Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 August 2025Main stream

Sula: Rikuperimi i trupave të të zhdukurve të komunizmit, mundësi për të bërë paqe me të shkuarën

28 August 2025 at 15:45

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Autoriteti i Dosjeve, në bashkëpunim me Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër, mbajti sot, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur (30 gusht),  simpoziumin me temë: “Kufiri i Shpresës dhe i Vdekjes, 1944–1991. Shkodra përballë së kaluarës.”

Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ambasadori i Bashkimit Europian Silvio Gonzato si dhe ambasadori i OSBE-së, Michel Tarran, dy institucione që prej vitit 2017 bashkëpunojnë ngushtë me Autoritetin për trajtimin e çështjes së personave të zhdukur gjatë regjimit komunist në Shqipëri.

Të pranishëm ishin gjithashtu deputetja Greta Bardeli, përfaqësues të institucioneve publike, përfaqësues të komuniteteve fetare, të afërm të viktimave dhe të mbijetuar.

Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, u shpreh se ballafaqimi me të shkuarën është një domosdoshmëri, jo një opsion.

“Përballja me vrasjet në kufi dhe fenomenin e zhdukjes është çështje dinjiteti njerëzor. Demokracia është e fortë vetëm kur drejtësia tranzitore zbatohet. Qyteti i Shkodrës duhet të kthehet në një vend kujtese, me muze dhe hapësira përkujtimore”, shtoi ai.

Gonzato përcolli edhe shqetësimin e shumë ish-të përndjekurve që ende presin kompensimet, duke theksuar se ky proces nuk mund të shtyhet pafund. Ambasadori përmendi gjithashtu bashkëpunimin me ICMP për hartimin e protokolleve të kërkimit të personave të zhdukur.

Kryetarja e Autoritetit, Gentiana Sula, pranoi vonesat në ecurinë e procesit për rikuperimin e trupave të të zhdukurve gjatë regjimit komunist.

“Deri tani janë bërë hapa administrativë, por qetësia për familjet që ende nuk kanë një varr për të afërmin do të vijë vetëm kur të nisin gërmimet e para. Një Shqipëri që i gjen bijtë e vet është një Shqipëri më e mirë. Të vdekurit dhe ata që kanë vuajtur kërkojnë llogaridhënie historike; për të gjallët, kjo është një mundësi për të bërë paqe me të shkuarën; dhe për të rinjtë, për të mbyllur plagët që u janë trashëguar brez pas brezi”, tha ajo.

Rektori i Universitetit, Tonin Gjuraj, theksoi rolin e studimit shkencor. “Detyra jonë është të hulumtojmë mbi dokumentet, të analizojmë dëshmitë dhe ta kthejmë këtë njohje në pjesë të ndërgjegjes kombëtare e të edukimit universitar. Kujtesa nuk duhet të mbetet e ngujuar në dhimbje, por të kthehet në një proces të vazhdueshëm kërkimi, mësimi dhe reflektimi. Harrimi është një formë e dytë e vdekjes dhe ne nuk duhet ta lejojmë atë”, shtoi ai.

Në vijim, u prezantua edhe projekti artistik për ngritjen e Memorialit “Muri i Gjakut” në Shkodër, ide e deputetes Greta Bardeli, që do të shërbejë si hapësirë reflektimi dhe nderimi për viktimat e komunizmit.

Simpoziumi vijoi me prezantimet e 13 studiuesve nga trupa akademike e Universitetit të Shkodrës, institucione të tjera shkencore dhe studiues të pavarur. Kumtesat adresuan temat: si vrasjet në kufi dhe dhimbja e familjeve, mungesa e drejtësisë dhe rikthimi i së vërtetës historike, qëndresa e grave malësore përballë terrorit ,mekanizmat e kontrollit dhe dhunës shtetërore, arratisjet e intelektualëve dhe klerit, trauma ndërbreznore dhe pasojat e saj.

Në hyrje të simpoziumit, AIDSSH organizoi një ekspozitë me dokumente arkivore të krijuara nga Dega e Punëve të Brendshme, e cila hedh dritë mbi mënyrën se si regjimi ngriti një rrjet kontrolli, frike dhe ndëshkimi mbi qytetarët.

Në mbi 6 mijë faqe dokumentesh të ekspozuara dëshmohen fatet e mijëra individëve, institucioneve dhe vetë qytetit të Shkodrës, që për dekada u mbajt nën një kontroll të hekurt.

Nga dokumentet dhe dëshmitë u evidentuan kalimet e ndaluara në kufirin verior (Liqeni i Shkodrës, Buna, Hani i Hotit), ku për dekada u zhvilluan tragjedi njerëzore: qindra burra, gra dhe të rinj humbën jetën; të tjerë u arrestuan, u internuan apo u zhdukën pa gjurmë.

Në këtë simpozium u përkujtuan edhe viktimat e fundit të vrara në kufi në vitin 1990, mes tyre: Elez Kraja (29 vjeç), Dhurata Sokoli (24 vjeçe), Vat Beci (25 vjeç), Nini Hoti (25 vjeç), Pëllumb Pellumbi (17 vjeç), Osman Xhakolli (23 vjeç) dhe tragjikisht Anisa Gruda, vetëm 5 vjeçe, e vrarë në Shirokë, ndërsa arratisej me familjen e saj.

Ky simpozium e vendos Shkodrën në qendër të kujtesës historike, duke i dhënë një zë viktimave dhe një thirrje shoqërisë, të mos harrojmë dhe të mos përsërisim kurrë më krimet e së shkuarës.

/m.m/j.p/

The post Sula: Rikuperimi i trupave të të zhdukurve të komunizmit, mundësi për të bërë paqe me të shkuarën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shumica e maturantëve zgjedhin publikun, shtohen aplikimet tek Ekonomiku e Juridiku, bien te Shkencat dhe Filologjiku

By: A R
28 August 2025 at 14:54

Shumica e maturantëve zgjedhin publikun, shtohen aplikimet tek Ekonomiku e
Të premten e 29 gushtit nisin regjistrimet në shkollat e larta. Pjesa më e madhe e maturantëve edhe këtë vit kanë zgjedhur institucionet publike, ku peshën më të madhe e mban Universiteti i Tiranës.

Por nëse ekonomia dhe drejtësia janë degët më të kërkuara, programet e mësuesisë kanë ulje drastike të aplikimeve. Shkollat e larta shpallin kandidatët fitues, ndërsa të premten e 29 gushtit nis regjistrimi i studentëve të rinj.

Edhe këtë vit akademik Universiteti i Tiranës, më i madhi në vend, mban peshën më të madhe sa i përket pranimeve të reja. 60% e maturantëve thotë rektori Artan Hoxha kanë zgjedhur të vijojnë studimet në Universitetin e Tiranës.

Ekonomia dhe Drejtësia kanë shënuar rritje të kërkesave nga të rinjtë. Por dëshpëruese duket situata në degët e mësuesisë në Universitetin e Tiranës. Rektori pranon se në Fakultetin e Shkencave të Natyrës këtë vit ka patur 600 aplikime më pak.

Numër shumë të ulët studentesh pritet të ketë edhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja por dhe ai Histori-Filologji në profilin e mësuesisë. Rektori Hoxha thekson nevojën për politika qeveritare për mbështetjen e profesionit të mësuesit.

Më shpalljen e fituesve në universitete, më 29 gusht nis raundi i parë i regjistrimeve në universitete, i cili do të jetë i ndarë në 7 faza 48 orëshe. Ky proces do të vijojë dy javë, për të vijuar më pas raundi i dytë për plotësimin e kuotave të mbetura bosh nga lëvizjes të listave.

The post Shumica e maturantëve zgjedhin publikun, shtohen aplikimet tek Ekonomiku e Juridiku, bien te Shkencat dhe Filologjiku first appeared on JavaNews.al.

Hoxha: 11 mijë studentë të rinj në Universitetin e Tiranës për vitin e ri akademik

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha deklaroi sot se “UT mban edhe këtë vit peshën kryesore, ndërsa pret rreth 11 mijë studentë të rinj”.

Në një konferencë për shtyp një ditë përpara regjistrimit të studentëve për vitin e ri akademik, Hoxha tha se “këtë vit  500 maturantë më shumë do t’i drejtohen bankave të universiteteve dhe në veçanti UT e kanë zgjedhur më shumë të rinj nga viti i kaluar”.

Sipas tij, kjo është shenjë ë mirë për të rinjtë që tregon se ata i drejtohen bankave të universitetit dhe është një tregues kanë besim më shumë tek universitetet në vend në krahasim me vitin e kaluar që i drejtoheshin universiteteve jashtë vendit”.

“Universiteti i Tiranës padyshim që mban peshën kryesore të arsimit të lartë. Ne së bashku më të 3 ciklet e studimit presim mbi 11 mijë studentë. Për vitin akademik 2024-2025 kishim mbi 22 mijë studentë që tregon se pesha specifike e këtij institucioni të lartë vazhdon të jetë ajo që rëndon më shumë dhe që garanton të rinjtë shqiptarë që programet që zhvillohen në këtë universitetet janë programe të konsoliduara madje më traditë dhe të koordinuara me të gjitha zhvillimet e kohës duke u foksuar në ndërkombëtarizimin e tyre”, theksoi Hoxha.

“Nga rreth 20.200 maturantë në shkallë vendi, 60% kanë zgjedhur Universitetin e Tiranës, ndërsa në krahasim me vitin e kaluar janë 160 studentë më shumë që kanë preferuar këtë institucion. Ky është një tregues i qartë se studentët shqiptarë po e shohin gjithnjë e më shumë të ardhmen e tyre akademike te Universiteti i Tiranës. Programet tona janë të konsoliduara dhe të përditësuara me zhvillimet e kohës, duke garantuar arsim cilësor dhe mundësi të reja profesionale”, theksoi Hoxha.

Rektori Hoxha u shpreh se “të gjitha këto arritje që ka arsimi i lartë dhe në veçanti Universiteti i Tiranës rrisin vetëbesimin tek të rinjtë për të ndjekur studimet tek universitet tona”.

Hoxha foli edhe për degët që janë më të kërkuara nga të rinjtë në UT dhe ato më pak të preferuara.

“Ne kemi disa programe që janë të konsoliduara në disa fakultete që kanë edhe rritje si është Drejtësia, Ekonomia, Shkencat Sociale, Histori, Filologji. Gjithashtu, interes i lartë po vërehet në shkencat e natyrës dhe teknologjinë e informacionit, të cilat ofrojnë perspektivë të gjerë punësimi dhe kërkim të aplikuar. Megjithatë, sfidë mbeten programet e mësuesisë, ku interesi është më i ulët, duke reflektuar një prirje të maturantëve për të zgjedhur fusha të tjera më të lidhura me tregun e punës. Por kemi disa programe që vuajnë kryesisht ato të mësuesisë dhe disa programe të Shkencave të Natyrës, të cilat përzgjidhen nga një numër i madh studentësh dhe për to ka politika për ti mbështetur ata në vazhdimin e studimeve”, tha Hoxha.

Rektori Hoxha u ndal edhe tek dhënia e bursave.

“UT ka vite që ka mijëra studentë që marrin bursa. 2668 studentë këtë vit përfitojnë bursën me 100 mijë lekë të vjetra dhe janë 60 studentë nga programet që kanë interes kombëtar, të cilët pëfitojnë 400 mijë lekë të vjetra dhe sipas politikave që janë vendosur studentët e ekselencës nuk paguajnë tarifë shkollimi dhe studentë nën notën 9 paguajnë gjysmën e tarifës së studimit”, sqaroi Hoxha.

Sa i përket procesit të  regjistrimit, Hoxha tha se “për këtë vit zhvillohet në dy raunde: i pari me 7 faza dhe i dyti me 5 faza, me fazën e parë që nis që nesër. Paralelisht, Universiteti i Tiranës po forcon hapjen e tij ndërkombëtare. Ai është pjesë e 12 rrjeteve evropiane të arsimit të lartë dhe së fundmi është bashkuar në një aleancë me 8 universitete prestigjioze të Europës, duke ofruar mbi 20 programe në gjuhë të huaj dhe diploma të dyfishta në bashkëpunim me pesë universitete partnere”.

 

Rektori Hoxha u shpreh se Universiteti i Tiranës ka marrë përsipër edhe trajnimin e mësueseve të ciklit parauniversitar, të drejtueseve dhe roleve të tjera që marrin pjesë në procesin e mësimdhënies.

“Për herë të parë në mënyrë të konsoliduar Universiteti i Tiranës ka marrë përsipër të trajnojmë mësuesit e shkollave parauniversitsare, drejtuesit e tyre dhe të gjithë ata që marrin pjesë në procesin e mësimdhënies. Është një ndërmarrje e rëndësishme që ecën prej dy vitesh. Kjo ka bërë një ndërthurje dhe një lidhje me të mirë më universitetin dhe ciklin parauniversitar duke njohur më mirë njëri-tjetrin se çfarë ofrojmë nëpërmjet programeve universitare dhe parauniversitare dhe reformat që bëhen në arsim duhet të jenë të integruara pasi nxënësi kthehet në student dhe pastaj në tregun e punës”, u shpreh Hoxha.

Në lidhje me debatin për ndryshimin e ligjit për arsimin e lartë, Hoxha u shpreh se nuk është koha për një ligj të ri, por për një rishikim të tij pas një analize të plotë.

“Ligjet nuk duhen shfuqizuar, por përmirësuar. Ligji për arsimin e lartë ka treguar se i ka rezistuar kohës dhe i është përgjigjur qëllimit për të cilin është miratuar, por pas 10 vitesh zbatim ka ardhur koha për amendime që t’i përgjigjen realitetit të ri të arsimit dhe zhvillimeve që ka përjetuar Shqipëria”, tha Hoxha.

/k.s/j.p/

The post Hoxha: 11 mijë studentë të rinj në Universitetin e Tiranës për vitin e ri akademik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Të rinjtë në timon, shkaktarët kryesorë të aksidenteve në Shqipëri

28 August 2025 at 13:18

Nga Gazeta ‘SI’- Të rinjtë në timon janë shkaktarët kryesorë të aksidenteve në vend.

Shifrat nga INSTAT për muajin korrik tregojnë se rreth 30% e aksidenteve gjatë këtij muaji ndodhën si pasojë e sjelljes së shoferëve që i përkasin grupmoshës 25-34 vjeç.

Gjithsesi, numri i aksidenteve gjatë korrikut është ulur, krahasuar me një vit më parë, 131 me 146. Por INSTAT raporto se ka më shumë të dëmtuar, lënduar apo vdekur 196 persona nga 191 korrikun e shkuar.

Dita e martë dhe fasha orare 08:00–12:00 rezultojnë periudhat më problematike, kur dhe janë regjistruar më shumë aksidente.

The post Të rinjtë në timon, shkaktarët kryesorë të aksidenteve në Shqipëri appeared first on Gazeta Si.

Barazia në paga ende larg! Vetëm 4 profesione ku gratë marrin më shumë se burrat

By: Elva
28 August 2025 at 08:37

Në vitin 2024, një mashkull në vend paguhej mesatarisht me 79.3 mijë lekë në muaj bruto, me një rritje prej 9.1% në krahasim me një vit më parë. Një grua merrte 75.4 mijë lekë/muaj, ose 10.6% më shumë se në 2023-n. Të dhënat janë bërë të ditura nga INSTAT. Teksa pagat mesatare të grave janë […]

The post Barazia në paga ende larg! Vetëm 4 profesione ku gratë marrin më shumë se burrat appeared first on BoldNews.al.

Vendi po zbrazet! 10% e shqiptarëve duan të ikin që këtë vit, 33% brenda dekadës

By: Elva
28 August 2025 at 08:20

Rreth 33% e shqiptarëve e konsiderojnë emigrimin përkohësisht ose përgjithmonë brenda dhjetë viteve të ardhshme, ndërsa 10 për qind e tyre synojnë largimin brenda vitit. Këto ishin rezultatet e anketës që zhvilloi në nëntor të vitit 2024 Banka Qendrore e Austrisë në vendet e Europës, Qendrore, Juglindore dhe Lindore CESEE (Bullgari, Çeki, Hungari, Poloni, Rumani, […]

The post Vendi po zbrazet! 10% e shqiptarëve duan të ikin që këtë vit, 33% brenda dekadës appeared first on BoldNews.al.

Rritet punësimi i të huajve në Shqipëri, 12 mijë të punësuar përgjatë 2024-ës në sektorët e turizmit dhe ndërtimit

By: A R
27 August 2025 at 22:01

INSTAT raporton se përgjatë vitit 2024, numri i të huajve që morën një leje qëndrimi ishte 21.940, ose 2,2% më shumë se në vitin 2023. Ndërkohë, shtetasit nga Italia, Turqia dhe India kryesojnë listën.

Sa i përket interesit për të marrë një leje pune në vendin tonë, kryesojnë shtetasit nga Turqia, Bangladeshi, India dhe Nepali.

Së pari janë arsyet për çështje pune, si për punë sezonale, ashtu edhe për kontrata të përhershme, kryesisht nga 1- në 3-vjeçare. Arsyeja e dytë lidhet me lidhje të caktuara që kanë me Shqipërinë për çështje ofrimi shërbimi apo konsulence. Arsyeja e tretë ka të bëjë me bashkimin familjar,” thotë Erion Muça, ekspert i sektorit të turizmit.

Sektori i turizmit është një nga më të rëndësishmit në tërheqjen e fuqisë punëtore të huaj. Vetëm në fillim të këtij sezoni kishte nevojë për 20 mijë punëtorë.

Kryesisht në këtë periudhë është sektori i turizmit, sektori i përpunim-prodhimit, i ndërtimit dhe më pas sektorët që ofrojnë shërbime,” tregon z. Muça.

Muça flet për një interes specifik në profesione të caktuara, ndërkohë që prania e forcës së punës vendase është në rënie.

Nuk do të thoja që Shqipëria po bëhet e varur nga punonjësit e huaj, por për disa profile që kanë të bëjnë me punë të thjeshta elementare, për të cilat kanë nevojë industri të caktuara, tregu vendas i punës e ka të domosdoshëm marrjen e punonjësve nga jashtë,” shprehet eksperti.

Gjatë vitit të kaluar, qeveria nisi negociatat me autoritetet filipinase për të sjellë mijëra punonjës të kualifikuar, kryesisht për sektorin e turizmit.

The post Rritet punësimi i të huajve në Shqipëri, 12 mijë të punësuar përgjatë 2024-ës në sektorët e turizmit dhe ndërtimit first appeared on JavaNews.al.

Yesterday — 27 August 2025Main stream

Sigurimi nga tërmetet, çfarë nuk shkon me draftin?

By: B K
27 August 2025 at 21:00

Bizneset kanë rezerva dhe sugjerime sa i takon projektligji për sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet i cili është hedhur së fundmi për konsultim publik.

Përmes një shkrese dërguar Ministrisë së Financave, Dhoma Amerikane e Tregtisë, thekson se drafti përkufizon banesat dhe seksionet e brendshme por lë paqartësi për ndërtesat me përdorim të përzier se për strukturat që janë vetëm pjesërisht rezidenciale.

Po ashtu, në shkresë thuhet se përkufizimi i ngjarjes së tërmetit lidhet me magnitutën mbi 5.0, por nuk specifikohet procesi për njohjen dhe shpalljen zyrtare të saj nga autoritetet, duke krijuar hapësire për kontestim.

Sa i takon natyrës detyruese që ka projektligji, i cili e lidh sigurimin e banesave me aksesin në shërbime të rëndësishme si kadastra, e-albania, QKB, Dhoma Amerikane, thekson se edhe pse është një stimul i fortë për respektimin ligjit, refuzimi i shërbimeve bazë për personat që nuk e zbatojnë atë, mund të cenoje parimin e propocionalitetit, veçanërisht për shtresat vulnerabil. Në këtë pikë rekomandohet parashikimi i përjashtimeve dhe lehtësive për kategori të caktuara të popullsisë.

Nga ana tjetër, krijimi i Fondit për Tërmetet si shoqëri aksionare publike konsiderohet si një qasje pozitive, por në optikën e bizneseve, ligji i jep Ministrisë së Financave kompetenca të gjera mbi emërimet dhe mbikëqyrjen, duke ngritur dyshime mbi pavarësinë e vërtetë të Fondit.  Për këtë arsye, rekomandohen të shtohen dispozita më të detajuara mbi konfliktin e interesit, transparencën dhe publikimin e raporteve dhe auditimeve periodike.

Në shkresë thuhet se projektligji parashikon një afat tremujor për pagesën e pretendimeve por nuk sqaron procedurat në rast refuzimi apo vonese. Gjithashtu, ankimi para komisionit ad-hoc nuk është i detajuar për nga përbërja dhe kompetencat.  Për këtë qellim rekomandohet një kuadër më i plotë mbi mekanizmat e ankimimit dhe përfshirja e zgjidhjeve alternative si ndërmjetësimi apo arbitrazhi, të cilat do të siguronin më shumë besim dhe efikasitet. Nga ana tjetër kërkohet marrje masash që shkëmbimi i të dhënave të qytetarëve ndërmjet institucioneve të jetë në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Sipas Dhomës Amerikane një pikë tjetër problematike, është se projektligji trajton sigurimin e detyrueshëm dhe atë vullnetar, por koordinimi mes tyre dhe renditja e pagesave nuk është i detajuara.

The post Sigurimi nga tërmetet, çfarë nuk shkon me draftin? first appeared on JavaNews.al.

Thatësira uli prodhimin e hidrocentraleve, KESH importoi 156 milionë euro energji

By: B K
27 August 2025 at 17:52

Hidrocentralet në vend prodhuan më pak energji në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas të dhënave të INSTAT, nga janari deri në qershor u prodhuan afro 4 mijë gigavat orë energji, ose 7.2% më pak se vjet. Mungesa e prodhimit vendas është mbuluar me energji importi.

Me një sistem që ende në pjesën dërrmuese varet nga burimet hidrike, thatësira ka ndikuar në mënyrë të dukshme në prodhimin e energjisë. Nga 4.3 mijë gigavat në gjashtë muajt e parë të vitit të kaluar, në 2025, hidrocentralet private e publike dhe parqet e energjisë së rinovueshme, gjeneruan 329 gigavat më pak.

Rënia erdhi nga tkurrja e prodhimit nga hidrocentralet, si rezultat i mungesës së reshjeve, ndërkohë që parqet fotovoltaike dhe ato eolike përfituan. Prej tyre u prodhuan 465 gigavat orë energji, nga 195 gigavat vjet.

Rënia e prodhimit vendas u kompensua nga importet. Brenda këtyre gjashtë muajve janë blerë gati 1.5 mijë gigavat orë energji elektrike bazuar në shifrat e INSTAT, nga 1.1 mijë giga të importuara vjet në të njëjtën periudhë.

KESH ka nisur të blejë që në nisje të vitit, dhe sipas të dhënave të ankandeve, deri më tani janë shpenzuar 156.5 milionë euro për blerje energjie.

Importi i energjisë është rritur me 3.2 herë në raport me vjet, kur deri në gusht 2024 importi ishte 48.8 milionë euro.

Ndërsa prodhimi ka rënë, konsumi është rritur. Vetëm në tremujorin e dytë thotë INSTAT, konsumatorët familjarë e shtuan konsumin e energjisë me 10.2%, ndërsa bizneset ishin më të kursyer pasi harxhuan 3% më pak energji se e njëjta periudhë vjet.

Ditët e nxehta të verës e rritën më tej konsumin. Vetëm në korrik, thotë Ministria e Energjisë, konsumi është rritur me 30%, ku rol veç temperaturave ka edhe sezoni turistik.

PRODHIMI I ENERGJISË ELEKTRIKE
                               Viti 2024               Viti 2025
Janar-Mars            2.478 GWh          2.234 GWh
Prill-Qershor         1.841 GWh          1.757 GWh
Total 6-muaj         4.319 GWh           3.991 GWh
IMPORTI I ENERGJISË ELEKTRIKE
Janar-Gusht 2024            48.8 mln euro
Janar- Gusht 2025          156.5 mln euro
Diferenca                     +107.7 mln euro

 

 

The post Thatësira uli prodhimin e hidrocentraleve, KESH importoi 156 milionë euro energji first appeared on JavaNews.al.

Tiranë, punonjësit e policisë i bashkohen nismës për dhurimin e gjakut

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Punonjësit e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të Komisariateve në varësi iu bashkuan sot nismës për dhurimin e gjakut, për të ndihmuar qytetarët që kanë nevojë.

Me bindjen se çdo dhurim gjaku është një jetë e shpëtuar, efektivë të policisë dhanë kontributin e tyre human, duke treguar se misioni i policisë nuk kufizohet vetëm te garantimi i rendit dhe i sigurisë publike, por edhe te mbështetja e qytetarëve në raste nevoje.

Policia e Tiranës do të vijojë të mbështesë dhe të inkurajojë iniciativa të tilla, që forcojnë lidhjen e saj me komunitetin.

Këtë vit, motoja e përzgjedhur është: “Dhuro gjak, dhuro shpresë: së bashku shpëtojmë jetë”.

Objektivat e fushatës për 2025-n janë rritja e ndërgjegjësimit të publikut për nevojën kritike për dhurimin e gjakut dhe plazmës dhe ndikimin që ato kanë në jetën e pacientëve, inkurajimi i dhuruesve të rinj dhe ekzistues që të japin gjak rregullisht, nxjerrja në pah e ndikimit pozitiv të dhuruesve të gjakut në shëndetin dhe mirëqenien e të tjerëve nëpërmjet dhurimit të gjakut.

/k.s/r.e/a.f/

The post Tiranë, punonjësit e policisë i bashkohen nismës për dhurimin e gjakut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Masa të reja për sigurinë rrugore pranë shkollave para nisjes së vitit të ri shkollor

By: A R
27 August 2025 at 15:20

Ndërsa dita e parë e vitit të ri shkollor po afron, kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se qeveria po ndërmerr një sërë masash konkrete për të rritur sigurinë rrugore në zonat përreth shkollave në të gjithë vendin.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama theksoi se krahas përgatitjeve të zakonshme për furnizimin me materiale mësimore dhe logjistikë shkollore, një prioritet këtë vit janë edhe ndërhyrjet infrastrukturore që garantojnë sigurinë e nxënësve gjatë rrugës për në shkollë dhe kthimit prej saj.

“Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, paralelisht me përgatitjet e tjera të materialeve mësimore po bëhen edhe ndërhyrjet e nevojshme për rritjen e sigurisë rrugore, (vijat e bardha, semaforë, mbikalime etj.) pranë të gjitha shkollave që janë anës rrugës dhe ku fëmijët kalojnë çdo ditë për të ndjekur orët mësimore.”, shkruan Rama, ndërsa ndan me qytetarët që e ndjekin në rrjete sociale edhe disa foto që tregojnë vijat e bardha pranë shkollave të sapo lyera.

Këto masa synojnë të parandalojnë aksidentet dhe të krijojnë një mjedis më të sigurt për mijëra fëmijë që çdo ditë kalojnë rrugët për të shkuar në shkollë, veçanërisht në zonat urbane me qarkullim të dendur.

The post Masa të reja për sigurinë rrugore pranë shkollave para nisjes së vitit të ri shkollor first appeared on JavaNews.al.

Rama: Rritje e sigurisë rrugore në prag të vitit të ri shkollor

27 August 2025 at 14:53

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Rritja e parametrave të sigurisë rrugore pranë shkollave si dhe sensibilizimi për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor mbeten në fokus të autoriteteve shtetërore.

Për këtë arsye, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor po plotësohet sinjalistika rrugore sidomos në rrugët pranë shkollave.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto të rrugëve pranë institucioneve arsimore, ku po kryhen ndërhyrjet e nevojshme për plotësimin e sinjalistikës rrugore.

“Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, paralelisht me përgatitjet e tjera të materialeve mësimore po bëhen edhe ndërhyrjet e nevojshme për rritjen e sigurisë rrugore, (vijat e bardha, semaforë, mbikalime etj.) pranë të gjitha shkollave që janë anës rrugës dhe ku fëmijët kalojnë çdo ditë për të ndjekur orët mësimore”, u shpreh Rama.

Policia Rrugore ka simuluar në vijimësi situata rrugore me nxënësit për t’i edukuar mbi sjelljen e sigurt në rrugë‍ dhe për mënyrën e reagimit në raste emergjente.

Aktivitetet synojnë ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e nxënësve për rëndësinë e respektimit të rregullave të qarkullimit me qëllim parandalimin e aksidenteve.

/m.m/

The post Rama: Rritje e sigurisë rrugore në prag të vitit të ri shkollor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ristani: Hapim 5 shkolla të reja në Tiranë, kompensim financiar për fëmijët në nevojë

27 August 2025 at 14:00

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani zhvilloi një takim me institucionet e varësisë për fillimin e vitit të ri shkollor. Nënkryetarja dha lajmin e mirë për hapjen e 5 shkollave të reja këtë vit.

“Gjatë vitit do të hapim 5 shkolla të reja të ndërtuara nga fillimi dhe 1 të rikonstruktuar rrënjësisht. Do të jetë shkolla “Pjetër Budi”, njësia administrative 7, “Edith Durham”, historikja, në njësinë 5, “Ibrahim Hima” në Vaqarr e cila do të jetë e para që do të jetë gati. Jemi në fazën e mobilimit,  kështu që besoj brenda shtatorit do ta zgjidhim. Shkolla e mesme e bashkuar “Mersim Duqi”, njësia administrative Bërzhitë, në fshatin Ibë gjithashtu ndërtim i ri. Shkolla e bashkuar në Krrabë e cila do të përfundojë rreth fundit të vitit shkollor, pra në 2026 dhe është duke u rikonstruktuar shkolla 9-vjeçare “Shyqyri Peza” e cila po kalon një riskontruktim të plotë. Pra, është  thuajse e re dhe që do të përfundojë brenda këtij viti”, u shpreh Ristani.

Ajo tha se këtë vit nis edhe ndërtimi i kopshteve dhe çerdheve të reja në kryeqytet.

“Sa i përket arsimit parashkollor, do të funksionojë me  45 çerdhe dhe 54 kopshte dhe 126 grupe parashkollorësh. Janë shpërndarë nëpër të gjitha zonat periferike të Tiranës ku rreth 6 000 fëmijë do të hyjnë për herë të parë në sistemin tonë të çerdheve dhe të kopshteve, kështu që u urojmë mirëseardhjen të gjithë atyre familjeve të reja që bëhen pjesë e këtij komuniteti të shërbimit. Këtë vit do të fillojmë ndërtimin e ri të kopshteve dhe çerdheve të integruar tek ish-shkolla “Migjeni”, njësia administrative numër 9, ndërtim i ri në kopshtin në njësinë administrative Farkë. Po bëhemi gati për punime në kopshtin 50 në njësinë administrative numër 8 në rrugën “Besim Daja”. Gjithashtu gjatë 2026 do të vijojmë ndërtimin e ri për një kopsht dhe çerdhe të integruar në njësinë administrative numër 1 ku nevoja për kopshte dhe çerdhe ka qenë gjithashtu në rritje”, tha Ristani.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës tha se në fokus do jenë fëmijët që nuk kanë mundësi financiare për t’u ushqyer mirë të cilëve do t’u jepet edhe një kompensim financiar nga Bashkia Tiranë.

“Po aq e rëndësishme është pjesa e ndihmesës apo pjesa e aktiviteteve që plotësojnë zhvillimin e fëmijëve dhe zhvillimin e nxënësve, përpos orareve të shkollës. Kemi në përkrahje të kësaj edhe kompensim ushqimor i cili kalon me miratimin e Këshillit Bashkiak dhe financim të Bashkisë për ata nxënës të cilët nuk e kanë mundësinë të ushqehen rregullisht apo t’u jepet drekë me vete në ambientet e shkollës. Kjo ndodh me 140 nxënës në 11 shkolla të ndryshme të cilët përfitojnë nga ky program i mbuluar nga buxheti i bashkisë dhe qendrat sociale të cilat ofrojnë programin e pas shkolle për ato familje me fëmijë të neglizhuar për sa i përket orarit apo impenjimit apo dhe kapaciteteve të familjeve të tyre për t’i ndjekur në nevojat arsimore dhe në zhvillimin e tyre. Është e rëndësishme të theksohet që ndajmë çdo vit 700 bursa për nxënës që vijnë nga familje në ndihmë ekonomike dhe japim 2800 të tilla për nxënësit ekselentë, për ata që janë më të mirët marrin dhe gjithashtu kompensim. Investimet janë njësoj si në qendër, si në periferi”, përfundoi Ristani.

/e.i/j.p/

The post Ristani: Hapim 5 shkolla të reja në Tiranë, kompensim financiar për fëmijët në nevojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

3,314 të rinj aplikuan në programin e praktikave të punës, numri më i lartë në 10 vite

27 August 2025 at 14:00

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ 3,314 të rinj kanë aplikuar në programin e praktikave të punës që përbën numrin më të lartë në 10 vite.

Lajmi u dha sot nga ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, e cila u shpreh se, ky është një sinjal i fortë se rikonceptimi i programit ka funksionuar.

“Këtë vit kemi arritur një rekord të ri. 3.314 të rinj kanë aplikuar në Programin Kombëtar të Praktikave të Punës. Numri më i lartë në 10 vite. Ky është një sinjal i fortë, se rikonceptimi i programit ka funksionuar. Aplikimet janë më të shumta, më cilësore dhe konkurrenca është më e fortë se çdo vit”, tha Muzhaqi.

“Tani, të gjitha institucionet po bëjnë vlerësimet dhe brenda 10 ditësh do të njoftohen të gjithë kandidatët e suksesshëm. Suksese të gjithë të rinjve që kanë aplikuar. Dhe faleminderit për besimin që na keni treguar tek ky program”, u shpreh ministrja Muzhaqi.

/gj.m/j.p/

The post 3,314 të rinj aplikuan në programin e praktikave të punës, numri më i lartë në 10 vite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu: Bazat e inteligjencës artificiale në kurrikulën shkollore

27 August 2025 at 10:35


TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Ky vit i ri shkollor do të sjellë një tjetër risi në arsim, ku për herë të parë nxënësit e klasës së katërt do të mësojnë bazat e inteligjencës artificiale, me kurrikulën e re të TIK, teksa vijojnë investimet për zgjerimin e rrjetit të laboratorëve inteligjentë në shkolla.

Ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Ogerta Manastirliu ishte sot në shkollën “Isa Boletini”, në  Paskuqan, ku po vijon edhe shpërndarja e librave falas, një lehtësi për familjet në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.

Ministrja Manastirliu u shpreh se në total janë rreth 236 mijë nxënës, të cilët mbështeten çdo vit përmes programit “Tekste falas”.

“Jemi duke punuar për shpërndarjen e teksteve falas për të gjitha nivelet e arsimit bazë por edhe për gjimnazet, ku janë rreth 12 500 nxënës të gjimnazeve. Në total janë rreth 236 mijë nxënës të cilët mbështeten përmes programit ‘Tekste falas’ çdo vit”, tha ajo.

Ministrja theksoi se përgjatë vitit 2026 do të ketë më shumë se 600 shkolla që do të pajisen me laboratorë smart, kjo me synim zhvillimin e aftësive digjitale te fëmijët.

“Prej tre vitesh ne kemi nisur një program të TIK që nga klasa e parë, por me zhvillimet teknologjike ne kemi mundur që përgjatë vitit që lamë pas, por edhe duke vijuar në këtë vit të kemi një ndjekje në kohë reale të arritjeve të nxënësve që mësojnë kodimin. Kemi mësuar rreth 35 mijë fëmijë si të kodojnë, por nga ana tjetër kemi miratuar edhe kurrikulën e re për klasat e katërta, e cila për herë të parë do të sjelli bazat e njohurive për inteligjencën artificiale”, tha Manastirliu.

(vijon)

/j.p/

 

 

The post Manastirliu: Bazat e inteligjencës artificiale në kurrikulën shkollore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita e sotme me kthjellime, temperaturat në rritje

By: A R
27 August 2025 at 08:09

Ditën e sotme (27 gusht) vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme. Moti parashikohet të jetë me kthjellime dhe vranësira të pakta kalimtare në orët e mesditës në veri të vendit.

Era do të fryjë me drejtim verilindje – veriperëndim me shpejtësi mesatare 8 m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare hera-herës do të fitojë shpejtësi deri në 10 m/s.

Sipas SHMU-së, deti do të jetë me valëzim të forcës 1-2 ballë.

The post Dita e sotme me kthjellime, temperaturat në rritje first appeared on JavaNews.al.

Rregulla të reja për rekrutimet në shkollat profesionale, për herë të parë edhe oficer sigurie

By: A R
26 August 2025 at 23:00

Pak ditë para nisjes së vitit të ri akademik, Ministria e Ekonomisë ka miratuar rregullat e reja për rekrutimin e stafit në institucionet arsimore të formimit profesional.

Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve të fundit në udhëzimin për funksionimin e ofruesve publikë të Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP), është zyrtarizuar për herë të parë pozicioni i Oficerit të Sigurisë në këto institucione.

Ky rol i ri synon të garantojë mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë brenda ambienteve të institucioneve arsimore profesionale, si dhe të ndihmojë në parandalimin dhe menaxhimin e situatave problematike që prekin nxënësit dhe stafin.

Sipas udhëzimit përcaktohet se detyrat kryesore të oficerit të sigurisë përfshijnë marrjen e masave për parandalimin e situatave që cenojnë sigurinë fizike dhe psikologjike të nxënësve; Monitorimin e sjelljes së nxënësve dhe ndërhyrjen në rast shkeljesh të rënda të rregullores së brendshme; Raportimin periodik për rastet problematike dhe ndihmesë në hartimin e masave disiplinore; Bashkëpunimin me strukturat përkatëse për rastet e dhunës, bullizmit, abuzimit apo shkeljeve të tjera të etikës; Informimin dhe ndërgjegjësimin e komunitetit shkollor për çështje të sigurisë dhe rendit.

Oficeri i Sigurisë do të rekrutohet sipas një procedure të standardizuar, në përputhje me rregullat e shërbimit civil, ku përfshihen. Për kualifikim kandidatët duhet të përmbushin kriteret bazë të arsimimit, ku përcaktohet se duhet të ketë diplomë të ciklit të dytë ose diplomë të barasvlershme me të në fushën e edukimit, të shkencave sociale, sociologjisë, psikologjisë, drejtësisë. Si dhe të kenë përvojë në çështje sigurie, etikë profesionale dhe aftësi ndërpersonale.

Pak ditë më parë me nisjen e vitit shkollor 2025–2026, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Ekonomisë kanë miratuar një udhëzim të përbashkët që përcakton masat kryesore për organizimin e procesit mësimor në shkollat parauniversitare. Udhëzimi u fokusua në rregullat për regjistrimin e nxënësve, shpërndarjen e teksteve falas për arsimin bazë, ndalimin e përdorimit të celularëve në ambientet shkollore, si dhe masat kundër dhunës dhe bullizmit. Prioritet i veçantë i jepet zbatimit të Planit Kombëtar për parandalimin e dhunës, krijimin e ekipeve “antibulling” dhe organizimin e veprimtarive sensibilizuese gjatë vitit shkollor./Marrë nga Monitor

The post Rregulla të reja për rekrutimet në shkollat profesionale, për herë të parë edhe oficer sigurie first appeared on JavaNews.al.

Before yesterdayMain stream

E trishtë: Ky është 75-vjeçari nga Klina që u gjet pa shenja jete në shtëpinë e tij, nesër i jepet lamtumira e fundit

26 August 2025 at 22:34

Gazeta Sinjali ka raportuar sot për një ngjarje të rëndë qëka ndodhur në fshatin Qeskov të Klinës, ku një burrë që jetonte i vetëm është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij.

Siç mësoi Sinjali, viktima është Tahir Berisha rreth 75-vjeçar, i cili prej rreth 10 ditësh nuk kishte pasur asnjë kontakt me familjarët. Kjo ka bërë që një e afërme e tij, të njoftonte Policinë më 25 gusht 2025, rreth orës 15:30.

Lamtumira e fundit për të ndjerin do të bëhet më 27 gusht 2025, në ora 14:00, në varrezat e fshatit Qeskovë.

Rasti është cilësuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post E trishtë: Ky është 75-vjeçari nga Klina që u gjet pa shenja jete në shtëpinë e tij, nesër i jepet lamtumira e fundit appeared first on Sinjali.

Manastirliu: Shkolla “Rilindja” në Gramsh, kushte dinjitoze për 250 nxënës dhe mësues

26 August 2025 at 15:27

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Rreth 250 nxënës të shkollës 9-vjeçare “Rilindja” në Gramsh do të kenë në shtator ambiente me standarde evropiane të zhvillimit të procesit mësimor.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu u shpreh sot se kjo shkollë 9-vjeçare do të ketë standarde evropiane, klasa të reja dhe mjedise bashkëkohore.

Sipas Manastirliut, shkolla “Rilindja” do të ofrojë “këtë vit të ri shkollor kushte dinjitoze për 250 nxënës dhe mësues, falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë së Gramshit”.

Me buxhetin e vitit 2025 do të ndërtohen ose rikonstruktohen rreth 70-80 objekte arsimore të arsimit bazë, me rreth 1000-1200 klasa/laboratorë, ku do të përfitojnë rreth 20 000 -25 000 nxënës dhe 1500-2000 punonjës mësimorë.

Pamje nga shkolla “Rilindja” në Gramsh
1 nga 6

/e.i/j.p/

The post Manastirliu: Shkolla “Rilindja” në Gramsh, kushte dinjitoze për 250 nxënës dhe mësues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çelet kësti i pestë i dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë, publikohet lista e përfituesve

By: A R
26 August 2025 at 16:02

Ministria e Financave ka nisur procedurën e pagesës së këstit të pestë për kategorinë e subjekteve përfituese joparësore, përfshirë trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë.

Përmes një komunikate për mediat bëhet me dije dhe lista e parë e dosjeve në radhë për përfitimin e këtij kësti, ku përfshihen emrat e përfituesve që plotësojnë kriteret ligjore dhe dokumentacionin e nevojshëm.

Kjo nismë vjen në zbatim të Urdhrit të Ministrit të Financave Nr. 12, datë 20.08.2025, si dhe ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.

Procedura e pagesës zhvillohet edhe në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 419, datë 14.01.2011, që rregullon afatet dhe skemën e shpërndarjes së fondeve të dëmshpërblimit për ish të dënuarit politikë të regjimit komunist.

Në bazë të dokumentacionit të depozituar pranë Drejtorisë përkatëse të Ministrisë së Financave, kontrollohet me kujdes çdo dosje individuale, ndërsa pagesat kryhen sipas rendit të përcaktuar dhe pas pagesave të mëparshme.

Ky është një tjetër hap konkret i qeverisë për të përmbushur angazhimet ligjore dhe historike për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë dhe familjeve të tyre. Për më shumë informacion dhe listën e plotë të përfituesve, Ministria e Financave ka vënë në dispozicion linket në njoftimin zyrtar.

The post Çelet kësti i pestë i dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë, publikohet lista e përfituesve first appeared on JavaNews.al.

❌
❌