Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayGazeta Express

Foda 11 ndeshje me Kosovën – çka kishin arritur paraardhësit e tij për kaq kohë?

24 March 2025 at 19:58

Që nga pranimi në shtëpitë e futbollit FIFA dhe UEFA, kombëtarja e Kosova është drejtuar nga gjashtë trajnerë të ndryshëm – të përhershëm e të përkohshëm.

Disa prej tyre patën rezultate të mira e disa më pak, disa qëndruan më shumë në krye të shtabit teknik të “Dardanëve”, e disa mezi arritën numër dyshifror të ndeshjeve me kombëtaren e Kosovës.

Më së shumti që ishte në stolin e Kosovës, ishte zvicerani Bernard Challandes, që udhëhoqi “Dardanët” në 37 ndeshje.

Gjatë udhëheqjes së tij, Kosova arriti disa rezultate të mira, derisa kishte shkuar edhe 15 ndeshje pa humbje në të gjitha garat.

I suksesshëm deri më tash po del të jetë edhe selektori, Franco Foda, i cili para dy ditësh i bëri një vjet qëkur drejtoi për herë të parë verdhekaltërit.

Mbrëmë, me fitoren prej 3-1 ndaj Islandës dhe 5-2 me rezultat të përgjithshëm, Kosova e Fodës siguroi ngjitjen në Ligën B të Ligës së Kombeve, për herë të parë në histori.

Tekniku gjerman ka 11 ndeshje në krye të Kosovës deri më tash, prej të cilave i ka tetë ndeshje zyrtare e tri sosh miqësore.

Në ndeshje zyrtare, Foda me Kosovën ka gjashtë fitore e dy humbje (një me rezultat zyrtar nga Rumania), ndërsa në miqësore ka një fitore e dy humbje (nga Norvegjia e Hungaria).

“Gazeta Express” ju sjellë statistikat e trajnerëve të tjerë, që së paku kishin arritur 11 ndeshje në krye të “Dardanëve”.

11 sosh i kishte arritur selektori i parë i Kosovës, pas pranimit në FIFA e UEFA, Albert Bunjaki. Në fakt ai pas 11 ndeshjeve edhe u shkarkua nga Kosova.

Ai kishte 10 ndeshje zyrtare – të gjitha për kualifikimet e Botërorit të vitit 2018 – dhe një tjetër miqësore.

Në 10 takimet e kampanjës kualifikuese, ai kishte arritur një barazim me Finlandën, derisa ishte mposhtur në nëntë ndeshjet tjera, në një grup me Kroacinë, Islandën, Turqinë, Ukrainën e Finlandën.

Fitoren e vetme e kishte arritur ndaj Ishujve Faroe në miqësoren e parë pas pranimit në FIFA e UEFA, në qershor të vitit 2016.

I dyti në këtë listë është pasardhësi i Albert Bunjakit, Bernard Challandes.

Ai në 11 ndeshjet e para te Kosova kishte një rekord mbresëlënës, duke mos pësuar asnjë humbje, e duke marrë shtatë fitore e katër barazime.

Në katër ndeshje miqësore, ai kishte marrë tri fitore e një barazim – atë ndaj Danimarkës.

Në shtatë ndeshjet zyrtare, Kosova nën drejtimin e Challandesit kishte tri barazime e katër fitore.

11 ndeshje në stolin e “Dardanëve” kishte edhe Alain Giresse, i cili shkarkohej pas ndeshjes së 14-të.

Prej atyre 11 ndeshjeve, shtatë ishin zyrtare e katër të tjera miqësore, duke arritur katër fitore, katër barazime e tri humbje.

Në shtatë ndeshje zyrtare, legjenda franceze me Kosovën kishte arritur tri fitore, tri humbje e një barazim.

Kosova gjatë periudhës 2016 – 2025 kishte edhe dy selektorë të përkohshëm: Muharrem Sahitin e Primoz Glihan (dy ndeshje) e pastaj edhe si pasardhës i Alain Giresse).

Sahiti kishte drejtuar Kosovën në vetëm një ndeshje, në fitoren prej 4-3 ndaj Letonisë, në një takim miqësor të luajtur në “Adem Jashari” në Mitrovicë.

This image has an empty alt attribute; its file name is sahiti-780x439-1.png

Ndërkohë, Primoz Gliha e kishte udhëhequr Kosovën në dy periudha të ndryshme.

Të parën herë ishte mes nëntorit të vitit 2021 deri më shkurt të vitit 2022, kur e kishte udhëhequr Kosovën në dy ndeshje. Ai kishte pësuar një humbje nga Jordania në takim miqësor dhe kishte barazuar me Greqinë.

Në periudhën e dytë (shtator 2023 – nëntor 2023), Gliha e udhëhoqi Kosovën në gjashtë ndeshje tjera, të gjitha në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Europian “Gjermania 2024”.

Ai kishte marrë dy fitore, dy barazime e dy humbje në këtë kampanjë kualifikuese./GazetaExpress/

The post Foda 11 ndeshje me Kosovën – çka kishin arritur paraardhësit e tij për kaq kohë? appeared first on Gazeta Express.

A e ka gjetur Arteta sulmuesin e tij?

16 February 2025 at 11:09

Arsenali ka tri sezone që po lufton për titullin e Premierligës, i cili i mungon klubit londinez që nga sezoni 2003/04.

Dy sezonet paraprake ishin vetëm disa pikë që e ndanin Arsenalin nga triumfi në elitën e futbollit anglez, duke zhvilluar një garë të ashpër me Manchester Cityn e Pep Guardiolës.

Për të qenë i gatshëm për një maratonë prej 38 ndeshjesh dhe për të shpresuar në një titull të fituar, duhet të kesh edhe një thellësi të gjerë të skuadrës.

Për dy sezone me radhë, Arsenali s’e kishte problem këtë.

Mirëpo, kësaj here po çalon në këtë aspekt, pasi është goditur nga një krizë e lëndimeve, sidomos në fazën e sulmit.

“Topçinjtë” pësuan disa lëndime të rëndësishme në fazën e mbrojtjes, duke mbetur pa Benjamin White, Jurrien Timber, Takehiro Tomiyasu, Riccardo Calafiori e Gabriel në disa pjesë të këtij sezonit. Duke mos harruar edhe lëndimet e shkurtëra edhe të Oleksandr Zinchenkos.

Kur dukej se gjithçka po shkon tashmë normalisht, ndodhën lëndimet në sulm.

Së pari Bukayo Saka, Gabriel Jesus, tashmë edhe Gabriel Martinelli e Kai Havertz, me këtë të fundit që e ka humbur sezonin.

Me afatin kalimtar të janarit të mbyllur, Arsenali ka mundësi të bëj nënshkrim të ri vetëm nëse ai është lojtar i lirë, dhe të tillë në treg ka pak, sidomos për pozitën e qendërsulmuesit.

Kështu, tani ka hyrë në punë ‘magjia’ e Mikel Artetas, i cili e ka gjetur një zgjidhje, që jo të gjithë e kishin pritur.

Arsenali gjatë ditës së djeshme u paraqit në “King Power Stadium” për t’u përballur me Leicester Cityn, por e kishte shumë të vështirë të gjej golin...

Raheem Sterling po startonte një ndeshje të Premierligës për një kohë të gjatë, derisa në pozitën e numrit 9-të ishte Leandro Trossard. Ethan Nwaneri ishte në anën e djathtë, i cili më së miri po e zëvendëson Sakan, por fati s’e deshi të shënojë gol, duke goditur dy herë shtyllën. Ky i fundit edhe u zgjodh lojtari më i mirë i ndeshjes.

Një nga vendimet më të mira të Arteta ndeshjeve të fundit ishte zëvendësimi i minutës së 69-të. Sterling lëshoi vend për Mikel Merinon, i cili erdhi verën e kaluar nga Real Sociedadi. Pozita e tij natyrale është mesfushor.

Trossard kaloi në anën e majtë, aty ku duhet të luajë, dhe kështu Merino – për herë të parë në karrierën e tij – po luante në pozitën e sulmuesit.

Por, ky “potez” i Artetas doli shumë i qëlluar.

Po shënohej minuta e 81-të e ndeshjes, kur Merino e shfrytëzoi për mrekulli një krosim të Nëanerit, duke dërguar topin pas shpinës së portierit të Leicesterit me një goditje me kokë.

Pas golit të parë dhe ‘festës’ së Arsenali më në fund po fiton ndeshjen e djeshme, në skenë doli prapë lojtari i njëjtë.

Kësaj here ishte Leandro Trossard në rolin e asistuesit, topin e të cilit e shfrytëzoi më së miri Merino, me një finish sikur të luante qendërsulmues gjatë tërë karrierës së tij.

"Arteta më tha se do të luaj si sulmues mëngjesin e sotëm (dje). Po flisnim për këtë me asistentët. Është hera e parë që luaj në atë pozicion dhe hera e parë që shënoj dy gola duke u futur si zëvendësues, si sulmues", tha Mikel Merino pas ndeshjes.

Arsenali në fund fitoi 2-0 me dy golat e spanjollit, duke shkuar në 53 pikë, katër më pak se Liverpoolit që është në vendin e parë, derisa ka edhe një ndeshje më pak. “Të Kuqtë” luajnë sot nga ora 15:00 ndaj Wolves në “Anfield”.

Javën e 25-të në Premierligë e mbyllin Tottenhami me Manchester Unitedin, me duelin që nis nga ora 17:30./GazetaExpress/

Dy golat e Merinos:

All goals highlights

Leicester 0-2 Arsenal

Mikel Merino brace

#LEIARS
pic.twitter.com/ynK57QvFoe

— . (@softukh) February 15, 2025

The post A e ka gjetur Arteta sulmuesin e tij? appeared first on Gazeta Express.

Shqipëria na bëri krenarë, Spanja mbretëreshë e Evropës

31 December 2024 at 22:02

Kombëtarja e Shqipërisë bëri krenarë të gjithë shqiptarët kudo që janë, duke siguruar për herë të dytë pjesëmarrjen në një kampionat europian.

“Kuqezinjtë” ishin ndër 24 kombëtaret pjesëmarrëse në kampionatin e mbajtur në Gjermani, shkruan "Gazeta Express".

Kombetarja shqiptare, për fat të keq, ishte shortuar në “Grupin e Vdekjes”, së bashku me Italinë, Spanjën e Kroacinë.

Të besuarit e Sylvinhos rrugëtimin e ëndrrave e nisën me ndeshjen ndaj Italisë në Dortmund.

As në ëndrrat më të mira, shqiptarët nuk mund të prisnin një fillim të tillë, duke shënuar brenda 23 sekondash, përmes Nedim Bajramit, i cili është njëkohësisht edhe goli më i shpejtë i shënuar në një EURO.

Por, siç thuhet, ëndrrat zgjasin vetëm pak, pasi brenda pjesës së parë, Italia shënoi dy herë, për të kthyer gjithçka në favor të saj.

Në ndeshjen e dytë, Shqipëria po ashtu e nisi vrullshëm, duke shënuar përmes Qazim Laçit... Mirëpo njësoj si në duelin e parë, kombëtarja shqiptare pësoi dy gola të shpejtë në pjesën e dytë.

Megjithatë, Shqipëria s’e kishte mendjen të dorëzohej, pasi në sekondat e fundit e gjeti golin përmes Klaus Gjasulës, për t’i mbajtur shpresat, për të paktën edhe një xhiro. Rezultati përfundimtar, Kroaci 2-2 Shqipëri.

Ndeshja e tretë, vendimtare, ishte ajo ndaj Spanjës.

Shqipëria po përballej me një sfidë të vështirë, me matematikën që ia mundësonte të kalonte tutje me një fitore, por edhe me një favor nga ndeshja tjetër Kroaci – Itali. Ajo ndeshje u mbyll baras, teksa shqiptarët dolën të mposhtur në ndeshjen e tyre.

Kombëtarja shqiptare u mposht nga Spanja me shifrat prej 1-0, me një gol të Ferran Torresit.

Kështu, çdo shpresë, sado e vogël që ishte, u mbyll edhe përfundimisht, me një rrugëtim tejet të vështirë, me emocione në të gjitha ndeshjet dhe përplot dramë.

Ndonëse shqiptarët i kaploi pikëllimi, spanjollët ishin ata që festuan në fund të tërë kampionatit.

Spanja ishte fituese e këtij edicioni të kampionatit europian, edhepse nga shumëkush nuk llogaritej favorit.

Pasi doli e para nga grupi me 9 pikë, Spanja në 1/8 e finales u përballë me Gjeorgjinë.

Aty, spanjollët e nisën keq, por e përfunduan goxha mirë. Pas tronditjes së minutave të parë, pas një goli të gjeorgjianëve, Spanja u rikthye fuqishëm në lojë, duke fituar 4-1, për të siguruar një vend në çerekfinale.

Kjo fazë, “Stuhinë e Kuqe” e vuri përballë Gjermanisë, me një ndeshje tejet të zjarrtë të luajtur.

U deshën vazhdimet që të përcaktojnë fituesin e kësaj përballje, me një gol të Mikel Merinos në minutat e fundit të ndeshjes, për ta dërguar Spanjën në një fazë edhe më të nxehtë e më afër finales.

Në gjysmëfinale, Spanja pati punë me Francën... Edhe në këtë ndeshje, ata e gjetën vetën në disavantazh.

Kolo Muani shënoi në minutën e nëntë të takimit, mirëpo të shpejtë në kundërpërgjigje ishin spanjollët, që shënuan përmes Olmos dhe Lamine Yamal për një periudhë kohore prej katër minutash.

Me rezultat të njëjtë, prej 2-1, Spanja fitonte edhe finalen e madhe të Berlinit.

“Stuhia e Kuqe” e mposhti Anglinë, me të gjithë golat që u shënuan në pjesën e dytë.

Ëilliams e hapi serinë e golave në minutën e 47-të, me Cole Palmer që iu kundërpërgjigj në minutën e 73-të.

Por, goditjen e fundit anglezve ia dha Mikel Oyarzabal në minutën e 86-të të takimit.

Kështu, Spanja e fitoi titullin e katërt në histori në kampionatet europiane, pasi paraprakisht kishte triumfuar më 1964, 2008 e 2012./GazetaExpress/

The post Shqipëria na bëri krenarë, Spanja mbretëreshë e Evropës appeared first on Gazeta Express.

Rrugëtimi përrallor në Europë, flasin trajneri e dy yjet e 2 Korrikut U19

8 November 2024 at 21:32

2 Korriku U19 është emri që e ka bërë krenar çdo futbolldashës në Kosovë dhe jo vetëm.

Shkak për këtë janë paraqitjet e kësaj grupmoshe të klubit kryeqytetas në Ligën e Kampionëve të të rinjëve.

Katër ndeshje, katër fitore në Europë nga djelmoshat e 2 Korrikut.

E, arkitekti i kësaj skuadre mjaftë të suksesshme është Labinot Haziri, i cili foli ekskluzivisht për Gazetën Express.

Ai përshkroi se si është të jesh pjesë e këtij kompeticioni, derisa edhe komentoi kundërshtarin e radhës në Europë.

“Nuk është se e kemi pritur që në 4 ndeshje do t’i kemi 4 fitore, duke u bazuar në faktin se ky është sezoni i parë për një skuadër nga Kosova në një garë të tillë. Ky rrugëtim pa dyshim se është momenti më i mirë në histori të të gjithë klubit dhe të secilit pjesëmarrës në këtë aventurë”, ka thënë ai fillimisht.

Mirëpo, 2 Korriku s’do ta ketë të lehtë as ndeshjen e radhës. Kampionët kosovar te grupmoshat e reja do të përballen me Dynamo Kyiv.

“Që nga dita e sotme i kemi filluar përgatitjet për ndeshjen e radhës në këtë kompeticion, mirëpo gjithnjë duke mos i anashkaluar ndeshjet në kampionatin vendor, sepse ndeshjet e forta brenda kampionatit janë ato që na ndihmojnë të përgatitemi edhe më shumë. Shpresojmë se do të vazhdojmë me paraqitje të mira edhe më tutje”, shtoi trajneri Haziri.

Por, me këtë sukses, vijnë edhe disa ‘probleme’ të vogla, pasi duhet të kontrollohet një grup, i etur për t’u paraqitur në fushë.

“Dëshira e madhe e të gjithë futbollistëve për t’u paraqitur në ndeshje është problemi kryesor, por deri tani kemi arritur që ta menaxhojmë grupin mjaft mirë dhe mendoj se grupi është fantastik”, tha ai shkurtimisht.

Haziri e la një mesazh për klubet kosovare, duke iu thënë që mos t’i nënçmojnë gjeneratat e reja.

“Mesazhi im është për klubet që të kenë fokus më të madh tek gjeneratat e reja dhe për trajnerët e grupmoshave në kombëtare që të mos e nënçmojnë punën tonë dhe cilësinë e garave të Superligës U17 dhe U19, sepse mendoj se duhet të ftohen edhe më shumë futbollistë nga ekipet që marrin pjesë në këto gara e të cilët meritojnë më shumë përkrahje”, përfundoi Haziri.

Përpos trajnerit Haziri, për Gazetën Express folën edhe dyshja që shkëlqeu në ndeshjen e fundit në Dublin.

Rin Ahmeti dhe Omer Shala dhanë mendimet e tyre rreth rrugëtimit në Europë.

“Është diçka e papërshkrueshme, për faktin se është hera e parë që marrim pjesë në një garë të këtij lloji. Të bën të ndihesh shumë i veçantë dhe i vlerësuar. Këto ndeshje kanë bërë që unë të fitoj shumë si futbollist. Janë përvoja që të shtyejnë përpara në karrierë”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti ka katër gola në katër ndeshje më Ligën e Kampionëve të të rinjëve, derisa ai shpalosi se nga i vjen motivimi për këto paraqitje.

“Gjithmonë e kam synim që të shkoj duke u përmirësuar në fushën e lojës. Golat kanë ardhur si rrjedhë e lojës së mirë besoj. Motivimi e inspirimi vijnë nga familja, shokët e skuadrës e trajnerët”, shtoi ai.

“Ëndrra ime është e njëjtë me ëndrrën e çdo futbollisti të ri në botë – të arrij nivelete më të larta të futbollit evropian dhe ta përfaqësoj e ta bëj krenar shtetin tim, Kosovën”, përfundoi Ahmeti.

Edhe bashkëlojtari i tij, Omer Shala kishte të njëjtin mendim, derisa bëri me dije se si po përshtatet me ndeshjet në Europë.

“Është nivel tjetër i garës në krahasim me ato që jemi mësuar deri tani, po flas sa i përket eksperiencave me klubin. Mirëpo, për fat të mirë kam përvojë edhe në ndeshjet me Kombëtaren e Kosovës dhe kjo ma ka bërë shumë më të lehtë këtë përvojë, por natyrshëm edhe përgatitjet që i kemi bërë na kanë ndihmuar shumë si ekip”, tha Shala.

Shala foli edhe për takimin me Dynamo Kyiv, duke e cilësuar si kundërshtar shumë të vështirë.

“Besoj se do të jetë ndeshje shumë interesante. Dynamo Kyiv dihet se është klub me traditë të madhe, mirëpo ne do të punojmë fortë që ta japim më të mirën nga vetja. Kemi arritur deri këtu, dhe nuk do të dorëzohemi, sepse synim e kemi të paraqitemi deri në fund me dinjitet në këto gara, ashtu si kemi bërë deri tani”, shtoi ai.

Shala vazhdoi më tutje, duke shprehur ‘dashurinë’ e tij për kombëtaren e Kosovës.

“Natyrisht se po, sepse nuk ka as një muaj prej kur mbrojtëm fanelën e Kosovës në kualifikimet e Evropianit për ekipet U17. Kosova më ka dhënë shumë, andaj duhet të ia kthej në mënyrën më të mirë të mundshme”, përfundoi ai.

2 Korriku U19 do të përballet me Dynamo Kyiv U19 më 27 nëntor si mysafir, derisa më 11 dhjetor do të luajë në “Fadil Vokrri”./GazetaExpress/

The post Rrugëtimi përrallor në Europë, flasin trajneri e dy yjet e 2 Korrikut U19 appeared first on Gazeta Express.

“S’ka asgjë të vërtetë”, flet menaxheri i Hazrollajt për “Express”

5 November 2024 at 11:44

Gjatë ditës së sotme ka nisur qarkullimi i lajmeve se futbollisti i talentuar i Malishevës, Drilon Hazrollaj do t’i bashkohet Shqipërisë.

Ishte “Markaj Neës” në rrjetin social “X”, që kishte publikuar një shkrim, ku thuhej se Drilon Hazrollaj do të kalonte nga kombëtarja e Kosovës, te ajo e Shqipërisë.

Por, këtë lajm e ka demantuar menaxheri i futbollistit në fjalë, Kastriot Telaku.

“Jo, nuk ka asnjë të vërtetë njëherë”, ka thënë ai shkurtimisht për Gazetën Express.

Drilon Hazrollaj për herë të parë u ftua te Kosova në ndeshjet e marsit të këtij viti.

Më herët ai ishte pjesë e Kosovës U21, për të cilën nuk pranoi më të luajë, shkaku i një problemi me Afrim Tovërlanin, selektorin e kësaj grupmoshe.

Gjatë këtij sezoni në Superligën e Kosovës, Drilon Hazrollaj ka katër gola të shënuar./GazetaExpress/

The post “S’ka asgjë të vërtetë”, flet menaxheri i Hazrollajt për “Express” appeared first on Gazeta Express.

Pse u largua suedezja Anneli Andersen nga posti i selektores së Kosovës?

22 October 2024 at 12:40

Federata e Futbollit të Kosovës dje e ka zyrtarizuar Sami Sermaxhajn për selektor të ri të Kosovës tek vajzat.

Sermaxhaj erdhi në këtë pozitë si pasardhës i trajneres suedeze, Anneli Andersen, e cila e mbajti postin e selektores nga data 24 mars e vitit 2022, shkruan "Gazeta Express".

Kur suedezja ishte emëruar selektore e Kosovës, në njoftimin e FFK-së nuk ka pasur informatë se deri kur ka kontratë.

Kështu që, dje nuk dihej nëse kontrata e saj ka skaduar ose është dorëhequr apo shkarkuar, pasi në njoftimin për emërimin e Sermaxhajt nuk është përmendur fare ajo, e as nuk kishte ndonjë falënderim për bashkëpunimin e deritanishëm.

Zyra për informim e Federatës së Futbollit të Kosovës në një përgjigje me shkrim për “Gazetën Express” ka thënë se Sermaxhaj erdhi në postin e selektorit si rezultat i skadimit të kontratës mes FFK-së dhe suedezes, Anneli Andersen.

“Dëshirojmë të konfirmojmë se kontrata e ish përzgjedhëses, znj. Anneli Andersen ka përfunduar dhe është vendosur që të vazhdojmë bashkëpunimin me trajnerin e ri, z. Sami Sermaxhaj. Ky vendim është marrë në kuadër të përpjekjeve tona të vazhdueshme për të arritur rezultate sa më të mira dhe për të zhvilluar më tej futbollin e vajzave në Kosovë”, njoftoi FFK-ja për “Express”.

“Z. Sermaxhaj do të udhëheqë Kombëtaren A të vajzave në ciklin e ri garues, ndërsa ndeshjet miqësore do t'i shërbejnë për përgatitjet dhe përzgjedhjen e ekipit. Federata e Futbollit e Kosovës mbetet gjithmonë e përkushtuar për të ofruar mundësi për trajnerë të kualifikuar vendas, kushte më të mira për ekipet tona, me fokus në krijimin e mundësive për përmirësim të vazhdueshëm, si për lojtarët ashtu edhe për stafin teknik”, shtoi tutje shtëpia e futbollit kosovar.

Para suedezes Anneli Andersen, postin e selektores së Kosovës te vajzat e kishte mbajtur disa vite Afërdita Fazlija, e cila ishte ndarë në mënyrën më të keqe me krerët e FFK-së.

Pasi ishte larguar, Fazlija kishte hedhur një mal akuzash në drejtim të kreut të FFK-së, derisa ishte ankuar se ekipi kombëtar i vajzave nuk ka pasur aspak mbështetje dhe vëmendje të drejtuesve të FFK-së.

Madje, ishte ankuar se ekipi i vajzave të Kosovës detyrohej që t’i përdorte veshjet sportive të meshkujve në mungesë të tyre. /Gazeta Express/

The post Pse u largua suedezja Anneli Andersen nga posti i selektores së Kosovës? appeared first on Gazeta Express.

Mikpritja në Gjilan e deri te malli për familjen, Juan Mesa flet për të gjitha

18 October 2024 at 20:32

Kolumbi, Kroaci, Shqipëri e Kosovë.

Ky është rrugëtimi i Juan Camilo Mesas, qendërmbrojtësit të Dritës.

Mesa konsiderohet një shtyllë e mbrojtjes së klubit gjilanas, një mur i pathyeshëm e së bashku me Egzon Bejtullain, po e formojnë një dyshe mjaftë të mirë në Superligën e Kosovës.

Mesa ende s’e ka mbushur një vit të plotë, që nga ardhja te Drita, por ka vetëm fjalë të mira për futbollin kosovar.

Në një intervistë për “Gazeta Express”, kolumbiani Mesa foli për futbollin e Kosovës, atmosferën në dhomën e zhveshjes, trajnerin Zekirija Ramadani dhe për Gjilanin si qytet e mikrpritjen ndaj tij dhe familjes së tij.

“E ndjej se futbolli në Kosovë vetëm po shkon e po bëhet më mirë. Është shumë i fuqishëm. Me përmirësimin e stadiumeve dhe fushave, spektakli do të ishte edhe më i madh”, ka thënë Mesa për “Express”.

Tutje, ai foli për atmosferën në ekip, duke lavdëruar punën e klubit në këtë aspekt.

“Atmosfera në dhomat e zhveshjes është e jashtëzakonshme. Para se të janë lojtarë, djemtë janë edhe njerëz shumë të mirë. Ne jemi të bashkuar dhe mendoj se klubi e trajneri kanë bërë një punë të mirë në krijimin e një grupi me lojtarë të tillë”, tha ai.

E, kur jemi te trajneri, ai pati vetëm fjalë të mira.

“Marrëdhëniet me trajnerin janë shumë të mirë, ai është shumë i respektueshëm, punon shumë dhe është shumë inteligjent. Ai di shumë mirë të përballet me çdo sfidë që i vihet para”, shtoi 26-vjeçari.

Si një popull mikpritës, edhe kësaj here duket se e kemi mbajtur fjalën. Kështu thotë edhe Mesa.

“Gjilani është një qytet i vogël, i qetë, ashtu si më duhet mua dhe familjes sime. Ne jetojmë qetësisht dhe jemi të lumtur që jemi këtu. Njerëzit janë shumë të mirë, të sjellshëm dhe të respektuar”, tha Mesa.

Por, kur foli për Gjilanin, atij duket se iu kujtua edhe vendi i lindjes. Ai bëri me dije se çka po i mungon nga e kaluara e tij.

“Më mungon klima tropikale gjatë tërë vitit, më mungojnë të dashurit e mi dhe pa harruar, më mungon edhe ushqimi”, tha mbrojtësi i klubit bardhekaltër.

Mesa nuk është i vetëm në Gjilan. Së bashku me të janë edhe gruaja e tij, me dy fëmijët.

“Unë jetoj me gruan dhe dy fëmijët e mi. Ata janë shumë të lumtur këtu. Gjuha është pak e vështirë, por ata janë të qetë e po adaptohen pak e nga pak”, përfundoi Mesa.

Juan Camilo Mesa i ishte bashkuar Dritës nga Dinamo City e Shqipërisë në janar të vitit 2024.

Derisa, më herët kishte luajtur edhe në Kroaci te Sibenik e te CD America e Bucaramanga në Kolumbi./GazetaExpress/

The post Mikpritja në Gjilan e deri te malli për familjen, Juan Mesa flet për të gjitha appeared first on Gazeta Express.

“Më pëlqen flija”, lojtari i Ferizajt flet për mikpritjen në Kosovë dhe shumëçka tjetër

10 October 2024 at 17:30

Nuk është e rrallë që në elitën e futbollit kosovar shohim shpesh lojtarë të huaj.

Është një ligë interesante për ta dhe shumica e shfrytëzojnë për një hap tutje në karrierë e për të dalë në një klub më të madh në Europë.

Për shumë është e vështirë përshtatja në një vend tjetër, derisa për shumë të tjerë ëshë më e lehtë.

Për adaptimin në Kosovë foli edhe Abdeen Abdul, 29-vjeçari i Ferizajt, i cili shënoi dhe asistoi në ndeshjen e fundit ndaj Dukagjinit.

Ai foli ekskluzivisht për “Gazeta Express”, duke përmendur mikpritjen që ia bën populli i Kosovës, si dhe për shumë gjëra të tjera që lidhen me futbollin.

“Unë e zgjodha Ferizajn sepse ata treguan interes të madh për mua që nga fillimi i merkatos verore. Fola me drejtorin sportiv, Genc Hyseni, ai më tregoi se çfarë klubi i madh është Ferizaj. Derisa, arsye tjetër që zgjodha Ferizajn është se luan në Superligë, e unë dua të ndikoj në elitën e futbollit kosovar”, tha ai fillimisht.

Abdeen Abdul duket se preferon të shëtitet nëpër kontinente, pasi përpos Europës (Islandë, Maltë, Shqipëri, Angli e Norvegjia), ai ka luajtur edhe në Azi, në shtetit e Malajzisë.

“Këto gjëra ndodhin. Mirëpo, unë gjithmonë kam qenë i gatshëm të shënoj ose asistoj e të jap maksimumin, pavarësisht se ku jam ndodhur. Kur unë zgjedh një klub, si musliman që jam, vendosi besimin tek Allahu, që të më bekoj në rrugëtimin e ri”, ka thënë tutje Abdul.

Abdul dha vlerësimin e tij për futbollin e Kosovës, pasi natyrisht që është shumë më ndryshe sesa në vendet ku ai ka luajtur.

“Futbolli i Kosovës është shumë fizik, duhet të jesh i gatshëm edhe mentalisht që të luash në Kosovë. Është po ashtu i fortë edhe në aspektin taktik, sidomos kur luan ndaj Ballkanit, Dritës e Prishtinës. Çdo ndeshje sjellë sfida të reja, dhe kjo është çka e bën unik futbollin në Kosovë”, tha sulmuesi i Ferizajt.

Ai fundjavën që lamë pas shënoi një gol dhe dhuroi një asist në fitoren ndaj Dukagjinit. Sulmuesi foli për ndjenjën e golit të parë në futbollin kosovar.

“Ishte ndjenjë fantastike të shënoj golin e parë dhe të dhuroj asistin e parë po ashtu në futbollin e Kosovës. Ishte një ndeshje e rëndësishme për klubin tonë, pas një periudhe të gjatë pa fitore. Është shumë e rëndësishme të marrësh tre pikë, kur luan me ekipe që i ke afër në tabelë. Unë dua që të shënoj në çdo lojë, në mënyrë që ta ndihmoj Ferizajn”, tha ai.

Abdeen Abdul iu bashkua Ferizajt gjatë kësaj vere. Janë bërë më shumë se 2 muaj që ai është pjesë e futbollit të Kosovës.

Sulmuesi ka dhënë detaje se si është mirëpritur në Kosovë dhe se çka i pëlqen më shumë nga vendi jonë.

“Njerëzit në Kosovë janë shumë të shoqërueshëm. Ka shumë qytete të bukura, si Ferizaj, Prizreni e Prishtina. Gjithashtu më pëlqen ushqimi tradicional, dhe mbi të gjitha muzika shqiptaro-kosovare me pëlqen tej mase”, shpalosi detaje Abdul, por s’u ndalë me aq.

Ai po ashtu e zbuloi ushqimin e tij të preferuar në Kosovë.

“Flija më pëlqen shumë. E kam provuar një herë në Shqipëri sa isha te Skënderbeu dhe më ka mbetur. Më pëlqen shumë shija e saj. Ka qenë ushqimi i parë që e kam blerë kur kam ardhur në Kosovë”, tha ai.

Ferizaj për momentin gjendet në pozitën e tetë, atë të barazhit, me 7 pikë të tubuara në 8 ndeshje./GazetaExpress/

The post “Më pëlqen flija”, lojtari i Ferizajt flet për mikpritjen në Kosovë dhe shumëçka tjetër appeared first on Gazeta Express.

❌
❌