Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 July 2025KultPlus

UNESCO shpall kështjellat e mbretit të Bavarisë Ludwig II, trashëgimi e kulturës botërore

By: Kult Plus
13 July 2025 at 17:48

Kështjellat përrallore të mbretit të Bavarisë Ludwig II, Komisioni i UNESCO-s i ka shpallur trashëgimi e kulturës botërore. Krahas Neuschweinstein kategorizohen edhe tri kështjella të tjera si trashëgimi e kulturës botërore.

Në mbledhjen e Komisionit të Trashëgimisë së Kulturës Botërore të UNESCO-s në Paris u pranuan në listën e objekteve të mbrojtura të kulturës botërore kështjellat përrallore të mbretit të Bavarisë Ludwig i II si dhe shtëpia mbretërore në Berg.

Këto kështjella në mjedise idilike natyrore që prej mëse 140 vjetësh janë si një magnet për turistët. Vetëm vitin e kaluar janë joshur të vizitojnë këto vepra mjeshtërore rreth 1,7 milionë vizitorë nga brenda dhe jashtë vendit.

Tri kështjellat e famshme të Ludwig-ut të II u ndërtuan gjatë mbretërimit të tij me shuma maramendëse parash. Kështjellat Linderhof dhe Herrenchiemsee, ku janë vendosur ekspozitat qëndrore në kujtim të Ludwig-ut të II, si dhe kështjella Neuschwanstein.

Mbreti i famshëm bavarez

Ludwig i IIështë konsideruar në gjithë botën si gjermani më i njohur, megjithëse parë hollë ai ka qenë bavarez: Mbreti Ludwigu i II ka lindur më 25 gusht 1845 në kështjellën Nymphenburg afër Mynihut dhe ka vdekur më 13 qershor 1886 në liqenin Starnberger. Ludwigu i II. ka sunduar nga 1864 deri në vdekjen e tij si mbreti i Bavarisë. Ai nuk ka qenë mbret “konvencional”, të cilit nuk i interesonte shumë politika, lufta dhe administrata. Ai angazhohej për artin, ndërtimin e kështjellave shumë pompoze, mbështeste Richard Wagnerin dhe muzikën e tij.

Ekspozita ‘Nënqyteti’ e Anastas Kostandinit rikthen historinë urbane të Pogradecit

By: Kult Plus
13 July 2025 at 17:12

Përmes 31 vizatimeve nga piktori i merituar Anastas Kostandini dhe një gjuhe sa vizuale, poetike por edhe intime, është ndërtuar një hartë ndryshe e Pogradecit, e zonave të ndryshuara apo harruara, por që vijojnë të jetojnë në kujtesën kolektive dhe strukturën urbane të qytetit.

Sipas Tasos, “Nënqyteti” është më shumë se një ekspozitë, është një udhëtim në kohë, një rikthim përmes kujtesës, vëzhgimit të imët dhe rrëfimit artistik, i cili shpaloset si në formë fizike, ashtu edhe virtuale.

“Ky projekt i veçantë synon të ndezë reflektimin mbi identitetin urban dhe memorien qytetare, duke e vendosur artin në funksion të dialogut me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Pogradecit, me fokus të kryesor zhvillimin e turizmit të trashëgimisë historike.

Për Drejtorin e Turizmit, Ledjan Zeqollari, zonat e risjella përmes QR kodeve dhe vizatimeve të Tasos i shërbejnë masivisht turizmit dhe vizitorëve,” thotë Anastas Kostandini, artist.

“Mevlan Shanaj tha se një ekspozitë e tillë të bën të kuptosh që nuk je në një Pogradec provincial,” thotë Ledian Zeqollari, Dr. i Turizmit në Pogradec.

“Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë, ndërsa të 31 punimet janë të vendosura në zonat respektive të qytetit, ku përmes telefonit mund të skanohen dhe të lexohet i gjithë informacioni për lagjet, godinat e vjetra, muzeun, ish kinemanë, zonat historike etj.,” thotë Mevlan Shanaj, regjizor.

‘Due me fluturue mbi bjeshkë me pëllumba’

By: Kult Plus
13 July 2025 at 16:15

Tregim i thjeshtë

Poezi nga Martin Camaj

Due me fluturue mbi bjeshkë me pëllumba,
i thashë tim vëllau gjak-nxehtë.
“S’asht ajo punë për ne!”
S’kuptove, i thashë, due me shkue ndër këndime.
“Latinishtja – tha s’asht punë për ne:
mëso gjuhën e gjarpnit ma parë!”

Im vëlla gjak-nxehtë,
gjashtë vjec dinte me e ngulë fluturimthi
bizin në dhé,
dhetësh – tri pëllambë mbi krye thikën
ne drunin e njomë. Si ma njofti menden
befas nisi të pleqnojë e tha:
“Dy duer na jemi e nji krye, po i ndajmë na punët:
unë shpatën – ti pendën!”/KultPlus.com

Fishta: Më dhemb kryet nga njato parla-parla të parlamentarëve – dokrra pa kokrra

By: Kult Plus
13 July 2025 at 15:38

Cilësohet poet kombëtar e njihet edhe si Homeri shqiptar. Gjergj Fishta (23 dhjetor 1871 – 30 dhjetor 1940), ishte frat françeskan, piktor, arkitekt, deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave, kandidati i parë shqiptarë për Çmimin Nobel për Letërsi dhe mbrojtës i kauzës shqiptare në arenën ndërkombëtare. Fishta ka dhënë kontribut të madh edhe në Kongresin e Manastirit, për alfabet e sotëm, ndërsa ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Më poshtë mund të lexoni disa thënie të një prej figurave më të mëdha intelektuale dhe patriotike të historisë kombit shqiptar.


– Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashk dy shqiptarë!

– Njerëzit janë tanë njisoj prej natyrës, edukata i ban me u dallue!

– Shqiptarët kallzojnë njate çka s’duhet, e mshehin njatë çka e di tanë bota!

– Pak din njaj që ja kallzon të tana grues!

– Në kjoftë se provon, mundesh me hupë, por në kjoftë se nuk provon – je i hupun gjithsesi!

– Në kjoftë se thue at çka dishron, duhet me ndie edhe ate çka nuk e dishron!

– Ma mirë n’vorr me u kja për mallë / se nën shkja me ndejë për t’gjallë,,,

– Vërtetë kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë!

– N’daq me gzue t’bukrën liri / mos shkel fis, as mik, as fe / pse n’kto sheja bota mbarë. / na dallon se jem shqiptarë…

– Edhe atij iu thaftë po goja / që përbuzë këtë gjuhë hyjnore / qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja / flet e tveten e lèn mbas dore…


– Mbi njatë flamur Perendija / me dorë t’ vet Ai e ka shkrue / “Për Shqyptarë do t’jét Shqypnija / kush u a prekë, ai kjoftë mallkue”…

– Po, edhè hâna do t’ a dijë / edhè Dielli do t’ két pá / se për qark ksaj rrokullije / si Shqypnija ‘i vend nuk ká…

– Në rast se ata nuk na duan në një shtet të vetëm, pasi thonë shqyptarët qenkan muslimanë, aherë… na kristianët do t’i shkriejmë kryqet tona dhe do t’i bajmë fishek me mbrojt vllaznitë tanë muslimanë shqyptarë!

– Më dhemb kryet me njato parla-parla të parlamentarëve: dokrra pa kokrra!

– Injoranca e krenaria shkojnë bashkë si shtati e hija! / KultPlus.com

71 vite nga vdekja e artistes Frida Kahlo, historia e së cilës është motiv për të shndërruar dhimbjen në forcë

By: Kult Plus
13 July 2025 at 15:09

E njohur për autoportretet e saj të punuara me përplot pasion dhe përkushtim, sot shënon 71 vjetorin e vdekjes, artistja meksikane Frida Kahlo.

‘Ngërrqet’ e kaluara në jetë nganjëherë nuk të ndalin hovin, por përkundrazi të japin forcë. Si dëshmi e gjallë e  një realiteti të tillë, është historia e Frida Kahlos, storia e së cilës është motiv për të shndërruar dhimbjen në forcë.

Kahlo, nuk hoqi dorë as nga aksidenti i rëndë që përjetoi në një moshë të re dhe as nga mbi 30 operacionet e nënshtruara për shërim, përkundrazi, ajo e gjeti kurën e saj në pikturim, duke mësuar vetën të krijonte artin e saj ‘vecues’, me anë të së cilave i dha vetës emrin ‘artiste’.

Me trupin e shtrirë në një shtrat brenda katër mureve, pa lëvizur e pa dalë fare jashtë, Kahlo, më shumë se gjysmën e krijimtarisë së saj e realizoi aty, në atë cep.

Duke u mbështetur në përvojat personale të kaluara në jetë, veprat e Kahlo-s karakterizohen nga portretizime të dhimbjes.

Nga 143 pikturat e realizuara, 55 prej tyre janë autoportrete me anë të së cilave përfshihet një mesazh i përtejmë, ‘plagët fizike dhe psikologjike’ të saj.

Artistja e atëhershme dhe ikona e botës së sotme, Frida Kahlo, pretendonte që kishte lindur në vitin 1910, përgjatë revolucionit meksikan, në mënyrë që të lidhej drejtpërdrejtë me Meksikën moderne.

Një detaj i tillë prezanton më së miri këtë personalitet të veçantë, një vajzë dhe më vonë një grua krenare për ‘Meksikën’ e saj dhe traditën kulturore të vendosur kundër amerikanizmit mbretërues.

Artistja meksikane, Kahlo ishte e martuar me muralistin meksikan Diego Rivera, me të cilin u nda pa kaluar shumë kohë. Një vit pas divorcit, ajo realizoi një pikturë me anë të se cilës përshkroi atë gjendjen e rënduar emocionale që kishte.

Në vijim, në shenjë përkujtimi për punën, veprimtarinë, dhe artin krijues së Kahlos, për përvjetorin e 69 te vdekjes së saj, risjellim edhe njëherë pikturën e saj të titulluar ‘Autoportreti me gjerdan me gjemba zog kolibri’.

Në këtë pikturë, Kahlo është e pozicionuar përballë gjetheve, majmunave  dhe midis një pantere që e përndjek atë. Kahlo, bashkë me ish-burrin e saj, Riverën, kishin mbajtur shumë majmunë si kafshë shtëpiake, duke bërë ata si zëvendësues për fëmijët që çifti nuk arritën t’i kenë gjatë marrëdhënies së tyre bashkëshortore.

Përkundër qëndrimit stoik të saj, me qafën e rrethuar prej një gjerdani të ndërtuar nga gjembat, nga qafa e saj prapë po rridhte gjak. Gjak ky, që përbënë një mix plagësh trupore dhe shpirtërore.

Kjo qetësi e përcjellë përmes pikturës, është tipike për karakterin e Kahlos, e cila me qetësi kalonte çdo pengesë në jetën e saj.

“Autoportreti me gjerdan me gjemba”, mbetet ndër pikturat kulminante të Kahlos, të cilat i rezistuan kohës.

Ndër pikturat e tjera të Kahlos të cilat janë të stërnjohura edhe në kohën ‘sot’, janë, ‘Autoportreti në kufirin midis Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara’, ‘Gjyshërit e mi, prindërit e mi dhe unë’, ‘Kolona e thyer’ dhe ‘Autobusi’.

Edhe pse Kahlo ka jetuar në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, ajo qëndron e në fron si një ikonë e kohës tonë moderne. / KultPlus.com

‘Nëpërmjet shpirtit’

By: Kult Plus
13 July 2025 at 14:25

Poezi nga Charles Bukowski

Nëpërmjet shpirtit

Ai e kalon shpirtin
si një thikë
dhe unë i sondoj peisazhet
herë i zymtë, herë i vrerosur
ku korbecë të zinj katran
krrokin kaq me zë të lartë
sa të gërvishtin muret e zemrës.
Kalon nëpër kopshte të këndshme
zbukuruar me margarita të bardha
dhe ngrohur nga një diell i vakët pranverë.
Por kur linfa e saj
Arrin kulmin shpërthen
gjethja njolloset.
Tampon i vetëm për të tillë plagë…/KultPlus.com

Mbi 95 mijë vizitorë zbuluan historinë, artizanatin dhe bukuritë e Krujës

By: Kult Plus
13 July 2025 at 13:55

Kruja vijon të mbetet ndër qytetet më të vizituara, ku edhe në këto ditë të nxehta korriku rrugët e saj gumëzhijnë nga turistët vendas e të huaj, që zbulojnë historinë, artizanatin dhe bukuritë e qytetit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga vizita e turistëve në Krujë. “Rrugicat me turistë, traditë dhe histori të Pazarit të Krujës”, shkruan Rama.

Qendra Muzeore e Krujës, ku përfshihen Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Muzeu Etnografik dhe Pazari karakteristik ka shënuar një rritje të numrit të turistëve nga janari deri tani, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Drejtori i Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeut Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “mbi 95 mijë vizitorë është totali i vizitorëve në qendrën muzeore Krujë, ku 50% janë huaj”.

Sipas tij, numrin më të lartë të turistëve të huaj e përbëjnë vizitorët nga Polonia, Spanja, Azia, Franca etj”.

Kruja njihet për turizmin historik njëditor, por me shtimin e strukturave akomoduese turistët po qëndrojnë më gjatë në këtë qytet historik.

Pazari karakteristik i Krujës me rrugicat e ngushta me kalldrëm, ku ofrohen punime artizanale tradicionale është një ndër të preferuarit e turistëve. Por turistët nuk ikin nga Kruja pa vizituar edhe Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë./atsh/KultPlus.com

Mjaltë

By: Kult Plus
13 July 2025 at 13:20

James Arlington Wright (1927 – 1980), poet amerikan. Përmbledhja ‘Collected Poems’, e botuar më 1972, kishte fituar çmimin Pulitzer.

MJALTË

Nga James Wright

Im atë vdiq në moshën tetëdhjetëvjeçare. Një nga gjërat e fundit që bëri në jetën e tij ishte ta thërriste dhëndrin e tij pesëdhjetetetëvjeçar “mjaltë”. Një pasdreke në të ’30 e hershme, kur unë e gjakosa kokën time duke u rrokur për një muri në fund të një kodre dhe besova se thjesht të parit e gjakut tim ishte domethënia tragjike e jetës, e dëgjova tim et të propozonte vrasjen e dhëndrit të ardhshëm. Dhëndri i tij është kunati im, emri i të cilit është Paul. Këta dy burra të rritur u ngrenë përmbi mua dhe e dinin se jeta njerëzore është vrasje. Nuk po përlesheshin për dashurinë e Paulit për motrën time. Po përlesheshin mes vete ngase një burrë i fortë, një punëtor i fabrikës, ishte flakur nga puna e tij dhe një tjetër burrë i fortë, shoferi i kamionit të qymyrit, ishte flakur nga puna e tij. Që të dy ishin të vendosur të linin jetët e tyre aty, kështu që shikuan njëri-tjetrin me inat dhe thanë se do të mbijetonin edhe sikur të bëhej kiameti. Kiameti nuk është diç banale në Ohion jugore. Asgjë nuk është banale përgjatë një lumi. Im atë e vdiq një vdekje të mirë. Të vdesësh një vdekje të mirë do të thotë të jetosh jetën tënde. Nuk po them një jetë të mirë.

Po them një jetë.

***

Kjo poezi, e botuar më 1982, në përmbledhjen postume, është përfshirë në antologjinë e poezisë në prozë të shtëpisë botuese Penguin.

Pas një skene dramatike, me zhvillimet e saj të rëndomta, të pritshme dhe të kapshme – që marrin deri edhe përmasa apokaliptike – vjen fundi, vdekja. Në këtë rast, të të atit të poetit, ajo është thjesht një vdekje e mirë. Vdekje e mirë do të thotë të kesh jetuar jetën tënde. Veçse, në krahasim më vdekjen, te jeta duhet të kemi kujdes, epitetet janë të panevojshme, mbase të bezdisshme. Nuk ka jetë të mirë, ka vetëm jetë. Jetë e secilit, personale, e papërsëritshme, e paimitueshme, por prapëseprapë jetë, jetë për secilin, si e çdonjërit, si dikur, si tash, si në vijim.

/Gazeta Express/ KultPlus.com

“Mos më gjykoni nga sukseset e mia, më gjykoni nga ajo se sa herë jam rrëzuar dhe jam ringritur sërish”

By: Kult Plus
13 July 2025 at 12:45

Thënie frymëzuese nga Nelson Mandela

Nelson Mandela lindi më 18 korrik të vitit 1918. Gjatë gjithë jetës së tij ai ishte luftëtar i lirisë; ai luftonte kundër shtypjes racore që u bëhej zezakëve në Afrikë. Shumë vite të jetës së tij, Mandela i kaloi nëpër burgje. Që në moshë të re ai u bë aktiv në lëvizjen e anti-aparteidit dhe iu bashkua Kongresit Kombëtar Afrikan. Në vitin 1940, Mandela u bë kreu i krahut rinor të kësaj lëvizjeje.

Nelson Mandela ndoqi Universitetin dhe fakultetin e drejtësisë dhe me kolegun e tij Oliver Tambo themeluan firmën e parë zezake të avokatisë në Afrikën e Jugut, me zyra në Johanesburg. Ata i jepnin këshilla juridike falas ose me çmim të ulët zezakëve.

Në vitin 1962, 44-vjeçari Mandela u arrestua dhe doli në gjyq për aktivitetin kundër qeverisë. Ai i mbrojti veprimet e tij si pjesë e “luftës së popullit afrikan për një shoqëri të lirë.”

Mandela mori qindra çmime dhe medalje gjatë jetës së tij. Në vitin 1993, ai ndau Çmimin Nobel të Paqes me ish-armikun e tij të betuar de Klerk. Ata u nderuan për kontributin në procesin e paqes në Afrikën e Jugut.

“Jugafrikanët kanë krijuar një shoqëri e cila konfirmon se të gjithë njerëzit kanë lindur të barabartë,” deklaroi Mandela duke marrë çmimin.

Si president, Mandela u kritikua se nuk u përball me krizën e sidës në Afrikën e Jugut. Megjithatë, në vitet e tij të mëvonshme, ai u bë një personalitet publik i luftës kundër sidës.

“Së bashku ne mund ta luftojmë sidën dhe të garantojmë një të ardhme më të sigurt për të gjithë,” tha në një rast Mandela.

KultPlus, ju sjell disa nga thëniet frymëzuese të ish-Presidentit të Afrikës së Jugut.

“Askush nuk lind me urrejtje kundër një race tjetër, kundër një religjioni tjetër apo kundër një shtrese tjetër sociale. Njerëzit e mësojnë më vonë urrejtjen. Atëherë, nëse mësojnë urrejtjen, ata mund të mësojnë edhe dashurinë, meqenëse për zemrën njerëzore dashuria është diçka më e natyrshme se urrejtja.”

“Mos më gjykoni nga sukseset e mia, më gjykoni nga ajo se sa herë jam rrëzuar dhe jam ringritur sërish”.

“Unë jam në thelb një optimist. Nuk mund ta them nëse është e lindur, apo e ushqyer. Pjesë e të qenit optimist, është që të mbash kokën drejtuar nga Dielli, dhe me këmbët që ecin përpara”.

“Mirësia e njeriut është një flakë që mund të fshihet, por nuk zhduket”.

 “Dikur toleroja shumë sepse nuk doja të humbja njerëzit, tani vendos kufij sepse nuk dua të humbas veten”. / KultPlus.com

Presidentja Osmani nderon mërgatën shqiptaro-amerikane me medalje presidenciale në SHBA

By: Kult Plus
13 July 2025 at 12:08

Gjatë vizitës së saj zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim të veçantë me përfaqësues të mërgatës shqiptaro-amerikane, duke i vlerësuar ata për rolin historik që kanë luajtur në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.

Në një ceremoni solemne, Osmani ka ndarë medalje presidenciale për disa nga mërgimtarët më të dalluar, të cilët me angazhimin e tyre në vitet më të vështira për vendin, dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen e Kosovës. Urdhri “Hasan Prishtina” dhe “Urdhri i Pavarësisë” ishin ndër dekoratat e ndara për nder të kontributit të tyre.

“Gjatë viteve ’80 dhe ’90, kur populli shqiptar në Kosovë përballej me represionin dhe rrezikun nga regjimi shtypës e gjenocidal i Millosheviqit, mërgata jonë në Amerikë u bë zëri i besës dhe i shpresës për të gjithë ne – për mbijetesë, për liri dhe për pavarësi,” theksoi Presidentja Osmani në fjalën e saj.

Ceremonia u mbajt në shenjë mirënjohjeje për mërgatën, e cila në kohët më të vështira për Kosovën, ishte jo vetëm mbështetje morale dhe politike, por edhe burim i fuqishëm i organizimit dhe mobilizimit ndërkombëtar./KultPlus.com

Datëlindje dashurie

By: Kult Plus
13 July 2025 at 11:18

Poezi nga Ángel González
Sjellë në shqip nga Erion Karabolli

Si do të jem unë

kur të mos jem më unë?

Kur koha

ta ketë modifikuar strukturën time,

dhe trupi im të jetë tjetër,

tjetër gjaku im,

të tjerë sytë dhe flokët e mi.

Do të mendoj për ty, mbase.

Me siguri,

trupat e mi të njëpasnjëshëm

– duke më zgjatuar, të gjallë, drejt vdekjes –

njëri-tjetrit do t´ia kalojnë

dorë më dorë,

zemër më zemër,

mish më mish,

atë elementin e mistershëm

që përcakton trishtimin tim

kur ti ikën,

që më shtyn të të kërkoj verbërisht,

që, në mënyrë të pashmangshme,

më çon tek ti:

me një fjalë, atë çka njerëzit e quajnë dashuri.

Dhe sytë

– ç´rëndësi ka po s’qenë më këta sy –

do të të ndjekin pas kudo që të shkosh, besnikë./ KultPlus.com

Murat Toptani, një nga pionerët e skulpturës shqiptare

By: Kult Plus
13 July 2025 at 10:45

Murat Toptani ka lindur më 13 korrik 1867 në Aka, (Kaukaz) në kohën e internimit të babait-Said Toptanit.

Ai ka qenë patriot, atdhetar, ushtarak, poet, publicist, piktor, skulptor si dhe mësues, që punoi shumë për futjen e gjuhës shqipe nëpër shkollat turke. Gjithashtu zotëronte disa gjuhë të huaja si, turqisht, frëngjisht, arabisht, persisht, gjermanisht dhe italisht.

Mësimet i filloi në shkollën “Madam Fyrer”, ndërsa studimet e larta i vazhdoi në “Gallata Saraj” të Stambollit. Gjatë vijimit të mësimeve në “Madam Fyres”, pati rastin të njihet me Asijen, vajzën e poetit komëtar Naim Frashërit. Kjo njohje motivoi lindjen e një dashurie të sinqertë në mes Muratit dhe Asijes, ndërsa më vonë me pëlqimin e vëllezërve Frashëri këta dy të rinj u martuan. Lidhjet mes familjes Toptani dhe Frashëri u forcuan edhe më shumë kur Vesimeja, motra e Murat Toptanit, u martua me më të voglin e vëllezërve Frashëri, me Mehmet Frashërin.

Më 1912 Murat Toptani ka qenë përfaqësues i Tiranës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Aktin e Pavarësisë./ KultPlus.com

Debutimi i Frank Sinatrës më 13 korrik 1939

By: Kult Plus
13 July 2025 at 10:12

Së bashku me grupin e Harry James, debutoi me incizimin e tij të parë më 13 korrik 1939, ku më pas u bë shumë i dashur për publikun. 

Karriera e Sinatrës nuk përfundoi pas pesë apo dhjetë viteve, por qëndroi më shumë se gjysmë shekulli.

Ai performoi para një audience shumë të madhe, duke përfshirë edhe presidentët John Kennedy dhe Richard Nixon.

Gjithashtu, incizimet e tij vazhdojnë të jenë prezente te të gjitha moshat.

Disa nga këngët e tij më të famshme janë: Fly Me to the Moon, My Way, That’s Life, Come Fly with Me e të tjera. /KultPlus.com

Zbulimet arkeologjike në fshatin Lin, një udhëtim mes historisë dhe natyrës

By: Kult Plus
13 July 2025 at 09:36

Në brigjet piktoreske të liqenit të Ohrit, rreth 20 kilometra larg qytetit të Pogradecit, ndodhet fshati Lin, një nga destinacionet më të veçanta që ndërthur bukurinë natyrore me pasurinë historike.

Ky fshat i vogël, i vendosur mbi një gadishull që futet thellë në liqen, ofron një panoramë magjepsëse dhe një trashëgimi kulturore me vlera të jashtëzakonshme.

Një nga thesaret më të çmuara të Linit janë rrënojat e bazilikës paleokristiane, të zbuluara në majën e kodrës që ngrihet mbi fshat.

Zbulimet arkeologjike të realizuara gjatë dekadave të fundit kanë nxjerrë në dritë një kishë të hershme që daton në shekujt V–VI pas Krishtit, e pasur me mozaikë të rrallë, zbukurime gjeometrike dhe simbole kristiane. Mozaikët janë të ruajtur në mënyrë mbresëlënëse, duke dëshmuar për një qendër të rëndësishme shpirtërore dhe kulturore të asaj kohe.

Një bashkëpunim katërvjeçar midis arkeologëve zviceranë dhe atyre shqiptarë përmbylli me sukses fazën e parë 2021-2025, duke cilësuar sitin pranë Linit, në Pogradec, si vendbanimin më të vjetër palafit në Evropë.

Po ashtu, konfirmohet që “Lin 3” mbulon 2000 vite të historisë së vendbanimeve dhe të paktën 10-12 faza apo fshatra të ndryshëm përgjatë hapësirës kohore 6000 – 4000 para Krishtit.

Vizitorët që ngjiten në kodër, jo vetëm që përballen me historinë e lashtë të krishtërimit në rajon, por edhe me një pamje panoramike që të lë pa fjalë: Liqeni i Ohrit shtrihet i kaltër përpara, ndërsa kufiri me Maqedoninë e Veriut është vetëm pak minuta larg në horizont.

Fshati Lin është një atraksion më vete. Rrugicat e ngushta me kalldrëm, shtëpitë karakteristike me oborre të gjelbëruara, mikpritja e banorëve dhe traditat e ruajtura me përkushtim i japin këtij vendi një atmosferë të ngrohtë e autentike.

Shumë vizitorë ndalojnë për të provuar gatimet e zonës ose për të bërë një shëtitje buzë liqenit, aty ku koha duket sikur ndalon.

Lini është një nga ato vende ku natyra dhe historia bashkëjetojnë në harmoni të plotë. Është një udhëtim që të çon njëkohësisht në rrënjët e qytetërimit dhe në thellësitë e qetësisë shpirtërore.

Për këdo që viziton Pogradecin, ndalesa në Lin është jo vetëm një rekomandim, por një përvojë e domosdoshme./atsh/KultPlus.com

Liqeni i Seferanit, një ndër atraksionet natyrore më të vizituara në Belsh

By: Kult Plus
13 July 2025 at 09:04

Liqeni i Seferanit në Belsh është kthyer në një nga atraksionet më të pëlqyera për turistët që zgjedhin të eksplorojnë bukuritë natyrore të Shqipërisë së mesme.

I pozicionuar në fshatin me të njëjtin emër, ky monument natyre përfaqëson një liqen karstik me një sipërfaqe prej rreth 87.5 hektarësh dhe një ekosistem të pasur, që tërheq vëmendjen e vizitorëve të apasionuar pas natyrës, qetësisë dhe biodiversitetit.

Liqeni ofron mundësi për ecje përgjatë brigjeve, vëzhgim të florës dhe faunës vendase, si dhe aktivitete të lehta rekreative, duke e kthyer këtë zonë në një pikë referimi për turizmin rural dhe natyror në qarkun e Elbasanit.

Falë infrastrukturës së përmirësuar dhe promovimit të qëndrueshëm të zonave të mbrojtura, Belshi po fiton gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj, të cilët shprehen të entuziazmuar nga peizazhi dhe mikpritja lokale.

Tashmë Belshi i rilindur tërësisht është një destinacion i rëndësishëm turistik në qarkun e Elbasanit.

Në përgjithësi është një zonë me një peizazh natyror që të bënë për vete në të katër stinët por më interesante është pranvera dhe vjeshta, ku bimësia pikas me ngjyrat e saja të theksuara.

Gjithë krahina numëron rreth 84 liqene, midis tyre ka dhe të vegjël fare, por të gjithë janë të bukur dhe kanë karakteristikat e tyre.

Kanë një florë befasuese sidomos në pranverë. Disa numërohen me emra për bukurinë e tyre si, ai i Seferanit, Merhojes, Cestijes, Degës, me një florë të pasur si, zambaku i bardhë, zambaku i verdhë, karakteristikë për ujërat e këtyre liqeneve që tërheqin vëmendjen e vizitorëve.

Në perëndim të qytezës, në liqenin e Seferanit, ishte faltorja e Afërditës dhe kulti i saj ushtrohej duke hedhur në ujë enë e terrakota si dhurata për perëndeshën./atsh/KultPlus.com

Kulinaria nxitje turizmit, listë me produkte tipike për t’u regjistruar

By: Kult Plus
12 July 2025 at 23:40

Kulinaria konsiderohet si një pjesë e pandashme e turizmit dhe me shumë potencial në zhvillimin e këtij sektori që jep një kontribut të madh në ekonominë e vendit.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Agjencinë Gjermane për Bashkëpunimin Ekonomik, po punojnë për hartimin e një liste me produkte tradicionale shqiptare, të cilat kanë potencialin për t’u regjistruar si skema cilësie, që do të shtojnë vlerë në zhvillimin e turizmit.

Sipas ekspertëve të fushës, turizmi dhe zhvillimi i tij, falë dhe politikave për diversifikimin e ofertave turistike, ka rritur interesin e turistëve të huaj, të zgjedhin vendin tonë për të pushuar.

Konkretisht ekspertët po punojnë në regjistrimin si skema cilësie të recetave të vjetra, ku bëjnë pjesë shumë produkte vendase.

Sipas tyre, në gjysmën e territorit janë screenuar dhe ka mbi 50 produkte që sot kanë potencialin për tu regjistruar si skema cilësie siç i ka Italia.

Ata vlerësojnë se vendi ynë ka qindra produkte që meritojnë të regjistrohen.

MBZHR vitet e fundit po mbështet ngritjen e agroturizmeve si shembujt që po kthehen në trend tashmë nga shumë fermerë dhe banorë të zonave rurale, që investimet në prodhime tipike të zonës dhe i kanë kthyer fermat apo shtëpitë e tyre, në oaze të mikpritjes turistike. /atsh/ KultPlus.com

‘Një buzëqeshje e ngrohtë është gjuha universale e mirësisë’

By: Kult Plus
12 July 2025 at 23:05
  1. “Mirësia e vazhdueshme mund të arrijë shumë. Ashtu si dielli e shkrin akullin, mirësia bën që keqkuptimi, mosbesimi dhe armiqësia të avullojnë”.

Albert Shvajcer

2. “Ka prova të pakundërshtueshme se sa më i lartë niveli i vetëvlerësimit, aq më shumë gjasa ka që njeriu të trajtojë të tjerët me respekt, mirësi dhe bujari”.

Nethënill Brendën

3. “Transparenca, ndershmëria, kujdestaria e mirë, madje edhe humori, funksionojnë në biznes, në të gjithë kohët”.

Xhon Gerzema

4. “Mbani mend, nuk ka një gjë të tillë, si një akt i vogël mirësie. Secili akt mirësie shkakton një dallgë, e cila nuk ka një fund logjik”.

Skot Adams

6. “Ai që të ka bërë një akt mirësie, do të jetë më i gatshëm të të bëjë një tjetër, se sa ai që e keni detyruar”.

Benjamin Frenklin

7. “Dashuria dhe mirësia nuk shkojnë kurrë dëm. Ato gjithmonë bëjnë diferencën. Bekojnë atë që i merr dhe bekojnë edhe ty, që i jep”.

Barbara de Anxhelis

8. “Mirësia është gjuha që të shurdhërit mund ta dëgjojnë dhe të verbërit mund ta shohin”.

Mark Tuein

9. “Mirësia është më e rëndësishme se sa mençuria, dhe pranimi i kësaj është fillimi i mençurisë”.

Teodor Isak Rubin

10. “Mirësia njerëzore nuk ka dobësuar asnjëherë forcën apo zbutur strukturën e një populli të lirë. Një komb nuk ka pse të jetë mizor, për të qenë i fortë”.

Frenklin Delano Ruzëvelt

11. “Tre gjëra në jetën e njeriut janë të rëndësishme. E para është të jesh i mirë. E dyta të jesh i mirë. Dhe e treta është të jesh i mirë”.

Henri Xhejms

12. “Një buzëqeshje e ngrohtë është gjuha universale e mirësisë”.

Uilliam Artur Uard

13. “Gjithmonë jini pak më të mirë se sa është e nevojshme”.

Xhejms Berri

14. “Ai që di si të tregojë dhe pranojë mirësinë, do të jetë një mik më i mirë se çdo zotërim”.

Sofokliu

15. “Ruaje mirë brenda vetes atë thesar, mirësinë. Mëso si ta japësh pa hezitim, si të humbasësh pa pendesë, si të fitosh pa qenë i keq”.

Xhorxh Send

Debate, shfaqje teatrore e muzikë në Natën e dytë të Etno Fest

By: Kult Plus
12 July 2025 at 22:32

Agron Gërguri

Nata e dytë e Etno Fest-it nisi me instalacionin e Malda Susurit “Të kam në mendje”  përcjellur me fjalë që duhet mbajtur në mendeje: të kam, dashni, sy, bardhësi, ajër, harmoni, bimë, hije, botë, za, zog, hare, motiv, inspirim, univers… Mbi platformën e instalacionit plotë ndjesi u zhvillua debat në temën “Ndikimi i traditës në shendetin mendor” në debat morën pjesë Fadil Hysaj i cilli konstatoi se “Bërthama identitare e ruanë  qenien “Vjosa Sadriu Hamiti foli për rëndësinë e gjuhës dhe Kanunit në ruajtjen e bërthamës identitare,  ndërsa Klara Shehu Profesoreshë e antikës në Unversitetin e Sorbonës në Francë trajtoi aspekte psikologjike të ndikimit të riteve dhe  dhe zakoneve në shëndetin tonë mendor duke e vë në spikamë dallimin midis traditës dhe zakoneve.

Aktorja Sheqerie Buqaj  me një monolog ilustroi  shpërthimin e dhimbjes së ndrydhur.
Sali Zogiani  tregoi disa anekdota^ në temen e ngushëllimeve në rastet e mortit.


Tema e identitetit në shfaqjen “Të turpëruarit” e Altin Bashës

Artistë nga Kosova dhe Shqipëria  ishin bërë bashkë në shfaqjen teatrore “Të turpëruarit”. Një avokati amerikan me origjinë pakistaneze, dhe gruan e tij, Emily, piktore e talentuar në një darke me miqë prekin  temën e identitetit ndërthurur me religjionin dhe politikën që rrënojnë raportet dhe rrjedhimisht edhe  identitetet.

   Në njëfarë mënyre të ata turpërohen në vete dhe kjo ndjesi shkakton dramë që eksploron identitetin, kulturën dhe konfliktet në një shoqëri të diversifikuar. Mesazhi kryesor i shfaqjes është reflektimi mbi identitetin, kulturën dhe konfliktet ndërkulturore në shoqërinë e sotme amerikane referenncialisht edhe në shoqëritë tjera. Personazhet i interoretuan Adrian Morina, Blerta Syla Surroi, Aurita Agushi, Kushtrim Sheremeti dhe Endrit Ahmetaj. Kostumet dhe skenografia e  Iliriana Bashës. 

Tema e shfaqjes prek raporte ndërnjerëzore

Përmes historisë së personazheve si Amir Kapoor dhe gruas së tij Emily, shpalosen sfidat dhe dilemat e një shoqërie ku  ndihen ndikimet e trashëgimisë kulturore ptanimi – mospranimi  në procesin ndryshimeve të shoqërisë moderne ku interferimet në identitet janë të paevitueshme. Shfaqja rrezaton me një fuqi  inkurajuese mbi marrëdhëniet ndërkulturore dhe thellon përvojën tonë në kontekstin e diversitetit kulturor dhe identitetit në botën moderne.
Veprën e Ayad Akhtar e kishte lexuar skenikisht përmbajtshëm regjisori Altin Basha me një regjisur spontane. 

 Nukleusini qenies identitar

Dilema e përshfaqjes  të të kundërtës nga që përfaqësinin personazhet ishte e bukura e shfaqjes, ku pastaj zbardhen edhe marrëdhënet  dashurore që tejkalojnë raportet identitare dhe bëhen trekëndësh… për pasoj prishet identiteti i dashurisë dhe vjen dhuna ndaj gruas…
Partirura skenike ku përshfaqet dilima e përkatësisë identitare e Amarit në interpretim të aktorit Adrian Morina ishte nga momentet më dramatike të shfaqjes.
Edhe aktori Endrit Ahmetaj pati poashtu një shpërthim ekspresiv që prekte majat e shqetësimit për pasigurinë identitare që lexohet si dilemë pse jo edhe dyshim se të tjerët janë kundër vetëm se ne jemi musliman. Poashtu në nivel të kërkesave të personazheve ishin edhe Blerta Syla, Aurita Agushi dhe Kushtrim Sheremeti me thyerjet emocionale,  ritmin dhe intonimin shprehës komunikun fuqishëm me publikun e Etno Festit.

   Përveç temës identitare drama prekte edhe disa mikrotema që plotësonin mozaikun e shtjellimit teatror: dashuria, arti dhe tradhëtia.

   Shfaqja nxorri mesazhe shqetësuese që përmblidheshin tek fakti se mungesa e identitetit  ka rrezik të prishë edhe  familjen ku pastaj siç i ndodhë Amir Kaporit as drejtësia dhe arti nuk e gjejnë paqtimin dhe se  dallimet që dalinë si bindje të ngurta identitare nuk  i pajton as dashuria.
Spektatorët e duartrokitën gjatë shfaqjen që provokoj, shqyrtoj dhe dilematizoj raporte të shumfishta njerëzore në kërkim të identitetit. 

Etno nejën e përmbajtësoi me këngë të bukura këngëtarja Vala Mulliqi./ KultPlus.com

Yesterday — 12 July 2025KultPlus

Mbahet në Durrës, edicioni i parë i festivalit të artit performativ

By: Kult Plus
12 July 2025 at 21:52

Amfiteatri i Durrësit u shndërrua mbrëmjen e djeshme në një ambient ku qindra artdashës dhe turistë të huaj, u bashkuan në atmosferën artistike të festivalit “Nga errësira në dritë”.

Performanca nga lëvizja artistike “Tamom”, të gërshetuara me dansin bashkëkohor, krijuan një atmosferë magjike në Amfiteatrin e Durrësit për të gjithë qytetarët dhe artdashësit që morën pjesë.

Kryebashkiakja e Durrësit, Emirana Sako tha se kjo “shfaqje, përgatitur nga lëvizja më e re artistike, “Tamom”, në bashkëpunim artistik me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, shënon edicionin e parë të asaj, që synohet të bëhet një festival tradicional multidisiplinar i artit performativ në Durrës”.

Lëvizjet Tamom dhe dansi bashkëkohor, erdhën si një performancë e kuruar dhe prodhuar nga Klod Dedja.

Kjo nismë shënon edicionin e parë të asaj që synohet të bëhet një festival vjetor multidisiplinar i artit performativ në Durrës një hapësirë ku lëvizja, prezenca dhe bashkëpunimi artistik bashkohen pa kufij.

Shfaqja solli një udhëtim në lëvizje me tri vepra koreografike nga emra të njohur ndërkombëtarë si Russell Maliphant (Britani e Madhe), Mauro Bigonzetti (Itali) dhe Erion Kruja (Shqipëri)./atsh/ KultPlus.com

❌
❌