Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar në lidhje me situatën me ujin në Gostivar. Nga BDI thonë se siguria e ujit të pijshëm është një e drejtë themelore njerëzore dhe çdo dështim institucional në garantimin e saj është i papranueshëm.
"Institucionet kompetente duhet të veprojnë menjëherë, me përgjegjësi dhe transparencë të plotë, për të përcaktuar burimin e kontaminimit, përgjegjësinë institucionale dhe për të sqaruar nëse janë ndërmarrë me kohë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e qytetarëve. Çdo vonesë apo fshehje e informacionit vetëm sa rrit pasigurinë dhe humb besimin e publikut".
"BDI mbështet plotësisht çdo hetim profesional dhe të pavarur që do ta zbardhë këtë rast, do të mbrojë shëndetin e qytetarëve dhe do të sigurojë që çdo përgjegjës të përballet me drejtësinë. Në të njëjtën kohë, kërkojmë informim të rregullt dhe transparent të opinionit, furnizim të pandërprerë me ujë të sigurt për familjet e prekura, si dhe kontrolle të vazhdueshme laboratorike deri në konfirmimin zyrtar se uji është plotësisht i sigurt për përdorim", thonë nga BDI.
Në fund theksojnë se përgjegjësia, transparenca dhe veprimi i shpejtë janë detyrim institucional, jo zgjedhje.
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova priti në takim homologen e saj nga Republika e Indisë, Drupadi Murmu, e cila ndodhet në vizitë zyrtare dyditore në Maqedoninë e Veriut.
Tema e bisedës ishin marrëdhëniet aktuale mes dy shteteve, me theks në mundësitë për bashkëpunim në ekonomi, arsim, shkencë, kulturë, turizëm, kujdes shëndetësor dhe transformim digjital.
Drupadi Murmu vlerësoi se vizita e saj e parë në vend ishte një moment historik dhe shprehu gatishmërinë e saj për një dinamikë të re në partneritetin gjithëpërfshirës midis dy popujve.
“Diskutuam për disa çështje bashkëpunimi dypalësh dhe shkëmbyem pikëpamje mbi çështje rajonale dhe globale me interes të përbashkët. Ritheksuam dhe konfirmuam marrëdhëniet miqësore midis Maqedonisë dhe Indisë të bazuara në vlera të përbashkëta dhe respekt të ndërsjellë”, u shpreh Drupadi Murmu, presidente e Indisë.
Ndërsa Gordana-Siljanovska tha se ka ardhur koha që partneriteti ekonomik mes dy vendeve të arrijë nivelin e marrëdhënieve politike.
“Ndër të gjitha temat që diskutuam sot, njëra prej tyre u dallua në veçanti. Ka ardhur koha që partneriteti ynë ekonomik të arrijë cilësinë e marrëdhënieve tona politike. Transformimi ekonomik i Indisë është ndoshta një nga historitë më mbresëlënëse të suksesit të shekullit të 21-të”, theksoi Gordana Siljanovska Davkova, presidente e Maqedonisë së Veriut.
Epidemiologia nga Qendra për Shëndet Publik në Tetovë, Zorica Zafirovska thotë se gjatë 24 orëve të fundit ka filluar të bie numri i personave që kërkojnë ndihmë shëndetësore si pasojë e ujit të ndotur në Gostivar.
Sipas saj, gjithsej gjatë 24 orëve të fundit kanë kërkuar ndihmë 111 pacientë.
“Pra, gjatë 24 orëve të fundit, numri ka filluar të ulet. Në Infektivë të Gostivarit, gjatë 24 orëve të fundit, 111 pacientë të tjerë kanë kërkuar ndihmë dhe 26 pacientë kanë ardhur për vizita kontrolli. Në Qendrën e Emergjencës në Gostivar janë raportuar 7 raste të reja, ndërsa në Departamentin e Pediatrisë në Gostivar janë raportuar 65 pacientë të rinj".
"Ndryshe nga dje, numri po fillon të ulet. Është shpallur epidemi e gastroenteritit në territorin e Komunës së Gostivarit. Situata epidemiologjike po monitorohet rregullisht. Kjo do të thotë se po kryhen hetime epidemiologjike dhe po merren materiale për analiza, përfshirë koprokulturat. Aktualisht po presim rezultatet e mostrave të marra”, tha Zafirovska.
Kreu i Drejtorisë Doganore, Boban Nikollovski, njoftoi sot se këtë vit janë zbuluar 12 përpjekje për të kontrabanduar më shumë se 27,000 copë produkte farmaceutike dhe pajisje mjekësore.
"Kjo tregon se roli i Doganës nuk është vetëm të mbledhë të ardhura, por edhe të mbrojë drejtpërdrejt shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve maqedonas", shkroi ai.
Nikolovski theksoi se ilaçet e sekuestruara nuk përfaqësojnë vetëm tregti të paligjshme të parandaluar, por janë gjithashtu një parandalim kyç për ruajtjen e shëndetit publik.
Në Spitalin Klinik “Acibadem Sistina” u krye me sukses operacioni i parë me sistemin robotik MedBot Toumai®, duke shënuar zyrtarisht fillimin e një epoke të re të kirurgjisë së avancuar, precize dhe minimalisht invazive në spital, në vend dhe në rajon.
Te një pacient 57-vjeçar u realizua një prostatektomi radikale e asistuar me robot, e shoqëruar me limfadenektomi laparoskopike të asistuar me robot. Bëhet fjalë për një ndërhyrje komplekse për trajtimin e kancerit të prostatës, e cila, falë sistemit robotik, u realizua me saktësi të jashtëzakonshme dhe kontroll maksimal në çdo hap të procedurës.
Ekipi i urologjisë u udhëhoq nga Prof. Dr. Sotir Stavridis, specialit në urologji. Në ndërhyrje morën pjesë edhe urologë, anesteziologë, infermierë, teknikë mjekësorë dhe personel ndihmës spitalor. Falë përgatitjes së tyre të kujdesshme, profesionalizmit dhe koordinimit të shkëlqyer, operacioni përfundoi me sukses dhe sipas planit të parashikuar.
Pacienti ndodhet në gjendje të mirë të përgjithshme shëndetësore, ndërsa ecuria pas operacionit dhe rikuperimi po zhvillohen sipas pritshmërive. Ky sukses historik është rezultat i përkushtimit të vazhdueshëm të Spitalit Klinik “Acibadem Sistina” për t’u ofruar pacientëve inovacionet më të avancuara mjekësore dhe shërbime shëndetësore sipas standardeve më të larta botërore. Implementimi i kirurgjisë robotike përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara jo vetëm për spitalin, por edhe për zhvillimin e kujdesit shëndetësor.
KIRURGU KA KONTROLL TË PLOTË MBI SISTEMIN ROBOTIK
Sistemi robotik nuk e kryen operacionin në mënyrë të pavarur. Çdo lëvizje e instrumenteve kontrollohet plotësisht nga kirurgu, i cili e drejton sistemin përmes një konzole të specializuar. Roboti i transmeton lëvizjet e kirurgut me saktësi të jashtëzakonshme, duke mundësuar punë të qëndrueshme dhe të detajuar edhe në zona anatomike me qasje të vështirë. Pamja tredimensionale me rezolucion të lartë i ofron kirurgut një paraqitje të zmadhuar shumëfish dhe të qartë të fushës operative.
Prof. Dr. Sotir Stavridis shpjegon se kjo qasje minimalisht invazive u mundëson pacientëve siguri më të madhe dhe një rikuperim dukshëm më të shpejtë.
“Implementimi i kësaj teknologjie të sofistikuar na hap mundësi të jashtëzakonshme – na lejon të punojmë me saktësi mikroskopike të nivelit më të lartë dhe të kryejmë ndërhyrje kirurgjikale jashtëzakonisht komplekse. Në të njëjtën kohë, qasja minimalisht invazive garanton siguri maksimale për pacientët dhe një rikuperim dukshëm më të shpejtë. Ndërhyrja u zhvillua në mënyrë të përkryer dhe plotësisht sipas planit të parashikuar, gjë që është rezultat i drejtpërdrejtë i përgatitjes së kujdesshme dhe koordinimit të shkëlqyer të të gjithë ekipit operativ”, – deklaroi Prof. Dr. Sotir Stavridis, specialist në urologji.
Në kryerjen e operacionit mori pjesë edhe Dr. Aleksandar Mickovski, si pjesë e ekipit të urologëve të përfshirë në ndërhyrje.
“Ky është sfida më e madhe e urologjisë moderne, përdorimi i robotit në realizimin e operacioneve kaq komplekse dhe bashkëkohore”, – deklaroi Dr. Aleksandar Mickovski.
PËRGATITJE E SAKTË ANESTEZIOLOGJIKE DHE KOORDINIM I VAZHDUESHËM
Drejtoresha mjekësore e Spitalit Klinik “Acibadem Sistina”, Dr. Emilija Mirçevska, udhëhoqi ekipin e anesteziologëve që mori pjesë në operacion.
Për Dr. Mirçevska, realizimi i operacionit të parë të asistuar me robot përfaqëson një moment me rëndësi historike për spitalin. Ajo shprehu mirënjohje të madhe për të gjithë anëtarët e ekipit mjekësor për profesionalizmin, përkushtimin dhe punën e tyre të palodhur, falë të cilëve ky hap i rëndësishëm në mjekësi u bë realitet.
“Jemi krenarë që mund të ofrojmë kujdes kirurgjikal të avancuar për pacientët tanë dhe t’ua bëjmë të aksesueshme teknologjitë më moderne mjekësore të gjithë pacientëve. Si anesteziologe, ishte një nder dhe krenari profesionale për mua të jem pjesë e ndërhyrjes së parë kirurgjikale të asistuar me robot në spitalin tonë. Anestezia në kirurgjinë robotike ka specifikat e saj dhe kërkon përgatitje të saktë, monitorim të kujdesshëm dhe menaxhim të të gjitha ndryshimeve të mundshme në organizëm, të cilat shkaktohen nga pozicioni i pacientit gjatë operacionit dhe insuflacioni me dioksid karboni. Procedura të tilla kërkojnë një nivel të lartë koordinimi dhe komunikim të vazhdueshëm ndërmjet të gjithë anëtarëve të ekipit operativ. Ky sukses është dëshmi se disponojmë me njohuritë, përvojën dhe kapacitetin për zbatimin e teknologjive më moderne mjekësore”, – shpjegon Dr. Emilija Mirçevska.
PËRFITIMET NGA KIRURGJIA E ASISTUAR ME ROBOT
Kirurgjia e asistuar me robot përfaqëson një përparim revolucionar në urologjinë bashkëkohore. Falë vizualizimit tredimensional HD, saktësisë së lartë dhe fleksibilitetit të instrumenteve, të cilat tejkalojnë kufizimet natyrore të lëvizjes së dorës së njeriut, teknologjia robotike mundëson një diseksion jashtëzakonisht të saktë dhe ruajtje maksimale të strukturave vitale anatomike. Për pacientët, kjo qasje nënkupton prerje më të vogla kirurgjikale, humbje më të vogël të gjakut, dhimbje më të lehta pas operacionit, rrezik më të ulët për komplikime, qëndrim më të shkurtër në spital, shërim më të shpejtë dhe rikthim më të hershëm në aktivitetet e përditshme, si dhe saktësi më të madhe në ruajtjen e nervave, enëve të gjakut dhe indeve përreth.
Zbatimi i sistemit robotik nuk përfaqëson vetëm një përparim teknologjik, por edhe fillimin e një kapitulli krejtësisht të ri në praktikën e përditshme kirurgjikale të Spitalit Klinik “Acibadem Sistina”.
Spitali Klinik “Acibadem Sistina” do të vazhdojë edhe në të ardhmen të investojë në teknologji inovative mjekësore, në zhvillimin e njohurive dhe në edukimin e vazhdueshëm të ekipeve të tij, me një qëllim të vetëm – të ofrojë trajtim më të mirë, më të sigurt dhe më efikas, si dhe rezultatet më të mira të mundshme për çdo pacient. Me zgjerimin e përdorimit të kësaj teknologjie, pritet që kirurgjia e asistuar me robot të bëhet standardi i ri i artë në trajtimin e një numri gjithnjë e më të madh pacientësh dhe në kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale më komplekse.
SPB Tetovë njofton se dje (20.07.2026), zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria personin V.Z. (31) nga Tetova.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij dhe në ambientet ndihmëse, e kryer në periudhën prej orës 20:00 deri në 20:55 me urdhër gjyqësor, është gjetur dhe konfiskuar një substancë e bardhë pluhuri.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Muamet Hoxha, sot në një konferencë për shtyp në Qeveri ka folur për situatën me ujin në qytetin e Gostivarit.
Ai tha se ndotja e rrjetit të ujësjellësit në Gostivar është një incident serioz i cili ka rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin e mijëra qytetarëve.
Hoxha tha se pret që të përcaktohen plotësisht të gjitha faktet dhe rrethanat, si dhe të përcaktohet përgjegjësia penale dhe morale.
“Furnizimi me ujë të pijshëm, mirëmbajtja e sistemeve të ujësjellësit, grumbullimi dhe trajtimi i ujërave të zeza, janë kompetencë e komunave dhe ndërmarrjeve publike komunale. Pushteti lokal është linja e parë e përgjegjësisë për funksionimin e sigurt të këtyre sistemeve, si dhe për vendosjen dhe mbrojtjen e zonave sanitare mbrojtëse rreth burimit të ujit”, tha Hoxha.
"Ribalanci i buxhetit për vitin 2026 nuk është pasojë e problemeve me financat publike, por përkundrazi paraqet dokument zhvillimor që siguron mjete shtesë për investime kapitale, mbështetje për qytetarët dhe rritje të mëtejshme ekonomike në kushte të pasigurisë së madhe në tregjet botërore, risqeve gjeopolitike dhe presioneve të çmimeve", theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Qeveria, përmes ribalancit të buxhetit për vitin 2026, siguron stabilitet të financave publike, pagesë të rregullt të të gjitha detyrimeve ligjore të shtetit dhe në të njëjtën kohë rritje të mjeteve për investime kapitale, bujqësi, mbrojtje sociale, arsim, sport dhe zhvillim lokal.
"Ribalanci i buxhetit do të sigurojë pagesë të rregullt të pagave, pensioneve, kompensimeve sociale dhe të gjitha detyrimeve të tjera që shteti ka ndaj qytetarëve të tij. Megjithatë, në kushtet e të ardhurave të qëndrueshme të buxhetit dhe financave publike, tani po përqendrohemi në investimet kapitale. Investimet që po realizohen ditët e sotme në rrugë, hekurudha, energjetikë, arsim, mbrojtje shëndetësore dhe infrastrukturë komunale do të krijojnë aktivitet më të lartë ekonomik, vende të reja pune dhe standard më të mirë jetese”, theksoi ministrja.
Gjatë intervistës, Dimitrieska-Koçoska bëri të ditur se ribalanci është harmonizim ndaj rrethanave të ndryshuara ekonomike dhe detyrimeve të reja ligjore dhe jo rezultat i mungesës së të ardhurave ose cënimit të likuiditetit.
“Nevoja për ribalanc rezulton nga rrethanat e ndryshuara ekonomike gjatë vitit. Zhvillimet gjeopolitike, rritja e çmimeve të energjensave dhe ndryshimet në tregjet ndërkombëtare ndikuan në disa projeksione buxhetore. Si Qeveri e përgjegjshme, detyrimi ynë është që këto projeksione t’i harmonizojmë me kohë me gjendjen reale. Njëkohësisht, ndërkohë kanë rezultuar edhe detyrime shtesë ligjore, kryesisht si rezultat i marrëveshjeve kolektive të nënshkruara, si dhe nevoja për përkrahje shtesë për bujqësinë, mbrojtjen sociale dhe komunat. Megjithatë, ajo që e karakterizon më së shumti këtë ribalanc të buxhetit është përkushtimi ndaj investimeve. Kemi vendosur t’i destinojmë mjetet financiare aty ku ato do të krijojnë vlerën më të madhe të shtuar për ekonominë. Prandaj them se ky nuk është ribalanc krizash, por ribalanc zhvillimor”, theksoi ministrja.
MPB Maqedoni njofton se dje (20.07.2026) në orën 15:05 në Delçevë, oficerë policie nga Departamenti i Punëve të Brendshme të Delçevës e privuan nga liria A.T. (26) nga fshati Mitrashinci, Berovë.
"Gjatë një kontrolli trafiku në bulevardin "Makedonija" në Delçevë, oficerë policie ndaluan një automjet pasagjerësh "Rover" me targa të Berovës, gjatë së cilës u konstatua se A.T. po drejtonte automjetin nën ndikimin e alkoolit, përkatësisht i është matur niveli i alkoolit në gjak prej 4.35 promil".
"Ai është ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër tij do të ngrihen kallëzime përkatëse", thonë nga MPB.
"Ndalimi i vendosur për përdorimin e ujit nga ujësjellësi i Gostivarit, për pije dhe për përgatitjen e ushqimit, mbetet në fuqi derisa analizat laboratorike të konfirmojnë sigurinë e tij. Ne vazhdojmë ta monitorojmë me kujdes situatën dhe të marrim masat e nevojshme ligjore për zbardhjen e plotë të rastit, si dhe për eliminimin e shkaqeve që kanë çuar në këtë gjendje dhe kanë rrezikuar shëndetin e qytetarëve. E sigurojmë opinionin se asnjë aspekt i procedurës nuk do të mbetet i pahetuar", deklaroi sot drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Oliver Millanov.
Në konferencën për media në Qeveri, Milanov njoftoi se edhe sot vazhdojnë aktivitetet e shërbimeve inspektuese përmes kontrolleve ndaj operatorëve ushqimorë në rajonin e Gostivarit. Qëllimi i masave të jashtëzakonshme dhe kontrolleve të përforcuara, theksoi ai, është përcaktimi i saktë i burimit të kontaminimit, shkallës dhe përmasës së ndotjes, si dhe sigurimi i rezultateve të reja relevante laboratorike, mbi bazën e të cilave do të ndërmerren të gjitha masat e mëtejshme në këtë rast.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë me vëmendje të veçantë po e ndjek gjendjen me cilësinë e ujit të pijshëm në Komunën e Gostivarit. Që nga momenti i parë kur u morën informacionet për një rrezik të mundshëm për shëndetin publik, bazuar në njoftimin e prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit dhe kallëzimin nga MPB Gostivar për cenim të mundshëm të sigurisë së ujit të pijshëm në sistemin e furnizimit me ujë të Gostivarit, shërbimet inspektuese të AUV-së kryen një kontroll të jashtëzakonshëm në këtë sistem të furnizimit me ujë në fshatin Vrutok, Komuna e Gostivarit”, tha Millanov.
Sipas tij, në përputhje me kompetencat ligjore dhe protokollet e përcaktuara, kontrolli është kryer më 16 korrik, në orët e vona të mbrëmjes, në bashkëpunim me përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, PTHP Gostivar dhe teknikës kriminalistike të MPB-së. “Gjatë mbikëqyrjes u konstatua se në tubacionin kryesor të rrjetit të ujësjellësit, në mënyrë ilegale dhe pa leje, ishin vendosur pompa të cilat drejtpërdrejt injektonin ujë nga lumi Vardar në këtë sistem të furnizimit me ujë”, theksoi drejtori.
Ai shtoi se ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik kanë marrë katër mostra uji nga rezervuari, (burimi i ujit), uji sipërfaqësor dhe nga një çezmë publike në një xhami, për testim laboratorik me qëllim përcaktimin e sigurisë së ujit.
“Për të parandaluar një rrezik më të madh për banorët e këtij rajoni, AUV-ja menjëherë vendosi ndalesë të përkohshme për përdorimin e ujit të pijshëm. Gjatë ditës së djeshme, aktivitetet u zgjeruan ndjeshëm, ku shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë morën mostra shtesë nga i gjithë sistemi i furnizimit me ujë, përfshirë institucionet publike, kopshtet, objektet hotelierike dhe të tjera që e përdorin këtë ujë për pije dhe për përgatitjen e ushqimit”, tha Millanov.
Ai theksoi se, në kuadër të kompetencave ligjore, Agjencia do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ndaj të gjitha subjekteve ku do të konstatohen mangësi ose mosrespektim i obligimeve ligjore.
“U bëjmë apel qytetarëve që t’i respektojnë në mënyrë të vazhdueshme rekomandimet e institucioneve shëndetësore kompetente dhe të pushtetit lokal lidhur me përdorimin e ujit të pijshëm, deri në marrjen e rezultateve përfundimtare laboratorike dhe normalizimin e plotë të gjendjes”, theksoi Millanov.
Ai shtoi se AUV-ja po merr mostra zyrtare të ujit, ndërsa testimin e mostrave e kryen Instituti i Shëndetit Publik, i cili duhet t’ia dorëzojë zyrtarisht rezultatet Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
Tubat përmes të cilëve, sipas hetimit, uji sipërfaqësor i ndotur është futur në sistemin e furnizimit me ujë në Gostivar, kanë qenë në përdorim nga 25 qershori deri më 16 korrik, pra për 22 ditë, sipas gjetjeve të Prokurorisë Themelore Publike në Gostivar.
Hetim është hapur kundër drejtoreshës së NP "Komunalec" - Gostivar, drejtuesit teknik të Sektorit të Çështjeve Teknike dhe drejtuesit të Departamentit të Furnizimit me Ujë, Kanalizimit dhe Ndërtimit. Ata dyshohen për veprën penale "Krime të rënda kundër mjedisit dhe natyrës të shkaktuara nga veprimet e ndotjes së ujit të pijshëm".
Sipas Prokurorisë, më 25 qershor, të dyshuarit u kanë urdhëruar punonjësve të instalojnë tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor, në afërsi të menjëhershme të dhomës së tejmbushjes së sistemit të furnizimit me ujë, gjoja për testimin e presionit.
Gjatë inspektimit të kryer më 16 korrik, u përcaktua se dy nga pompat ishin ende në funksion dhe po transferonin ujë nga kanali në dhomën e ujit të pijshëm përmes tubave, gjë që çoi në përzierjen e ujit të ndotur me ujin nga sistemi i furnizimit me ujë.
Analizat laboratorike nga Instituti i Shëndetit Publik treguan devijime ekstreme nga vlerat e lejuara. Në mostrat e ujërave sipërfaqësore u matën 2,419.6 cfu/100 ml baktere koliforme, megjithëse vlera maksimale e lejuar është 50 cfu/100 ml. Për shkak të kësaj, uji është vlerësuar si shumë i ndotur dhe i papërdorshëm për çdo qëllim.
Devijime u përcaktuan edhe në mostrat nga burimi kryesor, ku u gjetën 39 cfu/100 ml baktere koliforme, megjithëse sipas standardeve prania e tyre duhet të jetë zero. U regjistrua edhe një numër në rritje i kolonive bakteriale aerobe mezofile.
Për më tepër, analiza e një mostre të marrë nga një rubinet në rrugën JNA në Gostivar tregoi gjithashtu përqendrim të rritur ndjeshëm të klorit rezidual - 1.1 mg/l, që është më shumë se dyfishi i vlerës maksimale të lejuar prej 0.5 mg/l, pra shumë mbi diapazonin e rekomanduar prej 0.2 deri në 0.3 mg/l.
Prokuroria deklaron se ndotja ka shkaktuar ndryshime që nuk mund të eliminohen lehtë, prandaj është hapur hetim. Tre të dyshuarit janë privuar nga liria dhe gjatë ditës prokurori publik do të vendosë se çfarë masash do t'i propozojë gjykatës.
Nga LSDM thonë se OBRM-PDUKM-ja tani e di se çfarë do të thotë hetimi dhe konfidencialiteti i informacionit. Sipas LSDM-së, kur Mickoski dëshiron të kërcënojë kundërshtarin e tij politik, ai ka "ndjenja" dhe urdhëron publikisht hetime nga foltorja parlamentare dhe përmes medias.
"Kur duhet të përcaktohet përgjegjësia për helmimin e qytetarëve në Gostivar, papritmas nuk ka "ndjenja" dhe gjithçka është "konfidenciale" dhe "nën hetim". Për pesë ditë, informacioni në lidhje me helmimin u fsheh nga publiku. Për pesë ditë, institucionet nën kontrollin e OBRM-PDUKM heshtën dhe nuk bënë asgjë".
"Tani, kur u zbulua se ishte fshehur, OBRM-PDUKM po përpiqet ta kthejë temën në "konfidencialitet informacioni", në vend që të marrë përgjegjësi. Pse i fshehu Prokuroria të dhënat nga analiza e ujit? Kë po mbronte tani? Kush e helmoi ujin që përfundoi në ujësjellës? Nëse OBRM-PDUKM vërtet beson në konfidencialitet dhe hetim, atëherë le të shpjegojë pse Ministri i Shëndetësisë dhe inspektimet shëndetësore heshtën për pesë ditë".
"Le të shpjegojë pse rezultatet e analizave u fshehën nga qytetarët. OBRM ka një “ndjenjë” vetëm kur duhet të sulmojë. Kur duhet të përgjigjet për paaftësinë dhe mbulimin e saj - atëherë papritmas gjithçka është “hetim” dhe “konfidenciale”. Qytetarët e Gostivarit nuk duan justifikime. Ata duan përgjegjësi. Dhe kjo përgjegjësi nuk mund të fshihet pas fjalëve “konfidencialitet” dhe “hetim”", thonë nga LSDM.
Koordinatori i grupit parlamentar dhe deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku është i ftuari i radhës në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni, me të cilin kemi diskutuar për VLEN-in në Qeveri, ndryshimet kushtetuese, si dhe fuqinë e OBRM-PDUKM-së.
Qoku tha se është në Qeveri si përfaqësues i 107 mijë votave, duke shtuar se shqiptarët duhet të jenë pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Ai tha se VLEN-i bënë maksimumin në Qeveri, në raport me fuqinë e numrave dhe fuqinë politike që e kanë.
"Në qeveri mundohemi të bëjmë maksimumin në raport me fuqinë dhe numrat që kemi dhe fuqinë politike që kemi. Ne mund të lavdërohemi që kemi pasur arritje të jashtëzakonshme sa i përket investimeve konkrete, kryesisht në zonat e banuara me shqiptarë. Është e natyrshme që ne të krahasohemi me qeverinë e mëparshme, pasi kanë qenë 22 vite në pushtet. Mandatin tjetër do të bëjmë krahasim me veten".
"Në demokraci janë numrat e deputetëve, në demokraci parlamentare deputeti është baza e legjitimitetit dhe përfaqësimit. Aktualisht OBRM-PDUKM i ka 59 deputetë. Fuqinë parlamentare që e ka sot OBRM-PDUKM nuk e ka pasur asnjëherë. Kjo OBRM-PDUKM e fuqishme është si pasojë edhe e sjelljes së dëmshme të partisë shqiptare që ka qenë në pushtet. Proporcionalisht me deputetët që kemi dhe pushtetin që kemi, nuk ka parti politike shqiptare që ka pasur këtë performancë që ka VLEN-i. Ta masim pushtetin me realizimin e punëve", tha Qoku.
I pyetur nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ai tha se të gjithë deputetët janë të mendimit se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme.
"Nga bisedimet që kemi me deputetët, janë vetëm hamendësime dhe mbahet gjallë si çështje, por të gjithë janë të mendimit se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Ne aktualisht kemi 10 komuna që e konfirmon fuqinë politike dhe shtrirjen elektorale të VLEN-it. Në 2025 në njësinë zgjedhore 5 kanë qenë pesë komuna shqiptare të drejtuara nga BDI, ndërsa sot vetëm Pllasnica drejtohet nga BDI-ja", tha Qoku.
Ndërsa sa i përket çështjes kur së bashku me dy zyrtarë tjerë të VLEN-it, u ndaluan të futen në Shqipëri, Qoku tha se bëhet fjalë për gabim.
"Është e paqartë pasi unë e kalova kufirin dy herë pas atij ndalimi, por duhet të ketë diçka që nuk shkon. Duhet të jem në ndonjë "stop list" dhe kur e kanë parë që kam bërë shumë zhurmë, e panë se kanë bërë gabim. Fajin e shoh te ngutja e qeverisë së Shqipërisë për të linçuar një grup politik siç është VLEN-i", tha Qoku, duke akuzuar Qeverinë e Edi Ramës për bashkëpunim me BDI-në.
Ndërsa në lidhje me ndryshimet kushtetuese, Qoku u shpreh i bindur se ato do të ndodhin dhe se vendi do të bëhet pjesë e BE-së. "Maqedonasit kanë një arsye pse e pengojnë çështjen e eurointegrimeve, pra identiteti, historia, gjuha kultura. Ne meritojmë të jemi pjesë e BE-së, sidomos ne shqiptarët ku shumica jemi deklaruar pro integrimit në BE. Shpresoj që do të tejkalohet kjo situatë dhe jam i bindur që shumë shpejt do të jemi pjesë e BE-së. Ndryshimet kushtetuese do të ndodhin, pasi është kusht dhe është e vështirë të refuzohet pasi vjen nga një shtet i fuqishëm siç është Bullgaria. Edhe OBRM-PDUKM-ja është pro ndryshimeve kushtetuese, por kërkojnë garancë", tha Qoku./Telegrafi/
"Nuk ka pasur në asnjë moment fshehje të informacioneve nga Ministria e Shëndetësisë për situatën në Gostivar", deklaroi sot ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
“Unë isha i pari që të shtunën informova se rastet e para janë regjistruar më 13 korrik. Ministria e Shëndetësisë dhe unë do të vazhdojmë t’i publikojmë të dhënat në mënyrë transparente, sepse nuk kemi çfarë të fshehim”, tha Klekovski në konferencën e sotme për media në Qeveri.
Informacioni i parë zyrtar për situatën në Gostivar ka arritur në Ministrinë e Shëndetësisë të premten në orën 13:00.
Sipas tij, deri tani janë regjistruar rreth 3.100 kontakte shëndetësore nga Qendra Shëndetësore, Spitali i Përgjithshëm, thirrjet telefonike dhe ndërhyrjet e ndihmës së shpejtë.
Kontrolli i parë mjekësor është kryer më 14 korrik, ndërsa më 19 korrik për herë të parë është vërejtur ulje e numrit të pranimeve. Klekovski njoftoi se sot do të mblidhet edhe Komisioni për Sëmundje Infektive, i cili do të dalë me rekomandime përkatëse.
Policia ka arrestuar drejtoreshën e ndërmarrjes së shërbimeve komunale të Gostivarit "Komunalec", Artana Asani.
Sipas informacioneve fillestare, bashkë me të janë arrestuar edhe dy bashkëpunëtorë të saj, drejtori teknik, Leon Nuredini dhe kreu i ujësjellësit, Vadedin Dervishi. Ata pritet të paraqiten së shpejti para prokurorisë, ndërsa gjyqtari i procedurës paraprake do të urdhërojë masa paraprake për ta.
Më parë, kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, pezulloi drejtorieshën e ndërmarrjes së shërbimeve komunale të Gostivarit "Komunalec", por tha se personalisht nuk ndihej përgjegjës.
Limani u bëri thirrje institucioneve kompetente që të përfundojnë hetimin në mënyrë objektive dhe transparente, duke theksuar se komuna do të bashkëpunojë plotësisht me ta për të vërtetuar faktet dhe për të gjetur një zgjidhje për problemin.
"Situata aktuale në Gostivar do të shqyrtohet në një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Komunës së Gostivarit. Shpejt duhet të mblidhet shtabi i krizës, ku duhet të merren vendime për kapërcimin e problemeve me numrin e shtuar të sëmundjeve", tha Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani.
Në konferencën për shtyp, ai theksoi se drejtoresha e NP "Komunalec", Artana Asani, është pezulluar së bashku me disa persona të tjerë përgjegjës për furnizimin me ujë të qytetit.
Limani u bëri thirrje institucioneve që në mënyrë objektive të përfundojnë punën e tyre dhe se do të bashkëpunojnë me to derisa të zgjidhet rasti dhe të kapërcehet situata.
Pushteti lokal do të njoftojë numrin e qytetarëve që nuk janë në gjendje të sigurojnë ujë të pijshëm, i cili do të dorëzohet më afër shtëpive të tyre.
Ai shprehu mirënjohje për të gjithë individët që u angazhuan gjatë ditës për të kapërcyer mungesën e ujit të pijshëm.
Kryeministri Hristijan Mickoski kërkon që kreu i Gostivarit dhe gjithë zinxhiri përgjegjës të mbajnë përgjegjësi morale për helmimin e qytetarëve të Gostivarit.
Sipas tij, Instituti i Shëndetit Publik e ka bërë punën e vet, ndërsa tani në hap është Prokuroria Publike e cila duhet të dalë me kualifikimin e veprës penale. Për shkak se ujësjellësi në Gostivar është projekt i financuar nga jashtë dhe me mbështetjen e Qeverisë, Mickoski tha se përgjegjësi do të ketë edhe për mbikëqyrësin e punimeve i cili ka nënshkruar raportin kur ka mbaruar projekti.
“Nga i pari deri tek i fundit duhet të mbajnë përgjegjësi morale, pavarësisht asaj që nga ana tjetër Prokuroria do të merret me përgjegjësinë e nivelit tjetër. Por unë pres që nga kryetari i komunës e gjithë të tjerët me rend të mbajnë përgjegjësi morale si fillim. Sigurisht që ka mbikëqyrës që ka nënshkruar raportin. Sipas ligjit për ndërtim, patjetër të keni mbikëqyrës dhe kompani që i kontrollon punimet dhe të gjithë një për një do të shqyrtohen”, deklaroi Hristijan Mickoski.
Drejtoria e Policisë Financiare ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë ndaj një punonjësi të Universitetit të Tetovës, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve.
Sipas Policisë Financiare, i denoncuari A.Z., i punësuar si bashkëpunëtor i lartë për logjistikë dhe punë në terren, gjatë periudhës mars 2020 – shkurt 2023, dyshohet se ka përvetësuar paratë që studentët ia kishin dorëzuar për pagesa të participimit, bashkëfinancimit dhe shpenzimeve të tjera të studimeve.
Në vend që t’i depozitonte mjetet në llogarinë e universitetit përmes platformës E-pay, ai dyshohet se i ka mbajtur për vete, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme rreth 3.362.272 denarë. Për të njëjtën shumë, sipas kallëzimit, i është shkaktuar dëm financiar Universitetit të Tetovës.
Për të fshehur veprën, ai dyshohet se ka përgatitur dëshmi të falsifikuara për pagesa, të cilat ua ka dorëzuar studentëve si prova se pagesat ishin kryer.
Sipas hetimeve, për falsifikimin e dokumenteve ai ka përdorur të dhëna dhe kodin QR nga një dëshmi reale pagese përmes E-pay, më pas duke ndryshuar emrin e paguesit, shumën dhe datën e pagesës. Studentët, duke besuar se pagesat ishin realizuar, i kanë dorëzuar këto dokumente në sistemin elektronik të universitetit dhe në shërbimin studentor.
Në Gostivar priten rezultatet e analizave të institucioneve kompetente mbi shkakun dhe shfaqjen e numrit të shtuar të pacientëve me ankesa në stomak.
Që nga mbrëmë, ka filluar shpërndarja e ujit të pijshëm përmes shërbimeve qeveritare, dhe aksionit po i bashkohen edhe individë dhe kompani.
Sipas Ivica Tomovskit, drejtor i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe Përbashkëta, 50 mijë litra ujë të paketuar do të shpërndahen çdo ditë në Gostivar. Epidemiologët dje shpallën epidemi për shkak të numrit të shtuar të personave që janë ankuar për probleme shëndetësore.
Informacioni i fundit nga Ministria e Shëndetësisë është se institucionet kompetente shëndetësore vazhdojnë me monitorimin dhe hulumtimin intensiv të numrit të shtuar të personave me simptoma të gastroenterokolitit në zonën e Gostivarit.
Sipas informacionit, në periudhën nga 18 korriku në orën 08:00 deri më 19 korrik në orën 08:00, në Spitalin e Përgjithshëm në Gostivar janë regjistruar: 204 ekzaminime në Departamentin e Sëmundjeve Infektive, me tre persona të shtruar në spital; 140 ekzaminime në Departamentin e Pediatrisë, nga të cilat 105 të reja dhe 35 kontrolluese; nëntë ekzaminime në Qendrën e Emergjencës.
"Pasqyra klinike te shumica e pacientëve është e lehtë, ndërsa numri i personave të shtruar në spital mbetet i ulët. Megjithatë, për shkak të numrit të shtuar të pacientëve në një periudhë të shkurtër kohore, situata trajtohet si ngjarje epidemike aktive dhe po kryhen të gjitha aktivitetet e nevojshme epidemiologjike, laboratorike dhe parandaluese", deklaron Ministria e Shëndetësisë.
Pas shpalljes së epidemisë, Qendra e Shëndetit Publik në Gostivar kryen inspektime në terren, anketa epidemiologjike dhe mbledhje të dhënash nga pacientët. Deri më tani, janë paraqitur rreth 140 raporte formale për sëmundje infektive, të cilat po përpunohen nga ekipet epidemiologjike të Qendrës së Shëndetit Publik të Tetovës dhe Institutit të Shëndetit Publik.
"Instituti i Shëndetit Publik është i përfshirë në hetim me mbështetje nga ekspertë dhe laboratorë, dhe ekipet e përbashkëta vazhdojnë të anketojnë të sëmurët, të analizojnë ekspozimet e mundshme të përbashkëta dhe të shqyrtojnë mikrobiologjikisht mostrat e marra", thonë nga MSH.
Sipas informacioneve të fundit, janë duke u zhvilluar: hulumtimi epidemiologjik dhe monitorimi aktiv i rasteve të reja; ekzaminimet mikrobiologjike të mostrave të pacientëve; ekzaminimet e mostrave të ujit dhe vlerësimi i burimeve të mundshme të infeksionit; mbikëqyrja e furnizimit me ujë dhe kushteve sanitare dhe higjienike; koordinim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor dhe institucionet lokale.
Për sot është paralajmëruar konferencë për shtyp në qendrën qeveritare të shtypit, në të cilën pritet të paraqiten rezultatet e analizave të ujit nga ujësjellësi i qytetit dhe detaje rreth rastit në Gostivar.
Nga sot (20.07.2026) deri më 23.07.2026, Presidentja e Republikës së Indisë, Drupadi Murmu, do të zhvillojë vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Nga MPB njoftojnë se Njësia e Sigurisë në Trafikun Rrugor të SPB Shkup do të marrë masa për regjim të veçantë trafiku në rrugët në zonën më të gjerë qendrore të Qytetit të Shkupit.
"SPB Shkup u bën thirrje të gjithë qytetarëve që marrin pjesë në trafik të respektojnë urdhrat e dhëna nga oficerët e uniformuar të policisë", thonë nga MPB.