Normal view

Berisha na tregoi se ai di, po nuk do

6 October 2025 at 11:10

Nga Ergys Mërtiri

Kandidatura e Ermal Hasimes për Bashkinë e Tiranës i jep vlerë dhe kuptim kësaj gare e cila, në të kundërt, do ishte një tragjikomedi për opozitën.

Ermali na jep një motiv për të votuar në kushtet kur nuk kemi kujt t’ia japim votën. Mbetet vetëm që opozita, nëse i ka mbetur dy gram fytyrë e moral, ta mbështesë. Në gjendjen katastrofike ku është nuk ka vend për të bërë si e vështirë.

Pranimi i Berishës për të mbështetur kandidatë të pavarur tregon pikë së pari atë që ia kemi thënë e stërthënë prej vitesh me radhë: Nevojën e opozitës për tu reformuar e për të prodhuar një fytyrë të re.

Berisha tregoi me këtë që ai e di shumë mirë se me çfarë figurash fitohet. Ai e di shumë mirë se me njerëz të lodhur si ata që mbushi listat e mbyllura për deputetë pak muaj më parë nuk vihet në pushtet.

Ai e di shumë mirë që për të fituar duhet prodhuar një fytyrë e re me njerëz të rinj, krejt ndryshe nga profili i servilëve qesharakë, arrogantë e histerikë që mbushin eskortën e tij në Parlament. Berisha tregoi me këtë se ai di, po nuk do.

E tani, në kushtet kur rrezikon të dalë me një rezultat shumë herë më katastrofë se ai i 11 majit, është i detyruar të bëjë diçka për të menaxhuar sadopak realitetin e hidhur.

Së dyti, vjen një moment që teatri, i shndërruar prej kohësh në estradë, ku i shkalafituri vjell zjarr duke u betuar se po e shkatërron Ramën, po e bën atë të dridhet e struket nga frika e revolucionit, vendoset përballë realitetit të rreptë e të pamëshirshëm ku ai del se ka frikë të hyjë në zgjedhje, ndërsa nuk gjen dot as një kandidat për të qenë.

Tani Berisha shtiret sikur gjithçka po e bën për hir të bashkimit të opozitës, pikërisht për bashkimin me ata të cilët pak muaj më parë i akuzonte si shërbëtorë të Ramës, të cilëve ua futi pas krahëve me një kod elektoral kundër tyre, të miratuar në bashkëpunim me Ramën, të cilit i dha rreth 10 mandate qyl.

Realiteti po bëhet dhe do bëhet gjithmonë e më i qartë. Është ai realitet të cilin unë e kam treguar 4 vjet më parë kur kam thënë që marrja e PD-së prej Berishës do ta defaktorizojë atë plotësisht si opozitë duke e tkurrur në një minorancë të pafuqishme, të reduktuar në një garnizon militantësh në luftë imagjinare me gjithë botën.

The post Berisha na tregoi se ai di, po nuk do first appeared on JavaNews.al.

❌