Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayJava News

Pozita e mjerë e Partisë së Sali Berishës

5 June 2026 at 09:44

Nga Thoma Gëllçi

Kur Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, doli para mediave për të komentuar protestat kundër projektit të Zvërnecit, shumë qytetarë prisnin të dëgjonin atë që zakonisht pritet nga një opozitë: pyetje për ligjshmërinë e procedurave, për mungesën e konkurrencës, për ndikimin mjedisor të projektit apo për mungesën e transparencës së qeverisë.

Në fund të fundit, këto janë edhe arsyet që kanë nxjerrë në rrugët e Tiranës mijëra protestues gjatë ditëve të fundit.

Por Flamur Noka zgjodhi një tjetër rrugë. Duke ndjekur vijën politike të Sali Berishës, ai deklaroi se organizatorët e protestës janë “mercenarë të Sorosit” dhe se shqetësimi i tyre nuk lidhet as me lagunën e Nartës, as me flamingot, as me pasuritë publike. Sipas tij, problemi i vërtetë qenka investimi i Jared Kushnerit dhe lidhjet e këtij të fundit me familjen Trump.

Deklarata ishte interesante jo aq për atë që tha, sesa për atë që la pa thënë.

Asnjë fjalë për mënyrën se si po jepen pronat publike. Asnjë koment për ekspertët e mjedisit që kanë ngritur shqetësime serioze. Asnjë përgjigje për pyetjet që po bëjnë qytetarët, organizatat civile dhe specialistët e fushës. Në vend të kësaj, debati u transferua menjëherë nga Zvërneci në Uashington, nga laguna e Nartës në konfliktin e përhershëm mes Donald Trumpit dhe George Sorosit.

Dhe pikërisht këtu fillon të shfaqet drama e vërtetë e Partisë së Sali Berishës.

Vetëm pak ditë më parë ajo zhvilloi atë që e quajti “Kongresi i Ripërtëritjes”. Emërtimi ishte ambicioz dhe synonte të krijonte përshtypjen e një force politike që po hynte në një fazë të re. Por mjaftoi protesta e parë e madhe qytetare që fasada të fillonte të plasaritej.

Partia e “ripërtëritjes” u kthye me shpejtësi në partinë e “përpëlitjes”. Ose, më saktë, të “ripërpëlitjes”, sepse përpëlitja është bërë prej kohësh forma kryesore e veprimit politik të saj. Çdo zhvillim i ri nuk trajtohet si mundësi për të ndërtuar një alternativë politike, por si një rast tjetër për të mbijetuar politikisht.

Në protestat e Zvërnecit dallimet mes qeverisë dhe opozitës u bënë më të paqarta se kurrë. Qeveria mbron projektin sepse është projekti i saj. Kjo është normale. Më pak normale është që opozita të harxhojë energji duke sulmuar protestuesit në vend që të kërkojë llogari nga qeveria.

Për ta kuptuar këtë sjellje duhet parë elefanti në mes të dhomës: problemi i “non gratës”.

Shpallja e Sali Berishës “non grata” nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion madhor ka ndikuar në jetën e Partisë Demokratike shumë më tepër sesa pranojnë drejtuesit e saj. Në fakt, prej vitesh duket sikur çdo ngjarje politike, pavarësisht temës, përfundon duke u lexuar përmes këtij filtri.

Kështu, një debat për ligjet shqiptare shndërrohet në debat për politikën amerikane. Një protestë për pasuritë publike paraqitet si pjesë e luftës kundër Sorosit. Një kërkesë për transparencë interpretohet si sulm ndaj Trumpit.

Në këtë logjikë absurde, programi politik i partisë duket se është reduktuar në mbrojtjen e Donald Trumpit nga George Sorosi. Vështirë të imagjinohet një transformim më i çuditshëm për një forcë politike që pretendon se përfaqëson interesat e qytetarëve shqiptarë.

Në selinë e SHQUP-it, politika shqiptare duket se është shpallur degë periferike e betejave ideologjike amerikane. Shqipëria zhduket nga tabloja, ndërsa Uashingtoni bëhet qendra e universit politik.

Prandaj debati largohet vazhdimisht nga çështjet reale. Në vend që të diskutohet nëse janë respektuar ligjet shqiptare, diskutohet çfarë mendon Trumpi. Në vend që të kërkohen dokumentet e projektit, kërkohen komplotistët. Në vend që të analizohen procedurat, shpiken armiq të rinj.
Edi Rama dhe Sali Berisha duken sikur kanë hyrë në një garë të heshtur për t’i dëshmuar Donald Trumpit se kush është më besnik ndaj tij dhe familjes së tij.

Njëri e paraqet investimin si sukses historik. Tjetri sulmon këdo që kërkon transparencë për të. Njëri flet për zhvillim strategjik. Tjetri për mercenarë të Sorosit. Por në fund të ditës, të dy përfundojnë në të njëjtën pikë: mbrojtjen e të njëjtit projekt.

Problemi është se kjo garë mbështetet mbi një llogari afatshkurtër.

Donald Trump është sot President i Shteteve të Bashkuara, por jo përgjithmonë. Pas dy vitesh ai nuk do të jetë më në Shtëpinë e Bardhë. Kjo nuk është çështje bindjesh politike, por kufizim kushtetues.

Ndërkohë Shqipëria do të vazhdojë të ekzistojë edhe pas Trumpit, edhe pas Ramës, edhe pas Berishës.
Laguna do të mbetet aty. Tokat publike do të mbeten aty.

Pasojat e vendimeve të sotme do të mbeten aty për dekada.
Pikërisht për këtë arsye qytetarët kërkojnë transparencë. Dhe pikërisht për këtë arsye opozita ka detyrimin të jetë në krah të kësaj kërkese.

Kur një opozitë heq dorë nga ky rol dhe nis të kërkojë armiq imagjinarë në vend të përgjegjësive konkrete, ajo humbet arsyen e ekzistencës së saj.

Dhe kur një parti që sapo ka shpallur “ripërtëritjen” e vet reagon në këtë mënyrë ndaj protestës së parë të madhe qytetare, atëherë bëhet e qartë se problemi nuk është mungesa e sloganit të duhur. Problemi është mungesa e një drejtimi politik.

Ngjarjet e Zvërnecit e kanë bërë këtë më të dukshme se kurrë.

Ato treguan se pas retorikës së ripërtëritjes vazhdon të fshihet e njëjta përpëlitje e vjetër.

Zvërneci që po dridhka Greqinë

3 June 2026 at 08:42

Nga Thoma Gëllçi

Ngjarjet e fundit në Zvërnec dhe protestat e zhvilluara në Tiranë kanë nxjerrë në skenë edhe teori spiunazhi e komplote ndërkombëtare kundër një resorti turistik që pritet të ndërtohet në Shqipëri. Studiot televizive të Tiranës janë mbushur me specialistë të vetëshpallur, të cilët përpiqen të shpjegojnë panikun e madh që, sipas tyre, ka përfshirë Greqinë fqinje.

Madje, një deputete bionde me titullin “doktoreshë” deklaroi në televizionin publik se protestat në Tiranë janë “të mirëfinancuara”, duke lënë të kuptohet se para të mëdha po derdhen nga Greqia për të penguar ndërtimin e resortit. Një analist tjetër, i njohur për ekspertizën e tij universale që shtrihet nga ekonomia te gjeopolitika e deri te spiunazhi ndërkombëtar, arriti deri aty sa të sugjeronte se elementë rusë kishin depërtuar në protestat e Tiranës.

Kështu, një debat që duhej të ishte për transparencën, procedurat, mjedisin, zhvillimin ekonomik dhe interesin publik, u shndërrua papritur në një roman me agjentë të huaj, shërbime sekrete, financime të errëta dhe komplote rajonale.

Të besosh se Greqia ka frikë nga një resort në Zvërnec është njësoj si të besosh se Turqia po shqetësohet sepse në Elbasan po ndërtohet një xhami.

Greqia ka mbi gjashtë mijë ishuj e ishujza, qindra destinacione turistike të njohura në mbarë botën, aeroporte ndërkombëtare, marina moderne, porte kroçerash dhe një industri turistike të ndërtuar ndër dekada. Ajo pret dhjetëra milionë turistë çdo vit dhe është një nga fuqitë turistike të Mesdheut. Por, sipas disa analistëve tanë, mjafton të ngulësh një tabelë ndërtimi në Zvërnec dhe menjëherë fillon paniku në Athinë.

Madje, sipas kësaj logjike, Korfuzi qenka duke humbur gjumin, ministria greke e Turizmit paska ngritur shtabin e emergjencës dhe investitorët grekë po pyesin me ankth se çfarë do të ndodhë pas ndërtimit të resortit shqiptar.
Ka vetëm një problem me këtë teori: turizmi nuk funksionon kështu.

Turizmi modern nuk është një lojë ku fitimi i njërit është humbja e tjetrit. Sot, pjesa më e madhe e industrisë turistike funksionon në mënyrë rajonale dhe ndërkombëtare. Paketat turistike janë shpesh multinacionale. Kroçerat ndalojnë në disa porte të ndryshme gjatë të njëjtit udhëtim. Jahtet lëvizin nga marina në marinë. Turistët që vizitojnë Greqinë shpesh kalojnë edhe në Shqipëri, ashtu siç turistët që zbulojnë Shqipërinë vizitojnë edhe destinacione greke.

Një kroçerë që ndalon në Korfuz mund të ndalojë të nesërmen në Sarandë. Një turist që kalon pushimet në Ishujt Jonianë mund të vendosë të kalojë një ditë në rivierën shqiptare. Një jaht që ankorohet në Greqi mund të vazhdojë rrugën drejt porteve shqiptare. Në këtë kuptim, një turizëm i zhvilluar në Greqi ndihmon edhe Shqipërinë, ashtu siç një Shqipëri më tërheqëse turistikisht mund të sjellë më shumë lëvizje dhe interes për të gjithë rajonin.
Prandaj ideja se Athina po financon protesta për t’u mbrojtur nga një resort në Zvërnec tingëllon më shumë si skenar për një serial politik sesa si analizë serioze ekonomike.

Akoma më interesante bëhet historia kur në diskutim futen emrat e Jared Kushnerit dhe Ivanka Trumpit. Në atë moment duket sikur nuk po flasim më për një investim privat, por për një çek magjik pa kufi financiar. Sapo përmendet mbiemri Trump, disa sillen sikur miliardat kanë mbërritur tashmë në bankat shqiptare, turistët janë duke zbritur nga avionët dhe zhvillimi ekonomik është garantuar për një shekull.

Pas naftës së Shpiragut, hidrogjenit të Bulqizës dhe gjithë pasurive të tjera që herë pas here na premtojnë begati të menjëhershme, duket se shpresa shqiptare për t’u bërë e pasur pa shumë mundim nuk është shuar. Tashmë shpresa e radhës quhet Zvërnec dhe dhëndri i Donald Trumpit.

Emri i një familjari të presidentit amerikan është shndërruar në një lloj karte të bardhë që zëvendëson çdo procedurë. Nuk ka më nevojë për gara të hapura. Nuk ka më nevojë për konkurrencë ndërkombëtare. Nuk ka më nevojë të pyesësh nëse ka investitorë të tjerë të interesuar, nëse mund të ketë oferta më të mira apo nëse shteti po negocion kushtet më të favorshme për qytetarët e vet.

Logjika e re është e thjeshtë: nëse projekti lidhet me një emër të njohur, atëherë pyetjet bëhen të tepërta.
Transparenca konsiderohet bezdi. Gara shihet si pengesë. Konkurrenca interpretohet si mosmirënjohje.

Po sikur nesër të paraqitet një investitor tjetër me më shumë kapital, më shumë përvojë dhe një ofertë më të favorshme për shtetin shqiptar? Po sikur të paraqiten pesë investitorë? Po sikur të paraqiten dhjetë? Pikërisht për këto arsye ekzistojnë procedurat konkurruese në çdo ekonomi normale: që shteti të zgjedhë ofertën më të mirë dhe jo emrin më të famshëm.

Askush nuk është kundër investimeve. Shqipëria ka nevojë për investime serioze, të mëdha dhe afatgjata. Por investimi nuk është sinonim i përjashtimit nga rregullat. Emri i investitorit nuk mund të zëvendësojë ligjin. Miqësia politike nuk mund të jetë alternativë e konkurrencës së ndershme.

Interesant është fakti se nga Zvërneci po dridhet vetëm Greqia. Deri tani nuk kemi parë ndonjë shenjë paniku në Mal të Zi, as në Kroaci. Nga Italia nuk ka mbërritur ende asnjë sinjal alarmi. Ndoshta ekspertët tanë të gjeopolitikës nuk kanë arritur ende të zbulojnë komplotin adriatik.

Ndërkohë, teoritë se Greqia po dridhet nga frika e Zvërnecit mbeten po aq bindëse sa pretendimi se një resort i vetëm do të ndryshojë ekuilibrat turistikë të gjithë Mesdheut. Ndoshta do të ishte më e dobishme të flisnim më pak për ankthin imagjinar të Athinës dhe më shumë për pyetjet reale që lidhen me transparencën, procedurat, interesin publik dhe mënyrën se si administrohet pasuria e përbashkët e shqiptarëve.

ADS dhe tundimi i shtetit programues/ Çfarë na mëson Estonia për teknologjinë, konkurrencën dhe rolin e shtetit në epokën dixhitale

31 May 2026 at 14:32

Nga Thoma Gëllçi

Kur Estonia u godit nga sulmet masive kibernetike të vitit 2007, vendi u përball me një nga krizat më serioze të historisë së tij moderne. Institucionet shtetërore, bankat, mediat dhe një pjesë e rëndësishme e infrastrukturës dixhitale u vunë nën presion nga sulme të koordinuara që synonin paralizimin e shërbimeve publike. Për një shtet që kishte investuar fort në teknologji dhe në administratën elektronike, kjo ishte një sfidë që prekte drejtpërdrejt sigurinë kombëtare.

Në teori politike dhe administrative, kur një shtet përballet me një krizë të tillë, reagimi më i zakonshëm është centralizimi. Qeveritë priren të marrin më shumë kontroll, të kufizojnë aktorët e jashtëm dhe të përqendrojnë kompetencat në duart e institucioneve shtetërore. Shumë ekspertë prisnin që Estonia të ndiqte pikërisht këtë rrugë: të zvogëlonte rolin e kompanive private, të krijonte struktura të mbyllura shtetërore dhe të ndërtonte një sistem teknologjik të kontrolluar pothuajse tërësisht nga administrata publike.
Por Estonia bëri të kundërtën.

Në vend që të shtetëzonte teknologjinë, ajo e hapi më shumë atë. Në vend që të përjashtonte sektorin privat, e afroi atë me shtetin. Në vend që të përqendronte gjithçka në një strukturë të vetme, ndërtoi sisteme të decentralizuara dhe standarde të hapura.

Sot, pothuajse dy dekada më vonë, Estonia konsiderohet një nga historitë më të suksesshme të transformimit dixhital në botë.

Ky shembull merr rëndësi të veçantë në Shqipëri pas vendimit të qeverisë për krijimin e kompanisë publike “Albanian Digital Solutions” (ADS). Sipas modelit të shpallur nga kryeministri Edi Rama, AKSHI do të vazhdojë të ketë rolin e drejtimit, rregullimit dhe monitorimit të cilësisë, ndërsa ADS do të marrë përsipër zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve të administratës publike.

Kjo do të thotë se shteti shqiptar nuk po kufizohet më në hartimin e politikave, standardeve dhe kontrollit të cilësisë. Ai po hyn drejtpërdrejt në tregun e zhvillimit të softuerëve si prodhues.

Pikërisht këtu lind pyetja kryesore: pse pothuajse asnjë nga vendet më të zhvilluara të botës nuk e ka zgjedhur këtë model?

Në Shtetet e Bashkuara ekzistojnë struktura si US Digital Service dhe 18F. Në Britaninë e Madhe vepron Government Digital Service. Në Gjermani, Holandë dhe vendet nordike funksionojnë institucione të ngjashme. Të gjitha këto organizma kanë staf të specializuar, përcaktojnë standardet teknike, projektojnë arkitekturën e sistemeve dhe monitorojnë zbatimin e kontratave.

Por asnjë prej tyre nuk është shndërruar në një kompani shtetërore që zhvillon shumicën e sistemeve informatike të qeverisë.

Arsyeja është e thjeshtë. Teknologjia nuk është një sektor që funksionon mirë me logjikën tradicionale të ndërmarrjeve publike. Inovacioni lind nga konkurrenca. Ai ushqehet nga lëvizja e vazhdueshme e ideve, talenteve dhe investimeve.

Nëse shteti bëhet prodhuesi kryesor i teknologjisë, ai fillon të konkurrojë me vetë tregun që duhet të zhvillojë.

Një tjetër arsye lidhet me tregun e punës. Sot një programues apo arkitekt softuerësh në Tiranë nuk konkurron vetëm me kompanitë shqiptare. Ai konkurron dhe rekrutohet nga kompani në Londër, Amsterdam, Berlin, Stokholm apo Kaliforni. Puna në distancë dhe globalizimi i tregut të teknologjisë kanë krijuar një treg pune praktikisht ndërkombëtar.

Kjo do të thotë se ADS nuk do të konkurrojë vetëm me kompanitë vendase për të tërhequr ekspertët më të mirë. Ajo do të konkurrojë me gjithë tregun global të teknologjisë.

Pyetja është nëse një kompani publike mund të ofrojë të njëjtën fleksibilitet, të njëjtat paga dhe të njëjtat mundësi zhvillimi profesional që ofron ky treg ndërkombëtar. Nëse nuk mundet, rrezikon të mbetet pa talentet që i nevojiten. Nëse mundet, atëherë lind një pyetje tjetër: përse shteti duhet të hyjë në konkurrencë të drejtpërdrejtë me sektorin privat në një treg ku tashmë ekzistojnë kompani dhe profesionistë të specializuar?

Po aq i rëndësishëm është edhe ndikimi në ekonominë dixhitale shqiptare. Gjatë viteve të fundit është krijuar një industri teknologjike që punëson mijëra të rinj dhe eksporton shërbime në tregjet europiane dhe amerikane. Shteti është një nga klientët më të mëdhenj potencialë të kësaj industrie.

Nëse projektet strategjike kalojnë gradualisht tek ADS, një pjesë e konsiderueshme e tregut largohet nga konkurrenca dhe përqendrohet në një kompani publike. Kjo mund të kufizojë investimet private, të dobësojë sipërmarrjen dhe të ngadalësojë zhvillimin e sektorit.

Nga pikëpamja institucionale, krijimi i ADS ngre gjithashtu pyetje të rëndësishme. Në demokracitë moderne ekziston një tendencë e vazhdueshme për të ndarë funksionet dhe për të shmangur përqendrimin e kompetencave. Kur një institucion përcakton rregullat dhe një tjetër zbaton ato rregulla, krijohet një ekuilibër më i shëndetshëm.
Në rastin shqiptar, AKSHI do të mbetet teorikisht rregullatori, ndërsa ADS do të bëhet zbatuesi kryesor. Megjithatë, të dyja strukturat do të jenë pjesë e të njëjtit ekosistem shtetëror. Kjo krijon një model shumë të ndryshëm nga ai që përdoret zakonisht në vendet ku shteti përcakton standardet dhe tregu konkurron për zbatimin e tyre.
Në këtë pikë vlen të shtrohet edhe një pyetje paksa ironike. Nëse logjika është se shteti duhet të prodhojë vetë atë që i nevojitet, atëherë pse të ndalemi vetëm tek teknologjia? Për të ndërtuar shkolla dhe spitale mund të krijohen ndërmarrje shtetërore ndërtimi. Për të furnizuar sistemin shëndetësor mund të krijohen fabrika shtetërore ilaçesh. Për të ndërtuar autostrada mund të krijohen kompani shtetërore asfaltimi. Për të prodhuar pajisje mjekësore mund të krijohen uzina shtetërore. Në teori, kjo logjikë mund të shtrihet në çdo sektor.
Por pothuajse askund në botën demokratike nuk ndiqet një model i tillë. Arsyeja është se shteti konsiderohet më efikas kur organizon tregun, vendos standarde dhe kontrollon cilësinë, sesa kur përpiqet të bëhet vetë prodhuesi kryesor në çdo fushë.
Kjo na rikthen sërish tek Estonia. Pas sulmeve të vitit 2007, estonezët nuk zgjodhën rrugën e centralizimit. Ata nuk krijuan kompani shtetërore programimi. Nuk u përpoqën të zëvendësonin sektorin privat. Përkundrazi, ndërtuan një model që shmangte çdo varësi afatgjatë, qoftë nga kompanitë private, qoftë nga vetë shteti.
Platforma X-Road u ndërtua mbi standarde të hapura dhe mbi një arkitekturë të decentralizuar. Shumë komponentë u zhvilluan sipas filozofisë open source. Dokumentacioni teknik u bë i aksesueshëm dhe sistemet u projektuan në mënyrë që të mos mbeteshin peng i një furnizuesi të vetëm.
Rezultati ishte se, edhe kur një kompani zhvillonte një sistem, një kompani tjetër mund ta mirëmbante atë më vonë. Shteti mbetej pronar i standardeve dhe i arkitekturës, ndërsa konkurrenca mbetej e hapur.
Ky është ndoshta mësimi më i rëndësishëm që vjen nga Estonia. Problemi i varësisë nga kontraktorët privatë nuk zgjidhet duke krijuar një monopol shtetëror. Ai zgjidhet duke ndërtuar standarde të hapura, sisteme të dokumentuara dhe procese që lejojnë konkurrencën e vazhdueshme.
Debati mbi ADS ka të bëjë me mënyrën se si ndërtohet një shtet modern në epokën dixhitale. Përvoja e vendeve më të avancuara sugjeron se forca e shtetit nuk matet nga sa shumë kod shkruan vetë administrata publike. Ajo matet nga aftësia për të vendosur rregulla të qarta, për të garantuar konkurrencë dhe për të siguruar që askush , as një kompani private dhe as vetë shteti , të mos bëhet i pazëvendësueshëm.
Pikërisht aty do të gjendet përgjigjja nëse ADS do të jetë një hap përpara në modernizimin e administratës shqiptare apo një largim nga modelet që kanë prodhuar sukseset më të mëdha dixhitale në botë.

Dinjitari dhe dinjiteti: Kur mungesa e kulturës protokollare paraqitet si modernitet

24 May 2026 at 12:17

Nga Thoma Gëllçi

Në një fragment të shkurtër video gjatë vizitës së Kryeministrit Rama në Japoni, pashë kryeministrin e vendit tim që u përpoq t’i puthte dorën kryeministres japoneze. Pasi ajo e shmangu me takt dhe me siklet këtë veprim, kryeministri u largua, por nuk harroi t’i vendoste dorën mbi sup në shenjë afrimiteti.

Kjo nuk është hera e parë që Kryeministri Rama komentohet për sjelljen e tij në takime ndërkombëtare. Shumë njerëz kujtojnë sjelljen tashmë rutinë të tij kur ulet në gjunjë para Kryeministres italiane Giorgia Meloni. Të njohura janë edhe pamjet kur shkon në takim zyrtar me kryeministrin grek i veshur me atlete, pa kollare dhe me veshje sportive, duke e kaluar situatën me shprehjen: “Nuk e dija se do të më prisnit kaq mirë, prandaj erdha i veshur sportiv.” Po ashtu, në shumë raste të tjera, në takime të rëndësishme protokollare ai është paraqitur me atlete të bardha, madje i ka premtuar edhe presidentit francez se do t’i blinte një palë të tilla.

Disa këtë e quajnë humor, të tjerë spontanitet ose shenjë miqësie. Por çështja nuk është se si interpretohet një veprim i tillë. Çështja është se si një kryeministër duhet të sillet si përfaqësues i shtetit.

Fjala “dinjitar” lidhet me dinjitetin. Dinjiteti nuk është vetëm një cilësi personale, por edhe një detyrim publik. Një drejtues shteti duhet të tregojë vetëkontroll dhe të respektojë standardet që kërkon funksioni i tij. Kur merr pjesë në takime zyrtare, ai përfaqëson Republikën e Shqipërisë dhe jo vetëm veten.
Për këtë arsye ekziston protokolli diplomatik. Ai nuk është një grup rregullash të panevojshme. Protokolli ndihmon që marrëdhëniet mes shteteve të zhvillohen me respekt dhe profesionalizëm. Ai përcakton mënyrën e përshëndetjes, sjelljen në takime dhe respektimin e normave kulturore të vendit pritës.

Asnjë vizitë shtetërore nuk organizohet pa përgatitje. Përpara çdo takimi zyrtar, stafet diplomatike informojnë drejtuesit për zakonet, traditat dhe rregullat e vendit ku do të zhvillohet vizita. Një zyrtar i përgatitur duhet të dijë se me kë takohet dhe cilat norma duhet të respektojë.

Të sillesh ashtu si u soll Kryeministri Rama në Japoni do të thotë të mos kesh parë asnjë film japonez, pa lëre më të kesh lexuar diçka për kulturën dhe mënyrën e sjelljes së njerëzve të atij vendi. Shoqëria japoneze i kushton shumë rëndësi formalitetit, respektit dhe hapësirës personale. Kontakti fizik është më i kufizuar sesa në shumë vende të tjera. Puthja e dorës nuk është pjesë e traditës japoneze dhe prekjet e panevojshme gjatë komunikimit nuk konsiderohen të përshtatshme. Përshëndetja tradicionale bëhet me një përkulje të lehtë dhe me respektimin e distancës personale.

Këto janë informacione të njohura dhe lehtësisht të aksesueshme. Nuk kërkojnë njohuri të specializuara diplomatike. Prandaj, kur një drejtues shteti nuk i respekton këto norma, vështirë se mund të flitet për origjinalitet apo stil personal. Më shumë krijohet përshtypja e mungesës së përgatitjes.

Po aq problematik është edhe reagimi që shpesh pason në Shqipëri. Analistë që shpesh mahniten me “gjyshen veneciane të kryeministrit” i paraqesin këto sjellje si karizëm, ndërsa shkeljen e normave si modernitet ose autenticitet. Në realitet, respektimi i rregullave nuk e ul personalitetin e askujt. Përkundrazi, tregon profesionalizëm dhe seriozitet.

Diplomacia bazohet te respekti reciprok. Respekti fitohet kur njeh kulturën e vendit ku ndodhesh dhe kur tregon konsideratë për njerëzit me të cilët komunikon.

Për këtë arsye, shumë shtete investojnë në trajnimin e drejtuesve dhe diplomatëve të tyre. Ata mësojnë për historinë, kulturën dhe ndjeshmëritë e vendeve partnere. Kjo bëhet sepse marrëdhëniet e mira ndërkombëtare kërkojnë njohje dhe respekt.

Kur një kryeministër duket i papërgatitur përballë kulturave të tjera, pasojat nuk kufizohen vetëm tek ai si individ. Në arenën ndërkombëtare, ai identifikohet me shtetin që përfaqëson. Sjellja e tij ndikon në mënyrën se si perceptohet vendi.

Nga mënyra se si Kryeministri Rama e përshkroi vetë vizitën në Japoni, krijohej përshtypja se vendi pritës kishte bërë përjashtime të veçanta vetëm për të. Sikur protokolli japonez, i njohur për përpikërinë dhe formalitetin e tij, të ishte rishkruar për një ditë të vetme. E dëgjoje dhe mendoje se në Tokio ishin mbledhur zyrtarët më të lartë të shtetit për të diskutuar jo çështjet e marrëdhënieve dypalëshe, por mënyrën më të përshtatshme për të pritur mysafirin nga Tirana.

Në të vërtetë, japonezët bënë atë që bëjnë gjithmonë: respektuan protokollin, treguan mirësjellje dhe kryen detyrat e tyre me korrektësi. Por nga rrëfimi i kryeministrit, të dukej sikur Japonia kishte zbuluar një fenomen aq të rrallë, sa duhej të linte mënjanë traditat e saj shekullore për t’i bërë vend një përvoje krejtësisht të re.

Por kryeministri ynë modest nuk e mbajti gjithë meritën për vete, duke thënë se pritja e shkëlqyer ndaj tij tregonte respekt për Shqipërinë dhe se vizita e tij në Japoni dëshmonte se sa lart ishte ngritur Shqipëria në botë.

Megjithatë, një gjë e arrijnë sjellje të tilla: të mos flitet për rezultatet konkrete të një vizite apo aktiviteti, por të merremi me puthjet, përunjësitë, përqafimet, atletet dhe shallvaret. Nëse ky është qëllimi, atëherë vizita në Japoni ishte vërtet shumë e suksesshme.

Republika pa një ditë republike

16 May 2026 at 09:18

Nga Thoma Gëllçi

E theksoj që në fillim se ky shkrim nuk ka të bëjë me Ditën e Republikës. Ne kemi mësuar nga historia se më 11 janar 1946, Shqipëria u shpall zyrtarisht republikë. Por ajo që kemi mësuar në librat e historisë nuk ekziston më në kujtesën publike. Nuk festohet. Nuk përkujtohet. Nuk ka ceremoni shtetërore, nuk ka reflektim kombëtar, nuk ka asnjë ndjesi se aty filloi forma politike në të cilën jetojmë edhe sot.

Pavarësisht se sistemi komunist ra dhe kemi ndryshuar disa kushtetuta gjatë kësaj kohe, Shqipëria mbeti po ajo republikë. Nuk kemi një datë të dytë themelimi. Nuk kemi një “republikë të re”. Nuk kemi një moment historik ku shqiptarët të jenë mbledhur e të kenë vendosur solemnisht parimet mbi të cilat ndërtohet shteti modern shqiptar.

11 janari kujtohet zakonisht vetëm si dita kur komunistët vulosën pushtetin e tyre. Dhe me të drejtë, sepse republika shqiptare lindi nën hijen e një sistemi totalitar. Por ky shkrim nuk e ka objekt këtë moment historik. Problemi është se Shqipëria nuk arriti kurrë ta çlirojë republikën nga ajo lindje politike. Tridhjetë e ca vite tranzicion kanë treguar se nuk kemi një kulturë republikane që të ishte më e fortë se regjimet dhe partitë.

Prandaj sot jetojmë në një shtet që quhet republikë, por që rrallëherë funksionon si e tillë.

Republika nuk është vetëm një formë juridike. Nuk mjafton të heqësh mbretin apo të shkruash në kushtetutë “Republika e Shqipërisë”. Republika është një filozofi e organizimit të pushtetit. Është ideja që askush nuk është mbi ligjin. Që pushtetet kontrollojnë njëri-tjetrin. Që institucionet nuk ndërtohen për t’i shërbyer liderit të radhës, por qytetarit.

Në Shqipëri ndodhi e kundërta. Ne morëm fjalën “republikë” (vetëm fjalën, as datën e krijimit jo), por nuk ndërtuam dot kulturën e saj.

Në vend të një modeli organik, krijuam një shtet të improvizuar me pjesë të marra nga çdo cep i botës. Ca ligje nga francezët, ca kode nga italianët, ca procedura nga gjermanët, ca institucione nga amerikanët, ca zakone administrative nga lindja komuniste dhe ca refleks oriental të bindjes ndaj njeriut të fortë.

Kemi parlament si anglezët, por me disiplinë partie që do ta kishte zili edhe Byroja Politike. Kemi institucione “të pavarura” si në Perëndim, por me kulturë besnikërie personale ndaj pushtetit. Kemi retorikë kushtetuese moderne dhe praktikë politike feudale. Përziejmë demokracitë monarkike evropiane me mënyrën e sundimit të oborreve orientale dhe në fund prodhojmë një sistem që nuk ngjan plotësisht me asgjë.

Republika shqiptare është bërë një konstruksion i çuditshëm ku ligjet nuk ndërtojnë rend, por shtohen mbi njëra-tjetrën si kate pa projekt. Njëlloj si Kushtetuta e Shqipërisë, që ndryshohet sa herë që shtrëngojnë duart Rama me Berishën, apo kur ndonjë ambasador kërkon ndonjë reformë sui generis nga shqiptarët.

Dhe sa herë sistemi hyn në krizë, përgjigjja jonë nuk është forcimi i institucioneve ekzistuese, por shpikja e institucioneve të reja duke ndryshuar kushtetutën.

Çdo krizë prodhon një strukturë të re, një komision të ri, një agjenci të re, një mekanizëm të ri “të posaçëm”. Është bërë Kushtetuta me aq amendamente dhe arnime sa që nuk do ta njihte as krijuesi. I ka mbetur pa ndryshuar vetëm fjala Republikë.

Ne, në vend që të korrigjojmë shtetin, shtojmë shtetin mbi shtet.

Lexova sot një shkrim nga Ylli Manjani për një temë të cilën ai e ka ngritur shpesh si shqetësim: mania shqiptare për t’i vendosur “mballoma” kushtetutës. Sa herë që sistemi nuk funksionon, ne nuk analizojmë pse dështojnë institucionet ekzistuese; ne krijojmë institucione paralele. Dhe kështu republika shqiptare ka nisur të ngjajë jo me një arkitekturë logjike pushtetesh, por me një ndërtesë të vjetër ku çdo qeveri shton një dhomë sipas nevojës së momentit.

Krijojmë organe të posaçme, struktura speciale, mekanizma të jashtëzakonshëm, kompetenca hibride, institucione që nuk kontrollojnë njëri-tjetrin sipas frymës klasike republikane, por mbivendosen mbi njëri-tjetrin në mënyrë konfuze.

Por në Shqipëri kemi krijuar një sistem ku pushtetet jo vetëm ndërhyjnë tek njëri-tjetri, por shpesh krijojnë zona gri ku askush nuk mban përgjegjësi të plotë. Institucionet e reja lindin me kompetenca të gjera, me mbështetje ndërkombëtare, me status moral superior ndaj institucioneve të tjera, dhe gradualisht krijohet ideja se republika nuk funksionon më përmes ekuilibrit, por përmes përjashtimeve.

Çdo gjë bëhet “speciale”. Prokurori speciale. Gjykata speciale. Struktura speciale. Ligje speciale. Kompetenca speciale.

Por republika nuk mbahet nga institucione heroike dhe as nga “heronjtë e fëmijëve të Kimit”. Republika mbahet nga institucione normale që funksionojnë normalisht.

Në Shqipëri ne kemi humbur besimin tek normaliteti. Kemi bindjen se çdo problem zgjidhet vetëm me një mekanizëm të jashtëzakonshëm. Dhe kështu kemi ndërtuar një shtet ku askush nuk është plotësisht sovran në kompetencën e vet, por të gjithë mbivendosen mbi njëri-tjetrin.

Parlamenti kontrollon qeverinë në teori, por shumica parlamentare kontrollon parlamentin. Institucionet e pavarura kontrollohen nga interesat politike që i emërojnë. Drejtësia kërkon pavarësi, por njëkohësisht kerkon qe te jete ”patjeter e posacme” jashte sistemit te Republikes por si dicka ekstra ligjore.

Ai nuk di më kush mban përgjegjësi. Nuk di kush vendos realisht. Nuk di kush kontrollon kë. Nuk di kush përgjigjet për dështimet. Dhe kur qytetari nuk arrin të kuptojë arkitekturën e shtetit të vet, republika fillon të largohet nga qytetari dhe të kthehet në pronë të kastës politike dhe juridike.

Kjo është arsyeja pse shqiptarët kanë një marrëdhënie të ftohtë me shtetin. Ata nuk e ndjejnë republikën si krijim të tyre. E shohin si një mekanizëm të largët, të paqartë dhe shpesh armiqësor. E shohin si krijim të një pushteti armiqësor.

Në republikat e konsoliduara ekziston një kulturë institucionale që i mbijeton qeverive. Në Shqipëri institucionet ndryshojnë frymë sa herë ndryshon pushteti. Administrata nuk i bindet shtetit, por partisë. Ligji interpretohet sipas interesit politik të ditës. Dhe çdo shumicë sillet jo si administratore e përkohshme e republikës, por si pronare e saj.

Kjo trashëgimi nuk është vetëm komuniste. Është më e thellë. Shqipëria historikisht ka pasur vështirësi të ndërtojë institucione impersonale. Pushteti gjithmonë është lidhur me individin, me kryetarin, me figurën dominuese. Edhe sot politika shqiptare funksionon më shumë mbi besnikërinë personale sesa mbi filozofinë institucionale.

Prandaj ne kemi liderë më të fortë se partitë, parti më të forta se shteti dhe shtet më të dobët se pushteti. Dhe ne që kemi kritika për këtë model qeverisjeje, ia kërkojmë këto ndryshime pikërisht njerëzve që e kanë në dorë dhe që u intereson gjendja që është, apo e kundërta e asaj që duhet. Sepse republika e vërtetë ua heq të drejtën që të qeverisin si deri më tani, pa kontroll. Dhe ndryshimet që mendojnë të bëjnë synojnë të kundërtën e asaj që kërkon republika: synojnë një përfaqësim sa më të ngushtë popullor, ngushtimin e pushtetit në vetëm dy duar dhe kthimin e zgjedhjeve në një formalitet katërvjeçar.

Në këtë kuptim, republika shqiptare vazhdon të mbetet një projekt i papërfunduar dhe është tërësisht i kotë diskutimi historik mbi datën e krijimit të republikës.

Mirënjohje për rrugaçin që nuk i preu pemët

13 April 2026 at 08:53

Nga Thoma Gëllçi

Në fshat ishte një rrugaç. Të gjithë e njihnin. Të gjithë i shmangeshin dhe të gjithë ia kishin frikën. Nuk ishte nga ata që flasin shumë. Ai vepronte. Nëse nuk i hapje rrugën, të hapte ai kokën. Prandaj njerëzit kishin mësuar: më mirë të largohesh pak, se sa të përfundosh në spital.
Kaluan vite dhe ndodhi ajo që askush nuk e priste. Rrugaçi u vesh polic.
Aty filloi halli i vërtetë.
Më parë njerëzit nuk ankoheshin nga frika. Tani nuk ankoheshin sepse s’kishte ku të ankoheshin. Ishte vetë ligji. Dhe ligji, siç dihej, nuk kishte zakon të grindej me veten.
Një ditë, rrugaçi-polic doli nëpër fshat dhe tha:
“Do t’i presim arrat.”
Ishin nja dhjetë rrënjë arra në një lëndinë. Të vjetra. Të bukura. Nuk i kishte askush, por ishin të të gjithëve. Kur vinte koha e vjeljes, mblidhej fshati, i vilnin dhe i ndanin drejt. Pa sherre. Pa llafe.
Tani rrugaçi kishte marrë sharrën dhe sëpatën.
U mblodh fshati.
“Mos i prit,” i thanë.
“Na duhen.”
“Janë për të gjithë.”
Ai i dëgjoi.
“Ka marrë fund kjo punë,” tha, “do t’i pres! Dhe ju zhdukuni nga sheshi dhe mos u shoh nëpër rrugë. Shkoni nëpër shtëpia.”
Ç’të bënin. Ishte dhe rrugaç, edhe polic. Kishte dhe muskuj, kishte dhe ligj.
Ikën.
Disa burra shkuan të thërrasin kushërinj e miq të rrugaçit nga fshatrat përreth. Edhe ata rrugaçë në vendin e tyre, me shpresë se ndoshta një rrugaç e kupton një rrugaç.
Erdhën. Folën. U duk sikur e bindën pak. Pastaj ai tha:
“Ju jap afat deri në fund të javës. Pastaj do t’i pres.”
Fshati mbeti në ankth. Ç’të bënin? I kishte zënë belaja. Çdo ditë kalonte si muaj. Askush nuk flinte rehat. Gratë psherëtinin. Burrat rrinin në heshtje. Fëmijët pyesnin: “Pse do i presë arrat?”
Dhe askush nuk kishte përgjigje.
Erdhi dita. Erdhi edhe ora.
Tre orë para afatit, rrugaçi-polic doli në shesh.
U mblodh fshati.
Ai tha:
“Mendova mirë. Nuk do t’i pres arrat. Le të rrinë aty ku janë.”
Një heshtje e shkurtër. Pastaj shpërtheu gëzimi.
“Rrofsh!”
“Zoti të dhëntë jetë!”
“Na shpëtove!”
Filluan t’i puthnin dorën. Dikush solli mish, dikush raki. U shtrua gosti në mes të fshatit. U ngritën dolli.
“Për burrin që nuk i preu arrat!”
Dhe pinin. Dhe qeshnin. Dhe e falënderonin.
Që atë ditë e deri sot, sa herë kalojnë nga ajo lëndinë, ndalen dhe thonë:
“Këto arra janë aty falë tij.”
Askush nuk pyet pse deshi t’i presë.
Askush nuk pyet pse ndryshoi mendje.
Mjafton që nuk i preu. Dhe për këtë, ai mbetet njeriu që “bëri të mirën e madhe”.

MAGAmorali

8 April 2026 at 20:52

Nga Thoma Gëllçi

Në një kohë kur bota po digjej, ku lajmet për luftëra, bombardime, qytete të rrafshuara, spitale të bombarduara dhe fëmijë të vrarë rridhnin në çdo ekran, anëtari i vendosur i MAGAmoralit qëndronte i palëkundur. Me një bindje që do ta kishte zili kushdo, ai përsëriste: “Kjo është rruga e duhur dhe e drejtë.”

Asgjë nuk mund ta lëkundte atë nga kjo bindje.

Kur raketat ndriçonin qiellin, atij i dukeshin fishekzjarre.

Kur shkollat bëheshin hi, nuk i shkonte në mendje se brenda atyre mureve kishte edhe fëmijë.

Kur një qytet i tërë bëhet gërmadhë dhe mungon edhe uji i pijshëm, ai ankohet për presionin e ujit në dush.

Togfjalëshi “dëme kolaterale” i duket zgjidhja më e mirë për çdo bisedë dhe debat.

Sepse MAGAmorali ka një kod të vetin etik. Një lloj morali i përmbysur, ku dhimbja e tjetrit është e largët, abstrakte, pothuajse një film ku njerëzit vriten dhe ngjallen sipas dëshirës së regjisorit dhe shijeve të audiencës. Është thjesht një dramë që ndodh “diku tjetër”, në një kanal tjetër, në një botë tjetër.
Por pastaj ndodhi diçka.

Diçka e papritur për të. Diçka e habitshme për të.

Çmimi i karburantit u rrit. Kur shkoi të furnizonte makinën, pa që nuk po i dilte hesapi i parave që kishte llogaritur.

Dhe aty, për herë të parë, MAGAmorali ndaloi. Jo për të reflektuar mbi viktimat. Jo për të menduar mbi luftën. Jo për të pyetur nëse rruga ishte e drejtë.
Por për të parë çmimin në pompën e benzinës.

Aty MAGAmoralit i filloi kriza ekzistenciale.

“Si ka mundësi?” – pyeti ai, duke parë shifrën që ngjitej.
“Kjo nuk ishte pjesë e planit.”

Deri dje, bombat ishin teori. Lufta ishte strategji. Vrasjet ishin “domosdoshmëri”.
Sot, benzina ishte faturë.

Dhe papritur, MAGAmorali u bë praktik.

MAGAmorali nuk është ndërtuar mbi parime universale të së drejtës dhe të së shtrembrës, por mbi çmimin për litra dhe galonë. U kthye kundër luftës jo sepse vriteshin njerëz, por sepse po rritej çmimi i naftës. Nuk është kundër shkatërrimit, por kundër kostos së tij personale.

Por e tregoi se edhe MAGAmorali e ka një moment. Është momenti kur bindja fillon të kriset. Jo nga ndërgjegjja, por nga kuleta.

Sepse për MAGAmoralin, bota mund të digjet, për sa kohë rezervuari i makinës mbushet lirë për të.

Dhe duke parë këtë fenomen lind pyetja e madhe filozofike:

Sa duhet të rritet çmimi i benzinës që ndërgjegjja e njeriut të ndizet?

 Kur na e thonë të vërtetën në sy

26 March 2026 at 16:47

Nga Thoma Gëllçi

Kam dëgjuar nëpër studio të ndryshme debate të ashpra mbi deklaratën e Marta Kos për korrupsionin. U bëra kurioz dhe iu futa kërkimeve që ta gjeja. “Ti mund të kesh legjislacionin më të mirë për të luftuar korrupsionin,” ka thënë Marta Kos në Politico duke vazhduar, “por nëse korrupsioni është i pranuar në vend, atëherë ke një problem tjetër. Kështu që të gjitha ato vende kanë duke kaluar përmes këtij procesi të ndryshimit të mendësisë ndaj korrupsionit dhe kjo do pak kohë.”

Ajo nuk tha se shqiptarët janë të korruptuar. Ajo bile nuk i zuri fare shqiptarët në gojë. Ajo tha diçka më të rëndë, që ne që e kemi mizën nën kësulë, na dogji: ajo tha se korrupsioni është i pranuar në shoqëri.

U inatosëm shumë. Por më shumë u inatos Partia Demokratike që nuk la studio dhe konferencë shtypi pa e denoncuar këtë deklaratë të poshtër. Sipas saj argumenti është i thjeshtë: nuk është populli i korruptuar, por qeveria, Edi Rama dhe njerëzit e tij. Në pamje të parë, ky duket si një qëndrim i drejtë. Por a është i plotë?

Por pyetja që duhet bërë është më e thjeshtë: si sillet shoqëria shqiptare ndaj korrupsionit?

Sepse korrupsioni nuk jeton vetëm në zyrat e qeverisë. Ai jeton edhe në mënyrën se si ne reagojmë ndaj tij. Në mënyrën si e tolerojmë, si e justifikojmë, si e relativizojmë. Ka një shprehje që e përmbledh shumë mirë këtë realitet: “Korrupsioni është i poshtër dhe i dënueshëm… me përjashtim të rastit kur e bëj unë.”

Mjafton të shohësh reagimin publik. Në momentin që dikush denoncon korrupsionin e pushtetit aktual, një ushtri patronazhistësh i hidhet në fyt. Nuk diskutohet fakti, por sulmohet personi. Në të njëjtën kohë, krahu tjetër politik të përkrah, të duartroket, të ngre në piedestal.

Por provo të bësh të kundërtën. Shkruaj për korrupsionin e ish-pushtetarëve që sot janë në opozitë. Papritur rolet ndërrohen. Ata që të sulmonin dje, të mbështesin sot. Ata që të përkrahën dje, të sulmojnë pa mëshirë.

Nuk ka një qëndrim të qëndrueshëm kundër korrupsionit në vetvete, por një reagim që varet nga kush është në pushtet dhe kush është në opozitë. Në fund, secili është kundër korrupsionit vetëm kur nuk i përket palës së vet.

Pra, nuk kemi një shoqëri që lufton korrupsionin. Kemi një shoqëri që zgjedh se cilin korrupsion të mbrojë dhe cilin të sulmojë, në varësi të bindjes politike.

Në këtë mes, shoqëria civile ose është bërë pjesë e kësaj loje, ose ka zgjedhur të heshtë. Dhe heshtja, në këtë rast, është bashkëfajësi.

Atëherë pse zemërohemi me Marta Kos?

Sepse ajo nuk foli për qeverinë. Ajo foli për ne. Dhe kjo është më e vështirë për t’u pranuar. Është më e lehtë të fajësosh një politikan sesa të reflektosh për veten. Është më e rehatshme të thuash “ata janë të korruptuar” sesa të pranosh se ne, si shoqëri, kemi mësuar të bashkëjetojmë me korrupsionin.

E vërteta nuk është gjithmonë e bukur. Por kjo nuk e bën atë raciste apo fyese. E bën thjesht… të vërtetë.

Dhe ndoshta pikërisht kjo është arsyeja pse na dhemb.

 

 

 

Përse nuk na dhanë vendin e parë?

21 March 2026 at 00:03

Nga Thoma Gëllçi

Mbaj mend se në kohën e komunizmit kur në fshat kishim vetëm bukë misri dhe duhet të kishim ndonjë mik të fortë në qytet që të blinim ndonjë bukë gruri të ngrënshme, kur në raftet e dyqaneve “kishte rënë karkaleci”, kur nëpër shtëpia në qytete ndaheshin tallonet e ushqimit dhe radhët e qumështit fillonin me 1 të natës etj etj, Shqipëria mori çmimin e parë në botë për ushqimin e popullsisë.

Të uritur ishim dhe një copë mish kishim kohë pa e parë, por ama çmimi na ngushëllonte: përderisa ne ishim të parët në mirëushqyerjen e popullit, merreni me mend vetë se në çfarë skamjeje jetonte bota borgjeze dhe revizioniste. Pra, logjika ishte e thjeshtë: nëse ne, në këtë gjendje, ishim të parët, atëherë të tjerët duhet të ishin shumë më keq. Dhe kjo na mjaftonte. Nuk kërkonim shpjegim tjetër.

Kjo histori mu kujtua kur dëgjova kryeministrin e vendit që tha se Shqipëria kishte zënë vendin e nëntë në sigurinë kibernetike. U habita, të them të drejtën, sepse i kemi ende të freskëta sulmet kibernetike që na kanë ndodhur, që na kanë vjedhur dhe nxjerrë në shesh edhe zorret e barkut, që të gjitha IT e qytetarëve i gjen online, që të gjitha rrogat i dolën online dhe që serverat qeveritarë herë pas here bien nga ndonjë sulm i papritur. Jo më shumë se pak kohë më parë dëgjuam se hakerat (sigurisht gjithmonë “iranianë” sipas versionit zyrtar) kishin sulmuar serverat e parlamentit shqiptar dhe kishin marrë nën kontroll emailet.

Sipas njoftimeve, kishin marrë disa të dhëna, por nuk kishin bërë dëm.

I habitur siç isha, por edhe kurioz si njeri që nuk beson lehtë, iu drejtova burimit përkatës që na ka dhënë vendin e 9-të. Hapa faqen e organizatës dhe prisja që kjo e dhënë të ishte e gabuar ose e keqinterpretuar. Por jo. Ishte aty, e shkruar qartë: Shqipëria në vendin e nëntë në botë për sigurinë kibernetike.

Këtu fillon pjesa interesante.

Prapë kurioz fillova të shfletoj më tej për të parë ku qëndronin shtetet e tjera në këtë klasifikim. Ku qëndronte Japonia, për shembull, vendi i njohur për teknologjinë e lartë. Kur na vjen në mend fjala teknologji, na vjen menjëherë në mendje një japonez. Por sipas listës, Japonia është në vendin e 34. Australia në vendin e 21. Austria në vendin e 26. Kroacia në vendin e 33. Britania e Madhe në vendin e 31. Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vendin e 30. Bullgaria në vendin e 36 dhe Kina në vendin e 67.

Pra, sipas këtij klasifikimi, Shqipëria është përpara të gjithëve këtyre.

Grekët i kemi lënë prapa. Janë në vendin e 24. Edhe italianët janë pas nesh, në vendin e 20.

Amerikanët, siç thashë më lart, janë në vendin e 30. Vendi që ka zhvilluar dhe shpikur internetin, inteligjencën artificiale, që ka Microsoft dhe Apple, që ka Google dhe Tesla, që ka CIA dhe FBI, që ka bankat më të mëdha dhe menaxhon dollarin e gjithë botës, që ka ushtrinë më të madhe dhe më të fortë në botë, qenka shumë prapa Shqipërisë në rankimin botëror për sigurinë kibernetike.

Interesant ky rankim.

Kam dy ditë që vras mendjen dhe nuk i jap dot shpjegim një rezultati të tillë. As shembulli i çmimit për ushqimin e popullsisë nuk më ndihmoi fillimisht. Sepse këtu nuk bëhet fjalë për propagandë të brendshme, por për një klasifikim ndërkombëtar. Pra, dikush jashtë nesh e ka thënë këtë.

Atëherë, si shpjegohet?

Kur papritur mu kujtua një histori kur unë vetë punoja në kryeministri dhe isha këshilltar i kryeministrit. Në kohën kur kryeministër ishte Ilir Meta, mora pjesë në një vizitë zyrtare në Washington. Gjatë një takimi me Prokuroren e Përgjithshme të SHBA-së, Janet Reno, ajo pyeti: “Si jeni me krimet kibernetike në Shqipëri?”

Përgjigjja ishte e drejtpërdrejtë: nuk kishim krime kibernetike.

Ajo u habit. “Shumë mirë,” tha. “Bravo. Ne këtu kemi shumë probleme me krimet kibernetike. Ju lumtë që e keni zgjidhur këtë punë.”. Në fakt, arsyeja ishte e thjeshtë: nuk kishte pothuajse fare teknologji. Interneti ishte shumë i kufizuar, sistemet ishin manuale dhe hapësira digjitale ishte minimale. Pra, nuk kishte krim kibernetik sepse nuk kishte terren ku ai të ndodhte.

Dhe këtu fillon të marrë kuptim edhe vendi i nëntë.

Sepse ndoshta problemi nuk është se ne jemi më të fortë se të tjerët. Ndoshta problemi është se mënyra si matet “siguria” nuk ka lidhje me atë që përjeton qytetari çdo ditë. Ndoshta vlerësohen strategjitë në letër, dokumentet, ligjet, strukturat, planet kombëtare, raportet dhe prezantimet. Dhe këto, siç dihet, ne i bëjmë shumë mirë.

Pra, mund të ndodhë që në letër të jemi shumë të sigurt, ndërsa në praktikë të kemi probleme të përditshme.

Si atëherë me bukën.

Atëherë kishim çmimin e parë në botë për ushqimin, ndërkohë që njerëzit rrinin në radhë për qumësht.

Sot kemi vendin e nëntë në botë për sigurinë kibernetike, ndërkohë që të dhënat dalin në internet dhe sistemet bien.

Ndryshon vetëm fusha.

Logjika mbetet e njëjtë.

Megjithatë, pas gjithë këtyre hulumtimeve, mua më mbeti në mendje një pyetje: pse nuk na dhanë vendin e parë?

Problemi nuk është iftari, por liria e medias

18 March 2026 at 18:55

 Nga Thoma Gëllçi

Nuk është problem që Presidenti shtron një darkë iftari. Nuk është problem as nëse shtron darka për Krishtlindje apo për Vitin e Ri. Këto janë gjeste normale, njerëzore dhe institucionale. Një drejtues shteti ka të drejtë të tregojë respekt për komunitete të ndryshme, ku futen edhe profesionistët e medias. Por për herë të parë shoh një drejtues të një shteti laik që shtron iftar vetëm për gazetarët që janë besimtarë të devotshëm. Këtu ku jam unë,ne SHBA, kur kisha dhe xhamia shtrojnë darka respektive për festat fetare, ftojnë njëri-tjetrin pavarësisht besimit apo mosbesimit. Këtë kam parë deri më sot edhe në Shqipëri. Si punonjës i vjetër i medias në Shqipëri, më ka rënë rasti të ftohem nëpër iftare të ndryshme, megjithëse besimi im fetar është i krishterë ortodoks dhe realisht nuk jam praktikues i fesë.
Në këtë logjikë, Presidenti duket sikur ka nisur një klasifikim të ri të shqiptarëve sipas profesionit dhe privilegjit: në krye gazetarët qe agjerojne përfitojnë edhe iftar institucional, ndërsa të tjerët presin radhën. Të imagjinosh tani një axhendë zyrtare ku nesër shtrohet iftar për fshatarët që mbajnë Ramazan, pasnesër për shoferët që shkojnë në xhami, më pas për hidraulikët besimtarë apo për parukierët praktikantë të devotshëm. Me këtë ritëm, Presidenca rrezikon të kthehet në një kalendar darkash sipas zanateve dhe bindjeve personale. Pyetja është e thjeshtë: a është kjo mënyra për të përfaqësuar gjithë qytetarët, apo po krijojmë një hierarki të çuditshme ku disa profesione duken më “të denja” për vëmendje shtetërore se të tjerat?
Presidenti i Republikës nuk mund t’i ndajë gazetarët në ata që besojnë në Zot dhe ata që nuk besojnë. Nuk mund t’i ndajë në ata që agjërojnë dhe ata që nuk agjërojnë. Nuk mund të flasë sikur po u drejtohet vetëm një grupi fetar, sepse ai përfaqëson të gjithë qytetarët.
Por nuk do të zgjatem shumë në këtë çështje, sepse këtë e ka sqaruar mirë profesori Artan Fuga në shkrimin e tij, si dhe miku im Luan Rama, i cili e ka shtjelluar më tej këtë temë.
Problemi nuk qëndron tek darka. Problemi qëndron tek raporti real mes pushtetit dhe medias. Ndryshe nga Shqipëria, ku pushteti fton gazetarët nëpër dreka dhe darka – dhe jo, për shembull, berberët – kjo nuk flet se e nderojnë profesionin e gazetarit, por se e përdorin si një mjet për t’u afruar dhe për të fituar sadopak ndikim. Në SHBA, për shembull, organizohet darka vjetore e korrespodentëve të Shtëpisë së Bardhë. Ky është një event tradicional që organizohet nga Shoqata e Korrespodentëve të Shtëpisë së Bardhë. Ajo mbledh gazetarë, politikanë, figura publike dhe shpesh edhe Presidentin, në një mbrëmje formale që ka si qëllim të theksojë rëndësinë e lirisë së shtypit dhe marrëdhënies mes medias dhe pushtetit. Një element i veçantë i kësaj darke është humori: zakonisht mbahen fjalime me tone ironike dhe vetëkritike, ku Presidenti dhe gazetarët “tallin” njëri-tjetrin në mënyrë publike.
Pra, janë gazetarët që e shtrojnë darkën dhe politikanët janë të ftuar. Por le të kthehemi tek iftari i Presidentit Bajram.
Sipas Kushtetutës sonë, Shqipëria është një shtet laik. Presidenti nuk bën as meshë dhe as lutje. Ai jep mesazhe publike. Dhe këto mesazhe duhen parë jo vetëm për fjalët që përmbajnë, por për realitetin që pasqyrojnë. Kur flitet për të vërtetën, për përgjegjësinë e medias dhe për luftën ndaj “fake news”, pyetja kryesore është: sa e lirë është media sot për ta bërë këtë?
Media në Shqipëri ka disa probleme të njohura:
Së pari, varësia nga pronarët. Shumica e mediave nuk janë biznese të pavarura që jetojnë nga tregu i informacionit. Ato janë të lidhura me interesa ekonomike dhe politike të pronarëve. Kjo e kufizon gazetarin që në fillim. Ai nuk vendos vetë çfarë është e vërtetë. Ai e di se ka kufij.
Së dyti, marrëdhënia mes pushtetit dhe pronarëve të mediave. Pushteti nuk ka nevojë të kontrollojë drejtpërdrejt gazetarët kur ka ndikim tek pronarët. Përmes lejeve, tenderave, reklamave shtetërore dhe favoreve të tjera, krijohet një raport varësie. Ky raport reflektohet më pas në përmbajtjen e mediave.
Së treti, pasiguria e gazetarëve. Gazetarët në Shqipëri shpesh punojnë pa kontrata të forta, me paga të ulëta dhe me frikën e largimit nga puna. Në këto kushte, është e vështirë të kërkosh integritet profesional të plotë. Liria nuk është vetëm parim, është edhe kusht ekonomik.
Së katërti, vetëcensura. Nuk ka gjithmonë nevojë për presion të drejtpërdrejtë. Gazetari shpesh e di vetë se çfarë nuk duhet të thotë. Kjo është forma më e fortë e kufizimit të medias.
Asnjë nga këto probleme nuk u cek në fjalimin e Presidentit tonë.
Presidenti ynë, edhe pse quhet Bajram, nuk është hoxhë. Është Kryetar i Shtetit. Dhe si i tillë, duhet të flasë. Dhe duhet të prekë ato probleme që janë sëmundja më e madhe e shoqërisë sonë mediatike.
Kur mesazhi publik mbështetet tek referenca fetare, krijon ndarje të panevojshme. Këtu nuk është feja problem, por Bajrami. Roli i Presidentit është të bashkojë, jo të krijojë dallime, qoftë edhe simbolike.
Respekti për besimin është i rëndësishëm. Por po aq i rëndësishëm është respekti për ata që nuk besojnë, ose që i përkasin besimeve të tjera. Në një shtet laik, ky ekuilibër nuk është çështje stili, është detyrim. Sepse edhe media mund të përmirësohet kur pushteti flet me përgjegjësi dhe kur institucionet respektojnë kufijtë e tyre. Atëherë edhe fjala për të vërtetën merr kuptim real.
Një shtet nuk matet nga darkat që shtron, por nga distanca që mban nga pushteti mbi fjalën e lirë. Nëse Presidenti nuk guxon të përmendë kufizimet reale të medias, atëherë mesazhi mbetet një tek cilesia e mishit. Liria e medias nuk forcohet me iftare, as me mish te pjekur, por me institucione që nuk ndërhyjnë, me pushtet që nuk ndikon dhe me gazetarë që nuk kanë frikë.

Inteligjenca Artificiale në luftë

14 March 2026 at 17:10

Nga Thoma Gëllçi

Para disa kohësh pothuajse të gjithë portalet dhe gazetat online të Shqipërisë, duke përshkruar operacionin e forcave speciale amerikane për kapjen e Nicolas Maduro në Venezuelë, u ndalën në një detaj të veçantë. Në shumë tituj u përmend një “armë e re” që quhej Anthropic. Portalet shqiptare e paraqitën si një teknologji sekrete që po përdorej për herë të parë në një operacion ushtarak.

Në fakt, Anthropic nuk është armë.

Anthropic është një kompani amerikane e inteligjencës artificiale që zhvillon modele të mëdha për përpunimin e të dhënave dhe gjuhës.
Këto sisteme nuk janë raketa, dronë apo sisteme artilerie. Por ato mund të bëhen pjesë e sistemit që analizon informacionin dhe ndihmon në vendimmarrjen për përdorimin e armëve.

Përdorimi i inteligjencës artificiale në konfliktet e fundit sot në botë është shtuar dhe për këtë nuk po themi asgjë të re.

Në luftërat moderne algoritmi nuk është predha dhe arma. Por shqetësimi i sotëm është se nga një mjet ndihmës për përpunimin e të dhënave sot ai po kthehet në komandë. Ai po kalon nga procesi i analizës së të dhënave, identifikimit të objektivave dhe planifikimit të operacioneve në një vendimmarrës.

Në luftën mes Ukrainës dhe Rusisë të dyja palët po përdorin inteligjencën artificiale për të përpunuar të dhëna nga dronët, radarët dhe satelitët. Ukraina përdor sisteme analize që identifikojnë pozicione artilerie dhe lëvizje trupash duke analizuar video dhe imazhe satelitore në kohë shumë të shkurtër. Për t’iu kundërvënë teknologjisë bllokuese të valëve nga ana e Rusisë, Ukraina po prodhon dhe përdor dronë plotësisht autonomë, të cilët nuk marrin më komanda nga qendra por veprojnë të pavarur.

Rusia ka zhvilluar sisteme të ngjashme. Dronët e saj të zbulimit përdorin algoritme për njohjen e objekteve dhe analizën e terrenit, ndërsa sistemet e luftës elektronike përpunojnë në kohë reale të dhëna nga radarët dhe komunikimet për koordinimin e operacioneve si dhe në marrjen e vendimeve.

Në praktikë, lufta në Ukrainë është edhe një garë mes sistemeve inteligjente.

Përdorimi i kësaj teknologjie po shfaqet qartë në konfliktin aktual në Lindjen e Mesme, ku përballen Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nga njëra anë dhe Irani nga ana tjetër.

Debati që po zhvillohet sot rreth inteligjencës artificiale në sektorin ushtarak prek një pyetje shumë më të madhe se sa një konflikt i zakonshëm mes një kompanie teknologjike dhe një administrate politike. Pyetja themelore është: a po afrohemi drejt një momenti historik kur sistemet inteligjente mund të zëvendësojnë njeriun në vendimmarrje, madje edhe në vendime që kanë të bëjnë me jetën dhe vdekjen?

Shembulli më i fundit i kësaj përplasjeje vjen nga Shtetet e Bashkuara dhe përfshin industrinë e teknologjisë së avancuar dhe aparatin ushtarak amerikan.

Në qendër të debatit ndodhet kompania Anthropic.
Anthropic ka deklaruar publikisht se nuk e konsideron teknologjinë e saj si pjesë të mekanizmit që merr vendime operative ushtarake.

Sipas kompanisë, inteligjenca artificiale mund të përdoret për analizë informacioni, përpunim të dhënash apo për asistencë në planifikim, por vendimet për përdorimin e forcës duhet të mbeten ekskluzivisht përgjegjësi njerëzore dhe, konkretisht, përgjegjësi e strukturave ushtarake.

E thënë më thjesht: kompania refuzon që sistemet e saj të përdoren për të vendosur se kur dhe ku duhet të kryhet një goditje ushtarake.

Për këtë arsye, Anthropic ka vendosur dy kufizime shumë të qarta në përdorimin e teknologjisë së saj. Së pari, sistemet e saj nuk duhet të përdoren për armë plotësisht autonome – pra armë që identifikojnë objektivin dhe vendosin vetë për të qëlluar pa ndërhyrje njerëzore. Së dyti, teknologjia e saj nuk duhet të përdoret për sisteme të mbikëqyrjes masive të popullsisë.

Këto kufizime kanë hapur një konflikt të drejtpërdrejtë me administratën e Donald Trump, e cila, sipas raportimeve të mediave amerikane, ka pezulluar çdo bashkëpunim të agjencive federale me kompaninë për shkak të kësaj vije të kuqe që ajo ka vendosur.

Argumenti i Pentagonit është relativisht i drejtpërdrejtë dhe reflekton logjikën klasike të garës teknologjike. Sipas këtij këndvështrimi, nëse Shtetet e Bashkuara nuk përdorin teknologjinë më të avancuar të inteligjencës artificiale në sistemet e tyre ushtarake, atëherë këtë do ta bëjnë rivalët strategjikë. Në këtë garë, vonesa teknologjike mund të përkthehet shumë shpejt në humbje strategjike.

Në sfondin e këtij debati qëndron një frikë shumë më e madhe: gara globale për inteligjencën artificiale, ku fuqitë kryesore botërore – veçanërisht United States dhe Kina, po përpiqen të sigurojnë avantazh teknologjik edhe në fushën ushtarake.

Kjo është arsyeja pse shumë strategë në Pentagon argumentojnë se inteligjenca artificiale nuk është më thjesht një teknologji civile apo ekonomike, por një faktor i ri në ekuilibrin e fuqisë globale, në të njëjtën mënyrë siç ishte energjia bërthamore në shekullin XX.

Por pikërisht këtu lind dilema më e madhe etike dhe politike: nëse algoritmet fillojnë të luajnë një rol gjithnjë e më të madh në analizën e informacionit dhe në rekomandimin e veprimeve, sa kohë do të kalojë para se ato të fillojnë të ndikojnë drejtpërdrejt edhe në vendimet për përdorimin e forcës?

Me fjalë të tjera, edhe nëse askush nuk dëshiron që makinat të vendosin për luftën, vetë logjika e teknologjisë mund ta shtyjë sistemin pikërisht në atë drejtim.

Historia e teknologjisë ushtarake ka treguar gjithmonë të njëjtin model: çdo teknologji që mund të përdoret në luftë, herët a vonë përdoret. Pyetja nuk është nëse do të përdoret, por në çfarë mase dhe me çfarë kufizimesh.

Në këtë kuptim, konflikti mes industrisë së inteligjencës artificiale dhe aparatit ushtarak nuk është thjesht një mosmarrëveshje kontraktuale. Ai është një debat mbi të ardhmen e vendimmarrjes në luftë dhe mbi kufirin mes njeriut dhe algoritmit.

Dhe ky kufi, për momentin, mbetet ende i paqartë.

Megjithëse këto janë probleme të fuqive të mëdha, kjo çështje prek edhe vende të vogla si Shqipëria. Jo sepse Shqipëria zhvillon teknologji të tilla. Ne nuk jemi një vend që shpik algoritme për luftërat e së ardhmes.

Pyetja që duhet të bëjë ushtria shqiptare është: a jemi në gjendje t’i kuptojmë dhe t’i përdorim këto teknologji?

Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe teorikisht pjesë e një infrastrukture ushtarake që po transformohet nga inteligjenca artificiale, nga dronët autonomë dhe nga sistemet satelitore.

Por në vend që të diskutojmë seriozisht për këtë transformim, shpesh e reduktojmë debatin në propagandë politike.

Dekretimi i një ministreje të re si simbol i modernizimit teknologjik është më shumë propagandë sesa realitet. Modernizimi ushtarak nuk bëhet me emra dhe me slogane. Nuk bëhet me deklarata për “epokën digjitale”. Ai fillon me diçka shumë më të thjeshtë: me njohjen reale të teknologjisë dhe me përgatitjen e njerëzve që do ta përdorin atë.

Është e vërtetë që Shqipëria nuk do të shpikë algoritmet e luftërave të ardhshme.

Por një vend që është pjesë e një aleance ushtarake moderne duhet të paktën të fillojë t’i mësojë ato mirë.

Sepse lufta po ndryshon. Dhe bota gjithashtu.

Epokat që nuk mbarojnë

12 March 2026 at 18:47

Nga THOMA GËLLÇI

Thonë se epoka e gurit nuk mbaroi sepse mbaruan gurët. Mbaroi sepse njerëzit zbuluan diçka më të mirë: bronzin, hekurin, qytetërimin. Pra, epokat nuk mbarojnë nga mungesa e materialit, por nga evolucioni i mendjes.
Po ta marrim këtë rregull të historisë dhe ta zbatojmë në politikën shqiptare, do të prisnim që edhe epoka e doktor Sali Berishës në Partinë Demokratike të kishte mbaruar prej kohësh. Jo sepse mbaruan doktorët. As sepse mbaruan demokratët. Por sepse epokat, si rregull, kanë një fillim dhe një fund.
Vetëm se në Shqipëri historia është pak më kokëfortë se vetë historia.

Në librat e qytetërimit thuhet se pas epokës së gurit erdhi epoka e bronzit. Në Partinë Demokratike, pas epokës së doktorit erdhi… përsëri epoka e doktorit. Dhe kjo është një shpikje politike që arkeologët e së ardhmes do ta studiojnë me shumë interes: epoka e rikthimit të përjetshëm.
Por për të qenë të drejtë, ky nuk është vetëm një fenomen i Partisë Demokratike. Ky është një fenomen mbarëshqiptar, një zbulim origjinal i antropologjisë politike shqiptare.
Në Partinë Republikane, për shembull, historia ka mbetur e fiksuar në një kapitull të vetëm. Që nga vdekja e Sabri Godos, kalendari politik duket se ka hyrë në një cikël të pandërprerë: epoka e Fatmir Mediut. Tridhjetë vjet me radhë. Në çdo vend tjetër kjo do të quhej rekord. Në Shqipëri quhet normalitet.
Në Partinë për të Drejtat e Njeriut, historia është edhe më ekonomike: aty epoka është gjithmonë epoka e Vangjel Dules. Nuk ka shumë kapituj, nuk ka shumë tranzicione. Një epokë e gjatë dhe e qetë, si një roman që autori nuk ka ndërmend ta përfundojë.
Në Partinë e Lirisë, natyrisht, jemi në epokën e Ilir Metës, një epokë dinamike që ka kaluar disa forma politike, por që gjithsesi mbetet e njëjta epokë. Është pak si një serial që ndryshon kanalin televiziv, por jo protagonistin.

Madje edhe partitë e reja, që lindin me entuziazëm revolucionar dhe me premtime për epoka të reja, duket se mësojnë shumë shpejt traditën shqiptare: epokat nuk ndërrohen, institucionalizohen.
Kështu politika shqiptare është bërë pak si një muze historik me figura të gjalla. Në vend të sallave kemi parti, dhe në vend të statujave kemi kryetarë që vazhdojnë të flasin, të drejtojnë dhe të premtojnë të ardhmen.
E vetmja parti që historikisht ka pasur një farë aftësie për të ndryshuar epokat ka qenë Partia Socialiste. Ajo kaloi nga epoka e themeluesve, tek epoka e tranzicionit, tek epoka e transformimeve.

Por edhe aty historia duket se është stabilizuar.
Sepse prej afro njëzet vitesh edhe ajo duket se ka hyrë në një kapitull të ri të historisë politike shqiptare: epoka e Betonit.
Një epokë solide, e qëndrueshme, urbane, e cila ndërtohet çdo ditë me ritme të admirueshme. Në këtë epokë ndërrohen kullat, ndërrohen fasadat, ndërrohen trotuaret, por epoka vetë mbetet shumë e qëndrueshme.

Dhe kështu politika shqiptare ka arritur një zbulim të madh filozofik: epokat nuk kanë nevojë të mbarojnë. Ato thjesht zgjasin.
Por këtu qëndron edhe drama e vogël e Partisë Demokratike.
Sepse nëse një ditë, për një arsye ose për një tjetër, do të mbaronte epoka e doktorit, askush nuk e di shumë mirë se çfarë do të ndodhte më pas.

Do të ishte një moment i frikshëm, pothuajse metafizik. Demokratët mund të gjendeshin përballë një pyetjeje ekzistenciale që nuk e kanë bërë kurrë seriozisht: çfarë është Partia Demokratike pa epokën e doktorit? Dhe pikërisht për këtë arsye, ndoshta në thellësi të shpirtit të saj, partia nuk ka shumë nxitim që kjo epokë të mbarojë.
Sepse ndonjëherë fundi i një epoke nuk është thjesht një ndryshim historik. Është një dramë identiteti.

Prandaj epoka e doktor Sali Berishës në Partinë Demokratike nuk është thjesht një periudhë politike. Ajo është bërë një lloj graviteti rreth të cilit sillet e gjithë historia e saj. Dhe nëse një ditë ky gravitet do të zhdukej, askush nuk e di nëse Partia Demokratike do të fillonte një epokë të re… apo do të mbetej për një kohë të gjatë duke kërkuar veten në hapësirën bosh që lë pas çdo epokë që ka zgjatur shumë.

Tetëdhjetë vjet dhe një penë ende në punë

11 March 2026 at 17:22

Nga Thoma Gëllçi

Më ka mbetur gjithmonë në kujtesë një episod domethënës nga jeta institucionale shqiptare. Në një moment kur Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë rrëzoi një vendim të Parlamentit, Namik Dokle në atë kohë kryetar parlamenti reagoi menjëherë duke dhënë dorëheqjen nga detyra e Kryetarit të Kuvendit. Ishte një veprim i rrallë për politikën shqiptare dhe një gjest që shprehte respekt të qartë për institucionet dhe për vendimet e tyre. Një dorëheqje si përgjegjësi politike sepse vendimi i Kuvendit nuk ishte përgjegjësia e tij personale.

Në një vend ku shpesh postet mbahen me çdo kusht, edhe kur rrethanat kërkojnë përgjegjësi politike, ai veprim mori një domethënie të veçantë. Fan Noli i quante dikur disa politikanë shqiptarë “kolltukofagë”, njerëz që nuk shkëputen nga karrigia e pushtetit “edhe sikur t’u presësh duart, këmbët dhe kokën”. Në atë kulturë politike ku karrigia shihet si pronë personale dhe jo si përgjegjësi publike, dorëheqja e menjëhershme e Namik Dokles mbeti një shembull i një standardi tjetër.

Ky episod përmbledh në një farë mënyre stilin e tij në jetën publike: qetësi, sens institucional dhe një marrëdhënie të natyrshme me përgjegjësinë që sjell posti.

Sot, kur Namik Dokle mbush tetëdhjetë vjeç, ky përvjetor është një rast për të parë një rrugë të gjatë që kalon nëpër disa fusha të rëndësishme të jetës shqiptare: gazetarinë, politikën dhe letërsinë.

Formimi i tij profesional lidhet me gazetarinë. Ai i përket një brezi gazetarësh që u rritën në redaksi ku fjala peshohej dhe ku profesioni kërkonte disiplinë të përditshme. Gazeta “Zëri i Popullit” ishte një nga ato redaksi që funksiononin si shkollë e vërtetë gazetarie.

Aty kam pasur edhe përvojën time personale me të. Në vitet kur punoja gazetar në “Zëri i Popullit”, Namik Dokle ishte kryeredaktori im. Redaksia e asaj kohe ishte një mjedis pune intensiv: diskutime për çdo tekst, për çdo titull dhe për çdo formulim. Ishte një mënyrë pune që të mësonte respektin për fjalën e shkruar dhe për përgjegjësinë që mbart ajo.

Më vonë rrugët tona profesionale u kryqëzuan sërish në një moment tjetër. Kur Namik Dokle mori detyrën e nënkryetarit të Partisë Socialiste, unë mora vendin e tij si kryeredaktor i gazetës. Marrëdhënia redaktor–gazetar u kthye atëherë në një bashkëpunim të një natyre tjetër, në një periudhë kur politika dhe media po hynin në një fazë të re të jetës demokratike shqiptare.

Në jetën politike Namik Dokle mbajti poste të rëndësishme në institucionet e shtetit gjatë viteve të tranzicionit. Ishin vite të vështira, me tensione dhe përplasje të forta politike, por edhe vite kur institucionet e demokracisë po ndërtoheshin hap pas hapi. Në këtë mjedis ai mbeti një figurë e identifikuar me një stil të matur dhe me një profil publik pa bujë.

Pas viteve të angazhimit politik, ai iu kthye me intensitet një fushe tjetër: letërsisë. Librat e tij të viteve të fundit kanë gjetur lexues dhe vlerësime, duke treguar se përvoja e një jete të gjatë mund të shndërrohet në material të pasur letrar. Në këto vepra ndihet qartësia e gazetarit dhe reflektimi i shkrimtarit.

Sot, në moshën tetëdhjetëvjeçare, Namik Dokle mbetet një autor aktiv, me një ritëm krijues që shumë shkrimtarë më të rinj do ta kishin zili. Librat e tij sjellin histori, kujtime dhe vëzhgime nga jeta shqiptare, të shkruara me një stil të drejtpërdrejtë dhe komunikues.

Tetëdhjetë vjet pas lindjes, rruga e tij përmbledh disa role të rëndësishme: gazetar, drejtues redaksie, politikan dhe shkrimtar. Për këtë arsye përvjetori i tij është më shumë se një datë personale. Është një moment për të kujtuar një figurë që ka qenë pjesë e disa kapitujve të jetës publike shqiptare.

Ajo që mbetet më e dukshme sot është vazhdimësia e krijimtarisë së tij. Namik Dokle vazhdon të shkruajë dhe të botojë, duke treguar se përvoja dhe kujtesa mund të kthehen në energji krijuese.

Tetëdhjetë vjet dhe pena ende në punë.

Gëzuar përvjetorin, Namik. Edhe shumë vite të tjerë aktivë në shoqëri dhe familje! Edhe më shumë libra të tjerë përpara.

Hall me burrë, hall pa burrë, hall të mos martohesh kurrë

11 March 2026 at 08:45

Nga Thoma Gëllçi

Në Shqipëri ekziston një debat i madh për drejtësinë. Debati është aq i madh dhe i justifikuar, sepse dihet që në Shqipëri kemi më shumë muhabete sesa drejtësi.
Një nga faktet më të thjeshta të këtij debati është ky: rreth 60 për qind e të burgosurve në Shqipëri janë në paraburgim, pra pa vendim gjyqi të formës së prerë. Një shifër që në shumë vende do të shkaktonte panik juridik. Tek ne shkakton vetëm muhabete kafeneje.
Kodi i Procedurës Penale është i qartë: arresti me burg është masa e fundit, kur masat e tjera nuk funksionojnë.
Në praktikë, kjo masë shpesh përdoret si masa e parë.
E përdorin për presion.
E përdorin për spektakël.
E përdorin për të krijuar idenë e një lufte të madhe kundër korrupsionit.
Por kjo është vetëm gjysma e historisë.
Gjysma tjetër fillon kur Gjykata e Lartë vendos të rishqyrtojë standardet e arrestit me burg.
Në çdo vend normal kjo do të konsiderohej një lajm i mirë. Kur një vend ka 60 për qind të të burgosurve në paraburgim, është logjike që gjykata më e lartë të pyesë:
“Mos vallë kemi tepruar pak?”
Por në Shqipëri kjo pyetje nuk interpretohet si reflektim juridik.
Interpretohet si dramë politike.
Menjëherë fillojnë deklaratat: kjo mund të minojë SPAK, kjo mund të lirojë të korruptuar, kjo mund të prishë luftën kundër krimit.
Pra krijohet një situatë interesante.
Kur paraburgimi përdoret shumë, është abuzim.
Kur dikush përpiqet të rregullojë standardet, është rrezik.
Kur arrestohet kundërshtari, drejtësia është heroike.
Kur arrestohet aleati, drejtësia është e kapur.
Kur paraburgimi përdoret shumë, është diktaturë.
Kur diskutohet paraburgimi, është komplot.
Dhe ndërkohë qytetari i zakonshëm përpiqet të kuptojë një gjë shumë të thjeshtë:
Në fund të fundit, paraburgimi është problem apo zgjidhje?
Por përgjigjja nuk është juridike.
Është politike. Është muhabet.
Sepse në politikën shqiptare drejtësia shpesh vlerësohet jo sipas ligjit, por sipas personit që ndodhet në dosje.
Në këtë pikë populli shqiptar ka një avantazh të madh ndaj analistëve dhe ekspertëve.
Populli nuk ka nevojë për analiza të gjata. Ai e ka përmbledhur këtë histori shumë kohë më parë me një fjali të vetme.
Një fjali që shpjegon martesën, politikën dhe drejtësinë shqiptare në të njëjtën kohë:
Hall me burrë, hall pa burrë, hall të mos martohesh kurrë.

Polici i fshatit dhe rrugaçi i fshatit

7 March 2026 at 09:11

Nga Thoma Gëllçi

Në çdo fshat ekzistojnë zakonisht dy mënyra për të mbajtur rregullin. E para quhet ligj. E dyta quhet frikë. E para përfaqësohet nga polici i fshatit. E dyta nga rrugaçi i fshatit.
Nga larg mund të duken të ngjashëm. Të dy ndërhyjnë kur ka zhurmë, kur ka sherre, kur dikush kalon kufirin e arsyes. Të dy u thonë njerëzve: “Këtu ka një rregull.” Por në të vërtetë ata janë dy botë krejt të ndryshme.

Polici i fshatit përfaqëson një rregull që nuk është i tij. Ai është vetëm zbatuesi. Ligji është shkruar diku tjetër, nga njerëz që ai nuk i njeh, në libra që zakonisht janë më të trashë se blloku i tij i gjobave. Kur polici ndalon dikë, ai nuk flet në emrin e vet. Ai flet në emër të një rregulli që duhet të vlejë për të gjithë.

Kjo është forca e tij, por edhe kufiri i tij.

Sepse polici nuk mund të bëjë çfarë të dojë. Ai duhet të justifikojë çdo veprim. Ai duhet të ketë arsye. Ai duhet të ketë procedurë. Nëse gabon, mund të japë llogari. Me një fjalë: policit i kërkohet të jetë i drejtë, edhe kur është i fortë.

Rrugaçi i fshatit nuk ka këto probleme.
Rregulli i tij është shumë më i thjeshtë: ai është vetë rregulli.
Ai nuk ka nevojë për libra, për procedura apo për vula. Mjafton reputacioni. Mjafton që njerëzit ta dinë se kur ai flet, pas fjalës vjen edhe grushti. Në këtë kuptim, rrugaci ka një efikasitet që çdo administratë do ta kishte zili.

Një sherr në kafene mund të zgjasë dy orë nëse zgjidhet sipas ligjit. Me rrugaçin mund të zgjasë dy minuta.

Por problemi është se rrugaçi nuk e ndan drejtësinë nga humori i vet. Sot mund të jetë në anën e të drejtës. Nesër mund të jetë në anën e shokut. Pasnesër në anën e atij që bërtet më shumë.
Rrugaçi nuk ka ligj. Ka vetëm territor.

Ndërsa polici ka një kufizim të rëndësishëm: ai duhet të trajtojë të gjithë njësoj, edhe kur nuk i pëlqen.

Këtu qëndron dallimi i madh mes tyre.

Rrugaçi vendos rend sepse njerëzit kanë frikë prej tij.
Polici vendos rend sepse njerëzit duhet të respektojnë ligjin.
Frika funksionon shpejt, por është e paqëndrueshme. Ligji është më i ngadaltë, por është më i qëndrueshëm.

Në një fshat ku sundon rrugaçi, rregulli varet nga forca e një njeriu. Në një fshat ku sundon ligji, rregulli varet nga një marrëveshje që është mbi të gjithë.
Kjo është arsyeja pse policët mund të ndërrohen, por ligji mbetet.

Ndërsa rrugaçët nuk ndërrohen lehtë. Ata zëvendësohen vetëm kur del një rrugaç më i fortë.

Dhe ky është dallimi i vërtetë mes dy mënyrave të mbajtjes së rregullit:
njëra mbështetet te rregulli që është mbi njerëzit,
tjetra te njeriu që vendos të jetë mbi rregullin.

Operacioni “Flaka e Fundit”

3 March 2026 at 09:14

Pamflet satirik

Nga Thoma Gëllçi

Hapi 1: Diagnoza
Ke humbur zgjedhje. Disa. Radhazi.
Mundësia e parë: diçka nuk funksionon te ti. Mundësia e dytë: votuesit janë fajtorë.
Zgjidh të dytën. Është shumë më komode. Ata “nuk kuptojnë”. Janë “të manipuluar”. Janë “të blerë”. Asnjëherë nuk janë thjesht të painteresuar. Kjo do të ishte shumë e zakonshme.

Hapi 2: Mbledh “masën”
Thërret militantët. Vijnë gjithmonë. Kjo është pjesa e mirë. Qytetarët e tjerë nuk shfaqen. Përzë çdo militant që fillon të kërkojë shpjegime dhe analiza.
Shpjegimi është gati: “Janë të trembur.” Alternativa tjetër , që thjesht nuk të afrohen ty, nuk konsiderohet asnjëherë.

Hapi 3: Platforma politike
Ekonomia është e ndërlikuar. Reformat kërkojnë kohë. Programet kërkojnë faqe.
Shumë punë.
Mesazhi thjeshtohet: “Poshtë ata. Rroftë ne. Digje këtë.”
Katër fjalë. Zero propozime. Dhjetë sekonda brohoritje. Efikasitet i lartë.

Hapi 4: Zjarri si argument
Kur nuk ke shumicë, nuk ke platformë dhe nuk ke mbështetje, mbetet spektakli.
Zjarri tërheq kamera. Zjarri mbush emisione. Zjarri jep ndjesinë e fuqisë.
Zjarri nuk sjell vota, por ky është detaj teknik që nuk duhet të trajtohet kurrë.

Hapi 5: Mediat dhe “e vërteta paralele”
Kamerat filmojnë gjithçka: rrugën bosh, dhjetëra njerëz, shishet me benzinë.
Zgjidhja retorike: “Pamjet janë të manipuluara.”
Publiku sheh atë që sheh. Ti sheh atë që dëshiron. Diferenca midis këtyre dy vizioneve vazhdon të rritet çdo javë.

Hapi 6: Mbështetja ndërkombëtare
Partnerët dërgojnë deklarata me fjalën “shqetësim”.
Kjo nuk është mbështetje. Është e kundërta e mbështetjes.
Por nëse e lexon shpejt dhe me optimizëm, mund të duket pothuajse njësoj. Prandaj lexohet shpejt dhe me optimizëm.

Hapi 7: Votuesit e lëkundur largohen në heshtje
Ata që ende nuk kishin vendosur, njerëzit që mund të fitohen, shohin flakët dhe mendojnë: “Këtyre duhet t’ua dorëzojmë çelësat e shtetit?”
Nuk e thonë me zë. Nuk e postojnë. Nuk debatojnë. Thjesht, në heshtje, vendosin diku tjetër.
Kjo është zhurma më e rrezikshme: heshtja e atyre që largohen.

Hapi 8: Persekutimi politik
Disa njerëz përfundojnë me probleme ligjore pas protestës.
Shpjegimi është i gatshëm dhe i pandryshuar: “Persekutim politik.”
Diskutimi mbyllet. Pyetja se çfarë ndodhi realisht mbetet pa përgjigje. Koha kalon.

Hapi 9: Bilanci përfundimtar
Dikur: organizatë kombëtare, zyrë në çdo qytet, emër i njohur. Sot: disa dhjetëra njerëz në një shesh bosh.
Jo humbje e befasishme. Jo goditje nga jashtë.
Rënie e ngadaltë, e qëndrueshme, e vetëprodhuar, hap pas hapi, flamur pas flamuri, protestë pas proteste.

Hapi 10: Fundi i paralajmëruar
Një parti mund ta shkatërrojë armiku. Por armiku duhet të punojë shumë për këtë.
Nëse e bën vetë, kursen të gjithëve kohë.
Dhe në fund, kur zyrat të mbyllen dhe emri të harrohet, nuk do të ketë nevojë as për fjalim lamtumire.
Askush nuk do të jetë aty ta dëgjojë.

Debat në studio: Prezumimi i pafajësisë

28 February 2026 at 19:59

Nga Thoma Gellci

Moderatori rregulloi syzet dhe, pasi u sigurua që kamerat kishin filluar punë, vazhdoi:

— Mirëmbrëma, të nderuar teleshikues, në këtë mbrëmje ku prezumimi, si nocion dhe si perceptim, në raport me gjyqin, gjykatën, prokurorinë, SPAK-un dhe gjithë reformën në drejtësi, që është një reformë në reformim e sipër, na fton të reflektojmë jo thjesht mbi kuptimin e prezumimit si prezumim, por mbi prezumimin e kuptimit vetë, sepse kur flasim për gjyq dhe gjykatë në kontekstin e prokurorisë dhe të SPAK-ut si instrument institucional në kuadër të reformës në drejtësi që prodhon procedurë, proces dhe perceptim, lind pyetja nëse prezumimi është një gjendje para gjyqit apo një gjyq para gjendjes, dhe në këtë rrafsh, reforma si reformë e drejtësisë apo drejtësia si reformë e prezumimit, na vendos përballë një diskutimi që është sa juridik aq edhe procedural, sa procedural aq edhe institucional.

— Dhe si gjithmonë, në fillim ia jap fjalën Analistit tonë të Pavarur. Çfarë është prezumimi i pafajësisë?

Kamera u kthye nga Analisti i Pavarur, i cili buzëqeshi pak dhe me ton konfidencial i tha moderatorit:

— S’ka nevojë ta filloni gjithmonë nga unë. Por megjithatë, ju falënderoj për këtë hyrje që në thelb vendos theksin aty ku prezumimi si prezumim, në raport me gjyqin, me gjykatën dhe me prokurorinë, sidomos në kontekstin e SPAK-ut dhe reformës në drejtësi, nuk duhet parë i shkëputur nga procesi, por si proces brenda procesit, sepse kur flasim për reformë në drejtësi që prodhon gjyq dhe gjyqi që prodhon perceptim, atëherë prezumimi i pafajësisë bëhet një parim që ekziston para se gjykata të shprehet, por edhe pasi prokuroria të artikulojë, në një lloj ndërveprimi institucional ku SPAK-u si strukturë e posaçme operon brenda reformës, ndërsa reforma operon brenda gjyqit.

Ish-Deputeti u përkul përpara, hoqi syzet me një gjest dramatik dhe ndërhyri pa pritur fundin e fjalisë së Analistit të Pavarur:

— Jo, jo, jo! Kjo është pikërisht ajo që unë kundërshtoj! Ju po e bëni prezumimin një lloj reforme brenda reformës, ndërkohë që reforma në drejtësi ka prodhuar SPAK-un, SPAK-u ka prodhuar prokurorinë e posaçme, prokuroria ka prodhuar gjyq dhe gjyqi ka prodhuar perceptim, por prezumimi i pafajësisë nuk është as perceptim dhe as produkt procedural i reformës, sepse në momentin që ju e fusni prezumimin brenda mekanizmit të gjykatës dhe të prokurorisë.

Gazetari i Kronikës, që deri atë çast kishte tundur dosjen, ndërhyri pa kërkuar leje:

— Ore, lëreni këtë muhabet me fjalë të mëdha. Punë kumbullash është kjo! Ju po flisni sikur jemi në bibliotekë, kur në fakt jemi në bahçe. Kur bie një kumbull nga pema, ti s’rrin të analizosh erën, lagështinë dhe filozofinë e degës. E sheh që ra — dhe thua: “Kjo kumbull ishte e pjekur.”

Analisti i Pavarur hapi gojën, por gazetari vazhdoi:

— Dhe mos ma krahasoni kumbullën me dardhën. Dardha rri në degë, duket e pafajshme, por kur e pret, e gjen me krimba. Ndërsa rrushi? Rrushi është histori tjetër. Një kokërr duket mirë, por po ta shtrydhësh del lëng. Kështu është edhe kjo punë. Ju flisni për parime, por publiku sheh frutat në tepsi.

Pastaj u kthye nga të dy me një buzëqeshje triumfuese:

— Ju mund ta quani si të doni, por në fund, kush e ka parë kumbullën në tokë, e di që s’ka rënë nga qielli.

Analisti i Pushtetit, që deri atë çast kishte dëgjuar në heshtje, u përkul pak përpara dhe foli me tonin e atij që ka parë shumë në jetë, por edhe ka informacion që i vjen direkt nga burimi:

— Unë mendoj se po e ngatërroni bahçen me stanin, — tha qetë. — Kjo nuk është çështje kumbullash e rrushi. Kjo është çështje bagëtish. Kur hyn në një stan dhe sheh dhen, dhi, lopë e vica, nuk fillon t’i numërosh me nerva. Duhet qetësi. Duhet sistem.

Ai ngriti dorën dhe vazhdoi:

— Dhija kërcen. Është natyrë e dhisë të kërcejë. Nuk do të thotë që po prish stanin. Dhentë rrinë në tufë. Njëra lëviz, lëvizin të gjitha. Kjo nuk është dramë, është dinamikë kopeje. Lopa është e rëndë, e qetë, përtypet gjatë. Nuk gjykohet lopa nga një “mu” i vetëm. Edhe vici, po vrapoi pak, nuk do të thotë që po arratiset. Është energji.

Ai u kthye nga gazetari:

— Ju po shihni një dhi që kërcen dhe thoni “ja, ky është problem”. Jo. Stanin e mban bariu, jo kërcimi i dhisë. Dhe bariu nuk matet me zhurmën, por me rendin. Nëse tufat janë në kullotë dhe uji rrjedh në koritë, atëherë sistemi funksionon.

Ish-Deputeti, që deri atë çast kishte përtypur fjalët e stanit me një buzëqeshje të hidhur, u përkul përpara dhe goditi tavolinën lehtë me gisht.

— Po çfarë stani, çfarë kumbullash, çfarë rrushi! — tha me zë të lartë. — Këto gjëra nuk vendosen as në bahçe, as në stan. Vendosen në ambasadë!

Studioja heshti për një çast.

— Sepse, — vazhdoi ai, — kur Ambasada Amerikane kollitet, këtu ndryshon klima. Kur Elon Musk poston diçka në mesnatë, bie interneti në mëngjes. Kur Trump thotë “great”, dikush këtu ndien veten të shpallur kampion. Ju flisni për dhen e dhi, ndërkohë që satelitët rrotullohen mbi ne! Mos më flisni për strukturë. Struktura sot është në orbitë! Elon Musk lëshon raketa, Trump lëshon fjali, Ambasada lëshon deklarata. Dhe këtu ne flasim për kumbulla?

— Problemi është morali! — tha Gazetari i Kronikës, duke hapur një dosje me një zhurmë që ngjante me dënim kapital.
— Morali është relativ, — tha Analisti i Pavarur. — Si kursi i euros.
— Euro është stabile! — ndërhyri Analisti i Pushtetit me një qetësi bankare.
— Stabile për kë?! — ulëriu Ish-Deputeti.
— Për ata që punojnë! — tha Analisti i Pushtetit.
— Kush punon? — pyeti Gazetari. — Unë kam statistika që tregojnë se 63% e qytetarëve punojnë, por ndihen si të papunë!
— Kjo është filozofi! — tha Analisti i Pavarur.
— Jo, është psikologji kolektive! — tha Gazetari.

Moderatori u përpoq të kthehej te tema:

— Zotërinj, po flasim për prezumimin e—
— A e dini sa kushton një domate? — e ndërpreu Ish-Deputeti.
— Domatja është simbol! — tha Analisti i Pavarur.
— Simbol i çfarë? — pyeti moderatori me shpresë.
— I tranzicionit të papërfunduar! — tha ai.
— Tranzicioni mbaroi në 2013! — tha Analisti i Pushtetit.
— Mbaroi për ju! — tha Ish-Deputeti.
— Ju e nisët tranzicionin me patate! — tha Gazetari.
— Patatja është kulturë bujqësore! — tha Analisti i Pavarur.
— Bujqësia është shtylla e ekonomisë! — tha Analisti i Pushtetit.
— Ekonomia është peng i oligarkëve! — tha Ish-Deputeti.
— Oligarkët janë produkt i mungesës së etikës! — tha Gazetari.
— Etika është subjektive! — tha Analisti i Pavarur.
— Subjektive është edhe drejtësia! — tha Ish-Deputeti.
— Drejtësia është e pavarur! — tha Analisti i Pushtetit.
— E pavarur nga kush? — pyeti Gazetari.
— Nga ndikimet! — tha Analisti i Pushtetit.
— Po nga ndikimet e ndikimeve? — pyeti Analisti i Pavarur.

Moderatori, që kishte humbur fijet si një trikotazh i lëshuar, provoi edhe një herë:

— Pra, për prezumimin e pafajësisë…
— Problemi është arsimi! — tha Gazetari.
— Arsimi është në krizë! — tha Ish-Deputeti.
— Kriza është globale! — tha Analisti i Pushtetit.
— Globalizmi është komplot! — tha Analisti i Pavarur.
— Komplot është kjo qeveri! — tha Ish-Deputeti.
— Qeveria është legjitime! — tha Analisti i Pushtetit.
— Legjitimiteti është perceptim! — tha Gazetari.
— Perceptimi është propagandë! — tha Ish-Deputeti.
— Propaganda është komunikim strategjik! — tha Analisti i Pushtetit.
— Strategjia është e gabuar! — tha Analisti i Pavarur.
— E gabuar është opozita! — tha Analisti i Pushtetit.
— Opozita është zëri i popullit! — tha Ish-Deputeti.
— Populli është i manipuluar! — tha Gazetari.
— Manipulimi fillon në media! — tha Analisti i Pavarur.
— Media jeni ju! — tha Ish-Deputeti.
— Media jeni të gjithë! — tha Analisti i Pushtetit.

Debati u nxeh rëndshëm për çmimin e naftës, për motin, për festivalet, për rininë që ikën, për rininë që s’lexon, për letrat anonime, për sondazhet, për astrologjinë dhe për faktin që Hëna ndikon në zgjedhje.

— A mund të kthehemi te tema? — tha moderatori.
— Tema është simptomë! — tha Analisti i Pavarur.

— Simptomë e kujt? — pyeti ai me shpresë.
— E sistemit!
— Sistemi është solid! — tha Analisti i Pushtetit.
— Solid si gjiza që nuk bëhet dot djathë! — tha Ish-Deputeti.
— Ju po e banalizoni debatin! — tha Gazetari.
— Banal je vetë! — tha Analisti i Pavarur.
Aty ndërhyri moderatori, që mori fjalën duke njoftuar se nga regjia i kanë thënë se minutat mbaruan:
— Të nderuar teleshikues, besoj se sonte e trajtuam temën e prezumimit të pafajësisë në çdo kënd të mundshëm. E pamë nga ana e SPAK-ut, e pamë nga ana e bagëtisë e bujqësisë, e lidhëm me paranë dhe kursin e euros, madje e shpjeguam edhe me kumbulla e dardha. U tha ç’kishte për t’u thënë. Prandaj mund të themi pa hezitim se prezumimi i pafajësisë si temë është mbyllur sonte. U sqarua. U analizua. U ilustrua. Nëse e mori vesh popullata, aq më mirë. Nëse jo, ne detyrën tonë e bëmë. Javën tjetër do të kemi një temë tjetër po kaq të qartë.
Pas fjalës mbyllëse të moderatorit, Gazetari i Kronikës shtoi:
— Na e jep temën për emisionin tjetër që tani! Të lexojmë ndonjë gjë.
— Po, të paktën një përkufizim, — shtoi Analisti i Pavarur.
— Të mos flasim kot, — tha Ish-Deputeti.
Analisti i Pushtetit pohoi seriozisht.
Moderatori i pa me një buzëqeshje të lehtë, pothuaj atësore.
— Qëllimi nuk është të mësojmë ndonjë gjë, zotërinj… — tha ai. — Se në të kundërt, do të thërrisnim në studio ndonjë specialist.
Dhe për herë të parë atë mbrëmje, ranë të gjithë dakord.

Peshku në Akuarium

23 February 2026 at 13:40

Nga Thoma Gëllçi

Në sallonin e një shtëpie , mbi një komodinë , qëndronte një akuarium i ndriçuar me kujdes. Uji ishte i filtruar, temperatura e rregulluar, ushqimi vinte çdo mëngjes në të njëjtën orë. Brenda jetonte një peshk që nuk kishte njohur tjetër horizont përveç harkut të rrumbullakët të xhamit.

Ai e donte botën e tij. Ishte e sigurt. E matshme. E kuptueshme. Mund ta përshkonte nga një cep në tjetrin me pak rrahje bishti. Asgjë nuk e kapte në befasi, përveç ndonjë hijeje që kalonte përtej xhamit.
Një ditë, në akuarium u vendos një copë gur i zverdhur nga kripa. Ishte i ashpër, i çuditshëm.
— Nga vjen? — pyeti peshku, duke i ardhur rrotull me kureshtje.
— Nga një vend ku uji nuk ka mure, — u përgjigj guri. — Ku nuk ka cep për t’u kthyer mbrapsht. Ku dallgët ngrihen si male.
Peshku u step për një çast, pastaj buzëqeshi me përbuzje të butë.
— Uji pa mure? Si do ta dalloje fundin? Ku do ta mbështesje shpinën? Si do ta dije kur mbaron?
— Nuk mbaron, — tha guri. — Ai shtrihet përtej syrit. Dhe çdo drejtim është një fillim.
Peshku bëri një rreth të ngadaltë rreth disa figurinave plastike.
— Kjo është botë e rregullt, — tha. — Ka kufij që më mbrojnë. Ka dorë që më ushqen. Ç’kuptim ka pafundësia dhe kjo liri që thua ti ?
Guri heshti për pak. Pastaj foli me një zë që vinte si zhurmë dallge.
— Në det, askush nuk të ushqen. Askush nuk ndez dritën. Por atje, çdo rrymë është zgjedhje. Çdo horizont është mundësi. Mund të humbasësh, por mund edhe të bëhesh pjesë e diçkaje që s’ka fund.
Peshku e preku xhamin me hundë.
— Humbja është rrezik, — tha me vendosmëri. — Unë e njoh çdo gjë këtu. Çdo rreth është i sigurt. Çfarë vlere ka një botë që nuk e përshkon dot me një vështrim?
Në atë çast, pronari i shtëpisë hapi kapakun për ta pastruar. Një frymë ajri hyri për pak sekonda. Nga larg u dëgjua një zhurmë .
Peshku u tremb dhe u fsheh pas figurinave plastike.
— Mbylle! — pëshpëriti ai. — Po hyn rrëmujë!
Kapaku u mbyll. Drita artificiale u ndez sërish. Filtri filloi të gumëzhinte me një zë të njohur, qetësues.
Peshku doli ngadalë dhe notoi në rrethin e tij të përhershëm.
— Shih, — tha ai me lehtësim. — Bota u kthye në vend.
Guri nuk foli më. Ai e dinte se deti nuk i shpjegohet me fjalë atij që e ka mësuar sigurinë si kufi dhe kufirin si shpëtim.
Sepse për një peshk që ka lindur nën dritë artificiale, pafundësia nuk duket si liri, por si kërcënim. Dhe horizonti, në vend që të ftojë, frikëson.
Ndërsa përtej mureve të xhamit, deti vazhdonte të shtrihej pa fund, i padukshëm për ata që kishin mësuar të masin botën me rrethin e tasit apo të katër mureve të shtëpisë. Është e pamundur tja shpjegosh këtë peshkut të akuariumit.

Dorështrëngimi

21 February 2026 at 09:01

Nga Thoma Gellci

Në selinë e Partisë Demokratike të Shqipërisë ishte shpallur një gjendje alarmi që nuk e kishte shkaktuar as gazi lotsjelles , as ndonjë sondazh i ri, por… dora.
Në mur, televizori i madh po transmetonte me “slow motion” momentin nga Bordi i Paqes në Washington: Donald Trump shtrin dorën drejt Edi Ramës.
“Stop! Ktheje edhe një herë!” – bërtiti Flamur Noka, me seriozitetin e një eksperti kriminalist.
Pamja u kthye. Dora afrohet. Shtrëngim. Buzëqeshje. Lëshim.
“E patë?” – tha ai triumfues. “Dorë e ftohtë! Pa shpirt!”
Belind Këlliçi kishte nxjerrë kronometrin. “29.8 sekonda në total.”
“Po me Osmanin, sa?” pyeti dikush.
Videoja kaloi te momenti me Vjosa Osmanin.
“44 sekonda,” tha Belindi .
Salla murmuriti.
“14 sekonda diferencë!” – shpalli Flamuri. “Ky është mesazh!”
Në krye të tavolinës rrinte Sali Berisha, me qetësinë e një njeriu që e njeh mirë gjuhën e simbolikës.
“Dorështrëngimi është gjuhë diplomatike,” tha ai. “Ka dorë miqësore, ka dorë protokollare, ka dorë të ftohtë.”
“Kjo ishte e ftohtë,” insistoi Flamuri.
Në atë moment, një këshilltar i ri, që kishte ardhur me ide për taksa dhe zhvillim ekonomik, ngriti dorën.
“Po doktor,” tha me kujdes, “ndoshta duhet të kemi parasysh edhe faktin që Edi Rama mund të shpallet non grata nga SHBA dhe si rregull këtë mund ta ndjekë edhe Britania e Madhe. Kot e prisnim ne arrestimin, se tani që kanë arrestuar Maduron, ndoshta nuk kanë vend as nëpër burgje se ku ta fusin?”
Në sallë ra një heshtje aq e thellë sa mund të dëgjohej edhe zhurma e “buffering”-ut të videos.
Berisha u drejtua ngadalë në karrige.
“Non grata,” tha ai me ton të prerë, “është akt politik. Donald Trump ka shpallur non grata Antony Blinken. Ramaduron do ta arrestojë në Surrel.”
“Po kur flasim për izolim ndërkombëtar të Ramës…” – vazhdoi me admirim të dukshëm këshilltari – “fjala juaj, doktor, duhet dëgjuar për shkak të përvojës së madhe që keni në këtë drejtim.”
Flamuri ndërhyri menjëherë: “Mos e relativizo! Ne po analizojmë dorën!”
Belindi, që po lexonte komentet live, ngriti sytë:
“Ka shumë komente që pyesin: ‘A fitohen zgjedhjet në Washington apo në Tiranë?’”
Jorida Tabaku, që deri atëherë kishte mbajtur shënime për ekonomi, e ngriti kokën.
“Kjo është pyetja thelbësore,” tha ajo qetë. “Zgjedhjet në Shqipëri nuk i vendos Trump. I vendos votuesi shqiptar.”
Salla u trazua.
“Po imazhi ndërkombëtar ka rëndësi!” – tha Flamuri.
“Po buka ka më shumë,” u përgjigj Jorida.
Në ekran, videoja u kthye sërish te dorështrëngimi.
“Zoom te gishti i madh!” – urdhëroi Flamuri.
Pamja u zmadhua. Dikush tha seriozisht: “Më duket se presioni është minimal.”
Një tjetër shtoi: “Ndoshta është vetëm protokoll.”
“Jo,” tha Flamuri me vendosmëri. “Është mesazh i koduar.”
Në bisedë ndërhyri Ilir Alimehmeti: “Po nëse qytetarët nuk e matin votën me sekonda dorështrëngimi? Nëse ata matin pagën, çmimet, mundësitë, me ndonjë alternativë qeverisëse?”
Berisha u përgjigj me ton filozofik: “Politika është simbol.”
“Po zgjedhjet?” – insistoi ai.
“Zgjedhjet,” tha Jorida, “fitohen me program.”
Në sallë u krijua një heshtje e re. Jo ajo dramatike e parë. Por ajo e pakëndshme, kur dikush thotë diçka që nuk mund të rrëzohet lehtë.
Pas tri orësh analizë të dorës, u përpilua një përfundim:
– Shtrëngim i shkurtër dhe i ftohtë i dorës.
– 29.8 sekonda.
– 14 sekonda më pak se Kosova.
– Mesazh i ftohtë.
“Pra Rama i izoluar,” përfundoi Flamuri.
“Po ne?” murmuriti këshilltari i ri.
Askush nuk iu përgjigj.
Jashtë selisë, në një kafene të zakonshme, ishte ulur Batoni me disa shokë të vet që sillnin miellin nga Serbia. E kishte fjalën Batoni: “Edi Rama është anormal. Bëri të padëgjuarën deri më sot. Të gjithë thonë që kanë bole, po Edi Rama i heq brekët dhe i tregon.”
Njëri prej tyre tha si me ndrojtje: “Dakord, por problem është që po rritet shumë pakënaqësia. Rrugët çahen sa inaugurohen, pensionet nuk dalin, flitet shumë për oligarkët që drejtojnë qeverinë, njerëzit thonë që korrupsioni është shtuar, etj., etj.”
“Asnjë nga këto s’ka rëndësi. Zgjedhjet bëhen në Washington. Një shtrëngim dore është baras me tre vjet pushtet.”
Pak më tutje, socialistja nga Berati po u thoshte shoqeve të saj: “Nuk duam as bukë dhe as ujë. Pensionet na dalin dhe na teprojnë. Mjafton që ia shtrënguam dorën Trumpit.”
Në selinë e Partisë Socialiste, Taulanti, i ulur përpara kompjuterit, po shkruante një status në Facebook: “Krenar për Shqipërinë!”
Prapa kurrizit te Taulantit Zegjineja po i dergonte nje SMS Gaz Bardhit : ” O Gazo! E pe Trumpin mo yll i Roskovecit?”
Ndërsa dy selitë zienin nga entuziazmi, njëra nga ftohtësia e shtrëngimit dhe tjetra nga hedhja e dorës në sup, te kthesa e Kamzës kishte plasur sherri me grushta, bishta lopatash dhe shqelma.
“Pse po ziheni?” pyeti një polic.
“Trumpi është me ne,” tha njëri që kishte bishtin e lopatës në dorë.
“Trampi është me ne, mor maskara!” tha tjetri duke hequr xhaketën që të tregonte muskujt.
Polici u tërhoq mënjanë. Në fund të fundit, turnin e kishte mbaruar dhe s’kishte pse ta griste uniformën, që nëse dëmtohej duhet ta paguante nga xhepi.

Shtëpinë nuk e mbajnë në këmbë muret

16 February 2026 at 09:03

Nga Thoma Gëllçi

Këtë montazh fotografish e gjeta rastësisht në internet, mes mijëra imazheve që kalojnë para syve pa lënë gjurmë. Por ky nuk kaloi. U ndala. Qëndrova gjatë duke e parë, sikur po shfletoja jo thjesht katër fotografi, por katër dekada jetë. Nuk ishte vetëm një shtëpi që plakej në heshtje; ishte një kohë që të shikonte drejt në sy. Sa më shumë e vështroja, aq më shumë kuptoja se ndryshimi nuk ishte vetëm në mure, në çati apo në barin që rritej. Ndryshimi ishte në mungesë ,në atë që nuk dukej më në foto: njerëzit.

Po të pyesësh ndonjë zyrtar, do të të thotë me bindje se fshati po zhvillohet. Ka projekte, ka tabela shumëngjyrëshe në hyrje të rrugës, ka fjalime me grafikë dhe vizione 2030. Ka strategji për “agroturizëm inteligjent” dhe “zinxhirë vlere”. Nëse pyes shtëpinë në foto, ajo do të të thotë diçka shumë më të thjeshtë: “Unë po bie. Mua nuk më mbajnë në këmbë muret, por njerëzit.”

Të mos shkojmë shumë pas në kohë. Në 1996 oborri ishte plot. Fëmijë në bar, të rritur në karrige, lule në dritare. Hardhitë jepnin rrush, pula kakarisnin, gjeli kishte kë të zgjonte. Shtëpia nuk ishte e re, por ishte e gjallë. Kishte zhurmë, kishte grindje të vogla, kishte jetë. Askush nuk fliste për “strategji zhvillimi”. Thjesht punohej toka, mbahej bagëtia, rritej prodhimi i fshatit dhe konsumohej po aty. Cikli ishte i mbyllur dhe i gjallë.

Në 2006 disa u larguan. “Për pak kohë,” thanë. Paratë nisën të vijnë me bankë, por njerëzit jo. Prodhimet e fshatit nisën të pakësohen. Toka mbeti pa duar, stallat pa zë. Në vend të djathit të shtëpisë erdhi djathi i importit. Në vend të domates së oborrit erdhi domatja e kamionit. Fshati nisi të ushqehej me mall që vinte nga larg, ndërsa toka e vet mbetej e pashkelur. Tryeza kishte më pak pjata. Oborri më pak hapa. Shtëpia nisi të kuptojë se heshtja peshon më shumë se varfëria.

Në 2016 mbetën dy karrige. Dy pleq që ruanin një derë që hapej rrallë. Fëmijët tashmë ishin zë në telefon. Përqafimi u bë “alo, si jeni?”. Bari nisi të rritet më i sigurt, se nuk kishte më këmbë që ta shkelin. Bagëtitë u shitën, jo sepse nuk duheshin, por sepse nuk kishte kush t’i kulloste. Shpendët u zhdukën një nga një. Gjeli mbeti pa publik.

Në 2026 shtëpia më në fund fitoi qetësinë e plotë. Askush nuk e shqetëson. Hardhitë u ngjitën në mur si të ishin pronaret e reja. Dera u shtrembërua. Çatia u lodh. Bari u bë banori më i qëndrueshëm i zonës. Ai të paktën nuk emigron.

Ndërkohë, prodhimet e fshatit që dikur mbushnin tregun lokal, tani vijnë nga importi. Qumështi vjen nga kufiri, mishi vjen nga deti, gruri vjen me anije. Fshati konsumon mall të huaj ndërsa toka e vet mbetet në pushim të detyruar. Statistikat mund të tregojnë rritje të konsumit, por nuk tregojnë zbrazjen e oborreve.

Politikat e turizmit shpallen si shpëtim. Por shpesh ato ndihmojnë më shumë zhvillimin e vendeve fqinje sesa ringjalljen e fshatit. Autobusët kalojnë tranzit, pushuesit konsumojnë prodhimet e fqinjëve. Fshati ynë mbetet fotografi panoramike në broshurë, jo destinacion i jetuar. Paratë qarkullojnë, por jo nëpër oborre.

Politikanët vijnë, bëjnë foto para mureve të vjetra dhe flasin për “rigjallërim rural”. Fshati i dëgjon me qetësi. Ai ka dëgjuar shumë fjalë dhe ka parë pak kthime. Që të asfaltohen rrugët duhen njerëz. Politika nuk investon aty ku nuk ka njerëz, sepse ku nuk ka njerëz nuk ka vota. Vota është gjëja më e rëndësishme. Boshllëku ndihmon braktisjen dhe braktisja ushqen boshllëkun. Bashkë me njerëzit zhduken kafshët, shpendët, zërat. Nuk ka më kakarisje pulash dhe gjeli nuk ka cilin të zgjojë në mëngjes.

Sot fshati ka një avantazh të madh: nuk ka papunësi. Sepse nuk ka më njerëz. Problemi është zgjidhur në mënyrën më të thjeshtë të mundshme. Kjo mund të raportohet si një sukses i madh i qeverisjes: zero papunësi, zero ankesa, zero kërkesa.

Dikur shtëpia mbante familjen. Sot familja mban foton e shtëpisë në telefon. Dhe quhet përparim.

Fshati nuk kërkon shumë. Nuk kërkon premtime, as tabela. Kërkon hapa në oborr. Zëra në mbrëmje. Një derë që hapet nga brenda. Deri atëherë, bari do të vazhdojë të rritet. Ai është i vetmi që po investon seriozisht aty.

❌
❌