Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Analizat e idealistëve të frustruar vlejnë vetëm për masturbim mendor

11 August 2025 at 20:53

Nga Denis Dyrnjaja

Ka një debat për qasjen dhe reagimin brenda ambientit mediatik, në lidhje me marrjen nën kontroll të ambienteve ku ka ushtruar për vite me radhë aktivitetin televizioni News 24. Në morinë e trimave për lirinë e fjalës dhe kundër censurës, pikasa një oponent të frustruar publik, që përdor shpesh fyerjen si argument.

Psh nëpërmjet shqetësimit për cënimin e lirisë së fjalës dhe qëndrimit editorial, që ka mbajtur News 24, polemisti i kalçifikuar në frustrim, vëren me shqetësim, se përse mediat e tjera nuk e raportuan situatën që po ndodh me News 24?

Përgjigjja besoj se është e thjeshtë. Të gjithë këtu e dinë se kush janë të gjithë. Pra lufta ime, nuk është lufta jote dhe anasjellas. Dhe këtu nuk po flitet për luftë që lidhet me lirinë e fjalës, të mendimit apo linjës editoriale. Këtu po flitet për luftë interesash.

Përsa kohë të gjithë e dinë që marrëdhënia e përplasjes mes institucioneve të shtetit me News 24 fsheh një ndërveprim të prishur mes pronarit të kësaj medieje dhe kryeministrit, ministrave etj, atëherë askush nga mediat e tjera nuk do të futet ne këtë mes, pasi kjo nuk është një aferë e tyre dhe këtu nuk bëhet fjalë për liri a censurë, por thjeshtë për teka, llastime, megalomani e delizëm për përfitime.

A janë më të ndershëm ata që mbajnë pronësitë e mediave të tjera në Shqipëri? Kjo është një temë që ha diskutim rast pas rasti Por e sigurt është se nëse do të bëhej fjalë për censurë apo dhunë ndaj News 24 dhe lirisë editoriale apo fjalës se lirë, çdo media do reagonte e do raportonte pa asnjë droje. Në mos media tradicionale, do vlonin mediat e rrjeteve sociale.

Por kur është fjala për raporte interesash okulte të prishura atëherë asnjë media tjetër, e çdo lloji nuk do të merrte përsipër nje rrisk qe si takon, sepse nuk është as betejë morale, as etike kur bëhet fjalë për marrëveshje që kanë funksionuar deri në një farë kohe për te dyja palët dhe pastaj janë kthyer ne raporte toksike.

Po, qeveria ka bërë një autogol të madh me çështjen News 24. Ministria e Ekonomisë në tentativë për të treguar se problemi qëndon te shkelja e kontratës në mënyrë të njëanshme nga Fokus Grup, me pronar z Irfan Hysenbelliu, që nuk ka paguar qiranë për vite me radhë, nxori ne pah mosveprimin dhe tolerancën e saj në shkelje të ligjit në favor klientelist për një subjekt të caktuar sikurse është subjekti ne fjalë, qoftë kjo dhe një media.

Atëherë pyetja logjike që lind është: kush mban përgjegjësi përse është toleruar për vite me radhë kjo shmangie detyrimi? A është bërë ajo për të përfituar mbështetjen e medias në fjalë në mënyra te ndryshme? Nëse është bërë në një rast, kush na siguron se nuk është vepruar edhe në raste të tjera me interesa të marrëdhenieve media-pushtet?

Nëse do ishte çështje censure dhe linje editoriale, qeveria kishte mënyra të tjera represioni. Të gjen në shkelje e të heq licensën, të penalizon me gjoba për shkelje që mund të gjenden pa fund jo vetëm në News 24, por në çdo media. Pra do kishte ndërhyrje gjithfarësh, që direkt apo indirekt do lidheshin me censurën, por përfundimi i kontratës së ambienteve, kur me vendim gjykate është provuar se nuk jam shlyer detyrimet kontaktuale, tregon se kjo është mirëfilli një çështje tërësisht administrative. A mban brenda inate personale mes Edi Ramës dhe Irfan Hysenbelliut? Këtë mund ta mendojmë apo përfytyrojmë, por dot nuk e provojmë.

Ndaj në rastin konkret vetëm për censurë nuk bëhet fjalë dhe pse një grup njerëzish ulin nivelin personal të inteligjencës për ta trajtuar si të tillë. Për stafin e News 24 duhet patur mirëkuptim maksimal, sepse ata janë në një pozitë të tillë ku duhet të mbajnë këtë linjë të imponuar qoftë dhe instinktivisht, në këtë histori të errët mardheniesh e interesash, të punëdhënësit të tyre.

Ndërsa për mungesën e lirisë së fjalës dhe censurën personalisht, mendoj se ajo jo vetëm nuk ekziston, por është me tepri. Është problem tjetër që ne ose e keqpërdorim ose nuk dimë ta përdorim si duhet. Në media ka vend për ata që janë idealistë dhe për ata që janë konformistë, por edhe për shumicën që janë oportunistë. Të gjithëve na sheh, lexon e vlerëson publiku.

Kush do të shitet e të blihet e bën. Dhe ka qëlluar që si për çudi dhe ironi, moralin dhe mbrojtjen e dinjitetit e bëjnë ata/ato që kanë prostituuar më shumë profesionalisht duke u hedhur sa në një preh në një tjetër, pushteti me servilizëm apo pseudoidealizëm, varësisht nga sa u është ofruar buxheti.

Për ta mbyllur nëse vërtetë drejtuesit e News 24 besojnë se marrja e ambienteve të qiramarra është një akt censure, po u sjell ndërmend një zgjidhje që i ndjeri Dritan Hoxha, njeriu që median e krijoi për pasion, jo për përfitime e presion tha dikur kur ishte në përplasje me çdo lloj pushteti qoftë kur kryeministër ishte Fatos Nano dhe më pas Sali Berisha. Nuk ka shans njeri të mbyllë Top Channel. Edhe po s’më lanë të transmetoj në Shqipëri, do transmetoj me satelit dhe një autobus me regji nga Mali i zi. Dhe asnjë pushtet nuk ia doli ta gjunjëzojë përsa kohë nuk e shtriu kurrë dorën të merrte qoftë edhe një lek nga paratë publike, siç bënë individë te tjerë apo grupe të tjera mediatike.

The post Analizat e idealistëve të frustruar vlejnë vetëm për masturbim mendor first appeared on JavaNews.al.

Ku ngatërrohet rasti i News 24 me lirinë e medias?!

9 August 2025 at 15:57

Nga Denis Dyrnjaja

Ngatërrohet me qëllim, pa dashje apo pa dije kjo puna e lirisë se medias. Sot nuk është një ditë e mirë për gazetarinë në veçanti dhe për lirinë e fjalës në përgjegjësi. E them këtë kokluzion, por nuk jam i bindur plotësisht nëse gjithçka lidhet me censurën, sikurse pretendohet nga aktorë e faktorë të ndryshëm dhe veçanërisht kolegët dhe punonjësit e News 24. Por për fat të keq ata nuk janë shkaku, por pasoja në këtë rast, janë dëm kolateral si të thuash.

Nëse do duhej të ishim realistë, duhet të themi të vërtetën si është. News 24 është një TV që ka patur qëndrime të caktuara editoriale, kryesisht ne të drejtën e tij dhe çdo medieje. Ndër vite këto qëndrime kanë qenë në koherencë me linjën e qeverisë së Edi Ramës dhe duhet thënë se dhe ky i fundit si kryeministër, nuk i ka kursyer “qokat”, duke toleruar detyrimet që grupi i drejtuar nga z Irfan Hysenbelliu ka patur ndaj shtetit në taksa apo skema të tjera të dyshuara si evazion fiskal. Janë gjetur formula amnistie që nuk kanë qenë me vlera të vogla financiare, por me miliona euro.

Këto pra kanë qenë muaj apo vite mjalti mes qeverisë dhe News 24 dhe pse ndonjëherë me vello kritike si opozitë. Shumë nga ministrat e Ramës kalonin dreka, darka e pushime në rezortin e z Hysenbelliu në Golem, që kishte hedhur rrënjë deri në det, duke ndërprerë edhe rërën përmes një platforme betoni. Në tryezat abondante me peshk e verë të shtrenjtë, nuk ka munguar dhe vetë kryeministri Rama e si për dreq ka edhe foto publike që qarkullojnë për kohët e bukura kur pronari i News 24 i gëzohej flirtit të fortë me qeverinë në njërën anë dhe me Bashkinë e Tiranës që kishte një interes me vete për News 24 dhe pronarin e këtij televizioni nga ana tjetër.

Sikurse ndodh në të tilla raste diçka prishet pasi njëra nga palët e tepron duke abuzuar me llastimin dhe kjo pala ka qëlluar që të mos jetë qeveria, por vetë pronari i News 24, që e kishte kuptuar tolerancën e pandershme të qeverisë si fakt dhe detyrim të vazhdueshëm, ndaj interesave të tij.

Fushata të tëra ofensive janë ndërmarrë në emër të interesit publik dhe qytetarëve, por në fakt ato thjeshtë kanë qenë një lloj presioni ndaj qeverisë, që ajo të tërhiqet ose të kërkojë pakt me median në fjalë për të mos bërë zhurmë apo për të heshtur ndaj skandaleve apo shkeljeve reale ndër vite të zyrtarëve të rangjeve të ndryshme deri në nivel monistror.

Por çështja është që Edi Rama, një kokëfortë klasik në kufijtë e imatçorit, nuk para ndjen kur përpiqesh t’i krijosh shantazh kur vetë je në paligjshmëri, përveç rasteve kur me prova dhe dokumente ia “përplas” të vërtetën publikisht. Pra morali për shkeljen e ligjit kur vjen nga paligjshmëria humbet fuqi dhe peshë. Kjo mesa duket ka ndodhur mes qeverisë dhe z Irfan Hysenbelliu.

Duke qenë i ekspozuar në paligjshmëri z Hysenbelliu është informuar me kohë. Madje jo vetëm stafi i tij i afërt, por thuajse i gjithë tregu mediatik e dinte se z Hysenbelliu nuk ka qenë korrekt me detyrimet ndaj shtetit dhe për më tepër ndaj detyrimeve kontraktuale të qiramarrjes së ambienteve ku televizioni ushtronte aktivitetin e tij.

Prej të paktën dy vitesh News 24 është informuar se nuk do të ketë rinovim kontrate për ambientet, ndaj duheshin marrë masat për zhvendosjen dhe sigurimin e aktivitetit në një ambient tjetër. Rasti i Top Channel me ambientet e ish Ekspozitës Shqipëria Sot dhe Piramidës është një precedent për t’u marrë në refenrcë. Top Media u informua që të lironte ambientet sepse kontrata u prish në mënyrë të njëanshme nga Ministria e Ekonomisë gjatë qeverisjes së Berishës, dhe drejtësit e televizionit gjetën një zgjidhje për të mundësuar dhe siguruar vazhdimësinë e transmetimeve televizive pa ndërprerje, në një ambient tjetër.

Tani nëse pronari nuk merr masa për mbarëvajtjen e aktivitetit të sipërmarrjes së tij, kjo nuk është përgjegjësi e shtetit që ka detyrimet e veta dhe as e stafit redaksional që merr në këtë mënyrë kosto totalisht të panevojshme

Tani ata detyrohen të bëhen mburojë e interesave të cënuara të pronarit, në emër të lirisë së medias. Ata e dinë shumë mirë që kjo që po ndodh nuk është fare çështja e lirisë së fjalës apo të medias, por duhet ta trajtojnë si të tillë që më publik të përkthehet si ky mesazh. Ata e dinë që kjo është pasojë e një supe të prishur peshku që qelbet nga koka.

Në këtë rast ata janë bishti që duhet të përpëlitet për hir dhe për interesa të kokës. Sigurisht përtej çdo figure letrare të këtij komenti në fund të ditës stafi dhe kolegët e News 24 po marrin kosto që as nuk i meritojnë dhe as nuk iu takojnë. Ndaj para se të protestojnë kundër qeverisë, duhet të kërkojnë të drejtat e tyre te i zoti i shtëpisë. Ata nuk mund të përdoren si kamikazë kundër censurës dhe në emër të lirisë. Çdo herë pro lirisë dhe fjalës së lirë, por jo kur ajo përdoret si mburojë interesi personal dhe tërësisht abuziv.

The post Ku ngatërrohet rasti i News 24 me lirinë e medias?! first appeared on JavaNews.al.

Shqipëria në udhëkryq!

3 August 2025 at 13:35

Nga Denis Dyrnjaja

Sot në Shqipëri ka shërbime të larmishme nga më të voglat deri te më të ndërlikuarat. Shqipëria e çokollatave Hilal turke të viteve ’90, karrocave me qofte dhe kioskave me hekura mbyllur si burg, sot është vitrinë luksoze e investimeve në shërbime, ndërtim, tregëti, bujqësi, blegëtori, turizëm, zejtari etj. Dhe të gjitha këto janë një fakt dhe fryt i egos për zhvillim të vetë shqiptarëve, që me mënyra të ndryshme kanë shtyrë përpara zhvillimin individual, për rrjedhojë edhe atë komunitar dhe më gjerë në dimension kombëtar.

Por a ka themel apo dysheme solide ky zhvillim që më shumë është instiktiv dhe intuitiv, se sa strategjik dhe i planifikuar?! Sot Shqipëria nuk është as vend industrial, as vend bujqësor, thuhet se është vend me turizëm të zhvilluar dhe me industri ndërtimi të përparuar. Por a mund te mbështesim te ardhmen dhe peshën e buxhetit të shtetit në këta dy sektorë?!

Zakonisht shtete me tradita dhe akademi të zhvilluar shkencash dhe njerëz të mendjes, i kanë përcaktuar qartë objektivat afatgjatë se çfarë do të jenë këto shtete, çfarë do të prodhojnë dhe ku do mbështeten për ekonominë e tyre. Ne jo vetëm që nuk kemi një strategji të qartë, të mirëpërcaktuar dhe mirëorientuar, por kemi mbetur ende në inercinë e improvizimit që ec dhe vepro se rrugës shohim çfarë do ndodhë.

Ky nuk është me vizion, ky është iluzion. Dhe të ecësh me iluzione, ato mund të jenë të bukura nëse bëhen realitet, por mund të jenë edhe të humbura nëse dështon. Vetëm se nëse qëllon kjo e dyta pasojat janë katastrofale për ekonominë dhe popullin. Psh sektori ndërtimit ku raporti mes ofertës dhe kërkesës është me nje hendek te frikshëm, është treguesi më i fortë i inercisë dhe improvizimit.

Sot po rendim me shpejtësi drejt vlerës 60 mijë njësi banimi bosh dhe po jepen me shume leje ndërtimi, patur sens dhe logjikë përse dhe për çfarë duhen? Tregu nuk e imponon këtë kërkesë të madhe për ndërtime të reja, pasi stogu i tyre vijon të rritet, paralel me të edhe kërkesa për ndërtme të reja, veçanërisht kulla.

Po kush është i interesuar për te ndërtuar kulla. Analistët e tregut dhe ekonomistët besojnë se bota kriminale po tenton të pastrojë paratë në këtë sektor. Por edhe nëse marrim këtë tezë ai që fut paratë në një kullë, psh 5 ml euro, si do t’i marrë mbrapsht të pastra? Si apartmente nga ndërtuesi, ligji i ekspozon të dy në këtë rast, operacioni është i dështuar që në koncept, pra është e pamundur të funksionojë si skemë pastrimi parash kjo mënyrë e cila është e vetmja, por duke rriskuar konfiskimin dhe burgun bashkë me të.

Atëherë ndërsa ndërtimi na rezulton me goxha paqartësi si sektor, përse investohet, çfarë dhe kush po përfiton? Se i vetmi që duhej të përfitonte nga kjo larmi tregu është individi i shtresës së mesme dhe të ulët. Por praktikisht pakkush mund të blejë një shtëpi pasi, nuk ja del dot as me pagë dhe as me punë të ndershme të marrë e shlyej një kredi e cila në rastin më të mirë mund do t’i kushtojë 25 vjet punë nga jeta e tij. Pra një 25 vjeçar që krijon familje do të duhet të punojë deri 50 vjeç pa ndërprerje që të shlyejë kredinë e shtëpisë, gjithnjë nëse banka e krediton dhe ai është me fat që të ruajë marrëdhënie pune pa ndalim.

Në këto kushte gjithçka duket thuajse e pamundur. Por ndërkohë nuk duhet të harrojmë dy pyetje shoqëruese, përse vijojmë të ndërtojmë dhe kush po blen ose do blejë shtëpi në Shqipëri? Disniveli social e shoqëror po rritet, presioni shtyn të pamundurit drejt ikjes nga vendi.

Popullata po plaket, vendi përballet me rrezikun e përthithjes nga falimentimi i skemës së pensioneve, pasi raportet kontributorë/përfitues po thellohen në favor të të dytëve me shpejtësi. Atëherë ndërtimi nuk duket se është as alternativë për t’u mbështetur si industri, as alternativë për të krijuar bazën që njerëzit të mos largohen nga vendi.

Bujqësia është një alternativë për t’i dhënë Shqipërisë një fytyrë si vend prodhues bujqësor, me fuqi për mbështetjen e buxhetit të shtetit. Por edhe këtu nuk kemi bindje afatgjatë, megjithë kontributin e madh të bujqësisë në prodhimin e përgjithshëm bruto GTP. Sërish dhe në këtë sektor ka angazhim dhe shembuj suksesi, por jo aq sa për të thënë se ky është themeli i ekonomisë dhe mund të jetë ne vazhdimësi. Të rinjtë nuk preferojnë më të punojnë toka në sera se kanë shembuj të tjerë referencialë, me kontributin fatal edhe të medias që promovon tërësisht modele të gabuara jetese dhe suksesi.

Vijmë te turizmi. Po, Shqipëria është një vend i i bukur nga natyra dhe i bekuar nga zoti për pozicionin gjeografik. Por a mjafton kjo? Jo. Investimet edhe në këtë sektor janë galopante, por pa vizion dhe strategji. Jemi ende nje vend me turizëm të pastandardizuar. Mjafton të përmendësh vetëm faktin se yjet e hoteleve që praktikisht në të gjithë botën vlejnë për të përcaktuar edhe çmimet por edhe standardet e akomodimit, vendosen rrumpallë nga vetë pronarët sipas dëshirës se tyre, në rastin më të keq dhe në mënyrë manipulative nga Ministria Turizmit në rastin me të mirë. Jemi tërësisht je kaos standardesh në hoteleri.

Turizmi është koncertuar më shumë si qoka për biznesmenët që para se të ndërtojnë kanë blerë një Bentley apo Rolls Royce, pa hedhur ende shtresën e parë të betonit te cilin e paguajnë zakonisht me këstet e klientëve që blejnë që në gropë, sikurse është bërë dhe traditë si shprehje. Këtu pastaj nuk po diskutojmë raportet cilësi/shërbim/çmim që lëvizin dhe improvizohen sipas filozofisë së çdo pronari.

Kjo bën që tregu turistik nga viti ne vit mos te jetë i njëjtë, të këtë luhatje të mëdha e të mos japë garanci për të ardhmen se ekonomia mund të mbështetet në turizëm. Këtu nuk po fusim rrisqe madhore të tipit, pandemi globale (covid psh), tërmete, konflikte e luftëra apo çdo lloj fuqie tjetër të paparashikuar madhore.

Industria. Ky sektor është një hibrid i çuditshëm për Shqipërinë. Kemi nëntokë të pasur, por mbitokë të varfër. Kemi naftë e minerale, por keqpërdorimi i tyre si burime dhe si menaxhim nuk i ka shërbyer as shtetit për taksat që duhej të kishte vjelë dhe as mirëqenies së shqiptarëve në tërësi, por veçanërisht banorëve të zonave në qytetet ku është prezente kjo industri. Bankers është rasti tipik që ka gjeneruar në 20 vjet mbi 5 miliardë dollarë dhe ka deklaruar, humbje po për kaq vjet dyfishin e kësaj shume pra rreth 11 miliardë dollarë.

Atje ku nxirret si naftë si minerale nga nëntoka, banorët dhe vetë qytezat mbi tokë janë në pikë të hallit. Ata që përfitojnë, janë burokratë shteti qe lëshojnë lejet, janë njerëz te botës së krimit apo individë që përforcojnë përmes mashtrimit apo korruptimit. Kjo është lehtësisht ehtësisht e provueshme nëse prokuroria heton.

Por nëse nuk ke industri, turizëm dhe bujqësi të strukturuar, ku duhet te mbështetet ky vend dhe ardhmja e tij. Kur këta sektorë zotërohen nga individë apo klane njerëzish cila është alternativa? Ka një zgjidhje që shqiptarët nuk duhet të ikin, të investojnë e kontribuojnë per vetë dhe për një alternativë afatgjatë.

Ky vend eksporton çdo vit drejt vendeve të tjera kryesisht Gjermanisë me dhjetëra, qindra te rinj që akomodohen në shëndetësi. Sipas instant ne 10 vitet e fundit janë rreth 500 mijë shqiptarë që kanë lënë vendin.

Shqipëria ka kualitete të forta dhe të rinj me kapacitete të fuqishme, që mund ta shndërrojnë këtë vend në një industri të mjekësisë. Duhet ndërtuar një strategji e politika të posaçme që të trajtohet ky sektor si prioritet, pasi do të ndalte edhe hemorragjinë emigratore, do hapte vende pune me shumicë, do krijonte standarde jetese, do grumbullonte taksa të majme dhe do t’i shërbente edhe sektorëve të tjerë të shërbimeve të ndërvarura direkt ose indirekt prej tij.

Pra konkluzioni është i thjeshtë duhet përcaktuar një sektor prioritar për të cilin punon e gjithë shoqëria dhe shteti në themel arsimi. Dhe indikatorët na çojnë drejt mjekësisë dhe shërbimeve të saj direkte dhe indirekte. Deri tani është provuar me sukses në disa sektorë të estetikës. Turizmi mjekësor është shembull suksesi vazhdimësie dhe rritjeje. Shërbimet dentare me kualitet dhe çmime konkurruese e kanë kthyer Shqipërinë në vendin e preferuar për këto shërbime. Me dhjetëra ye huaj dynden për të marrë këto shërbime ne Shqipëri. Por njëkohësisht ata ushqehen dhe flenë, në ditët e qëndrimit, pra përfitojnë edhe shërbime të tjera.

Shqipëria ka mjekë e profesorë e mund të nxjerrë në vazhdimësi kirurgë të shkëlqyer, kardiologë, neurologë, ortopedë, onkologë, urologë, infeksionistë, dermatologë, e shumë të degë pa përmendur këtu bumin e infermierëve që kanë mbushur spitalet e shteteve te tjera duke shërbyer në mënyrë të shkëlqyer. Kjo do të thotë se burimet njerëzore dhe kualitetin e kemi këtu, thjeshtë duhen kanalizuar dhe projektuar në mënyrë eficente.

Pra Shqipëria nuk ka përse të jetë vendi i betonit, drogës dhe korrupsionit, por lehtësisht mund të shndërrohet në vend ku shpëtohen jetë, ndërtohen jetë dhe begatohen jetë. Është vetëm çështje vizioni dhe vendimmarrjeje politike. E ka bërë Turqia, e ka bërë Austria, e ka bërë SHBA e ka bërë Kina apo India. Ne jemi një vend i vogël me mundësi të mëdha, pra mund ta bëjë edhe Shqipëria.

The post Shqipëria në udhëkryq! first appeared on JavaNews.al.

Kancerizimi mediatik!

2 August 2025 at 13:18

Nga Denis Dyrnjaja

Liria dixhitale ka krijuar hapësira pa fund për informim e denoncim. Dhe në gazetari parimi më i pashpirt, kur e mendon në aspektin human, i shndërruar edhe si një lloj slogani është “lajmi i keq, është lajm i mirë”. Pra nëse publikon me video, foto apo përshkruan me fjalë një tablo tragjike ose dramatike, merr vëmendje maksimale, ndryshe nga sa do të merrte një paraqitje apo parashtrim i një gjendjeje suksesi, triumfi apo tabloje normale në rastet e zakonshme.

Yshtja për famë, klikime, vëmendje, por jo rrallë herë edhe për përfitime të një karakteri abuziv,që në kushte të tjera njihet apo konsiderohet edhe si gjobëvënie, shtyn individë apo subjekte të ndryshme informuese të abuzojnë në mënyrë ekstreme, gati dhe kriminale, duke përgjithësuar situata të ndryshme, përmes detajesh të izoluara, apo shkëputura nga situata e përgjithshme. Kjo ndodh kryesisht me rastet e shëndetit dhe në mënyrë specifike, objektiv të këtyre raportimeve kryesisht kritike, janë ambientet spitalore apo ato të kujdesit shëndetësor.

Nëse verën me kujdes denoncimet më të shpeshta, që lidhen pikërisht me ndjeshmërinë më të madhe shpirtërore dhe emocionale të publikut, lidhen veçanërisht me të sëmurët tumoralë, pra me Spitalin Onkologjik dhe Pediatrinë e cila trajton shëndetin e fëmijëve në QSUT.

Kapen detaje të shkëputura, apo raportohen e komentohen ngjarje episodike, duke i përgjithësuar dhe nxirë të gjithë situatën në tërësi. Në mënyrë të vazhdueshme objekt i gjuetisë për famë është shndërruar spitali Onkogjjik ku trajtohen të sëmurët me kancer.

Unë sot kam zgjedhur të flas në vetë të parë, sepse kam një eksperiencë personale me nënën time. Dhe po flas me përgjegjësi të plotë që kushtet në spitalin Onkogjjik nuk janë ato qe paraqiten në mënyrë selektive. Nuk janë kushte luksi, por janë brenda standardeve të nevojshme për hospitalizim. Emphatia e stafit? Në spital ajo dhe kur është mw shumicë duket e pamjaftueshme, sidomos në të tilla specifika.

A do duhej të kishim kushte më të mira spitalore? Sigurisht që po! A duhet modernizuar struktura e aparaturave apo plotësuar e shtuar me teknologji të re? Absolutisht që po! A ka raste fatale ku njerëzit humbin betejën me sëmundjen më të rëndë që sfidon njerëzimin? Absolutisht që po e Shqipëria nuk bën përjashtim nga bota.

Stive Jobs miliarderi që shpiku Apple nuk ia doli dot të mundë kancerin, jo se nuk kishte para apo spitale, por se beteja me këtë sëmundje nuk njeh gjithnjë triumfin. Pra kjo është një sëmundje që nuk pyet për status social, fuqi njerëzore apo financiare.

Por sigurisht nuk është vetëm fatale. Janë me miliona jetët e shpëtuara në botë. Me dhjetëra mijëra në Shqipëri ndër vite. Psh ne nuk flasim asnjëherë sa raste trajtohen me sukses e jetë shpëtohen në atë Spital Onkologjik që toksikët dhe “kancerogjenët” e rrjeteve sociale që helmojnë publikun e kanë kthyer në target klikimesh. Nuk flasim për përkushtimin e atij personeli që edhe në kushte të vështira sikurse pretendojnë këta spekulantë bëjnë mrekulli.

Unë kam parë mrekulli me sytë e mi. Kam parë lot gëzimi të familjarëve dhe buzëqeshjet e rraskapitshme te mjekëve që ia dalin shpesh me sukses të ngadhnojnë mbi vdekjen. E di shumë mirë çdo të thotë një jetë apo shpresë e humbur. E kam përjetuar këputjen e gjunjëve, kur mjeku të njofton për diagnozën e konfirmuar nga biopsia se është kancer i kësaj apo asaj grade. E dinë të gjithë ata që përballen me këtë sëmundje dhe familjarët e tyre këtë ndjesi dhe çfarë beteje i pret. Është rraskapitëse njësoj si të jesh në luftë.

Por ky teatri i shtirur deri në fëlliqësi me tone dramatike dhe histerike dhe veçanërisht me detaje të shkëputura apo informacione të paprovuara, që nuk shërben për asgjë dhe askujt, duhen denoncuar, njëlloj sikurse duhet denoncuar çdo neglizhencë apo papërgjegjshmëri mjekësore që ndodh jo vetëm në Onkologjik, por në çdo dhomë mjeku apo pacienti.

Ka ca kufij të shenjtë, të padukshëm e të pashkruar mbi të cilët nuk duhet abuzuar e shkelur. Këta kufij lidhen me jetën dhe çdo përpjekje për ta minuar atë me vrer dhe zeherr, ku jo rrallë përfshihen meskinitete personale brenda stafeve mjekësore apo interesa klanesh që në mënyrë kapilare si kanceri shpërndahen nga korridoret e spitaleve deri në seli partish politike.

Nëse vëreni raste abuzimi apo mospërfilljeje, përcillni ato në institucione dhe nëse ndjeheni të padëgjuar, të shpërfillur apo të anashkaluar, atëherë bërtisni fort kudo në publik, në media në rrugë, në portale e rrjete sociale. Por mos u bëni më konkurrent se kanceri, sepse po sëmurim me këtë negativitet populist një shoqëri të tërë.

Nëse do ta ndihmosh kancerin krijo sa më shumë toksicitet. Këtë po bëjnë me sukses shumë individë e personazhe për vëmendje në mediat sociale, kur ndërkohë nesër mund t’i përballë jeta pikërisht me dyert e këtyre spitaleve dhe këtyre mjekëve qe shajnë sot në mënyrë individuale.

Mos e harroni kurrë karmën sidomos juve qe helmatisni shoqërinë pashpirtësisht.

The post Kancerizimi mediatik! first appeared on JavaNews.al.

Çfarë po na tregon aksioni për çlirimin e hapësirave publike?

7 July 2025 at 18:42

Nga Denis Dyrnjaja

1) Në 3 mandate qeverisës të socialistëve, strukturat e pushtetit vendor kanë lënë në gjendje të lirë ose jetime zaptimin e territorit, herë për neglizhencë, e herë për ryshfet.

2) Fenomeni është i shtrirë në të gjithë territorin e qarqeve dhe bashkive. Si policia bashkiake dhe policia e shtetit e ngarkuar posaçërisht për kontrollin e territorit dhe parandalimin e ndërtimeve pa leje kanë dështuar. Nuk kanë zbatuar detyrën me/ose pa qëllim.

3) Mosveprimi i strukturave përgjegjëse duhet ndjekur penalisht, pasi dukshëm fenomeni lë dyshime për korrupsion. Hetim të gjitha lejeve për subjektet që i kanë marrë në institucionet vendore, ndaj të cilave shteti është i detyruar tani t’i përgjigjet me dëmshpërblim nëse i ka pajisur vetë me leje shfrytëzimi.

4) Gjendja në terren tregon mungesë të dukshme të vullnetit dhe koordinimit mes institucioneve që monitorojnë dhe kontrollojnë përdorimin e territorit në bashkitë e vendit. Polici, prokurori, gjykata zero koordinim dhe rezultat. Neglizhencë apo korrupsion?!

5) Në shumë raste, vetë institucionet nuk janë të qarta mbi statusin juridik të truallit apo ndërtesës, mbi të cilin ushtrohet aktiviteti, duke sjellë bllokim në vendimmarrje, ose braktisje te vendimmarrjes, (versioni nuk është kompetencë e jona është kompetencë e tyre). Institucionet lënë jetime përgjegjësinë, fenomeni shtrihet në mënyrë epidemike në territor.

6)! Ndërhyrja e Kryeministrit në mënyrë personale tregon pafuqinë dhe paaftësinë ekzekutive të strukturave të pushtetit vendor. Nga ana tjetër përtej vullnetit të mirë, ndërhyrja e qeverisë me aksion të përqendruar, iniciuar dhe ekzekutuar nga vetë kreu i qeverisë, cënon hapur autonominë lokale dhe zhbërjen e fuqisë së pushtetit vendor i cili zgjidhet direkt nga populli.

7) Nuk mund te vazhdohet me veprime simbolike, jo sistematike dhe fushata partizane ku ca janë vullnetarë të zellshëm e ca janë shkelës të pandreqshëm. Shpesh, këto aksione kanë patur më shumë kontekst të fushatave të shkurtra për të krijuar perceptim, pa një strategji afatgjatë, ndjekje ligjore dhe mbështetje politike të qëndrueshme sesa efekt rregulator e ndërgjegjësues.

8) Fushata e çlirimit të territorit u ndërmor pas zgjedhjeve për të shmangur ekspozimin ndaj përgjegjësisë për moszbatim te ligjit dhe reflekton një administratë lokale totalisht të orientuar dhe profilizuar keq. Kjo vjen nga mbushja e saj jo me specialistë apo ekspertë, por me militantë partie të pakualifikuar ose të korruptuar.

9) Përqëndrimi i pushtetit ne një dorë të vetme prodhon këto pasoja, jo vetëm ne territor, por kudo. Edi Rama duhet te kuptojë se nuk mund të jetë edhe arkitekt, edhe somelier, edhe inxhinier, edhe doktor, edhe mësues, edhe projektues, edhe zhvillues, edhe drejtor, edhe gjyqtar, edhe prokuror, edhe kryeministër edhe kryetar bashkie etj etj. Përtej supozimit për mirëqeverisje , kjo e degradon shtetin në versionin po tha ai mirë është mirë, po tha ai keq është keq. Shteti qeveriset me ligje dhe kushtetutë, jo me humor personal dhe episodik.

10) Kush mban përgjegjësi për ata që i kanë lënë këto punë pa bërë, i bënë keq, apo i bënë duke abuzuar mbi pronën publike dhe qytetarët e ndershëm? Ata që po shkarkohen apo dorëhiqen, ose janë fajtorë e duhet të dënohen, ose po linçohen padrejtësisht. Duhet të këtë një qëndim publik, politik dhe ligjor për këtë situatë dhe për këtë mori individësh që shtrihet kudo në administratë.

Konkluzioni: duhet hequr dorë nga kooperativizimi i shtetit, ku ata që angazhohen në zgjedhje, duhet të shpërblehen me detyra e poste, sepse me këtë mendësi po ndërtojmë me sukses shkatërrimin e shtetit dhe të ardhmes sonë. Po rikthejmë pa dashje modelin e Lenka Çukos së famshme të ish byrosë politike të Enver Hoxhës, por me iPhone dhr GPS në dorë.

The post Çfarë po na tregon aksioni për çlirimin e hapësirave publike? first appeared on JavaNews.al.

Shqiptarët s’mund të marrim shëllirën për qumësht!

15 June 2025 at 11:16

Nga Denis Dyrnjaja

Ishte viti 2015, pra 10 vjet ose një dekadë më parë, kur Lulzim Basha, po linte Bashkinë e Tiranës, pa asnjë gjurmë nga çfarë kishte premtuar, kur ia rrëmbeu Edi Ramës, falë një marifeti të improvizuar nga ish kreu i KQZ në atë kohë Arben Ristani, i cili pasi mësoi rezultatin e fitores së ngushtë të Ramës në zgjedhjet lokale të 2011-ës në kryeqytet, me pak vota diferencë kundër një aleance të fuqishme, politiko/qeveritare të PD me LSI e disa parti të tjera, vendosi të rikonsiderojë fletët e pavlefshme të votave në Tiranë, që bënë edhe përmbysjen e rezultatit në favor të Bashës. E gjithë kjo skenë ndodhte në sytë e Ambasadorit Amerikan të kohës Aleksandër Arvizu që ishte prezent në vendnumërimin e votave me mëngë përveshur madje.

Ishte një truk për t’ia marrë Ramës me doemos bashkinë dhe qëllimi u arrit. Bëniamini i Berishës, kryeministër në mandatin e tij të dytë asokohe, u katapultua në krye të bashkisë. Ishte një fitore qyl për Bashën, ku u derdh i gjithë kapitali, politik, financiar e mediatik, që ai të zgjidhej medoemos kryebashkiak. Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi dinë shumë hollësi por ato ndodhi e skenar të asaj kohe dhe nëse flasin për këtë ngjarje Basha që krenohet, në fakt duhet të turpërohet me atë fitore. Por ata se bëjnë pasi implikojnë njerëz dhe interesa të tjera ndaj kanë zgjedhur heshtjen, duke mos i nxjerrë të palarat e zgjedhjes së Bashës kryetar bashkie.

Ka edhe plot aktorë të tjerë të kohës që e kujtojnë këtë moment lavdie të palavdishëm të Lulzim Bashës, sepse më vonë kjo vendimmarrje në favor të tij, do të shërbente për shumë prej tyre si referencë zhgënjimi për atë çka i kishte rezervuar ai në rrugëtimin e mëvonshëm politik edhe me bekimin e Berishës, asgjësimin ose nxjerrjen jashtë loje nga Partia Demokratike. Ndërsa kryente me qetësi likuidimin dhe spastrimet në parti, Basha e mbushi bashkinë me militantë të etur për para e korrupsion dhe e vuri në gjumë këtë institucion si çdo gjë tjetër rreth tij.

4 vjeçari si kryebashkiak u shënjua vetëm për disa leje klienteliste ndërtimi apo prokurimesh dhe asgjë tjetër. Nuk bëri asnjë rrugë, as edhe një shkollë apo një urë model, që të mbetej simbol a shenjë e mandatit 4 vjeçar në krye të Tiranës. U mbajt mend për projektin ambicioz të tramit, që mbeti vetëm një premtim e koncept virtual. Ndërkohë kundërshtarët në PD që nuk e donin sepse e kishin parë çfarë malli politik ishte Basha, morën një leksion shembullor nga ato që vetëm Sali Berisha di të organizojë. Falë eksperiencës ekzekutive dhe likuiduese të doktorit, Basha spastroi territorin nga rivalët dhe ata që shihte si jodashamirës.

Hemorragjia politike vijoi, armiqtë e partisë në radhët e brendshme që përjashtoheshin ose iu pamundësohej qëndimi, linçoheshin publikisht e mediatikisht. Në garën për kryetar PD, doktori nuk e pengoi Sokol Olldashin të kandidonte, por direktiva u dha se kush duhej të fitonte, ai ishte Lulzim Basha. Berisha dhe sot e mohon këtë orientim, por situata ishte shumë e dukshme, për të mos thënë e trashë si intrigë edhe pse u përpunua me kujdes. Dhe vetë Olldashi e kishte kuptuar çfarë e priste në këtë pabesi, por vazhdoi deri në fund pseudogarën.

Ndërkohë besnikët e Berishës u futën në veprim dhe e çuan porosinë e liderit në vend e deri në fund, duke strukturuar, orientuar e manipuluar një proces fiktiv zgjedhor brenda partisë, që i shtroi rrugën drejt fronit si kryetar partie pikërisht atij që më vonë do të bëhej njeriu më i urryer për ta dhe vetë Berishën.

Por që të vinim deri te urrejtja dhe shpallja e Lulzim Bashës kryearmiku i armiqve të brendshëm në PD, do të duhej të kalonin shumë ngjarje e pasoja për opozitën, që po vijonte me sukses nga humbja në humbje, të cilat konsiderohen dhe iu seviren demokratëve si fitore. Prej nga 2013 e deri sot vijon e njëjta histori humbjesh përballë Ramës, procese fiktive brenda partisë, asnjë analizë për humbjen shkaqet dhe shkaktarët. Alibia e njëjtë. Zjedhjet u vodhën, rezultati nuk njihet, o Sali o hero gjithë Shqipëria ty të do.

Analizë politike nuk ka së të gjithë janë edhe shkaktarë edhe përgjegjës, ndaj janë të gjithë dakord të bëjnë sikur nuk e dinë se përtej pretendimeve për manipulim të zgjedhjeve ka edhe një përgjegjësi politike, përse hendeku i humbjes vjen duke u rritur e jo pak por mbi çerek milioni vota. Të gjitha të manipuluara këto 250 mijë vota?! Ndoshta dhe po. Gjithsesi analiza duhet bërë, se nuk ka njeri të besojë sot në Shqipëri që opozita i fitoi zgjedhjet por rezultati u përmbys nga manipulimi. Pra do e analizojë kush humbjen edhe minimalë qoftë ajo, apo do merren me pjesën e mbifitores së pandershme nëse rezulton e tillë pjesa e mbi 70 mandateve të PS.

Pra përsa kohë në atë forcë politike ka njerëz që kanë nevojë të gënjehen dhe duan të besojnë atë që ju servirin, historia do të vazhdojë njësoj pavarësisht se kush mban vulën e kryetarit. Axhenda e Bashës dhe pushteti i tij politik vijonte të forcohej, ndërsa PD dhe opozita dobësohej. Ndërkohë kujtoj se ato kohë, pra fiks 10 vite më parë e në vijim më pas, isha ndër zërat e paktë që paralajmëroja publikisht se Lulzim Basha është një gabim fatal si profil politik dhe një dëm i madh dhe investimi i gabuar për opozitën. Sa më shumë e përsëritja këtë gjë në qëndimet publike (shkrime intervista, opinione, anlazia etj) aq më shumë më sulmonin ata që kishin varur xhaketat e tyre politike te varësja pa këmbë e Lulzim Bashës, por edhe analistët e (pa) varur të opozitës.

Madje vetë Bashës kisha patur mundësi t’ia thoja edhe në sy e ballas para zgjedhjeve të vitit 2017 këtë qëndim, se je një politikan që nuk ngjit në publik. Ishim në programin e mikut tim Artur Zheji 360 gradë, që me diplomacinë dhe finesën sqimëtare që e karakterizon si pak kush ndër ne, përpiqej të mbante krahun e Lulit në atë debat pak ditë para zgjedhjeve. I duhej çdo suport pasi e vërteta në sy e turbullonte, i shkaktonte nervozitet. Njeriut që nuk i bënte përshtypje asgjë, asnjë kosto politike, asnjë humbje, asnjë kritikë, asnjë ndërgjegjësim, t’i thoje që je totalisht i paaftë e nervozonte, pasi ishte e vërteta që dhe ai vetë ndoshta e dinte por nuk donte ta pranonte.

Ishte koha kur të gjithë besonin çfarë besonte Berisha, si gjithmonë dhe ky ishte një samar i mirë mbi të cilin kishte hipur Basha. Meqë doktori e konsideronte se ishte suksesi dhe e ardhmja e PD dhe opozitës, të gjithë mbanin të njëjtën linjë apo rapsodi politike. Unë a çdo kush si unë që thonim se opozita ka hyrë në një kurs të gabuar, që do përforcojë Ramën në pushtet, ose pushtetin e Ramës, ishim shërbëtorë të regjimit për të gjithë këta që i bënin temena Bashës e Berishës bashkë.

Kujtoj një pasazh që dikush i cili ishte edhe atëherë, por mbeti në vazhdimësi askushi në radhët e aspiratantëve për t’u bërë gazetar, përdori edhe simbolikën e kungjit për të na personifikuar mua dhe Ervis Iliazajn pas një përballjeje televizive që patëm me Lulzim Bashën para zgjedhjeve të vitit 2017. Në fakt kungji në atë përballje ishte Basha dhe sigurisht rezultoi me vonë si kungj edhe vetë autori që shkroi ato rreshta që u përpinë nga nga shumë portale e që sot duken si një idotesi e promovuar me bindje shërbëtorësh të padobishëm.

Basha nuk na dëgjoi dhe shumë politikanë, gazetarë dhe opinionistë që i shërbenin atij ose ishin atashuar me interesat e opozitës gjithashtu. Zgjedhjet rezultuan sikurse ne parashikuam, disfatë. Në fakt unë dhe Ervisi edhe sot sikurse dje (dmth atëherë) kemi qenë e mbetur koherentë dhe këtë e provoi dhe koha e ngjarjet që rrodhën në këto vite.

Ata që në fakt nuk arsyetonin, por përpiqeshin të na stigmatizonin a kompleksonin, sot kanë ardhur te qëndimi ynë, se me këtë opozitë dhe veçanërisht këtë PD që përfaqësonte dhe vijon të përfaqësojë imazhe të konsunuara politike ose imazhe të reja që nuk gjenerojnë interesin e publikut pasi përsërisin shembujt e gabuar, pa frymëzim e pa qenë një alternativë e besueshme për njerëzit, zor se do mund të sjellin ndryshimin. Edhe pse me vonesë në koshiencë, tani shumica ka kuptuar të njëjtin konkluzion që nuk vihet në pushtet me këtë strategji dhe skuadër njerëzish.

Por çështja është se tani është shumë vonë, pasi u deshën shumë vite të pranohej ky realitet, që ndërkohë vazhdon të refuzohet nga lidershipi aktual në PD dhe vetë Berisha që ka rimarrë drejtimin e saj, ndërsa Rama hyri në mandatin e katërt të qeverisjes së tij me një megamazhorancë. Pra kungja nuk ishim ne kritikët dashamirë, por servilët dhe lëpirësit mediatikë, që falë zellit të interesit vazhdojnë të mbajnë në gropë opozitën e Ramën në pushtet. Ajo që ka ndyshuar është se një pjesë e atyre që deri dje na akuzonin për shërbime ndaj Ramës duke kritikuar opozitën, sot kanë arritur në këtë konkluzion, madje duke qenë më radikalë se ne që i kemi vënë në dukje këto anomali që 10 vjet më parë.

Por edhe pse rrethi i të ndërgjegjësuerve është rritur ndjeshëm, përsëri mendësia për ndryshim, për hapje të partisë dhe demokratizim real të saj mbeten ende si utopi, për rrjedhojë edhe një ofertë jo bindëse që shqiptarët të ndryshojnë kurs politik. Uroj dhe dëshiroj që edhe për këtë fakt politik, mos të duhen edhe 10 vite të tjera, se pastaj do ketë ardhur koha që Rama do të dojë ta lërë vetë pushtetin, në mos do e ketë lënë edhe më parë se të ndërgjegjëdohet PD drejtimin pa drejtim që ka marrë. Populli e bën ndryshimin, por kur kupton që nuk i serviret shëllira për qumësht.

The post Shqiptarët s’mund të marrim shëllirën për qumësht! first appeared on JavaNews.al.

Çfarë ndodh nëse votat brenda PD janë trafikuar mes kandidatëve?

11 June 2025 at 11:13

Nga Denis Dyrnjaja

Hapja e kutive të votimit dhe rinumërimi i votave si për subjektet dhe për kandidatët në rreth 40% të totalit të kutive të votimit për të gjithë Shqipërinë, pritet të nxjerrë në pah një fenomen që do të kompletojë të gjithë propagandën e pretendimeve për ndershmëri dhe integritet të procesit të 11 majit në tërësi.

Debati me i madh është nëse PS ka tjetërsuar vota në kurriz të kundërshtarëve të saj, por ndërkohë lajmi i fortë dhe turpi më i madh është nëse rezulton e vërtetë me fakte orientimi dhe tjetërsimi i votës për kandidatë preferencialë brenda opozitës. Thënë ndryshe disa kandidatëve, iu janë hequr vota, për t’ua dhënë disa kandidatëve të tjerë. Kjo besohet se ka ndodhur edhe në radhët e PS.

Vetë fakti që menjëherë pas procesit të numërimit, disa kandidatë socialistë kërkuan rinumërim, tregon pikërisht dyshimet e mëdha se votat edhe brenda mazhoramcës janë prekur për të favorizuar individë të caktuar. Rama ndërhyri dhe iu mbylli gojën të vetëve duke i “urdhëruar” me dashamirësinë dhe “butësinë” që e karakterizon të ndërpresin çdo apelim e pretendim. Kokëçarje e panevojshme kjo për të si lider i mazhoramcës që i intereson që siguroi mandatin e katërt si kryeministër dhe nuk është se ia ndjen fort nëse në Parlament do jetë Zegjineja apo Pandeli Majko.

Në PS sikurse e do tradita dhe i dinë rregullat e padronit, ulën kokën, qepën gojën dhe heshtja mbizotëroi. Në PD ku kaosi politik vazhdon që nga koha e përçarjes se madhe Basha-Berisha, njerëzit kanë më shumë hapësirë të pretendojnë, sepse Berisha e ka pushtetin, por jo në terma absolut si dikur, pasi nuk ka luksin të pësojë një përçarje apo hemorragji tjetër brenda partisë, që tashmë e frakturuar nga thyerjet e mëparshmel, bën rolin e liderit liberal që lejon të ngrihen edhe pretendime për rinumërim votash.

Në fakt nëse ka siklet me të madh sot nga ana politike për Berishën, është pikërisht rinumërimi i votave, që mund të çelë Kutinë e Pan’dorës, pasi do të nxjerrë në pah horrëllëqet mes kandidatëve në PD, që i kanë marrë vota njëri tjetrit në mënyrë të turpshme. Kjo do të korruptonte dhe demoralizonte edhe kauzën politike të opozitës në tërësi, se Rama iu vodhi a bleu zgjedhjet me banda e pa banda. Pasi kur ti vjedh vota brenda partisë tënde e mes kandidatëve të tu, atëherë me çfarë morali pretendon të vësh para përgjegjësisë politike, por edhe ligjore kundërshtarin tënd?

Gjithsesi kjo nuk legjitimon absurdin e rezultateve të votave për disa kandidatë të panjohur në mazhoramcë, që kanë thyer çdo ushtrim, kombinim, apo logjikë elektorale, duke marrë maksimumin e votave pa i njohur asksuh, pa qenë askush dhe pa kontribuar për asnjë kauzë madhore shoqërore apo publike. Dhe për më tepër të marrin edhe vota nga diaspora a thua se janë figura të shquara kombëtare me ndikim në fusha të ndryshme që njihen për kontributin e dhënë brenda e jashtë vendit.

Në çdo rast 11 maji shërbeu për të na dhënë të kuptojmë të gjithë si shoqëri, që ne nuk synojmë të zhvillojmë zgjedhje në mënyrë të drejtë dhe të sinqertë, por synojmë të krijojmë skema sesi të mundim këdo, përfshirë dhe rivalë brenda partisë, duke manipuluar dhe tjetërsuar vullnetin e njerëzve. Sigurisht sa herë të ketë ditë zgjedhjesh njerëzit do të votojnë, por nuk do të zgjedhin ata që preferojnë por ata që i orientojnë që të votojnë. Kjo nuk është liri, por pseudodemokraci. Përsa kohë do të mbizotërojë idea e skemave për të kamufluar manipulimin në një garë fiktive, do të kemi një rezultat votash të deformuar dhe një parlament ku njerëzit në çdo rast do të jenë të papërfaqësuar!

The post Çfarë ndodh nëse votat brenda PD janë trafikuar mes kandidatëve? first appeared on JavaNews.al.

Viktimizimi, nderi dhe dinjiteti, si opsionet politike të PD

9 June 2025 at 15:00

Nga Denis Dyrnjaja

Lexova një analizë të politologut Fitim Zekthi i cili rrekej përmes arsyes të zbërthente shkaqet kryesore që kanë futur në ngërç Partinë Demokratike, alternativa kryesore dhe më fortë deri sot ndaj megamazhorancës prepotente të PS, që mori mandatin e katërt. Me pak fjalë konkluzioni i zotit Zekthi është se PD sot është një forcë politike që orvatet mes viktimizimit dhe nderit, dy komponentë që i shkojnë për shtat mendësisë dominante që lidhet me njerëzit që zotërojnë prej vitesh drejtimin e kësaj partie, që priu ndryshimin nga diktatura në pluralizëm në vitet ’90.

Analiza është objektive dhe shumë e qartë duke tentuar të mos merret me emrat por me fenomenologjjnë dhe mentalitetin që dominon PD. Zekthi thotë se nuk e zgjidh krizën që ka përfshirë PD largimi i Sali Berishës, por ndryshimi i mendësisë brenda kësaj force politike, që rend herë mes viktimizimit si parti që i mohohet e drejta në zgjedhje dhe për zgjedhje të lira dhe nderit ku ligjin politik në atë PD e bëjnë njerëzit e fortë, pra praktikisht Berisha dhe enturazhi i tij të cilët mendojnë se me Ramën ka vetëm një gjuhë komunikimi, forca që nënupton dhe nderin ose që është si armë për të mbrojtur nderin.

Ndërkohë zoti Zekthi pretendon që përmes kulturës politike, PD duhet të përqafojë opsionin e dinjitetit, i cili me përgjegjshmëri dhe përgjegjësi njeh problemet, i analizon me objektivitet ato dhe korrekton veten duke u përmirësuar dhe duke u bërë alternativë më e mirë e fortë dhe më produktive si pasojë. Por që kjo të ndodhë duhet të ndryshojë mendësia sikurse predikon edhe Zekthi në analizën e tij.

Këtu krijohet dhe ngërçi, se nuk mund t’i kërkosh dinjitetin, pra reflektimin, për pasojë dhe ndryshimin pikërisht Berishës dhe njerëzve të tij, që nuk duan të pranojnë se ata janë vetë problemi për të prekur ndryshimin e shumëpritur fillimisht te vetja dhe pastaj te pushteti. Pra dinjiteti nuk mund të konsiderohet si nocion abstrakt. Ai është pjesë konkrete e njerëzve e përsa kohë askush në PD e sotme nuk sheh problemin te vetja por tek kundërshtari e sheh edhe zgjidhjen te forca e nëpërmjet saj, pra te opsioni i nderit, sikurse analizojnë Bradley Campbell dhe Jason Manning në filozofinë dhe psikologjinë socio/politike atëherë çdo zgjidhje e pritshmëri bëhet nul. Dhe hendeku mes pritshmërive të asaj pjese të popullit dhe mospërfaqësimit të tyre mbetet e madhe dhe e pandryshuar.

Berisha ka patur shumë herë mundësi ta bëjë këtë, madje dhe e ka promovuar si tezë bazë, kur nisi procesin e foltores se famshme duke sjellë në ofertën politike shtylla kryesore të doktrinës së djathtë dhe konservatore, por që mbetën thjeshtë demagogji, pasi gjithçka u bë fiktivisht dhe në mënyrë të manipuluar, sikurse ishin primaret, pra gara për meritokraci në parti, apo një statut i ri me regulla që do të hapnin e demokratizonin PD që emrin e ka demokratike, por mendësinë bolshevike.

Po, autoritarizmi i Ramës ka nevojë për një përgjigje politike, por këtë nuk do mund ta bëjnë kurrë Berisha@co që besojnë se të gjithë ata që mendojnë ndryshe janë arrmiq, kundërshtarë të PD apo aleatë e njerëz të shitur apo të blerë nga apo te Rama. Ndaj për të shkuar te dinjiteti duhet braktisur forca e duhet zëvendësuar me mendim politik dhe rrëzonim vlerash e kapacitetesh njerëzore që konvergojnë me interesat e njerëzve të papërfaqësuar ose të keqpërfaqësuar.

Ndaj përtej çdo teze apo filozofie politike gjithçka në fund rrotullohet te ata që kanë në duar çelësat e fuqisë së deleguar politike nga baza. Përsa kohë Berisha do të ketë një axhendë krejt tjetër nga kjo filozofi e dinjitetit që lidhet me përgjegjësinë e vetes në angazhim në radhë të parë, asgjë s’do të ndryshojë në oborrin e pështjelluar të opozitës së sotme. Kjo do të vazhdojë deri kur Berisha dhe të tijtë të thonë mjaft është mjaft!

The post Viktimizimi, nderi dhe dinjiteti, si opsionet politike të PD first appeared on JavaNews.al.

Berisha i promovon, Rama i aplikon primaret

18 May 2025 at 12:41

Nga Denis Dyrnjaja

Tashmë që janë hapat e fundit të përmbylljes së procesit të numërimit të votave dhe certifikimit të zgjedhjeve të 11 majit me PS si fituese të tyre, pyetja më e natyrshme është se si arrin një forcë politike të fitojë mandatin e katërt kur ka konsumuar 12 vjet pushtet?

Opozita ka përgjigjen e saj statike, që zgjedhjet u manipuluan apo u vodhën, ndërsa opinioni mediatik është i ndarë në një pjesë që mendojnë se PS i fiton zgjedhjet se njerëzit nuk duan rikthimin e Berishës në pushtet, ndërsa pjesa kundërshtare beson se me Edi Ramën kryeministër, nuk fiton dot zgjedhje, jo se ai është i pathyeshëm, por sepse ai i vjedh zgjedhjet, pasi përdor burime qeveritare në fushatë, josh votuesit me vendimarrje që shkelin kodin zgjedhor, përdor grupet kriminale për të intimiduar zgjedhësit, ka ndërtuar një skemë patronazhimi që mbikëqyr në mënyrë të fshehtë jetët e qytetarëve dhe ndërton një profil të çdo zgjedhësi, kush voton PS, kush voton kundër dhe kush nuk merr pjesë në votim e të tjera marifete.

Të gjitha këto pretendime përsëriten sa herë ka zgjedhje dhe pasi opozita mëson se është humbëse avazi vazhdon për gjatë gjithë mandatit parlamentar. Kur gazetarët pyesin përfaqësuesit e opozitës para zgjedhjeve se si do bëni për të shmangur këto problematika që i keni ngritur në zgjedhjet e mëparshme? Përgjigjja është se janë marrë masat që askush të mos prekë asnjë votë. Më pas vjen humbja dhe avazi i pretendimeve nis nga e para.

E bëra këtë parantezë jo për të diskutuar sa te drejtë ose jo ka opozita për pretendimet e saj, por për të thënë që kjo historia e fitores së zgjedhjeve ka edhe një element tjetër thelbësor që ajo e shikon, por se pranon, e kupton por se aplikon, ose e aplikon por pastaj e manipulon. Fjala është për skemën e primareve. PS e ka aplikuar këtë skemë, jo në përzgjedhjen e kandidatëve para zgjedhjeve, por ka organizuar një garë të mirëfilltë primaresh në ditën e zgjedhjeve brenda dhe vetë partisë.

Ndërkohë që PD zhvillon primare për të zgjedhur kandidatët më të mirë dhe më të fortë para zgjedhjeve dhe në fund Berisha vendos në listë kë do ai, Edi Rama zgjedh strategji të kundërt, nuk bën primare para zgjedhjeve, por aplikon skemën e primareve për kandidatët e tij pikërisht ditën e zgjedhjeve. Pra ai nuk paracakton më të fortët me votën e anëtarësisë, por më të fortët që ai mendon se janë, i vendos në dy gara njëherësh edhe për t’u përballur me kundërshtarin edhe si rivalë brenda partisë pikërisht ditën zgjedhjeve për votën e të gjithë popullsisë.

Kjo formulë agresive gjeneron një betejë për të mbledhur sa më shumë vota në terren, pasi të gjithë synojnë të sigurojnë të dalin sa më mirë dhe të tregojnë potencial elektoral. Ndaj procesi gjeneron maksimumin e mobilizimit për të mbledhur çdo votë. Treguesi i qartë dhe më i fortë i kësaj skeme ishte përballja mes Ota Xhaçkës dhe Blerina Gjylametit që e mbyllën procesin e numërimit të votave në Tiranë në garën mes tyre, vetëm me dy vota diferencë në favor të Xhaçkës. Pra është luftuar në distancë për çdo votë. Pra emri në këtë rast ka pak rëndësi, rëndësi ka të meret maksimumi i votave që siguron fitoren e partisë. Kështu në funksion të këtij qëllimi, Edi Rama i përplasi të gjithë në garë brenda llojit dhe vetë projektonte numrat e fitores.

Ndërkohë në llogoren përballë, Berisha bën pseudogara, zhvillon primare fiktive për të treguar se Partia Demokratike që kurrë nuk u bë demokratike, të duket se është demokratike. Tregues i qartë i garës reale dhe vlerave ishte dueli në distancë, që prodhoi rastësia e kombinimit të rezultatit mes Jorida Tabakut dhe Dr Ilir Alimehmetit. Të dy gjeneruan mbi 18 mijë vota secili. Kjo garë rastësore nxorri në pah edhe strategjinë e gabuar të Berishës.

Nëse do të synonte dhe kërkonte fitoren e zgjedhjeve, atëherë asnjë kandidat nuk duhej të ishte në listë të mbyllur, të gjithë në terren me listë të hapur për vota, jo për show force sikurse ndodhi. Kështu do të matej edhe pesha dhe fuqia elektorale e çdo kandidati të PD në veçanti dhe opozitës në tërësi. Por Berisha zgjodhi skemën përtace dhe sigurisht manipulative në kurriz të demokratëve dhe opozitës, duke caktuar ai se kush i duhet në Parlament.

Dhe si rezultat përveç humbjes në zgjedhje, opozita do të përfaqësohet kryesisht edhe nga njerëz të pavotuar, duke patur parasysh që numëri i deputetëve të saj vjen kryesisht nga listat e mbyllura që nuk është e thënë se janë njerëz të preferuar, por kryesisht janë të imponuar. Emrat dhe fytyrat e tyre ju i dini se vegjetojnë për vite me radhë rreth kryetarit, në këtë rast rreth Berishës!

The post Berisha i promovon, Rama i aplikon primaret first appeared on JavaNews.al.

Lobimi në SHBA, si besëprerje e Berishës për demokratët!

1 May 2025 at 10:16

Nga Denis Dyrnjaja

Në vigjilje të zgjedhjeve të 11 majit, kur demokratët presin të ndodhë rotacioni i shumëpritur i pushtetit, sikurse ka dalë dhe shprehja “është radha jonë”, del në pah një akt tradhëtie politike, përndryshe nga interesat e tyre. Është fjala për marrëveshjen e lobimit të PD në SHBA përmes kompanisë “Continental Strategy”, që duket se i shërben vetëm interesit të Sali Berishës dhe familjes së tij, por jo ardhjes së PD në pushtet apo largimit të Edi Ramës nga pushteti. Ja disa arsye. Kjo marrëveshje e menduar se do mbetej në një farë mënyre jo publike, përsa kohë që as aleatët e PD, por dhe strukturat e saj zyrtare, Kryesia apo Këshilli Kombëtar, apo dhe anëtarët e grupit parlamentar nuk kishin dijeni, është projektuar me një kohështrirje 2 vjeçare dhe vlerë totale prej 6 milion dollarësh dhe nuk kishte fare në objekt zgjedhjet e 11 majit.

Sikur të mos e kishte bërë publike kolegu gazetar Klodian Tomori, marrëveshja me një fondacion që krijohet në Amerikë vetëm një javë para nënshkrimit, lë hije të forta dyshimi për mënyrën, formën dhe qëllimin e saj. Të gjithë tani po pyesin si shpjegohet që të paguhet një shumë kaq e madhe prej 6 ml dollarësh, sikurse thuhet në objektin e kontatatës, për rigjenerimin e marrëdhenieve të PD me SHBA, në një kohë kur një shumë e tillë mund të përdorej për fushatën dhe nevojat elektorale që do t’i jepnin goxha hov opozitës në zgjedhje? Pra është fiks si ajo shprehja popullore “lëmë dasmën e shkojmë për shkarpa”. 6 ml dollarë nuk janë pak, madje dhe 750 mijë dollarë sa ç’është parapagimi është një shumë vërtetë e ndjeshme dhr e madhe për fushatën elektorale dhe rritjen e fuqisë elektorale të opozitës.

Atëherë përse këto para të “patriotëve shqiptarë” në Amerikë nuk u përdorën për të ndihmuar opozitën të fitojë zgjedhjet, por po na u përdorkan për të pastruar dhe rivitalizuar marrëdhëniet e PD me administratën amerikane?! Përgjigjja është po aq e kuptueshme dhe e thjeshtë. Grupit Berisha&co pra besnikëve shërbëtorë të tij, nuk i intereson fitorja e PD-së në zgjedhje, por pastrimi i figurës nga dizenjimi “non grata” në Shtetet e Bashkuara i bossit dhe familjarëve të bossit. Ndërkohë kjo nxjerr në pah edhe një qëllim akoma më meskin dhe intrigant, që përveç se Berisha e di dhe duket që parashikon humbjen në zgjedhje, projekton të vijojë kontrollin familjar të partisë edhe pas dështimit në 11 maj.

Statuti i PD i rishkruar nga vetë Berisha me suflerët e tij të skemave të manipulimit dhe manipulimeve politike në parti, parashikon dorëheqjen e kryetarit në rast dështimi në zgjedhje. Por kjo duket se nuk ka gjasë të ndodhë ose edhe nëse ndodh, partia mund t’i kalojë si trashëgim pronësor, brenda familjes vajzës së tij, pra znj Argita Berisha Malltezi, e cila nuk ka përjashtuar mundësinë e angazhimit të plotë në politikë, ndërsa i ati ka lënë të kuptohet se kjo varet në vullnetin dhe dëshirën e së bijës, duke nënkuptuar se akti i transferimit të drejtimit të partisë brenda familjes, mund të jetësohet pas zgjedhjeve.

Ndryshe nuk ka asnjë shpjegim që hidhen miliona euro për të pastruar figurën dhe statusin e damkosur politik të Berishëve në Amerikë kur në fakt pensioni politik është në prag. Kujt i duhet heqja e “non gratës” nëse PD nuk fiton zgjedhjet?! Sot SHBA drejtohet nga një administratë anti Sorros. Pyetja e natyrshme që vjen është: përse duhen paguar miliona dollarë për rehabilitimin e marrëdhenieve të PD me SHBA, nëse ndaj Berishës dhe PD paskërkësh patur një komplot të Edi Ramës dhe miqve të tij sorrosistë në administratën e mëparshme demokrate në Washington? Do të mjaftonte vetëm idea se ka ekzistuar komploti, që “non grata” për Sali Berishën, bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij të zhbëhej. Por ata e dinë që implikimet e pretenduara në dosjen e Departamentit të Shtetit, janë të vërteta dhe janë përgatitur në fakt po nga administrata e parë e presidencës Trump dhe ekzekutuar gjatë administratës Biden. Dhe Berisha e di se kjo nuk zhbëhet politikisht dhe diplomatikisht, por mund të blihet financiarisht. Dhe për këtë ai dhe njerëzit e tij janë gati të paguajnë jo, 600 mijë apo 6 ml, por edhe 60 ml dollarë. Dhe kjo tregon se përveç vetes e interesave familjare, Berisha nuk ka asnjë qëllim tjetër sot për sot.

Ndaj demokratët duhet të kuptojnë se janë prerë në besë në iluzionin e madh të tyre, se Berisha po iu prin drejt rrëzimit të Edi Ramës nga pushteti. Ai thjeshtë po i përdor ata si materie politike, për hallet personale dhe trashëgiminë politike familjare. 11 maji nuk është dita e fitores, por është dita e tradhëtisë e besëprëmësisë së tyre. 11 maji duhet të shënojë dhe fillimin e fundit të përgjithmomshëm të çlirimit të PD nga uzurpuesit e saj të pavotuar dhe për më tepër të padëshiruar. Dorëzojuani partinë njerëzve të lirë, demokratëve dhe qytetarëve. Ata do ta gjejnë vetë liderin e tyre që nuk duhet dhe nuk mund të jetë më as një lider i sponsorizuar nga familja e Berishës dhe as shërbëtor i tyre.

Lideri ri duhet të vijë nga një proces i vërtetë i hapjes dhe demokracisë në partinë që i priu ardhjes së pluralizmit në Shqipëri. Ndryshe 11 maji do shënojë edhe vdekjen politike të Partisë Demokratike dhe vdekjen e palavdishme politike të atij që e nisi si themelues i PD dhe po e mbyll karrierën si pengmarrës dhe shkatërrues i saj.

The post Lobimi në SHBA, si besëprerje e Berishës për demokratët! first appeared on JavaNews.al.

Torollakëria gjinore si pasqyrë e nivelit shoqëror

17 April 2025 at 13:45

Nga Denis Dyrnjaja

Vitet e fundit ka një përpjekje të vazhdueshme për t’iu dhënë hapësirë më të madhe angazhimit dhe prezencës faktike të vajzave dhe grave në politikë. Kur e sheh si nismë në parim, e gjitha duket si shumë emancipuese dhe inkurajuese gjithashtu. Por çfarë po prodhon ajo në realitet?

Përveç torollakërisë mashkullore që ka qenë më shumicë e tepri për dekada me radhë si domen në politikë, tani publiku duhet të durojë edhe torollakërinë e re femërore. Psh mjafton të ndjekësh videot promovuese të takimeve elektorale apo dhe panele debatesh në TV, ku shfaqen vajza apo gra që janë rishtare në politikë dhe aty mund të kesh material zbavitës nga pikëpamja sipërfaqësore, por shumë tronditës nëse verën anën substanciale apo thelbësore.

Psh vendosa të shoh një video të një kandidateje socialiste në Qarkun e Fierit për të ndjerë bezdinë që të krijon vetëkënaqësia e vetëndjerja delirante e kësaj kandidateje, që sfidonte drejtuesin politik të Opozitës Gazmend Bardhi, duke përdorur edhe kontekst nënkuptues pezhorativ ndaj tij. Në fakt mjafton të ndjekësh këtë tipen për të kuptuar sesa shumë ka degraduar niveli i përzgjedhjes së kandidatëve që pretendojnë të jenë ligjvënësit e Shqipërisë, por kjo është temë më vete.

Pra në vend të kualitetit dhe nivelit kultural, sfida shfaqet përmes nivelit të tallagjarësisë serbese që zakonisht është karakteristikë e njerëzve bosh, që nuk kanë çfarë humbasin dhe partizanërinë e çojnë deri në kamikazllëk politik, mjafton që t’i lëvdojë dikush i rëndësishëm në parti. Ndërkohë një model tjetër shfaqet nga kampi opozitar.

Psh imazhi i propagandës së opozitës është një zonjë që qesh dhe flet vetëm idiotësi në studio televizive dhe përpiqet të reflektojë fisnikëri e cila i shkrihet në mendjelehtesinë politike të veshur me ngjyrat e rrobave të bukura dhe bzuqeshjes së palimituar edhe kur nuk është rasti. Pra vetëm falë gjinisë ia tolerojnë idotesinë që nuk ia fsheh as bukuria dhe kështu territori politik është mbushur për të mos thënë mbingarkuar me këto lloj modelesh hibride për atë çka politika kërkon dhe publiku dëshiron. Pra këto modele janë ofertat e suksesit dhe prezencës përfaqësuese më dominuese sot. Tani vijmë te momenti për të thënë një konkluzion.

Mirë sistemin elektoral që është kompozuar sipas interesave të bosëve të politikës, po këtë kuotën gjinore për të futur thjeshtë ca gra që janë gra e ca vajza që janë vajza si gjini çfarë e donim?! Nëse sheh sesi është zbatuar në realitet kjo çështja e kuotave gjinore, kupton se lëmosha politike e burrave përmes ligjit kur bashkohet me kotësinë apo mendjelehtësinë e shumë prej këtyre grave, e bën në fakt të pavlerë dinjitetin e atyre zonjave a vajzave që meritojnë respektin publik, jo për shkak gjinie, por se janë personalite në individualitetin e tyre.

Dhe personalitetin dhe dinjitetin nuk ta jep as partia as kuota elektorale, as gjinia, por ta jep, kultura, kontributi real në shoqëri dhe dija. Përsa kohë tallavaja e numrave me kuotat gjinore do vazhdojë, do kemi të sigurt se arenën politike e mediatike do ta dominojnë përveç burrave të pavlerë edhe gratë fluturake truerë. Mos kërkoni emra se fytyrat dhe idiotësitë e tyre “bërtasin” me shumë se emrat, madje çdo ditë apo natë, në media dhe jo vetëm!

The post Torollakëria gjinore si pasqyrë e nivelit shoqëror first appeared on JavaNews.al.

Idiotësia e dobishme e Agron Shehajt

10 April 2025 at 09:42

Nga Denis Dyrnjaja

Jo çdo idiotësi është e dëmshme, ose me saktë, ka raste që dëmi i saj shndërrohet në dobi pasi kupton se si duhet të veprosh në të kundërt të saj që propozohet, për të shmangur marrëzi, jo rrallë edhe marrëzi kolektive që na kanë parë sytë në periudha të ndryshme kohore, nga mentorë pa mend, kryesisht që vijnë nga periferitë e politikës. Një idiotësi të dobishme kreu se fundi deputeti Agron Shehaj, që ka ndërkohë statusin e sipërmarrësit privat, por pretendon të bëhet një ditë edhe kryeministër i Shqipërisë dhe drejtues i qeverisë. Sot nuk doja të komentoj ëndrrat politike të Agronit, pasiqë do harxhoja si kohën time, por edhe kohen e çdo lexuesi panevojshmërisht.

Ndërkaq dëshiroj t’i kushtoj vëmendje pikërisht një idiotësie të dobishme të shprehur prej tij, që lidhet me një propozim publik që çon në mbylljen e RTVSH. E cilësoj idiotësi të dobishme pasi pa dashje deputeti aspirant për kryeqeveritar, na kujtoi se me kërkesën e tij për mbylljen e radios dhe televizionit të vetëm shtetëror, na kujtoi mbylljen masive të dhjetëra uzinave dhe fabrikave në vitet ’90 me ndryshimin e madh që ndodhi asokohe, nga një ekonomi e centralizuar, në ekonomi të tregut të lirë, e cila erdhi si rezultat i pluralizmit politik e demokracisë në Shqipëri. Sigurisht që teknologjia në këto fabrika dhe uzina të asaj kohe, nuk ishte moderne, por zgjidhja nuk ishte prishja apo rrafshimi i tyre, por modernizmi dhe rentabiliteti që do të mbante në punë qindra mijëra njerëz, të cilët u përballën me të famshmen “asistencë sociale” një lloj pagese shtetërore për të mbajtur frymën gjallë pas mbylljes masive të tyre.

Shqipëria dispononte një bazë prodhimi të gjerë që nga industria e lehtë e prodhimit të përpunimit të mallrave të konsumit ushqimor dhe veshjeve deri te industria e rëndë për prodhimin dhe përpunimin e metaleve apo hidrokarbureve. Kishim fabrika për plehrat kimike për bujqësinë si ajo e Superfosfatit në Laç, apo Azotikut në Fier. Kishim rafineri nafte në Ballsh dhe disa kombinate në Tiranë, Korçë e Berat. Kishim një uzinë për prodhimin e telave në Shkodër dhe fabrika për përpunimin e duhanit po në Shkodër e Elbasan.

Kishim teknologë e mercologë për prodhimin dhe kontrollin e ushqimit, si dhe një trupë të kualifikuar për bujqësinë dhe blegtorinë bashkë me të gjithë bazën prodhuese e përpunuese të produkteve e nënprodukteve në këtë sektor rentabël për ekonominë. Ishin të gjitha të mundshme për t’u përshtatur me implementimin e teklogjjsë se re, për të vijuar transformimin e nevojshëm e për t’u bërë të konkurueshme për tregun vendas dhe atë ndërkombëtar. Por në vend të kësaj strategjie vizionare të munguar, u zgjodh rruga më e shkurtër, i mbyllëm thuajse të gjitha dhe çuam çdo gjë për skrap.

Shumëçka u mbyll si e panevojshme dhe e padobishme, duke shpërbërë me një të rënë të lapsit, qindra milionë, në mos miliarda dollarë vlera prodhuese. Pra bëmë me ndërgjegje të plotë një idiotësi që në fakt ishte një marrëzi kolektive e paimagjinueshme, për shkak të euforisë së momentit që erdhi bashkë me lirinë e munguar. Ajo që pas disa vitesh u kuptua se ishte gabim në fakt ishte një faj i rëndë në përmasat e një krimi kolektiv, për të cilën askush nuk mbajti përgjigjësi, duke hedhur në kosh te plehrave një pasuri të tërë shtetërore e kombëtare. Gjithsesi në marramnedje lirie edhe fajet ishin të falshme edhe idotesitë e marrëzitë kolektive gjithashtu, por sot jo. Nuk mund të bëjmë të njëjtin gabim që shkon me koshiencë në faj.

Pra sot një idiotësie si ajo e propozuar nga ligjvënësi aksidental Agron Shehaj i futur në politikë në mënyrë rastësore dhe i shndërruar në protagonist në mënyrë aksidentale, populiste dhe false, nuk mund të kthehet në refenrcë vendimmarrëse shtetërore. Është pikërisht propozimi i tij për të mbyllur RTVSH pasi është jo rentabël dhe me kosto për buxhetin e shtetit dhe taksapaguesit as, që duhet të na zgjojë dhe të na kujtojë se mbyllja është gjëja më e kollajtë, por dhe e gabuar dhe se shkatërrimi nuk është zhvillim.

RTVSH vërtetë sot nuk është në pritshmëritë e kohës dhe nivelit që i takon të jetë si institucion dinjitar publik, por kjo s’do te thotë se zgjidhja është zhbërja. Në çdo rast ai është një aset i madh nga çdo pikëpamje që duhet ruajtur dhe modernizuar në filozofi dhe teknologji. Pyetja që në fakt është dhe sfidë e madhe, por jo e parealizueshme është, a e modernizojmë dhe përshtatim dot këtë institucion mediatik me kërkesat, standardet e kohës dhe interesat e publikut, se për ta mbyllur ka patur plot idiotë të dobishëm para deputetit “inovator” që kanë propozuar të njëjtën gjë që është më e kollajta?!

Ndaj dryni i Agronit nuk është një mundësi e mirë dhe kjo nuk është mundësia që duhet.

The post Idiotësia e dobishme e Agron Shehajt first appeared on JavaNews.al.

Primaret që nxorën në pah problemin primar të PD

3 March 2025 at 16:59

Nga Denis Dyrnjaja

Sot PD përballet me një realitet që në tërësinë e tij ose fshihet ose tentohet të manipulohet përballë opinionit publik. Njerëzit përfaqësues të partisë më të madhe opozitare, që kërkon të rimarrë pushtetin pas 12 vitesh, janë të padëshiruar nga vetë baza dhe anëtarësia demokrate.

Kjo u shfaq dukshëm në garën paraprake për të zgjedhur kandidatët që do të konkurrojnë në zgjedhjet e 11 Majit. Shkaqet janë disa syresh, por ndër më kryesorët është humbja ndër vite e kriterit të meritokracisë, që thënë ndryshe janë katapultuar në parti në nivele drejtuese e përfaqësuesese, njerëz që janë të papëlqyer nga publiku, por kanë ecur dhe ekzistuar falë besimit aforfe të lidershipit të drejtuar nga Berisha deri në 2013, pastaj nga Lulzim Basha e sërish nga Berisha në vijim.

Ky është një realitet që në PD ose nuk duan ta kuptojnë ose nuk duan ta pranojnë. Mungojnë njerëzit e pëlqyer dhe karizmatikë ose janë me pikatore. Nuk duhet ngatërruar fakti nëse këta individë janë njerëz pozitivë apo të angazhuar me punë partie. Është fjala për një kategori tjetër njerëzish që prodhojnë simpati në publik dhe jo acarim deri në neveri në disa raste Një parti që dominohet nga figura të papëlqyera, jopopullore e të pasimpatizuara, madje në të kundërt shpesh edhe antipatike në sjellje e komunikimin publik, kanë krijuar një ulje drastike të popullaritetit të partisë në tërësi.

Psh nëse mbledh votat e 5 kandidatëve më të votuar në Tiranë, nuk bëjnë as shumatoren për të nxjerrë një deputet të vetëm. Ndërsa rasti më dëshpërues është ai i zëdhënëses së PD znj Floriana Garo që megjithë prezencën e vazhdueshme dhe të shtuar të saj në publik përkrah kryetarin Sali Berisha, ka marrë një minimum telendisës votash në primare, që tregon se jo gjithçka që i pëlqen kryetarit iu pëlqen edhe demokratëve e për më tepër votuesve në tërësi që duet te zgjedhin nëse duhet të mbajnë përsëri Ramën kryeministër apo të sjellim përsëri Berishën në qeveri.

Kjo që po ndodh dhe ky realitet dëshpërues në PD, nuk është një rrufe në qiell të pastër por pasojë e humbjes së demokracisë dhe manipulimit të proceseve të brendshme në PD për vite me radhë, që kanë prodhuar pseudopersonalitete politike apo qenie politike epruvetash që janë në fakt inflacioni politik i një partie që vijon të parashikruajë humbjet e saj elektorale njëra pas tjetrës.

Deri në ditën kur ky realitet të pranohet, PD do rreket në vetsugjestionin e saj, se është gati për të ardhur në pushtet. Këtë e dinë shumica e demokratëve në bazë dhe në kupolën drejtuese, por nuk u pëlqen ta pranojnë sepse u intereson më shumë vetja dhe ekzistenca e tyre se partia.

Ndaj për pushtetin e Edi Ramës nuk punon vetëm PS, por kontribuon thellësisht edhe vetë PD. Vota e primareve ishte një leksion që përsëri as Berisha dhe as servilët e tij nuk duan as ta lexojnë dhe as ta pranojnë.

Rama me shqiptarët në Greqi, Berisha me Fredi Bejlerin në Shqipëri!

2 March 2025 at 13:12

Nga Denis Dyrnjaja

Brenda garës zgjedhore të 11 majit nga do të dalë edhe Parlamenti i ri do të ketë edhe një test tjetër të rëndësishëm, ai për popullaritetin e forcave politike në radhët e mërgatës sonë në botë. Ky është testi i parë dhe në fakt mendohet edhe si një faktor i rëndësishëm dhe ndikues në rezultatin që do të prodhojë përballja në zgjedhjet e kësaj pranvere, mes PS në pushtet dhe PD me aleatët e saj, si dhe një grupi partish të tjera alternative, që synojnë të thyejnë linjat tradicionale të politikës që përfaqësohen nga Rama e Berisha. Por duke qenë se “tortën” elektorale e ndajnë dy partitë tradicionale, natyrisht edhe analiza e vëmendja shkon për mënyrën se si ato po i qasen elektoratit, për të fituar këtë mbështetje të bashkatdhetarëve që janë ftuar këtë herë të bëhen pjesë e angazhimit për të zgjedhur se kujt duan t’ia besojnë qeverisjen për 4 viteve të ardhshme, Ramës në mandatin e katërt, apo rikthimit të Berishës në mandatin e tretë si kryeministër.

Referuar atyre çfarë kanë ndodhur deri tani në axhendat elektorale, PS duket se ka një marsh më shumë në organizim, pasi dinamika e takimeve të strukturave të saj dhe vetë Ramës si kryetar i mazhorancës, tregon një përparësi ndaj rivalit të tij Berishës, që më shumë po spikat për aleancën me Fredi Bejlerin e Vangjel Dulen e PBDNJ,, sesa për interesin e shqiptareve të Greqisë, Italisë, Anglisë, Gjermanisë e gjetkë Amerikës apo Australisë.

Pra takimeve masive të Ramës me sallat plot në Athinë apo Selanik, Berisha i përgjigjet me lavdet e paktet për listat e mbyllura të pazareve e qokave për Bejlerët e Greqisë në Tiranë, e përpjekjeve për të futur nën një çati edhe votat e çamëve të Shpëtim Idrizit, arritje më vete kjo të bashkosh të përbetuarit si të pabashkueshëm. Bashkimi greko/çam nën udhëheqësinë e Berishës meriton të vlerësohet edhe pse pushteti dhe nevoja për atë mandat deputeti rrëzon çdo parim e moral qoftë ky edhe i profilit nacional.

Gjithsesi hesapin do ta shohim më 11 maj edhe pse duket si një faturë e parashkruar, që kur mendon se kush i drejtohet kujt dhe se kush është kush?! Psh nëse i referohesh vetëm rastit të Greqisë, Rama përfaqësohet me një valë të dukshme mbështetjeje të fuqishme kombëtare, pasi ka ditur të zgjedhë simbolikat e duhura që nga elementët vizivë plotësues si flamuj, pankarta etj e deri te fjalimet e kujdesshme për të zgjuar dëshirën për rikthimin në atdhe dhe mbrojtjen e dinjitetit të çdo shqiptari, ndërsa Berisha nuk ka asnjë risi dhe detajet që bëjnë dallimin mungojnë. Ai u flet shqiptarëve në Greqi si bashkatdhetarëve që u drejtohet përditë nga salla e Parlamentit apo selisë së partisë së tij në Shqipëri.

Nëse i referohemi edhe elementit demografik, kryesisht votuesit e diasporës janë brezat e 30 viteve të fundit që i lidh më shumë me Shqipërinë e tashmja se sa e shkuara. Pra ata shohin zhvillimin e Shqipërisë dhe nuk kanë lidhje me përrallat me monizmin, diktaturën apo elementë të cilët Berisha i njeh mirë si njeri i angazhuar pranë nomenklaturës së ish-diktaturës si ish sekretar partie. Dhe në këtë rast llogaria është e thjeshtë dhe e dukshme se nga anon në partencë fuqia elektorale, kjo edhe për strategjinë e zgjedhur nga secili të paktën deri tani. La Civitta, strategu i ardhur nga SHBA për t’i dhënë Berishës fitoren ndoshta ka ndonjë magji në arsenalin e tij të taktikave elektorale, për ta bërë liderin opozitar ende “non grata” fitues e për ta rikthyer për herë të tretë në pushtet.

Nga ajo që po shohim deri më sot duket se më shumë po e këshillon Berisha, La Civittan se sa po merr ai këshilla prej mentorit amerikan. Ndryshe nuk ka sesi shpjegohet që e gjithë axhenda e Berishës për votat e diasporës, duket si një adresim i gabuar. Të promovosh aleancën me Bejlerin në vend të aleancës me shqiptarët, duhet të jetë më shumë se gabim. Ndoshta është qëllim ose synim. Por këto janë elementë dhe detaje që i zbulon dhe i nxjerr koha.

Ndoshta halli i dështimit të sigurt e shtyn Berishën të tentojë të gjejë mbështetjen atje ku nuk ka shpresë për të arritur fitoren, që ndonjëherë duket më shumë e padëshiruar se e dëshiruar. Se koha dhe ngjarjet kanë treguar se në një vend si Shqipëria, fiton edhe duke qenë gjithnjë i dyti dhe kjo është provuar me rastin e opozitës Basha. Qëndo kundërshtar, por partner në çdo rast se pushtet është dhe opozita, sidomos kur gjithçka është në shit/blerje përfshirë edhe mandatet e deputetëve për një vend të sigurt në listën e vegjetuesve dështakë opozitarë, qofshin këta bejlerë apo agallarë!

Po pas Edi Ramës kush është?!

22 February 2025 at 12:02

Nga Denis Dyrnjaja

Një panoramë ngjarjesh diverse po ndodhin në aktualitetin poktik, ndikuar kryesisht nga veprimi i drejtësisë. Disa personazhe të politikës mund të dalin prej saj, të rinj mund të futen apo shfaqen. Partitë nuk janë më si më parë, në tërësi. Madje dhe idea e një zhvillimi demokratik brenda tyre thuajse është zeruar dhe pse më parë ka qenë thuajse një formalitet e ka mbetur i tillë edhe për ato forca politike, që pretendojnë ende se kanë demokraci të brendshme.

Në të gjitha partitë si ato tradicionale e kryesore, si ato rishtare, nuk ka jetë të brendshme politike, në kuptimin e garës, zgjedhjeve reale të strukturave drejtuese apo kryetarëve, alternativës ndryshe, rrymave dhe mendimeve që e mbajnë të gjallë jetën e brendshme të një force politike. Pra që krijojnë kushtet për përtëritje të saj në kohë me konkurrencë përmes vlerave të më mirëve si grup apo individë. PD si parti e parë që i atribuohet ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri dhe futja e pluralizmit pas sistemit diktatorial nuk arriti kurrë të ngrihet në nivelet e misionit të saj, për të cilin u krijua dhe vlerat për të cilat u promovua.

Partia Demokratike nuk u bë kurrë demokratike sikurse ëndërruan qindra mijëra shqiptarë që besuan në ditët e muajt e parë të dhjetorit ’90 se ajo do të ishte modeli i partisë së vlerave të lirisë dhe demokracisë. PD iu nënshtrua modelit të autokracisë, dhunës verbale dhe mendësisë brutale të shtypjes autoritare të njishit, megjithë përpjekjet e një grupi njerëzish brenda saj për t’i qëndruar modelit autoritar dhe autokratik që buronte nga e shkuara e afërt e diktaturës dhe modeli sundues i pushtetit nga udhëheqësi.

Edhe PS që ishte pasardhëse e PPSH, pavarësisht se tentoi të rinovonte veten dhe të ndryshonte tërësisht qasjen e saj duke u përshtatur me filozofinë e re të demokracisë si një e majtë moderne, pati vetëm një periudhë të përkohshme demokracie brenda saj e cila më shumë se për vlerat reale të doktrinës së demokracisë, ishte një garë për të kontrolluar interesat që buronin nga përfitimet materiale të pushtetit veçanërisht ato korruptive (kujtoni KPD e famshme, kur grupet brenda PS u përplasën duke i nxjerrë afera e horrllëqe pushteti njëri tjetrit deri në banalitete).

Ndërsa në krahun e pretenduar si e djathtë sundimtar ishte Berisha në të majtë qëndronte Fatos Nano. I pari kurrë nuk bëri zgjedhje të vërteta në parti dhe njerëzit në PD nuk patën mundësi kurrë të njohin, pranojnë dhe mbështesin pa komplekse dikë ndryshe nga Berisha, sepse ai do t’i asgjësonte politikisht me çdo metodë kundërshtarët realë që mendonte se i kërcënonin fronin, duke përdorur shnatazhin, denigrimin intrigat e gjithfarë lloj manovrash për të ruajtur pushtetin dhe kontrollin absolut të partisë që pak nga pak e ktheu në pronësi personale, pra një lloj Shpk-je politike.

Në PD ka patur votime, por kurrë një garë të vërtetë që të mos ishte e ndikuar nga Berisha, pra të themi se nuk ka patur kurrë zgjedhje të drejta dhe të pandikuara, orientuara apo kontrolluara. Të gjithë kryetarët e PD të regjistruar në Gjykatë janë noterizuar me parë nga Berisha pastaj kanë kaluar në gjykatë për t’u zyrtarizuar si drejtues më tepër honorifikë sesa kryetarë realë të kësaj partie. Nga Eduard Selami, te Tritan Shehu e deri te Lulzim Basha, të gjithë ishin pëlqime të Berishës, pastaj të partisë që bënte formalisht zgjedhjen e tyre. Ndërsa në PS konteksti i garës ishte disi ndryshe në epokën e Fatos Nanos edhe për shkak të rrymave e personaliteteve që kishte vetë ajo si parti e cila kishte një shtrirje më të gjerë intelektuale. Ndaj atje lufta e brendshme politike deri në falimentimin politik të Nanos ka gjalluar. Pastaj pas ardhjes së Ramës, demokracia edhe në PS u zhduk dalëngadalë. Gjithçka u vendos nën regjimin e Ramës përmes një skemë kontrolli të kujdesshme dhe të mirëmemduar, i cili me modelin e vet të ndryshëm nga teritali socialist i vizës anash të flokëve dhe pantallonave të hekurosura, zhubraviti çdo tendencë për të patur mendim ndyshe.

PS u kthye në origjinën e hershme, ku sekretari i parë i Komitetit Qëndror të Partisë pra Enver Hoxha dinte dhe kishte njohuri për rrjedhojë jepte mend për gjithçka. Edhe për urbanistikën, edhe për ekonominë, edhe për sigurinë edhe për poktikën e jashtme dhe për bujqësinë, energjinë e kështu me radhë në të gjithë sektorët, pra zë më zë sikurse ka qenë edhe shprehja legjendare e kohës. Edi Rama një kritik i ashpër i regjimit të Hoxhës me ose pa koshiencë filloi të vendoste hegjemoninë e tij në PS. Me versionin modern dhe kontrovers të sjelljes, shprehjes dhe imazhit, ai theu shabllonet standarde të socialistëve dhe bëri që Pandeli Majko që është më i vogël se vetë ai në moshë, të dukej si një pensionist politik në raport me Ramën.

Pra tani pushteti ishte i gjithi në këmbët e liderit dy metrosh, dhe të tjerët ishin nënshtruar si liliputë politikë. Kush tentoi ta sfidojë për periudha të shkurtra kohe sot nuk është më në PS, ose është por ekziston si memec, ose si dikush që flet për veten e vet se aksush se dëgjon. Në fakt në aparancë Rama i dëgjon të gjithë, por në fund ai vendos atë që ka paravendosur kryesisht, ndonjëherë me ndonjë korrigjim a moderim të lehtë, sa për t’i lënë të kuptojnë edhe të tjerët se i dëgjon a përfill. Këtu nuk përfshihen intrigantët dhe intrigante, që gjejnë gjithnjë vend pranë udhëheqësit për t’i fituar atij simpatinë dhe natyrisht për t’i bërë ndonjë “kollare” pas shpine.

Ata kanë ekzistuar dhe do ekzistojnë gjithnjë. Janë soj më vete që gjenden në çdo kohë dhe pranë çdo sundimtari në pushtet. Mund të quhen edhe morrat e pushtetit këta që në fakt janë dhe parazitët prej të cilëve pushteti një ditë rrënohet aq shumë sa rrëzohet. E si këta rreth Ramës ka plot edhe pse ai mendon se i ka mentorë të zot. Ata/ato thjeshtë përdorim fuqinë e tij për buhavitjen e tyre personale financiare. Por kjo e këto për të gjithë në PS nuk kanë pikë rëndësie, për sa kohë janë në pushtet dhe këtë pushtet e prodhon mënyrë sesi Rama ka shtrënguar edhe partinë pas pëllëmbës se vet të madhe të dorës së fortë edhe qeverinë. Ndërkohë që nuk ka rëndësi as të flitet më për liri të brendshme mendimi e veprimi sa kohë ai është udhëheqësi fuqiplotë e i gjithëpushtetshëm prej të cilit PS mban prej 12 vjetësh pushtetin. Por disa pyetje lindin natyrshëm sepse dialektika dhe mosha biologjike asnjëherë nuk ndalin për askënd, sado i pushtetshëm qoftë ai.

Psh po pas Ramës çfarë vjen?! Kush vjen?! A do të ketë të ardhme PS si një nga dy forcat kryesore në vend kur aty nuk ka më asgjë përveç anëtarësisë dhe kryetarit fuqiplotë. Pra mbledhjet, takimet apo forumet me mendim politik i ka zëvendësuar gara për servilizëm dhe lëpirje politike. Rastet janë pa fund se të gjithë synojnë t’i bien në sy kryetarit dhe këtë e shfaqin dukshëm sallat e mëdha të eventeve politike të partisë ku lavdet romantike kanë arritur deri te petalet e luleve socialiste. Duartrokitjet vazhdojnë gjatë sa dhe pushteti i Ramës pa mbarim. Ai thotë tani shpesh se qëndon aty në krye të qeverisë dhe partisë së ka një mision: Të fusë Shqipërinë në BE. Kjo është e dobishme në dukje dhe një kauzë e fortë sa dhe e rëndësishme politike. Dhe këtë tani e dimë se po thuhet gjithnjë e më shpesh. Por ajo që nuk dihet është versioni i paparashikueshmërisë. Psh po sikur ky mision madhor të ndërpritet për një arsye të pacaktuar, të paparashikuar ose edhe të parashikuar. Psh qëllon që humbet zgjedhjet në mënyrë të papritur dhe të paimagjinuar, kjo prodhon shok politik dhe misioni dhe madhështia të nesërmen e disfatës bie. A do të vazhdojë njëjtë si Berisha dhe ai pastaj, sigurisht nëse do dojë do të vazhdojë se nuk ka kush ta konkurrojë apo sfidojë në parti?!

Në PS të gjithë të gjallët kanë vdekur dhe askush nuk guxon të mendojë se mund të shfaqet përballë Ramës të paktën haptazi. Ndoshta një surprizë e pakëndshme dhe e papritur e drejtësisë, mund të krijonte skenarë të rinj në PS. Një pamundësi shëndetësore gjithashtu, jemi njerëz dhe asgjë nuk është e sigurt. Pra ka plot hipoteza që ngrenë pyetjen po pas epokës së Ramës çfarë ka në PS, çfarë ndodh me këtë forcë politike, çfarë vjen dhe kush mund të jetë njeriu që do të vijojë të drejtojë një parti, që është modeluar tani sipas vizatimit politik të Ramës me laps prej plumbi por e mbushur me bojëra vaji.

Sigurisht të gjitha këto pyetje sot ngjajnë si të parakohshme ose edhe si pavend. Por atëherë kur së pret vjen ajo që se mendon. Dhe duke menduar adhurimin e gjerë që gëzon sot Edi Rama në pushtet, po mendoja po pas tij kë do adhurojnë këta mijëra socialistë që janë mësuar tani me një model që nuk është as normal, as i ngjashëm dhe as i përsëritshëm. Enigmë e madhe duket për atë që pritet dhe pritje e palexueshme është ajo që do të ndodhë me Ramën dhe fatin e tij. Diçka ndoshta po luhet!

Demenca e opozitës!

1 February 2025 at 12:33

Nga Denis Dyrnjaja

Një sëmundje e veçantë ka prekur trurin politik të opozitës, përkatësisht të PD. Ajo ka simptomat e demencës, një sëmundje që prek kryesisht trurin dhe lidhet me vendimmartrjen dhe harresën e veprimeve që kryen i sëmuri pa patur përgjegjësi për to. Vendimarrja e prekur nga demenca lidhet me shumë nisma të liderit historik të PD, që praktikisht pretendon të jetë kryeministër i Shqipërisë për herë të tretë pas dy mandateve të paravitit 2013.

Berisha vendos nisjen e revolucionit që do rrëzojë qeverinë e Ramës dhe e lë nismën pa e filluar, duke i mbajtur njerëzit e opozitës të karikuar me shpresë derisa një ditë stakohet gjithçka për t’u lënë pas, pa u kryer dhe harruar. Pas revolucionit të pakryer ose të mbetur në tentativë, shfaqet idea e protestave dhe sigurisht promovimi i fuqishëm i tyre si shkatërrimtare për qeverinë e korruptuar të Ramës.

Lideri del dhe promovon nismën.. Fiks si pacientët që vuajnë nga demenca, nuk mbahet asnjë përgjegjësi përse dështoi revolucioni, harrohet gjithçka dhe karikohet forma e re me qëllimin e vjetër. Protesta të fuqishme dhe të pandalshme deri në rrëzimin e regjimit. Ndërkohë grafiku i tyre me data të largëta nga njëra tjetra shfaq dukshëm sforcimin për të treguar se populli është në revoltë i pakënaqur, ndërkohë organizmi me periudha të gjata nga njëra protestë të tjera tregon pafuqinë e partive të opozitës së vjetër për të inkurajuar njerëzit e saj, se për elektoratin gri as bëhet fjalë të krijojë impakt apo ndikim sepse kjo shtresë që është dhe më madhja në shportëm e votave as bëhet fjalë të mbështesë një grupim politik që ka kontribut thelbësor në degradimin dhe korruptimin e shtetit dhe qeverisjes.

Ndërkohë për fat të keq qëllon që po ndodhin në kohë reale protesta në Beograd dhe populli atje është dendur rrugëve në qindra mijëra njerëz, pandalshëm ditë e natë dhe pa komandën e askujt, ndryshe nga këtu ku gjithçka është e stisur dhe e sforcuar nga ata që i ideijnë, organizojnë madje dhe i financojnë këto protesta, nga autobusët deri te sufllaqet si dieta për armatën që do vijë nga detashmentet partiake të rretheve. Përfytyroni që arrihet deri në pikën e udhëzimit të jemi të shpërndarë që të dukemi sa më shumë për të na numëruar. Edhe afatet për rrëzimin e Ramës me protesta i preku demenca, u harruan, regjimi vazhdon. Shfaqet një aluçinim i ri. Qeveri teknike. E thotë lideri e zbatojnë të tjerët. E prerë: nuk ka zgjedhje pa qeveri teknike. Është kusht i padiskutueshëm dhe i panegociueshëm.

Në Parlament dhe kudo në çdo dalje publike, takime me njerëz e debate e intervista mediatike ky është kushti kyç dhe i domosdoshëm për zgjedhjet për demokracinë dhe vërtetësinë e tyre. Të gjithë njerëzit e opozitës duken aq të vendosur e të bindur sa mendon se realisht këtë herë e kanë shumë seriozisht kërkesën. Kalojnë një farë kohe dhe hop në një moment shfaqet përsëri demenca harrohet edhe qeveria teknike. Askush nuk flet më për të.. Iku u fshi, u stopua dhe u shua. Mjaftojnë vetëm këto 3 pasazhe për të kuptuar sesa rëndë është dhe si është katandisur axhedna politike dhe objektive e opozitës së vjetër e cila, atë që improhizon sot e harron nesër, atë që thotë nesër e ka në kundërshtim me atë që ka thënë dje, atë që tha dje e ka harruar dhe kështu sëmundja që ka prekur trurin politik të saj po e shndërron atë në një lolo për popullin që i duhet të zgjedhë më 11 maj kë të lërë e kë të mbajë, me kë të qeshë e me kë të qajë.

Nuk ka axhendë politike më qesharake se kjo e kësaj opozite e cila dhe pse merr bonuse pa fund nga gafat apo abuzimet e qeverisë, nuk di më si të sillet poktiksht, përveç se shfaq sindroma të rënda të një dememce të thellë politike, ku për asgjë nuk ka përgjegjësi dhe për gjithçka flet dhe vendos vetëm një njeri. Nëse lexon vendimet e marra dhe të lëna përgjysmë ose të harruara, kësaj opozite i rri fiks slogani ç’më duhet mua se çfarë bëj unë. Dhe ky slogan i shkon për shtat edhe rilindjen, vetëm se ajo është komod dhe gëzon faktin që është në pushtet e qeveri ndërsa Berisha dhe besnikët e tij arritjen më të madhe kanë faktin se janë bërë sërish me seli.

Eufori budalle kundër SPAK-ut

30 January 2025 at 10:29

Nga Denis Dyrnjaja

Lajmi se qeveria amerikane ngriu të gjitha fondet për vendet e tjera ku përfshihet edhe Shqipëria, e ndër shumë institucione shqiptare preken edhe Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme, po përcillet me një lloj entuziazmi naiv, kryesisht nga lajmësit afër politikës dhe veçanërisht asaj kategorie politikanësh që janë prekur ose presin të përballen me drejtësinë. Duket një ngazëllim thuajse idiotesk, për ata që mezi ç’presin që këto instrumente gjyqësore që prodhoi reforma në drejtësi të ndalen, pasi ajo që ishte projektuar dhe paraperceptuar politikisht kur u miratua me 140 votat absolute të Parlamentit në vitin 2016, zor se po u pëlqen për atë që po prodhon ligjërisht e penalisht sot në realitet.

Me një mori dosjesh të shumta nën hetim të politikës, si nga mazhoranca dhe nga opozita dhe me kokëçarje të mëdha për stresin që ka krijuar SPAK-u si organi kyç i hetimit dhe provave për korrupsionin në linjat e politikës, tani duket se të gjithë, kush heshtur e kush jo, kush direkt e kush indirekt e shohin opsionin e ndalimit të “marshimit” të prokurorëve të Dumanit si një lajm të shumëpritur. Imagjinoni në një qiell me rrufe, furtunë, erë e shi, të shfaqet një rreze dielli si shpresë për shpëtim dhe liri kur mendon se ndërkohë ke aq shumë pasuri, por ose ndodhesh ose mendon se do përfundosh në qeli.

E njëjta shpresë është ndezur edhe nga bota e krimit të organizuar se dhe andej pështjellim të madh ka krijuar SPAK-u me hetime e sekuestrime. Por e vërteta qëndon krejt ndryshe dhe në fakt e rrejshme për shpresën e atyre që mendojnë se SPAK-u dhe Gjykata Speciale, nuk do të mund të vazhdojnë funksionin e tyre për shkak të ngrirjes së mbështetjes financiare nga SHBA. Vërtetë qeveria amerikane përmes programeve të ndihmës ka kontribuar financiarisht në mbështetje të drejtësisë shqiptare, por ky kontribut ka ardhur më shumë për të dhënë mesazhin e përkrahjes ndaj këtyre strukturave, sesa ka qenë bazik dhe jetik për ekzistencën e tyre.

Është detyrim kushtetues i qeverisë dhe shtetit shqiptar që të sigurojë financimin e këtyre organeve ligjzbatuese dhe në tërësi pushtetit gjyqësor në Shqipëri. Dhe nëse ka ndonjë vakum financiar nga bllokimi i fondeve të akorduara nga qeveria amerikane për Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme, qeveria përmes një akti normativ bën kompensimin buxhetor që nevojitet dhe gjithçka vazhdon funksionin pa patur asnjë pengesë apo ndalesë. Madje ky është rasti kur Kryeministri Rama provon se e kishte seriozisht atë punën e Noc Rrokut.

Nga ana tjetër dhe vetë këto dy organe të një pushteti të pavarur gjyqësor kanë dhe mund të krijojnë burime alternative financiare. Psh asetet financiare apo pasuritë e paluajtshme që konfiskohen nga shteti për llogari të vendimeve të Gjykatës së Posaçme mund të administrohen dhe të kalojnë në mbështetje të aktivitetit të vetë këtyre strukturave. Janë me miliona euro pasuri të sekuestruara të cilat, mund dhe duhet të gjenerohen si të ardhura në mbështetje të SPAK-ut. Se në fakt kushdo blinte në ankand, automjetin, apartamentin apo truallin e një personazhi të botës së krimit?!

Vështirë të gjendeshin individë që të kishin kurajo të merreshin me siklete të këtij lloji. Ndaj këto asete do të duhej të shtetëzohen e të vihen në përdorim nga këto struktura të drejtësisë në formën e logjistikës së nevojshme dhe plotësimit të çdo vakumi financiar që prodhohet nga vendimi i ngrirjes se financimit nga Administrata e re e Presidentit Trump apo çdo nevojë tjetër që mund të ndodhë për shumë arsye. Ndërkohë në lidhje me këtë vendim surprizë që ka ndërmarrë Kabineti i z Trump, qeveria shqiptare mund dhe të përdorë simbolikisht reciprocitetin, si një instrument simbolik.

Pra kush mendon se SPAK-u do të ndalet gabon. Të gjitha mundësitë për të zhbërë ecurinë e proceseve gjyqësore për shkaqe të mungesës financiere janë thuajse zero, vetëm nëse do ndodhemi para një skenari ku politika dhe krimi organizuar dakordësohet dhe rakordohet që SPAK-u të bllokohet. Gjithsesi nuk duhet përjashtuar si mundësi dhe mund të ndodhë, jetojmë në Shqipëri ku asgjë nuk është çudi.

Pa’qartësia e Arben Ahmetajt!

28 January 2025 at 11:49

Nga Denis Dyrnaja

Ish zv/kryeministri në arrati Arben Ahmetaj doli për të tretën herë në një intervistë televizive për të rrëfyer fakte që implikojnë sipas tij, Kryeministrin dhe anëtarë apo ish anëtare të qeverisë në kompromentime me detyrën. Sigurisht që është i dukshëm dhe i kuptueshëm dufi i akumuluar ndaj bashkësisë ku Ahmetaj bëri pjesë si njeri i angazhuar politikisht por edhe administrativisht pra në PS, pas ditës kur SPAK-u nisi procedimin penal ndaj tij. Ahmetaj rrëfen për episode ku ai pretendon se ka qenë dëshmitar apo aktor në rolin e tij si ish ministër financash apo ish zv/kryeministër.

Çështja e vërtetësisë së tyre mbetet e prezumuar, pra derisa është e pavërtetuar ligjërisht mbetet një denoncim publik, por që shoqërohet me pikëpyetjet e veta derisa të ketë një hetim shterues dhe vendim gjyqësor të çdo denoncimi prej tij. Psh ish zv kryeministri përmendi një rast ku Kryeministri Rama ka kërkuar të japë me koncension borxhin publik të shtetit tek një mik i tij izraelit dhe se në cilësinë e Ministrit të Financave kishte refuzuar që kjo të ndodhte duke i argumentuar Ramës se kishte dyshime për pasojat që mund të prodhonte kjo vendimmarrje. Dhe në fakt vendimmarrja nuk ka ndodhur.

Tani fakti që kjo aferë nuk ka ndodhur tregon se në fakt Rama në këtë rast ka bërë një propozim dhe është tërhequr duke pranuar arsyet e një anëtari të qeverisë që në këtë rast i bie të ishte zoti Ahmetaj. Pra praktikisht e bën përgjegjës Kryeministrin ky propozim i pakryer? Sigurisht që jo. Ai këtë detyrë ka të orientojë politikisht zgjidhje dhe opsione. Stafit dhe bashkëpunëtorëve të tij i takon ta këshillojnë për t’i treguar çfarë është e ndaluar dhe çfarë është e lejuar nga ligji.

Pra shkelja e ligjit nuk ka ndodhur, por edhe nëse supozohet se ka ndodhur, a merr përgjegjësi vetë Ahmetaj që nuk e kallëzoi këtë shkelje të ligjit në kohë?! Pra ndërsa ndjek rrëfimin e ngjarjeve që shpalos ish zv/kryeministri bie në sy qartësia e paqartësisë së tij se cili është qëllimi?Që kryeministri dhe një grup bashkëpunëtorësh të tij kanë kryer shkelje dhe Arben Ahmetaj jo?! Që të gjithë kanë kryer shkelje dhe o shkojnë të gjithë para drejtësisë ose asnjëri?! Apo unë do të vazhdoj të flas derisa represioni gjyqësor dhe penal ndaj meje nuk do të ndalet nga regjia politike e kryeministrit, që Ahmetaj beson dhe ka bindjen se komandon përmes SPAK-ut dhe Gjykatës Speciale GJKKO.

Pra mbetet e paqartë çfarë po kërkon Arben Ahmetaj sot dhe çfarë misioni ka ai kur iu drejtohet shqiptarëve? Të shpëtojë veten si i penduar, të shfajësojë veten duke pretenduar se gjithçka në veprimtarinë e tij politike dhe publike është e pastër apo koka e turkut nuk mund të jem vetëm unë. Nëse po i dërgon mesazh Ramës të ndalë SPAK-un kjo dukshëm nuk do ndodhë së pari se edhe nëse Rama e kontrollon Prokurorinë dhe gjyqësorin do ta kishte bërë këtë që Ahmetaj po kërkon në këmbim të heshtjes së tij dhe së dyti nëse ka kontroll mbi gjyqësorin nuk do kishte marrë kaq shumë kosto politike sa po merr sidomos para zgjedhjeve me gjithë këto afera që përfliten në publik por edhe ato që janë në hetim dhe pse duken si hetime të ngadalshme pse të pjesshme.

Sigurisht pas deklarimeve të Ahmetajt SPAK-u ka për detyrë të nisë procedime kryesisht për të vërtetuar gjithçka Ahmetaj thotë e pretendon, por kjo nuk e lehtëson pozitën e tij, por thjeshtë rëndon pozitën e kolegëve të tij dhe vartësve të Ramës.

Ndaj Ahmetaj foli qartë për disa çështje ku ai del si denoncues por la të paqartë rolin e tij nëse është fajtor i penduar, apo i pafajshëm dhe i diskriminuar.

Fama kërkohet në Big Brother, jo në spitale!

16 January 2025 at 09:57

Nga Denis Dyrnjaja

Osmani Stafa është një gazetar që ndjek çështje me karakter problematik në shëndetësi. Duke qenë se rrjetet sociale ofrojnë dinamikë të zhvillimeve dhe raportimeve, Osmani shfaqet në mënyrë periodike me probleme që pikas në rrjetin spitalor. Duke qenë se shëndeti është një faktor shumë delikat në jetën e çdo personi apo familjeje, natyrisht edhe ndjeshmëria dhe vëmendja është më e rritur kur bëhet fjalë për raste problematike.

Këtë gjë me intuitë Osmani e ka kapur dhe here pas here bën denoncime të bujshme të rasteve që krijojnë sensacion në publik. Po çfarë mund të krijojë më shumë sensacion në shëndetësi? Nëse do të prekësh ndjeshmëritë njerëzore atëherë mendja të shkon te fëmijët, të sëmurët me kancer, ose raste apo raste incidencash që ndodhin fatalisht në shëndetësi, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën.

Ka plot raste mortaliteti të papritur për pacientë për të cilët nuk shkon gjithçka mirë në procedurat mjekësore dhe për këto raste kërkohet një ekspertizë e specializuar për të kuptuar shkaqet dhe nuk flitet me kompetencë faktike duke adresuar akuza të tipit po te ishte kjo pajisja ky pacient nuk do kishte vdekur, pa referuar se kush doli në këtë konkluzion, pa dhënë emra mjekësh apo specialistësh të cilët mbajnë përgjegjësi nëse spekulojnë sikurse duket përgjithësimi, sikurse thanë mjekët nëse do ishte kjo aparaturë jeta e pacientit shpëtohej. Kush mjekë? Kush autoritet? Ka emra dhe përgjegjësi se po flitet për shëndet njerëzish jo delesh.

E kështu pikërisht në këto 3 elementë ka ndërtuar strategjinë e tij raportuese gazetari Osman Stafa, duke nxjerrë nga konteksti raste specifike dhe duke i referuar ato si përgjithësime. Psh ja si është gjendja në spitalet tona dhe del një foto episodike që në fakt nuk përfaqëson realitetin e përgjithshëm, por krijon perceptimin se vërtetë gjendja është e tillë, e rëndë dhe tronditëse. Shtoi këtu edhe mbivendosjen emotive të vetë gazetarit në raportim dhe tabloja e “skandalit” bëhet e plotë, e rëndë dhe e besueshme për ata që ndjekin një ngjarje të nxjerrë nga konteksti dhe të interpretuar plot pathos, emotivitet, ton akuzator, gati gati prej prokurori në pretencë.

Kështu në këtë mënyrë gazetaria e skupit mund të gjejë pa fund për të ushqyer moralin populist dhe poktikën shterpë që bën teatër edhe me vdekjen po qe rasti për të kërkuar vëmendje. Tani t’i kthehemi për pak fakteve dhe profesionit. Personalisht jam një individ që më ka lidhur fati të jem prezent në mënyrë të vazhdueshme në spitale për shkak të familjarëve të mi, që kanë patur dhe vijojnë të kenë probleme me diagnoza të ndryshme, madje edhe të rënda që nga kanceri, infarktet etj. Pra këto që do përshkruaj nuk i kam me të dëgjuar por me të parë e jetuar.

Kam takuar në spitale mjekë dhe infermierë të përkushtuar dhe më ka rrethuar vëmendja dhe kujdesi i tyre pa ua kërkuar. Kam gjetur spitale me kushte shumë të mira e bashkëkohore, sikurse kam parë edhe spitale që presin rinovimin pasi nuk përmbushin standardet e spitaleve të rinj. Kam menduar se kam qenë i privilegjuar, për shkak të statusit të personit publik, por në fakt të njëjtën empati kam parë se stafet mjekësore kanë shfaqur edhe për të sëmurët e tjerë. Ndërkohë kam parë e dëgjuar me sytë e mi, familjarë pacientësh që iu drejtohen infermierëve dhe mjekëve si të ishin skllevër dhe kam parë limitet e durimit të tyre që duhet të përballen me lloj lloj paedukatësie për të ruajtur etikën.

Mos harroni se edhe mjekët dhe infermierët janë njerëz si ne, prej mishi, gjaku e nervash dhe durimi i tyre nuk është i palimituar. Kam parë njerëz që kërkojnë t’iu japim lekë, pa iu kërkuar askush asgjë dhe kam parë edhe mjekë e infermierë që kanë refuzuar të marrin ryshfet. Po kam qenë kurioz të di çfarë ndodh realisht dhe kam patur një “sy fshehur” për të zbuluar a është vërtet masiv degjenerimi në shëndetësi apo është më shumë një fryrje dhe tallagjarëri gazetareske. Rezulton më shumë se është kjo e dyta. Kam dëgjuar plot legjenda aty nëpër pavijone spitali, që ky merr kaq e ai merr aq lekë, por vetë nuk arrita dot të provoj asnjë rast se do t’i denoncoja a publikoja.

Nuk po them se fenomene e probleme nuk ka apo nuk u ekzistojnë, por ato nuk mund ta rrëzojnë të gjithë punën dhe të bëjnë pis tërë sistemin shëndetësor. Pra denoncimet e rasteve problemore duhen inkurajuar të vazhdojnë por të mbështeten në prova dhe në më shumë se një burim informues i cili nuk mund të jetë anonim nëse vërtetë është burim serioz, jo si thashetheme korridodesh. Pra nëse qasja e gazetarit është raportimi i njëanshëm, atëherë bie vërtetësia e lajmit dhe vetë lajmsit. E di që do më thotë shumëkush, po nuk të prek njeri me dorë nëse nuk jep lekë kur shkon në spital. Atëherë po ju flas me fakte jo me fjalë. Janë me dhjetëra në mos qindra urgjencat që shkojnë në një ditë të vetme në QSUT.

Dhe ai staf mjekësh dhe infermierësh janë vërtet të jashtëzakonshëm dhe nuk kanë as kohë as mundësi të rrinë të merren me ryshfet. A nëse ja fusin lekun të xhepi me stil a më zor mjeku duhet të bëjë luftë me pacientin apo të afërmit e tij?! Ata punojnë, veprojnë dhe ekzistojnë në një presion ekstrem. Iu duhet të merren njëkohësisht edhe me të sëmurin edhe me dhjetëra familjarë që të gjithë kërkojnë të jenë të parët në radhë, të shërbehen të parët dhe të mbarojnë punë të parët. Ndërkohë që stafi mjekësor është ai që është dhe aq sa është dhe s’mund të jenë në 5,10 apo 15 vende njëherësh. Në të gjithë botën njerëzit presin me radhë edhe pse shkojnë në urgjencë dhe janë mjekët ata që vendosin prioritetet. Sepse ata që vijnë në urgjencë kanë të njëjtin status, sikurse e thotë dhe vetë fjala URGJENCË, pra të gjithë kanë një problem emergjent të shëndetit. Kështu është situata kudo në spitale nëse do kërkosh të zezën do ta gjesh edhe atje ku ajo nuk është. Pra a është çdo gjë e zezë?! Unë them se jo. A duhet nxirë çdo gjë?! Sërish them se jo. A ka probleme në spitale e stafet spitalore?! Unë them se po. A janë në dominancë apo minorancë?! Them se janë në minorancë. A ka vend për përmirësim?! Absolutisht që po. A duhet përmirësuar situata e kushteve, mjeteve dhe aparaturave spitalore?! Sigurisht që po. Pra a është e gjithë situata një tmerr sikurse raportohet në mënyrë spekulative në spitale?! Unë them se jo.

Madje është e kundërta. Dinamika spitalore është me kolore. Ka pavijone e spitale shembuj, sikurse ka edhe të tjerë që lënë për të dëshiruar, por varet shumë dhe se kush drejton dhe si i menaxhon. Po duhet thënë dhr është pranuar se në Spitalin Onkologjik ka dhe mund të ketë probleme edhe aktualisht, edhe pas 5 apo 20 vjetësh, por ato nuk janë probleme masive, dominante dhe të përhershme. Janë episode që për shkak të ndjeshmërisë shumëzohen e bëhen tërkuzë, për skupe publike e për famë mediatike. Gjithnjë flitet për fatalitetin, por asnjëherë për suksesin dhe triumfin e pacientëve që shërohen e jetëve që shpëtohen. Një pjesë e rasteve problematike fryhen edhe nga brenda stafeve mjekësore, që për luftën brenda llojit apo për ushqim politik e propagandistik, përcjellin në media përmes individësh si Osman Stafa, episode të ndryshme për të krijuar idenë se gjendja në spitale është dramatike për të mos thënë kataklizmike.

Në fakt përgjigjja janë me mijëra qytetarë që marrin shërbim spitalor ditor, javor apo mujor ku vijnë me probleme nga më të thjeshtat e deri më komplekset e rikthehen në jetën e zakonshme me vitalitetin e mëparshëm. Në spitale nuk mungojnë ilaçet dhe këtë e kam të provuar jo me te dëgjuar. Ka vizita mjekësore, medikamente, shërbime ambulatore, ushqim dhe shërbim sanitar në mënyrë të pandërprerë 24/7 me një kualitet mbi mesatar. Përse nuk raportohet në media sa të sëmurë shërohen, sa jetë shpëtohen, sa të tjerë diagnostikohen dhe sa sëmundje parandalohen. Jo ne na intereson zhurma dhe përgjithësimi.

Na intereson protagonizmi i panevojshëm. Nëse pikas një problematikë nuk është gjithnjë zgjidhja të bërtasësh, por është edhe të bashkëveprosh për ta korrigjuar. Panikosja e publikut nuk e zgjidh por e ndërlikon situatën. Nëse do t’i shërbesh se mirës bashkëpuno për të zgjidhur një problem, mos bërtit në mënyrë populiste për të fituar vëmendje. Në këtë rast nuk fiton as spitali, as qeveria, as pacienti as shëndetësia, fiton vetëm histeria. Me shëndetësinë dhe ushtrinë nuk bëhen kurrë lojëra dhe propagandë politike, aq më shumë propagandë personale për famë publike, sepse dëmi që shkakton është mijëra herë më i madh se dëmi se mendon se korrigjon.

Rama një “reaktor bërthamor”, lufta në zgjedhje për vendin e dytë

11 January 2025 at 16:30

Nga Denis Dyrnjaja

Sot jemi ekzaktësisht 4 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme politike që do të zhvillohen më 11 maj. Çfarë kemi praktikisht në menunë politike. Dy partitë tradicionale prej të cilave, njëra është në përmbyllje të mandatit të tretë qeverisës dhe kërkon të marrë mandatin e katërt. Kjo është PS e drejtuar nga Edi Rama, e cila që nga viti 2017 qeveris vendin e vetme.

Partia tjetër tradicionale është ajo më e madhja në opozitë e cila që nga 2013 ka njohur vetëm dështime elektorale dhe për më tepër është ekspozuar ndaj një beteje të brendshme për kontrollin e drejtimit të saj politik, pas shpalljes nom grata të liderit të saj historik Sali Berisha. Ky i fundit është mësuar nga eksperienca e së shkarës që pasi prek fundin, të synojë majën, pra pushtetin.

Berisha ka qenë dy herë President dhe përfundoi në 1997-ën i izoluar ndërkombëtarisht dhe politikisht brenda vendit, por arriti të rikuperojë imazhin dhe të vijë në pushtet në vitin 2005 duke larguar qeverinë e Fatos Nanos. Pas 8 vitesh si kryeministër, Berisha prek sërish fundin politik pas asaj disfate zgjedhore në vitin 2013. Imazhi i qeverisjes së tij ishte rrënuar pas një serie skandalesh e ngjarjesh të rënda me bazë korrupsionin klanor e familjar.

Fillimisht tragjedia e Gërdecit me 26 të vrarë e më pas skandali i Bllokut korruptiv të Ilir Metës, që prodhoi krimin shtetëror të 21 janarit 2011, ku pas protestës së opozitës së kohës 4 qytetarë të pafajshëm u vranë përballë selisë së qeverisë nga garda e republikës. Berisha nuk shprehu kurrë pendesë për krimin shtetëror, madje në mënyrë figurative sfidoi opinionin publik e politik, duke thënë se nëse ngjarja përsëritej do të merrte dhe vetë një sniper per të shënjestruar dhe ekzekutuar liderin e opozitës në atë kohë, Edi Rama.

Në puçin e shtetit sikurse e quante Berisha 21 Janarin që solli fundin e pushtetit të tij pas dy vitesh pra në 2013-ën ai implikoi edhe Presidentin e Republikës Bamir Topi e Kryeprokuroren Ina Rama si dhe një grup gazetarësh prej të cilëve disa janë sot krah tij. Rrëpira politike e Berishës dhe PD kishte nisur pa kthim dhe ajo u ndal vetëm kur 1 milionë vota të shqiptarëve iu përplasën në fytyrë si shenjë revolte dhe neverie ndaj degradimit dhe arrogancës së pushtetit të kohës. Sot pas 12 vjetësh në opozitë, Berisha kërkon rikthimin e tretë, në të 80 e moshës së tij biologjike, me shpresën se kur mrekullia ndodhi pas 97, mund të ndodhë edhe pas 1 milionë shuplakave elektorale të 2013-ës. Por përballë doktorit plak, i fiksuar pas pushtetit ka një “reaktor bërthamor” në kontekstin e energjisë politike, sikurse është Edi Rama si politikan, por ka edhe një forcë politike si PS, e organizuar në mënyrë kapilare dhe perfekte jo vetëm në territorin e Shqipërisë por edhe në diasporë.

Berisha mendon se skandalet e shtriva gjatë një qeverisjeje 12 vjeçare të socialistëve e kanë rrënuar popullaritetin e Ramës, por sondazhet tregojnë krejt të kundërtën. Dhe e kundërta thotë se shqiptarët nuk janë gati t’i besojnë sërish atij pushtetin kur përqark vetes ka personazhe të pavotuar, të konsumuar dhe që nuk prodhojnë besueshmëri në publik.

Gjithsesi përtej sondazheve dita e zgjedhjeve do të jetë ajo që do të tregojë realitetin dhe pse Berisha ka shpallur sloganin ‘Është radha jonë,’, a thua se pushteti është çështje radhe një burrë një grua dhe jo çështje bindjesh dhe besimi që votuesit delegojnë. Por kjo është zgjedhje e tij dhe suksesi apo dështimi është po meritë e tij. Ndërkaq në mëkaton politike, janë shfaqur edhe lëvizje të tjera politike që deri tani janë kryesisht më shumë realitete mediatike sesa faktike. Dhe pse kanë gati 10 vjet ekzistencë, këto parti me kryetar të vetemëruar, nuk dimë nëse bëjnë zgjedhje brenda tyre, kanë struktura apo organe drejtuese, si kryesi apo këshilla kombëtare dhe nëse kanë kur mblidhen çfarë vendimarrjeje kanë bërë . Dhe këto parti të reja që pretendojnë të bëjnë ndryshimin l, ende nuk kanë dhënë prova të funksionimit të demokracisë brenda tyre.

Pra janë parti personazhesh, jo parti klasike ndaj prova e tyre në zgjedhje bëhet edhe më e vështirë edhe pse perceptimi që ato kanë për veten, ka rritur pritshmëritë e një rezultati befasues në zgjedhjet e 11 majit.

Ndërkohë në sprovë të madhe është edhe Partia e Lirisë një forcë politike mbi 20 vjeçare që tani i duhet të sfidojë ekzistencën e saj pas këtyre zgjedhjeve me një drejtuesin e saj Ilir Meta që ndodhet në burg i akuzuar për disa çështje që e implikojnë në disa vepra penale. E thënë ky realitet me të cilin duhet të përballet Ilir Meta, një faktor tjetër që duket se mund të bëjë të paparashikueshme zhvillimet dhe rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, është edhe veprimi i drejtësisë, e cila ka në proces disa nga personazhet kryesor të jetës politike kryesisht të dy partive tradicionale.

Duke llogaritur që mes dy garuesve kryesorë në zgjedhje Ramës dhe Berishës, probleme me drejtësinë ka ky i dyti duket se avantazhi elektoral shkon për mazhorancën aktuale e cila përtej gjithë kostove të krijuara nga individë brenda saj të kapur nga rrjeta e drejtësisë, favorizohet nga intuita pragmatiste që elektorati ka në raport me ofertat politike. Ndaj duket se si do që të vijnë rrethanat dhe çfarë do efektesh të prodhojë drejtësia, beteja duket se e gjithë beteja zgjedhore do të luhet për vendin e dytë, të paktën edhe për këtë mandat qeverisës.

❌
❌