TIRANË, 23 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh edhe Kryetari i Partisë Socialiste tha sot se Shqipëria është në pragun e derës së Bashkimit Evropian dhe fati i vendit tonë është përputhur me atë të familjes evropiane.
Kryeministri Rama, gjatë takimit elektoral me qytetarë të Skraparit, u shpreh se ka zëra që thonë se pse nuk mjaftuan tre mandate për ta futur Shqipërinë në BE, por kërkohet edhe një mandat i katërt.
Rama tha se Mali i Zi i ka hapur negociatat përpara se ai të bëhej kryeministër dhe nuk është futur akoma në BE, në vitin 2012, gjithashtu Serbia i ka hapur në 2014-ën përpara se Shqipëria të bëhej vend kandidat dhe akoma nuk është vend anëtar i BE-së.
“Po si ka mundësi që Maqedonia ndërroi dhe emrin dhe nuk është futur në BE dhe është bërë kandidat në vitin 2005? Atëherë, ka një shpjegim: sepse ti nuk futesh në BE se do ti, as se ti i bën të gjitha detyrat që ata thonë se duhet të bësh. Dera e BE-së që të hyhet brenda nuk hapet kur vendet thjesht trokasin, por kur 27 anëtarët e asaj familjeje bien dakord që të hapin derën. Dhe sot, ata kanë rënë dakord që të hapin derën për Shqipërinë. Dhe kjo derë e hapur për Shqipërinë do të thotë që ne e kemi kaluar detin në këmbë, ata na kishin bezdi edhe kur na takonin dhe na dëgjonin sa për të kaluar radhën”, tha Rama.
Sipas kryeministrit Rama, “sot Shqipëria ka arritur aty ku s’ka qenë kurrë dhe flamuri shqiptar sot respektohet, vlerësohet dhe dinjiteti i Shqipërisë është vënë në vend. E kanë hapur derën edhe për interesin e tyre, se bota është e trazuar dhe duan të zgjerojnë BE-në, kush është më pranë që ata ta marrin ta fusin brenda, ja që është Shqipëria te pragu. Dhe ne na kanë dhënë tre vjet për të mbaruar negociatat. Bëni detyrat deri në 2027-ën, t’i mbyllim dhe ju jeni anëtarë të BE-së. Kujt i kanë zgjatur tre vjet negociatat, askush nga vendet komuniste. Fati ynë e ka dashur që të jemi ne që të përmbushin profecinë e Gjergj Kastriotit që kur i vuri murin Perandorisë (Osmane) dhe i vuri gjoksin Evropës e përcaktoi që fati i shqiptarëve ishte në Evropë”, theksoi Rama, ndërsa shtoi se edhe rilindasit ishin ata që e lanë me shkrim se dielli për Shqipërinë lind andej nga perëndon, e më pas ata që dolën për të përmbysur regjimin komunist me thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Borxhi që u kemi fëmijëve tanë është që t’u lëmë pasaportën evropiane”.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te diskutimet në studiot televizive dhe sondazhet që bëhen në prag të zgjedhjeve të 11 majit, ndërsa nënvizoi edhe rezultatet e sondazhistit të Donald Trump që u shfaqën në një ekran shqiptar. Rama tha se sipas sondazhit, shumica mendon se Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur.
“Ata habiten dhe thonë po kjo do të thotë që populli është i sëmurë. Pra, ju jeni të sëmurë ata janë normalë! Jo! Ata janë çyrykë, ju dhe populli shqiptar jeni fuqia që na ndihmon të shkojmë përpara. Ju ndiqni politikën dhe unë sot nëse ju pyes cili është Altin Dumani, të gjithë e njihni apo jo? Altin Dumani nuk erdhi dje nga materniteti, as nuk e sollën nga Hëna, ishte këtu prokuror. Po ky njeri me integritet, me kurajë, profesionist, pse nuk i doli emri, pse nuk thirri ndonjë drejtor policie dhe t’i thoshte çfarë problemi ke me ligjin?”, pohoi Rama.
Sipas kreut të PS, Dumani dhe “të gjithë prokurorët dhe gjykatësit e tjerë ishin nën hyqmin, nën çizmen e pushtetit politik, ndërsa shpatën që sot Altin Dumani e ka në dorë dhe pret majtas e djathtas, e kishte “bufi” në zyrë kur ishte përpara meje ku nga dritarja e zyrës shikonte se si njerëz të armatosur brenda zyrës vrisnin protestues”.
Sipas Ramës, asokohe kur Prokurorja e Përgjithshme kërkonte të thërriste në pyetje drejtorët e Policisë, “bufi” e sulmonte drejtuesin e Prokurorisë.
Rama nënvizoi faktin se atë shpatë që ishte në zyrën e të parit të qeverisë që nga viti 1912 që e kishte përdorur po njësoj mbreti, diktatori e të tjerët, PS ia dorëzoi drejtësisë. Dhe sipas Kryeministrit, nëse ka një arsye të madhe për ta votuar PS është pikërisht kjo për të cilën të gjithë armiqtë e drejtësisë së pavarur, të gjithë ata që mezi presin ta përmbysin atë që mezi është nxjerrë nga kthetrat e kontrollit 100 e ca-vjeçar.
“Arsyeja kryesore për ta votuar PS është se gjeti forcën, kurajën, që të jetë partia e popullit dhe jo e të pushtetshme, partia që e pranon ligjin si e barabartë me këdo qoftë. Dhe kjo është një arsye shumë e fortë për të shkuar bashkë në BE. Ata e kanë me mua, sepse mes tyre dhe jush unë jam pengesa”, cilësoi Rama.
/r.e//a.f/
The post Rama: Sondazhisti i Trump, shqiptarët mendojnë se vendi është në drejtimin e duhur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.