretit të postuar nga vetë ajo, krah Richard Grenell duke shkuar në festën e inagurimit. Jo vetëm kaq, por Çani ka zbuluar se ndër […]
Altin Basha shkarkohet nga detyra si drejtor i Teatrit Kombetar. Në vend të tij emërohet Indrit Çobani. Basha, i cili e mori këtë detyrë në dhjetor të vitit 2022 është shkarkuar me vendim të Këshillit të ministrave.
Shkarkimi i tij është njoftuar në një komunikatë nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit:
“Me propozimin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave liroi nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar, Altin Basha. Pas këtij lirimi MEKI do të çelë një proces përzgjedhjeje për drejtues të ri të TK. Ndryshimi synon në përmirësimin e nivelit drejtues dhe të cilësisë së mirëmenaxhimit ekonomiko-financiar dhe administrativ, rritjen e transparencës institucionale dhe sjelljen e një fryme të re komunikimi publik dhe bashkëpunimi ndaj komunitetit artistik e profesional”.
Në komunikatë thuhet edhe emri që do të pasojë Bashën në detyrën e drejtorit të Teatrit Kombëtar. “Me zbardhjen e vendimit, MEKI do të komandojë si drejtues të përkohshëm z Indrit Çobani” mbyll komunikatën Ministria e Ekonomisë , Kulturës dhe Inovacionit.
Indrit Çobani
Indrit Çobani aktualisht është regjisor dhe aktor në Teatrin Kombëtar. Ai ka qenë regjisor i disa spektakleve dhe programeve televizive si Opinion, “6 ditë pa Ermalin”, “Thurje”, Çmimet Kult etj.