Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 July 2026Java News

Sondazhi i IRI-t: Vetëm 33% nuk shohin asnjë arritje të qeverisë

23 July 2026 at 10:08

Nga Eduard Zaloshnja

Në periudhën prill-maj, Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI), me qendër në Uashington, zhvilloi një sondazh në Shqipëri me 1200 të anketuar në të gjithë territorin e vendit. Kampioni u kolaudua statistikisht që të përfaqësonte të gjithë popullsinë e rritur të vendit, me maksimum të gabimit statistikor +/- 3.1% (https://www.iri.org/resources/albania-survey-of-public-opinion-april-may-2026/).

Ndër pyetjet e shumta në sondazhin e IRI-t, ishte edhe kjo pyetje për qeverinë: “Cila është arritja më e rëndësishme e qeverisë aktuale?”, për të cilën të anketuarit ishin të lirë të jepnin përgjigje krejt spontane. Vetëm 33% u përgjigjën “Asnjë”. Ndërkohë, 10% as nuk përmendën ndonjë arritje dhe as nuk i mohuan arritjet. Nga ana tjetër, plot 57% përmendën arritje të qeverisë (shihni grafikun e mëposhtëm).

Kur të anketuarve iu kërkua të jepnin një vlerësim të përgjithshëm për punën e qeverisë, 49% anonin nga vlerësimi pozitiv dhe 49% nga vlerësimi negativ. Që do të thotë se tek 49-përqindëshi negativ mund të përmblidhen 33% që nuk shohin asnjë arritje të qeverisë, 10% që janë të dyzuar për arritjet e saj, dhe 6% që shohin ndonjë arritje, por sidoqoftë anojnë nga vlerësimi negativ për të.

Meqë kampioni statistikor i IRI-t e përfaqëson statistikisht popullsinë e rritur të vendit, mund të ekstrapolohet me afërsi se rreth 930 mijë banorë të rritur këtu anojnë nga vlerësimi pozitiv për qeverinë, rreth 625 mijë nuk shohin asnjë arritje të qeverisë, rreth 190 mijë janë të dyzuar për arritjet e saj, dhe rreth 115 mijë shohin ndonjë arritje, por sidoqoftë anojnë nga vlerësimi negativ për të.

Yesterday — 22 July 2026Java News

Ekskluzive/Sondazh: 60% e shqiptarëve duan më pak bashki se sa janë sot

22 July 2026 at 10:44
JAVANEWS komisionoi sondazhistin e mirënjohur Eduard Zaloshnja, për të zhvilluar një sondazh në të gjithë territorin e vendit, ku pyetja kryesore ishte: “Sa bashki duhet të ketë Shqipëria, krahasuar me ato që ka sot?”.
Pyetësorin e shpërndarë me një link përmes SMS-ve krejt të rastësishme nga Vermoshi në Konispol e plotësuan 1360 banorë të rritur, duke garantuar një maksimum marzhi gabimi statistikor +/- 2.8% për kampionin e plotë, si dhe një përfaqësim të përafërt statistikor të popullsisë së rritur, nga pikpamja gjeografike, demografike, arsimore dhe politike.
Nga sondazhi rezultoi se plot 60% e të anketuarve mendojnë se duhen më pak bashki se sa janë aktualisht, 34.5% mendojnë se duhen më shumë, dhe 5.5% janë të dyzuar (shihni grafikun e mëposhtëm). Këto rezultate ishin të ngjashme edhe për shtresa të ndryshme gjeografike, demografike dhe arsimore të kampionit.
Teksa rezultatet ishin të ngjashme në shtresat e ndryshme gjeografike, demografike dhe arsimore të kampionit, te shtresëzimi politik ndryshon puna.
Meqë në pyetësor ishte edhe një pyetje sesi kishin votuar të anketuarit në zgjedhjet e vjetshme parlamentare, mund të analizohet votimi i vjetshëm i atyre që kanë zgjedhur opsionet “Më shumë”, “Më pak”, ose “I/e dyzuar”.
Nga kjo analizë rezulton se te 60-përqindëshi që mendon se duhen më pak bashki, 2/3 kanë votuar vjet për PS-në.
Nga ana tjetër, te 34.5-përqindëshi që mendon se duhen më shumë bashki, 3/4 kanë votuar vjet për PD-ASHM. Kurse pothuajse i gjithë 5.5-përqindëshi i të dyzuarve, vjet ose nuk votoi fare, ose votoi për parti të vogla (shihni tabelën e mëposhtme).
Sa bashki duhet të ketë Shqipëria, krahasuar me ato që ka sot? Gjithsej Për kë votuan vjet:
Before yesterdayJava News

36 bashki apo më shumë?

21 July 2026 at 10:51

Nga Eduard Zaloshnja

Dita e miratimit të një ndarjeje të re territoriale të vendit po afron. Sepse vetëm pas 10 muajsh do të zgjvillohen zgjedhjet bashkiake, dhe po nuk u miratua tani ndarja e re territoriale, mbetet të kryhet pas 4 vjetësh.

Një nga pyetjet më të rëndësishme rreth ndarjes së re territoriale është ajo për numrin e bashkive. Por që të arrihet tek ky numër, duhet bërë një shikim historik i ndarjes territoriale së Shqipërisë, qysh nga pavarësia e saj.

Nga shpallja e pavarësisë deri në Luftën e Dytë botërore, vendi ishte i ndarë në prefektura, nënprefektura, bashki dhe komuna (sipas kësaj hierarkie). Ajo ndarje bazohej në kritere gjeografike, historike dhe ekonomike (e ngjyrosur me ndikim franko-italian). Prefektët sidomos, ishin asokohe personalitete me fuqi të madhe politike.

Me ardhjen e Partisë Komuniste në fuqi, ndarja e mëparshme teritoriale u ndryshua gradualisht dhe u krijuan eventualisht 26 rrethe, komitetet ekzekutive të të cilave administronin qytetet dhe fshatrat brenda secilt rreth.

Me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet, u rikthye një version i ndarjes territoriale të dikurshme, me qarqe, rrethe, bashki dhe komuna. Por prefektët e qarqeve nuk e kishin më fuqinë politike që kishin patur paraardhësit e tyre. Vendi u nda në 12 qarqe, që përfshin në to 36 rrethe. Brenda çdo rrethi kishte bashki dhe komuna, drejtuesit e të cilave zgjidheshin drejtpërdrej nga banorët.

Në vitin 2014, Partia Socialiste propozoi që komunat dhe bashkitë e vogla të suprimoheshin dhe vendi të kishte vetëm 36 bashki – një për secilin rreth. Por për t’u miratuar ajo ndarje duheshin në Kuvend edhe votat e LS-së dhe PDIU-së. Dhe negociatat me to prodhuan një hartë me 61 bashki, e jo me 36…

Dekada e shkuar ka treguar se jo pak bashki të vogla (ndër 61) nuk kanë funksionuar siç duhet. Prandaj ka lindur nevoja që disa t’u përngjiten bashkive me të mëdha. Dhe pyetja është a do të shkohet tek versioni fillestar i PS-së me 36 bashki?

Po të ndiqen vetëm kriteret historike, gjeografike dhe ekonomike, është më se e arsyeshme që të kemi vetëm 36 bashki. Por sidoqoftë, duhen mbajtur parasysh edhe kritere të tjera si ato të funksionalitetit, të dendësisë së popullsisë, të aftësisë fiskale, aftësisë së thithjes së fondeve për investime, etj.

Fjala vjen, nisur vetëm nga kriteret historike, gjeografike dhe ekonomike, Kamza e Vora do të duhej t’i përngjiteshin Bashkisë Tiranë. Por kritere të tjera si ato të funksionalitetit, të dendësisë së popullsisë, të aftësisë fiskale, aftësisë së thithjes së fondeve për investime, etj. mund ta justifikojnë vazhdimin e tyre si bashki më vete. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Malsinë e Madhe dhe Vaun e Dejës në Qarkun Shkodër.

Nga ana tjetër, një bashki si Mirdita mund të mos i përmbushë dot kritere si ato të funksionalitetit, të dendësisë së popullsisë, të aftësisë fiskale, aftësisë së thithjes së fondeve për investime, etj., por ajo përmbush një kriter të fortë historik. Ka qënë e vetmja krahinë autonome në Shqipëri përgjatë 500 vjetëve të sundimit otoman!

Nisur nga sa më sipër, duhet që ndarja e re territoriale të rezultojë me më shumë se 36 bashki.

Ndarja në rajone (që do të bëhet për herë të parë në Shqipëri), do të realizohet në një fazë të dytë, ngaqë nuk lidhet me zgjedhjet lokale të pranverës 2027. Për atë ndarje, kriteret historike, gjeografike dhe ekonomike janë mëse të mjaftueshme. Bazuar në to, vendi mund të ndahet në 4 rajone: Rajoni Verior (qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë e Dibër), Rajoni Qendror (qarqet Tiranë e Durrës), Rajoni Juglindor (qarqet Elbasan e Korçë), dhe Rajoni Jugperëndimor (qarqet Fier, Berat, Vlorë e Gjirokastër).

Përballueshmëria e jetesës

19 July 2026 at 12:00

Nga Eduard Zaloshnja

Qysh pas tronditjes ekonomike që shkaktoi pandemia Covid-19, dhe duke vijuar me krizat e tjera botërore, fjala angleze affordability (që përmbledh aftësinë financiare të familjeve për të paguar ushqime, shërbime e strehim, pa mbetur pa para për nevoja të tjera bazike) ka qenë në qendër të debateve politike dhe ekonomike në shumë vende. Në shqip, kjo fjalë mund të përmblidhet me togëfjalëshin “përballueshmëria e jetesës”.

Vitet e fundit, edhe qeveria shqiptare, si shumë të tjera të botës, është munduar ta adresojë problemin e përballueshmërisë së jetesës. Kështu, pagat në Shqipëri janë rritur mesatarisht 51.6% nga 1 janari 2021, ndërsa pensionet 24.7%. Nga ana tjetër, çmimi i shportës mesatare të konsumit është rritur 22.5% gjatë së njëjtës periudhë.

Sidoqoftë, mosha dhe shtresa të ndryshme të popullsisë kanë probleme të ndryshme.

Kështu, pensionistëve ka shumë vite që u është dhënë shpërblim ekstra, për t’i ndihmuar me shpenzimet e festave të fundvitit.  Ndërsa vitet e fundit u është dhënë shpërblim ekstra edhe në mes të vitit. Sidoqoftë shumica e tyre kanë nevojë për një rritje progressive të pensioneve, ku shtetasit me pensione më të ulta të kenë rritje më të madhe të tyre. Në këtë mënyrë, ushqimet dhe ilaçet, për të cilat shpenzojnë pjesën dërrmuese të buxhetit modest familjar, mund të bëhen më të përballueshme.

Të rinjtë që duan të hapin biznese të reja (start-ups quhen në anglisht) kanë nevojë për mbështetje financiare, dhe qeveria ka dhënë deri më sot 16.5 milionë euro grante falas për ta. Ndërkohë, parashikohen edhe 18 milionë euro të tjera deri më 2029.

Bizneset e vogla, ku mbizotëron brezi i mesëm moshor, kanë nevojë për kredi të buta. Dhe qeveria u ka premtuar garanci sovrane deri në 1 miliard euro, për kredira deri 2 milionë euro me interes 2-3%.

Çiftet e reja në qendrat e mëdha urbane, në shumë raste, nuk e përballojnë dot blerjen e një apartamenti modest. Dhe qeveria po përgatit një program për t’i ndihmuar ata.

Qeveria po stimulon edhe arsimin profesional, në mënyrë që të rinjtë të mësojnë zanate dhe të punojnë këtu (ku tregu ka shumë nevojë për zanatçij).

Ndërkohë, bujqësia, me të cilën mbahet 1/3 e popullsisë, parashikohet të mbështetet me rreth 900 milionë euro deri më 2029, duke përfshirë edhe financimet e huaja.

Se sa efekt do të kenë këto përpjekje të qevrisë, mbetet të shihet në vitet në vijim.

Dita e Euros po vjen – lekët jashtë bankave duhen shkëmbyer me euro…

18 July 2026 at 09:14

Nga Eduard Zaloshnja

Në projektligjin e ri “Për Bankën e Shqipërisë”, është përfshirë një kapitull ku përcaktohet se, me antarësimin tonë në BE, Euro do të përdoret si para zyrtare e vendit. Më tej, theksohet edhe se Banka e Shqipërisë do t’i përshtatet rregullave të Bankës Qendrore Evropiane.

I gjithë kapitulli XV i këtij projektligji të hedhur për konsultim publik sqaron sesi do të funksionojë qarkullimi i Euros në Shqipëri dhe sesi do të mbahet rezerva valutore shtetërore.

Në 100 vjetët e fundit, Leku ka qenë paraja zyrtare e Shqipërisë, pavarsisht se ndër qytetarët dhe tregtarët mund të kenë qarkulluar florinjtë, frangat, liretat, stërlinat, dollarët, dhramitë, markat, dhe, së fundmi, eurot.

Aktualisht, nga gjithë lekët që ka emetuar deri më sot Banka e Shqipërisë, rreth 40% janë jashtë sistemit bankar (në kuletat e qytetarëve dhe nën dyshekët e tregëtarëve). Por deri në ditën kur Leku do të dalë nga qarkullimi, kushdo që ka lekë (në kuleta apo nën dyshekë) do duhet t’i shkëmbejë me euro – sepse lekët pastaj do të kenë vetëm vlerë muzeale.

Një faktor që duket se e ka mbajtur në nivel të lartë sasinë e lekëve jashtë sistemit bankar ka qenë rënia e kursit të euros pas bumit turistik të viteve të fundit.

Kush kishte euro nën dyshek mund t’i ketë shkëmbyer me lekë në tregun jobankar valutor, duke parë se vlera e eurove të tyre po binte nga muaji në muaj. Dhe këto shkëmbime duket se e kanë përforcuar edhe më tej kurbën rënëse të Euros (përmirësimi i bilancit të pagesave të vendit nuk e shpjegon dot i vetëm rënien e Euros me 22% në 5 vjetët e fundit).

Sidoqoftë, ata që kanë akumuluar lekë nën dyshekë kanë 3-4 vjet kohë që t’i shkëmbejnë lekët me euro, se më pas do t’u myken poshtë dyshekut…

Garat në Tiranë dhe Shkodër – analizë paraprake

17 July 2026 at 14:12

Nga Eduard Zaloshnja

Pas dhjetë muajsh do të zhvillohen zgjedhje bashkiake, në të cilat votojnë vetëm zgjedhës që banojnë në Shqipëri (jo ata jashtë saj). Në zgjedhjet bashkiake, gara më interesante elektoralisht pritet të jetë ajo e Tiranës, si edhe ajo e Shkodrës (të tjërave u dihet fundi pa filluar fillimi, përveç ndonjë bashkie të parëndësishme statistikisht).

Gara e Tiranës

Më 2023, garën e fitoi thellë kandidati socialist, për të cilin votuan rreth 165 mijë kryeqytetas (disa mijërave u rezultuan votat e pavlefshme, ngaqë u ngatërruan me fletëvotimet disa-emërore). Nga ana tjetër, për kandidadin demokrat votuan rreth 104 mijë kryeqytetas (disa mijërave u rezultuan votat e pavlefshme, ngaqë u ngatërruan me fletëvotimet disa-emërore). Ndërkohë, për katër kandidatët e tjerë votuan vetëm 33 mijë kryeqytetas.

Në garën e ardhshme kryeqytetase, kandidatja socialiste (që dihet se do të jetë Ogerta Manastirliu) mund të përballet me dy kandidatë domethënës statistikisht, e jo më me pesë liliputë statistikorë. Dhe ja pse:

  • Së pari, Berisha duket se nuk do ta bëjë më gabimin e vitit 2023, kur caktoi një kandidat besnik të tij, i cili i humbi zgjedhjet me 60 mijë vota diferencë. Kësaj here mund të caktojë një kandidat jo aq besnik, por që mund të thithë më shumë vota kryeqytetase.
  • Së dyti, kjo dallga protestore bulevardore mund të prodhojë një kandidat serioz për Bashkinë Tiranë. Dhe nëse kjo gjë ndodh, gara elektorale kryeqytetase mund të shndërrohet në një garë treshe.

Nga sa kam sonduar deri më sot, një kandidat hipitotetik i protestës bulevardore mund të dalë në vend të dytë (afër Manastriliut), duke e lënë në vend të tretë një kandidat potencial të Berishës. Por këto janë sondazhe paraprake…

Gara e Shkodrës

Më 2023, garën e fitoi thellë kandidati socialist, për të cilin votuan pothuaj rreth 36 mijë shkodranë (disa qindrave u rezultuan votat e pavlefshme, ngaqë u ngatërruan në plotësimin e fletëvotimeve). Nga ana tjetër, për kandidadin demokrat votuan rreth 24 mijë shkodranë (disa qindrave u rezultuan votat e pavlefshme, ngaqë u ngatërruan në plotësimin e fletëvotimeve).

Aktualisht nuk kam zhvilluar ndonjë sondazh në Shkodër, por rezultatet e 2023-shit tregojnë se plot 13 mijë shkodranë votuan për PSD-në atëherë. Dhe PSD-ja e përkrahu fort në terren asokohe kandidatin socialist për kryebashkiak.

Domethënë, në qoftë se socialdemokratët shkodranë përkrahin përsëri kandidatin socialist (që duket se do të jetë edhe këtë herë Benet Beci), gjasat janë për një fitore prapë të thellë (pavarësisht se kush do të jetë kandidati opozitar).

Nga 1 janari 2021: 22.5% rritja e çmimeve, 51.6% rritja e pagave, 24.7% rritja e pensioneve

16 July 2026 at 12:57

Nga Eduard Zaloshnja
Duke filluar nga 1 janari i vitit 2021, INSTAT-i ka përdorur një metodologji të re për llogaritjen e Indeksit të Çmimeve të Konsumit, të harmonizuar me metodologjinë e Eurostat-it (Institutit statistikor të BE-së). Sipas këtij indeksi të harmonizuar me BE-në, çmimet e konsumit janë rritur mesatarisht 22.5% nga 1 janari 2021 deri më 1 qershor 2026 (shihni tabelën e mëposhtme). Ndërkohë, në të njëjtën periudhë, paga mesatare e raportuar është rritur 51.6% dhe pensionet 24.7%.
Duke qëmtuar në zërat e ndryshme të konsumit të popullsisë, bie në sy rritja e ndjeshme 36.8% e zërit ‘Ushqime dhe pije joalkolike’. Dhe ky zë përbën 34.6% të buxhetit mesatar familjar të shqiptarëve. Brenda këtij zëri, spikasin zarzavatet përfshirë patatet, çmimi i të cilave është rritur plot 61.9%, si edhe qumështi, djathi dhe vezët, çmimi i të cilave është rritur plot 50.9%.
Për një familje mesatare që shpenzon vetëm 34.6% të buxhetit mujor për ushqime dhe pije joalkolike, rritja e çmimit të tyre mund të mos jetë problematike, pasi mbulohet nga rritja e pagave dhe pensioneve. Por për jo pak familje, kjo përqindje është goxha më e lartë se 34.6% në buxhetin e tyre, i cili ka pak vend për shpenzime të tjera…
Çmimi mesatar i pijeve alkolike dhe i duhanit është rritur 18.7%, por kjo rritje është e mirëpritur nga këndvështrimi i shëndetit publik, sepse mund të dekurajojë sadopak konsumimin e këtyre produkteve të dëmshme për shëndetin e shqiptarëve.
Ndërkohë, rritja 10.2% në zërin ‘Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji’ ka goditur mijëra e mijëra shqiptarë, sidomos në dy komponentët e fundit.
Ndryshimi (%) i Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit nga 1 janari 2021 deri më 1 qershor 2026 Përqindja në buxhetin familjar
Gjithsej 22.5 100
Ushqime dhe pije joalkolike 36.8 34.6
Ushqime 37.6 33.8
Bukë dhe drithra 26.9 5.4
Mish 33.0 6.6
Peshk 26.1 1.5
Qumësht, djathë dhe vezë 50.9 3.9
Vajra dhe yndyrna 32.3 1.9
Fruta 27.8 6.9
Zarzavate përfshirë patatet 61.9 6.4
Sheqer, recel, mjaltë, çokollata, dhe ëmbëlsira. 27.5 1.0
Ushqime të tjera 26.0 0.3
Pije joalkolike 14.7 0.8
Kafe, çaj dhe kakao 21.9 0.2
Ujë mineral, pije të buta dhe lëngje 12.3 0.6
Pije alkolike dhe duhan 18.7 5.2
Pije alkolike 18.1 3.7
Duhan 20.3 1.5
Veshje dhe këpucë 13.8 3.7
Veshje 15.6 2.9
Veshje për burra 15.6 0.7
Veshje për gra 16.4 1.1
Veshje për fëmije 13.0 0.4
Këpucë 8.3 0.8
Këpucë për burra 7.7 0.4
Këpucë për gra 12.6 0.3
Këpucë për fëmijë 5.1 0.1
Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji 10.2 5.6
Qira 17.7 1.2
Mirëmbajtje 21.9 0.6
Furnizim me ujë 6.3 0.4
Lëndë djegëse dhe energji 5.9 3.4
Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë 19.1 5.7
Mobilje,tapete dhe mbulesa dyshem, dhe riparim 23.2 2.2
Mobilje dhe mobilime 23.5 2.0
Tapete dhe mbulesa të tjera dyshemeje 21.7 0.1
Tekstile shtëpie 24.3 0.6
Pajisje shtepie 5.5 1.0
Makine larje e tharje rrobash dhe makinë larëse enesh. 6.0 0.4
Pajisje gatimi. 5.3 0.1
Ngrohës dhe kondicionerë 5.8 0.2
Qelqurina, mbulesa tavolinë dhe enë shtëpie 12.3 0.2
Mallra dhe shërbime për mirëmbajtje shtëpie 23.1 1.2
Shëndeti 7.9 5.4
Medikamentet dhe produkte të tjera farmaceutike 3.4 2.2
Shërbime mjeksore, paramjeksore dhe dentare 12.3 2.3
Shërbime spitalore 8.9 1.0
Transporti 8.1 7.9
Blerje mjetesh transporti -13.0 2.4
Shërbime ndaj mjeteve personale të transportit 15.6 2.7
Shërbime transporti 16.0 2.8
Komunikimi 6.8 1.9
Shërbimi postar 0.1 0.2
Argëtim dhe kulturë 27.9 6.7
Pajisje audio-vizuale, fotografike, dhe riparimi i tyre. -3.9 0.3
Shërbime argëtimi dhe kulturë 8.3 0.4
Gazeta, libra dhe mjete shkollore 16.1 0.3
Shërbimi arsimor 11.9 4.7
Hotele, kafene dhe restorante 17.3 14.9
Kafe – restorante(catering). 16.8 8.9
Shërbime akomodimi 18.0 6.0
Mallra dhe shërbime të ndryshme 12.1 3.6
Kujdes personal 15.5 2.7

Tre dallgët e emigracionit

15 July 2026 at 12:08

Nga 3.21 milionë shtetas të regjistruar në Gjendjen Civile në fund të 1989-ës, vetëm 1% banonin jashtë Shqipërisë; nga 4.7 milionë shtetas të regjistruar sot në Gjendjen Civile, rreth 50% banojnë jashtë Shqipërisë.

Nga Eduard Zaloshnja

Në fund të vitit 1989 – para se të hiqeshin telat me gjemba nga kufijtë e Shqipërisë – në regjistrin e Gjendjes Civile figuronin 3.21 milionë shtetas shqiptarë.  Nga këta, sipas regjistrimit të popullsisë që u krye atëherë, 99% jetonin brenda vendit – vetëm 32 mijë shtetas rezultonin emigrantë (politikë apo ekonomikë).

Aktualisht, në regjistrin e Gjendjes Civile figurojnë plot 4.7 milionë shtetas shqiptarë.  Nga këta, sipas një vlerësimi të përafërt statistikor të INSTAT-it, rreth 2.35 milionë jetojnë brenda vendit. Pra, gjysma rezultojnë jashtë vendit.

Po cilat janë etapat e rritjes së numrit të shtetasve jashtw vendit nga 0.03 milion më 1989, në 2.35 milionë sot?

Vitet ’90 shënuan një eksod biblik të shqiptarëve drejt Italisë, Greqisë, etj, etj. Si rezultat, në vitin 2001 kishim pothuaj 1 milion shtetas shqiptarë jashtë vendit – në regjistrin e Gjendjes Civile figuronin pothuaj 4 milion shtetas shqiptarë, ndërsa nga regjistrimi i popullsisë në fund të vitit 2001, numri total i banorëve rezultoi 3 milionë.

Në etapën e dytë të emigracionit, eksodi i shqiptarëve vazhdoi, por jo më me përmasa biblike – numri i shtetasve shqiptarë jashtë vendit u rrit nga 1 milion që ishte më 2001, në 1.5 milion më 2011 (u shtuan 500 mijë në një periudhë 10-vjeçare). Konkretisht, në regjistrin e Gjendjes Civile figuronin 4.3 milionë shtetas shqiptarë, ndërsa nga regjistrimi i popullsisë në fund të vitit 2011, numri total i banorëve rezultoi 2.8 milionë.

Edhe në etapën më të fundit të emigracionit, eksodi i shqiptarëve vazhdoi me ritme të ngjashme – numri i shtetasve shqiptarë jashtë vendit u rrit nga 1.5 milionë që ishte më 2011, në 2.35 milionë sot (në një periudhë 15-vjeçare). Konkretisht, në regjistrin e Gjendjes Civile figurojnë 4.7 milionë shtetas shqiptarë. Ndërsa nga një vlerësim i përafërt statistikor i INSTAT-it, rezulton se banojnë në vend rreth 2.35 milionë nga këta shtetas.

Prej kurbës së emigracionit nga viti 1989 e këtej, mund të konstatohet se ritmi i emigracionit është ngadalësuar në krahasim me etapën e parë të eksodit të madh (1990-2001), por mbetet përsëri shqetësues për zbrazjen e vendit nga popullsia. Nëse emigracioni vazhdon me ritmin aktual, pas disa vjetësh, do të kemi me siguri më shumë shtetas shqiptarë jashtë Shqipërisë se sa brenda saj…

100 mijë në bulevard, ose 800 mijë në kutitë e votimit

14 July 2026 at 10:04

Nga Eduard Zaloshnja

Në mënyrë fare të vendosur, Edi Rama e ka bërë mëse të qartë se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen prej procesionit të përnatshëm protestor, që fillon me disa qindra qytetarë në Sheshin Skënderbej dhe përfundon me disa mijëra që marshojnë nëpër rrugët e Tiranës.

Sidoqoftë, vendosmëria e Ramës mund të tronditet nëse 100 mijë protestues pushtojnë bulevardin dhe nuk e lëshojnë atë ditë e natë. Por 100 mijë në bulevard mund të jenë vetëm kur ai të mbushet plot, nga Universiteti deri te monumenti i Skëndërbeut – mesatarisht me 2 protestues për çdo metër katror (imagjinoni 2 persona të ngujuar ditë e natë në një ashensor të vogël nga ata një-metër-katrorëshit!)

Ky skenari i 100-mijëshit në bulevard duket i parealizueshëm nga ç’kemi parë deri më sot. Po skenari i mundjes së Ramës në zgjedhje, si duket?

Nga ekstrapolimi i përafërt statistikor i një sondazhi që zhvillova për JAVANEWS (https://javanews.al/ekskluzive-sondazhi-cfare-rezultatesh-zgjedhore-do-te-kishim-nese-do-te-votohej-se-afermi/), rezultoi se rreth 755 mijë zgjedhës në Shqipëri do të votonin për një parti të re (nëse krijohet). Ky numër tregon se ekziston një rezervuar gjigand elektoral për një parti të re që do të sfidonte PS-në në zgjedhje.

Por po të gërmojmë pak më thellë në të dhënat e sondazhit, vërejmë se 4/5 e këtyre përkrahësve votuan vjet për partitë ekzistuese opozitare, kryesisht për PD-ASHM. Dhe në qoftë se në krye të partisë së re hipotetike del një grup neomarksist, ata nuk do ta votonin.

Nga ana tjetër, në qoftë se në krye të partisë së re hipotetike del një grup i ekstremit të djathtë, 1/10 e përkrahësve që votuan vjet për PS-në nuk do ta votonin partinë e re. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për një pjesë të 5/10 që nuk votuan fare vjet.

Me pak fjalë, si teorikisht edhe praktikisht, është e pamundur që një parti e re të thithë gjithë ujin elektoral të rezervuarit të sipërpërmendur. Ndërkohë, për të mundur PS-në në zgjedhje, një partie apo një koalicioni partish i duhen të paktën 800 mijë vota brenda vendit…

Skenarët e tjerë që qarkullojnë, me futje të dhunshme në katin e parë të Kryeministrisë, apo me byzylykët e SPAK-ut në zyrën e Ramës, janë thjesht fantazmagorikë…

 

 

 

‘Orteku Murinjo’ në turizmin shqiptar po ngadalësohet…

9 July 2026 at 21:52

Nga Eduard Zaloshnja

Më 2022 u regjistruan në Shqipëri 7.5 milionë hyrje me pasaporta të huaja (https://www.instat.gov.al/al/temat/industria-tregtia-dhe-sh%C3%ABrbimet/turizmi/#tab2 ) – një rritje prej 17.7%, krahasuar me vitin para pandemisë Covid-19. Në vitet në vijim, kjo rritje ka qenë galopante, duke arritur vjet rekordin 11.7 milionë hyrje me pasaporta të huaja, ose 82.6% më shumë se më 2019.

Po nga erdhi kjo rritje galopante e hyrjes me pasaporta të huaja në Shqipëri?

Qeveria shqiptare nuk ka financuar ndonjë fushatë publicitare në rrjetet televizive e internetore ndërkombëtare. As ka financuar reklama në stadiumet e famshme sportive (si për shembull reklama ‘Visit Rwanda’, që shfaqet në stadiumet e Premier League, etj.).

Për të kuptuar rritjen e popullaritet të Shqipërisë si destinacion turistik, duhet bërë një zhytje në internet, në kërkim të luahtjeve të shfaqjes së emrit Albania në të. Këtë lloj kërkimi më ndihmoi ta bëj specialist IT që më ndihmon për zhvillimin e sondazheve të mia.

Nga kërkimi i të gjitha faqeve në internet dhe i të gjitha rrjeteve sociale kudo në botë, na rezultoi se deri më 25 maj 2022, shfaqja e emrit Albania ishte minimale në sferën digjitale botërore. Por me fitoren e finales së Conference League në Tiranë nga Roma e Murinjos, shfaqja e emrit Albania pësoi një kërcim statistikor të habitshëm në sferën digjitale botërore.

Dy fjalë për “efektin Murinjo”

Kurrë nuk mund t’i shkonte ndër mend FSHF-së dhe qeverisë shqiptare (kur vendosën të ndërtonin Arenën Kombëtare “Air Albania”) se një ditë do të vinte në Tiranë të luante finalen e 5-të europiane traineri më i suksesshëm i finaleve, “The special One” Murinjo. E aq më tepër, që ai edhe do ta fitonte këtë finale. Një lajm ky që u shfaq në titujt e mediave (jo vetëm sportive) në mbi 150 vende të botës. Murinjo është një emër i njohur (brand name) botëror që e shumëfishoi vlerën promovuese të lajmeve mbi zhvillimin e finales së UEFA Conference League në Tiranë. Një bonus ekstra (falas) për punën e bërë nga FSHF-ja dhe qeveria shqiptare për sjelljen dhe organizimin e përsosur të asaj finaleje.

‘Orteku Murinjo’ po ngadalësohet…

Qysh kur filloi ‘Orteku Murinjo’, emri Albania në sferën digjitale botërore ka ruajtur një prezencë të kënaqshme për një vend të vogël, që ishte poshtë radarit ndërkombëtar digjital para pandemisë. Por ka shenja se ky ortek po ngadalësohet…

Në plazhin Durrës-Golem, më i gjati në vend (10 km) dhe me kapacitetet më të mëdha akomoduese për turistë, kanë filluar të mbizotërojnë ndjeshëm dialektet e gjuhës shqipe. Vjet mbizotëronin gjuhët e huaja…

Vjet operatorët turistikë raportonin se ishte shumë e vështirë të pronotoheshin dhoma në hotelet e plazhit Durrës-Golem. Kurse sivjet është shumë më e lehtë…

Edhe nëpër lokalet e plazhit Durrës-Golem, pronarët raportojnë se nuk ka gjasa ta kapin rekordin e xhiros së vjetshme…

Ç’duhet bërë në vijim?

Në një botë ku informacioni (pozitiv dhe negativ) lëviz me shpejtësinë e elektroneve, orteqet digjitale mund të mbarojnë aq shpejt sa fillojnë,. Që ‘Orteku Murinjo’ të vazhdojë gjatë, duhet që qeveria shqiptare dhe operatorët turistikë të bashkpunojnë për një strategji afatgjatë të zhvillimit të turizmit, ku të ndërthuret promovimi dhe përmirësimi i ofertës turistike të Shqipërisë.

 

 

 

Rutina e “Kilometrit të fundit”

7 July 2026 at 17:23

Nga Eduard Zaloshnja

Në janar Berisha filloi ciklin e N-të të protestave bulevardore të PD-së, me premtimin se ato do ta detyronin Ramën të jepte dorëheqjen, për t’i hapur rrugën krijimit të një qeverie teknike dhe zgjedhjeve të parakohëshme.

Cdo 10 ditë Berisha i thërriste përkrahësit e tij në bulevard, duke u dhënë shpresë se kishte mbetur vetëm “kilometri i fundit” në marshimin drejt rrëzimit të qeverisë Rama. Por pas cdo 10 ditësh, protesta tkurrej në numra dhe rritej në dhunë (në formën e molotovëve dhe flakadanëve).

Rutinën e “Kilometrit të fundit” Berisha e vazhdoi deri në mes të majit, kur u bë qesharak vazhdimi i mëtejshëm – po dukej më shumë si kilometri i fundit i vetë Berishës, se sa Ramës që e përqeshte atë nga Kryeministria.

Një rutinë të ngjashme, por me përmasa më të mëdha, po përsërisin organizatorët e protestave bulevardore aktuale. Cdo javë ata bëjnë thirrje për grumbullim masiv të protestuesve të shtunave (nga brenda e jashtë vendit), duke krijuar shpresën se të shtunën e rradhës turma protestuese do të jetë aq e madhe sa do ta detyrojë Ramën të japë dorëheqjen. Por turmat nga e shtuna në të shtunë vetëm zvoglohen…

Për më tepër, organizatorët e protestave nuk e kanë bërë të qartë publikisht se cdo të ndodhë, edhe sikur Rama të japë dorëheqjen. Deri tani ata kanë demonstruar se dinë të organizojnë rradhën e dhënies së mikrofonit protestuesve që duan të flasin apo itenerarin e marshimit pas përfundimit të protestës, por jo një rrugë kushtetuese për kurorëzimin e objektivit të tyre final.

Nikol Pashinijan, fjala vjen, e nisi në Armeni “Revolucionin e Kadifenjtë” me 100 protestues pas tij, dhe eventualisht në shesh u mblodhën mbi 100 mijë. E gjithë kjo zgjati nga 31 marsi 2018 deri më 8 maj 2018, kur Nikol Pashinijan u zgjodh kryeministër me pothuaj 60% të votave në parlament, megjithëse partia e tij kishte vetëm 10% të mandateve.

Kurse protestuesit bulevardorë në Tiranë nuk kanë as lider dhe as numrat në shesh për të realizuar atë që protestuesit armenë realizuan para gjashtë vjetësh. Këta tanët thjesht po vazhdojnë rutinën e “Kilometrit të Fundit”…

 

Deti i tërë mes së thënës e së bërës…

2 July 2026 at 10:23

Nga Eduard Zaloshnja

Kam bërë disa sondazhe qysh kur filloi cikli i protestave të shkaktuara nga përplasja e dhunshme e disa protestuesve me disa roje private në Zvërnec. Dhe jo të paktë kanë qenë në sondazhe përkrahësit e protestave, sidomos ata që banojnë në Tiranë.

Por sa nga përkrahësit në sondazhe kanë marrë pjesë fizikisht në protesta?

Në Korçë, Durrës, Shkodër, Fier etj., protestuan pak qindra në ditët e para pas përplasjes së Zvërnecit. Kurse në Tiranë protestat kanë vazhduar çdo mbrëmje në bulevard me pak mijë pjesmarrës, teksa vetëm më 20 qershor pati një pjesëmarrje vërtet të madhe (pjesëmarrje e fryrë edhe nga të ardhurit e diasporës dhe të trojeve shqiptare përrreth, të cilët nuk kanë qenë pjesë e sondazheve që kam zhvilluar këtu).

Ndërkohë, herë pas here, kam shëtitur mbrëmjeve në rrugët e Tiranës, për të kuptuar pse shumë nga ata që në sondazhe thonë se i përkrahin protestat, në fakt, nuk shkojnë në protestat bulevardore.

Nëpër kafene kam parë shumë të rinj, që ose ndjekin ndeshjet e kampionatit botëror, ose thjesht vazhdojnë muhabetet e tyre të përnatshme. Ndërkohë njerëz më të moshuar i kam parë duke vazhduar rutinën e tyre të zakonshme.

Gjatë kësaj periudhe, më ka rastisur të shkoj dy herë edhe në Fier. Situatë edhe më e qetë atje. Por besoj se njësoj ka qenë situata edhe në qytete të tjera.

Me pak fjalë, teksa jo pak i përkrahin protestat në sondazhe, fare pak dalin të protestojnë. Thënë ndryshe, është e lehtë të përgjigjesh në një sondazh se i përkrah protestat, por është e vështirë të ngrihesh nga kafeneja për të protestuar. Ose siç thotë populli, nga e thëna në të bërë, ndan një det i tërë…

Një produkt politik që mund të prodhojë protesta

30 June 2026 at 10:09

Nga Eduard Zaloshnja

Programi utopik i protestës së përnatshme bulevardore, herë i paraqitur në formë kërkesash nga lexues të ndryshëm në mikrofon dhe herë i paraqitur si platformë në rrjete sociale, nuk ka asnjë shans realizimi për sa kohë i gjithë bulevardi nuk mbushet plot me protestues 24 orë çdo ditë.

Po sa protestues mund ta mbushin të gjithë bulevardin nga kreu në fund?

Ja ç’na tregon aplikacioni CalcMaps (shihni më poshtë foton gjeodezike) për sipërfaqen e gjithë bulevardit (megjithë trotuaret), duke filluar nga Universiteti e deri tek fillimi i lulishtes së Monumentit të Skënderbeut: Është gjithsej 41,237 metra katrorë.

Sikur ajo sipërfaqe të mbushet (që nuk po mbushet) me protestues në dendësi mesatare normale protestash prej 2 personash për metër katror, i bie që të mblidhen rreth 83 mijë protestues, e të mos shkulen prej andej. (Imagjinoni 2 persona të ngujuar për orë të tëra në një ashensor të vogël nga ata një-metër-katrorëshit)

Por në realitet, turma protestuese më e madhe deri më sot (ajo e datës 20 qershor) shtrihej vetëm nga Kryeministria deri te Galeria e Arteve – e jo nga Universiteti deri tek fillimi i lulishtes së Monumentit të Skënderbeut. Për më tepër, ajo turmë u shpërnda kur ra nata, dhe në mbrëmjet pasardhëse ka ardhur duke u zvogëluar, e jo duke u rritur…

Sidoqoftë, edhe pse programi utopik i protestës së përditshme bulevardore nuk ka gjasa të realizohet, një objektiv politik organiztorët e saj mund ta arrijnë: Mund të nxjerrin një kandidat konkurrues përballë kandidatëve për kryebashkiakë të dy partive të mëdha.

Më 2023, vetëm 302 mijë zgjedhës tiranas morën pjesë në zgjedhjet bashkiake, nga rreth 500 mijë me banim këtu. Në ato zgjedhje, Qori, që u fut në garë si kandidat që do tërhiqte votuesit e zhgënjyer nga dy partitë e mëdha, mori vetëm 14 mijë vota…

Ndërsa një kadidat i dalë nga protesta aktuale mund të tërheqë vota nga ata tiranas që nuk kanë votuar fare. Duke e kthyer kështu për herë të parë garën për bashkinë e Tiranës në një garë treshe – mes dy kanditëve të partive të mëdha dhe kandidatit të protestës.

41,237 square meters

Ndërlikimet e kualifikimit në grupet e Kampionatit Botëror

27 June 2026 at 10:52

Nga Eduard Zaloshnja

Në karrierën time të gjatë, kam ndërtuar modele statistikore parashikuese në fusha të ndryshme. Ndërsa modelet statistikore parashikuese në futboll i ndërtoj për hobi, ngaqë e kam ndjekur sportin më të ndjekur në botë qysh në fëmini, dhe e studioj në vazhdimësi. Por këto modele statistikore janë më të vështirat që kam ndërtuar deri më sot – një miriadë e pafundme probabilitetesh…

Kampionati aktual botëror ka shtuar edhe një shkallë vështirësie statistikore në modelim. Përveç dy ekipeve të para në çdo grup, kualifikohen për më tej edhe disa ekipe të treta në grupe në bazë të pikaverazhit dhe golaverazhit. Dhe kjo nuk është një bezdi vetëm për statisticienët që llogarisin probabilitetet e kualifikimit, por edhe për miliarda ndjekësit në botë. Për të mos thënë se llogaritë që bëjnë trajnerët dhe lojtarët e ekipeve në garë, mund të prishin konkurrencën e pastër për kualifikim.

Kampionati Botëror i Futbollit, absolutisht evenimenti më i ndjekur jo vetëm në sport, do ishte mirē të kishte një formulë të qartë për kualifikimin në grupe: Dy ekipet e para në çdo grup (sipas pikaverazhit dhe golaverazhit) të kalonin grupin.

Se sa grupe duhet të jenë le ta vendosë FIFA sipas politikave të saj të përfshirjes sa më të gjerë të kontinenteve në Kampionatin Botëror!

“Partia e re” ka votues, por jo udhëheqës…

26 June 2026 at 09:39

Nga Eduard Zaloshnja

Në sondazhet e mija të përjavshme për ‘Zërin e Shqiptarëve’, konstatova qysh në fillim se votuesit e vjetshëm në Shqipëri po zhgënjeheshin nga partitë për të cilat votuan. Dhe duke filluar nga 30 nëntori, ndër përgjigjet për pyetjen “Për cilën parti do të votonin, po të zhvilloheshin sot zgjedhjet?”, shtova opsionin “Një parti të re, nëse krijohet”.

Përmes këtij opsioni, mund të veçoheshin ata që ishin zhgënjyer nga partitë ekzistuese, por që ishin gati të votonin për një parti të re. Ndërsa ata që nuk do të votonin fare, çfarëdo partie të krijohej, nuk përbënin interes studimi statistikor.

Më 30 nëntor, kur e shtova për herë të parë në sondazh opsionin e sipërcituar, 22.5% e të anketuarve që kishin votuar vjet në Shqipëri ishin gati të votonin për një parti të re, nëse krijohej (shihni grafikun e mëposhtëm, ku janë përfshirë datat më domethënëse statistikisht).

Më 12 janar, kuota e “partisë së re” u ngjit në 25.6%, dhe pastaj zbriti në 20% më 26 janar (kuota më e ulët në grafik). Më pas, kuotat e “partisë së re” ndoqën një trajektore ngjitëse që kulmoi me 35.1% më 11 maj. Por meqë një parti e re nuk po dukej në horizont, e hoqa opsionin për të në sondazh.

Me fillimin e protestave më 31 maj, duket se ka gjasa të krijohet një parti e re, por do ta shtoj atë në sondazh kur të krijohet (nëse krijohet). Atëherë opsioni nuk do të jetë më hipotetik – do të jetë një opsion konkret për një parti konkrete.

Sidoqoftë, nga 31 maji deri më sot, “partia e re” ka mbetur hipotetike. Në ditët e para dukej se aktivistët e partisë së Qorit ishin strumbullari organizues i protestës, por me shtimin e numrit të protestuesve dhe me ndryshimin e fokusit të saj (nga flamingot e Zvërnecit, te turlilloj temash të tjera), Qori & co. duken se kanë mbetëur thjesht pjesë e një amalgame të gjerë organizuesish dhe financuesish të protestës.

Para ca ditësh, në emër të grupit kordinues të protestës (pjestarët e të cilit nuk janë shpallur publikisht), Dritan Goxhaj lexoi një listë kërkesash, që të krijonte idenë e një programi konciz politik të asaj partisë së re që po pritet. Por pasi qarkulluan video ku Goxhaj kishte deklaruar publikisht se rotacioni politik zgjidhet me “plumbin e Avni Rustemit”, si dhe disa shkrime përkrahëse për Hezbollahun dhe Republikën Islamike të Iranit, leximin e listës me kërkesat e grupit kordinues e ka lexuar çdo ditë dikush tjetër. Goxhaj nuk është parë më afër mikrofonit të protestës.

Në fakt kërkesat që lexohen tani përnatë, ngjasojnë shumë me idetë që Qori i ka bërë publike me kohë. Po siç duket ai nuk do të dalë në krye të partisë së re, ngaqë është stigmatizuar gjerësisht si neomarksist. Për më tepër ai e provoi të garonte në zgjedhje në krye të një partie, dhe mori vetëm 1.5% të votave gjithsej (brenda e jashtë vendit).

Nejse, kur të krijohet partia e re (nëse krijohet), me udhëheqës dhe grup drejtues të shpallur publikisht, unë me kërshëri do ta shtoj atë në sondazhet e mia. Dhe atëherë, do të shohim se sa vota konkretisht mund të marrë ajo…

Premtimet për “qumështin me rubinet”

25 June 2026 at 14:05

Nga Eduard Zaloshnja

Ditët e fundit, janë lexuar disa deklarata në protestat e përnatshme bulevardore, ku renditen një sërë kërkesash për ndryshime rrënjësore. Dhe premtohet se protestat do t’i vazhdojnë deri sa kërkesat t’i realizojnë.

Kjo situatë më rikthen edhe një herë në mendje një rrëfim të një ish-partizani me origjinë nga familje bejlerësh, që e kujtoj sa herë dëgjoj premtime politike në këtë atdheun tonë.

Në dimrin e egër të vitit 1943, pasi i shpëtoi një operacioni të rreptë të forcave naziste, partizani i sipërpërmendur (pa mbushur 20 vjeç atëherë) shkoi në shtëpi i drobitur e i mbërdhihur. E ëma e pyeti se pse i ishte futur asaj rruge plot rreziqe e vujatje, ndërkohë që familja e tij i kishte të gjitha të mirat. Ai iu përgjigj: “Kur të fitojmë ne, do të jenë të gjithë më mirë – madje edhe qumështi do t’u vijë të gjithëve me rubinet në shtëpi”

Dy dekada më vonë, pasi ish-shokët e luftës e kishin degëdisur ish-partizanin në Burgun e Burrelit dhe ai mezi ia dilte të ushqente familjen pas daljes nga burgu, e ëma i tha një ditë: “Jo vetëm që ai qumështi yt nuk na erdhi në shtëpi me rubinet, por duke pritur sot në rradhë për qumësht, një mistrec i vogël më grabiti edhe njëqind-lekëshin që po mbaja në dorë…”

Vetëm dy dekada e gjysmë pas atij episodi, në treg nuk kishte më as rubineta e as qumësht…

Episodi i mësipërm më është kujtuar në mars 1991, kur Gramoz Pashko nxori nga xhepi një copë letër në një meting në Berat, dhe tha se ajo copë letër ishte çeku i bardhë që ia kishte dhënë Amerika, për të sjellë mirëqenie pas ardhjes së PD-së në pushtet. Thjesht fjalët “qumësht me rubinet” u zëvendësuan me fjalët “çek i bardhë”…

Pas episodit të “çekut të bardhë”, pothuaj të gjitha ndërmarrjet industriale e bujqësore u mbylllën, kooperativat u shpërbënë, e për rrjedhojë, papunësia dhe emigracioni u rritën në mënyrë të tejskajshme. Ata që mbetën në Shqipëri mbijetuan falë ndihmave humanitare të operacionit italian “Pelikan” dhe falë valutës e pakove që filluan të dërgonin emigrantët e rinj.

Pasi Berisha mori frenat e pushtetit, “qumështi me rubinet” mori formën e “modelit tajvanez”, që sipas Berishës do të sillte prosperitet për të gjithë ata që do të merrnin inisiativën për të hapur biznese të vogla. Në praktikë, ky model përkthehej në zaptimin e çfardolloj trualli nga më të fortët, për ndërtimin pa leje të kioskave, kafeneve, restoranteve etj. etj. Simboli më domethënës i “modelit tajvanez” ishte në atë kohë grumbulli i rrëmujshëm i lokaleve pa leje përrreth atij që njihej gjerësisht si “Tajvani” (në Parkun Rinia të Tiranës).

Më tej, “qumështi me rubinet” mori formën e garancisë publike se firmat e fuqishme private të asaj kohe qarkullonin vetëm “para të pastra” (eventualisht, ato firma rezultuan thjesht skema piramidale). Teksa Berisha përbetohej publikisht për pastërtinë e parave të atyre firmave, shqiptarët e thjeshtë shisnin shtëpi e katandi për të investuar në to, ndërkohë që kafenetë e restorantet ishin të mbushura plot me njerëz që rronin e gëzonin me interesat e larta të firmave piramidale.

Dhe kur “qumështi” i firmave piramidale shteroi, shqiptarët e zhgënjyer iu turrën institucioneve shtetërore dhe depove ushtarake, duke shkaktuar një katrahurë me rreth 3 mijë viktima. Pas katrahurës, Berisha u detyrua ta dorzojë pushtetin, dhe në krye të tij erdhi Fatos Nano.

Ky i fundit pati një tjetër version të “qumështit me rubinet” – do t’u kthejmë shqiptarëve 100% të parave që investuan në firmat piramidale, premtoi Nano. Në fakt, me kalimin e viteve, edhe ato pak prona që iu konfiskuan firmave piramidale u shitën andej-këndej, ndërsa shqiptarët e thjeshtë morën pothuaj 0% të parave që investuan në firmat piramidale…

Kur Berisha u rikthye në pushtet, u tregua më i matur në premtimet e tij. Po sidoqoftë, nja dy “qumështa me rubinet” i premtoi – autostradën moderne Durrës-Morinë dhe portin gjigand të Vlorës, që sipas tij, do të ishte më i madhi në Ballkan dhe në gjithë Europën Lindore…

Nga autostrada moderne e premtuar atëherë, edhe sot vetëm dy segmente mund të quhen segmente moderne: Kashar-Thumanë (ndërtuar rishtazi) dhe Rrëshen-Kalimash (pwrfunduar më 2009). Nga Miloti në Rrëshen kemi edhe sot vetëm një superstradë (pra, jo autostradë). Nga Durrësi në Kashar kemi një autostradë me arrna, ndërsa nga Kalimashi në Morinë kemi një autostradë ku edhe sot punohet vende-vende.

Ndërsa premtimi i Berishës për portin gjigand të Vlorës thjesht u harrua. (Sa për premtimin e tij të qeverisjes me duar të pastra, gjëmën ia kemi dëgjuar dikur në Gërdec dhe tymin po ia shohim tani nëpër letrat e privatizimit të Klubit Partizani.)

Ndryshe nga paraardhësit, Edi Rama nuk ka përdorur versionin e rubinetit në premtimet e tij – ai përdor musllukun digjital. Nga ky muslluk lëshon çdo ditë pika “qumështi”, që marrin formën e videove 3D – për rrugë që po ndërtohen, por që mezi po mbarohen; për aeroporte që ndërtohen, por që nuk frekuentohen (Kukësi); për aeroporte që po ndërtohen, por që nuk po mbarohen (Vlora); për inceneratorë që ndërtohen, por që me to vartësit korruptohen; etj., etj…

Pas 36 vjetësh premtimesh të politikanëve tanë, rezultatet janë këto:

  • 2 milionë shtetas shqiptarë janë sot në emigracion (1.5 milionë ishin në emigracion qysh më 2011).
  • 60% e familjeve në Shqipëri nuk kanë mundësi financiare që të shkojnë me pushime të paktën 1 javë në vit.
  • 40% e popullsisë së Shqipërisë jeton me më pak se 5 dollarë të ardhura për frymë në ditë.
  • 23% e popullsisë së Shqipërisë jeton me më pak se 2 dollarë të ardhura për frymë në ditë.
  • 70% e të rinjve shqiptarë duan të emigrojnë.
  • Lideri i partisë më të madhe opozitare (prejt të cilës gjoja pritet ndryshim) është një plak 82-vjeçar, i cili i ka zhgënjyer shqiptarët disa herë në këto 36 vjet…
  • Liderët “në hije” të protestave aktuale nxjerrin dikë të lexojë programin politik për ndryshimin e sistemit aktual dhe të nesërmen përhapin “në hije” fjalën se ai kishte vetëm mikrofonin, teksa truri jemi ne…

Disi afër protestës së 11 Dhjetorit 1990, por…

22 June 2026 at 11:00

Nga Eduard Zaloshnja

Është e pamundur të konkurosh me precizionin kirurgjikal të Doktor Berishës në llogaritjen e pjesëmarrësve në protesta – plot gjysëm milion shqiptarë ishin në protestën e së shtunës, deklaroi ai! Dhe kur Doktori deklaron numra kaq precizë, mua më mbetet të bëj vetëm krahasime relative…

Qysh nga protesta e 11 Dhjetorit 1990, s’kisha parë në Tiranë ndonjë që t’i afrohej asaj për nga pjesëmarrja – një lumë prej dhjetra mijë kryeqytetasish u derdhën atë natë në mënyrë spontane në sheshin e Qytetit Studenti, me dëshirën e shpresën se sistemi do të ndryshonte – si kudo në Europën Lindore.

Të shtunën në darkë (20 qershor) pashë në bulevard një protestë që i afrohej disi asaj të 11 Dhjetorit 1990 për nga pjesëmarrja, por jo nga përbërja. Te kjo e tanishmja kishte qytetarë të Tiranës, por edhe shumë nga trojet e tjera shqiptare dhe nga diaspora. Ata ishin grumbulluar me dëshirën e shpresën se do të rrëzonin qeverinë Rama.

Në fund të protestës së 11 dhjetorit 1990, një grup nismëtar themeloi Partinë Demokratike, me në krye studentin Azem Hajdari. Dhe të nesërmen, partia e sapokrijuar prezantoi një program politik me 14 pika në një meting madhështor në sheshin e Qytetit Studenti.

Nga ana tjetër, protesta e së shtunës përfundoi me një grup qëndrestar para kryeministrisë, që e gëdhiu natën me premtimin se protestat do të vazhdojnë (shihni foton e mëposhtme). Dhe në fakt, të djelën u rikthye protesta e përnatshme rutinore bulevardore…

SHËNIM: Turma më e madhe që kam parë në Tiranë është mbledhur më 1991, për të dëgjuar fjalimin e Sekretarit të Shtetit, James Baker. Absolutisht e paarritshme për nga madhësia!

Votimi ndan shapin nga sheqeri

21 June 2026 at 14:39

Nga Eduard Zaloshnja

Është praktikisht e pamundur të anketohen protestuesit bulevardorë, kur protesta zjen në bulevard. Sidoqoftë, nga pankartat dhe fjalimet 3-minutshe të tyre, duket se janë të turlillojta arsyet pse ata protetstojnë. Dhe për turlilloj arsyesh, ndoshta disa qindra mijë të tjerë i përkrahin protestat, pa marrë pjesë në to.

Sidoqoftë, ka një mënyrë të drejtpërdrejtë për ta matur nivelin e përkrhajes ndaj protestave – votimi në zgjedhje.

Në qoftë se organizatorët e protestave bulevardore zyrtarizojnë një subjekt elektoral me një listë kandidatësh për zgjedhjet lokale të rradhës, mund të matet konkretisht pesha e tyre elektotrale.

Kurse nëse zhvillohen zgjedhje të parakohshme parlamentare (siç bulevardorët shpresojnë), aq më mirë do të ishte – sepse do të votonin edhe zgjedhësit e diasporës në zgjedhje parlamentare.

Dhe kështu do të mësonim se sa zgjedhës janë realisht edhe kundër Ramës, edhe kundër Berishës – siç deklamohet rëndom nga bulevardorët…

Elektorati violet, blu etj, dhe gri

19 June 2026 at 10:48

Nga Eduard Zaloshnja

Në qoftë se do të ishin zhvilluar zgjedhje të djelën, vetëm 1 milion banorë të rritur të vendit do të kishin votuar, nga 1.9 milionë gjithsej – kështu rezultoi nga sondazhi që zhvillova në fundjavë. Dhe nga 1 milion që do të votonin, rreth 670 mijë do t’ia jepnin votat PS-së, përkundër rreth 330 mijëve që do t’ia jepnin partive të tjera ekzistuese (PD, PL, PR, PDIU, PAA, PBDNJ, PSD, Bashkë, Mundësia, Nisma Bëhet, etj, etj.). Kurse rreth 900 mijë nuk do të votonin fare (shihni grafikun e mëposhtëm).

Segmenti violet në grafikun e mësipërm përfaqësohet aktualisht në Kuvend nga 82 deputetë (se 1 i iku te kecat). Segmenti blu etj. përfaqësohet nga 54 deputetë. Ndërsa 3 deputetë përfaqësojnë segmentin autonom socialdemokrat (i papërfshirë në grafikun e mësipërm).

Po segmenti gri ku përfaqësohet?

Për sa kohë parrulla kryesore e protestave në bulevardin e Tiranës është “Rama n’burg – Berisha n’burg!”, segementi gri mund ta ndjejë veten të përfaqësuar nga to. Por ky është një përfaqësim shumë kaotik…

Në podiumin e protestave (të improvizuar me një shkallë bojaxhinjsh), dikush me borsalino në kokë deklaron se “lufta do gjak”. Dikush tjetër deklaron se duhet të ringjallim Lidhjen e Dytë të Prizerenit (që funksionoi vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore). Dikush tjetër qan hallin e kecave të tij që kanë mbetur pa ujë në një fshat të largët malor, etj. etj. etj. etj.

Ndërkohë, përrreth protestës, një listë personazhesh të njohur e të panjohur për publikun ka shpallur një peticion politik. Një listë “akademikësh” në emigracion ka shpallur një thirrje mbarëkombëtare. Një listë OJQ-istash kanë bërë kërkesë në KQZ për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
Dhe protestat vazhdojnë të organizohen nga një treshe me origjinë nga Rrjolli, Kukësi e Lezha, të cilët marrin leje zyrtare në polici.

Me pak fjalë, nuk duken shenja tymi të bardhë përfaqësimi konkret për 900 mijët që nuk duan të votojnë asnjë nga partitë ekzistuese…

E vërteta e numrave të protestës që (nuk) bëjnë cilësinë

18 June 2026 at 16:56

Nga Eduard Zaloshnja

Jo pak shqiptarë mund të kenë vënë bast mental (ose konkret) se protestat që morën shkas nga përplasja e dhunshme e disa rojeve private me disa protestues në Zvërnec, nuk do të zgjasnin shumë në bulevardin e Tiranës. Por pas 18 ditësh, protestat e kanë fituar bastin – ato vazhdojnë…

Bazuar në shuarjen graduale të protestave periodike berishiane, që filluan me shumë pjesëmarrës në janar e që përfunduan me vetëm një mijë protestues më 11 maj, si dhe në afrimin e Kampionatit Botëror e të sezonit të plazhit, ata që vunë bast për shuarjen e protestave aktuale nuk mund tëparagjykohen – tek e fundit, nuk kishte ndodhur ndonjëherë në historinë tonë që18 ditë rresht të protestonin shumë njerëz në bulevard.

Duke e quajtur të mbyllur bastin e vazhdimësisë, le të diskutojmë për madhësinë e protestave.

Sipas Sali Berishës, numri maksimal i protestuesve ka qenë 200 mijë. Sipas senatorit neomarksist amerikan Bernie Sanders, ka qenë 100 mijë. Sipas Edi Ramës ka qenë 8 mijë.

Nuk do t’i futem analizave numerike të fotove të marra me dron nga lart, apo të sondazheve që kam kryer, por thjesht do të diskutoj më poshtëbazuar në shikimin vizual që u kam bërëprotestave nga afër pas perëndimit të diellit (kur vapa bie).

Në shumicën dërrmuese të tyre, protestuesit kanë qenë të grumbulluar nga shkallët e kryeministrisë deri te fundi i Kullës Binjake veriore. Vetëm më 10 qershor, trupa e protestës arriti deri tek fillimi i ish-Hotel Dajtit.

Kuptohet që protestuesit asnjëherë nuk kanë qenë të ngjeshur 4 në 1 metër katror në gjatësinë e trupës së protestës – imagjinoni 4 veta të ngjeshur si sardele në një ashensor 1 metër katror! Por me atë dendësi mesatare që kanë patur, po ta kishin mbushur bulevardin nga Universiteti deri te Monumenti i Skënderbeut, do të arrinin numrin 85 mijë. Dhe në qoftë se 85 mijëprotestues do të qëndronin atje ditë e natë,ndoshta do ta kishin realizuar objektivin e tyre kryesor – dorëheqjen e Ramës.

Kaq për anën sasiore të protestave aktuale.

Për anën cilësore të protestave, thjesht dëgjoni fjalimet e atyre që kapin mikrofonin çdo 3 minuta në podiumin e improvizuar të protestës…

❌
❌