Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 17 June 2026Java News

Neoprotestuesja dhe “kmesa e mprehtë” që ka rrëmbyer

By: Mero Baze
17 June 2026 at 18:31

Nga Mero Baze

Ka disa gabime foshnjore për të cilat duhet të jemi tolerantë nëse burojnë nga padija apo nga mungesa e përvojës në politikë lidhur me neoprotestuesen Marjana.

Siç e theksova, largimi i saj prej grupit të deputetëve socialistë është një sukses i protestës dhe ndoshta i vetmi bilanc konkret politik deri tani. Nuk është ndonjë sukses i Marjanës, pasi Marjana mund të ketë pasur dhe arsye të tjera për të ikur, por ka shfrytëzuar protestën. Gjetja e protestës si shkak është një gjetje politike për ta kapitalizuar sa më shumë politikisht gjestin e saj dhe këtu ka një meritë.

Por, pas kësaj nuk është aq e lehtë ta mbash peshën e protestës në shpinë, pa e mbajtur atë.

Dhe Marjana duket se e mbylli mirë si deputete socialiste, por po e nis keq si protestuese.

Ajo ka postuar sot një mesazh në rrjetet sociale ku lë të kuptohet se ajo është kërcënuar nga “bajrat”, por këtë nuk e thotë. Ajo flet për kërcënimin dhe se nëse ata i prekin familjen, ajo “do t’i shkatërrojë”. Nuk e citon tamam nenin e Kanunit në bazë të të cilit i buron fuqia, por e presupozon se të gjithë duhet ta dinë Kanunin dhe gegnishten.

Tani, nëse ajo është kërcënuar, duhet të shkojë të bëjë denoncim ligjor dhe të dalë para mediave dhe të deklarojë publikisht çfarë i ka ndodhur. Një politikan komunikon fillimisht me organet e rendit dhe pastaj me publikun për ngjarje të tilla të supozuara shumë të rënda. Pas kësaj duhet të fitojë mbështetjen e publikut dhe drejtësisë.

Marjana i ka kapërcyer këto faza dhe ka shkuar tek faza e tretë, tek kërcënimi ndaj grupit kriminal me “shkatërrim”. Nuk është se i dhimbset njeriut fati i grupit kriminal në dorë të Marjanës, por kjo nuk është gjuhë politike. Nuk është as gjuhë qytetare. Por mbi të gjitha nuk është një identitet që i duhet protestës. Ideja që tani gjërat zgjidhen personalisht me “shkatërrim” dhe jo me rend, polici dhe ligj, është fëminore për nga dëshira për të qenë protagoniste dhe e rrezikshme nga entuziazmi që turma e duartroket.

Armiqtë e rendit dhe kriminelët që shantazhojnë meritojnë ndëshkim të rëndë dhe trimëria për t’u përballur me ta është t’i denoncosh me emra, me fakte bindëse dhe jo t’i kërcënosh. Forcën e ligjit dhe forcën ndaj krimit ia kemi besuar policisë dhe gjykatave. Politikani ka në dorë vetëm guximin publik. Dhe guxim publik nuk do të thotë të kërcënosh si “kaçak” në rrjete sociale, por t’i denoncosh me emra dhe të vësh shtetin tënd në provë për të vepruar.

Nga ana tjetër, Marjana duhet të ketë parasysh tani e tutje se nuk dëmton më PS-në dhe as dikë tjetër me akte të tilla, por dëmton protestën. Ajo duhet të sillet si politikane që mbështet një lëvizje qytetare, jo si dikush që do të shkatërrojë apo presë me kosë (“kmesën e mprehtë”) kë t’i dalë para. Jo se frikëson njeri, por duke qenë se ka hyrë në memorien e publikut me foto me keca dhe lule buzë Drinit, është kontrast i madh të shfaqet me “kmesën e mprehtë” në dorë për të prerë koka armiqsh imagjinarë. Më qetë se, në mos u trembshin njerëzit, tremben kecat dhe ai dëm i madh është.

Ndaj është mirë që të heqësh dorë nga ideja se njerëzit apo partitë apo pushteti duhet të ndjehen të kërcënuar nga ty s eke “kmesën e mprehtë”. Aq më tepër banditët. Ti mund t’i mundësh ata dhe pa i kërcënuar. Mund t’i mundësh duke mos u sjellë si cub, apo duke mos i kërcënuar se po të zbresësh në Tiranë do t’i presësh me “kmesën e mprehtë”. Mund t’i mundësh duke u treguar se nuk je si ata. Se nëse je si ata, nuk i duhesh askujt. Madje edhe nëse je më e fortë se ata!

Before yesterdayJava News

SPAK-u të jetë në varësi të revolucionit dhe Flamingot në varësi të Foltores

By: Mero Baze
15 June 2026 at 20:26

Nga Mero Baze

Ëndrra e çdo revolucioni është Robespieri përmes idesë që kur revolucioni të fitojë, ai do t’u presë kokën gjithë armiqve të tij. Revolucioni “Flamingo” ka disa ndryshime. Por ndryshe nga Robespieri, i cili i formoi vetë Komitetet e Shpëtimit Publik dhe ekzekutimet masive me gijotinë, revolucionarët tanë duan që dëshirat e tyre t’i zbatojë SPAK. Pra këta janë dhe revolucionarë dembelë, pasi duan vetëm të hartojnë lista dhe pastaj SPAK t’i ekzekutojë.

Një nga organizatorët e protestës iu kërkoi dje Prokurorisë Speciale të arrestojë politikanët e korruptuar që listohen përditë në tribunë, ndryshe ata do të rrethojnë SPAK dhe nuk i lënë të dalin andej pa firmosur urdhrat. Thirrja, edhe pse nuk duhet marrë seriozisht, pasi reflekton në një farë mënyre dhe mendtë e atij që e tha, tregon se çfarë fshihet pas maskës së një proteste qytetare.

Në të vërtetë SPAK është i vetmi institucion i drejtësisë që i ka dhënë një kauzë “revolucionit” me ndërhyrjen në hetimin e pronarëve të tokës në Zvërnec, bllokimin e saj dhe çuarjen në gjyq të disa prej tyre për pastrim parash dhe trafik droge.

Pra, nëse ka një institucion që e ka bërë “serioz” revolucionin, është SPAK, pasi ka ilustruar jo vetëm dëshirat e tyre, por dhe objektivin për të cilin nisi protesta.

Bllokimi i llogarisë së shitësit të tokës dhe ngrirja e 10 milionë eurove në llogarinë e noterit janë maksimumi që mund të bësh në këtë histori për të ndarë historinë e tokës nga historia e investimit.

Por problemi është se këta që shfaqen në tribunë kanë harruar që revolucioni nisi për Zvërnecin. Me atë që bëri SPAK, gjithë shqetësimi i adresuar nga pronarët e tokës për Zvërnecin merr fund dhe e vetmja parrullë që duhet të kishte për SPAK në protestë duhet të ishte “Faleminderit SPAK”.

Por tani askush nuk e mban mend përse ka nisur. Tani frymëzimi që ka ngjallur revolucioni është vetëgjyqësia në çdo cep të Shqipërisë, ku shikojnë ndonjë investitor që ka rrethuar kantierin, që ndërton hidrocentral, park fotovoltaik, hotele apo pallate. Secili që nuk i pëlqen ata është i lirë të vijë në protestë, ta deklarojë sulmin dhe të niset me një grup organizatorësh me vete për të shpërndarë gjeografinë e revolucionit në gjithë vendin.

Për këtë arsye protestuesit duan që SPAK të jetë nën urdhrat e protestës dhe të ekzekutojë urdhër-arreste që formulohen në tribunë, nëse këta pengohen në qëllimet e tyre.

Po të ishte një protestë normale dhe qytetare, në fakt ajo do të ishte një protestë nën ndikimin e SPAK, pasi e vërteta është që vetëm SPAK u ka dhënë shans dhe fakte të protestojnë. Dhe në të ardhmen vetëm ai mund t’u japë arsye të ndjehen ndëshkues të pushtetit.

Por me sa duket ata e duan që tani organ të revolucionit. Kjo edhe për shkak se revolucioni po kalon pak nga pak nga Flamingot te Foltorja, jo vetëm nga cilësia e atyre që flasin në tribunë, por dhe nga mentaliteti. Kështu që i vetmi shpëtim është të kërcënohet SPAK dhe të vendoset nën urdhrat e revolucionit. Pastaj kur revolucioni të jetë i gjithi nën urdhrat e Berishës, e dimë si përfundon. Si marshimi dje drejt aeroportit në kërkim të një dëshmori të revolucionit që të justifikojë dhunën. Atij vetëm një arkivol i duhet dhe mbaron punë shpejt me këto flamingot e bulevardit.

Mos i këshilloni ata që kanë dalë në protestë

By: Mero Baze
14 June 2026 at 19:53

Nga Mero Baze

Ka një mënyrë që të mbash protestën gjallë dhe ta motivosh atë duke folur për pasojat e saj. Edi Rama po përpiqet ta bëjë këtë me shpresë se duke i sqaruar se çfarë po bëjnë, ata do të reflektojnë dhe do kalojnë nga një protestë parapolitike, në një protestë vetëm politike kundër tij. Ashtu siç ai i do. Kjo ua shton më shumë inatin për të qenë parapolitikë.

Shoqëria nga ana tjetër çdo ditë zien duke u përpjekur të kuptojë për çfarë nuk janë përfillur këta njerëz dhe po kuvendon me ta me shpresë që t’i ketë një ditë në krye të vendit.

Dhe kështu përditë protesta është një debat në distancë mes atyre që e duan dhe nuk e duan protestën, duke na treguar se çfarë nuk duan ata.

Dhe çfarë nuk duan protestuesit deri tani?

Kur u thua atyre se protesta ka pasoja të dëmshme mbi operatorët e turizmit, ata të tregojnë disa turistë kalimtarë që marrin pjesë në protestë dhe madje japin dhe intervista. Ata që refuzojnë të nisen dhe anulojnë udhëtimet natyrisht s’kanë ku flasin.

Kur i sqaron për projektin e Zvërnecit dhe rëndësinë e tij, ata ndjehen të përfillur dhe e përjetojnë tani e tutje se lejen për t’u ndërtuar projekti duhet ta firmosin. Dhe natyrisht që janë kundër.

Kur u thua se po silleni si fashistë dhe trembni qytetarët që mendojnë ndryshe, ata fluturojnë nga gëzimi pasi ndjehen të pushtetshëm, madje ashtu si e përfytyrojnë ata pushtetin, të frikshëm, të pakundërshtueshëm dhe gojëmbyllës.

Kur u thua se po linçoni njerëz publikë që nuk janë dakord me ju, ata të tregojnë një listë me “personalitete” të kombit që janë dakord me ata dhe që zakonisht pozojnë para flamurit dhe presin të vijë dita e patriotëve të mëdhenj.

Kur iu thua që po linçoni bizneset duke shkulur gardhe dhe duke dhënë kushtrimin të shkatërroni çdo biznes që nuk doni se keni popullin “në shesh garant”, ata ndjehen si partizanë më 1945 kur u sekuestronin pronat “kulakëve”.

Kur u thua se po dëmtoni Shqipërinë duke paraqitur Edi Ramën me flamurin e Izraelit dhe duke e etiketuar si “çifut”, ata ndjehen të zemëruar si dikur Hitleri me hebrenjtë dhe përjetojnë kënaqësinë e urrejtjes ndaj sionizmit.

Kur ju thua se po ktheheni në mish për top në betejën botërore kundër Donald Trumpit, ata ndjehen të gjithë si Xhorxh Sorosi, që e ka betejë të jetës me të.

Kur u thua se në protestë zemra organizative e saj është e Xhorxh Sorosit dhe rrjeti i OJF-ve që e organizon atë financohet legalisht prej tij, ata ndjehen të kompleksuar dhe bërtasin “Poshtë Xhorxh Sorosi”, edhe pse çdo qindarkë e shpenzuar për infrastrukturën e protestës buron nga fondet e OJF-ve të tij. Por dhe ai njësoj si Berisha e pranon thirrjen “Rama në burg, Berisha në burg”.

Kur shikojnë se një numër i madh blogeresh dhe këngëtaresh nuk janë më të financuara nga Bashkia dhe këta të Berishës u thonë se janë të Erion Veliajt, bërtasin në kor kundër Erion Veliajt, por blogeret dhe këngëtaret që i kanë pas masakruar muaj më parë si ushtare të Lalit, i duan.

Dhe kjo listë ndjesish mund të vazhdojë pa fund për të treguar se si po i përfill shoqëria të papërfillurit që kanë dalë në protestë. Problemi është se kur e kupton çfarë i kënaq, e kupton dhe se e vetmja mënyrë që t’i mbash në rrugë është të dukesh se po trembesh vërtet nga dëshirat e tyre. Dhe meqë është muaji i mjaltit i protestës, këtë po e bëjnë të gjithë.

Po bëjnë sikur u falet të jenë agresivë, sikur u falet të jenë linçues, u falet të jenë sorositë, sikur u falet të jenë mish për top kundër Trumpit, sikur u falet të jenë antisemitë, sikur u falet të jenë mercenarë të Albin Kurtit kundër Edi Ramës, sikur u falet të flasin broçkulla në tribunë, etj., etj., nën pretekstin se kanë qenë të përjashtuar nga e drejta për të pasur këto vese nën pushtetin e gjatë të Edi Ramës.

Kjo e drejtë i ka takuar vetëm pushtetit. Tani u takon dhe këtyre. Mos i këshilloni se çfarë duhet të bëjnë. Lerini të shijojeni lirinë duke kaluar mikrofonin dorë më dorë. Ky është armiku më i madh i kësaj proteste që nuk e ka askush në dorë ta ndalojë. As vet ata.

Për ata që thërrasin “Shqipëria është e jona” dhe linçojnë shqiptarët

By: Mero Baze
13 June 2026 at 19:00

Nga Mero Baze

Pas fasadës së një proteste qytetare e cila në thelbin e saj përfaqëson perceptimin e një pjese të qytetarëve shqiptarë se janë të përjashtuar nga qeverisja, kanë nisur të shfaqen shenjat e para të linçimit publik në emër të protestës. Pas fasadës së atyre që u japin lule policëve në bulevard, kanë nisur të shfaqen ata që dhunojnë pronën dhe policin dhe sulmojnë çdo kënd që nuk mendon si ata, qofshin këta politikanë, personalitete publike, shkrimtarë, gazetarë apo profesionistë të suksesshëm, që duket sikur dështakëve dhe njerëzve gjysmë të realizuar që vetëshpallen udhëheqës të revolucionit u kanë zënë hisen e diellit.

Sot në Rrjoll, një turmë e zemëruar protestuesish që kanë muaj që kërkojnë që dikush t’i shpallë pronarë të një toke me pronarë, shumë nga të vetëshpallurit udhëheqës të protestës në Tiranë udhëhoqën shkatërrimin e gardhit rrethues të kantierit të ndërtimit të një kompanie që ka marrë leje ndërtimi mbi pronën e një qytetari privat.

Precedenti që po krijohet në emër të protestës është më shumë se sa linçim i pronës private dhe kapitalit shqiptar. Ata që thërrasin “Shqipëria është e jona”, duhet ta dinë se kjo nuk nënkupton që pronat janë të protestës. Ato janë të pronarëve. Dhe tribuna e protestës nuk mund të kthehet as në zyrë hipoteke, as në institucion linçues për këdo që nuk u pëlqen atyre që manipulojnë me qytetarët në protestë.

Protesta është e mirëpritur si standard demokracie, jo si standard linçimi. Nuk di se çfarë leksioni i japin biznesit dhe kapitalit shqiptar ata protestues që sa shikojnë një gardh si kantier ndërtimi i turren ta shkatërrojnë në emër të protestës qytetare. Investitori nuk i ka marrë tokën askujt.Ajo tokë ka një pronar të ligjshëm që e ka trashëguar tokën prej 100 e ca vjetësh pa ia marrë askush përveç regjimit komunist dhe ka lidhur një kontratë zhvillimi me të. I mirëkuptoj ata që pretendojnë pronën, por ata e kanë betejën me pronarin, jo me investitorin.

Krijimi i një fryme linçuese ndaj investitorëve shqiptarë, jo vetëm që nuk është një akt patriotik siç kanë qejf të këndojnë udhëheqësit e protestës, por është një akt i tradhtisë kombëtare pasi është duke i thënë biznesit të madh shqiptar të marrë lekët që ka fituar këtu e të ikë jashtë në një vend ku ndjehen më të sigurt si investitorë. Dhe kjo është një tradhti e dyfishtë.

Lekët e një gardhi janë shumë pak lekë për një investitor, dhe as i hyjnë në punë, por pasiguria për të investuar në Shqipëri është një minë me sahat, që po kurdiset nën petalet e luleve në bulevard, nën maskat e një proteste paqësore që në fakt është e mbushur me urrejtje dhe frymë linçuese ndaj kujtdo që nuk është dakord me ta.

Kurrë në Shqipëri, përveç bandave të vitit 1997, në krye të të cilave ishte po Fatos Lubonja, bashkë me ata që ka rrotull, nuk ka pasur kaq urrejtje dhe kaq përpjekje për të frikësuar gjithkund që është kundër tyre. Por bandat e 97 janë ende në burg, kurse Fatos Lubonja është i lirë.

Këta që këndojnë “është e jona Shqipëria”, ndoshta mendojnë se është vërtet e tyre çdo pëllëmbë toke e Shqipërisë, dhe çdo pasuri e këtij vendi, por duhet të zgjohen nga kjo ëndërr. Ata janë pronarë vetëm të zemërimit të tyre që ndoshta është i drejtë deri aty ku kthehet në linçim dhe shkatërrim për pronën e tjetrit, për biznesin shqiptar dhe mbi të gjitha për sigurinë juridike për të investuar në Shqipëri.

Aleanca botërore kundër Jared Kushnerit e cila gjeti Shqipërinë si tokë për protestë, e shoqëruar me këngën e Kinostudios “Shqipëria e re”, për Selam Musain, tani po kthehet në një fushatë shkatërruese dhune dhe banditizmi ndaj investitorëve shqiptarë.

Aq e rëndë është bërë kjo sa duket si akti patriotik të thuash që biznesmenët e mëdhenj shqiptarë nuk janë armiq por njerëzit që mbajnë gjallë ekonominë shqiptare. Për një moment duket sikur ky vend pas këtij revolucioni do zhvillohet nga blogerë, gazetarë protestues, gazetarë OJQ dhe ambasadash, që i lëpihen sponsorit dhe bëjnë cubin me kapitalet e shqiptarëve,propagandistë partish opozitare dhe producentë të videove të tyre, dhe jo nga ata që investojnë milionat e tyre për të bërë ekonominë shqiptare, për të punësuar njerëz dhe për të çuar Shqipërinë në një stad të ri të zhvillimit ekonomik.

Ajo që ndodhi sot në Rrjoll duhet të dënohet në Tiranë. Duhet të dënohet në tribunën e protestës. Ajo tribunë nuk mund të kthehet në një vend ku jepen certifikata pronësie, leje për biznese siç është kthyer në një tribunë ku jepen “fatwa” për biznesmenë, gazetarë, personalitete publike apo politikanë që nuk u pëlqejnë protestuesve. Ata kanë të drejtën e tyre të mos i pëlqejnë, madje kanë të drejtë të angazhohen kundër tyre, por jo të përdorin heshtjen e protestës si vend nga urdhërohen linçime për secilin që ka dëshirë.

Unë nuk jam një mik i Ben Blushit dhe nuk kam asnjë konfidencë me të, por jam një kritik i ashpër i tij, por gjuha e urrejtjes ndaj tij drejtuar nga protesta është një akt turpi.

E njëjta është ajo parrullë e ndyrë kundër botuesit Carlo Bolino, e paguar nga familja Berisha që tundet në protestë duke e fyer me gjuhë raciste se është italian “që po u pi gjakun shqiptarëve”. Është një racizëm i ndyrë që na turpëron të gjithëve, dhe sidomos ata gazetarë qëjanë kthyer në protestues, dhe japin leksione për profesionalizëm.

Shumica e gazetarëve të redaksisë sime janë me protestën dhe në protestë, por kjo nuk më pengon mua t’i kem në punë.Po të kisha frymën e protestës gjoja qytetare, duhet t’i kisha pushuar të gjithë. Por nuk jam revolucionar. Besoj tek evolucioni i shoqërisë dhe i urrej revolucionet.

E vetmja protestë ku kam marrë pjesë ka qenë nga 9 deri më 11 dhjetor 1990 dhe keni 35 vite që na bëni gjyqin për të. Tani doni të ktheheni tek koha e para Dhjetorit ’90, kur çdo kush që mendonte ndryshe nga revolucioni linçohej, shpronësohej dhe ndoshta pushkatohej.

Komunistët në vitin 1944, para se të merrnin Tiranën, lëshuan urdhra likuidimi për intelektualët e Tiranës dhe ata pak gazetarë që ishin dhe i vranë të gjithë para 29 Nëntoritnë kafe “Kursal”.

Ngazëllimi i protestuesve se tani jo vetëm Shqipëria është e tyre por dhe ligji dhe qeverisja e vendit është në duart e tyre, është një delir, për të cilin do të pendohen shpejt pas disa muajsh e do thonë kjo nuk u bë në emrin tim.

E kam provuar këtë ndjesi disa herë në këtë vend pasi flaka e revolucionit bie dhe revolucionarët bëhen prapë njerëz të thjeshtë. Nuk ka gjë më të lehtë se sa ta ndash shoqërinë në këtë moment mes atyre që duan të linçojnë dhe atyre që janë në punë të tyre. Është një betejë që e ka të sigurt rezultatin e distancimit të Shqipërisë nga kjo bandë revolucionarësh. Është mënyra më e mirë për ta vrarë atë ndjesinë e bukur të një proteste qytetare e cila vërtet përfaqëson një pjesë të margjinalizuar të shoqërisë shqiptare.

Por në emër të kësaj proteste nuk mund të ketë linçim. Qeveria duhet t’u dalë zot investitorëve dhe shtetit ligjor edhe përballë revolucionarëve që mendojnë se “ka ardhur dita” meqë u kanë ardhur ushtarët e Albin Kurtit për t’i udhëhequr. Dhe nëse qeveria nuk ia del dot, pastaj mund t’ia dalë secili me duart e veta. Por ajo nuk është më protestë qytetare por luftë qytetare. Mos e ndillni atë!

Një përgjigje e re nga Departamenti i Shtetit dhe SPAK-u për Berishën

By: Mero Baze
12 June 2026 at 20:27

Nga Mero Baze

Sot Gazeta Tema i kërkoi Departamentit të Shtetit të sqaronte nëse është përfshirë edhe zonja Liri Berisha në atë që quhet waiver (përjashtim) i raportuar për Sali Berishën, i cili është përshkruar si një dhënie vize për udhëtim në SHBA.

Në përgjigjen zyrtare të Departamentit të Shtetit thuhet se: “Në parim, për shkak të konfidencialitetit të procesit të dhënies së vizave, Departamenti i Shtetit nuk komenton mbi veprime që lidhen me raste specifike.”

Përgjigjja, e cila ruan standardin e konfidencialitetit të shtetit amerikan, në fakt është shkelur në Tiranë nga vetë Berisha, i cili ka njoftuar se bashkë me të ka marrë vizë edhe gruaja e tij, Liri Berisha. E vetmja gjë që nuk përgënjeshtrohet nga Berisha dhe që konfirmohet nga Departamenti i Shtetit është se bëhet fjalë për një marrje vize për të shkuar një herë në SHBA. Statusi i sanksionit “non grata” për familjen Berisha është në fuqi dhe kushdo që do të më shajë për këtë, para se ta bëjë, le të klikojë në faqen e Departamentit të Shtetit.

Meqë sanksionet “non grata” të Departamentit të Shtetit nuk hiqen pa një vendim politik, dhënia e një vize të vetme, e lobuar me gjashtë milionë dollarë, është një çlirim për lobistët e Berishës dhe e bën të nevojshëm edhe udhëtimin bashkë me të të zonjës së tij, Liri Berisha, pasi e kane justifikuar me arsye mjekesore. Kështu nuk mund t’ua përflasin më paratë që u janë dhënë.

Por kjo tani kthehet në një problem edhe më të madh për të ardhmen politike të Berishës, pasi përveç se ai dhe gruaja e tij do të mbeten të sanksionuar “non grata”, ata do të lënë në të njëjtin status edhe fëmijët e tyre, të cilët, edhe pse janë drejtues de facto të PD-së, e bëjnë edhe më të errët perspektivën e lidershipit të saj.

Dhe për të kuptuar se si funksionojnë amerikanët në këtë rast, mjafton të shohësh se çfarë bëjnë lobistët dhe çfarë bën shteti amerikan brenda 24 orëve.

Lobistët, kundrejt 6 milionë dollarëve, prodhuan një deklaratë për shtyp ku njoftojnë se Berishës do t’i bëhet një përjashtim për të shkuar në SHBA, edhe pse nuk i hiqet statusi “non grata”. Kurse të nesërmen, strukturat e SPAK-ut, të cilat në fakt janë ngushtësisht të lidhura me prioritetet e institucioneve ligjzbatuese amerikane në luftën kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, vunë në lëvizje një nga operacionet më të mëdha kundër trafikut të drogës, falsifikimit të pronave dhe pastrimit të parave në Shqipëri, me persona kyç që lidhen politikisht kryesisht me Sali Berishën.

Operacioni i sotëm i SPAK-ut, i cili lidh një grup të madh investitorësh në fushën e ndërtimit me trafikun e drogës dhe disa pronarë tokash në Zvërnec, ka një rëndësi të madhe, mes të tjerash, për të pastruar terrenin nga paligjshmëria në një nga projektet më të mëdha që i është ofruar Shqipërisë në fushën e turizmit, si dhe për të goditur lidhjet politike të disa prej këtyre klaneve.

Operacioni ka në qendër të tij Artur Shehun, një biznesmen i madh tokash në zonën e Vlorës, që operon prej vitit 1997 nga SHBA, pasi ka pasur probleme me drejtësinë në Shqipëri; Ilir Shtufin, një ndërtues të madh në Tiranë, i lidhur ngushtë me djalin e kryetarit të opozitës, Sali Berisha, si dhe disa operatorë të tjerë të ndërtimit dhe persona të dyshuar për trafik droge.

Personi kyç me lidhje politike mbetet Ilir Shtufi, ndërsa Artur Shehu është personi që dyshohet se ka përdorur pushtetin e PD-së për të regjistruar prona që tashmë do të rihapen për hetim nga SPAK-u.

Ky operacion është një përgjigje për Sali Berishën, i cili tani ka nisur betejën për të kundërsulmuar opozitën e re që e ka zëvendësuar në bulevard. Ai që po përpiqet të kalojë oqeanin me 6 milionë dollarë, tani po përpiqet të kalojë bulevardin që i ka rrëmbyer pronën e tij private: opozitën.

Praktikisht, opozita e tij po përpiqet të marrë kontrollin në bulevard, të dhunojë protestën dhe ta kthejë atë në një lloj Foltoreje. Dhjetëra episode nga protesta, përfshirë linçimin e njerëzve që janë kritikë ndaj Berishës dhe shënjestrimin e atyre që thërrasin “Rama në burg, Berisha në burg”, tregojnë se ai po nxjerr njerëzit në shesh për të shpëtuar PD-në nga opozita e re.

Por para se të merret me të gjitha këto, sonte ai ka një hall konkret. Djali i tij, që banon në një vilë të Ilir Shtufit, sot e ka pronarin e saj nën hetim dhe pasuritë e sekuestruara. E di që ka plot shtëpi të tjera, por e kanë shpall “non grata” në shtëpinë ku fle. Meqë do ta mbajë pa letra.

Viza “mjekësore” një hakmarrje mizore e Berishës ndaj SHBA-së

By: Mero Baze
11 June 2026 at 17:23

Nga Mero Baze

Lajmi se Departamenti i Shtetit ka hequr sanksionet “non grata” për Sali Berishën dhe familjen e tij nuk është i vërtetë, por është e vërtetë se avokatët e Sali Berishës, kundrejt 6 milionë dollarëve, kanë mundur të përdorin klauzolën që personat e sanksionuar mund të vizitojnë SHBA-në për takime në OKB, për takime zyrtare të rëndësisë së veçantë dhe për vizita mjekësore speciale.

Avokatët e Sali Berishës kanë përdorur “arsyetimin” për vizitë mjekësore speciale. Sali Berisha ka përgatitur një dosje mjekësore voluminoze, madje ka shpikur dhe një diagnozë për të qenë i besueshëm se duhet të bëjë një kontroll mjekësor të specializuar në SHBA.

Në një farë mënyre nuk është se nuk e dinë që po gënjen, por është një përpjekje propagandistike për të krijuar idenë që iu lejua të vizitojë SHBA-në.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë nuk pranoi të bënte komente dhe na drejtoi në Departamentin e Shtetit, i cili ende nuk ka dëshirë të bëjë komente zyrtare dhe natyrisht që do ta mbajë përjetësisht në faqen e tij zyrtare Sali Berishën dhe familjen e tij të sanksionuar për minimin e demokracisë dhe korrupsion madhor.

E vetmja gjë që ka ndodhur është se është pranuar fakti që Berishës duhet t’i jepet një vizë mjekësore për SHBA dhe kështu bie rehat edhe LaCivita, edhe ekipi i avokatëve të tij, dhe Berisha ka mundësi të duket sikur i lejohet të shkojë në SHBA.

Sanksionet nuk hiqen. E di që sot u duket kokëfortësi kjo gjë, por dita-ditës keni mundësinë ta kontrolloni faqen e Departamentit të Shtetit dhe të bindeni vetë.

Dhe këtu është edhe ana banale e kësaj fushate propagandistike.

E vërteta që duhet ta pranojmë është se Sali Berisha e sfidoi SHBA-në në gjithë karrierën e tij politike prej vitit 1995 dhe ka bërë betejë me të. Nuk them dot se kjo betejë i ka bërë mirë Shqipërisë, siç thonë këta të Revolucionit Flamingo, por personalisht Sali Berisha nuk e ka pasur kompleks SHBA-në. Mund të themi me siguri se ai është i vetmi politikan shqiptar që i ka dalë asaj përballë. Në vitin 1997 e sfidoi atë publikisht, madje tentoi dhe fizikisht. Më pas e shpërfilli atë në Gërdec dhe më 21 Janar dhe i injoroi tërësisht shpalljen “non grata”.

Në një farë mënyre, Sali Berisha e mundi SHBA-në edhe pse ajo e sanksionoi dhe e turpëroi publikisht duke e nxjerrë nga historia e politikës si minues të demokracisë, si i korruptuar familjarisht dhe si shantazhues i sistemit të drejtësisë.

Për këtë arsye, Sali Berisha mund edhe të mos e kishte pranuar këtë “koncesion” avokatësh për të blerë një vizë 6 milionë dollarë. Mund të jetë viza më e shtrenjtë në botë. Nuk i vlen, pasi sa i përket anës politike, ai e ka sfiduar dhe e ka mundur SHBA-në. Ai është i vetmi politikan që ka arritur të formojë një elektorat të vogël, por ama të vendosur kundër SHBA-së kur e shpalli non grata dhe kur iu kundërvu në vitin 1997. Deri më sot ai është i vetmi elektorat pa komplekse kundër SHBA-së. Por e ka pranuar për të marrë hak ndaj SHBA-së, për ta poshtëruar edhe ai atë. Për t’i treguar se ka një çmim që i shpëton të korruptuarit dhe gjakatarët e demokracisë. Dhe ia ka arritur, qoftë edhe në mënyrë simbolike.

Pra i gjithë heroizmi politik i Berishës kundër SHBA-së u “sakrfikua” nga vetë ai kur pranon të gënjejë duke blerë një vizë mjekësore 6 milionë dollarë, e cila as ia heq atij dhe familjarëve të tij sanksionet, as e bën më krenar se sa ishte duke luftuar me SHBA-në. Por ama ai mendon se poshtëron SHBA. Përpjekja e tij për t’u treguar shqiptarëve tani se SHBA mund të blihet me 6 milionë dollarë dhe mund të marrësh certifikatë pastërtie, është një hakmarrje mizore e tij ndaj SHBA-së.

Nga ana tjetër, ky akt korruptiv publik nuk e zhbën dot qenien e tij non grata nga shqiptarët. Ai është politikani më gjakatar dhe më i korruptuar i historisë së Shqipërisë. Viza mjekësore nuk i zhbën vrasjet e tij politike më 21 Janar, maskaradën gjenocidale në Gërdec me 26 të vrarë nga biznesi i djalit të tij, maskaratat zgjedhore, aktet e dhunës ndaj gazetarëve dhe kthimin e Shqipërisë në çiflig të vajzës dhe djalit të tij.

Problemin tani e ka me shqiptarët. Ata nuk ia kanë marrë akoma lekët që u ka marrë.

PD nuk po e përçan protestën, por po e përthith atë

By: Mero Baze
10 June 2026 at 20:32

Nga Mero Baze

Sot, që në mes të protestuesve u shtuan në mënyrë demonstrative mbështetësit e Partisë Demokratike dhe duket se pati një lloj tensioni dhe thirrje për të mos u përçarë, disa aktivistë shtuan thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, ndërsa aktivistët e PD përdornin një megafon të tyre për t’u fokusuar tek thirrjet kundër qeverisë.

PD, e cila i është bashkuar sot plotësisht protestës, do të përpiqet të ndryshojë narrativën e protestës që ka të bëjë me Shqipërinë e re dhe betejën kundër Ramës e Berishës.

Pra do ta kthejë atë vetëm në një protestë antiqeveritare. E përforcuar me aktivistë të Vetëvendosjes që janë vetëm anti-Ramë dhe skuadra nga diaspora, PD është e qartë në strategjinë për të sunduar në shesh.

Nëse ia arrin kësaj, ajo nuk e përçan protestën, por e privatizon atë dhe, në kushtet kur protesta nuk ka udhëheqës të deklaruar, fjala “përçarje” nuk ka kuptim.

Ata që duhet të zëvendësojnë opozitën duhet të kenë dhe guximin për të qenë figura publike.

Ekipi që ka kërkuar dje në emër të protestës ndryshime në Kodin Zgjedhor përmes një referendumi, është një rrjet i vjetër OJQ-sh në Shqipëri, të vjetër sa Rama e Berisha, që janë shumë të vlefshëm si aktivistë, por jo si udhëheqës politikë.

Partitë e vogla që kanë tentuar të identifikohen me kauzë të njëjtë me protestën, pra me moton “Rama në burg, Berisha në burg”, as kanë fuqi ta privatizojnë protestën, as kanë fuqi ta ndalojnë PD-në ta privatizojë atë.

Kështu që në këto rrethana nuk kemi përçarje të protestës. Kemi një përthithje të saj nga PD, e cila ka guximin të dalë në shesh dhe aty ku thirret “Berisha në burg”, në fillim për ta relativizuar atë dhe më pas për ta zhdukur nga qarkullimi.

Kjo natyrisht që është një goditje për frymën qytetare të protestës, por nuk është se ka përçarë atë lëvizje. Thjesht është duke e mundur atë, për shkak të pasigurisë që ata kanë për ta përfaqësuar protestën.

Tre debate të panevojshme për protestën

By: Mero Baze
9 June 2026 at 19:17

Nga Mero Baze

Debati i parë i panevojshëm për protestën është numri i protestuesve. Zakonisht për pjesëmarrjen debatohet kur është nën një masë të caktuar kritike për t’u quajtur protestë. Dhe kjo bëhet kur protestat organizohen nga parti politike, që janë të sforcuara dhe që dëshmojnë nivelin e mbështetjes për to.

Kjo është një protestë e askujt dhe e të gjithëve. Ka mjaftueshëm njerëz që të konsiderohet protestë. Por ajo që e bën debatin të panevojshëm është vëmendja ndërkombëtare për të dhe e cila i qindrafishon shifrat.

Kryeministri Rama e përmendi këtë sot gjatë debatit në distancë me senatorin Sanders, që është figura më legjendare e së majtës ekstreme në botë, duke e kritikuar, mes të tjerash, për shifrat e dhjetëfishuara të protestuesve.

Është debat i kotë. Shifrat duhen për t’u dukur protestë e madhe, ndërsa kjo protestë, falë Donald Trumpit dhe kthimit të Shqipërisë në një territor për t’u bërë një betejë botërore kundër tij, shifrat nuk kanë më kuptim, pasi nëse në Tiranë gjen nga 3 deri në 10 mijë vetë të angazhuar në protestë, në mediat ndërkombëtare gjen nga 100 mijë deri në 1 milion pjesëmarrës si shifër. Pra është e kotë të bësh betejë me shifrat, se media botërore, që në shumicën e rasteve është arbitri i tyre, në këtë rast i ka qindrafishuar shifrat dhe nuk ka më kuptim të debatosh për to.

Debati i dytë është ndërhyrja e huaj si mbështetje për protestën. Këto janë dy ngjarje të ndryshme. Protesta është tërësisht shqiptare, ndërsa ndërhyrja ndërkombëtare është e qartë, por nuk është për interesin e protestuesve, por për problemet e tyre me Shqipërinë dhe shumica për problemet e tyre me Donald Trumpin.

Fjala vjen, Irani ka ndërhyrë të mbushë TikTok-un me video me inteligjencë artificiale dhe llogari të pompuara në rrjet, që ditën e parë të protestës. Islami politik është angazhuar ta paraqesë projektin si ndërtim i një territori për palestinezët që do zbojnë hebrenjtë nga Gaza. Grekët janë shqetësuar se ka pronarë grekë në Zvërnec dhe duhet të pyetet edhe Greqia për këtë çështje. Komisioni Evropian është i shqetësuar që Shqipëria mund të trokasë në BE me një paketë investitorësh me profil të lartë politik nga SHBA etj.

Të gjitha janë të vërteta, por nuk janë të lidhura në mënyrë direkte me protestën. Ata thjesht po shfrytëzojnë protestën.

Secili që përpiqet për hallin e tij është në të drejtën e tij. Protesta e qytetarëve shqiptarë, në fakt, lidhet me problemet e qytetarëve shqiptarë. Të tjerët janë përfitues.

Debati i tretë i kotë është i ngjashëm me të dytin, lidhur me faktin se kush e kontrollon atë nga brenda dhe kush po përfiton. Të gjithë po e shfrytëzojnë.

Protestën po përpiqet ta shfrytëzojë  çdo parti politike në Shqipëri, çdo kryetar partie pa elektorat apo dhe PD, që i ka ikur elektorati

Siç duket qartë, Lëvizja Bashkë është në qendër të strukturave organizative dhe është për t’u pasur zili nga aftësia që ka të depërtojë në një protestë qytetare. Agron Shehaj po e përdor për të bërë video, me shpresë se “like”-et dikur kthehen në vota. PD e Berishës po përpiqet ta orientojë tek kthimi në një lëvizje kundër Ramës, meqë ndjehet e rrezikuar që protesta e ka zëvendësuar si opozitë.

Por dhe Edi Rama po e shfrytëzon në mënyrën e vet. Falë protestës dhe vendosmërisë për të mbrojtur projektin, ai po e përdor protestën për një rienergjizim politik të partisë së tij dhe një shkundje të strukturave politike për të qenë gati për përballje politike.

Me një opozitë të vdekur dhe të korruptuar si të Berishës dhe me një SPAK agresiv ndaj tyre, Edi Rama dhe PS po perceptoheshin si një pushtet cinik, që dukeshin si të pamposhtur për shkak të mungesës së opozitës. Kjo protestë e ndryshon këtë qasje.

Ndaj mos pyesni se kush po e drejton dhe kush po përfiton. Të gjithë po përpiqen të përfitojnë nga pak. Derisa protesta t’i dalë zot vetes.

Berisha ka vendosur të rifitojë opozitën duke humbur Trumpin

By: Mero Baze
8 June 2026 at 19:50

Nga Mero Baze

Opozita e Berishës, e cila u distancua në fillim nga protesta për të mos kundërshtuar projektin e familjes Trump, sot bëri një gjest radikal, zyrtar, 100 për 100 nga e kundërta, pasi depozitoi në Kuvend një kërkesë që kërkon të zhbëhet ligji që i mundëson Jared Kushnerit realizimin e projektit. Pra veproi jo më me fjalë, por me akt zyrtar, duke kërkuar që të prishet baza ligjore që mundëson investimin në atë zonë.

Ky ndryshim 180 gradë nga qëndrimi i një jave më parë duket paksa qesharak dhe i pabesueshëm, por është një lëvizje taktike e dobishme për Berishën për të mbijetuar. Ndryshimi i tij nga qëndrimi qartazi pro investimit deri tek kërkesa e sotme zyrtare që të prishet baza ligjore që mundëson investimin janë reflektim i frikës që ka Berisha se mos protesta i merr pronën më të rëndësishme të tij: PD-në në opozitë.

Por pse është i rëndësishëm vendimi i sotëm i PD-së?

Duke qenë se protesta nisi për flamingot dhe pelikanin kaçurrel në Nartë, ku do të ndërtohet projekti i Kushnerit, Berisha e pa atë si rast të mirë për të treguar devotshmëri ndaj Trumpit në kuadrin e partneritetit politik me të.

Por tani që ka kaluar më shumë se një javë, ka një panoramë më të qartë të protestës. Kemi një bashkim qytetarësh të mllefosur me qeverisjen dhe tranzicionin, ka një bashkim të rinjsh që ndihen të përjashtuar nga sistemi, ka dhjetëra individë që e shikojnë si rast për afirmim dhe aktivizëm, ka një tufë OJQ-sh që kanë rastin të marrin fonde duke vizituar lejlekë apo duke mbrojtur kauzat e tyre, ka parti të vogla që ndihen të mëdha mes protestuesve dhe ish-parti të mëdha si PD që duan të jenë brenda tyre për të mos u dukur që janë zvogëluar. Të gjithë janë legjitimë në vendimin për të qenë protestues. Nuk ka lidhje fare me kauzën e Zvërnecit dhe investimin e familjes Trump.

Investimi i familjes Trump është bërë i dobishëm dhe jetik për protestën, pasi i ka shërbyer për t’u ndërkombëtarizuar. Arsyeja pse sot protesta ka një mbështetje të fortë ndërkombëtare është se e ka kthyer Shqipërinë në një shesh beteje kundër Donald Trumpit dhe familjes së tij, një rast ideal për të marrë hak ndaj njeriut më popullor dhe më të fortë të botës me duart e shqiptarëve dhe në tokën e Shqipërisë.

Janë të gjithë të eksituar dhe të gatshëm të mbështesin protestën në çdo kryeqytet të tyre duke thënë që mbështesin shqiptarët kundër Trumpit “që do t’u marrë ishullin dhe pelikanët”.

Në krye të tyre është dhe Komisioni Evropian, që nuk e do projektin e Kushnerit në Zvërnec, pavarësisht se përdor një gjuhë të kujdesshme kundër tij. E thënë më qartë, Komisioni Evropian nuk do që Shqipëria të ketë brenda saj një nukël kaq të fortë investimesh amerikane para hyrjes në Bashkimin Evropian.

Këtë nuk e do njeri në Bruksel, por nuk e thonë dot me zë të lartë, përveçse të na tregojnë standardet për ruajtjen e pelikanit kaçurrel. Një Shqipëri me investime të mëdha në turizëm nga grupe të Lindjes së Mesme dhe të afërta me familjen Trump janë një garanci e madhe financiare dhe gjeopolitike për Shqipërinë, por janë njëkohësisht zhavorr në stomak për Brukselin, që nuk tretet lehtë. Ndaj duhet ta pranojmë se dhe ata janë kundër.

Kjo ka lidhje me hallet e Evropës, Lindjes së Mesme, Azisë e kujtdo tjetër me Donald Trumpin. Në këtë pikë jemi mish për top. Thjesht gjetën një shkak nga Shqipëria për të nxjerrë mllefin ndaj Donald Trumpit dhe tani bëjnë sikur janë të shqetësuar për hallet e vërteta të qytetarëve shqiptarë me tranzicionin, qeverisjen dhe me hallet e brezit të ri të shqiptarëve që ndihen të papërfaqësuar.

Pra Berisha ka kuptuar se protesta po e varros atë për shkak të mbështetjes ndërkombëtare dhe e vetmja mënyrë që të mbijetojë është të kontribuojë në rënien e kësaj mbështetjeje. Dhe mbështetja bie në momentin që bie projekti i Kushnerit prej katër miliardë eurosh.

Problemi është se nëse protesta zbon Kushnerin dhe projektin më të madh të turizmit në rajon, mbështetja ndërkombëtare për protestën bie për 24 orë dhe askush nuk i dëgjon më hallet e shqiptarëve në CNN apo BBC. Ato fondet që vizatojnë kalamajtë pelikanë ndërpriten, rrjeti i OJF-ve që janë pas protestës mbledhin plaçkat dhe protestuesit e vërtetë befas do kuptojnë se hallet e tyre nuk kanë shumë rëndësi.

Dhe në këtë pikë e vetmja gjë e zgjuar që ka bërë Berisha është që do ta përjashtojë investimin e familjes Trump me ligj në Kuvend, me qëllim që të zhdukë mbështetjen ndërkombëtare për protestën dhe pastaj të fitojë terrenin e humbur nga protestat, të cilat ende pa rrëzuar qeverinë kanë rrëzuar opozitën.

Është e vetmja mënyrë ta rifitojë opozitën duke humbur Trumpin.

Berisha nuk shkon në protestë si opozitë e bukur, por si opozitë e madhe

By: Mero Baze
7 June 2026 at 18:06

Nga Mero Baze

Në një nga rrëfimet e tij të sinqerta për historinë e Dhjetorit 1990, Neritan Ceka u pyet se si ndodhi që ju ishit gjithë ato figura intelektuale në Dhjetor dhe në fund ua mori Sali Berisha PD-në dhe ju zboi.

Ceka, tani më pa inate me Berishën, tha me sinqeritet:

– Kishte përvojë, kishte qenë vite të tëra sekretar partie, e dinte çfarë ishte politika dhe partia. Ne thjesht nuk donim më komunizmin. Ndaj na mundi të gjithëve.

Ky shpjegim i tij vlen edhe sot.

Protesta amalgamë e nisur për flamingot e Nartës e ka kthyer Shqipërinë në një tokë të ofruar për një betejë globale kundër Presidentit Donald Trump. Zemra e protestës në Shqipëri është e vetmja gjë e vërtetë që ka protesta, pasi ajo nuk ka të bëjë me flamingot dhe as me Trumpin, por me hallet e një brezi që ndihet i përjashtuar.

Por përtej bulevardit në Tiranë, çdo qytet tjetër i botës që “solidarizohet” me flamingot është një organizatë anti-Trump që ka gjetur flamurin e kuq shqiptar si beze të kuqe kundër Trumpit.

Beteja ndërkombëtare kundër Trumpit, duke përdorur Shqipërinë, nuk është se e dëmton qeverinë shqiptare. Për të mos thënë që i bën mirë. Është e lehtë për këdo ta kuptojë kush i organizon protestat në Athinë, në Gjermani apo Itali e Spanjë.

E vetmja protestë e vërtetë kundër Edi Ramës është protesta e Tiranës. Ajo është protestë e një brezi të ri shqiptarësh që gjetën një mënyrë të refuzojnë opozitën dhe qeverinë në të njëjtën kohë, duke marrë shkas nga një ngjarje arrogante në Vlorë.

Por pas tetë ditësh Berisha e kuptoi se lëshimi i terrenit për ta ishte një gabim i rëndë i opozitës. Dhe nuk e mbajtën më nervat. Filloi pak nga pak me disa deputetë, ndërsa sot ka dhënë kushtrimin të shkojnë të gjithë në protestë.

Nuk është se do shtohen shumë numrat, se këta të PD-së nuk mbledhin më shumë se 1 mijë vetë dhe maksimumi bashkë do bëhen 3 deri 4 mijë vetë. Por do ndryshojë cilësia e protestës.

Tani këta që janë me Iranin dhe thonë që Zvërneci do bëhet Palestinë, apo këta që janë me Albinin dhe thonë që Kosova do marrë Shqipërinë që të mbrojë flamingot, kanë përballë një profesionist që di si bëhet politikë me këtë protestë.

Dhe ua dha shansin. U la tetë ditë kohë të zgjidhnin udhëheqësin, pastaj të merrej vesh me të, por nuk e dëgjuan. Tani vendosi të hyjë bashkë me ta.

SHBA nuk shfaqi asnjë mirënjohje për të, që refuzoi t’i bashkohej protestës kundër familjes Trump. Asnjë sinjal për heqje “non grata” dhe asnjë falënderim. Në fund të fundit, nuk kishte pse të vdiste “non grata” dhe i turpëruar nga një gjeneratë që kërkon t’i marrë të vetmen pronë të shtrenjtë që i ka mbetur në hipotekë pa u bllokuar: PD-në.

Ndaj sot e keni në shesh.

Të gjithë ata që mendojnë se mund ta kompleksojnë, ta shajnë apo fyejnë, gabohen. Nuk është kompleksuar as më 1990, kur studentët deshën ta zbonin më 10 dhjetor si të dërguar të Ramiz Alisë. Me pak durim pranoi të sharat, u ul tek stoli në korridor dhe tha me vete: “Hajde se do shihemi.”

E njëjta gjë po ndodh edhe sot.

Tani protesta është e denjë se është së paku me një gjymtyrë politike të identifikuar dhe disa grupe të tjera të paqarta. Brenda kësaj opozite, ai është më i madhi, më i qarti dhe, nëse ndodh të bëhen zgjedhjet, edhe më fituesi në raport me të tjerët që mund të konkurrojnë.

Prej sot ai nuk është as me projektin e Ivankës, as me flamingot, por në shesh kundër Edi Ramës bashkë me gjeneratën Z. Kishte një vit të tërë që i kërkonte, por nuk vinte, se ky i tremb ata, si Kushneri flamingot.

Tani ata ose do durojnë si flamingot, duke u premtuar se do sillet mirë me ta, ose duhet t’i lënë tribunën.Berisha nuk shkon në protestë si opozitë e bukur, por si opozitë e madhe

Po qe se janë të paqartë, të dëgjojnë rrëfimin e Neritan Cekës se si ua mori PD-në më 1990.

Rreth kërkesave politike dhe patetike të protestës

By: Mero Baze
5 June 2026 at 19:59

Nga Mero Baze

Kur nisi lëvizja e Dhjetorit në vitin 1990, pas përplasjes së natës së parë, më 9 dhjetor u formuluan kërkesat e para të studentëve, të cilat fillonin me problemet e kushteve të jetës, kaldajës, batanijeve dhe, mos gaboj, e shtata ishte kërkesa për pluralizëm politik. Aq dinim.

Njerëzit politikë që iu afruan protestës dhe e morën nën kontroll u sugjeruan që, kur të shkonin tek Ramiz Alia, t’i linin mënjanë këto kërkesat e tjera dhe të përqendroheshin tek pluralizmi. Të tjerat “rregulloheshin”.

M’u kujtua dje ky episod, ndërsa pashë si lajm të mirë që më në fund ka disa kërkesa politike nga protesta. Por lajmi i keq është që kërkesat ngjajnë si politike, por janë patetike. Kërkesa më e rëndësishme ishte dorëheqja e qeverisë, ndërsa pesë kërkesat e tjera ishin për anulim ligjesh të qeverisë që nxisin investimet në turizëm në fusha, male, dete e kodrina.

Nuk jam i sigurt sa i përfaqësojnë ato kërkesa gjithë grupet e protestës, por po i marr të mirëqena.

Mendoj që kërkesa më e rëndësishme është dorëheqja e qeverisë. Tani ose duhet të kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe të realizojnë me qeverinë e re ato pesë kërkesat e tjera, ose t’i kërkojnë qeverisë të realizojë ato pesë kërkesa dhe të mos japë dorëheqje.

Kjo që ka ndodhur i bën kërkesat patetike, për të bërë zhurmë. Kërkesat politike burojnë nga përfaqësimi politik i protestës dhe nga qartësia e tyre.

Nëse synojnë dorëheqjen e qeverisë, atëherë duhet të kërkojnë vetëm dorëheqjen e qeverisë. Dhe kjo është betejë politike. Kjo betejë nuk fitohet aq lehtë, por ama është një betejë historike, pasi i jep vendit një opozitë të re të organizuar mbi rregulla të reja loje dhe ndryshon historinë e politikës shqiptare.

Tani që Zvërneci ka ikur nga fokusi i protestës dhe ka mbetur vetëm në mediat ndërkombëtare për shkak të familjes Trump, organizatorët e protestës duhet të ulen dhe të provojnë aftësinë e tyre për ta përfaqësuar protestën politikisht. E di që është e vështirë, pasi ka disa grupe dhe shumë mosbesim mes palëve, por ideja se duan të ndryshojnë qeverinë mund t’i bashkojë. Në fund të fundit, vlera reale e protestës është të provojë nëse nxjerr dot një udhëheqës të ri apo jo. Të tjerat janë pallavra që nuk emocionojnë njeri.

Nëse protesta arrin të prodhojë një lidership që arrin t’u imponohet palëve në protestë dhe grupimeve të ndryshme për t’u bashkuar rreth gjërave që ata mendojnë se prodhojnë politikë, ata meritojnë të marrin kapitalin politik të protestës dhe të përballen me pushtetin si opozitë e re. Nëse nuk ia dalin dot, thjesht kanë shpërdoruar shansin dhe energjinë e disa mijërave të rinj shqiptarë që qartazi duan të përfaqësohen në politikë.

Shumicën e të rinjve që kam parë në rrjetet sociale duan të shpjegojnë se janë në protestë për problemet e tyre dhe kanë shumë të drejtë. Është një moment i artë që të krijohet një brez i ri politik i bërë vetë dhe jo i injektuar nga Berisha apo Rama.

Por që të bëhet vetë duhet të provojë aftësinë që ka për të prodhuar udhëheqësit e rinj të tyre.

Mos bini në kurthin e delirantëve blogerë që thonë “nuk duam të kemi udhëheqës”, “nuk duam të kemi grup drejtues”, “është protestë e popullit” etj. Këto gjëra i interesojnë t’i thotë Edi Rama apo opozita zyrtare e Berishës. As mos u masturboni me idenë se “Rama është tmerruar”, “Berisha ka mbaruar”, “Qorri është sinonim i Sorosit”, “Shehaj është gjobaxhi”, “Lapaj është lapangjoz” etj. Secili prej tyre ka ata që meriton pas vetes dhe nuk është se shkrihen brenda ditës nga 3 mijë vetë që kanë dalë në shesh me meme në duar.

Një protestë nuk mund të jetë “no name, no face, no number”. Duhet të ketë emër, shifra dhe fytyrë. Ndryshe nuk realizon dot asgjë politike.

E kuptoj zhgënjimin nga udhëheqësit politikë të tranzicionit, por çdo lëvizje që ka shkaktuar ndryshime në Shqipëri është bazuar tek idetë dhe udhëheqësit e saj.

Lëvizja e Dhjetorit krijoi enturazhin e parë të lidershipit politik në Shqipëri pas komunizmit, ngjarjet e ’97 një enturazh të ri, ngjarjet e 2002–2005 një lëvizje të re e kështu me radhë.

Serbia, e cila ka pasur një lëvizje të tillë të ngjashme një vit më parë, dhjetëra herë më masive se kaq, e dështoi atë lëvizje pasi grupet nuk arritën dot të nxjerrin një lider, dhe sot kanë përfunduar në duart e nacionalistëve serbë, që motiv kryesor nuk kanë arsyen pse nisi protesta, por t’i kthejnë Kosovën Serbisë.

Dhe kjo protestë, nëse nuk nxjerr udhëheqësit e saj të bashkuar rreth një programi të qartë, rrezikon të kalojë nga pelikani kaçurrel tek slogani i Ballit Kombëtar “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, pastaj tek flamuri i Autochthonous-it dhe në fund tek izolimi i Shqipërisë dhe reforma agrare, meqë disa nga ish-pronarët kanë rimarrë shumë toka.

Atëherë të gjithë do të kujtohen se kanë çuar dëm një shans për të ndryshuar historinë, për të krijuar një opozitë të re. Thjesht kanë reformuar qeverinë.

Protesta pa Berishën, një shans për të lexuar keqqeverisjen

By: Mero Baze
3 June 2026 at 17:58

Nga Mero Baze

Tani që protesta në Tiranë po strukturohet jo thjesht si protestë për Zvërnecin, por si një protestë kundër qeverisjes së vendit, ajo po kthehet në një shans për të kuptuar opozitën reale në Shqipëri. Fakti që Berisha qëndroi larg protestës për arsye parimore ishte një fat. Dhe fati ka të bëjë pikërisht me atë që duhej verifikuar: nëse kishte opozitë përtej Berishës apo jo.

Protesta tregon se opozita është shumë më e madhe se PD e Berishës dhe me halle krejt të ndryshme nga ajo.

Tipari kryesor i protestës, që tani verifikohet qartë, është se ata janë njerëz të zemëruar me qeverisjen. Ka dhe plot njerëz që dalin për manirat e tyre, pasi në një bulevard shikon protesta për marrjen e Çamërisë dhe protesta për të mbrojtur “pakicën greke” në Zvërnec; ka postera të kuruar mirë ku Edi Rama është në gjunjë para Netanjahut, i cili është shpallur kolonizator i bregut perëndimor të lumit Vjosë, që është kthyer si Lumi Jordan; dhe njerëz që protestojnë pro Palestinës; ka grupime pro familjes dhe LGBT; ka njësi anti-Soros dhe ithtarë të tij; ka njerëz kundër vaksinave dhe nga ata që ankohen që s’ka ilaçe në spitale; ka njerëz që ankohen për qiratë e larta dhe të tjerë që i kanë vjedhur këto skemat piramidale të investimeve. Pra ka një kolorit të pafundmë shtresash në shoqëri që identifikojnë problemet tona. Zbatica e opozitës së Berishës ka nxjerrë në breg të detit hallet e vërteta të popullit opozitar, që nuk ngjajnë me hallet e Berishës.

Qeveria ka një shans të ri të kuptojë kë ka përballë. Deri tani ka bërë të fortin dhe arrogantin duke menduar se ka përballë vetëm Berishën dhe skalionet me kapuç të atyre që hedhin molotov. Befas, ndërsa ata u tërhoqën dhe e lanë fushën të lirë, u shfaqën qytetarët në rrugë, ata që s’kanë molotov në duar, por karroca fëmijësh apo pankarta gjithë humor dhe cinizëm për atë që ndodh, pa munguar dhe ata që janë si kripa e gjellës me gjërat e marra që thonë. Por është protestë e vërtetë.

Këmbëngulja e Edi Ramës për të dialoguar me ta është e kotë dhe e padobishme. Mendoj se as ata nuk kanë çfarë të besojnë më tek ai, pasi ata nuk e duan më qeverisjen e tij dhe as ai nuk ka çfarë u shpjegon, se 99 për qind e tyre as që kanë dalë aty për Zvërnecin. Zvërneci është plan zhvillimi i qeverisë dhe ajo ose duhet ta mbrojë planin e saj, ose duhet të ikë për shkak të pafuqisë për ta mbrojtur. Por kjo nuk ka lidhje me protestën.

Kjo protestë duhet parë dhe lexuar mirë për të kuptuar se çfarë i ka fshehur opozita e Berishës shoqërisë. I ka fshehur problemet e saj reale; i ka fshehur qeverisë arrogancën, duke e bërë të justifikueshme atë përballë molotovëve; i ka fshehur problemet e pazgjidhura të pronave, gangrenën e hipotekave, banditët e inspektoriateve, implikimin e policisë në paligjshmëri dhe, mbi të gjitha, i ka fshehur shoqërisë shqiptare aftësinë për të protestuar në mënyrë të qytetëruar.

Kjo është protestë tipike e shoqërive që përjashtohen nga pjesëmarrja në qeverisje, ku jeta politike monopolizohet mes një qeverie të fortë politikisht dhe një opozite agresive që nuk lë truall për të tjerë. Protesta të tilla janë tipike për vendet ish-komuniste dhe kanë qenë fenomen në Rumani, Bullgari dhe, së fundi, në Serbi. Shembja e një strehe stacioni hekurudhor atje ndezi një valë protestash njëvjeçare, duke bashkuar njësoj si këtu njerëz që marrin çantën e halleve të tyre në shpinë dhe dalin në rrugë për hallin e tyre.

Është një eksperiment social që duhet lexuar mirë, pasi në finale ai do të dekantohet si lëvizje politike. Deri atëherë natyrisht do të ketë zhgënjime, përçarje dhe luftë për lidership, por problemet janë aty në bulevard. Kush do t’i shikojë, i shikon dhe u del përpara.

Qëndrimi jopolitik i pushtetit ndaj Zvërnecit dhe protestave

By: Mero Baze
2 June 2026 at 17:53

Nga Mero Baze

Socialistët në pushtet po përfshihen pa kuptim në debatin mbi protestën në Tiranë, herë duke e kritikuar atë e herë duke u përpjekur të ndajnë objektivat e saj. Disa thonë: “Keni të drejtë për gardhin, por jo për investimin”; të tjerë thonë: “Keni të drejtë për dhunën, por jo për të ardhmen e turizmit”, e kështu me radhë.

Kryeministri Edi Rama po ashtu rri e sqaron protestuesit për projektin, për të ardhmen e ekonomisë me ato investime, a thua se po nuk i sqaroi ata do vazhdojnë protestën dhe po i sqaroi do pushojnë.

Është një qëndrim tërësisht joproduktiv dhe pa sens politik.

Për hir të së vërtetës, Partia Demokratike, madje edhe vetë Berisha, ka një qëndrim më politik ndaj gjithë historisë. Tha që jemi pro investimeve të huaja dhe respektit ndaj pronës. Kaq.

Protestat në Tiranë nuk kanë nevojë për sqarime nga pushteti, se ato janë kundër pushtetit. Madje janë dhe kundër opozitës zyrtare. Protestat nuk fillojnë nga keqkuptime dhe nuk mbyllen me sqarime. Nuk kërkojnë debat publik, por kërkojnë pushtetin. Dhe si të tilla, ti ke detyrë vetëm t’i lësh të lira të provojnë veten dhe fuqinë e tyre politike në zgjedhje.

Socialistëve në pushtet nuk e di se kush ua ka mbushur mendjen që, po i sqaruan këta protestuesit se në Zvërnec do vijnë katër miliardë euro dhe do kalojë ekonomia shqiptare në një stad tjetër, ata do t’i kërkojnë falje pushtetit për prishjen e qetësisë e do kthehen në shtëpi të lumtur.

Ata janë në rrugë pikërisht se janë qartësisht kundër projektit dhe kundër ardhjes së investitorëve të huaj dhe kundër projekteve të mëdha që zhvillojnë një ekonomi të mbështetur tek turizmi. Ata janë shumë më të qartë në idenë e tyre sesa pushteti që e mbron atë ide. Pushteti ose duhet të mbrojë projektin, ose të heshtë dhe të shikojë punët e veta.

Çfarë pune ka çdo deputet socialist që bën deklarata dhe përkëdhel protestat, jep leksione demokracie mbi dobinë e protestave dhe sqaron çdo njeri që ka megafonin?

Taulant Balla shkon e sqaron Belerin se nuk ekziston Vorio-Epiri, duke u futur në spiralen e propagandës nacionaliste greke me një term gjeografik të vdekur në vitin 1912. Hajt tani të diskutojmë a ekziston apo nuk ekziston Vorio-Epiri, ndërkohë që shqiptarët e kanë mbrojtur kufirin e sotëm jugor të Shqipërisë me gjakun e mijëra njerëzve të vrarë dhe masakruar nga andartët grekë të vitit 1914, të veshur si ortodoksë shqiptarë.

Ndalojeni këtë masakër propagandistike inferiore, pasi jeni në pushtet dhe keni detyrë të zhvilloni Shqipërinë dhe jo të policoni lindjen e protestave dhe të këshilloni mbarëvajtjen e tyre.

Protestat do hyjnë normalisht në shtratin e vet. Në krye të tyre është një grup i ekstremit të majtë shqiptar udhuehequr nga njue djalë i ri Arlind Qorri, që predikon kundër kapitalizmit të madh dhe investimeve të huaja. Janë të sinqertë në atë që thonë e bëjnë. Nuk e kanë farsë. Nuk e kanë me emra konkretë. Nuk kompleksohen nga Donald Trump dhe familja e tij. Janë gati t’i vënë zjarrin edhe portretit të Trumpit nëse shfaqet në Zvërnec. Nuk mund t’i pengoni ata. Ata janë zemra e protestës.

Pastaj rrotull tyre ka konspiracionistë që besojnë se Sorosi desh të na zhdukë me vaksina por nuk ia doli dhe po na zhduk me Zvërnecin; ka forca të qarta të islamit politik, që u duket vetja se po udhëtojnë me flotilje për të ndihmuar banorët e Zvërnecit si në Gaza; ka nacionalistë grekë që vijnë me autobusë nën thirrje për të shpëtuar “tokën mëmë”; dhe natyrisht nuk mund të mungojnë edhe autobusët e Albin Kurtit, që mezi presin të duken dhe ata si Isa Boletini në Vlorë për të hedhur në det tani imperializmin amerikan dhe sheikët e Katarit.

Falë edhe “vigjilencës” së SPAK, që mezi pret të jetë në qendër të vëmendjes dhe këtë radhë, tani kemi të sekuestruara ende pa filluar punë llogaritë e miliarderëve që do investojnë, për të verifikuar se tokën e kujt do të blejnë, ndërsa nuk kanë verifikuar as “andartët” që vijnë nga Kakavija, as këta xhihadistët që e kanë caktuar që Vlora dhe Zvërneci do bëhen tokë izraelite, duke kthyer “qytetin historik të hebrenjve”, Vlorën, në një vend antisemit për ta.

Nuk di ç’punë ka qeveria të merret me këtë protestë. Qeveria ka për detyrë të mbrojë dhe garantojë investimet e huaja në vend dhe t’i qëndrojë deri në fund projektit të saj. Dëmi më i madh që mund t’i bëjë qeveria këtij vendi është të dështojë projekti dhe të merret me protestën.

Nëse projekti dështon dhe nëse investitorët largohen nga SPAK-u, nga antisemitizmi apo nacionalizmi grek, qeveria është përgjegjëse deri në fund për dëmin që i ka shkaktuar vendit.

Protestat janë një ngjarje e munguar në historinë e Shqipërisë për disa vite. Ato janë politikisht të qarta dhe janë baza e një opozite të re dhe një brezi të ri, që në thelb vetëm shkakun e kanë nga Zvërneci, se motivimin e kanë nga përjashtimi i tyre nga shoqëria, nga mospërfillja dhe gjendja depresive në të cilën gjendet e ardhmja e opozitës në vend.

Lërini ata në projektin e tyre dhe mbroni projektin për të cilin jeni votuar. Mbrojeni atë jo duke u marrë me protestën, por duke u marrë me letrat e shtetit, me ndihmën dhe garancinë ndaj investitorit të huaj dhe me krijimin e sigurisë juridike për këdo që investon në këtë vend, që nga ai që investon 100 mijë euro deri tek ata që bien miliarda. Shqipërinë e bëjnë ata që investojnë. Gjithë të tjerët jetojnë prej tyre, qoftë ata që dalin në protesta, qoftë ata që rrinë nëpër zyra.

Të gjithë të zemëruarit e Zvërnecit

By: Mero Baze
1 June 2026 at 20:17

Nga Mero Baze

Tani jemi më të qartë. Protestat rreth asaj që ndodhi në Zvërnec tani janë shndërruar në protesta kundër asaj që do të ndodhë në Zvërnec. Pra, nëse shkaku i irritimit publik me të drejtë ishte sjellja barbare ndaj një të riu protestues, tani beteja nuk është për të, por është kundër projektit më të madh që i është afruar Shqipërisë në çdo kohë nga jashtë; një projekt që bashkon SHBA-në dhe botën financiare të Lindjes së Mesme, e cila i sjell Shqipërisë jo vetëm një hop të ri financiar, por edhe një guaskë më të madhe sigurie nga pikëpamja gjeopolitike.

Pra tani ky reagimi i policisë apo Edi Ramës rreth incidentit të Zvërnecit nuk ka shumë rëndësi. Tani të gjithë të zemëruarit janë të sinqertë. E kanë me investimin.

Të zemëruarit e mëdhenj janë në Athinë. Aty është zemëruar qeveria, shtypi, eurodeputetët, opozita, madje edhe Beleri. Dhe ata e kanë zemërimin me dy shkallë. Për tjetër gjë ankohen e tjetër gjë kanë në mendje. Ankohen se Zvërneci është tokë greke dhe se ai i rrahuri ishte pjesëtar i diskriminuar i pakicës greke, ndërkohë që në fakt askush nuk e pyeti për emrin kur e rrahu, pasi banditët nuk e kanë atë zakon.

E vërteta është se Greqia, shtypi i saj, qeveria dhe opozita që janë bërë bashkë kundër Zvërnecit, nuk e kanë me pakicën greke, se ajo nuk ekziston në Zvërnec. E kanë me investimin.

Dhe kanë të drejtë. Një investim që sjell familjen Trump në Vlorë dhe disa miliarderë nga bota arabe, është një standard i ri jo vetëm ekonomik për Shqipërinë, por edhe gjeopolitik. Greqia po ashtu ka dy vite e ca që është në luftë edhe me aeroportin e Vlorës përmes raporteve për mjedisin nga Brukseli dhe aktivizimit të ambientalistëve. Por qeveria i ka tejkaluar me arrogancë disa nga pengesat që i kanë nxjerrë në këtë rrugë. Aeroporti i Vlorës dhe paketa e investimit Zvërnec–Sazan është e vërtetë që e shkëpusin Vlorën nga Shqipëria, por nuk e çojnë as në SHBA, as në Katar. Aty e lënë, por e bëjnë më të fortë dhe më të paprekshme ekonominë e Shqipërisë dhe territorin e saj.

Ndaj Greqia ka të drejtë të jetë e shqetësuar. Çdo vend normal që është i përgjegjshëm në konkurrencën me fqinjët do të ishte shqetësuar. Përveç nesh. Ne jemi të shqetësuar pse kjo gjë ndodh tek ne dhe jo në Greqi.

Të zemëruarit e dytë janë protestuesit e Zvërnecit në Tiranë dhe Vlorë. Nuk dua t’i ngatërroj me Greqinë, se nuk janë të Greqisë; janë tanët. Ata ndoshta s’kanë qenë ndonjëherë në Zvërnec dhe ndoshta s’do të shkojnë kurrë, por ata kanë një kauzë politike përpara. Kanë kuptuar se është rasti që në Shqipëri të ngrihet një e majtë ideologjike antikapitaliste dhe po provojnë gjithë forcat.

Në qendër të protestës është Lëvizja Bashkë, me Arlind Qorrin dhe me Fatos Lubonjën. Ata janë më të qartët, më të pastërtit në kapjen nga të tjerët dhe më agresivët. Të tjerët janë garniturë e tyre. Ata nuk janë të Greqisë. Ata janë tanët dhe janë thellësisht të bindur dhe të qartë që ai investim duhet penguar si një kauzë kundër kapitalit të madh. E ka çdo forcë neomarksiste në botë këtë kauzë dhe nuk duhet t’i paragjykojmë.

E vetmja gjë që nuk shkon është kur përkëdhelen se gjoja dikush po i akuzon si agjentë të Greqisë. Jo, nuk janë agjentë të Greqisë. Greqia është me mendje e shpirt pranë tyre dhe krah tyre, por ata nuk kanë punë me Greqinë. Ata janë më keq. Ata e duan Shqipërinë më keq se ç’e do Greqia, pasi ashtu është kauza e tyre ideologjike. Ndaj mos u shqetësoni prej tyre. Lërini të lirë të protestojnë, të votohen dhe të provohen në këtë kauzë që kanë. Mos i ngatërroni me Greqinë, se fyeni edhe qartësinë e Greqisë kundër këtij projekti.

Të shqetësuarit e fundit janë prokurorët e SPAK. Ata kanë filluar hetimet, sipas njoftimit zyrtar, për pronësinë e tokës dhe fazat ligjore të heqjes nga zonë e mbrojtur dhe kthimit në peizazh të mbrojtur me të drejtë ndërtimi.

Po bëjnë shumë mirë. Sa i përket tokës, e di gjithë Shqipëria si është transformuar pas viteve ’90 në duart e të fortëve, që pastaj e legjitimuan pushtet pas pushteti. Sa për aktet ligjore, nuk më intereson se si i gjejnë. Nëse dikush ka shkelur rregullat, le të përballet me ligjin.

Por një gjë m’u duk shumë e papërgjegjshme në sekuestron konservative të tyre.

Ata i kanë vënë sekuestron konservative kompanisë së Katarit që do të investojë, ende pa nisur punë dhe ende pa hedhur asnjë qindarkë. Pra i kanë bllokuar llogaritë disa miliarderëve, me arsyetimin se po tentojnë të investojnë në Zvërnec. Kjo, nëse nuk është papërgjegjësi, është një dëm me paramendim ndaj një projekti miliardash në Shqipëri nga institucioni më avangard i drejtësisë, i cili pretendon se na ruan nga hajdutët e xhepave që vjedhin ekonominë tonë dhe zbojnë miliarderët e huaj nga vendi, që sjellin 4 miliardë euro të tyre në ekonominë shqiptare.

Dëm më të madh ekonomisë shqiptare nuk mund t’i bëjë as Greqia, as Arlind Qorri, as Fatos Lubonja i 1997-ës dhe i 2026-ës.

Uroj të mos jetë ai “nukli grek” brenda SPAK-ut që arreston këdo që i bie më qafë Belerit, se në këtë rast do t’i dihej edhe më shumë nderi se po i biem vërtet më qafë Greqisë.

Dhe përpjekja për t’i “arrestuar” miliarderët që do të investojnë ende pa ardhur, është e paprecedentë në jurisprudencë, e pakuptueshme në politikën ndërkombëtare dhe shumë e guximshme për një institucion i cili, kur bën gjëma represive, justifikohet se ka folur me ambasadën e SHBA-së apo të BE-së.

Nuk e di me kë kanë folur më 29 maj, por t’i bllokosh dikujt llogaritë ende pa investuar, vetëm drejtësi nuk është. Më së paku është edhe dëm ekonomik ndaj Shqipërisë. Realisht është një sulm politik, njësoj si çdo kush që është trazuar nga projekti i investimit Zvërnec–Sazan. Dhe ata nuk i kemi votuar të merren me politika zhvillimi.

Kakofonia rreth Zvërnecit

By: Mero Baze
31 May 2026 at 20:53

Nga Mero Baze

Ka një kakofoni rreth asaj që po ndodh në Zvërnec, ku përzihen, ose qëllimisht ose nga zelli për protagonizëm, disa probleme të mbivendosura, që janë në shumicë probleme ligjore, të cilat spërkaten pastaj me këtë adrenalinën e sulmeve ndaj investitorëve.

Problemi i investimit në Zvërnec nuk është i ri. Është i së paku para dy viteve, kur Ivanka Trump dhe burri i saj u shfaqën para zgjedhjeve me ofertën për ishullin e Sazanit dhe Zvërnecin me një partner shqiptar.

Nuk pati këtë agresivitet në atë kohë. Madje filluan barcaletat me vlonjatët që rritën çmimet e shtëpive që kanë pamje nga investimi i Trumpit.

Pati më shumë humor dhe mosbesim sesa ndonjë revoltë.

Revolta nisi kur u shfaq gardhi i pronës.

Problemi i pronës në bregdetin e Vlorës, nga Palasa deri në Vjosë, ka një tipologji. Një i fortë i Vlorës i viteve ’90, i quajtur Artur Shehu dhe ndihmësi i tij Pëllumb Petriti, gjatë kohës së pushtetit të parë të PD-së kanë marrë qindra hektarë tokë me vendime për kthim pronësie, i kanë hipotekuar, i kanë legjitimuar edhe në mandatin e dytë të PD-së dhe kanë nisur t’i shesin tek biznesmenë të mëdhenj që kanë pasur mundësi t’i zhvillojnë shpejt dhe ta mbyllin problemin.

Është e qartë që kanë marrë tokë më shumë sesa ka pasur trashëgimi një nga shehlerët e Kaninës para komunizmit, dhe duket se kanë bërë kujdes që në shumicën e pronave të marrin tokë të shtetit, për të shmangur konfliktet me privatët. Pastaj, sa herë kanë pasur probleme me pushtetin, ose u kanë bërë presion për konfiskim, kanë ndarë llokma për njerëz afër pushtetit, biznese të mëdha dhe ia kanë dalë.

Ky është problem ligjor i pronës së tyre, fatkeqësisht i pakontestuar në gjyqe, përjashto disa raste sporadike. Projektet e zhvillimit i kanë dhënë fund dilemave dhe ata kanë shërbyer si garantues të një sistemi korruptiv dhe të tmerrshëm të legjitimitetit të pronave në Shqipëri, njësoj si legalizimet.

Ky problem mund të hetohet, të gjykohet dhe të ndëshkohet pa prekur investitorët. Kushdo që merr këtë iniciativë dhe mund ta fitojë këtë çështje, bëhet përfitues i pronës brenda këtij projekti.

Problemi i dytë është problemi i dhunës së policisë private dhe asaj të shtetit. Ky problem është edhe më i ndjeshmi, pasi ilustrohet me pamje të rënda dhe tregon arrogancën dhe papërgjegjësinë që ekziston në raport me ligjin nga policia e shtetit dhe policia private. Rrëmbimi i një personi nga policia private dhe sherillëku i policisë së shtetit janë tregues të standardeve të dobëta që kemi në raport me liritë qytetare. Kur policia dhe të fortët e policisë private shikojnë se në këtë vend askush nuk pyet për të drejtat e njeriut as kur burgosesh, as kur gjykohesh, as kur ankohesh, bashkohen edhe ata me turmën e arrogantëve. Ndaj ndëshkimi i tyre duhet të jetë shembullor.

Problemi i tretë, për nga radha por i pari për nga rëndësia, është problemi i investitorit. Në fakt, këtu është e gjithë beteja. Dy të vërtetat e para janë ushqim për urrejtjen popullore kundër investimit.

Është njësoj si rasti i Rjollit. Një pjesë e banorëve të fshatit pretendojnë se pronari i tokës është bërë pronar që në kohën e Perandorisë Osmane dhe i ka privuar banorët katolikë nga prona. Por, çuditërisht, ata nuk protestojnë kundër pronarit të tokës, pasi me atë i kanë humbur gjyqet, por kundër investitorit, duke e akuzuar atë për uzurpator. Investitori, në këtë rast, ka bërë një kontratë me pronarin e tokës si ortak dhe është i gatshëm që ato benefite që i merr pronari i tokës t’i marrë kushdo që mund të shpallet pronar aty. Fakti që sulmohet ai është më shumë gjobë ndaj tij sesa përpjekje për “legjitimitetin” e pronës.

Këtu po zhvillohet i njëjti skenar. Nën sulm është investimi. Meqë u vjen pak zor të sulmojnë direkt investimin e lidhur me Ivanka Trump, sulmojnë pronarët e shpallur të tokës që përfitojnë nga ky investim dhe bëjnë sikur e quajnë “rrenë” këtë punën e investitorit të madh.

Është shumë e qartë kush është investitori. Grupi Kastrati është sipërmarrës së bashku me familjen e Ivanka Trump. Në sipërmarrje janë të përfshirë si ortakë përfitues gjithkush që aty ka letrat e tokës. Aty hyn i kërkuari Artur Shehu,Ish gardist i Berishës dhe i larguar nga Shqipëria pas përleshjeve vdekjeprurëse me një bandë të Vlorës më 1998, i kërkuari Pëllumb Petriti, biznesmenë të tjerë shqiptarë të afërm të ish-pushtetarëve e kushdo që ka mundur të përfitojë. Kakofonia që këta janë pronarët realë dhe Jared Kushner e Kastrati janë mbulesë, është pikërisht një përpjekje për të goditur investitorin pa pasur as guximin t’ia zënë emrin në gojë.

Pastaj kemi edhe këtë gjetjen origjinale të Çim Pekës, si ideator i shtypit të familjes Berisha, që akuzon Ramën se qëndron pas protestave, se i vjen frikë ta zbojë Jared Kushnerin vetë. Këtu pastaj shto edhe pak konspiracion izraelit dhe këta aktivistët mund t’i shikosh duke shkuar me flotilje në Zvërnec, duke u çuar ujë pelikanëve që nuk i lë Kushneri të pijnë.

Legjitimiteti i pronave të plaçkitura në Shqipëri nuk vendoset me aktivistë, por me gjykata. Dhe nuk ka gjë më të dështuar në Shqipëri sesa drejtësia. E kuptoj mllefin e çdokujt që nuk ia del dot të përballet me drejtësinë, madje edhe ata që nuk përballen dot me banditët e tokave, por trimëria për t’u vënë gjobë investitorëve, që janë po aq të plaçkitur nga pronarët e rremë sa çdokush tjetër që nuk merr dot pronat legjitime, është e qartë.

Ndaj është mirë që të shmanget kakofonia rreth Zvërnecit. Kurrë nuk duhet ndaluar të kërkohet legjitimiteti i pronës, kurrë nuk duhet ndaluar të kërkohet nga policia dhe të fortët të respektojnë qytetarët dhe të jenë shërbëtorë të bindur, kurrë nuk duhet hequr dorë nga standardet e mbrojtjes së mjedisit dhe të drejtat e qytetarëve për të shijuar bregdetin, por duhet hequr dorë nga kriminalizimi i atyre që investojnë për të zhvilluar vendin dhe ekonominë.

Kjo frymë populiste që po rritet në vend kundër gjoja oligarkëve, është në të vërtetë një mercenarizëm që bën avokatin e atyre që e kanë plaçkitur vendin, e atyre të fortëve që janë bërë pronarë tokash, madje edhe e arrogancës shtetërore, pasi të gjitha këto mëkate zbrazën mbi ata që, në fund të ditës, paguajnë paratë, mbajnë ekonominë dhe mbajnë edhe baltën e shkaktuar nga kakofonia e një anarkizmi të ri.

Ripërpëlitja

By: Mero Baze
29 May 2026 at 19:26

Nga Mero Baze

Sali Berisha po përpiqet të mbajë ndezur shpresat e besnikëve të vet se ndryshimi i vërtetë në PD nuk ka lidhje me ikjen e tij, por me largimin e bashkëpunëtorëve të tij. Kështu, duke hapur fjalë se këtë radhë partia do të “ripërtërihet”, shpreson të ngjallë shpresa tek shumë njerëz që të marrin ndonjë pozicion të avancuar në PD dhe të ndihen të përfillur.

Ajo që po ndodh, më shumë se ripërtëritje, është ripërpëlitje e PD-së. Ripërtëritje do të ishte zëvendësimi i një udhëheqësi të plakur dhe të degraduar me një udhëheqës të ri që e sfidonte atë. Vetëm kështu mund të flisnim për një energji të re në PD.

Kjo që po ndodh i ngjan atyre skenave të zakonshme kur një plak i moshur dhe i drobitur që ecën me bastun, rrëzohet dhe pastaj, për një kohë të gjatë, përpëlitet në tokë për t’u ngritur, derisa vijnë disa djem të rinj, i japin dorën dhe e ngrenë. Por pasi ngrihet, nuk është se ecën më shpejt. Thjesht vazhdon të ecë si më parë.

Partisë Demokratike po i ndodh fiks kjo gjë. Udhëheqësi i saj i plakur është rrëzuar disa herë në 36 vite, madje duke marrë me vete ndonjëherë dhe Shqipërinë, si në vitin 1997. Dhe pasi është përpëlitur për një kohë të gjatë në përpjekje për t’u ringritur, janë gjendur gjithmonë ca njerëz që i kanë dhënë dorën të ngrihet. Por nuk është se ka bërë diçka të re pasi është ngritur. Ka përsëritur zakonet e tij.

Goditjen vendimtare për ta rrëzuar përtokë ia kanë dhënë SHBA dhe Britania e Madhe, duke e shpallur “non grata” për minim të demokracisë, korrupsion madhor familjarisht dhe lidhje me krimin e organizuar. Pas kësaj u përpëlit për pesë vite deri më sot dhe tani shpreson të ringrihet prapë, duke u mbajtur pas rripit të pantallonave të Flamur Nokës dhe fustanit të Albana Vokshit.

Kjo i vlen të marrë fund përpëlitja, por nuk e ripërtërin. As nuk e bën më të ri, as më të fortë dhe as më të besueshëm. E bën thjesht një kufomë që ecën, me kujdesin e vetëm se mos rrëzohet përsëri dhe i duhet të përpëlitet prapë derisa të çohet. Por jo për të fituar. Për të vegjetuar.

Problemi është se Berisha i ka dëshpëruar të gjithë të vetët, përveç Ramës

By: Mero Baze
24 May 2026 at 20:16

Nga Mero Baze

I gjithë sulmi rreth rizgjedhjes së Berishës u fokusua tek fakti që ai po garonte i vetëm dhe se kishte përjashtuar dhe kundërshtarët më formalë në garë. Në fakt atë e kishte menduar mirë. Duke mos lejuar askënd të garonte, ai e çoi debatin për rizgjedhjen e tij tek “rregullat” demokratike të garës dhe tek formalizmi i saj.

Për 35 vite, PD nuk është se ka pasur ndonjëherë ndonjë garë reale për kryetar. E vetmja përpjekje për garë ka qenë ajo mes Sokol Olldashit dhe Lulzim Bashës, por dhe ajo u prish nga ndërhyrja e Berishës duke shantazhuar mbështetësit e Olldashit. Por së paku ishte garë.

Gjithë të tjerat, përfshi dhe garat e Bashës, edhe pse kanë pasur kandidat formal, nuk kanë qenë gara. Kështu që nuk mund të vajtojmë pas 36 vjetësh që në PD nuk ka pasur garë për të zgjedhur kryetarin, pasi një kryetar ka qenë gjithmonë.

Problemi real që kanë këto zgjedhje nuk është mungesa e rivalit të Berishës, por Berisha. Ka pasur herë të tjera në historinë e PD që Berisha ka garuar po i vetëm, por njerëzit kanë pasur shpresë tek ai. Në PD nuk ka njeri respekt për garën si institucion dhe kanë rënë dakord të gjithë që ajo parti nuk ka as rregulla që duhet t’u nënshtrohet Berisha. Mjafton të kujtojmë nenin “Basha” në statut që nuk e lejon Berishën të rikandidojë dhe mbyllet ky debat.

Problemi real është se rizgjedhja e Berishës dëshpëron çdo kënd në PD, dhe ata që e duan vërtet Berishën. Në këto momente, nëse çdo demokrat e pyet privatisht a është i lumtur që do kenë Berishën kryetar, është gati ta shajë me libër shtëpie, por s’kanë çfarë t’i bëjnë. Ky është dëshpërimi i madh që Berisha e ndjen. Madje reflektohet dhe tek fytyra e Flamur Nokës, ku nuk është aq e lehtë të depërtojnë mendimet dhe emocionet.

Për këtë arsye Berisha u përpoq ta orientojë debatin rreth rizgjedhjes së tij tek mungesa e kandidatit. E di që për atë nuk mërzitet askush në PD. Kurse për të ardhmen e zezë me Berishën natyrisht mërziten të gjithë.

Është kjo arsyeja që fjalinë e parë që ai tha pas rizgjedhjes ishte se rizgjedhja e tij “e ka lënë Edi Ramën pa gjumë”. Është fiks ajo që i thotë koshienca e tij për demokratët, për ata që vërtet kanë mbetur pa gjumë nga rizgjedhja e tij, se e dinë që nuk kanë asnjë të ardhme.

Berisha ka një traditë që zgjedhjet i fiton me garë apo pa garë, me rrugë të ndershme apo të pista, por kjo nuk ka shumë rëndësi për të. Në kohë të ndryshme rëndësi ka pasur produkti i zgjedhjes. Produkti i kësaj rizgjedhjeje të Berishës është dëshpërimi i demokratëve. Dhe kjo është vrasja reale e Berishës.

Rizgjedhja e tij është gjëja më kundërproduktive që PD dhe ai vetë kanë bërë në politikë për 36 vite dhe i ka dëshpëruar të gjithë ata që shpresojnë se PD do të vijë një ditë në pushtet.

Dhe dëshpërimi është produkt i humbjes, jo i fitores. Sali Berisha dhe PD kanë humbur thellë nga rizgjedhja e tij.Sali Berisha i ka dëshpëruar të gjithë të vetët. Përveç Ramës.

Mungesa e reflektimit për dështimet e Reformës në Drejtësi mund ta vrasin atë

By: Mero Baze
20 May 2026 at 19:59

Nga Mero Baze

Reforma në Drejtësi nuk duhet lënë të dështojë. Në vitet e para të saj ajo është përballur me një sërë dështimesh, disa prej të cilave janë katastrofike, por një reformë e re do të ishte dhe më keq. Disa dështime të saj duan përgjigje të menjëhershme dhe disa të tjera një reflektim të matur që të jetë afatgjatë dhe jashtë emocioneve politike.

Mungesa e reflektimit për dështimet në Reformën në Drejtësi vjen pikësëpari nga fakti se ajo u konsiderua apriori një vepër konsensuale e klasës politike shqiptare me faktorin ndërkombëtar dhe prekja e saj u kthye në një dogmë, që në fakt po forcon dështimin e saj.

Dështimi i parë i madh i saj është stokimi prej qindra mijëra dosjesh dhe drejtësia e vonuar për qindra mijëra qytetarë, të cilët po marrin një drejtësi shumë më të keqe se ajo para vitit 2016. Praktikisht po u hiqet mundësia të marrin drejtësi.

Këtë katastrofë e prodhoi vettingu i ngadaltë dhe represiv nga një anë, rregullat anormale për zëvendësimin e tyre që ishin të kushtëzuara nga lobime meskine dhe llogari të personalizuara për emra gjyqtarësh që donin të kapnin pozita kyçe në sistem, si dhe superstruktura e rënduar e reformës që kërkonte burime njerëzore disa fish më shumë se më parë.

Të gjitha së bashku, bashkuar dhe hartën e re të gjyqësorit tërësisht të dështuar, kanë krijuar sot një situatë katastrofike në drejtësi. Praktikisht i kemi lënë qytetarët pa drejtësi.

Dje pashë që një nga këto organet qeverisëse të drejtësisë, KLGJ, iu ka kërkuar ndihmë ekspertëve ndërkombëtarë për këtë situatë katastrofike që në fakt është përgjegjësi e saj.

Përse u duhet kërkuar ndihmë ekspertëve të huaj për një banalitet që e kemi prodhuar vetë dhe mund ta zgjidhim vetë? Nëse KLGJ është e paaftë për shkak të nivelit ordiner të anëtarëve, atëherë të shkrijmë KLGJ dhe të ndërtojmë një qeveri të gjyqësorit më të aftë.

Zgjidhja është të ndërhyhet për t’u tërhequr nga dështimet. Fjala vjen, pse duhet mbrojtur me çdo kusht harta e gabuar e gjyqësorit që është një nga shkaqet që ka prodhuar stokun e dosjeve, vetëm se e ka thënë Ulsiu që është propozim i BE? Po mirë, ta zgjidhë Ulsiu me BE. Pastaj pse duhen marrë ekspertë të huaj, serbë a ku di unë çfarë, për këtë marrëzi që e kemi bërë me arrogancën tonë?

E njëjta gjë duhet bërë dhe me shtimin e burimeve njerëzore në drejtësi. Ajo duhet korrigjuar dhe nëse nuk ka më magjistratë, le të aplikohen kritere të ngjashme që fusin në sistem profesorë të drejtësisë apo ish-ekspertë të nivelit të lartë.

Pra është shumë e rëndësishme të kemi një plan B për të reaguar ndaj dështimit. Mbrojtja me çdo kusht e dështimeve, në emër të “mosprekjes së reformës”, është mosprekja e problemit që kemi krijuar dhe një situatë që në fund të fundit vret qytetarin shqiptar që nuk merr drejtësi.

Një aspekt tjetër i dështimit të Reformës në Drejtësi është fryma politike e saj. E gjithë reforma u bazua mbi entuziazmin e ndëshkimit të klasës politike, që përkufizohej si “pandëshkueshmëri”. E vërteta është se drejtësia shqiptare kishte kaluar në ekstrem duke mos trajtuar korrupsionin në nivelet e larta dhe duke krijuar perceptimin e një klase politike të paprekshme.

Por a e zgjidhi Reforma në Drejtësi këtë gjë?

Jo. Reforma në Drejtësi e politizoi më keq këtë situatë, duke vënë në qendër të saj SPAK si një organ represiv dhe duke i dhënë arkitekturës së përgjithshme të Reformës në Drejtësi fytyrën e tij. Ne mund të jemi i vetmi vend formalisht demokratik që kur flasim për drejtësi nuk kemi parasysh gjykatën, por prokurorin.

Kjo ka bërë që SPAK dhe prokurorët e tij, shumica mediokër dhe të paaftë, madje pjesë e sistemit korruptiv, të përjetojnë një superpushtet dhe të kthehen në një qendër politike vendimmarrjeje, me tipare të qarta të një nukli politik.

Shikoni strukturën e SPAK. Investimin kryesor e ka në media dhe në marrëdhënie publike. Fokusin kryesor e ka si të denoncojë paraprakisht të thirrurit për hetime, si t’i diskreditojë ata publikisht ndërkohë që heton dhe madje si t’i ekspozojë si të poshtëruar në një paradë të turpshme para kamerave, duke lajmëruar gazetarët t’i filmojnë, duke shkelur çdo prezumim pafajësie dhe duke i bërë ata të ndjehen të poshtëruar dhe pa shpresë për drejtësi.

Këto janë tipare të një organizate politike dhe jo institucioni drejtësie. Madje këto janë tipare të një linçimi politik me elementë të qartë diktatorialë.

Më tej akoma kemi raste ekstreme të sjelljes së prokurorëve të SPAK të përfshirë në beteja personale me të akuzuarit, duke u përleshur me ta në sallën e gjyqit. Por rasti më ekstrem ka qenë ai kur prokurori i SPAK ka arsyetuar me shkrim se një i akuzuar duhet të qëndrojë në burg, pasi ai ka lobuar me avokatë në SHBA kundër tyre.

Pra me arsyetimin zyrtar që kanë bërë, janë kthyer në kohën kur Enver Hoxha ndaloi avokatin duke e quajtur propagandë, dhe i kanë ndaluar daljen në liri se ai rrezikon të mbrohet.

Kjo nuk është vetëm shkelje e parimit të prezumimit të pafajësisë, por është vendosmëri për t’i cenuar liritë themelore një të akuzuari dhe për ta orientuar gjykimin e tij si element i rrezikshëm pasi kërkon të mbrohet. Kjo është kundër çdo doktrine drejtësie në botë, llogarisni dhe atë të Koresë së Veriut.

Në çdo vend të botës këta prokurorë duhet jo vetëm të liroheshin në sallë të gjyqit, por dhe të shkonin para drejtësisë, ndërkohë që ne jetojmë me kultin e represionit të tyre.

Vendosmëria e prokurorëve për të mos lejuar mbrojtjen e të akuzuarve, futja e tyre në kafaz duke cenuar mbrojtjen efektive në sallë të gjyqit, mosnjohja me aktet ligjore dhe akuzat bazuar mbi dokumente të parëndësishme me qindra mijëra faqe që të jenë të palexueshme, janë veprime të qëllimshme për mos u përballur me kauzat, por me paragjykimet e prokurorëve.

Shikoni debatin mbi kafazin në sallën e gjyqit. Një palë thotë është kompetencë e Drejtorisë së Burgjeve, një palë thotë e gjykatës, por askund nuk është në ligj. Pra është në vullnetin e një gjyqtari apo drejtori.

Ndërkohë askush nuk pyet për të drejtën themelore që ka i akuzuari për mbrojtje efektive, të komunikojë me avokatin dhe të jetë interaktiv në seancë.

Dhe si duhet të reflektohet?

E mira është që Reforma në Drejtësi të konsiderohet një proces që duhet korrigjuar rrugës dhe jo duke pritur katastrofën.

Fjala vjen, nisma për të rregulluar Kodin Penal përfundoi në një situatë banale, ku Ulsiu nga 450 nene bëri 1000 nene, të pakoordinuara dhe me Kodin e Procedurës Penale, ku çdo lëvizje mund të prodhojë një hata të re dhe më të rëndë.

Korrigjimet duhet të jenë kirurgjikale për nga saktësia, me qëllim që drejtësia të mos dalë e vdekur nga ndërhyrja, por të shëndoshet. Dhe ajo duhet të bazohet mbi problemet konkrete që dalin rrugës dhe jo mbi planet e reja të agallarëve të drejtësisë në Shqipëri për të kapur sistemin.

Tani po afrohemi në fazën kur gabimet fatale të bëra në gjykimin e zyrtarëve të lartë do përfundojnë në Strasburg dhe aty reforma do rrëzohet përtokë. Por ajo kërkon reflektim.

Dhe nuk është se nuk ka mundësi të reflektohet, edhe me kaq vendime sa janë marrë. Por që të reflektohet duhet së pari që gjykatat të fitojnë lirinë për t’i urdhëruar me ligj prokurorisë të zbatojë ligjin.

Në seancën e fundit në GJKKO, një prokuror i SPAK e dha me lehtësinë e një kokëboshi që vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë nuk i afekton praktikat e deritanishme. E thënë më thjesht: nuk duam t’ia dimë se çfarë vendimesh marrin gjykatat.

ILD, e cila është trajnuar vetëm për të fjetur, ose duhet vënë në lëvizje ose duhet ndryshuar mekanizmi ligjor që e bën atë përgjegjëse për mosndëshkim të sjelljeve të tilla flagrante kundër drejtësisë.

Pra duhet bërë i gjithë mekanizmi i reagimit ndaj dështimeve në drejtësi aktiv, me qëllim që reforma të shpëtohet.

Nëse vazhdojmë me dogmën që kjo nuk duhet prekur, atëherë do të përballemi jo vetëm me dështimin e reformës, por dhe me pamundësinë për ta korrigjuar atë, duke u kthyer në një gur Sizifi për shoqërinë shqiptare që duhet të rinisë nga e para përpjekjet për një drejtësi evropiane.

Pesë vjet pas “non grata”-s, Berisha e ka mundur SHBA, por do që t’ia blejë certifikatën

By: Mero Baze
19 May 2026 at 18:51

Nga Mero Baze

Sot më 19 maj mbushen pesë vite nga sanksionimi prej SHBA i Sali Berishës me motivin si një udhëheqës që ka minuar demokracinë, është përfshirë në korrupsion madhor bashkë me familjarët e tij gjatë kohës që ka qenë në pushtet dhe ka shantazhuar sistemin e drejtësisë.

SHBA aplikon afërsisht tre lloj sanksionesh: sanksionin e Departamentit të Shtetit bazuar në Seksionin 7031(c) të ligjit të Departamentit të Shtetit, sanksionet e Departamentit të Thesarit dhe urdhrat ekzekutivë të Presidentit, siç quhen në Ballkan sanksionet ndaj personave që ndëshkohen nga Presidenti i SHBA.

Diferenca mes sanksioneve të Departamentit të Shtetit nga ato të Departamentit të Thesarit është se këto të Departamentit të Shtetit bëhen me shpallje publike, kanë karakter politik, nuk mund të ankimohen në proces gjyqësor dhe janë shumë të vështira për t’u revokuar, pasi duhet një argument i fortë politik, gjeopolitik ose interes kombëtar i SHBA që ta ngrijë në heshtje sanksionimin.

Urdhrat ekzekutivë të Presidentit të SHBA kanë të bëjnë me persona që rrezikojnë paqen në rajon dhe krijojnë probleme për stabilitetin rajonal dhe interesin e SHBA.

Pra, e thënë më thjesht, Sali Berisha është sanksionuar jo për ndonjë akt të veçantë, por për gjithë historinë e jetës së tij politike, e cila për SHBA është një minim i demokracisë, ndërsa qeverisja e tij ka qenë një histori e përfshirjes në korrupsion madhor bashkë me familjarët, duke shantazhuar drejtësinë.

Deri më sot nuk ka asnjë rast të anulimit të sanksioneve të Departamentit të Shtetit nga gjithë personat e sanksionuar. Ka disa raste të zbutjes së sanksioneve me kushte nga urdhrat ekzekutivë të Presidentit dhe ata që janë sanksionuar nga Departamenti i Thesarit për abuzime financiare dhe lidhje me krimin e organizuar.

Një i tillë ishte Dodik në Bosnjë, të cilit iu zbutën sanksionet e Departamentit të Thesarit pas bisedimeve për t’u larguar nga politika dhe për t’i hapur rrugën një ndryshimi lidershipi në pjesën e serbëve të Bosnjës.

Ndryshe nga politikanë të tjerë në botë, përballja e Berishës me sanksionet është atipike. Për shumicën e politikanëve sanksionet kanë shërbyer për t’i nxjerrë nga politika dhe për t’i pensionuar, ndërsa për Sali Berishën sanksionet kanë shërbyer për t’u rikthyer në politikën aktive formalisht. Ai ka qenë kryetari në hije i PD dhe pas sanksioneve ai nisi betejën me udhëheqjen e PD për t’u rikthyer duke përdorur struktura paralele në parti për t’i nxjerrë ata jashtë partisë.

Pra Sali Berisha i ka konsideruar sanksionet si sfidë ndaj tij prej SHBA dhe u është kundërvënë qëllimit të tyre, pra nxjerrjes së tij nga politika. Dhe në një farë mënyre ia ka dalë.

Sali Berisha e ka mundur SHBA në këtë pikë. Ai ka treguar se në Partinë Demokratike mes Sali Berishës dhe SHBA zgjidhet Sali Berisha dhe për këtë arsye ai e ka zhvlerësuar sanksionimin e tij nga SHBA. Kjo së paku ka pasur një vlerë të fortë politike për të dhe po i kthehej në identitet politik deri në vjeshtën e vitit 2024, ku gjithë retorikën e tij e kishte mbështetur tek sanksionimi politik prej demokratëve.

Sali Berisha filloi ta humbasë betejën morale kundër SHBA pas fitores së Presidentit Trump, kur pagoi këshilltarin e fushatës së tij kundrejt 6 milionë dollarëve për t’i hequr “non gratën”. Kjo tregoi se fitorja e tij kundër SHBA ishte e rreme dhe ai donte të paguante që ajo t’i certifikohej.

Pas gati më shumë se një viti nga pagesa e tij e shtrenjtë për heqjen e “non grata”-s, ai vazhdon të jetë i sanksionuar, edhe pse përpjekjet për heqjen e saj kanë në dispozicion shumë herë më tepër milionë dollarë se ato që janë deklaruar. Arsyeja është se SHBA duhet të hapë një portë që nuk e ka hapur kurrë deri më sot, jo për ndonjë interes amerikan në rajon, por për krenarinë e një plaku që ka marrë peng PD në Shqipëri dhe u thotë “po nuk m’i hoqët sanksionet, unë do ta vras”. Dhe po ia merr shpirtin ditë pas dite.

Në parimin e politikës së tyre të jashtme, SHBA nuk dorëzohet ndaj pengmarrësit dhe zakonisht i vret ata bashkë me pengjet nëse është nevoja. Kështu që Berisha duhet të gjejë ndonjë mënyrë tjetër t’ua lehtësojë atyre që u ka dhënë milionat që t’ia heqin sanksionet. Rruga më e lehtë është të lirojë pengun dhe të shkojë në shtëpi. Ashtu dhe nëse nuk ia heqin juridikisht sanksionet, ai mund të mbajë lavdinë e sfidimit të tyre duke i mundur para se të bënte pazar me lekë.

E vërteta është se në Shqipëri kjo nuk është më çështje për debat. Madje shumë nga këta që janë në pushtet kanë një dëshirë të fshehtë që sanksionet t’i hiqen me qëllim që të bëhen qesharake si mekanizëm dhe të mos kenë ndikim as për ta në të ardhmen.

Problemi është se SHBA nuk ndodhet para ndonjë interesi kombëtar që mund t’ua përmbushë Berisha apo ndonjë sfide të tij në Ballkan që pazari politik të justifikojë milionat e Berishës nën dorë.

Prandaj është më mirë të vazhdojmë kështu. Sa herë Berisha ka ndonjë hall, mund të hapë fjalë se do t’ia heqin sanksionet derisa shpresa të vdesë e fundit. Siç thotë dhe Berisha: në kilometrin e fundit është.

Pesë vjet pas “non grata”-s, Berisha e ka mundur SHBA, por do

Moralistët që “duan gjak” nga SPAK dhe GJKKO

By: Mero Baze
18 May 2026 at 20:30

Nga Mero Baze

Ka tre lloj moralistësh që duan të mbajnë në këmbë dështimin e drejtësisë së re për të ngritur akuza të besueshme dhe gjykim të drejtë për të gjithë të akuzuarit, sidomos ata me profil të lartë politik.

Një tip moralistësh janë këto mediat e paguara nga të njëjtat programe OJQ që financojnë marrëdhëniet publike të SPAK dhe GJKKO. Këto janë dhe më banalët, pasi janë të vetmet që nuk dyshojnë fare as në akuzat dhe as në praktikën e prokurorëve për të linçuar të akuzuar të veçantë për mllefe personale.

Deri më sot janë të vetmet që mbrojnë paraburgimet masivisht kur ato janë në favor të qeverisë, sulmojnë mediat që bëjnë publike shkeljen e procedurave dhe skandalet në mosrespektimin e ligjit nga GJKKO dhe SPAK për të paraburgosurit, duke i akuzuar si të blera dhe heshtin me admirim për sulmet e Berishës dhe ndonjë opozitari tjetër ndaj SPAK-ut, duke mos u prononcuar për këtë shëmti.

Dmth janë më të shqetësuar nëse Veliaj apo Beqaj ankohen për kafazin, pasi dhe atyre si Olsi Dado u duket hotel me pesë yje, janë të xhindosur që Karçanaj ka të drejtë dhe të flasë në TV, pasi duhet të ishte në burg, dhe dëgjojnë me respekt të sharat për SPAK dhe GJKKO nga opozitarët nën akuzë. Atyre nuk u quhen ndikim mbi drejtësinë. Kjo është një nga propagandat më bajate me pagesë të këtyre moralistëve të Reformës në Drejtësi.

Tipi tjetër i moralistit mbetet Berisha. Ai doli sot para SPAK dhe tregoi që Altin Dumani jeton prej 20 vitesh në një vilë që e ka babai i gruas së tij, të cilit ia ka falur një pastor anglez që ka vdekur, dhe donte të provonte që vila nuk është ndërtuar në vitin 2000 siç thotë Dumani, pasi ai kishte dokument që në vitin 2004 ajo ishte truall.

Dokumenti që ai tregoi në fakt është një blerje formale me letra e truallit ne vitin 2004, ndërkohë që aty shtëpia mund të ishte ndërtuar nga pastori pa leje qysh në vitin 2000 dhe kjo nuk përbën ndonjë hata, pasi në këtë Shqipëri informale jetojmë. Problemi është se kur SPAK akuzon disa ish-zyrtarë të lartë që “shtëpia e vjehrrit tënd është faktikisht e jotja”, pasi të kemi gjetur aty lodrat e djalit, duhet të ketë këtë kriter dhe për veten e vet, kur jeton 20 vite në shtëpi të vjehrrit duke pasur dy apartamente të tjera që i jep me qira.

Kjo përbën një lloj debati moral, por jo ligjor. Altin Dumani është në të drejtën e tij të jetojë 20 vite në shtëpi të vjehrrit, jo vetem te lere aty lodrat e femijeve por dhe ti lind e rrit aty, derisa është shtëpi e babait të gruas së tij. Askush nuk ka të drejtë të dyshojë për këtë. Por as ai nuk ka të drejtë të dyshojë për të tjerët vetem se ka gjetur lodrat e nipit tek gjyshja në mungesë të fakteve të tjera. Ndryshe pastaj bëhet dhe ai si Saliu.

Grupi i tretë i moralistëve janë këta që shajnë e mallkojnë Top Channel pse i ka ofruar Mirlinda Karçanajt intervistë dhe pse Grida Duma nuk e ka kapur për flokësh ta shtrinte për tokë atë “hajdute”. Që Karçanaj është para një telashi të vërtetë ligjor me atë që kanë ndodhur në AKSHI, është e qartë, dhe që hetimet po shkojnë përditë e më thellë drejt skandaleve që kanë ndodhur aty me nënkontraktorët, është e qartë.

Por nuk e kuptoj çfarë pune i ka prishur drejtësisë apo moralit publik fakti që një e akuzuar është lënë të flasë çfarë ka dashur. Ka ndikuar, SPAK? Jo! Përkundrazi, i ka shtuar inatin. Ka ndikuar GJKKO? Jo! Përkundrazi, mund ta ketë motivuar më shumë.

Nëse do kishte këshilltarë të mirë, mund dhe të mos dilte fare, por për të mirën e saj, jo për të mirën publike. Shfaqja në media e një individi nën akuzë është vendim personal dhe lidhet me hallet e tij. Top Channel apo kushdo tjetër që i zgjat mikrofonin një të akuzuari nuk është se e shpëton atë apo e pastron nga akuzat, siç thonë moralistët. Nëse ai vërtet ka argumente bindëse që po akuzohet kot, atëherë media ka bërë një shërbim publik. Nëse jo, atëherë i akuzuari ka bërë një vetëvrasje publike. Por asgjë nga këto nuk ndikojnë mbi drejtësinë.

Drejtësia është e ftohtë dhe duhet të ketë punë vetëm me ligjin, me nenin dhe gërmat e tij.

Pikërisht pse prokurorët dhe gjyqtarët tanë e kanë mendjen tek media dhe jo tek ligji, nxisin apo provojnë dhe fushata të tilla moraliste. Se po të ishin në rregull me ligjin, po të mos paguanin media moraliste, OJQ apo portale fundërrinash që të linçonin viktimat e tyre, do shiheshin si njerëz të respektuar të ligjit dhe jo si sponsorë portalesh. Do t’u binte më mirë të ishin vetëm prokurorë dhe gjyqtarë.

❌
❌