Çfarë nuk shkon me ushqimin tonë? Obesiteti, industria ushqimore dhe barnat e shtrenjta
Në dy libra të fundit, njëri me ton shkencor e njerëzor dhe tjetri polemik e i zjarrtë, David Kessler dhe Stuart Gillespie analizojnë shkaqet e thella të krizës globale të obezitetit, duke vënë në qendër ushqimin e përpunuar, varësinë dhe rolin e industrive të mëdha.
David Kessler, ish-drejtor i FDA-së dhe figurë me ndikim në shëndetësinë publike në SHBA, pranon në librin e tij të ri Diet, Drugs and Dopamine se është përballur gjatë gjithë jetës me problemet e peshës. Por ai thekson se nuk është thjesht mungesë vullneti që njerëzit shtojnë në peshë, por një industri ushqimore që krijon produkte të ashtuquajtura “ultra të formuluara”, të dizajnuara për të shkaktuar varësi.
Këto produkte, të ngarkuara me yndyrna, sheqer dhe kripë, janë krijuar për të qenë jashtëzakonisht të shijshme, por me vlerë ushqyese minimale. Ato ndikojnë në sistemin e shpërblimit të trurit dhe hormonin dopaminë, duke nxitur konsumin e tepruar dhe duke dëmtuar ndjesinë e ngopjes.
Pasoja? Rritje e yndyrës toksike në organe jetike, si mëlçia dhe pankreasi, dhe rrezik më i lartë për diabet, sëmundje zemre e goditje në tru.
Kessler i sheh ilaçet e reja për humbjen në peshë, si Wegovy dhe Ozempic, si revolucionare. Ato imitojnë hormonin GLP-1 që shton ndjesinë e ngopjes dhe ulin oreksin.
Por paralajmëron: këto nuk janë zgjidhje të përhershme. Efektet anësore janë të forta dhe, në mungesë të trajtimeve psikologjike dhe ndryshimeve në stilin e jetesës, pesha kthehet sapo ndërpriten.
Ai thekson paradoksin absurd: një industri ushqimore që na sëmur dhe një tjetër farmaceutike që pasurohet duke shitur ilaçe për të na kuruar. “Por ky është realiteti ku ndodhemi,” shkruan ai.
Ndërkohë, në librin Food Fight, Stuart Gillespie shkon më thellë, duke analizuar strukturat ekonomike globale që na kanë çuar në këtë krizë. Sipas tij, sistemi aktual ushqimor është në zemër të një varg krizash të ndërlidhura: obezitet dhe kequshqyerje, krizë klimatike, humbje të biodiversitetit, varfëri dhe pabarazi.
Gillespie identifikon tri faza historike të këtij sistemi: kolonializmi, koha e Luftës së Ftohtë dhe epoka korporative. Faza aktuale, sipas tij, dominohet nga një numër i vogël korporatash transnacionale, më të fuqishme se vetë shtetet. Këto kompani kontrollojnë zinxhirin e prodhimit dhe shpërndarjes së ushqimit, ndikojnë në politikat publike dhe kanë favorizuar përhapjen e ushqimeve ultraprocesuara në mbarë botën.
Duke u mbështetur në përvoja të gjata në terren në Indi, Afrikë dhe Amerikën Latine, Gillespie flet me pasion për dëmet e shkaktuara nga pabarazitë në sistemin ushqimor. Food Fight është një thirrje e fuqishme për veprim kundër një sistemi që prodhon fitime për pak dhe sëmundje për shumë.
Në thelb, të dy autorët bien dakord: për të përballuar krizën e ushqimit dhe obezitetit, nuk mjafton vetëm ndërgjegjësimi individual. Duhet të ndryshohet vetë struktura e fuqisë që kontrollon ushqimin tonë.
Të dy librat sjellin një analizë të thelluar mbi një krizë globale që nuk është më thjesht çështje individuale, por rezultat i një sistemi të manipuluar nga interesa të mëdha.
Ushqimet ultra të procesuara po ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin tonë fizik dhe mendor, ndërsa barnat e reja japin shpresë, por nuk ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme pa ndërhyrje strukturore.
Siç thekson Gillespie, kriza ushqimore është e lidhur me varfërinë, pabarazinë dhe degradimin e mjedisit, e përforcuar nga pushteti i pakufishëm i korporatave globale.
Lufta kundër obezitetit dhe kriza globale e ushqimit nuk mund të reduktohen në zgjedhje personale apo ndërhyrje të shpejta mjekësore. Ato janë simptoma të një sistemi ekonomik dhe ushqimor që nxit konsum të dëmshëm dhe përfitim për një pakicë.
Për të ndryshuar këtë realitet, kërkohen politika publike të guximshme, ndërhyrje rregullatore ndaj industrive ushqimore dhe farmaceutike, promovimi i edukimit ushqimor dhe mbështetje për bujqësinë e qëndrueshme. Shëndeti i popullatave dhe i planetit varet nga ndarja më e drejtë e burimeve, një sistem ushqimor i kontrolluar më pak nga korporatat dhe më shumë nga interesat publike.
/ FT, Shqip.al
The post Çfarë nuk shkon me ushqimin tonë? Obesiteti, industria ushqimore dhe barnat e shtrenjta appeared first on Revista Monitor.