Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayJava News

Si të mësojmë në erën e inteligjencës artificiale?

15 May 2026 at 19:56

Nga Prof.Asc.Dr.Pëllumb Karameta

Ka një ndryshim që po ndodh në heshtje. Nuk shpallet si revolucion dhe nuk hyn në jetën tonë me zhurmë. Ai përhapet ngadalë në mënyrën si shkruajmë, si komunikojmë, si mësojmë dhe, ndoshta më thellë se kaq, në mënyrën si mendojmë.

Për një kohë shumë të gjatë, njeriu ka jetuar me një rend të natyrshëm: fillimisht vinte mendimi, pastaj fjala. Për të thënë diçka duhej ta ndërtoje më parë në mendje. Mendimi ishte kërkim, dyshim, provë, lidhje idesh në një strukturë kuptimore. Fjala ishte fundi i një procesi të brendshëm. Një fjali e qartë ishte shenjë e një mendimi të ndërtuar.

Sot, për herë të parë në historinë njerëzore, kjo renditje po ndryshon. Fjala mund të vijë përpara mendimit. Inteligjenca artificiale mund të prodhojë në pak sekonda ese, analiza, argumente, formula dhe shpjegime me një saktësi që deri dje do të kërkonte orë të tëra pune mendore. Kjo është një nga arritjet më të mëdha teknologjike të kohës sonë. Por bashkë me të po lind edhe një pyetje shumë më e thellë se vetë teknologjia: A po zhvillohet mendimi, apo po zëvendësohet gradualisht nga forma e paraqitjes së tij?

Në pamje të parë, gjithçka duket si përparim i pastër. Përgjigjet janë më të shpejta. Tekstet më të rregullta. Shpjegimet më të qarta. Prezantimet më bindëse. Një mesazh shkruhet më lehtë. Një koment tingëllon më i menduar se sa është. Një shpjegim duket i plotë pa kaluar domosdoshmërisht përmes reflektimit. Por pas kësaj lehtësie të re, po ndodh diçka më e heshtur: procesi i ndërtimit të mendimit po fillon të anashkalohet. Dikur, një fjali e mirë ishte shenjë e një mendimi të ndërtuar. Sot, një fjali e mirë mund të merret e gatshme. Dhe ky është një ndryshim shumë më i madh sesa duket.

Sepse kuptimi nuk është vetë fjalia që komunikojmë. Nuk është korrektësia formale dhe as rrjedhshmëria e gjuhës që përdorim. Kuptimi është rruga që çon te fjalia. Është procesi i brendshëm ku mendja organizon marrëdhëniet ndërmjet ideve, teston lidhjet, korrigjon gabimet dhe ndërton struktura që e bëjnë na mundësojmë të kuptojmë botën. Ky proces kërkon kohë. Kërkon përpjekje. Përfshin pasigurinë. Dhe pikërisht këto elemente e bëjnë të pazëvendësueshëm. Sepse në këtë proces ndërtohen lidhjet që e bëjnë mendimin të qëndrueshëm dhe të përdorshëm në situata të reja.

Kur përgjigjja merret e gatshme, kjo rrugë mund të shmanget. Dhe kur shmanget vazhdimisht, mendimi fillon të ndryshojë funksion. Ai mbetet në nivelin e përdorimit të formës, jo të ndërtimit të përmbajtjes. Kjo krijon një dukuri të re: iluzionin e kuptimit. Një tekst mund të duket i përsosur, pa qenë rezultat i reflektimit të thellë. Një argument mund të tingëllojë bindës, pa kaluar përmes përpjekjes për ta kuptuar atë. Një përgjigje mund të jetë e saktë, pa qenë realisht e ndërtuar në mendjen e atij që e përdor.

Kjo ndihet sidomos në arsim. Sot, një nxënës ose student mund të japë një përgjigje të plotë, të rregullt dhe të saktë. Gjithçka duket në vendin e vet. Por nëse ai nuk arrin ta përdorë këtë përgjigje për të analizuar një situatë të re, për të shpjeguar një dukuri që nuk e ka parë më parë apo për të krijuar lidhje të reja ndërmjet ideve, atëherë diçka mungon. Dhe ajo që mungon nuk është fjala. Është mendimi.

Këtu qëndron dallimi ndërmjet marrjes së menjëhershme të përgjigjes dhe ndërtimit të kuptimit. E para lidhet me aksesin, e dyta me procesin. E para është e menjëhershme, e dyta kërkon kohë. Pikërisht për këtë arsye, ndërtimi i mendimit mbetet baza më e qëndrueshme e të kuptuarit. Zhvillimet teknologjike po e thellojnë edhe më shumë këtë ndryshim. Inteligjenca artificiale nuk ndalet më vetëm te gjuha. Ajo po hyn në mënyrën si perceptojmë botën. Informacioni nuk kërkohet gjithmonë; ai shfaqet. Sugjerimet nuk kërkohen; ato ofrohen. Përgjigjja fillon të ecë përpara pyetjes.

Dhe pikërisht këtu qëndron rreziku më i madh. Jo se teknologjia gabon. Përkundrazi, ajo funksionon shumë mirë. Jep përgjigje të sakta, orientime të dobishme dhe përmirëson performancën. Por kur lidhjet ndërmjet ideve ofrohen vazhdimisht të gatshme, mendja nuk detyrohet më t’i ndërtojë ato me të njëjtën përpjekje. Nga kërkimi kalojmë te pranimi. Nga ndërtimi kalojmë te përdorimi i gatshëm. Në këtë zhvendosje, mendimi fillon të humbasë funksionin e tij ndërtues. Njeriu mund të fillojë të përdorë ide që nuk i ka ndërtuar përmes mendjes së tij. Mund t’i artikulojë bukur, por jo domosdoshmërisht t’i zotërojë. Mendimi bëhet më i shpejtë, por më i cekët; më elegant në formë, por më i dobët në strukturë.

Në epokën e inteligjencës artificiale, edhe roli i mësuesit merr një rëndësi të re. Për herë të parë, mësuesi nuk përballet vetëm me mungesën e informacionit, por me teprinë e përgjigjeve të gatshme. Kjo kërkon një rol të ri profesional. Mësuesi nuk mund të mbetet vetëm transmetues informacioni. Ai duhet të bëhet organizues dhe ndihmës i nxenesit që ky të mendojë fillimisht. Inteligjenca artificiale mund të jetë ndihmë e jashtëzakonshme në arsim. Ajo mund ta ndihmojë mësuesin të reflektojë mbi strategjitë didaktike, të analizojë metoda, të përmirësojë planifikimin dhe të krijojë situata më të pasura nxënieje. Mund ta ndihmojë nxënësin të krahasojë shpjegime, të kontrollojë arsyetimin dhe të riformulojë mendimin e vet. Dhe kjo vlerë krijohet vetëm kur teknologjia përdoret për ta mbështetur mendimin, jo për ta zëvendësuar atë.

Sepse problemi nuk është te mjetet. Problemi është te rendi në të cilin ato përdoren. Kur mendimi mbetet baza, gjuha mjeti dhe teknologjia ndihma, inteligjenca artificiale mund ta forcojë të kuptuarit njerëzor. Kur ky rend përmbyset, teknologjia fillon ta zëvendësojë procesin që e bën mendimin të fortë për ndërtimin e lidhjeve, testimin e ideve dhe përballjen me pasigurinë.

Ndoshta, kjo është dhe sfida më e madhe e kohës sonë. Jo thjesht të përdorim teknologjinë, por të ruajmë dhe përsosim aftësinë për të ndërtuar kuptime. Sepse në një botë ku gjithçka mund të thuhet bukur, detyra më e rëndësishme mbetet ende shumë njerëzore: të mos harrojmë si të mendojmë dhe si të kuptojmë.

Nga “shkolla e transmetimit” te “shkolla e mendimit”

10 November 2025 at 13:54

Prof. asc. Dr. Pëllumb Karameta

Sistemi ynë arsimor gjendet ende në udhëkryqin midis qëllimeve të reja dhe mënyrave të vjetra të mendimit dhe veprimit pedagogjik. Në letër flasim për kompetenca, mendim kritik dhe nxënie aktive; në praktikë, shumë shkolla ende mbeten të lidhura pas modelit të transmetimit të përmbajtjes nga tekstet.

Shumë mësues dhe drejtues, për ta thënë butë, merren më shumë me letra sesa me mësimin. Në vend që të zhvillojnë aftësitë profesionale, ata merren me detyra administrative dhe dokumente formale që i largojnë nga thelbi i punës së tyre. Nxënësit, nga ana tjetër, mësojnë për testin, jo për kuptimin; grumbullojnë njohuri që zbehen shpejt, në vend që të ndërtojnë kompetenca të vlefshme për jetën. Në një sistem që ende vlerëson më shumë notën sesa zhvillimin, dija rrezikon të mbetet në letër, pa u kthyer në mendimin që udhëheq veprimin.

Reforma kurrikulare ka ndryshuar dokumentet, por jo gjithmonë mënyrën si funksionon shkolla. Mungon lidhja midis qëllimeve në letër dhe realitetit të klasës. Edhe puna e institucioneve dhe organizatave që hartojnë udhëzime apo ofrojnë trajnime mbetet e copëzuar dhe shpesh formale. Më shumë e përqendruar te raportet dhe materialet, sesa te mbështetja e vërtetë e mësuesit. Pa kuptuar këtë, çdo reformë mbetet gjysmake: ndryshon formën, jo jetën e klasës.

Shkolla shqiptare ka mësues të përkushtuar dhe nxënës plot potencial, por sistemi nuk po arrin t’u krijojë hapësirë të mjaftueshme për të menduar, për të pyetur dhe për të vepruar në mënyrë të pavarur. Sa kohë që arsimi mbetet i ndarë midis dijes në libra dhe mendimit e veprimit në jetë, do të prodhojmë nxënës që dinë përgjigje, por nuk dinë të pyesin; që dinë të riprodhojnë fjalët, por jo kuptimin e tyre – ndryshe, analfabetë funksionalë. Vetëm kur kjo të ndryshojë, do mund të flasim për shkollën e kompetencave me plot kuptimin e fjalës.

Shkolla e transmetimit: mëso, përsërit, riprodho

Modeli tradicional i mësimit, i lindur në fillim të shekullit XX, bazohej në logjikën e prodhimit industrial: saktësi, rregull, përsëritje. Mësuesi ishte burimi i dijes, nxënësi dëgjues pasiv. Procesi zhvillohej duke kaluar në tri hallka të pandryshueshme: shpjegim, dëgjim, riprodhim. Suksesi i nxënësit matej me kujtesën, jo me mendimin. Ky model funksiononte në një botë të qëndrueshme, kur dija ndryshonte ngadalë.

Shkolla e mendimit: mëso për të kuptuar dhe për të vepruar

Në dekadat e fundit, arsimi botëror është zhvendosur drejt një paradigme të re – nxënie për kompetenca. Flet vetë fakti që këtë qasje e zbatojnë, ose janë në fazë pilotimi, rreth 80 vende (UNESCO-IBE, 2017, 2021). Edhe Shqipëria ka zgjedhur këtë rrugë, duke miratuar kurrikulën e bazuar në kompetenca (KBK). Ajo e sheh nxënien si proces të ndërtimit dhe zbatimit të njohurisë dhe kuptimit, jo të riprodhimit të informacionit.

Në këtë model, nxënësi nuk është më dëgjues pasiv, por ndërtues dhe përdorues aktiv i njohurisë – mëson dhe vepron duke pyetur, kërkuar, bashkëpunuar dhe reflektuar. Mendimi kritik është mekanizmi që e vë në lëvizje këtë proces: pa mendim kritik, nxënia mbetet mekanike; me të, ajo bëhet proces krijues që ndërton kompetencën.

Mësuesi nuk është më transmetues i fakteve, por udhërrëfyes i mendimit, që krijon situata të nxënieje ku përmbajtja merr jetë dhe kthehet në mjet për të zhvilluar të menduarin. Përmbajtja mësimore nuk është qëllim në vetvete, por mjet zhvillimi që nxit aftësinë për të kuptuar dhe për të vepruar me përgjegjësi. Suksesi i nxënësit matet me mënyrën se si ai përdor dijen në situata reale – si e kupton thelbin e saj dhe e aktivizon për të drejtuar veprimin.

Pesë pyetje që sfidojnë shkollën e mendimit

1. A po e përdorim përmbajtjen mësimore për zhvillimin e nxënësit?
Çdo dije – shkencore, artistike apo kulturore – mbart brenda vetes potencial zhvillues, sepse është produkt i mendimit dhe kërkimit njerëzor. Kur ajo përzgjidhet për t’u mësuar në shkollë, kthehet në përmbajtje. Por përmbajtja ka vlerë vetëm kur rigjallëron procesin mendor që e ka krijuar. Nëse mësuesi e trajton si informacion për t’u përsëritur, ajo vdes; nëse e përdor për të nxitur pyetje dhe reflektim, ajo nxit mendimin kritik dhe kthehet në burim zhvillimi. Kështu, përmbajtja bëhet ura që lidh dijen me zhvillimin e nxënësit, duke e kthyer nxënien në proces krijues kuptimplotë.

2. A po i ndihmojmë nxënësin të kuptojë simbolet?
Dija përfaqësohet përmes fjalëve, formulave, figurave dhe shenjave që bartin mënyrën si është ndërtuar vetë mendimi. Nxënësi ndërton kuptim vetëm kur arrin të shohë përtej simbolit, për të kuptuar çfarë përfaqëson ai. Një formulë, një metaforë apo një hartë nuk kanë vlerë më vete, nëse nxënësi nuk kupton se çfarë ideje apo koncepti përfaqësojnë. Prandaj, mësuesi duhet ta ndihmojë ta kthejë simbolin nga objekt i kujtesës në mjet kuptimi. Të kuptuarit e simbolit është hapi që ndan të mësuarin mekanik dhe analfabetizmin funksional nga ndërtimi i kuptimit të vërtetë dhe kompetencës.

3. A po e zhvillojmë mendimin kritik të nxënësve?
Asnjë përmbajtje nuk zhvillon, nëse nxënësi nuk mendon. Mendimi kritik është procesi që e vë në lëvizje nxënien, që lidh përmbajtjen me veprimin dhe njohuritë me kompetencën. Kur nxënësi pyet, dyshon, krahason dhe argumenton, ai po ndërton kuptim dhe po mëson të mendojë dhe të sillet si qytetar i lirë dhe i përgjegjshëm. Ky është momenti kur përmbajtja që mësojnë nxënësit bëhet e gjallë, sepse nxit mendimin dhe krijon kuptime të reja. Mendimi kritik është energjia që i jep kuptim çdo ore mësimore dhe e shndërron nxënien në zhvillim personal.

4. A është kjo nxënia e duhur?
Kurrikula funksionon vetëm kur përmbajtja, rezultatet e nxënies, mendimi kritik dhe vlerësimi lidhen në një proces të vetëm e të qëndrueshëm. Nëse këto mbeten të ndara, nxënia fragmentohet. Por kur bashkohen në një cikël spiral të ndërtimit të kompetencës, nxënësi përparon nga kuptimi i thjeshtë drejt aplikimit dhe reflektimit të thelluar. Vetëm kështu, nxënia bëhet e qëndrueshme dhe me ndikim. Në këtë proces, dija shërben si burim, përmbajtja si mjet ndërmjetësues, mendimi kritik si mekanizëm dhe kompetenca si rezultat i dukshëm. Nxënësi nuk përsërit, por riformulon përmbajtjen me fjalët e veta, e lidh me përvojën personale dhe e zbaton në situata reale. Në këtë mënyrë, përmbajtja nxit mendimin, mendimi ndërton kuptimin dhe kompetenca e shndërron dijen në veprim kuptimplotë.

5. Universiteti: Kurrikula e re, por mendësia e vjetër
Rrënjët e problemit nisin shpesh që në fakultetet e mësuesisë – aty ku formohet mësuesi i ardhshëm. Në vend që të jenë laboratorë të nxënies moderne, shumë fakultete vazhdojnë të funksionojnë me logjikën e vjetër të transmetimit të njohurive. Studentët dëgjojnë ligjërata për kompetencat, por rrallë i përjetojnë ato në praktikë. Në auditor mbizotëron ende modeli i “mësimdhënies”, jo ai i “nxënies”. Kështu, mungesa e përvojës reale e shoqëron më pas mësuesin edhe në shkollë. Për sa kohë universitetet nuk zbatojnë vetë parimet e Kurrikulës së Bazuar në Kompetenca, çdo reformë në arsimin parauniversitar do të mbetet më shumë teori sesa përvojë reale e ndryshimit.

Nga “mësimdhënia” te “nxënia”

Tranzicioni nga “shkolla e transmetimit” te “shkolla e mendimit” nuk është thjesht reformë teknike – është ndryshim kulture. Ai kërkon kohë, mbështetje dhe reflektim, por është i domosdoshëm, nëse duam që rezultatet e ardhshme të PISA-s – dhe mbi të gjitha vetë jeta në klasë – të përmirësohen realisht. Shkolla e së ardhmes duhet të jetë mjedisi ku dija merr jetë, ku përmbajtja bëhet burim kërkimi, ku mendimi kritik ndizet në çdo orë dhe ku nxënësi mëson të mendojë e të veprojë me kompetencë.

Në fund, unë mendoj se thelbi i arsimit nuk qëndron te libri, retorika apo deklarata, por te mënyra si nxënësit mësojnë të mendojnë vetë dhe ta aktivizojnë mendimin për të drejtuar veprimin – në klasë dhe në jetën e përditshme.

The post Nga “shkolla e transmetimit” te “shkolla e mendimit” first appeared on JavaNews.al.

❌
❌