MIK Festival, mbrëmje kushtuar 90-vjetorit të lindjes së tenorit Gaqo Çako
TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Nata e dytë e MIK Festival, në Korçë, solli një mbrëmje të paharrueshme kushtuar Gaqo Çakos, një prej zërave më të mëdhenj që ka njohur muzika shqiptare.
Kreybashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo tha se “në 90-vjetorin e lindjes së Gaqo Çakos, Korça nderoi me dinjitet dhe krenari trashëgiminë e një emri të pavdekshëm të artit lirik”.
Filo u shpreh se nën drejtimin e mjeshtrit Eno Koço, Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura dhe emra të njohur të skenës shqiptare si Tatjana Kora Elmazi, Kastriot Tusha, Gjergji Mani, Xhoiden Dervishi dhe i ftuari special Tchako, sollën emocione të forta për publikun e Teatrit “Andon Zako Çajupi”.
Mbrëmja u moderua me finesë nga sopranoja Inva Mula, duke i dhënë edhe më shumë madhështi këtij homazhi artistik.
Filo u shpreh se “Korça vazhdon të dëshmojë se është dhe do të mbetet një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës shqiptare”.
MIK Festival u rikthyer këtë vit në edicionin e tij të 8-të në Korçë.
Bashkimi Evropian mbështeti mbrëmjen e veçantë të MIK Festival, kushtuar artistit të ndjerë.
/e.i//r.e/
The post MIK Festival, mbrëmje kushtuar 90-vjetorit të lindjes së tenorit Gaqo Çako appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.