Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 August 2025Main stream

Një hartë probabilitare e rrezikut për zjarre

14 August 2025 at 09:45

Nga Eduard Zaloshnja

Në 35 vjetët e fundit, mirëmbajtja e pyjeve është pak të thuhet se është neglizhuar. Dhe ndoshta do të duhet të kalojnë 35 vjet të tjera që mirëmbajtja e pyjeve në Shqipëri të rikthehet në nivelin e para 35 viteve. (Shënim: Dizertacionin për të marrë gradën Kandidat Shkencash e shkruajta për modelet probabilitare të mbrojtjes së pyjeve më 1990, por nuk e mbrojta ngaqë u përfshiva në lëvizjen për rrëzimin e regjimit komunist).

Në kushtet aktuale, kur ngrohja globale po e rrit probabilitetin e zjarreve, kur mirëmbajta e pyjeve ka degraduar rëndë, dhe kur ndërgjegjia komunitare për ruajtjen e fshatrave është bjerrë, i takon Ministrisë së Mbrojtjes të ngrejë një grup pune për hartimin e një harte probabilitare të rrezikut të zjarreve.

Wshtë një detyrë e vështirë për një vend, ku pothuaj 80% e terrenit është kodrinor-malor dhe i mbuluar më shkurre e pyje. Por një kordinim mes Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Brendshme, dhe Shërbimit Metereologjik mund të prodhojë një hartë probabilitare të rrezikut të zjarreve për sezonin e ardhshëm. Që do të shërbente për një planifikim paraprak të aksioneve anti-zjarr, para se zjarret të shfaqen në beharin e ardhshëm.

Sa për përmirësimin e mirëmbajtjes së pyjeve, qeveria duhet të fillojë të mendojë qysh sot, që të mos duhet të kalojnë 35 vjet për të arritur atë nivel mirëmbajtje pyjesh që kishim para 35 vjetësh…

The post Një hartë probabilitare e rrezikut për zjarre first appeared on JavaNews.al.

Yesterday — 13 August 2025Main stream

Është rritur efikasiteti i karburantit apo… evazioni në dogana?

13 August 2025 at 08:37

Nga Eduard Zaloshnja

Nga të dhënat zyrtare  rezulton se numri i automjeteve të regjistruara me targa shqiptare është trefishuar në dy dekadat e fundit. Ndërkohë, sasia e karburantit të zhdoganuar është rritur vetëm 30%…

Mesatarisht një automjet aktiv më 2005 konsumoi rreth 1450 litra karburant në vit. Ndërsa sot sasia e karburantit të konsumuar mesatarisht nga një automjet aktiv është përtej përgjysmuar – ka zbritur në rreth 630 litra karburant në vit (630 milionë litra të zhdoganuara janë konsumuar nga 1 milion automjete aktive).

Në qoftë se të dhënat zyrtare janë të sakta dhe nuk ka patur evazion fiskal në dogana, i bie që ose është dyfishuar efikasiteti i përdorimit të karburantit, ose janë përgjysmuar kilometrat e përshkuara  mesatarisht nga çdo automjet.

Në fakt, të dyja këto hipoteza nuk qendrojnë.

Së pari, është e vërtetë që përmirsimet në cilësinë e karburantit dhe në cilësinë e automjeteve sjellin rritje të efikasitetit në konsumin e karburantit. Por edhe vendet më të përparuara nuk kanë arritur të kenë rritje të efikasitetit më shumë se 10% përgjatë dy dekadave. Ndërsa ne e paskemi dyfishuar efikasitetin e përdorimit të karburantit brenda dy dekadave!!!

Së dyti, kilometrat e përshkuara mesatarisht nga një automjet aktiv nuk kanë si të jenë përgjysmuar, krahasuar me vitin 2005. Gjatë kësaj kohe janë shtuar dhe përmirësur ndjeshëm rrugët në mbarë Shqipërinë, e si rrjedhim janë shtuar ndjeshëm udhëtimet turistike brenda vendit si në verë edhe në dimër (numri i dhomave të hoteleve është trefishuar në gjithë vendin).

Krahasuar me 2005-ën, automjetet mund të kenë përshkuar mesatarisht më shumë kilometra, e jo t’i kenë përgjysmuar ato…

Analiza e mësipërme na çon tek shtegu më i mundshëm: evazoioni fiskal në dogana.

Për të furnizuar 1 milion automjetet aktive nevojitet shumë më tepër karburant se sa zhdoganohet. Se sa më tepër nuk mund të matet me saktësi, sepse duhen të dhëna të hollësishme mbi markat dhe vjetërsinë e automjeteve, si dhe mbi kilometrat e përshkuara nga to.

 

 

The post Është rritur efikasiteti i karburantit apo… evazioni në dogana? first appeared on JavaNews.al.

Before yesterdayMain stream

Aksidentet rrugore janë ulur 16%, por vdekjet e motoçiklistëve/këmbësorëve/biçiklistëve janë rritur 200%

11 August 2025 at 10:17

Nga Eduard Zaloshnja

Në-mujorin e parë të këtij viti u regjistruan vetëm 768 aksidente rrugore, nga 913 që u regjistruan vjet në të njëjtën periudhë. Pra aksidentet rrugore u pakësuan plot 16%.

Me pakësimin e aksidenteve rrugore, pritej që edhe vdekjet rrugore të pakësoheshin. Por ndodhi e kundërta, ato u shtuan – ishin 116 në 7-mujorin e parë të këtij viti.

Dhe 2/3 e vdekjeve rrugore ishin ndër motoçiklistët/kalimtarët/biçiklistët. Pa këtë njollë të zezë vdekshmërie, rrugët e Shqipërisë do të ishin më të sigurta se masatarja e BE-së në treguesin e vdekjeve për 100 mijë automjete në qarkullim.

Ky është një problem që duhet adresuar me ndryshime ligjore nga Kuvendi i Shqipërisë, fushatë sensibilizimi nga Ministria e Brendshme, dhe fushatë ndëshkimi nga Policia e shtetit!

The post Aksidentet rrugore janë ulur 16%, por vdekjet e motoçiklistëve/këmbësorëve/biçiklistëve janë rritur 200% first appeared on JavaNews.al.

A do të ripushtohen hapësirat e çliruara publike?

10 August 2025 at 10:48

Nga Eduard Zaloshnja

“A mendoni se hapësirat publike që po çlirohen do të ripushtohen me kalimin e kohës?” — kjo ishte pyetja kryesore e pyetësorit, linkun e të cilit e shpërndava me 2000 sms krejt të rastësishme në gjithë territorin e vendit.

Wshtë një pyetje legjitime të bëhet në prag të Rilindjes Urbane 2.0, ngaqë hapësirat publike u ripushtuan pas Rilindjes Urbane 1.0.

Por duket se besimi tek vendosmëria e Ramës për suksesin e Rilindjes Urbane 2.0 është i lartë, pavarësisht zhbjerrjes se versionit 1.0.

Kështu, plot 70% e të anketuarve mendojnë se nuk do ketë më ripushtim të hapësirave publike të çliruara. Vetëm 26% mendojnë se do ketë një ripushtim (pothuaj krejtësisht votues opozitarë). Kurse 4% janë të dyzuar (përqindjet i kam rrumbullakosur për lehtësi leximi).

Fakti që 70% e shqiptarëve të këtushëm besojnë në vendosmërinë e Ramës për t’i disiplinuar hapësirat publike i var atij mbi shpinë një barrë të rëndë politke. Të paktën deri më 2030, nuk duhet të lindë nevoja për një Rilindje Urbane 3.0…

The post A do të ripushtohen hapësirat e çliruara publike? first appeared on JavaNews.al.

Banka e Shqipërisë mund të sigurojë rezervë valutore për 12 muaj importe

9 August 2025 at 09:54

Nga Eduard Zaloshnja

Aktualisht rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë e ka kaluar shifrën 6 miliardë Euro. Me një rezervë të tillë mund të mbulohen të gjitha importet e rreth 8.5 muajve, në rast të një situate emergjente. (Në fakt, rezerva valutore mbahet edhe për raste emergjente të pagesave fiskale në valutë ose të tronditjeve të forta në tregun valutor, por në literaturën ekonomike muajt e importeve përdoren si tregues kryesor.)

Suvjet Banka e Shqipërisë mund të blejë valutë në tregun shqiptar valutor me kosto më të ulët se në vitet e mëparshme. Aktualisht në tregun e lirë valutor 1 Euro mund të blihet me vetëm 96,5 lekë (kursi më i ulët qysh nga krijimi i euros); 1 Dollar mund të blihet me vetëm 83 lekë (kursi më i ulët në dekadën e fundit); 1 Pound mund të blihet me 112 lekë (kursi më i ulët historik); 1 Frangë Sviceriane mund të blihet me 103 lekë (kursi më i ulët në dekadën e fundit).

Në qoftë se llogaritet një mesatare e thjeshtë arithmetike e kursit të këmbimit të katër valutave kryesore në tregun shqiptar, kursi i këmbimit rezulton sot 1 me 100.5. Ndërsa në qoftë se llogaritet një mesatare e ponderuar (bazuar në volumin e tregëtisë së jashtme), kursi i këmbimit rezulton sot 1 me 97,2 – kursi më i ulët historik!
Duke parë aktivet e shëndosha në bilancin e Bankës së Shqipërisë, mund të thuhet se ka vend për një fushatë të fuqishme blerjesh të valutës në tregun shqiptar nga ana e saj. Objektivi i një rezerve valutore që mund të mbulojë 12 muaj importe, është mëse i arritshëm në një situatë kaq të favorshme në tregun e brendshëm valutor.

Një rezervë e tillë do të ishte një parapritë e mirë për çdo emergjencë valutore-financiare në të ardhmen.
Ndërkohë, një fushatë e tillë do ta stabilizonte kursin euro- lek në nivelin 1 me 100. Një kurs që do të ndihmonte gjthë industrinë e turizmit dhe eksportuesit shqiptarë, që punësojnë dhjetra mijëra shtetas me të ardhura të ulta

The post Banka e Shqipërisë mund të sigurojë rezervë valutore për 12 muaj importe first appeared on JavaNews.al.

Muri elektoral 800-mijësh i Ramës ka themele 84-vjeçare

8 August 2025 at 11:00

Nga Eduard Zaloshnja

Berisha deklaroi dje se Rama përdori gjysëm miliard euro nga paratë publike për të marrë votat që mori më 11 maj.

Por koalicioni i Ramës më 2009 (kur ishte në opozitë) mori po kaq vota sa mori brenda vendit sivjet. Pra, votat që merr koalicioni i Ramës nuk varen shume nga qenia e tij në pushtet.

Po si mund te shpjegohet kjo qendrueshmëri elektorale?

Le ta fillojmë analizën me zgjedhjet e para pluraliste të marsit 1991.

Në ato zgjedhje, PPSH (paraardhësja e PSSH) mori 2/3 e votave, por u detyrua shpejt të pranonte zgjedhje të parakohëshme, ngaqë nuk e mbante dot më pushtetin 47-vjeçar.

Në zgjedhjet e parakohëshme (mars 1992), PSSH mori vetëm 1/3 e votave. Gjë që tregon se shumë nga anëtarët e familjeve që e kishin përkrahur për 47 vjet ishin zhgënjyer më së fundmi me të.

Por ata u zhgënjyen shpejt edhe me pushtetin e Berishës. Në referendumin e 1994, ku Berisha kërkoi personalisht votën e shqiptarëve për kushtetutën që donte ai, vetëm 41% votuan pro. Anëtarët e familjeve që kishin përkrahur PSSH në dekadat e mëparshme e abandonuan në masë Berishën…

Tragjedia e skemave piramidale e thelloi edhe më tepër ndarjen elektoratit shqiptar në dy pjesë – pakica që i mbeti besnike PD-së së Berishës dhe shumica që u grumbullua në sinorin e PSSH-së.

Qysh nga 1997-a e këtej elektorati i PSSH-së ka mbetur shumicë, pavarsisht përçarjeve Nano-Meta e Rama-Meta, që i dhanë mundësinë Berishës të qeveriste nga 2005 deri më 2013.

Nga 2013-ta e këtej, koalicioni i majtë i udhëhequr nga Rama është stabilizuar rreth 800 mijë votave, ndërkohë që koalicioni i PD-së është luhatur mes 470 mijë dhe 620 mijë votave. Më 11 maj mori vetëm 530 mijë vota (duke përfshirë edhe votat nga diaspora dhe votat e ish-LSI-së)

The post Muri elektoral 800-mijësh i Ramës ka themele 84-vjeçare first appeared on JavaNews.al.

Pogradeci mbetet mbreti i turizmit vendas

2 August 2025 at 10:27

Nga Eduard Zaloshnja

Pogradeci ofron diçka që asnjë destinacion turistik veror në Shqipëri nuk e ofron dot. Përbri plazhit ka një pedonale rreth 2.5 kilometra të gjatë.

Përbri pedonales, ka një lulishte pothuaj aq të gjatë. Dhe përbri lulishtes, ka një shëtitore diçka më të shkurtër (ku nuk lejohet qarkullimi i automjeteve pas orës 19).
Pogradeci ofron gjithashtu çmimet më të ulta për akomodim në hotele dhe apartamente private gjatë sezonit veror. Kurse çmimet për çadrat e plazhit dhe për ushqimet/pijet në bare e restorante nuk krahasohen me çmimet tejet të larta në plazhet e tjerë.

Thënë të gjitha këto, në pedonalen dhe shëtitoren e Pogradecit mbizotërojnë dialektet e Shqipërisë së Mesme dhe asaj Juglindore.

Shumë pak turistë të huaj duket se qendrojnë në Pogradec.

Moti jo fort i përshtatshëm për plazh në Pogradec në javët e fundit mund të ketë ndikuar për fluksin e turistëve të huaj. Por Bashkia Pogradec duhet të mendojë për një strategji afatgjatë të thithjes së turistëve të të gjitha dialekteve dhe gjuhëve

The post Pogradeci mbetet mbreti i turizmit vendas first appeared on JavaNews.al.

58.1% e duan rinovimin e mandatit për Dumanin, 53.3% e duan rinovimin për prokurorët e SPAK-ut

31 July 2025 at 14:34

Nga Eduard Zaloshnja

Më 19 dhjetor 2025, mandati i Altin Dumanit si drejtues i SPAK-ut përfundon juridikisht. Po çfarë mendojnë shqiptarët e thjeshtë për një rinovim të mandatit të tij pas dhjetorit? Për ta testuar këtë pyetje, zhvillova një sondazh të shpejtë, duke e shpërndarë linkun e pyetësorit me 2000 SMS krejt të rastësishme në të gjithë territorin e vendit.

Plot 58.1% e 1687 të anketuarve që e plotësuan pyetësorin e donin rinovimin e mandatit për Dumanin (shihni grafikun e mëposhtëm). Ndër 41.9% që nuk e donin rinovimin, shumica dërrmuese ishin votues të PD-ASHM dhe të PS (fare pak ishin votues të partive të tjera ose mosvotues)

Meqë prokurorëve të SPAK-ut në përgjithësi po u afrohet data e mbarimit të mandatit, futa në pyetësor edhe pytjen “A mendoni se prokurorëve të SPAK-ut duhet t’u jepet edhe një mandat tjetër pas 9 vjetësh në detyrë?”

Vetëm 53.3% e 1687 të anketuarve që e plotësuan pyetësorin e donin rinovimin e mandatit për prokurorët e SPAK-ut (shihni grafikun e mëposhtëm). Ndër 46.7% që nuk e donin rinovimin, shumica dërrmuese ishin votues të PD-ASHM dhe të PS. Por jo pak ishin votues të partive të vogla ose mosvotues.

The post 58.1% e duan rinovimin e mandatit për Dumanin, 53.3% e duan rinovimin për prokurorët e SPAK-ut first appeared on JavaNews.al.

“Orteku Murinjo” në turizmin shqiptar po ngadalësohet …

28 July 2025 at 13:17

Nga Eduard Zaloshnja

Më 2022 u regjistruan në Shqipëri 7.5 milionë hyrje me pasaporta të huaja (https://www.instat.gov.al/al/temat/industria-tregtia-dhe-sh%C3%ABrbimet/turizmi/#tab2 ) – një rritje prej 17.7%, krahasuar me vitin para pandemisë Covid-19. Në vitet në vijim, kjo rritje ka qenë galopante, duke arritur vjet rekordin 11.7 milionë hyrje me pasaporta të huaja, ose 82.6% më shumë se më 2019.

Po nga erdhi kjo rritje galopante e hyrjes me pasaporta të huaja në Shqipëri?

Qeveria shqiptare nuk ka financuar ndonjë fushatë publicitare në rrjetet televizive e internetore ndërkombëtare. As ka financuar reklama në stadiumet e famshme sportive (si për shembull reklama ‘Visit Rwanda’, që shfaqet në stadiumet e Premier League, etj.).

Për të kuptuar rritjen e popullaritet të Shqipërisë si destinacion turistik, duhet bërë një zhytje në internet, në kërkim të luahtjeve të shfaqjes së emrit Albania në të. Këtë lloj kërkimi më ndihmoi ta bëj specialist IT që më ndihmon për zhvillimin e sondazheve të mia.
Nga kërkimi i të gjitha faqeve në internet dhe i të gjitha rrjeteve sociale kudo në botë, na rezultoi se deri më 25 maj 2022, shfaqja e emrit Albania ishte minimale në sferën digjitale botërore. Por me fitoren e finales së Conference League në Tiranë nga Roma e Murinjos, shfaqja e emrit Albania pësoi një kërcim statistikor të habitshëm në sferën digjitale botërore.

Dy fjalë për “efektin Murinjo”

Kurrë nuk mund t’i shkonte ndër mend FSHF-së dhe qeverisë shqiptare (kur vendosën të ndërtonin Arenën Kombëtare “Air Albania”) se një ditë do të vinte në Tiranë të luante finalen e 5-të europiane traineri më i suksesshëm i finaleve, “The special One” Murinjo. E aq më tepër, që ai edhe do ta fitonte këtë finale. Një lajm ky që u shfaq në titujt e mediave (jo vetëm sportive) në mbi 150 vende të botës. Murinjo është një emër i njohur (brand name) botëror që e shumëfishoi vlerën promovuese të lajmeve mbi zhvillimin e finales së UEFA Conference League në Tiranë. Një bonus ekstra (falas) për punën e bërë nga FSHF-ja dhe qeveria shqiptare për sjelljen dhe organizimin e përsosur të asaj finaleje.

‘Orteku Murinjo’ po ngadalësohet…

Qysh kur filloi ‘Orteku Murinjo’, emri Albania në sferën digjitale botërore ka ruajtur një prezencë të kënaqshme për një vend të vogël, që ishte poshtë radarit ndërkombëtar digjital para pandemisë. Por ka shenja se ky ortek po ngadalësohet…

Në plazhin Durrës-Golem, më i gjati në vend (10 km) dhe me kapacitetet më të mëdha akomoduese për turistë, kanë filluar të mbizotërojnë ndjeshëm dialektet e gjuhës shqipe. Vjet mbizotëronin gjuhët e huaja…

Vjet operatorët turistikë raportonin se ishte shumë e vështirë të pronotoheshin dhoma në hotelet e plazhit Durrës-Golem. Kurse sivjet është shumë më e lehtë…

Edhe nëpër lokalet e plazhit Durrës-Golem, pronarët raportojnë se nuk ka gjasa ta kapin rekordin e xhiros së vjetshme…

Ç’duhet bërë në vijim?

Në një botë ku informacioni (pozitiv dhe negativ) lëviz me shpejtësinë e elektroneve, orteqet digjitale mund të mbarojnë aq shpejt sa fillojnë,. Që ‘Orteku Murinjo’ të vazhdojë gjatë, duhet që qeveria shqiptare dhe operatorët turistikë të bashkpunojnë për një strategji afatgjatë të zhvillimit të turizmit, ku të ndërthuret promovimi dhe përmirësimi i ofertës turistike të Shqipërisë.

The post “Orteku Murinjo” në turizmin shqiptar po ngadalësohet … first appeared on JavaNews.al.

Dështimi i Rithemelimit 1.0 dhe perspektiva e Rithemelimit 2.0

27 July 2025 at 13:45

Nga Eduard Zaloshnja

Politikanë dhe analistë rrotull Berishës po qarkullojnë në media idenë e një Rithemelimi 2.0, meqë Rithemelimi 1.0 i tij dështoi elektoralisht – koalicioni PD+LSI+PDIU+etj mori 200 mijë vota më pak se para katër vjetësh, anipse sivjet votuan edhe përkrahës opozitarë nga diaspora.

Në fakt, partitë përbërëse të koalicionit të udhëhequr aktualisht nga Berisha kanë regjistruar një trajektore elektorale ulëse nga 2017-a e këtej (shihni grafikun e mëposhtëm).

Kështu, PD+LSI+PDIU+etj morën së bashku plot 760 mijë vota më 2017, pasuar nga 730 mijë vota më 2021. Por më 2025 (pas Rithemelimit 1.0), ato regjistruan një firo dramatike, duke zbritur në 530 mijë vota.

Pas një analize të votave në mbi 5200 qendra votimi gjatë dekadës së fundit, ndërtova një model parashikimi statistikor për votat e mundshme të koalicionit PD+LSI+PDIU+etj më 2029 (dmth pas Rithemelimit 2.0). Dhe rezultoi se votat për të mund të zbresin edhe më poshtë se sivjet – diku tek 490 mijëshi…

The post Dështimi i Rithemelimit 1.0 dhe perspektiva e Rithemelimit 2.0 first appeared on JavaNews.al.

A do të kemi pas disa vitesh një Rilindje Urbane 3.0?

21 July 2025 at 09:17

Nga Eduard Zaloshnja

Para disa ditësh Rama deklaroi se do të kemi një Rilindje Urbane 2.0. Referenca lidhet me Rilindjen Urbane 1.0 të para 12 vjetëve…

Para 12 vitesh, pasi kishte fituar mandatin e tij të parë kryeministror, Rama shpalli programin e Rilindjes Urbane, që kishte dy komponentë: 1. Rregullimin dhe zbukurimin e qendrave të qyteteve; 2. Spastrimin e trotuarëve nga tavolinat/tezgat/tendat/çadrat/strukturat/kioskat pa leje apo me leje abuzive. Dhe pasi trotuarët u spastruan e qendrat urbane u zbukuruan, u përcaktuan kritere strikte se ku dhe sa përqind të trotuarëve mund të ziheshin nga bizneset në buzë të tyre.

Vijmë në ditët e sotme.

Pasi fitoi mandatin e tij të katërt kryeministror rradhazi, Rama konstatioi se trotuarët përsëri ishin zaptuar nga tavolinat/tezgat/tendat/çadrat/strukturat/kioskat pa leje apo me leje abuzive. Dhe duke filluar nga Lungomarja e tij e dashur (në Vlorë), ai urdhëroi një aksion spastrimi kombëtar, të ngjashëm me atë të 2013-ës.

Duke e kuptuar që kriteret strikte se ku dhe sa përqind të trotuarëve mund të ziheshin nga bizneset në buzë të tyre nuk ishin zbatuar nga zyrtarët lokalë të bashkive, Rama “kërkoi” dorheqjen masive të tyre, dhe ata iu bindën në masë “kërkesës” së tij. Ndërkohë, ai ka deklaruar se në shtator do të miratohet një paketë e re ligjore territoriale në Kuvend, e cila do të përcaktojë në mënyrë edhe më strikte se deri më sot kriteret e administrimit të territorit.

Rama ka dhënë pak detaje rreth paketës së re ligjore territoriale që do të miratohet në shtator. Por sido që të jetë, e sigurt është që ajo do të zbatohet!

Dhe pyetja që natyrshëm mund të shtrohet është: A do të vijë dita që pas disa vitesh të kemi nevojë për një Rilindje Urbane 3.0, pasi kjo Rilindja Urbane 2.0 dalëngadalë të harrohet?

 

The post A do të kemi pas disa vitesh një Rilindje Urbane 3.0? first appeared on JavaNews.al.

Rrënjët e rrumpallës së territorit: Ligji 7501 apo Berisha-92?

15 July 2025 at 12:24

Nga Eduard Zaloshnja

Deri në fund të vitit 1990, e gjithë toka e Republikës së Shqipërisë ishte pronë e shtetit – fakt juridik i konsakruar në kushtetutën komuniste të 1976-ës. Por kur lindi Pratia Demokratike (më dhjetor 1990), një nga pikat kryesore të programit të saj ishte pikërisht privatizimi i tokës.

Dhe kur Partia Demokratike u përball me Partinë e Punës (komuniste) në zgjedhjet e para pluraliste (31 mars 1991), çështja e pronësisë së tokës ishte nga më të debatuarat. Dhe atë debat e “fitoi” Partia e Punës (komuniste), që kishte si kandidatë për deputetë kryetarë komunistë kooperativash bujqësore (të cilët ishin të intersuar personalisht të ruhej pronësia shtetërore e tokave dhe kryetarllëku i tyre).

Përballë kandidatëve të tillë, ne kandidatët demokratë nuk kishin asnjë shans të fitonim. Si rrjedhojë, në zgjedhjet e1991-shit, Partia e Punës (Komuniste) mori 170 mandate (pothuaj të gjitha rurale), ndërsa ne të opozitës morëm vetëm 80 mandate (pothuaj të gjitha urbane).

Dhe kur analizuam humbjen e zgjedhjeve, arritëm në përfundimin se pa shpërndarë tokat e koperativave bujqësore tek antëtarët e tyre, ne nuk kishim shans të vinim ndonjëherë në pushtet (2/3 e popullsisë banonte në fshatra atëherë). Dhe u përbetuam unanimisht se kur të vinim në pushtet, ligji i parë që do të kalonim në Kuvend do të ishte ai i kompensimit të pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist.

Qeveria e Partisë së Punës (komuniste) dha shpejt dorëheqjen dhe u krijua Qeveria e Stabilitetit, me përfaqësues të të gjitha partive. Një nga pikat kryesore të programit të saj (të imponuar nga PD-ja) ishte shpërbërja e kooperativave bujqësore. Dhe kjo pikë e programit u realizua më 19 korrik 1991, me miratimin në Kuvend të Ligjit 7501, sipas të cilit toka e kooperativave bujqësore iu dha anëtarëve të tyre.

Pas shpërbërjes së kooperativave bujqësore, ne i fituam në mënyrë plebishitare zgjedhjet e parakohëshme të 1992-shit (si në qytete, edhe në fshatra). Koalicioni i PD-së siguroi 2/3 e votave në parlament, mëse të mjaftueshme për të kaluar ligjin e shumëpritur për kompensimin e pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist!

Rasti e solli që profesori im në Virginia Tech (ku kisha shkuar për studime pasuniversitare) dhe një koleg i tij të ishin ekspertë të ligjeve për kompensimin e pronarëve të shpronësuar nga shtete të ndryshme në botë. Dhe kur u tregova për zhvillimet e mësipërme, ata shprehën interes dhe erdhën me mua në Tiranë për të takuar Berishën, që sapo ishte zgjedhur President i Republikës.

Në atë takim ata i prezantuan Berishës një skicë-projekt që konsistonte në këto pika kryesore:

  • Nga 700 mijë hektarë tokë bujqësore, vetëm 350 mijë hektarë kishin patur pronarë privatë në vitin 1944. Kështu, 350 mijë hektarët e tjerë (në pronësi të shtetit) mund të përdoreshin për kompensim fizik të pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist në bazë të disa koeficientëve konvertimi.
  • Pronarëve të truajve urbanë duhej t’u ktheheshin ato, ku nuk ishin të zëna nga ndërtime të kryera pas vitit 1944. Ndërsa për truajt e zëna, duheshin kompensuar fizikisht pronarët e shpronësuar nga regjimi komunist në bazë të disa koeficientëve konvertimi.
  • I gjithë procesi i kompensimit fizik duhej të mbyllej brenda dy vjetësh me konsulencë dhe financim të fuqishëm nga USAID-i, dhe në përfundim të tij, çdo metër tokë në territorin e Shqipërisë duhet të kishte një titull pronësie (privat apo shtetëror).
  • Deri sa të përfundohej procesi i kompensimit, duhej vendosur një moratorium për mosdhënien e lejeve të ndërtimit, të cilat duhej të jepeshin më pas vetëm në bazë të planeve të zhvillimit në secilën bashki e komunë të vendit.

Pasi dëgjoi prezantimin e mysafirëve amerikanë, Berisha tha me një ton solemn: “Tokat shtetërore janë të përqendruara në bregdet, por malsorët shqiptarë e kanë patur ëndërr shekullore të zbresin në bregdet. Këtë ëndërr ua pengoi regjimi i Enver Hoxhës, dhe ne tani nuk mund t’u bëhemi pengesë”. Dhe pas disa fjalive të përgjithshme kortezie, ai na përcolli…

Kur dolëm nga zyra, profesori im më pyeti për origjinën e Berishës dhe unë iu përgjigja se është nga malësia. “Kot na solle deri në Tiranë, sepse ai do që përkrahësit e tij të vijnë në bregdet,” më tha profesori i zhgënjyer nga takimi…

Se si janë zhvilluar ngjarjet rreth pronësisë së tokës dhe ndërtimet mbi të i di i madh e i vogël në Shqipëri. Vlen të theksohet se vetëm dy vjet pas atij takimi me Berishën, pronarët e shpronësuar nga regjimi komunist u futën në grevë urie, nga e cila ai i nxorri me forcat speciale të policisë. Dhe e gjithë Ultësira Perëndimore u mbush me ndërtime kaotike sipas parimit “tokë e xanun”.

Rama ka deklaruar se (më së fundi) më 2028, çdo metër tokë në territorin e Shqipërisë do të ketë një titull pronësie (privat apo shtetëror). Por duhej të ishte bërë qysh në vitin 1994 kjo gjë kaq e rëndësishme për zhvillimin normal të territorit (me konsulencë dhe financim të fuqishëm nga USAID-i). Siç i propozuam atëherë Berishës…

The post Rrënjët e rrumpallës së territorit: Ligji 7501 apo Berisha-92? first appeared on JavaNews.al.

Po autostrada Milot-Shkodër kur do të ndërtohet?

14 July 2025 at 09:25

Nga Eduard Zaloshnja

Në Shqipëri vetëm 350 kilometra rrugë janë të nivelit autostradë (me katër korsi). Treçereku i tyre janë në Ultësirën Perëndimore (çereku përshkon Malësinë Verilindore – nga Rrësheni në Morinë të Kukësit).

Udhëtimi më i gjatë në autostradë pa ndërpreje mes dy qyteteve është ai Tiranë-Vlorë (152 km), që lidh qendrën e Ultësirës Perëndimore me skajin e saj jugor. Kurse në gjysmën veriore të Ultësirës Perëndimore, udhëtimi më i gjatë me autostradë është ai Tiranë-Milot (47 km). Për ta lidhur me autostradë Milotin me Shkodrën (skajin verior të Ultësirës Perëndimore) duhen edhe vetëm 50 km të tjera. Që nuk po bëhen dot…

Në mandatin e saj të fundit, qeveria Berisha siguroi fonde të mëdha për akset Tiranë-Elbasan, Fier-Vlorë e Qukës-Qafë Plloçë – por asnjë fond për autostradën Milot-Shkodër. Dhe ideja e kësaj autostrade jetike për Shkodrën ka mbetur jetime edhe në 12 vitet e qeverisë Rama…

Për nostalgji familjare, e vizitoj herë pas here Shkodrën – një nga perlat tona historike, gjeografike dhe urbanistike. Por në një ditë të zakonshme, udhëtimi me makinë për atje nga Tirana zgjat rreth 2 orë të vështira (duhet të nisesh herët, pa gëdhirë, që të arrish atje për 1 orë e 30 minuta). Kurse me ndërtimin e autostradës Milot-Shkodër, udhëtimi me makinë nga Tirana në Shkodër mund të realizohet pa vështirësi për vetëm 1 orë…

Po kur do të ndërtohet autostrada Milot-Shkodër?

The post Po autostrada Milot-Shkodër kur do të ndërtohet? first appeared on JavaNews.al.

Treçereku i shqiptarëve e duan aksionin në territor, por pas përfundimit të sezonit veror

13 July 2025 at 10:52

Nga Eduard Zaloshnja

Aksioni i urdhëruar nga Rama në Lungomaren e Vlorës për spastrimin e territorit nga gjithfarë strukturash/tendash/çadrash/tavolinash pa leje apo me leje abusive është shtrirë tashmë në të gjithë republikën. Dhe ky aksion është bërë kryefjala e lajmeve/komenteve të përditshme në TV-të, portalet dhe rrjetet sociale shqiptare.

Po ç’mendojnë shqiptarët e këtushëm për këtë aksion të iniciuar nga Rama? Për t’iu përgjigjur me afërsi statistikore kësaj pyetje, zhvillova një sondazh të shpejtë, duke ia dërguar linkun e pyetësorit 2000 banorëve të rritur të këtushëm (me SMS krejt të rastësishme).

Pyetja e parë në pyetësor ishte: “A jeni në parim dakord që të spastrohet territori nga strukturat/tendat/çadrat/tavolinat pa leje apo me leje abusive?” Dhe ja si u përgjigjën 1654 të anketuarit që e plotësuan pyetësorin:

SHËNIM: Përqindjet janë rrumbullakosur për lehtësi leximi

Pyetja e dytë në pyetësor ishte: “Kur do të ishte më e përshtatshme të zhvillohej aksioni i spastrimit të territorit?” Dhe ja si u përgjigjën 1654 të anketuarit që e plotësuan pyetësorin:

SHËNIM: Përqindjet janë rrumbullakosur për lehtësi leximi

Pyetja e tretë në pyetësor ishte: “A dëmtohet imazhi i vendit nga aksioni i spastrimit të territorit gjatë sezonit turistik?” Dhe ja si u përgjigjën 1654 të anketuarit që e plotësuan pyetësorin:

SHËNIM: Përqindjet janë rrumbullakosur për lehtësi leximi

The post Treçereku i shqiptarëve e duan aksionin në territor, por pas përfundimit të sezonit veror first appeared on JavaNews.al.

Ushqimet 1% më të shtrenjta se në BE, kurse të ardhurat mesatare 59% më të ulta…

9 July 2025 at 18:30

Nga Eduard Zaloshnja

Sipas Eurostatit, Indeksi i Çmimeve të Ushqimeve dhe Pijeve jo Alkoolike për Shqipërinë është 101%. Që do të thotë se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë 1% më të shtrenjta se mesatarja e Bashkimit Europian.
Një shpjegim teorik që mund të japin ekonomistët në këtë rast është që kërkesa për produkte ushqimore është më e madhe në Shqipëri se sa mesatraja e BE-së.

Sipas teorisë ekonomke, kërkesa për produkte varet drejtpërdrejt nga niveli i të ardhurave që ka popullsia e një vendi. Por në rastin e Shqipërisë, (sipas Eurostatit) niveli i të ardhurave është plot 59% më i ulët se mesatarja e nivelit të të ardhurave të BE-së (llogaritur sipas fuqisë blerëse të çdo vendi). Pra, kërkesa për produkte ushqimore nuk mund të jetë shkaku i çmimeve të tyre të larta në Shqipëri.

Atëherë, sytë duhen hedhur nga oferta e produkteve ushqimore, që kontrollohet nga pak importues të mëdhej dhe nga pak rrjete të mëdha supermarketesh (dyqanet e vogla të lagjeve thjesht ndjekin çmimet e përcaktuara nga “të mëdhenjtë”). Duket se “të mëdhenjtë” kanë krijuar një kartel të heshtur mes tyre, ku përcaktojnë çmime të larta, që ndiqen nga të gjithë “të vegjlit” poshtë tyre.

Për ilustrim, para disa javësh, në mes të Athinës, bleva një kile qershi cilësore me 4 euro kilogrami. Një ditë më pas, pashë në mes të Tiranës që 1 kilogram qershi cilësore kushtonte plot 10 euro. Dhe krahasime të ngjashme mund të bëj cilido shqiptar që shkon në Europë…

Ne këtu kemi Autoritetin e Konkurrencës, që presupozohet të mos lejojë kartele të heshtura mes grosistëve, përmes të cilave ata imponojnë çmime të larta për gjithë segmentin e tregut që mbulojnë. Por në rastin e segmentit të tregut ushqimor, duket se ky autoritet ka dështuar.

Për ta zgjidhur këtë situatë, ose duhet ndryshuar legjislacioni, ose duhet ndryshuar Autoriteti i Konkurrencës. Që mos t’i kemi ushqimet 1% më të shtrenjta se në BE, teksa të ardhurat mesatare i kemi 59% më të ulta…

The post Ushqimet 1% më të shtrenjta se në BE, kurse të ardhurat mesatare 59% më të ulta… first appeared on JavaNews.al.

Duhet një ndarje territoriale funksionale, e jo thjesht elektorale…

6 July 2025 at 13:08

Nga Eduard Zaloshnja

Sipas projektit paraprak të ndarjes territoriale më 2014, territori i Shqipërisë parashikohej të ndahej në 12 qarqe dhe 36 bashki. Por pasi në procesin e miratimit të projektit u futën llogaritë elektorale të partive që e votuan atë në paralment (PS, LSI, PDIU), territori i vendit u nda në 12 qarqe dhe 61 bashki…

Në atë kohë, qarkulluan edhe propozime për ndarje të territorit të vendit në 4-5 rajone, me nëndarje brenda rajoneve në bashki, ngjashëm me ndarjen territoriale të Italisë. Tani që ka zëra se mund të rishikohet ndarja territoriale e vendit, vlen të diskutohet për një ndarje të tillë funksionale (jo thjesht elektorale).
Parë nga një këndvështrim gjeografik, historik dhe ekonomik, Shqipëria mund të ndahet në 5 rajone: Rajoni Veriperëndimor (qarqet aktuale Shkodër e Lezhë), Rajoni Verilindor (qarqet aktuale Dibër e Kukës), Rajoni Qendror (qarqet aktuale Tiranë e Durrës), Rajoni Juglindor (qarqet aktuale Elbasan e Korçë), dhe rajoni Jugperëndimor (qarqet aktuale Fier, Berat, Vlorë e Gjirokastër).

Ndërkohë, përfaqësimi në Kuvendin e Shqipërisë duhet të bazohet në rajonet, sepse qarqet aktuale nuk kanë pse të ekzistojnë më në një ndarje rajonale. Nga pikpamja elektorale, kalimi nga 12 qarqe në 5 rajone nuk do sillte ndonjë ndryshim (shihni në tabelën e mëposhtme sesi do të ishin shpërndarë mandatet më 11 maj me një ndarje rajonale).

Kuptohet që edhe harta aktuale e bashkive (e tipit salamandër) mund të thjeshtohet shumë.
Konkretisht, bashkia Shkodër mund të përthithë bashkitë Malësi e Madhe dhe Vau i Dejës; bashkia Pukë mund të përthithë bashkinë Fushë-Arrëz; bashkia Kukës mund të përthithë bashkinë Has; bashkia Dibër mund të përthithë bashkinë Bulqizë; bashkia Mat mund të përthithë bashkinë Klos; bashkia Durrës mund përthithë bashkinë Shijak; bashkia Kavajë mund të përthithë bashkinë Rrogozhinë; Bashkia Kamëz mund të përthithë bashkinë Vorë; Bashkia Elbasan mund të përthithë bashkitë Belsh, Peqin, Cërrik e Gramsh; Bashkia Librazhd mund të përthithë bashkinë Prrenjas; bashkia Korçë mund që përthithë bashkitë Maliq, Devoll e Pustec; Bashkia Lushnje mund të pëthithë bashkinë Divjakë; bashkia Fier mund të përthithë bashkitë Roskovec e Patos; bashkia Kuçovë mund të përthithë bashkinë Dimal; Bashkia Skrapar mund të përthithë bashkinë Poliçan; bashkia Tepelenë mund të pëthithë bashkinë Memaliaj; bashkia Përmet mund të përthithë bashkinë Këlcyrë; bashkia Gjirokastër mund të përthithë bashkitë Libohovë e Dropull; bashkia Vlorë mund të përthithë bashkinë Selenicë; dhe bashkia Sarandë mund të përthithë bashkitë Delvinë, Finiq e Konispol.

Për njësitë administrative në secilën bashki, duhet bërë një studim i thellë, që t’u përcaktohen atyre kufijtë dhe përgjegjësitë në bazë të nevojave të popullsisë lokale.

Të gjitha ndryshimet e mësipërme kërkojnë një ndryshim në Kushtetutë, që duhet të realizohet me një konsensus të gjerë politik. Reforma territoriale që bazohen vetëm në llogari elektorale nuk mund të jenë funksionale në afate të gjata!

The post Duhet një ndarje territoriale funksionale, e jo thjesht elektorale… first appeared on JavaNews.al.

Vdekjet nga krimi dhe të automobilistëve në nivelin e BE-së; të këmbësorëve/biçiklistëve/motoçiklistëve janë problem!

4 July 2025 at 08:27

Analizë nga Eduard Zaloshnja

Në 6-mujorin e parë të këtij viti vetëm 18 shtetas shqiptarë humben jetën si pasojë e krimit (brenda e jashtë famijes) – njësoj sa në 6-mujorin e parë të vitit të shkuar. Ndërkohë, vetëm 29 automobilistë (drejtues dhe pasagjerë automjetesh) humbën jetën në aksidente rrugore në 6-mujorin e parë – 41% më pak se sa në të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm (shihni tabelën e mëposhtme).

Në 6-mujorin e parë humbën jetën gjithsej 11003 shtetas shqiptarë (për shkaqe nga më të ndryshmet). Pra mesatarisht, vetëm 4.27 ndër 1000 të vdekur gjithsej ishin viktima të krimit ose automobilistë të aksidentuar rrugorë në Shqipëri. Mesatarisht në BE, ky tregues është 4.31…

Por sidoqoftë, ne kemi një problem të madh me vdekjet aksidentale të këmbësorëve/biçiklistëve/motoçiklistëve – plot 65 prej tyre humbën jetën gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti, krahasuar me vetëm 26 në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Dhe kjo ka ndodhur kur numri i aksidenteve rrugore është ulur me 8% (nga 764 ka zbritur në 702).

Disiplinimi i këmbësorëve/biçiklistëve/motoçiklistëve është një detyrë e vështirë, por e domosdoshme për të shpëtuar jetët e tyre!

The post Vdekjet nga krimi dhe të automobilistëve në nivelin e BE-së; të këmbësorëve/biçiklistëve/motoçiklistëve janë problem! first appeared on JavaNews.al.

Dy gabimet taktike të opozitës (së vjetër e të re) që i dhuruan PS-së 8 mandate parlamentare

2 July 2025 at 18:44

Nga Eduard Zaloshnja

Tani që rinumërimi i votave përfundoi në dy qarqet më të mëdha të vendit (ku u përcaktuan pothuaj 40% e mandateve parlamentare), mund të bëhet një analizë e efekteve të dy gabimeve taktike të opozitës (së vjetër e të re), të cilat u diskutuan gjerë e gjatë para zgjedhjeve të 11 majit.

Gabimi 1 (i opozitës së vjetër)

Teksa PS-ja i mbushi listat e hapura të kandidatëve me deputetë e politikanë me emër e të sprovuar në beteja zgjedhore, PD-ja i caktoi të sajët në listat e mbylluara, ku shumica dërrmuese e kishte mandatin statistikisht të sigurt, pavarësisht sesi shkonte gara në qarqet e tyre përkatës. Për këtë arsye, ata nuk kishin ndonjë stimul personal konkret për të mbeldhur vota personale në qark.  Ndërkohë, kolegët e tyre socialistë u lëshuan të gjithë në terren, për të grumbulluar vota personale (që çuan ujë në mullirin e përbashkët të PS-së).

Gabimi 2 (i opozitës së re)

Përveç PS-së, PSD-së dhe PD-ASHM-së, u futën këtë rradhë në zgjedhje edhe tetë subjekte të reja elektorale, të cilat ishin në garë të egër si me subjektet e vjetra, edhe me njëra-tjetrën. Dhe pikërisht gara mes tyre i dëmtoi në jo pak qarqe. Në qoftë se ato do të ishin futur në zgjedhje me lista të përbashkëta në çdo qark, me kandidatë të listave të mbyllura që do ta shpallnin publikisht dorëheqjen fill para zgjedhjeve dhe me kandidatët kryesorë në listat e hapura, do të kishin siguruar më shumë mandate se sa morën të përçara.

Efekti i gabimeve taktike të opozitës (së vjetër e të re)

Për të analizuar efektin e këtyre dy gabimeve taktike të opozitës (së vjetër e të re), ndërtova një model simulacioni statistikor më votat zyrtare të secilit qark. Nga 1000 simulacione të këtij modeli statistikor, rezultoi se PS-ja do të merrte të paktën 8 mandate më pak se ç’mori, në qoftë se opozita (e vjetër dhe të re) nuk do ti kishin bërë dy gabimet e mësipërme taktike elektorale. Nga këto 8 mandate, do të përfitonte kryesisht opozita e re.

SHËNIM: 3 mandatet e PSD-së, mbeteshin të pandryshuara në secilin simulacion të modelit statistikor.

The post Dy gabimet taktike të opozitës (së vjetër e të re) që i dhuruan PS-së 8 mandate parlamentare first appeared on JavaNews.al.

Nëse zgjedhjet do të ishin zhvilluar 100% sipas standarteve të OSBE/ODHIR…

26 June 2025 at 08:52

Nga Eduard Zaloshnja

Në raportin paraprak rreth zgjedhjeve të 11 majit, OSBE/ODHIR konstatoi se disa nga rekomandimet e mëparshme nuk ishin zbatuar nga shteti shqiptar. Po sa ndikoi ky moszbatim në numrin e mandateve që siguroi PS-ja në këto zgjedhje?

Këtë pyetje e testova me një sondazh ditët e fundit, duke e shpërndarë linkun e pyetësorit tek 2000 numra celularë krejt të rastësishëm në të gjithë vendin (1530 të anketuar të rritur e plotësuan pyetësorin).

Pyetja kryesore në sondazh ishte: “Sa mandate parlamentare mendoni se do të merrte PS-ja, nqs zgjedhjet do të ishin zhvilluar 100% sipas standarteve të OSBE/ODHIR?” Dhe opsionet e përgjigjeve ishin: Nën 71 mandate, 71-74, 75-79, dhe 80-83.

Plot 54% e të anketuarve ishin të mendimit se PS-ja do të siguronte 80-83 mandate parlamentare, edhe sikur zgjedhjet të ishin zhvilluar 100% sipas standarteve të OSBE/ODHIR. Nga ana tjetër, vetëm 3.9% ishin të mendimit se PS-ja nuk do t’i siguronte dot 71 mandatet e nevojshme për të krijuar qeverinë (shihni grafikun e mëposhtëm)

Po çfarë mendonin në veçanti të anketuarit që kishin votuar për partitë opozitare (PD-ASHM, NISMA-SHB, MUNDËSIA, BASHKË, KEA, DZH, etj.)?

Vetëm 12% e opozitarëve mendonin se PS-ja nuk do t’i siguronte dot 71 mandatet parlamentare, nqs zgjedhjet do të ishin zhvilluar 100% sipas standarteve të OSBE/ODHIR. Kurse mbi treçereku i tyre mendonin se, sidoqoftë, PS-ja do t’i merrte 71-79 mandate (shihni grafikun e mëposhtëm).

The post Nëse zgjedhjet do të ishin zhvilluar 100% sipas standarteve të OSBE/ODHIR… first appeared on JavaNews.al.

“Kulla PD” do të mbetet e Berishajve…

22 June 2025 at 13:55

Nga Eduard Zaloshnja

Para zgjedhjeve të 2005-ës, në krye të KOP-it të famshëm, Berisha caktoi Lulzim Bashën, ish-kolegun e bijës Argitë në zyrën prishtinase të UNMIK-ut. Pas riardhjes në pushtet më 2005, Berisha i dha Bashës postet më të larta në qeveri (në vartësi të situatave). Kur iku nga pushteti, Berisha ia dha në tepsi Bashës postin e “kryetarit” të PD-së. Dhe në fakt, Basha e çoi PD-në afër pushtetit më 2021…

Por në shtator 2021, Basha kreu aktin biblik të “vrasjes së babait” – përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar i PD-së! Nga ai çast, “Baca” filloi serinë e ‘foltoreve’ në çdo cep të vendit, duke kulmuar me sulmin frontal fizik më 8 janar 2022 ndaj SHQUP-it (atëherë zyrtarisht i Bashës).

Berisha nuk e pushtoi dot fizikisht SHQUP-in atë ditë, por tre muaj më vonë e mundi qartazi Bashën në zgjedhjet e parakohëshme për 6 bashki, më 6 mars 2022 – kandidatët e Berishës morën dyfishin e kandidatëve të Bashës në ato 6 bashki (madje në Shkodër, kandidati i Berishës mori më shumë vota edhe se kandidatja e Ramës).

Duke vijuar më tej, Berisha (me ndihmën e Metës) arriti të mbledhë rreth 500 mijë vota të këtushme në zgjedhjet lokale të 2023-shit dhe në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës (ndërkohë që përkrahja për ish-kanekarin Basha pothuajse u shua në elektoratin opozitar). Sidoqoftë, humbja e Berishës ndaj murit elektoral 800-mijësh të PS+PSD ishte dërrmuese në të dyja këto zgjedhje.

Duke e hedhur vështrimin tek 2027-ta dhe 2029-ta, Berisha nuk ka gjasa politike të lëvizë nga drejtimi i PD-së. Por në qoftë se natyra bën punën e vet, “Kulla PD”, sidoqoftë, do të mbetet në duart e Berishajve.

Nuk ka më gjasa që të kemi ndonjë “Lulzim” të ri, që t’i besohet stafeta – shkopi i stafetës do të mbetet kësaj rradhe pothuaj patjetër në familjen Berisha.

Se sa sukses elektoral do të ketë kjo strategji, mbetet të shihet. Por sidoqoftë, kuota e përkrahjes së 500 mijë votuesve të këtushëm pritet të bjerë me plakjen natyrale të Berishës…

The post “Kulla PD” do të mbetet e Berishajve… first appeared on JavaNews.al.

❌
❌