Me reagimin e shpejtë të policisë së Tetovës është privuar nga liria një banor i Tetovës, i cili nën efektin e alkoolit dhe me pistoletë ka tentuar të kryejë grabitje në një objekt hotelier (lokal).
Pistoleta është gjetur dhe ndaj tij do të vijojë kallëzimi përkatës.
Më 03.06.2026 në ora 16:00 në rrugën “Ilinden” në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria personin H.D. (22) nga Tetova.
Gjatë kontrollit tek ai është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë gazi, ndërsa pas kryerjes së alkotestit është konstatuar se ishte nën efektin e alkoolit, respektivisht i janë matur 1.35 promilë alkool në gjak.
Më parë, në SPB Tetovë, personi A.I. (38) nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 15:30, në vendin e tij të punës në një objekt hotelier, H.D. ka tentuar të kryejë grabitje ndaj tij.
Sipas denoncimit, ai ka hyrë në objekt dhe nën kërcënimin e pistoletës i ka kërkuar punonjësit A.I. t’i jepte paratë.
Pasi A.I. ka refuzuar dhe i ka thënë të dalë jashtë, midis tyre ka pasur një përleshje fizike, me çka H.D. e ka goditur personin A.I. me qytën e pistoletës në pjesën e kokës.
Pas kësaj, H.D. është larguar nga vendi i ngjarjes, por shumë shpejt pas ndërmarrjes së masave është gjetur dhe privuar nga liria.
Ai po mbahet në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të ngrihet kallëzimi përkatës.
Propozim-ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i dorëzuar në Kuvend dhe që pritet të shqyrtohet nga nesër, nuk përmban masa thelbësore për garantimin e zbatimit të tij, vlerësoi deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe.
Sipas tij, ky projektligj dallon ndjeshëm nga versioni që kishte propozuar ASH-ja.
“Ligji nuk ofron mekanizma për parandalimin e keqpërdorimeve në deklarimet e përkatësisë etnike të kandidatëve, pra ai nuk e eliminon kritikën kryesore që i bëhej balancuesit. Ligji përmend dispozita deklarative që flasin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat por nuk ofron garanci reale dhe as mekanizma efektiv që do të siguronin zbatimin praktik të këtyre dispozitave. Edhe komisioni i Venecias ka vërejtur se ligji nuk krijon institucione dhe mekanizma të mjaftueshëm për të garantuar zbatimin në praktikë”, deklaroi Snopçe.
Nga VLEN thonë se është e vështirë të kuptohet pse po kontestohen mekanizmat që, sipas tyre, janë të përcaktuar qartë në tekstin e ligjit. Ata hedhin poshtë pretendimet se projektligji nuk ofron mekanizma për zbatimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
Ministri i transformimit digjital, Stefan Andonovski ka thënë se Maqedonia e Veriut tani për tani nuk po planifikon kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët, pavarësisht se disa vende evropiane veç më kanë ndërmarrë masa të tilla.
Ai tha se, po punojnë në mënyra të tjera, me fushata të ndryshme dhe me prindërimit për vetëdijësim dhe rritjen e kontrollit ndaj përdorimit të rrjeteve sociale.
Ai gjatë emisionit Impakt në TV Shenja, porositi se, faktor kyç për kontroll janë prindërit dhe kërkoi që prindërit të jenë përgjegjës ndaj fëmijëve të tyre në edukimin e tyre nga mosha më e vogël në botën digjitale.
“Shteti mundet shumë lehtë të propozojë të sillet ligj dhe me atë ligj të ndalohet përdorimi i caktuar, por a do të jetë ajo e pranueshme në praktikë apo a do të implementohet si duhet, sepse ju e dini mirë fëmijët nuk blejnë vet nga dyqani telefon celular, por prindi e blen me atë. Kështu që, ne nuk mund ta dijmë sa fëmijë sa telefona kanë. E dyta, kur të ndaloni një rrjet të caktuar social, nuk mund ta dijmë se fëmija nuk do të përdorë letërnjoftim, patent shoferi apo dokument tjetër të prindit. E treta, nuk është e lejuar, apo foshnjet nuk kanë telefona celularë, por prindërit u lëshojnë përmbajtje të mediave sociale që ndoshta nuk janë adekuate për moshën e tyre. Kështu që, situata është delikate. Ne shqyrtojmë vazhdimisht dhe ua lëmë prindërve që t’i vendosin masat restriktive të ndalesës. Dhe e dyta, për të cilën rrekemi periudhën e fundit, e komunikoj me Ministrinë e Arsimit, ndërsa ajo është ndalim i tërësishëm i telefonave celularë në shkolla, edhe fillore edhe të mesme”, deklaroi Andonovski.
Kryetari i Kuvendit dhe përfaqësuesi i VLEN-it, Afrim Gashi në intervistën për Alsat-M lidhur me Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ka thënë se seanca është caktuar për më 10 qershor, pika e tetë e rendit të ditës në Kuvend.
“Nesër do të ketë mbledhje të Komisionit për sistem politik, jam i informuar se është thirrur edhe Komiteti për marrëdhënie mes bashkësive që do ta diskutoj edhe çështjen e Badenterit dhe besoj nëse ka vullnet pozitiv në një afat sa më të shkurtë të votohet”, ka thënë Gashi.
Ligji thotë ai, është propozuar në procedurë të rregullt dhe do ketë hapësirë për debat publik.
“Mendoj se është një ligj shumë i rëndësishëm dhe kemi nevojë ta trajtomë në më shumë dimensione, ta kyçim pjesën publike, ekspertë, profesorë, opozitën për zgjidhje kreative të mundshme dhe të votojmë një ligj që në këtë moment do të ishte zgjidhja më e mirë e mundshme”, ka thënë Gashi.
Ai shton se si VLEN qëndrimi i tyre, me që është ligj bazik i MO-së dhe prek bashkësitë etnike, duhet të votohet me Badenter. “Komiteti duhet ta vendos këtë nesër, ndërsa qëndrimi jonë është se duhet të votohet me Badenter”, ka thënë kryeparlamentari Gashi.
Deputetja e Frontit Evropian, Rina Ajdari, përmes një reagimi publik ka shprehur revoltën e saj për mosrespektimin e gjuhës shqipe nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.
Siç sqaron Ajdari, ajo ka nisur disa pyetje deri tek ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në lidhje me disa prej investimeve të paralajmëruara nga vetë ai, mirëpo edhe pse dokumenti nga deputetja është nisur në shqip, i njejti është përkthyer në gjuhën maqedonase për ministrin Aliu i cili është shqiptar.
Deputetja Ajdari shton se Kuvendi nuk po e respekton gjuh shqipe, duke theksuar se gjuha shqipe është zyrtare në shtet dhe si e tillë duhet të zbatohet.
Reagimi i plotë.
REAGIM PUBLIK Turp i madh për një institucion që pretendon se i trajton qytetarët me barazi!! Pyetjen si deputete shqiptare e parashtrova në SHQIP dhe vetëm SHQIP. Kuvendi, me aminin e kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi vendosi ta dërgojë vetëm maqedonisht në Ministrinë e Shëndetësisë, ku ministri është shqiptar. Kjo është mungesë respekti ndaj gjuhës shqipe dhe ndaj çdo shqiptari në këtë shtet. Nuk mund të kërkoni vota në shqip, e pastaj shqipen ta lini jashtë institucioneve. Nëse sot një pyetje zyrtare e një deputeteje shqiptare trajtohet vetëm maqedonisht, nesër çfarë do të injorohet tjetër? Shqipja është gjuhë zyrtare dhe duhet të respektohet në çdo institucion, në çdo dokument dhe në çdo procedurë!! Dhe sot, Kuvendi dështoi ashtu siç ka dështuar në vazhdimësi këto dy vite.
Pas skadimit të kontratës, mungesës së pagave në gjashtë muajt e fundit, dhe së fundmi një përgjigjeje negative nga Ministria e Financave, 50 të punësuarit me kontratë në klinikën e fëmijëve në qendrën klinike “Nëna Terezë” në Shkup, të premten do të protestojnë para Ministrisë së Financave. Përfaqësuesi i tyre, Sedat Bushi thotë se do të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme deri në gjetjen e një zgjidhjeje.
“Prej në janar nuk kemi marrë rroga, kontratat na kanë skaduar, përgjigjen na e kanë kthyer shumë vonë, kemi pas bisedime me drejtorin, drejtori na ka thënë se po presim përgjigje. Përgjigjen e kemi marrë para 2-3 javëve, ajo ishte negative. Për këta arsye kemi paralajmëruar protestë në Ministrinë e Financave, ta shohim ku është problemi, ta gjejmë zgjidhjen. S’jam vetëm unë jemi 50 persona, 50 familje dhe deri tash e hidhnin fajin të shëndetësia dhe të financat…. Njëherë do ta shohim protesta para financave, nëse nuk kemi përgjigje do të shohimose nëpër gjykata, ose do të protestojmë do të bllokojmë ndonjë rrugë”- tha përfaqësuesi i 50 të punësuarve, Sedat Bushi.
Pas marrjes së përgjigjes negative, këta persona kanë filluar të mos shkojnë në punë dhe sipas Bushit, tani kjo klinikë është në gjendje të mjerueshme, pa personelin e nevojshëm për kryerjen e shërbimeve ndaj qytetarëve.
“Sa e di unë atje është mjerim tash, s’ka as personel, as administratë as motra medicinale, s’ka as pastruese, asgjë s’ka, vetë drejtori na ka thënë se patjetër e keni të vini ju se spitali ka nevojë, se ne jemi me përvojë aty….00:33 Unë për vete qe dy javë, tjerët, dikush prej të parit, dikush prej të dhjetit”- nënvizoi Bushi.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në një intervistë për Alsat, ditë më parë tha se zgjidhje kadrovike do të ketë, por nuk dihet nëse të gjithë këta persona do të kthehen në punë.
“Shumë shpejtë edhe kjo klinikë si të gjitha tjerat do të ketë zgjidhje kadrovike. Këtu ka ndodhur një keqpërdorim dhe keqkuptim administrativ ndërmjet institucioneve ku njëri institucion me vonesë ka bërë kërkesë dhe tjetri pa analizuar mirë ka dhënë mendim negativ. Pra, do të zgjidhet problemi”
– Nuk e di a do të kthehen të njëjtit në punë por gjithsesi do të duhet sistematizimi të bëhet dhe plotësimi i vendeve në bazë të sistematizimit”-pati deklaruar ministri, Azir Aliu, më datë 29 të muajit që lamë pas.
Shumë shpesh të punësuarit me kontrata në vepër në më shumë institucione, përballen me mungesë pagash apo mos-vazhdim të kontratave ekzistuese. /Alsat.mk
Me 43 vota “pro” dhe 17 “kundër”, Komiteti për Punë të Jashtme (AFET) i Parlamentit Evropian miratoi raportin për Maqedoninë e Veriut.
Eurodeputetët porositën se përparimi në reforma mbetet i pamjaftueshëm, se ekziston një polarizim i fortë politik dhe paralajmëruan për ndërhyrje të huaja me ndikim negativ dhe fushata dezinformimi.
U miratuan 11 amendamente kompromisi, përmbajtja e të cilave ende nuk është bërë publike, si dhe dy amendamente të eurodeputetëve bullgarë që kërkojnë rezultate nga Komisioni Historik me Bullgarinë dhe zbatimin e protokolleve.
Raportuesi për Maqedoninë e Veriut, Thomas Waitz, në fjalimin e tij para anëtarëve të AFET-it, e cilësoi raportin si një dosje të vështirë që ishte përgatitur me mbështetjen e pesë grupeve politike në Parlamentin Evropian.
Eurodeputetët theksuan se e mbështesin Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt Bashkimit Evropian, por shprehën keqardhje për mungesën e progresit që nga raporti i fundit për vendin. Ata vlerësuan se përparimi në sundimin e ligjit, reformat në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit është i pamjaftueshëm. Gjithashtu, u bënë thirrje të gjitha partive politike në vend të largohen nga retorika e ashpër dhe të bashkëpunojnë për avancimin e procesit eurointegrues. Njëkohësisht, paralajmëruan për ndërhyrje të huaja dhe fushata dezinformimi.
Parlamenti Evropian, duke shprehur shqetësim për mungesën e progresit në pavarësinë e gjyqësorit dhe përpjekjet kundër korrupsionit, vlerëson se korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur në shumë fusha. Eurodeputetët theksuan hendekun mes hetimeve të publikuara dhe vendimeve përfundimtare në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, duke nënvizuar se rritja e qëndrueshme ekonomike varet nga forcimi i sundimit të ligjit dhe parashikueshmëria juridike.
Janë miratuar edhe amendamentet 371 dhe 374, me të cilat eurodeputetët bullgarë kërkojnë rezultate konkrete nga Komisioni i Përbashkët Historik me Bullgarinë, duke iu referuar nenit 12 të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë. Ata kërkojnë mbajtjen e Komisionit të Tretë Ndërqeveritar mes Shkupit dhe Sofjes dhe zbatimin e protokolleve të dakorduara.
Në një nga amendamentet thuhet se mbledhja e fundit e Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar, i formuar sipas nenit 12 të Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim, është mbajtur më 17 korrik 2022 dhe që prej atëherë nuk është zhvilluar asnjë seancë tjetër. Për këtë arsye, qeveritë e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut ftohen që sa më shpejt të organizojnë seancën e tretë të komisionit për të vazhduar zbatimin e marrëveshjes dhe protokolleve të saj.
Po ashtu, bëhet thirrje e fuqishme që Komisioni i Përbashkët Multidisiplinar i Ekspertëve për Çështje Historike dhe Arsimore mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut të arrijë rezultate të qarta dhe të prekshme. Tekstet, sipas amendamentit, duhet të pasqyrojnë interpretimin e fakteve dhe figurave historike nga historia e përbashkët e dy popujve, duke u bazuar në burime autentike, dokumente të verifikuara, interpretim shkencor dhe dëshmi historike, ashtu siç parashihet në Protokollin e Dytë të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë.
Ende nuk dihet nëse amendamenti 108 i raportuesit Waitz është përfshirë në amendamentet kompromisi që u miratuan sot në AFET. Me këtë amendament kërkohej që shërbimi juridik i Këshillit Evropian të vlerësojë nëse Protokolli i Dytë me Bullgarinë është pjesë e kornizës negociuese të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.
Raporti për Maqedoninë e Veriut u votua shpejt gjatë seancës së sotme, ndërsa raportuesi Waitz në fund përsëriti shkurt se e ardhmja e vendit është në Bashkimin Evropian. Hapi i radhës është votimi në seancën plenare të Parlamentit Evropian, i cili pritet të zhvillohet deri në fund të këtij muaji.
Në Departamentin për çështje administrative – Shkup, leje për udhëtim jashtë vendit për të miturit, përveç ditëve të punës, mund të nxirret edhe ditën e shtunë.
Si edhe vitet e kaluara, MPB pret interesim të shtuar të kërkesave në periudhën e ardhshme.
“Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njofton qytetarët, veçanërisht prindërit se si në vitin e kaluar, ashtu edhe këtë vit për shkak të vëllimit të shtuar të kërkesave të cilat priten në periudhën e ardhshme, sporteli në Departamentin për çështje administrative – Shkup (ndërtesën e RTVM-së) për dhënien e “Lejes për udhëtim jashtë shtetit për fëmijë të mitur” (fëmijë deri në moshën 14 – vjeçare), në periudhën e ardhshme do të punojë nga e hëna deri të premten nga ora 08:00 deri në orën 18:00, ndërsa shërbimi do të mundësohet edhe të shtunave me orar pune nga ora 08:00 deri në orën 12:00, me qëllim që t’u përgjigjemi të gjitha kërkesave të qytetarëve”, informon MPB-ja.
Dr. Ognen Ivanovski, kirurg-urolog në Klinikën Universitare të Urologjisë dhe këshilltar shkencor në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, apelon për ngritjen e vetëdijes mbi rëndësinë e dhurimit të organeve.
Video-mesazhi i dr. Ivanovskit është në kuadër të fushatës kombëtare, e cila realizohet nën moton: “Dhurimi i organeve i jep kuptim më të lartë humanizmit!”.
“Dua t’i bëj apel gjithë opinionit maqedonas, të gjitha komuniteteve etnike, në momentet kur është më e vështirë, kur humbet njeriu më i afërt, të merret një vendim. Të dhurohen organet, me qëllim që të vazhdohet jeta e pacientëve të tjerë, të cilëve u nevojitet më së shumti. Kjo do të ishte një porosi nga zemra për të gjithë opinionin maqedonas”, thekson dr. Ivanovski në video-mesazh.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, porosit se obligimi ynë si institucione është ta zhvillojmë sistemin, të punojmë për rritjen e besimit dhe të krijojmë një kulturë në të cilën dhurimi i organeve do të njihet si akt solidariteti, empatie dhe respekti më të lartë ndaj jetës.
Kuadri ligjor i cili parasheh një sërë rregullash në komunikacion për përdorimin e trotineteve elektrike sipas autoriteteve nuk është i mjaftueshëm për të vendosur rend në trafik.
Kaosi me trotinetet ka ngritur alarmin dhe shqetësimin te qytetarët për sigurinë sidomos duke pasur parasysh numrin e aksidenteve që vetëm vitin e kaluar kanë ndodhur 147. Për këtë, Ministria e Punëve të Brendshme thotë se kanë nisur punën për të avancuar rregullat e Ligjit.
“Për momentin po bëhet analizë e kuadrit ekzistues ligjor dhe po përgatiten propozim-zgjidhjet për avancimin e tij. Grupi i punës po punon në mënyrë intensive, gjatë së cilës po shqyrtohen rekomandimet dhe praktikat e mira në këtë fushë, përvojat krahasuese nga shtetet tjera, por edhe sfidat me të cilat përballemi”, thonë nga MPB për Alsat.
Qëllimi i ndryshimeve ligjore, sipas MPB-së është që nëpërmjet precizimit të rregullave të caktuara të rritet siguria në komunikacion. Nuk dihet se në cilat nene do të ndërhyhet, megjithëse edhe tani ekzistojnë rregulla strikte, për të cilat parashihen edhe gjoba prej 50 deri në 120 euro.
Për të thjeshtëzuar, këto janë rregullat ekzistuese:
Drejtuesi i trotinetit duhet ta vozit trotinetin nëpër korsi për biçikleta në shpejtësi deri në 25 kilometra në orë ose nëpër shtigje për këmbësor deri në 6 kilometra në orë.
Drejtuesi i trotinetit nuk duhet të pengojë komunikacionin, ta drejtojë trotinetin pa duar apo të transportojë mjete dhe ta rrezikojë komunikacionin.Trotinet elektrik mund të drejtojë një person i cili i ka mbushur 14 vjet.
Drejtuesi nuk guxon të transportojë person tjetër gjatë kohës së vozitjes.
Drejtuesi i trotinetit duhet të bartë helmetë mbrojtëse, ndërsa sapo të fillojë të errësohet obligohet të mbajë jelek reflektues.Drejtuesi nuk guxon që derisa e vozit trotinetin të udhëheqë kafshët (me litar apo zinxhir).
Duke e pasur parasysh shqetësimin për shkak të përdorimit të trotineteve elektrike nga ana e fëmijëve, nuk dihet nëse do të rritet pragu i moshës së lejuar i cili aktualisht është 14-vjeç.
Çështja, sidomos është alarmuar pas aksidentit tragjik në Çerkez të Kumanovës ku një djalosh 13-jeçar e humbi jetën, pasi u godit nga një veturë.
Pavarësisht shqetësimit dhe alarmit të situatës për sigurinë e fëmijëve në komunikacion, Alsat dje raportoi për anarkinë totale në komunikacion të automjeteve me dy rrota, ndërsa mes tyre kishte fëmijë që në rrugën për automjete ngasnin trotinete jashtë çdo standardi. /Alsat.mk
Në Qendrën për Punësim në Strugë çdo ditë mbërrijnë nga dhjetëra kërkesa për punësimin e kuzhinierëve, kamerierëve, banakierëve, pastruesve, punëtorëve të përgjithshëm dhe kuadrove të tjera të kualifikuara.
Por interesi për punësim tek të rinjtë është shumë i vogël. Ka shumë të papunë, por nuk ka njerëz që mund t’ua ofrojmë punëdhënësve, thotë për Alsat Elvedina Dika, drejtoreshë e Qendrës për Punësim.
“Sa i përket kërkesave të punëdhënësve për punësim të kuadrit përkatës me certifikata nga fusha e gastronomisë, për momentin nuk kemi asnjë person të papunë të evidencuar me kualifikime përkatëse. Arsyeja është se personat e papunë nuk posedojnë certifikata të duhura, dhe kjo mund të vërtetohet në bazë të kërkesave të hoteleve, objekteve hotelierike dhe punëdhënësve, të cilët kërkojnë dhe punësojnë kuadër profesional të kualifikuar. Sa i përket kërkesave nga hotelet dhe restorantet, çdo ditë ka kërkesë prej 5 deri në 10 persona vetëm për kuzhinierë, ndihmës-kuzhinierë dhe personel tjetër në kuzhinë”, deklaroi Elvedina Dika – drejtoreshë e Qendrës për Punësim
Shumë hotelierë problemin e mungesës së kuadrit do ta zgjidhin me nxënës të shkollave të mesme dhe pensionistë. Një pjesë e tyre janë përcaktuar edhe për punëtorë të huaj nga Nepali dhe Filipinet.
“Jemi përpjekur edhe në vitet e kaluara të luftojmë me mungesën e kuadrit, për fat të keq ende vazhdon largimi i kuadrit. Drejtimet e tjera kanë paga më të larta, edhe pse këtë vit edhe ne si drejtim po përballemi me rritjen e pagave dhe po i rrisim ato për t’i mbajtur të punësuarit. Konkretisht, në hotelin tonë ka rreth dhjetë persona nga Nepali në të gjitha pozicionet. Ne nuk heqim dorë nga njerëzit tanë. Vazhdojmë të punojmë me të punësuarit tanë, të cilët konsiderojmë se janë e ardhmja e gastronomisë këtu”, theksoi Ana Jançeva – menaxhere e hotelit në Strugë.
Nga Qendra për Punësim thonë se tek ata vazhdimisht arrijnë kërkesa për punësimin e punëtorëve të huaj jo vetëm në gastronomi, por edhe në ndërtimtari dhe se për momentin ai numër është rreth tridhjetë, por problem mbeten procedurat e gjata dhe të ndërlikuara për marrjen e lejeve. Destinacioni më i preferuar për punëtorët e Maqedonisë së Veriut edhe këtë verë do të jetë Kroacia. Atje pritet të punojnë më shumë se 15.000 persona./Alsat.mk.
Gjatë 24 orëve të fundit nëpunësit policorë kanë vepruar ndaj shtatë denoncimeve për dhunë në familje, me ç’rast katër persona janë privuar nga liria, ndërsa me një person është zhvilluar bisedë zyrtare.
Siç ka informuar MPB, sot në orën 08:20, në rrugën “Shtipska” në Tetovë, nëpunës policorë nga SPB Tetovë e kanë privuar nga liria G.Q. (44) nga fsh. Dobridoll, rajoni i Gostivarit me qëndrim në Tetovë, për shkak të dyshimit se ka kryer dhunë në familje ndaj bashkëshortes së tij 44-vjeçare.
Dje në orën 23:15, në zonën e Gazi Babës në Shkup, nëpunës policorë nga SPB Shkup e kanë privuar nga liria N.T. (46) nga Shkupi, pas denoncimit se në shtëpinë familjare ka sulmuar fizikisht prindërit e tij dhe ka kërcënuar anëtarët e familjes.
Po atë ditë, në orën 22:45, në zonën e Shuto Orizares është privuar nga liria M.B. (40) nga Shkupi, pas denoncimit se në shtëpi, me një mjet të mprehtë ka kërcënuar partneren e tij jashtëmartesore 41-vjeçare dhe më pas edhe ndaj vajzës së tyre, duke dëmtuar gjithashtu një pjesë të orendive shtëpiake.
Sot në orën 10:20, në Stacionin policor Draçevë është zhvilluar bisedë zyrtare me S.J. (63) nga Shkupi, pas denoncimit se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij 64-vjeçare.
MPB informon se dje në SPB Shkup, një grua 37-vjeçare ka denoncuar se pranë vendit të saj të punës, gjersa ka qenë në automjet me partnerin e saj jashtëmartesor A.N., ai i ka hedhur një substancë kimike në pjesën e fytyrës dhe në sy. Të dëmtuarës i është ofruar ndihmë mjekësore në Kompleksin e klinikave “Nënë Tereza”.
Po atë ditë, një grua 33-vjeçare ka denoncuar se në shtëpinë familjare në zonën e Bit Pazarit, bashkëshorti i saj I.S. (34) e ka kërcënuar. Dje rreth orës 13:00, nëpunës policorë nga SPB Shtip e kanë privuar nga liria S.U. (29) nga Vinica, pas denoncimit se ka sulmuar fizikisht nënën e saj 51-vjeçare me një send metalik, duke i shkaktuar lëndime. Të dëmtuarës i është ofruar ndihmë mjekësore në Spitalin e përgjithshëm në Koçan.
“Po ndërmerren masa për zbardhjen e rasteve, ndërsa pas dokumentimit të plotë të tyre, ndaj kryerësve do të parashtrohen kallëzime përkatëse”, thonë në MPB.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe vlerëson se a do t’i vazhdojmë bisedimet me Bashkimin Evropian varet vetëm nga pushteti, i cili siç thotë, dukshëm nuk e do këtë.
Mbetet në qëndrimin se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë në kurrfarë mënyre nuk do ta rrezikojë identitetin maqedonas.
“Nëse do t’i vazhdojmë negociatat varet nga pushteti, ndërsa pushteti padyshim nuk dëshiron. I frikëson qytetarët që gjuha, identiteti dhe nuk e di se cili përcaktues tjetër i identitetit të popullit maqedonas është i kërcënuar, në mënyrë që të mos ndërmerret hapi që nuk mbart asnjë rrezik, që janë ndryshimet kushtetuese. Kështu që, çështjet dypalëshe me asnjë shtet anëtar të Bashkimit Evropian nuk janë pjesë e kornizës sonë negociuese dhe qytetarët duhet ta dinë këtë, deklaroi Filipçe në përgjigje të pyetjes së gazetarëve para fillimit të kongresit të PRSD-së.
Sipas tij, çështjet dypalëshe zgjidhen në mënyrë dypalëshe dhe kurrsesi nuk mund të ndikojnë ose ta ndalojnë rrugën evropiane, gjegjësisht hapjen dhe mbylljen e klasterëve, ashtu siç e kanë kaluar çdo vend i cili është përfshirë në Bashkimin Evropian.
“Kjo është vetëm një gënjeshtër dhe manipulim tjetër nga kjo qeveri, sepse ata duan të sillen si patriotë, njësoj siç bënë në zgjedhjet e vitit 2014, se janë në vijën e parë të mbrojtjes së interesave kombëtare të vendit, gjë që nuk është e vërtetë. Sepse duke mos vazhduar rrugën evropiane, kjo qeveri e udhëhequr nga Hristijan Mickoski po rrezikon interesat kombëtare dhe të ardhmen e vendit”, deklaroi Filipçe, duke u përgjigjur në pyetjen nëse, pas qëndrimeve të fundit të shprehura nga autoritetet në Sofje, LSDM është e sigurt se ndryshimet kushtetuese do të jenë çështja e fundit dhe e vetme që do të ngrihet ose është ngritur nga Bullgaria, por edhe nga Brukseli, dhe nëse atëherë vërtet do të fillojmë dhe përfundojmë negociatat me BE-në, domethënë do të bëhemi anëtar.
Nga sot Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës, do të quhet Lidhja Shqiptare.
Sela në fjalimin e tij në Kongresin e Partisë tha se partia ka shumë punë për të bërë.
“Sot nuk përfundon, sot nis gjithçka”, kështu tha Ziadin Sela duke iu drejtuar aktivistëve se ka shumë punë që duhet bërë, ndërkohë që njoftoi për krijimin e nëndegëve.
Sela tha se nuk do të qëndrojnë duarkryq e të strukur në tendencat për të sulmuar në të drejtat, por siç tha, do të ketë përgjigje me “sulm” duke ritheksuar qëndrimet në lidhje me temat aktuale në vend, por edhe për hyrjen në Qeveri.
Në Maqedoninë e Veriut deri më 16 qershor pritet të zgjatë masa për zvogëlimin e akcizës së naftës, si një masë për zbutjen e rritjes së çmimeve te derivatet e naftës.
Në bisedimet e zhvilluara ndërmjet Qeverisë dhe kompanisë “OKTA”, u vendos që çmimi i naftës të zvogëlohet për 2 denar prej nesër.
Me ndryshimet e fundit, pritet që nesër çmimi i naftës të ulet te dizeli për 6.5 denarë, ndërsa te benzina për 1.5 denarë.
Ndryshe, kryeministri Hristijan Mickoski dje paralajmëroi ulje të çmimeve për 6.5 denarë.
Ndërtimi i autostradës Prilep-Manastir po ecën me ritëm të shkëlqyer, ndërsa kilometrat e parë të segmentit të ri të autostradës pritet të jenë gati pranverën e ardhshme, tha sot zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, gjatë vizitës në Komunën e Mogillës, duke vlerësuar se ndërtimi i autostradës do të jetë me rëndësi të madhe për zhvillimin e të gjithë rajonit të Pellagonisë.
Nikolloski theksoi se afatet e parapara për ndërtim do të ruhen.
“Dinamika e ndërtimit të autostradës Prilep-Manastir është e shkëlqyer, po punojmë me ritëm të shkëlqyer, afatet do të respektohen. Pres që pranverën e ardhshme të kemi kilometrat e parë të autostradës në këtë segment, që do të thotë shumë për lëvizjen, për ekonominë dhe për lidhjen jo vetëm të Prilepit dhe Manastirit, por edhe të komunave Mogillë dhe Novaci, si dhe Resnjë dhe Demir Hisar”, tha Nikolloski.
Ai theksoi se seksioni i ri i autostradës do të kontribuojë për lidhje më të mirë në komunikacion, transport më të shpejtë dhe mundësi të reja për zhvillim ekonomik të rajonit.
“Kjo do të thotë shumë për ringjalljen e të gjithë këtij rajoni dhe për nxitjen e ekonomisë, duke pasur parasysh se një pjesë e konsiderueshme e ekonomisë është në rajonin e Pellagonisë”, shtoi Nikolloski.
Procedurat e gjata dhe të ngadalshme burokratike e bëjnë edhe më të vështirë jetën e personave me sëmundje të rralla në Maqedoni.
Personeli mjekësor dhe shoqatat kërkojnë që shteti ti lehtësojë procedurat, nga përcaktimi i diagnozës deri te marrja e terapisë, për çka ndonjëherë presin edhe me vite.
„Së pari duhet që ai ilaç të regjistrohet, pacienti të diagnostikohet, pastaj kjo të konfirmohet para së gjithash në institucionin ku është diagnostikuar, më pas te komisioni për sëmundje të rralla, pastaj te Fondi të ndahen mjetet, e më pas tenderët. Kjo është një procedurë e gjatë administrative. Duhet të bëhet diçka që kjo procedurë administrativisht të shkurtohet. Keni situata kur për shkak të një pacienti, ndonjë kompani nuk paraqitet në tender, sepse nuk i leverdis. Shteti duhet ta zgjidhë atë problem, të gjendet mënyrë për zgjidhjen e problemeve të tilla”, deklaroi Velibor Tasiq, Mjek.
Mjekët thonë se pacientëve duhet t’u mundësohet terapi e rregullt dhe e plotë me ato barna që janë të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave.
„Nuk mund t’ia ndërprisni terapinë një pacienti dhe ta dëmtoni seriozisht, ndërsa në atë rast shteti ka investuar shumë para, i ka shkaktuar dëm pacientit dhe praktikisht i ka hedhur ato”, tha Zoran Guçev – mjek.
Në vitin 2025 buxheti për sëmundjet e rralla ishte 1 miliard e 250 milionë denarë, ndërsa për këtë vit ai është më i vogël për 170 milionë denarë. Ndërkohë është vendosur një model i ri për furnizim trevjeçar me barna.
„Mendoj se furnizimi trevjeçar me barna do ta largojë atë pasiguri që pacientët, familjet dhe shoqatat me padurim e prisnin se si do të kalojë tenderi, a do të ketë barna, a do të ketë mungesa. Me këtë mënyrë të financimit, ky model do të ndihmojë që të mos ketë pasiguri dhe të kemi furnizim të vazhdueshëm me barna dhe materiale për këta pacientë”, theksoi Zllate Stojanovski, kryetar i Komisionit për sëmundje të rralla.
Në Maqedoni vlerësohet se ka nga 90.000 deri në 110.000 persona me sëmundje të rralla, por në regjistrin e sëmundjeve të rralla janë të regjistruar 1093 pacientë, prej të cilëve 240 janë fëmijë të moshës deri në 14 vjeç./Alsat.mk.
Përdorimi i masave të posaçme hetimore në Maqedoninë e Veriut, përfshirë përgjimet telefonike, ndjekjen e personave dhe incizimet e fshehta, ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë vitit 2025.
Sipas raportit më të fundit të prokurorit publik Nenad Saveski, gjatë këtij viti prokurorët publikë kanë urdhëruar zbatimin e masave të posaçme hetimore në 44 raste të reja, ndërsa ato janë vazhduar edhe në katër raste të nisura gjatë vitit paraprak.
Të dhënat tregojnë një rritje prej mbi 25 për qind krahasuar me vitin 2024, kur masa të tilla ishin përdorur në 35 raste. Megjithatë, numri i rasteve mbetet më i ulët se në vitin 2023, kur ishin regjistruar gjithsej 87 raste.
Nga 44 rastet e reja, në dy raste iniciues ka qenë vetë Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ndërsa në të gjitha rastet e tjera propozimet janë dorëzuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Masat e posaçme hetimore janë zbatuar ndaj 365 personave, përfshirë edhe tre persona me identitet të panjohur, në kuadër të 56 lëndëve penale. Sipas raportit, në shumicën e rasteve janë arritur rezultatet e pritura, ndërsa efektiviteti i këtyre masave është vlerësuar përmes hapjes së hetimeve, ngritjes së aktakuzave dhe sigurimit të vendimeve dënuese.
Masa më e përdorur gjatë vitit ka qenë ndjekja dhe incizimi i personave jashtë banesës, e cila është aplikuar në 33 raste ndaj 107 personave. Këto masa janë përdorur kryesisht për zbulimin dhe dokumentimin e veprave të rënda penale, si vrasjet, trafiku i drogës, pastrimi i parave, ryshfeti, terrorizmi dhe trafikimi i njerëzve.
Ndërkaq, përgjimi i komunikimeve telefonike dhe elektronike është urdhëruar në 28 raste, duke përfshirë 140 persona. Në disa raste, përgjimet kanë zgjatur deri në tetë muaj. Këto masa janë shfrytëzuar në hetimet për vrasje, trafik droge, pastrim parash, keqpërdorim të detyrës zyrtare, kontrabandë migrantësh dhe trafikim njerëzor.
Raporti konstaton se masat e posaçme hetimore mbeten një nga mjetet kryesore të organeve të ndjekjes penale në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me përdorim në rritje gjatë vitit 2025.
Veterinerët zyrtarë të Agjencia për Ushqim dhe Veterinari kanë kryer kontrolle të jashtëzakonshme ndaj qumështit, produkteve të qumështit dhe produkteve të mishit të përpunuar, me qëllim verifikimin nëse cilësia reale e produkteve përputhet me të dhënat e deklaruara në etiketat e tyre.
Sipas rezultateve të deritanishme, nga 45 mostra të qumështit dhe produkteve të qumështit të analizuara në laborator, te 10 operatorë është konstatuar se produktet nuk përputheshin me rregulloren për cilësinë e produkteve bujqësore. Analizat kanë treguar se produktet përmbanin përqindje më të ulët të yndyrës së qumështit sesa ajo e deklaruar në ambalazh.
Njërit prej operatorëve i është shqiptuar gjobë prej 3.500 eurosh pasi analizat e 22 kilogramëve djathë të grimcuar treguan se produkti përmbante vetëm 1 për qind yndyrë qumështi, ndonëse në deklaratë ishte shënuar 20 për qind.
Për mashtrim të konsumatorëve, edhe tetë operatorë të tjerë – prodhues dhe importues – janë gjobitur me nga 1.050 euro secili, pasi te produktet e tyre është konstatuar mospërputhje mes përqindjes së deklaruar dhe asaj reale të yndyrës së qumështit.
Kontrollet zbuluan gjithashtu se një operator kishte përdorur yndyra bimore (vaj palme) në prodhimin e një produkti qumështi. Për këtë shkelje ai është gjobitur me 1.300 euro, ndërsa 500 kilogramë të produktit të kontestuar janë tërhequr nga tregu dhe janë asgjësuar në mënyrë të sigurt në deponi.
Nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari njoftojnë se kontrollet e shtuara inspektuese ndaj operatorëve në sektorin ushqimor do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e cilësisë së produkteve që tregtohen në vend.
"Seriali i BDI-së me ministrat e Drejtësisë nuk mbaron me Blerim Bexhetin e Adnan Jasharin. Bexheti e mbajti gojën mbyllur mbi 1000 ditë, Jashari e kishte vulën në dorë dhe prapë nuk e lëvizi as gishtin. Tani radha është te Valdet Xhaferi.Valdet Xhaferi nuk ka qenë mysafir në Ministrinë e Drejtësisë. Ka qenë ministër, me mandat dhe mundësi për të vepruar, por edhe gjatë kohës së tij provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe mbeti pa zgjidhje", reagojnë nga partia VLEN.
Sipas VLEN-it, i njëjti doli edhe në protestat e studentëve.
"Po kundër kujt protestoi? Kundër vetvetes, kundër mandatit të vet, apo kundër viteve kur BDI e kishte Ministrinë e Drejtësisë dhe nuk bëri asgjë?Ky është i njëjti Valdet Xhaferi që ka drejtuar edhe Byronë për Ekspertizë, ku u zvarrit superekspertiza për rastin tragjik të Llaskarcës. Te BDI-ja kështu ecte puna, çka preknin e linin zvarrë.Kjo është BDI-ja. Kur janë në pushtet, problemet i fusin në sirtar, ndërsa kur populli i përzë me votë, dalin e shesin mend për të drejta, barazi e drejtësi. Studentët kërkonin zgjidhje, por zgjidhja nuk erdhi as me Bexhetin, as me Jasharin, as me Valdet Xhaferin.VLEN po e zgjidh atë që BDI e la zvarrë. Jo vetëm provimin e jurisprudencës, por të gjitha provimet profesionale do të mund të jepen edhe në gjuhën shqipe" thuhet në reagimin e VLEN-it.