Aktorja Zoe Kravitz pranon se ia shkatërroi plotësisht banjën artistes Taylor Swift, e cila e priti si mysafire në shtëpinë e saj
Aktorja amerikane Zoe Kravitz ka zbuluar së fundmi se si Taylor Swift e priti me zemërgjerësi në shtëpinë e saj në Beverly Hills, kur zjarret e mëdha përfshinë Kaliforninë më herët këtë vit.
E ftuar në emisionin Late Night With Seth Meyers, Zoe tregoi se qëndroi dy javë tek këngëtarja e famshme, së bashku me nënën e saj, Lisa Bonet, dhe kafshën e tyre shtëpiake, një gjarpër me emrin Orfeu.
“Taylor ka një shtëpi të mrekullueshme të viteve ’30, nga ato që do të doje t’i ruaje me kujdes”, tha Kravitz, duke shtuar se u përpoq të ishte “një mysafire e mirë” dhe të largohej duke e lënë gjithçka më mirë se si e gjeti. Por, siç rrëfen ajo me humor, ndodhi e kundërta – përfundoi duke “shkatërruar” një pjesë të banjës luksoze të Swift.

Ngjarja nisi kur, teksa po pastronte përpara se të largohej, Zoe mori një telefonatë nga e ëma. Pas një kërkimi të shkurtër, e gjeti Lisan në banjë, e ulur në një pozicion të çuditshëm. Bonet i tregoi se gjarpri i saj ishte shkëputur dhe kishte hyrë në një vrimë pranë një stoli të fiksuar në mur. Ajo arriti t’ia kapte bishtin, por u tremb dhe e la të futej edhe më thellë.
Për ta nxjerrë, Kravitz thirri menaxherin e shtëpisë, i cili erdhi me mjete pune dhe u detyrua të prishte një pjesë të murit. “Po thyheshin pllakat, po gërvisheshin muret. Në një moment mendova: ‘O do t’ia shkatërrojmë banjën, o do t’i them që ka një gjarpër diku në shtëpi’. I thashë menaxherit: ‘Do ta paguaj çdo gjë për ta rregulluar. Vetëm, të lutem, mos i trego derisa të mbarojë’”, kujtoi aktorja.

Megjithatë, kur më në fund e telefonoi Taylor-in për t’ia treguar, këngëtarja tashmë e kishte marrë vesh situatën. /Telegrafi/
The post Aktorja Zoe Kravitz pranon se ia shkatërroi plotësisht banjën artistes Taylor Swift, e cila e priti si mysafire në shtëpinë e saj appeared first on Telegrafi.