Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayJava News

Tranzicion pa prag apo demokraci me prag?

By: Ruel Domi
13 May 2026 at 19:56

Nga Ruel Domi

Ideja e pragut 4% është kthyer në kryefjalën e të gjitha debateve politike lidhur me kodin e ri zgjedhor. Ky i fundit mund të sjellë ndryshime rrënjësore në arkitekturën e sistemit zgjedhor aktual shqiptar, që e ka zanafillën në marrëveshjen famëkeqe Rama-Berisha të vitit 2008, e cila e kaloi sistemin zgjedhor shqiptar nga ai “mixed member” me mazhoritarin që zgjidhte 100 deputetë, tek proporcionali rajonal me lista të mbyllura.

Sistemi aktual shqiptar, i cili nga viti 2008 ka pësuar ndryshime inkrementale, duke përfshirë moslejimin e koalicioneve që nga viti 2020, dhe hapjen e pjesshme të listave para zgjedhjeve të vitit 2025, në parim ka akumuluar ankesa nga partitë e reja, por edhe nga faktori ndërkombëtar, si një sistem që ka rrënjosur bipartitizmin në Shqipëri, duke frakturuar përfaqësimin e gjithanshëm dhe të qenësishëm të të gjithë segmenteve të elektoratit shqiptar.

Kjo e fundit nuk është thjesht thagmë propagandistike, por realitet praktik duke parë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit 2025, në të cilat partitë e reja, fort të lartësuara nga tamtamet mediatike, morën vetëm 4 mandate.

Në këto kushte, ky sistem nuk është demokratik. As në sensin liberal të fjalës, dhe as në sensin pluralist të tij. Sistemi është anti-liberal sepse ka konsoliduar pushtet në duart e kryetarëve të dy partive të mëdha. Kryetari bën listat e deputetëve, si dhe i vë në rresht këta të fundit për ligje apo iniciativa të tyre, të oligarkëve apo të krimit të organizuar. Friksionet Salianji-Berisha dhe Spiropali-Rama janë tregues i kësaj të fundit.

Gjithashtu, sistemi është anti-pluralist sepse në zbatim e bën të pamundur hyrjen e partive të reja në parlament. Partitë tradicionale kanë akses shpërpjesëtimor tek paratë për financimin e fushatave, si dhe tek numëruesit e votave që vijnë ekskluzivisht nga ato dy parti.

Për të mos folur pastaj për përdorimin e resurseve të bollshme të administratës shtetërore nga çdo parti në pushtet në 34 vite pluralizëm bipartiak në Shqipëri, që jo vetëm që redukton përfaqësimin nga partia kryesore opozitare, por edhe zbeh ndjeshëm shanset e përfaqësimit të partive të reja në parlament. Në këto kushte ekziston nevoja për sistem të ri zgjedhor.

Vlen të përmendet se në aspektin e pluralizmit politik, Shqipëria ka bërë hapa pas. Aktualisht në Kuvend përfaqësohen 6 parti politike: Partia Socialiste, Partia Demokratike, Partia Social-Demokrate, Shqipëria Bëhet, Mundësia dhe Lëvizja Bashkë. Ndërkohë, si pasojë e zgjedhjeve të vitit 2005, në parlament u futën 12 subjekte politike. Kujtojmë që në 2005, Shqipëria zgjidhte 100 nga 140 deputet me mazhoritar, ndërkaq që 40 vinin nga listat e partive.

Rikthimi në mazhoritar konsiderohet si rikthim pas në kohë dhe prandaj e vetmja alternativë ndaj proporcionalit të 2008-s është një tjetër formë proporcionali. Pyetja që lind është: Cfarë i shtyn PS e PD, që janë përfitueset më të mëdha të këtij sistemi, të ndryshojnë status-quo-në aktuale zgjedhore? Me gjasë, për shkak të presionit nga faktori ndërkombëtar.

Në kushtet e këtij presioni, PS e PD do detyrohen të hapin listat 100%, ashtu si në 2016-n u detyruan të ngrinin kartonat për reformën në drejtësi. Të dy partitë e mëdha sigurisht që përfitojnë nga një prag më i lartë, edhe pse pragu 4% është në fakt normal, duke parë shembujt e sistemeve në vende si Gjermania (prag 5%), Austria (prag 4%) dhe Izraeli (prag 3.25%).

Një prag më i lartë filtron një pjesë të madhe të votave për një grup partish të vogla, të cilat për shkak të moskalimit të pragut nuk arrijnë të përfaqësohen në parlament. Mungesa e përfaqësimit të partive të reja, votat e të cilave shkojnë dëm në rast moskalimi të pragut, përkthehet në mandate të pamerituara për dy partitë e mëdha.

Nga partitë e reja, vetëm Shqipëria Bëhet përfiton në dukje nga pragu 4%, duke ditur që në koalicion me Nismën Thurje në zgjedhjet e 11 Majit, partia e Lapajt kalon pragun dhe merr 6 deputetë. Gjithmonë duke supozuar një rënie votash për shkak të konfliktit me Endri Shabanin dhe ndarjen nga Thurja, por edhe një rritje organike të pritshme për parti të reja, partia e Lapajt merr 5–6 deputetë me pragun 4%.

Po me votat e 11 Majit 2025, parti si Mundësia apo Lëvizja Bashkë, ne dukje nuk e kalojnë pragun dhe dalin pa deputetë, por duke supozuar një rritje organike të pritshme për parti të këtij lloji, të dyja e kalojnë pragun aq sa për të nxjerrë deputetë. E duke pasur parasysh që me rreth 48,000 vota, Mundësia nxori 2 mandate në Tiranë, me një rritje minimale votash, Mundësia e kalon pragun dhe nxjerr një numër të ngjashëm deputetësh me Lapajn.

Vlen gjithashtu të përmendet se në parlamentaret e 11 Majit votuan rreth 1.4 milionë qytetarë me të drejtë vote, dhe pragu i llogaritur 4% do ishte baraz me përafërsisht 58,000 vota. Kjo për të sqaruar matematikën e mësipërme.

Matematikisht, edhe partitë e reja kanë mundësi më të mëdha përfaqësimi nga sistemi elektoral me një zonë zgjedhore dhe prag 4%. Pa llogaritur faktin që proporcionali kombëtar me lista të hapura dhe një zonë zgjedhore aplikohet në vendet më demokratike të botës (Gjermania, Austria, Izraeli etj.), dhe sistem të tillë pa prag elektoral nuk ka. Propozimet për prag 1% janë absurde, duke ditur që nuk kanë precedent, për shkak të rrezikut nga mungesa e filtrimit të grupimeve politike me të drejtë përfaqësimi.

Me sistemin aktual, por pa prag, ngelemi në tranzicion. Me sistemin e propozuar me prag, kemi mundësi (sado e vogël të jetë) ta lëmë pas tranzicionin.

Zgjedhja është e klasës sonë politike.

Pse të djathtës shqiptare i duhet një ‘Fatos Nano’?

By: Ruel Domi
12 November 2025 at 20:02

Nga Ruel Domi

Ndarja nga jeta e një prej kolosëve të tranzicionit politik shqiptar, Fatos Nano, provokoi një valë reflektimesh nga të afërm, miq, politikanë, analistë, gazetarë e figura publike, të cilat e vlerësuan Fatos Nanon si “liberal”. Termi “liberal” për Fatos Nanon gjithmonë përdoret si kontrast ndaj mendësisë autoritaro-provinciale të shumicës dërrmuese të politikanëve shqiptarë, për të cilët mendimi ndryshe është sakrilegj dhe konkurrenca politike një malarie që duhet mbajtur larg partisë. Ky term nuk ka të bëjë në fakt me përkufizimin liberal në spektrin ideologjik nga liberal-konservator, e sigurisht anashkalon në mënyrë ‘perfide’ edhe korrupsionin e veset e tjera politike të Fatos Nanos.

Sidoqoftë, të merresh me problemet e së majtës shqiptare bie ndesh me rregullat e matematikës politike, duke ditur se Partia Socialiste e Edi Ramës është kthyer në një makineri politike me efektivitet gjerman, gaz rus, armë amerikane, konsulencë izraelite dhe menefregizëm për standardet demokratike tipik shqiptar. E djathta, nga ana tjetër — gjithmonë duke supozuar që PD e përfaqëson atë — ka nevojë për kimioterapi dhe koagulim të plotë të gjakut politik. Edhe pse një Fatos Nano nga e djathta mund të mos sillte rotacionin politik nesër, do të sfidonte mentalitetin e mykur brenda partisë së parë opozitare të tranzicionit shqiptar, që me ritme të tilla hemorragjie votash po shkon drejt zhdukjes politike.

Në shumë aspekte, PPSH-ja e vitit 1991 është e njëjtë me PD-në sot. PPSH-ja e Ramiz Alisë përfaqësonte myk shoqëror;një parti e komunistëve me xhakoventa të bardha, në një kohë kur komunizmi po vdiste dalëngadalë në Europën Lindore si pasojë e rënies së Murit të Berlinit. Sot PD përfaqëson një myk të ngjashëm, por të një lloji tjetër; një kastë politike që u rrëzua me afro 1 milion vota në 23 qershor të 2013-s dhe që, pavarësisht shijes së keqe që ka lënë në elektoratin shqiptar, refuzon të largohet për ta lënë PD-në të vetëpastrohet, vetëreformohet e dezinfektohet nga korrupsioni financiar e moral i 8 viteve qeverisjeje e 12 viteve pazare në opozitë.

Në shumë aspekte, kalbja dhe konsumimi moral i 4 dekadave të PPSH-së në Shqipëri ngjason me kalbjen morale të PD-së në 8 vite qeverisjeje parlamentare e 4 vite me President Sali Berishën. Nëse PPSH-ja e vitit 1991 zgjodhi Fatos Nanon kryetar, i cili e riemërtoi partinë në ‘Socialiste’ dhe bëri hopin ideologjik nga marksizëm-leninizmi tek socialdemokracia, PD-ja e vitit 2025 vijon me listat e vitit 2013, me mendësinë e vitit 1992 dhe me një paqartësi ideologjike ku vlerat konservatore zbehen nga honxhobonxhizmi, militantizmi, lakonizmi për post partiak dhe vendet në listat për deputetë.

Ndoshta mëkati më i madh i Fatos Nanos është trashëgimia thellësisht autoritariste që e pasoi atë: me Sali Berishën kryeministër e despot brenda PD-së, dhe Edi Ramën mbret të PS-së e kryeministër tani. Në një kohë kur Berisha dëboi të gjithë intelektualët me mendim ndryshe në PD, duke përfshirë Gramoz Pashkon, Aleksandër Meksin, Eduard Selamin, Azem Hajdarin, e më vonë bëri sikur u largua për të emëruar Lulzim Bashën si marionetë politike të tij në krye të PD-së, Fatos Nano diti të largohej në vitin 2005, për t’ia lënë partinë Edi Ramës dhe dishepujve të tij. Gjatë qeverisjes 1997–2005, Fatos Nano diti të ndante kryeministrinë me Majkon e Metën, si dhe të lejonte që debati brenda PS-së të kthehej në debat publik gjatë “Katharsisit” të famshëm. Ndërkohë, pasardhësi i Nanos në PS i kyçi mbledhjet e Kryesisë, instaloi sektin klientelisto-sorosist ‘Mjaftisto-Rilindas’, si dhe mbushi në mënyrë paradoksale listat e deputetëve të një partie në letër të majtë me biznesmenë e tregtarë të djathtë.

PD-së do t’i duhej një Fatos Nano për disa arsye. Së pari, si mënyrë për të sfiduar mendësinë e ndenjur klienteliste e Berishiste në PD. Së dyti, për të ngjizur kushtet e duhura për afrim të talentit politik dhe intelektualit kritik pranë gjirit të së djathtës. Së treti, për të demokratizuar të djathtën, si në mendësi, ashtu edhe në proces. Saliu i vodhi zgjedhjet Olldashit e Shehajt në emër të Lulit dhe më pas bëri të njëjtën gjë me primaret, këtë herë kundër Lulit. Pa folur për akuzat mes kandidatëve për deputet të listës së hapur të PD-së për vjedhje votash brenda partisë — akuza që me gjasë janë të vërteta, duke njohur natyrën e Berishës dhe të partisë që ai drejton. PD ka nevojë për zgjedhje të lira e të ndershme, kërkesë që ia bën mazhorancës së Edi Ramës sa herë që pallohet në zgjedhje. Përveç demokratizimit në proces, një Nano në gjirin e së djathtës do të duhej të demokratizonte edhe PD-në në mendësi, nga në një parti të dhunës e britmave militanteske në një parti të politikës e mendimit racional.

Së fundmi, një Nano i PD-së do t’i ndryshonte edhe emrin asaj partie, ashtu si Nano i vërtetë e riemërtoi partinë e tij ne ‘Partia Socialiste’. Kryesisht, partitë “Demokratike” janë të spektrit të majtë (SHBA, Itali, Kosovë), duke ditur që demokracia në vetvete është vlerë e majtë. Të djathtët besojnë në Republikë Kushtetuese e jo në demokraci, dhe në këto kushte një Nano në PD do ta riemërtonte partinë nga Demokratike në ‘Republikane’ (po jo si ajo e Mediut) ose në ‘Konservatore’ (po jo si ajo e Kujtim Gjuzit).

PD sot po vdes sepse njerëzit e perceptojnë Edi Ramën si ‘djalin e mirë’ të politikës shqiptare. Nga ana tjeter, Sali Berisha dhe kasta rreth tij perceptohen si të lodhur, të dhunshëm, të korruptuar e thellësisht jofrymëzues nga shumica dërrmuese e votuesve. Të rinjtë në PD, me përjashtime të vogla, perceptohen si matrioshka politike të Sali Berishës e Flamur Nokës, të cilët në vend që të hapin krahun për t’i lënë hapësirë politike të rinjve, e mbajnë atë parti si çiflig për interesa të ngushta ekonomike.

Fatos Nano mund ta kritikosh për shumë gjëra; për korrupsionin, për privatizimet, për papërgjegjshmërinë, për alkoolin. Por nëse ka një karakteristikë për të cilën duhet ‘t’i heqësh kapelën’, është aftësia për të kuptuar se e ardhmja e forcave politike janë të rinjtë. Nano e bëri këtë me PS-në, që sot nuk po di të ndalet. Nëse PD nuk gjen Fatos Nanon e saj, është e destinuar të zhduket. Realpolitikë kjo!

The post Pse të djathtës shqiptare i duhet një ‘Fatos Nano’? first appeared on JavaNews.al.

❌
❌