Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayTelegrafi

Një gjë është e qartë: Rendi perëndimor që dikur njihnim, është pjesë e historisë

15 January 2026 at 11:09


Burimi: The Guardian (titulli: Whether or not Trump invades Greenland, this much is clear: the western order we once knew is history)
Përkthimi:Telegrafi.com

Donald Trumpi po kërcënon të pushtojë Grenlandën - territor i një aleati në NATO - ndoshta edhe me forcë ushtarake, ashtu siç po përpiqet Vladimir Putini të pushtojë Ukrainën. Edhe nëse nuk e bën këtë realisht, kjo tashmë është një epokë e re: një botë post-perëndimore me çrregullim ndërkombëtar joliberal.

Është e dyfishtë detyra e tashme për demokracitë liberale në përgjithësi, dhe për Evropën në veçanti: të shohim botën ashtu siç është dhe të kuptojmë çfarë dreqin duhet të bëjmë për këtë.

Një sondazh ndërkombëtar i opinionit publik, i publikuar sot, është pikënisje e dobishme. Ai u realizua në nëntor të vitit kaluar, në 21 vende - për Këshillin Evropian për Marrëdhënie të Jashtme (ECFR) - në bashkëpunim me projektin tonë kërkimor Evropa në një botë që ndryshon në Universitetin e Oksfordit (ju lus ta lexoni raportin e plotë, të cilin e kam shkruar bashkë me Ivan Krastevin dhe Mark Leonardin). Ky është sondazhi i katërt në një seri që kemi bërë çdo vit, që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Putini në vitin 2022, ndaj mund të shohim se si gjërat kanë evoluar - nga shumë keq dikur, tani në momente kritike.

Në vitin 2022 pamë një Perëndim transatlantik të bashkuar në indinjatë ndaj pushtimit të plotë të Ukrainës, por të ndarë nga fuqitë e tjera të mëdha dhe të mesme, si Kina, India dhe Turqia, të cilat ishin të gatshme të vazhdonin biznesin - si zakonisht - me Rusinë. Ekonomia ruse po mbijetonte përballë sanksioneve të paprecedenta perëndimore, sepse ato shtete të tjera tashmë kishin mjaftueshëm pasuri dhe fuqi për të balancuar edhe një Perëndim të bashkuar. Pra, kjo veçse ishte një botë post-perëndimore, por ende me një Perëndim që vepronte brenda saj.

Trumpi 2.0 e ka ndryshuar këtë. Tani kemi një botë post-perëndimore, por pa një Perëndim gjeopolitik të bashkuar që vepron në të. Nëse duhet t’ia atribuojmë ndonjë koherencë strategjike narcisizmit të paqëndrueshëm të Trumpit, qasja e tij është më afër asaj të Putinit sesa e cilitdo president amerikan që nga viti 1945. Siç e shpjegon haptazi krahu i tij i djathtë, Stephen Miller, ata besojnë se bota “qeveriset me fuqi ... me forcë ... me pushtet”.

Evropianët e kanë kuptuar këtë. Për habi, më pak se një në pesë evropianë kontinentalë (në një mesatare të 10 vendeve të BE-së që kemi anketuar) dhe vetëm një në katër britanikë tani e shohin ShBA-në si një vend aleat. Në Ukrainë, kjo shifër ka rënë në 18 përqind. Ne, evropianët, ende e shohim ShBA-në si “një partner të domosdoshëm”, por jo si aleat.

Edhe pjesa tjetër e botës po zgjohet me këtë. Përderisa në sondazhin tonë të parë, 60 përqind e të anketuarve kinezë mendonin se qasjet amerikane dhe evropiane ishin të njëjta ose të ngjashme (d.m.th. ekziston një Perëndim i vetëm), tani vetëm 43 përqind mendojnë kështu, ndërsa një shumicë e qartë mendon se ato janë të ndryshme. Tash për tash, Perëndimi është histori.

Pra, çfarë duhet të bëjmë për këtë? Gjëja më e keqe që mund të bëjmë është të vazhdojmë të qajmë për humbjen e “sistemit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, duke bërë thirrje të zgjedhura për ligjin ndërkombëtar (Ukraina, por jo Gaza), teksa vazhdojmë me paqësimin servil të Trumpit. Në të njëjtën kohë, padyshim që nuk duam të sillemi si ai apo si Putini.

Ajo që na duhet është një ndërkombëtarizëm i ri: më i shpejtë, më fleksibil, më i rreptë. Të refuzojmë përdorimin e forcës, por të përqafojmë përdorimin e pushtetit. Të mos fiksohemi për strukturat dhe aleancat ekzistuese, por të kërkojmë një gamë më të gjerë partnerësh, në mënyrë pragmatike, nga një rast te tjetri. Të shqetësohemi më pak për rregullat, më shumë për rezultatet; më pak për procesin, më shumë për përparimin. Kjo është një sfidë veçanërisht për BE-në institucionale, shembullin përfundimtar - të ngadaltë, të bazuar në rregulla dhe të ngarkuar me procese - të rendit liberal ndërkombëtar të viteve '90 të shekullit XX.

Megjithatë, tashmë kemi nisur ta bëjmë këtë për Ukrainën, me një kombinim të ri të një koalicioni të të gatshmëve dhe vetë BE-së që po lëviz me shpejtësi të paprecedent për standardet e Brukselit. Siç argumentova muajin e kaluar, duhet të përgatitemi urgjentisht për të mbështetur një Ukrainë të pavarur edhe pa ndihmën e ShBA-së.

Po me Grenlandën? Së pari, duhet të udhëhiqemi në gjithçka që bëjmë nga qeveritë e zgjedhura të Grenlandës dhe Danimarkës. Kjo, në fund të fundit, është ajo që na dallon ne demokratët liberalë nga imperialistët autoritarë.

Të mërkurën, Danimarka dhe disa nga aleatët e saj evropianë në NATO shpallën dërgimin e trupave të mëtejshme në Grenlandë. Ministrat e jashtëm të Grenlandës dhe Danimarkës pastaj u takuan në Uashington me nënpresidentin JD Vance, dhe sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, dhe u pajtuan të krijonin një grup pune të nivelit të lartë. Është mjaft e qartë se mosmarrëveshja bazike nuk është zgjidhur. Të gjitha shenjat tregojnë se Trump do të bëhet më ekstrem dhe më i paparashikueshëm me kalimin e kohës dhe me rritjen e vështirësive të tij të brendshme.

Ja disa sugjerime. Për të theksuar angazhimin evropian, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer duhet të vizitojnë Grenlandën, së bashku me kryeministren daneze Mette Frederiksen. Ata duhet të shoqërohen nga kryeministri kanadez, Mark Carney, pasi Kanadaja është aleate në NATO dhe është fqinja reale perëndimore e Grenlandës dhe e prekur drejtpërdrejt nga pasiguria në Arktik.

Nëse mund të shkojnë me tren për në Kiev, mund të shkojnë me aeroplan në Nuuk. Për çudi, kjo vizitë mund të jetë po aq e rëndësishme sa vetë angazhimi për sigurinë, sepse gjuha e dytë e presidentit Trump është televizioni. Ai do ta marrë mesazhin nga pamjet. Një numër zyrtarësh ndërlidhës evropianë dhe kanadezë, të dukshëm dhe me uniforma të dallueshme, duhet të vendosen në Grenlandë për një kohë të pacaktuar.

Të martën, kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, tha se nëse duhet të zgjedhin, “ne zgjedhim Danimarkën ... ne zgjedhim BE-në”. Prandaj, BE-ja duhet të gjejë shumë shpejt një mënyrë për të rritur mbështetjen e saj financiare që aktualisht është e vogël për Grenlandën - dhe jo siç është planifikuar për periudhën e re buxhetore që fillon në vitin 2028. Kjo do të ishte një mundësi e mirë për presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, që të hipin në aeroplan për në Nuuk.

Ndërkohë që janë atje, ata duhet të nisin një diskutim strategjik për një marrëdhënie të mundshme të afërt në të ardhmen midis një Grenlande të pavarur dhe BE-së. Është mjaft e qartë se BE-ja e së nesërmes do të ketë një gamë marrëdhëniesh të personalizuara me fqinjët kryesorë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Ukrainën, Turqinë dhe Kanadanë. Pse jo edhe me Grenlandën?

Ndërkohë, Evropa - partneri më i madh ekonomik i ShBA-së - duhet të shqyrtojë privatisht gamën e plotë të reagime ekonomike (përfshirë, për shembull, shitjen e bonove të Thesarit amerikan) që mund të ndërmarrë në rastin ende të pamundur të një Trumpi që urdhëron pushtimin ushtarak, në stilin e Putinit, të Grenlandës. Përmbledhja e këtyre planeve të emergjencës mund t’i përcillet në mënyrë diskrete Shtëpisë së Bardhë, përmes sekretarit të Thesarit të ShBA-së, Scott Bessent, ose dhëndrit të presidentit, Jared Kushner.

Pa dyshim që ka edhe lëvizje të tjera të mundshme, por drejtimi i përgjithshëm është i qartë: një Evropë (dhe Kanada me demokraci të tjera liberale) që projektojnë forcë të qetë, pushtet dhe vendosmëri.

Një nga gjetjet më dëshpëruese në sondazhin tonë është se evropianët janë liderë botërorë në pesimizëm. Gati gjysma e tyre nuk besojnë se BE-ja mund të përballet në mënyrë të barabartë me fuqitë globale - si ShBA-ja dhe Kina. Nëse fillojmë ta zbatojmë këtë ndërkombëtarizëm të ri, më shpejtë dhe më fortë, ndoshta më shumë evropianë do t’i besojnë përsëri Evropës. /Telegrafi/

Udhëzuesi im për ta bërë demokracinë tuaj të papërshkueshme nga populizmi - para se të jetë tepër vonë

25 November 2025 at 11:57


Nga transmetimi publik deri te gjyqësori i pavarur, këto janë gjërat për të cilat duhet të luftojmë për t’i ruajtur.

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Si mund t’i mbrojmë demokracitë tona nga ata që duan t’i shkatërrojnë? Flasim shumë për strategjitë për t’i mbajtur jashtë pushtetit populistët nacionalistë anti-liberalë, por përdorimi i përditshëm i topit për prishje, nga Donald Trump, tregon se është po aq e rëndësishme të forcosh demokracinë tënde që ajo të mund t’i rezistojë një periudhe kur populistët janë në pushtet.

Gjermania ka një koncept të quajtur wehrhafte Demokratie, që shpesh përkthehet çuditshëm si “demokraci militante”, por që në të vërtetë do të thotë një demokraci e aftë për t’u mbrojtur. Nën këtë moto, disa në Gjermani po propozojnë ndalimin e partisë Alternativa për Gjermaninë [Alternative für Deutschland - AfD], e cila tani është një nga partitë më të njohura në vend. Kjo është rruga e gabuar. Kjo vetëm do t’ua forconte mbështetësve të kësaj partie, të djathtë ekstreme, bindjen se vetë shteti demokratik është një lloj konspiracioni elitist liberal dhe do t’ia jepte AfD-së aurën e martirizimit. Gjithashtu, dukshëm po dështon eksperimenti francez i një “harku republikan”, ku pothuajse të gjitha partitë e tjera bien në ujti vetëm për të mbajtur jashtë Tubimin Kombëtar [Rassemblement National] të Marine Le Penit. Një gamë kaq e gjerë partish, siç pritej, nuk arrin të pajtohet për reformat urgjente që duhen bërë, dhe Tubimi Kombëtar mund të vazhdojë të kritikojë nga jashtë. Andaj, ia vlen të merret parasysh shembulli i Holandës, ku partia e populistit provokues Geert Wilders, u lejua të hynte në pushtet në një qeveri koalicioni, dështoi të japë rezultate, rrëzoi qeverinë duke u tërhequr nga koalicioni dhe humbi zgjedhjet pasuese (edhe pse ngushtë) ndaj një partie liberale të udhëhequr nga i riu dinamik, Rob Jetten.

Por, nëse do të rrezikosh për të lejuar populistët në qeveri, duhet më parë të forcosh mbrojtjet e demokracisë tënde - përndryshe ata do ta përdorin demokracinë për të shkatërruar vetë demokracinë - ashtu siç ka bërë Viktor Orbán në Hungari dhe siç po përpiqet të bëjë Trumpi në ShBA. Copë pas cope, këto demokraci dikur liberale bëhen ajo që shkencëtarët politikë e quajnë një sistem autoritar elektoral. Zgjedhjet ende ekzistojnë, por nuk janë të lira dhe të ndershme.

Ja disa gjëra që ia vlen të merren parasysh nëse dëshironi ta bëni demokracinë tuaj të papërshkueshme nga populizmi:

Përfaqësimi proporcional

Sistem dypartiak ku fituesi i merr të gjitha, siç është ai në ShBA - dhe që në masë të madhe ende ekziston në Mbretërinë e Bashkuar në Uestminster, pavarësisht fragmentimit të fundit të peizazhit politik - mund të jetë i dobishëm derisa një populist nacionalist nuk merr kontrollin e njërës prej dy partive të mëdha, siç ka bërë Trumpi. Pastaj bëhet më keq. Më mirë është të kesh përfaqësim proporcional, në mënyrë që populistët të kufizohen nga partnerët e koalicionit - si në Holandë dhe pjesën më të madhe të Evropës kontinentale.

Administrimi i zgjedhjeve

Ndoshta çështje teknike, por kjo ka rëndësi. Sistemi jashtëzakonisht arkaik i ShBA-së, në të cilin secili prej 50 shteteve ka procedurat e veta të ndryshme, është një ftesë e përhershme për manipulime të zonave zgjedhore, shtypje të votuesve dhe për të gjitha marifetet e tjera të pista, të cilat republikanët janë qartësisht të vendosur t’i përdorin përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit të vjeshtës së ardhshme.

Transmetuesi publik

Sfera e përbashkët publike që na nevojitet për demokracinë, po gërryhet kudo nga fragmentimi dhe polarizimi i njëkohshëm që vjen si rezultat i versionit kapitalist amerikan të revolucionit dixhital. Ka pak zgjidhje të lehta për këtë. Megjithatë, nëse keni një transmetues të besuar publik, si në Britani, Kanada, Australi, Gjermani ose Skandinavi, duhet të mbaheni fort pas tij, të siguroni më tej pavarësinë e tij redaksionale, t’ia dyfishoni buxhetin dhe të rrisni praninë e tij në rrjetet sociale. Fakti që Britania po bën të kundërtën, duke minuar BBC-në - ndoshta transmetuesin më të respektuar publik në botë - është thjesht një shembull tjetër i aftësisë së pashtershme të këtij vendi për të dëmtuar veten në aspektin kombëtar.

Pronësia e mediave

Censura është diçka e vjetruar. Autokrati modern kontrollon fjalën përmes pronësisë. Në Turqi dhe Hungari, oligarkët që janë miq të liderëve i zotërojnë mediat kryesore. Në shikim të parë, mund të duket si pluralizëm i përsosur mediatik; por, prapa kësaj maske, realiteti është krejtësisht ndryshe. Është pothuajse e pamundur të formulohet një rregull i përgjithshëm për këtë. Pronësia e huaj, për shembull, ka qenë mallkim për gazetarinë britanike (mendo për Rupert Murdochun), por një bekim për mbrojtjen e demokracisë në disa vende post-komuniste (për shembull, si televizioni TVN në Poloni). Është çështje që varet nga rrethanat.

Gjyqësori i pavarur

E dukshme, por jetike. Kaosi gjyqësor në Poloni, sot, ku koalicioni qeverisës po konteston legjitimitetin e gjyqtarëve të emëruar nga qeveria e mëparshme populiste, tregon se çfarë ndodh kur humbet shteti i së drejtës. Gjermania përjetoi kohët e fundit një incident katastrofik, ku kandidatura e një studiuesi juridik të majtë-liberal, për një vend në Gjykatën Kushtetuese - tashmë e miratuar nga Komisioni ndërpartiak Parlamentar - u sabotua nga një grup konservatorësh rebelë. Ashtu si sulmet ndaj BBC-së, kjo është pikërisht gjëja e gabuar që duhet bërë kur populistët janë në prag të pushtetit. Ndryshe nga Gjykata Supreme e ShBA-së, Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar e ka ruajtur reputacionin e saj për paanshmëri. Por, kur ministri në hije i Drejtësisë, Robert Jenrick, tund parukën e gjyqtarit para konferencës së partisë së tij, duke denoncuar gjyqtarët aktivistë të majtë, shohim që kërcënimi në stilin e Trumpit nuk është larg.

Neutraliteti i shërbimit civil

Projekti 2025 i Fondacionit “Heritage”, pjesa më e madhe e të cilit po zbatohet nga administrata Trump, rekomandon në mënyrë eksplicite vartësinë e shtetit administrativ ndaj ekzekutivit. Ndoshta më shqetësuesja është se kjo tashmë po ndodh në Departamentin e Drejtësisë të ShBA-së, ku qindra zyrtarë ose janë pushuar nga puna ose kanë dhënë dorëheqjen. Kanë pasuar aktakuzat ndaj kritikëve të zëshëm, si John Bolton, James Comey dhe Letitia James.

Monarkia kushtetuese

Po qeshni? Por, kur u pyet nga Yascha Mounk në podkastin e tij The Good Fight, se si mund të mbrojmë më mirë demokracitë liberale, konstitucionalisti komparativ i njohur amerikan, Tom Ginsburg, përmendi në mënyrë të papritur përparësitë e një monarkie kushtetuese. Populistët anti-liberalë pretendojnë se flasin në emër të kombit, por nëse keni një monark kushtetues që është përfaqësuesi më i lartë, i padiskutueshëm dhe jopartiak i kombit, atëherë ajo hapësirë është të paktën pjesërisht e zënë. Nuk po sugjeroj që ShBA-ja të rikthejë ndonjë nga pasardhësit e Xhorxhit III (edhe pse një princ rezervë britanik është i qasshëm në Los Anxhelos), por nëse rastësisht keni një monarki kushtetuese, si Britania, Suedia apo Holanda, ruajeni - sepse në praktikë, në mënyrë paradoksale ajo është mburojë për demokracinë.

Mund të përmendja shumë fusha të tjera, si shërbimet e sigurisë, ushtrinë, universitetet dhe marrëdhëniet incestuale, neo-oligarkike midis parasë së madhe dhe politikës. Në secilin rast, përgjigjet specifike kombëtare do të jenë të ndryshme, dhe asnjëra prej tyre nuk do të jetë e lehtë. Ndihmon të kesh dispozita të detajuara në një kushtetutë të vështirë për t’u ndryshuar, por ajo që James Madison e quajti në mënyrë të paharrueshme - në [botimin] Federalist Paper 48 - si “barriera e pergamenës”, nuk është garanci në vetvete. Nevojitet që ne, njerëzit, të mobilizohemi për t’i mbrojtur ato. Kur isha në Pragë muajin e kaluar, miqtë e mi çekë po përgatiteshin të mbronin televizionin dhe radion e tyre publike - në rrugë, nëse do të ishte e nevojshme.

Sepse, ajo që është ashiqare e dhimbshme është se, sapo të humbasësh ndonjërin prej këtyre mekanizmave thelbësorë të kontrollit dhe ekuilibrit, është shumë e vështirë t’i rikthesh ato. Shkatërrimi është shumë më i lehtë se ndërtimi. Mjafton të shikoni çfarë ka ndodhur sot në Poloni - dhe çfarë do të ndodhë nesër në ShBA. Për demokracinë liberale, ashtu si për shëndetin, parandalimi është më i mirë se kurimi. /Telegrafi/

❌
❌