Para një viti, Autoriteti Rrugor Shqiptar nisi punën për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës nga dy korsi, në tre korsi plus një korsi emergjence, një projekt jetik për qarkullimin më të rëndësishëm rrugor në vend, që lidh kryeqytetin me portin më të madh dhe me pjesën më të madhe të turizmit bregdetar.
Për 5 kilometrat e parë, punimet kanë ecur me ritme të kënaqshme dhe punimet pritet të mbarojnë rreth 5 muaj para afatit, në dhjetor të këtij viti. Por, në vend që të vazhdohet gradualisht e me planifikim në të gjithë gjatësinë e autostradës, ARRSH ka vendosur të ndryshojë qasje dhe logjikë. Në mes të verës, në kulmin e sezonit turistik dhe të trafikut më të rënduar të vitit, institucioni ka shpallur një tender emergjent për riparimin asfaltik të segmentit Vorë-Ura e Dajlanit, rreth 20 kilometra gjatësi.

(Punimet për zgjerimin e 5 kilometrave të parë, nga ish-Shqiponja deri tek mbikalimi i Kasharit)
Tenderi, me një vlerë prej 77 milionë lekësh (rreth 770 mijë euro), nuk ka të bëjë me zgjerim apo zgjidhje afatgjatë, por thjesht me shtresime të reja asfalti, një ndërhyrje provizore në një segment ku vetë qeveria ka deklaruar se zgjerimi do të nisë pas një viti, sipas planit të bërë publik nga ministrja Belinda Balluku.

(Tenderi i shpallur në faqen e APP – Agjencia e Prokurimit Publik)
Pra, në vend që të ndërtohet një herë e mirë, me të njëjtën frymë si segmenti i parë, qeveria vendos të lëmojë rrugën ekzistuese, duke shkaktuar ndërkohë kaos të pashmangshëm në trafik në muajin gusht, muajin më të ngarkuar të vitit për autostradën Tiranë-Durrës. Kjo ndërhyrje kryhet me pretekstin e emergjencës (shiko përshkrimin e tenderit më lart).
Kjo lëvizje ngre disa pyetje serioze: Pse bëhet një tender emergjent për një rrugë që pritet të prishet sërish pas një viti për zgjerim? A është kjo një mënyrë për të justifikuar fonde publike në projektime afatshkurtra? Dhe pse zgjidhet muaji gusht për të nisur punime që do të rëndojnë më tej mbi trafikun, në vend që të pritej fundi i sezonit?
Në rastin më të mirë, kjo mund të jetë një shfaqje e stisur verore për të krijuar përshtypjen se po punohet pa pushim, në një kohë kur sezoni turistik dhe fluksi i trafikut do të duhej të kërkonte më shumë kujdes dhe planifikim. Por në rastin më të keq, kjo është një skemë klasike abuzimi: një tender i nxituar në mes të gushtit, për rishtrim asfalti në një segment që shumë shpejt mund të kthehet në kantier për zgjerim. Është asgjë më pak se vjedhje e hapur me leje të parave publike, në dëm të qytetarëve shqiptarë që paguajnë taksat për t’u shërbyer, jo për t’u mashtruar.
Përgatiti ©LAPSI.AL
The post Emergjencë vere/ Autostrada Tiranë-Durrës do të shtrohet, për tu prishur pas 1 viti appeared first on Lapsi.al.