Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayJava News

Big Brother Politics, edicioni i paraburgimit

23 December 2025 at 10:06
Nga Ornela Çuçi

Meqë politika shqiptare ka hyrë zyrtarisht në fazën e paraburgimit, arrest-shtëpisë, detyrim-paraqitjes dhe monitorimit 24/7, ndoshta është koha ta bëjmë më në fund transparente, andaj propozoj:
SUPER BIG BROTHER, një reality show politik, pa skenar. Skenarin e kanë konsumuar pjesëmarrësit prej vitesh.
Koncepti:
Një shtëpi e vetme.
Kamera 24 orë.
Banorë që, për herë të parë, nuk flasin për popullin,
por jetojnë si populli, me rregulla, me orare, pa shofer, pa imunitet, pa “një telefon që ta marrin gjithë dynjanë në qafë”.
Zë do të ketë boll. Sepse aty ku pushteti rrëshqet,
fjalët shtohen. Justifikimet gjithashtu.
Pse do të ishte më i suksesshëm se çdo fenomen televiziv? Përfshirë këtu Luisin.
Sepse këta janë personazhe që publiku i njeh prej 30 vitesh, jo të panjohur VIP që hyjnë për famë apo se janë pabuksa thjesht.
Sepse nuk janë aktorë, janë produkte reale të pushtetit, dhe e luajnë veten pa nevojë për regji. E aktorë më të mirë nuk ke ku gjen.
Sepse publiku nuk ka më nevojë për dramë dashurie,
por për dramë drejtësie. Gati është të shqyeje në çdo kohë.
Dhe sepse ky format nuk ka nominime nga banorët,
por nga realiteti ligjor, me sa duket I vetmi deri tani që nuk negocion.
Dhe sepse ata kanë ende shumë për të dhëne.
Rubrikat kryesore
• Dhoma e Rrëfimit → ku flitet pafund, por nuk pranohet asgjë
• Sfida e Javës → të jetosh pa u justifikuar
• Prime Time → justifikime live
• Eliminimi → jo me SMS, por me dosje
Një Big Brother pa fitues. Fituesit i kemi parë tashmë.
Mesazhi publik: Ky nuk është show argëtimi. Është edukim qytetar.
Suksesi i garantuar
Shqiptarët e kanë ndjekur politikën si serial tragjik për dekada. Me role të njëjta, dialogë të njëjtë, dhe fund që nuk vinte kurrë.
Tani është koha ta shohin pa montazh.
Sepse kur drejtimi i një vendi shndërrohet pa asnjë turp në format televiziv, problemi nuk është më as paraburgimi, as kamerat. Problemi është se kjo na duket krejt normale.
Dhe ky është ndoshta dënimi më i madh, jo për ata brenda shtëpisë, por për ne jashtë saj, që jemi mësuar ta quajmë këtë realitet.

Ne, triumfuesit e betejave virtuale

20 November 2025 at 17:57

Nga Ornela Çuçi 

Çdo mëngjes bëj të njëjtin ritual ekzistencial. Shkoj në punë. Ngjitem në makinë, hyj në një trafik që më dredhon nervat si kaçurrela, dhe kuptoj se sa pak kërkon kjo shoqëri nga vetja. Nga shtëpia deri te QTU jam mësuar, 13 km në varësi të orës, 30-50 minuta.  

Por pastaj fillon absurdi. 2.2 km deri në Universitet. 30-50 min, pa asnjë varësi nga fasha orare. Dy kilometra e pak, dhe gomat fundosen brenda gropave bashkë me gjysmën e makinës. Nuk është metaforë. Janë gropa reale, që ruhen nga mirëmbajtësit e tenderuar të rrugëve, si monument kulture. 

Dhe ndërsa unë llogaris amortizimin tim, jo vetëm kohë e nerva, por edhe para, mendoj…. 

Po bizneset që mbajnë ekonominë gjallë në këtë arterie të harruar? Arteria kryesore e vendit…. Sa e paguajnë ata? 

Dhe pastaj më vjen reflektimi i zi i çdo dite.  

Askush nuk flet. Askush. 

Sepse jemi popull që ka vendosur të jetë dele me vetëdije. Që sheh, pëson, pranon, dhe pastaj nis ditën si të mos kishte ndodhur asgjë. 

Ironia? 

Ata që nuk kanë nevojë për qeverinë për asgjë, ata që janë të paguar mirë, me staf, me kapacitet, me platformë për të protestuar, janë më të heshturit nga të gjithë.  

Dhe pastaj ne vazhdojmë t’i shqyejmë njerëzit në Facebook. Presim të dalë ndonjë emër te SPAK që të kemi për çfarë të shpërthejmë sërish në rrjete sociale. Protestojmë vetëm aty ku nuk rrezikojmë as shoferin e furgonit, as pronarin, as qeverinë, as opozitën, as qetësinë tonë prej të nënshtruarish. 

Rrugën nuk e rregullojmë dot.  

Por virtualisht e shpëtojmë vendin çdo ditë. 

 

The post Ne, triumfuesit e betejave virtuale first appeared on JavaNews.al.

Kur tymi nga djegia e mbetjeve në landfillin e Vlorës ngrihet mbi qytet

7 June 2025 at 14:49
Nga Ornela Çuçi
Kur tymi nga djegia e mbetjeve në landfillin e Vlorës ngrihet mbi qytet, nuk është më vetëm një erë e keqe, është një metaforë për gjithçka që djegim çdo ditë në këtë vend: shëndetin, turizmin, transparencën, dhe të ardhmen.
Në vend që të riciklojmë plastikën, po riciklojmë premtimet, siç edhe në këtë fushatë zgjedhore. Në vend që të mbledhim mbetjet, po mbledhim grimcat e dioksinave në mushkëri. Dhe ndërkohë që flitet për 12 milionë turistë, ata dhe gjithë banorët e Vlorës sot frymojmë PAH, PCB, dhe grimca PM2.5 në doza që as libri i toksikologjisë nuk i përballon pa maskë.
Dioksinat nuk kanë nevojë për pasaportë europiane për të hyrë në gjakun tonë, as për tender publik për të na dhënë kancer. Dhe plumbi që emetohet sot në Vlorë? Ai vendoset në tru të fëmijëve më shpejt se çdo plan mësimor.
Landfilli i Sherishtës nuk është më një problem teknik. Është një simbol tragjik i paaftësisë për të menaxhuar të djeshmen pa djegur të nesërmen.
Nëse ka një erë që s’mund ta mbulojë më as deti i Jonit, është ajo e politikes që digjet në të njëjtin zjarr me plehrat. Dhe siç ndodh gjithmonë, ata që frymojnë më shumë janë ata që kanë fajin më pak.
Ndërkohë, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit krijoi një Agjenci Kombëtare të Mbetjeve, jo për të ndaluar djegien e plehrave, por ndoshta për të djegur ndonjë listë të re pagash. Sepse Shqipëria nuk ka nevojë për një sistem funksional të mbetjeve, ka nevojë për disa vende pune dhe ca fonde ndërkombëtare të reja për të justifikuar “angazhimin”.
Dhe kur tymi ngrihet, fondet zbresin rafishatë në manaxhim të ministrisë. Ironike, apo jo?
Sa për kryetarin e bashkisë, i ngarkuar me përgjegjësinë ligjore për të menaxhuar dhe mbrojtur qytetin nga ndotja, ka zgjedhur ta denoncojë landfillin në prokurori, si të ishte ndonjë kalimtar i rastësishëm që u kap i papërgatitur nga zjarri.
Edhe këtë vit ka vendosur që të ndjekë dikë në drejtim të paditur!
Po të mos e dinim që është vetë përgjegjës për menaxhimin e tij, do mendonim se e paska djegur ndonjë turist i dehur dhe jo paaftësia e institucioneve që kanë dekada që e mbulojnë problemin me baltë e më pas me zift.
E ndoshta ndonjë ditë do kuptojmë që flakët e landfillit nuk janë vetëm pasojë e mbetjeve, por e indiferencës sonë kolektive që digjet ngadalë, pa tym, por me pasoja shumë më të rënda.

The post Kur tymi nga djegia e mbetjeve në landfillin e Vlorës ngrihet mbi qytet first appeared on JavaNews.al.

Shqipëria paralele e të rinjve të heshtur

30 April 2025 at 10:38

Nga Ornela Çuçi

Në Shqipëri kemi një zakon të keq: fajësojmë rininë për gjithçka — “s’kanë vullnet”, “nuk mësojnë”, “rrinë vetëm në TikTok”… dhe ndërkohë edhe jua mbyllim TikTok-un.

Po ku e kemi kërkuar këtë rini që na mungon? Se mua më del përpara çdo ditë. E gjej tek djali i hidraulikut që punon 14 orë në ditë e pastaj vjen në universitet e më tregon se ç’është përgjegjësia. E gjej tek vajza e asaj gruas që punon në furrë, që ngrihet në katër të mëngjesit, dhe kur ne akoma jemi në fazën REM, ajo është në fazën “letër A4, 12 font, spacing 1.5”. E gjej tek fëmijët e mësuesve që s’kanë mik në parti, por kanë tru në kokë.

Dje, në prezantimet e provimeve të gjysmë-semestrit, u ndjeva si student, jo si pedagog. Sepse ka raste që studentët tanë na edukojnë më shumë nga ç’provojmë ne t’i edukojmë ata. Dhe kjo është e bukur. Dhe pak e turpshme, nëse jemi të sinqertë.

Por kjo rini ka nevojë për diçka që ne shpesh e harrojmë: hapesirë. Jo për të parkuar tek kafja, por për të qenë vetja. Për të bërë pyetje të vështira, për të gabuar, për të eksploruar. Dhe ne që jemi më “rritur”, duhet të bëjmë pak më shumë vend… në mendje, dhe mbase edhe në karrige…

Kam pasur alergji gjithmonë ndaj atyre profesorëve që thonë “10 është për veten time”. A thua se është byrek me spinaq që do e çosh në shtëpi. Dija nuk është për t’u ruajtur në raft, është për t’u shpërndarë si buka e ngrohtë në furrë. (Pa radhë, nëse është e mundur.)

Nëse vërtet duam të ndryshojmë këtë vend, le të fillojmë duke edukuar ata që edukojnë. Pedagogët dhe mësuesit. Të mos jenë thjesht njerëz me tituj, por njerëz me zemër, me prani, me dëshirë për të mësuar edhe mbi të gjitha të kuptojmë se jetojmë në vitin 2025 – e jo vetëm të jetojnë në kujtimet e vitit kur morëm diplomën.

Sepse rinia jonë nuk ka nevojë për leksione — ka nevojë për udhëzime, besim dhe… pak hapësirë për të marrë frymë. Dhe kur ua jep këtë, bëjnë mrekulli.

Dua të besoj se në ndonjë univers paralel, edhe trasta e “10-ave” është kthyer në çantë që hapet e shpërndahet, jo që mbahet si thes me thesare personale.

Në këtë universin tonë, unë ende po përpiqem.

The post Shqipëria paralele e të rinjve të heshtur first appeared on JavaNews.al.

Zgjedhjet dhe zgjidhjet: A është rendi botëror në tranzicion

7 December 2024 at 16:41

Nga Ornela Çuçi

Teksa njerëzimi po kalon nëpër revolucionin e katërt industrial, ky vit, mund të themi pa mëdyshje, paraqet edhe një udhëkryq historik. Zgjedhjet në mbarë globin po formësojnë themelet e një epoke të re. Rendi botëror sikurse e njohim ne në Shqipëri, në Bashkimin Europian dhe në mbarë botën perëndimore, po luhatet shumë. Pas dekadash dominimi nga unipolariteti i udhëhequr nga SHBA, bota po hyn në një epokë të re, ku fuqi të tjera globale po kanë nisur t’i rivizatojnë vijat e ndikimit. Ky tranzicion nuk ka të bëjë vetëm me ndryshimin e pushtetit, por edhe me krijimin e strukturave të reja të bashkëpunimit, partneriteteve dhe kristalizimit kush është kush dhe me kë (s’)është?

Trump 2.0 dhe rendi botëror

Në këtë kuadër, pas fitores së tij të thellë, presidenca e dytë e Trump-it mund të sjellë ndryshime të thella për rendin global, veçanërisht për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe sigurinë globale. Qasja e Trumpit ka qenë shpesh egocentrike, duke sfiduar dhe tërhequr SHBA-në nga disa institucione, aleanca apo marrëveshje shumëpalëshe ku më domethënësja është pikëpyetja e prezencës në NATO dhe iniciativa që synojnë të frenojnë ndikimin e Kinës, përfshirë AUKUS dhe Quad. Edhe pse mund të jetë e pamundur që Trump të shkatërrojë këto angazhime, mund të shohim një rritje të tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe një presion të shtuar ndaj aleatëve të ngushtë për të mbështetur interesat e tij strategjikë, sidomos ato që kanë të bëjnë me Kinën.

Në Lindjen e Mesme, Trump ka ndjekur një politikë të ashpër, përfshirë mbështetje të fuqishme për Izraelin dhe tërheqjen nga marrëveshje si ajo me Iranin. Nëse ky kurs vazhdon, mund të shohim një intensifikim të tensioneve rajonale, duke çuar në një pasiguri të mëtejshme për aleatët e SHBA-së dhe stabilitetin e përgjithshëm të rajonit. Të gjithë mendojnë, Iranin, Libanin, Palestinën por në fakt nëse do të shohësh në miniaturë sesi zhvillohet përplasja e forcave gjeopolitike duhet të ndjekësh Sirinë. Ky vend mban termometrin që mat temperaturën e përplasjeve të shumë aktorëve. SHBA-ja, Rusia, Turqia dhe Izraeli ndodhen në fushën e shahut të Sirisë. Aty përleshen mes tyre edhe me forcë edhe me strategji.

Në lidhje me NATO-n, kërcënimi për dobësimin e bashkëpunimit transatlantik mbetet një shqetësim i madh. Dhe kjo më së shumti do të reflektohet në konfliktin Rusi-Ukrainë. Nëse Trump mbyll “bankomatin” për të financuar qëndresën ukrainase Evropa do të duhet të zgjidhë thesin e parave që e mban gjithnjë me grykën pak të hapur. Ai ka shprehur përbuzjen ndaj NATO-s dhe kjo mund të ndikojë në mënyrën sesi aleatët do të përballen me kërcënimet e jashtme, duke e bërë të pasigurt të ardhmen e aleancës dhe sigurinë globale në përgjithësi.

Dy polet gjeopolitike dhe rendi i ri botëror

Bota po futet në një epokë polarteti, ku dy sisteme të mëdha me qeverisje, partneritete dhe ekonomitë e tyre po marrin formë. Nga njëra anë, Perëndimi, i udhëhequr nga SHBA dhe aleatët tradicionalë, synon të ruajë një sistem të hapur global të bazuar në rregullat e krijuara pas Luftës së Dytë Botërore. Nga ana tjetër, Rusia, Kina, India dhe një grup vendesh të tjera krijuan BRICS-in një forum ndërshtetëror politiko/financiar.

Tashmë antidoti amerikan, binomi Rusi – Kinë, ka përftuar rrugës edhe shtete e aleatë të tjerë kanë ndërtuar një partneritet strategjik që është në nivelin më të lartë historik. Ky bashkëpunim nuk është vetëm ekonomik por edhe ideologjik, duke synuar të sfidojë dominimin perëndimor në fusha si teknologjia, tregtia dhe politika ndërkombëtare. Brazili, Indinë dhe Afrikën e Jugut, po shndërrohet në një platformë kyçe për këto ndryshime.

Brazili, nën drejtimin e presidentit Luiz Inácio Lula da Silva, është bërë një partner i rëndësishëm për Kinën, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe si furnizues i lëndëve të para. Kina, e cila ka nevojë për rezervat strategjike për industrinë e saj në rritje, po ndërton partneritete të forta me vendet e Jugut Global për të siguruar aksesin në burime.

Lufta e parë financiare botërore?

Ky tranzicion nuk ka të bëjë vetëm me ndryshime në gjeopolitikë, por edhe me një “luftë të parë financiare botërore”. Kina dhe Rusia kanë filluar të zhvillojnë sisteme të reja pagesash dhe monedhash që synojnë të shmangin dominimin e dollarit amerikan. Në Kazan, janë hedhur bazat për një rrjet alternativë financiare globale, duke sfiduar kontrollin perëndimor mbi tregjet ndërkombëtare.

Ndërsa Jugu Global përpiqet të qëndrojë neutral, vende si India dhe Brazili po lundrojnë me kujdes midis dy blloqeve, duke shfrytëzuar avantazhet e tyre strategjike për të mbajtur një pozicion të pavarur por shumë me interes nga ana e përfitimeve ekonomike në tregje. Ky ekuilibër delikat mund të përcaktojë dinamikën globale në vitet që vijnë.

Një botë pa rregulla universale?

Në këtë realitet të ri, rendi botëror është në një fazë tranzicioni të thellë. Struktura të reja po marrin formë, ndërsa rivalitetet e mëdha po përshkallëzohen. Në këtë periudhë pasigurie, mbetet e paqartë se cili rend do të mbizotërojë. A do të shohim një botë të ndarë në dy blloqe, të ngjashme me Luftën e Ftohtë, apo një botë të fragmentuar ku fuqitë rajonale dhe aktorët më të vegjël diktojnë agjendën?

E sigurt është se epoka e të parit mes më të fortëve ka përfunduar. Tranzicioni global është në zhvillim, dhe të gjithë lojtarët e mëdhenj po përgatiten për rolin e tyre në këtë rend të ri.

Në çdo epokë ka një ftesë për të ndërtuar një botë të re, shkruante dikur filozofi dhe dhe poeti amerikan Henry David Thoreau. Kjo do të ishte padiskutim thirrja më e mirë për ta parë këtë moment të pasigurt si një mundësi për të krijuar një të ardhme tjetër, të ndryshme nga e sotmja.

The post Zgjedhjet dhe zgjidhjet: A është rendi botëror në tranzicion first appeared on JavaNews.al.

Vrasja e të miturit / Bota jonë nuk dënon, por lëvdon dhunën

19 November 2024 at 11:18

Nga Ornela Çuçi

Shoqëri në krizë, jo thjesht në tranzicion

Përgjatë gjithë ditës dje, e kam më fort se kurrë dëshirën të iki nga sytë këmbët nga ky Shqipëria. Për herë të parë që kur jam rikthyer, dje kam dashur të mos i mbaj më asnjë sekondë fëmijët e mi në këtë vend.

Dje, të gjithë në u zgjuam me një tjetër lajm tragjik. Një djalë 14-vjeçar humbi jetën në një sherr brenda një shkolle, viktimë e një konflikti të nisur në rrjetet sociale.

Ky ishte lajmi që, më tepër se një njoftim, ishte një përkujtim i asaj që ndodh çdo ditë në shkollat tona. Tmerre të pafundme, pjellë e një shoqërie e cila ka humbur udhën.

Fajet për këtë nuk mund t’i kenë asnjëherë fëmijët, paçka se ai që kreu aktin makabër ishte një fëmijë. Ato i kemi të gjithë ne, bashkë.

Ne të gjithë që ju krijojmë idenë çdo ditë që paraja e lehtë është vlerë. Ne që i rrisim në familje me idenë që je goxha burrë vetëm nëse qëndron sa më pak në familje e sa më shumë në qejfet e tua. Ne të gjithë që tregojmë se një “i fortë” ka nën hyqëm 100 “të shkolluar”. Ne që i ushqejmë me dëshirën për tu bërë drejtor ditën e parë të punës, e kur të bëhesh drejtor do të mund ta mbash atë pozicion nëse promovon nëpër fushata elektorale modelet që do t’u ngjajnë këta fëmijë, fëmijët tanë.

Kultura që ushqen dhunën

Pse ndodhin këto gjwra në Shqipëri? Apo mw saktw, pse ndodhin kaq shpesh dhe ngjajnw kaq tw natyrshme? Sepse jetojmë në një vend ku dhuna nuk dënohet, por shpeshherë ajo glorifikohet. Kur djemtë e mi filluan adoleshencën fillova të mësoj këngët që i zgjonin në mëngjes ata. I di kaq shumë këngë të tyre dhe tw gjitha kanw dhunw e krim pwrbrenda.

“Unë, unë i kam dy hekra mrena çantës, për me i la hesapet e mesnatës; për me dalë makinat janë the fastest; ti ma njeh ekipin, we the hardest”, thotë një prej tyre. Më kujtohet si sot momenti kur e kisha dëgjuar për herë të parë. Në fillim s’e kuptoja çfarë po thoshte. Dëgjoja vetëm melodinë. Por, kur bëra lidhjen e fjalëe, u tmerrova. Ishte një thirrje e hapur për posedim e përdorim armësh, për qërim hesapesh. Pra, për të bërë krim.

Natyrisht, të tilla tekste nuk mund të bëhen këngë vetëm në shqip. Por, vetëm në shqip ato janë pjesë e përditshmërisë së fëmijëve të të gjitha moshave, padallim.

Këta jemi ne. Një shoqëri ku këngët që promovojnë krimin dëgjohen kudo dhe në çdo kohë. Përtej përditshmërisë, jo rrallëherë ato kanë shoqëruar edhe fushatat zgjedhore të partive politike. Krimet që janë kryer gjatë tyre ngjajnë si kobe të paralajmëruara në po ato këngë.

Kemi krijuar ne këtë atmosferë, ku një zënkë në rrjetet sociale është më shumë se një keqkuptim – ajo është një pasqyrim i tensioneve të pashprehura që ne, si shoqëri, nuk i kemi adresuar kurrë. Këto tensione janë si plagë të hapura që dalin në sipërfaqe aty ku duhet të kishte paqe: në shkolla, në sheshe lojërash, në biseda mes miqsh.

Po shkolla?

Një rrëfim i trishtë, aq sa sado t’i rrisësh rrogën zyshave, nuk ia rrit dot mesataren e shkollës 9-vjeçare asnjë qeveri. Sepse po, në mësuesi kanë shkuar përgjatë 30 viteve të fundit shumica nxënës që e kanë pas të vështirë shumë shkollën e mesme në fakt (pa i përgjithësuar plotësisht, por ky është realiteti i shumicës). Sepse po, universitetet e rretheve që kanë pas në fokus mësuesinë, të gjithë e dimë se kanë funksionuar si miniera për stafin e tyre.

Shkollat tona nuk e kanë aspak fokusin në formimin e individit, sepse të gjesh një vend si mësues në një shkollë afër qendrës, do të duhet të kesh edhe kontribut partiak, jo vetëm professional. Nëse nuk e ke te plotë aftësinë profesionale, nuk përbën problem. Ke mikun e fortë. Sepse të fortët e të gjitha niveleve janë faktor.

A mund të presim fëmijë paqësorë kur rreth tyre të gjitha modelet promovojnë të kundërtën? Kur mediat japin hapësirë për të lavdëruar ata që kanë “zgjidhur konfliktet” me armë? Kur sukseset shihen si rezultat i arrogancës dhe jo i punës? Kjo tragjedi nuk ndodhi vetëm nga një fjalë e nxituar mes dy fëmijëve. Ajo është produkt i një shoqërie ku dhuna është normalizuar dhe ku vlera shihet si dobësi.

 Nevoja për një zgjim kombëtar

Nëse ky vend do të ketë një të ardhme, atëherë duhet të ndalemi këtu. Kjo humbje e një jete të pafajshme duhet të na zgjojë. Duhet të shohim më thellë dhe të pranojmë përgjegjësinë tonë kolektive. Nuk është vetëm faj i shkollës që nuk ndërhyri, as i familjeve që nuk e parashikuan këtë konflikt. Është faji i një kulture që nuk vlerëson jetën e njeriut, që ushqen dhunën si një mënyrë për të fituar respekt.

E vramë të gjithë ne atë fëmijë, në atë shkollë. Edhe fëmijës tjetër, që përdori thikën, ia shkatërruam ne jëtën, të ardhmen, e vramë për së gjalli.

Të gjithë!

Ne!

❌
❌