Denaj: Pezullohen inspektimet e paautorizuara, inspektorët e AKU do t’i nënshtrohen vlerësimit
TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, njoftoi masa të menjëhershme për forcimin e kontrollit dhe transparencës në aktivitetin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), pas shtimit të ankesave dhe shkeljeve të konstatuara në terren.
Ministrja ka urdhëruar pezullimin e të gjitha inspektimeve pa planifikim paraprak dhe të pamiratuara, si dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm vlerësimi me 5 anëtarë, 3 prej të cilëve nga Universiteti Bujqësor i Tiranës.
Komisioni do të rivlerësojë trupën aktuale të inspektorëve të AKU-së, si dhe do të merret me përzgjedhjen e aplikantëve të rinj, me synim krijimin e një profili të ri inspektues në përputhje me ligjin “Për inspektimet” dhe në mbrojtje të interesit të konsumatorit.
Në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës, ministrja parashtroi nevojën e dyfishimit të kuotave për studentët që angazhohen në fushën e sigurisë ushqimore, duke i hapur rrugën kështu ndërtimit të një brezi të ri profesionistësh të formuar sipas standardeve europiane.
“Le të mos harrojmë që ky universitet shumë shpejt ka të njësuar certifikatën me një nga universitetet më prestigjioze në Evropë, që është BOKU”, tha ministrja Denaj.
Garantimi i sigurisë ushqimore është një detyrim ligjor për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe për të gjitha institucionet e saj të varësisë.
Rektori i UBT-së Fatbardh Sallaku, vuri në dukje bashkëpunimin e konsoliduar tashmë të MBZHR-së me UBT ndërsa e vlerësoi përfshirjen e UBT-së në procesin e vlerësimit të sftafit të AKU-së, përgjegjësi dhe angazhim të plotë.
Sallaku tha se, UBT është institucioni i vetëm në Shqipëri që mbulon dhe përpiqet të sigurojë të gjitha kompetencat profesionale në fushën e bujqësisë dhe që janë të lidhura drejtëpërdrejtë edhe me sigurinë ushqimore.
“Do të sjellim në komisionin e ngritur për këtë çëshje, njerëzit më me përvojë dhe jashtë çdo konflikt interesi”, tha Sallaku.
/j.p/
The post Denaj: Pezullohen inspektimet e paautorizuara, inspektorët e AKU do t’i nënshtrohen vlerësimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.