Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 July 2026Java News

Ekskluzive/Sondazh: 60% e shqiptarëve duan më pak bashki se sa janë sot

22 July 2026 at 10:44
JAVANEWS komisionoi sondazhistin e mirënjohur Eduard Zaloshnja, për të zhvilluar një sondazh në të gjithë territorin e vendit, ku pyetja kryesore ishte: “Sa bashki duhet të ketë Shqipëria, krahasuar me ato që ka sot?”.
Pyetësorin e shpërndarë me një link përmes SMS-ve krejt të rastësishme nga Vermoshi në Konispol e plotësuan 1360 banorë të rritur, duke garantuar një maksimum marzhi gabimi statistikor +/- 2.8% për kampionin e plotë, si dhe një përfaqësim të përafërt statistikor të popullsisë së rritur, nga pikpamja gjeografike, demografike, arsimore dhe politike.
Nga sondazhi rezultoi se plot 60% e të anketuarve mendojnë se duhen më pak bashki se sa janë aktualisht, 34.5% mendojnë se duhen më shumë, dhe 5.5% janë të dyzuar (shihni grafikun e mëposhtëm). Këto rezultate ishin të ngjashme edhe për shtresa të ndryshme gjeografike, demografike dhe arsimore të kampionit.
Teksa rezultatet ishin të ngjashme në shtresat e ndryshme gjeografike, demografike dhe arsimore të kampionit, te shtresëzimi politik ndryshon puna.
Meqë në pyetësor ishte edhe një pyetje sesi kishin votuar të anketuarit në zgjedhjet e vjetshme parlamentare, mund të analizohet votimi i vjetshëm i atyre që kanë zgjedhur opsionet “Më shumë”, “Më pak”, ose “I/e dyzuar”.
Nga kjo analizë rezulton se te 60-përqindëshi që mendon se duhen më pak bashki, 2/3 kanë votuar vjet për PS-në.
Nga ana tjetër, te 34.5-përqindëshi që mendon se duhen më shumë bashki, 3/4 kanë votuar vjet për PD-ASHM. Kurse pothuajse i gjithë 5.5-përqindëshi i të dyzuarve, vjet ose nuk votoi fare, ose votoi për parti të vogla (shihni tabelën e mëposhtme).
Sa bashki duhet të ketë Shqipëria, krahasuar me ato që ka sot? Gjithsej Për kë votuan vjet:
Yesterday — 21 July 2026Java News

36 bashki apo më shumë?

21 July 2026 at 10:51

Nga Eduard Zaloshnja

Dita e miratimit të një ndarjeje të re territoriale të vendit po afron. Sepse vetëm pas 10 muajsh do të zgjvillohen zgjedhjet bashkiake, dhe po nuk u miratua tani ndarja e re territoriale, mbetet të kryhet pas 4 vjetësh.

Një nga pyetjet më të rëndësishme rreth ndarjes së re territoriale është ajo për numrin e bashkive. Por që të arrihet tek ky numër, duhet bërë një shikim historik i ndarjes territoriale së Shqipërisë, qysh nga pavarësia e saj.

Nga shpallja e pavarësisë deri në Luftën e Dytë botërore, vendi ishte i ndarë në prefektura, nënprefektura, bashki dhe komuna (sipas kësaj hierarkie). Ajo ndarje bazohej në kritere gjeografike, historike dhe ekonomike (e ngjyrosur me ndikim franko-italian). Prefektët sidomos, ishin asokohe personalitete me fuqi të madhe politike.

Me ardhjen e Partisë Komuniste në fuqi, ndarja e mëparshme teritoriale u ndryshua gradualisht dhe u krijuan eventualisht 26 rrethe, komitetet ekzekutive të të cilave administronin qytetet dhe fshatrat brenda secilt rreth.

Me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet, u rikthye një version i ndarjes territoriale të dikurshme, me qarqe, rrethe, bashki dhe komuna. Por prefektët e qarqeve nuk e kishin më fuqinë politike që kishin patur paraardhësit e tyre. Vendi u nda në 12 qarqe, që përfshin në to 36 rrethe. Brenda çdo rrethi kishte bashki dhe komuna, drejtuesit e të cilave zgjidheshin drejtpërdrej nga banorët.

Në vitin 2014, Partia Socialiste propozoi që komunat dhe bashkitë e vogla të suprimoheshin dhe vendi të kishte vetëm 36 bashki – një për secilin rreth. Por për t’u miratuar ajo ndarje duheshin në Kuvend edhe votat e LS-së dhe PDIU-së. Dhe negociatat me to prodhuan një hartë me 61 bashki, e jo me 36…

Dekada e shkuar ka treguar se jo pak bashki të vogla (ndër 61) nuk kanë funksionuar siç duhet. Prandaj ka lindur nevoja që disa t’u përngjiten bashkive me të mëdha. Dhe pyetja është a do të shkohet tek versioni fillestar i PS-së me 36 bashki?

Po të ndiqen vetëm kriteret historike, gjeografike dhe ekonomike, është më se e arsyeshme që të kemi vetëm 36 bashki. Por sidoqoftë, duhen mbajtur parasysh edhe kritere të tjera si ato të funksionalitetit, të dendësisë së popullsisë, të aftësisë fiskale, aftësisë së thithjes së fondeve për investime, etj.

Fjala vjen, nisur vetëm nga kriteret historike, gjeografike dhe ekonomike, Kamza e Vora do të duhej t’i përngjiteshin Bashkisë Tiranë. Por kritere të tjera si ato të funksionalitetit, të dendësisë së popullsisë, të aftësisë fiskale, aftësisë së thithjes së fondeve për investime, etj. mund ta justifikojnë vazhdimin e tyre si bashki më vete. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Malsinë e Madhe dhe Vaun e Dejës në Qarkun Shkodër.

Nga ana tjetër, një bashki si Mirdita mund të mos i përmbushë dot kritere si ato të funksionalitetit, të dendësisë së popullsisë, të aftësisë fiskale, aftësisë së thithjes së fondeve për investime, etj., por ajo përmbush një kriter të fortë historik. Ka qënë e vetmja krahinë autonome në Shqipëri përgjatë 500 vjetëve të sundimit otoman!

Nisur nga sa më sipër, duhet që ndarja e re territoriale të rezultojë me më shumë se 36 bashki.

Ndarja në rajone (që do të bëhet për herë të parë në Shqipëri), do të realizohet në një fazë të dytë, ngaqë nuk lidhet me zgjedhjet lokale të pranverës 2027. Për atë ndarje, kriteret historike, gjeografike dhe ekonomike janë mëse të mjaftueshme. Bazuar në to, vendi mund të ndahet në 4 rajone: Rajoni Verior (qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë e Dibër), Rajoni Qendror (qarqet Tiranë e Durrës), Rajoni Juglindor (qarqet Elbasan e Korçë), dhe Rajoni Jugperëndimor (qarqet Fier, Berat, Vlorë e Gjirokastër).

Before yesterdayJava News

A janë shqiptarët nga Kosova bukuria e turizmit shqiptar?

19 July 2026 at 16:47

Nga Kreshnik Spahiu

Dje po pija kafe te Toni, miku im në Golem, i cili ka një hotel me 50 dhoma.

Temperaturat shënonin 34 gradë dhe po qëndronim në holl, ku hynin e dilnin turistët e huaj. Kryesisht ishin nga Polonia dhe Rumania.

Ajo që më bëri përshtypje ishte se të gjithë hynin me qese të mëdha me ushqime dhe ngjiteshin në dhoma. Ushqimet ishin të ndryshme, fruta dhe perime, por edhe ushqime të gatshme, ku kundërmonte era e qofteve dhe byrekëve.

E pyeta mikun tim: “Ore, ç’bëhet kështu? Lart ke dhoma hoteli apo apartamente me kuzhina?”

Toni ngrysi vetullat dhe, i tërbuar, ma ktheu:

“Lëre, lëre, vëlla, se ankoheshim kot nga kosovarët kur thoshim që vijnë me bukë me vete në plazh. Ata së paku e hanin një vakt në restorant dhe, maksimumi, në dhomë merrnin fruta. Ndërsa me këta polakët dhe rumunët kam tre muaj që paguaj kuzhinierët kot, se nuk hyn askush në restorant.”
Pasi e dëgjova, e ripyeta Tonin: “Sa nga këta turistët e huaj rikthehen sërish në Shqipëri?”

Përgjigjja ishte e prerë: “Asnjë.”

Kjo histori na bën të reflektojmë dhe rivlerësojmë vëllezërit dhe motrat tona nga Kosova, që me dekada i qëndruan besnikë bregdetit shqiptar:

* Ata nuk na braktisën kur ne i nënçmuam.
* Ata nuk u larguan edhe kur ne i mashtruam për çmimet.
* Ata u rikthyen edhe kur ne nuk i ofronim shërbimet e duhura.
* Ata vazhduan të vinin edhe kur i injoronim.

Ata na qëndruan besnikë edhe kur Mali i Zi apo Kroacia ofronin cilësi, shërbim dhe çmim më të mirë se Shqipëria.

Kosova i qëndroi Shqipërisë por kurrë nuk mori dashurinë që meriton.

Sot asnjë turist i huaj nuk rikthehet për herë të dytë në Shqipëri, ndërsa qindra mijëra shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia kanë blerë shtëpitë e tyre në plazh, madje kanë hapur edhe biznese në bregdet.

Pas tre dekadash, Shqipëria duhet t’i kërkojë falje Kosovës për keqpritjen në bregdet.

Ata ishin klientët e parë dhe ata do të mbeten të fundit. Ata na mësuan si duhet të ndryshojmë dhe të përmirësohemi, me parimin që në turizëm: “Klienti dhe turisti janë mbret dhe pronar të biznesit.”

Qartazi, djemtë dhe vajzat nga Kosova e njohin biznesin, shërbimin dhe turizmin më shumë se shqiptarët e Shqipërisë. Dikur, kur ata shëtisnin turistë pa viza deri në Amerikë, ne shqiptarëve të Shqipërisë na duhej vizë të hynim në Drilon apo Butrint. Ne vriteshim në kufi, kur ata bënin turizëm evropian.

Pas tre dekadash, ne duhet të na vijë turp që nuk i kemi vlerësuar dhe nuk i kemi dhuruar dashurinë që ata meritonin.

Ne nuk e meritojmë turizmin elitar, por duhet të shpallim prioritet kombëtar turizmin patriotik.

10 milionë shqiptarë nga diaspora, Kosova, Maqedonia dhe çdo trevë shqiptare duhet të kenë kartë jeshile për lehtësira në turizmin shqiptar, kudo në bregdet.

Shqipëria është e bukur, por lulet dhe magjia e saj janë shqiptarët e Kosovës.

Ndoshta një ditë të gjithë do të na braktisin gjermanët, francezët, polakët, holandezët, por ne kurrë s’do të ngelim vetëm, sepse edhe në ditët më të zeza të turizmit shqiptar do të kemi patriotët kosovarë.

Shqipëria i ka shumë borxhe turistëve nga Kosova.

Përballueshmëria e jetesës

19 July 2026 at 12:00

Nga Eduard Zaloshnja

Qysh pas tronditjes ekonomike që shkaktoi pandemia Covid-19, dhe duke vijuar me krizat e tjera botërore, fjala angleze affordability (që përmbledh aftësinë financiare të familjeve për të paguar ushqime, shërbime e strehim, pa mbetur pa para për nevoja të tjera bazike) ka qenë në qendër të debateve politike dhe ekonomike në shumë vende. Në shqip, kjo fjalë mund të përmblidhet me togëfjalëshin “përballueshmëria e jetesës”.

Vitet e fundit, edhe qeveria shqiptare, si shumë të tjera të botës, është munduar ta adresojë problemin e përballueshmërisë së jetesës. Kështu, pagat në Shqipëri janë rritur mesatarisht 51.6% nga 1 janari 2021, ndërsa pensionet 24.7%. Nga ana tjetër, çmimi i shportës mesatare të konsumit është rritur 22.5% gjatë së njëjtës periudhë.

Sidoqoftë, mosha dhe shtresa të ndryshme të popullsisë kanë probleme të ndryshme.

Kështu, pensionistëve ka shumë vite që u është dhënë shpërblim ekstra, për t’i ndihmuar me shpenzimet e festave të fundvitit.  Ndërsa vitet e fundit u është dhënë shpërblim ekstra edhe në mes të vitit. Sidoqoftë shumica e tyre kanë nevojë për një rritje progressive të pensioneve, ku shtetasit me pensione më të ulta të kenë rritje më të madhe të tyre. Në këtë mënyrë, ushqimet dhe ilaçet, për të cilat shpenzojnë pjesën dërrmuese të buxhetit modest familjar, mund të bëhen më të përballueshme.

Të rinjtë që duan të hapin biznese të reja (start-ups quhen në anglisht) kanë nevojë për mbështetje financiare, dhe qeveria ka dhënë deri më sot 16.5 milionë euro grante falas për ta. Ndërkohë, parashikohen edhe 18 milionë euro të tjera deri më 2029.

Bizneset e vogla, ku mbizotëron brezi i mesëm moshor, kanë nevojë për kredi të buta. Dhe qeveria u ka premtuar garanci sovrane deri në 1 miliard euro, për kredira deri 2 milionë euro me interes 2-3%.

Çiftet e reja në qendrat e mëdha urbane, në shumë raste, nuk e përballojnë dot blerjen e një apartamenti modest. Dhe qeveria po përgatit një program për t’i ndihmuar ata.

Qeveria po stimulon edhe arsimin profesional, në mënyrë që të rinjtë të mësojnë zanate dhe të punojnë këtu (ku tregu ka shumë nevojë për zanatçij).

Ndërkohë, bujqësia, me të cilën mbahet 1/3 e popullsisë, parashikohet të mbështetet me rreth 900 milionë euro deri më 2029, duke përfshirë edhe financimet e huaja.

Se sa efekt do të kenë këto përpjekje të qevrisë, mbetet të shihet në vitet në vijim.

Dita e Euros po vjen – lekët jashtë bankave duhen shkëmbyer me euro…

18 July 2026 at 09:14

Nga Eduard Zaloshnja

Në projektligjin e ri “Për Bankën e Shqipërisë”, është përfshirë një kapitull ku përcaktohet se, me antarësimin tonë në BE, Euro do të përdoret si para zyrtare e vendit. Më tej, theksohet edhe se Banka e Shqipërisë do t’i përshtatet rregullave të Bankës Qendrore Evropiane.

I gjithë kapitulli XV i këtij projektligji të hedhur për konsultim publik sqaron sesi do të funksionojë qarkullimi i Euros në Shqipëri dhe sesi do të mbahet rezerva valutore shtetërore.

Në 100 vjetët e fundit, Leku ka qenë paraja zyrtare e Shqipërisë, pavarsisht se ndër qytetarët dhe tregtarët mund të kenë qarkulluar florinjtë, frangat, liretat, stërlinat, dollarët, dhramitë, markat, dhe, së fundmi, eurot.

Aktualisht, nga gjithë lekët që ka emetuar deri më sot Banka e Shqipërisë, rreth 40% janë jashtë sistemit bankar (në kuletat e qytetarëve dhe nën dyshekët e tregëtarëve). Por deri në ditën kur Leku do të dalë nga qarkullimi, kushdo që ka lekë (në kuleta apo nën dyshekë) do duhet t’i shkëmbejë me euro – sepse lekët pastaj do të kenë vetëm vlerë muzeale.

Një faktor që duket se e ka mbajtur në nivel të lartë sasinë e lekëve jashtë sistemit bankar ka qenë rënia e kursit të euros pas bumit turistik të viteve të fundit.

Kush kishte euro nën dyshek mund t’i ketë shkëmbyer me lekë në tregun jobankar valutor, duke parë se vlera e eurove të tyre po binte nga muaji në muaj. Dhe këto shkëmbime duket se e kanë përforcuar edhe më tej kurbën rënëse të Euros (përmirësimi i bilancit të pagesave të vendit nuk e shpjegon dot i vetëm rënien e Euros me 22% në 5 vjetët e fundit).

Sidoqoftë, ata që kanë akumuluar lekë nën dyshekë kanë 3-4 vjet kohë që t’i shkëmbejnë lekët me euro, se më pas do t’u myken poshtë dyshekut…

Garat në Tiranë dhe Shkodër – analizë paraprake

17 July 2026 at 14:12

Nga Eduard Zaloshnja

Pas dhjetë muajsh do të zhvillohen zgjedhje bashkiake, në të cilat votojnë vetëm zgjedhës që banojnë në Shqipëri (jo ata jashtë saj). Në zgjedhjet bashkiake, gara më interesante elektoralisht pritet të jetë ajo e Tiranës, si edhe ajo e Shkodrës (të tjërave u dihet fundi pa filluar fillimi, përveç ndonjë bashkie të parëndësishme statistikisht).

Gara e Tiranës

Më 2023, garën e fitoi thellë kandidati socialist, për të cilin votuan rreth 165 mijë kryeqytetas (disa mijërave u rezultuan votat e pavlefshme, ngaqë u ngatërruan me fletëvotimet disa-emërore). Nga ana tjetër, për kandidadin demokrat votuan rreth 104 mijë kryeqytetas (disa mijërave u rezultuan votat e pavlefshme, ngaqë u ngatërruan me fletëvotimet disa-emërore). Ndërkohë, për katër kandidatët e tjerë votuan vetëm 33 mijë kryeqytetas.

Në garën e ardhshme kryeqytetase, kandidatja socialiste (që dihet se do të jetë Ogerta Manastirliu) mund të përballet me dy kandidatë domethënës statistikisht, e jo më me pesë liliputë statistikorë. Dhe ja pse:

  • Së pari, Berisha duket se nuk do ta bëjë më gabimin e vitit 2023, kur caktoi një kandidat besnik të tij, i cili i humbi zgjedhjet me 60 mijë vota diferencë. Kësaj here mund të caktojë një kandidat jo aq besnik, por që mund të thithë më shumë vota kryeqytetase.
  • Së dyti, kjo dallga protestore bulevardore mund të prodhojë një kandidat serioz për Bashkinë Tiranë. Dhe nëse kjo gjë ndodh, gara elektorale kryeqytetase mund të shndërrohet në një garë treshe.

Nga sa kam sonduar deri më sot, një kandidat hipitotetik i protestës bulevardore mund të dalë në vend të dytë (afër Manastriliut), duke e lënë në vend të tretë një kandidat potencial të Berishës. Por këto janë sondazhe paraprake…

Gara e Shkodrës

Më 2023, garën e fitoi thellë kandidati socialist, për të cilin votuan pothuaj rreth 36 mijë shkodranë (disa qindrave u rezultuan votat e pavlefshme, ngaqë u ngatërruan në plotësimin e fletëvotimeve). Nga ana tjetër, për kandidadin demokrat votuan rreth 24 mijë shkodranë (disa qindrave u rezultuan votat e pavlefshme, ngaqë u ngatërruan në plotësimin e fletëvotimeve).

Aktualisht nuk kam zhvilluar ndonjë sondazh në Shkodër, por rezultatet e 2023-shit tregojnë se plot 13 mijë shkodranë votuan për PSD-në atëherë. Dhe PSD-ja e përkrahu fort në terren asokohe kandidatin socialist për kryebashkiak.

Domethënë, në qoftë se socialdemokratët shkodranë përkrahin përsëri kandidatin socialist (që duket se do të jetë edhe këtë herë Benet Beci), gjasat janë për një fitore prapë të thellë (pavarësisht se kush do të jetë kandidati opozitar).

Protagonizmi që vret legjendën

16 July 2026 at 18:33

Nga Shpëtim Luku

Ka disa persona, sidomos në biznes, që kanë arritur një sukses të caktuar dhe e përjetojnë në heshtje jehonën e tij, të përhapur në publik përmes copëzash bisedash, historish dhe legjendash urbane. Rreth tyre krijohet një profil pothuajse mitik: njerëz që kanë ditur të marrin vendimin e duhur në kohën e duhur, të bëjnë manovrën e duhur, të zgjedhin bashkëpunëtorët e duhur, të ndërtojnë ekipin e duhur dhe të zbatojnë strategjinë e duhur. Deri këtu, gjithçka është në rregull. Madje, këto histori përcjellin një mesazh pozitiv tek të tjerët: se suksesi lidhet me zgjedhjet, këmbënguljen dhe aftësinë.
Problemi nis kur disa prej tyre sëmuren nga protagonizmi publik. Vendosin të dalin çdo ditë në skenë, për t’u shpjeguar të tjerëve se sa të jashtëzakonshëm janë. Pikërisht aty ndodh paradoksi: publiku që deri dje i kishte ngritur në piedestal si “legjenda” të gjalla, fillon të zbulojë se pas mitit fshihet një njeri krejt i zakonshëm, e shumë herë edhe i rëndomtë.
Shembulli më spektakolar është ai i kryetarit të një partie të vogël me një ego gjigante, i cili me daljet e tij të përditshme ka arritur një rezultat të rrallë: ka bërë shumë qytetarë të ndihen edhe më keq për padrejtësitë e jetës. Jo pak prej tyre duhet ta kenë kapur veten duke pëshpëritur: “Pashë Zotin, po si është bërë milioner ky me këtë mendjelehtësi kaq të dukshme?”
Në fakt, ky është një mekanizëm psikologjik interesant. Ka njerëz që shkëlqejnë në një rol të caktuar, por besojnë se suksesi në atë rol i bën automatikisht të shkëlqyer në çdo fushë tjetër. Harrojnë se një sipërmarrës i mirë nuk është domosdoshmërisht një komunikues i mirë publik, një strateg i mirë nuk është domosdoshmërisht një orator i mirë dhe një njeri që ka ndërtuar pasuri nuk është medoemos edhe një mendimtar i thellë.
Ndoshta kjo është arsyeja pse disa mite rrëzohen jo nga kundërshtarët, por nga vetë zëri i tyre. Sa më shumë flasin, aq më shumë zvogëlohet madhështia që publiku ua kishte ndërtuar me imagjinatë. Sepse reputacioni shpesh jeton më mirë në atë hapësirë ku lë vend për mister. Në shumë raste heshtja nuk fsheh mungesë argumentesh, por ajo është forma më inteligjente e ruajtjes së madhështisë. Kurse protagonizmi, sidomos në fusha të tjera ku nuk je as kompetent e as i zoti, pavarësisht besimit të verbër në vetëvete, thjesht e redukton shumë këtë madhështi.

Nga 1 janari 2021: 22.5% rritja e çmimeve, 51.6% rritja e pagave, 24.7% rritja e pensioneve

16 July 2026 at 12:57

Nga Eduard Zaloshnja
Duke filluar nga 1 janari i vitit 2021, INSTAT-i ka përdorur një metodologji të re për llogaritjen e Indeksit të Çmimeve të Konsumit, të harmonizuar me metodologjinë e Eurostat-it (Institutit statistikor të BE-së). Sipas këtij indeksi të harmonizuar me BE-në, çmimet e konsumit janë rritur mesatarisht 22.5% nga 1 janari 2021 deri më 1 qershor 2026 (shihni tabelën e mëposhtme). Ndërkohë, në të njëjtën periudhë, paga mesatare e raportuar është rritur 51.6% dhe pensionet 24.7%.
Duke qëmtuar në zërat e ndryshme të konsumit të popullsisë, bie në sy rritja e ndjeshme 36.8% e zërit ‘Ushqime dhe pije joalkolike’. Dhe ky zë përbën 34.6% të buxhetit mesatar familjar të shqiptarëve. Brenda këtij zëri, spikasin zarzavatet përfshirë patatet, çmimi i të cilave është rritur plot 61.9%, si edhe qumështi, djathi dhe vezët, çmimi i të cilave është rritur plot 50.9%.
Për një familje mesatare që shpenzon vetëm 34.6% të buxhetit mujor për ushqime dhe pije joalkolike, rritja e çmimit të tyre mund të mos jetë problematike, pasi mbulohet nga rritja e pagave dhe pensioneve. Por për jo pak familje, kjo përqindje është goxha më e lartë se 34.6% në buxhetin e tyre, i cili ka pak vend për shpenzime të tjera…
Çmimi mesatar i pijeve alkolike dhe i duhanit është rritur 18.7%, por kjo rritje është e mirëpritur nga këndvështrimi i shëndetit publik, sepse mund të dekurajojë sadopak konsumimin e këtyre produkteve të dëmshme për shëndetin e shqiptarëve.
Ndërkohë, rritja 10.2% në zërin ‘Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji’ ka goditur mijëra e mijëra shqiptarë, sidomos në dy komponentët e fundit.
Ndryshimi (%) i Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit nga 1 janari 2021 deri më 1 qershor 2026 Përqindja në buxhetin familjar
Gjithsej 22.5 100
Ushqime dhe pije joalkolike 36.8 34.6
Ushqime 37.6 33.8
Bukë dhe drithra 26.9 5.4
Mish 33.0 6.6
Peshk 26.1 1.5
Qumësht, djathë dhe vezë 50.9 3.9
Vajra dhe yndyrna 32.3 1.9
Fruta 27.8 6.9
Zarzavate përfshirë patatet 61.9 6.4
Sheqer, recel, mjaltë, çokollata, dhe ëmbëlsira. 27.5 1.0
Ushqime të tjera 26.0 0.3
Pije joalkolike 14.7 0.8
Kafe, çaj dhe kakao 21.9 0.2
Ujë mineral, pije të buta dhe lëngje 12.3 0.6
Pije alkolike dhe duhan 18.7 5.2
Pije alkolike 18.1 3.7
Duhan 20.3 1.5
Veshje dhe këpucë 13.8 3.7
Veshje 15.6 2.9
Veshje për burra 15.6 0.7
Veshje për gra 16.4 1.1
Veshje për fëmije 13.0 0.4
Këpucë 8.3 0.8
Këpucë për burra 7.7 0.4
Këpucë për gra 12.6 0.3
Këpucë për fëmijë 5.1 0.1
Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji 10.2 5.6
Qira 17.7 1.2
Mirëmbajtje 21.9 0.6
Furnizim me ujë 6.3 0.4
Lëndë djegëse dhe energji 5.9 3.4
Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë 19.1 5.7
Mobilje,tapete dhe mbulesa dyshem, dhe riparim 23.2 2.2
Mobilje dhe mobilime 23.5 2.0
Tapete dhe mbulesa të tjera dyshemeje 21.7 0.1
Tekstile shtëpie 24.3 0.6
Pajisje shtepie 5.5 1.0
Makine larje e tharje rrobash dhe makinë larëse enesh. 6.0 0.4
Pajisje gatimi. 5.3 0.1
Ngrohës dhe kondicionerë 5.8 0.2
Qelqurina, mbulesa tavolinë dhe enë shtëpie 12.3 0.2
Mallra dhe shërbime për mirëmbajtje shtëpie 23.1 1.2
Shëndeti 7.9 5.4
Medikamentet dhe produkte të tjera farmaceutike 3.4 2.2
Shërbime mjeksore, paramjeksore dhe dentare 12.3 2.3
Shërbime spitalore 8.9 1.0
Transporti 8.1 7.9
Blerje mjetesh transporti -13.0 2.4
Shërbime ndaj mjeteve personale të transportit 15.6 2.7
Shërbime transporti 16.0 2.8
Komunikimi 6.8 1.9
Shërbimi postar 0.1 0.2
Argëtim dhe kulturë 27.9 6.7
Pajisje audio-vizuale, fotografike, dhe riparimi i tyre. -3.9 0.3
Shërbime argëtimi dhe kulturë 8.3 0.4
Gazeta, libra dhe mjete shkollore 16.1 0.3
Shërbimi arsimor 11.9 4.7
Hotele, kafene dhe restorante 17.3 14.9
Kafe – restorante(catering). 16.8 8.9
Shërbime akomodimi 18.0 6.0
Mallra dhe shërbime të ndryshme 12.1 3.6
Kujdes personal 15.5 2.7

Tre dallgët e emigracionit

15 July 2026 at 12:08

Nga 3.21 milionë shtetas të regjistruar në Gjendjen Civile në fund të 1989-ës, vetëm 1% banonin jashtë Shqipërisë; nga 4.7 milionë shtetas të regjistruar sot në Gjendjen Civile, rreth 50% banojnë jashtë Shqipërisë.

Nga Eduard Zaloshnja

Në fund të vitit 1989 – para se të hiqeshin telat me gjemba nga kufijtë e Shqipërisë – në regjistrin e Gjendjes Civile figuronin 3.21 milionë shtetas shqiptarë.  Nga këta, sipas regjistrimit të popullsisë që u krye atëherë, 99% jetonin brenda vendit – vetëm 32 mijë shtetas rezultonin emigrantë (politikë apo ekonomikë).

Aktualisht, në regjistrin e Gjendjes Civile figurojnë plot 4.7 milionë shtetas shqiptarë.  Nga këta, sipas një vlerësimi të përafërt statistikor të INSTAT-it, rreth 2.35 milionë jetojnë brenda vendit. Pra, gjysma rezultojnë jashtë vendit.

Po cilat janë etapat e rritjes së numrit të shtetasve jashtw vendit nga 0.03 milion më 1989, në 2.35 milionë sot?

Vitet ’90 shënuan një eksod biblik të shqiptarëve drejt Italisë, Greqisë, etj, etj. Si rezultat, në vitin 2001 kishim pothuaj 1 milion shtetas shqiptarë jashtë vendit – në regjistrin e Gjendjes Civile figuronin pothuaj 4 milion shtetas shqiptarë, ndërsa nga regjistrimi i popullsisë në fund të vitit 2001, numri total i banorëve rezultoi 3 milionë.

Në etapën e dytë të emigracionit, eksodi i shqiptarëve vazhdoi, por jo më me përmasa biblike – numri i shtetasve shqiptarë jashtë vendit u rrit nga 1 milion që ishte më 2001, në 1.5 milion më 2011 (u shtuan 500 mijë në një periudhë 10-vjeçare). Konkretisht, në regjistrin e Gjendjes Civile figuronin 4.3 milionë shtetas shqiptarë, ndërsa nga regjistrimi i popullsisë në fund të vitit 2011, numri total i banorëve rezultoi 2.8 milionë.

Edhe në etapën më të fundit të emigracionit, eksodi i shqiptarëve vazhdoi me ritme të ngjashme – numri i shtetasve shqiptarë jashtë vendit u rrit nga 1.5 milionë që ishte më 2011, në 2.35 milionë sot (në një periudhë 15-vjeçare). Konkretisht, në regjistrin e Gjendjes Civile figurojnë 4.7 milionë shtetas shqiptarë. Ndërsa nga një vlerësim i përafërt statistikor i INSTAT-it, rezulton se banojnë në vend rreth 2.35 milionë nga këta shtetas.

Prej kurbës së emigracionit nga viti 1989 e këtej, mund të konstatohet se ritmi i emigracionit është ngadalësuar në krahasim me etapën e parë të eksodit të madh (1990-2001), por mbetet përsëri shqetësues për zbrazjen e vendit nga popullsia. Nëse emigracioni vazhdon me ritmin aktual, pas disa vjetësh, do të kemi me siguri më shumë shtetas shqiptarë jashtë Shqipërisë se sa brenda saj…

Alonso, kundër Formula 1 moderne: Kemi humbur emocionin, tani nuk duhet më talenti

14 July 2026 at 18:09

Piloti spanjoll ka qenë gjithmonë një nga zërat më kritikë ndaj epokës së re të Formula 1 dhe analiza e tij e fundit është veçanërisht e ashpër ndaj aftësive që kërkohen sot nga pilotët. Një epokë ku garat me ritëm “hap-mbyll” po dominojnë, ndërsa diferencat e energjisë po përcaktojnë betejat mes pilotëve të ndryshëm. Edhe pse kritikat nuk janë më aq të drejtpërdrejta sa në fillim të sezonit, ajo që u pa në Britani tregon një situatë që nuk u pëlqen shumë yjeve të Formulës 1.

Fernando Alonso është ndër pilotët që ka ngritur më fort zërin për problemet që, sipas tij, nuk po zgjidhen nga rregullorja aktuale. Që në Monako ai ishte shumë i qartë, pavarësisht spektaklit të mirë të garës: “Kemi humbur një dekadë garash”, tha spanjolli. Kritika e tij i drejtohej makinave me komponentë hibridë dhe elektrikë, të cilat janë pjesë e Formulës 1 që nga viti 2014 dhe kanë kaluar përmes disa ndryshimeve rregullatore.

Pas problemeve të shfaqura në Britani, Alonso dërgoi edhe mesazhe të tjera të forta: “Talenti dhe ndjesia e pilotit nuk janë më të nevojshme. Nuk ke nevojë të kesh ndonjë aftësi të veçantë për të parakaluar, as të frenosh më vonë. Nuk ke nevojë të marrësh linja të jashtme, as të rrezikosh”, u shpreh dy herë kampioni i botës. Një deklaratë e fortë nga një pilot i njohur pikërisht për aftësinë e tij në duelet kokë më kokë, me parakalime historike në çdo epokë të këtij sporti, si ai ndaj Mikael Shumakerit në kthesën 130R të Suzukës apo manovrat ndaj Luis Hamiltonit në Bahrejn në vitin 2023. Sot, sipas Alonsos, situata ka ndryshuar:

“Shtyp një buton dhe parakalon nëse ke më shumë fuqi se kundërshtari”, analizoi ai. Si shembull ai përmendi garën Sprint, ku Kimi Antoneli kaloi me lehtësi Luis Hamiltonin falë një diference të madhe energjie, pasipërdori mënyrën e parakalimit në Mercedesin e tij. Ndërkohë, kjo situatë pritet të vazhdojë edhe në Belgjikë:

“Nuk mund ta përdorësh energjinë në pjesët e drejta. Nëse e bën këtë mes kthesave 1 dhe 5, atëherë nuk ke më energji për pjesën tjetër të xhiros. Duhet ta ruash deri te kthesa 14. Do të ketë një sektor pa përdorim energjie. Nuk duhet të harrojmë se kemi më pak fuqi se vitin e kaluar dhe më pak fuqi… edhe se një makinë e Formula 2”, përfundoi Alonso. Pista e Belgjikës, së bashku me atë që do të vijë në Monza, është ndër më të vështirat për natyrën e këtyre makinave, të cilat kanë nevojë për frenime të forta për të rikuperuar energji. Edhe këtë aspekt Alonso e përmendi: “Tashmë nuk ka më kthesa, ka vetëm stacione karikimi”.

ARTIN LLESHAJ-PANORAM


© BalkanWeb


<!– fillon sondazh

Sondazh

–>

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

100 mijë në bulevard, ose 800 mijë në kutitë e votimit

14 July 2026 at 10:04

Nga Eduard Zaloshnja

Në mënyrë fare të vendosur, Edi Rama e ka bërë mëse të qartë se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen prej procesionit të përnatshëm protestor, që fillon me disa qindra qytetarë në Sheshin Skënderbej dhe përfundon me disa mijëra që marshojnë nëpër rrugët e Tiranës.

Sidoqoftë, vendosmëria e Ramës mund të tronditet nëse 100 mijë protestues pushtojnë bulevardin dhe nuk e lëshojnë atë ditë e natë. Por 100 mijë në bulevard mund të jenë vetëm kur ai të mbushet plot, nga Universiteti deri te monumenti i Skëndërbeut – mesatarisht me 2 protestues për çdo metër katror (imagjinoni 2 persona të ngujuar ditë e natë në një ashensor të vogël nga ata një-metër-katrorëshit!)

Ky skenari i 100-mijëshit në bulevard duket i parealizueshëm nga ç’kemi parë deri më sot. Po skenari i mundjes së Ramës në zgjedhje, si duket?

Nga ekstrapolimi i përafërt statistikor i një sondazhi që zhvillova për JAVANEWS (https://javanews.al/ekskluzive-sondazhi-cfare-rezultatesh-zgjedhore-do-te-kishim-nese-do-te-votohej-se-afermi/), rezultoi se rreth 755 mijë zgjedhës në Shqipëri do të votonin për një parti të re (nëse krijohet). Ky numër tregon se ekziston një rezervuar gjigand elektoral për një parti të re që do të sfidonte PS-në në zgjedhje.

Por po të gërmojmë pak më thellë në të dhënat e sondazhit, vërejmë se 4/5 e këtyre përkrahësve votuan vjet për partitë ekzistuese opozitare, kryesisht për PD-ASHM. Dhe në qoftë se në krye të partisë së re hipotetike del një grup neomarksist, ata nuk do ta votonin.

Nga ana tjetër, në qoftë se në krye të partisë së re hipotetike del një grup i ekstremit të djathtë, 1/10 e përkrahësve që votuan vjet për PS-në nuk do ta votonin partinë e re. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për një pjesë të 5/10 që nuk votuan fare vjet.

Me pak fjalë, si teorikisht edhe praktikisht, është e pamundur që një parti e re të thithë gjithë ujin elektoral të rezervuarit të sipërpërmendur. Ndërkohë, për të mundur PS-në në zgjedhje, një partie apo një koalicioni partish i duhen të paktën 800 mijë vota brenda vendit…

Skenarët e tjerë që qarkullojnë, me futje të dhunshme në katin e parë të Kryeministrisë, apo me byzylykët e SPAK-ut në zyrën e Ramës, janë thjesht fantazmagorikë…

 

 

 

Lufta ime e yjeve!

10 July 2026 at 21:05

Nga Lutfi Dervishi

Kam bërë vetëm katër review në Google. Pra, nuk jam ndonjë veteran i frontit të yjeve dhe as ndonjë marshall i Google Maps.

Por katër vlerësimet e mia kanë një karakteristikë: janë ekstreme. Kur më ka pëlqyer shumë një vend, kam dhënë pesë yje. Kur jam larguar i pakënaqur, kam dhënë një.

Mes vlerësimeve pozitive është një byrektore modeste në Mbrostar, që është bërë tashmë pit stop sa herë më bie rruga andej. Kam vlerësuar me pesë yje edhe një lokal të thjeshtë, pothuajse provizor, në Borsh. Plazhi ishte i pastër, ushqimi shumë i mirë dhe shërbimi po ashtu. Madje përmenda me emër kamarierin e ri që na shërbeu.

Më jep kënaqësi fakti që ky vlerësim pozitiv është parë nga mijëra njerëz. Ndoshta ndonjëri ka ndaluar aty edhe prej atyre pak rreshtave.

Por kam shkruar edhe dy review me një yll, të dy për restorante luksi.

Njëri ishte për një restorant dikur shumë të mirë, në Durrës, ku prita pothuajse një orë dhe ku cilësia e ushqimit ishte zhgënjyese. Megjithatë vlerësova sjelljen e kamarierit me notë të lartë.

Tjetri ishte edhe më i ashpër, por plotësisht i merituar. Isha ftuar në një darkë me një grup të huajsh, në një lokal ndoshta nga më të shtrenjtët në Tiranë. Muzika ishte aq e lartë sa nuk dëgjoja njeriun që kisha në krah. Kërkova disa herë që volumi të ulej, pak, por kërkesat e mia dhanë aq rezultat sa merr njeriu që prashit në det.

Review ishte shumë negativ, por jo qorrazi. Ushqimit i dhashë notën 4 nga 5, ndërsa shërbimit dhe atmosferës 1. Pra, kuzhinieri u shpall i pafajshëm. Menaxheri dhe kamarieri morën ndëshkim. Afro dy mijë njerëz e kanë parë vlerësimin.

Nga restoranti? Asnjë përgjigje, as një pyetje, as një ndjesë, as një përpjekje për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur. As edhe formulën standarde: “Na vjen keq që përvoja juaj nuk përmbushi pritshmëritë”, atë fjali që sot ta prodhon inteligjenca artificiale para se menaxheri të ketë rrufitur kafenë e mëngjesit.

Kjo më bën përshtypje sidomos sot, kur Shqipëria është përfshirë në atë që mund ta quajmë lufta e yjeve.

Pas reagimeve publike të një grushti pronarësh të bizneseve ndaj protestës dhe protestuesve, ka nisur një aksion i organizuar për vlerësime negative ndaj një numri të kufizuar restorantesh dhe hotelesh.

Zemërimin e kuptoj. Madje e mirëkuptoj. Kur një pronar biznesi vendos të hyjë në debat publik, të përçmojë ose të fyejë protestuesit, nuk mund të presë që të kthehet qetësisht pas banakut dhe të thotë: politika është politikë, biznesi është biznes. Sidomos në kapitalizëm, ku klienti është mbret, jo tabelë qitjeje.

Dje, drejtori i Policisë së Shtetit deklaroi se policia do të hetojë çështjen e review-ve. Në një vend me probleme të krimit të organizuar, të të shumëkërkuarve, trafikut të drogës dhe korrupsionit, ideja që policia ngrihet në këmbë për yjet e restoranteve është, të paktën, një zgjedhje interesante prioritetesh.

Kërcëno me jetë Kryeministrin në rrjete sociale dhe nuk të ndodh asgjë. Guxo t’i japësh një yll një restoranti dhe ngrihet në këmbë policia, me në krye drejtuesin madhor me dy yje.

Por pikërisht sepse reagimi i policisë është joproporcional, nuk duhet rënë në të njëjtin kurth të mungesës së masës.

Një review negativ nga një klient që ka qenë në lokal, ka paguar faturën dhe tregon përvojën e vet, është një gjë, por një mijë review negative, të koordinuara nga njerëz që nuk kanë shkelur kurrë në atë biznes, janë diçka tjetër.

Në rastin e parë flet klienti, në të dytin flet turma.

Dhe turma, edhe kur zemërimin e ka të ligjshëm, nuk e ka gjithmonë shënjestrën të saktë.

Nëse lufta yjeve del nga shinat, bashkë me të thatin mund të digjet edhe i njomi. Pas një hoteli nuk është vetëm pronari që ka bërë një deklaratë IDIOTE dhe arrogante. Ka recepsionistë, kamarierë, kuzhinierë, pastruese, furnitorë dhe familje që jetojnë me ato paga. Është një zinxhir i tërë.

Kjo nuk do të thotë se klienti duhet të heshtë. Përkundrazi.

Review është një nga instrumentet më demokratike të kapitalizmit modern. Një klient i vetëm mund t’u tregojë mijëra njerëzve përvojën e tij. Nuk i duhet televizion, gazetë, parti dhe, deri dje, as edhe leje nga policia.

Përvoja ime më e mirë me review nuk lidhet me restorante luksoze. Lidhet me kënaqësinë që një vlerësim pozitiv për një biznes modest është parë nga mijëra klientë potencialë.

Përvoja më e keqe nuk është as ushqimi i dobët, as pritja një orë dhe as muzika që të bënte të kërkoje azil akustik. Është heshtja. Mospërfillja. Fakti që një klient shkruan publikisht për një përvojë të keqe, mijëra njerëz e lexojnë, dhe biznesi nuk interesohet fare të kuptojë çfarë ka ndodhur.

Pronarët që duan të bëjnë politikë duke përçmuar klientët ose protestuesit, besoj se e kanë marrë mesazhin.

Kartoni i verdhë është nxjerrë. Por pavarësisht kartonit të verdhë loja vazhdon, nuk është sinjal për të hyrë të gjithë në fushë. Sepse kur turma vendos të bëjë drejtësi me yje, e vetmja gjë që del me pesë yje në fund është kaosi.

‘Orteku Murinjo’ në turizmin shqiptar po ngadalësohet…

9 July 2026 at 21:52

Nga Eduard Zaloshnja

Më 2022 u regjistruan në Shqipëri 7.5 milionë hyrje me pasaporta të huaja (https://www.instat.gov.al/al/temat/industria-tregtia-dhe-sh%C3%ABrbimet/turizmi/#tab2 ) – një rritje prej 17.7%, krahasuar me vitin para pandemisë Covid-19. Në vitet në vijim, kjo rritje ka qenë galopante, duke arritur vjet rekordin 11.7 milionë hyrje me pasaporta të huaja, ose 82.6% më shumë se më 2019.

Po nga erdhi kjo rritje galopante e hyrjes me pasaporta të huaja në Shqipëri?

Qeveria shqiptare nuk ka financuar ndonjë fushatë publicitare në rrjetet televizive e internetore ndërkombëtare. As ka financuar reklama në stadiumet e famshme sportive (si për shembull reklama ‘Visit Rwanda’, që shfaqet në stadiumet e Premier League, etj.).

Për të kuptuar rritjen e popullaritet të Shqipërisë si destinacion turistik, duhet bërë një zhytje në internet, në kërkim të luahtjeve të shfaqjes së emrit Albania në të. Këtë lloj kërkimi më ndihmoi ta bëj specialist IT që më ndihmon për zhvillimin e sondazheve të mia.

Nga kërkimi i të gjitha faqeve në internet dhe i të gjitha rrjeteve sociale kudo në botë, na rezultoi se deri më 25 maj 2022, shfaqja e emrit Albania ishte minimale në sferën digjitale botërore. Por me fitoren e finales së Conference League në Tiranë nga Roma e Murinjos, shfaqja e emrit Albania pësoi një kërcim statistikor të habitshëm në sferën digjitale botërore.

Dy fjalë për “efektin Murinjo”

Kurrë nuk mund t’i shkonte ndër mend FSHF-së dhe qeverisë shqiptare (kur vendosën të ndërtonin Arenën Kombëtare “Air Albania”) se një ditë do të vinte në Tiranë të luante finalen e 5-të europiane traineri më i suksesshëm i finaleve, “The special One” Murinjo. E aq më tepër, që ai edhe do ta fitonte këtë finale. Një lajm ky që u shfaq në titujt e mediave (jo vetëm sportive) në mbi 150 vende të botës. Murinjo është një emër i njohur (brand name) botëror që e shumëfishoi vlerën promovuese të lajmeve mbi zhvillimin e finales së UEFA Conference League në Tiranë. Një bonus ekstra (falas) për punën e bërë nga FSHF-ja dhe qeveria shqiptare për sjelljen dhe organizimin e përsosur të asaj finaleje.

‘Orteku Murinjo’ po ngadalësohet…

Qysh kur filloi ‘Orteku Murinjo’, emri Albania në sferën digjitale botërore ka ruajtur një prezencë të kënaqshme për një vend të vogël, që ishte poshtë radarit ndërkombëtar digjital para pandemisë. Por ka shenja se ky ortek po ngadalësohet…

Në plazhin Durrës-Golem, më i gjati në vend (10 km) dhe me kapacitetet më të mëdha akomoduese për turistë, kanë filluar të mbizotërojnë ndjeshëm dialektet e gjuhës shqipe. Vjet mbizotëronin gjuhët e huaja…

Vjet operatorët turistikë raportonin se ishte shumë e vështirë të pronotoheshin dhoma në hotelet e plazhit Durrës-Golem. Kurse sivjet është shumë më e lehtë…

Edhe nëpër lokalet e plazhit Durrës-Golem, pronarët raportojnë se nuk ka gjasa ta kapin rekordin e xhiros së vjetshme…

Ç’duhet bërë në vijim?

Në një botë ku informacioni (pozitiv dhe negativ) lëviz me shpejtësinë e elektroneve, orteqet digjitale mund të mbarojnë aq shpejt sa fillojnë,. Që ‘Orteku Murinjo’ të vazhdojë gjatë, duhet që qeveria shqiptare dhe operatorët turistikë të bashkpunojnë për një strategji afatgjatë të zhvillimit të turizmit, ku të ndërthuret promovimi dhe përmirësimi i ofertës turistike të Shqipërisë.

 

 

 

Rutina e “Kilometrit të fundit”

7 July 2026 at 17:23

Nga Eduard Zaloshnja

Në janar Berisha filloi ciklin e N-të të protestave bulevardore të PD-së, me premtimin se ato do ta detyronin Ramën të jepte dorëheqjen, për t’i hapur rrugën krijimit të një qeverie teknike dhe zgjedhjeve të parakohëshme.

Cdo 10 ditë Berisha i thërriste përkrahësit e tij në bulevard, duke u dhënë shpresë se kishte mbetur vetëm “kilometri i fundit” në marshimin drejt rrëzimit të qeverisë Rama. Por pas cdo 10 ditësh, protesta tkurrej në numra dhe rritej në dhunë (në formën e molotovëve dhe flakadanëve).

Rutinën e “Kilometrit të fundit” Berisha e vazhdoi deri në mes të majit, kur u bë qesharak vazhdimi i mëtejshëm – po dukej më shumë si kilometri i fundit i vetë Berishës, se sa Ramës që e përqeshte atë nga Kryeministria.

Një rutinë të ngjashme, por me përmasa më të mëdha, po përsërisin organizatorët e protestave bulevardore aktuale. Cdo javë ata bëjnë thirrje për grumbullim masiv të protestuesve të shtunave (nga brenda e jashtë vendit), duke krijuar shpresën se të shtunën e rradhës turma protestuese do të jetë aq e madhe sa do ta detyrojë Ramën të japë dorëheqjen. Por turmat nga e shtuna në të shtunë vetëm zvoglohen…

Për më tepër, organizatorët e protestave nuk e kanë bërë të qartë publikisht se cdo të ndodhë, edhe sikur Rama të japë dorëheqjen. Deri tani ata kanë demonstruar se dinë të organizojnë rradhën e dhënies së mikrofonit protestuesve që duan të flasin apo itenerarin e marshimit pas përfundimit të protestës, por jo një rrugë kushtetuese për kurorëzimin e objektivit të tyre final.

Nikol Pashinijan, fjala vjen, e nisi në Armeni “Revolucionin e Kadifenjtë” me 100 protestues pas tij, dhe eventualisht në shesh u mblodhën mbi 100 mijë. E gjithë kjo zgjati nga 31 marsi 2018 deri më 8 maj 2018, kur Nikol Pashinijan u zgjodh kryeministër me pothuaj 60% të votave në parlament, megjithëse partia e tij kishte vetëm 10% të mandateve.

Kurse protestuesit bulevardorë në Tiranë nuk kanë as lider dhe as numrat në shesh për të realizuar atë që protestuesit armenë realizuan para gjashtë vjetësh. Këta tanët thjesht po vazhdojnë rutinën e “Kilometrit të Fundit”…

 

Koherenca, besueshmëria dhe e drejta për të gjykuar

4 July 2026 at 09:06

Nga Shpëtim Luku

Një mik, për të cilin kam konsideratë dhe respekt reciprok, më telefonoi këto ditë për të më shprehur disa rezerva lidhur me një shkrim që kisha publikuar pak ditë më parë në Facebook, me titull “Nuk mund të kesh të drejtë dy herë”.

Gjatë bisedës u përpoqa t’i shpjegoja më qartë atë që kisha pasur ndërmend të thosha. I tregova se, në thelb, shkrimi përmbante edhe një shigjetë të tërthortë ndaj disa ish-zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste, të cilët për vite me radhë ishin ndër përfituesit më të mëdhenj të pushtetit, ndërsa sot janë shndërruar në kundërshtarët më të egër të Edi Ramës dhe të qeverisë së tij.

“Emërimi dhe katapultimi i tyre në poste të rëndësishme është, pa dyshim, një nga argumentet e kritikës ndaj Edi Ramës për mënyrën se si e konceptoi dhe e ushtroi pushtetin. Ishin zgjedhje të tij, qofshin ato në emër të risive, të reformimit të administratës apo të eksperimentimit me qeverisjen”, i thashë. Duke i rreshtuar edhe emra konkrete protagonistësh publikë me biografi të fortë politike.

“Në këtë pikë nuk jam dakord me ty”, ma ktheu ai. “Tek tjetri duhet të vlerësosh atë që thotë, jo kush është ai që e thotë.”
Këtu u ndamë në mendim.

Sepse unë besoj se, edhe pse një argument duhet gjykuar mbi bazën e fakteve dhe logjikës së tij, nuk mund të shpërfillet plotësisht besueshmëria e atij që e artikulon. Nuk është rastësi që edhe në gjykatë avokati përpiqet të testojë besueshmërinë e dëshmitarit. Nëse ai ka gënjyer më parë, nëse ka ndryshuar vazhdimisht versionet ose ka interesa të dukshme, gjykata nuk është e detyruar ta shpallë automatikisht gënjeshtar. Por është e detyruar të jetë më e kujdesshme ndaj dëshmisë së tij.

E njëjta logjikë vlen edhe në jetën publike.

Kur dikush ka qenë për vite me radhë pjesë e një sistemi, e ka mbrojtur atë, ka përfituar prej tij dhe madje ka kontribuar në ngritjen e tij, ndërsa vetëm pasi largohet prej tij shndërrohet në akuzuesin më të ashpër, publiku ka të drejtë të pyesë: a është kjo një zgjim i ndërgjegjes, apo një revoltë e lindur nga zhgënjimi personal?

Kjo nuk do të thotë se gjithçka që ai thotë është e pavërtetë. Mund të thotë edhe të vërteta të rëndësishme. Por ato nuk mund të kërkojnë të njëjtin besim që do të meritonte një njeri i cili ka qenë koherent me parimet e tij gjatë gjithë kohës.

Koherenca nuk është luks moral. Ajo është një nga themelet e besueshmërisë publike, ndërkohë që vetë besueshmëria është kapitali më i çmuar i kujtdo që pretendon të flasë në emër të së vërtetës.

Prandaj nuk mjafton vetëm të kesh të drejtë sot. Duhet të shpjegosh edhe pse dje kishe kaq shumë bindje për të kundërtën. Sepse e vërteta mund të ndryshojë rrallë, por njerëzit ndryshojnë shpesh. Dhe kur ndryshojnë, kanë detyrimin t’u shpjegojnë të tjerëve nëse kanë ndryshuar nga ndërgjegjja apo nga interesi.
Vetëm atëherë fjala e tyre fiton sërish peshë. Përndryshe, ajo mbetet e rrethuar nga dyshimi se nuk flet arsyeja, por mllefi.

Deti i tërë mes së thënës e së bërës…

2 July 2026 at 10:23

Nga Eduard Zaloshnja

Kam bërë disa sondazhe qysh kur filloi cikli i protestave të shkaktuara nga përplasja e dhunshme e disa protestuesve me disa roje private në Zvërnec. Dhe jo të paktë kanë qenë në sondazhe përkrahësit e protestave, sidomos ata që banojnë në Tiranë.

Por sa nga përkrahësit në sondazhe kanë marrë pjesë fizikisht në protesta?

Në Korçë, Durrës, Shkodër, Fier etj., protestuan pak qindra në ditët e para pas përplasjes së Zvërnecit. Kurse në Tiranë protestat kanë vazhduar çdo mbrëmje në bulevard me pak mijë pjesmarrës, teksa vetëm më 20 qershor pati një pjesëmarrje vërtet të madhe (pjesëmarrje e fryrë edhe nga të ardhurit e diasporës dhe të trojeve shqiptare përrreth, të cilët nuk kanë qenë pjesë e sondazheve që kam zhvilluar këtu).

Ndërkohë, herë pas here, kam shëtitur mbrëmjeve në rrugët e Tiranës, për të kuptuar pse shumë nga ata që në sondazhe thonë se i përkrahin protestat, në fakt, nuk shkojnë në protestat bulevardore.

Nëpër kafene kam parë shumë të rinj, që ose ndjekin ndeshjet e kampionatit botëror, ose thjesht vazhdojnë muhabetet e tyre të përnatshme. Ndërkohë njerëz më të moshuar i kam parë duke vazhduar rutinën e tyre të zakonshme.

Gjatë kësaj periudhe, më ka rastisur të shkoj dy herë edhe në Fier. Situatë edhe më e qetë atje. Por besoj se njësoj ka qenë situata edhe në qytete të tjera.

Me pak fjalë, teksa jo pak i përkrahin protestat në sondazhe, fare pak dalin të protestojnë. Thënë ndryshe, është e lehtë të përgjigjesh në një sondazh se i përkrah protestat, por është e vështirë të ngrihesh nga kafeneja për të protestuar. Ose siç thotë populli, nga e thëna në të bërë, ndan një det i tërë…

Kur duartrokitet dhuna

2 July 2026 at 09:07

Nga Lutfi Dervishi

Dhunimi i publicistit Ilir Demaliaj është një lajm shqetësues, jo vetëm sepse një qytetar është sulmuar fizikisht, por edhe për mënyrën se si një pjesë e opinionit reagon ndaj kësaj ngjarjeje.
Mjafton të lexosh disa komente online ku në vend të dënimit të dhunës, dhe empatise gjen të kundërtën deri në kënaqësinë perverse që “X e pësoi”
Para se të mësohen të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësi(t) të dalin para drejtësisë, një gjë është e qartë: dhuna ndaj një njeriu nuk mund të relativizohet, të justifikohet apo, akoma më keq, të festohet.
Nuk ka rëndësi nëse je dakord apo jo me Ilir Demalian, me idetë e tij apo me mënyrën se si ai i shpreh ato. Askush nuk duhet të dhunohet për fjalët që thotë. Liria e shprehjes nuk ekziston për të mbrojtur vetëm mendimet që na pëlqejnë. Ajo ekziston pikërisht për të garantuar të drejtën për të dëgjuar edhe ato që nuk jemi dakord apo nuk na pëlqen t’i dëgjojmë.
Shqetësimi bëhet edhe më i madh kur sheh se si krijohet një klimë normale për dhunën. Dhe duket anormale të flasësh kundër saj. Fillimisht degradon biseda në studio televizive, ku fyerja, etiketimi dhe demonizimi i kundërshtarit trajtohen si “debat”. Më pas i njëjti model zhvendoset në rrjetet sociale, ku gjuha bëhet edhe më agresive, sepse anonimiteti e ul pragun e përgjegjësisë. Është “fjala e fundit që shkruhet e para në tastierë ” dhe nga aty, kalimi në rrugë është shumë më i lehtë sesa duam ta pranojmë. Ajo që dëgjojmë në rrugë e sheshe nuk krahasohet me “normalizimin” prej vitesh të dhunës on line.
Asnjë shoqëri nuk bëhet më e lirë, më e mirë dhe më demokratike kur njerëzit mendojnë se grushti është një formë komunikimi.
Sot viktimë e dhunës ishte një publicist, nesër mund të jetë një politikan, një aktivist, një mjek, një profesor, një fqinj, ose thjesht dikush që tha diçka që dikujt tjetër nuk i pëlqeu.
Prandaj, distancimi dhe dënimi i dhunës nuk është çështje simpatie, është mbrojtje e një parimi që i mbron të gjithëve dhe që dallon njeriun nga kafsha.
Në momentin kur fillojmë të duartrokasim dhunën ndaj atij që nuk e pëlqejmë, kemi hedhur hapin e parë drejt një shoqërie ku askush nuk është më i sigurt…!

Një produkt politik që mund të prodhojë protesta

30 June 2026 at 10:09

Nga Eduard Zaloshnja

Programi utopik i protestës së përnatshme bulevardore, herë i paraqitur në formë kërkesash nga lexues të ndryshëm në mikrofon dhe herë i paraqitur si platformë në rrjete sociale, nuk ka asnjë shans realizimi për sa kohë i gjithë bulevardi nuk mbushet plot me protestues 24 orë çdo ditë.

Po sa protestues mund ta mbushin të gjithë bulevardin nga kreu në fund?

Ja ç’na tregon aplikacioni CalcMaps (shihni më poshtë foton gjeodezike) për sipërfaqen e gjithë bulevardit (megjithë trotuaret), duke filluar nga Universiteti e deri tek fillimi i lulishtes së Monumentit të Skënderbeut: Është gjithsej 41,237 metra katrorë.

Sikur ajo sipërfaqe të mbushet (që nuk po mbushet) me protestues në dendësi mesatare normale protestash prej 2 personash për metër katror, i bie që të mblidhen rreth 83 mijë protestues, e të mos shkulen prej andej. (Imagjinoni 2 persona të ngujuar për orë të tëra në një ashensor të vogël nga ata një-metër-katrorëshit)

Por në realitet, turma protestuese më e madhe deri më sot (ajo e datës 20 qershor) shtrihej vetëm nga Kryeministria deri te Galeria e Arteve – e jo nga Universiteti deri tek fillimi i lulishtes së Monumentit të Skënderbeut. Për më tepër, ajo turmë u shpërnda kur ra nata, dhe në mbrëmjet pasardhëse ka ardhur duke u zvogëluar, e jo duke u rritur…

Sidoqoftë, edhe pse programi utopik i protestës së përditshme bulevardore nuk ka gjasa të realizohet, një objektiv politik organiztorët e saj mund ta arrijnë: Mund të nxjerrin një kandidat konkurrues përballë kandidatëve për kryebashkiakë të dy partive të mëdha.

Më 2023, vetëm 302 mijë zgjedhës tiranas morën pjesë në zgjedhjet bashkiake, nga rreth 500 mijë me banim këtu. Në ato zgjedhje, Qori, që u fut në garë si kandidat që do tërhiqte votuesit e zhgënjyer nga dy partitë e mëdha, mori vetëm 14 mijë vota…

Ndërsa një kadidat i dalë nga protesta aktuale mund të tërheqë vota nga ata tiranas që nuk kanë votuar fare. Duke e kthyer kështu për herë të parë garën për bashkinë e Tiranës në një garë treshe – mes dy kanditëve të partive të mëdha dhe kandidatit të protestës.

41,237 square meters

Anatomia e një muaji rezistencë: Bilanc dhe pyetje

29 June 2026 at 17:40

Nga Lutfi Dervishi

Tridhjetë ditë janë të mjaftueshme që një qeveri të absorbojë, neutralizojë, ose të negociojë me një valë presioni qytetar. Kjo nuk ka ndodhur sepse nuk kemi të bëjmë thjesht me kundërshtimin e një projekti, por me një gjyq publik ndaj një modeli qeverisës ku vendimmarrja arbitrare dhe kapitalizmi klientelist kanë hasur në një rezistencë që pushteti as e parashikoi, as nuk di ende ta menaxhojë.

Megjithatë, pas një muaji, edhe vetë lëvizja përballet me pyetjen e vështirë: Po më pas?
Edhe nëse ky cikël manifestimesh (nga më paqësorët në kontinent) do të përfundonte sot, ka tre gjëra që nuk mund të fshihen.
E para: Eshtë rrëzuar miti i apatisë shqiptare. Në fakt çfarë u rrëzua nuk ishte apatia, por mosbesimi te ndërmjetësit tradicionalë, partitë, e deri diku dhe mediat. Duke dalë në shesh pa struktura partie dhe pa lider formal, kjo lëvizje u rreshtua në të njëjtën linjë me protestën kundër armëve kimike të 2013-ës dhe revoltën studentore të 2018-ës. Të tria u ndezën kur kauza tejkaloi llogaritjet elektorale. Të tria treguan se qytetarët mobilizohen vetëm kur nuk shohin ndërmjetës të besueshëm.

E dyta: Narrativa ndërkombëtare mbi Shqipërinë. Për vite me radhë vendi është identifikuar kryesisht me emigracionin, korrupsionin ose krimin e organizuar. Protesta krijoi një tjetër narrativë: një shoqëri civile që mobilizohet në mënyrë paqësore për të mbrojtur interesin publik. Lidhja e kauzës ekologjike me kapitalin global (Familja e Presidentit Trump) e nxori debatin nga provinca dhe e bëri të lexueshëm në gazetat britanike, gjermane e franceze. Por dihet që vëmendja ndërkombëtare me po aq lehtësi që kaloi nga Teherani në Tiranë, me po atë lehtësi edhe ikën.

E treta: protesta pa dirigjent. Sistemi është mësuar të negociojë me koka lëvizjesh , (më saktë t’i korruptojë ato). Mungesa e një lideri të vetëm e bëri lëvizjen të pakapur, por e ka lënë pa zë negociator. Kur askush nuk flet në emër të sheshit, pushteti fiton alibinë e përhershme: “nuk kemi me kë të dialogojmë”

Mungesa e lidershipit ka dy anë: Autenticiteti, pakapja, pakorruptueshëmria, por ana tjetër, një lëvizje pa strukturë negociuese nuk mund ta kthejë presionin moral në rezultat institucional. Çdo protestë jeton nga kapitali moral, por ky kapital, ndryshe nga ai financiar, nuk prodhon interesa pa fund. Nëse nuk shndërrohet në rezultat politik ose institucional, ai nis konsumimin. Kur sheshi zbrazet, dhe do të zbrazet, nëse jo sot, nesër apo pasnesër, frika është se mos energjia e shpenzuar të kthehet në zhgënjim. Sidoqoftë, pakënaqësia në shesh, tregon që nuk mund të shpërfillësh më njerëzit. Mungesa e lidershipit në të njëjtën kohë rrëzon edhe teoritë e konspiracionit se ka “një dorë” që i organizon. (Nuk është Irani, Greqia, Kosova, Turqia, por Pakënaqesia)

Diaspora përbën një element të rëndësishëm simbolik dhe moral. Por duhet thënë hapur: sistemi e ka kalkuluar diasporën prej dekadash, për vota, për remitanca, dhe retorikë kombëtare. Prania fizike në shesh është një zhvillim i ri dhe me peshë simbolike. Por që të ndryshojnë llogaritë e pushtetit, disapora duhet të jetë faktor i qëndrueshëm dhe jo valë mobilizimi.
E njëjta logjikë vlen edhe për krahasimin me 2013-ën dhe 2018-ën. Ato dy lëvizje provuan se protesta mund të masivizohet. Por provuan edhe diçka tjetër, që shpesh lihet pa u thënë: se ndezja pa transformim institucional prodhon zhgënjim, e zhgënjimi prodhon apati edhe më të thellë.
Nëse edhe kjo valë e tretë mbyllet pa asnjë rezultat konkret dhe të verifikueshëm, kostoja nuk do të jetë thjesht dështimi i kësaj lëvizjeje, do të jetë dëmtimi i besimit te protesta si mjet ndryshimi.

Dilemat e sistemit

Strategjia klasike e sistemit ka qenë “lodhja”. “Bashkëekzistencë paqësore me protestën. Ne qeverisim, ju protestoni.” E ka aplikuar dy herë me sukses të pjesshëm. Por sot ka një ndryshim strukturor. Për herë të parë protesta dhe kalendari europian ecin paralelisht. Kjo nuk garanton ndryshimin, por bën shumë të vështirë kthimin në normalitetin e vjetër.
Nëse pas tri valëve të mëdha qytetare në 13 vjet, 2013, 2018, 2026, mënyra e vetme e elitës mbetet injorimi taktik, diagnoza bëhet e pashmangshme: nuk është sistemi që i reziston lëvizjeve qytetare, por lëvizjet qytetare që nuk kanë gjetur ende mekanizmin për ta detyruar sistemin të ndryshojë. Ky nuk është faj i sheshit, sepse përballë ka një strukturë pushteti të ndërtuar me kujdes. Ajo nuk kërkon vetëm energji më të madhe.
Nëse kjo protestë do të mbahet mend si kthesë, do të jetë sepse prodhoi diçka konkrete dhe të verifikueshme pas presionit të ushtruar. Nëse do të mbahet mend për dështimin nga lodhja apo kërkesat naive, atëherë sistemi do të fitojë jo duke kundërshtuar e dhunuar, por duke duruar.

Në fund, nuk do të vendosë as vetëm sheshi dhe as vetëm qeveria. Do ta vendosë aftësia e të gjithë aktorëve për të mësuar nga muaji Qershor. Sheshi duhet të gjejë mënyrën si ta kthejë energjinë morale në rezultat politik. Sistemi duhet të kuptojë se një protestë mund ta lodhësh, por nuk mund ta zhbësh pakënaqësinë që e ka prodhuar. Nëse njëra palë vazhdon të veprojë me emocion dhe tjetra vetëm me llogari, fituesi afatshkurtër mund të jetë sistemi. Humbësi afatgjatë do të jetë besimi i qytetarëve se ndryshimi është i mundur…

Të vendosësh sipas ligjit kur publiku pret diçka tjetër

29 June 2026 at 12:57

Nga Sokol Sadushi

Ka momente kur drejtësia përballet me një provë të vështirë: të vendosë sipas ligjit, ndonëse një pjesë e publikut pret një përgjigje tjetër. Pikërisht në këto momente matet jo vetëm pavarësia profesionale e gjyqtarit, por edhe pjekuria e një shoqërie për të pranuar se drejtësia nuk jepet nga pritshmëria, por nga ligji, provat dhe procesi i rregullt.

Tema e këtij paneli – balancimi i pavarësisë profesionale dhe perceptimit publik në vendimmarrjen gjyqësore – prek pikërisht këtë sfidë. Në pamje të parë, ajo lidhet me marrëdhënien e gjykatave me median dhe me komunikimin institucional. Megjithatë, në thelb, ajo shkon më thellë – te mënyra se si një shoqëri demokratike e kupton drejtësinë, rolin e gjykatës dhe kufirin midis debatit publik dhe procesit gjyqësor.

Në këtë kuptim, sfida nuk është të zgjedhësh midis pavarësisë profesionale dhe perceptimit publik, por të dish ta dëgjosh zërin e opinionit publik, pa lejuar që ai të diktojë vendimmarrjen gjyqësore. Kjo kërkon që gjyqtari të jetë i vetëdijshëm për interesin dhe pritshmëritë e publikut, por të vendosë vetëm mbi bazën e ligjit, të provave dhe të ndërgjegjes së tij profesionale.

Kjo përgjegjësi bëhet edhe më e madhe sot, kur debati për një proces gjyqësor nuk mbetet më brenda sallës së gjyqit dhe kur, jo rrallë, vendimi komentohet ende pa u shpallur. Sot, për çdo çështje me interes publik, krahas procesit gjyqësor zhvillohet edhe një proces tjetër, paralel, në studiot televizive, në portale, në rrjetet sociale, në foltoret politike dhe në çdo hapësirë ku krijohet opinioni publik.

Këto procese ecin paralelisht, por nuk ndjekin të njëjtat rregulla. Në sallën e gjyqit flitet me prova, me procedurë dhe me ligj, ndërsa në hapësirën publike flitet me bindje, me emocione, me perceptime dhe, jo rrallë, me interesa.

Ky nuk është një problem, në vetvete. Debati publik është pjesë e natyrshme e demokracisë. Media ka të drejtë të informojë, qytetarët kanë të drejtë të interesohen për drejtësinë dhe të komentojnë, ndërsa politika ka të drejtë të mbajë qëndrime. Demokracia nuk mund të jetojë pa lirinë e shprehjes dhe pa kontrollin publik mbi institucionet. Kjo liri e shprehjes e bën shoqërinë më të hapur dhe më të ndërgjegjshme.

Prandaj marrëdhënia midis drejtësisë dhe medias nuk duhet ndërtuar mbi logjikën e kundërvënies, por mbi përgjegjësinë e ndërsjellë ndaj publikut. Liria e medias dhe pavarësia e gjykatës nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën; përkundrazi, ato plotësojnë njëra-tjetrën, kur ushtrohen me integritet dhe brenda kufijve të rolit të tyre. Media e përmbush misionin e saj duke informuar me korrektësi, ndërsa gjykata duke vendosur në mënyrë të pavarur, vetëm mbi bazën e ligjit dhe të provave. Pikërisht këtu qëndron balanca që kërkon tema e këtij paneli.

Problemi lind kur debati, në vend që të ndihmojë publikun të kuptojë drejtësinë, fillon dalëngadalë të marrë pamjen e vetë gjykimit. Tashmë, komenti publik nuk shërben më për të ngritur pyetje, por merr formën e aktakuzës; ajo që ende është vetëm dyshim paraqitet si fajësi;  perceptimi nuk mbetet më një këndvështrim, por kërkon të zëvendësojë provat. Kështu krijohet një realitet i rrezikshëm, ku opinioni publik na paraqitet si vendim dhe ku verdikti i dhënë jashtë sallës së gjyqit merr, në sytë e publikut, më shumë peshë sesa vetë vendimi i gjykatës.

Kjo nuk do të thotë se vendimet gjyqësore nuk mund të kritikohen, apo se gjykatat duhet të qëndrojnë jashtë çdo vlerësimi publik. Përkundrazi, një gjyqësor në një shoqëri demokratike duhet të jetë i hapur ndaj kritikës, ta pranojë atë dhe, kur kritika është serioze, profesionale dhe e argumentuar, ta vlerësojë si një mundësi për t’u përmirësuar. Rreziku i vërtetë nuk qëndron te kritika, por te momenti kur ajo merr vendin e gjykimit, kur opinioni publik nuk pret më arsyetimin e gjykatës, por krijon bindjen se mund ta japë vetë vendimin; kur studiot televizive, portalet apo foltoret politike fillojnë të sillen si gjykata paralele.

Në këtë pikë, nuk jemi më përballë një debati të zakonshëm publik, por përballë një problemi që prek vetë shtetin e së drejtës. Drejtësia nuk mund të ndjekë shpejtësinë e lajmit. Ajo ka kohën dhe logjikën e procesit gjyqësor, të lidhur me marrjen dhe administrimin e provave, me dëgjimin e palëve, me respektimin e procesit të rregullt dhe me arsyetimin juridik të rastit. Kjo nuk është dobësi, por garancia më e madhe që ka qytetari.

Prej më shumë se tridhjetë e pesë vjetësh kemi dëgjuar politikanë të çdo krahu që, nga foltorja e Kuvendit apo nga tribunat politike, kanë shpallur fajtorë ose të pafajshëm, kanë komentuar dosje pa i lexuar dhe kanë kritikuar e sulmuar gjyqtarë e prokurorë pa njohur aktet e dosjes apo arsyetimin e vendimeve.

Me kalimin e kohës, kësaj kulture iu shtuan studiot e përnatshme televizive, më pas portalet e shumta dhe, së fundi, rrjetet sociale, duke e zgjeruar ndjeshëm hapësirën ku merren verdikte publike përpara se të flasë gjykata. Kjo nuk është çështje e një aktori të vetëm publik. Është një kulturë që ka përfshirë politikën, median, opinionin publik dhe, shpesh, vetë mënyrën se si shoqëria e ka kuptuar drejtësinë gjatë tranzicionit.

Pikërisht për këtë arsye, ky fenomen duhet të na bëjë të reflektojmë mbi disa standarde që nuk mund të vihen kurrë në diskutim. Në një shtet të së drejtës, askush nuk mund të shpallet fajtor përpara se të shqyrtohen provat; asnjë gjyqtar nuk duhet të delegjitimohet përpara se të japë arsyetimin e vendimit; asnjë prokuror nuk mund të gjykohet për rezultatin e një çështjeje përpara se procesi të ketë përfunduar. Këto nuk janë privilegje të gjyqtarëve, të prokurorëve apo të të pandehurve. Janë garanci që mbrojnë besueshmërinë e vetë drejtësisë.

Po aq shqetësues është fakti që, jo rrallë, në debatin publik qarkullojnë pohime që bien ndesh me atë që përmban dosja gjyqësore. Me një siguri të plotë, ato bëhen pa u njohur aktet, pa u shqyrtuar provat dhe pa u dëgjuar palët; ndërkohë, kur rezultojnë të pasakta, ndjesa publike ose përgënjeshtrimi vijnë rrallë, pranohen me vështirësi, por, edhe kur ndodhin, nuk e zhbëjnë gjithmonë dëmin që kanë krijuar. Kjo nuk është vetëm një çështje etike. Është një çështje që prek funksionimin e institucioneve, sepse një pohim i papërgjegjshëm mund të dëmtojë reputacionin e një individi, ndërsa shumë pohime të tilla mund të cenojnë besimin e shoqërisë te drejtësia.

Pikërisht për këtë arsye, në këtë debat duhet të jemi të qartë deri në fund. Politika ka të drejtë të kërkojë drejtësi, media ka të drejtë të informojë, qytetarët kanë të drejtë të kritikojnë. Këto janë të drejta të domosdoshme në një shoqëri demokratike, por asnjë prej tyre nuk mund të marrë vendin e gjykatës. Një shoqëri nuk largohet nga shteti i së drejtës kur kritikon gjykatat, por kur krijon bindjen se gjykatat janë të panevojshme dhe se vendimet mund të merren diku tjetër, në studio televizive, në portale, në rrjete sociale apo në foltore politike.

Kjo bëhet edhe më e rëndësishme në procesin penal, sepse pikërisht aty emocionet janë më të forta, indinjata është më e madhe dhe pritshmëria për ndëshkim është më e lartë. Pikërisht për këtë arsye ekziston procesi i rregullt ligjor dhe detyrimi për respektimin e tij në të gjithë elementet.

Prezumimi i pafajësisë, si një nga garancitë themelore kushtetuese, nuk është privilegj i të pandehurit dhe as pengesë për drejtësinë. Ai është një nga kushtet që e bëjnë drejtësinë të besueshme. Ky parim nuk mbron vetëm të pafajshmin nga dënimi i padrejtë, por mbron vetë drejtësinë nga presioni publik, nga paragjykimi dhe nga tundimi për të zëvendësuar provat me perceptimin e momentit.

Secili prej nesh duhet ta shohë procesin e rregullt jo vetëm si një parim abstrakt që u përket të tjerëve. Ata që sot flasin me lehtësi për fajësinë e dikujt, që paragjykojnë procesin, që e shndërrojnë studion, portalin apo foltoren në gjykatë paralele, duhet të kujtojnë se nesër mund të jenë vetë pjesë e një procesi gjyqësor. Dhe atë ditë do të kërkojnë, me të drejtë, që të respektohet prezumimi i pafajësisë, që të mos delegjitimohen publikisht përpara se të dëgjohen, që të mos gjykohen nga perceptimi, por nga ligji, që procesi të zhvillohet në gjykatë dhe jo në hapësirën e zhurmshme të paragjykimit publik.

Pikërisht për këtë arsye, procesi i rregullt ligjor nuk duhet mbrojtur vetëm kur na shërben neve. Ai duhet respektuar edhe kur mbron dikë që nuk na pëlqen, sepse vetëm atëherë është vërtet garanci kushtetuese.

Prandaj nuk është rastësi që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në mënyrë të përsëritur, ka konstatuar shkelje të procesit të rregullt ligjor edhe në çështje që kanë pasur interes të madh publik. Në raste të tilla, nuk kanë munguar reagime të ndryshme. Dikush ka shprehur habi, dikush është ndier i lehtësuar, dikush tjetër ka pyetur: “Si është e mundur?”. Megjithatë, Strasburgu nuk pyet nëse opinioni publik e konsideron dikë fajtor apo të pafajshëm. Ai pyet nëse shteti ka respektuar ligjin dhe garancitë e procesit të drejtë. Ky është dallimi midis drejtësisë dhe perceptimit. Dhe ky dallim nuk duhet të zbehet asnjëherë.

Natyrisht, ky reflektim nuk mund të drejtohet vetëm nga faktorët jashtë gjyqësorit. Edhe vetë sistemi i drejtësisë duhet ta shohë me përgjegjësi rolin e tij. Besimi publik nuk cenohet vetëm nga sulmet e padrejta apo nga gjykimet paralele. Ai cenohet edhe nga vendime të paarsyetuara mjaftueshëm, nga vonesa të pajustifikuara, nga mungesa e qartësisë dhe nga çdo sjellje që nuk i përgjigjet dinjitetit të funksionit gjyqësor. Pikërisht për këtë arsye, pavarësia nuk mund të kuptohet si privilegj i mbyllur ndaj kritikës, por si përgjegjësi e lartë publike. Sa më e madhe të jetë pavarësia, aq më e madhe duhet të jetë përgjegjësia profesionale, etike dhe institucionale për ta ushtruar atë me integritet.

Përvoja shumëvjeçare në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas në Gjykatën e Lartë më ka bindur për një mësim të rëndësishëm. Vendimet e vështira nuk vlerësohen gjithmonë në momentin kur jepen. Kam parë nga afër se si vendime të rëndësishme janë pritur me kritika të forta, janë sulmuar, janë keqkuptuar, janë lexuar përmes emocioneve të ditës dhe interesave të momentit. Megjithatë, kam parë edhe se si, vite më vonë, po ato vendime janë vlerësuar edhe nga ata që dikur i kishin kundërshtuar. Kjo më ka bindur se vlera e një vendimi gjyqësor nuk matet me reagimin që prodhon ditën kur shpallet, por me qëndrueshmërinë e arsyetimit dhe me aftësinë për t’i rezistuar kohës. Koha është shpesh gjykatësi më i drejtë i vendimeve të vështira. Prandaj gjyqtari nuk duhet të udhëhiqet nga dëshira për të kënaqur pritshmërinë e ditës, por nga detyrimi për të dhënë një vendim të mbështetur në ligj, në prova dhe në parime, i cili ruan qëndrueshmërinë e tij edhe kur ndryshojnë rrethanat, interesat apo perceptimet e momentit.

Ky reflektim nuk synon të vendosë gjyqësorin përballë medias, politikës apo opinionit publik. Përkundrazi, ai synon të rikujtojë se në një demokraci kushtetuese secili prej këtyre aktorëve ka një rol të pazëvendësueshëm, por edhe kufij që duhen respektuar. Media e lirë e bën demokracinë më të fortë, debati politik i përgjegjshëm e bën jetën publike më të shëndetshme, ndërsa gjykata e pavarur e bën qytetarin më të sigurt. Balancimi midis pavarësisë profesionale dhe perceptimit publik nuk arrihet duke i mbyllur gjykatat ndaj shoqërisë dhe as duke i nënshtruar ato ndaj presionit të saj. Ai arrihet kur secili institucion ushtron rolin e vet me përgjegjësi dhe respekton kufijtë e tij kushtetues.

Një shoqëri demokratike nuk dallohet nga fakti se të gjithë flasin për drejtësinë. Kjo ndodh kudo. Ajo dallohet nga aftësia për të pranuar se, pasi të gjithë kanë folur, duhet të ekzistojë ende një vend ku nuk vendosin zërat më të fortë, por ligji; ku nuk fitojnë emocionet, por provat; ku nuk mbizotëron perceptimi, por e vërteta juridike. Ky vend është gjykata.

Prandaj pavarësia e gjykatës nuk është një çështje e brendshme e gjyqësorit. Është një garanci publike. Është garancia se fjala e fundit për të drejtat, liritë, fajësinë apo pafajësinë e njeriut nuk do të thuhet në studio televizive, në portale, në rrjete sociale apo në foltore politike, por aty ku e kërkon Kushtetuta dhe ligji, në sallën e gjyqit, nga një gjykatë e pavarur, mbi bazën e provave dhe respektimit të procesit të rregullt.

Në këtë kuptim, titulli i kësaj fjale nuk është thjesht një formulim retorik. Ai përmbledh thelbin e funksionit gjyqësor në një demokraci kushtetuese: të vendosësh sipas ligjit edhe atëherë kur zhurma e ditës, pritshmëritë e opinionit publik apo presionet e momentit duket se kërkojnë një përgjigje tjetër. Pikërisht në ato çaste matet pavarësia e gjyqtarit dhe besueshmëria e drejtësisë.

Çdo rrugë tjetër mund të prodhojë zhurmë, ndikim apo kënaqësi të përkohshme. Vetëm rruga e procesit të rregullt, e provave dhe e ligjit prodhon drejtësi. Dhe pikërisht këtu qëndron edhe sfida më e madhe e ndërveprimit të drejtësisë me median: të informohet publiku, të respektohet debati, të dëgjohet kritika, por të mos harrohet asnjëherë se gjyqtari nuk vendos për të përmbushur pritshmërinë e ditës. Ai vendos sipas ligjit, edhe kur publiku pret diçka tjetër.

 

❌
❌