Kuvendi Kombëtar i protestës zhvilloi këtë të shtunë ditën e parë të punimeve, e cila u shoqërua edhe me disa momente tensionesh dhe përplasjesh në sallë. Një nga episodet më të spikatura pati si protagonist ish-deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, Selami Jenisheri. Jenisheri hyri në sallë dhe u ul në rreshtat e parë, në zonën ku ishin pozicionuar organizatorët e aktivitetit. Prania e tij në atë pjesë të sallës solli reagimin e organizatorëve, të cilët kërkuan ndërhyrjen e rojeve të sigurisë. Pak çaste më vonë, efektivët e sigurisë e shoqëruan Jenisherin jashtë sallës. Megjithatë, situata u qetësua shpejt dhe ish-deputeti u rikthye, duke pranuar të ulej në pjesën e pasme të sallës, ku vijoi të ndiqte punimet e Kuvendit Kombëtar të protestës.
IKMT ka gjobitur me vlera tallëse për t'i treguar publikur se punon, pavarësisht se ka aprovuar lejet për betonizimin të Jugut për Kompanitë Gjoka Konstruksion të Rrok Gjokës, Gjikuria të Lenc dhe Milo Gjikurisë, Anchor Beton i Ard Kollçakut, Eral Construction Company i Gramoz dhe Ervin Qendros dhe Beton Express 2018 i Mond Begës. Kompanitë e oligarkëve të ndërtimit janë gjobitur dhe pezulluar nga aktiviteti i tyre për shkak të shkeljeve të rënda mjedisore në Jug të vendit ku po ndërtojnë hotelet e tyre dhe mbetjet nga gërryerja e tokës i plasin në detin e Palasës, Drimadhës apo Dhërmiut. Kjo nuk do të thotë se punimet për hotelet e tyre janë ndërprerë. Ëshrë thjesht show i radhës i IKMT që ëshrë futur në rol sikur i intereson shkatërrimi i mjedisit... Këto subjekte nuk kanë respektuar kushtet strikte të përcaktuara në lejet mjedisore të miratuara nga autoritetet përkatëse, duke ndotur vijën bregdetare, e duke anashkaluar zbatimin me rigorozitet të standardeve për mbrojtjen e mjedisit. Mbi kushtet e përmendura në lejet mjedisore Në lajmin e publikuar nuk specifikohen detajet teknike për secilën kompani, megjithatë, kur autoritetet pezullojnë aktivitetin për "mosrespektim të kushteve të lejes mjedisore", zakonisht bëhet fjalë për shkelje të tilla si: Hedhja e inerteve apo mbeturinave të ndërtimit në vende të palicencuara ose lumenj/përrenj; Mospërdorimi i masave mbrojtëse për të frenuar pluhurin (në kantieret pranë zonave të banuara ose turistike) dhe tejkalimi i orareve të lejuara të punës; Mosinstalimi i sistemeve të dekantimit apo filtrimit për ujin që përdoret në proceset e betonit, duke bërë që ai të derdhet i patrajtuar në mjedis; Puna jashtë perimetrit të lejuar nga leja e ndërtimit ose dëmtimi i hapësirave të gjelbërta përreth kantierit.
Një grup turistësh izraelitë është sulmuar brutalisht nga më shumë se 10 të rinj në qytetin bregdetar të Budvës, në Mal të Zi. Ngjarja ka ndodhur të shtunën, ndërsa një prej viktimave ka rrëfyer për televizionin publik izraelit KAN News momentet e dhunës, duke e përshkruar sulmin si të papritur dhe pa asnjë shkak të dukshëm. Sipas dëshmisë së tij, grupi i të rinjve i ka ofenduar, i ka goditur me shkelma dhe u ka hedhur karrige. “Më shumë se 10 të rinj na shanë, na goditën dhe na sulmuan me objekte”, ka deklaruar një prej turistëve. Nga sulmi, një anëtar i grupit ka pësuar thyerje të nofullës, ndërsa një tjetër ka humbur ndjenjat për shkak të dhunës së marrë. Viktimat kanë pretenduar se nuk kishin pasur asnjë konflikt më herët dhe se sulmi ishte i paprovokuar. Budva, një nga zonat turistike më të frekuentuara të Malit të Zi, njihet për plazhet, jetën e natës dhe qytetin e vjetër historik. Destinacioni tërheq çdo vit mijëra vizitorë nga vende të ndryshme, përfshirë edhe shumë turistë izraelitë gjatë sezonit veror. Në vitet e fundit, interesimi i investitorëve izraelitë në sektorin e pasurive të paluajtshme në këtë zonë është rritur ndjeshëm. Ky është incidenti i dytë i raportuar së fundmi ndaj turistëve izraelitë në Mal të Zi. Një rast tjetër u regjistrua në qytetin e Plavës, ku disa turistë u përballën me ngacmime dhe deklarata fyese nga një person, i cili i akuzoi për “vrasje fëmijësh” dhe për gjenocid.
Vendim Kapaj, mjeshtri i njohur vlonjat i fyellit dhe culës dyjare, është kthyer në një nga emrat më të përfolur të ditëve të fundit pasi u bë pjesë e stafit muzikor të filmit hollivudian “Odisea”, me regji të Christopher Nolan. Me mbi 50 vite karrierë dhe titullin “Mjeshtër i Madh”, Kapaj interpretoi për kolonën zanore të filmit së bashku me kompozitorin fitues të Oscar-it, Ludwig Göransson, i cili udhëtoi në jug të Shqipërisë për të regjistruar tingujt autentikë të polifonisë shqiptare dhe instrumenteve tradicionale. I frymëzuar nga iso-polifonia, Göransson zgjodhi të mos mbështetej te një orkestër klasike simfonike, por të sillte në film tingujt e fyellit dhe culës dyjare, duke i konsideruar më pranë atmosferës së botës së lashtë. Pavarësisht këtij vlerësimi ndërkombëtar, jeta e përditshme e Kapajt ka qenë larg dritave të skenës. Artisti, i cili konsiderohet i vetmi instrumentist në Ballkan që luan fyellin me dhëmbë, është një qytetar i thjeshtë i Vlorës, që për vite me radhë është përballur me vështirësi ekonomike. Vlonjatët e kanë parë jo vetëm në skenat folklorike, por edhe duke punuar në shërbimin e pastrimit të qytetit për të siguruar jetesën. Edhe pas përfundimit të asaj pune, ai ka vijuar të sigurojë të ardhura duke shëtitur me biçikletë në rrugët e Vlorës dhe duke shitur peshk të freskët, pa e ndërprerë asnjëherë pasionin dhe angazhimin e tij për muzikën tradicionale. Historia e Vendim Kapajt ka ngjallur reagime të shumta, pasi shumë e konsiderojnë paradoks faktin që një artist i këtij niveli është lënë për vite në harresë nga institucionet kulturore shqiptare, ndërsa vlerësimi i tij erdhi nga një prej produksioneve më të mëdha të Hollywood-it. Në një kohë kur investohen shuma të mëdha për të sjellë artistë të huaj në Shqipëri, ishte vetë ekipi i Christopher Nolan që udhëtoi në Vlorë për të kërkuar tingujt unikë të fyellit dhe culës dyjare të Vendim Kapajt, duke e bërë atë pjesë të një projekti që do ta çojë muzikën tradicionale shqiptare në ekranet e gjithë botës.
Detaje të reja po dalin në dritë nga skandali që ka tronditur Postën Shqiptare në Durrës, ku tre zyrtare akuzohen se kanë përvetësuar rreth 69 milionë lekë të rinj, para që ishin destinuar për pensionistët dhe familjet në nevojë. Sipas hetimeve, gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, prokuroria ka zbuluar se drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, rezulton të ketë frekuentuar kazino. Vetë Mataj nuk e ka mohuar këtë fakt, por është mbrojtur duke deklaruar se askush nuk mund t'ia ndalojë të shkojë në kazino, pasi është "qytetare e lirë". "Unë jam qytetare e lirë. Më shpjegoni se cila është kontrata e firmosur që nuk mund të shkoj në lokale, bare dhe kazino," mësohet të ketë deklaruar ajo para gjykatës. Deklarata ka shkaktuar reagime të forta, pasi vjen në një kohë kur hetimet po përpiqen të zbardhin fatin e 69 milionë lekëve, para që duhej të përfundonin në xhepat e pensionistëve dhe përfituesve të ndihmës sociale, jo në një skemë që dyshohet se është përdorur për përfitime personale. E pyetur nga gjykata se ku kanë përfunduar fondet që dyshohet se janë përvetësuar, Mataj është përgjigjur se "nuk e di". Ajo ka mohuar gjithashtu se është përpjekur t'i shmanget drejtësisë, duke deklaruar se udhëtimi jashtë vendit ishte planifikuar më herët dhe se në datat 13 dhe 14 korrik kishte qenë në vendin e punës. Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për të zbardhur të gjithë skemën, mënyrën se si dyshohet se janë zhdukur fondet publike dhe përgjegjësinë e secilës prej të arrestuarave. Bëhet fjalë për një nga rastet më të rënda të abuzimit me fondet sociale, ku paratë e njerëzve që mezi presin pensionin e muajit dyshohet se janë përdorur në mënyrë kriminale, ndërsa qytetarët vazhdonin të prisnin në sportelet e Postës për pagesat që u takonin.
Këto pamje më të qarta tregojnë momentin e skandalit të 2 korrikut, ku truprojat e Ulsi Manjës dhunojnë brenda në lokal protestuesit t ë cilët fishkëllyen dhe thirrën Manja burg, gjatë protestës para Kuvendit. Siç shihet në pamje, të fortët e socialistit Manja, të indinjuar që protestuesit kërkuan burg për shefin e tyre, janë lëshuar dhunshëm drejt protestuesve duke përdorur dhunë. Qartazi duket se si përmes forcës, truprojat e Manjës, jo vetëm protestuesit, por marrin përpara me forcë edhe policët e kryepolicit Skënder Hitaj. Një prej truprojave është identifikuar si Saimir Koka. Kujtojmë se më 2 korrik, truprojat e Manjës u panë duke goditur me shkelma e grushte qytetarët që ndodheshin në lokalin ngjitur me Kuvendin e Shqipërisë. Veç protestuesve, truprojat ushtruan forcë fizike dhe ndaj policisë që supozohet të mbrojë popullin.
Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri. Në vitin 2024, nga 21,102 vdekje gjithsej, 11,694 persona humbën jetën nga sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut, duke zënë 53% të totalit. Ky nivel është shumë më i lartë se mesatarja europiane prej rreth 30%, ndërsa ekspertët e lidhin me diagnostikimin e vonuar, mungesën e kontrolleve periodike, duhanpirjen, stresin dhe dietën me shumë kripë e yndyra. Problemet më të mëdha shfaqen në qarqet e Veriut, ku Kukësi kryeson me 62.48% të vdekjeve nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut, pasuar nga Shkodra me 60.73%, Lezha me 58.2% dhe Dibra me 58%. Në Gjirokastër niveli është më i ulët, me 31.34%. Sipas mjekëve, ndikojnë faktorët ushqimorë, vështirësitë në aksesin ndaj shërbimeve të specializuara dhe mungesa e kontrolleve parandaluese. Fenomeni po prek edhe moshat më të reja, ku rritja e hipertensionit, diabetit, obezitetit dhe stresit po shtojnë rastet e infarkteve dhe goditjeve në tru. Shqipëria ka 267 kardiologë, por shumica janë të përqendruar në Tiranë. Ekspertët kërkojnë më shumë depistime, edukim shëndetësor dhe forcim të shërbimeve parandaluese për të ulur numrin e vdekjeve nga zemra dhe truri.
Duket se kryersekari Erion Isai po gëzon një trajtim preferencial... një "amnisti të heshtur", krahasuar me dosjet e tjera të ngjashme që SPAK po ndjek në Bashkinë e Tiranës. Kallëzimi për aferat e Isait ndodhet në sirtarët e SPAK prej pesë vitesh. Pavarësisht provave të bëra publike nga emisionet investigative, të cilat dokumentojnë shkelje të rënda, zyrtarët e përfshirë vijojnë të ushtrojnë detyrën pa u shqetësuar. Kritika kryesore ndaj prokurorisë është se ajo ka zgjedhur një rrugë "gjysmake", pasi hetimi është fokusuar vetëm te tenderi i rrugës Korçë-Ersekë, duke "harruar" plotësisht nevojën për një hetim të thelluar financiar dhe pasuror për të gjithë personazhet e përfshirë. Ky hetim financiar konsiderohet jetik për disa arsye. Së pari, gjatë kohës që SPAK ka qenë duke hetuar, bashkia ka dizbursuar qindra-miliona euro për tendera të dyshimtë. Së dyti, mungon çdo lloj gjurmimi për atë se ku kanë përfunduar këto para dhe nëse pasuria e zyrtarëve të Bashkisë Kolonjë është shtuar në mënyrë të pajustifikuar si pasojë e këtyre aferave. Autorët e investigimit në media e paralelizojnë këtë situatë me dosjen "5D" të Tiranës, ku hetimet pasurore çuan në arrestime dhe sekuestro. Në rastin e Kolonjës, investigimi pretendon se ekzistojnë të gjitha premisat për një skemë të ngjashme, por mungon vullneti i institucioneve të drejtësisë për të shkuar deri në fund. Për rrjedhojë, thelbi nuk është vetëm korrupsioni i dyshuar në Bashki, por edhe mosveprimi i qëllimshëm i SPAK-ut për të bllokuar "pasurimin e paligjshëm" të zyrtarëve, duke lënë të pambuluara procedurat e tjera tenderuese që janë denoncuar si korruptive. Ky pasivitet i SPAK, po shërben si mburojë për Erion Isain, i cili vazhdon të qëndrojë në detyrë duke menaxhuar fonde publike, ndërkohë që provat për shkelje të rënda ligjore dhe dyshimet për pastrim parash presin ende një vëmendje serioze nga prokurorët.
Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me atentatin e armatosur që tronditi mbrëmjen e djeshme Sarandën, ku shënjestër ishte 50-vjeçari Thimjo Rubati. Sipas hetimeve paraprake, Rubati rezulton të jetë një person me precedentë të shumtë penalë në Shqipëri dhe Greqi. Ai kishte dalë së fundmi nga një burg në shtetin grek, ku vuante dënimin për një vepër të rëndë penale, ndërsa e kaluara e tij kriminale përfshin akuza për trafikim të të miturve në vitin 2002 dhe rrëmbimin e një 16-vjeçareje në vitin 2012. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se, ndërsa ndodhej në burg në Greqi, autoritetet shqiptare e kërkonin Rubatin në kuadër të një dosjeje për korrupsion dhe kontrabandë, që lidhej me një skemë trafikimi automjetesh ku dyshohej se ishin të përfshirë edhe zyrtarë doganorë. Megjithatë, ai nuk vuajti dënim me burg në Shqipëri për këtë çështje, pasi u dënua me kusht nga Gjykata e Apelit. Sipas grupit hetimor, atentati kishte si objektiv eliminimin fizik të 50-vjeçarit. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë sekuestruar nëntë gëzhoja pistolete të kalibrit 9 mm, ndërsa hetimet po vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Policia dyshon se pista kryesore lidhet me të kaluarën kriminale të Rubatit dhe mundësinë e një larjeje hesapesh.
Pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania nga Liqeni i Komanit janë një shuplakë për të gjithë. Një nga mrekullitë natyrore më të mëdha të Shqipërisë, destinacion që reklamohet çdo ditë si krenaria e turizmit shqiptar, sot është mbuluar nga qese plastike, shishe dhe mbeturina të çdo lloji që notojnë në sipërfaqen e ujit. Faji nis që te qytetarët që, pa asnjë pikë përgjegjësie, hedhin mbeturinat në ujë apo buzë liqenit, sikur natyra të ishte një kosh gjigant plehrash. Është e turpshme që njerëz që shkojnë për të shijuar një nga peizazhet më të bukura të vendit, largohen duke lënë pas vetëm ndotje dhe shkatërrim. Nga ana tjetër, institucionet vazhdojnë të flenë mbi këtë katastrofë mjedisore. Mjaftohen me postime propagandistike për bukuritë e Komanit dhe fushata për turizmin, ndërsa askush nuk garanton pastrimin e liqenit, kontrollin e mbetjeve apo ndëshkimin e ndotësve. Nuk mjafton të promovosh Shqipërinë si destinacion turistik; duhet ta mbrosh atë çdo ditë. Nëse vazhdohet me këtë indiferencë, shumë shpejt Liqeni i Komanit nuk do të njihet më si një perlë e Alpeve Shqiptare, por si simbol i mënyrës se si dimë të shkatërrojmë atë që natyra na ka falur falas.
Për komshinjtë ishte një baba i qetë dhe një bashkëshort shembullor, por pas kësaj fasade fshihej Richard Kuklinski, i njohur si 'The Iceman', një nga vrasësit me pagesë më famëkeq të mafias amerikane. Në këtë rrëfim tronditës, ai tregon me gjakftohtësi momentin kur ekzekutoi një njeri me pesë plumba, duke pretenduar se veproi pasi viktima kishte kërcënuar familjen e tij. Një dëshmi e rrallë që ofron një vështrim të errët në mendësinë e një vrasësi që pretendonte se kishte marrë mbi 100 jetë njerëzish. ... #SyriTv #SyriNet #TheIceman