Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 August 2025FaxWeb

Çfarë pritet nga përpjekja e Trumpit për paqe në Ukrainë pas takimit Putin-Witkoff?

By: Fax Web
7 August 2025 at 19:37

Pas takimit të të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, me presidentin rus, Vladimir Putin, në Kremlin më 6 gusht, ku u diskutua lufta e Moskës kundër Ukrainës, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se palët bënë “përparim të madh”, por më pas u tha gazetarëve se nuk e sheh këtë si “përparim vendimtar”.

Gjatë një bisede telefonike, ai u tha liderëve evropianë dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se dëshiron të takohet me Putinin – ndoshta javën e ardhshme – dhe më pas të mbajë një samit me Putinin dhe Zelenskyn, derisa i avancon përpjekjet për paqe.

Rusia duket e entuziazmuar për një takim ballë për ballë mes Trumpit dhe Putinit, por duket shumë më e ftohtë ndaj idesë së një samiti trepalësh. Ndërkohë, nuk është e qartë nëse do të hyjnë në fuqi sanksionet që Trumpi ka kërcënuar se do t’i vendosë në mungesë të një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës.

Pas takimit Putin-Witkoff, kanë lindur tri pyetje kryesore dhe këto janë përgjigjet e mundshme.

A fitoi diçka Putini?

Disa orë pas takimit në Moskë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se Trump do të vendosë brenda 24-36 orëve nëse do të ecë përpara me vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë dhe vendeve që blejnë naftën e saj – pra deri në afatin e 8 gushtit që vetë Trump i kishte dhënë Moskës për t’i dhënë fund luftës.

Në çdo rast, Putin ka fituar diçka që gjithmonë e ka dëshiruar – një vend në tryezë me Shtetet e Bashkuara, fillimisht përmes takimit me Witkoffin, dhe më pas, nëse ndodh, takimi i tij i parë me një president amerikan pas më shumë se katër vjetësh dhe i pari me Trumpin që kur ky mori detyrën për mandatin e tij të dytë presidencial në janar.

Si Trumpi, ashtu edhe Yuri Ushakov, këshilltari kryesor i Putinit për politikën e jashtme, kanë thënë se dy presidentët mund të takohen që javën e ardhshme.

Putini pritet të përfitojë më së shumti nga një takim dypalësh, i cili për momentin do të linte Zelenskyn dhe mbështetësit e tij evropianë jashtë loje.

“Trump dhe Putin ishin në një qorrsokak prej kur Trump shpalli afatin e tij”, shkroi analisti dhe profesori i politikës ruse, Sam Greene, në platformën Bluesky më 6 gusht.

“Këto bisedime të propozuara – nëse, sigurisht, ndodhin – janë një rrugëdalje. Mjaftueshëm përparim që Trump të thotë se kërcënimet e tij funksionuan, por jo aq sa të duket se Putini është dorëzuar. Por, është një lëvizje më e mirë për Rusinë sesa për këdo tjetër”.

A do të mbahet samiti trepalësh?

Kjo do të varet pjesërisht nga qëndrimi i Rusisë, e cila vazhdimisht e ka refuzuar idenë e një takimi me Zelenskyn, duke sugjeruar se ai duhet të ndodhë vetëm kur palët të jenë pranë nënshkrimit të një marrëveshjeje paqeje – jo thjesht një armëpushimi.

Ai moment duket ende shumë larg, duke pasur parasysh hendekun e madh mes qëndrimeve ruse dhe ukrainase për disa çështje madhore, përfshirë territorin dhe sigurinë, pavarësisht tre rundeve të bisedimeve të drejtpërdrejta në Turqi që nga mesi i majit. Putin e kishte refuzuar ofertën e Zelenskyt për t’u takuar ballë për ballë që në raundin e parë të negociatave në Stamboll.

Ndërsa Zelensky e promovoi idenë e një takimi trepalësh me Trumpin në komentet e tij më 7 gusht, Ushakov e minimizoi atë:

“Ne propozojmë, para së gjithash, të përqendrohemi në përgatitjen e një takimi dypalësh me Trumpin dhe e konsiderojmë më të rëndësishme që ky takim të jetë i suksesshëm dhe produktiv”.

Më vonë gjatë asaj dite, Putini tha se nuk ka asgjë kundër një takimi me Zelenskyn, por se “duhet të krijohen disa kushte” dhe se për momentin ato kushte janë “shumë larg”, raportoi agjencia Interfax.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në një intervistë për Fox Business më 6 gusht, sugjeroi se mund të kalojë kohë para se të ketë baza për një samit trepalësh mes Trumpit, Zelenskyt dhe Putinit.

“Nëse arrijmë të afrojmë mjaftueshëm atë që ukrainasit do të pranojnë dhe atë që rusët do të pranojnë, atëherë mendoj se ka mundësi që presidenti të zhvillojë një takim që përfshin si Putinin, ashtu edhe Zelenskyn, për të përmbyllur këtë çështje”, tha ai.

Ndërkohë, për Putinin, një takim me Trumpin mund të jetë një mundësi për ta shtyrë SHBA-në të pajtohet me disa nga kushtet e Rusisë për një armëpushim apo marrëveshje paqeje, dhe për të provuar që të bindë Uashingtonin të ushtrojë presion mbi Kievin që t’i pranojë ato para se të zhvillohen bisedime trepalëshe.

Në javët e fundit, Trump ka kritikuar shpesh Putinin, duke thënë se Shtetet e Bashkuara “dëgjojnë shumë budallallëqe” prej tij dhe duke e akuzuar për vrasjen e civilëve përmes sulmeve të pandërprera ajrore në Ukrainë, pavarësisht se ai thotë se dëshiron paqe.

Trump nuk dha hollësi se çfarë nënkuptonte “përparimin e madh” që tha se u arrit në takimin Witkoff-Putin. Rubio sugjeroi se rezultati kryesor ishte se SHBA-ja tani ka “një ide më të mirë të kushteve nën të cilat Rusia do të ishte e gatshme të përfundonte luftën”.

“Mendoj se elementët kyç të çdo fundi të luftës do të jenë territorialë” dhe se nëse do të ketë paqe, “duhet të ketë lëshime nga rusët dhe nga ukrainasit, sigurisht edhe nga këta të fundit”, tha Rubio.

Rusia pushtoi Krimenë dhe pjesë të lindjes së Ukrainës në vitin 2014 dhe tani kontrollon rreth një të pestën e vendit, përfshirë pothuajse të gjithë rajonin e Luhanskut dhe pjesë të mëdha të Donjeckut, Zaporizhjës dhe Hersonit – të cilat Moska pretendon padrejtësisht se i përkasin Rusisë.

Përveç neutralitetit të Ukrainës dhe kufizimeve të rrepta për madhësinë e ushtrisë së saj, një nga kushtet e deklaruara të Moskës për një marrëveshje paqeje është tërheqja e Ukrainës dhe njohja ndërkombëtare e këtyre rajoneve si ruse – diçka që Kievi e quan të papranueshme.

Putini dhe zyrtarë të tjerë rusë kanë thënë vazhdimisht se Moska synon t’i marrë këto katër rajone tokësore me forcë, nëse nuk mund ta bëjë këtë përmes negociatave, dhe nuk ka shenja publike të ndonjë ndryshimi të këtij pozicioni – edhe pse analistët ushtarakë thonë se forcat ruse do ta kishin shumë të vështirë ta arrinin këtë objektiv në një të ardhme të afërt.

Ilan Berman, nënkryetar ekzekutiv i Këshillit Amerikan për Politikën e Jashtme dhe anëtar i bordit të Radios Evropa e Lirë, tha se dyshon që Rusia është e gatshme të bëjë lëshime.

“Është e vështirë të imagjinohet që kërkesat e palës ruse në tryezën e negociatave të ndryshojnë nga objektivat që ajo po përpiqet t’i arrijë në fushëbetejë”, tha Berman për Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë.

“Kremlini deri më tani nuk është tërhequr nga kërkesat e tij maksimaliste dhe nuk ka arsye të besohet se Moska është gati për kompromis, madje as për çështje të vogla”.

Tatyana Stanovaya, studiuese në Qendrën Carnegie për Rusinë dhe Euroazinë, tha gjithashtu se Rusia duket e papërgatitur të ndryshojë qëndrim ose t’i zbusë kërkesat e saj.

“Nuk vërej ndonjë ndryshim thelbësor në taktikat e Rusisë ndaj Trumpit ose Ukrainës”, shkroi ajo në X – që më herët njihej me emrin Twitter.

“Witkoff udhëtoi në Moskë dhe dëgjoi saktësisht atë që do të kishte dëgjuar pavarësisht presionit të sanksioneve: që lufta mund të përfundojë në çdo moment, me kusht që të adresohen të ashtuquajturat ‘shkaqe rrënjësore’”.

“Sido që të formulohen këto kushte, ato reduktohen në të njëjtin kërkesë: Ukraina të ndalojë rezistencën, Perëndimi t’i ndalojë furnizimet me armë dhe Kievi t’i pranojë kushtet e Rusisë, që në thelb përbëjnë një kapitullim de facto”.

Flakët në Patos dhe Mallakastër, helikopteri i Forcave të Armatosura ndërhyn për shuarjen e zjarreve

By: Fax Web
7 August 2025 at 19:35

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka ndjekur nga afër operacionin për shuarjen e zjarreve në fshatrat Lofkënd dhe Drenie, në zonën mes Bashkisë së Patosit dhe asaj të Mallakastrës, ku një sipërfaqe me pisha dhe bimësi të dendur është përfshirë nga flakët.

Operacioni për izolimin dhe shuarjen e zjarrit po vijon me ndërhyrje nga toka dhe ajri, ndërsa në terren janë angazhuar trupat e Forcave të Armatosura në bashkëpunim të ngushtë me emergjencat civile të qarkut Fier dhe shërbimet zjarrfikëse nga disa bashki dhe institucione.

Në total, në operacion marrin pjesë:

-2 automjete zjarrfikëse të FA-së

 

-3 zjarrfikëse nga bashkia Patos
-1 zjarrfikëse nga bashkia Mallakastër

-1 zjarrfikëse nga bashkia Lushnjë

-1 zjarrfikëse nga bashkia Fier

-2 mjete të kompanisë Albpetrol

-1 zjarrfikëse nga bashkia Roskovec

Vengu vlerësoi profesionalizmin dhe përkushtimin e të gjitha forcave të angazhuara, duke theksuar se mbrojtja e jetës së qytetarëve dhe e mjedisit mbetet një prioritet absolut.

Sipas autoriteteve, puna për neutralizimin e plotë të flakëve vijon me intensitet të lartë dhe me koordinim të ngushtë ndërinstitucional.

Situata në Gaza, ushtria izraelite thirrje palestinezëve: Evakuohuni drejt al-Mawasi

By: Fax Web
7 August 2025 at 19:25

Zëdhënësi i Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF), Avichay Adraee, u ka bërë thirrje banorëve palestinezë që jetojnë në lagjet al-Daraj dhe al-Tuffah, në qytetin e vjetër të Gazës, që të evakuohen menjëherë.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Adraee deklaroi se “IDF vazhdon të veprojë me forcë të madhe kudo që kryhet aktivitet terrorist dhe raketa hidhen drejt Izraelit.”

Banorët janë këshilluar të zhvendosen drejt al-Mawasi, një qytet bregdetar beduin që është shpallur nga Izraeli si “zonë e sigurt” për civilët. Megjithatë, në këtë zonë aktualisht po strehohen deri në gjysmë milioni palestinezë, të cilët përballen me mbipopullim ekstrem dhe kushte të vështira jetese, mes mungesës së ushqimit, ujit dhe ndihmës mjekësore.

Izraeli dhe Egjipti forcojnë marrëdhëniet, nënshkruhet marrëveshja për eksportin e gazit prej 35 miliardë dollarësh

By: Fax Web
7 August 2025 at 19:24

“NewMed”, partner në Leviathan, një nga fushat më të mëdha të gazit natyror të Izraelit në Mesdhe, njoftoi nënshkrimin e marrëveshjes për eksportin e gazit natyror me Egjiptin në vlerë 35 miliardë dollarë.

Marrëveshja midis partnerëve të Fushës së Gazit Natyror Leviathan dhe Egjiptit është marrëveshja më e madhe e eksportit në historinë e vendit.  Në një deklaratë “NewMed” tha se 130 miliardë metra kub gaz natyror do të eksportohen në Egjipt nga fusha Leviathan deri në vitin 2040.

Theksohet se marrëveshja do të hapë rrugën për zgjerimin e Leviathan, me qëllim sigurimin e furnizimeve me gaz natyror në tregun izraelit deri në vitin 2064.

Një marrëveshje që mbulon furnizimin me 60 miliardë metra kub gaz u nënshkrua midis Egjiptit dhe Izraelit në vitin 2019. Furnizimet me gaz për Egjiptin filluan menjëherë pasi fusha Leviathan u bë funksionale në vitin 2020.

 

Shumica e 11.33 miliardë metrave kub gaz natyror të prodhuar në fushën e gazit Leviathan vitin e kaluar u eksportuan në Egjipt dhe Jordani.

 

Kenia/ Rrëzohet avioni në Nairobi, humbin jetën gjashtë persona

By: Fax Web
7 August 2025 at 19:22

Një avion i vogël që transportonte staf mjekësor u rrëzua në një lagje me popullsi të dendur në kryeqytetin e Kenias të enjten pasdite, duke vrarë gjashtë persona, thanë autoritetet lokale.

Aeroplani Cessna, i drejtuar nga AMREF Flying Doctors, u rrëzua ndërsa po fluturonte për në Hargeisa, kryeqytetin e territorit të shkëputur të Somalisë, Somaliland, tha organizata bamirëse në një deklaratë.

Autoriteti i Aviacionit Civil të Kenias tha se avioni u ngrit nga Aeroporti Wilson në orën 14:14 dhe humbi kontaktin me kontrollin e trafikut ajror tre minuta më vonë.“Jemi thellësisht të trishtuar nga ky incident tragjik që përfshin një mision ambulance ajrore”, tha KCAA në një deklaratë.

Videot e paverifikuara të shpërndara në mediat sociale treguan zjarrfikësit duke u përpjekur të shuanin mbeturinat që digjeshin brenda asaj që dukej të ishte një kompleks banimi.

Aksidentet që përfshijnë avionë të lehtë janë relativisht të zakonshme në Afrikën Lindore.  Në prill të vitit të kaluar, shefi ushtarak i Kenias ishte midis 10 personave të vrarë kur helikopteri i tyre ushtarak u rrëzua menjëherë pas ngritjes.

BIRN: Shqipëria përkrah SHBA dhe aleatëve të Perëndimit, akuzojnë Iranin për dhunim të sovranitetit

By: Fax Web
7 August 2025 at 19:21

Shqipëria iu bashkua këtë javë një deklarate të përbashkët të lëshuar nga 14 vende perëndimore – përfshirë SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Francën dhe Kanadanë – duke dënuar operacionet e shërbimeve inteligjente iraniane në territoret e tyre. Deklarata shënon një përshkallëzim të qëndrimeve ndërkombëtare ndaj Teheranit dhe denoncon bashkëpunimin e tij gjithnjë e më të ngushtë me rrjete kriminale për të përndjekur disidentë politikanë, gazetarë, zyrtarë dhe minoritete fetare.

“Ne jemi të bashkuar në kundërshtimin e përpjekjeve të shërbimeve inteligjente të Iranit për të vrarë, marrë peng apo përndjekur njerëz në Europë dhe Shtetet e Bashkuara në dhunim të qartë të sovranitetit tonë,” thuhet në deklaratën e përbashkët.

Shqipëria nuk është thjesht një firmëtare simbolike e deklaratës, pasi Irani është nën akuzë për sulme të vazhdueshme kibernetike ndaj sistemeve online të vendit. I fundit u shënua në qershor të këtij viti, kur Bashkia e Tiranës u përball me një sulm kibernetik që nxorri jashtë funksionit 55 shërbime publike.

Sulmi u mor përsipër nga grupi i identifikuar si “Homeland Justice” në Telegram, pas së cilit dyshohet se fshihen hakera iranianë. Të njëtët konsiderohen përgjegjës edhe për sulmin ndaj shërbimeve qeveritare digjitale 3 vjet më parë dhe rrjedhjen e një mase të madhe të dhënash personale të qytetarëve që solli ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Deklarata e përbashkët ndërkohë vë në dukje targetimin nga Irani të gazetarëve, disidentëve, hebrenjve dhe zyrtarëve apo ish zyrtarëve të këtyre vendeve. “Kjo është e papranueshme. Ne i konsiderojmë këto lloj sulmesh, pavarësisht nga targeti, si dhunim të sovranitetit tonë,” thuhet në deklaratë.

Redon Qirjazi, ekspert i sigurisë, vë në dukje se Irani është prej kohësh i angazhuar në një luftë hibride ndaj Shqipërisë, për shkak të strehimit në vend të organizatës opozitare iraniane Mojahedin-e-Khalq (MEK).

“Ka indicie për përpjekje të inteligjencës iraniane për të krijuar rrjete të informimit brenda territorit shqiptar apo për të ndikuar në opinionin publik në mënyrë indirekte përmes rrjeteve sociale, propagandës dhe formave të tjera të luftës hibride,” tha Qirjazi. Ai tha se Irani ka bërë përpjekje për të targetuar qoftë eksponentë të MEK, por edhe figura publike që mbështesin këtë grupim.

“Në rastin e Shqipërisë, këto veprime janë të përsëritura dhe të dokumentuara. Ato tashmë nuk janë më vetëm kërcënime dhe “provokime”, por akte të qarta antagonizmi të një shteti kundër një tjetri”, tha ai.

Luftë hibride

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Iranit kanë qenë tradicionalisht të ftohta, por situata u përkeqësua në vitin 2013, kur vendi pranoi të strehojë anëtarë të organizatës opozitare iraniane Mojahedin-e-Khalq (MEK), e konsideruar si organizatë terroriste nga regjimi iranian.

Marrëdhëniet u ngrinë përfundimisht në vitin 2022, kur një sulm masiv kibernetik goditi infrastrukturën digjitale të qeverisë shqiptare. Sipas autoriteteve shqiptare dhe hetimeve të mbështetura nga SHBA, pas këtij sulmi qëndronin strukturat shtetërore iraniane. Si kundërpërgjigje, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe dëboi të gjithë stafin e ambasadës në Tiranë. Nga ajo kohë, tensionet kanë vazhduar të thellohen.

Vendosja e MEK në Shqipëri e ka bërë vendin një objektiv të përsëritur të propagandës iraniane dhe një sërë incidentesh të regjistruara nga autoritetet dëshmojnë për përpjekje të Iranit për të krijuar rrjete të infiltrimi dhe tentativa për atentate të mundshme ndaj disidentëve.

Një shtetas iranian u dënua në vitin 2022 nga Gjykata e Posaçme, me akuza të terrorizmit dhe disa diplomatë u dëbuan nga Shqipëria të akuzuar për përpjekje të ngjashme. Policia e Shtetit njoftoi në vitin 2019 shkatërrimin e një celule terroriste, që sipas saj ishte e lidhur me QUDS, një strukturë e regjimit në Teheran për veprime jashtë vendit. Policia pretendoi se organizata kishte targetuar pjesëtar të MEK në vend dhe se kishte planifikuar sulme terroriste.

Sipas Qirjazit, rreziku për Shqipërinë është më i madh se thjesht dëmet në infrastrukturën digjitale, megjithatë ai thotë se sulmet fizike janë më pak të mundshme.

“Rreziku nuk është vetëm digjital, por potencialisht edhe social dhe politik. Kërcënimi fizik është më pak i mundshëm, por gjithsesi prezent,” tha ai.

Ndërkohë deklarata e përbashkët e vendos Shqipërinë në të njëjtën linjë me aleatët kryesorë euroatlantikë. Nga ana tjetër, ekspertët kanë ngritur dyshime për kapacitetet reale të vendit për të mbrojtur veten nga kërcënimet jo-konvencionale – qofshin ato kibernetike, informative apo operative.

Qirjazi vë në dukje se Shqipëria duhet të thellojë bashkëpunimin me aleatët, për t’u mbrojtur prej sulmeve të kësaj natyre. “Vendet e vogla si Shqipëria janë më të ekspozuara për shkak të resurseve më të kufizuara dhe ndonjëherë mungesës së përgatitjes strategjike për të përballuar kërcënime hibride,” tha Qirjazi./ BIRN

“Sanksione të reja ndaj Kinës”, Trump: Do të marrim masa ndaj partnerëve tregtarë të Rusisë

By: Fax Web
7 August 2025 at 18:56

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se mund të vendosë sanksione të reja ndaj Kinës, si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të ushtruar presion mbi vendet që tregtojnë me Rusinë.

Të mërkurën, Trump tha se do t’i dyfishojë tarifat ndaj Indisë në 50% deri në fund të gushtit, duke akuzuar kombin e Azisë Jugore se po ndihmon Moskën në konfliktin e Ukrainës duke blerë naftë ruse.

Më vonë atë ditë, në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, presidenti u pyet nëse planifikon të zgjerojë tarifa shtesë ndaj Kinës.

«Mund të ndodhë. Varet se si veprojmë», tha Trump.

I pyetur në lidhje me blerjet e energjisë ruse nga vendet e tjera, ai deklaroi se do të pasojnë më shumë tarifa.

“Do të shihni shumë më tepër. Do të shihni shumë sanksione dytësore”, tha ai.

Nju Delhi dhe Pekini, dy nga importuesit më të mëdhenj të naftës ruse, janë zotuar të mbrojnë interesat e tyre ekonomike pavarësisht tarifave të reja.

“India do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur interesat e saj kombëtare”, tha Ministria e Jashtme indiane në një deklaratë të mërkurën.

Francë/ Sulmohet me thikë kryetari i bashkisë së Villenueve de Marc bashkë me djalin e tij, shpallet në kërkim autori

By: Fax Web
7 August 2025 at 18:53

Kryetari i bashkisë së qytetit francez Villeneuve-de-Marc, një komunë me rreth 1,100 banorë në departamentin Isère (Auvergne-Rhône-Alpes), u shtrua në spital mbrëmë në gjendje të rëndë pasi u sulmua në rrugë nga një banor. Sipas France Inter këtë mëngjes, gjendja e tij po përmirësohet ngadalë.

Gilles Dussault u sulmua dhunshëm pasdite, pak para orës 5 pasdite ndërsa po ecte me djalin e tij 28-vjeçar, raportoi France Bleu. Zyra e prokurorit të Vienne ka hapur një hetim për vrasje në tentativë.

Sulmuesi përdori një “objekt të papërcaktuar” për të plagosur burrin 60-vjeçar në gjoks. Djali pësoi lëndime të lehta. Sulmuesi më pas iku, duke goditur një mur me makinën e tij.

Sipas mediave franceze, ai është ende në kërkim aktiv. Presidenti francez Emmanuel Macron komentoi mbrëmë me një mesazh të postuar në mediat sociale:

“Kur sulmohet një përfaqësues i zgjedhur, është Kombi që e mbështet atë. Mendimet tona janë me Gilles Dussault, kryetarin e bashkisë së Villeneuve-de-Marc, dhe me djalin e tij, të cilët u sulmuan dhunshëm”, tha ai.

Netanyahu diskuton të ardhmen e Gazës, mbledh kabinetin

By: Fax Web
7 August 2025 at 18:31

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka nisur diskutimet për të ardhmen e Rripit të Gazës, në një kohë kur ofensiva ushtarake izraelite në territorin palestinez vijon pa ndërprerje.

Sipas përditësimit më të fundit të ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila kontrollohet nga Hamasi, numri i viktimave që nga fillimi i konfliktit më 7 tetor 2023 ka arritur në 61,258 të vrarë, ndërsa 152,045 persona janë plagosur si pasojë e bombardimeve izraelite.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara raportojnë se 87% e territorit të Gazës është kthyer në zonë ushtarake ose është në kushte evakuimi të detyruar, duke bërë që pjesa më e madhe e popullsisë të zhvendoset drejt kampeve të improvizuara të refugjatëve, ku mungesa e ushqimit dhe ndihmës është thelluar ndjeshëm.

Agjencitë e OKB-së kanë paralajmëruar për një uri të shkaktuar nga njeriu, duke theksuar se situata humanitare po përkeqësohet çdo ditë. Vetëm në 24 orët e fundit, katër persona kanë ndërruar jetë për shkak të kequshqyerjes, duke e çuar në 197 numrin total të vdekjeve të lidhura me mungesën e ushqimit, mes tyre 96 fëmijë.

Pavarësisht situatës kritike, Izraeli ka deklaruar se “nuk ka uri në Gaza”, duke theksuar se ka mbështetur shpërndarjen e ndihmave përmes Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF) dhe ka lejuar gjithashtu dërgimin e furnizimeve nga ajri.

Por një grup ekspertësh të OKB-së kanë ngritur shqetësime të forta mbi operacionet e GHF-së, duke kërkuar pezullimin e këtij mekanizmi, pasi të paktën 859 persona janë vrarë në zonat pranë pikave të shpërndarjes së ndihmave që nga fillimi i operacioneve të tij.

Protesta kundër Gjykatës Speciale në Prishtinë, kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së: Po deformohet historia e Kosovës

By: Fax Web
7 August 2025 at 18:03

Në Prishtinë po protestohet me moton “kundër padrejtësisë” nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e organizuar nga kategoritë e dala nga lufta.

Mijëra protestues, nga qytete të ndryshme të Kosovës dhe vende të rajonit, janë mbledhur në sheshin Skënderbeu të Prishtinës dhe turmës fillimisht iu adresua kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati. Ai tha se sot po rrezikohet liria dhe e vërteta e luftës së UÇK-së.

Sipas tij, Specialja po e deformon historinë e Kosovës.

Gucati shtoi se Specialja po përhap narrativin “e rremë se Kosova është çliruar nga kriminelët”, duke shtuar se vendi është çliruar nga UÇK-ja, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja.

“Kjo nuk është drejtësi, kjo është dhunë politike. Ky është kriminalizim i UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s”, tha ai.

Zjarret në Finiq/ Ministria e Mbrojtjes: Situata po shkon drejt normalizimit! Vijon puna nga toka për të shuar çdo vatër që mund të riaktivizohet

By: Fax Web
7 August 2025 at 17:38

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se situata në Finiq po shkon drejt normalizimit.

Pas ndërhyrjes nga ajri me helikopterin e Forca Ajrore dhe punës së pandërprerë nga toka, ku morën pjesë 28 efektivë me 8 automjete zjarrfikëse nga MZSH-të e bashkive Finiq, Sarandë, Delvinë, Konispol, Gjirokastër dhe Dropull, 30 trupa të Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe 3 zjarrfikëse, të ndihmuar nga 5 forca të pyjores dhe 40 forca vullnetare, zjarret janë vënë nën kontroll.

Më tej Mbrojtja thotë se aktualisht po vijon puna nga toka për të shuar çdo vatër që mund të riaktivizohet gjatë orëve në vijim në fshatrat Dhivër, Shëndre dhe Cerkovicë, ku dalëngadalë banorët po kthehen në shtëpitë e tyre.

Zjarr në fshatin Cangonj të Devollit, shkrumbohet një kasolle

By: Fax Web
7 August 2025 at 16:52

Një zjarr ka përfshirë një pjesë toke në fshatin Cangonj të Devollit.

Sipas informacioneve, mësohet se zjarri ka rënë në barishte ndërsa në afërsi ka qenë një plevicë/ kasollë e cila u dogj totalisht. Në vendngjarje aktualisht janë 3 mjete zjarrfikëse dhe 9 forca zjarrfikës, së bashku me banorë të fshatit, të cilët po ndërhyjnë për shuarjen e flakëve.

Momentalisht zjarri është izoluar dhe po punohet për fikjen totale të tij. Në vendngjarje ndodhet edhe policia e cila do të kryejë hetimet lidhur me shkaqet e rënies së zjarrit.

Bashkia e Tiranës bën njoftimin e rëndësishëm: Ja si të gjurmoni autobusët urbanë në kohë reale

By: Fax Web
7 August 2025 at 16:47

Bashkia e Tiranës njofton se qytetarët që përdorin transportin publik në Tiranë, përmes Google Maps mund të gjurmojnë në kohë reale autobusat e linjave në kryeqytet.

Kjo risi, u vjen në ndihmë jo vetëm qytetarëve vendas, por ndihmon gjithashtu edhe turistët që kanë zgjedhur të vizitojnë Shqipërinë

“Ky projektt u realizua nga GIZ Albania dhe Bashkisë së Tiranës me mbështetjen e Albanian Technology Distribution (ATD). GTFS-RT (Real-Time General Transit Feed Specification) është integruar me sukses në Google Maps”, thuhet në njoftimin për mediat të bashkisë së Tiranës.

Sipas bashkisë, kjo risi, jo vetëm që do të përmirësojnë planifikimin e udhëtimit dhe kohët e sakta të mbërritjes së autobusëve për mijëra pasagjerë të përditshëm, por do të përdoren gjithashtu për menaxhimin e cilësisë së shërbimit, duke ndihmuar në optimizimin e operacioneve të transportit publik.

Giz Albania po punon me partnerët shqiptarë për të sjellë informacion në kohë reale për pasagjerët dhe për më shumë përmirësime të transportit publik në të gjithë vendin.

OKB publikon raportin: Rreth 80% e ndërtesave në Gaza janë dëmtuar nga sulmet izraelite

By: Fax Web
7 August 2025 at 16:34

Qendra satelitore e OKB-së (Unosat) ka publikuar vlerësimin e saj më të fundit, sa i përket dëmeve në Gaza, duke zbuluar se rreth 78% e ndërtesave atje ishin dëmtuar ose shkatërruar nga Izraeli deri në korrik të këtij viti.

Bazuar në imazhet satelitore të marra më 8 korrik, thuhet se 192,812 nga të gjitha strukturat janë dëmtuar, me 102,067 – më shumë se 40% – të shkatërruara plotësisht. Nga strukturat e dëmtuara, thuhet se gati 300,000 janë njësi banimi, si apartamente, për shembull.

Gjatë tre muajve të fundit, rritja më e madhe e dëmeve ka qenë në zonat jugore të Gazës, Khan Younis dhe Rafah. Këtu kemi dokumentuar së fundmi qytete të tëra që shkatërrohen sistematikisht nga ushtria izraelite, si Abasan al-Kabira, që shihet në imazhet më poshtë.

Qartësojmë se Unosat bën vlerësimet duke krahasuar imazhet e fundit satelitore me imazhet e para luftës të kapura në vitin 2023.

“Jo tokë e askujt!” Rama për hapësirat publike: Ka nisur çlirimi i buzërrugëve kombëtare

By: Fax Web
7 August 2025 at 16:29

Sërish sot kryeministri Edi Rama ka vijuar postimet në rrjetet sociale nga aksioni për lirimin e hapësirave publike në vend. Kreu i qeverisë njofton se ka nisur edhe çlirimi i buzërrugëve kombëtare, duke përcaktuar një kufi tërheqjeje të subjekteve. Sipas tij hapësira buzë dhe përballë akseve kombëtare do të trajtohet “si pjesë të shtëpisë sonë të përbashkët dhe jo si tokë të askujt”

“Ka nisur edhe çlirimi i buzërrugëve kombëtare, duke përcaktuar një kufi tërheqjeje të subjekteve, të cilat njëkohësisht duhet të sigurohen se asnjë rraqe nuk do të jetë më nën qiell të hapur dhe njëkohësisht, sipas kritereve të programit të ri të Rilindja Urbane 2.0 do të kontribuojnë me një sasi gjelbërimi, bashkarisht me qeverinë, duke e trajtuar hapësirën buzë e përballë akseve kombëtare si pjesë të shtëpisë sonë të përbashkët dhe jo si tokë të askujt”, shkruan Rama.

Flakët dalin jashtë kontrollit, Franca përballet me zjarret më të mëdha në 75 vjet. Shpallet gjendja e jashtëzakonshme

By: Fax Web
7 August 2025 at 16:20

Franca është përballur me një situatë të paprecedentë zjarresh, duke e çuar vendin ne një situatë të jashtëzakonshme.

Zjarrfikësit luftuan për të tretën ditë për të vënë nën kontroll zjarrin më të madh të Francës në gati tetë dekada, i cili ka djegur mbi 16,000 hektarë, ka shkaktuar një vdekje dhe ka shkatërruar dhjetëra shtëpi. Pamjet e dronit treguan copa të mëdha bimësie të djegur.

Një person ka vdekur, tre janë të zhdukur dhe dy persona, përfshirë një zjarrfikës, janë në gjendje kritike, thanë autoritetet lokale.

“Deri më tani, zjarri nuk është vënë nën kontroll,” tha Christophe Magny, një nga zyrtarët që drejtojnë operacionin e shuarjes së zjarreve. Ai shtoi se shpresonte që flakët të mund të kontrolloheshin më vonë gjatë ditës.

Flaka, rreth 100 km nga kufiri me Spanjën, jo shumë larg Detit Mesdhe, filloi të martën dhe është përhapur me shpejtësi.

Ai tashmë ka përfshirë një zonë një herë e gjysmë më të madhe se Parisi. Zyrtarët kanë thënë se ky është zjarri më i madh në Francë që nga viti 1949.

Zjarri tani po përparon më ngadalë, tha Ministrja e Mjedisit Agnes Pannier-Runacher për radion France Info.

Shkencëtarët thonë se verat më të nxehta dhe më të thata të rajonit të Mesdheut e vënë atë në rrezik të lartë nga zjarret.

Zyra e motit e Francës ka paralajmëruar për një valë të re të nxehti që do të fillojë në pjesë të tjera të Francës jugore të premten dhe që do të zgjasë disa ditë.

Hyjnë në fuqi tarifat e reja, Trump: Miliarda dollarë po vijnë në SHBA

By: Fax Web
7 August 2025 at 15:45

Tarifat e reja të shteteve të bashkuara ndaj më shumë se 90 vendeve rreth botës kanë hyrë në fuqi. Pak para se të skadonte afati për arritje të marrëveshjeve tregtare me shtetet e ndryshme në mënyrë që të shmangej rritja e taksave ndaj importeve, presidenti amerikan postoni në platformën sociale truth social, se miliarda dollarë po hynin tani në SHBA për shkak të tarifave.

Më herët njoftoi goditi tarifë prej 50 përqind ndaj Indisë, e cila do të hyjë në fuqi më 27 gusht nëse vendi nuk heq dorë nga blerja e naftës ruse. Presidenti amerikan kërcënoi taksë 100 përqind ndaj cipave kompjuterikë të prodhuar jashtë vendit, teksa përpiqet të nxisë kompanitë teknologjike të investojnë në SHBA.

Lëvizja vjen teksa Apple njoftoi investime të reja prej 100 miliardë dollarësh në SHBA nën presionin e Shtëpisë së Bardhë për të zhvendosur prodhimin në Amerikë. Javën e kaluar administrata amerikane njoftoi një listë të rishikuar të taksave të importit ndaj dhjetëra partnerëve dhe zgjati afatin për vendet në mënyrë që të arrijnë një marrëveshje të përshtatshme me SHBA brenda 7 gushtit.

Udhëheqësit e këtyre shteteve u vunë në garë më kohën për të arritur ujdi me Uashingtonin për të ulur, apo për të hequr atë që Trump e quan tarifë reciproke. Disa ekonomi të mëdha, përfshirë Britaninë e Madhe, Japoninë dhe Korenë e jugut kanë arritur tashmë marrëveshje për tarifa më të ulëta, e po ashtu BE është dakordësuar për një kornizë marrëveshje me Uashingtonin, sipas të cilës Brukseli ka pranuan 15 përqind tarifa ndaj produkteve të importuara nga blloku.

Edhe Zvicra ka thënë se do të mbajë një takim të jashtëzakonshëm të enjten, pasi zyrtarët e vendit nuk arritën dot të bindnin Trumpin për një ujdi. Në vlerën e 39 përqind, taksa ndaj Zvicrës është një prej më të lartave të vendosura nga SHBA dhe kërcënon të godasë rëndë ekonominë e vendit.

Gjermani, po planifikonin grusht shteti, nisin hetimet ndaj 6 personave të akuzuar si terroristë. Mes tyre dhe një grua

By: Fax Web
7 August 2025 at 15:44

Prokurori Federal Publik në Gjermani ka nisur një hetim kundër disa personave me dyshimin se janë anëtarë të një organizate terroriste dhe se po përgatitnin një krim të rëndë të drejtuar kundër rendit kushtetues, njoftoi sot Zyra e Prokurorit Federal.

Sipas raportimeve, të dyshuarit po planifikonin përmbysjen me dhunë të shtetit gjerman dhe krijimin e sistemit të tyre shtetëror.

Grupi është i lidhur me të ashtuquajturit “Reichsburgerw” rreth Princit Heinrich XIII, anëtarët kryesorë të të cilit u arrestuan në dhjetor 2022.

Si pjesë e hetimit, u identifikuan të dyshuar të rinj që dyshohet se mbështetën grupin ose morën pjesë në aktivitete përgatitore, tha policia bavareze.

 

Për këtë arsye, policia kriminale bavareze, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë në Mynih, nisi një hetim kundër gjashtë personave.

 

Sot në orët e para të mëngjesit, u kryen kërkime në tetë lokacione, katër në Bavari, tre në Saksoni dhe një në Turingi.

Të dyshuarit janë pesë burra dhe një grua, të moshës midis 40 dhe 61 vjeç, saktësoi policia.

Fusha e mbetjeve përsëri në flakë, zjarr masiv dhe re tymi, të panjohura shkaqet! Digjet edhe eskavatori

By: Fax Web
7 August 2025 at 15:28

Vlorë- Fusha e mbetjeve në Vlorë përfshihet përsëri nga flakët.

Re tymi dhe flakë janë parë në zonën ku ndodhet fusha e mbetjeve, e cila edhe si më parë, ka shpërthyer në vatër zjarri masive.

Flakët kanë pasur një vatër aq të gjerë në sipërfaqe, saqë kanë përfshirë dhe djegur gjithashtu një nga eskavatorët (skrep) që punonte në fushën e mbetjeve. Report TV, nëpërmjet gazetarit Armand Xhelili, ka siguruar edhe pamjet e zjarrit masiv në fushën e mbetjeve, që po djeg gjithçka.

Shtëllungat e tymit të zi, të favorizuara edhe nga era, janë shpërndarë në të gjithë hapësirën ajrore dhe i janë drejtuar zonave të banuara të qytetit.

Nuk dihen shkaqet e zjarrit, teksa autoritetet janë vënë në lëvizje pas sinjalizimit për shuarjen e flakëve

Putin dhe Trump do të takohen! Kremlini konfirmon: SHBA na bëri një propozim të pranueshëm

By: Fax Web
7 August 2025 at 15:25

Pasi Donald Trump tha se një takim me Putin dhe Zelenskin mund të zhvillohej së shpejti, edhe Kremlini ka konfirmuar se presidenti rus dhe kreu i Shtëpisë së Bardhe do të takoheshin gjatë ditë në vazhdim.

Njoftimin për atë që do të ishte takimi i parë mes liderëve të të dyja vendeve që prej 2021 e dha këshilltari për politikën e jashtme të Putin, Yuri Ushakov sipas të cilit SHBA kishin bërë një propozim të pranueshëm.

“Duke folur për çështjet ukrainase me sugjerim të palës amerikane, është arritur një marrëveshje për të mbajtur një takim dypalësh gjatë ditëve në vazhdim mes presidentëve Vladimir Putin dhe Donald Trump”, tha Yuri Ushakov.

Vendi I takimit është vendosur, por ende nuk është konfirmuar, megjithëse Putin i cili zhvillon një takim me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, tha se vendi mund të jetë pritës i  bisedimeve.

Sipas Kremlinit përgatitjet konkrete me kolegët amerikan kishin nisur tashmë. Njoftimi erdhi pasi i dërguari i Trump, Steve Witkoff, zhvilloi bisedime me Putinin në Moskë të enjten të cilat sipas Trump rezultuan tejet produktive.

Siç thuhet, Witkoff kishte folur për mundësinë e një takimi tre palësh, mes Trump, Putin dhe Zelenskit me zëdhënësin rus që thotë se pala e tyre nuk kishte komentuar lidhur me këtë propozim.

“Ne propozojmë fillimisht, të fokusohemi në përgatitjen e një takimi dypalësh me Trump dhe besojmë se gjëja kryesore është që ky takim të jetë i suksesshëm dhe produktiv”.

Pas takimit të Wittkoff me Putin të enjten Trump tha se ekziston një mundësi e mirë, që ai të takohet shumë shpejt me liderët ukrainas dhe rusë, për te zhvilluar bisedime lidhur me fundin e luftës në Ukrainë.

Trump u pyet edhe nëse Putin dhe Zelenski ishin darkordësuar mbi takimin dhe tha se mundësia ishte e lartë. Megjithatë pritshmëritë për një marrëveshje deri të premten, kur skadon ultimatum i vendosur nga Trump janë të zbehta.

❌
❌