Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

A e ka gënjyer qeveria franceze Gjykatën e Strazburgut në parashtrimet për çështjen e përgjimeve të EncroChat?

Nga Av. Gurali Brahimllari

Në datën 24/09/2024 Gjykata e Strasburgut, duke shqyrtuar ankimet nr.44715/20 dhe nr. 47930/21 të shtetasve angleze A.L si dhe E.J kundër Francës, në lidhje me (pa)ligjshmërinë e  përdorimit të të dhënave të platformave të enkriptuara EnchroChat, nuk zgjidhi në mënyrë përfundimtare çështjen me argumentin se aplikantët nga Mbretëria e Bashkuar, nuk kishin shterur mjetet ligjore të ankimit para gjykatave Franceze.

Ky qëndrim i GJEDNJ-së u determinua nga shpjegimet e pavërteta të Qeverisë Francese (palë e paditur në këtë proces), se për shkeljen e të drejtave të mbrojtura nga KEDNJ, dy aplikantët anglezë duhet të kishin ushtruar të drejtën e ankimit para gjykatave franceze.

Qeveria franceze është fshehur pas Urdhërit Europian të Hetimit, mbi të cilin ishin transmetuar të dhënat e transkripteve të EncroChat, duke shtrëmbëruar përmbajtjen e legjislacionit të saj procedurial duke parashtruar para GJEDNJ-së se:

“….118.  …kërkuesit kishin në dispozicion mjete ankimi kundër instancave franceze që mund të kishin qenë efektive, dhe të cilat duhet të ishin përdorur/shfrytëzuar.

  1. Argumenton fillimisht se kërkuesit mund të kishin kërkuar nga autoritetet hetimore anulimin e transmetimit të të dhënave tek autoritetet britanike me qëllim përfshirjen e tyre si provë në procedime të ndryshme penale në bazë të nenit 694-41 të KPP-së… Nënvizon se ky mjet ankimi është i hapur për çdo “person/palë të interesuar” dhe se kërkuesve do t’u kishte mundësuar të mbështeteshin në praktikën gjyqësore të konsoliduar, e cila lejon, në një situatë tërësisht të brendshme, kërkimin e anulimit të përcjelljes së akteve/dokumenteve që rrjedhin nga një procedim me arsyetimin se ato janë marrë në kushte që bien në kundërshtim me nenin 8 të Konventës… Duke vepruar kështu, kërkuesit do duhej të kishin paraqitur të gjitha pretendimet e tyre në gjykatat e brendshme(franceze).”

Këto argumente të qeverisë franceze, jo vetëm janë pranuar si të vërteta, por edhe i kanë bindur gjykatësit e Strasburgut në vendimmarrjen e tyre kur shprehen se: “…142.  Qeveria (Franceze) tregon në këtë mënyrë bindshëm se kërkuesit kishin një mjet ankimi që i lejonte ata të kundërshtonin ligjshmërinë dhe proporcionalitetin e marrjes së të dhënave dhe transmetimit të tyre tek autoritetet britanike për përfshirjen e tyre si provë në dosjen penale.”

Prandaj Gjykata e Strasburgut, ndonëse ka dhënë në këtë vendim definicione të rëndësishme për prespektivën e zgjidhjes së çështjeve të ngjashme për të ardhmen (shih paragrafin 101 të vendimit), ka  arritur në konkluzionin se:  

145.  Në bazë të sa më sipër, Gjykata vlerëson se kërkuesit kishin në dispozicion një mjet ankimi, që u jepte mundësi të kundërshtonin në mënyrë efektive masën/vendimin për transmetimin e të dhënave të marra në ekzekutimin e Urdhrit Europian të Hetimit të lëshuar më datë 11 mars 2020, si dhe masën/vendimin për interceptimin, që mundësoi mbledhjen e tyre. Megjithatë, kërkuesit nuk kanë ndjekur asnjë mjet ankimi para gjykatave franceze dhe nuk provojnë ndonjë rrethanë të veçantë që do t’i përjashtonte ata nga një gjë e tillë.”

Por ky qëndrim është nxjerrë “zbuluar” si i pavërtetë nga një vendim i Gjykatës Franceze të  Kasacionit, i dhënë në datën 3 qershor 2025, sipas të cilit ligji procedurial francez nuk i mundëson asnjë shtetasi që nuk është palë në një proces gjyqësor në gjykatat franceze, që të kundërshtojë në Francë, vlefshmërinë e përgjimit të komunikimeve të kryera nga  autoritetet gjyqësore franceze.

Sipas përmbajtjes së këtij vendimi të Gjykatës Franceze të Kasacionit, ankuesi (një shtetas Belg), që ishte paraburgosur dhe po ndiqej penalisht para Gjykatës së Bruge-s në Belgjikë, mbi bazën e të dhënave të SkyECC, akuzohej “për trafik droge dhe konspiracion kriminal”, me dyshimin se kishte qenë përdorues i kësaj platforme dhe nëpërmjet saj, kishte shkëmbyer mesazhe me persona të tjerë. Mbrojtja e ankuesit, në tetor 2024 (bazuar edhe ne vendimin e GJEDNJ-së për aplikantët anglezë që u publikua më 17/10/2024), ka ngritur padi para gjykatave franceze për të deklaruar të pavlefshme transkriptet e përftuara nga hetimet e kryera dhe përgjimet në platformën SkyECC, edhe pse aplikanti nuk po ndiqej penalisht në Francë.

Në nëntor 2024, Gjykata e Apelit e Parisit e hodhi poshtë kërkesën duke e shpallur atë të papranueshme, për shkak se nga zbatim logjik i ligjit francez është e pamundur që një person i përfshirë në procedura penale jashtë vendit, të kundërshtojë ligjshmërinë e provave të mbledhura më parë në Francë. Ky qëndrim i Gjykatës së Apelit është ankimuar në Gjykatën e Kasacionit duke argumentuar shkeljen e të drejtës kushtetuese për një mjet juridik efektiv para gjykatave  Franceze, duke referuar edhe qëndrimin e qeverisë franceze para GJEDNJ-së dhe përfundimet e saj në vendimin e aplikantëve anglezë.

Më 3 qershor 2025, Gjykata Franceze e Kasacionit refuzoi ta referonte këtë çështje para Këshillit Kushtetues, duke POHUAR, ndër të tjera se, legjislacioni francez sipas neneve 170 dhe 173 të Kodit të Procedurës Penale, të drejtën e ankimit, për të kontestuar rregullshmërinë e akteve ose dokumenteve të përfshira në dosjen hetimore, e ka  kufizuar vetëm për subjektet e procesit penal (gjykatësit hetues, prokurori publik, dëshmitari i asistuar ose palëve), duke synuar që të ruajë sekretin e hetimit dhe të integritetin e procesit hetimor si edhe të mbrojë interesat e personave të përfshirë në këto hetime. Madje Gjykata e Kasacionit thekson se: “Për më tepër, ankesat e bazuara në shkeljen e parimeve kushtetuese të respektimit të të drejtave të mbrojtjes, të drejtës për një mjet efektiv juridik dhe të drejtës për një gjykim të drejtë janë të pavlefshme pasi aplikanti, i cili pretendon shkeljen e këtyre parimeve para një gjykate të huaj, nuk është subjekt i ndonjë procedure në Francë.

Pra ky vendimi i Gjykatës së Kasacionit, që e konsideron të pavlefshme ANKESËN e kërkuesit nga Belgjika për shkak se nuk është subjekt i ndonjë procedure në Francë, provon të kundërtën e qëndrimit të qeverisë franceze para GJEDNJ-së në vendimin e shpallur më 24/09/2024.

Këtë vendim të Gjykatës së Kasacionit në Francë, do ta bashkëngjisim dokumenteve që kemi përcjellë në Gjykatën e Strasburgut, ndërkohë që bëjmë me dije lexuesin se para Gjykatës Kushtetuese kemi kundërshtuar pretendimet e përfaqësuesve të Prokurorisë së Posaçme, se legjislacioni francez prezumohet të jetë “kampioni” i respektimit të të drejtave të njeriut edhe në fushën e respektimit të standadeve për fshehtësinë e korrespondencës dhe të çdo mjeti komunikimi”.

Theksojmë përsëri se legjislacioni procedurial francez, është i vetmi legjislacion në të gjithë vendet e BE-së, që lejon përgjimin masiv (nëpërmjet sondave përgjuese që interceptojnë të gjithë fluksin e komunikimeve), ndërsa jurisprudenca e GJEDNJ-së, jo vetëm nuk e pranon këtë lloj përgjimi në proceset penale, por e ka venë në dyshim atë edhe për nevojat e inteligjencës sekrete kur lejohet nga legjislacioni i brendshëm (por me theksin se asnjëherë nuk janë prova në proces penal).

Për më tepër në kundërshtim, jo vetëm me jurisprudencën e GJEDNJ-së, por edhe me nenin 222/a të K.Pr.Penale të Republikës së Shqipërisë, ligji procedurial francez NUK LEJON ANKIMIN ndaj vendimit të përgjimit të telekomunikimeve.

Për të interesuarit, sjell në vëmendje jurisprudencën e GJEDNJ-së në çështjen LAMBERT k. FRANCËS, dt. 24 gusht 1998, ku Gjykata ka konstatuar shkelje të nenit 8 të Konventës për shkak se: “20. Z. Lambert parashtroi se vendimi i Gjykatës së Kasacionit për t’i refuzuar atij çdo të drejtë për t’u ankuar për përgjimin e disa prej bisedave të tij telefonike, me arsyetimin se ishte linja e një pale të tretë që ishte përgjuar, kishte shkelur nenin 8 të Konventës.

Ndërsa në çështjen MATHERON k. FRANCES, dt. 29 mars 2005, Gjykata gjeti shkelje të nenit 8 të Konventës për shkak të pamundësisë për të kundërshtuar përfshirjen në dosjen e aplikantit, të transkripteve të bisedave të tij të përgjimeve telefonike të kryera në procese në të cilat ai nuk ishte i përfshirëGjykata pranoi ankimin duke konstatuar shkelje të nenit 8 të KEDNJ-së për shkak se “… është e qartë se arsyetimi i Gjykatës së Kasacionit mund të çojë në vendime që privojnë mbrojtjen e të drejtave të një numri të caktuar personash, përkatësisht të gjithë ata që do të ishin kundër rezultatit të përgjimeve telefonike të kryera në procese të huaja për ta”.

Duke iu kthyer vendimit të dt. 03.06.2025 të Gjykatës Franceze të Kasacionit, edhe pse  kjo Gjykatë ende nuk është shprehur për pjesën e ankimit të shtetasit belg, në lidhje me të drejtën e tij për të kundërshtuar Urdhërin Europian të Hetimit që ka lejuar transmetimin e transkripteve,   del qartazi se parashtrimet e qeverisë franceze para GJEDNJ-së kanë qenë të pavërteta, për shkak se aplikantët anglezë nuk kanë patur asnjë mundësi për të kundërshtuar ligjshmërinë e procesit të kapjes së të dhënave të EncroChat, para Gjykatëve Franceze. Madje ata nuk mund të kundërshtonin as transmetimin e këtyre të dhënave nëpërmjet UEH për shkak se ndryshe nga autoritetet belge, Mbretëria e Bashkuar nuk kishte kërkuar paraprakisht ndihmë juridike nga Franca për zbulimin e vendndodhjes së platformës EncroChat dhe të përdoruesve të saj.

The post A e ka gënjyer qeveria franceze Gjykatën e Strazburgut në parashtrimet për çështjen e përgjimeve të EncroChat? first appeared on JavaNews.al.

Gjykata Rajonale e Berlinit deklaroi të papërdorshme transkriptet e EnchroChat 

Nga av. Gurali Brahimllari                      

Ndonëse Gjykata Kushtetuese në vendimin e shpallur në datën 30.12.2024 (dhe të publikuar nën presionin e përgjimeve më 12.02.2025) zgjodhi të mos jepte përgjigje për çështjet esenciale të rezultateve të përgjimeve të platformës SkyECC, Gjykatat e vendeve të BE gjithnjë e më shpesh, po konkludojnë në papërdorshmërinë e transkripeteve të bisedave të enkriptuara për shkak se përfitimi i tyre nga autoritetet Franceze, vlerësohet se ka qenë në kundërshtim me legjislacionit vendas dhe me parimet e së drejtës.

Ka qënë kuriozitet i shtuar për ne (besoj për çdo profesionist të së drejtës që ka qenë i inetresuar për këtë fushë), për të mësuar se si u zbatua vendimi i Gjykatës së Luxembourg nga Gjykata e Berlinit që e dërgoi çështje për interpretim para saj.

Këtë e zbuluam vetëm para pak ditësh kur Gjykata Rajonale e Berlinit publikoi arsyetimin e

Vendimit në çështjen 525 KLs 8/22, 279 Js 30/22, të cilin e kishte shpallur, në dt 19.12.2024). Duke studuar përmbajtjen e arsyetimit të këtij vendimi del se çështja e shqyrtuar “në seancën kryesore dëgjimore dymbëdhjetëditore nga data 11 shtator deri më 19 dhjetor 2024” ka qenë pikërisht çështje e njohur e GJED, për të cilën është dhënë vendimi i datës 30 prill 2024 – C-670/22, prandaj për ne mbrojtësit e ankuesit Pëllumb Gjoka, merr rendësi të veçantë për faktin se, përfundimet e këtij vendimi kanë qenë në bazë të kërkimeve tona para gjykatave shqiptare dhe jo vetëm.

Sikurse kemi bërë publike qëndrimin tonë jo vetëm para Gjykatës Kushtetuese, por edhe përpara opinionit publik rezultatet e përgjimeve MASIVE të paltformave të enkriptuara, edhe pse i shërbejnë luftës ndaj krimit të organizuar, terrorizmit, tarfiqeve apo korrupsionit, NUK MUND TË PËRDOREN SI PROVA në procesin penale për shkak se janë mbledhur në mënyrë të paligjëshme në raport me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, parimet e gjithpranuara të së drejtës ndërkombëtare si edhe me disa dispozita të legjislacionit të brendshëm. 

Me kënaqësi konstatojmë se ky qëndrim gjendet në harmoni të plotë edhe me arsyetimin e Gjykatës Rajonale të Berlinit, e cila duke rimarrë në shqyrtim çështjen e dërguar prej saj GJED, dhe interpretuar vullnetin e shprehur nga Gjykatësit e Luksemburgut, ka vendosur të japë pafajësi për 17 akuza, personit të paraburgosur për dyshimet e kryerjes së veprave penale të  trafikimit të gjërë të lëndëve narkotike, për shkak se vlerësoi të papërdorshme të dhënat (rezultatet e pergjimeve) të EncroChat, të paraqitura nga Prokuroria, si prova, për këto episode, të ndodhura në pranverë të vitit 2020.

Në përmbledhjen e arsyetimit të këtij Vendimi, Gjykata Rajonale e Berlinit shpreht se:

1. Procedimi ka të bëjë me 18 raste të trafikimit dhe posedimit të kokainës dhe kanabisit. Dhoma e dënoi të pandehurin vetëm në një rast, në të cilin kokaina e destinuar për konsum personal ishte në gramaturën që mund të sekuestrohej, sipas akuzës. Në rastet e tjera, të cilat kryesisht përfshinin sasi në intervalin me një dhe dy shifra të kilogramëve, akuzat bazoheshin në mesazhe që i pandehuri dyshohet se i dërgoi ose i mori duke përdorur një telefon celular nga ofruesi EncroChat. Në këtë drejtim, i pandehuri u lirua nga akuzat mbi baza faktike.

Gjykata e Berlinit evidenton në arsyetimin evendimit të saj se “ 2. Seanca kryesore dëgjimore zbuloi se i pandehuri ishte në kontakt me përdorues të tjerë të ndryshëm të EncroChat-it në vitin 2020 nëpërmjet një telefoni EncroChat me identifierfo.@encrochat.com dhe shkëmbente rregullisht informacione me ta në lidhje me blerjen dhe shitjen e kokainës dhe kanabisit. Megjithatë, një dënim për veprat penale specifike të akuzuara nuk ishte i mundur sepse mesazhet e EncroChat-it të kërkuara për këtë janë të papërdorshme dhe, për më tepër, madje as përdorshmëria, nuk i mbështesin provat e veprës penale.

Duke u ndalur të shkaqet e papërdorshmërisë së trasnkripteve, Gjykata thekson shkeljet e kërkesave për mbrojtje individuale në Nenin 31 dhe Nenin 6 paragrafi 1 shkronja b) të Direktivës mbi Urdhrin Evropian të Hetimit duke sqaruar se: “4. Në këtë procedim, Dhoma i drejtoi pyetje Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian mbi interpretimin e Nenit 31 dhe Nenit 6(1)(b) të Direktivës EEA. Në vendimin e saj të datës 30 prill 2024 – C-670/22, Gjykata iu përgjigj këtyre pyetjeve në një mënyrë që devijoi nga mendimet juridike të zhvilluara në vendimin historik të Gjykatës Federale të Drejtësisë të datës 2 mars 2022 – 5 StR 457/21. Vlerësimi i ndryshuar sipas ligjit evropian ka një ndikim në vlerësimin e përdorshmërisë, dhe do të thotë se tani duhet të supozohet se bisedat nuk mund të përdoren.

Po kështu Gjykata e Berlinit ka vendosur papranueshmërin e transkripteve si provë edhe për faktin se autoritetet Franceze nuk kanë bërë kurrë transparente as mënyrën e realizimit të përgjimeve dhe as çertifikimin e deshifrimeve të bisedave të enkriptuara kur shprehet se : “…, papranueshmëria e mesazheve të bisedave buron edhe nga kërkesat e përcaktuara në Nenin 14 paragrafi 7 të UEH-së, ……. dhe Nenin 6 të KEDNJ-së. Fshehtësia e gjerë e autoriteteve franceze dhe gjermane në lidhje me detajet teknike dhe faktet procedurale i privon të akuzuarit nga informacioni që është me rëndësi thelbësore për vlerësimin e duhur të bisedave. Kjo tashmë përcakton një ndalim të shfrytëzimit sipas ligjit gjerman dhe gjithashtu – sipas parimeve të zhvilluara në vendimin e Gjykatës së Drejtësisë të datës 30 prill 2024 – drejtpërdrejt sipas së drejtës evropiane.

Madje kjo Gjykatë ka pohuar atë kërkim që kemi shprehur gjatë gjithë procesit të të pandehurit Pëllumb Gjoka se akuzat janë arbitrare sepse janë bazuar VETËM në përmbajtjene transkripteve, pa u dhënë asnjë indicje për pjesëmarrjen e tij në ndonjë prej veprave penale. Gjykata rajonal e Berlinit ka konkluduar se : 12 3. ….. vlera provuese e mesazheve të bisedave do të zvogëlohej aq shumë nga mungesa e informacionit të lidhur me fshehtësinë saqë – në mënyrë të ngjashme me një dëshmitar që jep dëshmi të dëgjuar nga burime të tjera dhe që nuk mund të ballafaqohet për shkak të një deklarate bllokuese – prova e krimit nuk mund të bazohet vetëm në biseda. Nuk ka mjete të tjera kuptimplota prove në dispozicion. 

Prandaj Gjykata e Berlinit ka arsyetuar disponimin e saj për rrëzimin e akuzave duke konkluduar se “ 44. ….., i pandehuri u lirua nga akuzat mbi baza faktike. Akuzat bazohen në imazhe dhe mesazhe bisedash që thuhet se ai i ka dërguar dhe marrë nëpërmjet shërbimit të komunikimit EncroChat. Këto të dhëna nuk janë të pranueshme si prova dhe nuk e mbështesin dënimin.

Ndonëse ky Vendim i Gjykatës së Berlinit ka dhënë përgjgje shteruese të gjitha çështjeve komplekse që lidhen me vlerën dhe përdorimin e transkripteve të mbledhrua nga autoritetet Franceze, sjellim në vemendje  edhe qëndrimin e kësaj Gjykate në lidhje me justifikimin e arsyetimeve të gjykatave shqiptare (që shqyrtuan çështjen e të pandehurit Gjoka), për përdorimin e rezultateve të përgjimeve masive për shkak të  paragjykimit të mbajtësit të telefonave inteligjentë që përdoren në SkyECC nga përballimi i “çmimit të shtrenjtë“ që duhej paguar.

Në të kundërt të kësaj qasje, në vendimin e dt 19.12.2024 Gjykata Rajonale e Berlinit arsyeton se

 “235 Vetëm përdorimi i teknologjisë së enkriptimit – i cili shoqërohet me kosto më të larta – nuk mund të shkaktojë një dyshim fillestar për një vepër penale të katalogut ….. të Kodit Gjerman të Procedurës Penale. Nga njëra anë, jo vetëm kriminelët, por edhe gazetarët, aktivistët politikë ose punonjësit e kompanive që duan të mbrohen nga spiunazhi industrial, për shembull, kanë një interes në komunikimin e mbrojtur posaçërisht, i cili është edhe më i sigurt krahasuar me shërbime të tilla si WhatsApp, të cilat janë gjithashtu të enkriptuara nga fillimi në fund. Nga ana tjetër, përdorimi i teknologjive të enkriptimit mbështetet si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë evropian.

Gjykata ka bërë me dije se parakushtet për ndërhyrje në një masë të përgjimeve të komunikimeve, janë të ndryshme në Gjermani, krahësuar me legjislacionin që zbatohte në Francë, duke shtuar se parimi i bashkëpunimit evropian nuk synon të harmonizojë ligjin procedrurial dhe të sheshojë opsionet përkatëse të ndërhyrjes, sepse secilit shtet do të duhet të ruajë sistemin e vetë për mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve. Me rëndësi është edhe deklarimi për interpretimin e vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, sepse sipas Gjykatës së Berlinit, edhe pse prokurorisë publike në Gjermani iu lejua të kërkonte të dhëna përkatëse në Francë, kjo nuk do të thotë edhe se asaj iu lejua që t’i përdorte të dhënat e marra në proceset penale.

Ndërsa duke shqyrtuar në tërësi çështjet që lidhen me mënyrën teknike dhe procedurale të përftimit dhe marrjes së të dhënave EncroChat, Gjykata Rajonale e Berlinit, ka arsyetuar se “nuk ishte në gjendje të bindte veten se këto veprime të kryera prej autoriteteve Franceze, ishin përputhje me sundimin e ligjit që zbatohet në Gjermani.

Gjykata ka analizuar edhe standardi i parimit të besimit të ndërsjellë mes vendeve të BE-së, duke evidentuar se ky standard sipas shtejellimit të GJED të dt 30.04.2024, kërkon nga gjykata gjermane që të shqyrtojë nëse një masë ndërhyrëse në të drejtat themelore e shtetit të kërkuar (Franca), do të ishte e lejueshme sipas ligjit kombëtar gjerman…” prandaj Gjykata konkludoi se, sipas dispozitave përkatëse (ligji i brendshëm §§ 100a, 100b stop), një masë e krahasueshme ndërhyrjeje (përgjimi), nuk do të ishte e lejueshme në Gjermani dhe nuk do të mund të urdhërohej që të kryhej për efekte të procedurës penale”.

Theksojmë se Gjykata, bazuar në sistemin e vlerave të ligjit gjerman, konkludon se nuk mund të bindej se duhej të lejonte që të përdorte të dhënat e marra me UEH, nga autoritetet franceze në dhënien e vendimit të kësaj çështeje. Për rrjedhojë, Gjykata Rajonale e Berlinit, ka konsideruar të pavlefshme të dhënat e marra prej autoriteteve franceze, duke i gjetur të pabazuara 17 akuzat që ishin ngritur ndaj të pandehurit bazuar vetëm në përmbajtjen e bisedave të përgjuara.

Duke vlerësuar se ky vendim i Gjykatës Rajonale të Berlinit, përbën interpretimin më të pranueshëm dhe objektiv të vendimit të GJED të publikuar më 30.04.2024, (sepse është Gjykata që dërgoi çështjen për interpretim në Luxembourg) besojmë se do të sjellë reflektim edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatave të Posaçme, të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese për raste të ngjashme.

The post Gjykata Rajonale e Berlinit deklaroi të papërdorshme transkriptet e EnchroChat  first appeared on JavaNews.al.

❌