Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 13 August 2025Main stream

Pesë helikopterë për një Shqipëri në flakë

By: Java News
13 August 2025 at 10:04

Nga Klevis Hoxhaj

Shqipëria po digjet.

Në një situatë që ngjan me një skenar apokaliptik, vendi po përballet prej 48 orësh me mbi 30 vatra aktive zjarri të shpërndara në të gjitha qarqet.

Ndërsa në dispozicion janë vetëm pesë helikopterë për të përballuar flakët që kanë rrezikuar banesa, jetë njerëzish dhe zona të mbrojtura.

Një numër që, përballë përmasave të situatës, është i pamjaftueshëm dhe i prirur për katastrofa.

Një i tillë nisi me një zjarr të ndezur në oborrin e një shtëpie në fshatin Kullollas, ku një 80-vjeçar humbi jetën, duke u bërë viktima e parë e kësaj vale zjarresh.

Flakët u përhapën në mënyrë të rrufeshme, duke djegur gjithçka, përfshirë shtëpi, bagëti dhe pyje.

“Isha vetëm, gruaja dhe djali në spital. Nuk doja të ikja, kisha shtëpinë dhe bagëtitë. Situata është e vështirë, është djegur çdo gjë”, tha një banor i Skënderbegasit, i asfiksuar nga tymi, tashmë i shtruar në spital.

Vetëm në zonën e Gramshit, u raportuan mbi gjashtë fshatra të evakuuar dhe dhjetëra banorë të asfiksuar.

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, e cilësoi situatën si të vështirë.

“Janë 6 ekipe këtu të Urgjencës dhe helikopteri të fusha e sportit dhe sipas emergjencës do i nisim drejt Tiranës. Deri tani nuk ka raste të tilla, po i përballojmë këtu, spitali i Gramshit në gatishmëri, madje kemi edhe nga Trauma dhe Elbasani nëse do të jetë e nevojshme”.

Në terren, veprojnë pesë helikopterë – një nga Forcat Ajrore shqiptare, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një çek dhe një sllovak. Por mungesa e avionëve Canadair, që kanë qenë të pranishëm gjatë operacioneve të 11 gushtit, është ndjerë në këtë krizë.

Ndërhyrja ajrore është vendimtare në zona të paarritshme nga toka, si në Parkun Natyror të Gërmenjit, ku flakët përparojnë mbi një territor të minuar nga predha të mbetura nga lufta.

Edhe në Xhath të Fushë Arrëzit, forcat tokësore e kanë pasur të pamundur të hyjnë në pyllin me pisha për shkak të terrenit.

Ndërkohë, vendet fqinje janë vetë të përfshira nga zjarre të përmasave të mëdha.

Greqia, që zakonisht dërgon avionët e saj Canadair në ndihmë të Shqipërisë, këtë herë ka kërkuar ndihmë vetë, duke u gjunjëzuar përballë flakëve në ishujt Zante dhe në Peloponez.

Një krizë që ka përfshirë gjithë Mesdheun, me temperatura ekstreme dhe thatësira të zgjatura.

Në Finiq dhe Delvinë, flakët kërcënojnë Parkun e Syrit të Kaltër.

Në Berat, situata në Poliçan ka dalë jashtë kontrollit, me zjarre që rrezikojnë fshatrat përreth dhe zonën e mbrojtur Balloll, ndërsa në Tiranë, zjarret përparojnë drejt zonave të banuara në Pezë Helmës dhe Vaqarr.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi më parë zjarrvënien një krim që duhet të barazohet me vrasjen në Kodin Penal, duke paralajmëruar ashpërsim të ligjit. Deri tani, janë proceduar 120 persona për zjarrvënie, nga të cilët 21 janë arrestuar.

“Si ka mundësi të digjet Shqipëria për dy minuta? Ne shikonim zjarret nga malet, ai na erdhi te shtëpia”, thotë i njëjti banor nga Gramshi.

Në terren janë angazhuar mijëra forca zjarrfikëse, ushtarake, punonjës bashkiakë dhe vullnetarë.

Por është gjithnjë e më e qartë se përballja me këtë krizë nuk mund të mbështetet vetëm te forcat tokësore – kur zjarret prekin zona malore, të pyllëzuara apo të mbrojtura, ndërhyrja nga ajri është e vetmja mënyrë për të shpëtuar çfarë ka mbetur.

Ndërsa Evropa mban frymën, e mbytur nga një valë e re e të nxehtit, Shqipëria përballet me sfidën e saj më të madhe të kësaj vere.

Dhe pyetja që ngrihet është: A është e përgatitur për krizën tjetër që mund të vijë nesër?

The post Pesë helikopterë për një Shqipëri në flakë first appeared on JavaNews.al.

Before yesterdayMain stream

Toka pjellore e Pilincëve!

By: Java News
12 August 2025 at 21:48

Nga Lavdrim Lita

Gjermani Otto Witte, me profesion akrobat orvatej rrugëve të Stambollit, takon papritur një mik që e njihte prej kohësh, Ismail Arsim, djali i një tregtari të pasur, që më parë kishte dashur të bëhej artist, por që ndërkohë shërben në shërbimin informativ të ushtrisë turke.

Otto Witte nuk ndodhej në ditë të mira dhe kishte nevojë për para. Miku i tij e këshillon të futet në ushtrinë turke. Otto kryen shërbime shumë të vlefshme, si p.sh., sigurimi i materialeve sekrete në Beograd dhe Sofje, të cilat e ndihmojnë të bëjë karrierë duke u graduar oficer e më vonë major.

Drejtimi i ushtrisë turke në këtë kohë po kalonte një kohë të vështirë dhe gjendja ishte shumë e tensionuar. Ndërkaq edhe Shqipëria, në fillim të vitit 1913, po shkëputej nga Turqia dhe në vend ndodheshin vetëm dy trupa ushtarake, ndërkohë që Fuqitë e Mëdha akoma nuk e kishin caktuar mbretin e provincës shqiptare, megjithëse kishte kohë që përflitej për Halim Eddin-in. Në këtë kohë Ottos i lind një ide e çuditshme: për t’u bërë mbret i Shqipërisë.

Ai dërgon dy telegrame rresht në emër të princit, ku njofton ardhjen e tij në Shqipëri mbas dy ditëve. Ndërkohë ai ka marrë me qira edhe një uniformë në Vjenë dhe pikërisht më datë 15 shkurt 1913 mbërrin në portin e Durrësit, i shoqëruar edhe nga miku i tij, që i shërbente si adjutant. Prej andej mendohet të ketë lëvizur në drejtim të Kavajës dhe diku aty mendohet të jetë vendosur në një çadër mbretërore.

Telegramet që kishin mbërritur me parë dhe ngjashmëria e tij me princin e vërtetë, bënë të mundur që ai të kurorëzohej si mbret. Siç i ka hije një mbreti, ai dha edhe pritje, dhe organizoi parada ushtarake, ndërkohë që të bindurit e tij i ofruan edhe një harem.

Lajmi u përhap nga korrespondentët perëndimorë në të gjithë botën dhe natyrisht arriti edhe Stambollin. Sulltani u çudit tej mase nga ky lajm, sepse kishte dijeni që nipi i tij ishte ndërkohë me pushime në Vjenë.

Nga ana tjetër qeveria osmane dukej e kënaqur, që princi i vuri të gjithë kundërshtarët e mundshëm përpara faktit të kryer duke marrë kurorën e mbretit. Ndërkohë që Princi Halim Edinne njoftonte nga Vjena se ishte i habitur për lajmet që vinin nga Shqipëria.

Kështu që monarkut të rremë do t’i duhej të braktiste një orë e më parë mbretërinë e tij 5-ditëshe. Këtu mbaruan edhe ditët mbretërore të Ottos, i cili tani ndihej shumë i pasigurt dhe e dinte se çfarë e priste. Largohet nga sytë këmbët, duke i shpëtuar për mrekulli edhe një urdhërarresti të Esat Pashës. Mendohet se pikërisht vajzat e haremit e kanë ndihmuar të arratiset dhe të shkojë me varkë në Bari.

Në tokën pjellore të princvë Pilinç ka gjithmonë një shaka të madh me këtë vend.

The post Toka pjellore e Pilincëve! first appeared on JavaNews.al.

UÇK e bëri historinë. Quo vadis Hagë…

By: Java News
11 August 2025 at 20:20

Nga Prof. Dr. Kristaq Xharo *

Haga ndodhet në hall… Në pamundësi për t’u përballur me ngjarjet e mëdha të kohës me rreth 110 konflikte të ndezura në botë ku 61 janë midis shteteve, me numrin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore dhe pa asnjë mundësi të ketë ndonjë rol në konfliktin në luftën e Rusisë në Ukrainë e aq më pak në luftën në Gaza, ajo përpiqet me intensitet të plotë propagande ‘të japë drejtësi’ për atë që ndodhi në Kosovë 20 vite më parë…

Gjykata e Posaçme e Kosovës, jashtë Kosovës, në Hagë po zhvillon një dramë që do ja kish zili ta shkruante as makineria më e sofistikuar e propagandës, ku për të gjithë është e qartë se skenari i saj nuk është aspak produkt i drejtësisë ndërkombëtare, por fryt i tabulateve të vjetra të shërbimeve sekrete serbe. Paradoks në parodi, një gjykatë e ngritur për të ndëshkuar krimet më të rënda të luftës ka zgjedhur të merret jo me ata që dogjën, masakruan, përdhunuan e dëbuan, por me ata që i ndalën ato krime.

Shfaqja e aktakuzës së prokurorit Smith, pak ditë para takimit Thaçi-Trump-Vuçiç, në Uashington, ishte si një lojë ku arbitri vendos të luajë sulmues. Beogradi, pa dyshim, kishte gati fishekzjarrët. Kur skenari vjen nga bodrumet e shërbimeve sekrete serbe, premiera në Hagë është vetëm formalitet. Ishte qershor 2020 kur Smith publikoi një aktakuzë ende të pakonfirmuar, por të përsosur për efekt politik, duke minuar takimin që mund të sillte një marrëveshje historike. Drejtësia, në vend të paanshme, zgjodhi të bëhej lojtar-një goditje që do hapte shishet e shampanjës në Beograd.

Akuza, në letër, është kundër individëve, por në realitet vinte si një proces kundër gjithë luftës. Arrestimi i gjithë zinxhirit komandues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ishte thjesht një akt juridik, por një pozicionim politik: gjykohej drejtimi, fryma dhe kuptimi i një lufte çlirimtare. Avokati i famshëm amerikan Pierre-Richard Prosper, një nga njohësit më të shquar të tribunaleve ndërkombëtare dhe ish-ambasador i SHBA për krimet e luftës, paralajmëroi më qartë: “Në Hagë nuk po gjykohen individë, por po gjykohet historia, narracioni i luftës dhe e ardhmja e Kosovës.” Dhe kur një gjykatë merr përsipër të gjykojë historinë, ajo nuk është më gjykatë – ajo është paradoksi i një redaksie politike.

Dhe paradoksi më i madh është shmangia e plotë e kontekstit. Nga qershori 1999, sigurinë në Kosovë e garantonin UNMIK, EULEX dhe NATO. Por, kjo nuk përmendet, sepse do të rrëzonte fabulën se UÇK-ja kishte kontroll absolut mbi territorin dhe humbiste koncepti i ‘krim lufte’, lufta kish mbaruar… apo autoriteti i kontrollit ishte diku tjetër. Në vend të fakteve, akuza u mbështet në trillimet e Beogradit dhe në dëshmitarë që nuk kanë parë asgjë, por “kanë dëgjuar”, por edhe mund të kenë parë diçka – dëshmi me aromë skenari të lirë filmi, jo procesi serioz gjyqësor.

Kjo nuk është hera e parë që Haga operon me standarde të dyfishta. Carla Del Ponte, ish-kryeprokurore e Tribunalit të Hagës, pranoi në kujtimet e saj se kishte ngritur akuza për trafik organesh në Kosovë, por më pas e pranoi se “asnjë provë konkrete nuk iu paraqit ndonjëherë gjyqtarëve”. Megjithatë, dëmi ndaj reputacionit të Kosovës dhe UÇK-së mbeti i pakrahasueshëm mbështetur edhe nga indiferenca dhe miopia e elitave politike në të dy anët të asaj kohe.

Akuza aktuale përshkruan UÇK-në si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, pa asnjë ndryshim me gjuhën që përdorte Millosheviçi. Paradoksi: një ushtri që respektonte rregullat ndërkombëtare të luftës, paraqitej nën uniformë me shenja dalluese, strukturë të qartë dhe refuzonte kategorikisht bashkëpunimin me grupe islamike, në aleancë dhe bashkëveprim me NATO-n dhe me fuqitë e mëdha të perëndimit a mund të etiketohet si një bandë kriminale? Me këtë logjikë, edhe batalioni i dashur e i famshëm “Atlantiku” me vullnetarët shqiptarë që lanë punët e jetën e qetë në Perëndim për të luftuar për lirinë e Kosovës, sipas kësaj gjykate të mbushur me parodi e paradokse i bie të jenë pjesë e një mafie ndërkombëtare… fale këtë gjykatë o zot..

Çdo fjali e aktakuzës mban erën e rëndë të komunikatave të luftës së Beogradit (1998–1999). Edhe zgjerimi absurd i “ndërmarrjes kriminale” në territorin e Shqipërisë verilindore është një kopje e propagandës serbe që justifikonte bombardimet e Kukësit. Kjo nuk është rastësi. Është bashkëpunim i heshtur: Serbia furnizon me “prova” dhe Haga e reciton në sallë. Çfarë bëjnë shtete shqiptare…të zënë në dilemat e mëdha të pushtetit… jo të kombit nuk kanë asnjë strategji e në mungesë të saj, Alvin Toffler thotë: “Në mungesë të strategjisë tënde, shpejt ose pak më vonë bëhesh pjesë e strategjisë së dikujt tjetër” .

Në këtë rrëfim të stisur, mbi 100 masakrat e dokumentuara të ushtrisë dhe paramilitarëve serbë janë zhdukur. Dhjetëra mijëra viktima janë zëvendësuar në tekst me shifra të përshtatura, aq të përshtatura sa përkojnë çuditërisht me versionin serb të ngjarjeve. A është ky një akt i hapur falsifikimi historik, i ndihmuar nga mungesa e një reagimi mbarëkombëtar strategjik shqiptar.
Rezultati është që viktimat reale – populli shqiptar i Kosovës – zhvendosen në periferi të procesit.

Gjykata, në parodi pretendon se po jep drejtësi për ta, por në fakt po bën shërbimin më të vyer për agresorët. Dosjet prej krimeve serbe pluhurosen në sirtarë, ndërsa në tavolinën e punës merren në shqyrtim vetëm dosjet e përgatitura në Beograd.
Më 7 gusht 2025, rrugët e Prishtinës dhanë përgjigjen që duhet t’i shkundë jo vetëm muret e Hagës, por edhe Prishtinës e Tiranës: qindra mijëra veteranë dhe qytetarë, por më shumë të rinj marshuan duke brohoritur “UÇK është lavdi, jo aktakuzë”. Ishte një kujtesë e gjallë se historia nuk rishkruhet me vendime të porositura. Ishte një mesazh se legjitimiteti i luftës nuk do të mund të zbëhet nga asnjë vendim i stisur, por për këtë heshtja është vetëvrasëse.

Protestat, sado madhështore, nuk mjaftojnë, dhe asnjë betejë nuk fitohet vetëm me retorikë, por një mobilizim i plotë institucional, moral dhe shoqëror. Në Prishtinë e Tiranë duhet të lënë mënjanë ‘hesapet’ e vogla dhe të përqendrohen në çmontimin e akuzave. Parlamentet duhet të flasin me një zë. Juristët të dalin në ballë. Shoqëria civile të dalë nga gjumi dhe të marrë pjesë në këtë proces. Mediat të ekspozojnë absurditetin me fakte.

Akademia të prodhojë argumente dhe studime të pakundërshtueshme.

Sepse në Hagë nuk po gjykohet thjesht një grup individësh. Po gjykohet historia e Kosovës, legjitimiteti i lirisë dhe e ardhmja e saj politike. Siç ka thënë Nelson Mandela: “Të mohosh historinë e dikujt është të mohosh identitetin e tij.” Nëse sot rrimë spektatorë, nesër do të zgjohemi pa historinë tonë dhe pa të drejtën tonë. Dhe atëherë, as paradoksi, as parodia nuk do të jenë më argëtuese – do të jenë epitafi ynë.

*Lektor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në UET

The post UÇK e bëri historinë. Quo vadis Hagë… first appeared on JavaNews.al.

Shteti, Irfani dhe liria që ha vetveten…

By: Java News
10 August 2025 at 15:45

Nga Trendafile Visha

Ndonjëherë të shtunat si dua hiç, ndonjëherë i dua shumë…

E djeshmja?!

Ah ç’ditë e madhe për demokracinë!

(Ah ç’kafe e idhët pelin për t’u pirë te lokali i Likut, mu përballë News 24…!)

Dje, shteti ynë i dashur, i fortë, trim dhe me biceps kushtetues, vendosi të tregojë se kush komandon: rrethoi godinën e Televizionit News 24, sepse, mesa duket, ishte dita për të bërë provën generale si në filmat aksion.

Sigurisht, pati reagim masiv të gazetarëve, që si rrallëherë pas dekadash zbuluan fjalën “solidaritet”. Si në një film bardh e zi ata dolën në skenë për të mbrojtur “lirinë e fjalës”, atë fjalë që rastësisht, e kanë përdorur për 35 vite vetëm kur u është djegur çatia e vet.

E çuditshme… ku ishin kolegët e mi, kur Irfan Hysenbelliu, ky shkelës kronik i ligjit në tregun e medias (se mos vetëm ai), i kthente gazetaret në skllevër modernë?

Kur pagat vonoheshin (vonohen) me muaj?

Kur sigurimet shoqërore nuk paguheshin (nuk janë paguar prej 2 vitesh)?

Kur gazetarët paguanin (paguajnë) “nën dorë” për të regjistruar fëmijët në çerdhe a në kopshte?

Kur privoheshin të merrnin kredi (privohen) ? Heshtje. Heshtje e gjatë, e thellë, e turpshme.

Po shteti?

Ai i dha Irfanit një liri të artë; – lirinë për të bërë ç’të donte me punonjësit e mediave dhe të bizneseve të tjera në pronësi të tij. Tatimet (ky një institucion kaq i shigjetuar në media për korrupsion ndër vite), përveç një gjobe sa për sy e faqe, nuk morën asnjë masë. Sepse shteti dhe oligarku ishin (janë) si dy sy të së njëjtës fytyrë: njëri mbyllet, tjetri shikon anash.

Unë e di shumë mirë, sepse e kam përjetuar mbi shpinë këtë “bashkëjetesë” shtet–oligark.

Unë, modestja guxova para një viti të sfidoj padrejtësinë. Vetëm se atëherë padrejtësia quhej “punëdhënësi”. Çfarë ndodhi?

– Më kyçën derën e godinës ku kisha punuar 23 vite. Shkarravitën librezën time të punës me “braktisje detyre”, ndërkohë që detyrën e kishte braktisur pronari prej 6 muajsh pa më dhënë pagën.

Faji im?!

Kërkova të paguhesha për punën time, të më llogaritej vjetërsia, të më paguheshin sigurimet. Ky ishte krimi im…?

Dhe shteti?!

Shteti thjesht pa nga dritarja tjetër; – vendosi të mos më prishte “rehatinë”…

Tani, që shteti i tregoi muskujt Irfanit, ashtu si Irfani ua ka treguar dhjetëra e dhjetëra gazetarëve papritur kthehemi në Spartakë me mikrofon në dorë. Të gjithë dalin në shesh për “të drejtat e tyre”, pa përmendur se për

dekada kanë pranuar t’ua shkelin të drejtat më elementare.

Ndërsa shoh këtë revoltë kolektive, më duket sikur jam në një teatër absurd:

ku në aktin e parë, oligarku shkel gazetarët;

në aktin e dytë, shteti godet oligarkun (pasi e ka lënë atë që të mbush e të derdh kupën duke sfiduar ligjin);

dhe në fund, të gjithë dalin në skenë të përqafuar, duke recituar monologun “Liria e shtypit”.

Ndërsa shoh këtë revoltë, më dhemb, më dhemb shumë hipokrizia e reagimit.

Nuk di ndonjë vend tjetër në Europë ku të luhet një teatër i tillë, ku të drejtat e gazetarëve të shkelen kaq hapur, dhe ku vetë gazetarët ta kenë pranuar këtë shkelje si normalitet.

Kjo është Shqipëria: vendi ku liria e shtypit ngatërrohet me lirinë për të shtypur.

PËRSE HESHTA DJE?

– Respektova veten, kolegët, profesionin, ndonëse Tjetra ime më thoshte me ngulm: reago, reago tani!

Heshta pasi më duhej (t) që në peshore të vë gjithë situatën e krijuar, të cilën e shoh në dy nivele paralele:

1. Veprimi i shtetit – mbyllja pa paralajmërim (duhej bërë një njoftim publik) e sinjalit të transmetimit të një prej televizioneve më të mëdha në vend

(sidomos pa transparencë dhe pa ezauruar procedurat ligjore) është një precedent shumë i rrezikshëm për lirinë e medias. Është një sinjal presioni, jo vetëm për atë televizion, por për të gjithë spektrin mediatik. Nga ana tjetër, prona për të cilën shteti dhe Irfan Hysebelliu i tregojnë muskujt njëri-tjetrit; – ku shteti deklaron se është pronë shtetërore dhe se aty do të ngrihet fabrikë armësh, e ndërsa Irfani luan me kartën e kontratave të qirasë, dihet nga të gjithë gazetarët se është në pronësi të banorëve të Shkozës. A nuk është krim, që pronarët e vërtetë të pronës shohin teatrin që luhet para syve të tyre. Gazetarët e News 24 janë dëshmitarë, se si Lik Kasharit, një nga pronarët e tokës për të cilën grinden balozët, i ndalohej të parkonte makinën jashtë portës së News 24, në tokën e tij. Atë kohë e në gjithë kêtë kohë, të gjithë ne gazetarët bënim sehir, edhe pse pinim kafe çdo ditë te lokali i Likut. Të bësh duel ne ring për tokën që ju është vjedhur pronarëve të ligjshēm është e turpshme në radhë të parē për shtetin e pastaj për oligarkun Irfan Hysenbelliu, cili që nga viti 2022 është njoftuar në vijimësi për lirimin e ambienteve. Kolegët e mi dinë mirë këtë fakt. Por në këtë shfaqje të turpshme të humburit e mëdhenj janë ata, pasi janë flakur nē rrugë të madhe. 230 punonjës jo vetëm rrezikojnë vendin e punës, por rrezikojnë të mos marrin as rrogat e prapambetura dhe sigurimet shoqërore të pa paguara nga pronari i tyre i papërgjegjshëm.

2. Historia e pronarit Irfan Hysenbelliu është një shembull i modelit të pronarit që i sheh gazetarët si “mjet pune”, jo si profesionistë me të drejta të plota. Mos-pagesa e sigurimeve shoqërore, vonesat e pagave, presioni për të heshtur, këto janë shkelje të drejtpërdrejta të ligjit dhe etikës.

(Një detaj interesant: prej vitesh, për çdo muaj deri ditën e djeshme është kënduar në kompaninë e Irfanit, është kthyer në hit refreni i këngēs: – ēshtë hedhur rroga?

S’është hedhur rroga?

Po pse…?

Po kur…?

Po kam qira…,

Po kam kredi…,

Po s”kam shtëpi…)

…(nëse do hapje WhatsApp e gazetarëve që kanë punuar dhe punojnë në kompanitë mediatike të Irfanit, refreni i këngës për rrogat e fundmuajit do bëhej virale.

(Ky refren tronditës, thua se shteti ka vdekur, këndohet dhe në televizione të tjera, që nuk harrojnë t’i bëjnë qokën Irfanit.

– Nëse do të reagoja dje, pa dashje ose me dashje reagimi im do “ngatërrohej” në publik si mllef personal.

Do ngjante se “fishekun në pajë” e kisha ruajtur për individin (Irfanin), dhe jo për shtetin tim të dashur që flirton, bashkëpunon me oligarkët në kurriz të qytetarëve.

Shteti im i dashur ishte (është) në dijeni se Irfan Hysenbelliu është një ndër mëkatarët e mëdhenj të tregut, por në vijimësi mbyllte sytë, ose më e shumta e pickonte sa për t’i thënë: “Hej ti”!

Shteti im i dashur kërkonte (kërkon) që “gështenjat nga zjarri” t’i nxirrte (nxjerrin) me duart e të tjerëve.

Ç’hipokrizi!

Ç’tallje trapi!

Në një vend ku presupozohet se ka shtet dhe funksionon ligji, nuk krijohen situata të tilla absurde,

nuk mbijnë nga hiçi oligarkë që tallen me djersën e dinjitetin e gazetarëve.

Dhe gazetarët, të cilët nëpërkëmben nga mëngjesi në mbrëmje e heshtin, ta kursejnë frymën për të bërtitur për “të drejtën kushtetuese”, për “fjalën e lirë”.

Një gazetar që nuk mbron të drejtat bazike të tij, nuk mund tē mbroj të drejtat e qytetarëve të këtij vendi.

Si mundemi, si, të pretendojmë për një qeverisje më të mirë, për një të ardhme më të mirë në Shqipëri?!

Unë solidarizohem me kolegët e mi, por ata duhet të nisin të bëjnë ndryshimin nga vetja. Respekti nuk kërkohet, fitohet. Gazetarët

Duhet ta fshijnë nga memoria e tyre atë thënien prej skuthi: “larg nga b**** ime”!

…ose, ose…shëtttt, shëttt…

Çudia më e madhe në këtë vend tri ditë zgjat.

Tema

The post Shteti, Irfani dhe liria që ha vetveten… first appeared on JavaNews.al.

Nuk është mbyllur News24

By: Java News
9 August 2025 at 13:20

Nga Indrit Vokshi

Nuk dua të dal “kontrapedal” në gjithçka, sikur jam unë më i mençuri!

Thjesht i është marrë godina shtetërore, nuk i është mbyllur televizioni. Kush tha që iu hoq licensa televizionit?

Ta vendosë televizionin në pronat e veta si psh Bashkim Ulaj që e ka te kulla e vet dhe Dulaku që ka Vizionin të pallatet e veta. Pse duhet domosdoshmërisht të kesh një godinë publike-shtetërore për televizionin tënd privat? Për më tepër, ke humbur të gjitha gjyqet prej 2022 deri në korrik 2025. Pse thonë nuk ka njoftim e vendim gjykate?

Çfarë më shqetëson? Po i zhvlerësojmë fjalën e lirë, median, demokracinë, duke dashur t’i përdorim si slogane për të mbrojtur paligjshmërinë.

Ska dyshim, Edi Ramës nuk i plas shumë për ligj; të vetëve edhe ua toleron shkeljet, atyre që si do për klientë nuk ua lejon, zbaton vendimin. Këta tani, ankohen “pse nuk na i lejon edhe ne shkeljet, siç ua lejon atyre”? Të jemi të drejtë në paligjshmëri? Shumë dakord. Na lejoni edhe ne të tjerëve të përdorim godina shtetërore apo toka shtetërore publike. Pse jo? Jemi më pak burra të mirë se Irfani, apo tjetri, apo tjetri? Aspak.

Sa për “media e fjalës së lirë”, dritares e të vërtet etj. se këtu shpërthen ky lloj patetizmi, ka qenë media në dispozicion të Erion Veliajt. Shyqyr që nuk na transmetonte Veliajn kur zgjohej nga gjumi.

Shenjtërinë e demokracisë duam ta përdorim për të mbrojtur ata që veç me demokracinë skanë lidhje. Shenjtërinë e medias si media, duam ta përdorim si mburojë për të mbrojtur ata që nuk duan të zbatojnë vendime gjykatash. Ndonjëri prej jush që e lexon ketë shkrim, a ka guxim të mos zbatojë një vendim gjykate?

Mos na i zhvlerësoni e mos na i diskretitoni çështjet e rëndësishme si demokracia e liria e medias, duke i përdorur për këto punë. Sepse, pastaj, herë tjerët, kur të jetë e nevojshme vërtet të mbrohen, reagimi është i vakët, nuk rebelohet kush për demokraci e liri mediaje, ngaqë janë zhvlerësuar duke i përdorur si mburoja vend e pa vend.

Televizioni nuk është mbyllur, gazetarët do të jenë përsëri aty, shpresojmë që pas këtij rasti ai televizion ta rrisë aktivitetin e tij opozitar.. dhe jemi në rregull. Pse duhet të fusim lirinë, demokracinë, Kristaq Ramën, Havzi Nelën, Spiro Kolekën, tek një çështje ku gjykata ka marrë vendim që televizioni t’i kthejë godinën shtetit shqiptar ngaqë shteti nuk ia ka rinovuar kontratën e qerasë a çfarë ka pasur?

The post Nuk është mbyllur News24 first appeared on JavaNews.al.

Qeverisja votohet, prokuroria qeveris

By: Java News
8 August 2025 at 17:24

Kodi i ri Penal duhet të mbyllë boshllëqet ligjore që sot paralizojnë vendimmarrjen publike dhe vendosin qeverisjen demokratike nën frikën penale

Nga Plarent Ndreca

Në Shqipëri, nuk është vetëm paaftësia apo korrupsioni ai që pengon administratën të funksionojë cilësisht dhe me efiçencë. Sot është mbizotëruese frika. Frika se një firmë, edhe kur është e ligjshme, e dhënë në mirëbesim dhe jashtë çdo konflikti interesi, mund të interpretohet si krim nesër nga një prokuror që e lexon ndryshe ligjin. Madje, sa më i aftë të jetë administratori publik, aq më shumë rritet kujdesi dhe prirja për t’i qëndruar larg rreziqeve. Kështu, çdo ditë e më shumë, administratorët më të aftë i largohen administratës publike edhe pse shteti sot ofron paga shumë konkurruese në treg.

Kjo frikë është reale. Është kthyer në një mekanizëm të heshtur, por të fuqishëm, që po ngurtëson çdo nivel të administratës, investimeve dhe shërbimeve publike. Projekte të planifikuara nuk nisin, tenderë anulohen, leje të ligjshme refuzohen, jo për mungesë fondesh, kriteresh apo aktesh rregullatore (të cilat madje ndodhen në nivel të lartë inflacioni), por nga frika se vendimmarrja do të kthehet në objekt akuze penale.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, jemi në vitin më të mirë nga pikëpamja e të ardhurave buxhetore, por investimet publike janë realizuar në nivelin më të ulët të viteve të fundit. Paratë janë mbledhur, por nuk janë shpenzuar. Pse? Sepse ka marrë hov ajo që quhet “burokracia ndaluese”, një administratë që, nga frika e ndjekjes penale, zgjedh të mos vendosë fare.

Kjo nuk ndodh vetëm për shkak të mungesës së kapaciteteve apo stafit të kualifikuar, fenomene të njohura dhe të pranishme në çdo kohë, por për shkak të një faktori të ri dhe tashmë dominues: prokuroria ka hyrë në terrenin e vendimmarrjes administrative.

Prokuroria, veçanërisht ajo e Posaçme, ndryshe nga prokuroritë e zakonshme, që përgjithësisht janë më të kujdesshme, ka ndërhyrë në vlerësimin e ligjshmërisë së akteve administrative duke zëvendësuar drejtësinë administrative. Ka marrë përsipër të gjykojë vendime të pushtetit ekzekutiv pa pasur asnjë tagër kushtetues për këtë. E për këtë i ka ardhur në “ndihmë” edhe një Kod Penal ku shumë nene janë “blancket” (dispozita të bardha, të përgjithshme e të paqarta), që i referohen ligjeve administrative të miratuara me shumicë të thjeshtë (71 vota) dhe që nuk bëjnë dallim të qartë mes shkeljes administrative dhe veprës penale . Praktikisht, sot në Shqipëri shumë funksionarë publikë gjykohen apo edhe janë dënuar jo mbi bazën e një parashikimi të qartë të Kodit Penal, që miratohet me shumicë të cilësuar prej 84 votash, por mbi ligje administrative të varura nga vullneti i një shumice të thjeshtë qeverisëse, madje edhe mbi akte nënligjore që nuk kanë fare fuqinë e ligjit.

Rezultati është i qartë: administrata shmang çdo vendim të guximshëm, politikat publike mbeten në letër dhe madje vendimarrje apo kontrata ekzekutive për projekte publike tentojnë të ngjiten lart për miratim, drejt organeve kolegjiale deri në Parlamentin e Shqipërisë, jo për transparencë, jo si ushtrim kopetencash (madje shpesh jashtë kopetencave të organeve kolegjiale), por për të shmangur përgjegjësinë penale.

Kur vendimmarrja administrative kriminalizohet pa kufij të qartë, nis një efekt zinxhir shkatërrues. Administrata humbet funksionin e saj proaktiv. Rritet kultura e shmangies së përgjegjësisë. Vendimmarrja shpërndahet në mënyrë kolegjiale, jo për të rritur transparencën, por për të fragmentuar dhe relativizuar përgjegjësinë penale.

Kështu deformohet vetë koncepti i përgjegjësisë publike: askush nuk vendos, që të mos jetë përgjegjës. Kjo nuk është më burokraci e kujdesshme, por një burokraci ndaluese, kulturë e institucionalizuar frike që nuk prodhon siguri, por kolaps vendimmarrës.

Kodi i ri Penal nuk duhet të ushqejë frikën, por të garantojë përgjegjësi të përcaktuara qartë dhe kufij të prerë të ndjekjes penale. Kjo arrihet vetëm duke vendosur disa rregulla themelore:

1. Ndarja e prerë mes shkeljeve administrative dhe atyre penale.

Kodi i ri duhet të përshkruajë qartë veprimet që përbëjnë vepër penale. Një gabim administrativ nuk mund të kthehet menjëherë në krim; ai mund të penalizohet vetëm nëse përsëritet (recedivizmi) me dashje, pasi është ndëshkuar më parë administrativisht (siç ndodh p.sh. në veprat penale në fushën fiskale).

2. Asnjë ndjekje penale pa vendim administrativ paraprak.

Një akt administrativ nuk mund të shërbejë si bazë akuze penale pa një vendim të organit kompetent ose të drejtësisë administrative që e vlerëson ligjshmërinë e aktit.

3. Mbrojtja e vendimmarrjes në mirëbesim.

Nënpunësit civilë që veprojnë në mirëbesim (jo në mashtrim të ligjit, jo me falsifikim, jo me korrupsion dhe jo me konflikt interesi) duhet të kenë garanci se nuk do të ndëshkohen penalisht vetëm sepse prokuroria e interpreton ndryshe ligjin. Atyre duhet t’u garantohet mbrojtje ligjore nga vetë organi shtetëror në emër të të cilit veprojnë. Ata firmosin në emër të Republikës së Shqipërisë, ashtu siç firmos një prokuror apo gjyqtar, të cilëve shteti u ka garantuar imunitet funksional, kur veprojnë në mirëbesim.

Vendimmarrja e marrë në mirëbesim dhe në ushtrim të diskrecionit administrativ, jashtë korrupsionit, falsifikimit apo mashtrimit, duhet të mbrohet nga presioni penal. Pa këtë mbrojtje, funksioni publik jo vetëm paralizohet, por shndërrohet në një administratë që ka frikë të qeverisë

Standardet evropiane kërkojnë që kontrolli mbi administratën të jetë proporcional dhe i përcaktuar qartë me ligj. Gjykata e Strasburgut ka theksuar se askush nuk mund të ndiqet penalisht për një veprim administrativ pa një normë qartësisht të parashikueshme dhe pa një vendim nga gjykata kompetente që ka të drejtë të vlerësojë ligjshmërinë e veprimit. Ky është thelbi i parimit të “gjykatës së krijuar me ligj”, një garanci themelore kundër arbitraritetit juridiksional.

Nëse Kodi i ri Penal nuk i mbyll këto boshllëqe, do të trashëgojmë një administratë të frikësuar, një ekzekutiv të paralizuar dhe një pushtet penal që arbitron çdo vendim publik. Ky është rrugëtimi më i shpejtë drejt asgjësimit të demokracisë përfaqësuese

Kur qeverisja demokratike bie nën thundrën e frikës penale, shteti pushon së qeverisuri dhe sundon akuza.

Kodi i ri Penal nuk duhet të jetë thjesht një listë nenesh, por një arkitekturë moderne, e ndërtuar mbi themelet e parimeve tona Kushtetuese dhe e frymëzuar nga vlerat më të larta evropiane, të mishëruara në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Kodi i ri Penal, veç të tjerave, duhet të jetë garancia që frika nuk do të mbetet më arma me të cilën paralizohet qeverisja.

E para ishte qeverisja. Pastaj erdhi mirëqeverisja. Sot, rrezikojmë që, në emër të mirëqeverisjes të mos qeverisim fare. Ose të na qeveris prokurori.

The post Qeverisja votohet, prokuroria qeveris first appeared on JavaNews.al.

Modeli Trump me tarifat, pse mos të jetë pikë referimi edhe për Qeverinë Shqiptare?!

By: Java News
6 August 2025 at 22:12

Nga Musa Kurtulaj

Prej vitesh, fermerët dhe prodhuesit shqiptarë përballen me një paradoks: nga njëra anë, Shqipëria ka potencial të mjaftueshëm për të siguruar perime, fruta, mish, bylmetra dhe prodhime të tjera bujqësore të sigurta dhe cilësore për konsum të brendshëm; nga ana tjetër, tregjet mbushen çdo ditë nga produkte të importuara, shpesh me çmime më të ulëta, që shkatërrojnë konkurrencën dhe dekurajojnë prodhuesit vendas.Kjo situatë është justifikuar prej kohësh nga qeveria me argumentin se vendi është pjesë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, një angazhim ndërkombëtar që ndalon bllokimin e mallrave të importuara apo rritjen e tarifave doganore.

Por sa i shërben kjo marrëveshje interesit të vendit kur praktikisht shndërrohet në një “kartë e bardhë” për të shkatërruar prodhimin vendas? Sot, prodhuesit shqiptarë nuk kanë vetëm konkurrencën e tregut të lirë, por edhe një sfidë të pabarabartë: mungesë subvencionesh serioze, vështirësi për të depërtuar në rrjetet e shitjes me pakicë, çmime të paqëndrueshme dhe mbi të gjitha, mungesë mbrojtjeje nga shteti.

Ndërkohë, prodhimet e importit vijnë shpesh nga vende me subvencione të larta për bujqësinë dhe me standarde që nuk kontrollohen njësoj si ato vendase.Në këto kushte, shembulli i fundit i Donald Trump në SHBA, që rriti tarifat për mallrat e huaja për të mbrojtur ekonominë dhe prodhimin amerikan, ngre një pyetje të drejtë: a është koha që edhe Shqipëria të rishikojë qëndrimin e saj ndaj importit të pakontrolluar?

Natyrisht, Shqipëria nuk është SHBA. Ekonomia jonë është shumë më e vogël dhe më e ekspozuar. Por kjo nuk përjashton nevojën për të vendosur masa të zgjuara mbrojtëse — qoftë përmes tarifave sezonale, rishikimit të marrëveshjeve, vendosjes së standardeve të detyrueshme për produktet e huaja, apo favorizimit të prodhimeve vendase në tregjet publike.

Tregtia e lirë nuk duhet të jetë sinonim i tregtisë së shfrenuar në dëm të interesit kombëtar. Liria në këtë rast, pa drejtësi ekonomike, nuk është as zhvillim, as integrim. Është falimentim i heshtur i fermës shqiptare.

Nëse Shqipëria nuk reagon, shumë shpejt tokat do të mbeten djerrë, fshati do të shkretohet akoma më shumë, dhe do të ushqehemi me produkte që nuk i njohim, nga vende që nuk i kontrollojmë.

Mbrojtja e prodhimit vendas nuk është nacionalizëm ekonomik. Është mbijetesë. /TEMA/

The post Modeli Trump me tarifat, pse mos të jetë pikë referimi edhe për Qeverinë Shqiptare?! first appeared on JavaNews.al.

Gjykata Kushtetuese ç’bllokon ngërçin që vetë ajo kishte krijuar

By: Java News
5 August 2025 at 11:02

Nga Niazi Jaho

Pak histori:

Para disa ditëve, u njoha me vendimin nr. 35, datë 27.05.2025 të Gjykatës Kushtetuese. Sipas këtij vendimi, rezulton se një e dhjeta e deputetëve kishte paraqitur në Kuvend një mocion në tëcilin pretendohej se deputeti V.S kishte kryer veprimtarifitimprurëse që buronte nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor. Mocioni bazohej në nenin 70, pikat 3 dhe 4 të Kushtetutës.

Kuvendi kishte vendosur rrëzimin e këtij mocioni, ndërsa jo më pak se një e dhjeta e deputetëve të Kuvendit i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për deklarimin të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit nr. 5, datë 30.01.2025 të Kuvendit dhe detyrimin e tij për ti dërguar gjykatës mocionine rrëzuar.

Gjykata Kushtetuesen në vendimin nr. 35, datë 27.05.2025 që përmendëm më lart është shprehur se: “në çdo rast, një e dhjeta e deputetëve ka të drejtën të kërkojë nga Kuvendi me mocion që të dërgojë në gjykatë çështjen e papajtueshmërisë së deputetit në ushtrimin e mandatit dhe në rast të rrëzimit të një mocioni të tillë, aktivizohet e drejta e jo më pak se një të pestës së deputetëve për të vënë drejtëpërdrejt në lëvizje gjykimin kushtetues për shqyrtimin në themel të çështjes së papajtueshmërisë dhe deklarimin e mbarimit të mandatit të deputetit.” (Shih Par. 28)

Në rastet e mëparshme kur mocioni i një të dhjetës së deputetëve është rrëzuar nga Kuvendi dhe është vendosur mos dërgimi içështjes në gjykatë (siç ka qenë p.sh rasti i deputetes O.XH), qendrimi i gjykatës ka qenë krejt i ndryshëm. Që çështja të jetë e qartë për lexuesin e shikoj të nevojshme ti referohem vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nr. 55, datë 10.07.2024, ku thuhet:

a) Kur Kuvendi vihet në lëvizje me mocion të Kryetarit tëKuvendit ose një të dhjetës së anëtarëve të tij, duhet të vendoset dërgimi i çështjes në Gjykatë Kushtetuese, e cila është organ i vetëm që ka kompetencë të shqyrtojë në themel çështjen…

b) Në rastet kur Kuvendi vihet në lëvizje sipas pikës 4 të nenit 70 të Kushtetutës “Kuvendi nuk mund të vejë në diskutim nocionin e paraqitur dhe nuk mund t’ja nënshtrojë atë debatit parlamentar…Kuvendi, në këto raste, nuk mund ti hyjë themelit të çështjes, pra vlerësimit nëse veprimet konkrete të pretenduara të kryera nga deputeti, janë të papajtueshme me mandatin e tij.” (Par. 39 ivendimit)

c) Lidhur me mosdërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, në vendim theksohet se: “Kuvendi detyrimisht duhet të zbatojë vendimet e saj, konkretisht atë që sanksionohet në nenin 132 të Kushtetutës ku thuhet se “vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.” (Par. 44 i vendimit)

d) Gjykata vlerëson se “parimi kushtetues i mandatit të lirë të deputetit nuk mund të kuptohet si liri absolute…Gjykata çmon se parimi i mandatit të lirë (jo detyrues) edhe pse është i zbatueshëm në procedurat parlamentare kur deputetët thirren në votim, nuk nënkupton se liria nëvotim e deputetëve është absolute. Përkundrazi kjo lirinë votimin e tij i nënshtrohet kufizimeve.” (Par. 58 ivendimit)
Kundër vendimit të mësipërm kam shprehur opinionin timkritik në një shkrim të publikuar në gazetën “Dita”, të datës16 janar 2025, të titulluar: “Ngërçin e ka krijuar vetë Gjykata Kushtetuese”.

Vendimi nr. 35, datë 27.05.2025 i gjykatës që ka ndryshuar thellësisht qëndrimet e saj të mëparshëm duke ç’bllokuar kështu ngërçin që vetë ajo ka krijuar, (në fakt edhe pse nuk shprehet) pranon se:

a) Qëndrimi i Kuvendit ka qenë i drejtë, dmth në pajtim me Kushtetutën. Ai nuk ka cenuar asnjë nen të Kushtetutës nërastet kur ka refuzuar mocionin dhe si pasojë nuk ishte i detyruar ti dërgonte çështjen Gjykatës Kushtetuese.

b) Neni 132 i Kushtetutës në një rast të tillë, nuk mund të zbatohej, sepse ndryshe nuk do të përfillej votimi i shumicës dhe autonomia e organit ligjvënës.

c) Të padrejta, jokorrekte, të pajustifikuara dhe të rënda kanë qenë shprehjet e përdorura në vendimin e gjykatës (është fjala për moszbatimin e nenit 132 të Kushtetutës) se Kuvendi ka cenuar “të gjithë strukturën e të drejtave dhe detyrimeve të parashikuara në Kushtetutë, ç’ka do të përbënte një precedent të rrezikshëm…” (Par. 58 ivendimit të Gj.K, Nr. 35, datë 10.07.2024)

Pas vendimit të mësipërm, gjykata nuk do ti kërkonte Kuvendit shfuqizimin e vendimit të refuzimit të mocionit dhe as do të përmendte detyrimin sipas nenit 132 të Kushtetutës, sepse vendimi i Kuvendit do të ishte legjitim dhe nuk do të përbënte, siç shprehej gjykata në vendimin e mësipërm të vitit 2024, “një precedent të rrezikshëm”.

Duke ju rikthyer vendimit të Gjykatës Kushtetuese që legjitimon një të pestën e deputetëve për të venë në lëvizje gjykatën në rastet kur Kuvendi rrëzon mocionet e një të dhjetës së deputetëve, është e nevojshme të trajtohen çështjet e mëposhtme:

Së pari: A ka ndryshuar gjykata praktikën e saj të mëparshme?

Së dyti: Nëse po, për këtë ndryshim a ka parashtruar ajo arsyet dhe argumentet përkatëse?

Së treti: Kjo praktikë e ndryshuar a përbën normë të re kushtetuese?

Në trajtimin e çështjeve të mësipërme e shohim të nevojshme të shprehim mendimet e mëposhtme: Gjykata ka ndryshuar praktikën e saj, por pa arsyetuar domosdoshmërinë e këtij ndryshimi. Në fakt praktika e gjykatës mund të ndryshojë nëraste të rralla, në kushte dhe rrethana të veçanta dhe sidomosnë zbatim të standardeve (shih vendimin e Gj.K, Nr. 30, dt. 17.06.2010).

Ne mendojmë gjithashtu se ndryshimi i praktikës që legjitimon një të pestën e deputetëve në rastet kur Kuvendi rrëzon mocionet e paraqitura nga një e dhjeta e deputetëve, krijon normë të re që siç dihet është atribut i legjislativit. Në këtë përfundim ka arrritur edhe pakica e anëtarëve të gjykatësqë janë shprehur se: “nëpërmjet legjitimimit të subjektit jo më pak se një e pesta e deputetëve, gjykata ka tejkaluar Kushtetutën duke krijuar normë të re kushtetuese”(vendimi nr. 35, datë 27.05.2025, paragrafi 24)

Në përfundim e shikjmë të nevojshme të theksojmë se gjykata(përfshi kështu edhe rastin e deputetit V.S) në vështrim të nenit 70, pikat 3 dhe 4 të Kushtetutës, më parë nuk ka legjitimuar vënien në lëvizje të saj nga një e pesta e deputetëve, me arsyetimin se neni 70 i Kushtetutës është dispozitë specifike.

The post Gjykata Kushtetuese ç’bllokon ngërçin që vetë ajo kishte krijuar first appeared on JavaNews.al.

Pse nuk i besojmë ligjit?

By: Java News
3 August 2025 at 19:16

Nga Bjorn Runa

Pse nuk i besojmë ligjit?

Teorikisht, ligji supozohet të shërbejë për të na mbrojtur, duke ndërhyrë si ndërmjetës për shmangien e konflikteve, të na garantojë të drejtat dhe t’i mbajë të pushtetshmit përgjegjës. Megjithatë, në praktikë – veçanëirsht në vende si Shqipëria – ligji në vend që të ekzistojë si pakt mes të barabartëve, kthehet në fakt në mjet survejimi dhe kontrolli të shoqërisë.

Por, nëse ligji nis qysh në fazën e hartimit me paragjykimin se qytetarët janë hileqarë, mashtrues, kriminelë që nuk iu zihet besë, atëherë çfarë shoqërie jemi duke ndërtuar dhe mbi të gjitha, nëse ligji nuk na beson, a duhet t’i besojmë ne atij?

Në episodin e 29-të të Apostrof Podcast, bisedoj me Nebi Bardhoshin – antropolog ligjor – puna kërkimore e të cilit fokusohet tek studimi i jetës politike dhe sociale të ligjit. Ai ka studiuar evoluimin e ligjit shtetëror në Shqipëri, mbijetesën e normave zakonore si Kanuni deri në ditët tona, dhe mënyrat se si sistemet ligjore funksionojnë përtej aspektit rregullator të tyre.

Një ndër konceptet që shfaqet shpesh në punën e tij është liminaliteti, ose të qenit në prag të transformimit nga një gjendje, në një tjetër. Sipas Bardhoshit, qysh nga pavarësia e deri sot, shoqëria shqiptare është mbajtur në një gjendje të vazhdueshme liminaliteti. Një popull që është gjatë gjithë kohës në tranzicion, pa mund asnjë herë ta realizojë transformimin e vet. Në këtë gjendje liminale, reformat ligjore nuk shërbejnë më për të vendosur drejtësi, por për të ushtruar kontroll.

Po aq shqetësuese është edhe mendësia në bazë të shumë prej ligjeve të reja. Pasi ka marrë pjesë si ekspert në një sërë komisonesh për hartimin e ligjeve, Bardhoshi shprehet i shqetësuar për mentalitetin që ekziston mes kolegëve të tij, por edhe ekspertëve të ndryshëm ligjorë, të cilët e shohin qytetarin gjithmonë si dikush që kërkon t’ia hedhë sistemit. Kjo lloj mendësie, që kërkon të hartojë ligje si grackë për qytetarin, për ta kapur atë në gabim, është sa cinike, aq edhe e rrezikshme, pasi prodhon ligje që ndëshkojnë vetëm të dobëtit.

Pavarësisht kësaj, Bardhoshi e sfidon fatalizmin, ndërsa na kujton se ka patur dhe ka akoma tradita lokale të pluralizmit legal, negociimit në komunitet dhe etika të tjera sociale, të cilat i rezistojnë dominimit. Ndonëse jo gjithmonë i drejtë apo egalitar, mbijetesa e të drejtës zakonore deri në ditët tona tregon se komunitetet vazhdojnë të kërkojnë legjitimitet, kuptim dhe drejtësi jashtë institucioneve shtetërore. /tema/

The post Pse nuk i besojmë ligjit? first appeared on JavaNews.al.

Nga dënimi i çdo vendimi administrativ… tek një drejtësi europiane / Çfarë kërkon realisht BE-ja nga Shqipëria për “shpërdorimin e detyrës”

By: Java News
29 July 2025 at 22:44

Nga Edmond Petraj – Avokat

Në çdo raport vjetor të Komisionit Evropian për Shqipërinë, vepra penale e shpërdorimit të detyrës është një pikë ndalese: jo për ta eliminuar, por për të kuptuar si përdoret. Ndërkohë që shteti shqiptar i trembet çdo gabimi të një administratori të zakonshëm dhe ngre akuza penale për çdo vendim joefektiv, Brukseli bën një kërkesë të qartë: Zbatoni ligjin, por mos e keqpërdorni atë.

Në Shqipëri, neni 248 i Kodit Penal “Shpërdorimi i detyrës” është kthyer në një mjet të gjithanshëm ndëshkimi, një nen “shelg” që përkulet sa herë do prokuroria, por rrallë herë qëndron drejt në themelin e drejtësisë. Në fakt, BE-ja e njeh këtë nen, por nuk e përdor si në Shqipëri.

Çfarë kërkon BE-ja në të vërtetë?

Kërkesa e Bashkimit Evropian është më shumë një thirrje për maturi ligjore sesa për shtrëngim penal. BE nuk thotë që “mos e dëno shpërdorimin”, por kërkon që Shqipëria:

Ta zbatojë vetëm kur ka një shkelje të rëndë ligjore, me qëllim përfitimi personal;

Të mos ndëshkojë penalisht gabimet administrative, që mund të jenë thjesht rezultat i paaftësisë, mungesës së përvojës apo keqinterpretimit;

Të zhvillojë një administratë publike që nuk funksionon me frikë, por me përgjegjësi të qartë dhe kontroll të brendshëm;

Të garantojë që ndjekja penale të mos jetë e instrumentalizuar politikisht apo selektive.

Shqipëria: gjithçka penale, edhe kur është thjesht burokraci

Në vendin tonë, shpërdorimi i detyrës është shpesh një grackë ligjore: nëse s’e firmos, akuzohesh për neglizhencë; nëse firmos, akuzohesh për tejkalim kompetencash. Funksionarët publikë ndihen më afër bankës së të pandehurit sesa zyrës ku duhet të shërbejnë.

Dhe këtu vjen thelbi i kërkesës së BE-së: nëse doni një administratë që punon me integritet, nuk mund ta mbani peng me një nen penal të paqartë dhe të gjithanshëm.

Europa ka standarde të qarta

Në shtetet anëtare të BE-së, vepra si “shpërdorimi i detyrës” është e kodifikuar ndryshe për shembull si:

Korrupsion aktiv ose pasiv,

Keqpërdorim i fondeve publike,

Kontrata fiktive apo falsifikime,

Ndikim i paligjshëm në vendimmarrje.

Pra, BE-ja nuk njeh një nen ku gjithçka mund të ndëshkohet me togfjalëshin “ka shkaktuar dëm ndaj interesit publik”. Aty ka saktësi, qëllim kriminal, pasojë të qartë dhe dëshmi të provueshme.

Jo çdo dështim është krim

Ky është mësimi që duhet të marrim nga kërkesa e Bashkimit Evropian. Nëse duam një shtet funksional, nuk mund ta ndëshkojmë çdo zyrtar që nuk ka bërë punën perfekt. Gabimi është pjesë e natyrshme e punës publike. Por abuzimi me pushtetin për përfitim personal – ky është krimi i vërtetë që BE kërkon të luftojmë.

Dhe në fund drejtësia europiane nuk është më e butë, është më e drejtë

Ndaj, Shqipëria nuk duhet të heqë dorë nga ndëshkimi i abuzuesve përkundrazi. Por duhet të ndalë abuzimin me ndëshkimin. Sepse një vend që i trajton të gjithë si të dyshuar, nuk mund të ndërtojë një shoqëri të lirë, transparente dhe evropiane.

The post Nga dënimi i çdo vendimi administrativ… tek një drejtësi europiane / Çfarë kërkon realisht BE-ja nga Shqipëria për “shpërdorimin e detyrës” first appeared on JavaNews.al.

Tiranë -Prishtinë, segmenti ajror i munguar në zemër të kombit dhe tregut

By: Java News
29 July 2025 at 19:55

Nga Feliks Baci

“Një distancë e shkurtër, një ndërprerje fluturimesh dhe një mungesë e gjatë…”

Sot pas hapjes së korridorit ajror midis Shqipërisë dhe Kosovës — falë përpjekjeve të qeverive respektive dhe mbështetjes së NATO-s — fluturimi nga Tirana në Prishtinë zgjat vetëm 17 minuta. Kjo është një kohë simbolike, që dëshmon për afërsinë fizike dhe shpirtërore të dy vendeve tona, por edhe për një mundësi të madhe ende të pashfrytëzuar.

Një histori që lindi nga përkushtimi dhe kushtrimi

Lidhja ajrore Tiranë–Prishtinë lindi menjëherë pas luftës. Në një kohë kur ende ndihej aroma e barutit, aeroporti i Prishtinës (Sllatina) kontrollohej nga forcat ruse, që kishin mbërritur të parat në një nga lëvizjet më simbolike të tensionit ushtarak në rajon. Bashkë me z. Remzi Ejupi, simbol i kësaj përpjekjeje, dhe me ndihmën e z. Xhavit Haliti (në bashkëpunim me një gjeneral britanik), u punua për të marrë një leje të posaçme për fluturime civile.  Fillimisht leja u dha per fluturime humanitare nga Gjeneva në Prishtinë, përmes Albanian Airlines.

Leja per operime ajrore nga Tirana per ne Prishtine  u sigurua me argumentin se do të përdornim një avion rus Tupolev 134, gjë qe per fat ndikoi në tejkalimin e skepticizmit rus. Kështu nisi një “urë ajrore” që për një kohë të shkurtër u bë lidhja më e shpejtë, më e sigurt dhe më e domosdoshme mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Fluturimet zhvilloheshin me ritme të qëndrueshme — nga 7–9 në javë — edhe pse Serbia nuk jepte  shërbim navigacional mbi Kosovë, çka e detyronte rrugën ajrore të kalonte përmes Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, klima ekonomike ishte e favorshme dhe optimiste. Shumë biznese nga  shqiperia zhvendosën aktivitetin në Prishtinë, ndërsa lidhjet ndërkombëtare u konsoliduan përmes kësaj linje.

Rruga automobilistike, por jo zëvendësuese

Më pas, me ndërtimin e Rrugës së Kombit, nevoja për fluturime u zvogëlua. Transporti tokësor u bë më i lehtë dhe më ekonomik. Por ndërprerja e fluturimeve nuk mund të konsiderohet si një “zgjidhje përfundimtare”. Kjo është një anomali që nuk qëndron në një kontekst evropian modern, ku edhe distancat më të shkurtra trajtohen si lidhje strategjike për zhvillim.

Nevoja për rikthim të linjës ajrore

Lidhja ajrore Tiranë–Prishtinë duhet të rikthehet. Jo thjesht për arsye simbolike, por për shkak të nevojave reale të tregut,  të diplomacisë dhe levizjes  se qytetarëve të të dy vendeve.

Është e kuptueshme që kompanitë ajrore nuk do të operojnë në destinacione ku nuk ka leverdi ekonomike. Por kjo është pikërisht arsyeja pse nevojitet mbështetje institucionale.

Çfarë kërkohet konkretisht?

Një thirrje publike e përbashkët nga administratat respektive te aviacionit civil te Shqipërisë dhe te Kosovës për të promovuar linjën Tiranë–Prishtinë  dhe vv si interes strategjik dhe kombëtar.

Krijimi i një skeme mbështetëse (subvencioni) për 2 vitet e para të operimit, me ndihmën e fondeve të Komisionit Evropian.

Lehtesira aeroportuale nga te dy anet, ne çeshtje te perpunimit te udhetareve ne nje linje te detikuar te checkin- t dhe kalilit kufitar vetem me karta identiteti, ulje taksash ku hapesira rregullatore e lejon.

Përdorimi i mekanizmit PSO – Public Service Obligationm (Detyrim për Shërbim Publik), një instrument që BE e përdor për të subvencionuar linjat ajrore kur ato kanë vlerë publike, por mungesë fitimprurjeje tregtare.

PSO nuk është “ndihmë shtetërore” në kuptiminm klasik — është një mpërjashtim që lejon financimin e linjave të domosdoshme. Ëizz Air, për shembull, ka përfituar këtë status për linjën Budapest–Tiranë.

Kush mund te garoje ne rastin e aplikimit PSO ?

Të gjitha kompanitë ajrore shqiptare apo të rajonit te kenë mundësi të konkurrojnë për këtë linjë, përmes një procesi të hapur, transparent dhe me kritere të qarta.

Paralelisht, duhet të zhvillohet një fushatë informimi dhe ndërgjegjësimi në të dy anët e kufirit, për të rritur kërkesën dhe për të afirmuar këtë linjë si pjesë e një vizioni të përbashkët zhvillimi kombëtar dhe evropian.

Tirana dhe Prishtina janë më pranë se kurrë. Por fluturimi midis tyre duhet të jetë po aq i shpejtë dhe i natyrshëm sa vetë lidhja që na bashkon.

The post Tiranë -Prishtinë, segmenti ajror i munguar në zemër të kombit dhe tregut first appeared on JavaNews.al.

Rithemelim, rikthim dhe revolucioni vazhdon!

By: Java News
28 July 2025 at 13:09

Nga Alban Daci

Kriza dhe serioziteti i një subjekti politik kuptohet nga dialektika që përdor dhe kjo e fundit ndërtohet mbi bazën e supozimeve ose termave. Ndonjëherë bëhet për të krijuar politik dhe herë të tjera përdoret si justifikim se po prodhojnë politik.

Në versionin e parë ndodh kur procesi është serioz e qëllimi final është për reformim serioz.

Ndërsa në versionin e dytë është thjeshtë demagogji dhe zakonisht qëllim final ka për të justifikuar aksione ose të ashtuquajturit vendime brenda një subjekti për të justifikuar vendime të padrejta dhe të për të rikthyer status quon në pikën zero në shërbim të atyre që ndërmarrin nismën.

Fillimi e mbarim historia e “Rithemelimit” ka qenë e mbetet demagogji dhe kjo nuk ka nevojë për ndonjë shkencë për t’a kuptuar, sepse të rithemelosh diçka do të thotë se ajo “ç’ka” nuk ekzistonte.

Në fakt ajo ekzistonte, kishte struktura, grup parlamentar dhe çdo gjë çfarë i nevojitej një subjekti. Ajo që ndodhi në atë subjekt ishte rikapje e jo rithemelim, sepse ishi u kthye dhunshëm dhe e morì siç ishte pa ndryshuar asgjë e madje as skuadrën në thelb.

Tani po riqarkullon ideja se na paskan gënjyer me atë që e quajtën rithemelim, sepse paska qenë rikthim dhe tani është momenti të bëhet rithemelimi i vërtetë.

Pra, në çdo rast na paskan gënjyer. Në fakt kanë gënjyer ata që janë të detyruar të gënjehen për interesa personale duke ndryshuar qëndrime si ngjyra e kameleonit e kanë gënjyer të tjerët që për shkak të nostalgjisë dhe iluzionit të lidhur me ndjenjën e miltantizmit besonin ose ëndërron në rikthimin e liderit që e kanë shoqëruar në mitingje dhe kudo për të paktën 30 vite.

Gjithashtu, hapja e kësaj teme soț, lidhet me vështirësitë që po kalon ky subjekt për shkak të humbjes së zgjedhjeve e kështu duan ta adresojnë debatin në procese e zhvillime të brendshme për të harruar se dështuan në qëllimin final për të rrëzuar Ramën.

Pra, ky proces duhet pas shtatorit për t’i impenjuar militantët në forma fiktive e me shpresën se do të korrigjohen padrejtësitë e brendshme.

Gjithashtu, të bësh këtë proces pas zgjedhjeve, kur të tjerët kanë marr mandate e privilegje është sikur të tallesh me shumicën që mund t’u japësh ndonjë titull apo pozicion brenda, por në fakt është sikur të kenë çelsat e kashtesyperballe një Pozitë që ka gjithçka e s’ka nevojë për asgjë.

Gjithashtu, brenda llojit ose jashtë llojit ka shumë gjata që edhe në shtator “revolucioni” të nis nga fitorja në fitore.

The post Rithemelim, rikthim dhe revolucioni vazhdon! first appeared on JavaNews.al.

Një ndër arsyet që nuk bëjnë hajr partitë e reja është çështja e pushtetit!

By: Java News
19 July 2025 at 17:45

Nga Alban Daci

Shqipëria është një vend me polarizim të madh.

Madje, sot polarizimi politik i’a kalon edhe periudhës Komuniste!

Në kohën e Regjimit kishte “Bijtë e Partisë”, “Bijtë e Shqipërisë” dhe “Armiqtë e Partisë dhe të Shqipërisë”.

Të parët ishin njerëzit e pushtetit, të dytët edhe pse nuk kishin pushtet nuk kishin pengesa për arsim, punësim e mund të siguronin për atë kohë, një jetë të pranueshme. Ndërsa të fundit ishin sikur të mos ekzistonin, nuk gëzonin asnjë të drejtë!

Pra, Regjimi, kishte nevojë edhe për masat, qoftë për krahë pune e ashtu edhe si ushtarë të mundshëm në një luftë apo konflikt të nxehtë!

Sot, polarizimi politikë ka bërë të ketë vetëm dy kategori, “Bijtë e Partisë” që kanë gjithçka dhe “Armiqtë e Partisë” që kanë zgjedhur shpesh në këto 35 vite tranzicion, largimin dhe emigrimin si të vetmën shpresë për të jetuar në kushte të pranueshme!

Përdorimin e termit “Parti” e kam si simbolikë të forcës politike që ka pasur pushtetin në të kaluarën apo që e ka sot!

Për fat të keq karriera dhe mundësia për të jetuar mirë, qoftë edhe duke abuzuar e pasur privilegje në këto 35 vite tranzicion është e lidhur ngushtë me politikën dhe pushtetin politik!

Thuajse, asnjë nga ata që kanë qëndruar ose mbetur jashtë sferës së politikës nuk kanë bërë karrierë dhe nuk kanë krijuar pasuri.

Gjithmonë për të kuptuar “subjektet e reja” kam qenë i idesë dhe i mbetem se duhet t’i referohemi “Aleancës Kuq e Zi”, sepse ajo ishte gjeneza e mundësive të subjekteve anti-sistem!

Kjo nisi me shumë eufori dhe mbështetje, po goditjen kryesore të braktisjes e mori, kur ndjekësit e saj bënë llogaritë dhe u binden se forca që ndiqnin nuk ishte pjesë e likes së madhe të pushtetit.

Sinjali i qartë ishte kur AK refuzojë kualicion me Partinë Socialistë. Në atë moment ndjekësit e saj, përtej patriotizmit filluan të bëhen pragmatist duke bërë llogaritë personale për pushtet, karrierë apo për privilegje. Sigurisht, pas vendimi se AK s’do të ishte në kualicion me PS, shantazhet, joshjet e presionet do të ishin më të thjeshtë e do të shoqëroheshin me largime edhe masive.

Partitë e reja në 2025, në thelb kopje apo imitime të deformuar të AK, patën disa avantazhe dhe kjo i bëri pak më shumë të suksesshëm, por në thelb edhe jeta rezultuan humbëse ndaj sistemit.

Avantazhi i rëndësishëm për t’a ishte Drejtësia e re dhe protagonizmi i Spak që frenojë fenomenet që kishin ndarë ndodhur më parë.
Ligji dhe zbatimi i dekriminalizimit në vitet e fundit ka dhënë efektet e tij.

Një PD e lodhur ne lidership dhe e shpartalluar ishte në favor të subjekteve të reja.

Prandaj, rezultati që morën në 2025 ishte shumë më i mirë se i AK në 2013, por në fund edhe ky ishte humbës ndaj sistemit, sepse as nuk e tronditën e as nuk e rrëzuan.

Përkundrazi, kanë hyrë në një fazë të re dhe të fundit ndoshta, për të mundur përfundimisht veten deri në eliminim të plotë politik.

Pse ndodh kjo? Njerëzit e ndjekin një subjekt me shpresën për të marr pushtet dhe për të qenë të pushtetshëm. Nëse një subjekt ka marrë, qoftë edhe 60 mijë vota, por ka prodhuar vetëm një mandat, ky i fundit nuk i hynë në punë në misionin e tij as liderit e jo më ndjekësve!

Ndjekësit kthehen nga turma me emocione, në pragmaistë duke bërë llogari individuale. Humbja është arsye e këtij transformimi dhe për pasojë dhe goditja e shkatërrimit apo eliminimin politik i një subjekti anti- sistem që humb në jetën politike me këtë të fundit! Pushtet pak, do të thotë sofër e varfër dhe e vogël e për pasojë nuk ushqehen të gjithë e s’ka vend për të gjithë! Ata që janë pragmatistë fillojnë menjëherë të kërkojnë e të gjejmë një sofër më të madhe e me ushqim të bollshëm!

The post Një ndër arsyet që nuk bëjnë hajr partitë e reja është çështja e pushtetit! first appeared on JavaNews.al.

Shabani nuk po ofrohet të jetë Tritan Shehu i Berishës 2.0

By: Java News
19 July 2025 at 09:18

Nga Erion Delvina

Politikë e vjetër është që djemtë inteligjentë t’u hapin rrugë mediokërve, t’i ndjekin, t’u nënshtrohen, t’u përtypen edhe kur u hahet fjala.

Doni t’jua tregoj me emra, demek nuk i dini, tufat me tituj shkencorë e fjalëbukur, që ulën kryet e ndoqën rrugëtimet e pafundme të Berishës, Metës dhe Ramës?

Nuk është politikë e vjetër, që shpesh, inteligjentët t’ua kujtojnë me stil mediokërve vendin. Në Shqipëri kjo është e re! Bash kjo është politikë e re!

A është e bukur? E shëndetshme? Si fillim duket jo dhe aq. Mirëpo shfletimi i librit të vjetër të pluhuros disi. E disi alergjia bën të vetën. Edhe tështin. Edhe të krruhen sytë në fillim. Pastaj të çelen. Imuniteti nis e të mbron. Rritet.

Andaj moralin publik të dashamirësve të partive të reja se fintja e Shabanit me dajën, e kthen këtë të fundit te politika e vjetër, unë e gjej krejt pa vend.

Fare të palidhur.
Krejt e kundërta më duket e vërtetë!

E shoh ndryshe nga masa: Në atë lëvizje minimaliste me precizion të lartë pashë një politikan inteligjent. Krejt ndryshe. Që nuk hap rrugë nga Njëshit.

Shabani po kushtëzon fjalëmbajtje. Politika e vjetër nuk e bënte.

Jua shpjegoj edhe me Teori Loje po të doni: po nuk dua ta rëndoj me filozofi mëngjesore këtë status. Ndërrimi i rregullave të lojës në lojë e sipër, në një lojë si politika që është e përsëritshme, të jep faturë në besueshmëri.

Shabani nuk po ofrohet të jetë Tritan Shehu i Berishës 2.0 me theks jugor. Këtë po bën! Për këtë “po e shajnë”.

Sikur sapo t’u jepej rasti Ilir Metës t’ia prisnin rrugën ata burra inteligjentë dhe intelektualë që e ndiqnin në kapituj të ndryshëm në LSI, apo Berishës kur po egërsohej, apo Nanos kur i kishte humbur pasioni, apo Ramës oreksmadh për pushtete që nuk i takojnë, sot Shqipëria do të ishte Luksemburgu i Lindjes.

Lëvizja e Shabanit në distancë duket një komplot oborri, otomanizëm, por po ta vëzhgosh ftohtë është një sistem inteligjent dhe bashkëkohor që po instalohet: “për budalla nuk më merr dot!”.

Minimalisht sikur në politikën e vjetër, kushdo që ka investuar në vete, kushdo që i thoshte vetes intelektual të bëhej pengesë për rrugën e tiranucëve, aq sa mundej, ashtu si mundej, aq sa për të mos i marr si të mirëqenë, aq sa për të mos ecur dot zbathur mbi trupat e tyre, tjetërkund do të ishim.

Një kafe nuk e kam pirë me Shabanin, por me të jam!- sa i takon këtij rasti.

“E kanë rrudhur lojën në një mandat”, thonë.
Ç’thoni more?
E shpjegon Teoria e Lojës, prapë, shpërblimi i fitores së lojës së tyre, të kësaj loje, tani dhe këtu, në këtë kontekst të dhënë, aq është: një mandat.
Nuk janë as PS, e as PD.

E me qenë se jemi këtu, nga këtu ngre edhe shqetësimin kryesor: ku ishin, ku janë, ku do të jenë endrishabanët e PS dhe PD?

The post Shabani nuk po ofrohet të jetë Tritan Shehu i Berishës 2.0 first appeared on JavaNews.al.

Letër për një letër publike

By: Java News
15 July 2025 at 11:30

Nga Ervin Lera

Pas një letre publike që zoti Baton Haxhiu, i drejton zonjës Eni Vasili si Drejtoreshë e Përgjithshme e RTSH, për të shpëtuar institucionin nga depresioni ku ka rënë, ose më saktë ku ka qënë gjatë gjithë ekzistencës së vet që në fillim vitet ’90, duke mos patur asnjë kontakt dhe njohje të drejtëpërdrejtë me asnjë prej tyre, po drejtohem nëpërmjet një letre të thjeshtë pas letrës publike.

Që të mos zgjatem me hyrje që shkëpusin vëmendjen, po kaloj drejt në ato me të cilat nuk pajtohem me zotin Haxhiu. Edhe pse nuk ngre dot pretendimin se di gjithçka, madje as shumë, mund të mbroj argumentat e mia kundërshtuese në lidhje me letrën.

Nga sa lexova nga letra e zotit Haxhiu, ajo që binte në sy – të paktën ajo që më tërhoqi vëmendjen mua – ishte fakti që edhe vetë lëtërshkruesi publik e pranon pa ndrojtje dhe pa asnjë hezitim, se nuk ka dështuar asnjëherë RTSH deri tani, por ka dështuar politika, e cila me ndërhyrjet dhe interesat e veta ka bërë që të mbetet RTSH, në një nivel, sipas zotit Haxhiu, të mjerueshëm.

Pra, nuk është paaftësia e drejtuesve të zgjedhur politikisht të RTSH, që kanë realizuar dështimin e RTSH, por janë drejtuesit më të lartë politikë që e kanë bërë këtë.

Por, a ka kjo një zgjidhje? PO! Kjo e ka një zgjidhje dhe që nuk është nevoja të hartohen strategji madfhështore për t’u arritur. Me ndihmën dhe mbështetjen e faktorëve dhe aktorëve me ndikim në jetën mediatike shqiptare, shoqërinë civile – ata dashamirës të asetit moral kombëtar RTSH – , me kontributin e disa njerëzve të përkushtuar brenda RTSH, të cilët reflektojnë largpamësi dhe zhvillim, mund të ngrihet një mburojë antipolitike në menaxhimin dhe zhvillimin e RTSH.

Mund të ndalohet dhe të konsiderohet i paligjshëm dhe i dënueshëm çdo ndikim politik në menaxhimin e RTSH dhe të respektohet pavarësia dhe depolitizimi i këtij institucioni që në fillim të ndryshimit të regjimit social-politik në Shqipëri.

RTSH është institucioni i parë që ka deklaruar depolitizimin, madje, para policisë dhe ushtrisë.
Organizimi i takimeve të ngjashme me atë që nxiti zotin Haxhiu të shkruajë letrën publike, drejtuar zonjës Vasili, është më shumë se i nevojshëm, pa diskutim duke përzgjedhur me më shumë kujdes pjesëmarrësit dhe protagonistë, dhe duke nxjerrë përfundime të qarta, dhe ngritur strategji afatmesme dhe afatgjata për zhvillimin e RTSH, dhe, duke qartësuar në çdo hollësi edhe rrugët dhe politikat menaxhuese se si do të arrihet kjo.

E para që mendoj se është e duhura në respekt edhe të pavarësisë dhe depolitizimit të RTSH, është që në këto tryeza të mos përfshihen emra dhe personalitete me angazhim të drejtëpërdrejtë politik dhe me interesa të përcaktuar partiakë.

Përmirësimi i kushteve të punës, trajnimi, zhvillimi dhe promovimi i vlerave të punonjësve të RTSH, aq shumë të injoruara nga zoti Haxhiu në letrën e tij, janë të mundshme të bëhen në çdo moment pa nevojën e specialistëve të BBC dhe/ose ARD.

Pikërisht përvoja e zotit Haxhiu me RTK, e cila lulëzoi në kohën kur ai ishte pjesë e Këshillit Drejtues të RTK dhe RTK asistohej nga BBC dhe ARD, është zhgënjim. As BBC dhe as ARD nuk do të stacionohen përjetësisht në RTSH, dhe nuk mendoj se zoti Haxhiu ka synim të rikthehet, tashmë në Shqipëri, në një funksion këshilltari pranë Këshillit Drejtues të RTSH. Nuk di ta them sepse nuk e njoh, RTK u rikthye dobët pas largimit të BBC dhe ARD, apo pas përfundimit të mandatit të zotit Haxhiu.

Orkestra e RTSH, artistët e trupës së të cilës, paguhen rreth 60% më pak se homologët e tyre të Orkestrës së Teatrit të Operas dhe Baletit, janë asete të patjetërsueshme të RTSH, sepse janë i vetmi sektor i RTSH që vijnë çdo ditë në punë, vetëm për të punuar dhe punojnë vërtetë.

Se si i kompensojnë ata nevojat dhe kërkesat familjare e personale për kushte më të mira jetese, në dasma apo sebepe të tjera, të paktën, janë të ndërshëm me veten dhe profesionin e tyre, sepse bëjnë atë që dinë të bëjnë, pa i hyrë në hak askujt në asgjë.

Shumë ndjesë cilitdo lexuesi, por meqë thuhet se në RTSH, nuk ka asnjë dokumentar të mirë, – edhe njëherë ndjesë për mungesën e modestisë – unë jam një nga ata që kam bërë dokumntar të mirë, reportazhe cilësore, të cilët janë transmetuar edhe në homologë të BBC dhe ARD në Europë.

Për mos t’u zgjatur më tej, përveç arkivës së saj, vërtetë shumë të pasur dhe që ka nevojë urgjente të digjitalizohet, dhe duke qënë se ato materiale të digjitalizuar do të jenë asete historike shumë të rëndësishme kombëtare, le të bëhet kjo në partneritet me agjenci shtetërore të cilat do të përfitojnë interesat e tyre të përdorimit. Por, përveç vlerës së paçmueshme të arkivës, RTSH ka me shumë vlerë edhe truallin mbi të cilin ngrihet dhe godina e saj. Madje e ka me aq shumë vlerë, sa sikur në atë trual të ngrihej ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk do të ishte aspak çudi, që të dëgjinim thirrje të tilla si: Poshtë Imperializmi Amerikan!

Në qoftë se zonja Vasili ishte e sinqertë me veten dhe me publikun, në tryezën që organizoi dhe nxiti shkrimin e letrës publike, depersonalizuese për RTSH, le ta mbështesin dhe inkurajojnë të gjithë ata që munden me aq sa munden, duke përjashtuar çdo ndikim djallëzor politik apo me qëllime të tjera.

The post Letër për një letër publike first appeared on JavaNews.al.

Konflikti në Theth dhe një episod nga libri për Oso Kukën

By: Java News
14 July 2025 at 15:52

Nga Indrit Vokshi

Diçka për Thethin!

Pata pyetur dikë për leje ndërtimi në tokë time. Më tha, bëjë, se s’të thotë askush asgjë, s’të vjen kush. I thashë jo. Nëse unë ndërtoj pa leje veç me fjalën e dikuj, jam unë që po luaj bixhoz me lekët e mia. Nesër ta shemb e ske çfarë i thua!

Shteti nuk flet me fjalë, shteti s’ka gojë, shteti flet me akte e me vendime – ato janë goja e shtetit. Me shtetin s’ka besë as fjalë, ka veç vendime. Nëse do të luash bixhoz duke u bazuar te fjala private e zyrtarëve të shtetit, qoftë edhe kryeministri, luaj.

Para 18 vjetësh pata lexuar një libër për Oso Kukën. Më ka mbetur në mend diçka, shteti i kohës donte të rregullonte një rrugë që lehtësonte kalimin në ato malsi. Dikush i thotë jo, nuk na pëlqen shumë hapja e rrugës, se po u hap rruga, siç vijnë njerëzit e mallrat, vjen edhe ushtria më kollaj. Ne duam të ruajmë autonominë dhe kanunin, nuk e duam ushtrinë e shtetit prezente në këto malsi.

Ka dy zgjidhje, ose të pranosh ndërtimin e rrugës, të pranosh ardhjen e mallrave, të pranosh investimet, të pranosh hapjen, ose të mos i pranosh këto dhe të çmosh më shumë autonominë dhe pavarësinë historike kanunore.

Nuk mundesh t’i kërkosh shtetit edhe rrugën, dhe investimet, edhe aksesin, dhe mirëqenien, por njëkohësisht edhe të mos e pranosh autoritetin e shtetit. Mundesh mirëpo shteti s’ta pranon ketë lloj “pazari”.

Ajo çka duhej dhe duhet kërkuar për ato zona janë titujt e pronësisë dhe plani rregullues në përputhje me karakteristikat e zonës; që njerëzit të kenë siguri për biznes dhe të munden të fitojnë nga turizmi, të munden të pasurohen me pronat e tyre.

Këto pretendimet se kemi 2000 vjet këtu, është toka jonë, na ka rrejt apo pre në besë Rama, janë romanticizma epike, por vetëm kaq. Ketë gjë duhet ta kishin kërkuar përfaqësuesit e malsive në fjalë. Nuk e kanë kërkuar.

Dhe votat nuk janë dhënë në ketë marrëdhënie, por janë dhënë me tifozeri, burrë i mirë ky, burrë i mirë ai, komunizmi kështu, ballistët ashtu. Tani paguajnë faturën e qasjes në fjalë.

Fakti se qeveria ka lejuar dikë tjetër diku tjetër për të ndërtuar pa leje, nuk ndihmon askënd. Sepse çfarë po thua? Po thua më lejo edhe mua pa leje?

Këtu ka lloj-lloj pretendimesh, veç pretendimi për ligjshmëri, për siguri ligjore, për investim dhe zhvillim mbi baza të sigurta, nuk shihet askund.

Këto raste në vend që të shërbejnë për të reflektuar se çfarë modeli i zhvillimi na duhet, shërbejnë për të risjellë historira e steriotipe. Jo na ka hy komunizmi në malsi, jo s’ka hy turku, jo na preu në besë Edi Rama…!

Dakord, janë të mira këto për t’i gjetur kuptim jetës, mirëpo s’kanë lidhje me situatën e tanishme.

Tani duhet t’i kërkohet shtetit siguri dhe zhvillim mbi baza të qëndrueshme. Pronat i ndërtojnë vetë, shteti ka detyrë të krijojë kuadrin për zhvillim të sigurt e afatgjatë.

The post Konflikti në Theth dhe një episod nga libri për Oso Kukën first appeared on JavaNews.al.

Ore, sa herë do e shkarkoni nga puna Yuri Kim?

By: Java News
12 July 2025 at 21:03

Nga Gentian Gaba

Po t’u besosh këtyre, është hera e tretë brenda pak muajsh që “pushojnë nga puna” ambasadoren Yuri Kim. Hera e parë, sipas tyre, ishte në shkurt (ka madje edhe artikuj online për këtë), hera e dytë në mars, ku pretendohej se ishte nën hetim intensiv, sipas “ekspertëve” të Tiranës, dhe hera e tretë sot.

Mesa duket, kanë menduar se “e treta e vërteta”, pas lajmit se Departamenti i Shtetit ka nisur të largojë nga puna mbi 1.300 punonjës, si pjesë e një riorganizimi të thellë të agjencisë, sipas burimeve zyrtare të vetë Departamentit.

Sipas raportimeve, bëhet fjalë për 1.107 zyrtarë të shërbimit civil dhe 246 të shërbimit të jashtëm, që preken në këtë fazë të ristrukturimit, në kuadër të përpjekjeve më të gjera të administratës Trump për të reduktuar madhësinë e qeverisë federale.

Tani, nuk e di nëse lajmet në Shqipëri vijnë më shpejt se në Uashington D.C., por nga sa kuptoj, deri më tani asnjë profil i lartë nuk është prekur. Aq më tepër kur kujtojmë se zonja Kim u emërua ambasadore pikërisht gjatë mandatit të parë të presidentit Trump.

Nga ajo që shoh, këtu lajmi është frymëzuar nga pamjet e protestës përballë godinës së Departamentit të Shtetit. Por pikërisht këtu qëndron edhe keqkuptimi, sepse ndërsa jashtë protestohet, brenda godinës zyrtarët në detyrë, të ndarë nga protesta, duartrokasin në mënyrë simbolike në nder të punonjësve civilë që po largohen, si shenjë respekti për kontributin e tyre.

Se çfarë do të ndodhë me Yuri Kim, është punë e saj. Por ajo që më ka argëtuar këto ditë është mënyra se si ndërtohen realitete paralele, pa asnjë lidhje me të vërtetën (në Tiranë e kishin “shkarkuar” disa herë më parë), për të justifikuar gabimet strategjike në raport me SHBA-në. Rrëfime që ngjajnë më shumë me një lojë pasqyrash, e ndërtuar për të çorientuar publikun.

Dhe mbi të gjitha, kjo është pjesa më problematike, kjo qasje tregon mungesë të thellë reflektimi. Asnjë përpjekje për të kuptuar ku është gabuar, vetëm këmbëngulje për të shpikur armiq të jashtëm, për të fshehur dështimin dhe për të shmangur reformimin dhe ndryshimin e nevojshëm. Ndryshim që është kusht i domosdoshëm për të ndërtuar partneritete serioze përtej Adriatikut, nëse vërtet duan të përballen me një kundërshtar si Edi Rama. /alfapres/

The post Ore, sa herë do e shkarkoni nga puna Yuri Kim? first appeared on JavaNews.al.

Bankers Petrolium “u arrestua”

By: Java News
5 July 2025 at 12:13
Nga Indrit Vokshi
Kur ra Sulltani në 1919, ajo çka ngeli prej Perandorisë Osmane do të merrej e të sundohej nga fituesit e luftës, Britani, Francë, ShBA.

Harta e re e Versajës 1920 u qep e tillë, ndante territoret në shtete të vogla, shtete pa mundësi për tu rritur e për të qenë rivalë gjeopolitikë. Lindja e Mesme u nda në Arabi, Liban, Irak, Siri, Jordani, shtete nën kontrollin franko-britanik. Magrebi gjithashtu. Ballkani në Jugosllavi të kontrolluar nga Franca e Britania. Greqi britanike. Shqipëri e cila u njoh ndërkombëtarisht vetëm pasi Entoni Iden, kryeministër i mëvonshëm në Britani, erdhi në Tiranë takoi Abdi Toptanin dhe kërkoi të rrëzohej qeveria pro-italiane e Durrësit dhe të mbahej kongres (Kongresi i Lushnjes) e Britania do ta njihte Shqipërinë shtet. Ashtu ndodhi. U rrëzua Durrësi, u vra Esad pasha, lindi rendi politik i Kongresit të Lushnjës.

Shtetet si Shqipëria u lanë të vogla, pa burime, me gjymtime territoresh e resursesh me qëllim që të mos kishin mundësi për të qenë të forta, përkundrazi të ishin sa më pak sovrane. Vazhdoi “Koncerti Europian” i themeluar në Vjenë 1815. Veçse në nivel tjetër, pa Gjermaninë, pa Austrinë, pa Perandorinë Osmane, me Amerikën që u shtua si fuqi e re. Shtetet e mëdha manaxhojnë territore dhe zona influence.

Sadami u vra, pati guxuar të shtetëzojë naftën në një vend të cilin Britania e shpalli shtet prej naftës në Mosul e Kirkuk dhe si bazë për të sunduar Lindjen e Mesme. Naseri u bombardua nga Franca e Britania në krizën e Kanalit të Suezit, pastaj Sadati u vra në paradë ushtarake. Mbreti i Arabisë Feisal u vra në 1975 sepse synonte ta përdorte naftën si mjet politik qëndrese. Në 1977 u vra presidenti i Jemenit, Kolonel Ibrahim al Hamdi.

Për t’i sunduar këto territore të fituara nga mposhtja e Perandorisë Osmane dhe e Austrisë, ka pasur një kusht: Elitat sunduese të ishin sa më të korruptuara dhe sa më tradhëtare të interesave të popujve të tyre. Rendin ndërkombëtar nuk munden ta qëndisin vende të vogla si Shqiperia por elitat nevojiten të korruptuara dhe anti-vend që sunduesit të marrin “pazar të lirë”, të mos negociohet asgjë për interesat e shtetit, kompanitë të marrin pasuritë dhe të mos paguajnë asgjë, siç nuk kanë paguar miliona euro taksa e tatime.

Nuk dihet ku është prishur pazari me Bankersin dhe atë çka Bankers përfaqëson, pazari nuk është prishur në Tiranë. Nuk mundemi dhe nuk duhet të jemi kundër investimeve të huaja pasi lëndët e para nuk munden të lihen pa përpunuar. Mirëpo Shqipëria ka pasur dhe ka nevojë për elita që negociojnë “pazar” sa më të favorshëm për vendin.

The post Bankers Petrolium “u arrestua” first appeared on JavaNews.al.

Rama, dora e “hekurt” dhe vera e gjatë e socialistëve

By: Java News
5 July 2025 at 10:04

Nga Vitjon Nina

Vera e vitit 2025 nuk do të jetë veçanërisht shplodhëse për socialistët, të cilët vijnë nga një fitore dërrmuese në zgjedhjet e 11 majit dhe nga konsolidimi i një mandati të fuqishëm me 83 mandate për katër vitet e ardhshme.

Ndoshta, do të jetë krejt e kundërta dhe përgjegjës për këtë – jo fajtor – është kryeministri Edi Rama, kreu i Partisë Socialiste dhe nga sa duket, “dora e hekur” e një vere të gjatë që PS-ja ka përpara.

Tre ditët e fundit nuk kanë qenë veçanërisht të qeta për të majtët.

Fillimisht, një takim i jashtëzakonshëm – edhe pse pas skenave i paralajmëruar – në Vlorë, i bëri një dush të ftohtë strukturave vendore, në krye të një sezoni turistik, i cili nuk ka nisur fort mirë për qytetin bregdetar, mes problematikave të mëdha me ujin.

Në fakt, Rama shkoi personalisht. Takoi jo vetëm kryetarin e Bashkisë, Ermal Dredha, por edhe kupolën drejtuese të drejtorive.

Në fund, fjala ishte një dhe e vetme: Dorëheqja e të gjithëve!

E në fakt kështu ndodhi. Drejtorët e Bashkisë Vlorë të nesërmen u panë kokëulur të dilnin nga institucioni, të gjithë tashmë të dorëhequr dhe vetë institucioni i lartë i pushtetit vendor në qarkun ndoshta më të rëndësishëm gjatë sezonit veror, ka një mal përpara, për të vijuar sfidat e mëdha dhe dyndjen gjithnjë e më “uzurpuese” të pushuesve.

Po brenda ditës, Rama në Tiranë zhvilloi një mbledhje urgjente dhe të paparalajmëruar publikisht me deputetët e zgjedhur të Qarkut Tiranë, me ministra, me drejtuesen e komanduar të Bashkisë, ku pak detaje u bënë me dije, përpos faktit se koordinimi i punës në terren dhe shtimi i forcave përgjatë verës, do të ishte kryefjalë e këtij sezoni pa angazhime parlamentare dhe ndoshta, edhe pa pushime për vetë politikanët e majtë.

As ditëlindja e vet nuk e gjeti më të relaksuar Ramën.

Në 4 korrikun edhe të Pavarësisë amerikane, ai mblodhi që në mëngjes në selinë rozë ministrat.

Kërkesat dhe detyrat ishin shumë të qartë: Angazhim maksimal për të ndihmuar strukturat vendore.

Hapësira publike, parkingjet, shërbimet dhe lejet e ndërtimit. Këto janë katër pikat për të cilat Rama ka kërkuar mobilizim të veçantë.

Vetë ministritë do të shihen si mbështetëse në çdo problematikë, e cila lihet të kuptohet se nuk do të tolerohet më.

Fjala bie, për hapësirat publike do të kujdeset Anuela Ristani, drejtuese e komanduar e kryeqytetit, së bashku me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e cila ishte edhe bashkëdrejtuese e qarkut në fushatë.

Problematikat me trafikun do të shohin angazhim të shtuar të Blendi Gonxhes dhe Ervin Hoxhës.

Apo, edhe të gjithë të tjerët, në takime në terren me qytetarët, ose deri edhe te angazhimi i posaçëm i ministrit të Financave, Petrit Malaj dhe ministres së Sipërmarrjes dhe Klimës së Biznesit, Delina Ibrahimaj, për t’u angazhuar me pjesën e financave.

Punën “pisk” do ta kenë edhe bizneset nga sa lihet të kuptohet. S’ka më asnjë tolerancë për zaptimin e hapësirave publike dhe ndjekja penale e pret çdokënd që vepron ndryshe.

Vetë Rama e lajmëroi këtë, si një aksion të gjerë kombëtar kundër zaptimit të hapësirave publike në qytetet kryesore të vendit, duke paralajmëruar masa të forta ndaj abuzuesve që kanë uzurpuar trotuare, hapësira ndërmjet pallateve dhe zona të përbashkëta me trarë, tenda, objekte të paautorizuara dhe struktura të tjera penguese për jetën komunitare.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët përmes rrjeteve sociale, kryeministri njoftoi po ashtu se pas takimeve në Vlorë dhe Tiranë, qeveria do të organizojë një seri konsultimesh në Durrës, Fier, Elbasan dhe Shkodër, me qëllim përgatitjen e një aksioni dyjavor për evidentimin e çdo problematike që lidhet me keqpërdorimin e hapësirave publike.

Është e qartë përmes kësaj të kuptohet se në fakt, vera shplodhje s’do të ketë. Socialistët kanë shumë punë përpara…

The post Rama, dora e “hekurt” dhe vera e gjatë e socialistëve first appeared on JavaNews.al.

Një replikë me Sonila Meçon, që ishte tmerruar se Tiranën po e “pushtojnë” emigrantët e huaj

By: Java News
4 July 2025 at 18:46

Nga Dr. Loina Prifti

Në ditët e fundit, dy përmbajtje që qarkulluan në media më kanë nxitur në një reflektim të thellë. Njëra është një opinion i gazetares së njohur Sonila Meço, publikuar në gazetën Tema, mbi transformimin demografik dhe kulturor të Tiranës, ku shtjellon  shqetësimet për humbjen e identitetit dhe boshatisjen e vendit nga të rinjtë shqiptarë.

Tjetra, një video ku një eksperte e ftuar në Opinion në TV Klan, analizon “inteligjencën e popujve” në mënyrë që ngre pyetje serioze mbi përhapjen e gjeneralizimeve në emër të shkencës.

E kam ndjekur gjithmonë me vlerësim punën e Sonila Meços për mënyrën si ka trajtuar tema të vështira me guxim dhe integritet. Qëllimi i saj nuk është paragjykimi, por nxitja e debatit për sfidat që po përballon vendi. E megjithatë, edhe kur diskutojmë tema të vërteta dhe të dhimbshme, gjuha që përdorim, përqendrimi i vëmendjes dhe narrativat që ndërtojmë kanë rëndësi thelbësore.

Shqipëria po ndryshon. Ky është realiteti. Dhe ashtu si çdo vend që përjeton ndryshime të mëdha demografike, përmes emigracionit apo imigracionit, ndjen tension, pasiguri dhe nganjëherë konfuzion identitar. Kjo është njerëzore. Por mënyra si përballemi me këtë tension do të përcaktojë nëse do të ndërtojmë një shoqëri më të fortë, apo një shoqëri më të mbyllur e më të frikësuar.

Në shkrimin e Meços shqetësimi për zëvendësimin e shqiptarëve nga punëtorë të huaj, të ardhur kryesisht nga Azia Jugore, ngre një pyetje reale për qasjen shtetërore ndaj migracionit, mungesën e strategjive për integrim dhe qasjen mbi zhvillimin e qëndrueshëm urban. Por, ajo që më shqetëson është rreziku i përgjithësimeve që ndërtojnë ndarje midis “nesh” dhe “atyre”.

Rreziku që përfaqësues të tëra komuniteteve të identifikohen me etiketa si “jo të integrueshëm”, “kërcënim për rendin”, apo thjesht si “të tepërt”.

Këto janë të njëjtat narrativa që shohim në vendet e tjera ndaj emigrantëve shqiptarë, në Itali, Greqi, apo më gjerë. Edhe atje, shumë herë jemi përballur me etiketime kolektive, me përjashtim, me frikë. Ndaj është paradoksale që ne, një popull me kaq shumë përvojë emigrimi, po rrëshqasim sot në një diskurs përjashtues ndaj atyre që vijnë për të punuar e jetuar në vendin tonë.

Unë vetë kam jetuar jashtë për shumë vite. Dhe pavarësisht sfidave, kam pasur fatin dhe

jam ndjerë e respektuar për atë që sjell si profesioniste dhe si njeri. Asnjëherë nuk jam paragjykuar për pasaportën apo ngjyrën e lëkurës. Kjo nuk ka ndodhur rastësisht, ka qenë rezultat i një kulture që i jep rëndësi vlerave, jo prejardhjes. Dhe pikërisht këtu është thelbi i çështjes: çfarë vlerash duam të ndërtojmë në Shqipëri?

Në këtë sfond, edhe videoja e përmendur, që klasifikon popuj sipas inteligjencës së tyre, është shembull i një tjetër forme përjashtimi të maskuar si shkencë. Edhe nëse ka studime statistikore që evidentojnë dallime mesatare në performancën shkollore në vende të ndryshme, është e rrezikshme të shndërrosh këto dallime në etiketime kombëtare mbi “inteligjencën”.

Kultura, arsimi, varfëria, gjuha, historia koloniale – të gjitha ndikojnë në atë që masim si “inteligjencë”. Dhe çdo gjeneralizim mbi baza etnike është, në fund të fundit, një lloj paragjykimi.

Prandaj ka ardhur koha të dalim nga ky cikël gjykimi. Të ndërtojmë një diskurs të ri, ku të huajt nuk shihen si kërcënim, por si pjesë e një realiteti të ri shoqëror që ka nevojë për menaxhim, jo frikë. Nuk mund të kërkojmë respekt jashtë, nëse nuk jemi të gatshëm ta ofrojmë atë brenda.

Media dhe figurat publike kanë një rol kyç në këtë rrugëtim. Fjalët e tyre formësojnë perceptime, ndikojnë narrativat kombëtare, dhe shpesh shërbejnë si busull morale për shoqërinë. Prandaj, ndërsa debati mbi identitetin, zhvillimin urban dhe migracionin është i nevojshëm, ai duhet të bëhet me ndjeshmëri, me maturi, dhe mbi të gjitha me respekt për njeriun, përtej kombësisë apo origjinës së tij.

Në fund të ditës, çfarë Shqipërie duam të ndërtojmë? Një vend që mbrohet duke mbyllur dyert? Apo një vend që e forcon veten duke hapur mendjen, duke rregulluar institucionet dhe duke ushqyer një shoqëri ku dinjiteti i çdo njeriu respektohet? Unë besoj në të dytën. (TemA)

The post Një replikë me Sonila Meçon, që ishte tmerruar se Tiranën po e “pushtojnë” emigrantët e huaj first appeared on JavaNews.al.

❌
❌