Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se gjatë orëve të para të 24 korrikut janë regjistruar reshje shiu në shumicën e stacioneve meteorologjike në vend, ndërsa temperaturat kanë qenë dukshëm më të ulëta se mesatarja për muajin korrik.
Sipas të dhënave të Rrjetit Shtetëror Meteorologjik, sasia më e madhe e reshjeve është regjistruar në Komoran, me 15.0 milimetra shi. Pas tij renditen Ferizaj me 14.2 mm, Mitrovica me 13.9 mm, Skenderaj me 13.5 mm, Klina me 12.5 mm, Podujeva dhe Bajgora me nga 12.2 mm.
Temperatura mesatare e ajrit në orën 14:00 ishte 14.9°C, ndërsa temperaturat maksimale varionin nga 9.4°C në Bajgorë deri në 18.9°C në Klinë.
IHMK thekson se mesatarja klimatike e temperaturave për muajin korrik në Kosovë është 21.4°C, që do të thotë se temperaturat e së premtes ishin 7.4 gradë Celsius nën mesataren mujore.
Instituti rikujton gjithashtu kontrastin me vitin e kaluar, kur më 25 korrik 2025 në Kosovë u regjistruan temperaturat më të larta historike, me 42.5°C në Klinë.
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me Refit Buzin, autorin e vrasjes së ish-vjehrrëve të tij këtë të premte, 24 korrik, në Roskovec.
Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, në Tv Klan, u shpreh se Buzi ka një historik të errët në Angli. Sipas Softës, autori i vrasjeve është marrë peng dhe për lirimin e tij asokohe janë kërkuar 400 mijë paund. Për shpëtimin e tij, u angazhuan forcat blu britanike dhe shqiptare.
“Autori i dyshuar i vrasjes ka një historik në shtetin anglez. Dhe atje është marrë peng, ka pasur një pengmarrje, ku është kërkuar një gjobëvënie në vlerë 400 mijë paund për t’u liruar dhe ka qenë një operacion i përbashkët midis policisë shqiptare dhe asaj angleze për lirimin e tij”, u shpreh ai.
Në analizën e tij, Softa shprehet se ngjarja tragjike nuk ka qenë diçka e ndodhur momentalisht, por e paramenduar nga autori.
“Kjo situatë nuk mund të jetë kaq e thjeshtë, por duhet parë historiku i marrëdhënieve të tij me partneren, në çfarë raportesh kanë qenë, nëse kanë pasur konflikte të mëparshme, nëse faktorët e këtij konflikti kanë qenë baza ekonomike apo jo. Fakti që vjen nga Anglia në Tiranë ka një paramendim. Nuk besoj se është një ngjarje e atij çasti, ku konflikti ka përfunduar me vrasje. Fakti që ka qenë i armatosur ka treguar një paramendim në këtë ngjarje. Fillimisht ka marrë të atin e partneres, ka plagosur të ëmën, e cila, për shkak të plagëve të marra, nuk ka mbijetuar, pra ka pasur dy viktima dhe momenti i rrethimit ka pasur dhe pengmarrje. Pra, ka një qartësi mendimi. Nuk është vetëm hakmarrje, por dhe pengmarrje”, u shpreh ai.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi paraditen e kësaj të premteje, 24 korrik, kur Refit Buzi ekzekutoi me armë ish-vjehrrin, Kosta Plaka, dhe ish-vjehrrën, Belere Plaka, e cila ndërroi jetë në spital pasi nuk u mbijetoi dot plagëve. I riu mori peng dhe për disa orë ish-partneren e tij. Autori i dyshuar i krimit, pas disa orësh përpjekjeje, nuk pranoi dorëzimin te Policia dhe RENEA dhe ndërmori aktin e rëndë duke u vetëvrarë brenda makinës së tij./Tv Klan
Ramush Haradinaj është shprehur i gatshëm që ta pranojë kandidaturën për president të Republikës së Kosovës.
Ai thotë se një gjë të tillë do ta pranonte nëse do të propozohej nga opozita.
“Nëse opozita do të hynte në garë me emrin tim si propozim për president, unë do të isha i gatshëm, nuk po ofrohem, por nëse ata e vlerësojnë se duhet të jem kandidat, do ta pranoja kandidaturën. Unë nuk ofrohem në një marrëveshje me Vetëvendosjen. Unë nuk kam qenë kurrë kandidat për president. Unë mendoj se duhet të ketë komunikim pozitë-opozitë. Nuk mundet VV që të imponojë kandidat siç ishte rasti i Feride Rushitit. Ose ajo ose zgjedhje”, theksoi ish-kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj në “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Tutje, Haradinaj vlerësoi se nëse Kosova synon demokraci, duhet të ketë kandidat si nga pozita ashtu edhe nga opozita.
“Nëse synohet demokraci, duhet ta propozohet një president nga pozita e një nga opozita. Kurti nuk i ka fituar të gjitha votat që vetëm ai të vendos për çdo gjë në Kosovë. Ai nuk po bashkëpunon me opozitën për president, por po thotë se duhet votuar vetëm atë që ai e dëshiron”, deklaroi ish-kreu i Aleancës, Ramaush Haradinaj.
Drejtori i Ekonomisë në Komunën e Prizrenit, Levent Bush, ka reaguar lidhur me pretendimet e publikuara në një televizion për vëllain e tij, Shahin Bush.
Në një deklaratë për RTK-në, shërbimi në gjuhën turke, Levent Bush ka thënë se raportimet e publikuara gjatë dy ditëve të fundit në disa media nuk përputhen me të vërtetën dhe ka mohuar se vëllai i tij është arrestuar apo ndaluar në ndonjë formë.
Sipas tij, Shahin Bush është paraqitur sot në Prokurorinë e Prizrenit, ku ka bërë kallëzim penal lidhur me pretendimet e publikuara ndaj tij.
Levent Bush ka mohuar gjithashtu se personi i paraqitur në disa pamje televizive, i cili është lidhur me grupe paramilitare serbe në vitin 1999, është vëllai i tij.
Ai ka theksuar se këto pretendime janë tërësisht të pabaza, duke shtuar se Shahin Bush aktualisht ndodhet në shtëpinë e tij.
Levent Bush u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos u besojnë raportimeve dhe pretendimeve që, sipas tij, nuk përputhen me të vërtetën.
Pa një marrëveshje të arritur mes spektrit politik, Kosova po shkon drejt seancës së 6 gushtit kur pritet të konstituohet Kuvendi. Duke parë qëndrimet e deritanishme të partive politike, njohës të fushës shprehen skeptik nëse do të arrihet një marrëveshje për presidentin.
Andaj, ata kërkojnë që të paktën Kuvendi e Qeveria të formohen sa më shpejt në mënyrë që derisa të përfundojë afati për zgjedhjen e presidentit, të kalohen një pjesë e projektligjeve të rëndësishme për vendin, sidomos të shtyhen para çështjet që lidhen me planin e rritjes.
Në mungesë të një ujdie për formimin e institucioneve, Kosova po shkon drejt seancës konstituive të Kuvendit. Parlamenti i ri pritet të formohet, e bashkë me të sipas analistëve edhe qeveria e re, por dilema ka për pozitën e presidentit.
Njohës të zhvillimeve politike shprehen skeptikë se spektri politik do të arrijë një marrëveshje për zgjedhjen e kreut të shtetit duke parë qëndrimet e deritanishme të tyre.
"Vërehet që nuk do të mund të jetë ose të ketë ndonjë marrëveshje eventuale në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ndonjë partie tjetër. Në këtë rast, siç i mbeti në para se të deklarohet zoti Abdixhiku, ndonjë marrëveshje me LDK-në. Dhe kështu po besoj që do të hyjmë në një situatë ku votohet atë ditë kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët për të konstituuar Kuvendi. Ndoshta mund të votohet Qeveria nëse zoti Kurti i ka shumicën e nevojshme të deputetëve të komuniteteve joshumicë, sepse është folur se nuk i ka të gjithë gati se. Dhe të hyjmë në afatin për zgjedhjen e presidentit", tha Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi.
Megjithatë, Jakaj është shprehur se derisa të konsumohet afati 60 ditor për zgjedhjen e presidentit, deputetët duhet t'i shtyjnë para në Kuvend ligjet që lidhen me Planin e Rritjes.
"Vlerësojmë që veçanërisht çështjet që lidhen me Planin e Rritjes, do të duhej me u intensifikuar punët në mënyrë që të zbatohen dhe të kemi një rezultat të fundit të mirë, sepse nga ai rezultat i mirë i politikave që mund të miratohen do të varet edhe disbursimi i qindra miliona eurove nga Bashkimi Evropian", shtoi ai.
Mungesa e institucioneve, për njohës të fushës, e ka dëmtuar Kosovën edhe në politikën e jashtme.
"Kur nuk kemi Qeveri funksionale nuk kemi Kuvend funksional edhe rrjedhimisht në krejt këtë saga politike, nëse mund ta quaj ashtu, është natyrisht duke u dëmtuar edhe diplomacia e Kosovës. E kemi humbur disa raste, disa momentume kur Kosova ka mundur të bëjë presion që të shqyrtohet aplikimi ose të aplikojë pak më herët dhe të shfrytëzojë momentume për statusin kandidat", theksoi Arbresha Loxha, drejtoreshë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike
Me afrimin e seancës konstituive të Kuvendit, është shtuar presioni për spektrin politik për arritjen e një marrëveshjeje për ta nxjerrë vendin nga bllokada institucionale./RTK
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar dy raste të dyshuara të kontrabandimit me mallra në zonën kufitare të Bërnjakut, gjatë një operacioni të zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
Sipas një komunikate të Policisë, gjatë operacionit është lokalizuar një automjet Audi me targa të huaja, i ndaluar dhe pa vozitës, i dyshuar se përdorej për kontrabandë. Gjatë kontrollit të një objekti dhe zonës përreth janë gjetur dhe sekuestruar 5,550 boksa cigare të llojeve të ndryshme, si dhe 19 paketa cigaresh që dyshohet se ishin kontrabanduar.
Lidhur me këtë rast, një person është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.
Në kuadër të të njëjtit operacion, policia ka ndaluar edhe një kamion me targa të huaja që transportonte materiale metalike, për të cilat drejtuesi nuk posedonte dokumentacionin përkatës.
Sipas Policisë, Dogana e Kosovës ka sekuestruar mallrat dhe dy automjetet për procedura të mëtejshme, ndërsa me autorizim të Prokurorit të Shtetit rasti i është kaluar për trajtim Doganës së Kosovës.
Ankesa e një nëne për papastërtinë dhe për kushtet në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nxiti reagim të gjerë në mesin e publikut, por fotografi dhe dëshmi të siguruara nga Radio Evropa e Lirë tregojnë se problemet infrastrukturore dhe sanitare shtrihen përtej një klinike të vetme, në spitalin më të avancuar publik kosovar, në Prishtinë.
Në mes të të nxehtit të madh të mesit të korrikut, Klinika e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ishte e mbushur me prindër e me të afërm pacientësh, që hynin e dilnin pa ndërprerë.
Shqetësimi për shëndetin e të afërmve iu vërehej në fytyrë. Në duar, disa mbanin ushqime, ndërsa të tjerë jastëkë e shtroja.
Shumë prej tyre hezituan të flisnin për Radion Evropa e Lirë (REL) rreth kushteve në spital, duke thënë se “nuk duan telashe” dhe se “kushtet dihen”.
Më 15 korrik, Arian Cakaj nga Vushtrria e kishte sjellë për trajtim në Pediatrinë e QKUK-së djalin e tij 4-muajsh.
"Kjo klinikë është objekt i vjetër. Ato muret janë të vjetra... Por, sa i përket pastërtisë, është në nivel", tha ky baba për REL-in.
Ai shtoi se stafi i spitalit ishte i kujdesshëm, dhe se familjes së tij nuk i munguan as çarçafët, ndonëse kishin marrë disa me vete, për t’iu gjendur foshnjës.
"Edhe ne mund ta kemi një shtëpi të vjetër, dhe sado që mund ta rregullojmë, prapë ajo është e vjetër”, tha Caka, duke shtuar se gjithmonë ka hapësirë për përmirësim të infrastrukturës.
Por, vetëm pak ditë më parë, një rrëfim krejt tjetër nxiti debat e reagime për kushtet e trajtimit në Klinikën e Pediatrisë, që është në krye të hierarkisë së shëndetësisë publike në Kosovë, si spitali më i avancuar.
Aulona Mehmeti, nënë e një dyvjeçari, më 12 korrik publikoifotografi dhe përshkrime të kushteve në Pediatrinë e QKUK-së, ku shiheshin shtretër të njollosur me gjak e të dëmtuar, dhe tualete me mungesë privatësie e pastërtie.
Ajo, veç tjerash, u ankua edhe për mungesë shtrojash, të cilat tha se iu desh t’i huazonte nga një familjare e një pacienti tjetër.
Reagimi në Klinikën e Pediatrisë, pas publikimit të Mehmetit, ishte i shpejtë.
Për pak ditë, aty u bë ndërrimi i disa shtretërve, si dhe filloi riparimi i nyjave sanitare.
QKUK-ja hapi procedura disiplinore ndaj stafit, lidhur me ankesat për sjelljen e pjesëtarëve të tij, si dhe nisi hetimin administrativ lidhur me këtë rast.
Deri më tani, ky institucion nuk ka njoftuar për gjetjet eventuale të komisionit ad-hoc që po kryen hetimin.
Edhe A. I , një paciente tjetër, e cila qëndroi në Pediatri me djalin e saj nga fundi i qershorit deri në fillim të korrikut, i tha REL-it se kushtet ishin "katastrofale".
"Më është dashur tri net të fle në tokë me djalin", tha ajo, duke shpjeguar se një nga shtretërit që i ishte ofruar nuk ishte i përshtatshëm për fjetje.
Kjo nënë tha se ndihet mirë që rasti i Mehmetit “është trajtuar seriozisht”.
Për të dokumentuar nga afër gjendjen në këtë klinikë publike, REL-i kërkoi leje për të realizuar fotografime dhe xhirime brenda.
Me gjithë aprovimin fillestar nga Drejtoria e QKUK-së, leja u tërhoq me kërkesë të drejtoreshës së Klinikës së Pediatrisë, Alije Keka Sylaj.
Anulimi i lejes për datën 21 korrik, u bë me arsyetimin se klinika ishte në proces renovimi, ndonëse vazhdonte të funksiononte normalisht dhe të pranonte pacientë.
REL-i, megjithatë, siguroi fotografi të shkrepura më 15 korrik, para renovimeve në klinikë, dhe më 20 korrik, pas fillimit të tyre.
Klinika e Pediatrisë, më 15 korrik, dhe më 20 dhe 21 korrik, pas fillimit të renovimeve
Pamja e vaskës në tualetin për pacientë në një nga repartet e Klinikës së Pediatrisë, fotografuar më 15 korrik 2026.
Bartja e elementeve të banjos në Klinikën e Pediatrisë pas fillimit të renovimeve, fotografuar më 21 korrik 2026.
Muret me shenja të lagështisë në Klinikën e Pediatrisë, fotografuar më 20 korrik 2026
Institucionet pranojnë sfidat infrastrukturore
Pas reagimeve nga rasti i Mehmetit, drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Keka Sylaj, pranoi kushtet jo të mira në Klinikë, por tha se ato po i adresojnë tash e një kohë.
"Nuk i mohojmë sfidat infrastrukturore të objektit të vjetër të Klinikës së Pediatrisë. Përkundrazi, ato janë evidentuar, dokumentuar dhe adresuar vazhdimisht nga menaxhmenti pranë institucioneve përgjegjëse", tha ajo në një shkrim në Facebook, më 13 korrik.
Sipas saj, klinika ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme“renovimin e reparteve, nyjave sanitare, rehabilitimin e bodrumit, funksionalizimin e lavanderisë, dhe investime të tjera infrastrukturore”, ndërsa një pjesë e këtyre punimeve tashmë kanë nisur.
Ndërkaq, nga Ministria e Shëndetësisë thanë se nuk kanë mundur “të transformojnë krejt infrastrukturën shëndetësore”.
Në një reagim publik më 13 korrik, zëdhënësi i ministrisë, Durim Elshani, shtoi se intervenime janë bërë fillimisht aty ku ka pasur “më së shumti nevojë”.
"Standardi i një sistemi shëndetësor... matet edhe me pastërtinë e një dhome, me pastërtinë e një shtrati, me pastërtinë e një tualeti... Në këtë pjesë nuk e kemi pasur dorën e hekurt", shkroi ai.
Sipas tij, për transformimin e plotë të Klinikës së Pediatrisë tashmë janë ndarë 1.25 milion euro, ndërsa punimet pritet të nisin vitin e ardhshëm.
Por, si është gjendja në klinikat e tjera të QKUK-së?
Hulumtimi i REL-it tregon se debatet për Pediatrinë janë vetëm një pjesë e një problemi më të gjerë.
REL-i ka siguruar fotografi nga disa klinika të QKUK-së, ku shihen dëmtime infrastrukturore dhe kushte jo të mira sanitare, veçanërisht në tualetet e përbashkëta.
Ndonëse Drejtoria e QKUK-së aprovoi një leje xhirimi për gjashtë klinika të QKUK-së, REL-i pati mundësi ta shihte nga brenda, pa u penguar, vetëm Klinikën e Gjinekologjisë.
Kjo klinikë, në të cilën, sipas të dhënave të qeverisë, ka pasur investime prej rreth 5.5 milionë eurosh nga viti 2024, ka tashmë disa reparte me kushte moderne, ndonëse ka ende reparte të parenovuara.
Klinika e Gjinekologjisë, me reparte të renovuara dhe të pa renovuara
Një nga repartet e lehonave në Klinikën e Gjinekologjisë, i renovuar së fundmi.
Tavani në një nga repartet e parenovuara të Klinikës së Gjinekologjisë.
Në Klinikat e Kirurgjisë, Pulmologjisë, të Otorinolaringologjisë, e të Kirurgjisë Maksillofaciale, ndër të tjera, REL-i gjeti tualete të prishura, dyer që nuk mbylleshin, mungesë sapunësh të lëngshëm dhe letrash tualeti, si dhe papastërti të përgjithshme.
Viteve të fundit, Ministria e Shëndetësisë ka investuar miliona euro në renovimin dhe modernizimin e një sërë klinikash.
Sipas njoftimeve zyrtare të ministrisë, vetëm gjatë viteve 2023-2025, përveç investimeve në Klinikën e Gjinekologjisë, edhe rreth 2.8 milionë euro janë investuar për Klinikën e re të Ortopedisë.
Investime të tjera përfshijnë ato në Klinikën e Urologjisë, Klinikën Emergjente, atë të Kardiokirurgjisë, të Onkologjisë dhe të Kardiologjisë.
Tualete të përbashkëta, në klinika të ndryshme të QKUK-së
Tualeti në bodrumin e klinikave të kirurgjisë.
Mungesë higjiene në Klinikën Infektive: Çfarë panë inspektorët?
Një kontroll i jashtëzakonshëm në Klinikën Infektive, ku trajtohen sëmundjet ngjitëse, nxori në pah disa mangësi, që lidheshin me procesin e pastrimit dhe dezinfektimit.
Inspektorati Sanitar i Kosovës, që vepron në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, i konfirmoi REL-it se inspektimi u bë më 16 korrik 2026, pas ankesës së shoqërueses së një pacienti.
Sipas raportit të Inspektoratit, objekti ku funksionon Klinika Infektive është i vjetër, “ndërsa hapësira e dedikuar për stafin e pastrimit është në gjendje të amortizuar”.
Për të arritur deri te depoja ku ruheshin materialet e higjienës, inspektorët konstatuan se duhej kaluar nëpër korridore me lagështi të theksuar dhe ujë të grumbulluar, gjendje që, sipas tyre, paraqet rrezik për kontaminim.
“Gjatë kontrollit, u konstatua se stafi nuk ishte i pajisur dhe nuk përdorte pajisje personale mbrojtëse, përfshirë doreza dhe maska, gjatë kryerjes së punëve të pastrimit.”, tha Inspektorati.
Ndër të tjera, Inspektorati gjeti se “nuk pati lecka pastrimi të ndara sipas kodit të ngjyrave, ose sipas destinimit të përdorimit”.
Kjo, sipas tij, mundëson pastrimin e sipërfaqeve të ndryshme, pa rrezik të kontaminimit të kryqëzuar.
Ekipi i REL-it nuk arriti të siguronte qasje për të marrë pamje brenda kësaj klinike.
I pyetur lidhur me gjendjen e përgjithshme të kushteve sanitare në QKUK, Inspektorati tha se, sipas inspektimit të rregullt, në vitin 2026, kushtet infrastrukturore dhe higjieno-sanitare në shumicën e klinikave të QKUK-së janë “përgjithësisht të mira, dhe pasqyrojnë investimet e viteve të fundit”.
Edhe organizatat që mbrojnë të drejtat e pacientëve dhe të stafit shëndetësor vlerësojnë se kushtet infrastrukturore janë një ankesë legjitime për QKUK-në.
Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK) tha se problemi i kushteve në QKUK nuk qëndron vetëm te rasti publik i Pediatrisë.
"Problemi nuk është vetëm fotografia apo një rast i izoluar, por fakti se një numër i konsiderueshëm i pacientëve dhe familjarëve të tyre vazhdojnë të raportojnë kushte jo të denja për ofrimin e shërbimeve shëndetësore", tha kjo shoqatë për REL-in.
Infrastrukturë e dëmtuar në disa prej klinikave të QKUK-së
Objekti i klinikave të kirurgjisë. (Fotografuar më 15 korrik)Muri i dëmtuar në bodrumin e objektit të klinikave të kirurgjisë. (Fotografuar më 15 korrik)
"Këto kushte ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien fizike dhe psikologjike të pacientëve. Përveç rritjes së rrezikut për infeksione spitalore, ato ndikojnë edhe në besimin e qytetarëve ndaj sistemit publik shëndetësor", thuhet tutje në deklaratën e shoqatës.
Veç kësaj, PRAK-u kritikoi edhe qasjen mbrojtëse të institucioneve shëndetësore karshi kritikave të pacientëve.
“Ne besojmë se reagimi institucional duhet të fokusohet në adresimin e problemit, dhe jo në minimizimin apo relativizimin e tij. Kur qytetarët raportojnë shqetësime, institucionet duhet ta shohin këtë si mundësi për përmirësim, dhe jo si sulm ndaj tyre”, tha PRAK-u.
Edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës vlerësoi se problemet infrastrukturore nuk ndikojnë vetëm te pacientët, por edhe te personeli.
Kryetarja e Federatës, Tevide Imeri, tha se kushtet e amortizuara të punës janë një nga arsyet pse shumë profesionistë shëndetësorë largohen nga Kosova.
"Shëndetësia është një oqean me probleme. Nuk është një problem që izolohet në një klinikë ose në një repart. [Gjatë investimeve] të mos bëhet një lloj fasadimi, një lloj ngjyre, një lloj recepsioni ku shkon, pritet një shirit, dhe aty përfundon gjithçka", u shpreh ajo.
Sipas Imerit, edhe vetë punonjësit shëndetësorë shpesh punojnë në ambiente jo të denja.
"Në shumë institucione nuk ke as zhveshtore për personelin. Tualetet janë katastrofë. Shpesh, punëtorët blejnë vetë materiale higjienike për përdorim gjatë punës", tregoi ajo./Radio Evropa e Lirë/
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se është rrëzuar një mbindërtim pa leje në lagjen Dardania.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka thënë se ky veprim është pjesë e angazhimeve për mbrojtjen e rendit urban dhe interesit publik në kryeqytet.
“Ligji vlen për të gjithë”, ka shkruar Rama, duke falënderuar qytetarët aktivë që, sipas tij, vazhdojnë të raportojnë parregullsi në Prishtinë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se një person me inicialet Sh.B. është paraqitur të premten në Stacionin Policor në Prizren, duke pretenduar se është ndier i kanosur pas publikimit të një interviste në media.
Sipas Policisë, në intervistën e publikuar, Sh.B. ishte përmendur si i dyshuar për krime lufte.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti nën dyshimin për veprën penale “Kanosje”.
Personi ndaj të cilit është paraqitur ankesa, Esat Shala., është ftuar dhe intervistuar nga Policia në cilësinë e të dyshuarit, në prani të avokatit.
Pas intervistimit dhe konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Kanosje”, ndërsa i dyshuari E.SH. është liruar në procedurë të rregullt.
Ndryshe, Esat Shala mbrëmë në Klan Kosova deklaroi se një i dyshuar për krime lufte në Krushë të Madhe po lëvizte lirshëm nëpër Prizren, për çka edhe dha iniciale./Telegrafi/
Pas disa orësh në sallën e operacionit, Belere Plaka nuk ka mundur t'u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Fierit.
Në orët e para të mëngjesit të së premtes, Nertil Buzi vrau pas një konflikti ish-vjehrrin e tij në fshatin Vidhisht, plagosi ish-vjehrrën dhe rrëmbeu ish të fejuarën e tij.
Ekipet RENEA mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe së bashku me Drejtorinë e Policisë së Fierit, nisën negociatat me Nertil Buzin, shkruan A2.
Fillimisht, 35-vjeçari la të lirë ish të fejuarën dhe kërcënoi se do të vriste veten. Nëntë orë negociata nuk mjaftuan që Nertil Buzi të dorëzohej te autoritetet, duke u vetëvrarë me po të njëjtën armë që kreu krimin.
Menjëherë pas ngjarjes reaguan edhe prindërit e Nertil Buzit, duke thënë se shkak i konfliktit ishin një shumë e konsiderueshme parash.
Nertil Buzi dyshohet për të shkuar kriminale edhe në Londër, pasi në vitin 2022 u mbajt peng nga disa persona për 12 ditë, duke i kërkuar familjes Buzi shumën prej 400 mijë paund në këmbim të lirisë së tij.
Anëtarët e Njësisë së Policisë së Formuar të EULEX-it kanë ndihmuar një grua që kishte pësuar një emergjencë mjekësore në Mitrovicën e Jugut.
Sipas EULEX-it, rasti ka ndodhur të enjten, derisa pjesëtarët e kësaj njësie po kryenin detyrat e rregullta të patrullimit dhe zbulimit.
Pjesëtarët e EULEX-it, duke përdorur aftësitë e ndihmës së parë dhe mbështetjes themelore të jetës, për të cilat trajnohen rregullisht, i kanë ofruar ndihmën e nevojshme gruas dhe kanë siguruar që ajo të ishte e sigurt deri në mbërritjen e ambulancës.
“Trajnimi për mbështetjen themelore të jetës shpëton jetë. Të dish se si të reagosh në minutat kritike para se të arrijë ndihma profesionale mjekësore mund të bëjë gjithë ndryshimin”, ka theksuar EULEX-i.
Një person është paraqitur vullnetarisht në stacionin policor në Prizren pasi i është përmendur emri në një emisionin televiziv si i dyshuar për pjesëmarrje në grupe paramilitare serbe që kryen krime ndaj popullsisë shqiptare gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Dorëzimi i tij në Polici është konfirmuar nga Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Prizrenit.
“Personi në fjalë është paraqitur vetë në Stacionin Policor në Prizren. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar nga Njësia për Hetimin e Krimeve të Luftës. Ai është intervistuar si ankues dhe është liruar”, ka thënë Bytyqi.
Ndërsa gjatë ditës së sotme u raportua në media se shtetasi turk ishte arrestuar nga Policia e Kosovës për dyshime lidhur me krime lufte në zonën e Krushës.
Kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë përfaqësuar Republikën e Kosovës në aktivitetin “International Cultural Evening”, të organizuar në Akademinë Mbretërore Ushtarake Sandhurst në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas njoftimit të Ambasadës së Kosovës në Londër, kadetët prezantuan kulturën dhe identitetin e vendit përmes gastronomisë tradicionale, veshjeve kombëtare, promovimit të potencialit turistik, si dhe historisë dhe trashëgimisë kulturore të Kosovës para pjesëmarrësve nga vende të ndryshme të botës, njofton Dukagjini.
Në mbështetje të këtij aktiviteti morën pjesë edhe Atasheu i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, nënkolonel Ilir Beqiri, si dhe zëvendëskonsulli Ilir Bytyqi.
Ambasada theksoi se pjesëmarrja e kadetëve të FSK-së në një institucion prestigjioz si Akademia Mbretërore Ushtarake Sandhurst dëshmon profesionalizmin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe përkushtimin e shtetit për forcimin e partneritetit me Mbretërinë e Bashkuar dhe avancimin e orientimit euroatlantik.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të premten në takim të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Sipas njoftimit të Qeverisë, në takim janë diskutuar zhvillimet në raport me Bashkimin Evropian, situata në Ballkanin Perëndimor, si dhe procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë zhvillimet aktuale dhe rrugën përpara.
Kurti ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj një angazhimi konstruktiv, paqes së qëndrueshme, sigurisë euro-atlantike, stabilitetit afatgjatë dhe fqinjësisë së mirë evropiane.
Një nga çështjet e ngritura gjatë takimit ka qenë edhe kthimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë që kishin dhënë dorëheqje.
Sipas Qeverisë, Kurti ka thënë se institucionet e Kosovës insistojnë në respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve, barazinë e qytetarëve dhe përfshirjen e të gjitha komuniteteve.
“Të punësuarit në institucionet e Republikës janë dhe duhet të jenë nga të gjitha etnitë, e të karakterizohen nga kompetenca profesionale dhe integriteti etik, përfshirë këtu policinë, gjyqësorin e prokurorinë e shtetit”, thuhet në njoftim.
Kurti ka deklaruar se dorëheqjet kolektive të serbëve nga institucionet në veri të Ibrit, para katër vitesh, sipas tij, kishin për qëllim rrënimin e përbërjes shumetnike të sistemit demokratik të Kosovës.
Ai ka theksuar se rruga përpara duhet të përcaktohet nga Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së karakterit shumetnik të sistemit gjyqësor, por edhe garantimit të pavarësisë dhe cilësisë së drejtësisë.
Në takim janë diskutuar edhe tema të tjera nga procesi i dialogut, ndërsa është theksuar rëndësia e respektimit dhe mosshkeljes së Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit./Telegrafi/
Analisti politik Afrim Kasolli ka komentuar vendimin që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës të mbahet më 6 gusht, vetëm një ditë para përfundimit të afatit kushtetues.
I ftuar në emisionin “FIVE” në Dukagjin, Kasolli ka thënë se caktimi i seancës në fund të afatit nuk është befasi, duke pasur parasysh deklaratat e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, se do t’u jepej më shumë kohë partive politike për të arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve të reja.
Megjithatë, ai ka vlerësuar se pritja për konsensus mund të jetë vetëm arsyetimi publik, ndërsa prapa vendimit mund të ketë edhe kalkulime politike, veçanërisht nga partia fituese.
“Motivet mund të jenë të tjera, mund të jenë edhe kalkulime politike, veçanërisht të partisë fituese. Besoj kështu pasi mund të presin edhe dinamikat e subjekteve tjera, veçanërisht në LDK, pasi po i shohim telashet që ekzistojnë në këtë subjekt politik”, ka deklaruar Kasolli.
Sipas tij, mungesa e takimeve të reja dhe e përpjekjeve serioze ndërmjet partive politike për të arritur marrëveshje e vë në pikëpyetje arsyetimin se caktimi i seancës në fund të afatit është bërë për t’u dhënë kohë subjekteve politike.
Kasolli ka paralajmëruar se dështimi i konstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues do ta çonte vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Ai e ka cilësuar këtë skenar si të papranueshëm, duke thënë se Kosova do të përballej për herë të katërt me zgjedhje të jashtëzakonshme dhe do të dëshmonte, sipas tij, mungesë të pjekurisë politike.
Kasolli ka theksuar se aktualisht vendi po përballet me mungesë të institucioneve funksionale me mandat të plotë, duke përmendur Kuvendin dhe Qeverinë, ndërsa ka bërë thirrje që partitë politike t’i lënë anash interesat partiake dhe të fokusohen në funksionimin e institucioneve.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu për pasojat financiare dhe politike të zvarritjes së formimit të institucioneve, duke thënë se Kosova tashmë ka humbur rreth 40 milionë euro nga mbështetja e lidhur me procesin e integrimit evropian dhe se mund të humbë edhe mjete të tjera në të ardhmen.
Në pjesën e fundit të deklaratës së transmetuar, juristi Anton Nrecaj ka theksuar rëndësinë e funksionalizimit të institucioneve të Kosovës dhe vazhdimit të procesit të integrimit evropian.Derisa Juristi Anton Nrecaj ka paralajmëruar se dështimi i konstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues do ta çonte Kosovën automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Nrecaj e ka cilësuar një skenar të tillë si të papranueshëm, duke thënë se vendi do të përballej për herë të katërt me zgjedhje të jashtëzakonshme dhe do të dëshmonte, sipas tij, mungesë të gatishmërisë dhe pjekurisë politike për funksionalizimin e institucioneve.
“Mosarritja e konstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme. Dhe kjo është e papranueshme, sepse i bie që për herë të katërt vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe për herë të katërt ne po tregojmë një mosgatishmëri, një mospjekuri politike për të konstituuar institucionet në vend”, ka deklaruar Nrecaj në Tv Dukagjin i.
Ai ka theksuar se situata aktuale është edhe më e rëndë, pasi, sipas tij, Kosova nuk ka institucione kushtetuese funksionale me mandat të plotë.
“Tani jemi edhe më keq, në bazën ku nuk kemi asnjë institucion kushtetues funksional, me fuqi të plotë. Nuk kemi kryetar të vendit, nuk kemi Kuvend, nuk kemi Qeveri dhe të gjitha janë me ushtrues detyre”, ka thënë ai.
Sipas Nrecajt, kjo gjendje cenon rendin juridik dhe funksionimin e shtetit, ndërsa u ka bërë thirrje partive politike që të përmbushin obligimet e tyre dhe të konstituojnë institucionet.
Ai ka kërkuar që partitë t’i lënë anash interesat partiake dhe përplasjet politike, duke theksuar se prioritet duhet të jetë funksionimi i institucioneve të Republikës së Kosovës.
Nrecaj ka paralajmëruar edhe për pasojat financiare të bllokadës institucionale, duke thënë se Kosova tashmë ka humbur rreth 40 milionë euro nga mbështetja e lidhur me procesin e integrimit evropian.
Sipas tij, zvarritja e mëtejshme e formimit të institucioneve mund të sjellë humbje të tjera financiare, të cilat do të mund të përdoreshin në të mirë të qytetarëve dhe të procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
“Prandaj, interesi është jo vetëm integrimi evropian, por edhe që institucionet e Kosovës përfundimisht, pas dy viteve, të jenë funksionale”, ka përfunduar Nrecaj./Telegrafi/
Kanë dalë pamjet e Refit Buzit pak çaste para se të ikte nga kjo botë. Siç shikoni imazhin ku Refit Buzi ndodhet pak metra larg makinës, ulur me armën në krah.
Pak më vonë ai i dha fund jetës me armën e tij tip çifte gjahu.
Drejtoria e policisë së Fierit tha zyrtarisht se ekipi negociator i RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorit, vijoi negociatat me 35-vjeçarin, me qëllim bindjen e tij për t’u dorëzuar dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
"Pavarësisht negociatave intensive, të zhvilluara që prej orëve të para të mëngjesit, 35-vjeçari nuk iu bind thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar dhe, rreth orës 16:35, dyshohet se është vetëvrarë me armën e gjahut që mbante me vete, brenda automjetit".
Më herët Refit Buzi akuzohet se në fshatin Vidhisht, Roskovec, vrau me armë gjahu babanë e ish-të dashurës së tij, 58 vjeçarin Kosta Plaka si dhe plagosi rëndë nënën e saj 55 vjeçare Belere Plaka. Pas krimit ai nuk u ndal me aq por rrëmbeu dhe mbajti peng ish-të dashurën, Rozalinda Plaka duke e dhunuar edhe atë.
Pak orë më vonë pranoi ta lërë të lirë dhe ajo u dërgua në spital.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.
Gjykata Themelore në Mitrovicë ia ka vazhduar edhe për një muaj masën e paraburgimit ish-pjesëtarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, V.M., i cili dyshohet se ka lidhje me kidnapimin dhe plagosjen e Milan Vukashinoviqit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Hateme Haxhaj.
“Të pandehurit V.M. i është vazhduar masa e paraburgimit deri më 16.08.2026”, ka deklaruar Haxhaj.
Me këtë vazhdim, të dyshuarit i bëhen shtatë muaj që rri në paraburgim.
V.M. ishte arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka lidhje me rastin e kidnapimit të Milan Vukashinoviqit.
Ky i fundit, shtetas i Republikës së Kosovës i nacionalitetit serb, dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer brenda territorit të Kosovës nga pjesëtarë të xhandarmërisë serbe më 1 nëntor 2025, në afërsi të zonës së Leposaviqit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte njoftuar më 20 dhjetor 2025 se në një operacion të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ishte arrestuar në Leshak ish-pjesëtari i MPB-së serbe.
Sipas njoftimit të Sveçlës, i arrestuari ishte integruar në Policinë e Kosovës përmes marrëveshjes së vitit 2013, por më pas kishte dhënë dorëheqje.
Sveçla kishte deklaruar se ekzistojnë dyshime se V.M. kishte bashkëpunuar dhe mbështetur në vazhdimësi strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe rastin e kidnapimit të Milan Vukashinoviqit, i cili gjatë këtij rasti ishte plagosur rëndë.
Sipas ministrit, Vukashinoviq dyshohet se kishte qenë në kontakt me struktura të inteligjencës së Serbisë dhe ato të ushtrisë, kishte përgatitur të rinj serbë për trajnime në bashkëpunim me pjesëtarë të ushtrisë serbe, si dhe dyshohej se kishte pasur njohuri për përgatitjet e sulmit terrorist në Banjskë.
Pas urdhëresës së Gjykatës, Policia e Kosovës kishte bastisur shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit, ku ishin gjetur dhe sekuestruar nëntë telefona celularë, një laptop, tri dokumente të formatit A4, një pushkë gjuetie me 39 fishekë, një jelek për fishekë të armës së gjuetisë, si dhe një tytë arme.
Policia e Kosovës ka njoftuar se Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës është organi i vetëm kompetent brenda Policisë së Kosovës për pranimin, verifikimin, hetimin dhe procedimin e të gjitha informacioneve dhe rasteve penale që lidhen me krimet e luftës të kryera gjatë luftës në Kosovë (1998–1999), në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Sipas një komunikate të Policisë, kjo drejtori trajton të gjitha informacionet relevante, pavarësisht burimit të tyre, përfshirë ato të siguruara nga qytetarët, institucionet, organizatat, partnerët vendorë e ndërkombëtarë, si dhe informacionet e identifikuara nga burime të hapura, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Policia thekson se, pas publikimeve të fundit në media lidhur me trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, adresa zyrtare për paraqitjen e çdo informacioni, prove apo të dhëne mbetet Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës dhe Departamenti për Krime të Luftës në Prokurorinë Speciale.
Në komunikatë, Policia dhe Prokuroria Speciale u bëjnë thirrje qytetarëve, dëshmitarëve, viktimave, familjarëve të tyre dhe çdo personi që posedon informacione me rëndësi për hetimin e krimeve të luftës që t'i adresojnë ato në këto institucione, duke garantuar trajtim profesional, konfidencialitet dhe respektim të standardeve ligjore.
35-vjeçari Refit (Nertil) Buzi, i dyshuar për ngjarjen e rëndë në Roskovec,ka vrarë veten me armë zjarri pas disa orësh negociata me forcat e policisë.
Ai ishte i rrethuar nga forcat speciale RENEA në zonën e ish-fushës së helikopterëve në fshatin Kurjan, ku qëndroi i ngujuar në automjetin e tij, ndërsa negociatorët tentuan disa herë ta bindnin të dorëzohej.
Më herët, 35-vjeçari dyshohet se vrau me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, Kosta Plakun, plagosi ish-vjehrrën, Bejlere Plakun, dhe mori me forcë ish-të dashurën, Rozalinda Plakun. E reja u lirua disa orë më vonë gjatë operacionit të policisë.
Autoambulanca dhe forca të shumta policie janë afruar pranë automjetit ku ndodhet prej disa orësh 35-vjeçari.
Njoftimi i Policisë së Shtetit
"Në vijim të informacionit paraprak për ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur në fshatin Vidhisht, Roskovec, ku shtetasi R. B., 35 vjeç, vrau me armë gjahu babanë e ish-të dashurës së tij, plagosi nënën e saj dhe mori peng ish-të dashurën, shtetasen R.P, ju informojmë se: Pas lirimit të saj falë veprimeve profesionale të Policisë, ekipi negociator i RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorit, vijoi negociatat me 35-vjeçarin, me qëllim bindjen e tij për t'u dorëzuar dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës".
"Pavarësisht negociatave intensive, të zhvilluara që prej orëve të para të mëngjesit, 35-vjeçari nuk iu bind thirrjeve të Policisë për t'u dorëzuar dhe, rreth orës 16:35, dyshohet se është vetëvrarë me armën e gjahut që mbante me vete, brenda automjetit. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale".
Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të premte në fshatin Dërdushë të Bashkisë së Pogradecit, ku një tufë delesh është goditur nga rrufeja gjatë motit të keq.
Sipas informacioneve paraprake, si pasojë e goditjes nga rrufeja kanë ngordhur rreth 10 dele, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike për pronaren e tufës, Tatjana Beçoku.
Tufa ka qenë në numër të madh, me mbi 100 krerë dhe paraprakisht dyshohet se disa dele të tjera kanë mbetur të lënduara, ndërsa fatmirësisht nga ngjarja nuk raportohet për persona të prekur.
Në zonë është nisur sektori veterinar për të kryer verifikimet në terren dhe për të dokumentuar dëmet e shkaktuara.