Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayJava News

Të vendosësh sipas ligjit kur publiku pret diçka tjetër

29 June 2026 at 12:57

Nga Sokol Sadushi

Ka momente kur drejtësia përballet me një provë të vështirë: të vendosë sipas ligjit, ndonëse një pjesë e publikut pret një përgjigje tjetër. Pikërisht në këto momente matet jo vetëm pavarësia profesionale e gjyqtarit, por edhe pjekuria e një shoqërie për të pranuar se drejtësia nuk jepet nga pritshmëria, por nga ligji, provat dhe procesi i rregullt.

Tema e këtij paneli – balancimi i pavarësisë profesionale dhe perceptimit publik në vendimmarrjen gjyqësore – prek pikërisht këtë sfidë. Në pamje të parë, ajo lidhet me marrëdhënien e gjykatave me median dhe me komunikimin institucional. Megjithatë, në thelb, ajo shkon më thellë – te mënyra se si një shoqëri demokratike e kupton drejtësinë, rolin e gjykatës dhe kufirin midis debatit publik dhe procesit gjyqësor.

Në këtë kuptim, sfida nuk është të zgjedhësh midis pavarësisë profesionale dhe perceptimit publik, por të dish ta dëgjosh zërin e opinionit publik, pa lejuar që ai të diktojë vendimmarrjen gjyqësore. Kjo kërkon që gjyqtari të jetë i vetëdijshëm për interesin dhe pritshmëritë e publikut, por të vendosë vetëm mbi bazën e ligjit, të provave dhe të ndërgjegjes së tij profesionale.

Kjo përgjegjësi bëhet edhe më e madhe sot, kur debati për një proces gjyqësor nuk mbetet më brenda sallës së gjyqit dhe kur, jo rrallë, vendimi komentohet ende pa u shpallur. Sot, për çdo çështje me interes publik, krahas procesit gjyqësor zhvillohet edhe një proces tjetër, paralel, në studiot televizive, në portale, në rrjetet sociale, në foltoret politike dhe në çdo hapësirë ku krijohet opinioni publik.

Këto procese ecin paralelisht, por nuk ndjekin të njëjtat rregulla. Në sallën e gjyqit flitet me prova, me procedurë dhe me ligj, ndërsa në hapësirën publike flitet me bindje, me emocione, me perceptime dhe, jo rrallë, me interesa.

Ky nuk është një problem, në vetvete. Debati publik është pjesë e natyrshme e demokracisë. Media ka të drejtë të informojë, qytetarët kanë të drejtë të interesohen për drejtësinë dhe të komentojnë, ndërsa politika ka të drejtë të mbajë qëndrime. Demokracia nuk mund të jetojë pa lirinë e shprehjes dhe pa kontrollin publik mbi institucionet. Kjo liri e shprehjes e bën shoqërinë më të hapur dhe më të ndërgjegjshme.

Prandaj marrëdhënia midis drejtësisë dhe medias nuk duhet ndërtuar mbi logjikën e kundërvënies, por mbi përgjegjësinë e ndërsjellë ndaj publikut. Liria e medias dhe pavarësia e gjykatës nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën; përkundrazi, ato plotësojnë njëra-tjetrën, kur ushtrohen me integritet dhe brenda kufijve të rolit të tyre. Media e përmbush misionin e saj duke informuar me korrektësi, ndërsa gjykata duke vendosur në mënyrë të pavarur, vetëm mbi bazën e ligjit dhe të provave. Pikërisht këtu qëndron balanca që kërkon tema e këtij paneli.

Problemi lind kur debati, në vend që të ndihmojë publikun të kuptojë drejtësinë, fillon dalëngadalë të marrë pamjen e vetë gjykimit. Tashmë, komenti publik nuk shërben më për të ngritur pyetje, por merr formën e aktakuzës; ajo që ende është vetëm dyshim paraqitet si fajësi;  perceptimi nuk mbetet më një këndvështrim, por kërkon të zëvendësojë provat. Kështu krijohet një realitet i rrezikshëm, ku opinioni publik na paraqitet si vendim dhe ku verdikti i dhënë jashtë sallës së gjyqit merr, në sytë e publikut, më shumë peshë sesa vetë vendimi i gjykatës.

Kjo nuk do të thotë se vendimet gjyqësore nuk mund të kritikohen, apo se gjykatat duhet të qëndrojnë jashtë çdo vlerësimi publik. Përkundrazi, një gjyqësor në një shoqëri demokratike duhet të jetë i hapur ndaj kritikës, ta pranojë atë dhe, kur kritika është serioze, profesionale dhe e argumentuar, ta vlerësojë si një mundësi për t’u përmirësuar. Rreziku i vërtetë nuk qëndron te kritika, por te momenti kur ajo merr vendin e gjykimit, kur opinioni publik nuk pret më arsyetimin e gjykatës, por krijon bindjen se mund ta japë vetë vendimin; kur studiot televizive, portalet apo foltoret politike fillojnë të sillen si gjykata paralele.

Në këtë pikë, nuk jemi më përballë një debati të zakonshëm publik, por përballë një problemi që prek vetë shtetin e së drejtës. Drejtësia nuk mund të ndjekë shpejtësinë e lajmit. Ajo ka kohën dhe logjikën e procesit gjyqësor, të lidhur me marrjen dhe administrimin e provave, me dëgjimin e palëve, me respektimin e procesit të rregullt dhe me arsyetimin juridik të rastit. Kjo nuk është dobësi, por garancia më e madhe që ka qytetari.

Prej më shumë se tridhjetë e pesë vjetësh kemi dëgjuar politikanë të çdo krahu që, nga foltorja e Kuvendit apo nga tribunat politike, kanë shpallur fajtorë ose të pafajshëm, kanë komentuar dosje pa i lexuar dhe kanë kritikuar e sulmuar gjyqtarë e prokurorë pa njohur aktet e dosjes apo arsyetimin e vendimeve.

Me kalimin e kohës, kësaj kulture iu shtuan studiot e përnatshme televizive, më pas portalet e shumta dhe, së fundi, rrjetet sociale, duke e zgjeruar ndjeshëm hapësirën ku merren verdikte publike përpara se të flasë gjykata. Kjo nuk është çështje e një aktori të vetëm publik. Është një kulturë që ka përfshirë politikën, median, opinionin publik dhe, shpesh, vetë mënyrën se si shoqëria e ka kuptuar drejtësinë gjatë tranzicionit.

Pikërisht për këtë arsye, ky fenomen duhet të na bëjë të reflektojmë mbi disa standarde që nuk mund të vihen kurrë në diskutim. Në një shtet të së drejtës, askush nuk mund të shpallet fajtor përpara se të shqyrtohen provat; asnjë gjyqtar nuk duhet të delegjitimohet përpara se të japë arsyetimin e vendimit; asnjë prokuror nuk mund të gjykohet për rezultatin e një çështjeje përpara se procesi të ketë përfunduar. Këto nuk janë privilegje të gjyqtarëve, të prokurorëve apo të të pandehurve. Janë garanci që mbrojnë besueshmërinë e vetë drejtësisë.

Po aq shqetësues është fakti që, jo rrallë, në debatin publik qarkullojnë pohime që bien ndesh me atë që përmban dosja gjyqësore. Me një siguri të plotë, ato bëhen pa u njohur aktet, pa u shqyrtuar provat dhe pa u dëgjuar palët; ndërkohë, kur rezultojnë të pasakta, ndjesa publike ose përgënjeshtrimi vijnë rrallë, pranohen me vështirësi, por, edhe kur ndodhin, nuk e zhbëjnë gjithmonë dëmin që kanë krijuar. Kjo nuk është vetëm një çështje etike. Është një çështje që prek funksionimin e institucioneve, sepse një pohim i papërgjegjshëm mund të dëmtojë reputacionin e një individi, ndërsa shumë pohime të tilla mund të cenojnë besimin e shoqërisë te drejtësia.

Pikërisht për këtë arsye, në këtë debat duhet të jemi të qartë deri në fund. Politika ka të drejtë të kërkojë drejtësi, media ka të drejtë të informojë, qytetarët kanë të drejtë të kritikojnë. Këto janë të drejta të domosdoshme në një shoqëri demokratike, por asnjë prej tyre nuk mund të marrë vendin e gjykatës. Një shoqëri nuk largohet nga shteti i së drejtës kur kritikon gjykatat, por kur krijon bindjen se gjykatat janë të panevojshme dhe se vendimet mund të merren diku tjetër, në studio televizive, në portale, në rrjete sociale apo në foltore politike.

Kjo bëhet edhe më e rëndësishme në procesin penal, sepse pikërisht aty emocionet janë më të forta, indinjata është më e madhe dhe pritshmëria për ndëshkim është më e lartë. Pikërisht për këtë arsye ekziston procesi i rregullt ligjor dhe detyrimi për respektimin e tij në të gjithë elementet.

Prezumimi i pafajësisë, si një nga garancitë themelore kushtetuese, nuk është privilegj i të pandehurit dhe as pengesë për drejtësinë. Ai është një nga kushtet që e bëjnë drejtësinë të besueshme. Ky parim nuk mbron vetëm të pafajshmin nga dënimi i padrejtë, por mbron vetë drejtësinë nga presioni publik, nga paragjykimi dhe nga tundimi për të zëvendësuar provat me perceptimin e momentit.

Secili prej nesh duhet ta shohë procesin e rregullt jo vetëm si një parim abstrakt që u përket të tjerëve. Ata që sot flasin me lehtësi për fajësinë e dikujt, që paragjykojnë procesin, që e shndërrojnë studion, portalin apo foltoren në gjykatë paralele, duhet të kujtojnë se nesër mund të jenë vetë pjesë e një procesi gjyqësor. Dhe atë ditë do të kërkojnë, me të drejtë, që të respektohet prezumimi i pafajësisë, që të mos delegjitimohen publikisht përpara se të dëgjohen, që të mos gjykohen nga perceptimi, por nga ligji, që procesi të zhvillohet në gjykatë dhe jo në hapësirën e zhurmshme të paragjykimit publik.

Pikërisht për këtë arsye, procesi i rregullt ligjor nuk duhet mbrojtur vetëm kur na shërben neve. Ai duhet respektuar edhe kur mbron dikë që nuk na pëlqen, sepse vetëm atëherë është vërtet garanci kushtetuese.

Prandaj nuk është rastësi që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në mënyrë të përsëritur, ka konstatuar shkelje të procesit të rregullt ligjor edhe në çështje që kanë pasur interes të madh publik. Në raste të tilla, nuk kanë munguar reagime të ndryshme. Dikush ka shprehur habi, dikush është ndier i lehtësuar, dikush tjetër ka pyetur: “Si është e mundur?”. Megjithatë, Strasburgu nuk pyet nëse opinioni publik e konsideron dikë fajtor apo të pafajshëm. Ai pyet nëse shteti ka respektuar ligjin dhe garancitë e procesit të drejtë. Ky është dallimi midis drejtësisë dhe perceptimit. Dhe ky dallim nuk duhet të zbehet asnjëherë.

Natyrisht, ky reflektim nuk mund të drejtohet vetëm nga faktorët jashtë gjyqësorit. Edhe vetë sistemi i drejtësisë duhet ta shohë me përgjegjësi rolin e tij. Besimi publik nuk cenohet vetëm nga sulmet e padrejta apo nga gjykimet paralele. Ai cenohet edhe nga vendime të paarsyetuara mjaftueshëm, nga vonesa të pajustifikuara, nga mungesa e qartësisë dhe nga çdo sjellje që nuk i përgjigjet dinjitetit të funksionit gjyqësor. Pikërisht për këtë arsye, pavarësia nuk mund të kuptohet si privilegj i mbyllur ndaj kritikës, por si përgjegjësi e lartë publike. Sa më e madhe të jetë pavarësia, aq më e madhe duhet të jetë përgjegjësia profesionale, etike dhe institucionale për ta ushtruar atë me integritet.

Përvoja shumëvjeçare në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas në Gjykatën e Lartë më ka bindur për një mësim të rëndësishëm. Vendimet e vështira nuk vlerësohen gjithmonë në momentin kur jepen. Kam parë nga afër se si vendime të rëndësishme janë pritur me kritika të forta, janë sulmuar, janë keqkuptuar, janë lexuar përmes emocioneve të ditës dhe interesave të momentit. Megjithatë, kam parë edhe se si, vite më vonë, po ato vendime janë vlerësuar edhe nga ata që dikur i kishin kundërshtuar. Kjo më ka bindur se vlera e një vendimi gjyqësor nuk matet me reagimin që prodhon ditën kur shpallet, por me qëndrueshmërinë e arsyetimit dhe me aftësinë për t’i rezistuar kohës. Koha është shpesh gjykatësi më i drejtë i vendimeve të vështira. Prandaj gjyqtari nuk duhet të udhëhiqet nga dëshira për të kënaqur pritshmërinë e ditës, por nga detyrimi për të dhënë një vendim të mbështetur në ligj, në prova dhe në parime, i cili ruan qëndrueshmërinë e tij edhe kur ndryshojnë rrethanat, interesat apo perceptimet e momentit.

Ky reflektim nuk synon të vendosë gjyqësorin përballë medias, politikës apo opinionit publik. Përkundrazi, ai synon të rikujtojë se në një demokraci kushtetuese secili prej këtyre aktorëve ka një rol të pazëvendësueshëm, por edhe kufij që duhen respektuar. Media e lirë e bën demokracinë më të fortë, debati politik i përgjegjshëm e bën jetën publike më të shëndetshme, ndërsa gjykata e pavarur e bën qytetarin më të sigurt. Balancimi midis pavarësisë profesionale dhe perceptimit publik nuk arrihet duke i mbyllur gjykatat ndaj shoqërisë dhe as duke i nënshtruar ato ndaj presionit të saj. Ai arrihet kur secili institucion ushtron rolin e vet me përgjegjësi dhe respekton kufijtë e tij kushtetues.

Një shoqëri demokratike nuk dallohet nga fakti se të gjithë flasin për drejtësinë. Kjo ndodh kudo. Ajo dallohet nga aftësia për të pranuar se, pasi të gjithë kanë folur, duhet të ekzistojë ende një vend ku nuk vendosin zërat më të fortë, por ligji; ku nuk fitojnë emocionet, por provat; ku nuk mbizotëron perceptimi, por e vërteta juridike. Ky vend është gjykata.

Prandaj pavarësia e gjykatës nuk është një çështje e brendshme e gjyqësorit. Është një garanci publike. Është garancia se fjala e fundit për të drejtat, liritë, fajësinë apo pafajësinë e njeriut nuk do të thuhet në studio televizive, në portale, në rrjete sociale apo në foltore politike, por aty ku e kërkon Kushtetuta dhe ligji, në sallën e gjyqit, nga një gjykatë e pavarur, mbi bazën e provave dhe respektimit të procesit të rregullt.

Në këtë kuptim, titulli i kësaj fjale nuk është thjesht një formulim retorik. Ai përmbledh thelbin e funksionit gjyqësor në një demokraci kushtetuese: të vendosësh sipas ligjit edhe atëherë kur zhurma e ditës, pritshmëritë e opinionit publik apo presionet e momentit duket se kërkojnë një përgjigje tjetër. Pikërisht në ato çaste matet pavarësia e gjyqtarit dhe besueshmëria e drejtësisë.

Çdo rrugë tjetër mund të prodhojë zhurmë, ndikim apo kënaqësi të përkohshme. Vetëm rruga e procesit të rregullt, e provave dhe e ligjit prodhon drejtësi. Dhe pikërisht këtu qëndron edhe sfida më e madhe e ndërveprimit të drejtësisë me median: të informohet publiku, të respektohet debati, të dëgjohet kritika, por të mos harrohet asnjëherë se gjyqtari nuk vendos për të përmbushur pritshmërinë e ditës. Ai vendos sipas ligjit, edhe kur publiku pret diçka tjetër.

 

Vlerësimi etiko-profesional si kusht për meritokracinë, funksionimin e sistemit dhe uljen e backlog-ut

28 April 2026 at 13:37

*Fjalimi i Sokol Sadushit, Kryetari i Gjykatës së Lartë në takimin e përbashkët KLGJ-KLP

Të nderuar kryetarë të Këshillave,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të drejtësisë,
Të nderuar kolegë,

Dëshiroj së pari të vlerësoj zhvillimin e kësaj mbledhjeje tëpërbashkët ndërmjet Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit tëLartë të Prokurorisë. Tema e zgjedhur prek një nga çështjet mëtë rëndësishme për mirëqeverisjen e sistemit të drejtësisë: vlerësimin etik dhe profesional të magjistratëve dhe lidhjen e tijtë drejtpërdrejtë me karrierën, plotësimin e vakancave dhe uljene backlog-ut.

Vlerësimi etik dhe profesional nuk është formalitetadministrativ. Vonesa në këtë proces ndikon drejtpërdrejt nëkarrierën e magjistratëve, në plotësimin e vendeve vakante dhenë kapacitetin real të gjykatave e prokurorive për t’iu përgjigjurngarkesës së tyre.

Pikërisht këtu qëndron lidhja thelbësore me funksionimin e sistemit. Vlerësimi në kohë është kusht për një karrierë të bazuarnë meritë; karriera e bazuar në meritë është kusht për plotësimine drejtë dhe të shpejtë të vendeve vakante; ndërsa plotësimi nëkohë i gjykatave dhe prokurorive është një nga parakushtetkryesore për uljen e backlog-ut.

Kjo çështje ka edhe një tjetër dimension. Vlerësimi etik dheprofesional ishte një nga pikat më të dobëta të sistemit tëdrejtësisë para reformës. Pikërisht pamundësia për të garantuarnjë vlerësim të besueshëm, të shpejtë dhe transparent tëmagjistratëve ishte një nga arsyet e riformatimit institucional. Reforma në drejtësi nuk synoi thjesht ndryshimin e emrave tëinstitucioneve, por ndryshimin e mënyrës se si sistemivetëqeveriset, si zgjedh, si promovon, si kontrollon dhe si mbanpërgjegjësi.

Prandaj sot duhet të jemi të kujdesshëm që të mosriprodhojmë, me institucione të reja, dobësi të vjetra. Kemi KLGJ dhe KLP të dala nga reforma, me legjitimitet të rikushtetues, me kompetenca të qarta dhe me përgjegjësi tëdrejtpërdrejtë për karrierën e magjistratëve. Pikërisht për këtëarsye pritshmëria është më e lartë. Nuk mjafton të kemi ligj tëri, apo metodologji dhe rregullore të reja. Pyetja themeloreështë: a po funksionon vlerësimi në kohë dhe a po shërben ai realisht për administrimin e karrierës dhe për uljen e vonesavenë sistem?

Duhet ta pranojmë hapur se, pavarësisht përpjekjeve të bëra, vlerësimi etik dhe profesional nuk ka arritur ende të funksionojëme ritmin, rregullsinë dhe ndikimin që kërkon ligji dhe që pretsistemi. Ende konstatohet prapambetje e ndjeshme në kryerjen e vlerësimeve; ende ka magjistratë për të cilët vlerësimi nuk ështëkryer në kohën e duhur; ende ka procedura karriere që ndikohennga mungesa e vlerësimeve të përditësuara.

Kur vlerësimi kryhet me vonesë, ai nuk e përmbush plotësishtqëllimin e tij. Ai nuk orienton në kohë karrierën, nuk mbështetnë kohë ngritjen në detyrë, nuk ndihmon në kohë plotësimin e vakancave dhe nuk i shërben në mënyrë efektive uljes sëçështjeve të prapambetura. Prandaj problemi nuk është vetëm savlerësime janë kryer, por nëse ato janë kryer në kohën kursistemi ka pasur nevojë për to.

Këtë e ka evidentuar edhe Progres Raporti i KomisionitEvropian, kur thekson se efikasiteti i këshillave në emërimin, promovimin, transferimin dhe vlerësimin e magjistratëve mbetetende problematik dhe ndikon në cilësinë dhe efikasitetingjyqësor në të gjitha nivelet. Po ashtu, zhvillimi i karrierës mbibazë merite dobësohet në praktikë kur vlerësimet cilësore tëmagjistratëve kryhen me ritëm të ngadaltë.

Kjo është një kambanë alarmi, sepse meritokracia nuk matet me deklarata. Meritokracia matet me procedura që mbyllen në kohë, me vlerësime që janë të besueshme, me renditje që janë të qarta, me promovime që nuk vonohen dhe me gjykata që plotësohen.

Ligji e sheh gjykatën jo thjesht si godinë apo si strukturëformale, por si institucion që duhet të funksionojë realisht, me numër të mjaftueshëm gjyqtarësh, me administratë të organizuardhe me shërbime mbështetëse efektive. Megjithatë, organiziminë letër nuk mjafton. Një gjykatë e parashikuar në organikë, pore paplotësuar me gjyqtarë, nuk është funksionale në kuptiminreal të shërbimit që i detyrohemi qytetarit.

Një sistem që vonon vlerësimin, vonon promovimin; një sistemqë vonon promovimin, lë bosh gjykatat; dhe një sistem që lëbosh gjykatat, prodhon backlog.

Përvoja e Gjykatës së Lartë është një shembull që duhet parë me kujdes. Kur procedurat e emërimit dhe plotësimit të trupësgjyqësore ecën, rezultatet u bënë të matshme. Gjykata e Lartëarriti të ulë ndjeshëm stokun e çështjeve të prapambetura. Ky shembull nuk duhet përdorur për vetëkënaqësi institucionale, porpër një mesazh të thjeshtë: backlog-u nuk është fatalitet; backlog-u ulet kur institucionet funksionojnë në kohë, kurvakancat plotësohen dhe kur organizimi i brendshëm mbështetetnga vendimmarrje të shpejta dhe të përgjegjshme.

Megjithatë, pikërisht për shkak se përvoja e Gjykatës së Lartëtregon sa shumë ndikon plotësimi në kohë i trupës gjyqësore nëuljen e backlog-ut, duhet të themi qartë se kjo përvojë nuk mundtë mbahet si e mirëqenë nëse vendet vakante nuk plotësohen nëkohë. Sot, dy vende vakante në Gjykatën e Lartë mbeten ende tëpaplotësuara; njëri prej tyre lidhet me një vakancë të hapur që nënëntor të vitit 2024, ndërsa tjetri me një vakancë të hapur nënëntor të vitit 2025, dhe ende nuk është përmbyllur zgjedhja e gjyqtarëve të rinj. Nuk është e kuptueshme dhe nuk mund tëkonsiderohet normale që plotësimi i një vendi vakant nëgjykatën më të lartë të vendit të zgjasë kaq gjatë, kur ligji kërkonqë procedura të përfundojë brenda dy muajve. Çdo vonesë e tillëka pasoja të drejtpërdrejta: ul kapacitetin vendimmarrës tëGjykatës së Lartë, ngadalëson uljen e backlogut dhe dobësonbesueshmërinë e mekanizmave të karrierës që reforma nëdrejtësi synoi t’i bënte më të shpejtë, më transparentë dhe mëmeritokratikë.

Në të kundërt, gjykatat e apelit, si ato të juridiksionit tëpërgjithshëm ashtu edhe gjykata administrative e apelit, mbetenndër organet më të rënduara të sistemit. Objektivat për uljen e çështjeve të prapambetura në këto gjykata janë ambicioze, porato nuk mund të arrihen nëse mekanizmat e karrierës, vlerësimitdhe plotësimit të vakancave nuk ecin me ritëm shumë më tëlartë.

Prandaj, sot duhet të flasim për masa konkrete, përgjegjësitë qarta dhe afate reale për përfundimin e vlerësimeve. Ështëe vërtetë se procesi i vlerësimit është kompleks, pasi kërkon tëdhëna statistikore të sakta, staf të dedikuar, bashkëpunim me gjykatat dhe prokuroritë, administrim dokumentacioni, verifikimankesash dhe koordinim ndërinstitucional. Të gjitha këto janëarsye për të vepruar më shpejt, jo për të pranuar ngadalësinë sinormalitet.

KLGJ dhe KLP duhet ta trajtojnë vlerësimin etik dhe profesionalsi prioritet strategjik. Jo si një proces dytësor administrativ, porsi një proces me afate të qarta, objektiva të matshme, përgjegjësitë përcaktuara dhe raportim publik periodik.

Ajo që duhet të kërkohet nga sot e tutje është e qartë: kalimi ngakonstatimi i problemit te një plan konkret veprimi, me përgjegjësi të ndara dhe rezultate të matshme.

Së pari, duhet një plan i përbashkët pune, i matshëm dhe realist, për eliminimin gradual të prapambetjes së vlerësimeve. Jo vetëmprogram vjetor, por kalendar i qartë me objektiva konkrete, afate, përgjegjësi të përcaktuara dhe raportim periodik.

Së dyti, duhet forcim i kapaciteteve njerëzore të njësive tëvlerësimit. Nuk mund të kërkojmë ritëm të lartë pa staf tëdedikuar, të trajnuar dhe të mjaftueshëm.

Së treti, duhet digjitalizim real i të dhënave statistikore. Vlerësimi nuk mund të mbështetet në të dhëna të vonuara, tëpaplota ose të mbledhura manualisht me vështirësi. Pa statistikatë sakta nuk ka vlerësim objektiv dhe pa vlerësim objektiv nukka meritokraci të besueshme.

Së katërti, duhet thjeshtim i metodologjisë aty ku ajo prodhonngarkesë të panevojshme, pa cenuar cilësinë. Vlerësimi duhet tëjetë i thelluar, por jo i paralizuar nga formalizma që vonojnëpërfundimin e tij.

Së pesti, duhet harmonizim real ndërmjet KLGJ-së dhe KLP-së. Gjyqtarët dhe prokurorët kanë funksione të ndryshme, porstandardet bazë të etikës, profesionalizmit, meritokracisë dhetransparencës duhet të jenë të krahasueshme.

Dhe së fundi, duhet të kuptojmë se çdo vlerësim i vonuar ka njëkosto. Nuk është vetëm kosto për magjistratin që pret karrierën e tij. Është kosto për gjykatën që mbetet pa gjyqtar. Është kostopër prokurorinë që nuk plotëson strukturën. Është kosto përqytetarin që pret vendimin. Është kosto për besimin publik tedrejtësia.

Në përfundim, dëshiroj të theksoj se reforma në drejtësi nukmund të matet vetëm me krijimin e institucioneve të reja. Ajo duhet të matet me funksionimin e tyre. Dhe një nga provat më tërëndësishme të funksionimit të sistemit të ri është pikërishtvlerësimi etik dhe profesional i magjistratëve.

Nëse sistemi para reformes u kritikua sepse nuk vlerësonte nëkohë, nuk promovonte me meritë dhe nuk garantontetransparencë të mjaftueshme, sistemi i ri nuk ka luksin tëpërsërisë të njëjtin defekt.

Sot duhet të pranojmë se janë bërë hapa të rëndësishëm, porende jo të mjaftueshëm për ta kthyer vlerësimin etik dheprofesional në një mekanizëm që funksionon në kohë dhe me ndikim real në karrierën e magjistratit. Kjo është një nga hallkatqë kërkon vëmendje të menjëhershme, sepse prej saj varen jo vetëm vendimmarrjet individuale për emërim, ngritje në detyrë, transferim apo komandim, por edhe aftësia e gjykatave dheprokurorive për të funksionuar me kapacitetin e nevojshëm.

Për këtë arsye, sfida nuk është vetëm të kemi rregulla të mira, por t’i bëjmë ato efektive në kohën e duhur. Një sistem qëvlerëson në kohë, promovon më drejt; një sistem që promovonmë drejt, plotëson më shpejt vakancat; dhe një sistem qëplotëson më shpejt vakancat, ka më shumë mundësi të ulëngarkesën dhe t’i përgjigjet qytetarit brenda një afati tëarsyeshëm. Ky duhet të jetë drejtimi ynë i përbashkët.

Drejtësia përballë polarizimit: Pavarësia, përgjegjshmëria dhe besimi publik

26 March 2026 at 12:29

Nga Sokol Sadushi

Kryetar i Gjykatës së Lartë

Jam këtu përpara jush jo vetëm për shkak të detyrës që mbaj, por edhe me bindjen që më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës, se e drejta nuk është thjesht një profesion, por një mision. Dhe ky mision nuk mjafton të shpallet. Ai duhet të provohet çdo ditë, përmes karakterit, përgjegjësisë dhe besnikërisë ndaj së drejtës.

Tema që kam zgjedhur të trajtoj sot – pavarësia e gjyqtarëve, përgjegjshmëria e tyre dhe besimi publik te drejtësia – në librat e së drejtës mund të duket abstrakte, por në jetën e përditshme prek drejtpërdrejt çdo qytetar. Për këtë arsye do të flas hapur, sepse sistemi ynë i drejtësisë ka nevojë për sinqeritet, jo për retorikë, për një gjuhë që nuk i zbukuron problemet, por i pranon dhe i trajton me përgjegjësi.

Kjo ka rëndësi të veçantë, sidomos në kohët që jetojmë, kur shoqëria jonë përballet me një klimë të theksuar polarizimi. Pothuajse çdo çështje e rëndësishme rrezikon të lexohet në mënyrë të ndarë, të ngarkuar dhe të politizuar. Kjo ndodh në jetën publike, në debatet mediatike, në gjuhën politike, në rrjetet sociale, por ndonjëherë edhe në mënyrën si flitet për drejtësinë në mjediset akademike dhe profesionale.

Në një klimë të tillë, drejtësia vihet vazhdimisht në provë, jo vetëm nga presioni i jashtëm, por edhe nga mënyra si perceptohet nga shoqëria. Prandaj tema e sotme nuk është thjesht juridike. Ajo është edhe qytetare, edhe kulturore, edhe morale, sepse në këtë kohë polarizimi pavarësia e drejtësisë, përgjegjshmëria e saj dhe besimi publik bëhen më të brishta, por njëkohësisht edhe më të domosdoshme.

I. Pavarësia e gjyqtarëve

Le të fillojmë me një të vërtetë themelore: pavarësia e gjyqësorit nuk është një privilegj që i jepet gjyqtarit. Ajo është një garanci që ekziston për hir të qytetarit. Kur një gjyqtar gjykon i lirë nga presionet politike, ekonomike apo shoqërore, ai nuk mbron veten; ai mbron të drejtën tuaj për një gjykim të drejtë. Në fund të ditës, qytetari nuk ka nevojë për një gjyqtar që kujdeset të mos shqetësojë pushtetin; ai ka nevojë për një gjyqtar që kujdeset të zbatojë drejt ligjin.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e sanksionon qartë parimin se gjyqtari gjykon vetëm në bazë të Kushtetutës dhe ligjit. Pavarësia nuk është thjesht një tekst normativ. Ajo është një sjellje, një kulturë, një guxim i përditshëm. Ajo shfaqet në mënyrën si arsyetohet një vendim, si përballohet presioni dhe si refuzohet çdo ndikim i paligjshëm.

Le të jemi të drejtpërdrejtë: pavarësia sot kërcënohet jo vetëm nga presionet e jashtme, nga politika apo biznesi, por edhe nga një rrezik më i heshtur – konformizmi. Ka gjyqtarë që nuk janë nën presion nga askush, por që gjithsesi zgjedhin rrugën e lehtë, zgjedhin vendimin që nuk u krijon probleme, dhe jo vendimin që është i drejtë. Kjo është një formë e heshtur e humbjes së pavarësisë.

Ne kemi nevojë për gjyqtarë që nuk janë konformistë, që kanë guximin intelektual të mbajnë një qëndrim të pavarur kur ligji dhe drejtësia e kërkojnë, edhe kur mbeten në pakicë brenda trupit gjykues. Gjyqtari i pavarur nuk është vetëm ai që nuk merr urdhra, por ai që ruan gjykimin e vet edhe kur kjo kërkon guxim.

II. Sfidat e sistemit të drejtësisë sot

Nuk mund të flas për pavarësinë dhe përgjegjshmërinë pa i parë ato në kontekstin e realitetit të sotëm. Sistemi ynë i drejtësisë ndodhet në një fazë të vështirë tranzicioni.

Reforma në drejtësi, e nisur në vitin 2016, ishte një hap historik. Procesi i vetingut pastroi sistemin nga gjyqtarë dhe prokurorë që nuk i plotësonin standardet e integritetit. Kjo ishte e nevojshme, por çdo reformë e madhe ka edhe koston e saj. Ne duhet ta pranojmë këtë kosto me ndershmërinë që publiku e meriton, jo duke fshehur pasojat e saj, por duke i parë ato në sy dhe duke kërkuar zgjidhje.

Vakancat e krijuara në sistem nga largimi i një numri të madh gjyqtarësh ka lënë gjykatat me ngarkesë të jashtëzakonshme. Vonesa në drejtësi është sot një nga problemet më të mprehta që has qytetari shqiptar. Ka çështje që presin me vite për të marrë një përgjigje. Ka qytetarë që kanë humbur besimin jo sepse vendimi ishte i padrejtë, por sepse u dha kaq vonë, sa humbi vlerën që duhet të kishte për ta.

Kësaj i shtohet një problem tjetër – paqëndrueshmëria në vendimmarrje. Kur gjykata të ndryshme, apo edhe trupa të ndryshme brenda së njëjtës gjykatë, japin vendime kontradiktore për çështje të ngjashme, qytetari humbet orientimin. Kjo dëmton rëndë sigurinë juridike dhe dobëson besimin te shteti i së drejtës.

Gjykata e Lartë ka një rol vendimtar në këtë drejtim për të njësuar praktikën gjyqësore. Megjithatë, njësimi nuk vjen vetëm nga lart. Ai vjen edhe nga cilësia e gjyqtarit të shkallëve më të ulta, nga serioziteti i arsyetimit dhe nga një kulturë gjyqësore që e kupton se vendimi nuk është vetëm zgjidhje për palët, por edhe orientim për sistemin.

Në thelb, reforma në drejtësi nuk përfundon me ndryshimin e ligjeve ose me zëvendësimin e njerëzve. Reforma e vërtetë përfundon kur ndryshon mendësia, kur ndryshon kultura institucionale, kur gjyqtari i ri që hyn në sistem sjell me vete jo vetëm diplomën, por edhe ndërgjegjen dhe guximin profesional.

III. Përgjegjshmëria

Pikërisht këtu hyn përgjegjshmëria, si prova më e vërtetë se pavarësia nuk është privilegj, por detyrim në shërbim të publikut.

Pavarësia pa përgjegjshmëri është e rrezikshme. Një gjyqtar që kërkon pavarësi, por nuk jep llogari, rrezikon ta shkëpusë këtë parim nga qëllimi i tij i vërtetë. Në një demokraci, çdo pushtet duhet të ushtrohet me llogaridhënie. Pavarësia e vërtetë nuk matet nga mungesa e kontrollit, por nga aftësia për ta ushtruar pushtetin me ndershmëri, përmbajtje dhe vetëdije kushtetuese.

Përgjegjshmëria e gjyqtarit manifestohet në cilësinë e vendimeve, në arsyetimin juridik, në transparencën procedurale dhe në sjelljen etike. Një vendim që nuk arsyetohet mirë nuk e përmbush plotësisht funksionin e drejtësisë, sepse gjykata nuk bind vetëm duke vendosur, por duke shpjeguar pse vendos ashtu. Dhe sa më i madh është pushteti për të vendosur, aq më i lartë është detyrimi për të shpjeguar.

Procesi i vetingut nxori në pah një të vërtetë themelore: sistemi i drejtësisë nuk mund të funksionojë pa mekanizma realë llogaridhënieje. Ai na mësoi edhe diçka tjetër: llogaridhënia nuk duhet të shfaqet vetëm në momente krize; ajo duhet të jetë pjesë e kulturës së përditshme të drejtësisë, e standardit të punës, e etikës profesionale dhe e marrëdhënies me publikun.

Unë ju them sot, si pedagog dhe si Kryetar i Gjykatës së Lartë, se më shumë se nga çdo kontroll institucional, përgjegjshmëria fillon nga brenda. Fillon nga momenti kur gjyqtari e pyet veten: “A do ta pranoja këtë vendim si qytetar?” Nëse përgjigjja është jo, atëherë diçka nuk shkon.

IV. Besimi publik

Dhe pikërisht nga kjo marrëdhënie midis pavarësisë dhe përgjegjshmërisë lind ose humbet besimi publik te drejtësia.

Besimi publik është kusht i domosdoshëm për funksionimin e drejtësisë. Pa të, vendimet e gjykatave humbasin forcën bindëse, autoriteti i ligjit dobësohet dhe qytetari largohet nga besimi te rruga institucionale e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Kur dobësohet besimi te drejtësia, dobësohet edhe vetë rendi demokratik.

Sot në Shqipëri, besimi në drejtësi mbetet i ulët. Këtë e dimë të gjithë. Sidoqoftë, unë nuk erdha këtu të ankohem. Erdha të them se ky realitet mund të ndryshojë, nëse ne që jemi sot në sistem dimë t’i shohim me ndershmëri dhe përgjegjësi dobësitë e tij, t’i korrigjojmë ato, dhe nëse brezi që vjen zgjedh të mos pajtohet me to, por ta ngrejë sistemin më lart.

Besimi ndërtohet përditë, përmes vendimeve të arsyetuara me kujdes, gjykimeve brenda një kohe të arsyeshme, transparencës dhe dinjitetit institucional. Megjithatë, ai mund të dëmtohet shpejt nga një vendim i paarsyetuar, nga një vonesë e pajustifikuar apo nga një sjellje që cenon respektin që qytetari pret nga drejtësia. Prandaj drejtësia nuk matet vetëm me rezultatin përfundimtar, por edhe me mënyrën se si ajo e trajton qytetarin në çdo hap të procesit.

V. Drejtësia nuk fillon në sallën e gjyqit

Pikërisht për këtë arsye, drejtësia nuk fillon vetëm aty ku jepet një vendim; ajo merr formë shumë më herët, atje ku formohen bindjet, karakteri dhe ndërgjegjja profesionale e juristit. Zanafilla e saj nuk është vetëm salla e gjyqit, por edhe ky auditor, ku nis formimi i juristit.

E drejta mësohet në fakultet, por ndjenja e drejtësisë, kultura e debatit dhe respekti për mendimin ndryshe formohen në jetën e përditshme, në mënyrën si debatoni, si reagoni kur dikush mendon ndryshe dhe si e trajtoni atë që është më i dobët se ju në një diskutim. Juristi i mirë nuk dallohet vetëm nga ajo që di, por edhe nga mënyra si sillet me dijen, me argumentin dhe me kundërshtimin.

Nëse sot, në auditor, nuk pranoni të dëgjoni mendimin e tjetrit, si do të dëgjoni nesër palët, qytetarët apo kolegët në çdo detyrë që do të ushtroni? Nëse sot zgjidhni mosmarrëveshjet me zë të lartë dhe jo me argument, si do të arsyetoni nesër një vendim, një qëndrim ligjor apo një akt që prek të drejtat e të tjerëve? Nëse sot ndiqni shumicën pa e vënë në provë me mendimin tuaj, si do të keni nesër guximin të mbani një qëndrim të pavarur kur e drejta ta kërkojë?

Drejtësia fillon në shoqëri, në familje, në shkollë, në lagje dhe në mënyrën si ne komunikojmë me njëri-tjetrin. Një shoqëri që nuk respekton mendimin ndryshe nuk do të formojë juristë me mendim të pavarur. Një shoqëri që zgjedh konfliktin përpara dialogut nuk mund të ndërtojë institucione drejtësie që funksionojnë me besueshmëri dhe autoritet.

Ju jeni në atë moshë dhe në atë moment kur mënyra si po mësoni të mendoni, të gjykoni dhe të reagoni sot do të formësojë nesër karakterin tuaj profesional. Nëse mësoheni të dëgjoni para se të gjykoni, të arsyetoni para se të reagoni, të mos pranoni gjëra vetëm sepse shumica i pranon, atëherë ju po bëheni gati për të qenë jo thjesht juristë, por shtylla të një shteti të së drejtës.

Antikonformizmi në të drejtën nuk do të thotë rebelim. Do të thotë të mendosh me kokën tënde, të arsyetosh me ndërgjegjen tënde dhe të mos lejosh që rryma e shumicës të të largojë nga ajo që është e drejtë.

Për këta profesionistë ka nevojë Shqipëria: juristë me integritet, që kanë guximin të mbajnë një qëndrim të pavarur edhe kur kjo i vendos përballë shumicës.

VI. Mesazh për ju, studentët e së drejtës

Pikërisht për këtë arsye, mesazhi që dua t’ju lë sot nuk është vetëm të studioni më shumë, por të formoheni më thellë, si juristë dhe si qytetarë. Ajo që po ndaj me ju nuk buron vetëm nga librat, por edhe nga përvoja ime në sistemin e drejtësisë, në mësimdhënie dhe në procesin e reformës në drejtësi.

Së pari, mësoni ligjin, por mos harroni njeriun. Pas çdo çështjeje ka një njeri që pret drejtësi, një familje që pret përgjigje, një qytetar që pret të dëgjohet. Asnjëherë mos e humbni këtë perspektivë, sepse ligji, kur shkëputet nga njeriu, rrezikon të kthehet në formulë. Drejtësia nis pikërisht aty ku juristi arrin të shohë përtej shkresës edhe fatin njerëzor që ajo përfaqëson.

Së dyti, guxoni të jeni të pavarur. Në karrierën tuaj do të hasni presione, nga politika, nga biznesi, nga miqësitë, madje edhe nga vetë sistemi. Mos u lëkundni. Integriteti nuk është një vlerë abstrakte, por prova juaj e përditshme. Ai nuk matet me fjalë të mëdha, por me refuzimet e vogla të përditshme, me kompromiset që nuk pranoni dhe me kufijtë që nuk lejoni të shkelen.

Së treti, pranoni përgjegjshmërinë si fuqi, jo si barrë. Të japësh llogari nuk do të thotë të jesh i dobët; do të thotë të kesh guximin të tregosh se nuk ke asgjë për të fshehur. Në profesionet e drejtësisë, llogaridhënia nuk e zvogëlon autoritetin; ajo e legjitimon atë.

Së katërti, bëhuni zëri i atij qytetari që nuk dëgjohet. Drejtësia u përket të gjithëve, por vlera e saj matet veçanërisht nga mënyra se si ajo mbron ata që janë më të pambrojtur. Roli juaj si juristë është ta bëni ligjin një mburojë për ata që nuk kanë pushtet. Një sistem drejtësie matet jo nga mënyra si sillet me të fuqishmit, por nga mënyra si mbron më të pambrojturit.

Së pesti, gjithçka nis që sot. Mos prisni sallën e gjyqit, zyrën e avokatit apo institucionin ku do të shërbeni për të qenë të drejtë. Jini të drejtë në mënyrën si debatoni, si dëgjoni, si pranoni gabimin dhe si mbroni atë që besoni. Drejtësia nuk është diçka që do ta ushtroni vetëm nesër. Ajo është diçka që mund ta praktikoni që sot. Ajo është kulturë, karakter dhe mënyrë të jetuari, përpara se të bëhet profesion.

Do të përfundoj me një mendim që më ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës: Drejtësia nuk është një destinacion. Është një udhëtim i përditshëm që kërkon durimin e dijetarit, guximin e luftëtarit dhe ndërgjegjen e njeriut të mirë.

Ne kemi nevojë për gjyqtarë që nuk tremben, për avokatë që nuk shesin parimet, për prokurorë që nuk bëjnë politikë dhe për juristë që e duan ligjin më shumë se pushtetin që ai jep. Kemi nevojë për një brez juristësh që ta kuptojnë se forca e së drejtës nuk qëndron te frika që ajo krijon, por te besimi që ajo ngjall.

Këtë brez shpresojmë dhe besojme ta shohim tek ju. Nëse ndonjë ditë, njëri prej jush, në ushtrimin e profesionit, do të përballet me një moment kur duhet të zgjedhë ndërmjet të lehtës dhe të drejtës, kujtoni se drejtësia nuk fillon vetëm aty ku merret një vendim, por shumë më herët. Ajo fillon këtu, në këtë auditor, në mënyrën si formohet mendimi, karakteri dhe ndjenja e përgjegjësisë, sepse zgjedhja e drejtë nuk është gjithnjë e lehtë, por është gjithnjë e drejtë.

Shqipëria ka nevojë për ju, dhe po aq edhe drejtësia.

 

Refoma në drejtësi, jo episod, por trashëgimi

19 September 2025 at 15:16

Nga Sokol Sadushi

Është drejtësia shqiptare sot në nivelin që qytetarët presin prej saj?

Kjo është pyetja që na vë të gjithëve përpara realitetit. Nuk jam këtu për të bërë retorikë apo për të zbukuruar realitetin. Jam për të thënë të vërtetën, edhe kur ajo nuk na pëlqen. Ky është detyrimi im si Kryetar i Gjykatës së Lartë dhe si Kryetar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës. Ne e dimë të gjithë se ku ndodhemi, por shpesh zgjedhim të mos e themi hapur. Unë zgjedh ta them.

E vërteta është se kemi ecur përpara, kemi ndërmarrë reforma të guximshme, por ende nuk kemi arritur të fitojmë plotësisht besimin e qytetarëve. Mungesa e besimit publik është plaga jonë më e madhe. Ndaj sot është koha jo për lavdërime, por për përgjegjësi, jo për heshtje, por për zë të fortë, jo për të pritur nga të tjerët, por për të nisur nga vetja. Vetëm duke pranuar mangësitë tona dhe duke treguar integritet në çdo vendim, mund të ndërtojmë një gjyqësor që nuk është thjesht institucion, por themel i shtetit të së drejtës, një drejtësi që i shërben qytetarëve dhe fiton respektin e Europës.

Projekti Enhancing Judicial Integrity in Albania vjen në një moment të rëndësishëm. Reforma në drejtësi është në një fazë delikate. Institucionet e drejtësisë janë funksionale, por nëse qytetari shqiptar nuk e ndien se gjykata është vendi ku merr drejtësi, atëherë e gjithë kjo mbetet e paplotë. Raportet e Komisionit Europian e thonë hapur: ka progres, por vetëm “progres i moderuar”. Ka institucione të reja, por ndikimi mbi drejtësinë mbetet shqetësim. Ka vendime, por cilësia dhe koherenca e tyre është ende e ndryshueshme.

Vetingu ishte hapi më i guximshëm, më i domosdoshëm dhe më i dhimbshëm i kësaj reforme. Ai tregoi se askush nuk është mbi ligjin dhe se gjyqtarët dhe prokurorët nuk janë imun ndaj kritikës, kontrollit apo llogaridhënies. Vetingu nuk është certifikatë e përjetshme pastërtie. Përkundrazi, kalimi i vetingut është vetëm pika e nisjes për një standard të ri: gjyqtarët dhe prokurorët duhet të dëshmojnë çdo ditë me vendime, me sjellje dhe me qëndrime se janë të denjë për besimin që u është dhënë.

Megjithatë, të gjithë e dimë se vetingu nuk është zgjidhja përfundimtare. Vetingu u mendua si një masë e jashtëzakonshme dhe si një mjet i përkohshëm. Nëse sistemi ynë do të mbetet peng i masave emergjente, atëherë nuk do të arrijmë kurrë të ndërtojmë një drejtësi që qëndron mbi themele të forta. Sfida jonë sot është të kalojmë nga instrumenti i jashtëzakonshëm tek mekanizmat e përhershëm, nga pastrimi i sistemit tek ndërtimi i tij, nga frika tek vetëdija, nga rregulli i imponuar tek kultura e brendshme. Vetëm kështu reforma nuk mbetet një episod, por bëhet trashëgimi, e cila ndërtohet mbi katër shtylla: llogaridhënie, paanësi, etikë dhe integritet. Këto nuk janë vetëm parime abstrakte, por themelet mbi të cilat ngrihet besimi i publikut tek drejtësia.

Llogaridhënia është e para dhe më e domosdoshmja, është themeli mbi të cilin qëndron gjyqësori. Nëse gjykata nuk jep llogari për vendimet e saj, nëse gjyqtari nuk ndjen përgjegjësi për çdo akt që merr, atëherë reforma mbetet e gjymtuar. Një gjyqtar i mirë nuk është ai që i frikësohet kontrollit, por ai që e ndien se çdo vendim i tij qëndron përballë ligjit dhe shoqërisë. Në këtë mënyrë llogaridhënia bëhet kulturë e brendshme dhe jo masë e imponuar nga jashtë.

Në këtë kulturë, paanësia është zemra që i jep jetë drejtësisë, është garancia që qytetari nuk përballet me paragjykim, as me interesa të caktuara. Gjyqësori ende përballet me perceptime të forta për ndikime të jashtme, për vonesa, për mungesë qëndrueshmërie në vendime. Kjo dëmton besimin publik. Nuk mjafton që vendimi të jetë i drejtë sipas ligjit, por ai duhet të perceptohet si i drejtë. Qytetari që hyn në gjykatë nuk sheh vetëm aktet dhe procedurat; ai sheh sjelljen e gjyqtarit, si dëgjohet fjala e tij, respektin që merr në sallë, barazinë që i garantohet. Dhe vetëm kur ai të dalë nga gjykata me bindjen se u trajtua si i barabartë, ne kemi kryer misionin tonë.

As llogaridhënia dhe as paanësia nuk qëndrojnë pa integritetin, që është prova e përditshme e një gjyqtari. Integriteti nuk matet me deklarata pasurie, por me vendimin e guximshëm, me respektin ndaj më të dobtit, me refuzimin e kompromisit dhe me qëndrimin përballë presionit. Integriteti është arma më e fortë kundër korrupsionit.

Dhe këtë duhet ta themi hapur: perceptimi për korrupsion në gjyqësor ekziston. Nuk na nderon nëse e mohojmë; përkundrazi, na forcon kur e pranojmë. Jo për të ulur moralin, por për të ngritur përgjegjësinë, sepse vetëm duke pranuar dobësitë tona mund të bëhemi më të fortë. Ky është edhe kuptimi i këtij projekti ndërkombëtar.

Nëse korrupsioni është një plagë e dukshme, konformizmi është rreziku i padukshëm që gërryen themelet e drejtësisë. E kam thënë shpesh. Një nga problemet më të mëdha që ka mbërthyer sistemin e drejtësisë është konformizmi. Një drejtësi që pajtohet me çdo presion, që përshtatet me çdo rrethanë, nuk është drejtësi. Një gjyqësor konformist është një gjyqësor i dobët. Ne nuk duhet të kemi frikë nga e vërteta, edhe kur ajo është e hidhur, sepse vetëm duke e thënë hapur, ne bëjmë hapin për ta ndryshuar.

Sidoqoftë ndryshimi nuk vjen vetëm nga denoncimi i së keqes. Ai kërkon edhe ndërtimin e një kulture të re përgjegjshmërie, që duhet të mishërohet çdo ditë në sallat e gjyqit, në vendimet që marrim dhe në mënyrën si e ushtrojmë detyrën. Kjo përgjegjshmëri individuale nuk mjafton nëse nuk përkthehet në përgjegjësi institucionale.

Asnjë institucion nuk është i përjashtuar nga përgjegjësia, as Gjykata e Lartë. Përkundrazi, barra jonë është më e madhe, sepse nga vendimet tona varet jo vetëm fati i çështjeve konkrete, por edhe mesazhi që shoqëria merr për drejtësinë. Çdo vendim është një mësim, një udhëzues dhe një garanci për qytetarët. Nëse Gjykata e Lartë nuk mban të ndezur dritën e përgjegjshmërisë, nuk mund të presim që i gjithë gjyqësori të ndriçojë.

Në këtë drejtim, Gjykata e Lartë ka treguar rezultate të prekshme: në uljen e ndjeshme të numrit të çështjeve të prapambetura, në rritjen e cilësisë së vendimmarrjes përmes njësimit dhe konsolidimit të praktikës gjyqësore dhe vendosjes së standardeve më të qarta për sistemin. Por duhet të pranojmë edhe mangësitë, që lidhen me vonesat në gjykim, a me vendime jo përherë konsistente. Llogaridhënia fillon nga ne, dhe vetëm duke qenë të ndershëm me mangësitë tona kemi të drejtë të kërkojmë ndryshim tek të tjerët.

Kjo është sfida jonë e vërtetë: që Gjykata e Lartë të mos shihet thjesht si organ që zgjidh çështje, por si një model që orienton gjithë sistemin. Nga ky institucion pritet jo vetëm efikasitet, por edhe vizion, qartësi dhe shembull. Siç ka theksuar edhe Progres-Raporti i Komisionit Europian, pavarësisht përpjekjeve tona për unifikimin e praktikës gjyqësore përmes identifikimit të çështjeve, udhëzimeve të brendshme dhe shpërndarjes së vendimeve kryesore, problemet e qëndrueshmërisë së kësaj praktike ende mbeten.

Përgjegjësia e Gjykatës së Lartë është e madhe, por ajo nuk ka kuptim nëse nuk mishërohet nga çdo gjyqtar, sepse drejtësia është fytyra, zëri dhe vendimi i secilit prej nesh.

Pikërisht për këtë, mekanizmat e kontrollit dhe mbikëqyrjes marrin rëndësi të posaçme. Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka një rol të qartë ligjor si organ disiplinor, dhe ky funksion është i pazëvendësueshëm. Sistemi ka nevojë që shkeljet të hetohen, por ILD nuk duhet të mbetet vetëm një organ ndëshkimi. Po aq i rëndësishëm është është roli i tij parandalues dhe edukues: të ofrojë udhëzime mbi standardet etike, të nxjerrë mësime nga praktika disiplinore dhe të krijojë hapësira reflektimi për gjyqtarët e rinj. Vetëm duke bashkuar ndëshkimin me parandalimin, disiplinën me edukimin, ky institucion mund të ndërtojë një kulturë të qëndrueshme përgjegjshmërie në gjyqësor dhe kontrolli të shndërrohet nga një instrument frike në një instrument besimi.

Nuk i shmangen kritikës as Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Me shumicë magjistratë në përbërje, këto organe duhet të marrin më shumë përgjegjësi si qeverisës të vërtetë të drejtësisë. Ritmi i ngadaltë në procedurat e promovimit, ngritjes në detyrë dhe lëvizjes paralele ka sjellë pasiguri dhe pengesa në punën e gjykatave, ndaj kërkohet vendimmarrje më e shpejtë dhe transparente. Po aq e domosdoshme është ngritja e zërit për nevojat buxhetore, njerëzore dhe infrastrukturore, duke i imponuar këto si kërkesa kushtetuese e jo si çështje dytësore. Magjistratët që sot janë anëtarë të këshillave duhet të kujtojnë se nesër do të kthehen në pozicionet e tyre në gjykata e prokurori dhe do të jenë vetë ata që do të ndiejnë pasojat e një keqmenaxhimi apo mungese vizioni. Edhe anëtarët jomagjistratë, që mbajnë drejtimin e këshillave si kryetarë dhe zëvendëskryetarë, duhet të ushtrojnë lidership të vërtetë, me autoritet dhe integritet, për t’u përballur me pushtetet e tjera në emër të gjyqësorit. Vetëm duke treguar autoritet, vizion dhe koherencë, dy këshillat mund të fitojnë legjitimitet të plotë dhe të shihen si organe që qeverisin drejtësinë në interes të publikut dhe jo si struktura që humbasin besimin e kolegëve të tyre.

E pikërisht në këtë klimë pritshmërish, rëndohet edhe barra mbi SPAK-un dhe gjykatat e posaçme. Ato kanë fituar respektin e publikut dhe qytetarët i shohin si shpresën konkrete të reformës. Por ky respekt nuk është garanci e përhershme: ai duhet fituar çdo ditë, me hetime të paanshme, gjykime të shpejta dhe vendime të argumentuara. Në këtë sfond, edhe prokuroria e zakonshme nuk mund të mbetet në hije. Ajo është porta e parë e drejtësisë për qytetarët dhe aty matet çdo ditë besimi real tek shteti i së drejtës. Pa një prokurori funksionale dhe të besueshme, as suksesi i SPAK-ut nuk mund të ketë efekt të plotë.

Ky standard mund të qëndrojë i fortë vetëm nëse ngrihet mbi përgatitjen e brezit të ri. Dhe këtu është roli i Shkollës së Magjistraturës, prej të cilës pritet të formohen gjyqtarë e prokurorë me karakter dhe jo vetëm me dije juridike. Raporti i fundit i Komisionit Europian ka vënë në dukje mangësi në drejtim të përmirësimit të cilësisë programeve, rishikimit të kurrikulave në mënyrë gjithëpërfshirëse, të procedurave të pranimit apo të rekrutimit të stafit pedagogjik në Shkollë, çka cënon integritetin e institucionit. Këto janë sfida që kërkojnë vullnet të fortë reformues, sepse pa një Shkollë të Magjistraturës me standarde të larta nuk mund të kemi gjyqtarë e prokurorë të aftë t’i shërbejnë shtetit të së drejtës.

Në këtë mënyrë, vetëm duke pranuar dobësitë tona, ne mund të bëhemi më të fortë. Të gjitha këto tregojnë se drejtësia nuk ndërtohet nga një institucion i vetëm. Vetëm nëse Gjykata e Lartë, Këshillat, ILD, SPAK, Gjykatat e posaçme dhe Shkolla e Magjistraturës ecin së bashku, reforma bëhet realitet. Nëse secili sheh vetëm detyrën e vet të ngushtë, reforma mbetet letër.

Sot Shqipëria ndodhet në prag të një etape vendimtare të integrimit europian. Por le të jemi realistë: kapitujt e integrimit nuk mbyllen me fjalime politike, por me rezultate të matshme në të gjithë zinxhirin e sundimit të ligjit, nga hetimi policor dhe ndjekja penale e besueshme, te gjykime të paanshme e të shpejta, zbatim i vendimeve gjyqësore, administratë publike meritokratike, luftë e qëndrueshme kundër korrupsionit, mbrojtje e të drejtave themelore dhe liri e medias, si dhe një ekonomi funksionale që respekton rregullat. Brenda kësaj tabloje, vendimet gjyqësore që fitojnë besimin e qytetarëve janë prova e padiskutueshme se reforma po funksionon. Ky nuk është kusht i vendosur nga Brukseli, është kërkesë e qytetarëve tanë, është detyrimi ynë për ta përmbushur.

Kjo do të ndodhë vetëm kur të ndërtojmë një kulturë të re gjyqësore, e cila nënkupton:

  • Vetëdije të përditshme etike, ku integriteti nuk shihet si detyrim formal, por si pjesë natyrore e identitetit profesional;
  • Solidaritet institucional, ku çdo gjyqtar e sheh veten si pjesë të një trupi të vetëm, jo si individ i izoluar;
  • Mentorim dhe shembull personal, ku brezat e rinj mësojnë prej gjeneratës me përvojë jo vetëm ligjin, por edhe kulturën e sjelljes gjyqësore;
  • Transparencë dhe komunikim me publikun, që vendimet të kuptohen, të respektohen dhe të pranohet se drejtësia është në shërbim të qytetarëve;
  • Reflektim të vazhdueshëm mbi rolin tonë si gjyqtarë, mbi përgjegjësinë që mbajmë dhe mbi pasojat që vendimet tona kanë në jetën e njerëzve.

Të nderuar kolegë,

Këto nuk janë thjesht parime abstrakte, por kushtet konkrete që qytetarët presin të shohin në veprim. Ata nuk presin më fjalime entuziaste, por rezultate. Ata duan një drejtësi që vepron, që jep vendime të drejta e të shpejta, që i shpjegon ato qartë, që i bën gjyqtarët të shihen si shembuj ndershmërie dhe jo si të privilegjuar të sistemit.

Ne kemi përgjegjësinë të ndërtojmë një drejtësi ndryshe, që nuk fshihet, por del hapur, që nuk hesht, por flet me guxim, që nuk pajtohet me presionin, por qëndron mbi të, që nuk është vetëm për juristët, por mbi të gjitha për qytetarët. Vetëm kështu do të fitojmë besimin e publikut dhe respektin e Europës. Prandaj le ta shohim këtë projekt jo vetëm si një nismë teknike, por si një mundësi për të ndërtuar atë që mungon më shumë: një drejtësi që jo vetëm jepet, por që edhe besohet, jo vetëm e pavarur, por edhe e përgjegjshme, jo vetëm formale, por edhe morale, jo konformiste, por e ndershme dhe vizionare. Vetëm kështu sakrificat e reformës do të kthehen në trashëgimi. Një trashëgimi e fortë dhe e qëndrueshme për brezat që vijnë.

The post Refoma në drejtësi, jo episod, por trashëgimi first appeared on JavaNews.al.

❌
❌