Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Kur Rama ankohet se fajin e ka Tik Toku

Kryeministri- artist shpalli sot përpara shqiptarëve dilemën e tij të madhe nëse duhet të vendosen filtra sigurie për rrjetet sociale apo duhet marrë një vendim drastik, siç tha ai, për mbylljen e plotë të tyre. Tronditja shoqërore që shkaktoi vrasja e një 14 vjeçari nga një bashkëmoshatar i tij, pranë një shkolle në mes të Tiranës, e detyroi Edi Ramën të dilte vetë sot personalisht përpara kamerave, pas mbledhjes së qeverisë. Dhe, në pamundësi që për këtë rast të deklaronte se fajin e ka Saliu dhe opozita, shpalli pretencën për Tik Tokun dhe Snapchat-in.

Sigurisht që ngjarje të tilla tragjike nuk bëjnë automatikisht me faj qeverinë, ato mund të ndodhin kudo në botë. Përgjegjësia e atyre që janë zgjedhur për të drejtuar, konsiston në sistemin edukativ që ndërtojnë dhe masat efikase që premtojnë të marrin për të rritur sigurinë. Por të dalësh para qytetarëve dhe këto përgjëgjësi t’ia kalosh Tik Tokut, duke lënë të kuptohet se qeveria ka bërë gjithçka dhe mbyllja e plotë e disa rrjeteve sociale do e zgjidhë problemin e dhunës në shkolla, është skuthëri politike dhe pandjeshmëri ndaj një tragjedie.

Edi Rama nuk ka zbuluar ujin e nxehtë duke thënë se disa platforma online nxisin dhunën. Por ai nuk është kryeministër për të përsëritur analizat e sociologëve e psikologëve. Ai në radhë të parë duhet të analizojë se çfarë modeli i ka ofruar shoqërisë në 12 vite qeverisje, si edukativ ashtu edhe social.

A ka përgjegjësi Tik Toku për nivelin e degraduar arsimor e edukativ këto 10 vitet e fundit? Për mashtrimin e 2013-ës se buxheti i arsimit do të shkonte në 5 përqind të GDP me ardhjen e Rilindjes në pushtet? Po për kullëzimin e terreneve sportive, kinemave, qëndrave kulturore e rekreative? Shqipëria ka njohur një rënie të lirë si në cilësinë e arsimimit ashtu edhe në krijimin e mjedisit të shëndetshëm e të sigurtë për edukimin e brezit të ri. E këtu futet edhe siguria në shkolla, ku çdo ditë raportohet për akte dhune, shitje e përdorim narkotikësh e deri tek mbajtja e armëve. Mbyllja e Tik Tokut vështirë të jetë zgjidhja për këto fenomene, pavarësisht idesë gjeniale të Edi Ramës.

Metamorfozat/ Përgjimet e SKY ECC nxjerrin fytyrën tjetër të Rilindjes

Rilindja nxjerr prap shkopat e bejsbollit/ Shoferi i Lindita Nikollës qëllon me armë

E sa i takon modelit social që disa platforma si Tik Toku ofrojnë, duke shkaktuar devijime të rrezikshme, është mëse e vërtetë, por ato janë ku e ku më të papërfillshme në krahasim me modelin që Rilindja i ka imponuar shoqërisë shqiptare në përgjithësi dhe të rinjve në veçanti. Gjuha e dhunës, bullizuese, seksiste e denigruese e kryeministrit ndaj kundërshtarëve politikë,  lë pas edhe tiktokerët më të zellshëm në këtë fushë. Zgjedhjen dhe promovimin si përfaqësuesit më të lartë të qyetarëve në Parlament, pushtet lokal dhe qeveri, të kriminelëve, banditëve dhe hajdutëve, nuk ka platformë online që ta promovojë si model më mirë se sa Rilindja. Depuetë që qëllojnë me armë, që godasin me grushta në Kuvend, që paguajnë për vrasje, që trafikojnë drogë, strehojnë vrasës e blejnë vota. Të zgjedhur lokalë që dhunojnë me shkopa bejsbolli e kërcënojnë me armë, ministra që vjedhin edhe të sëmurët në spitale e kryebashkiakë që rruajnë paratë e buxhetit direkt për xhepat e tyre. Drejtorë e shefa që zhvasin taksat e qytetarëve për llogaritë e kompanive të tyre private apo për të mbushur tubat e aspirimit. A ka platformë në botë që mund të ndikojë si model suksesi tek të rinjtë më shumë se sa kjo e Rilindjes?

Nëse kryeministri nuk do të marri përgjegjësinë që i takon si për modelin edukativ ashtu edhe atë social që ka instaluar në këto 12 vite, më e ndershme do të ishte të heshtte se sa të shpallte “masa drastike” për mbylljen e plotë të Tik Tokut e Snapchatit. Sepse nuk ka platformë virtuale që mund konkurrojë me atë reale të Rilindjes. Fotot dhe videot e Edi Ramës and co nëpër fushata me këngëtarë, që jo vetëm predikojnë dhunë por janë dhe vetë të përfshirë në të, madje që edhe sponsorizohen në rrjet për t’u shpërndarë sa më shumë, ku ndryshojnë nga mesazhe të ngjashme në Tik Tok? Po transformimet estetike të ministreve e drejtueseve të shtetit që shteruan krejt botoksin dhe e kanë shndërruar parlamentin dhe qeverinë në sallon mode, a kanë më shumë ndikim se sa manekinet që fryjnë buzët në Instagram?

Për të mos folur pastaj për hipokrizinë e një kryeministri, që përgjegjësinë për sigurinë në shkollat shqiptare do t’ia rrasi Zuckerbergut apo kinezëve, ndërkohë që ai vetë dhe oborri i tij, i kanë fëmijët në shkolla private, madje duke i garantuar në trafik edhe me policinë e shtetit.

Listat/ Çfarë fsheh ‘skuadra’ e Rilindjes në Durrës

Rilindasi Jurgis Çyrbja/ Si e bënë deputet vrasësit dhe trafikantët

Shembulli dhe modeli i Rilindjes janë sot deformimi më i madh që po i bëhet shoqërisë shqiptare, i cili nuk mund të mbulohet me fajin e ka Tik Toku. Edi Rama mund të mbylli gjithçka dëshiron në këtë vend, madje pa patur dilema fare, i ka mundësitë. Por ai nuk mund të mbyllë dot kurrë sytë e njerëzve, para të cilëve është përgjegjësi real dhe jo virtual i dramës që po jetojnë. ©lapsi.al

The post Kur Rama ankohet se fajin e ka Tik Toku appeared first on Lapsi.al.

SPAK, arma e re e Ramës për të vrarë rivalët politikë

Eksperimenti euro- atlantik, se në një vend ku të gjitha pushtetet i kontrollon një njeri i vetëm, mund të ndërtohen institucione të pavarura, ashtu siç pritej, dështoi me sukses. Ndonëse historia politike nuk njeh ndonjë rast ku regjimet autokratike të bashkëjetojnë me segmente të lira dhe demokratike, shqiptarëve iu rrëfye përralla se diçka e tillë mund të bëhej realitet nëse mbështetej nga partnerët strategjikë. Pastaj përralla u shndërrua në një iluzion, ku “heronjtë e rinj të fëmijëve tanë” do të ndesheshin dhëmbë për dhëmbë me krimin dhe korrupsionin dhe, më në fund, shqiptarët do të jetonin të lumtur përgjithmonë. Paradoksi regjim autoritar- institucione të pavarura, u pranua si normalitet dhe SPAK u vizatua si qerosi që ia del i vetëm të presë kokat e kuçedrës. Sot, ky iluzion i rremë ka rënë, por zhgënjimi nga një iluzion mund të jetë më traumatik se sa një realitet i kalbur. Ai mund të vrasë përfundimisht shpresën për ndryshim dhe nervin për të reaguar.

Dështimi i paralajmëruar i eksperimentit shqiptar ndodhi përditë nga pak në sytë e të gjithëve, përfshi edhe të atyre që e sponsorizuan politikisht dhe financiarisht me taksat e qytetarëve të tyre, deri sa mbërriti në pikën pa kthim ku gjendet sot. Thjesht nuk deshën ta shohin dhe refuzuan ta pranojnë. Aksioma se s’mund të ketë drejtësi të pavarur në një shtet të kapur, u vërtetua që në krye të herës. Kur nisën emërimet në organet e vetingut dhe në këshillat e prokurorisë e gjykatave. Kur u grabitën anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe u çuan të betohen buzë lanës. Kur u dogjën ata që nuk ishin të partisë dhe kaluan ata që ishin të “krushqisë”. Dhe mbi të gjitha, kur reforma e famshme në drejtësi, që do ndëshkonte të paprekshmit, përkoi në kohë me projektimin dhe zbatimin e dy prej aferave më spektakolare të korrupsionit, që vazhdojnë ende, inceneratorët dhe e famshmja 5D.

Lexo më tej: Dy detaje nga dosjet Meta Berisha që nxjerrin bllof SPAK-un 

Përballë evidencave të qarta se edhe pushteti i drejtësisë së re po rreshtohej me shokët në sqetullën e Edi Ramës, iluzioni i madh ia lë vendin një më të vogli, në mos shpresëdhënës të paktën ngushëllues se investimi i reformës nuk kishte vajtur për dhjam qeni. Ky iluzion i vogël ishte sa qesharak aq edhe therrës: Edi Rama vërtetë ka ndikim mbi drejtësinë e re, por aty brenda ka individë që nuk i kontrollon dot. Pra institucionet e pavarura u katandisën në ca individë të pavarur.

Sigurisht edhe ky mini iluzion e kishte jetën të shkurtër. Në kohë rekord, kryeministri vuri në rresht SPAK-un, gjykatat speciale, gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, në funksion të pushtetit të tij. Paralajmëroi Fredi Belerin nga studio e emisionit Opinion dhe policia, prokuroria, të gjitha shkallët e gjykatave e çuan deri në fund urdhërin e arrestimit dhe grabitjes së mandatit të Himarës. Kërcënoi Ervin Salianjin live në Kuvend dhe gjykata e Apelit nuk ia bëri fjalën dysh. Kërkoi të linçohej “tradhëtari” Arben Ahmetaj dhe prokurorët i nxorrën dhe vibratorët nga dhoma e gjumit. Urdhëroi nga Kongresi të arrestoheshin Berisha dhe Meta dhe SPAK me krenari mund të deklarojë se ia çoi fjalën në vend.

Sot nuk ka më asnjë iluzion se drejtësia e re është në fakt arma e re në duart e Edi Ramës për të asgjesuar përpara zgjedhjeve opozitën dhe çdo kundërshtar politik. Nëse në zgjedhjet e kaluara përdori ndryshimin e kodit zgjedhor me vota të trafikuara dhe ndërkombëtarët heshtën me turp, për zgjedhjet e ardhshme po përdor drejtësinë e re që vetë ndërkombëtarët ia bënë dhuratë. Deri tani, “heronjtë e fëmijëve tanë” i kanë hequr qafe dy krerët e opozitës, njërin të izoluar në shtëpi dhe tjetrin të tërhequr zvarrë në qeli.

Lexo më tej: Arrestimi i paralajmëruar i Ilir Metës/ Si e kërkuan Rama dhe ambasadorët 

Pandëshkueshmëria e para 15 vjetëve po rezulton më e rëndësishme se ajo që grabit aktualisht miliarda nga taksat e shqiptarëve. Sepse standarti I SPAK nuk është interesi publik por shërbimi politik. Ata që mund t’i prishin punë Edi Ramës për zgjedhjet e ardhshme nuk preken, paçka se janë kapur me preshë në duar e në gojë. Dosja e Çyrbes ndalohet të publikohet, ndërsa ajo e Ilir Metës shpërndahet me entuziasëm. Firmat e “shefit” nuk mund të hetohen, por ato të para 15 viteve s’mund të amnistohen. Korrupsioni i kundërshtarëve të Ramës është banal, ndërsa i atyre që vjedhin ditën për diell është intelektual.

Dhe ky përdorim i drejtësisë së re, njësoj siç përdoren taulanët, helenat, spirot dhe palët, nuk është thjesht fundi i iluzionit euro- atltantik se në regjimet e korruptuara mund të krijosh institucione të pavaruara. Ai është degradimi përfundimtar i një shoqërie, që duartroket liderin suprem si kur cakton me votat e tij presidentit e vendit ashtu edhe kur urdhëron drejtësinë e re ta burgosë atë. ©Lapsi.al

The post SPAK, arma e re e Ramës për të vrarë rivalët politikë appeared first on Lapsi.al.

Çfarë ua ka zënë sytë ambasadave që shohin vetëm karriket e djegura

Sot ishte një ditë kur ambasada e SHBA dhe ajo BE do të kishin bërë mirë të heshtnin se sa të reagonin për hir të reagimit. Shqetësimi i tyre për ca karrike të djegura në Kuvend, në raport me hedhjen në erë të të gjithë investimit për të ashtuquajturën drejtësi e re, i bën të duken këto përfaqësi si personazhi proverbial që krihet ndërsa Stambolli digjet.

Ato vazhdojnë të flasin për dialog konstruktiv në një demokraci, që nuk dihet pse e cilësojnë funksionale, për diskutime paqësore e të tjera klishe boshe, ndërkohë që Shqipëria sot është një regjim nën diktatin e një njeriu të vetëm dhe shteti i vetëm në Europë me të burgosur qartësisht politikë. 

Lexo me tej:

Berisha-diplomatëve: Popujt tuaj kur gjenden para një padrejtësie, i japin përgjigjen e merituar cilitdo!

Nëse selitë e SHBA dhe BE nuk bëzajnë kur SPAK përndjek gazetarët, kur kryeministri përdor si vegla qorre polici, prokurori, gjykatat speciale e atë Kushtetuese për t’i rrëmbyer opozitës mandatin legjitim në Himarë, kur drejtësia e “pavarur” dënon me burg pas 6 vitesh një deputet opozitar, i cili i ktheu Italisë një të dënuar për trafik ndërkombëtar droge, që është dhe vëllai i kryekomisionerit të reformës në drejtësi, atëherë çfarë kanë kaq tronditëse 12 karrike që digjen sa të shqetësojnë dy superfuqitë perëndimore?

Shqetësimi në këtë rast ka të bëjë me faktin se diplomatët e akredituar në Tiranë, duan t’i shohin ato karrike si shkakun e një dhune potenciale në vijim dhe jo si pasojë e dhunimit sistematik që i bëhet opozitës mu përpara syve të tyre. Meqë taksapaguesit perëndimorë kanë paguar për reformën shqiptare të drejtësisë, meqë kjo reformë u është shitur atyre si e suksesshme dhe meqë drejtësi e re dhe narkoshtet i korruptuar nuk qëndrojnë bashkë, përfaqësitë diplomatike në Tiranë nuk janë ndjerë as kur zgjatja e duarve të pushtetit mbi SPAK, gjykatat speciale dhe deri atë Kushtetuese ka ndodhur hapur ditën për diell.

Ambasada amerikane e shqetësuar për karriget e djegura të parlamentit

Ambasadat nuk kanë folur kur Edi Rama e trajtoi Gjykatën Kushtetuese si peshqir për shezlongët e Olta Xhaçkës. As kur SPAK e çliroi nga akuzat ish ministrin e Shëndetësisë që vazhdonte pa e prishur terezinë me zanatin rilindas të përvetësimit edhe kur bëhej fjalë për fondet e BE. Njësoj edhe kur vetë BE zbuloi batërdinë e abuzimeve me grantet për bujqësinë, askush nga perëndimorët e Tiranës nuk u shqetësua. Dhe nuk flasin as kur kryeministri i bën thirrje hapur drejtësisë të ndjekë e dënojë kundërshtarët e tij politikë. Nëse kjo quhet drejtësi e re dhe demokraci funksionale, atëherë 12 karriket qënkan një problem serioz për të ardhmen euro- atlantike të vendit. Si mund të mos reagojnë kokat e përfaqësive më të fuqishme perëndimore?

Problemi i vetëm është se kur opozita politike burgoset njësoj si në Turqi dhe sytë t’i zë vetëm tymi i protestave që vijnë si rrjedhojë, shqetësimet e reagimet nuk janë mesazh për shqiptarët por justifikim për tolerimin e një regjimi që ka degraduar deri në përndjekjen e hapur të kundërshtarëve. Arsyet që arbitri i dikurshëm ndërkombëtar ka hequr dorë nga paanësia, sidomos dekadën e fundit, janë të shumta, por në disa raste të rënda të abuzimeve të pushtetit do të ishte mirë të mos ua kujtonte qytetarëve shqiptarë dështimin e tij. Çfarë efekti mund të kenë tek këta të fundit reagime të tipit që jemi të shqetësuar për dëmtimin e derës së Bashkisë, ndërkohë që brenda dyerve ka ndodhur vjedhja e shekullit nga vetë drejtuesit e Bashkisë.

Analiza e Der Spiegel: Pse Bashkimi Europian ka mbyllur një sy për Edi Ramën!

Nënkryetari i grupit parlamentar të opozitës burgoset për fjalën e lirë, në një proces të montuar krejtësisht nga pushteti, me dëshmitarë të prodhuar nga policia, vetëm se dërgoi në burg vëllain e ish ministrit të Brendshëm. Shqetësimi i sponsorëve të reformës në drejtësi duhet të ishte në shkallën më të lartë, jo vetëm nga burgosja e një kundërshtari politik, por edhe nga mesazhi që një akt i tillë u përçon banditëve në njërën anë dhe punonjësve të drejtësisë në anën tjetër. Mesazhi se kush është nën sqetullën e pushtetit është i paprekshëm dhe se dënimet politike nuk janë një tabu. Inkurajim për krimin dhe kontroll politik mbi drejtësinë. Mirëpo ambasadat e SHBA dhe BE e panë të arsyeshme të shqetësohen për 12 karriket.

Çështja nuk është se si do të fiket flaka mbi karrike, por pse dhe kush e ndezi atë. Ambasadat sigurisht e dinë, pavarësisht se i shqetëson vetëm pasoja dhe jo shkaku. Për ta kuptuar këtë nuk ka nevojë për ndonjë studim akademik. Mjafton të lexojnë shtypin serioz të vendeve të tyre, i cili pasi bën skanerin e një shteti të kriminalizuar, shpjegon edhe mbylljen e syve nga perëndimi. Para dhe copa Shqipërie për korruptim e lobim në favor të një regjimi që sot ka edhe të burgosurit e tij politikë. Por ama ato 12 karriket janë aq të rënda sa dy fuqitë perëndimore nuk e mbajtën dot peshën dhe më në fund reaguan.

©Lapsi.al

The post Çfarë ua ka zënë sytë ambasadave që shohin vetëm karriket e djegura appeared first on Lapsi.al.

❌