Normal view

Received — 11 May 2026 Lajme Shqiperi

Albini, opozitari perfekt për rrëzimin e ‘Kurtit’ që ‘vdes’ për Mickoskin

11 May 2026 at 19:54

Nga Jakin Marena

Mungesa e konsensusit për zgjedhjen e presidentit të Republikës ka bërë që Kosova të shkojë në zgjedhje më 7 qershor! Janë zgjedhjet e treta në vend prej pak më shumë se një viti, të shkaktuara thjeshtë e vetëm për faktin se partitë politike nuk po gjejnë një emërues të përbashkët për zgjidhjen e krizës politike, duke mos qënë dakord për asgjë!
Që nga shkurti i vitit të kaluar, Kosova është qeverisur vetëm me qeveri në detyrë, dhe kjo për shkak se kreu i mazhorancës Albin Kurti nuk ka denjuar të ndajë pushtet me askënd.
Lëvizja Vetëvendosje, vinte me një rezultat domethënës të vitit 2021 teksa kishte marrë 58 deputetë në parlamentin me 120 deputetë të Kosovës, duke qeverisur me partitë e vogla për krijimin e qeverisë së atëhershme, mes të cilëve ishte dhe lista ‘Guxo” e Vjosa Osmanit!
Ndërkohë që në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 Kurti fitoi 10 mandate më pak, duke mos arritur shumicën qeverisëse, dhe duke e zvarritur për gati 10 muaj procesin e zgjedhjet se kryetarit të Kuvendit, përmes kandidimit të Albulena Haxhiut mbi 40 herë pa mundur të gjejë konsensus. E në fund të herës gjeti ‘karar’ me Dimal Bashën, teksa u fut në cirkuitin e krizës institucionale në fillim me nënkryetarin serb dhe më pas me mungesën e numrave për qeverinë e re!
Zvarritje pas zvarritjesh, Kurti, me një ‘dorë’ ndihme dhe nga presidentja e atëhershme, Vjosa Osmani, ia arriti që ta çojë datën e zgjedhjeve të parakohëshme më 28 dhjetor të vitit të kaluar, pikërisht në pikun e rikthimit të diasporës në atdhe, për të festuar festat e fundvitit!
Rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit ishte një ‘bekim’ për Kurtin, nëse ai llogjikonte si kreu i një partie politike me sens qeverisës, pasi mori mbi 51 përqind të votave! Duke rrënuar opozitën dhe në veçanti Lidhjen Demokratike të Kosovës të kryesuar nga Lumir Abdixhiku, duke ulur kuotat e PDK të Bedri Hamzës, duke nxjerrë jashtë Kuvendit “Nismën’ e Fatmir Limajt, duke lënë në ‘vend’ AAK e Ramush Haradinajt. Për më tepër, duke e konsoliduar Vetëvendosjen si partinë e parë politike në Kosovë e cila merr për herë të dytë mbi 50 përqind të votave, të aftë për të qeverisur pa nevojën e koalicioneve të mëdha! Duke fuqizuar dhe Listën Serbe, të kuptohemi!
Por kur e ke në ‘gjak’ krizën dhe qeverisjen përmes krizës, nuk tërhiqesh, pasi edhe këtu Albin Kurti e gjeti mundësinë për ta shkaktuar! Ndonëse votuesit në Kosovë i kishin dhënë votën Vetëvendosjes për të qeverisur e vetme, pra për të pasur kreun e qeverisë dhe të Kuvendit, fakt është se nuk e kishte mandatuar për të zgjedhur nga radhët e saj dhe Presidentin e Republikës! Pas krijimit të qeverisë së re, zgjedhjes së kreut të Kuvendit më të fund të Albulena Haxhiut, Kurti e zvarriti procesin vetëm e vetëm që të mos rizgjidhej për një mandat të dytë në krye të Shtetit, Vjosa Osmani! Anipse ishte pikërisht Osmani ajo që i garantoi mbi 51% të votave, me datën e zgjedhjeve më 28 dhjetor! E ka pranuar vetë Osmani, e cila deklaroi se është ndjerë e përdorur nga Kurti, ndërkohë që Kurti nuk i dha mbështetje për një mandat të dytë presidencial!
Megjithëse kishte mbi 51 përqind të votave, megjithëse votoi lehtësisht qeverinë e re dhe kreun e Kuvendit, bashkë me kryesinë e Kuvendit, Kurti nuk pranoi që nuk pranoi të ndajë pushtet me asnjë parti politike për presidentin e ri! Madje dhe negociatat me LDK-në për këtë qëllim, degjeneruan në ofertën për të pasur poste ministrore dhe një zv.kryeministër, vetëm e vetëm që Vetëvendosja të kishte presidentin e ri, gjë që u refuzua! Pra Kurti nuk lëshoi pushtet! Siç kishin bërë me radhë forcat e tjera politike në të kaluarën, duke shmangur gjithnjë krizën presidenciale. Sepse me me këtë Kushtetutë është operuar dhe atëherë, por nuk pati krizë të Presidentit!
Skadimi i afatit për zgjedhjen e kreut të shtetit, pavarësisht zvarritjeve përmes procedurave dhe teknicialiteteve, solli shpërndarjen reale të parlamentit dhe kalimin e vendit në zgjedhje! Për herë të tretë në pak më shumë se një vit, vendi shkon në zgjedhje. Njëherësh doli në pah dhe nxitimi i Kurtit për të fajësuar opozitën si shkaktare e krizës, me argumentin se nuk votoi dhe presidentin në favor të Vetëvendosjes, pavarësisht se qytetarët e Kosovës kishin dhënë si asnjëherë tjetër pas pavarësisë votën për një parti politike, mbi 51 përqind të votave ose 56 deputetë, ku bashkë me pakicat joserbe kishte në dizpozicion plot 66 mandate, në Kuvendin me 120 deputetë!
Kurti sërish preferoi zgjedhje të parakohëshme para qeverisjes së vendit! Duke e katandisur Kosovën të qeverisej nga një qeveri në detyrë, të drejtuar nga vetë kreu i Vetëvendosjes, e cila pavarësisht se shpenzon paratë e shtetit, nuk mban asnjë përgjegjësi për qeverisjen e vendit! Praktikisht vendi ka gati dy vite që është pa qeverisje, dhe kjo për faj të Kurtit!
Nuk po hyjnë në akuzat që qarkullojnë brenda dher jashtë Kosovës, madje deri në Berlin, se Kurti po zbaton axhendat e Beogradit, të marra përsipër që në kohën kur ishte i burgosur dhe trajtohej si mbret në burgjet serbe, duke i garantuar në qeli madje dhe konferenca shtypi, duke marrë në fund të herës faljen nga vetë presidenti i asaj kohe Koshtunica, pavarësisht se shokët e tij të burgut, shqiptarë që ishin kundër regjimit serb gjatë sundimit serb, u zhdukën dhe fizikisht!
Nuk po i përmendim as faktin se serbët i gjetën Kurtit dhe dashnore, Lidija Sokoloviçin, vajzën e ish ministrit serb, Zoran Sokoloviç! E ka me ‘firmë e vulë’ dashninë e fortë me Lidijan, teksa e kanë kapur në një makinë bashkë me të dhe miq të tjerë! Sllavët e kanë normale këtë rekrutimin e mbajtjen nën mbikqyerje dhe përmes këtyre elementëve të ‘butë’, siç janë femrat spiune! Nuk po përmendim as lëvizjen shqiptaro-serbe ‘KAN” të themeluar nga Albin Kurti dhe serbi Nenad Rikalo, lëvizje që më pas u nda secili në punën e vet por me qëllimin e përbashkët, zhbërjen e pavarësisë, luftës së UÇK dhe të vetë shtetit të Kosovës, duke i dhënë spektrit politik në Kosovë, Vetëvendosjen e Listën Serbe, që janë kthyer në gangrenë për shtetin e dytë shqiptar!
Atëherë, pse Albin Kurti, edhe kur ka shumicën në Kuvend për të qeverisur ‘pa dhimbje koke’ e lë Kosovën pa qeverisje për vite me radhë, duke u vënë përballë SHBA e BE, duke marrë kosto për vendin si sanksionet nga BE, duke bllokuar njohjet e anëtarësimet në strukturat euroatlantike, duke bllokuar miliona euro financime të BE të llogaritura për Kosovën dhe mbi të gjitha, duke rrezikuar të vertetojë tezën serbe se ‘shqiptarët e Kosovës nuk kanë aftësi shtetformuese’?
Në krye të herës, ajo që mund të themi është se Kurti nuk dëshiron të bashkëpunojë apo të ndajë pushtet, por të nënshtrojë kundërshtarët politikë! Duke treguar se i fiton zgjedhjet, por i do të gjitha pushtetet, jo vetëm përmes votës por dhe përmes nënshtrimit të rivalëve politikë! Ndonëse ia ka dalë të frustojë lidershipin e opozitës, Kurti nuk ka mundur të krijojë aleanca reale vasaliteti me partitë e mëdha opozitare! Përfundimisht, Kurti nuk e njeh nocionin ‘negociim’!
Elementi i dytë që e ka çuar Kurtin në mosqeverisje dhe kur ka mbi 51 përqind të votave, ka të bëjë me faktin se kreu i Vetëvendosjes nuk dëshiron të lërë ‘gjurmë’ në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit! I penduar që e aprovoi këtë marrëveshje, pavarësisht ‘bishtave’ që nxjerr tashmë, Kurti dëshiron që t’i shtyjë sa më larg negociatat me Serbinë, dhe akoma më mirë që t’ia lërë në dorë përkohësisht këtë ‘patate të nxehtë’ një qeverisjeje të pakicës së opozitës, për ta pasur më pas si ‘bonus’ të fortë përballë militantëve të vet, kryesisht nga diaspora, në narrativën e ‘tradhëtisë’ së opozitës, për të garatuar më pas, rikthimin në pushtet, pa marrëveshjen e Ohrit nëpër këmbë!
Kurti nuk ka turp të bëjë si çlirimtar i Kosovës, pavarësisht se, atëherë kur duhej të merrte armën dhe të dilte kundër genocidit serb, preferoi të qëndronte në Prishtinë, të deklaronte se nuk kapte armë me dorë, nuk di madje as ta mbushë dhe zbrazë armën, madje e la veten dhe të arrestohej nga serbët, të lexonte pa fund libra e jepte intervista nga burgjet e sigurisë së lartë në Serbi, e të përgatitej nga ata, sipas akuzave në Prishtinë, që të ‘desantohej’ në politikë në Kosovë dhe më pas në krye të shtetit të Kosovës! Për ta rrënuar këtë vend nga themelet, siç po e rrënon!
Dhe Kurti miklohet fort ku e thërrasin “Albin Baba” militantët, kryesisht ata të diasporës, paratë e të cilëve jo vetëm që mbajnë familjet e tyre në vendlindje, por dhe rrënojnë demokracinë dhe vetë shtetin e Kosovës, duke e mbajtur Kurtin në krye të vendit si dhe duke përgatitur nga brez të tërë përtacësh në Kosovë, që nuk denjojnë të punojnë, por vetëm të vegjetojnë! Madje janë bërë të gjithë “Dj”, këngëtarë dhe influencerë dhe askush nuk punon! Vetëm konsum dhe aheng!
Por mbi të gjitha Kurtit i volit kjo situatë e qeverisjes së vendit me ‘qeveri në detyrë’! Pasi i shpenzon paratë e shtetit siç i do vetë, nuk bën investime por tendera për produkte të gatshme, që nga energjia që e blen në Serbi e deri tek gjërat më të thjeshta dhe jetike për vendin! Shumica nga Serbia blihen. Mbi të gjitha takson dhe bizneset duke ua bërë jetën ‘ferr’, aq sa shumica e bizneseve të mëdha janë zhvendosur në Shqipëri dhe vendet e rajonit ku ka shqiptarë, duke e kthyer qytetarin e Kosovës të varur tërësisht nga paratë që dërgohen nga diaspora dhe nga ato 100 euro që jepen sa herë ka zgjedhje, madje dhe tre herë në vit! Të barabartë në varfëri, ‘mot a mot’ si në kohën e Enver Hoxhës në Shqipëri! Skllevër, që dashurojnë atë që i skllavëron!
Nuk mund ta kuptojmë se çfarë do të kërkojë Kurti në zgjedhjet e 7 qershorit të këtij viti nga qytetarët e Kosovës! Pasi i pati nga 40 përqind e deri tek mbi 51 përqind për një vit e ca votat e qytetarëve shqiptarë dhe nuk qeverisi që nuk qeverisi dot! Se nuk deshi, të kuptohemi. Ndoshta kërkon të marrë mbi 80 deputetë që t’i ketë të gjitha pushtetet në dorë. Megjithëse është tepër e pamundur një gjë e tillë! Pasi kanë hyrë aktorë të rinj në tregun politik, e mbi të gjitha Vjosa Osmani, ish presidentja e Kosovës, e cila kryeson listën e kandidatëve të LDK!
Për më tepër që qytetarët e Kosovës janë të zhgënjyer nga Kurti, të cilit i dhanë mbështetje maksimale për të evituar krizën në qeverisje, anipse nuk ia dhanë për presidentin votat, por ai post honorifik është! Për hir të së vërtetës nuk ka çfarë i duhet, nuk i prishte asnjë punë t’i jepte sërish mandatin e dytë Osmanit, do t’ia bënte ‘qokën’ ajo siç ia bëri me zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar! Tdhe do ta zgjidhte njëherë e mirë krizën në Kosovë. Ndërsa tani ka dhe diasporën në punë, nuk vjen dot në atdhe për të votuar! Dhe sërish ndoshta bie poshtë 40 përqindshit, Vetëvendosja! E ndoshta do ketë sërish krizë qeverisjeje!
Kurti po bën dhe në këtë fushatë atë që di të bëjë më mirë, loja me nacionalizmin dhe aktivizimin e kanaleve të nëndheshme serbe në favor të tij! Herë akuzon opozitën për bashkëpunim me serbët, këtu aktivizon tërë armatën e ‘patriotëve dixhitalë’, pjesa më e madhe e të cilëve janë jashtë vendit dhe mbi të gjitha e kanë ‘modemin’ adresar në Beograd! Stis dhe ndonjë kërcënim me eleminim fizik të tij nga Beogradi, ‘film’ i parë ky sa herë gjendet ngushtë e merr një ‘dorë ndihme’ nga Vuçiç. Pavarësisht se, më të interesuarit për këtë gjendje krize në Kosovë me Kurtin në krye të qeverisjes në detyrë, gjenden pikërisht në Beograd! Por Kurti bën dhe tentativa të forta për t’u përfshirë në punët e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut apo dhe në Malin e Zi, se shqiptarët e Shqipërisë nuk e kanë qasur dhe as nuk e qasin me kohë dhe vakt!
Dhe në vazhdën e përpjekjeve për të qënë “baba’ i shqiptarëve në rajon, Kurti sipas postulatit të vjetër shqiptar, ‘p*dha e madhe shqyen br* e veta’, në vend që të rriste kredibilitetin në sytë e shqiptarëve në rajon, ‘dashuria’ për Miskoskin e rrënoi! “Vdes’ për Mickoskin Kurti, e shpreh hapur këtë. Aq sa dhe ‘patriotët’ e rrjeteve sociale nuk kanë asnjë argument për ta mbrojtur!
Të gjithë e panë Kurtin në kongresin e bashkimit të “VLEN”, përkrah kreut të qeverisë që RMV, Hristian Miskoski, qeshjen e tyre vesh më vesh dhe dashamirësinë që treguan ndaj njëri tjetrit! Ndërkohë që u rrënua ngrehina e fundit që një parti politike të quhet shqiptare: Nuk u këndua as himni kombëtar shqiptar para fillimit të punimeve të kongresit të “VLEN”, e cila është krijesë e Kurtit dhe Miskoskit, ky i fundit përfaqësues i botës serbe në Shkup, për të rrëzuar nga pushteti përfaqësuesit që sollën lirinë e shqiptarëve në 2001, BDI-në e Ali Ahmetit!
Albin Kurti nuk e prishte terezinë, vetëm qeshte dhe fliste për ‘bashkim-vëllazërim, teksa bisedonte në krah të kryeministrit Miskocki, pavarësisht se me ‘bekimin’ e tij, krijesa e përbashkët “VLEN” në qeverisje, kishte zhbërë gjuhën shqipe në institucionet e Maqedonisë së Veriut, dhe tashmë për hir të ‘vëllait’ Miskocki, për të mos i prishur qejfin atij, zhbënë dhe himnin kombëtar shqiptar në kongres, duke e zëvendësuar me himnin e BE!
Mbërriti dita e kiametit dhe për ‘Albin Babën’, për të cilin vetëm ata që janë kundër shqiptarëve, janë aleatë të tij! Ndërsa Rama, Ahmeti e deri Abazoviçi, janë tradhëtarë! Kuti i Kurtit ky, i cili si patriot i madh më herët ka braktisur dhe bregdetin shqiptar, duke zgjedhur të pushojë në ‘daçën’ e ish ushtarakut rus, në bregdetin grek! Shtet që ende se ka njohur Kosovën, për hir të së vërtetës!
Praktikisht Kosova me Kurtin kryeministër po shkon drejt askundit, duke rrëzuar qeveritë e veta njëra pas tjetrës! Praktikisht, në funksion të axhendës serbe në rajon, Albini është kryeopozitari perfekt për rrëzimin e qeverisë së tij, së fundmi “Kurti 3”! Ndërkohë që ‘dashuria’ e madhe për kryeministrin e RMV, me orientim pro-serb dhe pro-rus shtohet pafund, me sa duket, vetëm pse ai është shumë më përpara se vetë Kurti në përpjekjet për shtrirjen e botës serbe në Ballkan!
Kurtit i duhen dhe këto zgjedhje, nëse shqiptarët e Kosovës vijojnë ta mbështesin, ose disa palë zgjedhje rresht, për ta përfunduar misionin e tij, për ta zhbërë gjithçka është arritur në Kosovë! Ndoshta Kurti pret që dhe ndërkombëtarët e humbasin durimin me Prishtinën, aq sa të shfaqen të penduar përse e krijuan këtë shtet që nuk di të mbahet me këmbët e veta! Dhe kështu të plotësohet ëndrra serbe e armiqësisë së Kosovës me Perëndimin! Votuesi shqiptar e ka në dorë më 7 qershor, që të tregojë nëse do të vijojë më tej hitoria e zhbërjes së shtetit nga Kurti! Të shohim! Shpresat janë të pakta, ‘shplarja e trurit’ është e madhe e diaspora vijon të ketë ndikim. Ka krijuar klasën e dembelëve dhe të atyre që nuk e duan, e për më tepër po e njollosin luftën e UÇK-në, në Kosovë! Ata po vendosin në zgjedhjet e fundit në Kosovë!

Received — 4 May 2026 Lajme Shqiperi

PD prek fundin, Berisha po e merr me vete në ‘amëshim’

4 May 2026 at 19:59

Nga Jakin Marena

Procesi i zgjedhjes së kreut të ri të Partisë Demokratike është kthyer tashmë në një barcaletë të dhimbshme, e cila ka degraduar deri në garimin e një kandidati të vetëm, i cili është lideri aktual të partisë më të madhe opozitare, Sali Berisha!

Ndonëse Berisha, si humbës në zgjedhjet e fundit parlamentare të 11 majit të vitit të kaluar, me statutin e bërë nga vetë ai dhe të ‘kodifikuar’ në një nen të veçantë, nenin ‘Basha’, duhej të ishte larguar menjëherë pas certifikimit të rezultatit pa asnjë të drejtë rikandidimi, ishte po vetë ai që u kujdes deri në detaje për të ‘qethur’ në masën 100 përqind të të gjithë rivalëve në garë! Madje arriti deri atyre, sa të deklarohet se nuk i pëlqen asnji rival përballë, kundërshti e maskuar përmes justifikimit se nuk plotësojnë kriteret e kandidimit!

Berisha u soll si Nastradin Hoxha në vaktit, me një fjalë, i cili teksa ishte dënuar me varje nga pushteti i atëhershëm turk, shfaqi dëshirën ‘madhore’ të tij, që të varej në pemën që dëshironte vetë ai! Ku donte të vdiste Nastradini, ndaj si pëlqente asnjë pemë, duke i detyruar ekzekutorët që ta rikthenin në burg (hapsanë) pas tre ditësh, teksa kishin shetitur disa pyje (zabele) me radhë, pemë më pemë, pa sukses! Kështu dhe Berisha, dhe ua themi pse!

Në situatën ku ndodhet PD e drejtuar nga Berisha, një vit pas humbjes katastrofale të zgjedhjeve parlamentare, me një zbritje mbështetjeje demokrate prej 300 mijë më pak se në zgjedhjet e vitit 2021 kur PD drejtohej nga Basha, kishin deklaruar pjesëmarrjen në garën për kryetarin e PD, anëtari i kryesisë Ervin Salianji, ish themeluesja e ‘Rithemelimit’ të Berishës Evi Kokalari, anëtarja demokrate Alesia Balliu dhe në ‘minutat e fundit’ të regjistrimit hynë në garë Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj!

Në pamjet të parë, askush nuk i jep shpjegim se përse Berisha i përjashtoi një nga një të gjithë kandidatët në garë, për postin e kreut të PD, duke lënë në fletën e votimit vetëm emrin e tij! Në kushte normale është e pashpjegueshme, sepse e kishte të sigurtë fitoren. Por mendja e Berishës punon ‘sahat’, në anën e kundërt të lëvizjes së akrepave në fakt, vetëm në funksion të ‘pastërtisë’ së pronës së tij!

Berisha nuk e imagjinon dot që një kandidat tjetër të marrë qoftë dhe 10 përqind të mbështetjes së anëtarësisë së partisë, në atë që ai e quan hipoteka më e madhe e pasurisë së tij dhe të familjes, që është PD! Dhe nuk ka ‘faj’ në fakt, është ‘minierë ari’ partia më e madhe opozitare, të garanton mbrojtje përballë SPAK dhe gjykatës por dhe të shton fuqishëm lekët! Po dyshuat, mendohuni vetëm pak, dhe kalonin nëpër mend pasuritë e tij dhe të familjarëve të tij, vilat, apartamentet dhe komplekset e pallateve, në zonat më të mira turistike në Tiranë, në vend dhe në shumicën e kryeqyteteve të Evropës! Eshtë nën hetim, hetim i thënçin, nga SPAK për pasuritë!

Pra e sheh PD-në si një pronë që prodhon gjithçka! Me këtë mentalitet e sheh ai partinë që drejton, me këtë mentalitet e udhëheq këtë partië, pa pyetur as për statut, as për rregulla, as për humbjen e mbështetjes në elektorat dhe në arenën ndërkombëtare si dhe pas asnjë shans apo shpresë, sado të vagullt, për të ardhur në pushtet! Thjeshtë e do PD-në do si pronë të tij, pa e ndarë me askënd mbështetjen, qoftë edhe formalisht, në një garë partiake për postin e kryetarit!
Pikërisht për ta pasur tërësisht të vetën dhe për vete, Berisha ‘vetëpërjashtoi’ Salinjin e Balliun, por dhe Kokalarin, të cilëve as që ua mori në dorëzim formularin e kandidimit për kreun e PD! Ndërkohë që për mjeken Mereme si dhe Mulajn, i mori në konsideratë zarfet, por pas një dite, me urdhër të tij dhe vendim të sekretarit të përgjithshëm të PD, Flamur Noka nuk i regjistroi fare në garë! I bëri ‘def’ me një fjalë, me një lëvizje dore, jo pse i rrezikonin postin! Harrojeni!

Salianjin e ‘vetëpërjashtuar’ e akuzoi për lidhje me krimin, me Ramën dhe me këdo që ka inat Berisha në planet, pavarësisht se ai bëri një çikë burg për partinë por dhe për mendtë e veta. Por ama ai mori mbrapsht edhe akuzat e anëtarit të kryesisë, Salianji, i cili me dokumente të firmosura dhe të vulosura nga institucionet britanike, akuzonte Berishën se është i shpallur ‘non grata’ për bashkëpunim me krimin e organizua,r të cilin e ka në shërbim për të nënshtruar PD-në!

Me të njejtën gjatësi vale është akuzuar Balliu nga Berisha, i cili ka marrë mbrapsht akuzat e saj, që nga bashkëpunimi me krimin e deri tek marrja peng nga Berisha të PD për interesat e tij personale! Ndërkohë që Meremja e ngratë, pasi u kthye në ‘meme’, u bllokua të regjistrohej si kandidate për kryetare e partisë, megjithëse e dinte edhe vetë se nuk do të merrte vota! Gjithsesi mjekja Mereme ka vendosur që ta dërgojë në gjykatë garën për kreun e PD, duke kërkuar përjashtimin e Berishës nga kandidimi, referuar nenit ‘Basha’, me argumentin se nuk duhej të ishte në garë, jo më të përjashtonte kandidatët e tjerë!

Berisha nuk është ndalur vetëm në këto veprime! Përmes Flamur Nokës, kreu i PD i ka ‘pastruar’ të gjitha listat e anëtarësisë nga mbështetësit e Salianjit dhe të kandidatëve të tjerë për kryetarë të PD, në përpjekje për të garantuar një mbështetje në limitet e 100 përqindshit, aq sa do ta kishte zili dhe vetë Enver Hoxha vaktit, i cili mbahej te 99.999 përqind ! Megjithëse Berisha e ka pasur ‘atin shpirtëror’ Enverin në fund të herës, si komunist 24 karat që ka qënë dhe është!

Një ‘agresion’ i tillë i Berishës ndaj anëtarësisë, nuk është pritur aspak mirë nga baza e PD! Të cilët kanë nisur një reagim të fortë, deri në rebelim! Aq sa më Korçë, përmbysën tërë procesin e votimit të kreut të degës vendore të kësaj partie! Në fillim kundërshtuan, më pas morën me vete kutitë e votimit, dhe në fund grisën listat e anëtarësiusë të përçunduara nga Ndoka e bllokuan votimin, duke treguar se udhëzimet nga qendra nuk pinë ujë më në qytetin e ‘serenatave’, teksda kanë kërkuar lirshmëri të anëtarësisë, pa asnjë ndikim, për të zgjedhur drejtuesit vendore!

Ndonëse në disa rrethe, Berisha përmes Nokës dhe emisarëve të tij, pa parë fare votat në kuti, ia ka dalë që të ketë të përzgjedhurit e vet në krye të këtyre degëve, në Korçë dhe degë të tjera situata është jo në favor të Berishës! I cili jo vetëm që ka destabilizuar PD-në, duke prekur fundin, por dhe po e rrënon me një shpejtësi që askush nuk e kishte menduar më parë!

Dhe i gjithë ky ‘aksion’ politik i Berishës për rrënimin e PD ndodh pikërisht një vit para zgjedhjeve të përgjithshme për pushtetin vendor! Për të cilat jo vetëm që nuk ka bërë asnjë përgatitje e as një organizim strukturash për këtë qëllim, por po e ‘kreh’ gjithnjë e më shumë anëtarësinë, duke përjashtuar e ‘vetëpërjashtuar’ funksionarë të lartë e mbështetës të tyre, vetëm e vetëm që të këtë mundësinë të garojë i vetëm për kryetar të PD!
Dhe hajde e duroje pastaj Berishën dhe vite të tjera, teksa akuzon Ramën dhe mazhorancën se ‘i kanë vjedhur fitoren’, ndërkohë që e ka degraduar PD-në në atë farë feje, e ka përgjysmuar dhe armiqësuar anëtarësinë e kësaj partie, sa në këtë derenxhe ku është katandisur PD, nëse arrin të marrë ndonjë bashki, do të ishte fitore tepër e madhe për Berishën! Që gjithsesi nuk do fitoren e opozitës, por kërkon të drejtojë një parti, që ta ketë të tijën si pronë e për nevojat e tij personale!

Dhe kjo nuk është tekë e një plaku 82 vjeçar, me gjithëse mosha e bën të vetën dhe prej guri të ishte, por është një filozofi e tërë e Berishës i cili ia ka dalë që të njehsojë partinë me kryetarin, pra PD me emrin e tij! Dhe kur ndodh kjo, gjë që ka ndodhur, atëherë partia vdes sëbashku me kryetarin! Ky pritet të jetë dhe fati i kësaj partie, e cila do të shkojë në ‘amëshim’ në momentin kur të ndalet ‘ora biologjike’ e Sali Berishës! Për këtë të jemi të sigurtë, nuk ka shpëtim më PD-ja! Të zhgënjyerit t’i drejtohen një alternative të re! Nëse do gjejnë ndonjë person që t’i mbledhë demokratët, që janë shpërndarë si ‘zogjtë e korbit’, sa këndej andej!

Berlini ‘heq’ veton, Berisha i kërkon BE t’i vendosë kushte Shqipërisë

24 April 2026 at 20:20

Nga Jakin Marena

Shqipëria vijon të mbetet vendi me kredecialet më të forta dhe në ‘hartën’ e vendeve me të avancuara në Ballkanin Perëndimor, në garën e madhe e të rëndësishme të procesit të integrimit në Bashkimin Europian!
Një fakt të tillë e kanë pranuar jo vetëm vendet anëtare të BE, me peshë specifike në uninion, që nga Parisi e Berlini e deri te Roma e Madridi, rasti më i fundit është edhe biseda telefonike e kryeministrit holandez Rob Jetten këtë të premte me kryeministrin tonë Edi Rama, por dhe vetë Brukseli zyrtar, kryeqendra e Bashkimit Evropian!
Në një deklaratë të fundit, Komisionerja për Zgjerimin në BE, Marta Kos, vlerësoi maksimalisht progresin e bërë nga vendi ynë, duke e renditur Shqipërinë mes shteteve në krye të këtij procesi. “Shqipëria është një nga vendet në krye të procesit të zgjerimit. Shpresojmë që në muajin maj, do të jemi në gjendje që të miratojmë të gjitha standardet e përkohshme për sundimin e ligjit e pastaj të nisim me mbylljen e kapitujve.
Është e mahnitshme ajo që Shqipëria ka bërë në vitet e fundit me hapjen e të gjithë grupkapitujve. Fakti që ju keni një lidership të vendosur për integrimin e plotë në familjen evropiane e bën këtë projekt një kombinim të përsosur. Mbështetja e qytetarëve dhe puna e qeverisë, shpresoj të kontribuojmë në Bruksel”, tha Kos. Pra, jemi në krye të listës!
E thuajse tërë lidershipi evropian është i bindur që Shqipëria i ka të gjitha shanset që të mbyllë të gjithë kapitujt e negociatave me BE deri në fund të vitit të ardhshëm për të qënë pastaj në ‘syrin’ e vendeve anëtare për të vendosur për anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030, sipas parashikimeve të vetë qeverisë shqiptare por dhe zyrtarëve më të lartë të Brukselit, të cilët kanë mbështetur e mbështesin udhëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në familjen e madhe dhe demokratike Evropiane!
Dhe në funksion të fazës së dytë, pra të vendimit të parlamenteve të të gjitha vendeve anëtare të Unionit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ky është tërësisht vendim politik dhe nuk varet më asgjë në dorën tonë sepse me mbylljen e negociatave Shqipëria e përmbyll detyrimin e saj, ka qënë dhe një deklaratë e fortë e kreut të diplomacisë gjermane, Johann Wadephul, në raport me lehtësimin e rrugës së Shqipërisë por dhe vendeve aspirante për anëtarësimin e plotë më BE!
Ishte një lajm që u emetua në disa media shqiptare si me drojë dhe pa i dhënë ndonjë vend të rëndësishëm në rang-listën e lajmeve, a thua se ishte dikush që po kujdesej për ta kaluar pa u vënë re si lajm. Por që përmbante një mesazh të rëndësishëm, sipas të cilit BE mund të hyjë në një fazë të re vendimmarrjeje, pa bllokime e veto, nëse kalon propozimi i Gjermanisë për votim me shumicë, në politikën e jashtme dhe të sigurisë.
Ishte ministri i jashtëm gjerman, Johann Wadephul, ai që dha një mesazh të fortë dhe të qartë nga Dublini, teksa propozoi heqjen e parimit të votimit unanim në politikën e jashtme dhe të sigurisë brenda BE, duke e zëvendësuar atë me vendimmarrjen me shumicë. “Në një demokraci, parimi i shumicës është norma dhe unanimiteti përjashtimi. Dhe ne duhet ta bëjmë normën e demokracisë edhe normë në Bashkimin Europian. Vetëm në këtë mënyrë Europa mund të mbetet e aftë për të vepruar”, tha kryediplomati gjerman! Teksa shtoi se momenti duhet shfrytëzuar, duke iu referuar zhvillimeve në Hungari, pasi sipas tij pas zgjedhjeve në Hungari e humbjes së Viktor Orbán, tani kemi një dritare të mirë mundësie që duhet përdorur dhe çdo muaj ka rëndësi, madje çdo javë!
Wadephul paralajmëroi se BE nuk mund të përballojë më bllokime si në të kaluarën, teksa nënvizoi se ‘bllokime si ato që kemi parë, veçanërisht në javët e fundit, nuk janë më diçka që mund ta përballojmë në këtë botë. Kohët janë shumë serioze për këtë”! Deklarata e tij, është propozim gjerman ky që të kuptohemi dhe gjermanët u shkojnë deri në fund punëve nuk lënë asgjë në mes, vjen në një moment kur vetë BE po vihet nën presion për të ndryshuar mënyrën si merr vendime, sidomos për zgjerimin. Dhe këtu përfiton dhe Shqipëria!
Pra, për Shqipërinë, një nga vendet që kryesojnë përpjekjet për zgjerim në Ballkanin Perëndimor, ky propozim është lajm i jashtëzakonshëm, pasi hapet rruga që për një arësye apo tjetër, asnjë shtet i veçantë nuk mund të bllkojë përmes vetos anëtarësimin e vendit tonë në BE siç ka ndodhur deri më tani me Maqedoninë e Veriut, dhe sipas është kërcënuar dhe vendi ynë që të bllokohet për axhenda të ndryshme të ndonjë shteti të veçantë! Nëse Shqipëria ecën përpara me reformat, është në krye të listës së vendeve që kanë bërë më mirë për hir të së vërtetës, atëherë asnjë lloj vetoje nuk e bllokon procesin e integrimit! Sado përpjekje që të ketë!
Veto ka qënë ajo që e ka zvarritur procesin ndër vite, por nëse kalon votimi me shumicë sipas propozimit të Berlinit, gjasat janë të mëdha dhe të sigurta, atëherë historia ndryshon në favorin e Shqipërisë por dhe të vendeve të tjera aspirante për në BE. E thënë me fjalë më të thjeshta, me heqjen e vetos, Shqipëria shmang bllokimet politike e fiton kohë në turravrapin e saj drejt BE-së.
Gjithçka është e koordinhuar, nuk është thjehstë një rastësi që përmbledh të gjithë këta elementë në favor të Shqipërisë! Presidentja e Parlamentit Europian Roberta Metsola dhe Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos e kanë thënë hapur se Shqipëria dhe Mali i Zi janë në krye të vendeve që po ecin më shpejt drejt anëtarësimit. Për më tepër, Metsola ka shkuar edhe më tej, duke kritikuar hapur vetë BE-në për vonesat. Sipas saj, vendet kandidate po ecin më shpejt sesa vetë Bashkimi Europian merr vendime. Ajo e lidh drejtpërdrejt këtë situatë me kërkesën për unanimitet, që sipas saj po e mban peng procesin.
Nga ana tjetër, Komisioni Europian ka dhënë një vlerësim pozitiv, por fjala e fundit mbetet tek vendet anëtare. Dhe në një moment kur vetë zyrtarët më të lartë europianë pranojnë se procesi është zvarritur, ky debat mund të jetë pikërisht shansi që i duhet Shqipërisë që të arrijë objektivin e anëtarësimit në vitin 2030. Heqja e vetos është një lajm i mirë, shmangen skenarët ballkanikë të bllokimit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe vlerësuar në meritë, me shumicën e votës së vendeve anëtare, vendi ynë anëtarësohet në BE! Gjermanët nuk bëjnë shaka me propozimet e tyre, nuk i hedhin kot në erë, dhe mbështetja e tyre është një ‘aset’ për Shqipërinë!
Por teksa ‘yjet’ janë vënë në vijë të drejtë në favor të Shqipërisë dhe shqiptarëve, në raport me mbështetjen evropiane për anëtarësimin në BE, njëri dhe vetëm njëri është kundër të gjithëve, teksa deklaron se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë kusht për të qënë gati për anëtarësimin në BE! Ai është, i papërsëritshmi, jetëgjati në politikë e në jetën e përditshme, kreu i PD dhe i opozitës shqiptare, Sali Berisha! Teksa deklaron me një ligësi të dukshme se Shqipëria është narko-shtet, që nuk ka asnjë zhvillim pozitiv në këtë vend dhe teksa bën thirrje për rrëzimin e qeverisë dhe të Edi Ramës, ai tenton të bëjë dëme në raport me integrimin!
Berisha apelon dhe ndaj vendeve të BE që të vënë kushte për qeverinë shqiptare, nga ato të pakalueshmet, për ta bllokuar integrimin e Shqipërisë në BE! Kreu i PD deklaron se Shqipëria nuk është gati për në BE dhe shpik çdo lloj pengesea dhe lajmi, për ta përcjellë jo vetëm në publik por dhe në Bruksel dhe kryeqytetet e vendeve anëtare të BE, për të krijuar perceptimin se Shqipëria nuk është gati për anëtarësimin! Herë shkon vetë nga Evropë, herë dërgon Albanën, por dhe Gazin e Joridën, vetëm e vetëm për të nxirë sa më shumë Shqipërinë!
Deklaratat nga Berisha për të nxirë Shqipërinë në sytë e evropianëve janë në kundërthënie të plotë me vlerësimet maksimale të Komisionerës për Zgjerimin në BE, presidentes së Komisionit Evopian, presidentes së Pasrlamentit Evropian e me kryeministrat e vendeve anëtare, të cilët e thonë se jemi në krye të listës së vendeve aspirante! Teksa kreu i PD përpiqet me të gjitha mënyrat për ta vështirësuar udhëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në BE, Berlini zyrtar pritet të heqë dhe veton e vendeve anëtare, për ta lehtësuar maksimalisht rrugën e Shqipërisë në Union dhe për të mos e lënë anëtarësimin e saj në BE, nën humorin e vendeve që për një tekë apo tjetër bllokojnë integrimin! Berisha sillet si në atë proverbin e vjetër shqiptar, sipas të cilit ‘i zoti e shtet, tellali nuk e jep’!

Kur Berisha bën si e ardhmja e PD, koha e thirrjes ‘Lul, ku je’?

9 April 2026 at 19:53

Nga Jakin Marena

Sali Berisha nuk tërhiqet nga gara për kreun e Partisë Demokratike, ‘garë’ e cila në qershor të këtij viti do të ‘ratifikojë’ zyrtarisht liderin historik si ‘pronarin’ e vetëm dhe të pakontestueshëm të partisë më të madhe opozitare!

Pasi ka dërguar në ‘konservim’ statutin e PD, bashkë dhe me nenin e famshëm “Basha’ të tij, që përcaktonte se nëse kryetari i partisë nuk e sillte PD në pushtet atëherë automatikisht ai ishte i shkarkuar nga ky post, dhe menjëherë fillonin procedurat për zgjedhjen e pasuesit të tij, Berisha tashmë po kombinon fushatën e përjashtimeve, me protestat e ‘filtrimin’ e listave të anëtarësisë!

Berisha jo vetëm që ka shkelur me të dyja këmbët statusin e PD, prej një viti, duke e justifikuar qëndrimin në krye të partisë me justifikimin se zgjedhjet e vitit të kaluar nuk ishin zgjedhje por farsë, pavarësisht se dështoi të sillte opozitën në pushtet sikurse e precizon statuti i partisë, por dhe tashmë kur kanë dalë zëra të rinj që duan të garojnë për postin e kryetarit, madje janë pajtuar dhe me faktin për të garuar përballë tij, anipse në kundërshtim me statutin është në garë, kreu aktual i PD po i përjashton nga partia! Pra dhe formalisht, nuk do as kandidatë fiktivë që të zënë vend në garën përballë tij, për postin e kryetarit të PD! Pavarësisht se askush nuk e rrezikon!

Kështu veproi me Salianjin, të cilin e ka ‘vetëpërjashtuar’, duke i ngarkuar në kurriz dhe akuza të tilla si ato të bashkëpunimit me krimin e elementët kriminalë, por dhe me PS dhe Edi Ramën, për të mbushur sallat e foltoreve paralele të tij. I vobekti Salinji, për ‘Babalen’ e famshme bëri burg duke u sakrifikuar për partinë, u konsiderua një hero, madje u prit si hero, derisa bëri ‘gabimin fatal’, teksa ka gjykuar udhëheqësin dhe udhëheqjen në tërësi për mungesë efikasiteti opozitar e mbështetjeje nga ana e bazës dhe e qytetarëve, e ku në fund i vuri ‘vulën’ fare marrëdhënieve me Berishën, atëherë kur iu mbush mendja se është gati për të kandiduar përballë Berishës për postin e kryetarit! Mirë Berisha, por nuk e lë rehat as Flamur Noka, këtë s’duron Salianji!

Për ‘kutin’ e Berishës dhe të njerëzve rreth tij, Salianji, por dhe Alesia Balliu e Evi Kokalari kanë guxuar shumë, pasi kanë shkuar deri atje ku nuk mban më Berisha, dhe për këtë arsye janë ‘vetëpërjashtuar’ jo vetëm nga gara, por dhe nga PD si anëtarë të thjeshtë, përjashtim ‘paketë’ bashkë me mbështetësit e tyre, deri në shkrirjen e disa degëve të PD në rrethe! Pra janë shpallur armiq në shkallë të gjërë, e shoqëruar kjo dhe me pastrimin e listave të anëtarësisë së PD, përmes artificave të tij, si ajo e marrjes së kartave të reja me firmën e Sali Berishës! Pikërisht në prag të zgjedhjeve të PD, ku mendohet që Berisha të jetë garues i vetëm për kryetar partie, pasi deri më tani nuk e ka gjetur ende vetë dikë që ta ketë përballë si ‘rival’. Pra një kandidat me leje!

Një situatë e tillë, ku humbësit me në krye Berishën kanë marrë frenat e PD, ka bërë që kjo parti të katandiset në limitet e ekzistencës, sipas ‘aritmisë’ së drejtimit të 82 vjeçarit Sali Berisha, i cili po tenton që të shitet si e ardhmja e PD, dhe akoma më tepër po kërkon ta shesë veten formalisht për të mbajtur me gajret mbështetësit e tij, si e ardhmja e vendit! Dhe që këtu nis fillimi i fundit për PD-në dhe për tërë opozitën, pasi sot një 36 vjeçar, ka lindur, është shkolluar, është martuar e bërë me fëmijë, më Berishën në ekran, me zërin e tij në sfond! Jo se është gremisur tani kjo parti, por jemi të sigurtë se me Berishën kryetar, vetëm poshtë e më poshtë do të shkojë!

Për të mbajtur këtë ‘statusin’ e të ardhmes së PD, Berisha është gati të bëjë çdo gjë. E ka bërë madje deri më tani! Pasi la pa sukses koridoreve të Uashingtonit mbi 10 milionë euro për të hequr ‘non gratën’ e pa përfituar qoftë dhe një vizë pune për në tokën amerikane, duke mos e marrë ‘investimin’ mbrapsht, Berisha ktheu sytë nga Berlini, ku njëherë në javë zbarkon vetë ai ose të dërguarit e tij, në kryeqytetin gjerman, vetëm e vetëm për të nxirë me të gjitha mënyrat Shqipërinë. Madje duke bërë dhe thirrje që të vendosen kushte ndaj Shqipërisë për anëtarësimin në BE, duke na marrë erzin me akuza të tilla të paformuluara as nga armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve, si ajo që e cilësonte vendin tonë një narko-shtet. Vetëm Berisha e quan të tillë!

Për hir të së vërtetës, me aq para sa ka marrë nga paratë e shqiptarëve, përmes abuzimeve sa ka qënë në pushtet, janë dhe akuza zyrtare këto e për këtë arsye është nën hetimin e SPAK, nuk e ka për gjë që të ‘dorovisë’ dhe lobistët gjermanë, që me sa duket, nën shembullin e atyre amerikanë, kanë vendosur ta rrjepin plakun e PD, por që deri më tani nuk kanë arritur të bllokojnë asgjë në procesin e integrimit! Pasi 27 vendet e BE po e shqyrtojnë raportin e shkëlqyer të Komisionit Evropian, për të dhënë verdiktin përfundimtar për ecurinë e Shqipërisë drejt BE-së! Dhe, as Gjermania e as vendet e tjera të BE, sikurse pretendonte Berisha dhe njerëzit afër tij, nuk kanë bllokuar procesin e integrimit të Shqipërisë!

Vlerësimi për Shqipërinë dhe mbështetja për të në rrugën e integrimit vijon me kapacitet të plotë, duke ia ‘ngrirë buzëqqeshjen në buzë’ Berishës dhe mbështetësve të tij, të cilët lanë nam duke paguar dhe duke zënë njerëzit korridoreve të Evropës, vetëm e vetëm për të bllokuar negociatat! Leku letër, me një fjalë, vetëm për të tentuar hedhjen në erë të ëndrrës së shqiptarëve, pa mundur të lënë gjurmë në këtë aksion anti-shqiptar! E themi këtë, pasi integrimi në BE nuk është as i Ramës dhe as për Ramën, por i Shqipërisë e për shqiptarët. Po ku bindet Berisha! Ai e ka ligësinë në shpirt, vesi i të qenit kundër Shqipërisë, i tij, do të dalë bashkë me shpirtin!

Teksa koridoreve të PD flitet se Berisha ka shpenzuar miliona dollarë për të hequr ‘non gratën’ në SHBA dhe për të rregulluar marrëdhëniet e PD me Uashingtonin, si garanci për të pretenduar pushtetin në Shqipëri, zërat thonë, jo pa dhimbje për demokratët që janë në mandatin e katër rresht në opozitë, se ai ka shpenzuar dhe miliona euro për të nxirë Shqipërinë në Berlin e Bruksel si dhe për të goditur Ramën, përpjekje këto pa shënuar asnjë sukses. Dhe të përmendësh shp[enzim milionash për lobim të kotë para demokratëve që po presin thumba gati 16 vite në opozitë dhe vite të tjera po aq me sa duket më tej, është si ‘të përmendësh litarin në shtëpinë e të varurit’! Prandaj, në kushte dëshpërimi, po korridoreve të PD po përmendet me zë të lartë, e për habinë e të gjithëve edhe me nostalgji, koha e drejtimit së kësaj partie nga Lulzim Basha!

Sipas këtyre zërave, gjatë drejtimit të Bashës, pavarësisht se Berisha ishte në prapaskenë dhe luante jo pak fijet, marrëdhëniet me SHBA-të, me Gjermaninë dhe me vendet e BE, ishin të shkëlqyera! Madje pa paguar asnjë lek për lobime që të rregulloheshin marrëdhëniet e PD me këto vende aleate! Paçka se e nekatosi Berisha, kur pagoi gjysmë milioni dollarë, para të dhuruara nga Rusia këto, për atë lobimin e famshëm në SHBA, që për hir të së vërtetës ishin para të dhëna për nxitjen e destabilizimit të Shqipërisë dhe rajonit, për hesap të Kremlinit, duke ia nxirë faqen PD, parti i themeluar nën moton “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”!

Teksa shihen rezultatet e PD-së dhe opozitës nën drejtimin e Berishës në ballafaqimet elektorale përballë PS dhe Ramës, shihet me sy të lirë se mbështetja ka rënë, për të mbërritur në zgjedhjet parlamentare të 2025, kur kjo parti ishte nën nivelin historik të 36 viteve të jetës së saj, duke humbur vetëm pas dy vitesh nga zgjedhjet vendore, 300 mijë votues neto të djathtë!

Pavarësisht se Lulzim Basha ishte një humbës funksional, e këtu bashkohemi me qëndrimin e përgjithshëm se ai nuk mund të qeveriste PD si lider i vërtetë pa ‘vrarë babanë’ politik Berisha që në fillim të herës e jo ta linte në prapaskenë si ‘përgjues çiftesh’ për të luajtur fijet në parti, tashmë në PD është ‘pjekur’ qëndrimi se, megjithatë, Basha ia doli që të rrezikonte pushtetin e mazhorancës së PS, duke mbetur vetëm më shumë se 30 mijë vota larg përmbysjes së madhe nga ana e opozitës e drejtuar prej tij! Themi për rezultatin e të gjitha parttive të opozitës, bashkë!

Është tepër e dhimbshme që në PD të kujtojnë me nostalgji kohën e Bashës si kryetar partie, jo vetëm për marrëdhëniet me partnerët tanë të mëdhenj dhe vendeve të BE, që ishin të shkëlqyera, por dhe për rezultatet e arritura në zgjedhjet e njëpasnjëshme, që kanë qënë shumë herë më të larta se sa ato që ka marrë Berisha si lider! I cili u rikthye në krye të PD pikërisht duke sulmuar rezultatet e PD të drejtuar nga Basha, por që për vete po manifeston rezultate gati sa gjysma e tij! Për më tepër tashmë e ka kthyer dhe PD-në si veten, një ‘non grata’ funksionale në SHBA, Britani, e trajtuar si ‘non grata’ edhe nga vendet anëtare të BE e të rajonit tonë!

Tashmë dhe në PD ka nisur të artikulohet thirrja “Lul ku je, të ramë më qafë kot”! Eshtë vërtetë e vështirë për t’u besuar, por e vërtetë! Demokratët janë zhgënjyer rëndë dhe shkojnë pas atij që i garanton një rezultat sa më të lartë në përballjen me mazhorancën e Edi Ramës! Dhe kjo tregon se PD është ku thërret qameti! Aq rëndë janë me Berishën, sa kanë nostalgji për Bashën dhe luten apo bëjnë apel që të rikthehet për t’i udhëhequr apo më e pakta, sikur i kërkojnë falje se nuk e vlerësuan si duhet kur e kishin në krye dhe i ranë në qafë kot! PD është katandisur aq keq dhe aq rëndë, sa duket pa asnjë shpresë dhe nuk i bën derman më asgjë!

Berisha si Enveri, ‘vret’ armiqtë brenda partisë dhe… ‘PD më e fortë’

30 March 2026 at 19:45

Nga Jakin Marena

Që Sali Berisha nuk llogarit asnjë kundërshtar brenda PD, që mund ta rrezikojë që t’i marrë ‘skeptrin’ e lidershipit të kësaj partie, besojmë se askush në Shqipëri nuk e vë në diskutim!

Madje dhe aleatët tanë të mëdhenj, SHBA dhe Britania të cilët e shpallën ‘non grata’, dhe vendet anëtare të BE që e trajtojnë po si ‘non grata’, e dinin që në kohën kur ishte Lulzim Basha kryetari zyrtar i PD, se Berisha nuk ishte tërhequr nga drejtimi i partisë, por i luante fijet në prapaskenë!

Prandaj i këputën ‘non gratën’ familjarisht, pasi shpresuan që Basha do të kishte këllqe për ta dëbuar nga PD, por nuk e llogaritën që Basha kishte lindur praktikisht i ‘vdekur’ si lider politik! Tashmë Basha ‘mat’ rrugët e atdheut dhe Evropës, ndërsa Berisha është rikthyer në majë të PD dhe opozitës, duke mos lënë asnjë njeri aty, që të ngrejë kokën politikisht! As që të bëjë hajër!

E në kushtet kur ka zhbërë statutin e PD dhe nenin e famshëm “Basha’, i cili përcakton se kush humb zgjedhjet, automatikisht largohet nga drejtimi i partisë, teksa nuk ka marrë asnjë përgjegjësi për humbjen katastrofike në zgjedhjet vendore të 2023 e mbi të gjitha në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, ku i ‘firuan’ afër 300 mijë vota opozitare, Berisha jo vetëm që ka shpallur sërish kandidaturën për kreun e PD, por po ‘krasit’ dhe të gjithë ata që e çojnë nëpër mend të garojnë përballë tij, në zgjedhjet e qershorit brenda partisë!

Berisha nuk ka frikë askënd se do t’i marrë postin e kryetarit! E themi me bindje këtë, pasi ai e dominon PD-në, e ka pronë të veten dhe praktikisht do ta drejtojë atë deri kur i ‘plotfuqishmi’ ta thërrasë në amëshim! Dhe pas kësaj, drejtimi i PD do të jetë brenda familjes dhe për këtë janë të bindur të gjithë, prandaj ‘tundin belin’ po të gjithë, që nga Bardhi e deri te Gjekmarkaj nën tingujt e melodisë së këngës, ‘…tek rruga me pisha, rroftë e qoftë Sali Berisha’!

Atëherë pse Berisha ka ndërmarrë këtë operacionin ‘fshesa’ në parti, duke përjashtuar apo siç deklaron ai ‘vetëpërjashtuar’ që nga Salianji e Alesia Balliu, që ‘gabuan’ dhe menduan se mund të garojnë përballë tij për postin e kreut të PD, e deri tek mbështetësit e tyre, të cilët morën pjesë në këto foltoret e organizuara qytet më qytet?! Me pjesëmarrje masive në krahasim me Berishën!

Dhe nuk janë pak, pasi Berisha ka ‘shuar’ thuajse dy degë të PD, në Durrës e në Elbasan! Teksa dega e PD në Elbasan zhvilloi këtë të dielë votimin për zgjedhjen e drejtuesit të ri të degës Alis Narazani, pikërisht në një moment kur forcat politike po përgatiten për sfidat e ardhshme elektorale, anëtarët u përballen me heqjen e emrit të tyre nga listat e anëtarësisë. Një denoncim publik është bërë nga Doris Madhi, aktualisht drejtuese e grupit të këshilltarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak të Elbasanit, e cila ka deklaruar se është hequr pa asnjë njoftim nga lista e anëtarësisë së PD, duke i hequr të drejtën e votës dhe përjashtuar përfundimisht nga partia, në të cilën ka aderuar për vite me radhë dhe të cilën e përfaqëson në Këshillin Bashkiak!

Gjithashtu nga lista është hequr edhe emri i Rudina Allës, kryetare e forumit demokrat të Gruas, Zheni Gjergjit, pasi ajo u emërua drejtoreshë në Spitalin e Elbasanit, apo dhe Alesia Balliut, pasi kjo e fundit ka shpallur publikisht ambicien për t’u regjistruar dhe për të kandiduar në garën për kreun e Partisë Demokratike, përballë Sali Berishës.

Dhe kjo valë përjashtimesh vjen vetëm disa ditë pasi PD zyrtare, përjashtoi si këshilltarë të saj në Këshillin Bashkiak të Durrësit Dritan Burgijën e Arlind Boshkun, pasi këto të fundit mbështetën lëvizjen e Ervin Salianjit. Duke shkaktuar tronditje dhe tek demokratët e Durrësit, tronditje që është përhapur dhe në Mat, ku ka përjashtime të shumta apo dhe qytete të tjera të vendit, çka tregon se operacioni ‘fshesa’ po zhvillohet me kapacitet të plotë në PD, i urdhëruar nga Berisha! Dhe akoma më keq, Berisha përmes Flamur Nokës ka shkrirë dhe degët e PD në Krujë dhe Fushë-Krujë, pikërisht në dy degët ku PD ka pasur rezultate në zgjedhjet e fundit! Aq rëndë është situata, sa krerët e këtyre dy degëve zbarkuan në selinë e PD, dhe vetëm ndërhyrja e Berishës, që premtoi zgjidhje pozitive të kësaj situate, e shpëtoi Nokën nga ‘thonjtë’ e krutanëve demokratë!

Për hir të së vërtetës, Berisha, teksa nuk i trembet asnjë rivali brenda PD, po tregon çdo ditë dhe më shumë se halli i vetëm që po e detyron të realizojë këtë operacion përjashtimesh masive në të gjithë vendin, të zërave kundër në parti, është mungesa e dëshirës për të mbajtur përgjegjësitë si kryetar partie, për humbjet katastrofike në zgjedhje, e mbi të gjitha, heqjen e mundësisë së përballjes me zërat kundër në PD, në dështimin e pritshëm të radhës, vitin e ardhshëm!

Teksa rivali i tij politik, kreu i mazhorancës Edi Rama ka nisur përgatitjet e forta për garën e zgjedhjeve për pushtetin vendor të vitit 2027, teksa ka shpërndarë të gjithë deputetët dhe ministrat në terren, pas zgjedhjes së të deleguarve dhe ngritjes së grupeve të punës në çdo qark, duke paralajmëruar se do t’i fitojë të gjitha bashkitë, Berisha nuk ka të ngritur asnjë strukturë nëpër rrethe! Por dhe ato që nisen të ngrihen, janë përfshirë në konflikte e përplasje të forta!

Dhe për më tepër në vend që të merret me riorganizimin dhe përgatitjen e PD dhe të opozitës për zgjedhje, Berisha merret me Salianjin, Balliun e mbështetësit e tyre, të cilët i ka ‘vetëpërjashtuar’ nga PD! Anipse PD dhe opozita kanë nevojë dhe për një votë mbështetëse në zgjedhje, pasi po gremiset me shpejtësi marramendëse drejt humnerës, ku në çdo palë zgjedhje i ‘firojnë’ 250-300 mijë vota opozitare! Por nuk dëgjon Berisha nga ai ‘sektor’, ndërkohë që vijon me kapacitet të plotë operacionin ‘fshesa’, duke fshirë drejtues të lartë nëpër degët e PD në rrethe dhe për pasojë larguar dhe mbështetësit e tyre! Të cilët, pak që kanë 16 vite në opozitë dhe me shumë ‘shanse’ për të qënë dhe një dekadë tjetër jashtë pushtetit, por dhe nga partia ua heqin përfaqësuesit e tyre!

Në fakt Berisha sa herë ka hall apo dështon në zgjedhje, nxiton të shpallë një ‘armik’ brenda PD! Pasi për Ramën dihet, atë Berisha e ka armik të dizpozicion, për ta akuzuar se i ka ‘vjedhur e grabitur zgjedhjet’! U shpall ‘non grata’ nga SHBA e u përjashtua nga PD, menjëherë shkatërroi PD-në duke e ndarë copa copa, deri dhe duke sulmuar selinë qëndrore të saj buzë Lanës me qysqi dhe tritol për ta pushtuar, pa sukses, por që e mori më vonë ‘qyl’ nga ‘kallauzët’ që gjendeshin në grupin e Bashës! Vetë Basha u shpall armiku numër një i Berishës, apo siç e thotë me shumë dëshirë, se Basha është ‘armiku i PD, opozitës dhe pluralizmit në Shqipëri’!

Humbi zgjedhjet më 2025, shpalli armik Salianjin por dhe të tjerët, dhe pavarësisht se anëtari i kryesisë po bënte burg në kohën e zgjedhjeve. U shpall ‘armik’ vetëm se kërkoi ndryshime në qasjen opozitare e më vonë pasi e ‘vetëpërjashtuan’ pasi bëri ‘gabimin’ e madh e fatal, teksa kërkoi të garojë përballë Berishës, dhe menjëherë u ‘vetëpërjashtua’ nga Berisha, bashkë me të gjithë mbështetësit nëpër rrethe! Këtë ‘operacion’ përjashtimi brenda PD, Berisha po e bën vetëm e vetëm për të mos pasur probleme dhe as këta zërat kundër nëpër këmbë, pas humbjes së paralajmëruar në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm!

Përjashtimet në PD, Berisha i ka bërë gjithmojë në këto 36 vite, sa herë që ka pasur dështime. Që në fillimin e viteve ’90 kur përjashtoi Cekën, Pashkon e grupin ‘mocionist’ siç quhej atëherë, Azem Hajdarin disa herë, ish kryetarin e PD Eduard Selamin kur humbi referendumin për Kushtetutën, Dashamir Shehin, Genc Rulin dhe të tjerët teksa humbi mbështetjen në 1997, Genc Pollon e mbështetësit në vitin 2001, Patozin e të tjerët në humbjen e radhës në opozitën e dytë, opozitë që zor se do t’i gjendet fundi kohor, për të ardhur tek Salianji dhe mbështetësit e tij, këto ditët e fundit, ku në ‘horizont’ ka humbjen e garantuar Ka vepruar njëlloj si gjithmonë!

Teksa shohim historikun e përjashtimeve në PD sa herë ka pasur hall apo ka dështuar Berisha, na krijohet gjithnjë e më shumë bindja se kreu aktual i PD operon sipas strategjisë së liderit të tij shpirtëror, ish diktatorit komunist Enver Hoxha! Duke qënë se ka mbajtur teserën e PPSH për 25 vite me radhë, duke qënë dhe sekretar i PPSH i Qendrës Spitalore për vite me radhë, Berisha ka marrë nga Enveri ‘mot a mot’ skenarin e përjashtimeve dhe dënimeve të ’armiqve të partisë’!

Ish diktatori Enver Hoxha, sa herë që kishte dështime në ekonomi, në ushtri, në polici, por dhe thjeshtë e vetëm për të mos lënë askënd të ngrinte kokën kundër udhëheqjes, i përjashtonte nga partia, i linçonte e në fund i dënonte me burg, pushkatim apo më lehtë, me internime familjare! Madje duke filluar me shokët e tij të luftës dhe të punës e tij, që nga Koçi Xoxe e Tuk Jakova e deri tek Beqir Balluku, Kadri Hazbiu e Mehmet Shehu! Dhe pas çdo reprezalja brenda PPSH, nga piramida në bazë, duke goditur ‘armikun e kllasës’, Enveri deklaronte se ‘partia u pastrua nga armiqtë e brendshëm, doli më e fortë nga kjo përballje. Partia mbi të gjitha”!

Kështu vepron dhe Berisha! Kush del kundër udhëheqjes, përjashtohet dhe dëbohet nga partia! I ‘qan’ fort zemra dhe për t’i dënuar me burg, internuar apo dhe pushkatuar, por për fatin e keq të tij dhe për fatin e mirë të kundërshtarëve të tij e shqiptarëve, dënimi me vdekje apo internim-dëbimet janë hequr me ligj! Tani Berisha s’ka më fuqi ekzekutive në fakt, është ndryshkur’ në opozitë! Mjaftohet vetëm me përjashtimet nga partia! Madje deklaron pas çdo goditje të ‘armikut’ brenda partisë njësoj si Enveri, se ‘partia doli më e fortë’! Pavarësisht se ka prekur fundin PD dhe ende nuk dihet kur do të ndalet rrokullima!

“Asnjë ndikim përveç se pozitiv, kanë momentet e largimit të atyre, të cilët në fushatën elektorale kanë tradhtuar idealet e demokratëve dhe kanë punuar për mazhorancën e krimit. Mos mendojë njeri se, në shërbim të socialistëve do të ndodhet në gjirin tonë. Vërtet ka një grusht njerëzish që shkelen, shiten, bëjnë pazare, por absolutisht demokratët janë në këmbë”, deklaroi këtë të hënë Berisha, duke justifikuar përjashtimet e kundërshtarëve brenda PD.

Sikurse parashikohet situata, pasi që tani një vit para zgjedhjeve deklaron se “Rama do t’i grabisë zgjedhjet’, Berisha do ta vijojë operacionin ‘fshesa’ në PD për t’i zhdukur nga partia të gjithë ata që mendojnë se mund të kenë një rol në këtë parti, mund të mendojnë se mund të bëjnë karrierë dhe të marrin përmes garës përgjegjësi për këtë parti apo larg qoftë, t’j u krijohet bindja se mund të kandidojnë përballë Berishës për postin e kryetarit!

Nuk pranon shqetësime Berisha në PD! Si humbi ngushtë si humbi si gjithëherë thellë e më thellë përballë rivalit socialist, të gjithë duhet të pajtohen me të, në justifikimin se ia vodhën votat! Sa herë që të ketë zgjedhje, do të ketë halle të tilla, se me të kryetar të PD, opozita vetëm do të humbë! Është e garantuar! Por ama, Berisha sërish do të jetë humbësi më i fituar! Ka partinë, bën dhe ndonjë ‘qokë’ financiare si gjithnjë! Përballon hallet me drejtësinë, deri sa të ketë jetë! Është në pronën e tij ai, bën çfarë të dojë me të, por dhe me ‘argatët’ që ka në PD!

PD, pronë e Berishëve me ‘hipotekë’ dhe shakaja Salianji

26 March 2026 at 19:21

Nga Jakin Marena

Ka disa kohë që po emetohen në media lajme që kanë të bëjnë me garën e mundshme për kreun e PD, që do të mbahet diku nga qershori! E quajnë me plot gojën ‘garë’, pa u bërë tërr syri!

Madje ka netë të zjarrta debati në këto panelet televizive, ku moderatorët dhe të ftuarit kërkojnë të mbajnë të ndezur ‘kandilin’për disa emra kandidatësh, mes të cilëve spikat Ervin Salianji, i cili e ka pranuar dhe vetë hipotetikisht se do të garojë përballë Berishës, për të marrë drejtimin e PD!

Ka dhe emra të tjerë, duke filluar nga shqiptarja rezidente në SHBA, Evi Kokalari, e përfunduar tek demokratja ‘rebele’ e Elbasanit, Alesia Balliu, të cilët Berishën e llogarisin si të larguar nga kupola e PD, ndërsa flasin për të ardhmen e kësaj partie, nën drejtimin e tyre!

Po flitet dhe për spastrime që po ndodhin tek mbështetësit e kandidatëve për kreun e PD-së, më saktë mbështetësit e Salianjit nëpër këto foltoret nëpër rrethe. ku për hir të së vërtetës mbledh më shumë njerëz se Berisha. Si në rastin e këshilltarëve demokratë të Durrësit dhe të tjerë. Flitet se ka edhe ‘filtrime’ të listave të anëtarësisë së PD, për anëtarët të cilët do të shkojnë në kutitë e votimit ditën e zgjedhjeve. Është kërkuar ndihmë dhe nga KQZ për kuti votimi e për vula!

Ka dhe reagime nga ana e kupolës së PD, pra njerëzit afër Berishës, të cilët shprehen se Salianji është i ‘vetëpërjashtuar’, pra nuk është anëtar i PD, një term tërësisht alla-PD, që nuk zë vend në asnjë fjalor politik as shqiptar dhe as botëror, ndërsa vetë Salianji bërtet me të madhe se është anëtar PD, bën takime në emër të PD nëpër rrethe për të përmirësuar, sipas tij, PD-në, merr pjesë në protestat kombëtare me molotovë, anipse me 300 vetë, të thirrura nga Berisha, e mbi të gjitha nuk mungon në asnjë mbledhje të kryesisë së PD!

Këtu ka një absurd në të vërtetë, pasi sipas ‘kutit’ të Flamur Nokës dhe drejtuesve të tjerë të PD afër Berishës, Salianji nuk lejohet të kandidojë pasi nuk është anëtar i PD, ndërsa merr pjesë në mbledhjet e kryesisë së PD! Nuk e dimë nëse merr pjesë në mbledhje me statusin e anëtarit të kryesisë së partisë, me statusin e vëzhguesit apo si gazetar, megjithëse gjithnjë, këta të fundit në mbledhjet me dyer të mbyllura, nxirren jashtë sallës! Vetëm Berisha mund t’i japë ‘majë’ kësaj pune, për ta shpjeguar termin e ‘vetëpërjashtimit’ të Salianjit, por dhe të marrjes pjesë në mbledhjet e kryesisë si anëtar i saj, paçka se sipas Nokës, ai nuk figuron si anëtar i thjeshtë i PD! Sepse ka një shpjegim të vetin Berisha, me atë realitetin e tij paralel, që i bind pasuesit! Jo vetëm se Salianji është vetëpërjashtuar, por dhe se ka bashkëpunuar me krimin, akuzë sefte e re kjo e Berishës për anëtarin e kryesisë, që mendon se mund të garojë përballë Berishës për kreun e PD!

Na bën çudi fakti që nëpër panelet televizive debati vërtitet vetëm rreth masave të Berishës për të ‘pastruar’ listat, për të shmangur kandidatët ‘rebelë’ nga gara për kreun e PD, dhe aspak nuk kemi një debat mirëfilli për gjendjen aktuale të kësaj partie, kërcënimin real që të mos fitojë asnjë bashki në zgjedhjet e përgjithshme për pushtetin vendor që zhvillohen në pranverën e ardhshme, si dhe shkaqet pse PD në çdo palë zgjedhje bie me nga 250-300 mijë vota të djathta! Duke e garantuar qëndrimin dhe një dekadë tjetër sëpaku, në opozitë, në pushtetin qëndror!

Nëse debati orientohet drejt faktit se Berisha merr po masa sepse ka frikë se Salianji e rrezikon në garën për postin e kryetarit, atëherë ajo që mund të themi është se, nuk është e drejtë që të trajtohen shqiptarët si qytetarë nën nivelin normal të arsyetimit dhe të zhvillimit mendor! E themi këtë sepse problemi real qëndron te mbartësit e këtij qëndrimi, pra se Berisha është frikësuar nga Salianji, të cilët mund të cilësohen ose pa njohuri për situatën politike ose janë ‘ngarkuar me detyrën’ që të zhvendosin debatin në çështje emrash për të lënë mënjanë qëllimisht problemin e vërtetë, që është kriza në PD, dhe ku shkaktari i krizës e ka emrin ‘Sali Berisha’!

E themi këtë sepse Berisha, kurdo që të garojë, sot, nesër, pas një muaji e pas një viti, në 12-të të ditës apo në 12-të të natës, i fiton zgjedhjet brenda PD për kryetar me mbi 90 përqind të votave! Këtë dominancë në PD e ka treguar me kohë dhe vakt! Ishte në periudhën më të keqe në shtator të vitit 2021, i përjashtuar nga grupi dhe nga vetë PD prej kreut të asaj kohe, Lulzim Basha, menjëherë sapo u shpall ‘non grata’ nga SHBA, dhe Berisha arriti që të marrë drejtimin e partisë! Shpenzoi lekë pa fund me Kuvendet e foltoret e atëhershme, përfshirë lobimet e sulmin me qysqi dhe mjete rrethanore ndaj selisë së PD buzë Lanës më 8 janar, por dhe më pas, teksa shpenzoi shumë për të rimarrë edhe zyrtarisht logon e vulën e PD. Tashmë s’ka Zot që ia merr më partinë!

Berisha jo vetëm që mori zyrtarisht logon dhe vulën e PD, me gjithë Bardhin, Gjekmarkajn e deri Salianjin, ‘paketë’ bashkë me të, por tani kërkon që asnjë zë kundër të mos dalë përballë tij, për të prishur ‘uniformitetin’ e partisë, jo përballë Edi Ramës për ta rrëzuar nga pushteti, por përballë segmenteve të caktuara të opozitës për të qënë gjithnjë pjesë e pushtetit si përfitues për këtë rol, tepër komod dhe pa asnjë përgjegjësi! Sepse në fund të herës, opozita është pushtet, dhe Berisha kërkon të jetë ‘maja’ e opozitës, pa asnjë rival rreth e rrotull! Ndaj i shuan zërat kundër, ndaj përpiqet që të zvogëlojë dhe rolin e atyre partive të reja opozitare që s’janë në aleancë me të!

Dhe në këtë lojë të fortë pushteti në opozitë, Berishës jo vetëm që nuk i rrezikohet posti i kreut të PD e opozitës në tërësi, nga Salianji apo të ngjashëm me Salianjin, por ka luksin e madh që edhe të mos ‘konsumohet’ lart e poshtë për çështje legjitimiteti, duke ia lënë këto punët e ‘pista’ në parti, Flamur Nokës, Bardhit dhe mbështetësve të tjerë të tij, në kupolën drejtuese të PD! Praktikisht, Noka merret me interpretimin e statutit, Bardhi me ndryshimin e statutit, pasi është emëruar në krye të komisionit partiak për këtë punë, pra për të hequr pa dhimbje nenin ‘Basha’ me një fjalë, ndërsa Klevis Balliu merret me organizimin e partisë! Aq sa mund të organizojë ai! Për pak harruam Gjekmarkajn, nënkryetarin tjetër të PD, i cili i fut një opinion me humor, pak nga të gjitha, as mish dhe as peshk dhe e kryen punën e detyrën karshi Berishës, më së miri!

Berishës i mbetet vetëm të japë direktivën e mbajtjes së protestave njëherë në 10 ditë për të ‘rrëzuar Ramën nga pushteti’, për të përcaktuar se kur përfundon kilometri i fundit për ‘narko-shtetin e Ramës’, për të nxirë dhe marrë erzin Shqipërisë nëpër kancelaritë perëndimore, paçka se në të shumtën e herës i mban fjalimet nëpër korridore me ‘kameramane’ Albana Vokshin, sepse nuk e afrojnë nëpër podiume për të folur! Dhe atëherë që flet në emër të Albanës, ia presin fjalën në mënyrën më brutale të mundshme në mes të Strasburgut, megjithëse Berisha as nuk skuqet dhe as nuk zverdhet nga turpi! Nuk bën pjesë në atë ‘lagje’ ai!

Berishës i kanë mbetur këto ‘punët e rënda’, pasi në lidhje me garën për kreun e PD nuk shqetësohet! Kur nuk e lëvizi ‘topi i Amerikanit dhe Inglizit, nuk do ta lëvizë as topi i Gjermanit’, ka nisur të qarkullojë postulati më i ri për Berishën nëpër koridoret e selisë buzë Lanës, nga momenti kur ambasada gjermane ndërhyri fort kundër protestave të dhunshme të PD e mbi të gjitha kur kërkoi që të mos përdoret flamuri i Gjermanisë nëpër këto sulmet me molotov dhe mjete të tjera piroteknike, ndaj institucioneve të shtetit, bizneseve dhe koshave të plehrave anës rrugës! Duke ia ‘ngrirë gëzimin në buzë’Berishës, të arritur pas hamendësimeve se ‘gjermanët kanë marrë me sy të keq Ramën’ dhe sipas PD, mund ta rrëzojnë nga pushteti!

Dhe në fund të herës ajo që duam të rikujtojmë është fakti, se këto lajmet që hidhen nëpër media apo diskutohen nëpër panelet televizive, sipas të cilave Salianji apo të tjerët i rrezikojnë postin e kryetarit, Berishës, duhet të marrin fund njëherë e mirë dhe të mos zënë kohën televizive nëpër panelet e darkës e të mërzisin miletin!

Çështja e postit të kryetarit të PD është mbyllur me kohë dhe vakt. Ai do të jetë Sali Berisha sa të jetë gjallë, i urojmë vërtetë jetë të gjatë! PD është pronë me ‘hipotekë’ e Berishës, dhe nëse ia ka lënë dikujt me ‘testament’ për momentin kur të shkojë pranë të Plotfuqishmit, larg qoftë, të gjithë duhet të jenë të bindur se ua ka lënë dy fëmijëve të tij, 50 me 50 përqind të ‘aksioneve’! Si trashëgimi dhe nuk është pak! Njëri e financon dhe ‘vjel’ të mirat financiare dhe politike prej PD, duke i shpërndarë sipas përqindjes në ‘hipotekë’, tjetri e drejton dhe zyrtarisht! Nuk do të ketë emër tjetër, përpos Berisha në krye të PD! Ka marrë fund kjo punë! S’ka asnjë shpresë. Salianji kryetar është thjeshtë një shaka!

Berisha refuzoi rezolutën për Iranin në Kuvend, ‘flirt’ me ajatollahët?!

18 March 2026 at 19:41

Nga Jakin Marena

Argumenti që zgjodhi kreu i PD-së, Sali Berisha, për të justifikuar bojkotin e Kuvendit dhe refuzimin e votimit pro për rezolutën që e shpallte Iranin shtet terrorist, ishte shumë i dobët dhe nuk e përballonte dot peshën e këtij kundërshtimi të madh! Ishte i pabesueshëm, si justifikim!

Përdorimi i adhnimit të Berishës, i cili me gojën e Gaz Bardhit deklaroi se nuk do të marrin pjesë në këtë seancë pasi është thirrur në kundërshtim të hapur me rregulloren e Kuvendit, dy ditë para kohe me një fjalë, nuk përbën asnjë argument madhor për bojkot të rezolutës kundër regjimit të ajatollahëve të Iranit! As akuzat e PD se, kjo nuk është një seancë normale parlamentare, por një mbledhje e thirrur për axhendën personale të Kryeministrit dhe të Kryetarit të Kuvendit, pa asnjë rend dite të miratuar apo të shpallur zyrtarisht, apo dhe në shkelje të procedurave minimale që garanton Rregullorja e Kuvendit, nuk janë arsye për refuzimin e rezolutës.

Të gjitha justifikimet e hedhura në publik nga ana e PD dhe e Berishës, për bojkotin e Kuvendit dhe të mos-hedhjes së votës pro rezolutës që shpallte Iranin financues të terroriznit, janë thjeshtë ‘pirueta’ të përdorura nga ana e lidershipit të partisë më të madhe opozitare, për të justifikuar bojkotin, dhe përmes tij dhe mungesën e dëshirës për të votuar kundër regjimit të ajatollahëve!

As nxitimi më pas për të mbajtur një qëndrim sa për të ‘larë gojën’, që në lojën e madhe të aleancës me SHBA për të shpallur Iranin sponsor të terrorizmit, ta bëjë publik këtë qëndrim përmes një postimi në adresën zyrtare të PD, s’mund ta zëvendësonte asesi një rezolutë të miratuar nga Parlamenti shqiptar, që merret në konsideratë nga vendet mike, siç ndodhi me përshëndetjet që erdhën nga Izraeli dhe SHBA për këtë akt!

Nuk po hyjmë në faktin që në këtë deklaratë në rrjetet sociale për Iranin, ku PD shpalli Gardën Revolucionare të regjimit të Teheranit si organizatë terroriste, ishte ‘harruar’ Hezbollahu dhe Hamasi, zgjatimet e këtij regjimi në Liban, Palestinë apo Gaza! Po e quajmë harresë në nxitim e sipër për të qënë brenda në realitetin e tij paralel të Berishës, por sikurse janë zhvilluar ngjarjet që nga shembja e komunizmit e këtej në raportet e Berishës me Iranin, nuk besojmë se janë ‘harresa’ këto nga shpejtësia apo nxitimi! Berisha nuk bën asgjë pa llogari personale! Është ‘skile’ e vjetër ai, dhe e përshtat gjithçka sipas hallit dhe interesit të tij personal!

Në krye të herës, mendojmë se Berisha nuk e harron ‘flirtin’ me vendet radikale islamike dhe ‘bijtë e terrorit’, teksa sapo erdhi në pushtet në vitin 1992, puna e parë që bëri ishte anëtarësimi i Shqipërisë në Konferencën Islamike. Madje, Berisha u ‘vëllazërua’ aq shumë me këta elementë e vende readikale, sa përfitoi edhe shuma të mëdha parash e ndihma të tjera në formë dhuratash, shtuar këtu dhe ‘bumin’ e madh të fondacioneve dhe shoqatave me emra të përveçëm nga Irani.

Aleatët tanë të mëdhenj, veçanërisht amerikanët nuk i harrojnë ato kohë, i shkruajnë ata që të mos i harrojnë në fakt. Nuk harrojnë kohën kur vendi ynë u kthye në një poligon stërvitjeje për Al Kaedën, luftëtarët e të cilës u vizituan nga vetë Osama Bin Laden më 1994- 1995, ku thuhet se në përbërje të një ‘delegacioni biznesmenësh arabë’, takoi vetë Berishën president asokohe e ku më pas ndoqi nga afër stërvitjet në terren. Për largimin ‘bijve të terrorit’, u ranë ‘shtatë lëkurë’ shërbimeve inteligjente shqiptare dhe atyre partnere me në krye ato të SHBA-ve vite më vonë, kur Berisha u largua nga pushteti, sipas tij ‘me dhunë nga amerikanët’.
SHBA dhe partnerët tanë të mëdhenj, nuk e harrojnë ‘flirtin’ e Berishës me iranianët në të dyja qeverisjet e PD, teksa ka akuza se ka bashkëpunuar edhe me Gardën Revolucionare të Iranit, e sidomos krahun më të rëndësishëm të saj, Forca ‘Quds’, struktura që merret me operacionet e jashtme e me mbështetjen e rrjeteve aleate të Teheranit në rajonin e Lindjes së Mesme, drejtimin e forcave lokale të lidhura me interesat e Iranit, përkatësisht organizatat tashmë të shpallura terroriste Hezbollah e Hamas. Që i ‘harroi’ Berisha t’i shpallte në postimin e tij në rrjetin social!

Dhe nuk janë të reja akuzat ndaj qeverisjeve të Berishës për bashkëpunim me regjimin e Iranit dhe zgjatimet e tij në Lindjen e Mesme, Hamas e Hezbullah! Madje, nëpër koridoret e PD është folur që në atë kohë dhe flitet akoma se, një pjesë e raketave shqiptare ‘tokë-tokë’ dhe ‘tokë-ajër’ që merreshin nga magazinat e ushtrisë e dërgoheshin në Gërdec për t’u ‘demontuar’ në punishten e Gërdecit, thuhet në media se ishte një biznes i Shkelzen Berishës, 90 përqind e tyre kalonin si ngarkesa për shitje në drejtim të organizatave terroriste të Hamasit dhe Hezbullahut! Pra nuk demontoheshin, por shiteshin direkt për këto organizata terroriste!

Dikush mund të thotë se Hamasi dhe Hezbollahu u furnizuan me raketa shqiptare për inat të Fatah-ut, organizatës së Arafatit të ndjerë, i cili ka akuza se u mashtrua nga Berisha në qeverisjen e parë të PD, për blerje armësh. Pasi i ‘hëngri’ lekët dhe nuk dërgoi asnjë armë, u përball më pas me kërcënime dhe vetëm paratë e Piramidave që shkuan një pjesë në dorën e Fatah-ut e shpëtuan nga sikleti e halle të tjera, por që nuk e detyruan të hiqte dorë nga “flirti’ me Iranin dhe ‘bijtë e terrorit’!

Berisha e ka me ‘provë’ këtë tregtinë e armëve e municioneve me vendet e Lindjes së Mesme, pasi mëse njëherë i janë kapur ngarkesa si ato të dërguara për në Çad, në Jemen dhe në vendet e tjera nën konflikt, por dhe anija plot me armë e municione e nisur për t’u dërguar në Libinë e Muamar Gedafit, në kulmin e bombardimeve kundër tij, kontrabandë e bërë gjatë qeverisjes së dytë të PD! Madje të gjithë e mbajnë mend, është me zë dhe figurë, në video e foto, takimin e Lulzim Bashës, ministrit të Jashtëm të asaj kohe në qeverinë e Berishës, me Gedafin. Takimi u bë në çadrën e liderit të vrarë libian. Ju garantojmë se Basha nuk ka shkuar me mendjen e vet atje! Nën hyqmin e Berishës askush nuk mendon me mendjen e vet, ‘montohet’ truri i Berishës në kafkën e tyre. Kështu ka funksionuar dhe do të funksionojë për jetë e mot në PD. Sa të jetë Berisha kryetar i PD, sëpaku!

Fundja Berisha e pranon dhe vetë se e ka në “ADN”në e vet armiqësinë e tij me amerikanët, të cilët i akuzonte publikisht dikur se donin ta hiqnin pushteti kur ishte President. Do të thoni ju, ku e deklaron këtë. As më pak dhe as më shumë por në televizionin iranian. Aty Berisha e gjeti të rrëfente hallet që e kishin kapur me SHBA-të, pra sipas tij ‘me Fuqitë kolonialiste (me në krye SHBA-të), që shkaktuan rrëmujën në Shqipëri dhe luftën në Bosnjë’, duke e detyruar madje që të lejonte dhe kontrabandën e naftës me Milosheviçin sepse “ndihej inferior nga presioni (sipas tij anti-musliman) i vendeve perëndimore”. Pavarësisht se OKB dhe SHBA e akuzuan publikisht Berishën në atë kohë se ka thyer embargon e furnizimit me naftë të Ish-Jugosllavisë së Milosheviçit, thjeshtë e vetëm për pasurim personal të lidershipit të asaj kohe të PD!

I kanë përmendur dhe firmën ‘Shqiponja’ të PD që merrej me tregtinë e naftës me Milosheviçin, dhe e zbardhur ndërkohë më vonë nga ish kryeministri malazez në përbërje të ish Federatës së Jugosllavinë dhe ish numri dy i Federatës, Momir Bulatoviç, i cili shkruan në një libër të tij se është takuar me Berishën dhe ka marrë lehtësira për ‘mbylljen e syve’ për thyerjen embargon e naftës të OKB, pavarësisht se Berisha e tejkaloi këtë pakt, duke e marrë vetë në dorë trafikun e naftës me Milosheviçin. E ka pranuar dhe vetë Berisha këtë fakt, pavarësisht se e justifikoi se do të ndihmonte bujqit në Kosovë për të punuar tokën! Nafta nuk u përdor për trakatorët e bujqve të Kosovës por u përdor për makinerinë serbe që vrau dhe deportoi mbi 1 milionë shqiptarë të Kosovës. Dhe këto fakte janë mbajtur shënim nga partnerët tanë, veçanërisht SHBA!

Berisha asokohe ka akuzuar sërish SHBA-të si shkaktare për firmat mashtruese piramidalë që i grabitën deri në vitin 1997 mbi 1.2 miliardë dollarë kursime dhe e çuan vendin në prag të luftës civile dhe shtetin në faliment. Dhe këto akuza i ka bërë pikërisht në televizionin iranian. “Shumë banka Evropiane dhe të tjera i kanë mbajtur këto firma në mënyrë të veçantë SHBA, ajo nga njëra anë kërkonte prej nesh të heqim dorë nga limani i Durrësit, me qëllim që të vendoste bazat ushtarake të cilat do t’i shërbenin për inspektimin e fluturimeve mbi territorin e Bosnjë-Hercegovinës dhe për këtë ata na premtuan anëtarësimin në Partneritetin për Paqe. Për fat të keq, as që bëhet fjalë për anëtarësim për Partneritet për Paqe, për ndihmë, ndërsa ata tani kërkojnë dorëheqjen time”, deklaron Berisha në televizionin iranian, në atë intervistë të dhënë në prill 1997, vetëm 3 muaj para dorëheqjes nga posti i Presidentit. Aty e ka hapur ‘zemrën’ Berisha!

Asokohe Berisha zbuloi edhe një detaj të ‘vogël’, që kishte të bënte me faktin se kishte bllokuar sipas tij Durrësin, për t’u përdorur nga amerikanët si liman që të mbikqyrte luftën në Bosnje, ku Milosheviçi kreu krime makabre duke vrarë e shkatërruar. Pra Berisha pranon publikisht se i dha një ‘dorë’ të dytë ‘kasapit’ të Ballkanit, duke mos pranuar, sipas tij këtë kërkesë të amerikanëve. Dhe nëse është e vërtetë, ky është krim dhe veprim pro kasapit të Ballkanit.

Pra Berisha, sikurse lideri i tij shpirtëror, Enver Hoxha, me sa duket e ka shumë për zemër Iranin e Ajatollahëve! Diktatori komunist shkroi dhe një libër, “Shënime për Lindjen e Mesme’, ku mbështeti ardhjen në pushtet të regjimit të Ajatollahëve! Në këto gjurmë ka shkuar dhe Berisha gjatë tërë jetës së tij, me sa duket, me dashuri pa kufi për Iranin, jo si një amanet i lënë nga babai i vet për Kuvajtin siç thoshte atëherë, i justifikuar nën ‘petkun’ e dashurisë për Persinë e lashtë dhe armiqësinë për ‘imperialistët’ amerikanë dhe anglezë! Pikërisht ata që e kanë shpallur ‘non grata’ familjarisht në vitin 2021 për korrupsion, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë! Pjesa e dukshme kjo, por që bazë kanë qënë më shumë këto ‘flirtet’ me ajatollahët!

E me sa duket ‘flirti’ i Berishës me Iranin vijon dhe sot e kësaj dite, teksa ndaloi deputetët e tij që të votonin në Kuvend një rezolutë ku shpalleshin terroriste Garda Revolucionare, Hezbollahu dhe Hamasi! Por këto dy të fundit, Berishës nuk ia zë dot goja t’i përmendë në deklaratën e tij të fundit në rrjetet sociale, teksa e ‘shpalli’ Iranin shtet terrorist! Pa lënë asnjë gjurmë zyrtare me një fjalë të mbështetjes me votë në Kuvend, për të qënë nesër në rregull me ajatollahët se ‘s’ka gisht në shpalljen e regjimit të Iranit si financues i terrorizmit’! E ka gati justifikimin, ‘lapsus’ i atyre që menaxhojnë faqen zyrtare të PD në rrjetet sociale! Dhe për t’ia lënë Ramës dhe amerikanëve si gjithnjë fajin!

Këtë ka bërë gjithmonë Berisha! Për interesin e vet, sepse dhe vesi del me shpirtin! Pasi ka frikë se ata ‘miqtë’ e tij andej nga Lindja e Mesme mund të flasin, se kanë për gjë ata! Po rrafshohet Teherani, kokat drejtuese të liderëve në Teheran, Gaza e Liban po ‘këputen’ nga bombardimet dhe më keq nuk ka ku shkon. Por mund të nxjerrin dhe Berishën si aleat i qëndrueshëm i tyre në të gjitha kohët! Prandaj Berisha kërkon të jetë në rregull me Ajatollahët, duke mos lënë gjurmë votimi në Kuvend për rezolutën që e shpall Iranin sponsorizues të terrorizmit!

Rama, ‘valixhja diplomatike’ e ambasadores së SHBA dhe Berisha i ‘fikur’

13 March 2026 at 19:03

Nga Jakin Marena

Për ditën e enjte, kreu i PD dhe opozitës, Sali Berisha kishte paralajmëruar se do të rrethonte Parlamentin dhe nëse nuk do t’i jepej leja SPAK-ut për të arrestuar Belinda Ballukun, do ta shembte këtë godinë, ku zhvillon punimet legjislativi shqiptar, njëherë e mirë!
Masat për përballimin e ‘uraganit opozitar’, sikurse e kishte cilësuar Berisha protestën e pritshme para Kuvendit, ditën kur do të votoheshin raportet e PS dhe PD për kërkesën e SPAK për Ballukun, ishin marrë me seriozitet nga ana e policisë shqiptare!
Mbi 1500 efektivë policie, autoboti me ujë dhe masa të tjera të domosdoshme për një protestë të tillë, e paralajmëruar si e dhunshme, u pozicionuan rreth godinës së Parlamentit, të përgatitura për të përballuar një numër të lartë molotovësh e fishekzjarresh, si dhe mundësinë e problemeve të tjera që hamendësoheshin të ndodhnin, të lajmëruara me të madhe dhe nëpër media !
Ajo që u prezantua paraditen e së enjtes ka lënë pa fjalë, si mbështetësit ashtu dhe kundërshtarët e Berishës! Një turmë e vogël protestuesish opozitarë, që nuk e arrinte as numrin e policëve të stacionuar afër godinës së Kuvendit, u mblodh dhe shoqëroi deri në hyrje liderin e PD, Berisha! Në ‘terren’ ishin lënë për të organizuar protestën, Gaz Bardhi dhe Klevis Balliu! Pasi ishin dhe ‘pushim’ për shkak të përjashtimit nga seancat, dhe duhej të bënin ndonjë punë, helbete!
Në sallën e Kuvendit, thjeshtë u ekspozuan disa pankarta kundër Ballukut dhe Ramës, deputetët e PD ‘rrahën’ në kor tavolinat me shuplaka për të bërë sadopak zhurmë, i ‘kërcitën’ votën pro kërkesës së SPAK për të arrestuar Ballukun, bllokuan disa minuta podiumin sa për të treguar se ishin në seancë dhe janë të pozicionuar kundër mazhorancës, dhe në fund dolën qetë qetë nga salla e Kuvendit, mbajtën një fjalim në ecje para turmës së reduktuar e protestuesve, dhe e ndalën hapin tek selia e PD, ku dhanë dhe lajmin e radhës: shtyhet me 22 mars rrëzimi i Ramës!
Nuk u hodh në protesë asnjë fishekzjarr e asnjë molotov kundër forcave të policisë apo drejt godinës së Parlamentit, por vetëm pak spraj blu, i përdorur me pikatore, pa bërë zhurmë. Kështu u mbyll ‘kryengritja’ paqësore e radhës e Berishës, në mënyrën më të pamenduar të mundshme, apo siç kanë thënë dikur të parët tanë, ‘pa asnjë shkrepje’! Dhe një qetësi e tillë nuk erdhi për shkak të pjesëmarrjes së ulët në proteste, sepse e shumta 20 vetë janë ata të caktuarit për aksion nga kupola blu, si dhe furnizuarit që të hedhin molotovët e fishekzjarret tek institucionet.
S’ka nevojë për shumë pjesëmarrje për të krijuar tensione dhe për të ushtruar dhunë ndaj policisë dhe institucioneve! Pasi s’ka pasur pjesëmarrje as herët e tjera, por në të gjitha herët e hodhën në flakë kryeministrinë, Kuvendin e deri edhe vilën e ish diktatorit Enver Hoxha në Bllok! Ku për pak sa nuk ‘poqën’ të gjallë artistët e akomoduar aty, mes të cilëve dhe të huaj! Këtë të enjte, Berisha ishte i ‘fikur’ fare! E themi këtë sepse ka bërë një ndër protestat më të qeta, nga mijëra protesta që ka bërë në karrierën e tij, gati 36 vjeçare në krye të PD!
Janë të shumta hamendësimet në lidhje me këtë ‘qetësi’ të Berishës! Disa thonë se është plakur, disa të tjerë se s’kishte njerëz, të tjerë që s’kishte organizim, kjo përgënjeshtrohet nga deputeti Gjin Gjoni, i cili deklaron se e kishin planifikuar më parë rrethimin e Kuvendit si dhe ngushtimin e ‘lakut’, por skenari ndryshoi në momentet e fundit! Disa të tjerë ngulin këmbë se Berisha ka marrë ndonjë mesazh nga evropianët që të rrijë i qetë dhe të mos bëjë të keqin! Të gjitha hamendjet janë në tryezë, por është vështirë të zgjedhësh njërën, për ta projektuar si të vërtetë! Qoftë një të vërtetë dhe me kutin e Berishës apo realitetin e tij paralel! Sidomos në rastin e Berishës, i cili gjithçka e projekton në funksion të halleve të veta, të interesit të vet, si gjithnjë!
Por ishte një zhvillim tjetër politik që na bën të mendojmë se ka pasur një ‘indikator’ të jashtëm që e ‘fiku’ protestën e Berishës! Në mëngjesin e ditës së enjte në media qarkulloi lajmi i një takimi të rëndësishëm në kryeministri, i ndodhur në mbrëmjen e së mërkurës, por që s’ishte bërë publik nga aktorët e këtij takimi. Ishte kapur rastësisht nga kamera private afër godinës së Kryeministrisë! Konkretisht, ambasadorja e SHBA në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është pritur në Tiranë nga kryeministri Edi Rama. Siç u pa edhe në videon e publikuar nga mediat, Rama priti ambasadoren amerikane me një përqafim shumë miqësor në shkallët e Kryeministrisë, dhe ku më pas zhvilluan së bashku një takim, jashtë syve të medias, dhe pa asnjë deklaratë publike.
Ai që e bën edhe më interesant këtë takim është fakti se Guilfoyle nuk konsiderohet thjesht një ambasadore e SHBA në një vend fqinj, por ajo është një nga njerëzit më të besuar të presidentit amerikan, Trump. Për më tepër që është ‘dekane’ e ambasadorëve amerikanë në tërë ‘pellgun’ e Ballkanit dhe pak më gjërë, çka tregon fuqinë e saj politike pranë presidentit Donald Trump!
Ndonëse media greke ka zbardhur detaje për vizitën në Tiranë të ambasadores së SHBA-ve në Athinë, duke e lidhur atë me zhvillimet në sektorin energjetik në rajon, është pak e vështirë të besohet se ‘dekania’ e ambasadorëve të SHBA në Ballkan, vjen në mbrëmje në Tiranë në një vizitë të pa lajmëruar zyrtarisht dhe takon kreun e qeverisë shqiptare, thjeshtë e vetëm për të folur për gazin e lëngshëm, për të diskutuar me Ramën se si funksionon terminali lundrues për gazin e lëngshëm natyror, që përdoret për të importuar dhe përpunuar gazin e lëngshëm natyror, e cila është një anije e pajisur me rezervuarë të mëdhenj ku ruhet gazi i lëngshëm që mbërrin me cisterna nga vendet prodhuese dhe elementë të tjerë teknikë të shndërrimit të gazit në lëng!
Ambasadorja Guilfoyle, një figurë e afërt me presidentin Trump, që u prit me ngrohtësi nga Kryeministri Edi Rama, sipas medias greke, paska udhëtuar drejt Tiranës me qëllimin e vetëm, gjetjen e mundësisë së ndërtimit të një terminali lundrues për gazin e lëngshëm natyror (FSRU) në Shqipëri dhe se një projekt i tillë do të kishte rëndësi për furnizimin me gaz të rajonit dhe për rolin e vendeve të Ballkanit në rrjetin energjetik evropian. Pasi, zhvillimi i infrastrukturës për LNG është kthyer në një çështje strategjike, veçanërisht pas tensioneve në tregjet globale të energjisë dhe përpjekjeve të Evropës për të diversifikuar burimet e furnizimit me gaz.
Dhe si për ta përmbyllur vizitën në Tiranë të ambasadores së preferuar të Trump, në ‘favor’ të Athinës zyrtare, media greke vëren me vëmendje se diskutimet për një projekt të mundshëm LNG në Shqipëri vijnë në një moment kur Greqia synon të forcojë rolin e saj si qendër rajonale për importin e shpërndarjen e gazit, përmes projekteve si terminalet LNG e rrjetet e interkoneksionit. Pak si shumë e paqartë për të qënë tërësisht e vërtetë! Dhe për më tepër, vështirë që super-ambasadorja amerikane në Greqi, të udhëtojë pasdite vonë drejt Tiranës për t’u takuar me Ramën, në funksion të kthimit të Greqisë në qendër rajonale! Pak i tepërt ky arsyetim!
Pavarësisht se nuk përjashtohet mundësia e bisedimeve për gazin e lëgshëm, është në interes të palëve për këtë bashkëpunim ekonomik, për më tepër që hapësira mbarëshqiptare, brenda dhe jashtë kufirit përfshin një treg tepër të madh dhe portet shqiptare janë një aset real, është jashtë të gjitha mundësive logjike që ‘dekania’ e ambasadorëve amerikanë në Ballkan, njëherësh dhe njeriu shumë i afërt i presidentit Trump, të udhëtojë nga Athina në Tiranë, për të realizuar një takim jashtë syve të publikut, vetëm për të folur me Ramën për gazin e lëngshëm!
Teksa i lidhim të gjitha rrethanat, konfliktin në Lindjen e Mesme, tentativën ruse për të ndërhyrë në Ballkan, ‘fikjen’ e Berishës në protestën para Kuvendit, të cilin ishte betuar se do ta shembë nëse votohet kundër kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut, si dhe heshtjen deri më tani të ambasadës amerikane në Tiranë për votimin e ditës së enjte të mazhorancës kundër lejes për SPAK për arrestimin e Ballukut, pavarësisht se të gjitha ambasadat u prononcuan, tregon se ‘valixhja diplomatike’ e ambasadores së fortë amerikane në Athinë, Guilfoyle, kishte mesazhe të tjera, akoma më të forta se sa ai i gazit të lëngshëm! Aq më tepër që Shqipëria ka kohë që nuk ka ambasador amerikan në Tiranë, vetëm një të ngarkuar me punë të SHBA, Nancy VanHorn-in!
Lind pyetja: Çfarë mesazhi solli për Sali Berishën super-ambasadorja amerikane në Athinë, gjatë takimit me Ramën në kryeministri, që ndikoi fort në uljen e ‘tempit’ të protestës para Kuvendit, të paralajmëruar si një ‘kryengritje’ që do të merrte para dhe do të ‘rrëzonte’ këtë qeveri?! Berisha u shfaq i ‘fikur’ këtë të enjte, nuk e kishte forcën e mëhershme, dhe me sa duket përmes kanaleve diplomatike, gjenden dhe pa realizuar takim ‘tet a tet’, ai e ka marrë mesazhin nga administrata e presidentit Trump, që të mos luajë me ‘zjarrin’, sepse ata s’të falin!
Tashmë Berisha s’mund të përdorë as Sorosin si argument për t’u justifikuar për qëndrimin e fortë amerikan, në një rast të mundshëm! E quan aleat Trump, ka festuar kur është zgjedhur, madje shpresonte të çonte delta-forcën me helikopterë në Surrel për të arrestuar Ramën. Çfarë dosje paralajmërohet të vijë nga Uashingtoni që i ka mbyllur gojën Berishës, pasi janë disa hetime në përfundim e sipër, që nga Gërdeci e deri te ’21 janari’ dhe financimet ruse për PD!
Në fund të herës, ajo që na bën të ndjehemi mirë, është fakti se Tirana ka kohë që po trajtohet si qendër rajonale për Ballkanin, dhe nuk përjashtohet mundësia që të jenë dhënë dhe mesazhe për t’u përcjellë në Prishtinë, por dhe në vendet e tjera të rajonit. Mesazh këto, për shkak të pragut të krizës institucionale në Kosovë, lëvizjeve jo normale me zhvendosje nga Lindja, në Shkup etj, apo tensionimi i situatës në Podgoricë dhe lëkundjet e forta mes Moskës e Brukselit të Vuçiç!
Të gjitha lëvizjet politike të ofruara nga aleati ynë i madh dhe i pazëvendësueshëm, SHBA, janë në tryezë. Përfshirë dhe bisedën për gazin e lëngshëm të ‘piketuar’ nga media greke si shkak i vizitës në Tiranë të super-ambasadores amerikane në Athinë, megjithëse është shumë pak si ‘lëndë diplomatike’ për të realizuar një vizitë të këtyre përmasave, të njeriut ndër më të afërtit dhe më të besuarit e presidentit Trump!
Të presim! Sinjalet e para u dhanë, Berisha ‘fiku’ për momentin dhunën në protesta, ndërsa ambasada amerikane në Tiranë, megjithëse as nuk ishte fare prezente në takimin e Kimberly Guilfoyle me Ramën, madje as që e kishte bërë ndonjë lajmërim për këtë vizitë të pa paralajmëruar të saj, nuk ka dhënë asnjë deklaratë për votimin e djeshëm të Kuvendit, që rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut! Ditë pas dite do të zbardhen nga pak, këto mesazhe!
Filloi që këtë të premte zbardhja, teksa kryeministri Edi Rama zbulon, aq sa mund të zbulonte, fokusin e takimit me ambasadoren e SHBA në Greqi, Guilfoyle, të cilën e priti në Kryeministri. Rama tha se fokusi ka qenë tek disa çështje të interesit të lartë të SHBA në rajon, që kanë të bëjnë me energjinë, me bashkëpunimin rajonal dhe qasjen ndaj forcave dhe aktorëve të tretë.
“Ka ardhur për të bërë një takim njohjeje për të diskutuar për disa çështje që janë çështje të interesit të lartë amerikan në këtë rajon, që kanë të bëjnë me energjinë, që kanë të bëjnë me bashkëpunimin rajonal, me qasjen ndaj forcave të treta, aktorëve të tretë, dhe nga ana tjetër, kini parasysh që ambasadorja e SHBA në Athinë është një përfaqësuese botërisht e njohur në politikën amerikane drejtëpërdejtë e rrethit të ngushtë vendimmarrës të Trump”, tha Rama. Duke treguar qartë se Tirana është bërë qendër rajonale, pikë reference për Uashingtonin! Dhe për të përcjellë mesazhet tek vendet e rajonit, si partneri më i besueshëm i Trump!

SPAK, paraburgimi, Berisha dhe… ‘hip së të vrava, zbrit se të vrava’

11 March 2026 at 18:44

Nga Jakin Marena

Në Shqipëri, teksa zien debati nëse reforma në drejtësi ka dështuar apo jo, ajo që vihet re me sy të lirë është fakti se ka shpërthyer një absurditet në maksimum, në lidhje me qasjen ndaj punës së SPAK dhe gjykatave të posaçme si dhe nismave që kanë nisur të ndërmerren nga gjyqësori për përmirësimin e drejtësisë së re.
Ndërsa, ashtu sikurse pritej, qëndrime kontradiktore e me dy standarde kanë dalë në sipërfaqe dhe në lidhje me qëndrimin më të fundit të mazhorancës socialiste, që ka të bëjë me refuzimin e dhënies së autorizimit për SPAK, për arrestimin e ish numrit dy të qeverisë dhe ish ministres së Infrastrukturës e Energjetikës, Belinda Balluku!
Në qendër të këtij absurdi qëndrimesh, të cilat ndryshojnë me orë e minuta, gjendet PD dhe opozita shqiptare në tërësi, e kryesuar nga Berisha, e cila në mungesë të një orientimi të qartë për mënyrën se si duhet bërë drejtësi në këtë vend, mungesë orientimi i qëllimshëm pasi Berisha është njeriu më i qartë në këtë dynja në raport me drejtësinë, në mëngjes sulmon e kërcënon me ‘libër shtëpie’ prokurorët dhe gjyqtarët e posaçëm, ndërsa në drekë del para mediave e mbështet SPAK-un në punën e tij, pasdite proteston kundër qeverisë se përse nuk lejon SPAK-un të bëjë punën e vet me Ballukun dhe arrestimin e saj!
Një PD e tërë, e vënë në shërbim të Berishës dhe familjes së tij, plotëson tekat e një plaku që ka marrë më qafë të gjithë opozitën, vetëm e vetëm se familjarisht, jo vetëm që është non grata në SHBA dhe Britani të Madhe, por është dhe nën hetim nga drejtësia shqiptare, madje i marrë si i pandehur, për dosjet e rënda të korrupsionit, krimit shtetëror dhe verifikimit të pasurisë!
Opozita është kundër SPAK në momentin kur Berisha paraqitet para oficerit gjyqësor konform masës së sigurisë për të shënuar emrin e për të thënë se është në territorin shqiptar! Në dalje, kreu demokrat atë bën ritualin e përditshëm, duke sulmuar dhe marrë nëpër gojë me tërë arsenalin e akuzave, fyerjeve dhe kërcënimeve, prokurorët e gjyqtarët e posaçëm që kanë në dorë çështje e tij dhe familjarëve të tij! Pastaj, në mesditë akuzon Ramën se ka marrë peng shtetin dhe SPAK-un, duke bërë thirrje në drejtim të organizmave ndërkombëtarë që të ndërhyjnë për të lënë të qetë drejtësinë e re që të bëjë punën e saj! Ndërsa në darkë, njëherë në 10 ditë si dhe çdo të hënë përmes foltoreve me 20 vetë në shesh, deklaron përmbysjen e madhe të ‘narkoshtetit’ sipas tij, të cilin e akuzon se po ushtron presion mbi drejtësinë për të shmangur hetimin dhe dënimin e ish ministrave! Një mish-mash i vërtetë ky i Berishës!
Ndërsa nisma e kreut të Gjykatës së Lartë për ndryshimin e pjesshëm të praktikës unifikuese të vitit 2011 mbi masat e sigurimit personal synon të rishikojë një nga standardet më të rëndësishme të praktikës penale shqiptare, e që ka të bëjë me mënyrën se si gjykatat vendosin dhe arsyetojnë masën më të rëndë të sigurimit, “arrestin në burg”. Që e kanë kthyer primare!
Në thelb, dokumenti propozon që Kolegjet e Bashkuara të rishqyrtojnë disa prej tezave kryesore të vendimit unifikues nr.7 të 2011-ës, që për më shumë se një dekadë ka shërbyer si udhërrëfyes për gjykatat në vendimmarrjen mbi kufizimin e lirisë personale. Pra, nisma synon të rishikojë standardin e vendosur nga vendimi unifikues dhe ta përshtasë atë me zhvillimet e reja ligjore dhe me standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Qëllimi i kësaj nisme është që vendimmarrja për paraburgimin të bëhet më e kontrollueshme, më e individualizuar dhe më e përputhshme me parimin se kufizimi i lirisë personale duhet të mbetet një masë përjashtimore. Nëse Kolegjet e Bashkuara do të pranojnë këtë rishqyrtim, praktika gjyqësore shqiptare mund të kalojë drejt një standardi më të rreptë për përdorimin e “arrestit në burg”, duke kërkuar nga gjykatat një analizë më të thelluar të rrezikut e një vlerësim real të alternativave ndaj paraburgimit. Në këtë kuptim, nisma nuk synon thjesht ndryshimin e një vendimi të vjetër unifikues, por vendosjen e një qasjeje të re në interpretimin e masave të sigurimit personal, një qasje që vendos në qendër parimin e proporcionalitetit dhe mbrojtjen e lirisë personale.
Menjëherë pas daljes në publik të kësaj nisme të Gjykatës së Lartë, opozita dhe mbështetësit e saj nëpër panelet televizive, e goditën fort, duke e cilësuar si një përpjekje të mazhorancës dhe Edi Ramës për të mbajtur jashtë dyerve të burgut ministrat dhe zyrtarët e lartë të PS! Pavarësisht se deri ditën e martë, kur u publikua nisma nga kreu i Gjykatës së Lartë, ishte vetë lidershipi i opozitës që e kishte kritikuar pa fund qasjen e drejtësisë së re, për të marrë si masë sigurie në rastin e Ilir Metës apo dhe të vetë Sali Berishës, masën e arrestit, me burg apo arrest shtëpie!
Kanë ardhur kritika nga ndërkombëtarët për çështjen e masave të sigurimit, respektimin e kritereve dhe kushteve për vendosjen e një mase sigurimi, kanë ardhur reagime të forta edhe nga BE. Para disa javëve ishte edhe drejtori për të drejtat e njeriut në BE, që hodhi kritika të ashpra për paraburgimet në Shqipëri, ashtu siç hodhi kritika dhe për mënyrën sesi gjykatat vendosin mbi përcaktimin e kritereve apo afateve për të qëndruar në paraburgim, i cili nuk vlerësohet në mënyrë dinamike ashtu siç Gjykata e Strasburgut e ka vendosur!
Ndërsa pritet të miratohet një nismë e tillë, ajo që mund të themi është se shpresojmë që të marrë fund njëherë e mirë paraburgimi i shqiptarëve, vetëm mbi bazën e dyshimeve, për të gjetur më pas prova rrugës! ‘Përfitojnë’ në fakt nga kjo nismë edhe Berisha e Meta, por dhe kryebashkiaku i Tiranës Veliaj, ish ministri Beqaja, zyrtarë të tjerë e mbi të gjitha qytetarët shqiptarë, të cilët do të kenë shansin të hetohen në gjendje të lirë, si njerëz! Është kërkesë dhe e institucioneve ndërkombëtare për uljen e numrit të paraburgimeve! Tani, opozita del kundër! Pra, një absurd i vërtetë! Pavarësisht, se jo vetëm duhet mbështetur një nismë e tillë, por duhet bërë dhe ai i ‘bekuar’ ndryshim në ligj, për ta hequr gjyqësorin nga ‘kthetrat’ e SPAK, që të marrë fund njëherë e mirë përdorimi i gjyqtarëve si noterë të çfarëdo kërkese të prokurorëve!
Rasti më flagrant e një strategjie me dy standarde ka qënë debati që ka shpërthyer në lidhje me kërkesën e SPAK ndaj Kuvendit për të marrë autorizimin e arrestimit të Ballukut! E cila, pas largimit nga postet qeveritare, është thjeshtë e vetëm deputete! Mazhoranca miratoi raportin, i cili do të votohet ditën e enjte në Kuvend, duke mos dhënë aprovimin për kërkesën e SPAK për ta arrestuar ish zv.kryeministren! Nën argumentin se hetimi nuk pengohet nga deputetja Balluku, në gjendje lirie, e pa asnjë mundësi për të dalë jashtë vendit, për shkak të bllokimit të pasaportës!
Opozita dhe njerëzit afër saj, herë në daljet publike e herë nëpër panelet televizive, vunë nën akuzë Ramën se po mbron Ballukun nga drejtësia! Futën turli teorish konspirative, a thua se mazhoranca socialiste vendimin e saj për refuzimin e lejës për SPAK për arrestimin e Ballukut e kishte marrë në ndonjë ligj apo Kushtetutë të vendeve të Afrikës! Këtë mundësi, pra marrjen e këtij vendimi, e ka të fiksuar Kushtetuta e ligji shqiptar, për të mbrojtur pavarësinë e institucionit të Kuvendit! Pasi të ishte thjeshtë formalisht, e Kuvendi të ishte thjeshtë një noter për kërkesat e prokurorëve për arrestimin e deputetëve, atëherë pse do ta ‘rëndonin’ Kushtetutën me një nen të tillë. Nuk e vinin fare, dhe SPAK apo prokuroria më pas, kur të mos ketë më SPAK themi, do të kërkonin prangosjen e deputetit me vendimin e një gjyqtari si për të gjithë qytetarët e tjerë dhe t’i ‘plaste’ në paraburgim, pa lejen e Kuvendit!
Por PD dhe opozita, të udhëhequra nga Berisha e çon më tej absurdin, teksa ka paralajmëruar se do të djegë apo shembë ditën e enjte Kuvendin, duke protestuar kundër Ramës që s’po ‘lëshon’ Ballukun! Për më tepër që, duke marrë dhe ‘statusin’ e prokurorit dhe të gjyqtarit të posaçëm, përfaqësues të lidershipit të opozitës, ‘ndihmojnë’ Berishën për të dhënë pretencën dhe vendimin e me sa vite burg duhen për deputeten! Madje, duke akuzuar Edi Ramën, se shpëtimin e ish zv.kryeministrës nga arrestimi, ai e bën thjeshtë e vetëm për të shpëtuar veten, veprime këto që sipas opozitës shqiptare po pengojnë integrimin e Shqipërisë në BE. Megjithëse të martën ka qënë vetë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen ajo që deklaroi që vendet e Ballkanit Perëndimore duhet të anëtarësohen menjëherë në BE, që tani sipas saj, për arsye sigurie! Ishte një lajm që kaloi si pa u vënë re për shkak të ‘temperaturave’ të larta politike!
Dhe akuzat e Berishës dhe opozitës, deri në kërcënimet pë djegien e Parlamentit dhe të vendit, në mesin e një situate lufte në Ukrainë e Lindjen e Mesme, vijnë me një argument tjetër, sa të çuditshëm aq dhe kontradiktor! Pavarësisht se Rama ka qënë gjithnjë nën akuzë nga Berisha, opozita dhe mbështetësit e tyre se është lideri i vetëm shqiptar që nuk i mbron bashkëpuntorët e vet, tani që mbajti këtë qëndrim për Ballukun mbështetur në të drejtën kushtetuese për çdo deputet të Kuvendit të Shqipërisë, ai prap po kryqëzohet! Tashmë si mbrojtës!
Për hir të së vërtetës, Berisha ka qënë vetë ai që kur ishte në pushtet ka mbajtur zyrtarë të lartë në punë dhe në arrest shtëpiak, të cilët firmosnin nga shtëpia! Paçka se akuzoheshin për krime të rënda deri dhe zhdukje njerëzish! Sjellja e opozitës dhe lidershipit të saj, në të gjitha herët, është e pastabilizuar e me dy standarde! Duke na kujtuar atë sindromin e kahershëm të saj në sjelljen politike, ‘hip se të vrave, zbrit se të vrava’!
Të shohim si do të zhvillohen ngjarjet këtë të enjte, në ditën e protestës, sipas PD, ‘kundër padrejtësisë’! Do të shembet Parlamenti apo jo?! Aq më tepër që, nga njerëz, të cilët me 750 shkelma kanë marrë azil politik diku në Evropi, janë lëshuar thirrje për të qëndruar fort përballë Kuvendit, deri dhe në vetëflijim, në mbështetje të Berishës! I cili po shihet nga ky kontigjent në ‘diasporën’ e re dhe një grusht demokratësh, gjithnjë e në zvogëlim, si e ardhmja e PD dhe opozitës shqiptare, dhe pse është në moshën 82 vjeçare! Të shohim dhe këtë ritualin e të enjtes!

Beleri, Meta, Berisha dhe pse po përdoren ‘Deti’ e 21 janari tani?!

6 March 2026 at 19:53

Nga Jakin Marena

Nëse ka një gjë që i bashkon në një të vetëm tre emrat e përmendur që në titull, Fredi Belerin, Sali Berishën dhe Ilir Metën, është qasja e njëjtë që kanë, në lidhje me zhvillimet politike në Shqipëri, procesin e integrimit dhe ngjarjet më të rënda që kanë ndodhur në këtë vend!

Nuk duam të arrijnë në konkluzione të parehatshme për ta apo për shqiptarët, në akuza që rëndojnë cilindo prej këtyre të treve, por ama s’ mund të heshtim në lidhje me përpjekjet e vazhdueshme të tyre, për të nxirë në një mënyrë apo tjetër dhe intensivisht Shqipërinë, jo vetëm në sytë e shqiptarëve kudo që janë, por dhe të ndërkombëtarëve!

Akuzat ndaj qeverisjes së vendit nuk kanë të bëjnë me keqqeverisjen, por në përpjekjet për të paraqitur Shqipërinë në sytë e partnerëve tanë ndërkombëtarë që po na mbështesin në rrugën e vështirë të anëtarësimit në BE, si një narko-shtet, të kapur nga mafia vendase dhe ndërkombëtare dhe si një vend që përbën rrezik potencial për BE dhe për vetë SHBA! Dhe kjo është ligësi!

Madje Berisha, Beleri por dhe Meta që nga qelia e paraburgimit në burgun 3013, kanë artikuluar akuza të tilla, deri në thirrje ndaj Brukselit për të vendosur kushte të rënda për integrimin në Union, me argumentin se me këtë qeverisje të drejtuar nga Rama, vendi ynë nuk është gati për të bërë hapin e madh, mbylljen e negociatave në 2027 dhe anëtarësimin në vitin 2030! Pavarësisht se SHBA dhe BE i kanë injoruar këto akuza, pasi Trump ftoi në SHBA Ramën në kuadër të pjesëmarrjes në aktin themelues të Bordit të Paqes ndërsa Brukseli ka mbështetur fort Shqipërinë për integrimin, duke vlerësuar progresin që ka bërë, në të gjitha fushat, nxirja e vendit, etiketimet e paqëna përtej luftës politike normale, nuk ndalet nga këta njerëz!

Nënvizojmë se, pavarësisht se në rrethana të tjera, Berisha e Meta duhej të ishin kundër Belerit, këtij eurodeputeti grek që ka hyrë në politikë përmes masakrës së Peshkëpisë ku u vranë nga komandot greke ushtarakët shqiptarë të kësaj pike kufitare si dhe ‘specializimit’ si hidraulik, me kategori të lartë thonë, apo misionit të tij të pamundur për helenizimin e jugut të Shqipërisë, dyshja drejtuese e opozitës shqiptare u bë bashkë dhe e propozoi Belerin si kandidat për kryetar bashkie në Himarë, në emër të koalicionit opozitar!

Rrethanat e sollën që për shkak të akuzës për blerje votash të përfundonte në burg dhe të mos e merrte mandatin e kreut të bashkisë në Himarë, gjasat janë që të mos e marrë kurrë më, Beleri arriti që dhe falë mbështetjes që i dhanë Berisha e Meta duke akuzuar qeverinë shqiptare se po përndjek minoritetin grek apo se po përpiqet që të godasë minoritetin grek për çështje pronash, pra Beleri, teksa u shfaq si viktimë e ‘regjimit të Ramës’, u propozua dhe u zgjodh deputet në Parlamentin Evropian, nga partia e Mitsotakis, për të përfaqësuar shtetin grek në Bruksel! S’ka asgjë të keqe në fakt, kishte nevojë dhe PE për Belerin, me sa duket, nga radhët e zanateve!

Dhe që nga ajo kohë, ‘trioja’ nuk ka pushuar së foluri kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve, për t’i paraqitur ata si ‘gogol’ në sytë e ndërkombëtarëve, dhe për më tepër vendin tonë si jo gati për të kaluar nëpër ‘stacionet’ e shpejta të integrimit për në BE, me fazë finale të pranuar dhe nga vetë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, anëtarësimin në vitin 2030!

Ndërsa Beleri ka kohë që ka prezantuar linjën e tij politike kundër Shqipërisë, si progonatas që është dhe me të kaluar bejlerësh, ka nisur që të ndryshojë dhe theksin e shqipes duke i dhënë theks grek, linjë që përbën kolonën e përpjekjes së tij për helenizimin e Jugut të Shqipërisë dhe ringjalljes së të ashtuquajturit “Vorio-Epir”, Berisha e Meta po sillen ndjeshëm si ‘ndihmës’ apo zëvendës të këtij “hidrauliku’ të certifikuar, që përfaqëson Greqinë në Parlamentin Evropian!

E themi këtë sepse në zgjedhjet e 11 majit, Berisha dhe partia e Metës bënë fushatë duke pasur Belerin në podiumin e nderit, si të dërguar të shtetit grek por dhe duke e paraqitur si të dërguar të Parlamentit Evropian. Ndërsa takimet e Berishës në Athinë u organizuan nën kujdesin e Belerit! Dhe kjo sërish nuk ka asgjë të keqe, jemi fqinjë dhe përderisa respektohen rregullat e fushatës zgjedhore, pa asnjë ndërhyrje nga zyrtarët e vendit fqinj, gjithçka është normale!

Tashmë së fundmi, me sa duket e ka ndjerë ‘erën e mirë’ nga Brukseli, që Shqipëria mund të anëtarësohet deri më 2030 në BE, kjo treshe ka nisur të ‘shkundë’ dosjet e vjetra, për të ngritur akuza të reja ndaj qeverisë Rama por dhe për të hequr barrën e fajit që kanë pasur vetë gjatë qeverisjeve të tyre, ndërkohë që janë nën hetim për shkak të zullumeve që kanë ndër vite në pushtet.

Që në krye të herës ishte dëshira e ish presidentit Ilir Meta, i cili që nga qelia e burgut kërkoi që të pyetej për ngjarjen e 21 janarit 2011, ditë në të cilën Garda e Republikës, me urdhër nga lart, brenda godinës së kryeministrisë ishin kreu i qeverisë së asaj kohe Sali Berisha dhe ministri i Brendshëm Lulzim Basha, qëlloi me plumba prej vërteti mbi turmën e protestuesve të opozitës që po shpërndahej, duke vrarë katër prej tyre!
Tani, vërtetë që Meta ishte ‘strumbullari’ për protestat e opozitës së atëhershme, pasi për shkak të publikimit të videos nga ana e Dritan Priftit, tashmë të ndjerë, ku shihej ashiqare korrupsioni i ofruar nga zv.kryeministri i asaj kohe, opozita u ngrit në protestë. Por ama Meta ka qënë i dorëhequr dhe në proces hetimi, dhe nuk kishte asnjë mundësi që të dinte se çfarë bëhej brenda kryeministrisë më 21 janar! Aq më tepër që vetë Berisha që ishte në zyrë, bën sikur s’di asgjë!

Pavarësisht se SPAK nuk kishte se çfarë të kërkonte në dëshminë e Metës për të zbardhur sipas tij, të pathënat për ngjarjen tragjike të 21 janarit 2011, deklaratat e mëpastajme të Metës zbuluan dhe atë çfarë deklaronte të arrinte, por që nuk kishte të bënte fare me ditën e tragjedisë, 21 janarin, por me shumë e shumë ditë përpara kësaj ngjarjeje, e formatuar në akuzën e përbashkët me Berishën se, Rama është fajtor për këtë ngjarje, pasi solli ai protestuesit para kryeministrisë!

Nëse do të veprohej sipas ‘kutit’ të Berishës e Metës me protestat e opozitës aktuale të opozitës, sidomos ato të vitit 2019 dhe të këtyre viteve të fundit, atëherë jo vetëm duhej të kishte shkuar, larg qoftë, ‘gjaku deri në gju’, por nën hetim si fajtorë duhej të kishin shkuar me kohë e vakt Berisha, Basha, Kryemadhi apo dhe të tjerë, pasi ata i kanë organizuar protestat! Për fatin e mirë, qeverisja e PS nuk është ajo e PD, kjo qeveri nuk të vret, prandaj ankohen protestuesit demokratë vetëm për ‘cilësinë e gazit lotsjellës’, të hedhur nga policia. Ndërsa më 21 janar 2011, Garda, mori urdhër të derdhte breshëri plumbash prej vërteti mbi kokat e demonstruese duke vrarë katër prej tyre dhe jo gaz lotjellës të skaduar si tani, ku e shumta të bën të fërkosh sytë nga djegia! ‘Kryengritësit heronj’ të Berishës hyjnë e dalin nga policia pa u hyrë gjemb në këmbë, ndërsa për 4 të vrarët e 21 janarit 2011, për gati 15 vite me radhë, nuk ka drejtësi!

Meta, me këtë përpjekje për të dëshmuar dhe për të larguar vëmendjen nga dita e vrasjes së 4 demonstruesve të opozitës më 21 janar, me elementë të para kësaj date, tentoi të shfajësonte veten, duke u përpjekur të krijojë narrativën se i ngritën kurth me video-përgjimin e Priftit ku kërkonte ryshfet. Mbështetet tek ekspertiza shqiptare që e nxorën të manipuluar video-përgjimin përkundër ekspertizës së huaj, teksa vendimi i Gjykatës së Lartë për të mbështetur pretendimin e tij, solli dhe shpalljen të pafajshëm. Pra Meta tenton të shpërqëndrojë hetimin, pasi Strasburgu kërkon nga SPAK që të hetohen urdhërat e dhëna më 21 janar 2011 ndaj Gardës për të qëlluar dhe vrarë protestuesit që po shpërndaheshin! Nuk kërkon të hetohet çfarë u bë para 21 janarit!

Të njejtën gjë po bën Meta dhe tani së fundmi, teksa u bënë ndryshimet në qeveri dhe në krye të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme u dekretua Ferit Hoxha, ish ambasadori ynë në OKB dhe në BE! Është dekretuar dhe nga Meta ambasador dy herë, në kohën kur ishte President! Por ama, pas gati 18 vitesh, ish presidenti Ilir Meta ka dalë me një akuzë të re për ministrin tashmë dhe të betuar në Presidencë, Ferit Hoxhën! Akuzë e ‘gëlltitur’ brenda vetes nga Meta, përmbi 17 vite! Shumë është mbajtur për t’u bërë publike këto ditë!

Meta, që nga qelia ka hedhur akuza në drejtim të Ferit Hoxhës se paska qënë ai fajtori kryesor për marrëveshjen e “Detit’ me Greqinë, e cila për shkak se i falte territor Greqisë nga territori shqiptar, u rrëzua nga ana e Gjykatës Kushtetuese të asaj kohe si anti-Kushtetuese, me një rezultat 9 me 0! Një marrëveshje e nënshkruar kjo, nga ish ministrat e jashtëm Lulzim Basha dhe Dora Bakojanos, në prezencë të ish kryeministrave Sali Berisha dhe Kostas Karamanlis! Sipas Metës, referuar deklaratës së ish zëdhënësit të tij, Ferit Hoxha, si kryenegociator i Shqipërisë për këtë çështje i kishte dhënë informacione dhe kishte tentuar ta “shiste” firmosjen e marrëveshjes si të negociiuar nga Sali Berisha.

Tani, askush nuk e beson se Hoxha ia paska ‘futur’ Bashës e Berishës për një marrëveshje kaq të rëndësishme, si ajo e kufirit të “Detit”! Dihet si funksionojnë gjërat, aq më tepër për Berishën, i cili dinte të paktën në atë kohë dhe sa ‘miza’ fluturojnë nëpër Tiranë, apo nëpër ministritë që ai drejtonte me dorë të hekurt! Dihet se sa liri kishin ministrat për të vendosur pa urdhër të Berishës, jo më sekretarët e përgjithshëm të ministrive! Por ama, Meta që nga qelia tentoi t’i bënte ‘qokën’ e dytë Berishës, për t’ia hequr të pamundurën, përgjegjësinë që Berisha si kryeministër kishte për faljen e territorit shqiptar, Greqisë! Dhe nuk e bën badihava Meta këtë!

Për hir të së vërtetës, i gjendur nën akuza të rënda në qelitë e burgut 313, tashmë në momentin kur dosja është gati për të kaluar nën gjykim, Ilir Meta po dërgon mesazhe në drejtim të aleatit të tij Berisha, por dhe më tej tek aleatët e tij në Athinë, përmes Belerit, që të ndikojnë në zbutjen e akuzave! Duke parë se presionet e Berishës ndaj SPAK e Gjykatës së Posaçme kanë bërë punë, duke e lënë jashtë qelisë për akuzat e shumta që ka në kurriz dhe dosjet e rënda që ka nën hetim, Meta shpreson se një ‘kolpo’ presioni e Berishës ndaj drejtësisë së re dhe në favor të lehtësirave për të, do të bëjë punë, përballë akuzave me të cilat po përballet! Te Berisha kanë bërë punë!
Ndërsa mesazhi për politikën greke që ta marrë nën mbrojtje vjen dhe për shkak se Ilir Meta, në kohën kur ishte kryetar Kuvendi është dekoruar nga parlamenti grek me “Kryqin e Artë”. Një medalje që i është dhënë me motivacionin “për kontribut të shquar në shërbim të Greqisë dhe përhapjes së helenizmit në botë”. Eshtë medalje e rëndë dhe oblikuese kjo!

Në tetor 2016 në një takim në Athinë, kreu i Parlamentit grek Nikolaos Voutsis i akordoi Metës “Medaljen e Artë të Parlamentit të Greqisë”. Kjo medalje i akordohet nga Parlamenti grek personaliteteve të rëndësishme në shenjë nderimi për kontributin e tyre të shquar dhe të jashtëzakonshëm në shërbim të shtetit helen. Ky është motivacioni i medaljes për kreun e asaj kohe të Parlamentit shqiptar. Ilir Meta është i dyti pas Vasil Shahinit që dekorohet nga shteti grek me “Kryqin e Artë”! Nuk ka asgjë të keqe në marrjen e kësaj dekorate nga ana e Metës, tregon vlerësim për numrin dy të shtetit shqiptar, por vetëm duam të dimë se cili është shërbimi i shquar që ka dhënë Meta në favor të vendit fqinj! Dhe për më tepër duhet të na i kursejë këto deklaratat me status patrioti shqiptar!
Pra, përmes Belerit, Meta, me sa duket dhe me statusin e kontributorit në shërbim të shtetit grek, po kërkon në Athinë por dhe në Bruksel, mbështetje në përballimin e akuzave të ngritura ndaj tij nga SPAK! Të paktën në lehtësimin e këtyre akuzave! Prandaj po futet në çështje të tilla si kërkesa për të dëshmuar me iniciativën e vet për 21 janarin 2011 si dhe për të shfajësuar Berishën për faljen e ‘Detit’ shtetit fqinj, pa pasur asnjë lidhje me këto çështje!

Halli ku nuk të çon, dhe Meta ka vërtetë hall! Megjithëse po kërkon ndihmë nga Berisha, që është vetë në hall të madh, si dhe nga Beleri, halli i të cilit është se është thjeshtë një hidraulik, rastësisht në Parlamentin Evropian! Më tepër për inat u fut në ‘valle’ nga Mitsotakis, dhe tashmë nuk del pa mbaruar mandatin! Do ta dëgjojmë si gjithnjë dhe kundër Shqipërisë, teksa bashkon ‘zërat’ me Berishën, në akuzat ndaj qeverisë dhe shtetit shqiptar! Kundër integrimit në BE! Dhe sa për ta ditur, Meta në gjendje qetësie, nuk është njeri që bën ‘qoka’ falas! I kalkulon deri në detaje për të marrë më maksimalen e mundshme! Të shohim sa do t’i ecë!

Rama ‘kokë më kokë’ me Trump, Berishës i ‘rifreskohet’ non grata

19 February 2026 at 21:07

Nga Jakin Marena

Diferenca mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Sali Berisha është tepër e qartë, në të gjitha planet! Këtë nuk e ka vënë askush në diskutim, është evidentuar në të gjitha rastet, edhe nga ata të cilët nuk e durojnë kryeministrin socialist!

Por këto dy ditët e fundit e kanë thelluar shumë këtë diferencë mes tyre! Shqiptarët, por dhe aleatët tanë të mëdhenj, nuk kanë pasur nevojë të bëjnë bilance të gjata apo të konsultohen me askënd, për të arritur në këtë konkluzion. Këto dy ditë kanë qënë ‘lakmuesi’ ideal për të dalluar qartë dhe saktë këtë diferencë mes tyre, rëndësinë që ka secili për Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe pse jo për të treguar se pse Edi Rama do të vijojë të qëndrojë shumë gjatë në pushtet, përtej 4 mandateve qeverisëse që ka fituar në ballafaqimin e drejtëpërdrejtë elektoral me PD e Berishën!

Në të njejtën ditë, kryeministri që Edi Rama u nis drejt Uashingtonit, me ftesë të presidentit amerikan Donald Trump, për të firmosur dhe marrë pjesë në mbledhjen themeluese të Bordit të Paqes, në Tiranë erdhi realizoi vizitën delegacioni i Parlamentit Europian i kryesuar nga i djathti David McAllister, takoi tërë politikën shqiptare, që nga Edi Rama e deri te Tabaku e Gaz Bardhi!

Zyrtari i lartë i PE, i takoi të gjithë, të majtë e të djathtë, mazhorancë e opozitë, teksa realizoi misionin e tij për të cilin kishte zbarkuar në kryeqytetin shqiptar, ndërkohë që nuk i doli koha për të takuar kreun e opozitës shqiptare, Sali Berisha! E deklaroi qartë këtë fakt, kur tha se i kishte takuar përfaqësuesit e opozitës, teksa shmangu takimin me kreun e PD, Berisha, për ‘mungesë kohe’! Duke vijuar në këtë mënyrë traditën e krijuar gjatë tërë këtyre viteve, atë të mos shkeljes në selinë së PD për takim me Berishën, nga asnjë zyrtar i lartë europian. Amerikan jo e jo!

Praktikisht ditën e mërkurë, zyrtari i lartë i të djathtës gjermane në pushtet, njëherësh dhe kreu i delegacionit të Parlamentit Evropian, ia ka ‘rifeskuar’ Berishës non gratën. Pavarësisht se kreu i PD është shpallur non grata vetëm nga SHBA e Britania e Madhe, me motivacionin tepër domethënës, për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë, edhe vendet e BE, e kanë trajtuar e vijojnë ta trajtojnë Sali Berishën si person ‘non grata’!

Nuk e qasin në Bruksel as Strasburg, pavarësisht se si udhëton Berisha, herë me ftesën e Albana Vokshit e herë në mënyrë private, në përpjekjet e tij për të nxirë Shqipërinë nëpër botë deri në Brazilin e largët, pavarësisht se çfarë deklaron se takoi ‘x’ apo ‘y’ zyrtar të lartë të BE apo PE! ‘Kallaji’ i del kësaj pune kur zyrtarët evropianë vijnë në Shqipëri dhe bojkotojnë Berishën sy më sy, duke treguar se lideri i PD vetëm ka bërë rrugë boshe nëpër Evropë, pa asnjë takim, pa asnjë mbështetje! Shqiptarët këtë e dinë fort mirë, me kohë dhe vakt se koha politike e Berishës ka përfunduar, e bashkë me të, sa të jetë në krye të PD, për këtë parti, është mbyllur pretendimi për të qënë alternativë qeverisëse, ndërsa po zbret poshtë e më poshtë, drejt mosekzistencës!

Ndërkohë që kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, këtë të enjte jo vetëjm që mori pjesë në mbledhjen themeluese të Bordit të Paqes, i ftuar personalisht nga presidenti amerikan Donald Trump, jo vetëm që shtrëgoi duart me numrin një të SHBA, por dhe mbajti dhe fjalën e rastit në prani të tij teksa u dëgjua me shumë kujdes, por dhe zhvilloi një takim kokë më kokë me Trump, në prezencë dhe të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të mbledhjes!

Kryeministri Edi Rama, edhe njëherë në Uashington, sikurse ka qënë gjithherë i gatshëm të flasë, ngriti çështjen e Kosovës në sytë e presidentit Trump dhe të të gjithë botës, duke kërkuar në emër të shqiptarëve e të Zotit ndihmë për mbrojtjen e UÇK dhe ish komandantëve të saj, të cilët janë burgosur që prej gati 6 vitesh dhe po gjykohen padrejtësisht në Hagë! Rama nuk është hallakatur nëpër tubime apo rrjete sociale duke bërë patriotin siç po e bëjnë këta ‘partriotët e mëdhenj’, por e ngriti këtë çështje para njeriut më të fuqishëm në tokë, presidentit amerikan Donald Trump, ku i kërkoi t’i japë fund lincimit të Kosovës e çlirimtarëve të saj, të sjellë Thaçin e të tjerët në shtëpi.

Rama i ka kujtuar Trump se i njëjti prokuror, Smith, që përndoqi vetë presidentin amerikan, po përndjek dhe Thaçin, të cilin e arrestoi rrugës për në Uashington, ku do të nënshkruante marrëveshjen me Vuçiç, në prani të Trump! Një diplomaci dhe lidership e paparë deri më tani nga asnjë udhëheqës shqiptar, teksa mundësinë e vetme që iu dha para njeriut më të fuqishëm të botës, nuk e shfrytëzoi si politikanët e tjerë politikë shqiptarë për axhendat personale politike, por për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në tërësi. Apeli i tij ‘Për hir të Zotit President, le të bëjmë diçka përpara se, siç thoni ju, gjëra të këqia të mund të ndodhin sërish”, besojmë se do të mbetet gjatë në memorien e shqiptarëve! Dhe si një paralajmërim për ndonjë rrezik, por dhe se shqiptarët janë të gjithë bashkë përballë çdo rreziku, në aleancë me SHBA-të!

Askush nuk e imagjinon Berishën në këtë stad, as kur ka qënë në pushtet dhe as tashmë që është në opozitë! Përkundër Ramës, që asnjëherë nuk ka folur në gjuhë të huaj kundër opozitës jashtë vendit, Berisha, në të gjitha herët, si në pushtet ashtu dhe në opozitë, nuk e ka ndarë sulmin ndaj kundërshtarëve politikë! Tashmë që është rënduar dhe nga mosha, hallet me drejtësinë dhe ‘non gratën’ në SHBA e Britani, trajtimin si non grata nga vendet e BE dhe ato të rajonit, rënia e PD me nga 250 mijë vota çdo palë zgjedhje dhe rrënimi total i opozitës, Berisha e ka trashur gjuhën kundër Shqipërisë e shqiptarëve! Herë del e bën thirrje në drejtim të BE për të rishikuar negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe vendosur kushte të rënda, pasi sipas tij, është narkoshtet, herë bën thirrje për konflikt mes shqiptarëve të Shqipërisë e Kosovës, që të mos pranojë Edi Ramën në Prishtinë sepse është armik i Kosovës. Berisha në fund të herës ua merr erzin shqiptarëve, me perceptime sipas realitetit të tij paralel! Shyqyr që nuk e dëgjon njeri!

Dhe në fund të herës, Rama jo vetëm që shkoi në Uashington, jo vetëm që shtrëngoi duart me Trump, por dhe bisedoi me të në fund të takimit! Do ta zbardhë vetë bisedën, por jemi të bindur që ka folur për të mirën e Shqipërisë dhe Kosovës! Njëherësh u ka dhënë fund dhe ‘dilemave’ të lidershipit të opozitës të kryesuar nga Berisha, por dhe ‘investigativëve’ afër e rrotull tij, që flasin me ‘100 përqind siguri’, se Rama nuk ka shkuar të takojë FBI-në apo organet e tjera ligjzbatuese amerikane për të ‘dhënë llogari’ për një çështje të mbyllur me kohë dhe vakt si ajo e McGonigal, por ka marrë pjesë në Bordin e Paqes si i ftuar i presidenti Trump, ka folur për Shqipërinë, Kosovën dhe lirimin e të burgosurve të UÇK në Hagë, për t’u kthyer në Shqipëri sipas axhendës së mirëpërcaktuar dhe për të realizuar dhe detyrat që dalin nga pjesëmarrja në Bordin e Paqes të kryesuar nga presidenti amerikan! Nga ana tjetër na ‘vjen’ dhe pak keq që ëndrra e opozitës dhe mbështetësve të saj, me helikopterë luftarakë dhe delta-forcë, mori fund njëherë e mirë! Themi na vjen keq, pasi ishte i vetmi ngushëllim për ta në këto kohë të vështira!

Berishën nuk e ftojnë as në Kosovë, pse e kanë ‘karantinuar’?!

16 February 2026 at 21:16

Nga Jakin Marena

Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar drejt Prishtinës për një vizitë zyrtare. Vizita, me ftesë të institucioneve të Kosovës, ka ardhur në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së shtetit të dytë të shqiptarëve në Ballkan!

Kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi takime me presidenten Vjosa Osmani, me kryeministrin Albin Kurti, ka marrë pjesë në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala, si edhe mbajti një leksion të hapur me të rinjtë e Universitetit “Hasan Prishtina” e nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”! Pati dhe aktivitete të tjera, të cilat plotësuar ditën e parë të kësaj vizite zyrtare. Një ditë tepër të ngarkuar këtë të hënë tek vëllezërit tanë!

Ndërkohë që të martën, pritet të jetë pjesë e ceremonisë në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa nuk është bërë e ditur nëse do të mbajë fjalim në këtë ceremoni, apo nëse do të marrë pjesë në protestën marshim të qytetarëve në Prishtinë, në mbështetje të UÇK, teksa gjyqi në Hagë ndaj Thaçit dhe ish komandantëve të tjerë ka hyrë në fazën finale!

Rama, në deklarimet e tij publike, mbrojti kauzën e UÇK, akuzoi prokurorët e Speciales në Hagë se në mungesë të provave po mbronin një akuzë politike, duke tentuar sipas tij të varrosnin për së gjalli ish komandantët e UÇK teksa kërkuan nga 45 vite burg për secilin, e quajti kauzën çlirimtare të drejtë e të mbështetur dhe nga bota demokratike, duke ironizuar me Hagën se sipas ‘kutit’ të tyre, bashkë me Thaçin, Krasniqin, Veselin e Selimin duhej të arrestonin dhe Klinton, Blair, Solanën e Clark, ata të cilët që materializuan çlirimin e Kosovës nga okupimi serb përmes fushatës së bombardimeve të NATO-s. Vizita e Ramës në përvjetorin e Pavarësisë por dhe teksa është në përfundim gjyqi në Hagë ndaj UÇK, që u pasua dhe nga vizita e kreut të shtetit Bajram Begaj, është një mbështetje e fortë nga Shqipëria për Kosovën në këtë situatë!

Dhe teksa shohim kryeministrin Rama që shkon për vizitë zyrtare në Prishtinë në përvjetorin e 18-të të Pavarësisë, dhe takon liderët kryesorë politikë në vend, e ku pas kësaj vizite niset për në Uashington për të marrë pjesë në “Bordin e Paqes’, nën drejtimin e presidentit amerikan Donald Trump, ajo që na bën përshtypje është fakti se lideri i opozitës, Sali Berisha dhe në këtë ditë të shënuar për Kosovën qëndron në Tiranë! Në majë foltores, duke vjellë vrer kundër vendit të vet!

Që në momentin e shpalljes ‘non grata’ nga SHBA dhe Britania e Madhe nuk ka pasur ftesë zyrtare për Berishën që të realizojë ndonjë vizitë në Kosovë! Në disa raste është justifikuar me situatën e rëndë në PD, me faktin se ishte i zënë me marrjen nën hyqëm të drejtimit të saj, me dëbimin e Bashës nga drejtimi e më pas me riorganizimin e PD, ndërkohë që tashmë nuk po përpiqet fare të justifikohet për këtë mbyllje që i është bërë nga ana e shtetit të dytë shqiptar!

Berisha nuk ka pasur marrëdhënie të mira me Kosovën, ndonëse deklarohet se ka shkrirë gjithë jetën e tij për vëllezërit tanë përtej kufirit! Kjo dihet! Me sa duket lidershipi i Kosovës nuk ia ka falur furnizimin e makinës luftarake të Milosheviçit me naftë dhe në thyerje të embargos së OKB në qeverisjen e parë të PD. Nuk i ka falur as përpjekjen për të përçarë lidershipin e rezistencës paqësore të Ibrahim Rugovës në Kosovë, duke tentuar t’i vendosë përballë Adem Demaçin, apo cilësimin e UÇK-së si organizatë terroriste, njësoj si Milosheviçi, dhe thirrjen më pas për të mos firmosur Rambujenë, në përpjekje për të sabotuar sulmin e NATO-s ndaj ushtrisë serbe. Por në Kosovë nuk i kanë falur as lidhjen me elementët serbë gjatë qeverisjes së dytë të PD, duke filluar me Damir Fazlliçin dhe përfunduar me elementë të tjerë serbë e anti-shqiptarë!

Në fillim i bënë ‘embargo’ duke e bllokuar në kufi për të mos e lejuar të hyjë. Të gjithë e mbajnë mend si e bllokuan në kufirin me Kosovën në Kukës, teksa e kthyen mbrapsht dhe nuk e lanë të bëjë hap para! E refuzuan edhe më pas duke mos artikuluar asnjë ftesë zyrtare për të. Edhe kur ka qënë në pushtet ashtu dhe tani në opozitë, Berisha është përballur gjithnjë me ftohtësinë e Kosovës, duke mos marrë ftesë zyrtare madje as për ditët tepër të rëndësishme, siç është përvjetori i Pavarësisë së vendit nga okupimi serb! Dhe e kanë një shkak!

As këtë vit nuk kishte ftesë për Berishën, të paktën deri më tani, për të marrë pjesë në festimet e përvjetorit të 18-të pavarësisë së Kosovës! Pavarësisht se 17 shkurti vinte menjëherë pas miratimit me konsensus të një deklarate të përbashkët në Kuvendin e Shqipërisë mes pozitës dhe opozitës, në mbrojtje të UÇK nga akuzat në Hagë! Ndonëse Berisha nuk e votoi, por s’ia merr njeri për hesap me sa duket, pasi ai nuk voton asnjëherë për Kosovën! E ka fobi! Madje nuk e viziton Kosovën as afër 17 shkurtit, pasi ka qënë kundër pavarësisë! E ka deklaruar zyrtarisht këtë, teksa ka kërkuar vetëm autonomi të zgjeruar për Kosovën, në kuadër të ish-Jugosllavisë! E zbardhi maskarallëkun e Berishës, vetë presidenti amerikan Bill Klinton, pasi të ishte për liderin demokrat, kjo kërkesë drejtuar SHBA, do të ishte varrosur me kohë e vakt, si lajm! Pa e parë dritën e diellit, sikurse vepron gjithnjë Berisha kundër vendit të vet dhe Kosovës, prapa shpine!

Mungesa e vizitës në Kosovë e Berishës në këtë përvjetor, për hir të së vërtetës s’vjen për shkak të angazhimit politik që ka! Një ‘vrap pele’ është Kosova, shkon e vjen si rrufeja! Nuk ka ardhur kjo mungesë vizite as nga mosha tepër e thyer e liderit të PD, pasi në këto takimet partiake të djathta, grupime të sajuara, Berisha shkon deri në Brazilin e largët! Për të treguar në një farë mënyre në formë sfide se e kapërceu Atlantikun, anipse vizitoi jugun e Amerikës dhe jo SHBA-të ku është shpallur ‘non grata’ funksional dhe pa kthim me sa duket! Shkoi për të nxirë Shqipërinë, pavarësisht se pa dobi!

Berisha nuk e ka për gjë të shkojë dhe pa ftesë, sikurse bëri këtë radhën e fundit, teksa iu ‘ngjit’ pas Albana Vokshit, gjatë vizitës në Strasburg të delegacionit të Parlamentit të Shqipërisë atje! ‘Paketë’ me Vokshin, Berisha tentoi të sulmonte dhe të nxinte Shqipërinë, derisa drejtuesja e seancës u detyrua t’i mbyllë mikrofonin, duke e poshtëruar në sytë e të gjithë të pranishmëve dhe të shqiptarëve! Të gjithë e kanë parë videon e shpërndarë! Ishte më e klikuara dhe komentuara!

Në fund të herës ajo që mund të themi është se Berisha vullnetin për të bërë vizita jashtë vendit e ka, takatin për të lëvizur jashtë vendit e ka. Për më tepër që është pa ‘shpenzime’, pasi nëpër këto kryeqytetet më të mëdha të Evropës e ka të zgjidhur dhe fjetjen, sepse vajza e tij Argita, ka nga një banesë në çdo kryeqytet! I mungon vetëm një gjë fare e vogël Berishës për të kryer vizita, nuk ka asnjë ftesë zyrtare! Askund! I mungojnë që nga viti 2013, por është intesifikuar në limitet e zeros pas shpalljes ‘non grata’ më 2021! Që atëherë s’ka më ftesë zyrtare, s’ka më as vizita në selinë e PD as të një ambasadori, madje as nga ambasadori i Kosovës!

Berisha është ‘non grata’ zyrtare nga SHBA e Britania, por po trajtohet si ‘non grata’ dhe nga vendet anëtare të BE, si dhe vendet ballkanike, përfshirë dhe Kosovën! Pavarësisht se në pushtet është Albin Kurti tash gati 6 vite me radhë, të cilin rëndom Berisha e ka cilësuar si aleatin më të mirë të tij në Prishtinë, e ka mbështetur madje dhe në këto ‘përplasjet’ me Ramën, ende kryeministri aktual i Kosovës nuk ka artikuluar një ftesë zyrtare për Berishën që të vizitojë Prishtinën!

Nuk rrezikojnë me sa duket liderët e Kosovës në pushtet për të ftuar një person të shpallur ‘non grata’ nga SHBA e Britania, e të trajtuar si ‘non grata’ dhe nga BE e gjithë rajoni!

Ndaj Berisha po trajtohet si person ‘non grata’ dhe nga Kosova, e kjo është vërtetë e rëndë për një politikan si Berisha, i cili është munduar të tregojë dhe të fiksojë tek publiku idenë e rrejshme se merr frymë dhe jeton vetëm për Kosovën! Ndonëse në realitet ka vepruar në të gjitha rastet kundër saj, dhe faktet për këtë janë kokëforta! Dhe në mungesë të prezencës në Prishtinë, krah liderëve të tjerë shqiptarë, përfshirë dhe Ali Ahmetin, në ditën e Pavarësisë së Kosovës, Berisha nxjerr inatin e mungesës së ftesës zyrtare për vete, me sulmet ndaj Ramës, duke kritikuar lidershipin zyrtar e politik në Prishtinë se kanë ftuar një armik të egër të Kosovës!

Me sa duket ‘karantina’ e Berishës do të vijojë të qëndrojë në fuqi sa të jetë gjallë, në krye të PD! Nuk do të ketë asnjëherë ftesë zyrtare, jo nga SHBA e Britania që e kanë shpallur ‘non grata’, por as nga vendet anëtare të BE dhe ato të rajonit tonë, përfshirë dhe Kosovën! Ndoshta nga ndonjë shoqatë apo grupim partish fantazmë, po! Por jo nga ata që bëjnë politikën e mbështesin alternativa pushteti! Mund të udhëtojë dhe me ftesën e Albanës ndonjëherë! Kjo nuk diskutohet!

Test për drejtësinë, pse ‘21 janari’ rrezikon të mos zbardhet kurrë?!

13 February 2026 at 19:17

Nga Jakin Marena

Mund të dukemi kategorikë në këtë konstatim të trishtë, por sikurse po rrjedhin ngjarjet, për hir të së vërtetës kanë ngecur në vend dhe pa asnjë ‘rrjedhje’ përpara, të gjitha analizat të çojnë tek ky konkluzion aspak i mirë: Që dosja e vrasjeve të 21 janarit 2011 dyshohet se rrezikon të zbardhet kurrë!

Me gjithë optimizmin e jashtëzakonshëm që kemi për ecurinë e drejtësisë së re para, me gjithë besimin pa limit që kemi tek drejtësia e re se pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë në këtë vend do të marrë fund njëherë e përgjithmonë, teksa nuk kemi rreshtur së mbështeturi gjatë gjithë këtyre viteve, dhe do të vijohet me mbështetjen pa ndërprerje, sërish ‘mjegulla’ e mosbesimit na ka mbuluar, teksa shohim se si po ecën procesi i hetimit të ngjarjes më të rëndë në këto 35 vite!

Themi më të rëndë, pasi vrasja e 4 demonstruesve të opozitës me duar në xhepa para selisë së kryeministrisë në mes të bulevardit qëndror të kryeqytetit, nga plumbat e Gardës së Republikës, pra nga shteti, është dhe më e rëndë se sa vrasja e ish liderit të Lëvizjes studentore Azem Hajdari më 12 shtator 1998, para selisë së PD! Sepse Azem Hajdari nuk u vra nga shteti!

Ka mbi një vit që Gjykata e Strasburgut e dha verdiktin e saj, duke kërkuar zbardhjen e vrasjeve të 21 janarit, e mbi të gjitha duke u ngjitur më lart në ‘herarkinë’ shtetërore të asaj dite, për të gjetur kush ka dhënë urdhër për të qëlluar mbi turmën e demonstruesve pa dallim, pra për të qëlluar në ‘mish’, teksa kjo turmë ishte shpërndarë thuajse plotësisht!

SPAK kishte hezituar më parë të merrte në dorë hetimin e kësaj çështjeje, ishte ‘patate e nxehtë’, ndërsa pas vendimit të Strasburgut, ishte Gjykata e Lartë ajo që ia kaloi Prokurorisë së Posaçme çështjen, prokurorët e të cilës kanë gati në vit që po rreken si e si të hetojnë, por ama, pa prekur Sali Berishën, njeriun që asokohe ishte kryeministër dhe që akuzohet se ka dhënë urdhërin ndaj Gardës, sipas zinxhirit komanduaes, për të qëlluar dhe vrarë demonstruesit e pafajshëm! Nuk ka akuzë zyrtare për këtë! Të paktën deri më tani!

Në funksion të hetimit, deri më tani, është thirrur në SPAK ish ministri i Brendshëm i asaj kohe, Lulzim Basha, i cili kishte mbi ‘kokë’ eprorin e tij, janë thirrur gardistë, drejtues të lartë policie, por dhe vetë kryeministri i asaj kohe, vetë ai, Sali Berisha!

Kreu i PD është thirrur si person në dijeni, ndërkohë që nuk ka dhënë ndonjë detaj në lidhje me atë çka është pyetur, vetëm ka nxituar të deklarojë se Garda nuk ka marrë urdhër prej tij, ndërkohë që ky institucion sipas tij, vepron sipas rregullores së vet! Madje ka deklaruar se dhe kamerat e sigurisë në kryeministri, për të cilat akuzohet se janë fshirë pamjet e asaj dite, kanë qënë në posedim të Gardës dhe nuk ka asnjë lidhje kryeministria! Anipse kohë më parë ka deklaruar se kishte urdhëruar sekretarin e përgjithshëm të asaj kohe në kryeministri, që t’ua jepte prokurorëve kasetat, ndonëse i vonoi, i ‘përpunoi’, i ‘pastroi’ dhe ua dha bosh! Anipse thuhet se një nga ata që e kanë instaluar këtë sistem kamerash i ka kopjuar të gjitha të dhënat dhe i mban fort, si garanci për veten! Kanë frikë me sa duket njerëzit, prova ëhstë garanci!

Nuk jemi plotësisht në dijeni se si ka qënë ecuria e hetimit të dosjes së rëndë të 21 janarit 2011, ku nga plumbat e Gardës u vranë 4 demonstrues të opozitës, as se çfarë ka deklaruar Berisha para prokurorëve të SPAK për këtë ngjarje të rëndë krimi shtetëror, i pyetur si person që ka dijeni, as se çfarë ka deklaruar Basha në SPAK, deri ku është zbërthyer dhe a e ka ruajtur atë ‘paktin e heshtjes’ me Berishën apo është bërë një ‘i penduar’ i drejtësisë. Nuk dimë me saktësi as se çfarë kanë deklaruar zyrtarët e policisë e të Gardës, pjesë të ‘zinxhirit komandues’ të cilët Berisha nuk i dorëzoi sipas kërkesës së prokurorisë, për t’i futur nën arrest në qeli!

Për hir të së vërtetës kur vjen puna për dosjet e Berishës, edhe këta ‘investiguesit’ e mediave që ‘furnizohen’ me lajme nga SPAK, duke publikuar deri dhe elementët më ordinerë të një përgjimi ambiental apo zbërthim celulari, në këtë rast nuk publikojnë asnjë informacion se çfarë ka ndodhur sëpaku për hetimin e vrasjeve të 21 janarit! Jo vetëm që nuk ‘rrjedhin’ por as ‘pikojnë’ dosjet e Berishës nga SPAK tek mediat dhe tek publiku! E shtrëngojnë fort, dosjen në këtë rast!
Por deri më tani, kur kanë kaluar shumë kohë, kemi parë se po ecet shumë ngadalë! Mbetet mister pse prokurorët e posaçëm ende nuk kanë arritur të sfidojnë veten, që në funksion të kopsitjes së dosjes së ’21 janarit’ të shkojnë dhe nëpër mediat tona kombëtare ose jo, për të marrë atë kasetën origjinale të emisioneve televizive, në të cilat me zë e figurë Berisha mburrej se kishte vendosur në tarracën e kryeministrisë 5 snajperë me urdhërin e prerë për të qëlluar direkt me plumb ballit kreun e atëhershëm të opozitës Edi Rama, nëse ai bënte një hap para dhe kalonte gardhin e kryeministrisë! Gardh i cili që nga viti 2013 nuk ekziston më! Apo deklaratën tjetër të Berishës, sipas të cilës, jo 3 por 300 protestues do të vriteshin, nëse më 21 janar kalohej gardhi i godinës së kryeministrisë! Nuk e dinë nëse është marrë nga SPAK dhe kjo kasetë.

Megjithatë, të gjithë shqiptarët i kanë dëgjuar live deklarimet e Berishës në këto media dhe për këto urdhëra që kishte dhënë më 21 janar, janë dhe në google të gjitha videot me këto deklarata, me të cilat janë njohur dhe ata shqiptarë që s’kanë ndjekur emisionet televizive live kur ka folur Berisha për urdhërat që ka dhënë për snajperët dhe për moskalimin e gardhit të kryeministrisë! Pra, se kush i ka dhënë urdhër Gardës për të qëlluar mbi demonstruesit e opozitës më 21 janar 2011, shqiptarët e dinë fare mirë! E di dhe Strasburgu, i cili vetëm emrin nuk i ka vënë Berishës si urdhërdhënës, në vendimin e marrë mbi një vit më parë ku kërkon hetim me themel për këtë dosje të rëndë! Pra për t’u ‘ngjitur’ tek ‘maja’ e piramidës së komandimit të asaj kohe! Urojmë që ta dijë edhe SPAK këtë fakt!

Megjithëse i pashpjegueshëm mbetet fakti i zvarritjes së hetimit të asaj kasetës me incizimin audio që përmbante urdhërat e dhëna për të qëlluar mbi demonstruesit! Pse nuk është bërë ende ekspertiza! Të thuhej se ishte ndërhyrë dhe kaq! Për më tepër, vonesa në dorëzimin e kasetës me regjistrimin origjinal, garancia që u tha se u kërkua, dhe qëndrimet e veprimet deri në këtë moment, nga shumë aktorë që me apo pa dëshirën e tyre janë të përfshirë në këtë proces! Pasi vërtetë kemi dyshime, sepse ku më pak e ku më shumë, të gjithë e kanë ‘ngrënë’ presionin e Berishës, dhe kjo duket dhe me sy të lirë!

Me pak fjalë, sa garanci ka që kjo kasetë të cilësohet si origjinale nga SPAK për t’u marrë si provë në hetimin e dosjes së ’21 janarit’. Sepse duhet të kuptohemi, Berisha nuk lëshon ‘pe’ asnjëherë falas! Diçka përfiton, ndaj ka ngritur, sikurse thonë ‘gojët e liga’, dhe një media të familjes, përmes të cilës ‘dorovit’ sa andej këndej kundërshtarët e vet! Apo ku flasin dhe të ‘penduarit’. Nuk i shpëton gjë Berishës, është ‘skile’ e vjetër ai! Të shtrydh mirë e mirë, nuk të lejon në ‘pronën’ e vet që të luash me dy porta dhe të dyzuarin! Prandaj kemi dyshime dhe frikë se mund të rrëzohet si provë nga prokurorët incizimi audio, për të mos u përdorur në hetimin e gjykimin e masakrës së 21 janarit, me pasojë 4 viktima. Të vrarë nga shteti! Sepse Berisha nuk pranon asgjë, s’toleron asnjë, e për pasojë shkon dëm dhe një mundësi për një provë shtesë për 21 janarin! Jo se s’ka prova! Dhe ato që janë deri më tani, mjaftojnë për të bërë një hetim të plotë!

Jemi me të vërtetë dyshues nëse ndonjëherë mund të zbardhet dosja e 21 janarit 2011, kush ka dhënë urdhër që Garda e Republikës të qëllojë mbi turmën, dhe a do të hetohen e gjykohen urdhërdhënësit e hierarkisë më të lartë të shtetit të asaj kohe, sipas vendimit të Gjykatës së Strasburgut që kërkon me detyrim përcaktim vënien para akuzës të kupolës së asaj kohe! Të shpresojmë! Megjithëse ia vlen të përsëritet fakti se zbardhja e vrasjeve të 21 janarit janë ‘testi’ numër një për drejtësinë e re shqiptare! Kjo pritet nga shqiptarët, kjo pritet nga ndërkombëtarët. Ndryshe dhe sikur tërë qeverinë e kësaj kohe dhe të asaj kohe të fusësh në burg dhe të lësh 21 janarin jashtë, nuk quhet drejtësi e bërë në këtë vend! Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë! ‘21 janari’ ka qënë dhe është test për SPAK e GJKKO që në krye të herës dhe në vijim! Sado që ta zvarrisin me ‘artifica’ dhe lojë ‘ping pongu’!

‘Coli’ 82-vjeçar që ëndërron qylin

10 February 2026 at 22:44

Nga Jakin Marena

Partia Demokratike, bashkë me partitë aleate traditcionale opozitare dhe në mungesë të partive të reja që garuan në zgjedhjet e fundit parlamentare të 11 majit, doli në shesh ditën e sotme, për të realizuar protestën e paralajmëruar! Të cilën e quan ‘kryengritje paqësore’!

Siç ishte parashikuar, nuk kishte ndonjë pjesëmarrje e madhe në këtë tubim, pavarësisht shifrave të shumëfishuara që jep lideri demokrat Sali Berisha, njeriu më i dëshpëruar për të nxjerrë njerëz të shesh, e për të treguar se ai komandon një grusht njerëzish në të gjitha herët, që gjithsesi nuk sjellin asnjë lloj shprese për të realizuar ëndrrën në ‘sirtar’!

Themi se Berisha është më i dëshpëruari, pasi, ndonëse edhe vetë e di si dreqi se askush nuk ka ardhur në pushtet përmes protestave në këto 36 vite post-komunizëm në Shqipëri, sërish përdor të njejtën rrugë pa krye për të bërë opozitë, për të marrë në mënyrë utopike një rezultat të ndryshëm nga ajo që ka marrë sa herë që është mbështetur tek protestat në rrugë.

Një ‘film’ ky i parë, sa herë që Berisha ka qënë në opozitë me një fjalë! Por ama një ‘film’ që luhet për interesin madhor të Berishës dhe të familjes së tij! Ish kryeministri ka halle të mëdha, me drejtësinë teksa ka një numër të madh dosjesh në ngarkim për t’u hetuar dhe gjykuar, duke filluar nga shpërthimi i Gërdecit, ku ‘poqi’ të gjallë 26 njerëz të pafajshëm teksa shpërthyen municionet e ushtrisë, akuzat thonë se kanë qënë biznes i të birit Shkelzen, si dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, po të pafajshëm. Duke vijuar me vrasjen e 4 demonstruesve të pafajshëm të opozitës, në bulevardin qëndror të Tiranës përballë kryeministrisë me 21 janar 2011, dhe përfunduar me dosjen e aferës “Partizani’ dhe hetimin e pasurisë së tij e të familjes!

Ka dhe halle të tjera Berisha, pasi u shpall ‘non grata’ nga SHBA dhe Britania e Madhe sa ishte deputet i thjeshtë për korrupsion madhor, minim të demokracisë e shantazhim të drejtësisë, duke u detyruar të rikthehet nga pensionimi politik, të dëbonte Bashën nga kreu i PD e të rimerrte dhe zyrtarisht postin e kryetarit të PD dhe opozitës. I kushtoi për më tepër, miliona dollarë dhe euro, teksa është nën hetim për paratë e “Foltores’ por dhe për lobimin në SHBA për heqjen e ‘non gratës’!

U detyrua që në pleqërinë e thellë të marrë udhët për të bërë opozitë në këtë vend, në përpjekjen e tij titanike për të shpëtuar familjen nga përballja me drejtësinë e në fund të herës, përballja me qelitë e ftohta të burgut! Nuk ka lënë presion pa bërë në drejtim të drejtësisë së vjetër dhe të re, me të njejtën gjatësi vale, duke marrë po me të njejtën gjatësi vale, ‘frytet’ e dëshiruara! E themi këtë, sepse me ato zullume që ka bërë gjatë viteve që ka qënë në pushtet por dhe në opozitë, në një vend normal me drejtësi normale, Berisha duhej të ishte me kohë dhe vakt i dënuar sëpaku!

Por prokurorët dhe gjyqtarët e posaçëm, ndonëse me qytetarët dhe mazhorancën socialiste janë ‘tigra’ e ‘tigresha’, përballë Berishës tkurren në atë farë feje, sa për të qënë të kursyer në epitete fjala më e butë që mund të themi është se, ata nuk njihen pasi janë shndërruar në mace të lagura që as për të mjaullitur s’mjaullijnë dot! Dhe nganjëherë drejtësia jonë në tërësi, nga presioni i Berishës për të lehtësuar akuzat ndaj tij e familjes por dhe për të rënduar vendimet gjyqësore kundër Ramës, kundërshtarit politik, si një ‘dorë ndihme’ në favor të liderit të PD për të rrëzuar nga pushteti këtë mazhorancë, shfrytëzohet vende vende dhe ‘harresa’ e ‘zinxhirit’ hapur , e ku nga shpeshtësia e kësaj ‘harrese’, varet dhe kushtetueshmëria e vendimeve në sallën e gjyqit, që po e dërgojnë këtë vend në shtigje antikushtetuese e antiqytetare, të pamenduara as nga ata që kanë hedhur votën dhe po hedhin lekë pafund për të mbajtur me trajtim ‘Ajaksi’ këto njerëz të drejtësisë që na morën erzin para shqiptarëve, para ndërkombëtarëve e përpara Zotit!

Por që, zgjidhja e vetme që mendojnë shumica e shqiptarëve, është fakti që të dërgohet në ‘habitatin’ e vet nga ku janë marrë kushedi se pse, të gjithë këta njerëz të padenjë të drejtësisë, që po e katandisin Shqipërinë, në një vend pa drejtësi por dhe të pajetueshëm, ku askush nuk e ka për gjë të të dërgojë në qeli, thjeshtë e vetëm e vetëm me një perceptim për të të ‘harruar’ në paraburgim! Duhen urgjent ndryshime ligjore, por ama në versionin ‘shqip-shqip’ që të mos ketë mundësi askush të abuzojë me artificat ligjore në këtë vend!

Njëherësh duhen lënë mënjanë dhe ‘artificat’ nga deputetët e vetë shumicës, që ka pritur deri më tani, duke i zvarritur pafund gjërat!
Pavarësisht këtyre lehtësive që ka përfituar nga gjuha e ashpër ndaj drejtësisë së re në këtë vend, duke mbetur mbi të gjitha familjarisht jashtë qelive të burgut si dhe jashtë ‘radarëve’ të të drejtësisë për akuzat e mëdha, për dosjet e të cilave ende nuk është pyetur, sërish Berisha proteston, pasi ka halle të tjera!

Ai kërkon që të ruajë primatin mbi PD dhe mbi opozitën, pasi demokratët duke parë se kreu aktual i PD nuk mbledh më njerëz, kanë vendosur t’i bashkohen në takime të parit demokrat që merr iniciativën për ta kundërshtuar, qoftë dhe për ta rivalizuar Berishën në garën për kreun e opozitës! Si në rastin aktual, Ervin Salianjin, duke treguar qartë dhe saktë se në çfarë derenxheje është katandisur PD, teksa quan Salianjin, më të aftë për të drejtuar PD-në, se sa Sali Berishën dhe lidershipin aktual demokrat që kanë uzurpuar partinë!

Herë deklaron se do të bëjë revoltë për të përmbysur qeverinë e Ramës dhe për të sjellë një qeveri teknike me afat sa më të gjatë me qëllimin final sipas tij, për të përgatitur zgjedhje të reja, të lira dhe demokratike, herë deklaron se do të bëjë protestë, herë kryengritje paqësore (vetëm Berisha arrin ta shqiptojë edhe ta shpjegojë këtë kontradiktë) dhe herë demonstratë përballë kryeministrisë! Të gjitha me emëruesin e përbashkët, rrëzimin e Ramës!

Deklarohet në mëngjes kundër SPAK dhe GJKKO që e thërrasin dhe po zvarriten shumë madje, duke u marrë me dosjet e tij të rënda, ndërkohë që pas mesdite akuzon Ramën, kundërshtarin e tij, se po ushtron presion po ndaj SPAK, për të lënë jashtë hetimit zv.kryeministren, Balluku! Janë të habitshme këto deklaratat e Berishës, herë kundër e herë pro drejtësisë, pa u skuqur fare!

Madje edhe Gjykatën Kushtetuese e sulmon pa hezitim, aq sa e ka katandisur këtë të shkretë gjykatë, në atë farë faje sa të arrijë që, të marrë edhe vendim për të mos marrë vendim, si në rastin e shqyrtimit të ankesës së kryeministrit Rama për pezullimin nga ‘paketa’ SPAK-GJKKO të numrit dy të qeverisë! Berisha ia uli ‘qepenin’ dhe Kushtetueses, ndoshta të vetmes gjykatë që i kishte rezituar deri tani vonë presionit politik, duke dhënë vendime të drejta! Mori fund dhe kjo gjykatë, e cila është dhe ‘stacioni’ i fundmë në Shqipëri për të intepretuar Kushtetutën e vendit!

Berisha proteston këtë të martë, duke paralajmëruar se do ta ‘rëndojë’ një çikë dorën, pavarësisht se në fund të herës tek molotovi mbi kryeministri apo dhe mbi Parlament do të përfundojë! Duke tentuar të tensionojë deri diku situatën, por dhe të ‘provojë’ e ‘testojë’ nëse policia do të përdorë gaz lotsjellës të saktë apo të skaduar. Si dhe të tregojë se është vetë Berisha në krye të opozitës!

Por në protestën e kësaj të marte, më 10 shkurt, na habit fakti për simbolikën që ka përdorur, pra pse pikërisht ka përzgjedhur këtë datë që të demonstrojë në krye të opozitës në sheshin qëndror të kryeqytetit, përballë kryeministrisë duke kërkuar largimin e Ramës dhe qeveri teknike! Kishte 20 shkurtin ditën e rrëzimit të bvutit të diktatorit Enver Hoxha të ‘gatshme’ me simbolikën më të munmdshme të përshtatshme për të bërë këtë protestë. Por zgjodhi 10 shkurtin!

Ata që janë më të rinj në moshë, mund të mësojnë se 10 shkurti i këtij viti shënon 84 vjetorin e themelimit të organizatës ‘Djemtë e Bashkuar Anëtarë të Idealeve Komuniste’, e cila në terminologjinë historike të Shqipërisë ka hyrë me emrin “DEBATIK”! Ishte një organizatë për fëmijët e adoleshentët e krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, nën kujdesin e Partisë Komuniste të Shqipërisë.

DEBATIK u themelua më 10 shkurt 1942 nga një grup fëmijësh të moshave nga 10-14 vjeç të cilët u grumbulluan tek kodra e Saukut dhe krijuan Organizatën e tyre. Betimi i tyre para flamurit ishte solemn dhe lidhën besën për luftë kundër armikut dhe bashkëpunëtorëve të tij, pushtuesve fashist italian. Organizonin këto gjërat e vogla, në ndohmë të luftës!

U bë dhe një film për themelimin e kësaj organizate fëmijësh e adoleshentësh për të evidentuar rolin e kontributin e tyre në ndihmë të luftës për çlirimin e vendit! Ka qënë për shumë e shumë vite, madje vijon dhe sot, idhulli i kalamajve personazhi i filmit “Debatiku”, Coli i vogël, thirrja për të teksa vritet në një aksion, u kthye në legjendë, një nga filmat shqiptarë më të realizuar në fakt, në Shqipëri! Që asokohe, në literaturën e kohës, thuhej se “Coli’ frymëzoi shumë fëmijë e të rinj për të ecur në rrugën e kalamajve që ndihmuan luftën!

Përzgjedhja nga Berisha e datës 10 shkurt, në përvjetorin e 84 të themelimit të “Debatikut”, për të organizuar protestën e radhës, ‘revolucionin’ e radhës që do të rrëzojë Ramën dhe do të sjellë qeverinë teknike, mbetet vërtetë i pashpjegueshëm! Për më tepër lidhja me ‘Colin’ e vogël, pasi Berisha është në ‘metrat e fundit’, për shkak të moshës!

Kanë nisur të japin shumë shpjegime për këtë përzgjedhje të Berishës! Disa thonë se i ka mbetur në memorje kjo gjë, për shkak se ka mbajtur për 27 vite, deri në shkurt 1991, teseren e PPSH, dhe i është fiksuar në memorie kontributi i fëmijëve gjatë luftës dhe Coli i vogël, idhulli i kalamajve të asaj kohe, roli kryesor në filmin “Debatik’! Disa të tjerë i qëndrojnë mendimit se Berisha është frymëzuar nga fëmija pjesëmarrës në protestën e fundit para kryeministrisë, ky fëmijë ishte nga zona e Bregut të Lumit, i cili u ndalua nga policia dhe u lirua pasi erdhi familja për ta marrë nën kujdes! Ka të tjerë që thonë se Berisha kërkon të mobilizojë demokratët përmes rikthimit në memorien e shqiptarëve të kësaj dite të rëndësishme për Shqipërinë, kur gjatë luftës u mobilizuan dhe fëmijët në funksion të çlirimit të vendit! Ndoshta e mendon verten si “Coli’ i vogël, pasi dhe mosha e bën të vetën!

Duke qënë se Berisha në realitetin e tij paralel është në ‘luftë’ me të gjithë, për të rrëzuar Ramën po me ‘kryengritje paqësore’, pasi me votë e ka povuar për 13 vite me radhë dhe jo vetëm që nuk erdhi në pushtet, por PD bie nga 250-300 mijë vota në çdo palë zgjedhje, mendon se duke bërë ‘kryengritjen’ ditën e “Debatik’ të arrijë të sjellë qeverinë teknike, të marrë gjysmën e kësaj qeverie qyl dhe të shkojë sa të shkojë! Mjafton ta quaje ‘rikthim’ për herë të tretë, qoftë dhe nën hyqmin e PS, nëse Rama vë ‘dorën’ në zemër, por që janë të pamundura gjasat që të ndodhë! Pasi lumi nuk kalon dy herë në të njejtat brigje!

Për realitetin e tij paralel, nuk e ka keq! Por është e pamundur të realizohet, pasi mazhoranca ka në rastin më të keq 83 mandate e në rastin më të mirë 86 mandate në Kuvendin me 140 deputetë! E mbi të gjitha, kjo mazhorancë ka përballë një Berishë ‘non grata’ në SHBA dhe Britani që nuk i shkel asnjë ambasador në derën e selisë së PD, një Berishë nën hetimin e SPAK e mbi të gjitha në një pleqëri të thellë, ku pavarësisht se bën si “Coli’ i vogël i “Debatik’, koha politike për të ka përfunduar. Madje ka përfunduar me kohë e vakt, ndërkohë që PD e ka të garantuar qëndrimin në opozitë, sa kohë që “Coli’ 82 vjeçar të jetë në krye të kësaj partie dhe opozitës!

Truprojat dhe pagat, pse drejtësia po cënon imazhin e Shqipërisë në BE

6 February 2026 at 08:55

Nga Jakin Marena

Publiku shqiptar është përballur këto ditë me dy ngjarje të forta, të cilat kanë lidhje me drejtësinë, trajtimin e saj nga ana e shtetit shqiptar, por që kohët e fundit kanë shkaktuar debat publik!

Bëhet fjalë për kërkesën e shoqatës së gjyqtarëve, të cilët kanë kërkuar rritje astronomike të pagës së tyre mujore! Një kërkesë e tillë ka sjellë reagimin e kryeministrit Edi Rama, i cili e ka cilësuar një përpjekje për t’iu imponuar qeverisë, e cila përcakton buxhetin për pagat, përpjekje kjo përmes vendimeve të gjyqësorit, që për të është e papranueshme!

Për më tepër që kreu i qeverisë shqiptare e ka cilësuar këtë kërkesë si absurde, ndërsa është shprehur se gjyqtarët nuk kanë qënë në lartësinë e ligjit për kryerjen e punës së tyre, aq shumë e ndërlidhur dhe me integrimin e Shqipërisë në BE.

Madje Rama ka pyetur këtë shoqatë, nëse “për shqelmimin e vazhdueshëm si askund në Europë të prezumimit të pafajësisë e kthimin e arresteve me burg pa gjyq në një praktikë rutinë, e cila e ka njollosur Shqipërinë botërisht, duke na renditur si dele të zezë në bisht të kontinentit europian dhe kthyer në subjekt publik shqetësimi të Komitetit të Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës, a keni ndonjë gjë për të deklaruar?!”

Kjo ka sjellë një përplasje të fortë, duke përfshirë në debat jo vetëm publikun dhe opozitën, por edhe shoqatën e prokurorëve, të cilët janë vënë në mbështetje të gjyqtarëve që kërkojnë paga astronomike, në kundërshtim me skemën e rrogave në Shqipëri, duke përmbysur tërë piramidën e pagave e duke dalë madje dhe mbi Presidentin e Republikës!

Në perceptimin tonë, gjyqtarët dhe prokurorët janë të mirëpaguar, konform nivelit të pagave në Shqipëri! Madje sistemi i drejtësisë ka dalë dhe mbi sektorë të tillë si shëndetësia, arsimi, policia, këto të fundit për hir të së vërtetës, në vendet e rajonit por dhe në vendet e BE ku po kërkojmë të integrohemi, qëndrojnë në ‘majën’ e piramidës së më të paguarve për shkak të rëndësisë që kanë për jetën e qytetarëve! Sepse janë në shërbim të qytetarëve ‘non stop’ për jetën, ecurinë për të tashmen dhe të ardhmen e tyre!
Ndërkohë që prokurorët e gjykatësit, ndonëse kanë trajtim të jashtëzakonshëm në paga, madje dhe mbi takatin e buxhetit të shtetit në Shqipëri, një sforcim financiar ky për të arritur të bëhet drejtësi në këtë vend, deri më tani ende nuk kemi parë të ketë ndonjë ndryshim madhor në dhënien e drejtësisë!

E themi këtë, pasi mbushja e burgjeve me të paraburgosur të akuzuar për vepra të ndryshme penale, nuk është drejtësi e bërë deri më tani! Janë thjeshtë masa drastike, që më tepër kanë prodhuar lajme e ‘telenovela’ nëpër mediat shqiptare se sa drejtësi, problem ky që ka shqetësuar edhe zyrtarët e lartë të BE-së si dhe Këshillin e Evopës për shkeljen e të drejtave të njeriut të Shqipëri! Ka raporte për këtë, por dhe vendime të Gjykatës së Strasburgut për këto shqetësime!

Duke u rikthyer tek fillimi, pra kërkesa e gjyqtarëve për rritjen e pagave, ajo që mund të themi është se kryeministri Rama ka të drejtë në kundërshtinë e tij. E themi këtë, sepse jo se mungon dëshira për të rritur pagat, çdo qeveri ka dëshirë të rrisë pagat për të gjithë qytetarët e saj, por sepse precedenti i krijuar nga kjo mënyrë rritje pagash është shumë më i rrezikshëm se sa shuma që mund të dalë nga arka e shtetit. Nëse trupa gjyqësore arrin që të vendosë vetë rrogat e veta përmes vendimeve gjyqësore, të cilit nivel gjyqësor qoftë ky vendim, atëherë bie parimi i ndarjes së pushteteve. Drejtësia kalon konturet e pavarësisë, duke u kthyer në një shtet brenda shtetit!

Pra, ndarja e pushteteve pushon së ekzistuari. Sepse arrihet në precedentin tepër të rrezikshëm ku gjykata bëhet njëkohësisht edhe palë dhe arbitër. Kjo asesi nuk mund të quhet dhe as nuk është pavarësi gjyqësori, por është një konflikt i hapur dhe i pastër interesi, që kthehet në sistem apo ‘institucion’. Duke shërbyer më pas si precedent, që do t’i hapte derën kujtdo, që në mënyrë të pavarur mund të godasë pagën në gjykatë dhe të marrë në mënyrë të pavarur një copë vendimi në dorë për ta pasur si bazë për pagën! Ndërsa qeveria, Parlamenti dhe institucionet e tjera që përcaktojnë pagën, ekziston rreziku real që të kthehen në spektatorë apo apendiks të drejtësisë, e cila me vendimet e saj cakton pagat e veta, si një strukturë jashtë orbitës së shtetit!

Praktikisht, në asnjë demokraci sado e thjeshtë qoftë apo funksionale, politika e pagave nuk caktohet nga gjykatat, por caktohet nga parlamenti, sepse parlamenti mban përgjegjësinë për buxhetin. Dhe në fund të herës, kush përpiqet ta anashkalojë këtë rrugë, nuk po mbron drejtësinë, por po minon rendin kushtetues.
Ndërkohë që, në betejën për paga, drejtësia jonë e re rrezikon rëndë që të harrojë një detyrim më të madh, për të cilin është ngritur dhe për të cilin paguhet rëndë madje, atë ndaj Shqipërisë si shtet ligjor. Ka një moment në ecurinë e çdo shteti kur duhet të zgjedhë, nëse institucionet e tij janë shërbëtorë të ligjit apo shoqata të privilegjeve. Ajo që mund të themi është se Shqipëria po i afrohet rrezikshëm këtij momenti të fundëm, që mund të shkatërrojë tërë ngrehinën e besimit të shqiptarëve tek drejtësia e re. Sikurse ndodhi në Rumani e Kroaci!

Nuk po hyjnë më tej në faktin se kush është kupola drejtuese e kësaj shoqate gjyqtarësh, të cilët janë të shquar për goditje vetëm majtas, në spektrin e politikës shqiptare! Pasi kjo shoqatë e gjyqtarëve që janë vënë kundër qeverisë drejtohet nga një grup gjykatësish që në karrierën e tyre të shkurtër, kanë dënuar vetëm drejtues të qeverisë qendrore e lokale aktuale. Në vetëm 5 vitet e fundit, ata kanë dënuar me burg nga Erion Veliaj, te Arben Ahmetaj, Lefter Koka e Vangjush Dako. Ndërsa kanë të pandehur shumë deputetë, ish ministra, zv.kryeministër dhe ministra e kryetarë të bashkie të majte. Ndërsa, i vetmi person të cilit ata i kanë lehtësuar masën, është dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi. Duke përfshirë dhe vetë Sali Berishën brenda, që e nxorën nga arresti shtëpiak, në atë detyrim paraqitje si dhe i zvarrisin me ‘kilometra’ dosjet, nën hetim! Emrat i keni në google, nëse dikush është i interesuar për t’i ditur!

Ndërkohë që një problem tjetër ka nisur të dalë në sipërfaqe, ku në krye të ‘axhendës’ së kërkesave të pjestarëve të drejtësisë së re qëndron kërkesa për shtimin e truprojeve për mbrojtjen e jetës së prokurorëve të posaçëm ose jo dhe familjarëve të tyre! Është një e drejtë që buron nga ligji, por dhe nga puna e tyre, që në parim mendohet se gjendet nën kërcënim!

Kështu disa prokurorëve të SPAK u janë shtuar masat e sigurisë pa asnjë shpjegim publik për arsyet e rrezikut që u kanoset. Pasi duhet një shpjegim konkret, pasi ajo që na duket si shumë problematike është mënyra se si po trajtohet çështja e sigurisë së prokurorëve, pra. rritja e masave të sigurisë për të gjithë ata që hetojnë krimin e organizuar e korrupsionin e lartë, që në pamje të parë është tepër e justifikueshme. Pasi po përballen me elementë të inkriminuar!

Por ka një lëmsh në mënyrë se si po përcillen në publik, kërkesa për rritjen e mbrojtjes, koha dhe momenti kur po kërkohet kjo rritje truprojash dhe pashpjegueshmëria, pse po kërkohet një shtim i tillë drastik i masave të sigurisë!

Po marrim rastin më të fundit! Një nga prokurorët e posaçëm për të cilët është shtuar mbrojtja është edhe Dritan Prençi, i cili trajton çështjen e hetimit ndaj zv.kryeministres, Balluku, një mënyrë reale për të përcjellë perceptimin në publik sikur prokurorët e SPAK po ‘këputen’ rëndë duke hetuar numrin dy të qeverisë, duke formatuar 16 mijë faqe të dosjes ndaj saj dhe mbi të gjitha duke përballuar, sipas tij, ‘presionin’ e zv.kryeministres! Është një shërbim imazhi i pajustifikueshëm për prokurorët tanë, të cilët për hir të së vërtetës s’kanë pasur ankesa konkrete për kërcënime, ndryshe do t’i kishin bërë publike!

Për më tepër që Shqipëria, edhe për shkak të hapjes së të gjithë kapitujve të negociatave me BE për integrimin në Union, edhe për shkak se SPAK quhet ‘pjellë’ e Uashingtonit e Brukselit dhe vetëm paratë paguan qeveria shqiptare për të, pra për të gjitha këto, Shqipëria është një vend që monitorohet deri në detajet më të imta nga partnerët tanë BE dhe SHBA, s’ka pothuajse asnjë shans real që një ministre në detyrë të ketë kërcënuar drejtpërdrejt një prokuror. Jemi vend aspirant për në BE dhe jo vend me demokraci të rrezikuar që të kërcënojë ministri, një prokuror! Nëse është kërcënuar. ta bëjë publike, t’i fusë dhe një akuzë me fakte kuptohet, për kërcënim për shkak të detyrës, dhe ta rëndojë juridikisht autorin e kërcënimit deri në themel!

E themi këtë sepse, kur shtohen masat e sigurisë pa asnjë lloj sqarimi zyrtar, në popull por dhe në qarqet ndërkombëtare krijohet një situatë e rëndë e një mesazh i nënkuptuar, sikur rreziku për këta prokurorë vjen zyrtarisht nga pushteti e shteti, dhe pse kjo deri më tani s’na rezulton të jetë e vërtetë, por ama rrezikon të dëmtojë në këtë mënyrë imazhin e Shqipërisë, në këtë moment negociatash! Pasi, një vend që po punon fort për integrimin në BE por dhe kërkon krijimin e një klime të favorshme për thithjen e investimeve serioze të partnerëve tanë të mëdhenj, nuk mund të paraqitet në publik dhe arenën ndërkombëtare, me probleme të tilla ku prokurorët kanë nevojë për mbrojtje nga politika e zyrtarët e lartë të shtetit. Pra që janë nën kërcënim nga shteti!

Qofshim të gabuar, por përpjekja që në krye të herës nga ana e prokurorëve të SPAK për të paraqitur veten si të ngërthyer në një luftë për jetë a vdekje me qeverinë, tregon se është pjesë e përpjekjes për të krijuar një imazh të rremë e të rrejshëm, se janë nën kërcënimin me jetë të politikës! Duket sikur një kompani mirëfilli imazhi po punon fort në këtë drejtim, për krjimin e këtyre perceptimeve aspak të vërteta, për të prodhuar lajme e mbajtur me këtë ‘ushqim’ mediat e për më tepër publikun e etur për ‘telenovela’ dhe teori konspiracioni!

E themi këtë pasi dhe në momentin e fundëm të prezantimit të kreut të ri të SPAK, më shumë se sa platforma e tij, dihej se Braho do të pasonte Dumanin, bëri lajm nxjerrja nga çanta e shishes personale të ujit, gotës plastike për t’i vënë në tryezë si dhe mënyrës ceremoniale të këtyre veprimeve.E bëri në mënyrë aq ceremoniale e të përpiktë këtë veprim, duke shfrytëzuar audiencën brenda dhe jashtë vendit, kujtojmë se ishin disa ambasadorë prezentë, sa u duk si një veprim ‘protokollar’ tepër i studiuar për bërë “PR’, dhe për të tërhequr vëmendjen që në krye të herës se këta prokurorë punojnë në kushte ekstreme rreziku, aq sa dhe një gotë plastike uji, larg qoftë do t’i helmonte! Dikujt ndoshta iu duk dhe gallatë, por dëmi ishte tmerrësisht serioz!

Ishte një aktrim i gjallë, me e pakta që mund të themi për këtë veprim dhe për veprime të tjera! Pavarësisht se një pjesë e këtyre prokurorëvë, më të shumtit shkojnë nëpër stadiume lirshëm, marrin pjesë në dreka e darka si gjithë të tjerët me miqtë dhe të afërmit e tyre pa prishur terezinë! Madje dhe hanë groshë me terezi nëpër këto lokale periferie me njerëzit e afërt të tyre, pa i parë askush kuptohet se duhet të tregohen trendi në sytë e publikut, pavarësisht se me groshë janë rritur, traditë kjo nga vendet nga vijnë! Dhe mirë bëjnë, madje t’i shtojnë vaktet e konsumuara!

Ndërsa një pjesë e prokurorëve kërkojnë masa të shtuara sigurie kur kanë në dorë dosje të zyrtarëve socialistë, ata prokurorë që janë vënë nën kërcënimet me libër shpie nga ana e Berishës pasi po hetojnë dosjet e tij dhe familjarëve të tij, nuk kanë kërkuar masa të shtuara! Përfshirë këtu dhe Altin Dumani, i cili si kryetar ka qënë ‘shoqërues’ prokurorësh për shumë dosje! Nuk dimë, nëse nuk e konsiderojnë Berishën, e quajnë të parrezikshëm apo është ndonjë element tjetër që nuk ‘frikësohen’ prej tij! Se Berisha ka dhënë prova në fund të herës se është një çikë si i rrezikshëm! Apo i bijmë këtyre socialistëve që janë të butë! Nuk e kemi kuptuar se përse Dumani, pasi iku nga posti i kryetarit të SPAK kërkoi shtim truprojash!

Për më tepër që Shqipëria nuk ka prodhuar mafiozë, pavarësisht se për t’i dhënë forcë lajmit themi se u kap ky apo ai mafioz, kërcënoi ky apo ai mafioz.

Shqipëria ka banda keqbërësish, hajdutësh, trafikantësh, batakçinjsh, që vetëm mburren por janë minorë krahasuar me mafizët ‘institucionalë’ me papion në Itali e gjetkë! Madje këta ‘çerrat’ tanë, nuk kanë as kod nderi, pasi punojnë për të gjitha palët, ngacmoijnë gratë e njëri tjetrit! Këtë e thonë përgjimet e zbardhura nga agjencitë e huaja sëpaku! S’kemi atë lloj mafie që mund të ekzekutojë gjyqtarë, siç ka ndodhur në Itali me ekzekutimin e gjyqtarëve Giovanni Falcone e Paolo Borsellino. Që për hir të së vërtetës ishin gjyqtarë jo prokurorë! Dhe te ne u vra në sallën e gjyqit fatkeqësishtr një prokuror, thjeshtë e vetëm për mungesë sigurie!

Dhe drejtësia në Shqipëri, prokurorë e gjyqtarë nuk janë si ata të anti-mafias italiane, pavarësisht se me këto kërkesat për shtim truprojash, kërkojnë të bëjnë si ata, t’i imitojnë ata, duke ecur rëndë si ata, për të shkuar deri dhe në stadium deri te dera me truproja, çka nëse do të ishin nën kërcënim real do të kishin qënë kërcënim për tifozët e kombëtares sonë apo ekipeve të superligës! Shqiptarët e kanë treguar se vdesin që të duken një çikë si ‘sherifë’, me shumë truproja, veshje luksoze dhe duke imituar homologët e tyre të famshëm! Që nga shtetarët e deri tek këta çerrat e drejtësisë, gjyqtarë e prokurorë! Një ‘sindomë’ që ka kapur dhe kandidatin për kryeministër në ekzil Pilinçin, i cili si punë të parë në ‘turin’ e tij për t’u bërë kryeministër mori dy makina shoqërime plot me truproja. Për t’u dukur një çikë si shtetar i madh, me shumë rëndësi që i rrezikohet dhe jeta madje! Në një nivel janë shqiptarët, me plus minuset për secilin!

Ne nuk kemi as mafie e mafiozë dhe as drejtësi të niveleve të larta deri më tani, thjeshtë kemi disa karagjozë që duan të duken, dhe përmes truprojave e elementëve të tjerë të rremë! Është e udhës që institucionet përkatëse të vendosin një kornizë me të vërtetë ligjore, për t’i dhënë fund këtyre përpjekjeve që jo vetëm po dëmtojnë drejtësinë, por dhe po na marrin erzin në sytë e aleatëve tanë, SHBA e BE. E mbi të gjitha na dëmtojnë imazhin në rrugën e integrimit në BE!

Rama me Trump, Berisha poshtërohet në Strasburg e drama në PD

29 January 2026 at 19:20

Nga Jakin Marena

Ftesa e presidentit amerikan Donald Trump për kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama, për të qënë pjesë e Bordit të Paqes të themeluar prej tij, jo vetëm që ka destabilizuar kreun demokrat Sali Berishën por ka dekurajuar rëndë PD-në si dhe tërë opozitën shqiptare!

Ndonëse Rama mungoi me ‘lejen’ e vetë Trump në hedhjen e firmës në Davos, për të bërë mikpritësin për vajzën e preferuar të presidentit amerikan, Ivanka Trump, publikimi këtë javë në adresën zyrtare të Trump të postimit për ‘Bordin e Paqes’, përmes të cilit presidenti amerikan shprehet se “mirëpret Shqipërinë si anëtare themeluese të organizatës sonë ndërkombëtare në rritje”, ndërsa grafika shoqëruese përmban simbole shtetërore dhe flamurin shqiptar, me sa duket i ka dhënë fund teorive konspirative me të cilat Berisha, bashkëpunëtorët e panelistët e tij, mbajnë me gajret PD e opozitën se, Edi Rama është në ‘kilometrin e fundit’ të largimit të tij nga pushteti, me ndihmën e SHBA-ve!

Aq më tepër që kreu i PD, duke qënë se e njeh mirë ‘lojën’ diplomatike, e di si dreqi se Rama, maksimumi në fillim të pranverës, do të jetë në Shtëpinë e Bardhë ku në prezencë të presidentit Trump do të firmosë zyrtarisht pjesëmarrjen në ‘Bordin e Paqes’, si përfaqësues i Shqipërisë, madje teksa ka marrë edhe votat e deputetëve të PD e të opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe është pajisur me autorizimin e Presidentit, për të firmosur në emër të vendit tonë!

Duke shtuar këtu dhe vizitën e suksesshme të Ramës në Izrael, pritja e veçantë që iu bë kreut të qeverisë shqiptare nga ana e homologut të tij Netanyahu, aq më tepër me fjalimin historik të tij në parlamentin izraelit, janë të rrallë ata që mbajnë fjalën në Knesset dhe i fundit ishte presidenti amerikan Trump, tregon qartë se kredecialet diplomatike të Edi Ramës me udhëheqësit më të rëndësishëm botërorë, pra me dominuesit e ‘shahut politik’ në botë, janë tepër të larta!

Teksa Berisha dhe të tijtë ishin nën trysninë e këtyre zhvillimeve politike, aspak ngushëlluese për PD dhe opozitën, si dhe faktit që deklaratat e forta të Berishës dhe mbështetësve të tij në protestën e 24 janarit para kryeministrisë se “Rama është në kilometrin e fundit politik’ nuk po merren aspak seriozisht nga askush, madje po përcillen me ironi, Berisha zgjodhi që të lëvizë me urgjencë jashtë vendit!

Si gjithnjë kur është ngushtë e s’ka çfarë të thotë para mbështetësve të tij!
Vizita këtë radhë e Berishës në Strasburg, si anëtar zëvendësues në delegacionin e parlamentit shqiptar pranë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, na kujton kohën studentore, teksa për mungesë financash në atë kohë të vështirë kur komunizmi po jepte shpirt dhe mungesat ishin gjithandej, shfrytëzohej në mensën studentore vetëm një ‘latë’ për t’u ushqyer dy vetë! Pra shfrytëzohej vetëm bursa e njërit student, nëse kishe fatin të kishe të afërm me bursë shteti!

Kështu dhe Berisha, në vizitën e tij të fundit në Strasburg! Ai ka shkuar privatisht, pasi zyrtarisht PD përfaqësohej edhe këtë herë, si zakonisht, nga deputetja Albana Vokshi. Urdhëri i firmosur nga kryeparlamentari Niko Peleshi, tregonte qartë se pjesë e delegacionit shqiptar janë vetëm kryetarja e delegacionit Olta Xhaçka, anëtaret Ogerta Manastirliu, Iris Luarasi e Albana Vokshi, si dhe sekretari i delegacionit dhe stafi mbështetës teknik. Atyre u paguhen shpenzimet!

Por Berisha udhëtoi me Vokshin privatisht si ‘paketë’, mori pjesë në disa takime po privatisht, herë duke zëvendësuar deputeten e tij dhe herë duke u vërtitur korridoreve, nën filmimin e Vokshit, një histori kjo që po na rikthen shumë mbrapsht në kohë, në përpjekjet e politikanëve shqiptarë në shekullin e kaluar, për t’i zënë pritë ndonjë zyurtari të lartë të huaj, sa për një foto, që ta paraqiste për konsum të brendshëm politik në Shqipëri!

Berisha, për fatin e tij të keq, por dhe për fatin e mirë të shqiptarëve dhe të Shqipërisë, jo vetëm që nuk mbajti asnjë fjalim zyrtar për të derdhur lumin e akuzave ndaj vendit të vet, në atë procesin e nxirjes së Shqipërisë para botës duke e paraqitur si një ‘narkoshtet’, një akuzë e tërthortë dhe ndaj SHBA, BE dhe Britanisë sipas të cilës vendet demokratike po mbështesin të akuzuarin e madh të tij, Edi Ramën si ‘kryeministrin e narkoshtetit’, por nuk arriti të takojë gjatë tre ditësve asnjë zyrtar sado minor në Strasburg me të cilin të bënte një foto! Kanë nisur t’i ikin me vrap Berishës! Madje dhe ta poshtërojnë, kur nuk arrijnë ta shmangin me të mirë!

Për herë të parë në këto ‘inkursionet’ private të Berishës në Strasburg, ai nuk ka arritur të kapë për të mbajur fjalim para tij kundër Ramës, asnjë eurodeputet, qoftë dhe të Partive Popullore Evropiane, ku PD bën pjesë si anëtare vëzhguese. Duke ia ndërprerë dhe kufizuar lumin e akuzave dhe nxirjes së Shqipërisë në sytë e botës vetëm koridoreve, tashmë që vërtetë Shqipëria është në metrat e fundit të anëtarësimit në Bashkimin Europian! E thonë vetë në BE këtë!

Madje Berisha, është lejuar të flasë vetëm dy minuta në Strasburg, ndonëse koha e parashikuar për ndërhyrjet e folësve është zakonisht më shumë 3 minuta. Ndërprerja erdhi pasi Berisha doli nga tema e debatit dhe e zhvendosi fjalën drejt akuzave politike për situatën në Shqipëri. Kreu i PD si gjithnjë, e cilësoi situatën në Shqipëri si “krizë zgjedhore”, duke vënë në dyshim lirinë e zgjedhjeve dhe duke i përshkruar ato si “farsë”. Ai akuzoi ‘shtetin-parti’ e ‘narkoshtetin’ për deformimin e procesit zgjedhor, duke pretenduar se krimi dhe droga kthehen në vota, të cilat më pas shndërrohen në favore politike e ekonomike e përdoren për të bllokuar drejtësinë.

Berisha në vijim përmendi drejtpërdrejt kryeministrin Rama, duke e akuzuar atë se ka penguar veprimet e prokurorisë lidhur me masat ndaj zv.kryeministres, si edhe duke e përfshirë në akuza që lidhen me çështje të tjera institucionale. Por pikërisht në këtë moment ‘ekstaze’ të Berishës, Presidentja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, i ndërpreu fjalën dhe ia kaloi diskutimin folësit pasardhës, duke vënë në dukje se Berisha kishte dalë nga tema e parashikuar e debatit.

“Faleminderit shumë. Mikrofoni gjithashtu është i fikur, nuk ka më përkthim. Faleminderit shumë. Para se të kalojmë te zoti Laszlo Veche, sepse ai kishte një listë tjetër, por tani mund ta marrë dhe ai është gati. Ju lutem, e keni fjalën”, është shprehur drejtuesja e seancës në Asamblenë e KiE. Teksa i ndërpreu fjalën kreut të, PD Berisha, i cili gjithsesi vijoi të ngrejë zërin e të flasë pa mikrofon, sië është mësuar në Shqipëri, me Vokshin në krah, të cilës i lexohej tronditja në fytyrë! Dhe vetëm kur drejtuesja e seancës pa në cepin e sallës nga forcat e sigurisë, që kërkonin një tundje koke për të ndërhyrë, Berisha ndaloi së mfoluri dhe u tërhoq! Në fakt ishte poshtërim për Berishën, dhe për hir të së vërtetës ne në ato ndërhyrje dhe prerje fjalë pamë tragjedinë e PD, e cila është peng nën kthetrat e këtij të moshuari, i cili ka veëndosur ta marrë me vete në amëshim partinë më të madhe opozitare!

Por Berisha nuk ndalet në realitetin e tij paralel! As ndërprerja e fjalës në Strasburg nuk e ka penguar që ndërhyrjen e tij ta përdorë për konsum të brendshëm politik. Kjo shpjegon dhe faktin se pamjet që Berisha i transmetonte nga holli i takimit në Asamblenë e KiE, filmoheshin nga Albana Vokshi, për të treguar se e kishin lënë të fliste në takimin e brendshëm. Pa menduar se ndërprerja poshtëruese e fjalës së Berishës në KiE do të ‘pushtonte’ mediat shqiptare!

Por ndërprerja e fjalës në Strasburg tregon se Berishës përfundimisht ia kanë hequr ‘vizën’ edhe europarlamentarët e PPE, aleatët e djathtë të PD që dominojnë Asamblenë Parlamentare të KiE, që e kanë mbështetur këtë parti në mënyrë të vazhdueshme! Duke treguar qartë se vetë ai, si kryetar i PD dhe opozitës, nuk është në ‘kilometrat e fundit’ por është në ‘metrat e fundit’ të karrierës së tij politike, si faktor relevant politik në Shqipëri! Faktor në luftën për vendin e dytë në ‘rang-listën’ e partive politike në Shqipëri, të kuptohemi, përballë Shehajt, Lapajt e Qorit, pa përjashtuar Lul Bashën! Pasi vendin e parë, atë të mundësisë së marrjes në dorë të qeverisjes së vendit përmes fitores në zgjedhje e ka qarë me kohë dhe vakt, pa asnjë shpresë për të ardhmen, sa kohë që në krye të PD të jetë ai, i rikthyeri nga pensionimi politik, vetë Sali Berisha!

Për këtë dramë janë bindur dhe vetë demokratët, të cilët nuk besojnë tek Berisha as për këto skenaret e ardhjes së ‘delta-forcës’ amerikane me helikopterë për të rrëmbyer Ramën në Surrel e për ta burgosur në SHBA, as në këto teoritë e ‘ringjalljes’ së çështjes “McGonigal’, ku jo vetëm që janë mbyllur hetimet në Amerikë, por është dhënë me kohë e vakt dënimi për ish zyrtarin e FBI për mosdeklarimin e 223 mijë dollarëve të marrë borxh nga miku dhe kolegu i tij shqiptaro-amerikan nga Tropoja (janë një qime … këto para, edhe sikur t’ia kishin falur miqtë e tij të FBI jo t’ia kishin dhënë borxh, krahasuar me lobimin miliona dollarësh të Berishës në Uashington për një vizë dhe heqjen e ‘non gratës’, para të shkuara dëm këto), dhe ku Edi Rama nuk ekziston në asnjë cep të dosjes si person nën hetim nga drejtësia amerikane! Nën ‘hetim’ është vetëm në mendjen e Berishës, të mbështetësve të tij, përfshirë dhe Gaz Bardhin brenda!

Ndërkohë që Berisha në Shqipëri ka lënë demokratët të dëshpëruar dhe të dekurajuar rëndë, nga pamundësia për të qënë një alternativë për të ardhur në pushtet, as pas mandatit të katërt rresht të qeverisjes nga PS dhe Edi Rama! Nuk po shohin Ramën në ‘kilometrin e fundit’. Përkundrazi po shohin Berishën dhe PD në ‘metrat e fundit’, si një parti e udhëhequr nga lider që vetëm ‘firo’ në vota shënon nga zgjedhjet në zgjedhje! Duke mos arritur dot as në nivelin e drejtimit të Bashës, të cilin Berisha e rrëzoi nga drejtimi i demokratëve, pasi Luli tentoi të bënte si kryetar i PD! ‘Preku’ aty ku Berisha nuk mban fare, në pronësinë e PD, pronën e Berishajve mbi këtë parti!
Berisha dhe opozita kështu do të vazhdojnë! Duke kapur ‘kauzat’ e çastit, duke evidentuar të gjitha lëvizjet nëpër botë, nga Bangladeshi e Nepali, te Beogradi, Venezuela e vendet afrikane, duke gëzuar për këto protesta masive dhe duke krijuar përçasje përmes realitetit të tij paralel me situatën në Shqipëri, ‘kilometrin e fundit’ të Ramës dhe fantazi të tjera të këtij lloji! Thjeshtë e vetëm për të shtyrë kohën, për të kapur prillin e rizgjedhjes në krye të PD, me votat ‘teknikisht të pastra’ të anëtarësisë së ‘filtruar’ nga kupola mbështetëse në listat e anëtarësisë së PD! Për të mundur Salianjin me një fjalë, ky është qëllimi i jetës i Berishës. Siç bëri me Bashën!

Prandaj themi se ftesa e Trump për Ramën si pjesë e Bordit të Paqes, takimet e kryeministrit shqiptar me vajzën e tij të preferuar Ivanka e dhëndrin Jared Kushner, këshilltarin më të afërt të tij për krizat më të rënda në glob, që nga Rusi-Ukrainë e Lindjen e Mesme e deri në Groenlandë e Venezuelë, vizita e suksesshme e Ramës në Izrael dhe ajo e pritshmja në Shtëpinë e Bardhë, e kanë destabilizuar rëndë Berishën dhe opozitën, tashmë në ‘metrat e fundit’! Prandaj themi që në PD ka një dekurajim të fortë, ka një dramë që vijon dhe thellohet nga dita në ditë!

Trump fton Ramën në ‘kabinetin’ e tij për Gazën, tronditet Berisha

17 January 2026 at 20:43

Nga Jakin Marena

Në radhët e Partisë Demokratike e të opozitës shqiptare, por dhe këtyre të ‘informuarve’ të mëdhenj të paneleve tona televizive për të gjitha ngjarjet që ndodhin në tokën shqiptare dhe në çdo cep të globit e që cilët paralajmërojnë gjithçka, ka rënë një heshtje aspak e mirë!

Teksa Berisha, krerët e partive të vogla opozitare, që të gjitha bashkë arrijnë të kenë vetëm 54 deputetë në Parlamentin prej 140 vendesh, si dhe mediat dhe panelistët afër tyre ishin me sytë nga qielli dhe me ‘lugë në brez’ për të parë zbarkimin e madh të helikopterëve me komandot amerikane në majë të Surrelit për të ‘rrëmbyer’ kryeministrin Edi Rama e për ta dërguar për gjykim përtej Atlantikut, nga kryeqendra e botës demokratike, Uashington ka ardhur një lajm aspak i pritur që ka zhgënjyer të gjithë këtë kontigjent ‘ndërrimtarësh’ të ‘zbarkimit aleat në Shqipëri’!

Vetë presidenti amerikan, Donald Trump ka dërguar ftesë personale për kryeministrin shqiptar Edi Rama, për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një strukturë e cila do të qeverisë Rripin e Gazës pas përfundimit të luftës. Pra, Rama jo vetëm që nuk është përmbysur ‘si Manduro’, siç ishin bërë gati këtu në Tiranë kjo pakicë pa vota dhe mbështetje, por gradohet ‘ministër’ në kabinetin “Trump’, i përzgjedhur personalisht nga presidenti amerikan!

Këtë lajm e ka shpërndarë vetë kreu i qeverisë shqiptare, i cili ka nënvizuar se Shqipëria do të ketë statusin e anëtarit themelues të kësaj organizate të kryesuar nga vetë presidenti i SHBA, ndërsa shpreh nderimin e madh që po i bëhet atij dhe vendit me këtë propozim të Trump.

“Shumë i nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump, për ta përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij, ku Shqipëria ftohet si anëtar themelues, duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më parë.

Nuk mund të jem dot më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer në një Shqipëri tjetër, të denjitetshme e të respektuar botërisht si asnjëherë, e padiskutim edhe për nivelin ku e kemi ngritur marrëdhënien e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ftuar me një respekt e vlerësim krejt të posaçëm nga Presidenti Donald J. Trump, për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar e kryesuar prej atij vetë dhe për të punuar së bashku me të”, shkruan Rama në rrjetin social, duke e ndarë këtë lajm shqiptarë, teksa ka evidentuar vlerësimin që i është bërë Shqipërisë

Praktikisht Shqipëria ka një përfaqësues në qeverinë kalimtare ‘Trump’ në Gaza. Me parametrat e një qeverie kalimtare apo siç kemi dëshirë ne shqiptarët t’i quajmë qeverisje të tilla, qeveri ‘teknike’, me vetë presidentin amerikan Trump në krye, Bordi Ekzekutiv themelues do të mbikëqyrë punën e një komiteti teknokratësh të ngarkuar me qeverisjen e përkohshme të Gazës dhe rindërtimin e saj. Ku çdo anëtar i bordit ekzekutiv pritet të ketë përgjegjësinë e një portofoli që do të jetë “thelbësor për stabilizimin e Gazës”, megjithëse ende nuk është e qartë se kush do të mbulojë dhe cilat prioritete do të mbulojë. Por me sa duket vetë përzgjedhja e anëtarëve të bordit ekzekutiv të kryesuar nga Trump, pjesë e të cilit është dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, është bërë sipas prioriteteve të caktuara për t’u mbuluar nga secili anëtar, i cili praktikisht është si një ministër i qeverisë kalimtare “Trump’ për Gazën!

Dhe përgjegjësia është akoma më e madhe, pasi Bordi i Paqes është konceptuar jo vetëm si një mjet rindërtimi dhe mirëadministrimi, por edhe si pjesë e një procesi paqeje më të gjerë për Rripin e Gazës që përfshin armëpushim, çarmatimin e milicive dhe një tranzicion drejt një qeverie teknokratike paqësore.

E themi këtë pasi anëtarë të Bordit Ekzekutiv themelues janë figura potenciale nga bota demokratike, duke filluar me ish-kryeministri britanik Sir Tony Blair, i cili ishte përmendur prej kohësh si një kandidat i mundshëm për “Bordin e Paqes” të Trumpit, vetë presidenti amerikan e kishte konfirmuar që në shtator se Blair kishte shprehur interes për t’u bashkuar me këtë organ.

Ndërkohë që spikat si pjesë e bordit ekzekutiv për Gazën të kryesuar nga Trump, sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, një figurë qendrore në qasjen e administratës Trump ndaj politikës së jashtme. Është në bord, i dërguari special i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, por dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, i cili ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në negociatat e politikës së jashtme të administratës Trump.

Nën drejtimin e Trump, bordi do të ketë anëtar dhe miliarderin Marc Rowan, drejtues ekzekutiv i ‘Apollo Global Management’, një firmë e madhe investimesh private me seli në Nju Jork, Ajay Banga, president i Bankës Botërore, Robert Gabriel, këshilltar amerikan për sigurinë kombëtare, Nickolay Mladenov, politikan bullgar dhe ish-i dërguar i OKB-së për Lindjen e Mesme, që do të jetë përfaqësuesi i bordit në terren në Gaza.

Madje Mladenov do të mbikëqyrë një komitet të veçantë teknokratësh palestinezë me 15 anëtarë, Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG), i ngarkuar me menaxhimin e qeverisjes së përditshme të Gazës pas luftës, i cili do të drejtohet nga Ali Shaath, ish-zv.ministër në Autoritetin Palestinez, i cili qeveris pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar që nuk janë nën kontrollin izraelit.

Duke parë në bord të tillë të përbërë nga figura tepër të rëndësishme botërore, mes të cilëve dhe kreu i diplomacisë amerikane Rubio dhe mbi të gjitha të kryesuar nga vetë presidenti amerikan, thirrja e kryeministrit Edi Rama personalisht nga ana e presidentit Donald Trump për të qënë pjesë e kësaj ‘qeverie kalimtare’ për Gazën të kryesuar prej tij, është një vlerësim jo vetëm për vetë Ramën, por mbi të gjitha për Shqipërinë, si një partner serioz në rajonin e Ballkanit e më gjërë dhe si një pikë kontakti dhe qendër e të gjithë rajonit tonë!

Me këtë thirrje në kabinetin “Trump’ për Gazën të Edi Ramës, besojmë se do të marrin fund dhe ‘telenovelat’ shqiptare me ‘zbarkim aleatësh’ në Surrel për të marrë kryeministrin shqiptar dhe dërguar për gjykim në SHBA, apo teoritë e tjera konspirative të këtyre ‘baba Vangave’ shqiptare, që sa herë dalin nëpër panelet televizive bëjnë ndonjë ‘zbulim’ të madh, duke u shprehur të sigurtë për të, dhe duke paralajmëruar për gjithçka, madje duke thënë se është çështje ditësh!

Presidenti amerikan Donald Trump nuk thërret në bordin ekzekutiv të kryesuar prej vetë atij, për të qeverisur Gazën, për momentin ‘basti’ më i madh i tij në rrugën drejt çmimit “Nobel për Paqen”, kryeministrin e një narkoshteti sikurse cilëson Berisha dhe kundërshtarët politikë në Shqipëri, shtuar dhe këta çerrat e vegjël që duan të shiten sikur bëjnë politikë, Edi Ramën! Ka kaluar nëpër shumë ‘filtra’ përzgjedhja e tij, deri në momentin e ftesës personale për të qënë pjesë e bordit për qeverisjen e Gazës. Pra në ‘kabinetin ‘Trump’ për qeverisjen e Gazës! Pikërisht nëpë ato ‘filtra’ që kaluan dhe Berishën, me të vetmin ndryshim që Berishën e shpallën dhe akoma po e lënë ‘non grata’! Ka ‘mëkatë’ të mëdha Berisha, sidomos në raport me amerikanët!

Dhe më i ‘zhgënjyeri’ nga Trump ka mbetur vetë Berisha me sa duket. I cili ndonëse pagoi 6 milionë dollarë për të hequr ‘non gratën’, deri më tani ka rezultuar para e shkuar dëm! Madje nuk mori asnjë vizë punë në shtetin e Nju Jorkut apo ndonjë vizë turistike! Pa përjashtuar 1.7 milionë dollarët e dhëna po nga Berisha për LaCivitën, vetëm për të bërë dy tre deklarata të vobekta dhe dy tre dale të tjera televizive duke shtrënguar duart me Berishën apo duke iu përgjigjur batutave të Ramës gjatë fushatës, batuta me “Latifë’ këto!

Jo vetëm që janë para të shkuara dëm por i janë kthyer dhe në bumerang Berishës këto para të derdhura për lobim në SHBA. Këto miliona dollarë të paguara për lobime në Amerikë kanë nisur të hetohen! Si nga SPAK në Shqipëri ashtu dhe nga FBI në SHBA! Pasi elektricisti tropojan, jo vetëm që nuk paguan dot 6 milionë dollarë, as në ëndërr nuk i ka parë kaq para, por nuk ka as bord e anëtarë bordi! Këtë e thotë dhe fatura e bërë publike, që tregon se 750 mijë dollarët e këstit të radhës të lobimit 6 milionë dollarësh janë paguar nga vetë PD. Me faturë, me firmë dhe vulë! Ndonëse nuk janë deklaruar as në KQZ si shpenzime, por kjo është histori më vete! Besojmë se SPAK do të hetojë dhe këto fatura apo të presë letërporosinë nga SHBA!

Armiku Salianji e aleati Gjuzi, PD ‘prish’ shtëpi e ndërto kasolle

13 January 2026 at 19:14

Nga Jakin Marena

Kreu i PD Sali Berisha organizoi javën e shkuar një tryezë ku kishte ftuar përfaqësues të partive opozitare, përfaqësues të shoqërisë civile por dhe përfaqësues të disa mediave!

Në këtë tryezë refuzuan të marrin pjesë krerët e partive të reja politike që kanë nga një ose dy deputetë në Kuvend, përkatësisht kreu i partisë “Mundësia” Agron Shehaj, kreu i lëvizjes “Bashkë” Arlind Qori dhe ai i “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj! Arsyet e këtij refuzimi ishin të ndryshme, por kishin një pikë të përbashkët, atë që nuk marrin pjesë në një tryezë të organizuar nga Berisha, i cili nuk frymëzon dhe sipas tyre është një nga shkaqet kryesore të rrënimit të aksionit opozitar!

Ndërkohë që në këtë tryezë zinin vend në panelin kryesor figura të tilla si kreu konservator Kujtim Gjuzi, ai i pensionistëve Selami Jenisheri dhe krerë të tjerë të partive të vogla opozitare, të cilat për hir të së vërtetës janë bërë virale më shumë me ‘meme’ sesa me rezultate, pasi nuk kanë vota nën administrim në çdo palë zgjedhje, parlamentare ose vendore qofshin!

Temë kryesore e këtij takimi ishte situata politike në vend, situata ndërkombëtare që cilësohet sipas lidershipit demokrat si shumë e favorshme për opozitën në qëllimin e saj për të kapur ndonjë copë pushteti përmes ndonjë qeverie teknike të cilën e dëshirojnë shumë. Por edhe formatimi i një koalicioni opozitar për protestën e radhës të PD që do të zhvillohet më 24 janar përballë kryeministrisë për të kërkuar largimin e Ramës dhe të PS nga pushteti dhe ‘bashkimin’ e forcave me socialistët për një qeveri teknike, 1 apo 2 vjeçare në rastin më të mirë!

Me një fjalë, Berisha, duke parë se nuk e mund dot Ramën me votë dhe nuk merr pushtet që nga viti 2013, duke humbur në masën 100 përqind të gjitha betejat elektorale përballë PS, kërkon që nëse me votë PD nuk hyn dot kurrë nga ‘dera’ në pushtet, të hyjë të paktën nga ‘dritarja’ përmes një qeverie teknike, që Berisha dhe të tijtë mendojnë se ka ardhur koha për t’u realizuar dhe pse janë pa vota por ama nxitoijnë tëjenë gati të ‘armatosur’ me ‘lugë në brez’ për të ‘qeverisur’ vendin përmes një ‘qeverie teknike’.

Pavarësisht se me 86 vota, s’ka asnjë gjasë që mazhoranca të lëshojë pe dhe të thërrasë PD-në në bashkëqeverisje teknike!
Se si shkuan punimet e kësaj tryeze dihet tashmë dhe janë objekt i mediave që nga ato më seriozet e deri tek ato të humorit, për shkak të aktorëve pjesëmarrës, temës së diskutuar në takim, që nuk kishte asnjë lidhje me realitetin duke ‘notuar’ rëndshëm në botën paraleletë Berishës, i cili ndonëse ka përballë një Edi Ramë që zotëron bashkë me aleatin PSD, plot 86 mandate, të mjaftueshme për të bërë çdo ndryshim me shumicë të cilësuar, pa pasur asnjë nevojë për votat e opozitës, e cila ‘laj thaj’, sëbashku mezi arrin në 54 mandate, këmbëngul për ‘qeveri teknike’!

Pati dhe incidente ‘traumatike’ për koalicionin opozitar, si ajo e adhnimit të Jenisherit, aleatit të qendrueshëm të Berishës, i cili akuzoi organizatorët e tryezës se iu mohua e drejta e fjalës, apo ‘rebelimi’ i panelit kundër Berishës se nuk po krijon kushtet për mendimin e lirë dhe por pengohet hapa e rrugës për të rinjtë në PD, çka solli më pas një përballje ‘homerike’ mes numrit një të këshillimit të Berishës me një nga përfaqësuesit e pavarur që e kërkoi një gjë të tillë, e që për shkak të ‘moskuptimit’ mes tyre, fjala e fundit u tha e para e anasjelltas, dhe tashmë janë bërë burim lajmesh virale në rrjetet sociale! Që paralajmëron se një ‘sagë’ e tillë fyerjesh dhe akuzash do të vazhdojë akoma më shumë!
Preludi i kësaj tryeze, ishte bashkimi i forcave dhe

sheshimi i mosmarrëveshjeve, për të dalë në një protestë mbarëkombëtare sëbashku më 24 janar të këtij viti, kundër qeverisë së socialistëve. Me premtimin për të rrëzuar Edi Ramën! Por duke parë se janë paralajmëruar dhe disa protesta të tjera të opozitarëve që refuzuan këtë tryezën e Berishës por dhe pjesëmarrjen në protestën e PD më 24 janar, atëherë i bie që Berisha ta ‘rrëzojë’ Edi Ramën, nëse nuk e ‘rrëzojnë’ më parë, Lapaj, Qori apo Shehaj! Edhe ata janë betuar për rrëzimin e Ramës nga pushteti! Madje Lapaj beson aq shumë, sa i vetëm në protestë ka vendosur ‘shishen’ para kryeministrisë, dhe pret ditë e natë pa lëvizur prej aty, që Edi Rama të rrëzohet vetë nga pushteti. Edhe të tjerët të bindur janë, por janë renditur pas Lapajt, në ‘radhën’ për të qeverisur!

Tryeza e Berishës me përfaqësuesit e partive opozitare, duke filluar nga Jenisheri dhe përfunduar tek Gjuzi, përfshirë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, kishte si temë kryesore bashkimin opozitar, për të larguar Ramën nga pushteti! Në deklaratat e bëra nga Berisha në tryezë, kishte dhe koncesione të tilla për aleatët, si ai i diskutimit të reformës zgjedhore dhe asaj elektorale bashkë me ta, pavarësisht se deri më tani kreu i PD kurrë nuk i kanë pyetur në fund të herës apo dhe për faktin se Berisha ka deklaruar se me Ramën kryeministër nuk merr pjesë në këto dy reforma të rëndësishme!

Pra që në krye të herës, tryeza më shumë se sa për bashkimin opozitar, shërbente për show dhe për interesa të brendshme të Berishës, në përpjekjen e tij për të qënë i qetë në krye të PD dhe për pasojë në krye të opozitës shqiptare! Pra partia numër 2 në vend, pas PS. Përjetësisht me sa duket, sepse po shohim se Berishës nuk i ka dalë keq qëndrimi në krye të opozitës! Nuk i ka dalë keq si financiarisht ashtu dhe në përballjen me drejtësinë në vend, pasi të kishte qënë ndonjë politikan tjetër, me këto akuza që ka në kurriz, me kohë e vakt do t’a kishte marrë ‘erën’ e burgut, dhe do të kishte ndërruar kostumin e shtatë të burgut deri më tani!

Dhe kur themi se tryeza me partitë opozitare ishte thjeshtë dhe vetëm për nevojat e Berishës dhe konsum brenda PD, kemi parasysh situatën e rëndë nëpër të cilën po kalon aktualisht kjo parti, që prej dëbimit të Bashës nga posti i kryetarit e nga PD dhe gjatë tërë drejtimit të Sali Berishës, i rikthyer nga pensionimi politik në krye të pronës së tij, Partisë Demokratike!

Teksa protestat e opozitës së drejtuar nga Berisha janë ku thërret qameti, parë nga pjesëmarrja e vakët dhe mungesa e entuziasmit që mund të karakterizojë një parti politike që ka qëndruar 12 vite në opozitë e që i ka të garantuara 16 vite të plota jashtë pushtetit, e ku as ‘penicilinat’ e ngjarjeve në Venezuelë apo vende të tjera që promovon Berisha si një mundësi për rrëzimin e kundërshtarit politik Edi Rama, po vihet re një lëvizje e re jashtë lidershipit aktual të PD!

Ish deputeti dhe anëtari i kryesisë Ervin Salianji, ka nisur një lëvizje brenda partisë, me qëllimin e vetëm për të ringjallur PD dhe ringritjen e saj në nivelin e një partie opozitare që të pretendojë pushtetin! Të paktën kështu deklaron deri më tani Salianji!

Për hir të së vërtetës në të gjitha takimet e Salianjit me demokratët e ‘padëgjuar’, të cilat janë quajtur “Foltore’ si karshillëk ndaj foltores së Berishës çdo të hënë pasdite para kryeministrisë, kanë mbledhur shumëfish më shumë pjesëmarrës demokratë, sidomos të rinj, krahasuar me ato të kreut të PD.

Të cilët tashmë nuk kalojnë të 50 vetët, dhe që këtë të hënë ishin në zgrip, aq sa dhe vetë kreu i PD qëndroi para kryeministrisë vetëm 10 minuta dhe u largua!
Pavarësisht kësaj mbështetjeje nga anëtarësia e PD që është demonstruar gjatë “Foltoreve’ të Salianjit, kjo nuk e ka ndaluar Berishën dhe lidershipin e PD që ta sulmojnë ish deputetin që bëri burg për partinë, duke e cilësuar si shërbëtor të Ramës dhe mbështetës i axhendës së tij kundër opozitës, duke deklaruar se Salianji është vetëpërjashtuar nga kryesia e PD dhe si anëtar, sepse po takohet me demokratët pa leje dhe jashtë forumeve, në takime që quhen nga kupola e partisë më të madhe opozitare si takime private!
Madje nuk mungohet që zyrtarisht të bëhet thirrje ndaj strukturave e degëve të PD nëpër rrethe ku Salianji planifikon takimin e tij, që të refuzojnë pjesëmarrjen në “Foltoren” private sipas tyre të ish deputetit demokrat!

Me sa duket ky apel ka bërë efektin e kundërt, duke shërbyer si një shtytje shtesë për rritjen akoma më shumë të pjesëmarrjes në takimet e ish deputetit demokrat, si ka thelluar akoma më tej përçarjen brenda PD, e cila dhe pa këtë ‘traumën’ e fundit, është në pikën më të ulët të mbështetjes popullore, që nga themelimi i saj në vitin 1990!

Tashmë janë të gjithë kundër të gjithëve në PD, e cila është në prag të konflikteve të tjera të reja e të vjetra, sidomos pas përfshirjes në hetimin e pasurisë së Berishës dhe të shpenzimeve për Kuvendin e “Rithemelimit”, teksa janë thirrur nga SPAK Belind Këlliçi dhe sekretari i PD për Diasporën Indrit Hoxha, bazuar në një kallëzim penal të Gazment Bardhit, ish sekretari i përgjithsëm i PD në kohën e Bashës, aktualisht kryetar i grupit parlamentar po të PD, por që drejtohet nga Berisha! Përplasja është e garantuar tashmë!

Por teksa shohim këto konflikte dhe ndarje brenda PD, duke evidentuar edhe faktin e Salianji po grumbullon mbështetës shumëfish nga Berisha, tryeza e partive të opozitës të organizuar nga Berisha, me pjesëmarrjen që nga Jenisheri e deri tek Kujtim Gjuzi, me shumicë kryetarësh pa anëtarësi dhe elektorat, tingëllon ironike ideja e bashkimit opozitar për të rrëzuar Ramën! I bie ‘të prishësh shtëpi e të ndërtosh kasolle’, me një fjalë, pasi po dëbon nga PD në opozitë zyrtarë që kanë sakrifikuar për partinë dhe mbi të gjitha ata që mbledhin vota, po afron krerë partish që nuk kanë asnjë lloj mbështetje! E treguar dhe e vertetuar në çdo palë zgjedhje!

Pavarësisht se Berisha e di si dreqi se ‘vetëpërjashtimi’ i Salianjit i heq shumë vota PD-së, ndonëse edhe vetë Salianji deklaron se mbetet i vendosur për të mos ikur nga PD, madje bën apele për pjesëmarrje të fortë në protestën e opozitës më 24 janar, kreu demokrat Berisha po tregon si gjithnjë se nuk dëshiron asnjë mendim ndryshe në partinë që drejton. Madje nuk dëshiron askënd, edhe pse mbledh vota më shumë se ata që ka afër! Dhe pikërisht për këtë arsye, largimet nga PD tenton t’i kompensojnë me përfshirjen e krerëve të partive opozitare, që vetëm emrin kanë! Në emër të bashkimit i bën këto tryeza dhe ftesa për partitë opozitare, ndërkohë që largon një nga një njerëzit që janë rritur në PD, vetëm pse nuk kanë të njejtin mendim për të!

Prandaj Berisha, sa të jetë në krye të PD ia ka garantuar opozitës qëndrimin në opozitë! Madje për këtë qëllim jeton Berisha me sa duket, teksa për mbajtur veten me gajret deklaron se do të rrëzojë Ramën më 24 janar dhe do të bëjë qeverinë teknike, fill pas protestës dy orëshe para kryeministrisë. Në ‘rokadë’ me Lapajn dhe të tjerët, dhe ata në kërkim të postit të kryeministrit, duke pritur që Rama të rrëzoheët vetë! “Qyl’ me një fjalë, pa kokërr vote! Të shohim si do të justifikojnë mosrrëzimin e Ramës, pas protestave të paralajmëruara!

Berisha s’është zbutur, është plakur! Pse u shqetësuan familjarët?!

15 December 2025 at 20:52

Nga Jakin Marena

Situata në PD është shumë e rëndë, sidomos pas votimit të Endri Shabanit për Avokat të Popullit, një propozim ky neto me 35 firmat e deputetëve të PD dhe të opozitës!

Pavarësisht se tensionet në partinë më të madhe opozitare u ngritën pas daljes së Salianjit në një ‘Foltore’ paralele me atë të Berishës, në takimin me më të votuarit e primareve dhe të zgjedhjeve e fundit parlamentare, ishte hedhja e firmave që solli votimin e e Shabanit si Avokat të Popullit, ajo që i vuri kapakun përplasjes brenda PD dhe krisjes së fortë të radhës brenda saj!

Pavarësisht se të gjithë deputetët firmatarë pro Shabanit kërkuan ndjesë publike, pavarësisht se vetë Berisha tentoi ta zhvendosë në kohë procesin e hedhjes së firmave me qëllimin e vetëm, të faturimit të këtij gabimi të pafalshëm politik kohës në të cilën kishte ndodhur, me justifikimin se u firmos për emrin e tij për shkak të mbështetjes që Shabani i kishte dhënë kandidatit të pavarur Florian Binaj për bashkinë e Tiranës, paçka se zgjedhjet në Tiranë u anuluan që me 3 nëntor ndërsa firmat u hodhën më 2 dhjetor, grupimet brenda PD nuk u qetësuan! Përkundrazi, përplasja u zhvendos më tej, jo vetëm në terren por dhe në kryesinë e PD, me tone akoma më të larta!

Salianji, por dhe një nga mbështetësit e fortë të Berishës, dhjetoristi Bislim Ahmetaj, kërkuan në mbledhjen e kryesisë së PD vendosjen përpara përgjegjësisë të Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj partie, Flamur Noka si dhe kreut të grupit parlamentar të PD Gaz Bardhi, si urdhërdhënës për firmosjen pro kandidaturës së Endri Shabanit si Avokat i Popullit dhe keqmenaxhimin e kësaj situate, të cilësuar me shumë kosto për opozitën në tërësi!

Madje në mënyrë të drejtëpërdrejtë është kërkuar Flamur Nokës që të japë dorëheqjen, si përgjegjësi kryesor i shkatërrimit të PD, ndërkohë që për Bardhin ka akuza se e ka përshtjelluar grupin parlamentar në atë farë feje sa nuk merret vesh çfarë ndodh dhe çfarë bëjnë në të vërtetë, ku vihet re me sy të lirë se s’ka asnjë asnjë koordinim për aksionin opozitar në Kuvend!

Nënkryeytari i PD, Gjekmarkaj ofroi dorëheqjen si nënkryetar i PD dhe i Kuvendit, ndërkohë që Noka reagoi fort duke u përfshirë në debat verbal e publik me Salianjin, përmes akuzave se po përçante PD, se ka bashkëpunuar me krimin përmes Suel Çelës, akuzë kjo e rikthyer menjëherë nga Salianji në drejtim të Nokës, si dhe akuza të tjera për shërbim ndaj Ramës të demokratëve më të votuar! Duke ia nxjerrë ‘të palarat’ njëri tjetrit për bashkëpunimin me njerëzit e krimit!

Këtyre akuzave iu bashkua dhe Berisha, teksa akuzoi jo vetëm Salianjin por dhe Kadiun, fituesin e primarëve në Tiranë, se nuk janë përfshirë në fushatën e PD, duke marrë menjëherë reagimin e tyre se po bëhen akuza të pavërteta! E reja në këtë rast ishte përfshirja këtë radhë e Berishës në mënyrë të drejtëpërdrejtë në debatet me strukturat e bazës dhe anëtarët e kryesisë, pasi më parë këtë ‘punë të pistë’ ai ua kishte lënë mbështetësve e ithtarëve të tij, duke filluar që nga Noka e përfunduar tek Vokshi! Për të goditur ‘armiqtë’ dhe ‘tradhëtarët’! Këtë radhë jo!

Aq rëndë është situata në PD, sa jo vetëm që kanë shkëmbyer akuza dhe kundërakuza mes tyre si dhe kanë deklaruar vijimin e foltoreve paralele në bazë, por në këtë valë debatesh janë përfshirë dhe persona me ndikim në PD, që për hir të së vërtetës gjenden shumë afër dhe brenda familjes Berisha! Të cilët nuk kanë kursyer as Flamur Nokën, teksa janë shprehur se numrat dy të PD ka qenë gjithmonë intelektualisht afër Berishës, ku përmendet Arben Imami, Neritan Ceka, Bamir Topi, Ridvan Bode dhe Jozefina Topalli, ndërkohë që numri dy aktual i PD-së, duke iu referuar Flamur Nokës, është shumë larg intelektualisht kryetarit Berisha.

Për më tepër që njerëzit që janë shumë afër familjes së Berishës kanë nënvizuar faktin se kreu i PD s’është më ai i pari, është zbutur shumë duke u përpjekur të justifikojë firmat për Shabanin, teksa kanë hedhur akuza të rënda se opozita po humbet moralin, të vetmen gjë që ka në dorë kur nuk është në pushtet.

Madje nënvizojnë se Berishën ata nuk e mbështetën për të marrë drejtimin e partisë, si pajtues fëmijësh politikë në PD, por si lider i fortë që vendos parimin edhe kur politikisht nuk i shkon për shtat si parti. Duke akuzuar fort zërat ndryshe në PD, teksa i kujtojnë liderit demokrat se nuk mund të tallen fëmijët e llastuar të ekraneve të kundërshtarit politik, me thelbin e të bërit politikë dhe se nuk mundet partia më e madhe e opozitës të mos nxjerrë kandidat të saj, se ‘s’duan dy tre palaço të Ramës që dalin në media si opozita e opozitës’. Sipas njerëzve të afërt të familjes Berisha, ‘t’i qëndrosh presionit të padrejtë të SHBA e të përkulesh para presionit të Shabanit e Shehajt, vetëm një PD pa lidership politik mund ta bëjë.

Berisha duhet të sillet si Berisha, bash për këtë u mbështet. Kthehuni tek parimet e lërini negociatat me Flamura e Oerda. Opozita të vetmin pushtet ka moralin, asgjë tjetër. Po e falët edhe këtë, ulni qepenin e mos gënjeni më njerëzit. Po luajtët me taktikat e Ramës, fiton Rama, se ka nën kontroll gjithçka”. Janë fjalë të rënda këto, pasi deklarohen nga brenda familjes Berisha!

Dhe këtyre akuzave i janë shtuar dhe akuza nga ish deputetë e mbështetës të fortë të Berishës, mes të cilëve Edmond Spaho, i cili shprehet se opozita po sillet si një ‘pulë pa kokë’, aludim i hapur se Berisha nuk e ka situatën nën kontroll dhe vartësit e tij po veprojnë sipas kokës së tyre pa koordinim e mbi të gjitha pa pyetur liderin e PD. Pra mesazhi nga të gjitha anët është i qartë: Berishën po e ‘vozisin’ dhe më shqip, por e përdorin shumë keq njerëzit brenda PD për qëllimet e tyre duke i bërë qejfin, e jo sipas formatit që kërkon të sillet një lider politik si Berisha!

Për hir të së vërtetës Berisha nuk është zbutur aspak! Ai me shpirt i përjashton të gjithë ata që i kanë dalë kundër brenda partisë, jo vetëm nga strukturat drejtuese, por përfundimisht e pa kthim edhe nga PD, për të qënë njëherë e mirë rehat me këtë punë! Dhe kjo mundësi nuk përjashtohet duke parë presionin e madh që ka brenda familjes madje, jo vetëm nga baza e partisë, e cila ka shtuar në ‘listën’ e shkarkimeve, edhe emrat e nënkryetarëve dhe të sekretarit të përgjithshëm të PD!

Por Berisha ka dy arësye që nuk po ‘nxitohet’ në këtë drejtim! Pengesa e parë është fakti se një përjashtim i ri do të ‘fironte’ dhe 260 mijë vota ta tjera në zgjedhjet e ardhshme! E themi këtë sepse goditja ndaj Bashës dhe grupit të tij kohë më parë, ndonëse pjesa më e madhe me në krye Bardhin e Salianjin u rikthyen te Berisha pas marrjes së vulës dhe logos së partisë me vendim gjykate, dha një kosto prej 260 mijë votash minus për PD në zgjedhjet e 11 majit, krahasuar me ato të 4 viteve më parë kur opozita drejtohej nga Basha! Ndarja e rrënoi më shpejt PD-në, për ta katandisur në kufijtë e mbijetesës si forcë politike, pasi pushtetin e ka qarë me kohë dhe me vakt dhe për këtë janë të bindur që nga baza deri tek kupola blu. Me Berishën në krye, kurrë nuk vijnë në pushtet! Për këtë janë të bindur të gjithë, por nuk kanë çfarë të bëjnë!

Por arsyeja më e fortë që e pengon Berishën të veprojë me dorë të hekurt, është se ai tashmë është plakur! Për efekt të moshës, është mbi 81 vjeç, Berisha nuk mund të kontrollojë të gjitha lëvizjet në PD, rrymat dhe orekset brenda kësaj partie, dhe për këtë arsye, me sa duket ai mbështetet gjithnjë e më shumë tek ato që i servirin njerëzit që ka më afër në parti! Kryesisht nënkryetarët dhe sekretari i përgjithshëm. Jo pak herë Berisha është zënë ‘mat’ ose duke folur me frazeologjinë e Nokës ose teksa ka shpenzuar kohë e fuqi duke mbrojtur Nokën në takimet e bazës e në kryesi! Siç bëri dhe në rastin e justifikimit të deputetëve të PD për firmat e hedhura për Shabanin, madje duke rrezikuar shumë teksa ka mashtruar për datën e firmosjes dhe arsyen përse firmosën! Duke këmbëngulur se nuk ka pasur asnjë urdhër nga numri dy i PD për firmat! Por dhe është luhatur mes qëndrimeve të Bardhit e të eksponentëve të tjerë të kësaj partie. Ndoshta është ndikuar dhe në mënyrë të pavatedishme, pasi s’ka asgjë për të dhënë vetë!

Më se njëherë Berisha ka treguar se është i pasigurtë në sjelljen e tij politike, jo vetëm për shkak të gafave që ka bërë në deklarimet publike, jo vetem për shkak të ngatërrimit me ose pa dashje të kohëve e ngjarjeve, vendndodhjes së tyre si pasojë e demencës së moshës së thyer e pleqërisë së thellë që e ka kapur, por dhe pse ai po shfaqet gjithnjë e më shumë në publik si një politikan i thyer e pa asnjë shpresë, si një politikan i shterruar e për më tepër i udhëzuar shumë keq! Aq sa përfshihet vetë nëpër polemika nën nivelin e një lideri, ‘punë të pista’ që dikur ua kishte lënë të tjerëve! Pa përjashtuar këtu qasjen e njejtë ndaj opozitarizmit, njëlloj si në vitin 1990, pavarësisht se tashmë jemi 35 vite pas, në kohën e internetit, dhe askush nuk dëgjon versione të vjetëruara të të bërit opolitikë! Aq më tepër këta të rinjtë që nuk pyesin fare! Dhe s’mashtrohen për më tepër!

Pikërisht kjo ka tërhequr me sa duket dhe vëmendjen e familjarëve të tij, që përmes njerëzve që kanë afër kanë hedhur mesazhet se Berisha është zbutur dhe nuk po vepron me dorë të fortë por sipas tekave apo e thënë më thjeshtë vepron me mendtë e njerëzve brenda PD, që nuk shquhen fort për mendje të ndritura! Madje dhe i kanë anatemuar ata me emra. Apo siç e thotë sërish njeriu afër familjes Berisha, në një mesazh të tij se “ajo parti (PD) ka nevojë më shumë se kurrë t’ju drejtohet universiteteve, po ju hapën dyert, e të ikë nga idiotët e padobishëm dhe kalamajtë e pazareve të vogla. Po nuk e bëri dot këtë Sali Berisha, me ty Ervin, me Mulin e formatin tuaj do të kthehet si partia e Tomës”!

Prandaj familjarët e Berishës mesa duket kërkojnë dorë të hekurt në qëndrimet politike, për të mos i pyetur as “idiotët e padobishëm dhe as kalamajtë e llastuar në PD”, pra as ata që janë nën nivelin zyrtar të inteligjencës apo intelektualizmit! Po kujt ia kërkojnë, themi ne! Berisha është vërtetë i plakur, i lodhur e madje shumë i lodhur dhe e ka të vështirë t’i ‘thithë’ këto mesazhe e ta menaxhojë më siç duhet veten, prandaj po mbetet ende nën ‘vozitjen’ e njerëzve afër tij në PD!

Më e udhës do të ishte që ta mblidhnin në shtëpi, dhe njëri nga fëmijët, meqë PD është pronë e ‘hipotekuar’ e Berishajve dhe pikërisht për këtë arsye lufta nuk po bëhet për 1-shin e partisë por 2-shin e saj, të merrte zyrtarisht drejtimin e kësaj partie! Për t’ua prerë po zyrtarisht edhe atë fiksimin atyre që, sipas po këtyre familjarëve, ‘në mëngjes dalin para pasqyrës dhe e shohin veten pasues të Berishës’! Më mirë vonë se kurrë! Do të shpëtonin të paktën ‘erzin’ e kreut aktual të PD e familjarit të tyre, i cili nuk po rinohet më, por po plaket më shumë  çdo ditë e orë, e për pasojë më të mëdha do të jenë gafat, që do të nxjerrë nga goja dhe që do t’i prezantojë si opozitarizëm! Fundja pa Berishën kryetar ndryshohen më kollaj dhe sekretari i përgjithshëm dhe nënkryetarët e PD! E akoma më lehtë ‘idiotët e kalamajtë e llastuar’ në PD. Sikurse etiketohen!

The post Berisha s’është zbutur, është plakur! Pse u shqetësuan familjarët?! first appeared on JavaNews.al.

Çfarë t’i shkundësh PD, Berisha e thau, e la ‘pemë pa kokrra’!

5 December 2025 at 19:36

Nga Jakin Marena

Në Partinë Demokratike situata nuk është aq e mirë me aq sa paraqitet, por s’ka ndonjë ndryshim të madh me aq sa duket! Dhe kjo konstatohet me sy fare të lirë dhe pa ndonjë mundim të madh!

Partia më e madhe opozitare momentalisht është në habitatin e vet! Po ecën në të njejtën ‘korsi’ në të cilën ka ecur në këto 12 vite të qëndrimit të saj në mënyrë solide në opozitë, duke kaluar të njejtat etapa, pa asnjë ndryshim, sa herë që ka humbur zgjedhjet parlamentare dhe ato vendore përballë socialistëve të udhëhequr nga Edi Rama!

“Stacionet’ nëpër të cilët’ kalon PD janë ‘precize’. Fillon me një fushatë me akuza të forta deri në të pabesueshme që i shkatërrojnë përqëndrimin edhe demokratit më të vendosur për të votuar opozitën, vijon me ditën e zgjedhjeve dhe paralajmërimet se fitorja është është e sigurtë, vota është në kuti dhe nuk bir nëne që e prek pasi i priten duart kujtdo ‘hajduti’, ‘uragani demokrat do të marrë përpara Ramën dhe qeverinë e tij” dhe qëndrime të tjera të këtij lloji!

Pastaj mbizotëron heshtja, pasi dalin dalëngadalë rezultatet, dhe në fund rifillojnë akuzat kundër qeverisë, kryeministrit Edi Rama për tjetërsim vote, farsë elektorale dhe përmendin indikacione nga administrata, drogërat e forta deri në kartele mafioze, njerëzit e krimit dhe kështu me radhë, jo për të kundërshtuar realisht rezultatet në çdo palë zgjedhje të humbura, por për të ‘intoksinuar’ demokratët e vet që kanë 12 vite që po u shkatërrohet ideali nga një grusht njerëzish, që u kanë uzurpuar kupolën e PD dhe nuk ka bir nëne që i shkul prej andej, e duke u garantuar humbjen jo vetëm deri më tani, por sipas gjasve duke ua premtuar paradhënie dhe për të ardhmen!

Kështu ka ndodhur sa kohë që ishte kryetar zyrtar i PD, Lulzim Basha, në prapaskenë ishte drejtues vetë Sali Berisha që luante fijet, bënte emërimet në parti, përzgjidhte kandidatët për deputetë apo kryetarë bashkie, e deri edhe merrte vendimet për aksionet politike, që nga ‘çadra’, bashkëqeverisja me Ramën më 2017, e deri te djegia e mandateve të deputetit, sulmin me molotov ndaj institucioneve dhe bojkoti i zgjedhjeve për pushtetin vendor më 2019! Kështu po ndodh dhe për zgjedhjet e humbura nga PD, me në krye Berishën, të rikthyer ngë pensioni politik pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA, përjashtimit që i bëri nga Basha nga grupi parlamentar i PD dhe përplasja deri në sulm fizik mbi selinë buzë Lanës, teksa mori vulën e logon e PD, si dhe përzuri ‘birin’ e tij politik nga drejtimi dhe vetë partia. Për të cilin ishte betuar se do ta bënte!

Berisha me rrëzimin dhe dëbimin e Bashës nga PD, në fakt përmbysi dhe ‘formulën’ e të gjitha partive politike , ku ‘biri vret babain’, duke e rikthyer sëprapthi tërë skemën, për ta transformuar në ‘babai ringrihet nga varri dhe vret të birin’! Eshtë treguar unikal me një fjalë!

Dhe për të mbetur tek ‘rutina’ e sjelljes së PD pas çdo palë zgjedhje të humbura përballë PS së drejtuar nga Rama, janë humbur të gjitha përballjet zgjedhore në masën 100 përqind në këto 12 vite, fillon pastaj ‘saga’ e kontestimit të rezultatit, bërjes publike të asaj që e quajnë në PD ‘farsa elektorale’, me prelud deklarimin se s’mund të zbatohet statuti që të ketë dorëheqje të kryetarit nga detyra, pasi nuk kishte zgjedhje, por votime dhe farsë elektorale! Këtë të fundit se përmban stratuti i partisë! Në fakt Berisha e ka më kollaj të thotë, ‘topi është i imi, penalltinë e gjuaj unë. Lojën e ndal kur të dua, ekipin e zgjedh unë etj”, pasi PD është një parti në pronësi të familjes Berisha, dhe nuk ka pse mundohet të justifikohet! Kaq sa është i duhet! Thjeshtë për të qënë në krye të një partie, për të pasur monopolin e opozitës dhe për ta përdorur për hallin e tij personal, përballjen me drejtësinë! I ka shërbyer deri më tani, madje i ka shijuar fort! S’i mbetet merak!

Këtë e tregon dhe përballja me ‘Grupin e të Rinjve’ në PD, të kryesuar nga Ervin Salianji dhe pak më i distancuar Ilir Alimehmeti. Salianji me atributin e ‘heroit’ që bëri burg, vetë e ka deklaruar, për PD-në, pasi u dënua me heqje lirie në të dyja shkallët e gkyqësorit për skandalin e “Babales’, ndërsa Alimehmeti me ‘as’-in e madh në xhep, atë të rezultatit tepër të lartë në listën e hapur të kandidatëve për deputetë në qarkun e Tiranës, ku vetëm për një grusht votash mbeti jashtë Kuvendit! Pasi, me gjithë përkrahjen, një çikë me hile dhe nga strukturat e PD e pak dhe nga fushata agresive e Agron Shehajt të “Mundësia’, e humbi mandatin e deputetit në finish!

Jemi bërë dëshmitarë të startimit të dy ‘foltoreve’ paralele në PD, Salianji pas ‘kafes’ së famshme me fituesit e primareve dhe atyre që dhanë rezultate të forta në zgjedhje, organizoi një takim në Durrës, ndërsa vetë Berisha ‘foltoren’ para kryeministrisë e zhvendosi nëpër rrethe! Duke hedhur në qarkullim dhe ‘qarkoren’ se duhet të fillojë analiza e zgjedhjeve të 11 majit, të nxirren përgjegjësitë, madje të analizohen dhe kandidatët për deputetë që nuk morën rezultate të larta! Njëherësh Berisha kërkoi që të gjitha rezervat për PD të paraqiten vetëm në forume, duke u kërkuar ‘rebeluesve’ që të vijnë në zyrë dhe të bisedojnë, pasi do t’i dëgjojë. “Qarkore’ që u shoqërua dhe me sulme nga të gjitha anët për ‘tradhëtarët’ që kishin ngritur krye teksa Berisha dhe PD ishin të zëna’ dhe po përballeshin me qeverinë e Ramës! Dolën nga ‘arkivat’ dhe fotot e Salianjit me shkop në dorë teksa mbronte që nga ngujimi selinë e PD nga turmat e Berishës më 8 janar, si dhe sulme të tjera të këtij lloji!

Po në ato pak replika e dobëta të bëra nga ana e Salianjit dhe Alimehmetit, në themel të tyre kishin përbetimin se e gjithë kjo lëvizje, nëse quhet lëvizje, kishte për qëllim vetëm e vetëm rivitalizimin e PD, rishikimin e qasjes opozitare e deri në riformatimin e partisë! Mëse njëherë, si Salianji ashtu dhe Alimemheti kanë garantuar se nuk ikin nga PD, nuk kanë asnjë qëllim për krijimin e ndonjë partie të re politike dhe mbi të gjitha nuk kanë ndërmend as të kandidojnë për postin e kryetarit të PD! Të paktën deri më tani nuk e kanë artikuluar këtë qëllim! Ata kanë kërkuar vetëm ‘shkundje’ të PD, pasi ndjehen të trishtuar që ka pjesëmarrje të ulët në protestat kundër Ramës apo në ‘foltoren e paradës’ para kryeministrisë, nën dritën e qirinjve natën vonë, me më pak se 200 mbështetës si pjesëmarrës!

Në krye të herës, Salianji dhe Alimehmeti kanë garantuar në deklaratat e qëndrimet e tyre se nuk aspirojnë të garojnë për kryetar të PD në prillin e vitit të ardhshëm. Deklarata këto të bëra, pasi vetë Berisha ka vënë ‘shishen’ në radhë për të qënë ai kandidat për kryetar i PD, dhe kuptohet të gjithë e dinë, se Berisha nuk u rikthye në PD pas gjithë asaj beteje me Bashën e grupin ne tij, gjysmën i ka tashmë nën hyqëm, për t’ia lënë PD-në Salianjit, apo një të ngjashmi me të! Këtë e dinë dhe vetë Salianji e Alimehmeti! Prandaj ata nxitojnë për të garantuar se s’kërkojnë ‘kokën’ e Berishës! Por nuk lënë pa përmendur mungesën e aksionit politik dhe mungesën e efikasitetit të lidershipit të nivelit të dytë, çka ka sjellë përgjumjen e PD! Pra për të ‘shkundur’ PD-në sipas tyre! Pavarësisht se gjithkush mund të pyesë se çfarë ka mbetur për t’u shkundur në PD, pasi Berisha s’ka lënë asnjë ‘kokërr fryti’ që mund të bëjë punë në ‘pemën e tharë’’ për 35 vite të kësaj partie! Ka zero fryte, janë dëbuar të gjithë dhe s’ke kujt i vë gishtin për sjelljen e një fryme të re në PD, për të marrë në dorë riorganizimin e kësaj partie!

Dhe për të qënë më konkretë, ‘Foltorja’ e Salianjit kërkon ‘kokën’ e numrit dy të PD, Flamur Noka, të kreut të grupit të PD, Gazment Bardhi dhe të kryetares së përjetshme të Gruas në PD, deputetes Albana Vokshi, për t’i ‘kryqëzuar’ si përgjegjësit kryesorë të përgjumjes së PD, të cilët duhej të sakrifikohen në emër të ‘shkundjes’ së kësaj partie, për të luftuar arrogancën e mungesën e efikasitetit në parti, për ta nxjerrë PD nga apatia dhe për të ngritur në një stad tjetër aksionin opozitar, përmes zbritjes në bazën e partisë të njerëzve që priten mirë, që nuk janë arrogantë e kanë çfarë thonë e tregojnë! Pra, kërkohet riformatim i PD, pa u prekur Berisha, por për të nxjerrë një copë vend për vete, dhe për të rindarë ‘tortën’ e ofiçeve në PD, përmes një ndarjeje të re! Deri këtu e kuptojmë lëvizjen e nisur nga Salianji, që nuk prek kreun e PD.

Për hir të së vërtetës, Berisha u shfaq i acaruar apo bëri si i acaruar për disa arsye pas daljes së “foltores’ së Salianit! Pavarësisht udhëzimeve qarkoreve të shpërndara në drejtim të strukturave të bazës, apo mesazheve në drejtim të strukturave për të bojkotuar takimet e Salianjit, si takime private me axhendë personale, mbledhjes së kryesisë së PD në të njejtën ditë me takimin e Salianjit në Durrës, shkoi vetë më terren për të ‘testuar’ situatën! Dhe për të qënë në rregull me mbushjen e sallës mbërriti në Rrëshen, ku kreu i bashkisë i përket PD dhe bashkë me të ardhurit nga Lezha e Laçi arriti ta mbushë sallën! Sa për të ‘kënaqur’ syrin dhe për t’i bërë një çikë karshillëk Salianjit e atyre që e ndjekin, ndoshta dhe me lejen e tij!

Berisha u acarua fort, megjithëse nuk e shprehu, në momentin kur njëri pas tjetrit demokratët mirditorë kritikuan me emër e mbiemër, Flamur Nokën, Albana Vokshin, dhe gjithë drejtuesit e PD në qendër, bashkë dhe me deputetët e qarkut të Lezhës se i kanë shkëputur me kohë e vakt lidhjet me elektoratin, janë arrogantë, janë të njejtat fytyra për 30 vite me radhë, kanë qënë ministra e drejtues të PD që sollën largimin nga pushtetiu më 2013. Madje kërkuan largimin e këtyre emrave, pasi sipas tyre PD nuk vjen në pushtet me këta njerëz në krye! Kritikuan dhe vetë Berishën për listën e mbyllur madje, ndërkohë që ‘Foltoren’ e tij e cilësuan ‘paradë mode’ para kryeministrisë. Me ironi të hollë, ata i kujtuan luksin e pjesëmarrësve deputetë, që tregonte ashiqare se janë më se të kamur dhe në opozitë, ndërkohë që demokratët e thjeshtë janë 12 vite jashtë pushtetit dhe me të ardhura modeste! Ia thanë hapur në Mirditë!

Nuk e dimë me tamam, nëse me këtë goditje u pajtua dhe Berisha, i cili nuk është çudi që t’i sakrifikojë Nokën, Bardhin e Vokshin, me argumentin se uljen e tyre në detyrë nuk e kërkojnë vetëm këta të “Foltores’ së Salianjit, por ia kanë kërkuar direkt vetë atyre në Kamzë, por dhe vetë Berishës në Mirditë! Ua gjen vendin Berisha besnikëve, Vokshin e nis andej nga Brukseli apo Brazili për të kryer këtë ‘rutinën’ e tij si zv.president i CDI, të ‘armatosur’ me letrat për të nxirë Shqipërinë, Nokën e mban për të bërë sherr në Kuvend, si ‘dyshin’ pa grada në PD! E ka bërë këtë punë edhe para se të bëhej ministër e më vonë, pa qënë Sekretar i Përgjithshëm i PD! Nuk është në terren të panjohur! Ndërsa për Bardhin, me sa duket ka menduar përmes ‘qarkores’ së shpërndarë për analizën e 11 majit, ku kërkon analizë për rolin e deputetëve nëpër zona dhe të drejtuesve të qarqeve! Bardhi gjithnjë ka dhënë rezultate ‘gropë’, në Elbasan më 2021 ku la pas dhe një viktime dhe sidomos në Fier në 11 majin e këtij viti! Kështu duken ‘bathët’!

Berisha është acaruar se përse i nxorën jashtë loje “Foltoren’ para kryeministrisë, e kishte marrë me shumë qejf këtë punë, në orët e vona të mbrëmjes! Pasi në Durrës Salianji mblodhi trefishin e atyre që mblidhen çdo të hënë për Berishën para kryeministrisë! Kjo s’durohet nga Berisha! Nga ana tjetër, teksa ka thënë më se njëherë që të kërkohet gjithçka në forume, Berisha me sa duket këtë e ka si ftesë të ‘koduar’ për të mbajtur me gajret rindarjen e ‘tortës’ në PD! Por që nuk e donte në këto momente, pas kërkon të duket se është i zënë me Ramën, për çështjen e numrit dy të qeverisë! Apo që ka nisur hetimi me tamam i 21 janarit 2011 me seancën e pyetjeve për të!

Nuk përjashtohet mundësia që Berisha të ‘dorovisë’ Salianjin dhe Alimehmetin me poste brenda PD. Hapin e parë e ndërmori, ndau postet parlamentare nga ato partiake! Pra bëri vend për të gjithë! E ka bërë me Bardhin këtë punë kohë më parë kur e bëri kryetar grupi të PD, dhe nuk e ka për gjë ta këmbejë atë me Luçiano Boçin si kryetar grupi! Pronë të vetën e ka PD-në Berisha, emëron Salianjin sekretar të Përgjithshëm meqë s’është deputet! Bën dhe ndonjë lëvizje tjetër për Albana Vokshin, gjen një kryetare të re të grave, pa diskutim mbështetëse të fortë të tij! Jo se Berisha ka frikë se i merr njeri drejtimin e PD, ajo çështje ka mbaruar me kohë dhe vakt! Berisha do të shkojë tek i Plotfuqishmi si kryetar i PD. Dhe atje, shkon me gjithë vulën e logo! Por ama Berisha kërkon qetësi në këto momente, nuk kërkon përplasje! Ka halle të tjera ai, nuk ka kohë as moshë, as për përplasje as për pushtet! Prandaj nuk besojmë të ketë ndonjë ‘shkundje’ në këtë parti, përsa kohë askush nuk kërkon ‘kokën’ e Berishës! Lufta bëhet për nivelet e dyta!

The post Çfarë t’i shkundësh PD, Berisha e thau, e la ‘pemë pa kokrra’! first appeared on JavaNews.al.

❌