Kumbaro: Mirëmbajtja e hapësirave të përbashkëta, detyrim qytetar dhe mënyrë jetese
TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Prej datës 15 qershor ka nisur operacioni “Plazhe të pastra”, përmes të cilit Agjencia Kombëtare e Bregdetit mbështet tetë bashki bregdetare në pastrimin e plazheve.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh sot në një postim në rrjetet sociale, se “pastrimi i plazheve është sfida e përditshme dhe e përnatshme e ekipeve të bashkive, operatorëve të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit”.
Ministrja Kumbaro tha se falë angazhimit vullnetar të qytetarëve dhe turistëve model po jepet shembulli se si duhen trajtuar hapësirat publike.
Kumbaro u ndal edhe tek ata “që bërtasin “për të pasur plazhe publike”, të cilat këtë vit ishin më shumë se asnjëherë, por sërish plot biznese dhe qytetarë-pushues nuk e kuptojnë që të mirëmbash hapësirat e përbashkëta nuk është zgjedhje personale, por detyrim qytetar dhe mënyrë jetese”.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit u ka shprehur mirënjohjen ekipeve të pastrimit të cilët sipas Kumbaros, “ditë-natë, prej nisjes së Operacionit “Plazhe të Pastra” për të katërtin vit radhazi, kanë qenë në krye të detyrës, për të pastruar dhe mirëmbajtur hapësirat”.
Dyfishimi i hapësirave publike ka shtuar përgjegjësitë e institucioneve vendore për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Po ashtu, bashkitë e qyteteve bregdetare i kanë pajisur të gjitha këto hapësira me sinjalistikën e duhur në terren.
/e.i//r.e/
The post Kumbaro: Mirëmbajtja e hapësirave të përbashkëta, detyrim qytetar dhe mënyrë jetese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.