Normal view

Yll Limani emocionon Shkupin, dedikimi për Shpat Kasapin prek publikun

By: M C
18 July 2026 at 22:52

Një mbrëmje e mbushur me muzikë, energji dhe emocione të forta ishte ajo që Yll Limani i dhuroi publikut në Shkup. Mijëra fansa u mblodhën për të ndjekur nga afër këngëtarin, duke e kthyer koncertin në një kor gjigant ku çdo varg u këndua njëzëri.

Hitet më të njohura të artistit dhe atmosfera elektrizuese mbajtën publikun të përfshirë gjatë gjithë mbrëmjes. Megjithatë, mes ritmit dhe ovacioneve, Ylli zgjodhi ta ndalte për pak çaste performancën për një moment të veçantë dhe mjaft emocionues.

Përpara të pranishmëve, këngëtari kujtoi Shpat Kasapin, duke folur për ndikimin e madh që ai kishte pasur në formimin e tij artistik dhe në dashurinë e tij për muzikën.

“Shpat Kasapi është një nga artistët me më së shumti ndikim në muzikën shqiptare dhe një nga ata artistë që më ka formuar”, u shpreh Ylli.

Ai tregoi se ishte rritur duke dëgjuar këngët e Shpatit dhe se njihte pothuajse çdo material të repertorit të tij. Edhe pse nuk kishin pasur mundësinë të njiheshin nga afër, takimet e rastësishme mes tyre kishin mbetur të paharrueshme për Yllin.

“Kur isha i vogël, i doja shumë këngët e tij dhe nuk kishte këngë që nuk ia dija. Nuk e kam njohur personalisht, por dy-tri herë e kam takuar në aeroport dhe gjithmonë jam shtangur nga ideja që takova idhullin e fëmijërisë sime”, rrëfeu ai me emocion.

Pas këtyre fjalëve, Yll Limani interpretoi një këngë në nder të Shpat Kasapit. Publiku në Shkup e priti dedikimin me duartrokitje të gjata, duke u bashkuar në një moment që solli në skenë kujtimin dhe trashëgiminë muzikore të artistit të ndjerë.

Dedikimi ishte një nga momentet më të ndjera të koncertit, duke dëshmuar se muzika e Shpat Kasapit vazhdon të jetojë te publiku dhe te artistët që u frymëzuan prej tij.

The post Yll Limani emocionon Shkupin, dedikimi për Shpat Kasapin prek publikun appeared first on Albeu.com.

Dita e 49-të e protestës/ Deputetja Marjana Koçeku shfaqet në tubimin e vendosur para Kryeministrisë

By: M C
18 July 2026 at 20:57

Deputetja tashmë e pavarur, Marjana Koçeku është shfaqur në tubimin e vendosur para Kryeministrisë. Ajo është parë e shoqëruar nga disa persona, ndërsa po ndjek fjalimet e qytetarëve.

Më herët ajo ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku ka bërë të ditur se do të jetë pjesë e protestës, duke vlerësuar qëndrueshmërinë e qytetarëve dhe të rinjve që kanë dalë në rrugë gjatë këtyre javëve.

“Do t’i bashkohem protestës e cila sot është në ditën e 49 të saj. Është kaq frymëzuese dhe kaq e bukur rezistenca e qytetarëve dhe rinisë që kanë patur gjatë këtyre ditëve në rrugët e vendit dhe siç duket nuk ka asnjë shenjë që të ndalet”, tha ajo.

Koçeku u largua rreth një muaj më parë nga grupi parlamentar socialist, duke nisur kritika ndaj mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama. Tashmë si deputete e pavarur, ajo i është bashkuar zërave që kërkojnë largimin e kreut të qeverisë.

The post Dita e 49-të e protestës/ Deputetja Marjana Koçeku shfaqet në tubimin e vendosur para Kryeministrisë appeared first on Albeu.com.

Rrëzohet marrëveshja Iran-SHBA/ Teherani njofton pezullimin e angazhimeve të tij

By: M C
18 July 2026 at 18:31

Irani ka njoftuar pezullimin e të gjitha detyrimeve të tij sipas Memorandumit të Mirëkuptimit me Shtetet e Bashkuara, duke përmendur shkeljet e mëparshme të marrëveshjes nga pala amerikane. Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Garibabadi, tha se vendimi u mor sepse sipas Teheranit, Uashingtoni tashmë ka shkelur dhe pezulluar të gjitha angazhimet e tij. Siç argumentoi ai, Irani nuk po zbaton më detyrimet që kishte marrë sipas marrëveshjes.

“Ne ishim në negociata, por vetë amerikanët ndërmorën veprime agresive, duke shkelur angazhimet e tyre”, tha zyrtari iranian, duke shtuar se prioriteti i vendit tani është të mbrohet nga zhvillimet. Mediat shkruajnë se Irani nisi sulme me raketa dhe dronë kundër objektivave në Kuvajt, Bahrein dhe Jordani, duke goditur objektet e lidhura me forcat amerikane.

Shtetet e Gjirit Persik dënuan sulmet iraniane ndaj infrastrukturës civile, duke i quajtur ato krime lufte dhe një shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së OKB-së. Irani ka thënë se nuk planifikon të rifillojë bisedimet me Uashingtonin, duke i dhënë përparësi mbrojtjes së vendit dhe hakmarrjes për sulmet amerikane.

The post Rrëzohet marrëveshja Iran-SHBA/ Teherani njofton pezullimin e angazhimeve të tij appeared first on Albeu.com.

Horoskopi 18 Korrik 2026/ Zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

By: M C
17 July 2026 at 23:48

Dashi

Ndjenjat për partnerin do jene edhe me te thella gjate kësaj dite. Nga ana tjetër do gjeni edhe mënyrën e duhur për t’i shprehur ato dhe do e bëni partnerin te lumtur. Beqaret do fillojnë histori dashurie afatgjata dhe mjaft te këndshme. Financat nuk do jene te këqija, megjithatë nuk duhet te hidheni me sy mbyllur ne detin e shpenzimeve.

Demi

Dite e shkëlqyer për te marre vendime te rëndësishme mbi jetën tuaj ne çift kjo e sotmja. Gjithsesi mendohuni disa here para se te veproni. Beqaret duhet ta harrojnë te shkuarën dhe te mendojnë vetëm për ato qe do vijnë ne te ardhmen. Ne planin financiar tregohuni te arsyeshëm dhe mos kryeni investime te pamenduara sepse do i vuani me vone pasojat.

Binjaket

Priten ndryshime shume te mëdha gjate kësaj dite ne jetën tuaj ne çift. Gjithçka do varet nga sjellja e kohëve te fundit kështu qe ju e dini mire nëse ndryshimet do jene pozitive apo negative. Beqaret do vazhdojnë te mbeten vetëm edhe pse nuk do rreshtin se kërkuari dashurinë. Financat do i keni me ne vëmendje dhe gjendja do mbetet e qëndrueshme.

Gaforrja

Do ketë shume përballje dhe zënka te forta sot ne jetën tuaj ne çift. Shpeshherë do ndiheni keq dhe nuk do dini nga t’ia mbani. Beqaret do kenë një dite te animuar dhe plot me njehje te reja. Shume shpejt gjerat do ndryshojnë për ta. Financat fatmirësisht do mbeten te mire duke qene se te afërmit do iu japin një ndihme te vogël. Do tregoheni te kujdesshëm edhe me shpenzimet.

Luani

Do bëni çfarë te jete e mundur gjate kësaj dite qe te mbani zgjuar zjarrin e pasionit. Si ju ashtu edhe partneri do jeni shume te dhënë pas njeri-tjetrit. Beqaret do ndihen gati ta fillojnë një histori dashurie me cilindo qe do ju dale para pa menduar për pasojat ne te ardhmen. Gjendja e financave do jete e mire, por nëse shpenzoni kuturu do pendoheni.

Virgjeresha

Do afroheni edhe me shume gjate kësaj dite me atë qe keni ne krah dhe do diskutoni gjere e gjate për çdo lloj teme qe do iu vije ne mendje. Beqaret do e takojnë me ne fund princin e tyre te kaltër dhe do fillojnë një etape te re shume me te bukur se me pare. Buxheti do jete i mire për pjesën me te madhe. Nuk do keni për çfarë te qaheni.
Peshorja

Plutoni do ju mbështesë gjate gjithë kohës sot dhe do iu tregoje rrugën e duhur qe duhet te ndiqni ne mënyrë qe gjerat te ecin mire ne çift. Beqaret do emocionohen pa mase fale disa propozimeve qe do iu bëhen. Mos i humbni ato ne asnjë mënyrë. Ne planin financiar do ju duhet te merrni masa drakonike ne mënyrë qe gjendja te mos destabilizohet.

Akrepi

Do ndiheni shume te lumtur gjate kësaj dite ne krahët e atij qe dashuroni dhe shpesh do ju duket sikur ne te vërtetë jeni ne një ëndërr. Beqaret do ja dalin te krijojnë një lidhje te qëndrueshme dhe afatgjate. Çdo gjë do jete me e bukur sot. Marrëdhënia juaj me paratë nuk do jete shume e mire. Do shpenzoni pa u menduar aspak dhe kjo mund te sjelle probleme serioze.

Shigjetari

Do jeni me humor shume te mire gjate kësaj dite dhe do i zgjidhni me mirëkuptim edhe mosmarrëveshjet e vogla qe keni pasur. Beqaret do takojnë persona interesante te cilët do ua shtojnë edhe me shume dëshirën për te filluar një lidhje. Shume shpejt do ndryshoni edhe status. Financat do jene te privilegjuara gjithë kohës. Mos u shqetësoni për këtë sektor.

Bricjapi

Nëse keni nevoje për me shume liri ne jetën tuaj ne çift, mjafton t’ia thoni partnerit tuaj dhe jo te veproni sipas mendjes suaj. Beqaret do kenë takime pa fund dhe do arrijnë te hedhin hapat e para drejt krijimit te një lidhjeje. Çdo gjë do jete shume me ndryshe për ta. Buxhetin do e menaxhoni me shume kujdes dhe maturi. Gjendja do jete edhe me e mire sesa ju mendonit.

Ujori

Do keni konflikte te njëpasnjëshme me partnerin tuaj gjate kësaj dite dhe gjithë kohës do jeni te brengosur e te mërzitur. Beqaret do jene ne pritje te princit te kaltër, por ne fakt qielli i dashurisë nuk premton shume. Financat fatmirësisht nuk do jene delikate. Nga ana tjetër mund te keni edhe fat ne ndodhe lotari, çka do e përmirësoje edhe me tepër situatën.

Peshqit

Dite e mbushur me pasion dhe emocione te forta kjo e sotmja për te dashuruarit. Çdo gjë do shkoje për mrekulli ndërmjet jush dhe atij qe keni ne krah. Nuk do keni me çfarë te kërkoni tjetër. Beqaret do vazhdojnë te kenë një dite te zakonshme dhe pa ndonjë takim impresionues. Te ardhurat do vijnë duke u përmirësuar. Do ndiqni një strategji strikte.

The post Horoskopi 18 Korrik 2026/ Zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj appeared first on Albeu.com.

Shqipëria, ndër vendet me më pak gra gjyqtare në Europë

By: M C
17 July 2026 at 23:40

Gratë përbëjnë shumicën e gjyqtarëve profesionistë në Shqipëri, por pesha e tyre është ndër më të ulëtat në Europë dhe më e ulëta në Ballkanin Perëndimor.

Në vitin 2024, gratë përbënin 55% të gjyqtarëve profesionistë në Shqipëri, ndërsa burrat 45%, sipas të dhënave të Eurostat. Me këtë nivel, Shqipëria renditet pranë fundit të klasifikimit europian, duke lënë pas vetëm disa vende si Polonia, Gjermania, Turqia, Lihtenshtajni, Irlanda dhe Islanda.

Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria kishte përqindjen më të ulët të grave gjyqtare. Në Serbi, gratë përbënin 73% të gjyqtarëve profesionistë, në Bosnjë dhe Hercegovinë 64.8%, në Malin e Zi 63.8%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut 61.4%.

Diferenca me Serbinë, që kryeson rajonin, arrin në 18 pikë përqindje. Shqipëria mbetet gjithashtu pas vendeve fqinje të Bashkimit Europian, si Greqia, ku gratë përbënin 75.5% të gjyqtarëve, dhe Kroacia, me 72.3%.

Të dhënat tregojnë se, ndonëse gratë janë shumicë në gjyqësorin shqiptar, ndarja mes gjinive është më e balancuar sesa në shumicën e vendeve të rajonit dhe të Europës, ku profesioni i gjyqtarit dominohet më dukshëm nga gratë.

Gratë shumicë në pothuajse të gjithë Europën

Sipas Eurostat, përqindja më e lartë e grave gjyqtare u regjistrua në Slloveni, ku ato përbënin 81.4% të totalit. Pas saj renditeshin Letonia me 79.7%, Greqia me 75.5%, Luksemburgu me 73.6%, Serbia me 73% dhe Kroacia me 72.3%.

Në Francë, gratë përbënin 70% të gjyqtarëve, ndërsa në Estoni dhe Hungari pesha ishte përkatësisht 68.7% dhe 68.6%. Nivele mbi 65% u regjistruan edhe në Lituani, Portugali, Finlandë dhe Rumani.

Në skajin tjetër të renditjes, gratë ishin pakicë në Islandë, me 43.1%, në Irlandë me 43.6%, në Lihtenshtajn me 45% dhe në Turqi me 49.6%. Gjermania kishte një ndarje pothuajse të barabartë, me gratë që përbënin 50.7% të gjyqtarëve profesionistë.

Eurostat thekson se Irlanda ishte i vetmi vend i Bashkimit Europian ku burrat përbënin shumicën e gjyqtarëve. Në Slloveni, Letoni dhe Greqi, përkundrazi, gratë përbënin mbi tre të katërtat ose afër këtij niveli të totalit.

BE-ja kishte më pak gjyqtarë se një dekadë më parë

Në vitin 2024, Bashkimi Europian kishte mesatarisht 15.7 gjyqtarë profesionistë për çdo 100 mijë banorë, nga 17.7 në vitin 2014.

Raporti më i lartë u regjistrua në Kroaci, me 43.3 gjyqtarë për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Sllovenia me 40.2, Luksemburgu me 36, Bullgaria me 35.4 dhe Rumania me 35.3.

Në anën tjetër, Irlanda kishte vetëm 3.6 gjyqtarë për 100 mijë banorë, Austria 4.3, Spanja 6.2, Çekia 6.7 dhe Italia 7.9.

Në përkufizimin e Eurostat përfshihen gjyqtarët profesionistë me kohë të plotë dhe të pjesshme, të autorizuar për të shqyrtuar çështje civile, penale dhe çështje të tjera, përfshirë edhe gjykatat e apelit. Nuk përfshihen gjyqtarët joprofesionistë dhe anëtarët laikë të trupave gjyqësore./Monitor

The post Shqipëria, ndër vendet me më pak gra gjyqtare në Europë appeared first on Albeu.com.

❌