Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayJava News

Foltore me dy gishta, pa ‘Doktorin’

3 December 2025 at 22:38

Nga Klevis Hoxhaj

Partia Demokratike po përjeton një fazë të paqartë orientimi politik, ku anëtarësia kërkon drejtim, frymë dhe qartësi, ndërsa figura të ndryshme të strukturave lokale po rikthejnë takimet me bazën – këtë herë nën logon e PD-së, por pa praninë dhe pa përmendur drejtpërdrejt kreun e saj, Sali Berishën.

Takimi i së mërkurës në Durrës, i organizuar me pjesëmarrjen e Ervin Salianjit, Ilir Alimehmetit dhe eksponentëve të tjerë të PD-së, solli një foltore të ngjashme me ato tradicionale të demokratëve: dy gishtat lart, flamuri i PD-së në sfond dhe retorikë për “rizgjim” dhe “bashkim”.

Por ndryshimi thelbësor ishte se, ndonëse simbolika ishte berishiste, Berisha mungoi si figurë reference në fjalimet kryesore.

Ndrec Pjetri, kandidati më i votuar nga lista e hapur në qarkun e Durrësit, e nisi takimin me një mesazh të qartë: demokratët, sipas tij, kanë mbetur të shpërndarë që nga humbja e 11 majit.

“Jemi bërë si zogjtë e korbit, as ku jemi, as ku do shkojmë”, tha Pjetri, i cili theksoi se ky rrugëtim nuk ka të bëjë me interesa personale apo kauza individuale.

Në të njëjtën linjë, Artion Bajramaj riktheu kritikat për mënyrën si u menaxhuan primaret brenda PD-së, duke i cilësuar si proces të nisur me energji, por të deformuar në zbatim, ku “fituesi zëvendësohej nga dikush që vendoste nga lart”.

Në këtë atmosferë pakënaqësie të artikuluar hapur ndaj mënyrës së vendimmarrjes në parti, Ilir Alimehmeti u përpoq të krijonte një narrative bashkuese, duke folur për domosdoshmërinë e përmirësimit të strukturave, transparencën me votuesit dhe betejën ndaj qeverisë Rama.

Ai theksoi se PD-ja është “parti e lirë”, duke nënkuptuar nevojën e shmangies së centralizimit.

Por ishte Ervin Salianji ai që doli me mesazhin më direkt politik, duke e çuar takimin drejt një qasjeje që shumëkush e lexoi si tentativë për të ridimensionuar hapësirat e tij brenda PD-së.

Ai nuk përmendi asnjëherë Sali Berishën, ndërsa foli për një PD që duhet “të hapet”, “të përgatitet për rotacion” dhe “të bashkohet” për të mundur Ramën.

Thirrja e tij “bashkohuni me ne” krijoi paqartësi se cilës PD i referohej konkretisht – asaj zyrtare, asaj që ai përfaqëson politikisht, apo një formule të re brenda së njëjtës parti.

Takimi në Durrës shfaqi një kontrast të fortë: nga njëra anë baza demokratike që vijon të identifikohet me simbolikën e dy gishtave – simbolikë e lidhur ngushtësisht me Berishën – dhe nga ana tjetër drejtues e figura lokale që shmangin lidhjen direkte me të në diskurs, duke sinjalizuar një fazë të re tensioni të heshtur brenda PD-së. Sepse, pa Berishën në sallë, simbolet thonë më shumë se fjalimet.

The post Foltore me dy gishta, pa ‘Doktorin’ first appeared on JavaNews.al.

Njeriu i drejtësisë dhe kryeprokurori special

1 January 2025 at 10:52

Nga Klevis Hoxha

“Kryeprokurori special i Shqipërisë, Altin Dumani, drejton një agjenci të re kombëtare – e mandatuar gjatë reformave kushtetuese të vitit 2016 – e cila ndjek penalisht zyrtarë të lartë dhe drejtues të krimit të organizuar. Sot është institucioni publik më i besuar në Shqipëri”.

Me këto fjalë, kryediplomati Antony Blinken njihte Altin Dumanin si “kampion kundër korrupsionit” për vitin 2024 nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Motivimi i këtij vlerësimi të lartë ishte, për drejtimin e SPAK-ut “me integritet, profesionalizëm dhe guxim” në Shqipëri.

Karriera e Altin Dumanit prej çerekshekulli si njeri i drejtësisë po shënon kulmin e saj si kryeprokuror i SPAK-ut.

Pikënisjen e pati të parashkruar kur drejtonte një Task Force të ngritur në bashkëpunim me agjencitë amerikane vite më parë, e cila luftonte krimin e organizuar.

Pra, Dumani ishte duke u bërë “prokurori special” në pritje të një strukture speciale të drejtësisë, të bekuar më pas nga BE-ja dhe SHBA-të.

Në antikitet, kjo drejtësi speciale lidhej më së shumti me barazinë dhe shmangien e pleonexia-s, një farë lakmie ekstreme për pasuritë, e cila u caktohej me të drejtë të tjerëve.

Arkitektura e drejtësisë speciale në Shqipëri u hartua nga një grup teknik ekspertësh shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

Shtysa për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion erdhi nga ky grup ekspertësh, i cili e përcaktoi krijimin e një strukture të tillë si një nga objektivat strategjikë të reformës në drejtësi.

Arsyeja kryesore për ngritjen e strukturës ishte forcimi i integritetit dhe pavarësisë së autoriteteve përgjegjëse për procedimin e rasteve të korrupsionit.

Prej asaj kohe, SPAK u bë “pjesë e pazëvendësueshme e reformave në drejtësi dhe tashmë ka treguar sukses të madh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, do të deklaronin diplomatët evropianë në vendin tonë në fillim të vitit 2024.

Njeriu i drejtësisë

Altin Dumani ka lindur në Shupenzë të Dibrës dhe vinte nga radhët e Prokurorisë së Apelit.

Karriera e tij si prokuror është tashmë 25-vjeçare, me fillim në mars të vitit 1999, kur u caktua me detyrë në Sarandë.

Drejtues prokurorie, për herë të parë u bë në vitin 2000, ku u caktua si i tillë në Tropojë.

Sipas Dumanit, këtë post e patën refuzuar të gjithë personat të cilëve iu ofrua, për shkak të çështjeve shumë problematike në qytetin verior gjatë atyre viteve.

Ka qenë ndër të tjera edhe një prej prokurorëve të çështjes Gërdeci, ku u dallua për një qëndrim të “akullt” të mbajtur me kërkesën e tre dënimeve të përjetshme, nga 29 të pandehurit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit 2008.

Më pas, ai u bë pjesë e SPAK-ut me krijimin e strukturës së posaçme, teksa mbajti edhe detyrën e drejtorit të komanduar të Prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda.

I pyetur më parë se pse ka kërkuar të jetë pjesë e SPAK-ut, Dumani është përgjigjur duke thënë se “komoditeti i Prokurorisë së Apelit” duhet lënë mënjanë nga ana e tij dhe të përqëndrohet në luftën ndaj krimit.

“Lufta ndaj krimit është më prioritare, se sa komoditeti i zyrës”, mendonte prokurori.

Teksa, kur doli përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), i ftuari i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), Theo Jacobs i tha Dumanit: “Kam marrë pjesë në 25 çështje dhe kjo është hera e parë që s’kam asnjë pyetje. Zoti Dumani qenka me fat”.

Kështu, duke e përcaktuar atë si një figurë me integritet dhe të përshtatshëm për të qenë pjesë e sistemit të ri të reformuar të drejtësisë në Shqipëri.

Zyrtarët e lartë

Edhe para krijimit të gjykatave të SPAK-ut, kishte polemika se në cilat lloje çështjesh korrupsioni duhet të fokusohej institucioni i ri.

Sipas draftit fillestar të reformës kushtetuese, struktura e posaçme duhej të ishte kompetente vetëm për gjykimin e çështjeve të korrupsionit të niveleve të larta që përfshinin gjyqtarë, prokurorë dhe zyrtarë të lartë, duke pasqyruar juridiksionin e ish Gjykatave të Krimeve të Rënda.

Fillimisht, në dyert e SPAK-ut u paraqitën një mori kallëzimesh penale për shpërdorime detyre dhe abuzime me fondet publike.

Duke lënë të nënkuptuar se fokus parësor do të ishte hetimi i korrupsionit në nivelet e larta të qeverisjes.

Kështu, kur dikush përmend SPAK, mendja shkon te politikanët e korruptuar, te dosjet si ajo e Gërdecit, CEZ-DIA, Inceneratorëve apo Sterilizimit.

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani zbuloi se 61 zyrtarë të lartë janë të regjistruar për korrupsion, ku 70 për qind e tyre janë dërguar për gjykim.

Kryeprokurori e ka ngritur lart stekën e goditjes së politikanëve në vend, kryesisht për akuza korrupsioni, por edhe lidhur me çështje të krimit të organizuar.

Ndër më të njohurat, dosja për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, sa i takon çështjes së privatizimit të ish-klubit Partizani.

Apo, ajo e lidhur me ish-Presidentin e Republikës, Ilir Meta, i akuzuar për korrupsion pasiv dhe fshehje pasurie.

Ndërsa, nga mazhoranca qeverisëse është shpallur në kërkim ish zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj dhe mund të përmendim burgosjen e ish-ministrit Lefter Koka dhe Alqi Bllakos, ish Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit.

Pa harruar procedimin në lidhje me hetimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Kultura e pandëshkueshmërisë

Në njërën prej daljeve të pakta televizive, kryeprokurori special u shpreh i bindur se institucioni që ai drejton “kishte tronditur thellë” kulturën e pandëshkueshmërisë në vend.

Ai vuri në dukje madje se SPAK ka vendosur para drejtësisë funksionarë shumë të lartë, të nivelit të mesëm, të nivelit të ulët, ish-gjyqtarë, ish-prokurorë, kryetarë bashkish, ish kryebashkiakë, deputetë, funksionarë shumë të lartë policie.

Për këtë, Dumani pohoi se Prokuroria e Posaçme nuk kishte një agjendë politike për të ndjekur njërën palë apo tjetrën.

“Tre janë përparësitë e SPAK-ut: lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizimit. Momentalisht jemi fokusuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. SPAK deri tani ka dëshmuar se është në gjendje të ushtrojë ndjekjen penale ndaj çdo subjekti, pavarësisht pozitës së tij”, theksonte kreu i strukturës.

SPAK ka sekuestruar dhe konfiskuar deri më tani mbi 182 milionë euro asete, të siguruara përmes mjeteve të paligjshme.

“Ne jemi përpjekur modestisht që në këto pesë vite të tregojmë se korrupsioni sfidohet, se krimi i organizuar mund të vihet përpara përgjegjësisë, se sot nuk mund të ketë zyrtarë të lartë publikë të imunizuar nga drejtësia, se ligji funksionon, dhe se të rinjtë mund të shpresojnë fort në një shtet të së drejtës”, pohonte Altin Dumani në pesëvjetorin e Prokurorisë së Posaçme.

Dumani pranoi se krimi i organizuar në Shqipëri është një rrezik real dhe theksoi se prokurorët janë kërcënuar shpesh herë nga aktorë të organizatave kriminale.

“Korrupsioni apo krimi nuk mund të zhduken brenda ditës; jemi përballur me përpjekje për ta minuar punën tonë, me fyerje, shpifje, kërcënime ndaj nesh apo familjarëve tanë”, kujtoi kryeprokurori.

“Huqet” ndaj SPAK-ut

Përtej punës së mirë të SPAK-ut për të parandaluar korrupsionin, përpjekjet kanë pasur një ndikim të kufizuar, zbulonte raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Kjo, për shkak të miratimit me konsensus mes mazhorancës dhe opozitës më 4 prill në Kuvend të ligjit “Për amnistinë”.

Prokuroria e Posaçme bëri me dije përmes publikimit BIRN se rreth 100 persona të dënuar nga GJKKO-ja kishin përfituar pikërisht nga ky ligj.

“Miratimi i një ligji të gjerë për amnisti penale bëri që 40 persona të dënohen nga gjykatat e SPAK-ut dhe të falen plotësisht dhe 65 të tjerëve të ulet dënimi, gjë që ngre shqetësime”, vërente Brukseli zyrtar.

Sipas të dhënave që SPAK-u vuri në dispozicion të BIRN-it, ulje dënimi përfituan 16 funksionarë publikë të dënuar për korrupsion, 11 të tjerë për shkelje të barazisë në tenderë si dhe shtatë gjyqtarë dhe prokurorë të dënuar gjithashtu për vepra penale të korrupsionit.

Dy prej përfituesve ishin të dënuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Një tjetër polemikë u regjistrua në muajt e parë të vitit mes kryeprokurorit special dhe Policisë së Shtetit sa i takon “korrupsionit” brenda autoriteteve ligjzbatuese.

“Në raste të caktuara, sidomos ato të krimit të organizuar, nuk bashkëpunojmë dot me policinë sepse na rezulton se ka policë të përfshirë dhe është në nivele te larta. Hetimet tona kanë treguar që eksponentë të policisë së shtetit, madje me funksione të larta kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar, referuar dhe çështjeve që kemi hetuar, dhe çështjeve që kemi në hetim e sipër. Janë një kategori çështjesh që ne hetojmë ekskluzivisht me BKH-në”, u shpreh Dumani.

Deklaratat e kreut të SPAK-ut për shqetësimet në lidhje me korrupsionin brenda Policisë së Shtetit e vendosën Dumanin nën një dritë të ndriçuar kritike.

Gjërat ndryshuan disi në muajin tetor kur Dumani u takua me kryepolicin e ri Ilir Proda, duke thelluar bashkëpunimin mes SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit.

Dy drejtuesit diskutuan po ashtu për ngritjen e marrëdhënieve mes dy institucioneve në një stad tjetër “bashkëpunimi dhe besueshmërie” mes palëve.

Kryeprokurori special

Me rezultatet e tij, SPAK duket se ka arritur nivelin maksimal të besimit mes qytetarëve shqiptarë që nga themelimi i strukturës speciale të drejtësisë.

Ai renditet si institucioni i dytë në vendin tonë me besueshmërinë më të lartë, menjëherë pas ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në renditjen e 15 institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare – zbulonte anketimi i fundit i Barometrit të Euronews-it.

36 për qind e të anketuarve kanë besim te institucioni i drejtësisë dhe krahasuar me përqindjet e besueshmërisë në institucione të tjera, SPAK renditet në krye të kësaj liste së bashku me Ambasadën Amerikane në Shqipëri.

Rritja e besimit është skalitur gjatë dy viteve të fundit, kohë kur në krye të tij vendoset një figurë si ajo e Altin Dumanit.

“Shoqëria shqiptare na ka ngarkuar më një mision jetik; siç është lufta pa kompromis ndaj atyre që e kanë kapur dhe e shfrytëzojnë atë padrejtësisht. Ndaj drejtësia ka misionin e krijimit të ruajtjes së ekuilibrit të peshores së saj, në mënyrë që i gjithë sistemi të funksionojë në shërbim dhe në dobi të qytetarëve, pa asnjë dallim; të gjithë të barabartë përpara drejtësisë”, shprehej ai.

Me apo pa Dumanin – që lë mandatin në dhjetor 2025 – SPAK ka sfidat e tij, të cilat e ardhmja do t’i shpalosë.

Sfida e parë është ruajta e pavarësisë institucionale të strukturës së drejtësisë.

Kjo pavarësi institucionale është një ndër shkaqet, pse Prokuroria e Posaçme ka filluar që të jetë e suksesshme ndaj ndjekjes së veprave penale.

Një sfidë tjetër është mungesa e përcaktimit të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorit të SPAK-ut, pas përfundimit të mandatit. Pas nëntë vitesh ata kthehen në vendin ku kanë qenë më parë.

Prokurorët kanë propozuar ndryshimet e nevojshme, me qëllim që të rishikohet dhënia e mundësisë që të rikandidojnë e të vazhdojnë të jenë pjesë e SPAK-ut.

Siç thotë Platoni te “Republika”, pasi ishte e njëmendtë se qyteti kishte kurajo, mençuri dhe moderim, rezultoi se drejtësia kishte ekzistuar gjatë gjithë kohës, pasi parimi që “çdokush duhet të ushtrojë një nga profesionet për të cilin ai është natyrshëm më i përshtatshmi” ishte aty që në fillim.

E pra, le të lëmë njeriun e drejtësisë që të bëjë kryeprokurin special.

❌
❌