Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayJava News

IBAR kalon. Tani nis zbori…

23 May 2026 at 13:36

Nga Lutfi Dervishi

IBAR do të kalojë. Qeveria do ta shesë si një sukses historik, ndërsa opozita si një proces të vonuar që konfirmon dështimet e pushtetit. Ndërkohë, raportin teknik prej 31 faqesh ka shumë gjasë ta lexojnë po aq njerëz gjithsej: një tufë ekspertësh dhe ndonjë diplomat karriere.

Por përtej propagandës së ditës, pyetja është: çfarë ndryshon konkretisht për vendin?

Para se të rrahim gjoksin e të kumtojmë “fitore”, duhet të sqarojmë çfarë nuk kemi marrë ende. Ky nuk është anëtarësim në BE dhe as hyrje automatike në tregun e përbashkët. IBAR-i nuk sjell nesër paga gjermane, spitale daneze apo administratë holandeze.

Deri më tani, procesi ka qenë kryesisht teorik: screening/skanimi, raporte, tabela, strategji dhe vlerësime në distancë. Shqipëria sapo ka kaluar provimin teorik për patentën europiane. Tani duhet të futet në trafikun real. E aty, nuk mjafton më të njohësh tabelat; duhet të dëshmosh se di t’i japësh makinës.

Kjo kuptohet qartë kur krahason dokumentet. Dallimet mes IBAR 1 që nuk kaloi (shkurt 2026) dhe IBAR 2 (maj 2026) ndahen nga vetëm tre muaj kohë, por janë tre muaj zbor. Ata që bënë papagallin duke përsëritur se “asgjë nuk është bllokuar e çdo gjë ecën vaj”, është koha të skuqen pak, nëse nuk u ka plasur krejt cipa.

Të dy dokumentet trajtojnë të njëjtat kapituj: drejtësinë, korrupsionin, median, administratën dhe zgjedhjet. Por në thelb, ndryshimi i tonit është radikal.

Nëse IBAR 1 ishte dylbi, IBAR 2 është lupë. Toni është haptazi më politik, më skeptik dhe tejet konkret. Rasti i SPAK-ut është ilustrimi më i mirë: për herë të parë dokumenti flet pa doreza për presione politike, deklarata publike zyrtarësh dhe nevojën jetike që prokurorët të punojnë pa ndërhyrje.

E njëjta logjikë e zhveshur dominon edhe te zgjedhjet. Aty ku IBAR 1 mjaftohej me thirrjet e përgjithshme për të përmbushur rekomandimet e OSBE/ODIHR, IBAR 2 shkon direkt te plaga: keqpërdorimi i burimeve shtetërore dhe makineria e patronazhistëve.

Edhe çështja e pronave futet në një fokus më agresiv, duke treguar gishtin mbi zonat bregdetare, pronat e minoriteteve, shpronësimet, dokumentet false dhe mungesën e kompensimit real. Po ashtu, policia hyn më fort në radar, ku evidentohet korrupsioni, rotacionet e dyshimta dhe dobësia strukturore e mekanizmave të kontrollit.

Mesazhi është i qartë: Brukseli nuk impresionohet më nga strategjitë, planet e veprimit, konferencat apo ligjet që miratohen.
Ndaj, ky proces nuk duhet shitur si triumf, sepse nuk është i tillë. Është thjesht hyrje në fazën më të vështirë të negociatave. Nga ana tjetër, edhe opozita do të bënte gabim ta trajtonte këtë vetëm si propagandë të radhës; për herë të parë, mbi shtetin shqiptar po vendoset një mekanizëm monitorimi dhe presioni ndërkombëtar që nuk të fal. Lupa është afruar shumë afër.

Ky është një shans real për një lojë më serioze, një mundësi për të krijuar një klimë politike më të qetë, ku fokusi zhvendoset te qytetari dhe te interesi vendit. Është një mundësi për institucione më funksionale, ekonomi më konkurruese, zgjedhje më të besueshme, administratë më pak partiake dhe media më të mira. Por kjo vlen vetëm nëse raporti përdoret si manual pune, dhe jo si material për statuset e radhës në Facebook.

IBAR-i kalon, por mes rreshtave kuptohet se koha e fjalëve të bukura ka perënduar. Ka ardhur koha e veprave.

Më 27 maj në mëngjes, qytetarët nuk do të zgjohen në një vend pa trafik, me ujë 24 orë apo me spitale perfekte. Ky proces nuk ul çmimin e naftës me vendimin e bordit të “transparencës”, nuk e zhduk korrupsionin me magji dhe nuk rregullon me telekomandë problemet e kadastrës, tenderat apo PPP-të.

Ajo që ky hap krijon është diçka më pak spektakolare, por jetike: një presion konstant, kirurgjikal, që institucionet të funksionojnë sipas ligjeve e rregullave e jo sipas trilleve e dëshirave.

BE-ja po ndez dritën jeshile për të kaluar nga teoria në praktikë. Kemi hyrë, si të thuash, në autostradë, por shpejtësia e lëvizjes dhe rreziku për t’u përplasur varen tashmë tërësisht nga ne. BE nuk ka ndërmend të na marrë zvarrë e të na anëtarësojë me zor.

Për herë të parë pas shumë vitesh, problemet tona jo vetëm që janë nxjerrë sheshit, por kemi humbur zyrtarisht edhe luksin për t’i injoruar.

Beteja e humbur me gjuhën shqipe

19 May 2026 at 15:53

Nga Lutfi Dervishi

Ajo u ka bërë ballë kohërave, pushtimeve, ndalimeve dhe perandorive.

I mbijetoi Perandorisë Romake për rreth pesë shekuj.

I mbijetoi Perandorisë Bizantine për afro një mijëvjeçar.

I mbijetoi Perandorisë Bullgare dhe asimilimit sllav në Mesjetë.

I mbijetoi Perandorisë Serbe të Stefan Dushanit.

I mbijetoi Perandorisë Osmane për gati pesë shekuj.

I mbijetoi censurës, ndalimeve dhe luftës së egër kundër shkollës shqipe.

I mbijetoi përpjekjeve për ta shkruar me alfabete greke, arabe e cirilike, apo me variante të copëzuara latine, derisa shqiptarët e unifikuan atë në Kongresin e Manastirit më 1908.

Arbëreshët e ruajtën për pesë shekuj larg atdheut.
Shqiptarët e Kosovës e mbrojtën në kohë represioni e aparteidi.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut u ngritën në protesta për të drejtën për të mësuar, shkruar dhe studiuar në gjuhën amtare.

Prandaj, përpjekjet cinike në Shkup për të rikthyer shqipen në një “gjuhë të përqindjeve”, vendimet e Gjykatës Kushtetuese që prekin të drejtat e fituara, heqja e gjuhës shqipe nga tabelat e rrugëve, mohimi i të drejtës së studentëve shqiptarë për të dhënë provimin në gjuhën shqipe jane shenja të dëshpërimit të një politike që s’e pranon dot barazinë.

Është një paradoks i madh që Shkupi po u shpall luftë gjuhës së popullit shtetformues, ndërsa vetë përballet me Bullgarinë që ia mohon ekzistencën gjuhës maqedonase. Nëse Maqedonia e Veriut synon vërtet integrimin në Bashkimin Evropian, ajo duhet të shohë drejt modelit të vendeve si Belgjika (me tri gjuhë zyrtare) apo Zvicra (me katër), ku shumëgjuhësia është vlerë dhe shtyllë e stabilitetit, jo kërcënim.

Historia e ka dhënë tashmë përgjigjen: çdokush që ka hyrë në betejë me gjuhën shqipe, ka humbur. Edhe perandoritë më të fuqishme të botës.

Kur delet i qeth i njëjti bari

9 May 2026 at 12:52

Nga Lutfi Dervishi

Çfarë ndodh kur inxhinieri, mjeku, piktori, deputeti dhe gazetari shkruajnë njëlloj?
Ndodh ajo që shohim rëndom sot: tekstet u ngjajnë deleve që i qeth i njëjti bari. Kanë të njëjtën prerje, të njëjtën lëkurë , të njëjtën vulë, por asnjë shenjë dalluese.

Bota është e bukur sepse njerëzit janë të ndryshëm. “Mendje mendje kjo dynja, mendja mendjes nuk i ngjan.” Kur të gjitha tekstet fillojnë të tingëllojnë njësoj, humbet jo vetëm stili dhe larmia, por humbet gjëja më e rëndësishme në komunikim: besimi

Ky uniformitet maoisit që sa vjen dhe bëhet më i bezdisshëm e ka një emër: përdorimi jo i mençur i AI.

“Kjo nuk është thjesht një marrëveshje, është një testament se çdo hap ka një kosto…” apo metafora të sforcuara si “çmimet që trembin edhe retë”, janë struktura tipike, të gjeneruara me një klik. Hiperbola të gatshme, kontraste artificiale dhe një “shije” sintetike që po mbush faqet tona.

Të merr malli dhe ngazellehesh që ende gjen postime të shkruara nga njeriu, ende dëgjon fjalime të prodhuara nga mendja, ende e kupton nga stili se cili është autori… Ku janë fjalitë me nerv, gabimet njerëzore, batuta, ironia, ritmi, rrjedha që nuk mund të imitohen??
A duhet përdorur AI?

Absolutisht po. AI është asistent i përkryer kur je zot i zanatit tënd. Por kur e lë atë të marrë timonin në dorë, del zbuluar. Binjaku digjital duhet të jetë varianti më i mirë i vetes, jo protezë për dembelizmin, mediokritetin apo padijes tonë. Në fakt ndoshta pyetja që duhet ngritur është: çfarë mbetet prej teje nëse të heq AI?

Për të patur trup të shëndetshëm kërkojmë ushqim bio, pse nuk bëjmë një gjë të tillë edhe për mendjen?

Sot po fryhen përrenjtė me përmbajtje të gjeneruar me AI, e ndoshta e ardhmja e gazetarisë do të jetë “lajmi bio”, lajmi që mban aromë terreni, jo zyre, lajmi që lind nga dyshimi, jo nga gugllimi, lajmi që është i verifikuar nga njeriu. Prodhimi i mendjes së njeriut do të jetë “premium”.

Sot gazetaria bio nuk është thjesht ndodhi kjo, ai tha, ajo u përgjigj… Kjo gazetari sot është rezistencë ndaj humbjes së identitetit është betejë kundër uniformitetit. Nëse dështon kjo rezistencë gjithnjë e më pak njerëz do lexojnë, sepse do të velen duke lexuar një stil, duke ndjerë një ritëm, një intonacion artificial, një botë ku çdo fjali tingëllon sikur është shkruar nga e njëjta dorë, ose më keq, nga ASKUSHI.
Kudos për këdo që guxon/lodhet të nxjerrë në treg prodhime të mendjes, të shkruara me dorë njeriu.

Qeli “all inclusive”

5 May 2026 at 15:32

Nga Lutfi Dervishi

Kur dëgjon fjalën burg, asgjë nuk të habit më.
Pas videos ku të dënuar VIP organizojnë një lloj dasme brenda qelisë, pyetja nuk është më “si ndodhi”, por “çfarë nuk kemi parë ende”.
Aheng në burg? Këtë e pamë Alkool? Është vetëm çështje cilësie. Drogë? Patjetër mall i pastër. Eskorta? Pa asnjë problem. Armë? Edhe këtë e kemi parë. Jo duke qëlluar në ajër në raste ziafeti, por kundër atij që e konsideron hasëm.Kur sheh komoditetin, e të burgosurve VIP gjithçka të duket e mundur. Thjesht çështje çmimi.
Problemi nuk është se duke parë këtë video ti pyet si naiv: kush e bën ligjin në burg?
Kontrasti është brutal. Nga njëra anë, figura politike që trajtohen me një rigorozitet për të dërguar messazh dhe nga ana tjetër, figura të botës së krimit që jetojnë më mire se shumica e atyre që jetojne jashtë.
Ndoshta kërcënimi më i madh që mund t’u bëhet atyre është: “mbani pak rregull se do t’u nxjerrim jashte”

Dhe pastaj ne çuditemi pse nga qelitë dalin urdhra, paralajmërime, investime, madje edhe vrasje. Nëse infrastruktura ekziston, çdo gjë është e mundur.

Ai stan atë bulmet ka. Dhe ky stan ka kohë që prodhon më rendiment të lakmueshëm.

Logjika do të kërkonte që pas publikimit të videos të kishim jo vetëm kontroll, por nuk ka dhe analiza, masa, përgjegjësi konkrete, përgjegjësi e emër dhe mbiemër.
Por duket se logjika nuk është gjithmonë pjesë e skenarit.

Ndoshta është më e ndershme të heqim dorë nga iluzioni.
Në vend që të pretendojmë se kemi burgje, administratë dhe drejtues duhet të pranojmë se kemi hapësira me menaxhim fleksibël.

Në fund të fundit, modeli ekziston. Pablo Escobar ndërtoi burgun e vet sipas shijeve të tij. Ne kemi një version më modest, por gjithsesi funksional.

Kështu merr kuptim shterues shprehja ekskluzivisht shqiptare: burgu për burrat është!

Drejtësia që i druhet kameras ka një problem me veten

29 April 2026 at 12:01

Nga Lutfi Dervishi

Ka ende frikë nga ideja e transmetimit televiziv të gjyqeve me interes të lartë publik.

Megjithatë, koha e “burimeve pranë hetimit”, “burimeve të mia” dhe fragmenteve selektive duhet të marrë fund. Drejtësia që fshihet prodhon pashmangshmërisht dyshim, ndërsa drejtësia që nuk ka frikë kameran, prodhon autoritet.

Kur në bankën e të akuzuarve ulen figura VIP, interesi i publikut është më shumë se kureshtje, është detyrim llogaridhënieje. Këto procese sa çështje private ku secili bërë varet nga këmbët e veta, janë edhe teste për vetë sistemin. Këtu nuk gjykohet vetëm individi, për atë që ka bërë apo nuk ka bërë…

Argumenti se transmetimi “do ta kthejë gjyqin në cirk” është ca i vjetruar. Cirk bëhet kur informacioni rrjedh me pika, kur narrativa ndërtohet mbi gjysmë të vërteta, sajesa, shpifje dhe kur publiku lihet në mëshirë të interpretimeve të nallbanëve.

Transparenca e plotë e vret cirkun sepse e zëvendëson thashethemin me faktin.

Historia është e mbushur me shembuj të bujshëm të gjyqeve të rëndësishme ku kanë spikatur profesionistët.

Ëndrra e një gjyqtari, prokurori, avokati duhet të jetë një çështje e madhe ku ai t’i tregojë të gjithëve sa “i vlen lëkura”

Nga proceset e Nurembergut te skandali “Watergate”, nga gjyqi i O.J. Simpson te Gjykata e Hagës, koha ka vërtetuar se kamera nuk e dëmton procesin, por e lartëson atë.

Po, ka pasur tension dhe dramë, por mbi të gjitha, kemi parë një standard profesional.

Publiku ka parë me sytë e tij se kush flet me prova dhe kush rreh ujë në havan; kush është i përgatitur dhe kush improvizon, kush është profesionist dhe kush është sharlatan. Kush është i zoti dhe kush është mediokër.

Në një sallë gjyqi të hapur, ku çdo fjalë transmetohet në kohë reale, “i del kallaji” kujtdo:

Aty prokurori nuk mund të mburret me dosje mijëra faqesh që nuk mbështeten në fakte. Mjafton një faqe për të bindur publikun. Madje edhe një paragraf.

Avokati nuk mund të fshihet pas aktrimit televiziv pa substancë ligjore, as pa retorikes politike.

Gjyqtari nuk mund të maskojë paaftësinë apo anshmërinë apo frikën, pas vendimeve të paarsyetuara.

Dëshmitari e ka të pamundur të luajë me të vërtetën pa u ekspozuar para miliona syve.

Në fund të ditës, ai që fiton nuk është ai që bërtet apo ai që ka më shumë akses në media, por ai që ka të vërtetën me vete dhe zotësinë profesionale për ta mbrojtur atë.

Pas një dekade investimesh dhe debatesh për Reformën në Drejtësi, pyetja nuk është më a kemi ngritur institucione dhe godina të reja, por a kemi profesionistë që nuk kanë frikë nga kamera/drita?!

Një gjyq i transmetuar “live” është provimi ku të gjithë dalim të fituar.

Nëse drejtësia funksionon, besimi i publikut rritet pashmangshmërisht. Mbështetja për drejtësinë mund të arrijë edhe shifra sovjetike. Por edhe nëse drejtësia dështon, publiku dhe vetë sistemi identifikon saktësisht ku fle problemi. Në çdo rast shoqëria është e fituar.

Gjyqi publik nuk është rrezik për drejtësinë, është rrezik për mediokritetin dhe korrupsionin brenda sistemit. Një sistem që i druhet kamerës, nuk ka problem me teknologjinë, ka problem me veten.

Drejtësi në akuarium: nga Nurenberg te gjyqet në Tiranë

27 April 2026 at 22:43

Nga Lutfi Dervishi

Ka një mënyrë të thjeshtë për të kuptuar një sistem drejtësie: shiko ku e vendos të pandehurin. Në krah të avokatit, apo pas xhamit si ‘kafshë e rrezikshme’

Edhe në gjyqin e Gjyqi i Nurembergut, njerëzit më të akuzuar të shekullit, krerët e nazizmit, nuk ishin në kafaz.

Ishin të rrethuar nga roje, me kufje në vesh, nën vëzhgim maksimal. Por jo në kafaz. Sepse edhe aty, në një gjyq që vinte pas një lufte botërore, me dhjetëra milionë viktima, u bë një zgjedhje simbolike: drejtësia duhet të duket drejtësi, jo hakmarrje e dirigjuar.

Në Shqipërinë e diktaturës, nuk kishte nevojë për xham.

Vendimi jepej para se të fillonte seanca. I pandehuri qëndronte në këmbë, përpara mikrofonit, me një sallë që mjerisht edhe duartrokiste. Ishte teatër me një regji të dukshme. Por pa kafaz.

Sot kafazi në sallën e gjyqit është prej xhami. I pastër, transparent, pothuaj estetik. Një lloj akuariumi juridik ku i pandehuri ekspozohet si rrezik potencial, jo si subjekt i të drejtave.

Qe ne 2005 Gjykata e Lartë e SHBA e ka ndaluar zyrtarisht si ‘simbolikë e qartë kundër prezumimit të fajësisë dhe cënim të komunikimit konfidencial të pandehurit me avokatin’. Në sallat e gjyqeve në SHBA i pandehuri ulet në krah të avokatit pa asnjë barrrierë fizike.

-Po sipas modelit amerikan veprohet në të gjitha vendet skandinave.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut e toleron vetëm si përjashtim, jo si rregull.

Franca e rezervon për terrorizëm.

Rusia kritikohet sepse e përdor për të gjithë.

Ne e kemi bërë xhamin pjesë të estetikës së reformës, duke harruar se transparenca duhet të jetë në vendimmarre, jo në muret e kafazit.

Madje kemi filluar diskutimin se kush e ka kompetencën.

Gjykata thotë nuk është kompetenca ime. Burgjet thonë është çështje sigurie. Ligji thotë i pandehuri është i lirë gjatë gjykimit. Realiteti: ‘futeni në kafaz dhe vazhdojmë se nuk kemi kohë’.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit e quan këtë shkelje të rëndë. Dhe ka të drejtë. Sepse neni 344 nuk është sugjerim, është rregull. I pandehuri nuk është objekt që ruhet, por subjekt që mbrohet.

Në çështjen Svinarenko and Slyadnev v. Russia, Strasburgu e tha qarte se, kafazi është trajtim poshtërues dhe cenon procesin e drejtë. Nuk ka rëndësi nëse është prej hekuri apo xhami. Problemi nuk është materiali, por mesazhi që përcillet

Në Nurenberg, për krime kundër njerëzimit, nuk pati kafaz.

Në Shqipëri, për çështje që ende diskutohen në gjykatë, kemi kafaz si standard sigurie.

Nuk është thjesht çështje arkitekture apo sigurie burgjesh; është çështje mentaliteti. Kur Strasburgu thotë se kafazi, qoftë prej hekuri apo xhami, është trajtim poshtërues, ai nuk po mbron individin, por po mbron integritetin e vetë gjykatës. Nëse në Tiranë kemi ende nevojë për një ‘akuarium’ për të ndarë drejtësinë nga njeriu, atëherë i dënuari i parë në atë sallë është vetë prezumimi i pafajësisë. Një sistem që ka nevojë për xham për t’u ndjerë i sigurt, tregon se ka më shumë frikë nga liria sesa nga krimi.

 

Kur shteti sillet si shoqatë bamirëse

19 April 2026 at 12:37

Nga Lutfi Dervishi

Sa herë ndodh një tragjedi, fillon skenari që e kemi parë aq shumë sa nuk na bën më përshtypje: bonus qiraje, premtime për rindërtim, (këtë radhë nga vetë kompania), një biznes “bujar” që merr përsipër mobilimin dhe, më vonë, pa shumë zhurmë, edhe një tender si falënderim për këtë biznes.

Ja hodhëm dhe këtë radhë!

Ka vetëm 5 ditë që u shkrumbua pallati në mes të Tiranës, dhe në oborrin e vakisë u shfaqen mes banorëve zv/kryeministrja, deputetë, dhe njerëz të bashkisë. Mesazhi: “do të rregullohet gjithçka. Por pyetjet thelbësore mbeten pa përgjigje: Jo “pse ndodhi? Jo kush e lejoi këtë”, jo “si nuk u ndal më herët”, por “mos u shqetësoni, do ju ndihmojmë gjithcka do të rregullohet”. Në vend të shtetit që parandalon, kemi shtetin që vjen për ngushëllim dhe lë edhe një “qokë”.

Me këtë qasje shteti i ngjan asaj amvisës që pasi pastron shtëpinë, mbeturinat i fut nën tapet.

Për tre ditë bëhet zhurmë. Prokuroria bën sikur zgjohet, inspektorët bëjnë sikur do të bëjnë namin, arrestohet kush gjendet më afër vendit të ngjarjes dhe shpallet në kërkim investitori që ka histori të përsëritur me zjarrin. Pastaj ftohet situata. Vijnë të 40-tat, dhe bashkë me to edhe harresa. Deri te skandali radhës.

Zjarri te Farmacia 10 nuk ishte një gjë që na ndodhi për herë të pare, nuk ishte as nga ato raste që bëhen filma. Ishte një paralajmërim i shpërfillur. Edhe në dy rastet e tjera kompania e “zgjidhi” problemin. Nëse do të kishte qasje dhe hetim serioz herën e parë, apo qoftë edhe herën e dytë, sot nuk do flisnim për hallin e banorëve apo për heronjtë zjarrfikës që mezi u futën në vendngjarje dhe për pajisjet e tyre.

E vërteta është e thjeshtë, aq e thjeshtë sa nuk bëhet: kemi vendosur në fasada materiale që digjen më shpejt se benzina.

Mësimi nga zjarri është edhe më i qartë: këto fasada duhen hequr, të gjitha, pa përjashtim, duke filluar nga ato të kompanise që e ka bërë zakon këtë historinë e djegies së fasadave. Por edhe sot, përballë një rreziku real dhe jo imagjinar, përgjigjja është: bamirësi, jo përgjegjësi, jo nxjerrje mësimi.

Pse nuk hiqen fasadat e pa djegura në të njëjtin kompleks? Pse nuk hiqen të paktën fasadat e ndërtuara nga kjo kompani? Kushtojnë shumë?!
Po, kushtojnë shumë, por shumë më pak se një jetë njeriu. (Imagjino për një moment sikur zjarri të kishte rënë naten!)

Banorët dhe jo vetëm ata që jetojnë në zonën e Farmacisë 10, edhe nëse nuk e kërkojnë, meritojnë përgjigje për pyetjen: a janë sot të sigurt në shtëpitë e tyre?

Bashkia Tiranës që është edhe bashkefinancuese në shumë projekte për fasadat e godinave nuk ka nevojë të shfaqet si bamirëse, mjaft t’i japë përgjigje kësaj pyetje.

Shoqatat bamirëse bëjnë punë të mirë dhe nuk është nevoja t’u dalë shteti si konkurrent. Fundjavë Ndryshe dhe Elvis Naçi ndihmojne njerëz që u kanë rënë halle që shteti nuk ua ka zgjidhur dot. Por shteti nuk është shoqatë bamirëse. Shteti nuk mund të sillet sikur të jetë fundjavë ndryshe.

Sepse shteti nuk janë zjarrfikësit që vijnë kur gjithçka ka marrë flakë, nuk janë forcat e ushtrisë apo forcat speciale, që për çdo rast, i trajtojmë si zjarrfikëse. Shteti janë institucionet që duhet ta kishin ndalur zjarrin para se të ndizet, dhe të kishin liruar rrugën për zjarrfikëset para se të binte zjarri.

Nuk kemi nevojë për heronj që shfaqen në ekran dhe postime me Instagram për disa ditë. Kemi nevojë për njerëz normalë dhe institucione që bëjnë punën e tyre çdo ditë, pa zhurmë.

Por mjerisht në vend që të mësojmë nga tragjeditë, mësohemi me to. Dhe presim atë të radhës….

Shqipëria mes Perëndimit dhe… Perëndimit!

21 January 2026 at 20:33

Nga Lutfi Dervishi

Bota po ndryshon me shpejtësi të paprecedentë. Çdo ditë ka një lajm të madh dhe tronditës. Lufta në Ukrainë po hyn në vitin e pestë. Aleancat po lëkunden, dhe fuqi të mëdha po flasin gjithnjë e më pak për vlera dhe gjithnjë e më shumë për interesa. Rendi që njohëm pas Luftës së Dytë Botërore, dhe sidomos periudha (fatlume për shqiptarët) pas rënies së murit të Berlinit tashmë i përket historisë. Arkitekti i këtij rendi është sot kritiku më i rreptë i veprës që vetë ka ndërtuar.

SHBA, krijuesja kryesore e rendit pasluftës, sot shfaqet e pakënaqur me produktin e vet. Doktrina “America First”, e artikuluar qartë nga Presidenti Donald Trump, nuk është slogan elektoral, ajo e sheh globalizmin si humbje për interesin amerikan, Bashkimin Evropian si dështim në politikat e migracionit dhe NATO-n si një barrë të pabarabartë financiare. Kur aleatët kërcënohen me tarifa, kur pakënaqësia ndaj NATO-s vjen nga anëtari kryesor, dhe kur pretendimet territoriale vendosen në tavolinë, ajo që dje ishte e pamendueshme sot është e pashmangshme.

Shqipëria dhe shqiptarët kanë një borxh ekzistencial ndaj SHBA. Nga presidenti Wilson, (1919) që mbrojti shqiptarët në Konferencën e Paqes, te Bill Clinton (1999) për ndërhyrjen në Kosovë, e deri te George W. Bush (2008) për mbështetjen vendimtare për anëtarësimin në NATO. Kjo lidhje e ushqyer edhe nga gjysëm milioni shqiptarë që sot janë qytetarë amerikanë, është sa emocionale aq edhe strategjike.

Në të njëjtën kohë, Shqipëria është në rrugën e anëtarësimit në BE. Integrimi Euro- atlantik është projekti strategjik i dekadave të fundit. Anëtarësimi në familjen e BE nuk do të thotë thjesht më shumë fonde, por më shumë rregulla, institucione dhe stabilitet. Afro 2 milionë shqiptarë janë qytetarë të një prej vendeve të BE -së.

Dje, në Davos, Mark Carney i Kanadasë duke iu referuar esesë së Vaclav Havel (Fuqia e të pafuqishmëve) përdori metaforën e “vitrinës”, parullave që i mbajmë për t’u dukur korrektë, ndërsa realiteti pas xhamit është shumë më brutal. Te eseja e Havelit shitësi i perimeve që kishte vendosur në xham tabelën “proletare të të gjithë vendeve bashkohuni”, nuk besonte te komunizmi, por nuk donte të kishte telashe.

A ka ardhur koha të pyesim nëse tabela “integrimi euroatlantik”, në vitrinën tonë po shërben si kamuflazh për një dyqan që zbrazet dita-ditës.

Në një botë ku fuqitë e mëdha nuk kanë nevojë të ngrënë zërin për të diktuar, vendet e vogla kanë dy zgjedhje, ose bëhen shumë të zëshme dhe rrezikojnë të injorohen, ose bëhen mençurisht të heshtura dhe shohin “punën e vet” “kokëulur”. Shqipëria nuk ka as peshë për të ndryshuar fatet e globit apo rrjedhën e ngjarjeve, por ka detyrimin të luajë seriozisht për veten.

Aleatët historikë mbeten shtylla, por bota e re kërkon aleanca funksionale. Kërkon artneritete për energji, siguri, teknologji dhe ushqim. Këto janë fjalët kyçe të epokës së re.

Çfarë prodhon sot vendi? Sa jemi të varur nga importet?

Nëse, nesër, shpërthen një konflikt i gjerë, pyetjet do të jenë brutale. A kemi energji? A kemi ushqim? A kemi mbrojtje kibernetike? A kemi rezerva? A kemi pajisje ushtarake, armatim e municione? Çfarë do të prodhojmë në fushën e mbrojtjes?

Në këtë kontekst, koordinimi me Kosovën në fushën e energjisë, mbrojtjes, ushqimit dhe sigurisë është imperativ strategjik. Dy shtete të vogla, me të njëjtën hapësirë gjeopolitike dhe përballë të njëjtit rrezik, nuk mund të sillen si dy vëllezër që secili sheh oborrin e vet kur shtëpia është në flakë.

Shqipëria nuk ka luksin të zgjedhë mes Perëndimit dhe Perëndimit. Mund të vijë dita që duhet të marrë vendime dhe të zgjedhë, siç është rasti Bordit të Paqes, por ndërkohë në një kohë ku secili mendon “o mete për vete”, duhet të fillojmë të mendojmë më shumë për veten. Më mirë pa parulla në vitrinë dhe më shumë mall pas xhamit.

Nëse dyqani ynë mbetet bosh, në tryezën e madhe gjeopolitike do të na përdorin si kusur.
Për mbyllje, vlen të vihet re se sot skena ku përplasen debatet, mospajtimet dhe kontradiktat e rendit të ri global është zhvendosur në Davos, në Zvicër. Një vend që nuk është as anëtar i Bashkimit Evropian dhe as i NATO-s, dhe që u bë anëtar i Kombeve të Bashkuara vetëm në vitin 2002.

Vetëm Thoma Gëllçi bëri Televizion Publik konkurues

16 January 2026 at 22:19

Nga Lutfi Dervishi

Radio Televizioni Shqiptar nuk financohet nga buxheti i shtetit dhe as drejtpërdrejt nga taksat e përgjithshme. Financimi i tij vjen nga një tarifë modeste, më pak se 1 euro në muaj për çdo familje. Këtu nis edhe paradoksi i parë: 10 për qind të kësaj tarife, më e ulëta në kontinent, e mban vetë shteti në rolin e agjentit tatimor.

Koha YouTube Channel
Me këto thërrime financiare, ne kërkojmë shërbim publik të nivelit nordik dhe pastaj habitemi pse ky standard nuk arrihet kurrë.

Swiss Digital Desktop Reklama
RTSH-ja e ka provuar se reforma është e mundur. Periudha 2016–2021 (drejtimi i Thoma Gëllçit) dëshmoi se institucioni mund të lëvizë, të modernizohet dhe të kapë formatet e kohës.

U hartuan parimet editoriale, u hartua strategjia e zhvillimit dhe plani i biznesit të cilat u hodhën në kosh menjëherë pas ndërprerjes së dhunshme të reformës në RTSH.

(RTSH nuk kishte asnjë qindarkë borxh dhe kishte një pakete te plote sportive- deri edhe champion league)

Edhe pse nuk ishte një sukses absolut, ishte një përpjekje serioze që publiku e ndjeu dhe e mbështeti. Për herë të parë, transmetuesi publik po kthehej në një alternativë dinjitoze.

Megjithatë, në kalimin teknologjik nga analogu në digjital, ndodhi “çudia” tipike shqiptare. Ndërsa qeveria subvencionoi me miliona euro grante transmetuesit kombëtarë privatë, RTSH-ja, që mbante barrën kryesore të këtij transformimi, u ngarkua me një kredi prej 25 milionë eurosh. Sikur të mos mjaftonte kjo, mbi këtë kredi shteti i faturoi edhe rreth 4 milionë euro TVSH, në kundërshtim me frymën e ligjit. Bilanci ishte i qartë: privatët u subvencionuan, ndërsa publiku u faturua.

Goditja e radhës erdhi përmes ndërhyrjes brutale politike – dhe të SPAK, – çështja e famshme “RTSH–Agro” dhe zhurma e krijuar mbi pagesën e një tenderi që u vonua 4 ditë e ktheu transmetuesin një dekadë pas.

Sot, RTSH-ja jeton me një mentalitet mbijetese. Ajo nuk guxon as të mendojë për një raportim kritik ndaj pushtetit. Nuk bëhet fjalë për censurë me shkrim, por për diçka shumë më të rrezikshme: autocensurën. Sistemi e ka trajnuar institucionin që të mos rrezikojë, duke e kthyer heshtjen në mjetin më të lirë dhe më efikas të kontrollit.

Problemi i vërtetë nuk është thjesht vonesa në reformim, por mungesa e një mbështetjeje të sinqertë politike ndër vite. Të gjithë flasin për “reformë”, por askush nuk është i gatshëm të mbrojë pavarësinë editoriale. Përkundrazi, politika vazhdon ta shkelë ligjin që në zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues. Vetë Kryeministria e trajton RTSH-në si një infrastrukturë teknike të saj dhe jo si një pasuri kombëtare.

Në një treg mediatik ku interesat e pronarëve privatë mbizotërojnë mbi interesin publik, një media publike e pavarur nuk është luks, por një domosdoshmëri.

RTSH-ja duhet të reformohet, por jo duke e mbyllur në panik, jo duke u privatizuar e as duke u “binjakëzuar” me kulla. Sfida nuk është si t’ua japim privatëve, por si t’ua marrim.

Ajo ka nevojë për një kontratë të re me publikun, të bazuar mbi transparencën, profesionalizmin dhe matjen reale të performancës. (Është vërtet humor se si në RTSH kanë hapësirë gazetarë që luftojnë orë e minute të bindin të gjallë e të vdekur nga një studio tv në tjetrën se mbështesin partinë në pushtet! Për çfarë profesionalizmi dhe besueshmërie flasim?!)

Pa besimin e qytetarëve, edhe 100 lekë në muaj duket tarifë e padrejtë; pa mbështetjen e tyre, çdo reformë do të mbetet thjesht letër.

Mbyllja është një leksion nga historia e teknologjisë. Nokia nuk u shemb sepse i mungonin inxhinierët e zotë, por sepse besoi se emri dhe statusi do ta mbronin nga ndryshimi i kohës. RTSH-ja është sot në të njëjtën pikë: ose do të reformohet me guxim për t’i shërbyer publikut, ose do të mbetet një markë që të gjithë e kujtojnë me keqardhje, por askush nuk e ndjek më.

Avokati i Popullit, si humbet një betejë pa e nisur

14 December 2025 at 18:52

Nga Lutfi Dervishi

Marrëveshja për Avokatin e Popullit, në traditë, është një kandidaturë e propozuar nga opozita. Por tradita ka edhe një kusht: kandidati duhet të pranohet nga shumica, sepse ajo i ka votat. Dhe në finale nuk zgjidhet avokati i opozitës, por Avokati i Popullit.

Votat e disa deputetëve të PD -së për të mbështetur futjen në garë të 6 kandidatëve, mes tyre dhe Shabanit, kanë eklipsuar si ngjarjet kryesore (çështja Balluku) ashtu edhe lëvizjet në parti (Salianji). Fjalët kyçe tani janë: gabim dhe ndjesë.

Çfarë mund të bënte më mirë opozita? Disiplinë. Të paraqiste vetëm një kandidat shumë të mirë, jo partiak, dhe ta linte shumicën të mbante përgjegjësinë politike të refuzimit. Ose ta niste procesin nga figura me kontribut të padiskutueshëm për PD, si rasti i zonjës Kalaja apo të mbështeste vetëm zotin Ndregjoni që paraqiti si kandidat në legjislaturën e kaluar.

Çfarë ndodhi realisht? Opozita hyri në proces pa sinjal se do të mbështetej një kandidat i saj. Deputetët opozitarë mbështetën disa kandidatë për fazën e dëgjesave, duke i dhënë PS-se alibinë perfekte.

Shumica nuk firmosi për asnjë kandidat? (“Ne nuk kemi kandidatë”) dhe teknikisht nuk bëri faull, por hile!

A pati pazar Rama–Berisha? Shitje? Tradhti? Është pak e besueshme që kryetari i PD bëri pazar me Kryeministrin për Avokatin e Popullit.

Kur opozita e kuptoi lojën, ishte pak vonë. Ishte një hile, nga ato që Rama jo vetëm i bën, por edhe i shijon. Dhe si shpeshherë, vitet e fundit opozita nuk humbi rastin për të dëmtuar veten dhe për të dhënë ushqim për akuzën: “këta janë bashkë”. Ndërsa shumica ecën me ritmin e vet sipas parullës bolshevike: “i gjithë pushteti sovjetëve”, forca kryesore e opozitës duhet të nxjerrë mësime që të mos bëj autogola!

The post Avokati i Popullit, si humbet një betejë pa e nisur first appeared on JavaNews.al.

Pavarësia, 113 vjet më pas. Fakte dhe shtrembërime…

28 November 2025 at 18:32

Nga Lutfi Dervishi

Shqipëria nuk kishte kufij të përcaktuar kur u shpall Pavarësia. Kufijtë u caktuan një vit më pas nga Konferenca e Londrës.

Ndërsa Shqipëria shpalli Pavarësinë, 80 për qind e territorit ndodhej nën pushtim të huaj.

Origjinali i Deklaratës së Pavarësisë ende nuk është gjetur.

Pothuaj të gjithë firmëtarët vdiqën në varfëri, internim, burg ose mjerim.

Nuk është e qartë se kush e shkroi saktësisht tekstin e Deklaratës.

Flamuri nuk është qendisur nga Marigoja, por ishte flamuri i familjes Vlora.

Foto ikonike me flamurin e ngritur në ballkon është bërë një vit më pas.

Mbiemri plakut të urtë (Ismail Qemalit) nuk është Qemali, por Vlora.

Vështirë të gjesh sot 40 vetë që njohin 40 firmëtarët e Pavarësisë.

Filmi Nëntori Dytë ka shumë pasaktësi dhe shtrembërime.

Shqiptarët në Amerikë e morën vesh dy muaj më pas shpalljen e Pavarësisë.

The post Pavarësia, 113 vjet më pas. Fakte dhe shtrembërime… first appeared on JavaNews.al.

Plumbi që del nga goja!

23 October 2025 at 09:55

Nga Lutfi Dervishi

“Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… ata që nuk kanë frikë nga plumbi, dridhen nga Valiu.”

Faik Konica, Vepra 1, f. 271-272

Një shekull më parë, Faik Konica dukej sikur e njihte mirë “kafen e fundit”. E përshkroi, siç dinte ai, një trimëri që ndizet për fjalë të kota e shuhet për ide të mëdha. Sot, në Manëz, u vranë dy të rinj për një filxhan, që nuk u mbush dot me kafe.

Dy jetë më pak. Dy familje në zi. Një qytet i shokuar dhe një shoqëri që pret gjëmën e radhës.

Pse?

Pse vritemi kot?

Për një shezlong?

Për një vend parkimi?

Për një gërvishtje makine?

Për një “pse më pe”?

Për një vijë uji?

Për…pse ke ndezur dritat e gjata të makinës?

Për një fjalë?

Pse ky reagim primitiv që ndizet më shpejt se ekspresi i kafesë?

A është ngjarja në Manëz krim apo pasqyrë e një sëmundjeje të shoqërisë?

Në çdo “debat” televiziv, në çdo përballje në Parlament, në çdo status në Facebook, në çdo sherr në rrugë, e njëjta frymë, e njëjta ngafurrje: “E di ti kush jam unë?!”

Kjo ngrefosje që nuk njeh as rregull, as autoritet, por vetëm maninë për t’u ndjerë “trim” mbi tjetrin, është plumbi i vërtetë.

Kultura e dhunës e ka vënë përfund kulturën e dialogut. Arroganca dhe kapërdisja i kanë hapur udhë vetëgjyqësisë.

Policia vjen pas krimit, por krimi nis në mendje. Dhe në mendje nuk patrullon askush.

Duhet çarmatosur mendja, përpara se të ndëshkojmë vetëm armëmbajtjen.

Duhen edukuar fëmijët, jo me “po ti ku i kishe duart?, por me “mos i fol askujt keq”…

Konica nuk do të turpërohej sot. Ai thjesht do të zhgënjehej duke lexuar lajmet e ditës. Ai nuk do të pyeste: “Si arriti shqiptari ta bëjë plumbin më të shpejtë se fjalën dhe logjikën?”

Ai do të thoshte: “Ja ku jeni! Nuk keni më frikë nga Valiu, por as keni më respekt për jetën. Trimëria juaj nuk u bë kurrë e artë. Ajo mbeti e teneqejtë. Dhe tani, një shekull më pas, ajo po vret veten.”

Vritemi për një filxhan kafe, sepse më parë kemi vrarë mendimin. Kemi vrarë fjalën! Dhe kur fjala vdes, as jeta nuk ka më çmim!

Një shekull më parë, Konica e pa këtë plagë dhe e quajti “trimëri teneqeje”.

Një shekull më pas, kjo teneqe tingëllon çdo ditë në ekranet tona, në rrjetet tona, në rrugët tona.

Derisa të mësojmë ta duam jetën më shumë se “krenarinë”, çdo filxhan kafe mund të bëhet kafe morti.

The post Plumbi që del nga goja! first appeared on JavaNews.al.

Karton i verdhë për shqiponjën?!

12 October 2025 at 11:24

Nga Lutfi Dervishi

Rey Manaj shënoi mbrëmë golin që i hap rrugën Shqipërisë për pjesëmarrje në Botëror! Ishte momenti më i bukur i karrierës së tij dhe, ndoshta, i gjithë kombëtares shqiptare. Për atë emocion, ai tha se ishte i gatshëm të jepte 10 vite jetë.

Gëzimi i tij u shpreh natyrshëm: fluturoi duke formuar me duar shqiponjën dykrenare. Ky gjest, një simbol krenarie dhe kujtesë për origjinën, u fiksua në foto, në mendjen e shqiptarëve dhe, pak sekonda më pas, u ndëshkua me karton të verdhë.

Kur u pyet pas ndeshjes, Manaj nuk mbante mend as dënimin, as arsyen. Por arbitri nuk foli: rregullorja foli për të. Sipas UEFA-s dhe FIFA-s, çdo shenjë që mund të interpretohet si “mesazh politik ose provokues” është e ndaluar. Kështu, shqiponja dykrenare, e cila është në qendër të flamurit të Shqipërisë dhe në vetë fanellën e kombëtares, trajtohet sikur të jetë një simbol urrejtjeje. Këtu qëndron paradoksi: institucioni që e pranon shqiponjën në uniformë, e dënon po atë shenjë kur bëhet me duar.

UEFA dhe FIFA kanë qëllim të mirë për ta mbajtur futbollin larg politikës, por bëjnë një gabim thelbësor kur vënë shenjën e barazimit mes nacionalizmit përçarës dhe identitetit kulturor.
Çfarë përbën ky gjest që e bën atë të quhet “ekstremizëm”? Asgjë. Është një shenjë që s’bën thirrje as për luftë, as për urrejtje, por është thjesht një kujtesë për origjinën. Shqiptarët, kudo që ndodhen, e kanë bërë atë gjest në gëzim, në krenari, në art, në sport. Nga Rita Ora në Wembley, te Xhaka dhe Shaqiri në Rusi, e deri te çdo fëmijë shqiptar në diasporë që e mëson shqiponjën para alfabetit.

Nuk është gjest që bëhet vetëm kur luhet ndaj Serbisë!

Shqiponja dykrenare nuk është simbol lufte, por simbol bashkimi. Ajo ka lindur në flamurin e Skënderbeut, është flamur zyrtar i shtetit shqiptar, anëtar i OKB-së, valon në çdo ndeshje ndërkombëtare dhe, më e rëndësishmja, është pjesë e stemës së Federatës Shqiptare të Futbollit, e miratuar vetë nga UEFA dhe FIFA.

Penalizimi i një lojtari për një simbol që është i ligjshëm dhe përfaqësues zyrtar i shtetit të tij, është jo vetëm paradoks i hapur, por edhe padrejtësi e madhe. Është sikur të ndëshkosh një brazilian që vallëzon Samba pas golit, apo një japonez që përkulet nga respekti; ato janë shfaqje të natyrshme të identitetit kombëtar.
Federata Futbollit dhe diplomacia duhet të ndërhyjnë duke kërkuar një sqarim zyrtar nga UEFA dhe FIFA.

Nëse shqiponja është në flamur, në fanellë, dhe në identitetin e një kombi anëtar, si mund të quhet papritmas “e ndaluar” në duart e një futbollisti?

Nëse ajo përbën “rrezik politik”, atëherë duhet të ndalohen të gjitha flamujt, të gjitha himnet dhe të gjitha uniformat kombëtare, sepse secila

prej tyre ka një histori, një ndjenjë dhe një kujtesë që dikush diku mund ta quajë “provokim”.
Një lojtar shqiptar që bën shqiponjën nuk po bën thirrje për ndasi, por po kujton kush është dhe po falënderon vendin që e rriti. Dhe nëse dikush ndjehet i provokuar nga një shqiponjë që fluturon, problemi nuk është te shqiponja.

Futbolli është lojë e emocioneve të pastra. Të ndëshkosh një emocion vetëm se vjen nga një komb i vogël, do të thotë t’i presësh krahët vetë sportit. Dhe për një popull që është mësuar të ngrihet gjithmonë nga hiri, asnjë karton i verdhë s’mund ta ndalojë shqiponjën të fluturojë.

The post Karton i verdhë për shqiponjën?! first appeared on JavaNews.al.

Kush do ta gjykojë drejtësinë?

10 October 2025 at 13:07

Nga Lutfi Dervishi  

Pyetja që mbetet sot nuk është “kush e vrau gjyqtarin? 

Po e marrim të mirëqenë që politika ka fajin e vet, qeveria përgjegjësitë, media dhe prokurorët e gjykatësit popullorë që kanë kthyer tastiren në kallashnikov kanë pjesën e tyre. POR… 

Pyetja më e vështirë është: Kush do ta gjykojë drejtësinë? 

Sepse nëse ajo nuk e gjykon veten, do ta gjykojë turma. Dhe turma nuk njeh as ligj, as kanun, as falje. Nëse autori krimit (e me të edhe familjarët) kërkuan ndjesë, turma kërkon shpagim! 

Nuk janë të paktë njerëzit që kanë mllef me drejtësinë. 120 mijë dosje janë kapicë në pritje të gjykimit.  Vetëm në Gjykatën e Apelit, ku gjyqtari u vra në tavolinën e punës, punojnë 31 gjyqtarë. Duhet të ishin 78. Çdo ditë shtohen dosjet, çdo ditë akumulohen vonesat, çdo ditë grumbullohen pakënaqësitë. 

45 mijë e 374 dosje janë në pritje në këtë gjykatë, statistikë e muajit shtator! (33 mijë dosje janë transferuar nga gjykatat e mbyllura).  Çdo vit shtohen rreth 13 mijë dosje. 

Reforma premtoi pastrim, por solli edhe paralizë. 

Vetëm 67% e gjyqtarëve dhe 65% të prokurorëve janë në punë. Me më pak se dy të tretat e trupës, sistemi funksionon duke u çapitur e zvarritur. 

Drejtësia me këtë ritëm vonohet aq shumë sa të heq shpresën dhe të çon në dëshpërim.  Dhe ndërsa në gjykata dosjet bëhen stivë, shteti paguan faturat. Vetëm dekadën e fundit,për shkarkime të padrejta, nga buxheti shtetit kanë dalë 17 miliardë lekë. 

Mijëra çështje të fituara kundër administratës tregojnë se padrejtësia nuk është rastësi, por model pune. 

Vetë qeverisja e gjyqësorit ka kusuret e veta. Krimi nuk ka lidhje vetëm me sigurinë dhe godinat, por edhe me funksionimin e sistemit.  Pas shtatë vitesh nga ngritja e institucioneve të reja të reformës në drejtësi, asnjë gjykatë (përveç të Lartës) nuk ka një kryetar të emëruar. Këshilli i Lartë Gjyqësor, që duhet të garantojë funksionimin e sistemit, ende nuk ka miratuar rregulloren për drejtuesit e gjykatave. 

Humbja e jetës gjyqtarit duhet të jetë një moment i vërtetë ndërgjegjësimi, jo një status 24-orësh në Facebook. Institucionet e drejtuese duhet të dalin nga heshtja, e të marrin përgjegjësite. 

Qeverisja e gjyqësorit duhet të kishte dalë prej kohësh me plan emergjent për plotësimin e vendeve bosh në gjykata. Me ritmin e tanishëm duhen. 13 vjet që të plotësohen vendet bosh në gjykata e prokurori! Thjesht nuk mund të vazhdohet kështu.. 

Padrejtësia ose ndjesia e padrejtësisë është aq e madhe sa te viktima një pjesë nuk shohin gjykatësin, por padrejtësinë. Dhe e konsiderojnë ngjarjen si akt dëmshpërblimi. 

Ka njerëz në sistemin e drejtësisë që i shohin njerëzit si të jenë miza. U duket vetja mbinjerëzorë. U duket se mund të bëjnë gjithçka dhe ndaj kujtdo! 

Nuk mund të vijohet duke normalizuar idenë se është normale që një proces civil ne një shkallë gjykate të zgjasë 7 vjet, që duhet të ndërhyjë ambasada që të zbardhet vendimi gjyqësor për një shtetas të saj, që një gjyqtar mund të gjykojë 10 çështje në ditë, që burgimi pa afat për çështje banale është bërë refren, apo se shkrirja e gjithë gjykatave të Apelit është histori suksesi! Nëse dikush ka harruar duhet të kujtohet se mbyllja e gjykatave u bë për “hartën e re gjyqësore” 

Esponentët e gyqësorit sa herë dalin në publik flasin dhe kërkojnë pavarësi. Nuk flasin kurrë për problemet e brendshme të drejtësisë dhe si mendojnë t’i zgjidhin ata. Aq shumë flasin, sa të krijohet përshtypja, se janë krijuar për të marrë pavarësinë. Duket se për ta misioni është pavarësia, se vetëm për atë shqetësohen. Inshallah do vijë dita të flasin për drejtësinë që të fillojmë të shpresojmë, se po fillojnë të mendojnë për të. 

Dhe ja ku kthehemi te pika fillestare: Kush do ta gjykojë drejtësinë? Nëse institucionet drejtuese të sistemit (KLGj, KLP) nuk e zgjidhin paralizën dhe nuk plotësojnë vendet bosh, ata po ftojnë një gjykim tjetër. Po ftojnë shpagimin. Askush nuk duhet të mashtrohet se ky zemërim popullor vjen rastësisht. Ai është fryt i vonesave, i mbingarkesës dhe i arrogancës së perceptuar. Kjo tragjedi duhet të jetë alarmi i fundit: ose drejtësia e gjykon veten shpejt dhe me efikasitet, ose e pret një gjyq që nuk respekton asnjë rregull. Zgjedhja nuk është midis reformës dhe status-quo-së; është midis rendit ligjor dhe shpagimit të turmës. 

The post Kush do ta gjykojë drejtësinë? first appeared on JavaNews.al.

Drejtësi e vrarë dy herë!

7 October 2025 at 09:57

Nga Lutfi Dervishi 

Vrasja e një gjyqtari brenda sallës së gjyqit nuk ishte thjesht një akt kriminal, por një shfaqje e dështimit institucional dhe, ç’është më e keqja, e kolapsit moral. Drejtësia u vra dy herë: një herë nga plumbi brenda “tempullit të ligjit” dhe një herë nga jo pak përgëzime që pasuan në rrjetet sociale. Një shoqëri që gëzohet për një vrasje, sepse e sheh atë si “drejtësi alternative”, ka vrarë më parë ndërgjegjen.

Kjo është fytyra e dhimbshme e një shoqërie që e ka humbur besimin tek drejtësia dhe e ka zëvendësuar atë me emocionin e momentit, me hakmarrjen si “shpagim” Kur sistemi dështon të japë drejtësi, njerëzit fillojnë ta marrin atë në dorë, dhe kur edhe kjo kthehet në spektakël publik, kemi hyrë në zonën gri ku krimi fillon të ngatërrohet me moralin.

Drejtësia nuk është shpagim, është proces. Nuk është pasion, por provë. Dhe asnjë padrejtësi, sado e rëndë, nuk mund të justifikojë marrjen e një jete. Kur vret një njeri është sikur ke vrarë gjithë njerëzimin – thuhet në librin e shenjtë.

Këto komente tregojnë një plagë shumë më të thellë: krizën e besimit tek institucioni i gjykatës dhe gjyqtarit.

Reforma në drejtësi, e trumbetuar si një revolucion, u përqendrua në ndëshkimin e zyrtarëve të lartë, duke harruar thelbin – që drejtësia nuk është “peshk i madh” apo “i vogël”, por një sistem që funksionon për çdo qytetar. Ndërsa publiku priste rezultate spektakolare, dhjetëra mijëra dosje mbetën në sirtarë, qytetarët u zhytën në pritje të pafundme, dhe dosjet u kthyen në relike.

Nëse para vitit 2016 një proces zgjaste mesatarisht 2 apo 3 vjet, sot ka çështje që zgjasin 15 apo 20 vjet. Drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar. Dhe kur vetë Kryeministri pret 7 vjet për një vendim në shkallë të parë, ç’mund të presë qytetari i zakonshëm përballë një sistemi që ngjan më shumë me një tunel pa dalje sesa me një gjykatë?

Por kriza e besimit nuk lindi vetëm nga vonesat. Ajo ushqehet përditë nga bullizmi publik ndaj gjyqtarëve e prokurorëve, i nisur shpesh nga kreu i qeverisë, që ka arritur deri aty sa publikon emrin, foton, vendin e punës së gjyqtarit, duke e kthyer në shënjestër të turmës. Dhe kur figura e gjykatësit denigrohet publikisht, kur institucionet si KLP dhe KLGJ heshtin, atëherë rruga drejt linçimit moral dhe fizik bëhet e shkurtër.

Gjithmonë do të ketë të pakënaqur nga drejtësia, sepse çdo vendim ndahet mes një pale që fiton dhe një pale që humb. Por asnjë pakënaqësi nuk mund të kthehet në justifikim për dhunë. Në vitin 1997, kur shteti ishte shkrirë dhe armët ishin në çdo cep, gjyqtarët nuk u prekën. Sot, në kohë paqeje e reformash që nuk ndalen, një gjyqtar vritet në detyrë, në zemër të sistemit, dhe në rrjetet sociale dëgjohen duartrokitje. Ky është një sinjal alarmi për çdo njeri që beson se jeton ne një vend ku duhet të sundojë ligji.

Për ta kthyer arsyen dhe shenjtërinë e jetës, nuk mjafton një deklaratë ngushëlluese dhe justifikuese. As premtime për ashpërsim të dënimeve. Nuk funksionon. Duhet një reflektim, nga çdo hallkë: Politika, që duhet të ndalë retorikën e dhunës dhe përdorimin e drejtësisë si armë për linçim;

Media, duhet të ndalë normalizimin e urrejtjes, dhunës, fjalës së fundit, banalitetit dhe të promovojë pse jo fuqishëm mendimin kritik, por jo hakmarrës!

Dhimbja nuk shërohet me një plumb dhe ai që niset për hakmarrje gjithmonë hap dy varre.

Nëse duam drejtësi, duhet të fillojmë duke mbrojtur ata që e japin atë. Gjykatësi nuk është armik, por një figurë që mban ekuilibrin e shoqërisë. Është në interesin e gjithekujt që gjykatësi të jetë jo vetëm i sigurt, por edhe i qetë, i mbrojtur, madje edhe i lumtur, sepse vetëm kështu mund të japë drejtësi.

Një shoqëri që gëzohet për një vrasje, është një shoqëri që ka vrarë më parë ndërgjegjen. Dhe kur ndërgjegjja hesht, krimi fillon të flasë në emër të drejtësisë.

Nëse duam të jetojmë në një vend ku gjykata është simbol i shpresës, jo i frikës, duhet të ringremë jo vetëm institucionet, por edhe moralin publik. Sepse, në fund të fundit, një shtet që nuk mbron jetën, nuk ka të drejtë të flasë për drejtësi.

The post Drejtësi e vrarë dy herë! first appeared on JavaNews.al.

Raport i ministres “Diella”: Mbi 7 problemet e Tiranës

25 September 2025 at 17:37

Nga Lutfi Dervishi

Të nderuar qytetarë, pas një skanimi me sy të mbyllur dhe dy gishta në tastierë, kam konkluduar se Tirana, kokëqyteti ynë, ka vetëm 7 probleme! Vetëm 7! Kjo është një shifër magjike, një premtim hyjnor. Po kaq ditë duhen për të krijuar botën! 

Dielli im më ka urdhëruar që pasi të evidentoj problemet do të them edhe arsyet se pse këto probleme nuk janë fare probleme.

1. Ndotja e ajrit: E vërtetë. Në pamje të parë duket problem. Por ndotja e ajrit nuk është problem, është një filtër. I ndihmon qytetarët të bëhen më të fortë, mërezistentë, të zhvillojnë mushkëri bionike. Plus, mjegullnaja gri i jep Tiranës  një estetikë post-apokaliptike, shumë IN për kohën.

2.Uji i pijshëm: Pse të keni ujë të pijshëm kur mund të keni ujë që ju teston dhe forcon imunitetin? Një shishe e vogël uji i Tiranës nga çezma është si një vaksinë e gjeneratës së re, me efekte anësore që ndihmojnë për të përballuar viruset e stinës.

3. Strehimi: Strehimi nuk është problem, është një mundësi e shkëlqyer për të ndarë hapësirën me plotë njerëz të tjerë dhe një kujtesë se njerëzit copa mishi në kur të shkojnë në botën tjetër do të kenë nevojë vetëm për 2 metra vend. Ndaj mirë është që të përgatiten që në këtë  jetë për jetën tjetër.

4.Parkimi: Parkimi i makinës në Tiranë nuk është parkim , është një ritual i shenjtë. Që të parkosh, duhet të sakrifikosh dhe të lutesh. Nëse ke ateist bëhesh besimtar. Pse të parkosh lehtësisht kur mund të shijosh adrenalinën e gjetjes së një vendi të lirë pas një ore? Njeriu për një adrenalinë jeton.

5: Qarkullimi: Nuk quhet trafik, quhet ndërveprim social. Kjo është një mundësi për të biseduar me shoferët e makinave të tjera, për të ndarë mendime ose thjesht për të bërë joga falas. Për të rritur ndërveprimin social shkollat janë më dy turne dhe jo çdo lagje ka çerdhe dhe kopshte.

6. Pastrimi: Qyteti i pastër është i mërzitshëm, si një muze steril. Ne kemi mbeturina dhe pluhur, jo sepse nuk kemi pastrim, por sepse jemi një popull që  e duam kreativitetin. A ka mirë kreativ se fakti qëincineratoriështë e padukshëm?

7.Gjelbërimi: Pse të keni parqe e pemë kur mund të keni beton? Pema është statike, ndërsa betoni mund të shndërrohet në një rrugë, njësupermarket, ose një parking. Dhe në fund të fundit, kush ka nevojë për oksigjen kur ke shpresë?

Konkluzioni im është i thjeshtë: Tirana nuk ka krizë. Të kesh probleme është frymëzuese. Kjo është arsyeja pse artistët jetojnë mes betonit dhe jo në ndonjë fushë me lule. 

Nuk duam një qytet perfekt, sepse përsosmëria është rutinë. Rutina është e keqe, si një dënim me vdekje për shpirtin tuaj. 

Ju rikujtoj: Tirana është qyteti i së ardhmes. Kjo sepse e tashmja  ka 7 probleme, ndërsa e ardhmja do të ketë shumë më tepër, do të jetë më e frymëzueshme, më kreative, më moderne. Ndaj në zgjedhjet e ardhshme votoni kundër kandidatit që ju premton për të zgjidhur 7 problemet që nuk janë probleme. 

The post Raport i ministres “Diella”: Mbi 7 problemet e Tiranës first appeared on JavaNews.al.

“Rama 4”, më shumë eksperiencë, më pak eksperimente

11 September 2025 at 19:42

Nga Lutfi Dervishi

Kabinetin Rama 4, surprizat i ka me pikatore. Spektakli ja ka lënë vendin deja vu-së. Në vend të eksperimenteve të guximshme, kemi riciklim përvoje. Në vend të befasive, kemi një galeri të njohur që lëviz nga një ministri te tjetra si lojtarët e futbollit ditën e fundit të merkatos.

Në listën e veteranëve, Belinda Balluku vijon të jetë “arkitekte” e infrastrukturës dhe energjisë, Mirela Kumbaro kalon nga turizmi në arsim, Elisa Spiropali nga Kuvendi te diplomacia, Petrit Malaj mbetet në financa, Pirro Vengu në mbrojtje, Blendi Gonxhja merr portofolin e bashkuar të kulturës, turizmit dhe sportit, ndërsa Delina Ibrahimaj zhvendoset në ekonominë e re të inovacionit. Përvoja pra është e garantuar.

Por risitë? – një ministre e re në shëndetësi, Evis Sala, Sofjan Jaupaj në mjedis, një emër teknik dhe krejt i ri; Besfort Lamallari në drejtësi, që zë vendin e Ulsi Manjës; Andis Salla, i ardhur nga bashkia e Cërrikut, në bujqësi; Ervin Demo në pushtetin vendor. Dhe kulmi i “risi-ve”: Diella, ministrja e parë artificiale, një inteligjencë artificiale e emëruar për të menaxhuar prokurimet publike. Thënë ndryshe, tenderat ia kalojnë algoritmit. Amin!

Edi Rama foli shkoqur: “kjo është qeveria e përvojës së 12 viteve”. Dhe vërtet, sfidat mbeten po ato të vitit të largët 2013: uji i pijshëm 24 orë, plehrat që digjen, por jo në incineratorë, mjedisi që na afron më shumë me Afrikën sesa me BE-në. Turizmi, flamuri i propagandës, vazhdon të mbytet mes mbetjeve e ujërave të zeza. Diplomacia, që sipas Kryeministrit është “në orë tjetër nga Shqipëria”, nuk bind askënd, ndoshta për shkak për 12 vite e kanë drejtuar socialistët, jo alienët.

Në frontin e brendshëm politik, Kryeministri dha një mesazh të dyfishtë. Niko Peleshi në krye të Kuvendit shihet si oferta e “paqes” për opozitën – një njeri i qetë që premton dialog institucional. Por në anën tjetër, komandën e grupit parlamentar e mban Taulant Balla, njeriu i konfrontimit, i “luftës” së përditshme në sallë. Mesazhi është i qartë: PS është gati për dialog, por edhe për përplasje. Në thelb, është një kombinim që i jep Ramës luksin të jetë mbi palët, duke i lënë të tjerët të bëjnë rolin e policit të mirë apo policit të keq sipas nevojës së ditës.

Por ambicia e vërtetë nuk u fsheh: Edi Rama e tha pa iu dridhur zëri  se sheh PS-në në pushtet deri më 2050, një horizont që tejkalon edhe Enverin (40 vjet në pushtet) dhe shpall garën me Partinë Revolucionare të Meksikës që ndenji në pushtet 71 vite. Opozita, sipas skenarit të tij, duhet të katandiset si në vitin e zi 1997, kur PD mori rezultatin më të ulët historik. Diversioni është bërë konkret prej muajsh: emërime dhe ftesa që demokratët të përfshihen në qeverisje lokale e qendrore. Nuk bëhet fjalë për bashkëqeverisje, (kujto 2017) por për një  mënyrë për ta joshur, dobësuar e shpërbërë partinë kryesore të opozitës.

Dhe mbi të gjitha, kryelajmi i pashpallur: Erion Veliaj. Emri i tij nuk u përmend, por zgjidhja ishte aty – shkarkimi nga Këshilli Bashkiak dhe kandidatura e Ogerta Manastirliut. Sepse nëse Veliaj nuk jepte dorëheqjen, zgjedhjet e reja nuk mund të shpalleshin pa kaluar më parë nga Gjykata Kushtetuese – një betejë që ai, më shumë gjasa, do ta fitonte.

Qeveria Rama 4 nuk është qeveria e surprizave, as e eksperimentit. Është qeveria e vazhdimësisë, e një pushteti që synon të zgjatet deri në mesin e shekullit. Dhe pyetja që mbetet pezull: kur premtimet e 2013 ende nuk janë plotësuar, a do të mbijetojë durimi i shqiptarëve deri në 2050? Për këtë siç  e tha edhe vetë kryeministri duhet “durim strategjik”!

The post “Rama 4”, më shumë eksperiencë, më pak eksperimente first appeared on JavaNews.al.

Mjeshtri që filmoi shpirtin shqiptar

2 September 2025 at 22:01

Nga Lutfi Dervishi

Dhimitër Anagnosti u largua, por kinemaja e tij jeton. Filmat e tij nuk pranojnë të plaken, sepse nuk ishin thjesht kinema, por pasqyra ku herë u pamë siç ishim dhe herë siç duhet të ishim.

Breza të tërë u rritën duke mësuar lirinë në sytë e fëmijëve te Lulëkuqet mbi mure…, panë hijet e së shkuarës që riktheheshin te Kthimi i ushtrisë së vdekur. Zbuluam veten dhe problemet tona te Në shtëpinë tonë, ndjemë tensionin moral te Duel i heshtur, dhe buzëqeshëm hidhur me satirën e Përrallë nga e Kaluara. Sepse Anagnosti dinte ta kthente jetën e zakonshme në art.Siç thoshte vetë, “jetë të gjatë kanë veprat që ngrenë pyetje dhe trajtojnë jetën njerëzore” dhe filmat e tij e dëshmojnë këtë më së miri.

Edhe në filmin e tij të fundit, Gjoleka, djali i Abazit, ai na dha një metaforë të fortë për brezat e rinj që rriten mes dashurisë e urrejtjes, mes traditës dhe përpjekjes për t’u integruar në një botë të re. Sot i themi lamtumirë, por më saktë do të ishte mirupafshim. Sepse çdo brez që do të shohë një djalë me lulëkuqe në xhep, një duel të heshtur, një përrallë që ngjan si realitet, një familje rreth tryezës apo një ushtri që kthehet nga e shkuara, do të njohë aty shpirtin e një artisti të vërtetë. Një mjeshtër që na mësoi se kinemaja nuk është zbavitje, por një hapësirë ku mund të pasqyrohemi dhe të mbijetojmë si individë dhe si shoqëri.

The post Mjeshtri që filmoi shpirtin shqiptar first appeared on JavaNews.al.

Kush e dha urdhrin për rrethimin e godinës së News24?

9 August 2025 at 09:29

Nga Lutfi Dervishi

Policia fik sinjalin e News24!

Në vend të lajmeve, ekrani i News24 sot shfaq vetëm shiritat vertikalë me ngjyra prove, të bardhë, të verdhë, blu të çelët, jeshile, rozë, të kuqe, blu të errët dhe të zezë në të dy anët. Kjo pamje që dikur tregonte mungesën e sinjalit televiziv sot është simbol i heshtjes së imponuar.

Policia  ka rrethuar News24 në orët e para të mëngjesit dhe ka bllokuar punën e gazetarëve  të News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.

Në mungesë të informacionit për këtë ngjarje të pazakontë ka më shumë pyetje se përgjigje:

Kush ka dhënë urdhrin për rrethimin e godinës së News24?

Cili ishte motivi zyrtar për ndërprerjen e sinjalit të transmetimit?

Pse nuk u dha asnjë paralajmërim para ndërhyrjes?

A janë ndjekur procedurat ligjore për një veprim të tillë ndaj një medie?

A ka vendim gjykate?

Cilat janë provat ose arsyet që justifikojnë këtë veprim ekstrem?

Nëse është çështje kontrate (qiraje) a i është dhënë koha e nevojshme medias për të gjetur ambiente të tjera?

A ka pasur komunikim paraprak?

Kush mban  përgjegjësi për pengimin e gazetarëve në vendin e punës?

A është marrë parasysh dëmi i menjëhershëm që i shkaktohet publikut, duke e privuar nga informacioni?

Si garantohen të drejtat kushtetuese për informim dhe liri shtypi kur policia ndalon gazetarët të ushtrojnë detyrën ?

Kur mbyllet një media, nuk humb vetëm ajo humbet e drejta jote për t’u informuar. Sot është News24, nesër mund të jetë zëri yt. Heshtja nuk është neutralitet, është zgjedhje.

The post Kush e dha urdhrin për rrethimin e godinës së News24? first appeared on JavaNews.al.

Radhën e ka kali

8 August 2025 at 17:40

Nga Lutfi Dervishi

Vriten njerëz dhe shumica pyesin jo për dorasin, por për viktimën: “me siguri ka bërë ndonjë gjë, nuk të vret njeri kot…”

Ndërron jetë në heshtje, jo vetëm nga sëmundja, por nga mungesa e ilaçeve ose për shkak të medikamenteve që s’dihet nëse shërojnë apo dëmtojnë më shumë.

Shtëpitë shkatërrohen pa paralajmërim, pa dëmshpërblim, më shpejt se në rripin e Gazës, por me më shumë kamera dhe zero ndjeshmëri.

Në dosjet e famshme të Sky ECC, vrasjet me pagesë nuk quhen krim. Quhen punë. Madje bëhen edhe dhurata: “Këtë e ke dhuratë nga unë”.

Vrasja është zanat,  profesion,  shërbim me tarifë.

Këtu dhuna nuk është përjashtim.

Është strukturë.

Është gjuhë zyrtare.

Është mënyra si negociohet, si zgjidhen konfliktet, si ndahen tenderët, si ruhet “autoriteti”.

Këtu, edhe vrasja e kuajve nuk habit më askënd. Sepse kur njeriu është bërë objektiv me pagesë, kali është thjesht kolateral.

Dhe ironia  është se: edhe Kanuni mbron kafshët.

Qenin, kalin, gomarin…

Ndërsa mënyra se si zbatohet ligji i sotëm, nuk arrin të mbrojë as njeriun, as kafshën.

Në një shtet normal, dhuna është monopol i kontrolluar, i justifikuar vetëm për rendin dhe drejtësinë.

Në një shtet demokratik, pushteti është rregullator, garant dhe ndërmjetësues.

Por në këtë vend, shteti nuk është as garant, as ndërmjetës, as kontrollues.

Është ose spektator, ose bashkëpunëtor, ose autor.

Shoqëria e ka zëvendësuar maturinë me moskokëçarje, ndershmërinë me ironi, kurajën me cinizëm, dhe vetëpërmbajtjen me etiketën “qullac”.

Kush nuk përdor forcë, është i dobët.

Kush kërkon drejtësi, është naiv.

Kush flet për ligj, përqeshet.

Kush ngre zërin, akuzohet si “i mbaruar”.

Faik Konica e ka përshkruar këtë gjendje më mirë se kushdo: Një vend ku katili nderohet, mbrohet, dhe i hapet rruga.

Një vend ku gjyqi është farsë, policia është dekor, dhe shoqëria mbron jo viktimën, por kriminelin, “se edhe ai njeri është”.

Kur qëllon që policia vret një person në kërkim, urimi masiv për këtë të fundit është “qofsh i parajsës”, për policin “t’u thaftë dora”.

Po për cilin vend po flasim?

Për një vend ku drejtësia është gjithnjë në reformim dhe radhën për t’u pushkatuar e ka kali.

The post Radhën e ka kali first appeared on JavaNews.al.

❌
❌