Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Organizatat e shoqërisë civile kundër Kodit Penal: Përhap kriminalizimin dhe kufizon gazetarët!

Nga Gazeta ‘SI’ – Organizatat e shoqërisë civile në vend kanë reaguar kundër Kodit të ri Penal, duke shprehur shqetësim për përhapje të gjerë të kriminalizimit dhe kufizim të lirisë së shprehjes.

Qëndresa Qytetare ngre alarmin për ngre alarmin për ndryshimet që parashikojnë dënim me eqje lirie për shkelje administrative.

“Kodi i Ri Penal përtej valës së eksodit drejt vendeve të Bashkimit Europian, në kushtet kur drejtësia e re është larguar nga qytetari rrezikon që burgjet të popullohen dhe të krijojë një kaos të paprecedentë në sistemin e drejtësisë. Qëndresa Qytetare kërkon që Kodi i ri penal të kalojë në një fazë të gjerë konsultimi publik ku të jenë të përfshirë qytetarët, shoqëria civile, mediat dhe ekspertët e fushës”, thuhet në deklaratën e QQ.

Organizata SCiDEV dhe rrjeti rajonal SafeJournalists shprehin shqetësim për disa nga nenet që mund të kufizojnë dhe cënojnë gazetarët në punën e tyre.

Organizatat theksojnë se nenet 865 dhe 863 që prekin fyerjen dhe shpifjen jo vetëm që nuk respektojnë rekomandimet e tyre të përsëritura dhe ato të institucioneve evropiane për dekriminalizimin e këtyre veprave, por përkundrazi, zgjerojnë sanksionet penale dhe fusha e zbatimit të tyre krijon rrezik frikësimi ndaj gazetarëve, aktivistëve dhe qytetarëve të angazhuar.

“Zgjerimi i përgjegjësisë penale për komentet në media apo rrjete sociale, rritja e gjobave dhe paqartësitë ligjore mund të çojnë në abuzim dhe ndëshkim selektiv. Në mënyrë të veçantë, dispozita si ajo që lejon justifikimin e deklaratave në ‘gjendje zemërimi’ krijon standarde të dyfishta për zyrtarët e pushtetshëm,” thuhet në reagim.

Sipas organizatave drafti nuk parashikon as mbrojtje të gazetarëve dhe dekriminalizim të shpifjeve, siç është rekomanduar.

Organizatat theksojnë se formulimi i përgjithshëm dhe i paqartë i disa neneve të draftit lë hapësirë për interpretim arbitrar dhe zbatim selektiv, në dëm të gazetarëve dhe lirisë së medias.

“Është shqetësuese mungesa e garancive ligjore për gazetarët që raportojnë për çështje të ndjeshme si korrupsioni apo abuzimi me detyrën. Ky draft, nëse miratohet në formën aktuale, do të përkeqësojë më tej klimën e pasigurisë për median e pavarur në Shqipëri,” përfundon deklarata.

The post Organizatat e shoqërisë civile kundër Kodit Penal: Përhap kriminalizimin dhe kufizon gazetarët! appeared first on Gazeta Si.

Dhoma e Avokatëve kundërshton Kodin e ri Penal: Represiv! Do e çojmë në Kushtetuese!

Nga Gazeta ‘SI’ – Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë ka kundërshtuar ndryshimet në Kodin Penal dhe ka njoftuar kontestim në Gjykatën Kushtetuese.

Kryetari i Dhomës, Maks Haxhia e ka cilësuar si “represiv” Kodin e ri Penal dhe duke shprehur se na rikthen në kohën e komunizmit.

“Kodi që lamë pas në kohën e diktaturës po ta krahasojmë me dënimet ka dënime represive… Nuk ka logjikë që ta pranojë që një kod i tillë i cili është inkuizitor, me dispozita marramendëse, me dënime marramendëse, me teknikë juridike që s’e pranon asnjë mendje profesionale që të jetë ky një draft që do ta pranojë Europa. Ky në të gjithë aspektin e vet është në diskordancë me legjislacionin penal europian”, tha avokati.

Haxhia u shpreh se Kodi i propozuar ka “dispozita konfuze, të paargumentuara dhe të paorientuara”. 

“Janë bërë nene që nuk i pranojnë dhe janë tepër diskriminuese siç është neni 537 që bien ndesh me parimet e Dhomave të Avokatisë. Ata që kanë bërë këtë ligj nuk e njohin avokatinë. Nëse e njohin do jetë turp për ata që e kanë bërë, që nuk dinë një gjë që avokatia është një profesion i lirë, i vetëdrejtuar, i vetëadministruara dhe i pavarur. janë katër shtylla që nuk i ka ligji shqiptar si shpikje, por i ka sjellë eksperienca legjislacioni ndërkombëtar”, tha Haxhia.

Haxhia bie dakord se për momentin nuk ka qenë nevoja për krijimin e një kodi të ri. Problem është procedura penale dhe burimet njerëzore.  

Ndër të tjera Haxhia kërkoi të mos kalojë drafti në Kuvend. Ai theksoi se Kodi i ri duhet t’i nënshtrohet jo vetëm një diskutimi në opinion, por mbi të gjitha me aktorët në fushën e drejtësisë.

“Gushtin do punoj për të argumentuar teknikisht qëndrimin e Dhomës për të dalë në përfundim në një material që do ua bëjmë prezent të gjithë forcave politike në parlament duke kundërshtuar me forcë të mos kalojë ky draft, komisionit të ligjeve, organizatës sonë ku Shqipëria bën pjesë në ÇBE që është organizata e Dhomave të Avokatisë së BE-së ku Shqipëria është me status të veçantë”, tha Haxhia, i cili theksoi se mjeti i fundit do të jetë Gjykata Kushtetuese, por shpreson që çështja të mos shkojë deri aty.

Një ditë më parë, rezerva për Kodin e ri shprehu edhe kryeprokurori Olsian Çela, i cili tha se masat e ashpëra që parashikohen, rrisin potencialin për kriminalizimin e individëve.

“Fryma e përgjithshme në draft për të zgjeruar rrethin e veprimeve që kategorizohen si të rrezikshme në një masë të tillë sa të klasifikohen si vepra penale e të dënohen me burgim, tregon një tendencë represive që rrit potencialin e kriminalizimit të individit në shoqëri e që sjell pasoja të rëndësishme në jetën e qytetarëve“.

Në reagimin e tij  Çela thekson se përpara çdo diskutimi mbi një draft të ri, do të ishte e domosdoshme një reflektim i gjerë shoqëror mbi vetë nevojën për ndryshim. Sipas tij, drafti i ri nuk i ka paraprirë një proces reflektimi mbi vlerat që duhet të përfaqësojë një kod penal në një shoqëri demokratike. Ai thekson se ndryshimi i kodit duhet të burojë nga një nevojë e thellë historike dhe jo si veprim i nxituar institucional, që rrezikon të minojë funksionimin e drejtësisë.

The post Dhoma e Avokatëve kundërshton Kodin e ri Penal: Represiv! Do e çojmë në Kushtetuese! appeared first on Gazeta Si.

Jo më burg për përdorim vetjak të drogës. Sasia e kokainës dhe kanabisit që do të lejohet në Shqipëri

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka vendosur të dekriminalizojë përfundimisht përdorimin vetjak të lëndëve narkotike.

Një nga ndryshimet e parashikuara në Kodin Penal është vendosja e një limiti për drogërat, sipas llojit.

Konkretisht, për kanabis me qëllim përdorimin vetjak, nuk është e dënueshme deri në 10 gram. Për heroinën dhe kokainën limiti ësht 3 gram, njësoj sa edhe për lëndë të tjera të ngjashme që nuk janë emërtuar.

Gjithashtu, nuk ka rëndësi vendi ku është kapur autori në posedimin e hashashit, me kushtin që të jetë mbajtur larg demonstrimit në publik.

Në rast se substancat janë për qëllime përfitimi a shpërndarje, poseduesit do të përballen me ligjin që parashikon deri në 10 vite heqje lirie.

Lehtësimi vjen pak kohë pasi qeveria është fokusuar në legalizimin e kanabisit, kultivimin dhe tregtimin, por vetëm me qëllime shëndetësore dhe industriale e jo konsum apo të ngjashme.

The post Jo më burg për përdorim vetjak të drogës. Sasia e kokainës dhe kanabisit që do të lejohet në Shqipëri appeared first on Gazeta Si.

Ulen vitet e dënimit për autorët e incestit. Burg për përhapje të sëmundjeve seksuale

Nga Gazeta ‘SI’ – Ndryshimet e reja në Kodin Penal parashikojnë një ulje të dënimit për personat që kryejnë incest.

Sipas paragrafit në draftin e qeverisë, kryerja e marrëdhënieve seksuale me pëlqim të subjekteve, një pasardhës ose paraardhës, ose me një të afërm gjaku në vijë të drejtë, ose me motrën ose vëllain, dënohet me dënohet me gjobë ose me burgim nga dy deri në pesë vjet. Ndërkohë në Kodin në fuqi, kjo dënohet deri në 7 vite burg.

Dënimi është rritur në 10 vite nëse i mituri është më i vogël se 14 vjeç. Deri më tani dënimi ishte 5 vite. Neni njeh si të afërm edhe personat kujdestarë, birësuesit, njerkët dhe thjeshtrit.

Dënohet me heqje lirie edhe transmetimi i sëmundjeve seksualisht të transmetueshme kur autori është në dijeni.

“Me përjashtim të rastit, kur përbën vepër penale më të rëndë, transmetimi një personi tjetër nëpërmjet marrëdhënieve seksuale ose çdo akti seksual të barasvlershëm i një sëmundjeje veneriane, duke e ditur autori se është i infektuar me këtë sëmundje, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet”, thotë dokumenti.

The post Ulen vitet e dënimit për autorët e incestit. Burg për përhapje të sëmundjeve seksuale appeared first on Gazeta Si.

Kodi i ri Penal ashpërson dënimin për lojërat e fatit, por e lehtëson për trukimet në garat sportive

Nga Gazeta ‘SI’ – Kodi i ri Penal ka ashpërsuar dënimin për aktivitetin ilegal të lojërave të fatit.

Sipas draftit të ndryshuar, ushtrimi i kësaj veprimtarie dënohet nga 1 deri në 3 vite burg, ndërsa me Kodin në fuqi dënohet vetëm disa muaj. Kur aktiviteti ndodh në hapësira publike, dënimi shkon deri në 5 vie burg.

Dënimi shtohet me një të katërtën për funksionarët shtetërorë të përfshirë.  

Vënia në dispozicion e mjediseve për organizimin apo luajtjen e lojërave të fatit dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.

E anasjella ka ndodhur për trukimet në garat sportive, ku parashikohet një lehtësim i dënimit. Marifetet me rezultatet sportive në kuadër të përfitimeve dënohet deri në 3 vite burg me Kodi e ri nga 7 vjet që parashikon Kodi i vjetër Penal.

Paracaktimi i rezultateve dënohet deri me 10 vite burg.

“Kërkimi, pranimi i premtimeve ose i një përfitimi për vete ose për një të tretë në këmbim të
ndikimit në zhvillimin ose rezultatin e një gare të organizuar sportive në dobi të kundërshtarit në
garë, si rezultat i të cilit do të përfitohet një përfitim i paligjshëm në të holla, apo çdo përfitim
tjetër, nga sportisti ose trajneri, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”, thuhet në draft.

The post Kodi i ri Penal ashpërson dënimin për lojërat e fatit, por e lehtëson për trukimet në garat sportive appeared first on Gazeta Si.

Kodi i ri Penal: I mitur do të konsiderohet çdo person deri në 21 vjeç! 

Nga Gazeta ‘SI’- Kodi i Ri Penal i Shqipërisë ka rikonceptuar disa nga nocionet e përdorura në të, përfshirë edhe atë të një individi të mitur. Tashmë, i mitur do të konsiderohet çdo person deri në 21 vjeç.  

Përmes Kodit të Ri Penal do të prioritizohet rehabilitimi dhe riintegrimi i të miturve të përfshirë në krim. Në caktimin e masave edukuese merren parasysh një sërë faktorësh dhe masa më e rëndë aplikohet si alternativë e fundit. Në Kod ka edhe një saktësim të përgjegjësive të personave që duhet të kujdesen për ta.

Ndërkohë, janë hequr disa vepra të vjetruara nga lista e veprave penale. Sipas draftit të Kodit të Ri Penal, do të rritet niveli i mbrojtjes për viktimat e veprës penale, duke ofruar më tepër garanci për to. Viktima ka të drejtë të ankimojë vendimin gjyqësor (që pranon zëvendësimin e dënimit me burgim me një alternativë të tij dhe lirimin para kohe me kusht), si mekanizëm shtesë kontrolli gjyqësor ndaj organeve proceduese.

Me këtë Kod, kemi një përcaktim dhe përkufizim të nocioneve që i kanë munguar legjislacionit shqiptar në vite, duke zvogëluar boshllëqet dhe paqartësinë që mund të haset në praktikë.

Në Kodin e procedurës penale është futur edhe koncepti i drejtësisë restauruese, duke shtuar për shembull dispozita të posaçme për riparimin e dëmit të shkaktuar viktimës, shtimi i llojeve të dënimeve alternative të dënimit me burgim për vepra penale të lehta, si dhe i dënimeve plotësuese, apo përcaktimi i përgjegjësisë penale për mbajtjen e lëndëve narkotike sipas sasisë dhe llojit të lëndës.

Një risi tjetër lidhet me kriminalizimin e veprave të reja si terrorizmi kibernetik, trafikimi i armëve, evazioni fiskal i sofistikuar, krimet kundër mjedisit, rrafikimi i armëve të printuara 3D, numërtimi i rremë i armëve dhe të tjera.

The post Kodi i ri Penal: I mitur do të konsiderohet çdo person deri në 21 vjeç!  appeared first on Gazeta Si.

Drafti/ Nga 3 deri në 16 vite, bigamia dhe bashkëjetesa me të mitur do të dënohet me burg!

Nga Gazeta ‘SI’- Me Kodin e ri Penal lidhja e më shumë se një martese në të njëjtën kohë do të konsiderohet vepër penale dhe do të ndëshkohet me burgim deri në 3 vjet, sipas nenit 742 të draftit që është hedhur për konsultim publik.

Në draft theksohet se bigamia, pra lidhja e dy ose më shumë martesave njëkohësisht, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Ndërsa në rast se personi vazhdon të jetojë në bigami edhe pas një dënimi penal të mëparshëm, atëherë dënimi ashpërsohet dhe parashikohet burgim nga 6 muaj deri në 4 vjet.

1. Lidhja e dy ose më shumë martesash në të njëjtën kohë dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet

2. Nëse bigamia vazhdon pas dënimit të parë, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.

3. Ky nen gjen zbatim edhe kur fakti është konsumuar jashtë territorit nga një shtetas shqiptar ose nga një i huaj me banim në Shqipëri ose në dëm të një shtetasi shqiptar ose të një të huaji me banim në Shqipëri, në vende apo shtetas të vendeve që e lejojnë bigaminë.

Një tjetër nen në dokument kriminalizon edhe bashkëjetesën me të mitur për qëllime të ngjashme me martesën, në varësi të moshës së të miturve.

Bashkëjetesa e një personi madhor me një të mitur nga mosha 14 deri nën 16 vjeç, dënohet me burgim nga 4 deri në 8 vjet. Nëse bashkëjetesa ndodh me një të mitur 16 deri në 18 vjeç, dënimi është nga 2 deri në 5 vjet.

Për rastet më të rënda, kur bashkëjetesa ndodh me një të mitur nën moshën 14 vjeç, dënimi shkon nga 8 deri në 16 vjet burg. Ndërkohë, kur bashkëjetesa me të miturin kryhet me qëllim përfitimi pasuror, dënimi në secilin rast rritet me deri në 50%.

Drafti parashikon edhe dënime për prindërit apo kujdestarin në rast se ata udhëzojnë, lejojnë, këshillojnë, ose e shtyjnë të miturin e moshës 14 deri 18 vjeç që të bashkëjetojë me personin madhor. Ata rrezikojnë dënim me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

The post Drafti/ Nga 3 deri në 16 vite, bigamia dhe bashkëjetesa me të mitur do të dënohet me burg! appeared first on Gazeta Si.

Kodi i ri Penal: Lirim me kusht për të dënuarit e përjetshëm. Njihet shkaktimi i vetëvrasjes nga bullizmi

Nga Gazeta ‘SI’ – Ndryshimet e reja në Kodin Penal të Shqipërisë parashikojnë ashpërsime dhe lehtësime për kategori të ndryshme shkeljesh.

Në prezantimin e bërë sot nga përfaqësues të qeverisë dhe grupit të punës, propozohet lirimi me kusht i të dënuarve përjetë.

Arben Rakipi, drejtor i Magjistraturës, pjesë e grupit të punës tha se kjo është një praktikë e njohur dhe në vendet e tjera, me argumentin se këta individë ndryshojnë dhe përmirësohen me kohën që kalojnë në burg.

“Dua të ndalem te lirimi para kohe me kusht. Ne kemi patur në ligj disa pengesa që lidhen me aplikimin e lirimit para kohe me kusht, lidhur me burgimin e përjetshëm. Diskutimi i gjatë u mbyll me propozimin që po, ne mund ta aplikojmë lirimin para kohe me kusht, për dënimin me burgim të përjetshëm. Debati ka qenë i fortë. Këtu pleksen shumë gjëra, viktima, procesi i riedukimit, paqja sociale, shkalla e kriminalitetit në vend. Nisur nga besimi, që edhe personalisht kam, që njerëzit ndryshojnë, njerëzit përmirësohen nga kushtet në të cilat vendosen dhe nëse puna me ta është e efektshme. Prandaj edhe ne e propozuam këtë zgjidhje. Se çfarë fati do të ketë kjo zgjidhje…”, tha mes të tjerash Rakipi.

Ai tha se do të dekriminalizon edhe abuzimet tatimore, duke u trajtuar fillimist si shkelje administrative dhe më pas penale.

“Nëse shkelja e parë, që në rrugë të zakonshme vlerësohet nga pikëpamja administrative, është me nivel të lartë shmangie evazioni, sjell kompetencën e prokurorit të ushtrojë ndjekjen penale pavarësisht zgjidhjes së rregullit që përshkrova. Nga pikëpamja praktike, do të ulë numrin e çështjeve por do të shtojë edhe përgjegjësinë e organeve përkatëse.”, u shpreh ai.  

Një nocion i ri kriminal që njeh Kodi Penal është shkaktimi i vetëvrasjes nëpërmjet bullizmit.

Po ashtu njihen si shkelje terrorizmi kibernetik, krimet kundër mjedisit, siguria ushqimore, mashtrimi me produktet ushqimore etj.

The post Kodi i ri Penal: Lirim me kusht për të dënuarit e përjetshëm. Njihet shkaktimi i vetëvrasjes nga bullizmi appeared first on Gazeta Si.

Qeveria prezanton Kodin e Ri Penal, Manja: Ftojmë opozitën për ekspertizë!

Nga Gazeta ‘SI’- Ditën e sotme është prezantuar drafti i kodit të ri penal, i cili nuk është përfundimtar, pasi pritet të hidhet për diskutim publik.

I pranishëm gjatë prezantimit të këtij drafti ishte edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili i bëri ftesë edhe opozitës që të kontribuojë me ekspertizë dhe pjesëmarrje aktive në tryezat e diskutimit..

Manja shtoi se kodi i ri penal duhet të jetë në përputhje me standardet e unionit europian, teksa shtoi se në BE nuk hyn vetëm një forcë politike apo qeveria, por Shqipëria, prandaj sipas tij, duhet kontributi i të gjithëve.

“Ky draft nuk është një draft përfundimtar. Ky draft do të marrë të gjithë kohën e nevojshme të konsultimit publik. Ministria do të jetë vetëm palë e interesuar institucionale, si të gjithë të tjerët. Në funksion të një procesi të hapur, dëshiroj të ftoj të gjithë aktorët e drejtësisë dhe opinionit juridik të bëhen pjesë aktive e fazës së diskutimit publik të kodit të ri penal.

Ky është një moment kyç për të ndërtuar sëbashku një akt themelor të shtetit të së drejtës.

Ftoj të gjithë ekspertët e ligjit, shkollën e Magjistraturës, studentët shqiptarë që studiojnë brenda vendit apo në universitetet e huaja, mediat apo organizatat që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe një ftesë të veçantë dua t’ja dërgoj opozitës parlamentare, të kontribuajë me ekspertizë dhe pjesëmarrje aktive në tryezat e diskutimit. Në BE shkon Shqipëria dhe jo vetëm një qeveri apo një forcë politike”, tha mes të tjerash Manja

The post Qeveria prezanton Kodin e Ri Penal, Manja: Ftojmë opozitën për ekspertizë! appeared first on Gazeta Si.

Arrestohet ish-nënkryetarja e Bashkisë Fier dhe një ish-drejtor, nuk arkëtuan 40 mln lekë nga parkimet

Gazeta Si – Policia dhe Prokuroria e Fierit kanë zhvilluar një operacion gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të enjteje, duke arrestuar disa për zyrtarë të bashkisë të akuzuar për “shpërdorim detyre”

Mësohet se për ish-nënkryetaren e bashkisë, Adela Hysenajn, e cila ka mbajtur së fundmi edhe postin e drejtoreshës së taksave dhe urbanistkës, është caktuar “arrest shtëpie”.

Ajo akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

E njëjta masë sigurie është caktuar edhe për Vasil Çekun, ish-drejtorin e koordinimit dhe verifikimit tek tatimet.

Ndërkohë janë pezulluar nga puna dy zyrtarë të tjerë, Anisa Cjapi, ish-drejtoreshë e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave, si dhe Martin Dodi, Sekretar i Përgjithshëm i bashkisë për ndikim të paligjshëm.

Dyshohet se këta zyrtarë në bashkëpunim me njëri tjetrin nuk kanë arkëtuar 40 milionë lekë nga parkimet e bashkisë.

“”Arrest në shtëpie” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Vasil Ceku, 41 vjeç, banues në Fier, Drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për Anisa Cjapi, 38 vjeçe, banuese në Fier, Drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për Martin Dodi, 57 vjeç, banues në Fier, sekretar i Përgjthshëm i Bashkisë Fier, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, – thuhet në njoftimin e policisë së Fierit.

The post Arrestohet ish-nënkryetarja e Bashkisë Fier dhe një ish-drejtor, nuk arkëtuan 40 mln lekë nga parkimet appeared first on Gazeta Si.

Akuzohet për vrasje dhe grup kriminal, ekstradohet sot nga Dubai, Denis Bajri

Gazeta Si – Pritet të ekstradohet këtë të mërkurë në Shqipëri, Denis Bajri (Bajroviç) njëri prej anëtarëve të fisit Bajri që ishte shpallur në kërkim për vrasje e grup kriminal.

37 vjeçari ishte arrestuar në Dubai që më 27 shkurt të vitit 2024 në pritje të ekstradimit që do të kryhet ditën e sotme duke shënuar kështu një tjetër rast të thyerjes së “mitit të paprekshmërisë” së kriminelëve që strehohen në Dubai.

Ndaj Bajrit rëndon akuza e vrasjes së Gjin Boriçit, ngjarje e ndodhur në 2020-ën në Vaun e Dejës me porosi të dhënë nga Behar Bajri, ndërsa kërkesa ishte bërë nga biznesmeni i zhdukur Ervis Martinaj.

“Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”; dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal”- thuhet në njoftimin e policisë.

Në vitin 2023 u ekstradua nga Franca, Behar Bajri i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për një sërë veprash të rënda penale.

Ai rezulton i përfshirë edhe në dosjen “Metamorfoza” ku përmenden emra të kriminelëve të tjerë të rrezikshëm, biznesmenëve e deri tek zyrtarë policie që aktualisht janë nën masë arresti.

Më 21 shkurt të këtij viti, me urdhër të SPAK u arrestua Safet Bajri i njohur si “i forti i Shkodrës”. Ndaj tij rëndojnë akuzat për vrasje dhe grup të strukturuar kriminal.

The post Akuzohet për vrasje dhe grup kriminal, ekstradohet sot nga Dubai, Denis Bajri appeared first on Gazeta Si.

Gara për kreun e BKH, 7 kandidatët përmbyllin testin e arsyetimit logjik dhe esenë

Gazeta Si – U përmbyll këtë të martë faza e tretë e përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), përkatësisht provimi i zgjeruar me shkrim (eseja) dhe testi për arsyetimin logjik.

Shtatë kandidatët e kualifikuar nisën testin në orën 11.00, në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Të dy testet zgjatën 1 orë e 45 minuta, përkatësisht eseja, 60 minuta dhe testi i arsyetimit logjik, 45 minuta.

Kandidatët në garë janë: Andi Pogaçe; Artur Beu; Elton Kërluku; Gentian Ndoi; Gentjan Shehaj; Gledis Nano; Joni Keta.

Rregullorja për përcaktimin e procedurave të përzgjedhjes së kandidatit për Drejtor të BKH-së parashikon vlerësimin me 60 pikë për të dy testet, pra 30 pikë për secilin.

Procedura e testeve u zhvillua nën vëzhgimin e anëtarëve të Komisionit të Përzgjedhjes, vëzhguesve ndërkombëtarë dhe stafit teknik mbështetës.

Në përfundim të këtyre fazave të para; testit të aftësive fizike, provimit të zgjeruar me shkrim (esesë) dhe testit për arsyetimin logjik, Komisioni i Përzgjedhjes do të renditë kandidatët e kualifikuar, të cilët do të vijojnë me fazat e tjera të konkurrimit.

Testi i ardhshëm, është ai i poligrafit dhe intervistës në panel, i cili ndiqet nga faza e verifikimit të figurës dhe deklarimit të pasurisë nga Komisioni i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës.

The post Gara për kreun e BKH, 7 kandidatët përmbyllin testin e arsyetimit logjik dhe esenë appeared first on Gazeta Si.

RENEA ‘zbarkon’ në Sarandë, 10 ngjarje kriminale në 3 javë

Gazeta Si – Ngjarjet kriminale të javëve të fundit, në pikun e sezonit turistik, kanë detyruar RENEA-n të zbresë në Sarandë.

Sipas burimeve paraprake, forcat speciale të policisë, prej orës 03:30 të mëngjesit të kësaj të marte kanë zhvilluar kontrolle të ndryshme për kapjen e personave në kërkim, të përfshirë në këto ngjarje.

Paralelisht, kontrolle janë zhvilluar edhe nga FNSH dhe forcat “Shqiponja”. Ende nuk dihen rezultatet e këtij operacioni, ndërkohë që detaje priten në orët në vijim.

Ky është operacioni i dytë që zhvillohet brenda tre ditëve, pas atij në orët e para të mëngjesit të së dielës, 20 korrik, kur kontrolle u ushtruan nga forcat operacionale të Tiranës dhe Vlorës, në bashkëpunim me FNSH dhe forcat “Shqiponja”, por pa rezultat.

Në fakt, Saranda ka pësuar një rritje të dukshme të aktiviteteve kriminale gjatë muajit korrik, ku përplasjet mes grupeve të ndryshme, apo konfliktet për shfrytëzimin e plazheve, anë shkaktuar dëme serioze, si plagosje të personave dhe shpërthime me eksploziv.

Episodi i fundit u shënua pak para mesnatës së të hënës, ku iu vendos tritol automjetit të 31-vjeçarit Klaus Jaçaj, i shpallur në kërkim nga policia katër ditë më parë pas një sherri për pronësi.

Ai akuzohet për përkrahje të autorëve të krimit, pasi ka ndihmuar dy autorët Ramadan dhe Erjon Canaj, të cilët qëlluan 2 të rinj pas sherrit për pronën në bregdet.

Ngjarjet kriminale, korrik 2025

7 korrik – Plagoset me armë 44-vjeçari Saimir Haxhiu në fshatin Markat, Sarandë. Ngjarja ende e pazbardhur.

8 korrik – Kosovar Shkëlqim Murati, 31 vjeç, kapet me armë pa leje në automjetin e tij “Range Rover” në Ksamil.

11 korrik – Pas ndalimit të një automjeti në rrugën “Butrinti”, dy persona ikin, ndërsa njëri hidhet në det. Policia arrin të kapë tre persona, përfshirë Endrit Doku, Imer Gega dhe Ervis Cukali. Gega mbante një armë zjarri dhe Cukali është në kërkim për një vrasje të planifikuar në Fier.

11 korrik – Një sherr me 3 persona nga Patosi dhe Tepelena ndodhi në lagjen nr. 3 të qytetit, me D.R., 39 vjeç nga Gjashta, i cili u shpall në kërkim.

16 korrik – Klodian Basholli, 31 vjeç, plagoset me thikë nga Elvis Ndoji në rrugën “Mitat Hoxha”, të dy me precedentë penalë.

17 korrik – Dy grupe përplasen me armë në mes të ditës në lagjen nr. 4, ku shkak dyshohet të jetë një sherr për pronësinë.

Dy persona nga Kamza plagosen, ndërsa katër të tjerë nga grupi i dytë, përfshirë Klaus Jaçajn, shpallen në kërkim. Njëri nga të plagosurit kishte armë, e cila iu sekuestrua pas kontrollit të policisë.

19 korrik – Dhunohet biznesmeni Albert Pashaj në Ksamil, për shkak të një konflikti mbi administrimin e një plazhi. Dy autorë arrestohen, përfshirë biznesmenin Agim Taraj.

19 korrik – Dhunohet 25-vjeçari I.D., në rrugën “Onhezmi”. Dy autorë, E. N., dhe I.N., arrestohen dhe procedohen në gjendje të lirë.

20 korrik – Të shtëna me armë u raportuan në lagjen nr. 4, në rrugën “Mitat Hoxha”. Ish-punonjësi i policisë Adil Veli plagoset, ndërsa autori i identifikuar nga policia shpallet në kërkim.

21 korrik – Makina e Klaus Jaçaj shkatërrohet nga një shpërthim eksplozivi në mes të natës. Dyshohet se bëhet fjalë për një hakmarrje për ngjarjen e 17 korrikut, ku u plagosën dy persona nga Kamza dhe autorët e dyshuar janë shpallur në kërkim.

The post RENEA ‘zbarkon’ në Sarandë, 10 ngjarje kriminale në 3 javë appeared first on Gazeta Si.

Dy të arrestuarit mohojnë përfshirjen në vrasjen e Renis Dobrës. Fation Bushgjokaj pranon lidhjet me drogën

Gazeta Si – Fation Bushgjokaj dhe Petrit Çakrri kanë mohuar të kenë lidhje me vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, i cili u mbyt me litar dhe trupi iu hodh në liqenin e Shkopetit në Mat.

Gjatë marrjes në pyetje në polici, Bushgjokaj ka pranuar lidhjet e tij me 23-vjeçarin në trafikun e paligjshëm të drogës, por mohon përfshirjen në vrasje, duke pranuar vetëm konfliktet mes tyre.

Nga ana tjetër, Çakrri ka pranuar se ishte në zonën e ngjarjes, por mohon njohjen personale me viktimën dhe përfshirjen në ngjarje.

Ai ka deklaruar se njeh vetëm Kristi Bushgjokajn, i cili është në kërkim nga policia dhe se është takuar me të në burg.

Ka rrëfyer se pasi i kishte kërkuar për të gjetur një sasi droge nëpër fshatra, kishte shkuar atje. Rrugës ka dëshmuar 55-vjeçari se janë ndarë në dy makina, duke treguar edhe dinamikën e lëvizjes, e cila përputhet me pamjet e kamerave që ka vëzhguar policia.

Megjithatë, Çakrri mohon të jetë përfshirë në ngjarje. “Nuk e di çfarë ka ndodhur me Dobrën”, mësohet të ketë thënë ai.

Në një moment, sipas Çakrrit vëllezërit hipën në një tjetër makinë dhe ndryshuan rrugë dhe i thanë që të ikte. Çakrri thotë se për fatin e 23-vjeçarit e mësoi vetëm nga mediat.

Një ditë më parë, Policia e Dibrës zbardhi ngjarjen duke arrestuar dy persona, Fation Bushgjokën dhe Petrit Çakrrin.

Ndërsa në kërkim shpalli dy vëllezërit e Fationit, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokajn. Sipas Policisë së Dibrës, motiv i vrasjes së 23-vjeçarit në Mat dyshohet të ketë qenë konflikti për drogën në Gjermani.

Renis Dobra 23 vjeç u vra mbrëmjen e 8 Korrikut 2025 në fshatin Madhesh të Matit. Ai ishte mbytur me litar nga autorët dhe më pas trupi i tij ishte futur brenda makinës. Autorët tentuan ta hidhnin makinën në Liqenin e Ulzës, por trupi mbeti pa rënë.

The post Dy të arrestuarit mohojnë përfshirjen në vrasjen e Renis Dobrës. Fation Bushgjokaj pranon lidhjet me drogën appeared first on Gazeta Si.

Kontrolle, këqyrje të kartelave të takimeve dhe transferime drejtorësh në burgje

Gazeta Si – Që prej mbrëmjes së të martës, por edhe këtë të mërkurë, në të gjithë burgjet e vendit, janë zhvilluar kontrolle të pa paralajmëruara për sende të paligjshme të të burgosurve nëpër qeli.

Sipas burimeve paraprake, mësohet se në fokus të kontrolleve kanë qenë edhe këqyrja e kartelave të takimeve mes të burgosurve dhe personave të njohur apo familjarëve të tyre.

Pas përfundimit të kontrolleve në të gjithë burgjet e vendit, janë zyrtarizuar edhe dy emërime të reja, Qazim Hoxha si drejtor i burgut të Elbasanit dhe Altin Ago si drejtor i burgut të Peqinit.

Kontrollet vijnë pasi ditë më parë, kreut të bandës së Lushnjës, Laert Haxhiu, iu gjetën telefona në burgun e Drenovës, me të cilët dyshohet se komunikonte ende për ngjarje kriminale.

Drejtoria e Burgjeve ka nisur hetimet për personin që mund të ketë futur celularët brenda burgut.

The post Kontrolle, këqyrje të kartelave të takimeve dhe transferime drejtorësh në burgje appeared first on Gazeta Si.

Vrasja e Renis Dobrës, policia zbardh dinamikën: Shkak konfliktet për drogën, autorët nuk ishin veshur si efektivë

Gazeta Si – Policia e Dibrës ka dhënë detaje për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, trupi i pajetë i të cilit u gjet më 9 korrik, në afërsi të liqenit të Ulzës.

Pas hetimit 1-javor në kuadër të operacionit të koduar “Bashkëfajësia” dhe pamjeve filmike të siguruara, rezulton se krimi i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 8 korrikut, rreth orës 22:10.

Në pranga kanë rënë dy nga autorët, ndërsa janë shpallur në kërkim dy të tjerët. Përkatësisht, Petrit Çakrri dhe Fatjon Bushgjokaj (në pranga) dhe dy vëllezërit Kristi e Aleksandër Bushgjokaj (në arrati).

“55 vjeçari, P.Ç, banues në Tropojë, u arrestua në Golaj të Kukësit i dyshuar për “vrasje me paramendim” dhe rrëmbim personi, kryer në bashkëpunim. Shtetasi F.B, 34 vjeç, banues në Kamzë, u arrestua në Astir, i akuzuar për të njëjtën vepër penale, ndërsa u shpallën në kërkim K.B dhe A.B, vëllezërit e të arrestuarit F.B”, tha zëdhënësi i Policisë Dibër.

“Shtetasi R.D është marrë peng dhe më pas është mbytur me litar. Autorët e kanë hedhur automjetin e tij në liqen, por gjatë rënies, trupi i 23 vjeçarit ka mbetur pranë sektorit C, pa rënë në liqen”, shtoi më tej.

Autorët, theksoi ai, nuk kanë qenë të veshur me uniformë policie dhe nuk kanë përdorur logo apo mjete të Policisë.

Sipas forcave policore, si motiv i vrasjes dyshohen mosmarrëveshjet për aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike, mes viktimës dhe autorëve.

“23 vjeçari ka qenë i dënuar në Gjermani për shpërndarje droge, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal”, deklaroi zëdhënësi i policisë.

Aktualisht në komisariatin nr.6 të Tiranës janë shoqëruar edhe 4 persona të tjerë të cilët po merren në pyetje lidhur me përgjegjësinë e tyre mbi krimin e rëndë. Ndërsa për të kryer hetimet e plota, policia bëri me dije se janë sekuestruar 20 celularë, 7 automjete dhe një sasi kokaine.

The post Vrasja e Renis Dobrës, policia zbardh dinamikën: Shkak konfliktet për drogën, autorët nuk ishin veshur si efektivë appeared first on Gazeta Si.

Ekstradohet në Itali 56-vjeçari, falsifikoi vdekjen e tij, i dënuar për rrëmbim, zhvatje e trafik droge

Gazeta Si – Leonard Mnella, i ekstraduar në Shqipëri vitin e kaluar pasi u lokalizua në SHBA, është ekstraduar këtë të mërkurë në Itali.

Mësohet se 56-vjeçari mbante 3 identitete dhe kishte arritur të falsifikonte vdekjen e tij që në vitin 2003, por sot u ekstradua në shtetin italian për t’u përballur me drejtësinë aty.

Në Itali, Leonard Mnella alias Leon Kolmnela alias Leonard Kolmnela, është dënuar me 25 vite burg për bashkëpunim në organizatë kriminale, rrëmbim personi, tentativë zhavatjeje, shkelje të ligjit për armët dhe trafik droge në sasi të mëdha.

Ai që ka qenë në arrati për vite të tëra. Ndërsa në vitin 2013, kishte arritur që nëpërmjet një vendimi gjyqësor të leshuar nga një gjykatë shqiptare, të deklarohej i vdekur që në vitin 2003, në Amerikën Latine.

Arrestimi i tij i parë u bë i mundur në Miçigan të SHBA-së në vitin 2024 nëpërmjet një bashkëpunimi mes departamentit të policisë kriminale shqiptare në bashkëpunim me 2 agjenci amerikane.

Leonard Mnella është dënuar në mungesë në Itali për rrëmbim, trafik droge, zhvatje, armëmbajtje pa leje, etj. Ai ka qenë kreu i një organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës midis Amerikës Latine, Italisë dhe Shqipërisë.

Gjithashtu ka bashkëpunuar me një organizatë tjetër për trafikun e heroinës në provicën e Salernos në fund të viteve ’90 dhe fillim të vitit 2000.

Mnella akuzohet edhe për një rrëmbim në vitete 1990 në Piemonte të Italisë.

Më pas, shqiptari me 3 identitete humbi gjurmët dhe u zhduk, duke falsifikuar edhe vdekjen e tij. Pas më shumë se 20 vitesh u gjet në SHBA, prej nga u dëbua në vendin tonë dhe u arrestua përkohësisht, me qëllim ekstradimin në Itali.

The post Ekstradohet në Itali 56-vjeçari, falsifikoi vdekjen e tij, i dënuar për rrëmbim, zhvatje e trafik droge appeared first on Gazeta Si.

Ish-ministri Ilir Beqaj shtrohet me urgjencë në QSUT për një infeksion të rëndë

Gazeta Si – Që prej të shtunës së datës 12 korrik, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, ndodhet i shtruar në spital.

Sipas burimeve paraprake, Beqaj është shtruar me urgjencë në QSUT pasi kishte temperaturë të lartë dhe infeksion të rëndë në lëkurë. Sipas mjekëve, gjendja e tij është ende e pastabilizuar.

Ish-ministri Beqaj mbahet prej 1 viti në paraburgimin e Durrësit për dosjen SASPAC të abuzimit me donacionet e huaja, ndërsa po gjykohet me procedurë të zakonshme për dosjen e “Sterilizimit”.

Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme, ka rezultuar se ish-ministri nuk ka evituar konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncesionit me vlerë 100 milionë Euro dhe nuk ka kërkuar studim të detajuar për nevojat e sterilizimit në mënyrë që të zgjidhte një variant më pak të kushtueshëm.

SPAK i akuzon për falsifikim të dokumenteve, mashtrim dhe shpërdorimit të detyrës.

The post Ish-ministri Ilir Beqaj shtrohet me urgjencë në QSUT për një infeksion të rëndë appeared first on Gazeta Si.

Dëmtoi legenin në qeli, lirohet ish-shefi i Rrugores Roven Zeka, i arrestuar për ryshfet

Gazeta Si – Roven Zeka, ish-shefi i komisariatit rrugor të Tiranës është liruar nga qelia me vendim të Gjykatës së Posaçme.

Ky vendim erdhi pasi ekspertiza mjekësore përcaktoi gjendjen shëndetësore të Zekës mbi kërkesën e bërë nga ky i fundit për t’u liruar nga qelia për shkak se kishte dëmtuar legenin pasi ishte rrëzuar në qeli.

Zeka po hetohet nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion lidhur me procedurat e kryera për gruan e një biznesmeni i cili gjithashtu po hetohej nga SPAK për një çështje tjetër penale.

Dyshohet se Zeka në bashkëpunim me oficerin Edison Tabaku dhe shefin e hetimit të aksidenteve Sokol Novaku do të merrnin 2 mijë euro ryshfet për të mos arrestuar gruan e biznesmenit Erges Vrioni, e cila kreu aksidentin në Tiranë.

Arrestimi i tyre ishte i bujshëm për shkak se fillimisht u raportua se kishin tentuar t’u iknin me vrap agjentëve të BKH, por më pas Zeka u shfaq së bashku me Novakun duke shkuar në drejtorinë e policisë së Tiranës.

Më herët masa e arrestit në burg u la në fuqi nga apeli i GJKKO ndaj tij dhe oficerit Edison Tabaku ndërsa shefi i hetimit të aksidenteve Sokol Novaku u lirua në arrest shtëpie për shkak të rrethanave familjare.

The post Dëmtoi legenin në qeli, lirohet ish-shefi i Rrugores Roven Zeka, i arrestuar për ryshfet appeared first on Gazeta Si.

Trafik droge nga Amerika Latine/ SPAK aksion në Shkodër, 13 urdhër arreste, të përfshirë edhe policë

Nga Gazeta Si- Prej mëngjesit të sotëm, SPAK po zhvillon një aksion në Shkodër, pas lëshimit të 13 urdhër arresteve.

Sipas burimeve për mediat, 8 persona janë arrestuar ndërsa 5 të tjerë janë në kërkim. Grupi kriminal dyshohet se trafikonte drogë nga Amerika Latine.

Ndërkohë në mes të të arrestuarve janë edhe zyrtarë policie. Ky operacion ka ardhur pas zbërthimit të komunikimeve në SKY ECC.

Në përditësim…

The post Trafik droge nga Amerika Latine/ SPAK aksion në Shkodër, 13 urdhër arreste, të përfshirë edhe policë appeared first on Gazeta Si.

❌