Mero Baze: A duhet hetuar Olsi Dado si krijues i “Nesti Angonit”?
Nga Mero Baze
Sot teksti i plotë i “denoncuesit” Nesti Angoni është publikuar dhe mund të gjykojmë mbi cilësinë e tij. Është e qartë që është një tekst i rëndomtë, që është kërkuar për të nisur një procedim penal ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Në tekst, siç shihet, ka akuza që Veliaj ka tre vila në Qerret, ndërsa sot pas dy vitesh hetimesh SPAK ka provuar që prindërit e Ajola Xoxës kanë një shtëpi për të cilën ende nuk i kanë paguar 30 mijë euro ndërtuesit dhe ajo është ende në emër të ndërtuesit. E vetmja gjë e vërtetë është që ekzistojnë personat Erion Veliaj, Gentiana Sulaj dhe Gent Sula. Dhe vetëm nga ky fakt që këta ekzistojnë ka nisur hetimi.
Pra është e qartë që kemi të bëjmë me një hetim të kërkuar me ngulm nga një prokuror, i cili muaj më parë ka pasur konflikt personal për të, lidhur me kërkesat e tij për një leje ndërtimi jashtë kritereve ligjore që kishte bashkia e cila nuk i është realizuar. Mund të ketë dhe arsye të tjera që ende nuk i dimë.
SPAK ka vërtetuar më pas që personi “Nesti Angoni” nuk ekziston, por thuhet që ai e ka dorëzuar dorazi denoncimin, çka do të thotë se ai duhet të ketë paraqitur një ID kur e ka dorëzuar. Plus, në SPAK ka kamera për ata që hyjnë e dalin. Pra ka shumë pak shanse që SPAK ta mashtrojë ndonjë njeri me ID false, nën vëzhgimin e kamerave. E gjitha është diçka e kurdisur nga vetë institucioni dhe në këtë rast kemi të drejtë të dyshojmë që është kurdisur nga prokurori i çështjes, i cili ka mbajtur dhe qëndrim emocional ndaj procesit, duke përdorur fjalë fyese ndaj të dyshuarit Veliaj.
Në procesin e hetimeve ai po ashtu ka përdorur metoda të paligjshme shantazhi ndaj njerëzve që ka pyetur, disa prej të cilëve kanë dhënë dëshmi pasi ka përfunduar hetimi. Dikujt i ka treguar një tunelë që të çon drejt e në qeli tek 313, të tjerëve u ka përmendur emrat e fëmijëve që nuk do t’i shohin më, se do shkojnë në burg, apo presione të tjera, duke përdorur edhe histori familjare të zbuluara nga përgjimet e paligjshme.
Më tej, i njëjti prokuror është investuar personalisht në sulme ndaj gazetarëve, përfshirë mua, duke shpifur përmes fundorinave që kontrollon në portalet gjobvënëse, për gjithë artikujt që kanë kritikuar praktikat e SPAK në këtë hetim. Në këtë histori nuk ka kursyer as sulmet e ulëta ndaj çdo gazetari, deri dhe familjarëve të tyre. Sot, për shembull, fundorina që paraqitet si zëdhënësi i Olsi Dados kishte sulmuar fëmijët e mi, të cilët për fat janë të qyetetarë normal dhe te suksesëshem dhe nuk janë as autikë e as me probleme mendore, por kjo tregon se dyshja Dado-Fundorina nuk i ndal asgjë që të bëjnë betejë ndaj kujtdo që ua thotë të vërtetën në sy.
Kjo kuptohet lehtë nëse shikon se si tipa si ky fundorina gjobvënës, që paguhet edhe nga ministra të PS dhe mbështeten me dezinformata prej Dados, mbrojnë atë për çdo shkelje ligjore që kanë bërë dhe sulmojnë gazetarët kritikë me të dhe praktikat e SPAK. Ky proces, ku është përfshirë shpesh edhe zyra e shtypit e SPAK, e ka kthyer atë godinë në një zyrë propagande që vendos të dënojë përmes opinionit publik dhe jo fakteve.
Tani hetimi ndaj Erion Veliajt le të vazhdojë dhe të gjykohet, por nëse ky proces është i stisur me një paçavure të tillë të shkruar nga vetë SPAK, i shoqëruar me thashetheme se “Nesti Angoni është shërbimi sekret grek” që ka sjellë qindra faqe (e vetmja lidhje që ka me Greqinë është se edhe fundorina që përdor SPAK dhe Dado janë me letra greke), atëherë ai duhet hetuar patjetër dhe hetimi duhet të përqendrohet rreth rolit personal të Olsi Dados në këtë histori.
E di që tani ai dhe fundorinat që përdor janë ende në fazën e euforisë që intriga e tyre ka funksionuar, por jeta është e gjatë dhe e drejta për të hetuar një prokuror në konflikt personal me të dyshuarin dhe që sajon një letër për të nisur një hetim është e pashmangshme.
Të nisësh një hetim nga një paçavure e tillë, të ngresh një furtunë gjyqi popullor ndaj tij, pastaj të kalosh tek garderoba e një fondacioni që vinte në skenë opera dhe t’i paraqesësh fustanet e shfaqjeve si fustane të gruas së tij për të zgjuar dallgët e gjyqeve popullore të komunizmit, do të thotë që ai ka qenë i ndërgjegjshëm për mungesën e fakteve dhe është kujdesur ta mbushë atë boshllëk me propagandë.
Edi Rama pati premtuar se do të bëjë një Komision të së Vërtetës për abuzimet e SPAK, dhe personat e intimiduar, kryesisht nga ky prokuror por edhe të tjerë, të bëjnë denoncimet e tyre. Shpresojmë ta bëjë në Kuvendin e ri, edhe pse mund të vërë në siklet disa ministra të tij që janë 24 orë në linjë me fundorinat që drejtojnë gjithë këtë operacion të pistë.
The post Mero Baze: A duhet hetuar Olsi Dado si krijues i “Nesti Angonit”? first appeared on JavaNews.al.