Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayLapsi

Reforma në drejtësi, si puthja e Judës

26 October 2024 at 09:19

Prej minutave të para pas mesnatës, mes 21 dhe 22 korrikut 2016, ajo që ka ngelur e pashlyer në mendje është një puthje. Fotografët dhe kameramanët që i rezistuan orëve të gjata pa gjumë arritën më në fund të kenë edhe ata “gralin” e tyre. Personazhet që ata fiksuan, të rënë në krahët e njëri-tjetrit, më shumë të lumtur se sa të lodhur nga orë të gjata negociatash, qenë dy ambasadorë. Njëri, Donald Lu, përfaqësues i Shteteve të Bashkuara, ndërsa tjetra, Romana Vllahutin, e zyrës së Bashkimit Evropian në Tiranë. Të dy i gëzoheshin një votimi konsensual, të padëgjuar më parë, në sallën e parlamentit shqiptar. Të 140 të zgjedhurit e popullit, disa pas presioneve të marra drejtpërdrejt në selitë diplomatike perendimore në Tiranë, votuan ndryshimet kushtetuese për një reformë radikale të sistemit të drejtësisë. Të dy triumfatorët e këtij kalvari të gjatë patën propoganduar prej kohësh se kjo ishte mënyra e vetme që vendi ti jepte fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të lartë, të zhytur shpesh në korrupsion dhe për t’i hapur rrugën një afrimi më të shpejtë me BE.

Artikull i ri për regjimin. RFI: Shqipëria rrëshkitje drejt autoritarizmit

Sot, tetë vite më pas edhe ambasadori Lu edhe homologja e tij Vlahutin janë larguar nga ky vend, pa asnjë përgjegjësi të vetme për atë që kanë lënë pas. Rreth gjysma e 800 Prokurorëve dhe Gjyqtarëve janë përjashtuar nga sistemi si të papërshtatshëm për drejtësinë e re. Më në në fund, janë ngritur në këmbë një prokurori dhe gjykatë speciale të destinuara për të goditur krimin e organizuar dhe korrupsionin e shtetarëve të lartë. Por, megjithëatë, rezultatet janë zhgënyese. Pavarësisht se mbështetësit dhe përkrahësit vijojnë të propogandojnë arritjet sasiore të spastrimit të sistemit, cilësia e produktit të nxjerrë, ka vrarë çdo lloj optimizmi. Qytetarët e thjeshtë do të duhet të presin edhe ndoshta 10 vite, për të zgjidhur konfliktet e tyre për pronat dhe pensionet, të tubuara në mbi 140 mijë dosje që janë arkivuar në gjykatat e shkallës së parë. Që nga viti 2016 Shqipëria ka humbur plot 16 vende në klasifikimin për perceptimin ndaj korrupsionit që kryen Transparence Internacioanal. Ndërkohë, dy skandalet më të mëdha korruptive në vend, ai 420 milionë euro, për tre incernratorë për djegjen e plehrave, asnjëri prej të cilëve nuk punon, (madje ai i Tiranës që ka përpirë plot 110 milionë euro nuk ekziston) dhe një skemë e vjedhjes së fondeve publike nga bashkia e kryeqytetit, kanë të njëjtën moshë, dmth janë projektuar në të njëjtën kohë me startimin e Rerormës në drejtësi. Pra në vend që t’i trembte reforma amerikano-europiane i trimëroi hajdutët lokalë.

Analiza e Der Spiegel: Pse Bashkimi Europian ka mbyllur një sy për Edi Ramën!

Pyetja është si ndodhi kjo? Pse ekperimenti perendimor dështoi në Shqipëri, ndonëse BE ka disbursuar 50 milionë euro të taksapagesve evropianë, ose  ⅓-ën e shumës së përgjithshme për ta mbështetur këtë projekt?

Përgjigja është e thjeshtë: sepse zyrtarët euro-atlantikë vunë bastin e pamundur për të ndërtuar një drejtësi të pavarur nën regjimin e Edi Ramës që bëhej gjithnjë e më autokratik. Ata tentuan sfidën e formimit të prokurorëve dhe gjykatësve të drejtë, në një sistem ku manipulohej vota e qytetarëve, ku informacioni dominohej nga mediat e 5 familjeve të kapura – sipas Reporterëve pa Kufi, nga reklama dhe punët publike me të cilat i shpërblente qeveria, ku opozitës politike i mohoheshin gjithnjë e shumë të drejtat elementare, duke nisur nga refuzimi për ngritjen e komisioneve hetimore në parlament e deri tek zhveshja nga detyra elementare për të bërë interpelanca apo mocione me shefin e qeverisë.

Drejtësia e re, që u konceptua si një mundësi për ti vënë digë korrupsionit, u shndërrua në një armë që kryeministri Rama po e përdor për pushtet të pakontrolluar. 

Kjo përbën një kthim pas. Në tre dekada, që pas rënies së komunizmit në fund të vitit ‘90, historia e saj ka kaluar nëpër tre faza. Ajo e ish presidentit Berisha, që është ende sot shefi i opozitës, i cili në vitet ‘92-97, me pretekstin e spastrimit të institucioneve të diktarurës, ndërtoi një drejtësi të re të politizuar, duke e përdorur atë për të goditur rivalët e tij të drejtpërdrejtë politikë. 

Faza e dytë qe ajo e një drejtësie që i kishte duart të lidhura për të vepruar ndaj abuzimeve të politikanëve të lartë, e cila, ndonëse nuk varej prej askujt dhe qëndronte barazlarguar nga palët, qe e pafuqishme për tu përballur me secilën prej tyre.  

Sot jemi kthyer në fazën e post diktaturës kur ajo po përdoret si gjueti shtrigash ndaj opozitës. Ndonëse prokuroria dhe gjykata e posaçme kanë çuar në burg ndonjë ish zyrtar të qeverisë – të gjithë ndërkohë të larguar paraprakisht nga detyra-, falë tyre Shqipëria është bërë vendi i vetëm në Evropë me të gjithë liderët kryesor të opozitës të izoluar. Kreu i partisë më të madhe opozitare, ish presidenti dhe kryeministri Sali Berisha gjendet në arrest shtëpie. Kreu i partisë të dytë nga rëndësia, ish kryeministri dhe ish presidenti Ilir Meta është në burg.

Fox News: Pse po arrestohen krerët e opozitës në Shqipëri

Fredi Belerit, liderit të komunitetit të minoritetit më të rëndësishëm, atij grek, i rëmbyen fitoren në zgjedhjet lokale,  në një nga vetëm 7 bashkitë që nuk fitoi partia në pushtet, me anë të dënimit për vjedhje votash. Ervin Salianjit, zv/shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, u burgos me pretendimin për një vepër që se parashikon kodi penal, atë të kallëzimit të rremë, vetëm se denoncoi vëllain trafikant të ish ministrit të brendëshëm të Ramës, që refuzonte të kryente një dënim për trafik narkotikësh, të dhënë nga drejtësia italiane. 

Të gjithë këtyre personazheve kryeministri Rama u’a ka parathënë atë që do u ndodhte përmes  deklaratash publike, duke bërë që ai t’i drejtohet zgjedhjeve të pranverës së ardhshme, duke kërkuar, me fushën të spastruar nga të gjithë rivalët politikë.       

Media franceze: Si u bë autokrati Rama aleati më i mirë i Perëndimit

Po si ndodhi kjo para syve të kancelarive perendimore dhe madje me bekimin e tyre? 

Fakti që Edi Rama e mban pushtetin duke shfrytëzuar elementë dhe para të krimit të organizuar për të sunduar brenda vendit dhe i jep legjitimitet autokracisë të tij, falë një mbështetjeje ndërkombëtare, kërkon një shpjegim. 

Ai duhet kërkuar fillimisht në një shfrytëzim më të mirë sesa të gjithë paraardhësit e tij, të argumentit se Shqipëria është një vend pa probleme etnike. Ai ka ditur të përfitojë nga sllogani i prodhuesit të stabilitetit në rajon. Për të promovuar këtë markë ai është futur në konflikt pothuajse me të gjithë liderët e Prishtinës, njëri pas tjetrit, sa herë që këta të fundit kanë pasur fërkime me ndërkombëtarët në kuadër të dialogut Serbi-Kosovë. Por, tregëtimi i interesave kombëtare në favor të përfitimeve personale nuk është shfaqur vetëm në politikën ndaj Kosovës. Talenti për të qenë i vlefshëm për të mëdhenjtë e ka shenjuar diplomacinë e tij. Rama u bë i pari që hapi portat e vendit, për refugjatët afganë, menjëherë pas tërheqjes traumatike të Amerikanëve nga Kabuli, kur shumëkush hezitonte ta bënte këtë. Ndonëse kishte deklaruar publikisht se Shqipëria nuk do të bëhej kurrë burgu në qiell të hapur për emigrantët e vendeve të pasura, ai e lëpiu atë që kishte pështyrë dhe mbylli marrëveshjen “tete a tete” me post fashisten Giorgia Meloni, për hapjen e qendrave të refugjatëve në Shëngjin dhe Gjadër. Duke pritur ardhjen e Trampit në pushtet, të cilën në 2016 e pati quajtur në CNN ‘turpi i njerëzimit” dhe “fatkeqësi për planetin”, ai ka bërë plane për ti dhënë dhëndrit dhe vajzës së ish presidentit të SHBA-së ishullin e vetëm të vendit për qëllime turistike. Po ti shtosh këtyre edhe paratë okulte që përdorën njerëz të dalë drejtpërdrejt nga zyra e kryeministrit për të korruptuar agjentin me të lartë të FBI-së që është rekrutuar ndonjëherë, Charls McGonigalin, të dënua tashmë në SHBA, bëhet e plotë pasqyra e mbështetjes ndërkombëtare për autokratin shqiptar. 

Prej 11 vitesh në pushtet si kryeministër ai ka ditur të ngrejë një rrjetë të tërë merimange për të mbajtur pushtetin me të gjitha mënyrat nga brenda dhe për ta noterizuar atë me vulë mbështetjeje nga jashtë.

Pikërisht për këtë po përdoret edhe produkti kryesor i investimit më të madh që ndërkombëtarët kanë bërë gjatë kësaj dekade, reforma në drejtësi dhe dy margaritarët e saj të kurrorës, Prokuroria dhe Gjykata e posatçme. Në një regjim ku kanë rënë njëri pas tjetrit të gjitha pushtetet e pavarura, ato nuk mund të kishin fat të ndryshëm. Ato tashmë po shërbejnë për t’i kryer Edi Ramës, një sërë punësh të pista që më parë duhet ti mbaronte vetë. Më kryesorja: eleminimin e rivalëve të drejtpërdrejtë nga gara elektorale e pranverës së ardhshme. Në mënyrë paradoksale reforma në drejtësi, që u shpik për të frenuar korrupsionin, do prodhojë fitoren e një pushteti edhe më të korruptuar, siç ndodh rëndom kur abuzuesit nuk i tremben ndëshkimit të mundshëm me votë. 

Edhe ata që dikur besuan tek puthja e para tetë viteve, Lu – Vlahutin, tani e kanë kuptuar se ajo i ngjan asaj të Judës. Qëllimi mund të qe i mirë, por ajo shërbeu për të treguar se çfarë duhej vrarë: Shpresa. Ajo u vu në shërbim të një autokracie për të shtuar legjitimitetin ndërkombëtar të saj.               

©Lapsi.al/Courrier des Balkans

 

The post Reforma në drejtësi, si puthja e Judës appeared first on Lapsi.al.

Derrat e Orwellit dhe rilindasit e drejtësisë së re

16 October 2024 at 16:04

Pa ndonjë surprizë të madhe Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën për pezullimin e dënimit të ish deputetit Ervin Salianji duke thelluar edhe më tepër instalimin e dy standarteve të drejtësisë së re atlantiste. Interesant në këtë akt nuk është vendimi i pritshëm i gjykatësve, por argumentat e mbrojtjes që ata kënë hedhur poshtë. Në 12 faqet që avokatët kishin depozituar tek togat e zeza “më të kualifikuara të vendit”, një pjesë të rëndësishme e zinte krahasimi diskriminues midis ndërprerjes së mandatit të një të zgjedhuri nga populli, që i përkiste opozitës dhe mbetjes në parlament të një të ngjashmeje të tij që i takonte qeverisë. Paralelet hiqeshim me rastin e ish ministres së jashtme Olta Xhaçka. Pa qenë në gjendje të gjykoj se sa efekt mund te kenë këto argumenta nga ana juridike, mendoj se shqyrtimi i tyre, jep për publikun e gjërë, një pasqyrë ulëritëse të kritereve të dyfishta që janë instaluar në ketë vend.

Lexo me tej:

Gjykata e Lartë lë në burg Ervin Salianjin

Le ti marrim me radhë. Ndonëse Gjykata Kushtetuese, një herë bëri pirueta për të ndihmuar mazhorancën, ndërsa herën e dytë e detyroi me vendim parlamentin që të votonte për ti shpënë asaj rastin e “investitores strategjike”, kjo e fundit është ende e pa shqetësuar në parlament. Mandati i saj vijon pa të keq dhe me siguri kështu do të jetë deri në fillimin e fushatës së ardhshme. Nga ana tjetër Ervin Salianjit i’u dogj pa një pa dy mandati që i dhanë zgjedhësit në 2021-shin, ende pa pritur qoftë dhe zbardhjen e vendimit, por duke u mjaftuar vetëm me dizpozitivin.

Së dyti, deputetja e PS e mban detyrën, ndonëse kryebashkiaku që dha truallin në të cilën u implikua emri i saj u burgos nga SPAK për korrupsion. Nga ana tjetër homologu i saj u zhvesh prej saj dhe përfundoi në burg vetëm prej “rrëfimit” të një dëshmitari të përpunuar dhe të paguar nga policia e Fierit. 

Së treti, me faj ose jo, Xhaçka akuzohet se ka përfituar nga detyra dhe se ka vepruar në konfikt interesi, ndërsa kolegu i saj opozitar, në mirë apo në keq besim, ka pasur si qëllim interesin publik, duke dashur të pengojë një trafikant që të përfitonte nga të pasurit e vëllait ministër të brendëshëm. Pra ai që denoncon e pëson, ndërsa ai që abuzon është i nderuar.

Por, fatkeqësisht, ky nuk është rasti i vetëm ku lidhja okulte e politikës me ata që do i jepnin fund epokës së pandëshkueshmërisë, prodhon standarte të dyfishta.

Po të shikosh procesin kundër Sali Berishës, që qëndron i izoluar pasi akuzohet se ka prodhuar vendime qeverie dhe votime parlamenti për të favorizuar dhëndrrin e tij në privatizimin e klubit Partizani, vë duart në kokë. Me të njëjtin standart Edi Rama duhej të kalbej prej kohësh në burg, jo vetëm sepse ka bërë të njëjtën gjë për inceneratorët që mbetën në letër, por se ka shkuar edhe më tej, duke miratuar bonusin për një kompani që nuk ekzistonte, pavarësisht se ministrat e tij e kishin vënë në djeni për këtë gjë. Por ndërsa Berisha po i afrohet fushatës ekektorale si lider i izoluar, SPAK, as ka guxuar ta pyesë kryeministrin aktual, qoftë edhe si person që ka djeni për vjedhjen e shekullit. 

Arrestimi i Berishës/ Si po e politizon SPAK një dosje korrupsioni

Po të njëjtën fabul përforcon edhe procesi i atij që konsiderohet nga opozita si i burgosuri i tretë politik në vend, Fredi Belerit. Pa marrë parasysh se ai u dënua me prova dhe dëshmitarë të manipuluar, pra qoftë edhe duke prezumuar se gjithçka në procesin e tij qe e rregullt, sërish ka diçka që ulëret. Si ka mundësi që drejtësia u alarmua për 8 vota të ish kandidatit të Himarës, që sipas saj nuk vlenin së bashku më shumë se 3 mijë euro dhe nuk e ka vënë ende ujin në zjarr për vjedhjen sistemike të votës, që gjithë Shqipëria e dëgjoi me veshët e saj falë përgjimeve të publikuara prej Bildit. Apo mos vallë një i votuar minoritar bëhet më kollaj kokë turku, sesa e gjithë partia shtet, e impikuar në manipulimin eelektoral të Dibrës dhe Durrësit? 

Fundi i farsës Beleri/ Drejtësia e toleroi kur si duhej më Ramës

Prandaj dhe mbrojtja e Salianjt, ndonëse ashtu sikurse pritej nuk pati sukses, bëri mirë që e vuri theksin tek trajtimi i diferencuar, i vendosur nga lidhja okulte qeveri drejtësi, ku opozitarët diskriminohen, ndërsa pushtetarët favorizohen.

Reforma e euro-amerikanëve e cila u propogandua se kishte qëllimet më të larta, sot ka degraduar në një farsë të denjë për romanet e Orwellit. Më mirë sesa gjithçka asaj i shkon shprehja e stërpërdorur e fiksionit të shkrimtarit vizionar, për një regjim ku të gjitha kafshët janë të barabarta, por ama ka dhe disa që janë më të barabarta se të tjerat. Njësoj edhe sot ata që japin drejtësi në bashkëpunim me rilindjen i ngjajnë derave të “Fermës së kafshëve”, që e vranë parimin e të qenit të barabartë përpara ligjit. Pikërisht për këtë, një deputet i opozitës e humbet mandatin, ndërsa tjetri i qeverisë jo; një ish kryeministër izolohet, ndërsa i njëjti mëkat për pasardhësin nuk konsiderohet faj; një kandidat që dyshohet se ka blerë pak vota shkon në burg, kurse ata që e kanë industrializuar manipulimin e zgjedhjeve quhen fitimtarë. Kjo është ripërtritja e pushtetit të derrave dhe ne nuk po përjetojmë asgjë më shumë se sa na ka parathënë këtu e tetë dekada më parë Orwelli.

©Lapsi.al

 

   

The post Derrat e Orwellit dhe rilindasit e drejtësisë së re appeared first on Lapsi.al.

Protesta, vështirësia e afirmimit përmes forcës

8 October 2024 at 11:05

Opozita nuk i’a ka dalë dot, në ciklin e katërt të protestave, atë për t’u afirmuar përmes dhunës. Të hënën e 7 tetorit, PD vërtet arriti ti vërë flakën portretit të Edi Ramës mbi fasadën e PS-së, vërtet i mbushi me tym, flakë e gaz lotësjellës të gjitha institucionet kryesore të qeverisjes, por ajo nuk qe në gjendje të shkojë përtej simbolikës.

Në këtë kuptim, duke u krahasuar me tre ciklet e mëparshme të periudhës së rifillimit të protestave, që rinisën në vitin 2022 (pas një tredhje gati tre vjeçare të epokës Basha), kjo e tanishmja mund të konsiderohet një dështim.  

LEXO ME TEJ:

Pamjet e protestës/ Paralizohet Tirana për disa orë, selia e PS në flakë

Kur në 7 korrik 2022 Berisha u bëri thirrje të vetëve të derdheshin në rrugë, demokratët të përmalluar për atë çka dinë të bëjnë më mirë i’u përgjigjën në mënyrë impresionuese. Në atë kohë, kur simbolet, vulën dhe përfqësimin e partisë, pushteti këmbëngulte ti mbante te dyshja Basha – Alibeaj, kjo lëvizje u konsiderua si një sukses. Qëllimi ishte të krijonte përshtypjen në publik se Rithemelimi ishte PD-ja e vërtetë dhe ajo përgjigje e militantëve e përforcoi këtë bindje.

Gjithashtu të suksesshme mund të konsiderohen edhe mitingjet e organizuara për ti treguar ndërkombëtarëve se ky vend nuk ishte ai që ata u përshkruajnë shqiptarëve. Edhe në protestën e 6 dhjetorit 2022, atë që zhvillua njëkohësisht me samitin e kryeministrave të BE dhe Ballkanit perendimor në Tiranë, ku një dorë e padukshme, e nxitur në rastin më të mirë nga gjuha e urrejtjes, goditi mbi Sali Berishën, apo qoftë edhe në demostrimin e 20 shkurtit, pesë ditë pas vizitës së Sekretarit Blinken në Tiranë, që i thuri ditirambe Edi Ramës, njërëzit u derdhën të shumtë në shesh.

Edhe ai që mund të konsiderohet si cikli i tretë, që celebroi në 11 korrik të këtij viti, bashkimin përfundimtar të PD dhe kalimin e pothuajse të gjithë deputetëve në grupin ku qëndronin edhe votuesit e militantët i’a arriti qëllimit. Pas një kalvari të gjatë, PD-ja e unifikuar ishte në të drejtën e saj të festonte një muaj pas rifitimit në gjykatë të vulës, siglës, flamurit që i përkisnin.

Por të treja këto lloje protestash, pavarësisht nga diversiteti i temave, kishin si fill të përbashkët afirmimin. Ato herë kërkonin të dëshmonin se kush qe shumica në opozitë, herë se në këtë vend ka një masë kompakte anti qeveritare, herë se drejtimi i marrë, qoftë edhe me përkrahje ndërkombëtare, nuk qe ai i duhuri dhe për ta arritur këtë, mjaftonte prezenca e një mase serioze pjesmarrësish. Në ciklin e katërt, atë që nisi këtë 7 tetor, sfida qe e ndryshme: ajo nuk kishte të bënte më me afirmimin, por me kundërshtimin me forcë. Pasi ishte dëshmuar si opozita e vetme e madhe në vend, pasi ishte konfirmuar me afro gjysëm milioni vota, PD kërkonte të respektohej si e tillë. Por në vend të kësaj, ajo u përball me burgosje politike si procesi ndaj Salianjit, me rëmbim të mandatesh të humbura falë SPAK-ut dhe GJKKO, si në rastin e Himarës, me përdhosje të kushtetutës si për mandatin e Olta Xhaçës e me plot të drejta të tjera të nëpërkëmbura, si pengimi për të ngritur komisione hetimore, interpelanca apo komisione në kuvend. Dhe kur diçka që të takon ligjërisht ta rrëmbejnë padrejtësisht, nuk mbetet rrugë tjetër drejt forcës. Nuk ishte PD që zgjodhi të shkonte tek molotovi, ishte sjellja ndaj saj që i’a imponoi atë si rrugë të vetme.

Por pikërisht këtu, kur tentoi rrugën e forcës, ajo dështoi dhe kjo e ka një shpjegim. Boll që për këtë të bësh një krahasim të thjeshtë, mes protestës së organizuar nga opozita e Ramës në janar 2011 dhe kësaj të tanishmes. Dikur PS në opozitë kishte milionerët e saj që derdhnin shumë para të domosdoshme për organizimin e ndërmarrjeve të tilla. Ajo kishte në dispozicion, për më tepër edhe bandat kriminale, që siguruan kontigjentet që u përleshën me policinë dhe e zbrapsën atë në përballjen përpara kryeministrisë. Opozita e sotme është shumë më e dobët. Ashtu siç ka futur në kontroll, institucionet e pavarura, prokuroritë, gjykatat apo televizionet kombëtarë, PS ka dominimin e plotë edhe mbi oligarkët si financuesë dhe bandat kriminale si ekzekutuesë evenimentetsh të tilla. Shprehja e dikurshme e Berishës se e rrëzon qeverinë vetëm me demokratët e Laçit dhe Mamurrasit tani duket si utopi. I tillë është dhe cikli i protestës opozitare që sapo filloi, ai për tu afirmuar përmes forcës. Prandaj dhe ndryshe nga të parët ai dështoi. Sepse ky regjim ka asfiksuar gjithçka duke shndërruar në mision të pamundur edhe sfidimin përmes forcës, njësoj si atë përmes votës. I vetmi ngushëllim për PD-në mund të jetë se ajo nuk është humbësja e vetme e kësaj gjendje. Të tillë janë një pjesë e madhe e shqiptarëve që janë zhveshur nga mundësia për të jetuar në një sistem të barabartë dhe me ekuilibër forcash.     

©Lapsi.al

 

 

The post Protesta, vështirësia e afirmimit përmes forcës appeared first on Lapsi.al.

❌
❌