Parkimi i gabuar është kthyer në një problem të padurueshëm për banorët e lagjes Goricë në qytetin e Beratit, të cilët tregojnë se ky fenomen është kt...
Parkimi i gabuar është kthyer në një problem të padurueshëm për banorët e lagjes Goricë në qytetin e Beratit, të cilët tregojnë se ky fenomen është kthyer tashmë në një shqetësim që kërkon ndërhyrje institucionale. Një qytetar tregon me pamje se si shoferët parkojnë automjetet në anë të rrugës, duke u bërë pengesë për qarkullimin e makinave të tjera. “Përshëndetje nga Berati JOQ. Shiko çfarë bëhet në lagjen Gorcië. Kjo situatë është gjithmonë kështu. Nuk ikim dot në shtëpi as në qytet. Nga ura e Goricës deri te hotel Ajka që i themi në, diku 700-800 metra, duhen 30 minuta,” thotë denoncuesi. Në pamje mund të shihet se si makinat janë parkuar në krah të rrugës, duke u bërë pengesë për qarkullimin e automjeteve të tjera, aq më tepër në rast emergjencash. Në këtë video duket dhe një ambulancë që ka mbetur e bllokuar. “Imagjino të kemi rast emergjence. Ambulanca apo zjarrfikësja s’ka shanse të kalojë. Ne me vetura dhe shpeshherë debatojmë jo bëj ti mbrapa jo bëj unë deri sa kërcet grushti. Ju lutemi publikojeni këtë ndoshta e shikon policia e Beratit. Policia nëpër fshatra me rrugë me baltë nuk i toleron me 10 në orë. Ligji është njëlloj thotë policia. Vendosni një radar apo kamer si në Evropë, s’ka policia buxhet për një kamer apo radar,” shkruan më tej denoncuesi. Sipas tij, kjo është një zonë muzeale ku nuk lejohet parkimi fare, por shoferët që parkojnë dhe nuk ndëshkohen nga policia rrugore, bëhen shkaktarë për pengim të qarkullimit të lirshëm, dhe shpesh edhe të debateve mes përdoruesve të tjerë të rrugës. “Nuk lejohet fare parkimi aty se është zonë muzeale. Po futen në sherr shoferët me njëri-tjetrin. Siç e pe qëparë, zjarrfikësja kishte një orë që s’po mund të kalonte,” thuhet në mesazhin e mbërritur në redaksinë tonë. Pritet një reagim nga Policia e Beratit që kjo situatë të marrë zgjidhje, dhe shoferët që parkojnë gabim të ndëshkohen në bazë të parashikimeve ligjore.

27.8K views