Lando Norris triumfon në Hungari, “luftë” brenda McLaren për titullin kampion
McLaren ka shkëlqyer në Çmimin e Madh të Hungarisë, duke siguruar një ‘dopietë’ të çmuar me Lando Norris në vend të parë dhe Oscar Piastrin të dytin. Ishte një garë spektakolare në Budapest, ku pavarësisht një nisjeje të dobët nga radha e dytë, Norris e përmbysi situatën dhe siguroi fitoren e tij të gjashtë sezonale, të tretën në katër garat e fundit.
Çelësi i suksesit të britanikut ishte një strategji më e zgjuar, me një ndalesë më pak në bokse krahasuar me rivalët. Pavarësisht presionit të madh në fund nga Piastri, australiani nuk arriti ta kalonte shokun e skuadrës, edhe pse kaloi më herët Charles Leclerc të Ferrarit, i cili ishte nisur nga ‘pole position’.
Leclerc e dominoi gjysmën e parë të garës dhe dukej se do të arrinte fitoren e parë të sezonit, por strategjia e dështuar e Ferrarit me përzgjedhjen e gomave të forta i kushtoi shumë. Ai u parakalua edhe nga George Russell i Mercedes-it në xhirot e fundit, ndonëse britaniku u penalizua me pesë sekonda për bllokim të parregullt ndaj Leclerc. Monegasku shpërtheu në radio duke akuzuar inxhinierët e tij se nuk e dëgjuan për strategjinë e gomave.
Për McLaren kjo ishte fitorja e 200-të në historinë e tij në Formula 1, një arritje e madhe që u festua me dy pilotë në podium. Pas katër të parëve, Fernando Alonso me Aston Martin zuri vendin e pestë, ndërsa i gjashti ishte braziliani i ri Gabriel Bortoleto me Sauberin.
Një garë që konfirmon formën e shkëlqyer të Norris dhe rikthimin e McLarenit në qendër të luftës për fitore./ D.C