Revolucioni Flamingo dhe kufijtë e provës për “luftën hibride”
Protesta qytetare e njohur si Revolucioni Flamingo është një nga mobilizimet qytetare më të rëndësishme të viteve të fundit në Shqipëri. Në thelb të saj qëndron pakënaqësia me mënyrën si funksionon sistemi aktual i pushtetit politik dhe ekonomik, dhe me mënyrën se si merren vendimet për pasuritë publike dhe natyrore. Protesta nisi nga shqetësimet për ndërhyrjet dhe projektin e propozuar turistik të lidhur me Jared Kushner në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë, por tashmë është zgjeruar në një kërkesë më të gjerë politike për një sistem qeverisjeje më të përgjegjshëm, më të hapur, dhe në shërbim të interesit publik.
Teksa protesta ka hyrë në ditën e 20, shqetësimet dhe kërkesat e qytetarëve nuk janë adresuar në thelb. Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që prej fillimit ta paraqesë mobilizimin kryesisht përmes një kornize tjetër: si rezultat të “luftës hibride”, ndikimit të huaj keqdashës, llogarive të automatizuara dhe instrumentalizimit nga aktorë si Irani, Rusia, aktorë greqishtfolës apo rrjete të tjera ideologjike dhe anti-Trump. Kjo kornizë e zhvendos debatin nga shkaqet e pakënaqësisë qytetare te origjina e supozuar e amplifikimit online.
Së fundmi, sipas raportimeve mediatike, ka qarkulluar një raport konfidencial i kompanisë Blackbird.AI. Raporti analizon narrativat online rreth projektit të propozuar të Jared Kushner në Zvërnec dhe e vendos analizën brenda një dataset-i të titulluar “Kushner Investment in Albania”. Ai identifikon narrativa negative ndaj projektit, aktorë që i kanë amplifikuar ato, si dhe sinjale të mundshme koordinimi apo sjelljeje të dyshimtë në hapësirën online. Sipas të njëjtave raportime, dokumenti po shpërndahet privatisht, ndërsa nuk dihet kush e ka porositur apo financuar. Ai nuk është paraqitur zyrtarisht nga ndonjë institucion shqiptar, nuk shoqërohet me një metodologji të detajuar publike që lejon verifikim të pavarur dhe nuk i është nënshtruar një procesi të hapur shqyrtimi. Pikërisht për këtë arsye, raporti kërkon një lexim të kujdesshëm: çfarë mat realisht, çfarë na tregon dhe çfarë nuk provon.
Blackbird.AI është kompani private e bazuar në SHBA që punon në fushën e “narrative intelligence”, pra analizës së mënyrës si përhapen narrativat online, cilët aktorë i amplifikojnë, si lidhen rrjetet mes tyre dhe ku mund të shfaqen sinjale manipulimi, dezinformimi apo koordinimi. Produkte të tilla përdoren zakonisht për të kuptuar rreziqe reputacionale, fushata influence dhe lëvizjen e përmbajtjes në hapësira digjitale. Ky është konteksti në të cilin duhet lexuar edhe raporti për Shqipërinë: si analizë e qarkullimit online të narrativave, jo si hetim mbi origjinën apo organizimin e protestës.
Nga pikëpamja kohore, narrativa politike e “luftës hibride” i ka paraprirë raportit. Raporti nuk e futi këtë tezë në debat, por po qarkullon tani si material që mund t’i japë mbështetje analitike dhe faktike të pretenduar një teze që ishte artikuluar më herët nga Kryeministri dhe mazhoranca. Kjo kronologji ka rëndësi edhe sepse metodologjia e raportit përmend relevancën e narrativave ndaj “interesave të klientit”. Megjithatë, nuk është e qartë kush është klienti, si është paguar raporti dhe për çfarë qëllimi është porositur. Në një debat publik për një protestë qytetare të këtyre përmasave, porositësi dhe qëllimi i raportit bëhen pjesë e diskutimit, sepse ngrejnë pikëpyetje nëse dokumenti është vlerësim i pavarur apo analizë e ndërtuar sipas interesave të klientit. Pa ditur kush e kërkoi analizën, me çfarë pyetjeje kërkimore dhe për cilin interes, raporti nuk mund të trajtohet si vlerësim neutral i protestës.
Dokumenti e kornizon objektin e analizës si debat rreth investimit të lidhur me Jared Kushner në Shqipëri dhe rreth “narrativave negative” ndaj projektit. Ky dallim është thelbësor. Revolucioni Flamingo është protestë qytetare me fushë më të gjerë se reputacioni online i një investimi. Ajo ka ngritur shqetësime për ndryshimet ligjore në zonat e mbrojtura, konsultimin publik, transparencën, pronën publike, cilësinë e vendimmarrjes, rolin e institucioneve dhe marrëdhënien mes investimit privat dhe interesit publik. Raporti nuk i analizon këto çështje në substancë; ai sheh kryesisht narrativat digjitale që janë krijuar rreth projektit të propozuar të Kushner në Zvërnec.
Raporti evidenton narrativa konspirative, gjuhë antisemitike, korniza anti-Trump, anti-izraelite dhe anti-perëndimore, si dhe forma të mundshme amplifikimi të koordinuar. Këto gjetje duhen marrë seriozisht sepse tregojnë se rreth një proteste qytetare mund të krijohen shtresa përmbajtjeje që e dëmtojnë vetë kauzën. Kur mbi shqetësimet për zonat e mbrojtura, pronën publike dhe llogaridhënien ngjiten teori konspirative, gjuhë urrejtjeje apo interpretime të huaja për kontekstin shqiptar, debati zhvendoset nga substanca e protestës. Për mediat, aktivistët dhe qytetarët, kjo do të thotë se duhet bërë dallim mes kritikës legjitime ndaj projektit dhe përmbajtjeve që e përdorin protestën për qëllime të tjera politike ose ideologjike.
Raporti është i dobishëm sepse tregon si një protestë vendore mund të dalë nga konteksti i saj fillestar sapo hyn në qarkullimin ndërkombëtar online. Revolucioni Flamingo nisi nga shqetësime për zonat e mbrojtura, pronën publike, transparencën dhe llogaridhënien. Por lidhja e çështjes me emra si Trump, Kushner apo Izrael bëri që protesta të merrej edhe nga aktorë dhe audienca jashtë Shqipërisë, të cilët e lexojnë atë përmes interesave dhe përplasjeve të tyre politike. Kjo zhvendosje ka rëndësi sepse mund të ndryshojë mënyrën si kuptohet protesta. Një mobilizim qytetar për qeverisjen e pasurive publike mund të paraqitet jashtë vendit si pjesë e betejave politike që nuk janë të protestuesve shqiptarë. Raporti ndihmon për të parë këtë shtresë të debatit: mënyrën si kauza amplifikohet, riformulohet dhe përdoret nga aktorë që nuk kanë qenë burimi i pakënaqësisë qytetare në Shqipëri.
Pika ku raporti nuk e mban peshën e pretendimit politik lidhet me kalimin nga amplifikimi te autorësia. Raporti mund të tregojë se narrativa të caktuara janë ripostuar, zmadhuar ose deformuar nga llogari të huaja dhe rrjete të dyshimta. Ai nuk provon se këta aktorë e krijuan protestën, e organizuan, e drejtuan ose e mbajtën gjallë. Një video nga protesta mund të shpërndahet nga një llogari e huaj dhe të futet në një kornizë anti-Trump apo pro-ruse. Kjo tregon përdorimin e një ngjarjeje ekzistuese, por jo origjinën e saj.
Për të mbështetur pretendimin se Revolucioni Flamingo është produkt i aktorëve të huaj, do të duheshin prova të forta që shkojnë përtej rrjeteve sociale: lidhje me organizatorë vendas, financim, udhëzime, koordinim të thirrjeve për protestë, ndikim mbi logjistikën, kontroll mbi mesazhet kryesore dhe efekt i matshëm mbi pjesëmarrjen në terren. Raporti nuk paraqet një zinxhir të tillë provash. Ai mat postime, angazhime online dhe rrjete shpërndarjeje. Këto të dhëna shpjegojnë vetëm qarkullimin online të përmbajtjes, kryesisht në një platformë si X, por jo origjinën shoqërore dhe politike të protestës.
Vetë raporti pranon se shqetësimet që qëndrojnë në bazë të protestës janë reale. Ai e vendos nisjen e polemikës te çështjet e qeverisjes dhe mjedisit, përpara se të analizojë se si aktorë të jashtëm i kanë amplifikuar ato në hapësirën online. Ky pranim është i rëndësishëm sepse vendos një kufi të qartë për leximin e raportit: ai mund të flasë për mënyrën si një krizë reale është shfrytëzuar, riformuluar ose zmadhuar nga aktorë të ndryshëm, por nuk e kthen vetë krizën në produkt të atyre aktorëve. Prania e amplifikimit të jashtëm nuk e zhbën bazën qytetare të pakënaqësisë dhe nuk u jep përgjigje arsyeve që e kanë nxitur protestën.
Një kufizim metodologjik lidhet me peshën e X-it në analizë. Raporti deklaron se mbulon X, Telegram, media online, Reddit dhe TikTok. Megjithatë, provat më të forta për rrjete, koordinim dhe sjellje “bot-like” duken të përqendruara te X. Kjo platformë kap mirë aktorët ndërkombëtarë, komentuesit gjeopolitikë dhe llogaritë e politizuara amerikane. Mobilizimi qytetar në Shqipëri zhvillohet edhe në komunitete lokale, media vendase, Instagram, TikTok, Facebook, WhatsApp, takime fizike dhe hapësira proteste. Një analizë e dominuar nga X mund të tregojë ndërkombëtarizimin e debatit, por jep pak për organizimin qytetar në terren. Kjo krijon rrezik që ndërkombëtarizimi i debatit të duket më përfaqësues se vetë mobilizimi vendas.
Etiketimet e raportit për llogari “të përafruara me narrativat ruse”, aktivitetin në gjuhën greke dhe llogaritë me fokus Iranin kërkojnë lexim proporcional. Raporti përfshin aktorë të ndryshëm nën kategori të gjera dhe nuk e bën gjithmonë të qartë dallimin mes shpërndarjes së mesazheve të ngjashme, qëndrimit kritik ndaj projektit dhe koordinimit të mirëfilltë. Kjo e kufizon peshën shpjeguese të gjetjeve, sidomos kur vetë aktiviteti greqisht përbën më pak se 1 për qind të diskutimit total. Edhe referencat për llogari apo agregatorë me fokus Iranin mbeten në nivelin e qarkullimit online të narrativave dhe nuk mjaftojnë për të mbështetur pretendime më të gjera për drejtim shtetëror, ndërhyrje kibernetike apo ndikim të provuar mbi protestën në Shqipëri. Kjo nuk përjashton mundësinë që aktorë të huaj apo rrjete të dyshimta ta kenë shfrytëzuar protestën për qëllimet e tyre; kërkon që një pretendim i tillë të mbështetet me prova të qarta, të verifikueshme dhe të lidhura drejtpërdrejt me mobilizimin në Shqipëri.
Raporti ka edhe një mangësi të rëndësishme në qasje: fokusohet te narrativat kundër projektit dhe kundër qeverisë, pa analizuar me të njëjtën thellësi narrativat pro-projektit, amplifikimin e mesazheve zyrtare, sulmet ndaj protestuesve apo përpjekjet për t’i paraqitur qytetarët si të manipuluar. Manipulimi i debatit publik mund të vijë nga më shumë se një drejtim. Një analizë e plotë e mjedisit informativ do të duhej të shihte koordinimin, përzgjedhjen dhe manipulimin në të gjitha drejtimet.
Mangësia më e madhe e raportit është se e trajton protestën kryesisht si fenomen të qarkullimit online dhe lë në hije kontekstin e qeverisjes që e ka ushqyer atë. Revolucioni Flamingo është nxitur nga pyetje konkrete për ndryshimet ligjore në zonat e mbrojtura, transparencën e lejeve dhe vendimeve, konsultimin publik, përdorimin e pronës publike, hetimet institucionale, rolin e SPAK-ut dhe raportin mes interesit publik dhe investimit privat.
Këto çështje kërkojnë dokumente, përgjigje institucionale dhe llogaridhënie. Një raport mbi narrativat online mund t’i përmendë si sfond, por nuk mund t’i zëvendësojë dhe as ta zhvendosë vëmendjen prej tyre.
Raporti mund të shërbejë për një qëllim të kufizuar, por të rëndësishëm: të paralajmërojë publikun se një kauzë reale mund të deformohet nga aktorë që nuk kanë lidhje me shqetësimet qytetare në Shqipëri. Prania e gjuhës antisemitike, kornizave konspirative dhe instrumentalizimit gjeopolitik duhet marrë seriozisht. Media, aktivistët dhe qytetarët kanë interes ta mbrojnë debatin nga këto përmbajtje, sepse ato e largojnë vëmendjen nga thelbi i protestës dhe krijojnë hapësirë për delegjitimim politik.
Në të njëjtën kohë, institucionet nuk mund ta përdorin rrezikun e instrumentalizimit online si zëvendësim për përgjigjet që u detyrohen qytetarëve. Edhe nëse një pjesë e debatit është amplifikuar nga llogari të huaja, kjo nuk i jep përgjigje çështjeve që ndezën mobilizimin.
Një debat i ndershëm publik duhet të ndajë qartë tri nivele. Niveli i parë është përmbajtja e protestës: mjedisi, prona publike, konsultimi, ligji dhe llogaridhënia. Niveli i dytë është mjedisi informativ: si qarkullojnë narrativat, kush i amplifikon, cilat përmbajtje janë problematike dhe ku ka sjellje të dyshimtë. Niveli i tretë është përdorimi politik i këtij raporti apo raporteve të tjera: mënyra si një dokument konfidencial mund të shërbejë për të forcuar një narrativë zyrtare mbi “luftën hibride”. Përzierja e këtyre niveleve prodhon më shumë mjegull dhe nuk ofron qartësi për publikun.
Revolucioni Flamingo duhet gjykuar mbi bazën e arsyeve që nxorën qytetarët në protestë dhe mbi përgjigjet që qeveria dhe aktorët politikë japin për ato arsye. Amplifikimi online mund të shpjegojë si një protestë u bë pjesë e debatit ndërkombëtar. Ai nuk shpjegon pse qytetarët vazhdojnë me qëndrueshmëri protestën e tyre.
Lexo edhe:
Në ditën e 19-të, protesta shkon në Parlament
Parlamenti Evropian kërkon ndalimin e ndërtimeve në zonat e mbrojtura
The post Revolucioni Flamingo dhe kufijtë e provës për “luftën hibride” appeared first on Citizens.al.